21.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Irritohen turistët, Thethi më keq se Jugu me çmimet

Një qytetar mjaft i zhgënjyer nga kushtet e turizmit në zonën e Thethit, ka dashur të ndajë me ne eksperiencën e tij mjaft negative. Ai rendit në vijim mjaft probleme që në fakt është turp që të ekzistojnë ende sot në vitin 2017.
Qytetari ndër të tjera shprehet se më kot njerëzit ankohen për Jugun, pasi paska edhe më keq. Përshëndetje JOQ! Para dy ditësh vendosa të vizitoja Thethin meqë kisha dëgjuar dhe provuar Jugun. Isha tek vila Gjecaj. Më vjen keq t’ju them se jeni ankuar kot me çmimet e Jugut, sepse Veriu ishte një tmerr. Përveçse shërbimi ishte 0 dëgjoja vetëm ulërima si mes maleve nga midis shërbimit gjasme të vilës. 1 pilaf ose më ndryshe në gjuhën tonë 1 garuzhde pilaf për fëmijë, 300 lekë. Tmerrrr. Ua kam bërë hallall, sepse përveçse bukurisë natyrore që ju ka fal Zoti, malësorët më zhgënjyen. E dashuroj vendin tim, por ne s’bëhemi kurrë njerëz. Ne duam vetëm të vjedhim dhe të përfitojmë. Bashkangjitur po të dërgoj 2 prej faturave. Flm nqs e postoni.

Shqiptarja i ve zjarrin azilit në Gjermani dhe digjet

Gruaja 28-vjeçare nga Shqipëria, e cila u gjet e vdekur pas shpërthimit të zjarrit në shtëpinë e azilit në Bad Driburg, besohet t`i ketë vënë vetë zjarrin objektit. Kështu shkruajnë dje mediat gjermane, duke iu referuar informacioneve nga udhëheqësit e hetimeve, njofton wdr.de. Sipas tyre, një defekt teknik si shkaktar i zjarrit mund të përjashtohet ashtu si dhe ndonjë veprim i qëllimshëm i personit të tretë.
Shqiptarja 28-vjeçare duket se i ka vënë zjarrin me qëllimin për të mbytur veten, transmeton albinfo.ch. Në këtë pistë çojnë, sipas hetuesve, jo vetëm shenjat e zjarrit në vendin e fatkeqësisë, por edhe një mesazh që i është gjetur gruas në telefonin e saj celular.
Siç ka shkruar tashmë albinfo.ch, një refugjate shqiptare 28 vjeçe ka humbur jetën nga zjarri në shtëpinë e azilit në Gjermani. Në strehimoren qendrore për refugjatë në Clemensheim të Bad Driburg-ut, në pasditen e të premtes, rreth orës 16 e 30 ka shpërthyer një zjarr në katin e dytë të ndërtesës. Këtu ka gjetur vdekjen shqiptarja, ndërsa një grua tjetër ka pësuar lëndime të lehta, shkruan tag24.de. Fjala është për një grua me handikap, ndërsa e gjithë qendra e azilit këtu është e banuar me azilkërkues me nevoja të veçanta.

Zjarret vazhdojnë të përpijnë pyjet në jug të vendit

Zjarret vazhdojnë të përpijnë pyjet në jug të vendit. Reshjet e rëna gjatë natës së dielë kanë ndihmuar për të shuar plotësisht zjarret në disa zona, por vatra të reja janë shfaqur në jug të vendit, ku situata paraqitet mjaft e rëndë në Finiq, Delvinë dhe në Vithkuq. Bëhet e ditur se, flakët po shkatërrojnë një pyll me pisha të larta në vendin e quajtur Pisha e Panaritit në fshatin Panarit, Njësia Administrative Vithkuq. Në vendngjarje kanë shkuar 1 automjet zjarrfikës dhe forca zjarrfikëse, si dhe 12 forca të pyjores, të cilat nuk kanë mundur të izolojnë zjarrin për shkak të terrenit të thyer. Emergjencat Civile bëjnë të ditur se, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 5 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.
Qarku Vlorë
Janë aktive vatrat e zjarrit në territorin e Bashkisë Finiq dhe Delvinë. Situata ka qenë problematike në fshatin Janicat, Leshnicë e Sipërme dhe Leshnicë e Poshtme, Njësia Administrative Dhivër, Bashkia Finiq, si dhe në pyllin e Pilloit të fshatit Vergo, Njësia Administrative Vergo, Bashkia Delvinë. Helikopteri ka kryer disa operacione nga ajri duke hedhur ujë dhe ka shuar gati të gjitha vatrat e zjarrit në fshatin Janicat, Leshnicë e Sipërme dhe Leshnicë e Poshtme.
Qarku Korçë
Ka rënë zjarr në pyllin me pisha të larta në vendin e quajtur Pisha e Panaritit në fshatin Panarit, Njësia Administrative Vithkuq, Bashkia Korçë. Në vendngjarje kanë shkuar 1 automjet zjarrfikës dhe forca zjarrfikëse, si dhe 12 forca të pyjores, të cilat nuk kanë mundur të izolojnë zjarrin për shkak të terrenit të thyer. Helikopteri kreu disa operacione ajrore, duke bërë të mundur që të izolonte zjarrin në fshatin Panarit dhe të eliminonte përhapjen e tij. Sot, forcat po punojnë për të shuar plotësisht zjarrin.
Qarku Shkodër
Ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra që ndodheshin midis banesave në lagjen “Suma” të Njësisë Administrative Bushat, Bashkia Vau-Dejës. 1 automjet zjarrfikës dhe 4 forca zjarrfikëse, të cilat kanë punuar duke izoluar fillimisht zjarrin dhe më pas e kanë shuar plotësisht atë. Si pasojë e zjarrit u dogjën vetëm shkurre dhe ferra.
Qarku Lezhë
Ka rënë zjarr në kallamishtet e kanaleve ujëmbledhës që ndodhen ndërmjet banesave në fshatin Tale, Njësia Administrative Shënkoll, Bashkia Lezhë. Shërbimi vendor i MZSH Lezhë ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues, të cilët kanë punuar për të shuar zjarrin, por era e fortë ka bërë që zjarri të përhapet me shpejtësi, duke rrezikuar banesat. SHPFA ka dërguar 2 automjetet zjarrfikëse me 10 forca zjarrfikëse në fshatin Tale. Forcat zjarrfikëse kanë punuar me automjetet zjarrfikëse dhe kanë shuar zjarrin, duke eliminuar rrezikun e përhapjes së tij drejt banesave.
Qarku Dibër
Ka vazhduar puna nga forcat zjarrfikëse, forca të pyjores, 25 forca të ushtrisë dhe 16 forca vullnetare, të cilat kanë shuar plotësisht vatrat aktive të zjarrit në fshatin Bllacë, Njësia Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë. Vatrat e zjarrit janë shuar edhe si rezultat i reshjeve të rëna gjatë orëve të para të ditës së djeshme.

Aksidentet përgjakin rrugët, 1 i vdekur dhe 5 të plagosur

Durrësi është zgjuar me dy aksidente të njëpasnjëshme ditën e djeshme. Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur në dy aksidente që ndodhën paraditen e djeshme në Durrës. Fillimisht ndodhi një aksident i rëndë në rrugën Kavajë-Durrës ku një person ka gjetur vdekjen e menjëhershme si shkak i plagëve të rënda. Po ashtu mësohet se janë plagosur rëndë edhe 2 persona të tjerë, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt spitalit. Makina me targat AA 621 GE është aksidentuar me një kamion rreth orës 10:30 në aksin Golem-Durrës dhe si pasojë i është shembur dhe hequr pjesë nga tavani i saj.
Policia bëri të ditur se, në autostradën Kavajë-Durrës, mjeti tip “Skoda”, me drejtues shtetasin K.R., është përplasur me pjesën e mbrapme të mjetit tip kamionçinë me drejtues shtetasin E.Z. Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë, drejtuesi i mjetit tip “Skoda”, shtetasi K.R., 21 vjeç. “Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca, ku nga verifikimet paraprake ka rezultuar se në autostradën Kavajë-Durrës, mjeti tip “Skoda”, me drejtues shtetasin K.R., është përplasur me pjesën e mbrapme të mjetit tip kamionçinë me drejtues shtetasin E.Z. Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë, drejtuesi i mjetit tip “Skoda”, shtetasi K.R., 21 vjeç. Grupi hetimor vazhdon punën në vendngjarje për zbardhjen e shkakut dhe rrethanave të aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Dëshmitarë në vendin e ngjares bënë të ditur se, ambulanca ka shkuar me shumë vonesë në vendin e ngjarjes, ndërsa rruga ka mbetur e bllokuar prej më shumë se dy orësh. Policia nuk ka hapur as njërën korsi për të kaluar automjetet. “Mirë ne, por as kufomën s’kujtohet kush ta mbulojë derisa një qytetar u kujtua t’i vinte një mbulesë sipër aty për aty”, është shprehur një dëshmitar.
Policia bëri të ditur se, aksidenti ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara dhe përplasja e kamionit me autoveturën ka rezultuar fatale për shoferin e saj. pas dëshmitarëve, shoferi i automjetit ka ndenjur për minuta të tërë brenda makinës i bllokuar, ndërsa ambulanca është vonuar.
Drejtuesi i makinës tip “Skoda” me targa AA 621 GF ka humbur drejtimin e mjetit, e më pas makina është përplasur me trafikndarësen. Fatale për drejtuesin 21-vjeçar ka qenë përplasja me një kamionçinë, raporton durrëslajm. Si pasojë ka humbur jetën i riu, ndërsa janë plagosur rëndë dy pasagjerët. Të plagosurit janë transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa policia e mbërritur në vendngjarje ka nisur hetimet për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Dëshmia nga vendi i ngjarjes
Makina me targat AA 621 GE është aksidentuar me një tjetër mjet dhe si pasojë i është shembur dhe hequr pjesë nga tavani i saj. Qytetarët të gjendur në rrugë kanë shkruar për JOQ.al se “Njeriu është i vdekur brenda makinës dhe ka minuta të tëra që ambulanca nuk vjen, po tmerrohen njerëzit, duke parë kufomën pa kokë”.
“Përshëndetje JOQ! Ka vdekur një njeri dhe është bërë copë-copë nga aksidenti dhe është gati pa kokë fare, nuk e di nëse ka qenë me njerëz të tjerë në makinë. Ambulanca nuk duket gjëkundi dhe kemi dy orë këtu të bllokuar dhe Policia nuk hap as njërën korsi të paktën. Mirë ne, por as kufomën s’kujtohet kush ta mbulojë derisa një qytetar u kujtua t’i vinte një mbulesë sipër aty për aty”, përfundoi një dëshmitar.
Përplasen 4 makina te Mali i Robit
Pas ndarjes nga jeta të 21-vjeçarit, i cili u përplas me trafikndarësen në Golem dhe më pas me kamionçinën, një tjetër aksident ka ndodhur në zonën e Malit të Robit. Katër mjete të tjera janë përplasur në autostradën Durrës-Kavajë, ku si pasojë janë plagosur tre persona. Ndërkohë raportohet se, trafiku është ngarkuar dhe bllokuar tek Mali i Robit. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për shkaqet e aksidenteve.

Humb jetën në aksident polici kufitar në Shkodër

50-vjeçari Lek Nikolli, efektiv i Policisë Kufitare, po udhëtonte me automjetin e tij, tip “Mercedes Benz” nga Lezha në drejtim të Shkodrës, kur ka humbur kontrollin e makinës dhe ka dalë nga rruga. Për pasojë ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e plagëve të marra. Kanë qenë kalimtarë të rastësishëm, ata që kanë parë aksidentin dhe kanë njoftuar policinë. Efektivët e policisë, pasi mbërritën në vendin e ngjarjes, nisën hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Ndërkohë, paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin është bërë shpejtësia dhe përgjumja e drejtuesit të makinës që udhëtonte pas përfundimit të turnit të tretë në punë si polic kufitar në Shëngjin drejt Shkodrës ku edhe banonte.

Fier, gjendet i vdekur roja i kolaudimit të mjeteve

Gjendet i vdekur roja i pikës së kolaudimit të mjeteve në Fier. Bëhet e ditur se 65-vjeçari G.H. është gjetur i vdekur mëngjesin e djeshëm në vendin e punës. Ngjarja ndodhi në pikën e kolaudimit të automjeteve ku punonjësit kanë parë në meëngjes rojen e godinës të pajetë. Punonjësit njoftuan policinë, e cila mbërriti në vendngjarje bashkë me ekspertët kriminalistë. Këta të fundit thanë paraprakisht se 65-vjeçari ka vdekur për shkaqe natyrale.
Megjithatë trupi i G.H., është dërguar në morg për tiu nënshtruar autopsisë nga e cila pritet të zbardhet shkaku zyrtar i vdekjes. Policia tha se po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së 65-vjeçarit.
Policia e Fierit njoftoi se “në datën 14.08.2017, ora 06:10, në lagjen “1 Maji” Fier, tek pika e kolaudimit të mjeteve, është gjetur në vendroje i vdekur shtetasi G.H, 65 vjeç, banues në lagjen “Sheq i Madh” Fier. Nga hetimet paraprake dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes”.

I dënuari me burg ndryshon emrin në Shqipëri, arrestohet në Itali

Një 48-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim për vjedhje dhe dhunë në familje u arrestua nga policia italiane pas tratativave për t’i shpëtuar dënimit me 7 vite burg. Sipas mediave italiane, shqiptari u rikthye në Shqipëri dhe ndryshoi emrin, për të bërë të mundur rikthimin në Itali pa qenë nevoja të shlyente dënimin me 7 vite burg pas 3 urdhër-arresteve që rëndonin mbi të. Mandatet e arrestit ishin lëshuar nga magjistratët e Fierencës për dhunë në familje dhe vjedhje.
Mbrëmjen e djeshme, shqiptari ndodhej në tregun e San Lorenzo-s në Firence, pasi u kap nga policia gjatë një kontrolli rutinë. 48-vjeçari, edhe pse i dha informacione rreth vetes autoriteteve italiane për t’i shmangur ata, u shfaq i dyshimtë dhe kështu policia vendosi të bëjë një kontroll më të imtësishëm. Intuita e policëve nuk gënjeu, dhe policia zbuloi çdo gjë në lidhje me 48-vjeçarin dhe përpjekjes së tij për t’i shpëtuar burgut.

Një e moshuar rrihet dhe kërcënohet me armë natën

Një grua e moshuar u rrah nën kërcënimin e armëve natën e kaluar në fshatin Brataj të Vlorës. Dy persona kishin hyrë në shtëpinë e saj, duke qëlluar në ajër me armë për ta detyruar të dalë nga shtëpia. Kjo, pasi gruaja me inicialet F.S ishte ndarë nga bashkëshorti i saj me të cilin vazhdonte të jetonte në të njëjtën shtëpi.
“Dyshohet se dy shtetasit kanë hyrë në banesë, për të kanosur me armë shtetasen F.S., ku kanë përdorur edhe dhunë fizike ndaj saj, si një formë kërcënimi për t’u larguar nga banesa e ish-bashkëshortit të saj”, thuhet në njoftimin e policisë. Pas denoncimit, policia arrestoi Ervis Karçanajn, 24 vjeç, banues në Velsh, Vlorë. Ai rezulton të jetë nipi i shtetasit Sh.S., ku së bashku me autorin tjetër (ende të paidentifikuar nga policia), kanë hyrë në banesë dhe kanë kanosur shtetasen F.S.

Rrjeti i prostitucionit, Prokuroria dërgon për gjykim 28 të akuzuarit

Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim 28 persona të akuzuar për përfshirjen në një rrjet të gjerë prostitucioni, të cilët vepronin të organizuar në zona të ndryshme të kryeqytetit. Në bazë të hetimeve, të cilat janë përfunduar në fund të muajit korrik 2017, 8 prej të pandehurve akuzohen për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, ndërsa të tjerët për veprën penale të “Prostitucionit”.
Hetimi i Prokurorisë së Tiranës, i nisur në bazë të informacionit policor, si edhe i kryer me veprime konkrete policore në terren ka zbuluar se një pronar hoteli, disa persona që ushtronin profesion edhe taksist, një inspektor policie, si edhe disa vajza, bashkëpunonim me njëri-tjetrin për të siguruar “klientelë” për vajza që ushtronin aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit. Pagesa për çdo “shërbim seksual” varionte në shifrat 50-200 euro për orë.
Prokuroria e Tiranës identifikoi persona përgjegjës në bazë të hetimit, i cili përfshinte të paktën 3 episode kryesore, nga të cilat rridhin edhe disa të tjera, ku personazhet e këtij aktiviteti lidheshin me njëri-tjetrin.
Nga hetimet e Prokurorisë rezulton se në këtë rrjet janë të përfshirë 28 persona, ku mes tyre është edhe një punonjës policie. Prokuroria sqaron se ky rrjet e këta 28 persona vepronin të organizuar në zona të ndryshme të kryeqytetit.
“Në bazë të hetimeve, të cilat janë përfunduar në fund të muajit korrik 2017, 8 prej të pandehurve akuzohen për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, ndërsa të tjerët për veprën penale të “Prostitucionit”, sqaron Prokuroria.
Hetimi i Prokurorisë së Tiranës, i nisur në bazë të informacionit policor, si edhe i kryer me veprime konkrete policore në terren ka zbuluar se një pronar hoteli, disa persona që ushtronin profesion edhe taksist, një inspektor policie, si edhe disa vajza, bashkëpunonim me njëri-tjetrin për të siguruar “klientelë” për vajza që ushtronin aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit. Pagesa për çdo “shërbim seksual” varionte në shifrat 50-200 euro për orë.
Prokuroria e Tiranës identifikoi persona përgjegjës në bazë të hetimit, i cili përfshinte të paktën 3 episode kryesore, nga të cilat rridhin edhe disa të tjera, ku personazhet e këtij aktiviteti lidheshin me njëri-tjetrin.
Pas sigurimit të informacionit të plotë, Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar policinë të ndërhyjë në disa raste, ku janë gjetur në flagrancë vajzat që ushtronin prostitucion, si edhe klientët e tjerë, të cilët tashmë akuzohen për veprën penale të “Prostitucionit”.

Gruaja e Ballistit: Anomalia nisi që në Shqipëri me pasaportën

Ballisti u nis për në Shqipëri në qershor, për të marrë pjesë në funeralin e të atit, por më 12 qershor, gjatë kthimit për në Itali, u ndal në Kroaci nga autoritetet kroate në kufi. Mungesa e pasaportës ishte problem madhor, por ndërkohë u zbulua edhe një urdhër arresti ndërkombëtar lëshuar nga Serbia.
Që aty, nisi makthi për Morinën, por edhe për familjen e tij. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me bashkëshorten e Ballistit, Federika Lo Toro, që gjithë këto javë ka përjetuar një makth të vërtetë, sepse ka mbajtur e vetme dy fëmijë të vegjël dhe një tjetër do të vijë në jetë së shpejti, ndërsa ka udhëtuar shpesh nga Italia për në Kroaci, për të ndihmuar bashkëshortin e vet, duke qenë me profesion avokate.
Edhe pse ka vuajtur jo pak këto kohë, Lo Toro nuk është demoralizuar dhe duke rrëfyer verën e çmendur të familjes së saj, mundohet ta marrë me humor: “Pushime kroate, që janë shumë më mirë se ato serbe. Shpresojmë që Ismaili të na kthehet në shtëpi tani”.

-Përshëndetje, zonja Lo Toro, ju falënderojmë që na dhatë mundësinë të kryejmë këtë intervistë. Natyrisht, gjithçka lidhet me bashkëshortin tuaj, Ismail Morinën, pasi arrestimi i tij në Kroaci është çështje mjaft e rëndësishme, që u intereson të gjithëve në Shqipëri, me shpresën se gjithçka do të mbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Faleminderit, atë shpresojmë të gjithë. Ka qenë një periudhë e tmerrshme, por tashmë shpresojmë që situata të marrë zgjidhje dhe mbështetja nuk na ka munguar edhe nga Shqipëria dhe për këtë i falënderoj të gjithë, nga Federata Shqiptare e Futbollit e deri te autoritetet më të larta, pa harruar natyrisht mbështetjen e popullit shqiptar për Morinën.

-Pak a shumë kemi marrë informacione thuajse të përditshme në lidhje me situatën e Ballistit, por duke qenë ju në kontakt më të afërt, a mund të na tregoni si po procedohet për të arritur te lirimi i shumëpritur i tij?
Siç e keni mësuar edhe ju, Gjykata e Lartë e Kroacisë ka kthyer për shqyrtim nga e para çështjen për ekstradimin e tij në Serbi. Gjykata e Dubrovnikut do të merret me rigjykimin, pasi ishte po ajo gjykatë që 3 javë më parë vendosi ekstradimin e Morinës.

-Përse ky hap nga autoritetet kroate, duke qenë se në Dubrovnik është shqyrtuar një herë çështja?
Rikthimi për shqyrtim të çështjes është marrë për shkak të parregullsive në aspektin procedurial. Duke qenë edhe vetë me profesion avokate, udhëtova tërë natën kur në qershor Ismaili u ndal në kufirin kroat. Mbërrita në kohën e duhur për seancën në Dubrovnik, ku Ismailit i kishin caktuar një avokat zyre, që në fakt nuk u paraqit fare, pasi nuk dinte as italisht dhe nuk kishim mundësi komunikimi. E gjithë seanca u krye vetëm në praninë e një përkthyesi, i cili nuk e kishte idenë nga procedurat dhe pirgu i dokumentacionit para tij. Kjo është një nga shkeljet e seancës ku u mor vendimi për ekstradimin e Ismailit.

-Po tani, kthimi i çështjes për rishqyrtim, është një lajm i mirë për Morinën?
Po, natyrisht që është një lajm i mirë. Së pari, është bërë një hap pas nga shteti kroat, që tashmë e ka kuptuar rëndësinë e çështjes, edhe falë ndërhyrjes nga Shqipëria. Së dyti, Gjykata në Dubrovnik këtë radhë ka mundësinë të rregullojë gabimet e saj.

-Pse po ndiqet gjithë kjo procedurë e tejzgjatur?
Ndoshta Kroacia nuk dëshiron përplasje diplomatike me Serbinë dhe tashmë ka vendosur që t’ia rikthejë për shqyrtim Gjykatës në Dubrovnik çështjen, për të hequr përgjegjësinë nga Gjykata e Lartë apo qeveria. Natyrisht, është një çështje delikate edhe për Kroacinë, që nuk dëshiron të krijojë probleme me vendet fqinje, as me Shqipërinë.

-Po pse nisi e gjithë kjo histori?
Gjithçka lidhet me mungesën e pasaportës shqiptare për Ismailin. Atij i është konfiskuar pasaporta nga policia në Shqipëri prej më shumë se një viti e gjysmë. Është realisht një situatë absurde, sepse Ismaili ka thuajse dy vite pa pasaportë dhe kjo tregon se sistemi ka një anomali të madhe, sepse pasaporta nuk përbën ndonjë provë krimi dhe as e ka ndaluar Ismailin të lëvizë për në Itali. Kur u nis në Shqipëri, ai kaloi pa probleme, duke pasur edhe një dokument nga konsullata shqiptare, por në kthim autoritetet kroate në kufi bënë verifikime të tejzgjatura për shkak të mungesës së pasaportës dhe më pas u doli në sistem edhe një urdhër arresti lëshuar nga shteti serb.

-A ishte në dijeni Morina për këtë urdhër arresti?
Në fakt, jo. Duke qenë se ngjarja ndodhi në vitin 2014, ne u interesuam për lidhje me një urdhër arresti ndërkombëtar, por nuk ishte regjistruar askund, as në vitin 2015. Deri në 2016 nuk ka pasur asnjë kërkesë të tillë nga Serbia, ndaj menduam se ishte mbyllur me aq ajo histori, por pas ndalimit të Ismailit u informuam se Serbia ka më shumë se një vit që ka lëshuar urdhër arresti, duke akuzuar Ismailin për krim dhe fyerje të nderit serb, e të tjera akuza të ngjashme.

-Çfarë do të ndodhte nëse Morina do të kishte pasaportën shqiptare?
Së pari, ndoshta do ta kishte kaluar kufirin pa verifikime të mëtejshme. Së dyti, nëse do të kishte pasaportë, do të ishte liruar me kusht, në pritje të gjyqit dhe vendimit final. Pa pasaportë, autoritetet kroate nuk mund ta lejonin të lëvizte lirisht, pasi mund të largohej fare lehtë nga Kroacia dhe të mos kthehej më.

-Si u ndal procedura e ekstradimit drejt Serbisë?
Në fakt, reagimi nga Shqipëria ka qenë i fortë. Ka pasur një interesim të madh nga Federata, por edhe nga qeveria shqiptare. Kur u ndal fillimisht Ismaili u duk diçka e thjeshtë, por kur doli vendimi i Dubrovnikut e kuptuam që rrezikohej shumë. Fola me prindërit e Ismailit, u shpjegova që situata ishte shumë serioze, ndryshe nga sa u thuhej, edhe nga politikanë të ndryshëm, se ishte diçka pa rëndësi dhe do të zgjidhej shpejt. Edhe ata e kuptuan rëndësinë e asaj që po ndodhte dhe u desh një intervistë në media e vëllait të Ismailit, Xhevahirit, që çështja të merrte përmasa të mëdha dhe të aktivizoheshin të gjithë, nga mediat deri te shteti. Fillimisht, kur Ismaili u ndal në Kroaci, pati shumë pak reagim, ndoshta edhe sepse ishte kohë zgjedhjesh në Shqipëri. Telefonova më 12 qershor edhe në konsullatën shqiptare në Kroaci, por nuk munda të komunikoj me të dhe më thanë që do të më telefononte, gjë që nuk ndodhi. Gjeta vetë avokatin kroat, e pagova dhe nisëm punën për strategjinë mbrojtëse, ndërsa pasi foli vëllai i Ismailit, erdhi reagimi i fuqishëm edhe nga Shqipëria.

-Çfarë strategjie keni ndjekur për mbrojtjen e Ismailit?
Së bashku me avokatin, kemi kërkuar ndaljen e ekstradimit bazuar te fakti se në Serbi, Ismailit i rrezikohet jeta. Edhe armëmbajtja pa leje ka pasur si zanafillë frikën e tij nga ndonjë atentat i mundshëm. Tani jemi në pritje të dy proceseve: i pari, ai në Dubrovnik, ku kërkojmë anulimin e ekstradimit, ndërsa i dyti është ai për azil politik, pasi kemi argumentuar se jeta e Ismail Morinës është në rrezik në Serbi dhe urdhër arresti në ngarkim të tij është si një dënim me vdekje.

-Pikërisht armëmbajtja pa leje i hapi telashe të mëdha në Shqipëri, si po vepron tani shteti shqiptar?
Në fakt, është absurde që u shkua deri këtu. Ismaili nuk ishte i mbrojtur pas ndeshjes në Serbi dhe zgjodhi mënyrën e vetëmbrojtjes, gjë që nuk iu mor parasysh si tezë mbrojtëse pas ndalimit në Shqipëri, por që tani autoritetet shqiptare po e përdorin për të argumentuar pse nuk duhet të ekstradohet në Serbi. Mirë do të ishte që procesi në ngarkim të tij në Shqipëri të kishte përfunduar shumë kohë më parë, por pasaporta i është dhënë vetëm tani, pas ndalimit në Kroaci.

-Kush ka ndihmuar më shumë nga Shqipëria në ndryshimin e vendimit nga shteti kroat?
Federata Shqiptare e Futbollit ka ndihmuar shumë, ka qenë shumë aktive në javët e fundit dhe na ka ndenjur pranë. Të dërguar të saj folën me avokatin që po mbron Ismailin, takuan drejtues të Federatës së Kroacisë dhe shumë njerëz të tjerë. U jemi mirënjohës, pasi duhej një lëvizje e të gjithëve, që të realizohej synimi për anulimin e ekstradimit. Edhe qeveria shqiptare ka qenë aktive, jam njoftuar që vetë kryeministri Rama ka ndërhyrë, edhe pse nuk di detaje të tjera në lidhje me bisedën e tij me autoritetet kroate.

-Kur pritet të marrë fund odiseja e Morinës dhe cilat janë mundësitë?
Vendimi për shqyrtimin e çështjes nga e para u mor para dy ditësh, ndaj nuk e dimë ende kur do të zhvillohet seanca e re. Shpresojmë sa më shpejt, ndoshta brenda pak javësh. Skenari i parë është që të anulohet ekstradimi dhe Ismaili është i lirë të kthehet në Itali. I dyti është që në Dubrovnik të mos ketë ndryshim vendimi dhe kjo do të thotë që do të apelojmë sërish në Zagreb dhe do të ketë sërish disa muaj zvarritje. Për sa i përket Serbisë, mund të bëjë ç’të dojë, edhe gjyq në mungesë nëse dëshiron.

 

Shkelja në Serbi ishte e barabartë me vdekjen

 

-Si është psikologjikisht Ismaili, si e ka përballuar gjithë këtë histori?
Ai ka qenë në tension të jashtëzakonshëm. Edhe telefonatat me ne i kishte të kufizuara, 15 minuta në javë, asnjë më shumë, ndërsa frika e tij më e madhe ishte transferimi në Serbi. Për të, shkelja në Serbi ishte e barabartë me vdekjen.

-Po ju, si e keni përjetuar këtë situatë, duke qenë se jeni edhe shtatzënë?
Është e vërtetë, tani jam në muajin e gjashtë dhe nuk është aspak e lehtë. Kam shkuar në Kroaci gjithnjë e shoqëruar nga dy fëmijët tanë, që janë 3 dhe 5 vjeç, pasi nuk kam kujt t’ia lë në Itali. Është një situatë mjaft e sikletshme, pasi edhe fëmijët nuk e kuptojnë realisht atë që po ndodh dhe më pyesin gjithmonë për babain e vet dhe pse nuk jemi në shtëpi. I kam çuar ta takojnë të atin dhe kanë qenë të frikësuar se do të na mbanin edhe ne brenda. Ka pasur edhe momente delikate, kam pasur probleme shëndetësore kur ishim në Zagreb dhe duhej të kthehesha me urgjencë për në Itali, por për fat nga Federata Shqiptare na qëndruan pranë dhe na kanë ndihmuar shumë, në çdo drejtim, duke siguruar edhe biletat e udhëtimit për në Itali.

-Përfundimisht, sa të mëdha janë shpresat që Morina të lirohet?
Nuk ka mbaruar asgjë, por perspektiva është e mirë, kemi shpresa të mëdha. Më në fund po shohim dritë në fund të tunelit, edhe autoritetet kroate po e shohin ndryshe çështjen dhe me siguri që në Dubrovnik do të ketë një trajtim tjetër të Morinës, ashtu si ka ndryshuar sjellja ndaj tij që në vendin ku mbahet aktualisht. Përtej vonesës, rëndësi ka që Ismaili të kthehet në shtëpi dhe për këtë falënderojmë të gjithë ata që kanë dhënë ndihmë.

 

“SportEkspres”