21.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Liverpooli le Coutinhon jashtë sfidës me Hoffenheim

Liverpooli nuk e ka grumbulluar brazilianin Philippe Coutinho për takimin e parë të “play off”-eve të Champions League, programuar për t’u luajtur mbrëmjen e së martës në Gjermani ndaj Hoffenheimit.
Braziliani, i cili nuk luajti as në ndeshjen e debutimit në Premier League kundër Watfordit, zyrtarisht thuhet të ketë mbetur jashtë për shkak të problemeve fizike, ndaj dhe nuk është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës gjatë ditëve të fundit. Por lajmi për mosgrumbullimin e tij gjen pasqyrim të gjerë në mediat sportive spanjolle, veçanërisht ato katalanase, nxitur edhe nga fakti që lojtari është vënë nën objektivin e Barcelonës.
Ish-futbollisti i Interit duket se i ka dërguar klubit “kërkesën për t’u larguar”, një supozim që e përforcon edhe konsiderata e trajnerit të “The Reds”, Jurgen Klopp. “Asgjë nuk zgjidhet nga trajneri, vendimet për transferimet e lojtarëve i marrin drejtuesit, ndërsa unë vetëm mund t’i pranoj”. Sipas “Mundo Deportivo”-s, arritja e një marrëveshjeje për transferimin e tij nga “Anfield Road” drejt “Camp Nou”-t duket shumë pranë, ndërsa Barça pritet ta njoftojë blerjen e Coutinhos brenda ditës së enjte ose më saktë një ditë pas ndeshjes së kthimit për Superkupën e Spanjës, me Realin e Madridit në “Bernabeu”.

Mançester Junajtid i frikshëm në start

Mançester Junajtid i Zhoze Murinjos e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin anglez, duke fituar në shtëpi me rezultatin 4-0 ndaj Uest Hemit të Slaven Bilic. “Djajtë e kuq” nuk e kanë diskutuar për asnjë çast fitoren teksa në minutën e 33-të Lukaku gjeti rrugën e rrjetës falë asistit fantastik të Rashford. Në minutën e 53-të ishte përsëri sulmuesi belg që dyfishoi rezultatin pas një gjuajtjeje të saktë me kokë brenda zonës.
Tri minuta para fundit Martial trefishoi rezultatin, ndërsa për t’i vënë “kapak” triumfit mendoi Pol Pogba, i cili me një predhë nga jashtë zone në minutën e 90-të shënoi edhe golin e 4-t.
Ndërkohë në sfidën tjetër të luajtur në orën 14:30, Totenhemi mposhti Njukastëllin në transfertë falë golave të Dele Alit në minutën e 61-të dhe Dejvis në të 70-tën. Vendasit e mbyllën ndeshjen me një lojtar më pak, pasi në minutën e 48-të mesfushori Shelvi u ndëshkua me karton të kuq.

Barça nis përforcimet, blen Paulinhon 40 milionë euro

Paulinho Bezerra është zyrtarisht i Barcelonës, duke u shndërruar në blerjen më të shtrenjtë të katalanasve në këtë merkato. Barcelona bëri publike në faqen zyrtare transferimin në “Camp Nou” të mesfushorit brazilian. Për kartonin e 29-vjeçarit Barcelona do të derdhë në arkat e klubit kinez Guangzhou Evergrande shumën e 40 milionë eurove. Një shifër e lartë kjo për një futbollist 29-vjeçar që vjen nga kampionati kinez, por kjo ishte rruga e vetme që drejtuesit e Guangzhou Evergrande të lejonin largimin e futbollistit të Selecaos.
Këtë të enjte Paulinho do të kryejë vizitat mjekësore me Barcelonën dhe më pas do të prezantohet në stadiumin “Camp Nou”. Paulinho, i cili pëlqehej shumë për karakteristikat që ka nga drejtuesit e Barçës, përfshirë këtu edhe trajnerin Ernesto Valverde, do të firmosë me blaugranat një kontratë 4-vjeçare, ndërkohë që Barça pritet t’i vendosë një klauzolë largimi që kap shifrën e 120 milionë eurove.
Pas Nelson Semedos dhe rikthimit të Gerard Deulofeut, Barcelona realizon një tjetër goditje në merkato, duke përforcuar skuadrën me një emër të rëndësishëm dhe eksperiencë si Paulinho që deri tani numëron 41 ndeshje të luajtura dhe 9 gola të realizuar me përfaqësuesen braziliane, ndërkohë që në të kaluarën e tij ka luajtur edhe me skuadra të tilla si Sao Paulo dhe Tottenham Hotspur.

Ronaldo, 5 ndeshje pezullim për shtyrjen e arbitrit

Një dorë e fortë ajo e Gjykatës Sportive të Spanjës mbi Ronaldon, të cilin nuk e ka falur aspak për gjestin që bëri në Superkupën e Spanjës ndaj Barcelonës duke shtyrë arbitrin pasi e ndëshkoi me të kuq. Pesë ndeshje pezullim është vendimi për portugezin, të cilin Real Madridi menjëherë do ta apelojë, teksa lënia në fuqi e këtij vendimi do të thoshte për Ronaldon mungesë në ndeshjen e kthimit me Barcelonën në Superkupë dhe gjithashtu në 4 javët e para të Primera Division.

Për zgjidhjen afatgjatë të furnizimit me ujë të Tiranës

Orhan SAKIQI

Kjo ishte tema që në gusht të vitit 2006 Ministria e Punëve Publike ftoi grupe inxhinierësh për trajtimin e saj. Së bashku me grupe të tjerë mori pjesë edhe grupi jonë: Msc. Enkeleda Gjinali, Prof. Dr. Mulnar Koloneci, Ing. Tofik Jegeni, Ing Olsi Haxhiu, Ing. Sadik Zotaj dhe Agim Koci. Një përmbledhje të studimit e botova në atë mot në gazetën ‘Tema’. Këtë e bëjmë për të arsyetuar se çfarë është kryer gjatë këtyre 11 vjetëve në dijeninë tonë, për këtë problem kaq jetik, që kaq shumë po përfolet në këto ditë të nxehta. Studimi shkurtimisht, i shoqëruar me harta ishte simë poshtë:
……Uji është një produkt tregtar, por në të vërtetë është një pasuri, e cila duhet të ruhet, mbrohet dhe trajtohet si e tillë. Çdo specialist i huaj që vjen këtu flet me entuziazëm për burimet e shumta ujore dhe pastaj çuditet për mungesën e ujit që has kudo madje edhe në kryeqytet. Nuk është rasti këtu që të shohim me hollësi këtë mungesë, por shkak parësor mbetet që zgjidhjet teknike të konceptimit dhe projektimit të rrjetit të ujësjellësave ndër vite, kenë qenë provizore, për të kaluar nevojat e çastit ose të pak viteve të ardhshëm. Duke marrë parasysh kërkesën e qeverisë për furnizimin me ujë të pishëm të Tiranës dhe Durrësit mendojmë se ka ardhur koha për një plan strategjik afatgjatë. Kjo zonë sipas të dhënave deri në vitin 2020, parashikohet të ketë mbi 2 milionë banorë. Vetëm qyteti i Tiranës me 580,000 banorë me rritje popullsie 7-8% (2% natyrore dhe 5-7% demografike) parashikohet të ketë në vitin 2020 rreth 1,5 milionë banorë. Për vetë kushtet natyrore të vendit në periudhë kohore jo shumë të gjatë, në këto dy prefektura do të mbidhen rreth 50% e popullsisë së vendit. Studimin e kemi ndarë në tre faza.
Faza e parë deri në verën e 2007
Plotësimi i nevojës për ujë për qytetin e Durrësit dhe zonës së tij turistike për një kohë kaq të shkurtër praktikisht është i mundur, duke marrë ujë nga ujësjellësi i Bovillës ku përpunohen në vitet me lagështirë 99 milionë m3 ujë nga të cilat vetëm 50 milion m3 i merr qyteti i Tiranës. Kemi parashikuar që, afërsisht 1100l/sek t’i jepet Durrësit dhe plazheve të tij. Në parashikimet e herëshme ka qenë menduar që 30 milion m3 ujë t’i jepeshin bujqësisë, por një pjesë e mirë e tokave që parashikoheshin të ujiteshin janë kthyer në zona urbane si: Babru, Çekrezë, Bathore pra, nuk kanë nevojë për ujitje. Megjithatë, sipas shumë studiuesve në botë mënyra se si do të administrohet kalimi i një pjese të ujit nga ujitja për bujqësinë në zonat urbane mund të përcaktojë aftësinë e botës për të ushqyer vetveten.
Sipas këtij parashikimi, në vitet me lagështirë mesatare norma e ujit për banor do të jetë 220 litra në ditë, kurse për zonat turistike dyfishi.
Vlera e përafërt e këtij projekti do të jetë rreth 30 milionë euro, duke përfshirë edhe veprën e pastrimit. Vepra e sotme ekzistuese e pastrimit ka aftësi të përpunojë vetëm 50 milonë m3 ujë që merr Tirana. Në qoftëse do t’i jepet shtesë uji Durrësit në verën që vjen, atëherë nuk ka shumë kohë. Sikurse u tha, qeveria duhet të hapë konkursin për fillimin e projektit. Mjetet më të mëdha do t’i marrë vepra e pastrimit, kurse vendosja e tubacionit përcjellës me diametër 600 mm, nuk paraqet ndonjë vështirësi teknike.
Faza e dytë deri në vitin 2012
Theksojmë që në fillimin e zbatimit të fazës së dytë, do të bëhet vetëm pasi të jetë bërë manaxhimi i mirë i rrjetit të sotëm të ujësjellësit të Tiranës. Me këtë kuptojmë uljen e humbjeve nga 50-60% që është sot, në 25% që janë hubje të pranueshme. Kjo kërkon punë të madhe organizative dhe teknike nga enti shfrytëzues.
Për manaxhimin e rrjetit të Ujësjellësit të Tiranës ka vite që flitet, por praktikisht për zvoglimin e humbjeve është bërë pak. Nuk mund të flitet për ndërtim objektesh të reja kur me ato ekzistuese si: Shën Mëri, Selitë Bovillë e vjetër dhe e re si edhe puset me ngritje mekanike merret rreth 3600l/sek, sasi uji kjo e mjaftueshme për 1,2 milionë banorë me normë 250 litra për banor, pra sa dyfishi i normës zyrtare miratuar në vitin 1992.
Për këtë fazë, deri në vitin 2012, kemi parashikuar ndërtimin e ujësjellësit të Skoranës në lumin Erzen, nëpërmjet një dige që siguron rregullimin e plotë shumë vjeçar të rrjedhjes së lumit. Gryka e Skoranës është në Juglindje të Tiranës, rreth 12 km në vijë të drejtë. Për këtë ujëmbledhës është folur me kohë, madje janë bërë edhe studime pjesore në kohën e ndërtimit të Bovillës. Do të vijë koha të vihet në shfrytëzim ky burim uji kaq afër Tiranës dhe ekologjikisht i pastër. Sipas studimit shumëvjeçar të prurjeve të ujit, të kryera nga hidrologët e grupit tonë, nga ky ujëmbledhës mund të merren 150 milion m3 ujë me prurje 5,6m3/sek. Duke pranuar popullsinë e zonës në vitin 2012 me mbi 1,3 milionë banorë, nga ujësjellësi i Skoranës sigurohet një shtesë prej 250 l. për banor. Kështu, që bashkë me rrjetin ekzistues, norma e ujit për banor do të jenë ato evropiane 450 l. në ditë për banor nga të cilat 250 për nevoja shtëpiake dhe 200 për nevoja komunale. Objektivi i qeverisë është hyrja në BE. Rreth vitit 2016, kështu që një pikë shumë e rëndësishme për jetën e njeriut dhe barazia evropiane plotësohet.
Në fazën e tretë deri në vitin 2020, parashikonim edhe objekte shtesë, të cilat për të mos mërzitur lexuesin nuk po përmend mbase i ka kaluar dhe aktualitetit.
Në atë mot në organet shtetërore porsitëse janë dërguar dokumente teknike më të hollësishme sigurisht për sa i përket kësaj faze të projekt idesë. Përveç grupit tonë kishte dhe grupe të tjerë seriozë që paraqitën ide interesante për marrjen e ujit nga Ulza, nga Guri i Bardhë dhe bilenga Vau i Dejës etj……..
PËRFUNDIME
-Në dijeninë tonë asnjë nga studimet e paraqitura, duke mospretenduar se studimi i jonë ishte më i miri, nuk ka gjetur zbatim, pra shkurtimisht Tiranës nuk i është shtuar asnjë vepër e re e ndërtuar në këto 11 vite që nga viti 2006. Dhe kjo është arsyeja kryesore e gjendje së sotme. Edhe hyrja në BE që parashikohej në 2016 është shtyrë si shkak i dështimit të politikës, të paktën edhe për dhjetë vjet të tjera, si shpjegojnë vetë zyrtarët e lartë evropianë. Rrjedhimisht dështimit të politikës në përgjithësi i është përqasur edhe mos zgjidhja strategjike për furnizimin me 24 orë ujë të pishëm për Tiranën.
– Nuk e mohon njeri që janë bërë rikonstruksione rrjeti si edhe ndërtim rrjete të reja, ndërprerje të lidhjeve të paligjshme, që kanë përmirësuar në zona të veçanta furnizimin me ujë, por sigurisht pa arritur objektivin. Të sigurojnë furnizimin me 24 të banorëve të Tiranës me ujë të pishëm.
-Kryetari i Bashkisë së Tiranës z.Velia thotë që në pesë vjet do të sigurojë furnizim 24 orë ujë që nënkupton heqjen e depozitave dhe rrezervuarëve në çatitë e bodrumet e banesave të Tiranës, duke ngritur çmimin e ujit. Me këtë ngritje të çmimit do të vendosë burime të reja të furnizimit me ujë. Sipas ndërmarrjes burimet e reja të ujit do të jenë shfytëzimi i kapacitetit të Bovillës me veprën e pastrimit, edhe ndonjë burim tjetër natyror, pikërisht ashtu si kemi parashikuar ne 11 vjet më parë, duke përjashtuar sot furnizimin e Durrësit për arsye të kohës së gjatë të kaluar që nga studimi i ynë.
Së pari, nga ana logjike uji si mall shitet sot me një çmim 45 l m3 duke qenë jo i pishëm, pra jo i cilësisë së mirë, i kufizur në kohë, duke ardhur për zona të caktuara edhe një herë në ditë me nga një orë. Ngritja e çmimit mund të bëhet duke përmirësuar mallin e pastaj shitur, e jo me lekët e shfytëzuesit të sotëm, që në masën 30% nuk e paguan atë të arrihet objektivi. Pagesa do të rëndojë si zakonisht në konsumatorin e rregullt. Prof Ahmet Ceni e ka trajtuar ekonomikisht në mënyra shkencore në faqet e kësaj të përditshme para pak ditësh, duke thënë: Financimi i investimeve duke rritur tarifat nuk duhet të jetë drejtimi kryesor i financimit, sepse roli i tarifave është që të përballojë koston e prodhimit dhe të operimit të Ndërmarjes së Ujësjellësit.
Për mendimin tonë pa një strategji të qartë ku protogonist të jetë edhe qeveria ky objektiv është i pa mundur. Shteti duhet të marrë më shumë përgjegjësi. Përsëri Prof. Ceni: Financimi i investimeve të shërbimeve të interesit të përgjithshëm, ku futet edhe uji i pishëm është detyrë kryesore e pushtetit qëndror dhe në buxhetit e tij, ai duhet të planifikojë më shumë përparësi për shërbimet që garantojnë jetën dhe shëndetin e njerëzve dhe pastaj të kalojë në gjëra të tjera, të cilat edhe mund të presin.
Në fund të fundit, çfarë ka më shumë rëndësi për njeriun se sa uji, për një popullsi në rritje të Tiranës, mbase jo plotësisht ajo e shifrave tona të vitit 2006.
Uji duhet të ketë përparësi, të jetë përpara qendrave urbane, fasadave, shesheve me majë e pa majë e çdo zëri tjetër.
Uji sot është një problem botëror. Shkrimtari dhe humanisti amerikan Mark Tuein e ka shprehur përplasjen botërore për ujin me shprehjen: ‘Uiski shërben për t’u pirë, kurse uji për të bërë luftëra për ta siguruar atë.
Neve nuk kemi nevojë për luftëra, sepse e kemi ujin, vetëm në nuk bëfshim luftë me vet vetin sikurse ka ndodhur dhe po ndodh edhe sot…..e kështu Tirana nuk do të ketë ujë edhe 11 vjet të tjera.

Ne që kemi mbetur

Nga Artan Fuga

Ikën ata që shpallën pavarësinë, madje iku edhe Haxhi Qamili, Iku Selam Musai, vate edhe Themistokliu.
Ikën ata që kishin bërë studimet në Firence, Romë dhe Vienë, dërguar nga Lartmadhëria Zogu i Parë i shqiptarit.
Ikën edhe ata që më pas i bënë studimet në Moskë, Kiev dhe Leningrad, mbetën ata që diplomohen me letra pa vlerë njomur me ujë Lane.
Madje ikën edhe ata që studiuan në Kinë, Vietnam dhe Kore. Gjithçka në tru ka zënë kore, ose skorje, Mall rrethinash Elbasani.
Prodhim shkretëtire e Gobit, me etiketë anglosaksone. Ose edhe ca të tjerë nga krahina dru me pre!
Ikën gjeneralët, ikën dallëndyshet, lejlekët dhe arinjtë nga malet. Ikën traktoristët.
Ikën kombainerët! Madje ikën edhe shoferët të skodave Albania, kontrabandistët, Mbetën analistët, Ikën ata që dinin latinisht.
Ikën edhe osmanologët. Ikën ata të greqishtes së lashtë, ikën përkthyesit e kinezçes të rusishtes.
Nuk ka më as të burgosur për të përkthyer si duhet veprat e mëdha të artit botëror. Tani mashtruesit përkthejnë rëndomthi me google translator. Ikën ata që dinin të ndërtonin hekurudha, ikën ata që dinin të operonin,
Ikën ata që mbi supe dinin të mbanin pesëdhjetë vite burg, ikën meshtarët ilegalë dhe hoxhallarët që agjëronin fshehurazi.
Ikën dhe besimtarët, mbetën bestydët dhe ne frikacët nga vdekja.
Ikën dashnorët e serenatave, ikën vajzat që kishin frikë mamatë, ikën gratë që u ndruheshin burrave dhe burrat që nuk kishin frikë nga gratë. Mbetën T-shirt-et uniseks.
Ikën edhe virgjëreshat bashkë me burrneshat. Mbeti preshi. Dhe kastraveci i rritur në furgone me hormone.
Iku dhe Bulevardi i Korçës, mbetën kërnackat korçare, me kullën idiote. Iku velenca prej leshi. Iku edhe guna e grisur mbi tela,
Mbetëm ne që tërë ditën në verë themi: uuuu sa vapë, ne llotaxhinjtë, mbetëm ne që u marrin votave atyre që janë pas nesh në listat e kandidatëve për deputetë. Ne hajdutët që bërtasim “Kapeni hajdutin!”
Mbetën edhe pulat që t’i vjedhim ne hajdutët e pulave. Mbetëm ne që ikim nga sytë këmbët dhe bërtasim: “Shqipëri të kam lënë pendët!” Mbetëm ne të ikurit që nuk ikim dot!
Dhe nga që nuk ikim dot bërtasim: “Kam vendosur të jetoj këtu!: “Mbetëm ne lexuesit e pornove prej të sëmurësh seksualë në gazeta. Mbetëm ne rrenacakët që nuk e shohim hundët e pinokut te ata që na gënjejnë. Mbetën edhe qentë e bashkive. Me vathë në vesh!
Dhe ne që na kafshojnë qentë! Si edhe karvani që leh kur sheh se qentë shkojnë përpara!

Durimit amerikan po i vjen fundi ndaj Kimit

Dy zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare në Shtetet e Bashkuara thonë se konfrontimi me Korenë Veriore nuk është afër, por kanë sinjalizuar se mundësia e luftës ende ekziston.
“Ne nuk jemi më afër luftës se sa ishim para një jave, por ne jemi më afër luftës se sa ne ishim para një dekade”, tha Gjenerali H.R. McMaster, këshilltar për siguri kombëtare i Presidentit Donald Trump, gjatë një interviste të djeshme në rrjetin televiziv, “ABC”.
Më tutje, ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të udhëheqin “përpjekje shumë të përkushtuara diplomatike”, që kryesohet nga sekretari i Shtetit, Rex Tillerson.
Po ashtu, konsiderohet se sanksionet e reja financiare kundër Koresë Veriore, do ta dekurajojnë liderin verikorean, Kim Jong Un, nga lëvizjet e mëtejshme provokuese.
Aktualisht, Trump dhe Kim kanë këmbyer kërcënime, pasi Pheniani e kishte vazhduar testimin e raketave balistike ndërkontinentale, duke i injoruar sanksionet e Kombeve të Bashkuara.
Presidenti Trump ka deklaruar se ushtria e Shteteve të Bashkuara është e gatshme dhe i ka tërhequr vërejtjen liderit, Kim Jong Un, se ai “do të dëshpërohej shpejt” nëse ndërmerr ndonjë aksion kundër territoreve të Shteteve të Bashkuara ose aleatëve amerikanë.
Duke folur ditën e diel në rrjetin televiziv, “Fox News Sunday”, drejtori i agjencisë CIA, Mike Pompeo, tha se është e rëndësishme që Koresë Veriore t’i bëhet e qartë se durimit amerikan po i vjen fundi.
Më tutje ai theksoi:
“Ne nuk jemi në një rrezik të afërt, i cili mund të ndodhë sot. Një sulm nga Koreja Veriore nuk është diçka që është afër. Populli amerikan duhet ta dijë se kjo administratë po bën çdo gjë të mundshme. Presidenti e ka autorizuar komunitetin e inteligjencës dhe Departamentin e Mbrojtjes për të qenë të sigurt se ne e mbrojmë Amerikën nga ky kërcënim”, tha Mike Pompeo.
Gjenerali Joseph Dunford, shef i Shtatmadhorisë së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, udhëton për në Azi dhe pritet të takohet me liderët e Koresë Jugore, Japonisë dhe Kinës.
Ai u tha reporterëve se synon “të kuptoj se çfarë temperature është në rajon” dhe do të diskutojë për opsionet ushtarake në rast se dështon “fushata për presion diplomatik dhe ekonomik”.
“Ne po shikojmë që nga kjo situatë të dalim pa luftë”, tha Joseph Dunford.
Turneu i tij në Azi po bëhet derisa gazeta e Koresë Veriore, “Minju Joson”, në një editorial ka shkruar se ushtria verikoreane është “e aftë për të zhvilluar çfarëdo lufte, të cilën e dëshirojnë Shtetet e Bashkuara”.

SHBA paralajmëron ndërhyrje ushtarake në Venezuelë

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence hasi në rezistencën e Presidentit kolumbian, Juan Manuel Santos të dielën lidhur me kërcënimin e Presidentit Donald Trump për të përdorur forcën ushtarake në Venezuelë.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Manuel Santos në Kartagjenë, zoti Pence ndonëse nuk iu referua drejtpërdrejt, nuk e përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake.
Megjithatë zoti Pence, i tha Presidentit kolumbian se Shtetet e Bashkuara do të preferonin më shumë atë që ai e quajti një zgjidhje “paqësore” për Venezuelën.
Ai tha se ka shumë mundësi për të ushtruar presion ndaj regjimit të Maduros në Venezuelë, përfshirë rritjen e presionit ekonomik dhe diplomatik. Nënpresidenti Pence siguroi zotin Santos se, SHBA nuk do të qëndrojë duarkryq, ndërsa Venezuela “shkatërrohet” dhe shkon drejt diktaturës, siç tha ai.
Sipas nënpresidentit amerikan një shtet i dështuar në Venezuelë rrezikon gjithë kontinentin. Ai tha se zoti Trump e dërgoi atë në Amerikën Latine të sigurojë dhe të konsolidojë mbështetjen rajonale për të ndihmuar popullin venezuelian.
Por Presidenti Santos tha se asnjë vend në Amerikën Latine nuk do të pranonte asnjë formë të ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë dhe se kjo nuk duhej kurrë të merrej në konsideratë.
Dy ditë pasi administrata amerikane vendosi sanksione mbi Venezuelën, Presidenti Trump njoftoi të premten konsiderimin edhe të një zgjidhjeje ushtarake lidhur me Venezuelën, duke e përshkruar situatën atje si “kaos të rrezikshëm”. Venezuela e cilësoi “të pamatur” kërcënimin e Presidentit Trump.

Gjendja e jashtëzakonshme në Sharlotsville

Në Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Drejtësisë ka hapur një hetim për të drejtat civile, lidhur me goditjen e turmës me makinë gjatë një proteste kundër një demonstrate të nacionalistëve të bardhë në Sharlotsville të Virxhinias.
Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions tha se, “Dhuna dhe vdekjet në Sharlotsville janë një goditje e rëndë për ligjin dhe drejtësinë amerikane. Kur veprime të tilla burojnë nga fanatizmi dhe urrejtja, ato përbëjnë një tradhti ndaj vlerave tona thelbësore dhe nuk mund të tolerohen”.
Guvernatori Terry McAuliffe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Sharlotsville, pas shpërthimit të përleshjeve mes nacionalistëve të bardhë, që mbanin mburoja dhe antiprotestuesve që po ashtu ishin të pajisur me mjete mbrojtëse.
3 vetë u vranë në tubimin e supremacistëve të bardhë në Sharlotsville të Virxhinias: një grua u vra nga makina që goditi turmën, dy policë gjetën vdekjen nga përplasja e një helikopteri, incident që policia tha se kishte lidhje me tubimin e protestës.
Në një konferencë shtypi që dha pas ngjarjeve të së shtunës, guvernatori i Virxhinias, Terry McAuliffe tha se protestuesit e ekstremit të djathtë nuk janë patriotë, siç pretendojnë.
“Kam një mesazh për të gjithë supremacistët e bardhë dhe nazistët që erdhën sot në Sharlotsville. Mesazhi ynë është i qartë dhe i thjeshtë: Shkoni në shtëpi”, tha zoti McAuliffe në një konferencë shtypi. “Ju nuk jeni të dëshiruar në këtë shtet. Të keni turp”, tha ai.
Guvernatori Terry McAuliffe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Sharlotsville, pas shpërthimit të përleshjeve mes nacionalistëve të bardhë, që mbanin mburoja dhe antiprotestuesve që po ashtu ishin të pajisur me mjete mbrojtëse.
Duke folur nga Nju Xhersi, ku ai ndodhet me pushime, Presidenti Donald Trump, e dënoi dhunën në Sharlotsville:
“Jemi duke i ndjekur nga afër ngjarjet e tmerrshme në Sharlotsville të Virxhinias. Dënojmë me forcë këtë shprehje skandaloze të urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës në të gjitha drejtimet. Kjo ka ndodhur për një kohë të gjatë në vendin tonë: nuk ndodhi vetëm gjatë presidencës së Barack Obamës, as atë të Donald Trumpit, kjo ka ndodhur prej kohësh. Nuk ka vend në Amerikë për këtë dhunë”.

Nis procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit për vrasje në protestat në Virxhinia

A vehicle drives into a group of protesters demonstrating against a white nationalist rally in Charlottesville, Va., Saturday, Aug. 12, 2017. The nationalists were holding the rally to protest plans by the city of Charlottesville to remove a statue of Confederate Gen. Robert E. Lee. There were several hundred protesters marching in a long line when the car drove into a group of them. /The Daily Progress via AP)

Të hënën doli para gjykatës, personi i akuzuar për ngarjen e makinës në mes të protestuesve, të cilët ishin duke marshuar kundër aktivistëve të ekstremit të djathtë, në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara. James Alex Fields, 20-vjeçar, është i akuzuar për vrasje të shkallës së dytë, pasi një person ka vdekur dhe një 19-vjeçar është lënduar.
H.R. McMaster, këshilltar për siguri kombëtare i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se sulmi plotëson “definicionin e terrorizmit”.
Hetuesit federalë amerikanë kanë thënë se, kanë hapur një hetim për të drejtat civile, në mënyrë që të vihen në pah rrethanat që e kanë shtyrë 20-vjeçarin Fields ta drejtojë makinën drejt turmës së njerëzve në rrugën e Sharlotsville, të Virxhinias, më 12 gusht.
Gjatë këtij sulmi ka vdekur, Heather Heyer, një 32-vjeçare, e cila është përshkruar si një avokate për drejtësi shoqërore.
Fields do të përballet edhe me tri akuza për lëndime të qëllimshme dhe një tjetër për largim nga vendi ku ka ndodhur incidenti.
“Në çdo kohë që ju kryeni një sulm kundër njerëzve, për të nxitur frikë është terrorizëm”, i ka thënë H.R. McMaster, televizionit “ABC”, derisa ka përshkruar ngjarjen që ka ndodhur në një qytet në Virxhinia, rreth 160 kilometra nga Uashingtoni.
Pamje të incidentit tregojnë se si një makinë, e cila ishte në një shpejtësi tejet të madhe, ka lënduar shumë persona, përpara se të përplasej drejt dy makinave të tjera. Makina më pas është kthyer sërish mbrapa duke lënduar njerëz të tjerë. Zyrtarë policorë kanë thënë se, vdekja e dy trupave shtetërorë të Virxhinias gjatë rrëzimit të një helikopteri, ka qenë po ashtu e lidhur me protestat.
Zëdhënësja e policisë shtetërore në Virxhinia, Corinne Geller ka thënë se piloti dhe një pasagjer, kanë vdekur gjatë rrëzimit të helikopterit.
Zyrtarë nga Universiteti i Qendrës Mjekësore në Virxhinia, kanë thënë se nga 19 personat që janë trajtuar aty pas incidentit, 10 prej tyre tashmë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nëntë të tjerë janë liruar. Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Jeff Sessions, ka thënë se, “dhuna dhe vdekjet në Sharlotsville, godasin në zemër të ligjit dhe drejtësisë amerikane”.
Guvernatori i Virxhinias, Terry McAuliffe, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë vend dhe ka shtuar numrin e trupave të Gardës Kombëtare, për ta ruajtur sigurinë, pas konfliktit që ka nisur në mes të nacionalistëve të racës së bardhë dhe kundërshtarëve të tyre.
Shumë kundërshtarë të nacionalistëve të racës së bardhë janë mbledhur për të protestuar, një ditë pas shpërthimit të dhunës, për t’i kundërshtuar nacionalistët, që ndryshe njihen edhe si supremacistë.
“As në Sharlotsville e as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka vend për nacionalistët e racës së bardhë dhe neonazistët, që kanë ardhur dje në vendin tonë të bukur”, ka thënë McAuliffe, në mesin e duartrokitjeve, derisa u ishte drejtuar një grumbulli besimtarësh afrikano-amerikanë, në Malin Zion, ku gjendet kisha e parë afrikane baptiste.
Zyrtarë në Sharlotsville kanë miratuar marshin e ekstremit të djathtë më 12 gusht, në të cilin protestohej vendimi i qytetit për largimin e statujës së Gjeneralit Robert E. Lee, udhëheqës i ushtrisë, gjatë Luftës Civile amerikane.
Mirëpo leja e marshit është tërhequr, pas përleshjeve të mëngjesit të 12 gushtit.
Njeriu që kishte organizuar marshin e ekstremit të djathtë, Jasson Kessler, ka tentuar të mbajë një konferencë për mediat më 14 gusht, mirëpo qindra njerëz kanë bërtitur me daulle dhe instrumente kundër tij, duke e detyruar të largohet nga foltorja.
Trump përmes një mesazhi në Twitter u ka bërë thirrje njerëzve për bashkim dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të dhunës.