29.5 C
Tirana
E martë, 17 Qershor, 2025

Gjendja e jashtëzakonshme në Sharlotsville

Në Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Drejtësisë ka hapur një hetim për të drejtat civile, lidhur me goditjen e turmës me makinë gjatë një proteste kundër një demonstrate të nacionalistëve të bardhë në Sharlotsville të Virxhinias.
Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions tha se, “Dhuna dhe vdekjet në Sharlotsville janë një goditje e rëndë për ligjin dhe drejtësinë amerikane. Kur veprime të tilla burojnë nga fanatizmi dhe urrejtja, ato përbëjnë një tradhti ndaj vlerave tona thelbësore dhe nuk mund të tolerohen”.
Guvernatori Terry McAuliffe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Sharlotsville, pas shpërthimit të përleshjeve mes nacionalistëve të bardhë, që mbanin mburoja dhe antiprotestuesve që po ashtu ishin të pajisur me mjete mbrojtëse.
3 vetë u vranë në tubimin e supremacistëve të bardhë në Sharlotsville të Virxhinias: një grua u vra nga makina që goditi turmën, dy policë gjetën vdekjen nga përplasja e një helikopteri, incident që policia tha se kishte lidhje me tubimin e protestës.
Në një konferencë shtypi që dha pas ngjarjeve të së shtunës, guvernatori i Virxhinias, Terry McAuliffe tha se protestuesit e ekstremit të djathtë nuk janë patriotë, siç pretendojnë.
“Kam një mesazh për të gjithë supremacistët e bardhë dhe nazistët që erdhën sot në Sharlotsville. Mesazhi ynë është i qartë dhe i thjeshtë: Shkoni në shtëpi”, tha zoti McAuliffe në një konferencë shtypi. “Ju nuk jeni të dëshiruar në këtë shtet. Të keni turp”, tha ai.
Guvernatori Terry McAuliffe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Sharlotsville, pas shpërthimit të përleshjeve mes nacionalistëve të bardhë, që mbanin mburoja dhe antiprotestuesve që po ashtu ishin të pajisur me mjete mbrojtëse.
Duke folur nga Nju Xhersi, ku ai ndodhet me pushime, Presidenti Donald Trump, e dënoi dhunën në Sharlotsville:
“Jemi duke i ndjekur nga afër ngjarjet e tmerrshme në Sharlotsville të Virxhinias. Dënojmë me forcë këtë shprehje skandaloze të urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës në të gjitha drejtimet. Kjo ka ndodhur për një kohë të gjatë në vendin tonë: nuk ndodhi vetëm gjatë presidencës së Barack Obamës, as atë të Donald Trumpit, kjo ka ndodhur prej kohësh. Nuk ka vend në Amerikë për këtë dhunë”.

Nis procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit për vrasje në protestat në Virxhinia

A vehicle drives into a group of protesters demonstrating against a white nationalist rally in Charlottesville, Va., Saturday, Aug. 12, 2017. The nationalists were holding the rally to protest plans by the city of Charlottesville to remove a statue of Confederate Gen. Robert E. Lee. There were several hundred protesters marching in a long line when the car drove into a group of them. /The Daily Progress via AP)

Të hënën doli para gjykatës, personi i akuzuar për ngarjen e makinës në mes të protestuesve, të cilët ishin duke marshuar kundër aktivistëve të ekstremit të djathtë, në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara. James Alex Fields, 20-vjeçar, është i akuzuar për vrasje të shkallës së dytë, pasi një person ka vdekur dhe një 19-vjeçar është lënduar.
H.R. McMaster, këshilltar për siguri kombëtare i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se sulmi plotëson “definicionin e terrorizmit”.
Hetuesit federalë amerikanë kanë thënë se, kanë hapur një hetim për të drejtat civile, në mënyrë që të vihen në pah rrethanat që e kanë shtyrë 20-vjeçarin Fields ta drejtojë makinën drejt turmës së njerëzve në rrugën e Sharlotsville, të Virxhinias, më 12 gusht.
Gjatë këtij sulmi ka vdekur, Heather Heyer, një 32-vjeçare, e cila është përshkruar si një avokate për drejtësi shoqërore.
Fields do të përballet edhe me tri akuza për lëndime të qëllimshme dhe një tjetër për largim nga vendi ku ka ndodhur incidenti.
“Në çdo kohë që ju kryeni një sulm kundër njerëzve, për të nxitur frikë është terrorizëm”, i ka thënë H.R. McMaster, televizionit “ABC”, derisa ka përshkruar ngjarjen që ka ndodhur në një qytet në Virxhinia, rreth 160 kilometra nga Uashingtoni.
Pamje të incidentit tregojnë se si një makinë, e cila ishte në një shpejtësi tejet të madhe, ka lënduar shumë persona, përpara se të përplasej drejt dy makinave të tjera. Makina më pas është kthyer sërish mbrapa duke lënduar njerëz të tjerë. Zyrtarë policorë kanë thënë se, vdekja e dy trupave shtetërorë të Virxhinias gjatë rrëzimit të një helikopteri, ka qenë po ashtu e lidhur me protestat.
Zëdhënësja e policisë shtetërore në Virxhinia, Corinne Geller ka thënë se piloti dhe një pasagjer, kanë vdekur gjatë rrëzimit të helikopterit.
Zyrtarë nga Universiteti i Qendrës Mjekësore në Virxhinia, kanë thënë se nga 19 personat që janë trajtuar aty pas incidentit, 10 prej tyre tashmë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nëntë të tjerë janë liruar. Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Jeff Sessions, ka thënë se, “dhuna dhe vdekjet në Sharlotsville, godasin në zemër të ligjit dhe drejtësisë amerikane”.
Guvernatori i Virxhinias, Terry McAuliffe, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë vend dhe ka shtuar numrin e trupave të Gardës Kombëtare, për ta ruajtur sigurinë, pas konfliktit që ka nisur në mes të nacionalistëve të racës së bardhë dhe kundërshtarëve të tyre.
Shumë kundërshtarë të nacionalistëve të racës së bardhë janë mbledhur për të protestuar, një ditë pas shpërthimit të dhunës, për t’i kundërshtuar nacionalistët, që ndryshe njihen edhe si supremacistë.
“As në Sharlotsville e as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka vend për nacionalistët e racës së bardhë dhe neonazistët, që kanë ardhur dje në vendin tonë të bukur”, ka thënë McAuliffe, në mesin e duartrokitjeve, derisa u ishte drejtuar një grumbulli besimtarësh afrikano-amerikanë, në Malin Zion, ku gjendet kisha e parë afrikane baptiste.
Zyrtarë në Sharlotsville kanë miratuar marshin e ekstremit të djathtë më 12 gusht, në të cilin protestohej vendimi i qytetit për largimin e statujës së Gjeneralit Robert E. Lee, udhëheqës i ushtrisë, gjatë Luftës Civile amerikane.
Mirëpo leja e marshit është tërhequr, pas përleshjeve të mëngjesit të 12 gushtit.
Njeriu që kishte organizuar marshin e ekstremit të djathtë, Jasson Kessler, ka tentuar të mbajë një konferencë për mediat më 14 gusht, mirëpo qindra njerëz kanë bërtitur me daulle dhe instrumente kundër tij, duke e detyruar të largohet nga foltorja.
Trump përmes një mesazhi në Twitter u ka bërë thirrje njerëzve për bashkim dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të dhunës.

“Killing Pablo”

Mark Bowden shkruan. Gjithmonë shkruan. Jashtëzakonisht mirë, i dokumentuar dhe i drejtpërdrejtë. I lindur në Saint Louis, 66-vjeçari i formuar në gazetën “Philadelphia Inquirer” dhe i bërë gazetar investigativ ndër më të mirët në botë, është autor artikujsh dhe librash investigativë, me parapëlqimin – siç e pranon vetë – për këta të dytët. Në këtë bashkëbisedim me “La Lettura”, Bowden rrëfen se nuk arrin as të imagjinojë se mund të bëjë gjë tjetër në jetë. “Mua më pëlqen të tregoj histori dhe librat më japin hapësirën më të madhe të mundshme për t’i eksploruar”. Një mundësi përpara se një lodhje: “Krahasuar me shumicën e njerëzve, kam fatin që t’i njoh se si dhe pse ndodhin gjërat dhe të vihem në kontakt të drejtpërdrejtë me protagonistët”. Dhe kështu ndodh në historitë që na dhuron Bowden. Duke mbuluar një të çarë të rëndë në botimet italiane, më 29 qershor shtëpia botuese “Rizzoli” ka nxjerrë në librari përkthimin e “Killing Pablo” (titulli, shumë i gjetur, ka mbetur i pandryshuar), frymëzues i skenarit të “Narcos”, serialit shumë të vlerësuar televiziv të platformës online “Netflix”. I botuar më 2001 dhe i përqendruar mbi kapjen e mbretit të drogës Pablo Escobar, “Killing Pablo” është udhëtimi i një kronisti drejtpërsëdrejti tek burimi, në vendet e ngjarjeve e të personazheve. Një operacion i nevojshëm për të kuptuar deri në fund. Sikur të ishte kufizuar në shqyrtimin e dosjeve të hetimeve dhe të telefonatave me dëshmitarët, ndoshta Bowden nuk do të kishte kapur një pasazh qendror në parabolën e një krimineli, të një populli, të një epoke. E përmbledhur kjo në një fjali të vetme: “Nganjëherë fati i një kombi të tërë mund të varet nga integriteti i një njeriu të vetëm”.

– Ky njeri ishte Koloneli Hugo Martinez, oficer i policisë kolumbiane: refuzoi një shumë prej 6 milionë dollarësh të ofruar nga Escobar në një fazë ngjitjeje të jashtëzakonshme kriminale. Me këtë zgjedhje në atë moment të caktuar, Koloneli luajti një rol vendimtar në betejën kundër mbretit të drogës?
“Martinez mbulonte një post të refuzuar nga gjithë të tjerët dhe jo vetëm prej kërcënimeve e dhunës të pësuar nga ai dhe familja e tij. U tha ‘jo’ tanxhenteve që do të kishin mundur ta bënin të pasur dhe që, le të flasim sinqerisht, në Kolumbi pranoheshin dora-dorës nga shumica dërrmuese e niveleve të larta drejtuese të ushtrisë, të policisë dhe të politikës. Koloneli mund të kishte përfituar nga rritja e Escobar: sikur ta kishte bërë, me siguri që ekspansioni i bosit do të kishte arritur nivele më pas të vështira për t’u luftuar. Kaq shumë kurajo dhe kaq shumë forcë morale janë të rralla. Dhe ishte e rrallë të refuzoje një zgjedhje të imponuar nga: plata o plomo, domethënë para ose plumba. Paratë e korrupsionit, plumbat e fishekëve”.

– Akoma më 1989, shkruhet në libër, ambasada amerikane në Bogota nuk e kishte një njohje të saktë të karteleve të drogës dhe aq më pak se kush i komandonte ato. Për sa i përket Escobar, e konsideronte vetëm një prej emrave të shumtë të trafikantëve. Megjithatë, qysh më 1971, kidnapimi i industrialistit Diego Echavarria – një kidnapim që ngjalli alarm dhe terror – ishte kryer nga vetë Escobar, i cili në vitin 1979 jetonte midis kufijve të pamatë të çiflikut të tij, La Hacienda Los Napoles, 20 kilometra katrorë me fusha futbolli, arena, heliporte, kopshte zoologjikë: është e mundur që në ambasadë, avampost dhe pararojë e qeverisë amerikane, askush të mos e dinte? Qe padituri apo bashkëpunim i heshtur?
“Më duket më e thjeshtë t’i quaj ata funksionarë injorantë sesa të regjistruar në bordero. Fillimi i sulmeve të ashpra nga ana e Shteteve të Bashkuara kundër kokainës nuk shpërtheu përpara viteve ’80, kur shumë njerëz qenë pasuruar dhe kishin fituar pasuri imobiliare të pafundme dhe të çmueshme. Sapo ka shpërthyer, DEA-s, Agjencia Federale e Antidrogës amerikane, nuk iu desh shumë për ta identifikuar Escobar si objektivin numër një dhe të merrej tërësisht me të. Jam i bindur se opinioni publik e ka një gjykim mbi kapacitetet e inteligjencës dhe të luftimit të agjencive të sigurisë më të lartë se mundësitë reale të tyre. Kujdes: po flasim gjithsesi për investigatorë ekspertë, të përgatitur, në azhurnim të vazhdueshëm, por është gabim të mendosh që ata ta njohin në kohë reale dhe në mënyrë të detajuar atë çka ndodh në vende të tjera. Sepse nuk është aspak kështu”.

– Në muajin prill, “Corriere” ka treguar historinë e “El Ruso”, krah i djathtë i bosit kolumbian të drogës “Otoniel”. “El Ruso”, i kapur në Itali nga Guardia di Finanza, ka lindur në Bosnje e megjithatë ka ngjitur pozicionet në kartelet jugamerikane. Burimet investigative që kanë punuar lidhur me “El Ruso” përsërisin se tregu i kokainës është në spostim të shpejtë drejt Lindjes: Lindja e Europës, ashtu si ajo e botës, me Kinën “në shënjestër”. Cilët janë motivet e këtij zgjerimi të gjeografisë? Sot beteja kundër drogës është më e ashpër se ajo kundër Escobar?
“Kam dyshimin se luftimi i sotëm i karteleve është shumë i vështirë, si pasojë e përmirësimit të mjeteve teknologjike dhe të fitimeve gjiganteske potenciale. Escobar shkoi përtej strategjisë së konkurrentëve të tij: sigurisht, nga njëra anë qe njëlloj si të tjerët i tërhequr nga ambicia për pushtet e gjeneruar nga mjetet ilegale; por në ndryshim nga konkurrentët kërkoi një afirmim publik të këtij pushteti dhe kreu një sulm të drejtpërdrejtë kundër shtetit. Tani baronët e drogës lëvizin në hije, janë më fluidë, evitojnë reklamën, nuk i sfidojnë hapur institucionet”.

– Mbi “Otoniel” qëndron një shpërblim prej 5 milionë dollarësh. Ka një çmim siç e pati Escobar, siç e kanë të gjithë të kërkuarit e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara dhe siç nuk e kanë në fakt të kërkuarit italianë të mafies dhe ‘Ndrangheta. Por një shpërblim i tillë a nuk rrezikon që të shpërthejnë kontestime të përgjakshme për të fituar shumën?
“Sipas mendimit tim, shpërblimet funksionojnë. Nga ana tjetër, sikur ky sistem të mos kishte sjellë rezultate ose të paktën sikur mos të kishte më shumë anë negative sesa pozitive, ndoshta do të ishte braktisur tashmë. Gjithsesi, Escobar nuk u kap falë shpërblimit. Ra në kryqëzimin e dendur të armiqve, nga Amerika tek qeveria kolumbiane deri tek vetë kartelet rivale”.

– Çfarë situate po kalojnë Shtetet e Bashkuara në luftën kundër drogës? Trump po e nënvlerëson fenomenin? Janë marrë kundërmasa?
“Përdorimi i drogës mbetet një problem me përmasa të pakufishme, sidomos në shtetet më të pasura dhe më të evoluara. Mendimi im është se duhet dalluar midis konsumit të rastësishëm, me qëllim të themi kreativ dhe varësisë totale, patologjike. Në mungesë të një politike të qartë dhe ndërhyrjesh të shënjestruara që vendosin kufij të qartë e të prerë midis dy aspekteve, tregjet ilegale nuk do të bëjnë gjë tjetër veç se do të lulëzojnë. Në Shtetet e Bashkuara, ku sot emergjenca parësore është e lidhur me opiumet, tendenca shkon drejt legalizimit të marijuanës”.

– Duke lexuar “Killing Pablo” dhe më pas duke shikuar serialin “Narcos”, nuk ka sesi të mos “ndjesh” një afërsi të fortë për agjentët e DEA-s, Steve Murphy e Javier Pena, të ndërthurur në dimensionet e policëve dhe në ato njerëzore, me momentet e dobësisë e të pakënaqësisë, me tundimet e dorëzimit…
“Janë dy tipa simpatikë. Ashtu si unë, Steve dhe Javier pëlqejnë të tregojnë histori dhe të kuptohemi, gjëja u shkon shumë. Një prej momenteve më argëtuese është kur janë bashkë: vazhdojnë të tallen e të ngacmohen. Janë poterexhinj dhe pabesueshmërisht të shtruar”.

– Libra të tjerë në përgatitje?
“Sapo kam përfunduar ‘Hue 1968’, për betejën e luftës së Vietnamit. Po udhëtoj shumë për prezantime dhe nuk kam nisur akoma të punoj për ndonjë histori të re”.

– Në qasjen ndaj lëndës është gjithmonë gazetaria: cilat janë çelësat për ta vazhduar e bërë mirë këtë zanat? Interneti, po e mbyt gazetarin apo është një resurs?
“Çelësat janë të pandryshuar. Të kërkosh burime të mira, të dish të bësh pyetjet e duhura, të dokumentosh, të mësosh të tregosh ngjarjet duke iu vënë aksione, dialogje, kategorizime personazhesh. Interneti i ka çmontuar disa institucione gazetareske, i ka transformuar në ‘produkt’ lajmesh dhe prapaskena që nuk janë aspak të tilla dhe mashtrojnë ata lexues që nuk kanë instrumentet për t’i vlerësuar… Gjithçka e vërtetë. Por, në të njëjtën kohë, interneti ka bërë më demokratike mënyrën e zbulimit dhe thellimit, pasi kushdo që disponon një celular, bën një foto, xhiron një video, poston një dëshmi, mund të na ndihmojë në kuptimin e një fakti të caktuar. Duhet të jemi të sinqertë: kemi mjete më të mira se në të kaluarën për të punuar më mirë. Ama me një kusht: të mbetesh i pavarur”.

(Andrea Galli për “La Lettura”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

I lumtur tek Juve

Paulo Dybala largon zërat që e shohin të ardhmen e tij te Barcelona. I pyetur nga mediat italiane, argjentinasi u shpreh se është shumë i lumtur te Juventus. Sulmuesi kujtoi faktin se vetëm para 3 muajsh rinovoi kontratën me “Zonjën e Vjetër” dhe mbi të gjitha mori dhe fanellën me numrin 10. Dybala, vijoi më tej, se dëshiron të rritet te bardhezinjtë dhe nëse klubi dëshiron, është i gatshëm të qëndrojë përgjithmonë te Juve.
Trofeu i parë i sezonit në Itali qëndron në Romë falë Murgias, që në të 93-tën pak sekonda para shtesës i dha Superkupën në duar Lacios. Lacio fitoi një ndeshje të çmendur në “Olimpico”, të cilën e konsideronte të mbyllur pesë minuta para fundit, por që Juventus arriti ta hapë po aq mrekullisht sa dhe bardhëkaltërit fituan këtë trofe. Një titull që ka dhe ngjyra kuqezi falë Thomas Strakoshës, i cili që në fillim bëri pritje vendimtare për të tijtë, duke mbajtur të paprekur rezultatin për të lejuar të tijtë të ishin të qetë në fushë. Immobile dhe një herë tregoi se mbetet njeriu gol dhe jo vetëm që i vodhi një 11-metërsh Buffonit, të cilin e shndërroi po vetë në gol, por gjithashtu në pjesën e dytë shtroi rrugën e Lacios drejt trofeut me golin e 2-0.
Juventus në kërkim të golit të shpresës u përplas te Strakosha sistematikisht deri në minutën e 85-të kur Dybala mundi të dërgojë topin në rrjetë. Gjithsesi Dybala sapo kishte nisur shfaqjen e tij pasi në të 91-tën mundi të barazojë rezultatin nga pika e bardhë. Juventus mendoi se e dërgoi në shtesë ndeshjen, por 1 minutë para fundit Murgia shënoi golin më të rëndësishëm të karrierës duke i dhënë trofeun ndër duar Lacios për herë të katërt në historinë e klubit.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, nuk është i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve në Superkupën e Italisë ndaj Lazios, ku u mposhten 3:2. Ai madje e pranoi se Lazio ka qenë skuadër më e mirë dhe e ka merituar trofeun. “U treguam mendjelehtë, por Lazio e meritoi trofeun. Luajti më mirë dhe luftoi më shumë se ne. Për të paktën një orë nuk kemi luajtur futboll. Duhet të reflektojmë dhe të rikthehemi me këmbë në tokë”, tha Allegri pas ndeshjes. Ai i ka porositur lojtarët që në ndeshjen ndaj Cagliarit në Serie A duhet të rikthehen te fitoja dhe të nisin sezonin në mënyrën më të mirë.
Luciano Vietto është një objektiv real i Sampdorias. Është argjentinasi i Atletico së Madridit, ëndrra në sulm për klubin dorian, që tashmë ka bërë një hap konkret në drejtim të lojtarit. Skuadra italiane është e gatshme t’i ofrojë 16 milionë euro “Los Colchoneros” për 23-vjeçarin, por kjo shifër duket se nuk e kënaq aspak skuadrën madrilene që kërkon të arkëtojë më shumë nga shitja e Vietto-s.
Është duel në merkato mes Veronas dhe Torinos për Sadiq Umar, sulmuesin nigerian të Romës, i cili është rikthyer në Trigoria, pas huazimit te Bologna. Sipas “Tuttosport”, klubi bluverdhë është në avantazh për 20-vjeçarin, që dëshiron ta marrë vetëm në formë huazimi, ndërsa klubi granata i ofron edhe të drejtën e blerjes përfundimtare të kartonit për 8 milionë euro.
Kevin Strootman është plotësisht i përqendruar te sezoni i ri me Romën. Gjatë kësaj merkatoje emri i holandezit është përfolur për një kalim të mundshëm te Juventusi, por vetë 27-vjeçari sqaron se asnjëherë nuk ka biseduar me drejtuesit e bardhezinjve. Strootman është mëse i kënaqur në “Olimpico” dhe nuk sheh asnjë arsye përse të largohet nga verdhekuqtë. Mesfushori theksoi se objektivi i tij është të fitojë çdo ndeshje me Romën.

La Liga

Foto Francesca Soli - LaPresse17 08 2015 Milano (Italia)sport calcioCoppa Italia Tim Cup 2015Milan vs PerugiaNella foto: Carlos BaccaPhoto Francesca Soli - LaPresse17 08 2015 Milano (Italy)sport footballTim Cup 2015-2016Milan vs PerugiaIn the pic: Carlos Bacca

Te Milani ai i ka ditët të numëruara, por me merkaton që po shkon drejt mbylljes, Carlos Bacca duhet të zgjedhë destinacionin e tij të ri. Sulmuesi kolumbian nuk bën më pjesë në planet e trajnerit të kuqezinjve, Vincenzo Montella dhe për këtë arsye Bacca është gati të rikthehet në Spanjë. Edhe pse mendohej se sulmuesi i Los Cafeteros do të rikthehej te Sevilla, së fundmi në skenë për të marrë shërbimet e Baccës ka dalë Villareali, me Nëndetësen e Verdhë që sheh te kolumbiani zëvendësuesin ideal të Roberto Soldados, i cili u transferua në Turqi te Fenerbahçe. Edhe vetë 30-vjeçari e shikon me sy të mirë një kalim në El Madrigal.
Tri skuadra për të ardhmen e Munir El Haddadit. Sulmuesi i talentuar do të largohet sërish nga Barcelona në formë huazimi pas eksperiencës 1-vjeçare te Valencia. Për Munir interesohen tri skuadra të La Ligas Deportivo Alaves, Real Betis dhe Getafe, madje këto tri klube janë të gatshme të blejnë edhe kartonin e futbollistit nga katalanasit.
Sergi Busquets del hapur, duke u bërë të qartë drejtuesve të Barcelonës se skuadra ka nevojë për përforcime. Mesfushori i skuadrës katalanase në një intervistë pas humbjes 1-3 ndaj Realit të Madridit në Superkupën e Spanjës, theksoi se Barcelona duhet të firmosë me çdo kusht me lojtarë të tjerë të rëndësishëm në këtë merkato, pasi katalanasit kanë nevojë për të rinovuar skuadrën aktuale me të tjerë emra.
Cristiano Ronaldo konfirmon se nuk është një numër 9. Në sezonin e kaluar trajneri Zinedine Zidane e aktivizoi shpeshherë edhe si qendërsulmues yllin portugez, por vetë Ronaldo nënvizon se nuk do të luajë më si qendërsulmues. “Më pëlqen të kem lirshmëri në fushë dhe t’i bëj gjërat ashtu siç dua unë”, deklaroi CR7-ta në një prononcim për mediat.

Arsenali tërhiqet nga Lemar

Thomas Lemar, mesfushori me tipare sulmuese i Monacos, ishte një objektiv i Arsenalit në këtë merkato, por mesa duket Topçinjtë e Londrës janë tërhequr nga gara për të firmosur me yllin e skuadrës nga Principata. Synimi i drejtuesve të Arsenalit në ditët e mbetura të merkatos është të bëjnë të mundur largimet e disa prej lojtarëve aktualë në skuadër, të cilët nuk bëjnë më pjesë në planet e trajnerit Arsene Wenger.
Mungesa e hapësirave te Manchester United, ka bërë që mediat angleze të aludojnë për një largim të Luke Shaw nga ekipi i Jose Mourinhos në këtë merkato. Por edhe pse për të marrë shërbimet e tij interesohen shumë klube, menaxheri i futbollistit Johnattan Barnett ka përjashtuar çdo mundësi që Shaw t’i japë lamtumirën Djajve të Kuq në këtë merkato. Shaw do të jetë një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në botë, ai ndihet mirë te United dhe adhuron klubin, kështu që nuk ka asnjë shans që ai të largohet nga Manchesteri deklaroi agjenti i lojtarit.
Evertoni vazhdon kërkimet për të firmosur me një sulmues me peshë. Talenti spanjoll Sandro Ramirez nuk mjafton dhe trajneri Ronald Koeman po shikon në shtëpinë e Arsenalit për të gjetur pasuesin e Romelu Lukakut. Në pamundësi për të firmosur me francezin Olivier Giroud, Evertoni po mendon për një tjetër lojtar të Arsenalit, pikërisht Danny Welbeck. Për ta blerë nga Manchester United sulmuesin e kombëtares angleze, drejtuesit e klubit londinez shpenzuan 25 milionë euro dhe kërkojnë të arkëtojnë minimalisht të njëjtën shifër nga shitja e tij.
Deri përpara pak orësh dukej pothuajse i sigurtë kalimi i mbrojtësit kolumbian Davinson Sanchez për 38 milionë euro te Tottenham Hotspur. Megjithatë gjërat janë komplikuar për klubin anglez së fundmi, pasi Ajaxi ka vendosur të mos e shesë 21-vjeçarin amerikanojugor. Ndërkohë, Valencia ka refuzuar ofertën e parë të Tottenham-it, prej 22 milionë eurosh për Joao Cancelon.

Neymar debuton me gol me PSG

Goli më i shtrenjtë në botë mund të konsiderohet i Neymar për PSG, me brazilianin që debutoi me klubin e tij të ri duke shënuar jo vetëm golin e 0-3, por duke qenë protagonisti absolut i sfidës me Guinkamp, të cilën skuadra e Emery pati jo pak probleme për ta zgjidhur. Debutimi i yllit brazilian duket se kishte “çoroditur” dhe tifozët e Guinkamp që kishin mbushur shkallët duke dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme për skuadrën e tyre ndaj yjeve kryeqytetas.
Në pjesën e parë PSG i mungoi vetëm golin, me Neymar që bëri gjithçka për të çuar te goli të tijtë, por parisienët vuajtën sindromën e golit. Gjithsesi në fillimin e pjesës së dytë miqtë u zhbllokuan falë një super dhurate të Ikokos që dërgoi topin gabimisht në rrjetën e tij. Më pas ishte radha e Cavanit për të dyfishuar me një asist të Neymar, ndërsa në të 82-tën braziliani realizoi dhe golin e tij të parë francez duke mbajtur me pikë të plota të tijtë pas dy javëve të para.
Viti i ri, por Monaco e vjetër, me Radamel Falcon sërish protagonist, teksa vulosi me një 3 golësh fitoren 4-1 ndaj Dijonit në transfertë. Suksesi i monegaskëve, ishte i ngjashëm me ato të vitit të kaluar teksa erdhi sërish nëpërmjet spektaklit pavarësisht se goli i parë ishte pragmatizëm i pastër nga Falcao, por i dyti i brazilianit Jemmerson ishte një roveshatë perlë që i lejoi miqve të mbyllnin ndeshjen ende pa nisur mirë ajo.
Gjithsesi Monaco, që nuk kënaqet kurrë me të bukurën, pak a shumë si Falcao, para pushimit realizoi dhe një tjetër perlë, këtë herë me autor Falcaon, që dërgoi topin në trekëndësh me një goditje plot klas dhe saktësi.
Pavarësisht një tuneli të shfaqur në mbrojtje, por dhe mes këmbëve të Subasicit në fundin e pjesës së parë, rezultati nuk u vendos asnjëherë në diskutim, pasi Falcao mendoi ta mbyllte vetë ndeshjen ashtu si e hapi me golin e 1-4 që ngjit në krye kampionët me pikë të plota pas dy javësh, duke treguar se pavarësisht blerjeve, PSG duhet të luftojë fort për titullin dhe në Francë.

Zidane krenar!

Cristiano Ronaldos i mjaftojnë 22 minuta në Superkupë për t’ia vënë njërën dorë Realit te trofeu, me madrilenët që fituan 3-1 në “Camp Nou”, ku portugezi në 22 minuta që qëndroi në fushë shënoi 1 gol, tregoi muskujt dhe mori dhe një të kuq. Protagonizëm absolut i CR7 në një ndeshje ku jo pak vëmendje meriton dhe Asension për atë “predhë” të minutës së 89-të që ia bën pothuajse të pamundur misionin “Remuntada” Barcelonës. Skuadra e Valverdes vuajti në këtë ndeshje të parë largimin e Neymar, me mungesën e brazilianit që u vu re në skemat sulmuese. Pas një pjese të parë pa gola, e dyta ishte zjarr, me Barcelonën që shënoi të parin, vetëm se Pique ngatërroi portë.
Goli i pësuar solli reagimin e Barcelonës, por në një mbrëmje jo për Suarezin goli mund të vinte vetëm nga këmbët e Messit që shënoi nga pika e bardhë. Gjithsesi përgjigjja e Ronaldos nuk vonoi me portugezin që shënoi golin e 1-2 duke dërguar topin në trekëndësh. Portugezi tregoi muskujt dhe mori kartonin e parë të verdhë, ndërsa një minutë më pas u rrëzua në zonë pas një përplasjeje me Umtitin që për gjyqtarin ishte simulim dhe automatikisht dhe kartoni i dytë i verdhë për Ronaldon. Me 10 vetë në fushë, Reali jo vetëm që nuk pësoi, por shënoi dhe golin e 3-1 falë Asension që bëri të pavlefshme praninë e Ter Stegenit në portë, duke i dhënë Realit një epërsi të madhe për sfidën e kthimit në “Bernabeu” të mërkurën në mbrëmje.
Krenar për skuadrën që ai drejton. Reali i Madridit me Zinedine Zidane në krye të stolit nuk di më të ndalet. Los Blancos pasi fituan La Ligan, Champions Leaguen dhe Superkupën e Europës, falë suksesit fantastik me shifrat 3-1 brenda në “Camp Nou” ndaj Barcelonës në ndeshjen e parë prekën me njërën dorë edhe trofeun e Superkupës së Spanjës.
Në konferencën për shtyp pas përfundimit të El Clasicos, Zidane nuk i kurseu kritikat për arbitrin, ndërsa vlerësoi skuadrën e tij. “Zhvilluam një ndeshje të madhe. Por arbitri u mundua ta prishte disi në momentin që i nxori kartonin e kuq Ronaldos për simulim. Ndoshta nuk ishte penallti, por i kuqi nuk ishte i nevojshëm dhe na prishi planet. Të shohim se çfarë mund të ndodhë të mërkurën, por dua të them që jam shumë krenar për futbollistët e mi. Edhe pse luajtëm me 10 lojtarë për disa minuta ata besuan te fitorja deri në fund. Për mua Reali i Madridit nuk ka një ekip A dhe një skuadër B. Të gjithë janë njësoj dhe të gjithë janë të rëndësishëm për këtë skuadër. Luajnë gjithë ndeshjen, 1 orë apo 20 minuta, ata sërish japin maksimumin dhe bëjnë gjithmonë mirë. Asensio? Nuk më surprizon, ajo që po bën është fenomenale. Ka cilësi të jashtëzakonshme kur godet topin dhe është një vlerë e shtuar për Realin e Madridit”, u shpreh Zidane.
Zhgënjimi nuk mund të mungonte në fjalët e trajnerit të Barcelonës Ernesto Valverde, por edhe pse e pranon se falë fitores 3-1 Reali i Madridit është shumë pranë fitimit të Superkupës së Spanjës, numri 1 i stolit të katalanasve beson ende te mrekullia: “Nuk bëmë një ndeshje të keqe, por rezultati nuk ishte i mirë për ne, Reali është favorit tashmë, por është edhe një ndeshje tjetër për t’u luajtur dhe duhet të besojmë te përmbysja sepse jemi Barcelona. Sezoni sapo ka nisur dhe asgjë nuk përfundon pas një humbjeje apo pas një fitoreje”, deklaroi Ernesto Valverde.

Latifi drejt Hungarisë, për Skënderbeun 1 milion euro

Liridon Latifi drejt largimit në këmbim të 1 milion eurove për arkat e Skënderbeut. Është padyshim lajmi më i bujshëm i kësaj merkatoje me 23-vjeçarin që është gati të fillojë një aventurë jashtë vendit, te Pushkash Akademi në Hungari. Ekipi është ngjitur këtë vit në kategorinë maksimale të futbollit hungarez dhe drejtuesit kanë një projekt ambicioz për të arritur sa më shpejt majat, të ngjashëm me atë të Leipzig në Gjermani dhe për këtë arsye janë të gatshëm të investojnë menjëherë shuma të rëndësishme. Për këtë arsye dhe oferta është nga ato të parezistueshmet, 1 milion euro, shifër e denjë për Skënderbeun për një tjetër shitje rekord si ajo e Olyainkës që u largua për një shumë të përafërt.
Që ishte i përzgjedhuri i shitjes ekselente të kësaj vere kjo dihej, por vonimi i tratativave dhe mbi të gjitha aventura europiane e Skënderbeut bënë që për pak kohë emri i tij të mos lidhej me merkaton. Gjithsesi pritshmëritë janë drejt respektimit dhe Latifi është gati të nisë një aventurë të re, Skënderbeu synon ta ketë edhe për dy ndeshjet e play off-it të Europa League me Dinamon e Zagrebit, nëse do t’i realizonte të dyja, bashkë me shitjen e Latifit edhe kualifikimin, do të ishte padyshim një rekord përfitimesh absolut për një klub shqiptar, tjetër shembull se projektet afatgjatë dhe inteligjente funksionojnë edhe në aspektin financiar në futbollin shqiptar.

Befasohet Hamburgu, eliminohet nga Kupa e Gjermanisë

Hamburgu ishte surpriza e madhe në Kupën e Gjermanisë, duke u mundur 3-1 nga ekipi i kategorisë së 3-të Osnabruck që në fakt e luajti ndeshjen për 75 minuta me 10 vetë në fushë. 8 vjet më parë Osnabruck e kishte eliminuar në mënyrë të ngjashme Hamburgun, por skuadra e Mavrajt këtë herë u mendua se do të kishte një tjetër ecuri, pasi dalja e Apiah me të kuq i dha dhe superioritet numerik ekipit të Bundesligës së parë. Megjithatë, Hamburg në vend që të përfitonte u befasua me Savranin që shënoi golin e epërsisë pas një vendosjeje të gabuar në mbrojtje të miqve.
Në pjesën e dytë Hamburg jo vetëm që nuk reagoi, por u ndëshkua dhe dy herë të tjera, nga Hieder dhe Arslan që vunë në kasafortë kualifikimin për ekipin e kategorisë së 3-të përpara se Hamburg të shkurtonte diferencën me amerikanin Wood në të 73-tën, por pa ndryshuar megjithatë fatin e sfidës me Osnabruck që kaloi më tej Hamburgun që u eliminua që në raundin e parë.