20.5 C
Tirana
E martë, 17 Qershor, 2025

Inter kërkon yllin e Unitedit

Inter nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga anësori i Manchester Unitedit, Anthony Martial. Skuadra italiane, Inter vazhdon të përcjellë situatën e francezit të Manchester Unitedit, Anthony Martial, shkruan “Gazzetta dello Sport”. Inter dëshiron të përforcojë edhe me dy lojtarë para se të përfundojë afati kalimtar, një mbrojtës të djathtë dhe një anësor të majtë.
Dëshira e trajnerit Luciano Spalletti është Martial, por si pjesë e marrëveshjes nuk do të përfshihet kroati Ivan Perisiç, për të cilin Inter i kërkon 55 milionë euro. Në listën e Interit janë edhe Emre Mor dhe Yann Karamoh.

Perisiç do të qëndrojë te Interi

Ivan Perisiç do të mbetet thjesht një ëndërr për Manchester United dhe Jose Mourinhon. Kroati ishte objektivi i parë i Djajve të Kuq për krahët e sulmit, por pavarësisht milionave që i ofroi United, 28-vjeçari ka zgjedhur të qëndrojë te zikaltërit. Gjithçka për meritë të trajnerit Luçiano Spaleti, i cili ka arritur ta bindë Perisiçin të vazhdojë aventurën e tij me Interin, pasi zikaltërit kanë projekt ambicioz dhe kërkojnë të rikthehen sa më shpejt në majat e futbollit italian dhe atij europian.
Në përfundim të miqësores së fituar me shifrat 1-0 ndaj Real Betis, suksesi i 5-të radhazi për Interin, Spaleti i pyetur në lidhje me Perisiç deklaroi: “Ivan është i vendosur për të qëndruar, kam biseduar me futbollistin dhe ai dëshiron të bëjë mirë te Interi duke treguar të gjithë profesionalitetin e tij”. Fjalë këto të njeriut që vendosi veton që Perisiç të mos largohej dhe ia arriti qëllimit për ta mbajtur në skuadër sulmuesin kroat. United ishte gati ta çonte në plot 55 milionë euro ofertën për 28-vjeçarin, por tashmë as një shifër e tillë mund të mos mjaftojë edhe pse plotëson kërkesat e drejtuesve të Interit, kjo për vetë faktin se zikaltërit do ta kishin të pamundur të zëvendësonin një lojtar si Perisiç në ditët e fundit të merkatos, pasi Manchester United kurrsesi nuk pranon që në marrëveshje të përfshihej huazimi me të drejtë blerjeje i francezit Anthony Martial.
Interi ndërkohë pritet t’i ofrojë një kontratë të re Perisiçit me një pagë të përafërt me atë të Mauro Icardit, duke zgjatur marrëveshjen aktuale nga 2020 më 2021-shin, me lojtarin që mund të përfitojë 5 milionë euro në sezon plus bonuset.

Loja e Mekës dhe Medinës

Michael Crawford

Pothuajse një shekull ka kaluar qysh kur sauditët e hoqën Mekën dhe Medinën nga kontrolli i hashemitëve, duke marrë kështu një pozicion me rëndësi të nivelit të parë në zemrën e botës islamike. Për Shtëpinë e Saudit, sovraniteti mbi dy qytetet e shenjta, gjithmonë pikë referimi rajonale dhe globale për myslimanët, ka domethënie si një shpenzim resursesh, ashtu edhe sigurimin e një aseti strategjik e fetar unik në llojin e tij. Janë të paktë vitet që kalojnë të paprekura nga kundërshti lidhur me pelegrinazhin e përvitshëm, haxhin. Dhe për sa sauditët theksojnë se ky i fundit nuk ka asgjë të përbashkët me politikën, grindjet janë pashmangshmërisht të shënuara nga rivalitete dhe mërira ideologjike apo gjeopolitike. Në Mekë ndodhet vendi i Qabesë, shtëpia e Zotit vatër e haxhit, ndërsa xhamia e Profetit, në të cilën u varros Muhamedi, në Medinë. Të dy qytetet përbëjnë djepin e islamit. Çdo mysliman mendohet që të shkojë të paktën një herë në pelegrinazh në Mekë, duke vizituar vendet e shenjta dhe duke kryer 6 ditë rituale. Përveç haxhit, një prej 5 shtyllave të islamit, një mysliman mundet të kryejë në çdo periudhë të vitit një pelegrinazh të “vogël” (‘umra), më të shkurtër. Megjithëse fakultative, vizita në Medinë kryhet nga pjesa më e madhe e pelegrinëve. Më 2012, 3 milionë myslimanë kanë kryer haxhin (ishin mesatarisht 200000 në vitet ’50), ndërsa rreth 11 milionë shkojnë çdo vit në Arabinë Saudite për ‘umra. Për efekt krahasimi, popullsia rezidente e Mekës i kalon pak 2 milionët, ndërsa ajo e Medinës vërtitet në rreth 1 milion e gjysmë banorë. Ekonomia e të dy qyteteve, që kanë kontakt gjithmonë me formë subvencioni të jashtëm, varen në masë të madhe nga pelegrinazhet. Për pelegrinët e ardhur nga e gjithë bota, përvoja në qytetet e shenjta, në shoqërinë e bashkëfetarëve të ardhur nga kontekstet më të ndryshme me të cilën ndajnë një udhëtim fizik dhe shpirtëror, përbën apogjeun e jetës së besimtarit. Kontrolli mbi vizitat e tyre u jep sauditëve një potencial të konsiderueshëm autoriteti dhe prestigji që e tejkalon aspektin e haxhit e të ‘umra, duke u shtrirë deri në komunitetet e origjinës të pelegrinëve. Shumë që nuk e ndajnë leximin wahabit të islamit e shikojnë me bezdi imponimin e rregullave saudite gjatë pelegrinazhit – sidomos për sa u përket grave – dhe kanë frikë përhapjen në shtëpinë e tyre. Kështu, në të mirë e në të keq, përvojat e pelegrinëve përcaktojnë imazhin e mbretërisë saudite jashtë.
Për Mekën dhe Medinën fillimi i erës moderne përkon me pushtimin saudit të Hixhazit midis viteve 1924 e 1926 dhe me ekzilin pasues të hashemitëve. Për llogari të Perandorisë Osmane, këta të fundit kishin qeverisur qytetet e shenjta prej shekujsh. Posedimi i dy lokaliteteve të shenjta ishte në bazën e pretendimit nga ana e Sulltanit osman për t’u deklaruar Kalif, domethënë pasues i fundit i Profetit Muhamed dhe të vetëshpallurit guidë e botës sunite. Sauditët, që nga ana e tyre nuk e reklamonin kalifatin, e kishin pushtuar tashmë Mekën dhe Medinën më parë, në periudhën midis viteve 1803 e 1813. Kjo parantezë e kishte errësuar prestigjin rajonal dhe kredencialet fetare sulltanore, duke shkaktuar një frakturë ideologjike brenda botës islamike që do të rishfaqej në vitet ’20 të nëntëqindës. Duke filluar nga vitet ’40 të shekullit XVIII, sauditët janë bërë idhtarët e wahabizmit dhe të qasjes revizioniste të tij ndaj kredos dhe praktikës së islamit. Wahabitët qenë të bindur se feja që ushtrohej në domenet osmane nuk ishte islam autentik dhe se shumë prej ritualeve të futura në pelegrinazhin tradicional – sidomos e falura pranë varreve dhe mauzoleumeve – përfaqësonin idolatri apo deri mosbesim (kufr). Në mënyrë të veçantë, wahabitët dënonin besimin e tepruar kundrejt ndërmjetësve midis Zotit e njeriut dhe një reverancë ndaj Profetit që pothuajse shkon në adhurim. Një qëndrim i tillë ishte literal, ekskluziv dhe jotolerant, në mënyrë të veçantë midis idhtarëve të misticizmit sufi apo midis shiitëve, gjithmonë objekt i armiqësisë së ndjekësve të Muhammad ibn ‘Abd al-Wahhab. Duke qenë e ndaluar për ta pjesëmarrja në pelegrinazhe, wahabitët e parë i shkatërruan apo i dëmtuan vendet e shenjta të adhuruara nga sunitë e shiitë dhe i detyruan pelegrinët që t’u nënshtroheshin diktimeve të tyre. Shumë myslimanë, të mësuar me pluralizmin fetar e ritual të qyteteve të shenjta, e pritën një sakrilegj të tillë me tmerr dhe i ndëshkuan wahabitët si beduinë primitivë dhe injorantë. Këto fakte u përdorën në vitet ’20 të shekullit të kaluar, kur myslimanët në Indi, Egjipt dhe kudo tjetër në botë në kërkim të një kundrapeshe me natyrë fetare ndaj pushtimit kolonial synonin në një lloj kalifati që të zëvendësonte modelin e dikurshëm osman. Kthimi i kontrollit saudito–wahabit mbi qytetet e shenjta solli sërish shkatërrimin e vendeve të shenjta dhe konfirmoi ndjesinë e krizës politiko–fetare. Disa myslimanë, si sunitë, ashtu edhe shiitë, tentuan që të sigurojnë ndërkombëtarizimin e statusit të Mekës e Medinës. Kjo për të ruajtur diversitetin në praktikën fetare si aspekt të atraktivitetit universalist të islamit. Për shkak të pelegrinazheve, vizitave dhe ndihmave të konsiderueshme financiare të huaja, Meka e Medina shpesh kishin mbuluar rolin e strehimit për mërgimtarët. Shumë myslimanë u atribuonin atyre një status ekstraterritorialiteti substancial. Fushata për ndërkombëtarizimin pati kështu një rezonancë të konsiderueshme, por nuk mund të mbizotëronte mbi faktin e kryer të përbërë nga prania saudite. Megjithëse fillimisht qenë deklaruar të gatshëm që t’ia besonin komunitetit mysliman fatet e Hixhazit, sauditët përfunduan duke i integruar në shtetin e tyre, duke refuzuar çdo ndërhyrje të huaj. Pavarësisht kësaj, vazhduan që të respektojnë disa detyrime ndërkombëtare si mikpritja e mërgimtarëve myslimanë – gjithmonë që të abstenonin nga ushtrimi i politikës (Idi Amin, Nawaz Sharif e Bin Ali, për shembull) – dhe janë ngurrues që të pengojnë kategori specifike myslimanësh që të shkojnë në Mekë apo në Medinë. Në momentin e pushtimit nga ana e saudëve, qytetet e Hixhazit karakterizoheshin nga një shoqëri etnikisht dhe fetarisht shumë më heterogjene se ajo me të cilën sauditët qenë mësuar në Naxhd. Ky pluralizëm buronte nga emigrimi shekullor i pelegrinëve dhe i skllevërve të integruar në realitetin lokal, duke sjellë me vete ide dhe praktika të reja. Haxhi ishte ekuivalent me një panair vjetor ku shkëmbeheshin mallra dhe opinione, krijoheshin kontakte dhe zgjeroheshin rrjetet e njohjes, sigurohej edukimi fetar duke injektuar limfë të re në komunitetet myslimane të përhapura nëpër botë dhe duke u fuqizuar midis tyre. Qytetet e shenjta qenë tashmë qendra vibrante kur u morën nga sauditët. Banorët e Hixhazit, krenarë për identitetin e tyre dhe për lidhjen me haxhin, u fyen nga pushtimi prej njerëzve të Naxhdit – dhe nuk janë dorëzuar akoma sot. Organizimi i haxhit e shtrëngoi regjimin saudit që të hapej me jashtë dhe t’i jepte formë mjedisit të vet gjeopolitik, edhe në prizmin mbrojtës. Duke ju besuar zyrtarëve dhe tregtarëve të Hixhazit për menaxhimin e pelegrinazhit dhe çështjeve financiare relative, sauditët i zbutën disa imponime wahabite më intransigjente, garantuan sigurinë e rrugëve të përdorura për haxhin dhe përcaktuan tarifa për t’u paguar nga pelegrinët. Pavarësisht mangësive ekonomike dhe njerëzore për të siguruar në vazhdimin e haxhit dhe në mirëmbajtjen e qyteteve të shenjta, sauditët arritën që ta shmangin debatin e zjarrtë ndërkombëtar lidhur me Hixhazin dhe rezistencën e banorëve të këtij të fundit. Zbulimi i naftës më 1938 gradualisht e rriti peshën e Riadit në brendësi të botës islamike, duke e qetësuar, megjithëse pa e zhdukur, armiqësinë ndaj sauditëve. Edhe sot, çdo sfidë ndaj sovranitetit mbi dy qytetet e shenjta prek një nerv delikat për mbretërinë dhe shkakton reagime shumë të ashpra. Për të nënvizuar centralitetin e kontrollit të Mekës e Medinës në perceptimin e vetes dhe të legjitimitetit të vet ndër myslimanë nga ana e saudëve, më 1986 i ndjeri Mbret Fahd mori titullin zyrtar të Gardianit të Dy Xhamive të Shenjta (Hadim al-Haramayn al-Sarifayn), i mbajtur më pas nga pasuesit e tij.
Pranimi i kontrollit saudit mbi dy qytetet e shenjta, i përhapur – në mos mbizotërues – midis sunitëve të të gjithë botës, nuk mund të shpjegohet vetëm me petrodollarët. Dekadat e kaluara kanë parë një spostim të fuqishëm të qendrës së gravitetit teologjik dhe ideologjik në brendësi të islamit sunit. Vizioni intransigjent dhe puritan i wahabitëve, përfshi mosnjohjen e ndërmjetësve shpirtërorë dhe bindjen se të gjithë individët janë të baraslarguar nga Zoti, nuk duket pastaj edhe kaq ekstreme dhe sektare në sytë e shumë myslimanëve në shoqëritë e të cilëve modernizimi ka flakur tej kreditin e atribuar misticizmit dhe supersticionit. Në dritën e një kundërshtimi të vogël nga ana e bashkëfetarëve, sauditët paraqiten me sukses në rritje si paradigmë e ortodoksisë sunite. Haxhi dhe umra-ja u japin atyre një mundësi unike që ta përhapin këtë imazh të vetes. Një element i tranzicionit ka qenë gatishmëria me të cilën sauditët, duke filluar nga vitet ’20 të nëntëqindës, ka shkrirë identitetin e tyre në lëvizjen më të gjerë salafite – të cilës wahabizmi i përfaqëson një nën kategori – dhe në vizionin e idealizuar të një shoqërie të mëparshme islamike, e karakterizuar nga ky korrent. Një lëvizje e tillë u ka mundësuar atyre që të fitojnë mbështetës jashtë Gadishullit Arabik dhe të hyjnë kështu e të bëhen pjesë e një tendence më të madhe revizioniste me ndjekës të përhapur nëpër botë. Megjithatë, ky aderim ka shtyrë edhe myslimanët e tjerë dhe Perëndimin që ta akuzojë wahabizmin të mbështesë degëzimet e dhunshme të salafizmit, si Al Qaeda apo Shtetit Islamik. Të dy këto grupe kanë vënë në shënjestër vetë sauditët, duke i dënuar pse janë aleatë me qafirët perëndimorë dhe se kanë dështuar në zbatimin e ligjit islamik. Veç kësaj, duke theksuar se ka rivendosur kalifatin, Shteti Islamik synon për pasojë në marrjen e dy qyteteve të shenjta sauditëve, për sa kjo për momentin mund të duket e largët. Aktorët joshtetërorë kanë sfiduar kështu të drejtën e Riadit për kontrollin e Mekës dhe Medinës, siç edhe ka bërë nganjëherë edhe qeveria e Teheranit. Tentativat e këtij të fundit e kanë origjinën në antipatinë shiite ndaj wahabizmit, nga rivaliteti gjeopolitik midis Mbretërisë e Republikës Islamike dhe nga perceptimi iranian se sauditët nuk e organizojnë haxhin në mënyrën e duhur dhe nuk u ofrojnë mbrojtjet e duhura pelegrinëve shiitë. Siç do ta shikojmë, Teherani shpesh është nxitur t’i shfrytëzojë incidentet dhe t’i bëjë të shkojnë në favorin e tij. Menaxhimi i haxhit, një faktor kyç në modernizimin e shtetit saudit, është gjithmonë i ngjashëm me një fushatë komplekse. Çdo vit qeveria e Riadit mobilizohet në pritje të pelegrinazhit me një përgatitje që zgjat muaj dhe përfshin në mënyrë të veçantë autoritetet e sigurisë publike. Detyra e parë e mbretërisë është ajo që të garantojë paprekshmërinë e pelegrinëve, detyrë të cilën përgjithësisht e ka kryer falë investimeve të konsiderueshme në infrastruktura, shërbime dhe logjistikë. Kjo ka marrë mirënjohjen e miliona besimtarëve dhe ka stimuluar kërkesën, duke e shtrënguar Riadin që të miratojë më 1988 një sistem kuotash për vend proporcional me popullsinë e tij. Si pasojë e kësaj, u favorizuan pelegrinë të ardhur nga vende joarabe – por me përmasa të mëdha – dhe ndryshoi edhe kulturën e haxhit. Kohët e fundit, Arabia Saudite ka miratuar një Plan Transformimi Kombëtar që synon të rrisë numrin e pelegrinëve me 1 milion tjetër brenda 2020. Falë të ardhurave petrolifere, duke filluar nga viti 1955 regjimi saudit ka realizuar 4 zgjerime të konsiderueshme të Xhamisë së Madhe të Mekës, ka ndërtuar një rrjet kompleks rrugësh e tunelesh për të grumbulluar pelegrinët, si edhe ka zhvilluar sistemin e transporteve (përfshi realizimin e një rrjeti metroje) dhe sektorët e hotelerisë e spitalore të nevojshme për miliona pelegrinë. Sot mijëra telekamera survejimi, byzylykë elektronikë dhe teknologji të tjera kontribuojnë për të forcuar masat e sigurisë e të kontrollit me objektivin e shmangies së përsëritjes të tragjedive. Disa prej të cilave kanë qenë edhe objekt politizimi të panevojshëm. Në korrik të 1990 një defekt në impiantin e ventilimit në një tunel shkaktoi vdekjen e 1426 pelegrinëve, ndërsa më 1997 djegia e një kapanoni shkaktoi 343 viktima. Në shtator të 2015 rënia e një vinçi brenda Xhamisë së Madhe shkaktoi vdekjen e 109 njerëzve – midis të cilëve 11 iranianë – dhe plagosjen e 200 të tjerëve, midis të cilëve 32 qytetarë të Republikës Islamike. Po atë muaj pasoi një ngecje gjatë ritualeve të haxhit: sipas Riadit, vdekjet qenë 770, kurse vende të tjera akredituan një bilanc shumë më të rëndë.
Duke këmbëngulur lidhur me natyrën apolitike të pelegrinazhit dhe duke i monitoruar nga afër pjesëmarrësit, sauditët kanë tentuar të minimizojnë rreziqet e konfrontimit politik që kanë si objektiv grupe pelegrinësh. Pavarësisht kësaj, objekt politizimi kanë qenë sidomos besimtarët iranianë. Për vite të tëra shiitët janë konsideruar të diskriminuar gjatë haxhit, në ritualet e të cilit është e zakonshme që të shtohet vizita në vendet e shenjta të imamëve shiitë në Medinë. Kjo ndjesi getizimi, e futur në një narrativë më të gjerë të viktimizmit shiit, është ashpërsuar nga antagonizmi i rrënjosur midis wahabizmit dhe ndjekësve të Aliut. Revolucioni iranian i 1979 nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka hedhur kripë plagës. Pas vitesh me probleme gjatë haxhit, në vitin 1987 pelegrinët iranianë inskenuan një protestë që çoi në përplasjen e drejtpërdrejtë me forcat e sigurisë saudite dhe në vdekjen e 402 njerëzve, midis të cilëve 275 qytetarë të Republikës Islamike, sidomos gra. Megjithëse qysh atëherë demonstrimet gjatë haxhit janë ndaluar, tensionet midis Riadit dhe Teheranit nuk kanë ardhur duke u zbutur. Regjimi iranian e ka shfrytëzuar incidentin e 2015 për të organizuar manifestime kundër sauditëve pikërisht në Teheran, ku është himnizuar rënia e saudëve dhe është arritur që të vendoset nën rrethim ambasada e tyre. Mbretëria vendosi që t’i prishë marrëdhëniet diplomatike dhe asnjë përfaqësi iraniane nuk ka marrë pjesë në pelegrinazhin vjetor të 2016. Vendet e shenjta kanë qenë objektiv sporadik aksionesh terroriste. Megjithëse shiitët iranianë dhe të Gjirit kanë organizuar nganjëherë atentate, kërcënimi më i madh nuk ka ardhur nga jashtë, por nga falanga ekstremiste saudite. Episodi më i njohur ka të bëjë me pushtimin e Xhamisë së Madhe nga ana e Guhayman al-‘Utaybi, Muhammad ‘Abd Allah al-Qaotani – të përshëndetur si Mahdi nga rebelët – dhe ndjekësit e tyre, në nëntorin e 1979. Këta ekstremistë wahabitë kombinonin elementë të ndryshëm doktrinarë, përfshi milenarizmin, në një tërësi eksplozive që kërcënonte të destabilizonte regjimin pikërisht teksa ky i fundit ishte i zënë me efektet e revolucionit të Khomeini dhe me impaktin e tij mbi sauditët shiitë. Autoritetet e Riadit harxhuan javë për t’i dhënë fund pushtimit, gjë që e dëmtoi shumë prestigjin saudit në nivel kombëtar dhe jashtë vendit. Qysh atëherë, sulmet e rralla të markës Al Qaeda dhe të Shtetit Islamik në qytetet e shenjta janë realizuar kryesisht – pavarësisht se jo ekskluzivisht – nga sauditë. Atje ku një valë sulmesh terroriste xhihadiste apo shiite do të godiste vendet e shenjta, Riadi do të synonte që të siguronte mbështetjen e aleatëve sunitë dhe të paraqitej si mbrojtës i islamit nga grupe që synonin t’i minonin themelet. Kështu sauditët kanë reaguar ndaj një sulmi raketor të lëshuar nga Jemeni në tetorin e 2016 nga houthitë, duke pohuar se objektivi i këtij lëshimi ishte Meka – ndërsa ishte e besueshme që të synonte aeroportin e Xhedahut. Në përgjigje të kundërshtive të lidhura me haxhin, sauditët i besojnë mbështetjes së institucioneve islamike ndërkombëtare të themeluara 50 vite më parë nga Mbreti Faisal. Ishte vendosur objektivi parësor i krijimit të një përgjigjeje ndaj kërcënimit që përbënte për mbretërinë dhe për regjime të tjera të Gjirit nga mesazhi shekullar dhe nacionalist të nasserizmit. Duke u propozuar si lider i botës myslimane, Faisali themeloi më 1962 si instrument të propagandës dhe aktivizmit wahabit Lidhjen Botërore Myslimane, e pasuar më 1969 nga Organizata e Konferencës Islamike (OKI) – tani Organizata e Bashkëpunimit Islamik – me bazë në Xhedah dhe e menduar si forum i qeverive të vendeve myslimane. Nga OKI-ja ka dalë pastaj Banka Islamike e Zhvillimit, edhe ajo me seli në Xhedah. Secili prej këtyre organizmave ka qenë instrument efikasiteti të madh për projektimin e influencës saudito–wahabite dhe konsolidimin e mbretërisë si fuqi islamike. Këtij rrjeti entesh i shtohen edhe Universiteti Islamik i Medinës, i hapur më 1961, studentët e të cilit vijnë nga jashtë në masën 80% dhe shoqatat bamirëse me seli në qytetet e shenjta.
Përqendrimi i institucioneve islamike me rëndësi ndërkombëtare në Hixhaz evidenton rolin qendror që mbahet në islam nga Meka dhe Medina, kontrolli i të cilëve i ka dhënë Riadit një autoritet të paarritshëm fetar në mungesë të një hierarkie transkombëtare sunite. Sauditët e përdorin këtë pozicion të privilegjuar për qëllime gjeopolitike dhe po për të njëjtat besojnë mbi ente të tilla si Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit dhe raporti i gjatë që i lidh me Uashingtonin për arsye sigurie dhe mbrojtjeje. Për shembull, më 2016 në Riad është vendosur selia qendrore e një aleance ushtarake islamike e përbërë nga 34 shtete dhe e kushtuar luftës kundër terrorizmit, edhe në frontin sirian. Natyrisht, Teherani ka atribuar në dhënien e një karakteri antiiranian koalicionit, pavarësisht hedhjeve poshtë të sauditëve. Për të qëndruar në marrëdhëniet bilaterale, mbretëria wahabite ruan marrëdhënie tradicionalisht të ngushta me Pakistanin, i vetmi shtet modern i krijuar apostafat për myslimanët, pjesërisht të shpjegueshme me afërsinë fetare. Rëndësia e dimensionit fetar në raportet me qeveritë e huaja – edhe kur në themel qëndrojnë çështje ekonomike dhe/ose të lidhura me naftën – dhe me qeveritë e tyre ka dalë edhe gjatë vizitave të kryera nga Mbreti Salman midis shkurtit dhe marsit të këtij viti në vendet myslimane të Azisë Lindore. As vendet jomyslimane nuk mund ta lënë pasdore këtë prirje të veçantë me referim ndaj qytetarëve të tyre të fesë islamike. Për saudët, kontrolli shekullar mbi qytetet e shenjta përbën një justifikim historik dhe fetar. Në të kundërt, disa banorë të Hixhazit mendojnë se kanë humbur një pjesë të madhe të identitetit dhe traditave kulturore të tyre për shkak të zhvillimit të Mekës, i kryer duke shkatërruar deri në 95% të monumenteve dhe të arkitekturave historike. Një kritik i jashtëm për të dy rreshtimet e ka përshkruar Mekën si të karakterizuar nga konsumizmi dhe nga obsesioni për pasuri e status social: “Meka është një qytet ku ritet diktojnë ligjin, por nuk ekziston etikë”, duke pyetur pastaj nëse ky vend i shenjtë mund “të bëhet vërtet një qytet ndërkombëtar, zemra që i përket trupit të të gjithë besimtarëve”. Një fat i ngjashëm duket i pamundur për dy qytetet e shenjta. Riadi është i vendosur që ta ruajë fort sovranitetin e vet mbi Mekën dhe Medinën në favor të objektivave të veta ndërkombëtare, të kauzës wahabite dhe do të thoshin sauditët, të interesit të përgjithshëm të islamit.

(Michael Crawford është studiues dhe këshilltar i pavarur për Lindjen e Mesme. Ka shërbyer për qeverinë britanike në Londër dhe përtej detit, përfshi Arabinë Saudite, Jemenin, Egjiptin dhe Pakistanin, nga 1981 deri më 2009. Është autor i librit “Ibn ‘Abd al-Wahhab”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Rama i kërkon TAP t’i blejë zjarrfikëse dhe ambulanca

E gjendur në situatë paniku dhe pamundësie për të përballuar situatën e zjarreve në vend, pasi 21 bashki të vendit nuk kanë shërbim zjarrfikës, Ministria e Energjisë dhe Industrisë i është drejtuar me një shkresë konsorciumit të gazsjellësit TAP ku i kërkon që në kuadër të projekteve për interes të komunitetit lokal ku kalon ky investim, të mund të angazhohet sa më shpejt në blerjen e zjarrfikësve dhe auto-ambulancave për disa bashki.
Ministria sqaron se në diskutimet midis palëve është folur prej muajsh për të përfshirë blerjen e zjarrfikësve dhe auto-ambulancave si element që përkojnë me qëllimin e projektit brenda fondit të caktuar, raporton “Respublika”.
“Kërkojmë nga ana Juaj të financoni sa më shpejt që të jetë e mundur blerjen e auto-ambulancave për 8 bashkitë, ku do të kalojë gazsjellësi TAP, duke përfshirë edhe Bashkinë e Vlorës si një nga bashkitë më të rëndësishme në përdorimin e gazit nga ky projekt sikundër është TEC i Vlorës.
Duke marrë parasysh situatën emergjente të zjarreve kërkojmë përshpejtimin e këtij procesi në blerjen e zjarrfikësve nga ana e TAP A.G dhe strukturave të kontraktuara nga TAP për këtë qëllim. Kjo mbështetje kërkohet në kuadër të angazhimeve që ka marrë TAP A.G. për financimin e projekteve për interes të komunitetit lokal”, thuhet në letrën e Ministrisë së Energjisë dërguar konsorciumit.
Në përgjigje të shkresës së Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, konsorciumi i gazsjellësi TAP konfirmon se vendosi të prokurojë menjëherë:
a) 600 fikës zjarri shpine që mund të përdoren nga zjarrfikësit në terren. Këto fikës kanë kapacitet deri në 25 litra ujë dhe mund të përdoren në terren të vështirë.
b) 100 uniforma personale për zjarrfkës që i rezistojnë temperaturave të larta. Ndërsa prokurimi i mjeteve zjarrfikëse me kalueshmëri të lartë dhe ambulancave do të nisë brenda muajit shtator.

 

Mallkim? Qeveria premton edhe tërmete, “s’keni parë gjë akoma”

Shqipëria vazhdon të jetë e “pushtuar” nga zjarret prej më shumë se një muaji, ndërsa situata sa vjen e përkeqësohet. Flakët e zjarreve, pasi kanë bërë kërdinë në pyje dhe zonat e mbrojtura, u janë afruar zonave të banuara, ku në mjaft fshatra po rrezikohet seriozisht jeta e banorëve. Banorët në të gjithë vendin kanë bërë apel për ndihmë, por zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhër. Askush nga qeveria nuk i është përgjigjur thirrjes SOS, ndërsa mjaft banorë ndodhen në banesat e tyre të rrethuar nga flakët.
Ndonëse ndodhemi në të njëjtën situatë me shtetet fqinje përsa i përket motit, vendi ynë është përfshirë i gjithë nga flakët e zjarreve. Si shpjegohet që megjithë temperaturat e nxehta të njëjta si tek ne nuk ka zjarre në këto përmasa në Greqi, Mal të Zi, Maqedoni apo Itali. Pse vetëm në Shqipëri? Sepse vetëm këtu nuk ka qeveri. A është ky një mallkim? Me papërgjegjshmërinë që e karakterizon, qeveria po premton edhe tërmete, duke i konsideruar tërmetet si pjesë të programit të vet elektoral për shuarjen e vendit fare.
Vetëm këtu nuk ka qeveri që të ketë mjete dhe fonde për shuarjen e zjarreve, sepse vetëm këtu tek ne paratë bëhen rrush e kumbulla dhe destinacioni i vetëm i tyre është luksi qeveritar.
Ndaj zjarret në të katër anët e vendit duken si një mallkim për një vend që sapo ka dalë nga një palë zgjedhje ku shqiptarët nuk u lanë të lirë të zgjedhin, por votat u blenë. Blerja e votave mund të prodhojë vetëm një qeveri të tillë, të papërgjegjshme, që pasi nuk i ka mjaftuar djegia e vendit nga të katër anët premton edhe tërmetet.
Situata nga zjarret ka dalë jashtë kontrollit. Në disa qarqe të vendit si në Dibër, Vlorë dhe Elbasan gjendja e rënduar po shkon drejt katastrofës.
Zjarri në Gjinar të Elbasanit ka shkrumbuar mijëra drurë me pisha dhe ka shkretuar qindra hektarë me shkurre. Për fat të keq zjarri ka djegur një nga zonat më të bukura me pisha e quajtur si “Sofra e Shpatit”. Do të duhet shumë kohë që kjo sipërfaqe e shkretuar tashmë të gjelbërohet e të kthehet siç ishte pak ditë më parë. Deri më tani ende nuk janë zbardhur shkaqet e këtij zjarri dhe nuk është identifikuar asnjë autor.
Ndërsa vatrat e zjarrit shtohen çdo ditë, shteti i pafuqishëm për të përballuar situatën, zjarrfikësit po luftojnë me flakët, duke rrezikuar edhe jetën në disa raste, por ata nuk kanë mjete për të shuar vatrat e shumta të zjarreve. Në shumicën e rasteve, të fundit që mbërrijnë në vendngjarje janë pikërisht zjarrfikësit. Kjo, sepse në shumë bashki një repart i tillë nuk ekziston, ndërkohë që ligji dikton krijimin e tyre deri në dhjetor të vitit 2018.

Avionët grekë për fikjen e zjarrit tërhiqen nga Shqipëria

Shefi i ushtrisë greke ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme të avionëve grekë nga Jugu i Shqipërisë. Të paktën kështu raportojnë sot mediat në vend. Me një urdhër urgjent dhe pa asnjë sqarim të shefit të ushtrisë greke, avionët “Canadair” janë larguar urgjentisht nga hapësira ajrore e Shqipërisë.
Sipas burimeve pranë Drejtorisë së Zjarrfikësve në Athinë, urdhëri u dërgua urgjent rreth orës 12:45, me orën lokale dhe menjëherë dy avionët kanë përfunduar operacionet e tyre në zonën e Bularatit, Muzinës, Dhrovjanit dhe Zervatit në Jug të Shqipërisë, për t’u larguar drejt bazës së tyre në Elefsina, pranë Athinës.
Ndonëse situata në Greqi është e qetë dhe nuk ka fronte intensive zjarri, askush nuk e di arsyen përse shefi i ushtrisë greke ka vendosur braktisjen e operacioneve në vendin tonë, ku situata e zjarreve ka arritur kulmin.

Situatë e rëndë në Dropull
Situata në Dropull dhe në Gorricë të Gjirokastrës është alarmante, pas riaktivizimit të zjarreve. Tashmë flakët janë shumë pranë dy shtëpive dhe janë duke depërtuar. Në vendngjarje janë forca të shumta zjarrfikëse, të cilat po mundohen të fikin zjarrin.
Vatra e zjarrit në Dropull është bërë e pabërballueshme nga forcat zjarrfikëse. Pak nga pak, flakët po i afrohet shtëpive të fshatit Terihat. Prej ditësh, banorët kanë luftuar edhe vetë me flakët teksa edhe kanë bërë apel për ndihmë nga ajri. Prej gati dy muajsh, vendi është përfshirë nga zjarret, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në toka bujqësore, kullota, pyje dhe shkurre.

CNN: Zjarret në pyje janë përhapur në gjithë Shqipërinë

Zjarret që kanë përfshirë vendin tonë janë pasqyruar edhe në mediat pretigjioze ndërkombëtare. “CNN” dhe “Time” kanë postuar foto nga flakët që kanë pushtuar një mal të tërë në zonën e Muzinës në Sarandë.
CNN shkruan në instagramin e saj zyrtar, duke shpjeguar se zjarret në Shqipëri janë përhapur në të gjithë territorin, më së shumti në zona të vështira për t’u arritur.
“Zjarr në një pyll pranë Sarandës në Jug të Shqipërisë. Zjarret në pyje janë përhapur në gjithë Shqipërinë, më së shumti në zona të largëta ose të vështira për t’u arritur, pasi vendi po përballet me temperatura të nxehta”, shkruhet në postimin e gjigantit amerikan të lajmeve.
Ndërsa revista “Time” gjithashtu ka publikuar në Instagram një tjetër foto, të po të njëjtit zjarr në Sarandë me një përshkrim të ngjashëm të asaj të CNN.

R.POLISI

7 familje rrezikohen nga zjarret në Mallakastër, kërkojnë ndihmë

Flakët e zjarrit po rrezikojnë seriozisht jetën e 7 familjeve në Çorrush të Mallakastrës. Alarmin e ka dhënë vajza e njërit prej banorëve që është rrethuar nga flakët në një komunikim telefonik për “Neës 24”. Teksa qan me dënesë, zonja në fjalë tha se, prindërit e moshuar e kanë telefonuar para dy orësh dhe ajo ka mbërritur nga Vlora në këtë fshat, por nuk ndërhyn dot për t’ju ardhur në ndihmë, pasi zjarri ka marrë përmasa të frikshme.
Në të njëjtën kohë, ajo thotë se ka lajmëruar Policinë e Shtetit dhe zjarrfikëset, por askush nuk ka shkuar për t’ju ardhur në ndihmë. “Situata është shumë alarmante, kemi dy orë që e marr Policinë e Shtetit, zjarrfikëset, por askush nuk vjen. Ne u sosëm nga Vlora, por s’ju japim dot ndihmë. Nuk ka asnjë ndihmë nga shteti. Ku është shteti?! E gjithë lagjja është rrethuar nga flakët, po na digjen prindërit brenda (qan). Duhet ndihmë nga ajri se po digjen brenda, ju lutem”, tha ajo mes lotësh.
Nga të dhënat e fundit, në Çorrush zjarri ka arritur të përpijë disa banesa. Disa familje në zonë janë asfiksuar. Sipas shefit të zjarrfikëses zjarri është i madh, ndërsa ndërhyrja është e vështirë. Banorët bëjnë apel për ndihmë.
Zjarri u afrohet banesave në Bulqizë
Banorë të fshatit Bllac në Bulqizë kanë kërkuar ndihmë, pasi flakët e zjarrit që kanë përfshirë zonën po i afrohen banesave. Siç duket edhe nga fotot e shpërndara në rrjetet sociale, zjarri dhe tymi janë pranë banesave. Banorët e zonës thonë se, kanë kërkuar ndihmë nga shteti, por deri tani askush nuk i është përgjigjur.
Në fshatin Trovë të Ulzës situata është problematike. Ka kaluar rreziku për disa banesa në fshatin Trovë, por tani rrezikohen disa banesa në fshatin Lundreshë të Njësisë Administrative Ulëz. Është e pamundur t’u afrohet flakëve për shkak dhe të terrenit. Në Bulqizë janë shfaqur vetëm mbrëmjen e së enjtes katër vatra zjarri. Janë djegur me dhjetëra ha pyje. Zjarri rrezikon të shkojë drejt Qafë Shtamës.
Vijon aktive vatra e zjarrit në Malin e Lopës, Bashkia Bulqizë. Për izolimin e vatrës së zjarrit janë angazhuar forca zjarrfikëse, forca të pyjores dhe forca vullnetare, por ende nuk kanë munduar ta vënë nën kontroll. Eshtë aktive vatra e zjarrit tek Tenda Dushaj-Koçaj, Bashkia Bulqizë. Kanë punuar forca vullnetare, por ato nuk kanë mundur ta venë nën kontroll, pasi vatra ndodhet në një terren malor, ku automjetet zjarrfikëse nuk kanë mundësi të veprojnë. Vatra ka djegur rreth 5 ha me pisha, ah dhe dushqe.
Vazhdon të jetë aktive vatra e zjarrit në vendin e quajtur Temla e Peladhisë, Zerqan. Si pasojë e zjarrit është djegur rreth 7 ha pyll pishe, dushqe dhe lajthi.
Në fshatin Vojnikë, Bashkia Dibër, ka rënë zjarr në shkurre dhe kullotë pranë disa banesave. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 3 ha me shkurre dhe kullotë. Në Balgjaj, Selishtë, Bashkia Dibër ka rënë një zjarr në një zonë me kullota dhe drurë të rrallë ahu. Si pasojë e zjarrit është djegur rreth 0.5 ha pyll ahu. Vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në fshatin Kacni, Bashkia Dibër.

Zjarret rrezikojnë fshatrat e Dibrës, Elbasanit dhe Vlorës

Shqipëria vazhdon të jetë e “pushtuar” nga zjarret, ndërsa Rama vazhdon pushimet në bregdet pa u shqetësuar nga situata që sa vjen e përkeqësohet. Në disa qarqe të vendit si në Dibër, Vlorë dhe Elbasan gjendja e rënduar po shkon drejt katastrofës. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 19 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Dibër, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër.
QARKU TIRANË
Vazhdon operacioni për të shuar zjarrin e rënë në pyllin me shkurre dhe dushqe në afërsi të Tunelit të Krrabës në aksin rrugor nacional Tiranë-Elbasan. Zjarrfikësit me mjete kanë shuar zjarrin në afërsi të hyrjes së tunelit, por zjarri vazhdon të jetë aktiv në zonën malore, larg hyrjeve të tunelit.
Vazhdon të jetë e rëndë situata nga vatrat e zjarrit në Malin e Derjes pranë fshatit Shëngjergj, Bashkia Tiranë. Në fshatin Maknor, Pezë, si pasojë e zjarrit është djegur deri një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre e kullota. Në fshatin Selbë, Dajt, ka rënë zjarr në shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e relativisht e madhe me shkurre dhe pisha.
QARKU ELBASAN
Vazhdon operacioni për të shuar zjarrin e rënë në shkurre dhe pisha në fshatin Derstilë, Gjinar, Bashkia Elbasan.
QARKU DIBËR
Në fshatin Vojnikë, Bashkia Dibër, ka rënë zjarr në shkurre dhe kullotë pranë disa banesave. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 3 ha me shkurre dhe kullotë. Në Balgjaj, Selishtë, Bashkia Dibër ka rënë një zjarr në një zonë me kullota dhe drurë të rrallë ahu. Si pasojë e zjarrit është djegur rreth 0.5 ha pyll ahu.
Vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në fshatin Kacni, Bashkia Dibër. Zjarri ka ardhur në vazhdim të zjarrit të rënë në Shehe, Bulqizë dhe ka djegur rreth 5 ha me pisha dhe ah. Vijon aktive vatra e zjarrit në Malin e Lopës, Bashkia Bulqizë. Eshtë aktive vatra e zjarrit tek Tenda Dushaj-Koçaj, Bashkia Bulqizë. Vatra ka djegur rreth 5 ha me pisha, ah dhe dushqe. Vazhdon të jetë aktive vatra e zjarrit në vendin e quajtur Temla e Peladhisë, Zerqan. Si pasojë e zjarrit është djegur rreth 7 ha pyll pishe, dushqe dhe lajthi. Eshtë aktive vatra e zjarrit në vendin e quajtur Fusha e Frangut në Zerqan, Dibër. Si pasojë e zjarrit janë djegur rreth 8-10 ha me dushqe dhe pisha.
Në Vaj-Kal, Zerqan, Bashkia Bulqizë ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 0.3 ha me shkurre dhe ferra. Vazhdon të jetë aktive vatra e zjarrit në fshatin Madhesh dhe Troll, Bashkia Mat. Zjarri mund të shuhet vetëm me ndërhyrje nga ajri. Ka vazhduar të jetë aktive vatra e zjarrit në Malin e Lenzit, Gurrë, Bashkia Klos. Vazhdon të jetë aktive vatra e zjarrit në fshatin Kurdari, Bashkia Klos. Si pasojë e zjarrit janë djegur rreth 40 ha me pisha, ah dhe bredh. Vazhdon të jetë aktiv zjarri i rënë në fshatin Xibër Hane, Bashkia Klos. Si pasojë e zjarrit është djegur rreth 1 ha pyll me pisha.
QARKU VLORË
Kanë vijuar operacionet e zjarrfikësve, edhe me ndihmën e helikopterit për të shuar zjarret në fshatrat Muzinë, Kardhikaq dhe Pecë, Bashkia Finiq.
QARKU GJIROKASTËR
Në fshatrat Frashtan dhe Lugar, Bashkia Dropull ka rënë një zjarr, i cili rrezikonte banesat. Zjarret kanë vënë në rrezik serioz banesat e këtyre dy fshatrave si dhe të fshatrave Grapsh, Jergucat, Zervat dhe Sofratikë.

Zjarri i afrohet fabrikës me 5 ton lëndë shpërthyese në Vorë

Një zjarr i rënë në fshatin Kuç të Vorës është duke i afruar një fabrike fishekzjarrësh. Mësohet se brenda në këtë fabrikë janë 5 ton lëndës shpërthyese, të cilat tashmë rrezikohen nga afrimi i zjarrit. Brenda mjediseve është vendosur një automjet zjarrfikës, ndërkohë që në raste shpërthimi pasojat do të ishin katastrofale.
Zjarri i nisur që para dy ditësh ka djegur tashmë shumë hektarë tokë. Gradualisht flakët kanë përparuar në faqet e kodrave për të mbërritur deri në thellësi të fshatrave të Vorës. Ndërkohë, me mjetet zjarrfikëse të ushtrisë, perimetri i sigurisë po përforcohet, ku përveç pompave të ujit, po punohet dhe me mjete të tjera për të ndaluar përshkallëzimin e situatës.

Zjarr në afërsi të doganës së Hanit të Hotit

Dogana e Hanit të Hotit për momentin është pa energji elektrike. Kështu ka bërë të ditur OSHEE, e cila ka njoftuar se një gjë e tillë ka ardhur pas rënies së zjarrit në afërsi të saj. Si pasojë është stakuar linja L30-55/1 Koplik 220 -Vukpalaj për masë sigurie, pasi ka rënë zjarr në afërsi të Bajzes dhe kërkohet nga zjarrfikësja.
OSHEE njofton se pa energji ka mbetur edhe nënstacioni i Koplikut, Bajzë si dhe Vukpalaj.
Ndërkohë që OSHEE njofton se sot në Tiranë për shkak të investimit për lidhjen unazore të fidrave 333 dhe 334 të N/St Selitë 20 kw, zona pranë Kopshtit Zoologjik sot nuk do të ketë energji elektrike nga ora 10:00 deri në 11:00.

 

R.Polisi

Lufta e shenjtë e Europës

Diarmaid MacCulloch

1517 Luteri i dërgon një ankesë të fortë Papës

Martin Luteri, një frat i devotshëm agostinian, që jep mësim në Universitetin e Wittenberg në Saksoni të Gjermanisë Veriore, shpërthen kundër indulgjencave, domethënë dokumenteve që kisha u jep besimtarëve për të shkurtuar kohën që do t’i duhet secilit mëkatar të kalojë në Purgator përpara se të futet në Parajsë. Vepra e tij, që konsiston në 95 propozime (teza) që marrin në shqyrtim këtë aspekt specifik të teologjisë zyrtare lidhur me shpëtimin, lind nga zemërimi përballë fushatës së shitjes me të cilat shpërndahen indulgjencat, nga e cila përfitojnë financiarisht si Papa, ashtu edhe Peshkopi Albrecht i dioqezës së Luterit, një aristokrat autoritar gjerman. Iniciativa ngjalli sukses në të gjithë Gjermaninë dhe frati, që deri në atë moment nuk ka botuar asgjë, nis të shkruajë një lumë librash dhe akuzash, në të cilat ekspozon energjikisht idetë e tij. Duke e ndjerë të kërcënuar autoritetin e saj, kisha reagon, por të dyja palët përdorin argumente të ndryshme: Luteri flet për shpëtim tejtokësor, kisha flet për bindje.

1519 Zelli reformist përhapet në Jug

Në Zyrih, qindra kilometra në jug të Wittenberg, një klerik i rëndësishëm me emrin Huldrych Zwingli nis një fushatë sistematike predikimi të bazuar mbi tekstet e Biblës dhe mbi idenë se vetëm Zoti është shpërndarës shpëtimi, një mesazh që e sfidon keqas doktrinën zyrtare të kishës. Reforma e tij, që zhvillohet fillimisht në Zyrih dhe më pas në pjesë të ndryshme të Zvicrës dhe të Gjermanisë Jugore, ecën paralelisht me atë të Luterit, por të dyja nuk do të jenë kurrë identike dhe Zwingli nuk do ta respektojë kurrë autoritetin e fratit agostinian.

1520 Roma tregon muskujt

Tashmë Luteri dhe autoritetet klerikale janë në rrugën e përplasjes. Nga këndvështrimi i tij, Luteri vetëm po rikthen në skenë doktrinën tradicionale të shpëtimit të bazuar mbi dy autorë themelorë të kristianizmit të lashtë, Palit nga Tarsi dhe Agostinit nga Hipona, por autoritetet e Romës janë thjesht të tërbuara pse frati nuk i bindet urdhrit të tyre për ta ndërprerë predikimin e tij. Papa nxjerr një bulë (domethënë një deklarim solemn) ku dënon Luterin dhe mosbindjen e tij, por Luteri e djeg publikisht bulën dhe vazhdon të shkruajë tri libra që ravijëzojnë një strukturë alternative për mendimin kristian. Doktrina e tij është e përqendruar mbi “justifikimin për fenë”: ideja që dhurata e fesë, që Zoti i bën njeriut nëpërmjet faljes së tij, është vetëm mjeti për sigurimin e shpëtimit të përjetshëm. Kisha nuk e ka pushtetin për t’i shtuar asgjë këtij realiteti, aq më pak duke i shitur atyre indulgjenca: kështu që autoriteti i saj bazohet vetëm mbi një mashtrim dhe duhet të flaket tej.

1521 Pozicioni i qëndrueshëm i Luterit në Worms

I thirrur përpara Perandorit Karli V në Dietën (domethënë një asamble zyrtare) e Worms, Luteri refuzon që t’i ritrajtojë mësimet e tij. Ndjekësit e tij do ta kujtojnë këtë akt bindjeje ndaj ndërgjegjes së tij po me fjalët e tij: “Këtu qëndron i palëkundur. Nuk mund të bëj gjë tjetër”. Perandori, që i kishte garantuar një shteg shpëtimi për të arritur Dietën, e mban fjalën e tij dhe Luteri mund të kthehet i lirë në shtëpi, megjithëse duke qenë tashmë i vënë kundër si autoritetit papnor, ashtu edhe atij perandorak. Megjithatë, shumë fisnikë gjermanë rreshtohen nga ana e tij, në mënyrë të veçantë Elektori i Saksonisë që e ka mbështetur qysh nga fillimi dhe që, për ta siguruar mirë, inskenon një “rrëmbim” të sajuar dhe e transferon në kështjellën e Wartburg, ku frati fillon përkthimin e Biblës në gjermanisht (vepër që do të ketë influencë të madhe mbi zhvillimin gjuhësor të gjermanishtes së folur). Si adhurues i muzikës që është, shkruan edhe himne të shenjta shumë të bukura në gjermanisht, akoma sot themelore për përkthimin luteran.

1525 Rebelët masakrohen

Në pjesën më të madhe të Perandorisë së Shenjtë Romake një valë e gjerë trazirash, që bashkon tensione të vjetra lokale me eksitimin e tij prej implikimeve radikale të mesazhit të Luterit, merr formën e një rebelimi të vërtetë: Lufta e Fshatarëve. Por kjo revoltë përfundon e mbytur në gjak. I shpifur prej instrumentalizimit të dhunshëm të mesazhit të tij, Luteri rreshtohet në favor të represionit dhe rebelët mbesin thellësisht të zhgënjyer. Qysh prej atij momenti, ai preferon që të mbështetet tek klasa dominuese për ta përhapur reformën e tij; në të kundërt, shumë mbështetës të revoltës vazhdojnë vetë në rrugë akoma më shumë radikale, duke refuzuar parime mbi të cilat kristianizmi është dakord prej shekujsh (si natyra e Trinisë ose raporti midis kishës dhe pushtetit tokësor) dhe duke kërkuar përgjigje të bazuara mbi fjalët e Ungjillit. Kundërshtarët e tyre – si katolikë, ashtu edhe protestantë – i persekutojnë, duke i quajtur me përbuzje “anabaptistë” (“ripagëzues”) prej idesë së tyre sipas së cilës nuk duhet të pagëzohen fëmijët, por vetëm të rriturit që kanë mundur të zgjedhin me ndërgjegje të bëhen kristianë.

1530 Mosmarrëveshje të brendshme midis protestantëve

Karli V mbledh një Dietë të re në Augusta, ku mbështetësit politikë të Luterit (tashmë të quajtur “protestantë” prej protestës së tyre kundër ndalimit perandorak që e pengon Luterin të lëvizë lirisht) e bindin që të marrë në konsideratë dy formulime të Reformës, një propozim nga vetë luteranët dhe tjetri nga 4 qytete të Perandorisë që simpatizohen më shumë me reformatorët zviceranë. Në fund, Perandori i refuzon të dyja, por formulimi luteran mbetet i njohur si “Rrëfimi i Augusta” dhe çarja midis protestantëve luteranë dhe protestantëve joluteranë (më pas të njohur si “protestantë reformistë”) u bë i përhershëm. Këta të fundit, admirues dhe pasues të Zwingli, krahasuar me Luterin, vendosin një theks më të madh mbi idolatrinë dhe predikojnë shkatërrimin e imazheve të shenjta nëpër kisha (që Luteri i kishte gjykuar tashmë negativisht). Kanë edhe ide rrënjësisht të ndryshme lidhur me domethënien e ritit themelor të kristianizmit: Eukarestisë të krijuar nga vetë Jezusi në Darkën e Fundit. Për të reformuarit, buka dhe vera kanë vetëm një domethënie simbolike dhe nuk transformohen realisht në Trupin dhe Gjakun e Krishtit nëpërmjet aktit të kultit. Për pasojë, zwinglianiwt e refuzojnë tërësisht teologjinë eukarestike dhe ritin sakrifikues të meshës, ndërsa Luteri synon që të ruajë një pjesë të madhe të ceremonialit tradicional. Në fakt, të dy grupet bien dakord mbi faktin se Papa është armiku i Zotit dhe se kleri as nuk duhet të konsiderohet kastë e privilegjuar, as të detyrohet të qëndrojë beqar.

1536 Sukses i Kalvinit pranë reformatorëve

Në Gjenevë, tashmë e zhytur në një klimë kaotike reformiste, mbërrin Zhan Kalvini, klerik francez në mërgim që brenda një periudhe të shkurtër do të marrë në duar frenat e qytetit dhe gradualisht, duke tejkaluar opozicione të ndryshme (jo e fundit ajo e reformatorëve të tjerë) dhe falë edhe mbështetjes së mërgimtarëve të shumtë si ai, përcakton vizionin e tij të Reformës. Kështu Gjeneva bëhet një qendër e përhapjes së protestanizmit të reformuar bashkë me Zyrihun. Kalvini vendos një theks të veçantë mbi disiplinën dhe mbi një qeveri ekleziaste të mirërenditur: në një Europë në ankth të përhershëm prej trazirave publike dhe dhunës së përhapur, sukseset e tij ngjallin admirim të madh. Kolegët e tij inkurajojnë edhe lindjen e një forme të re të muzikës së shenjtë, shumë e ndryshme nga ajo luterane dhe e bazuar vetëm mbi tekste të nxjerra nga Bibla, sidomos nga 150 Psalmet e Davidit, vargjet e thjeshta të të cilave transformohen në muzikë me melodi të lehta për t’u kënduar nga kushdo (e ashtuquajtura “metrikë psalmodike”). Për shumë njerëz është një zbulim, një mënyrë e re dhe çliruese për të celebruar Zotin dhe brenda një kohe të shkurtër, metrika psalmodike transformohet për të reformuarit në një simbol të fuqishëm identiteti grupi, që i kalon kufijtë midis kulturave.

1555 Karli V detyrohet që t’u cedojë luteranëve

Pas 9 vitesh lufte në Europën Qendrore, Karli V dhe habsburgët janë detyruar ta njohin zyrtarisht ekzistencën e luteranizmit dhe t’u lejojnë vasalëve të tyre që ta bëjnë besimin fetar të nënshtetasve të tyre në qoftë se do ta dëshirojnë. Por tjetërkund habsburgët do të punojnë për ta mbrojtur dhe rivitalizuar katolicizmin. Ky kompromis, i njohur si “Paqja e Augustas”, nuk shtrihet gjithsesi tek protestantizmi i reformuar, edhe pse në dekadat e mëpasme aristokratët e reformuar vijnë në pushtet në disa rajone të Perandorisë: kjo pabarazi gjeneron një situatë të paqartë dhe të paqëndrueshme në ekuilibrat fetarë të Europës Qendrore. Në fund të shekullit XVI, Skandinavia dhe një pjesë e mirë e Gjermanisë Veriore do të jenë tashmë fuqimisht luterane, por kishat e reformuara do të përhapen deri në Angli e Skoci në Perëndim dhe deri në Transilvani, në Poloni e në Lituani në Lindje.

1558 Elisabeta I kërkon një kompromis

E kurorëzuar Mbretëreshë e Anglisë, Elisabeta I më 1559 nënshkruan me Parlamentin një Marrëveshje lidhur me Religjionin, që u jep fund dekadave të pasigurisë në tokën angleze. Nga prishja me babain të saj, Henriku VIII me autoritetin papnor më 1533, Anglisë i është dashur të përballet me qëndrimet ambigue të Henrikut ndaj Reformës, masat fuqimisht reformatore të pasuesit të tij, Eduardit VI dhe rifutjen drastike të katolicizmit në punë nga Mbretëresha Maria I. Nga ana e saj, Elisabeta është një protestante e vaktë, por këshilltarët e saj fetarë e laikë synojnë që të vazhdojnë me entuziazëm në trajektoren e protestantizmit të reformuar të filluar nga Eduardi dhe mbretëresha nuk gjen mënyrë si ta pengojë. Një pikë vendimtare mbi të cilën Elisabeta gjithsesi nuk tërhiqet është ruajtja jo vetëm e peshkopëve, por edhe e katedraleve dhe e institucioneve ekleziaste tashmë në funksionim. Kulti i ushtruar në katedrale është shumë ndryshe nga kultura protestante e reformuar që po përhapet në famullitë angleze dhe do të përfundojë për të futur në teologjinë e Kishës së Anglisë një ambiguitet që nuk do të zgjidhet kurrë: bëhet fjalë për katolicizëm apo për protestantizëm? Ato që bashkojnë në fakt kishën angleze janë përkthimi në anglisht i Biblës dhe i Librit të Lutjeve të Përbashkëta (Book of Common Prayer). Nga kjo kishë e Anglisë do të lindë anglikanizmi.

1563 Fillon Kundërreforma

Në Trento përfundon Koncili i Peshkopëve katolikë i filluar më 1545, që ka efektin e rikthimit të besimit në Kishën e Romës dhe të riparojë strukturën e saj pas kundërgoditjeve të Reformës. Disa pikëpyetje (si ajo mbi natyrën e autoritetit papnor) lihen qëllimisht pa përgjigje, por Koncili riafirmon pakompromis doktrinën dhe praktikën në formën që kishin në agimin e rebelimit të Luterit, duke i eliminuar disa shkelje. Përkrah shpërthimit të rinovuar të energjisë që rivitalizon shpirtin fetar të Europës Jugore, e mbetur jashtë nga Reforma protestante, Koncili kotribuon në lindjen e një identiteti të ri “kundërreformist” për Kishën Katolike, i mbështetur nga sovranë të ndryshëm si ai i Francës, ai i Polonisë dhe Perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake. Falë ekspansionit të Spanjës dhe Portugalisë në Amerika, në Afrikë e në Azi, katolicizmi nis të bëhet feja më e përhapur në botë, i mbështetur edhe nga forca e armëve kudo që autoritetet politike spanjolle e portugeze arrijnë të shkojnë.

1607 Protestantizmi në Amerikën Veriore

Kolonia e parë angleze e destinuar të mbijetonte përjetësisht në Amerikën Veriore është ajo e Jamestown, e pagëzuar kështu në nderim të Mbretit Jack (James), megjithëse fillimisht u quajt Virginia në nder të Elisabetës, Mbretëreshës së Virgjër. Themelimi i saj i jep jetë ekspansionit të protestantizmit në gjuhën angleze, që duke u nisur nga një ishull i vogël europian do të bëhet një manifestim i fesë kristiane në shkallë botërore, kolonia e re adopton një formë fetare konform me Kishën e Anglisë, por pak më në veri, përgjatë një cope bregu të quajtur New England, themelohen vendbanime të tjera nga kolonë me ide më radikale që nuk i përshtaten aspak Kishës angleze, që e konsiderojnë si të infektuar nga kompromise papiste.

1618–1619 Fillon Lufta 30-vjeçare

Kisha e reformuar holandeze mblidhet në një sinod (asamble) në Dordrecht (Dort) për të ravijëzuar një doktrinë të saktë lidhur me shpëtimin pas një kundërshtie të dhunshme teologjike e politike që ka parë fitoren e fraksionit besnik ndaj idesë së predestinimit hyjnor. Në mbledhje marrin pjesë edhe përfaqësues të kishave të tjera të reformuara, gjë që e bën këtë sinod gjënë më të afërt me një asamble ndërkombëtare që bota e fragmentuar protestante ka arritur ndonjëherë të organizojë. Hiqen kufij të prerë në përkufizimin e identitetit të reformuar fetar. Ndërkohë acarohet lufta për fronin e Bohemisë midis një habsburgasi katolik dhe një anëtari të reformuar të dinastisë Wittelsbach, që përfundon më 1620 me fitoren dërrmuese të të parit në Betejën e Malit të Bardhë. Midis pushteteve të tjera të Europës Qendrore përhapet frika e një avancimi të ri të habsburgëve dhe nga një konflikt lokal shkaktohet një shumë më i madh dhe jashtëzakonisht më shkatërrimtar: Lufta 30-vjeçare. Në përfundim të saj, më 1648, territoret në duart e protestantëve janë reduktuar shumë, por shumë në Europë nuk durojnë dot më dhunën e markës fetare dhe nisin të kërkojnë zgjidhje racionale që mund t’i aplikohen edhe fesë. Nga përpjekjet e tyre intelektuale do të lindë Iluminizmi.

(Diarmaid MacCulloch është docent i Historisë së Kishës në Oxford University)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Kroacia bllokon ekstradimin e “Ballist” Morinës në Serbi

Ekstradimi i “Ballist” Morinës drejt Serbisë është bllokuar, pasi Gjykata e Lartë e Zagrebit ka vendosur ta kthejë çështjen mbrapsht në Gjykatën e Shkallës së Parë. Ismail Morina i njohur si “Ballist” Morina, për të cilin Serbia ka kërkuar ekstradimin nga Kroacia, për shkak të dronit me flamur në ndeshjen e futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd në vitin 2014, përveç ankesës së dorëzuar në Gjykatën Supreme të Kroacisë, ka kërkuar azil politik në këtë vend. Azilin politik, Morina e ka kërkuar për shkak të frikës që në rast të ekstradimit në Serbi, nuk do të kishte gjykim të drejtë.
Darko Butigan, avokat nga Dubrovniku, i cili e përfaqëson shtetasin e Shqipërisë, Ismail Morina, duke folur për Radion “Evropa e Lirë”, ka sqaruar se mbi çka bazohet ankesa në Gjykatën Supreme të Kroacisë lidhur me vendimin e Gjykatës së Qarkut të Dubrovnikut për ekstradimin e Morinës në Serbi. Sipas tij, Morina nuk ka bërë vepër penale, për të cilën ngarkohet.
“Republika e Serbisë kërkon ekstradimin e Ismail Morinës për veprën penale nga neni 317, alineja 3, i Ligjit Penal, për vepër penale të nxitjes urrejtjes nacionale, racore dhe fetare, si dhe mostolerancës. Gjatë gjithë procedurës, ne themi se flamuri i caktuar i cili ka rënë mbi atë stadium nuk përmban kurrfarë elementesh të thirrjes për urrejtje nacionale, racore ose çfarëdo urrejtje tjetër ndërmjet popujve”, tha avokati Butigan.
Ai gjithashtu ka sqaruar se bëhet fjalë për flamurin me fotografitë e dy baballarëve të kombit shqiptar – Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit – të cilët në konferencën e Londrës në vitin 1913, kanë kërkuar që Shqipëria të jetë në kufijtë, të cilët kanë figuruar në atë flamur.
“Kjo është e gjitha për të cilën flet ai flamur. Ndërkaq, pas ndeshjes në Serbi, nuk ka pasur kurrfarë përshkallëzimi të dhunës ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, dhe me këtë nuk është nxitur kurrfarë urrejtje nacionale ndërmjet popujve. Incidenti, i cili ka ndodhur në ndeshje, në tërësi bie mbi përgjegjësinë e Policisë, gjegjësisht mbi organizatorin e vet ndeshjes. Është përgjegjësi e tyre që tifozët kanë depërtuar në fushën e futbollit, aty ku nuk e kanë vendin”, tha Butigan.
Ai ka thënë se, në ankesë është vënë në dukje që Morinës në Serbi do t’i rrezikohej e drejta për gjykim të drejtë. Ankesa, sipas tij është krejtësisht e bazuar në fakte konkrete, të cilat tash për tash nuk do t’i bëj publike, përderisa procedurat janë në zhvillim e sipër.
Avokati Butigan ka theksuar që si mundësi e mbrojtjes shtesë për të mos u ekstraduar në Serbi, Morina ka kërkuar azil në Kroaci, me shpjegimin që për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare, në Serbi nuk do të kishte gjykim të drejtë. Procedura për miratimin e mbrojtjes ndërkombëtare në Kroaci zgjat 6 deri në 10 muaj.
Në rast se Gjykata Supreme e Kroacisë, refuzon ankesën e tyre, Butigan ka theksuar se do të ankohet edhe më tej. “Absolutisht, do të shkojmë tutje në Gjykatën Kushtetuese e madje, nëse do të jetë e nevojshme, deri në Strasburg, sepse bëhet fjalë për shkelje të të drejtave themelore dhe lirisë së njeriut”, tha Butigan.
Në Gjykatën Supreme të Republikës së Kroacisë ende nuk e kanë pranuar rastin. Siç është konfirmuar zyrtarisht, gjykata do të vendosë me procedurë urgjente, por që edhe kjo do të zgjasë. Butigan vlerëson se kjo mund të zgjasë deri në 2 muaj.
Avokati Branko Sheriq, nga Zagrebi, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se vendimi i mundshëm i Gjykatës Supreme, me të cilën konfirmohet ekstradimi, bëhet i plotfuqishëm në momentin kur edhe merret ai vendim. Por, sipas tij, është e mundur që Gjykata Supreme të anulojë vendimin për ekstradim nga gjykata më e ulët dhe rastin ta kthejë në Dubrovnik për një vendim të sërishëm. Në rast se përsëri vendimi do të jetë për ekstradim, hapi i ardhshëm i avokatit të Morinës, do të ishte Gjykata Kushtetuese.
“Pas kësaj, personi që kërkohet për ekstradim, në qoftë se nuk është në procedurën e kontrollit për azil, mund të paraqesë padi në Gjykatën Kushtetuese, në rast se vërtetë ekziston dyshimi i arsyeshëm për cenimin e të drejtave themelore të njeriut të atij personi. Siç e dimë, procedura është e gjatë. Megjithatë, ekziston mundësia që nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kroacisë të kërkohet e ashtuquajtura masa e përkohshme, vendim i cili do ta pezullojë kryerjen e vendimit të plotfuqishëm për ekstradim, deri në momentin që Gjykata Kushtetuese nuk e zgjidh çështjen”, theksoi avokati Sheriq.
Morina, i cili është arrestuar në muajin qershor në Dubrovnik, derisa po udhëtonte drejt Italisë, po qëndron në burgun e atjeshëm deri në një vendim të ardhshëm. Avokati Butigan ka theksuar se është në kontakt të rregullt me të. Sipas tij, Morina po trajtohet sikurse të gjithë personat tjerë të paraburgosur.

Front kundër drogës e politikës së drogës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi dje luftë pa asnjë kompromis kundër pushtetit të drogës, ndërsa bëri thirrje se është detyra e çdo qytetari që sot të ngrihet për t’u bashkuar në një front të fuqishëm kundër drogës dhe politikës së drogës. Ai u bëri thirrje për një bashkim të fuqishëm intelektualëve, bizneseve, shoqërisë civile e të gjitha shtresave të shoqërisë që sot gjenden nën këmbët e pushtetit të drogës duke vuajtur përbuzjen, skamjen, varfërinë e pamundësitë për të jetuar normalisht në vendin e tyre. Reagimi i ashpër i Bashës erdhi pas deklaratave të kreut të Antimafias italiane, Franko Roberti sipas të cilit Shqipëria është duke zhvilluar një biznes kolosal me trafikun e drogës dhe se trafiku i drogës nga Shqipëria po nxit kriminalitetin në Itali.
“Shefi i Antimafias italiane, Franko Roberti, i ka rënë edhe një herë kambanave të alarmit për rrezikun që droga shqiptare po i sjell Italisë, duke fuqizuar krimin e organizuar që ka çuar në përplasje mes grupeve rivale mafioze që kërkojnë kontrollin e rrugëve të drogës nga Shqipëria. Tashmë prodhimi kryesor i Shqipërisë, eksporti kryesor i Shqipërisë dhe marrëdhënia kryesore që Shqipëria ka me botën është droga”, tha Basha.
Kreu i PD ngriti shqetësimin e situatës dramatike në të cilën ndodhet Shqipëria, ku droga dhe pushteti i saj dominojnë sot ekonominë dhe politikën. Basha theksoi se e vetmja rrugë për të mposhtur këtë situatë dramatike në të cilën ndodhet vendi është reagimi i fortë i shoqërisë shqiptare, ndërsa solli në vëmendje paralajmërimin e kësaj situate nga PD në të gjitha vitet e qeverisjes Rama.
“Droga shqiptare është tashmë kërcënim serioz për rendin në Itali dhe vend të tjera europiane. Në Shqipëri situata është akoma më dramatike sepse tani ekonomia dhe politika dominohen nga droga. Shpëtimi nga kjo gjendje mund të vijë vetëm nga reagimi i gjithë shoqërisë. Partia Demokratike prej katër vjetësh ka paralajmëruar për gjendjen dhe pasojat e pritshme të drogës, ka denoncuar politikanët dhe kriminelët e lidhur me drogën, ka ndërmarrë nisma ligjore kundër futjes në politikë të njerëzve të lidhur me drogën dhe krimin”, u shpreh kreu i PD.
Basha tha se në mungesë të një reagimi të fuqishëm nga gjithë shoqëria shqiptare, Rama do të forcojë edhe më tej pushtetin me paratë e drogës duke blerë e manipuluar opinionin publik.
“Por përpjekjet e saj nuk mjaftojnë nëse media, shoqëria civile, intelektualët, biznesi dhe vetë qytetarët nuk reagojnë. Edi Rama nuk do të shkëputet kurrë nga droga, përkundrazi, do të vazhdojë të përdorë paratë e drogës për të fuqizuar pushtetin e tij personal dhe për të blerë e manipuluar opinionin publik. Partia Demokratike do të vazhdojë të luftojë pa kompromis politikën e drogës, por është detyra e çdokujt që kërkon një shoqëri pa drogë dhe një të ardhme të sigurt të reagojë dhe veprojë për të krijuar së bashku një front kundër drogës dhe politikës së drogës”, tha Basha.

Deklarata e fortë e prokurorit të Antimafias italiane
Prokurori i Antimafies italiane, Franco Roberti ka dhënë sërish alarmin për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Vrasja e tmerrshme e katër personave në Foggia të Italisë, mes të cilëve gjendej edhe bosi i klanit të Manfredonias ka kthyer edhe njëherë vëmendjen nga kriminaliteti i madh që ka kapluar zonën e Puglias. Por këtë ngjarje që ka shkaktuar bujë të madhe përtej Adriatikut, prokurori i Antimafies italiane, Franco Roberti e ka lidhur edhe me trafikun e drogërave që vjen nga Shqipëria. “Sot, konflikti është ndezur rreth trafikut të drogës, sidomos të drogave të lehta që vijnë nga Shqipëria. Një biznes kolosal që ushqen oreksin e klaneve dhe që përfshin gjithë bregun Adriatik, nisur nga ai foxhian deri në Europë”, ka thënë ai pas krimit të tmerrshëm.
Kreu i Antimafies italiane, Franco Roberti që është një njohës i mirë i Shqipërisë ka kërkuar bashkëpunim më të fortë me autoritet shqiptare për gositjen e trafikut të drogës: “Natyrisht duhet bërë më shumë, edhe në planin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të ndaluar lumin e drogave të lehta që vijnë nga Shqipëria, sepse janë pikërisht ato që çojnë në shpërthimin e konflikteve. Ishim në Shqipëri muajin e kaluar për të kërkuar bashkëpumim, takuam në Romë ministrin e Brendshëm shqiptar që premtoi bashkëpunim më të madh. Duhet të fitojmë mbi omertanë dhe për ta bërë këtë duhet krijuar një kulturë e ligjshmërisë që në atë territor është ende periferik”, është shprehur Roberti. Një njësi vrasësish e përbërë nga katër ose pesë persona u vunë të mërkurën në ndjekje të një makine ku ndodhej objektivi kryesor Mario Luciano Romito, 50 vjeç, i konsideruar si bosi i klanit të Manfredonias, në Gargano.