2 tonë kanabis është sekuestruar nga roja bregdetare greke ditën e djeshme në Kythera. Mësohet se droga vinte nga Shqipëria dhe është zbuluar në hapësirën detare në afërsi të ishullit Kythera.
Autoritetet greke njoftuan se kanë sekuestruar afro 2 tonë marijuanë shqiptare në një jaht me flamur që kishte destinacion ishujt e detit Egje. Roja bregdetare saktësoi se jahti u kontrollua në ishullin Kythera, në hyrje të detit Egje. Kjo është një ndër sasitë më të mëdha të drogës të kapura në Greqi.
Në një deklaratë, roja bregdetare sqaroi se, “jahti ishte nisur nga një port italian dhe e kishte marrë drogën në Shqipëri, një vend prodhues i madh i marijuanës”. Dy anëtarët e ekuipazhit, një shqiptar dhe një italian, u arrestuan. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur. Ndërsa jahti u sekuestrua.
Trafiku i drogës nga Shqipëria është kthyer në një problem shqetësues për autoritetet greke. Para pak kohësh ministri grek, ministri i Rendit Publik, Nikos Toskas e ka quajtur Shqipërinë, problemin kryesor të drogës për Greqinë. “Droga është një problem i madh dhe ky problem quhet Shqipëri. Në gjashtë muajt e fundit kemi kapur rreth 10 tonë kanabis që kalon nga kufiri shqiptar. Kjo është një situatë e papranueshme për një vend sovran, për një vend që dëshiron të quhet serioz, por që ka një problem të madh me kultivimin e drogës”, u shpreh ministri grek.
2 tonë drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi
Shqipëria me pensionin më të ulët në rajon
Pensioni mesatar në vendin tonë, në fund të vitit të kaluar, arriti në 86 euro. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar në qytet arriti në 14,873 lekë më 2016, ndërsa në fshat ishte 8,556 lekë. Pensioni mesatar në rang vendi ishte 11,714 lekë ose 86 euro më 2016. Sipas një studimi që Bashkimi Europian ka bërë për reformat e pensioneve në Ballkan pas viteve 2011 ka referuar se pensioni mesatar në rajon (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni, Bosnje) ishte 240 euro në fillim të 2012, shifër kjo 2.5 herë më e lartë se e Shqipërisë pa marrë në konsideratë indeksimet e mëvonshme që mund të kenë thelluar edhe më tej këtë diferencë. Nivelin më të lartë të pensionit mesatar e ka Mali i Zi me 323 euro, ndërsa më të ulëtin e ka Bosnja, me 178 euro, raporton “Monitor”. Edhe pse ekonomia e vendit është futur në një trend rritës me një ritëm më të lartë se rajoni dy vitet e fundit, mbrojtja e shtresave më vulnerabël lë shumë për të dëshiruar. Pensionistët shqiptarë shihet të jenë shumë të keqpaguar në raport me fqinjët tanë, por të marrim në konsideratë se skemat mbrojtëse ndaj tyre nuk funksionojnë si në rajon. Në këndvështrimin e integrimit në BE për sa i përket nivelit të jetesës për pensionistët, Shqipëria paraqitet shumë poshtë vendeve të rajonit, teksa ato të BE duken të pakapshme. Pensioni mesatar i një gjermani i kalon të 41 mijë eurot në vit, në Itali mbi 27 mijë euro, në Norvegji 58 mijë euro, në Poloni 11 mijë euro etj. Por perspektiva e pensionistëve shqiptarë duket shumë e zbehtë për shkak se, numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi, përkundrejt plakjes me ritme të shpejta. Reduktimi i forcës së punës do të vërë në vështirësi arkën e shtetit për të ardhurat e pensioneve dhe rritja e numrit të pensionistëve do të rrisë pagesat.
Dështimi me reformën e pensioneve
Reforma e pensioneve që qeveria ndërmori në vitin 2014 ka dështuar të vërë nën kontroll financat e skemës së sigurimeve. Tri vite nga zbatimi i saj, reforma e pensioneve po goditet nga emigracioni i të rinjve dhe rënia e produktivitetit në sektorin bujqësor. Nga ana tjetër, numri në rritje i pensionistëve po ushtron presion mbi shpenzimet. Në 6 vjet, numri i pensionistëve u rrit me mbi 698 mijë persona, teksa raporti i varësisë kontribues-përfitues ka mbetur në vend 1 me 1.17 dhe deficiti i skemës në rritje. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se vetëm në dy vitet e fundit, deficiti i skemës është zgjeruar me 10 miliardë lekë ose gati 85 milionë dollarë. Kjo e ka detyruar qeverinë që të rrisë subvencionin nga paratë e taksapaguesve për të mbajtur në këmbë skemën, edhe pse pensionet për të moshuarit thuajse nuk janë rritur fare prej gati tre vjetësh, por vetëm sa janë indeksuar. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në 6 vitet e fundit numri i pensionistëve në Shqipëri është rritur me 12.8 për qind. Të dhënat zyrtare tregojnë se shqiptarët po plaken dhe kjo ka pasoja të drejtpërdrejta mbi skemën e pensioneve. Sipas ISSH, vitin e kaluar shpenzimet totale të sigurimeve shoqërore arritën në 109 miliardë lekë. Të dhënat historike tregojnë se në vetëm 6 vjet fatura e pensioneve është rritur me mbi 43 për qind, një ritëm dukshëm më i lartë se sa ai i të ardhurave që shteti mbledh nga kontributet. Të dhënat tregojnë se, vitin e kaluar qeveria derdhi 29 miliardë lekë për të subvencionuar pensionet dhe krahasuar me fundin e 2014-ës subvencionet janë rritur me gati 0.65 pikë përqindje ndaj prodhimit kombëtar. Por plakja e popullsisë nuk është problemi i vetëm. Skema e pensioneve dëmtohet edhe nga një fenomen tjetër, ai i pagave të ulëta, veçanërisht në sektorin privat. Ndonëse numri i kontribuesve është rritur vit pas viti, efekti tek të ardhurat e skemës ka qenë i ulët. Kjo pasi shumica e kontribuesve paguajnë sigurime mbi bazën e pagës minimale. Tre vjet më parë, qeveria miratoi një reformë tërësore të sistemit të pensioneve. Por reforma nuk i ka dhënë zgjidhje problemeve kryesore të skemës, që vuan papunësinë e lartë, informalitetin dhe pagat e ulëta. Tashmë skema ka edhe një kërcënim tjetër, plakjen e popullsisë.
Një revolucion i paparë, progresi
Joel Mokyr
Cili është shpjegimi për përmirësimin marramendës të kushteve të jetesës që kemi asistuar në këto dy shekujt e fundit? Kur nis e arsyetohet lidhur me origjinën e rritjes ekonomike moderne, për ta thënë me fjalët e nobelistit për Ekonominë të vitit 1988 Robert Lucas, “bëhet e vështirë të mendohet për tjetër”. E nëse ky është mendimi i një eksperti botëror të cikleve ekonomike, atëherë çfarë duhet të mendojnë historianët e ekonomisë? Literatura lidhur me argumentin është shumë e gjerë dhe në shikim të parë, nuk duket ka mbetur gjë për t’i shtuar një argumenti tashmë kaq të shqyrtuar. Megjithatë, ka edhe një aspekt kurioz, domethënë që deri më sot kultura – e nënkuptuar me këtë term tërësia e bindjeve, e preferencave dhe e vlerave të një shoqërie, përfshi orientimet sociale, morale dhe fenë – ka luajtur një roj tejet të papërfillshëm në debat. Deri më tani pjesën e luanit e ka bërë gjithmonë ekonomia, ndoshta pse ekspertët e sektorit, të cilëve u detyrohet pjesa më e madhe e punës historike lidhur me argumentin në dekadat e fundit, e kanë shpërfillur gjithmonë idenë e përfshirjes së kulturës në çfarëdo shpjegimi me natyrë historike. Por gjatë viteve të fundit është asistuar në një ndryshim tendence dhe tani duket se ka ardhur momenti i duhur për të pyetur nëse në kulturën europiane përpara vitit 1750 ka pasur praktikisht diçka të veçantë që ka shkaktuar progresin e madh shkencor e teknologjik nga ku ka filluar “Pasurimi i Madh” (emër që dikush ka dashur t’i japë prosperitetit të pamatë të erës moderne). Por para së gjithash duhet përcaktuar se për çfarë aspektesh të kulturës po flasim dhe për çfarë kulture. Kështu, për të filluar që të hedhim dritë mbi çështjen në fjalë duhet gjetur përkufizimi i saj, një operacion tejet i madh sa të mund ta kryejë një studiues i vetëm. Për këtë arsye, kohët e fundit shumë ekonomistë e kanë përqendruar vëmendjen e tyre mbi elitat intelektuale dhe mbi besimin e tyre tek ato që shkrimtarët e shekullit XVIII e quanin “filozofi natyrore” (shkenca) dhe “arte të dobishme” (teknologjia). Njerëz që zbuluan energjinë e avullit, vaksinën kundër lisë, briketin dhe ndriçimin me gaz i përkisnin një niveli shumë të kulturuar e të arsimuar të shoqërisë dhe qenë – pothuajse pa përjashtim – njerëz që lexonin shumë dhe larmishëm, që qëndronin në kontakt konstant me njëri-tjetrin për të shkëmbyer ato që i quanin “dije të dobishme”.
Sot kujtojmë akoma emrat e disa prej këtyre “shoqërive intelektuale” dhe vendet ku mblidheshin: Lunar Society e Birmingham dhe Shoqëria e Chapter Coffee House të Londrës janë ndër shembujt më të famshëm. Kjo gjeneratë brilante e re mendimtarësh kishte arritur të konceptonte idenë se nga një kuptim më i madh i fenomeneve natyrore mund të nxirrej një përmirësim i kushteve të jetesës të qenies njerëzore: një mendim që neve sot na duket krejtësisht normal – për të mos thënë banal – por që më 1600 (viti në të cilin Francis Bacon e formuloi i pari) ishte akoma një risi kontradiktore. Qe kështu që përpjekjet e përbashkëta të shkencëtarëve, matematikanëve, inxhinierëve dhe artizanëve përfunduan duke pasur një sukses deri më të lartë nga shpresat, aq sa ngritja e nivelit të jetesës dhe e disponueshmërisë së komfortit material që bota ka përfituar duke filluar nga Revolucioni Industrial konsiderohet me të drejtë si ngjarja më e rëndësishme ekonomike e historisë njerëzore. Pra, si kemi arritur deri këtu? Për të gjetur një përgjigje para së gjithash duhet të konstatohet se qenia njerëzore do të quhej gjenetikisht e programuar për të nderuar dijet e paraardhësve të saj dhe të ndjehej inferiore përballë dijeve të së kaluarës. Pavarësisht se bëhet fjalë për besim tek Talmudi (një prej teksteve të shenjta të hebraizmit), Kurani, Konfuci, Aristoteli apo Galeni, historia jonë duket e mbizotëruar nga bindja se e “vërteta” u është zbuluar atyre të ardhur përpara nesh dhe se dija e vërtetë mund të gjendet vetëm duke shqyrtuar shkrimet e së kaluarës dhe duke i “viviseksionuar” derisa të shfaqet “domethënia e vërtetë” e tyre.
Epoka e skepticizmit Por në shekullin XVI kjo bindje pësoi një goditje fatale. Është e vërtetë se më 1580 një profesor Oksfordi mund ta shikonte veten ende të gjobitur 5 shilinga pse kish u kish thënë nxënësve diçka që kundërshtonte autoritetin e Aristotelit, por Oksfordi ishte një realitet i prapambetur: në atë kohë rregulli klasik ishte vënë tashmë fuqishëm nën akuzë nga fronte të ndryshme. Nëse bota intelektuale e shekullit XV kishte jetuar nën hijen e mësimit klasik, ajo e XVI dhe e të mëpasmeve gjeneroi “rebelë të parespektueshëm” si Paracelsius, Harvey, Ramus, Brahe dhe Boyle, që të pajisur me vëzhgimet e tyre eksperimentale, i flakën tej tekstet klasike të Fizikës e të Mjekësisë duke preferuar ato që për sytë e tyre qenë prova logjike dhe bindëse. Në tekstin e tij novator “De Magnete” (1600) shkencëtari anglez William Gilbert arriti që të pohojë se nuk do të humbiste më kohë me “citimin e grekëve dhe të lashtëve të tjerë” për mbështetjen e tezave të tij, duke qenë se gabimet që kishte ndeshur tek autorë klasikë si Plini dhe Ptolemeu qenë të përhapura “si barishtet e këqija helmuese në një kopsht në lulëzim”. Për më tepër, normat për të përcaktuar të vërtetën dhe falsen nuk ndryshuan nga sot nesër: aksioma sipas së cilës “Aristoteli (ose Bibla) thotë kështu, prandaj duhet të jetë e vërtetë” nuk konsiderohej më e vlefshme nga pjesa më e mirë e intelektualëve, por mendjet më konservatore bënë një rezistencë të fuqishme, duke nisur kështu betejën e famshme midis “antikëve” dhe modernëve” që karakterizoi fuqimisht atë epokë dhe përfundoi me fitoren dërrmuese të të dytëve. Tekstet e mëdha klasike e ruajtën vendin e tyre në kurrikulat universitare, por humbën çfarëdolloj autoriteti në fusha si kuptimi i natyrës. Dhe sapo gjenerata e re e mendimtarëve ia hoqi monopolin e dijes Aristotelit, Ptolemeut dhe Galenit dhe hapi epokën e Nullius in verba (“Mos u beso fjalëve të askujt”, motoja zyrtare e Royal Society), lindi modernizmi. Me pak fjalë, mund të thuhet se pikënisja e progresit ka qenë skepticizmi.
Tregu i ideve Por shfaqet një pikëpyetje e re: pse e gjitha kjo ndodhi në Europën e pesëqindës dhe jo, të themi, në Kinë apo në Perandorinë Osmane? Disa faktorë mund të jenë udhëtimet zbuluese të ndërmarra në atë shekull nga fuqitë europiane dhe mundësitë e reja për të vëzhguar fenomene të panjohura për dijen klasike (për shembulll, shpikja e mikroskopit, e teleskopit dhe e pompës me boshllëk), që krijuan një mospërputhje konjitive e destinuar nga ana e saj të gjeneronte dyshime të reja. E njëjta mospërputhje prodhoi Reformën Protestante, shembull tjetër i rebelimit dhe i mendimit kritik ndaj diçkaje që deri më atëherë perceptohej si e shenjtë. Por ka më tepër. Sipas ekonomisë, idetë novatore janë stimuluar nga forcat e kërkesës dhe ofertës, përveçse nga bindjet kulturore të një shoqërie. Nga këtu filozofët dhe ekonomistët kanë propozuar konceptin e “tregut të ideve”, që do të bazohej mbi bindjen dhe influencën: të gjithë intelektualët e epokës, nga Luteri tek Koperniku, nga Spinoza tek Newton, do të konceptonin ide të reja dhe për pasojë, do të kërkonin t’i “shisnin” në mjediset respektive duke përdorur provat, logjikën, retorikën, analizën matematike dhe rezultatet eksperimentale. Dukshëm që bëhet fjalë për një shitje metaforike, pa asnjë përfshirje të parasë, por benefitet që pasonin qenë realë: nga fama lindën ofertat e patronazhit dhe intelektualët më të njohur u përkrahën dhe u financuan nga sovranë, aristokratë dhe borgjezë të pasur. Disa prej shkencëtarëve më të mëdhenj të epokës qenë mjekë që punonin për mercenantët e tyre. Biologu i famshëm italian Francesco Redi ishte mjek i oborrit të familjes Medici, si edhe sekretar e mbikëqyrës i farmacisë dhe i fonderisë së tyre. Leibniz qe këshilltar i më shumë se një mbreti. Të tjerë, midis të cilëve Isaac Newton kur ishte i ri, kërkuan punë të sigurta në universitete, ku katedrat në fakt funksiononin si patronazh. Nganjëherë, në rastet e “famës së intelektit” si Galileo, Newton, Huygens e Leibniz, e gjitha kjo nuk nënkuptonte vetëm mbështetje ekonomike, por edhe akses në figurat më të mëdha autoritare dhe për pasojë, status social, prestigj dhe autoritet.
Republika e Letrave Një motiv tjetër që e bëri Europën përpara vitit 1750 terren pjellor për lindjen e ideve të tjera qe predispozita e saj pothuajse unike për ta shfrytëzuar sa më mirë këtë raport midis dimensionit dhe konkurrencës që është në themelin e çdo “tregu” të suksesshëm. Ekonomia na mëson se tregu tenton të jetë më produktiv, më kreativ dhe më i besueshëm kur është konkurrues, por për të krijuar konkurrencë të vërtetë duhet një numër i mirë pjesëmarrësish. Por ndërkohë ekzistojnë ekonomitë e shkallës: njësitë e mëdha që dominojnë tregjet respektivë janë në gjendje të arrijnë rezultate të pamundura për njësitë më të vogla. “Tregu i ideve” u përball me të njëjtën dilemë: nevojën e një konkurrence të shëndetshme nga lindte gjithsesi një mjedis që do të mund t’ia dilte të arrinte kurrë një ekonomi shkalle. Tani, mendoni situatën politike të Europës në fillimin e erës moderne: kontinenti ishte i copëzuar në një pafundësi entitetesh politike me përmasa të vogla e të mesme, një gjendje e gjërave që as përpjekjet e Perandorit Karli V të Perandorisë Romake nuk qenë në gjendje ta ndryshonin. Deri edhe vendet më të mëdha, si Franca dhe Spanja, qenë të ndara në brendësi të tyre në rajone, qytete dhe grupe interesi në konkurrencë reciproke. Pastaj, Gjermania dhe Italia qenë në fakt të përbëra nga një konstelacion shtetuçësh të pavarur. Gjithë kësaj i shërbente si ndihmës konkurrenca fetare, qysh kur Kisha Katolike kishte humbur monopolin e saj. Pavarësisht këtij copëzimi, që çoi në konflikte të panumërt e të përgjakshëm, pati edhe efekte pozitive. Në vitin 1742, David Hume shkroi: “Asgjë nuk është më e favorshme për zhvillimin e arsimit dhe kulturës së mirë sesa një numër i mirë shtetesh të pavarura dhe kufitare, të ndërlidhur nga lidhje tregtare dhe politike. Shpirti i emulacionit që shfaqet natyrshëm në rrethana të tilla… është një motor përmirësimi i natyrshëm”. Në një mjedis kaq kompetitiv, entitetet e veçanta politike hasnin vështirësi për t’i shtypur idetë e reja, deri ato më heterodokse apo heretike. Shumë shtete e provuan njëlloj me persekutime e me censurë dhe disa intelektualë fatkeqë (midis rasteve më të famshme Michele Serveto, i djegur në turrën e druve nga kalvinistët dhe Giordano Bruno, i djegur gjallë nga inkuizioni katolik) e paguan me jetë, por bëhej fjalë për masa të destinuara të dështonin në të ardhmen. Duke u spostuar vazhdimisht dhe duke i botuar shkrimet e tyre jashtë vendit, intelektualët novatorë mund ta shfrytëzonin në avantazhin e tyre rivalitetet e pushteteve politike: autorë jashtëzakonisht subversivë si mjeku zviceran Paracelsius dhe filozofi e edukatori Giovanni Amos Comenio u transferuan shumë herë nga njëri cep i Europës tek tjetri.
Midis viteve 1500 e 1700 forcat reaksionare qenë ende të fuqishme dhe përcaktuese, por të destinuara që të dështonin prej mungesës së koordinimit, në pikën që përpjekjet e tyre mund të konsiderohen të përfunduara qysh rreth vitit 1650. Në fund fitorja i shkoi shpirtit të ri të tolerancës intelektuale religjioze. Megjithatë, pikërisht për shkak të copëzimit, ekzistonte rreziku që kreativiteti të përfundonte për t’u ndeshur me problemet e lidhura me “numrat”: lexuesit potencialë që do të mund të vlerësonin punimet e Njutonit, Dekartit apo Vezalit në çdo vend apo rajon të veçantë qenë thjesht shumë pak sa t’ia vlente barra qiranë të shkruaje vetëm për ta. Një studiues i shekullit XVI apo XVII që donte të krijonte një reputacion duhej domosdoshmërisht t’i drejtohej një publiku europian, jo atij anglez, francez apo flamand. Prandaj ajo që u shfaq në Europën e epokës së parë moderne qe një komunitet intelektual, i integruar dhe mbikombëtar prapa të cilit idetë e reja përhapeshin, diskutoheshin, vlerësohen apo refuzoheshin vetëm mbi bazën e vlefshmërisë së tyre. Një koncept i ri i shpallur në Londër do të diskutohej shpejt në Edimburg, Paris, Amsterdam, Madrid, Napoli e Stokholm. Me pak fjalë, Europa posedonte më të mirën e të dyja situatave: qenë avantazhet e copëzimit, por pa u dashur që veprat e reja të hiqnin dorë nga një publik me përmasa kontinentale. Komuniteti intelektual që nisi të formojë këtë “treg” e quajti vetveten “Republikë e Letrave” dhe “qytetarë” komponentët e saj.
Ajo që bëri të mundur të gjithë këtë qe një gjithprani faktorësh antikë dhe më pak antikë. Rrënjët mesjetare të situatës futeshin në komunitetet intelektuale mbikombëtare të lindura të gjirin e Kishës Katolike (vetë latinishtja mbeti gjuha e përbashkët e studiuesve gjatë gjithë periudhës). Natyrisht që shtypi e bëri më ekonomik aksesin ndaj veprave të shkruara dhe ripërkufizoi parametrat e komunikimit intelektual. Por me rëndësi të barabartë qenë shkëmbimet epistolare, të favorizuar nga rritja e madhe e komunikacioneve dhe nga përhapja e një sistemi postar, patjetër i kushtueshëm, i ngadaltë dhe jo i besueshëm, por jo më pak i domosdoshëm. Nga shqyrtimi i këtyre letërkëmbimeve (shumë prej të cilëve kanë arritur deri tek ne) shfaqet mirë rrjeti i ngushtë i komunikimit midis intelektualëve europianë: Republika e Letrave ishte një komunitet “virtual”, që lidhte njerëz që njiheshin me njëri-tjetrin vetëm prej famës dhe reputacionit intelektual. Ishte një sistem i ngadalët, por që funksiononte dhe njerëzit e kohës qenë plotësisht të vetëdijshëm për domethënien e tij: në mes të shekullit XVIII, duke reflektuar për të kaluarën Volteri shkroi se, “…Ishte krijuar, pothuajse pa e kuptuar askush, pavarësisht luftërave dhe diferencave fetare, një Republikë e Letrave… Falë saj, të gjitha shkencat dhe artet merrnin asistencë reciproke… Studiuesit e vërtetë të secilës fushë të dijes i lidhën fijet e kësaj shoqërie të gjerë intelektesh, kudo e përhapur dhe kudo e pavarur… Dhe një institucion i tillë ekziston akoma dhe është një prej ngushëllimeve të mëdha ndaj të këqijave që politika dhe ambicia kanë përhapur në faqe të Tokës”.
Meta – idetë Një prej çelësave të suksesit të Republikës së Letrave qe natyra e saj ndërkombëtare, që i mundësonte çdo studiuesi që kishte nevojë të dilte jashtë shtetit të gjente mikpritje pranë atij që i njihte famën dhe e vlerësonte. Hobbes e shkroi “Leviatanin” në Paris, Locke e shkroi “Letrën për tolerancën” e tij në Amsterdam dhe Pierre Bayle, botuesi francez i “Lajmeve nga Republika e Letrave”, punonte në sigurinë e garantuar nga qyteti i Rotterdam. Me pak fjalë, qe pikërisht Republika e Letrave ajo që siguroi funksionin e “tregut të ideve”, edhe pse do të kishte qenë e gabuar të mbështetej se kjo çoi në triumfin automatik të “ideve më të mira” (Europa tentoi më kot që të mundte sëmundjet infektive dhe të kontrollonte elektricitetin deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX, thjesht sa për të dhënë një shembull). Megjithatë, qenë sukseset në “tregun e progresit” që admirohen akoma sot: më 1650 modeli kozmologjik ptolemeas (që e vendoste Tokën në qendër të universit) ishte braktisur krejtësisht; zbulimi i atmosferës tokësore dhe ai i boshllëkut bënë të mundur makinat me avull; bashkimi i gjeografisë dhe matematikës çoi në konceptin që, duke krahasuar orën në një pikë të çfarëdoshme të globit me atë të një pike të caktuar, mund të llogaritej gjerësia gjeografike.
Ky zbulim i fundit i stimuloi sahatçinjtë që të tentojnë të ndërtojnë një kronometër që të mundësonte të kryheshin këto matje, vepër e realizuar në fund nga John Harrison. Por triumfet më të mëdha në fushën e arsyes ka mundësi që qenë meta–idetë, domethënë jo idetë lidhur me çështje specifike shkencore, por ato mbi lidhur me “si”-në dhe “pse”-në duhej bërë filozofi natyrore. “Pse”-ja qe menjëherë e qartë aq sa më 1664, duke i bërë jehonë paraardhësit të tij Francis Bacon, Robert Boyle mund të shkruante: “Sikur parimet e vërteta të kësaj shkence pjellore (fiziologjisë) të ishin plotësisht të njohura, të shqyrtuara dhe të zbatuara, në botë do të verifikohej një ndryshim aq universal e fitimprurës saqë është e vështirë ta imagjinosh”. Në shtatëqindën, pionierët e teknologjisë e kuptuan se kishin nevojë për mbështetjen e shkencëtarëve dhe rreth mesit të shekullit protagonistët e Revolucionit Industrial, të tillë si John Smeaton, Josiah Wedgwood e James Watt, i kërkonin pareshtur këshillit e studiuesve pararojë në fusha të ndryshme të shkencës.
Ndryshimet që prekën “si”-në qenë po aq themelorë falë triumfit të metodës eksperimentale, domethënë kuptimit se sistemi më i mirë për të verifikuar një hipotezë qenë të dhënat e nxjerra nga një eksperiment dhe jo autoriteti i Aristotelit. Shkenca eksperimentale kërkoi një saktësi më të madhe si në instrumentet, ashtu edhe në materialet e përdorura, krijimin e një terminologjie standard, të njësive matëse universale dhe një komunikim të qartë e të detajuar që të mundësonte riprodhimin dhe verifikimin e çdo eksperimenti. Vetë kërkimi u bë gjithnjë e më shumë formal dhe matematikor: qe Galileo Galilei ai që bëri pohimin e famshëm sipas të cilit Libri i Natyrës është i shkruar me gjuhën e matematikës. Qysh në mes të shekullit XVII ishte e pamundur t’i dedikoheshe fizikës pa poseduar një përgatitje të qëndrueshme matematikore. Dhe atje ku nuk mund të arrinte analiza matematike, arrinte vëzhgimi i drejtpërdrejtë: mund të shikoheshin, numëroheshin, katalogoheshin dhe klasifikoheshin realitete të çdo lloji, nga bimët tek planetet, me shpresën se do të shfaqeshin rregulla dhe skema që do të ndihmonin të kuptohej më mirë funksionimi i natyrës. Në këto fusha i dalluan astronomë dhe natyralistë të famshëm si Flamsteed dhe Linneu.
Për ta përmbyllur, kjo tezë është kundër materializmit historik, domethënë idesë se motori i progresit është ai i nevojave materiale. Ato që drejtojnë historinë janë idetë, jo më pak sesa kushte materiale drejtojnë ndryshimet intelektuale. Gjithsesi, ajo që është e qartë është se historia e rritjes ekonomike në epokën moderne do të rrëfehet, shpjegohet dhe interpretohet në mënyra të ndryshme. Gjë që edhe një herë akoma demonstron të gjithë dobishmërinë e një “tregu të ideve” që funksionon mirë.
(Joel Mokyr është titullar i Katedrës “Robert H. Strotz” të Artit e Shkencave dhe docent i Ekonomisë pranë Northwestern University të Illinois)
Përgatiti
ARMIN TIRANA
KLSH: Dëmi nga Aluizni dhe Hipotekat 21 mln USD
Kontrolli i Lartë i Shtetit në analizë të veprimtarisë dhe angazhimit të tij disavjeçar në luftën kundër paligjshmërisë, korrupsionit dhe antikulturës së pandëshkueshmërisë në administratën shtetërore, ka përmbledhur rezultatet e auditimeve të zhvilluara në ALUIZNI dhe ZVRPP, përgjatë viteve 2013–2017. Në total, për periudhën 2013–2017, nga auditimet është konstatuar: një dëm ekonomik (i matshëm) në vlerën 2,404,434 mijë lekë (21 mln dollarë), janë rekomanduar: 137 masa “largim nga puna”, 134 masa “vërejte deri në largim nga puna”, si dhe janë kallëzuar penalisht: 196 punonjës dhe drejtues të ALUIZNI dhe ZVRPP. Më konkretisht, përgjatë periudhës 2013–2017, KLSH ka realizuar në këto institucione 40 auditime nga të cilat 22 në ZVRPP dhe 18 në Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t, pasqyruar në grafikun më poshtë: Përsa i përket rezultateve të këtyre auditimeve theksojmë faktin që KLSH ka konstatuar një sërë shkeljesh e mangësish në pothuajse të gjitha auditimet e zhvilluara në institucionet e sipërcituara. Në mënyrë të përmbledhur, shkeljet e konstatuara në auditimet e zhvilluara nga KLSH, përgjatë periudhës 2013-2017, konsistojnë në: vonesa në administrimin e praktikave dhe trajtimin e kërkesave në proces, regjistrimin e lejeve të ndërtimit mbi truall shtetëror, regjistrimin e pasurive me ndryshime të zërave kadastral, regjistrimin në bashkëpronësi të paligjshme të pasurive bujqësore, mos regjistrimin e sipërfaqeve të përbashkëta në ndërtimet e reja, duke shmangur taksën e kalimit të pronësisë, regjistrimin e pronave me mbivendosje, mos bërjen e bilancit AMTP-LN, listave printim III dhe listave të trojeve sipas kryefamiljarëve, dhe në Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t dhe mos administrimi i të dhënave të sakta mbi vet deklarimet në vite, mos evidentimi i subjekteve që do të përjashtohen nga procedurat e legalizimit, pajisjen me leje legalizimi pa paguar më parë taksën e ndikimit në infrastrukturë, mosrespektimin e afateve ligjore për procedurat e kualifikimit, mungesën e dokumentacionit që pasqyron periudhën e ndërtimit pa leje, legalizimin e objekteve pa respektuar distancat nga brigjet, nga rrugët nacionale e urbane, legalizimin e objekteve pranë linjave dhe shtyllave të tensionit të lartë, kanaleve kulluese dhe brezit mbrojtës, ndryshimin e zërit kadastral pa marrë më parë konfirmimin nga autoritet kompetente. Kontrolli i Lartë i Shtetit në analizë të veprimtarisë dhe angazhimit të tij disavjeçar në luftën kundër paligjshmërisë, korrupsionit dhe antikulturës së pandëshkueshmërisë në administratën shtetërore, ka përmbledhur rezultatet e auditimeve të zhvilluara në ALUIZNI dhe ZVRPP, përgjatë viteve 2013–2017.
Trump: Zgjidhjet ushtarake tani janë gati
Presidenti Trump bëri sot një kërcënim të ri kundër Koresë së Veriut, duke shkruar në Twitter se, “zgjidhjet ushtarake janë tani plotësisht gati”, nëse regjimi i Kim Jong Un-it “bën veprime të pamatura”. “Shpresojmë se Kim Jong Un do të gjejë një rrugë tjetër!” shkruan Presidenti Trump në komentet e tij, duke iu referuar zhvillimit të armëve bërthamore nga Koreja e Veriut megjithë shtimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Penianit. Deklarata e re vjen një ditë pas paralajmërimit të bërë të enjten nga Presidenti ndaj Koresë së Veriut, kur tha se, “atyre do t’u ndodhin gjëra që ata nuk i kanë menduar kurrë si diçka të mundur”, nëse sulmojnë Shtetet e Bashkuara ose aleatët e tyre. Presidenti Trump u tha gjithashtu gazetarëve se kërcënimi i tij i mëparshëm “për zjarr dhe furi” mund të mos ketë qenë “mjaft i fortë”. Ai tha dje se, Koreja e Veriut “duhet të sillet mirë, përndryshe do të ketë probleme sikurse disa vende të tjera”.
Presidenti i bëri komentet, ndërsa pushon në klubin e golfit të tij në New Jersey. Më herët gjatë kësaj jave ai tha se Koreja e Veriut do të përballet me zjarr dhe furi që bota nuk e ka njohur ndonjëherë. Koreja e Veriut ka njoftuar se po finalizon një plan për të hedhur katër raketa balistike pranë brigjeve të territorit amerikan të Guamit në Paqësor, një provokim i ri në retorikat mes Phenianit dhe Uashingtonit. Ushtria Popullore e Koresë së Veriut bëri publike hollësi të reja për një goditje me raketa ndaj Guamit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, raketat që planifikohen të lëshohen pritet të jenë me rreze të mesme veprimi. Ato do të kalojnë mbi Japoni dhe janë planifikuar të bien 30 deri 40 kilometra nga Guami, i cili ndodhet 3 mijë kilometra në juglindje të Gadishullit Korean.
Plani, që sipas ushtrisë do t’i paraqitet udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në mes të muajit gusht, ndryshon prej kërcënimeve të mëparshme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe përshkruhet si një operacion shumë specifik. Në Guam jetojnë 163 mijë qytetarë amerikanë si dhe janë të vendosura një bazë ushtarake amerikane që përfshin dhe një njësi operacionele nëndetësesh, një bazë ajrore dhe një Roje Bregdetare. Paralajmërimin e Presidentit Trump këtë javë se Pheniani do të përballej me “zjarr dhe furi” nëse kërcënon përsëri Shtetet e Bashkuara, ushtria e Koresë së Veriut e cilësoi “tërësisht të pakuptimtë”. Në komentin e saj agjensia e lajmeve KCNA tha për Presidentin Trump se “dialogu me një person të tillë, të cilit i mungon arsyeja tingëllon i pamundur dhe se vetëm forca e pakufizuar mund të funksionojë mbi të”. Ndërkaq, Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in, ka reaguar i përmbajtur lidhur rrezikun në rritje bërthamor që paraqet Koreja e Veriut dhe në veçanti mbi paralajmërimet e Presidentit Trump.
BE-ja si ndërmjetësuese mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së?
Politikanë në Gjermani në sfondin e konfrontimeve verbale mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut shprehin shqetësimin e tyre. Partia Socialdemokrate gjermane propozon, që BE-ja të ndërmjetësojë. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate (SPD) Thomas Oppermann angazhohet për ndërmjetësimin e BE-së në krizën mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së. “Gjermania ka mundësi të kufizuara, të influencojë direkt në këtë konflikt”, tha ai në Belrin. Ndërsa BE-ja propozohet si ndërmjetësuese. “Unë nuk e di, nëse kjo është realiste. Nëse ka një mundësi për këtë, atëherë ajo duhet shfrytëzuar”. Fillimisht duhet insistuar, që përballja verbale të zëvendësohet nga bisedime të arsyeshme.
Të shmanget përshkallëzimi
“Përshkallëzimi verbal është i rrezikshëm – dhe besimi tek Donald Trump, se mund të marrë vendime të siguruara në plan afatgjatë, është i kufizuar”, tërhoqi vëmendjen Oppermann. “Ndaj shpresoj shumë, që në SHBA forca si ministri i Jashtëm Tillerson, që përdorin gjuhë të moderuar, të marrin situatën në dorë”. Por kërkohet natyrisht edhe nga fuqia mbrojtëse e Koresë së Veriut, Kina, që të ndërmjetësojë. “Tani kemi një situatë, ku Këshilli i Sigurimit-ka vendosur sanksione kundër Koresë së Veriut pa u vendosur veto prej Kinës dhe Rusisë. “Kësisoj situata politikisht edhe në aspektin diplomatik është sjellë në drejtimin e duhur. “Kjo nuk duhet të çojë nga një përshkallëzim verbal drejt aktiviteteve ushtarake. Një gjë të tillë duhet ta ndalojmë patjetër”, theksoi politikani socialdemokrat.
Ndërkohë kandidati i SPD-së për kancelar Martin Schulz akuzoi Trumpin se po e ashpërson konfliktin e Koresë së Veriut. “Ne jemi në një situatë, ku na duhet t’i themi edhe hapur qeverisë së SHBA-së, që kjo përplasje verbale e ashpërson situatën dhe nuk e zbut atë”, tha kryetari i SPD-së në Berlin. Qeveria federale duhet t’ia bëjë të qartë këtë Trumpit. Schulz përshëndeti ashpërsimin e sanksioneve kundër Koresë së Veriut dhe i kërkoi Kinës, që të verë në veprim influencën e saj. “Ajo që duhet të na shqetësojë, është se Presidenti i SHBA-së bie në nivelin e diktatorit koreano-verior”. Këtë duhet t’ia themi qartazi Trumpit. “Kjo politikë e Presidentit Trump nuk mund të jetë kurrë politika e europianëve, as politika e Republikës Federale të Gjermanisë”, tha Schulz.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, e akuzoi Korenë e Veriut për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe shprehu mirëkuptim për Presidentin e SHBA-së. “Përsëritja e provave me raketat bërthamore nga Koreja e Veriut shkel të drejtën ndërkombëtare në fuqi dhe kërcënon paqen rajonale”, tha për gazetën “Passauer Neuen Presse” politikania kristiandemokrate.
Koreja e Veriut i përmbahet kursit
Koreja e Veriut pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare prej vitesh po e avancon programin e saj të raketave dhe armëve bërthamore. Në korrik, ajo testoi dy raketa ndërkontinetale, që sipas ekspertëve mund të prekin edhe kontinentin në SHBA. Trump në një deklaratë adresuar Phenianit tërhoqi vëmendjen për arsenalin bërthamor të SHBA-së, që është “më i fortë se kurrë” më parë. Po ashtu Presidenti i SHBA-së kërcënoi, se SHBA-ja do të reagojë me “zjarr e indinjatë” ndaj provokimeve prej Koresë së Veriut. Si kundërpërgjigje Koreja e Veriut nga ana e saj kërcënoi me një sulm me raketë ndaj destinacioneve përreth bazës ushtarake të SHBA-së Guam në Paqësor.
Trump: Irani po shkel “shpirtin” e marrëveshjes së “tmerrshme”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka përsëritur edhe një herë se Irani nuk është “duke iu përmbajtur shpirtit” të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, duke e cilësuar atë si “marrëveshje të tmerrshme”. “Nuk mendoj se, janë duke iu përmbajtur shpirtit të marrëveshjes”, u ka thënë Trump, gazetarëve në Nju Xhërsi, ku është duke kaluar pushimet. “Unë personalisht nuk besoj se po veprojnë në përputhje me marrëveshjen, mirëpo kemi kohë, do ta shohim. Mendoj se do të shihni zbatimin e gjërave shumë të fuqishme, nëse ata nuk veprojnë në pajtim me paktin”, ka shtuar tutje ai. Sipas kësaj marrëveshje, Iranit i janë lehtësuar sanksionet ndërkombëtare, në këmbim të zvogëlimit të aktivitetit bërthamor. Agjencitë për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes, në kuadër të OKB-së dhe SHBA-së, kanë thënë se Irani ka respektuar marrëveshjen. Mirëpo liderët amerikanë vazhdojnë ta akuzojnë këtë vend për “shkelje të shpirtit të marrëveshjes”, duke iu referuar lansimit të raketave balistike, me kapacitet për të bartur koka bërthamore. Ndonëse SHBA e ka sanksionuar për këto programe, Irani vazhdon të mbrojë aktivitetet, duke thënë se janë për qëllime të vetëmbrojtjes.
Bota mbështet përpjekjet për të vënë nën kontroll Phenianin
Shtetet e Bashkuara thonë se shumë vende të tjera i mbështesin përpjekjet e tyre për t’u bërë presion udhëheqësve të Koresë së Veriut që të heqin dorë nga programi i armëve bërthamore. Shkëmbimet e replikave mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Un këtë javë kanë shtuar shqetësimet se mund të ketë një përplasje ushtarake që do të destabilizonte gadishullin korean. Departamenti amerikan i Shtetit i doli dje në mbrojtje zotimit të Presidentit Trump se, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen “me zjarr dhe furi” ndaj kërcënimit koreano-verior se mund të godasë ishullin e Guamit, që bën pjesë në komunuelthin amerikan dhe ku ndodhen dy baza strategjike amerikane. “Së pari, të analizojmë cilat janë zhvillimet alarmante. Ka pasur dy prova me raketa balisitike ndërkontinentale brenda një muaji, dy prova bërthamore gjatë vitit të kaluar. Në fakt, në Kinë u regjistrua një tërmet dhe shumë prej jush më dërguan emaile me pyetjen “Mos ishte një tjetër provë bërthamore?” Kjo tregon sa serioze është situata aktuale”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert. Zëdhënësja Heather Nauert tha se provat bërthamore të Koresë së Veriut janë kërcënim për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, jo vetëm Shtetet e Bashkuara. Qeveria franceze vlerësoi dje përgjigjen e prerë që i dha Presidenti Trump kërcënimit koreano-verior ndaj territorit amerikan, por bëri thirrje për një zgjidhje paqësore.
Christophe Castaner, zëdhënës i qeverisë franceze
“Franca është e gatshme ta përdorë influencën e saj për të gjetur një zgjidhje paqësore, pasi rreziku është real. Vendosmëria që dëshmoi Presidenti amerikan me përgjigjen e tij është e njëjtë me atë që do të kishte treguar çdo president tjetër amerikan, pasi është e papranueshme që një pjesë e territorit të jetë nën kërcënimin e sulmeve me raketa balistike”, tha zëdhënësi i qeverisë franceze. Japonia tha se, avionët e saj luftarakë dhe bombarduesit supersonikë amerikanë kishin kryer dje manovra të përbashkëta mbi qiejt pranë gadishullit korean.
Acarimi i situatës ka zgjuar shqetësime mes koreano-jugorëve:
“Duke qenë se së shpejti do të fillojë shërbimin ushtarak dhe është shumë e mundur që kur të jem në radhët e ushtrisë do të duhet të përballem me këtë kërcënim, e shoh si shumë të frikshëm”, thotë një burrë. “I dashuri im është ushtar, po shërben për mbrojtjen e vendit. Jam shumë e shqetësuar, pasi kam një njeri të afërt që mund të ndikohet nga kjo situatë. Po ashtu si shtetase, sa herë shoh lajmet shqetësohem”, thotë një koreano-jugore. Rusia ka bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike për uljen e tensioneve. Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson tha gjatë udhëtimit për në Guam tha se, udhëheqësi koreano-verior nuk duket se e kupton gjuhën e diplomacisë.
Vezë të kontaminuara në 15 shtete të BE-së
Në pesëmbëdhjetë shtete të Bashkimit Europian, si dhe Hong Kong dhe Zvicra ka mbërritur veza e kontaminuar me insekticidin fipronil, bën të ditur Komisioni Europian, i cili do të mbajë një takim më 26 shtator. Komisioneri Europian për Sigurinë e Ushqimit, Vytenis Andriukaitis ka kërkuar që vendet t’i japin fund fajësimit të njëri-tjetrit lidhur me skandalin e vezëve. Sipas tij, ministrat europianë dhe rregullatorët e ushqimit duhet të takohen menjëherë për të diskutuar masat për këtë çështje. Vezë me prejardhje nga Holanda janë zbuluar se përmbajnë fipronil, një insekticid i rrezikshëm për njerëzit dhe gjithashtu një substancë e ndaluar nga Bashkimi Europian për përdorim në industrinë e ushqimit. Mbikëqyrësi britanik i ushqimit deklaroi se rreth 700,000 vezë nga ferma të ndotura holandeze kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar, përkundër një përllogaritjeje të mëhershme prej 21,000 vezësh. Sidoqoftë, Agjencia e Standardit Ushqimor në Britani është shprehur se nuk ka gjasa që kjo situatë të shkaktojë rrezik për shëndetin publik. Ushqimet e përpunuara që përmbajnë vezë tashmë janë tërhequr nga dyqanet në disa qytete, ndërkohë që edhe supermarkete në Belgjikë, Holandë e Gjermani kanë tërhequr miliona vezë nga shitja. Holanda është prodhuesi më i madh i vezëve në Europë dhe një nga eksportuesit më të mëdhenj të vezëve dhe produkteve të tyre në botë. Më shumë se 100 pulari në vend janë mbyllur gjatë hetimit lidhur me këtë skandal. Kimikati fipronil që përdoret për të kuruar sëmundjet parazitare tek kafshët, mund të shkaktojë dëme në mëlçi, veshka dhe gjëndrat tiroide të njerëzve nëse konsumohet në sasi të mëdha.
Franca vëren rrezik minimal nga vezët e kontaminuara
Gati, 250,000 vezë të kontaminuara me insekticidin, fipronil, kanë arritur në dyqanet e Francës dhe shumica prej tyre tani edhe janë konsumuar, ka thënë Ministria e Fermave në Francë, duke shtuar se kanë vërejtur rrezik minimal nga ky incident. “Nivelet e tashme të kontaminimit nuk përbëjnë ndonjë rrezik për konsumatorët”, ka thënë kjo ministri, duke cituar një hetim nga Agjencia franceze për Shëndet dhe Siguri, e cila ka vërejtur “shumë pak” rrezik. “Mirëpo derisa është evituar rreziku për konsumin njerëzor, hetimet tashmë kanë nisur për fermat e pulave dhe vendet ku prodhohen vezët, është thënë tutje nga kjo ministri. Miliona vezë të pulave janë larguar nga tregjet evropiane, për shkak të prezencës së insekticidit fipronil, i cila është zbuluar nga shumë vende në Evropë. Ky insekticid, i cili përdoret për trajtimin e kafshëve shtëpiake nga insektet, është i ndaluar në zinxhirin ushqimor dhe deri më tash policia holandeze ka arrestuar dy persona, gjatë hetimit për të kuptuar se prej nga rrjedh ky kontaminim. Autoritetet franceze kanë identifikuar më parë pesë fabrika të procesimit të ushqimit, të cilat kanë pranuar vezë të kontaminuara nga Belgjika dhe Holanda. Komisioneri evropian i ngarkuar për sigurinë e ushqimit, ka thënë dje se ka thirrur një takim të ministrave dhe vëzhguesve kombëtarë, për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.
Kina përballet me rritje drastike të kancerit në mushkëri
Kina është duke u përballur me një rritje të shpejtë të rasteve me kancer në mushkëri gjatë 10-15 viteve të fundit, duke konsideruar ajrin e ndotur si një prej fajtorëve për këtë gjendje, ka raportuar “China Daily”, duke cituar zyrtarë mjekësorë. Ekspertë të Akademisë së Kinës për Shkenca Mjekësore, kanë thënë se numri i rasteve të kancerit në mushkëri është duke u rritur drastikisht, duke përshirë edhe ata që nuk konsumojnë duhan. Në Kinë, konsiderohet të jenë rreth 300 milionë konsumues të duhanit, mirëpo raporti tregon se si kanceri që po zhvillohet në thellësi të mushkërive, nuk ka të bëjë me efektet e duhanit.
Kina përballet me nivele të jashtëzakonshme të ajrit të ndotur, derisa edhe organizata të ndryshme në botë, i kanë bërë thirrje këtij vendi për marrjen e masave. Sipas një studimi të publikuar gjatë këtij viti, në një revistë shkencore të Britanisë së Madhe, thuhet se Kina do të mund të parandalojë vdekjen e parakohshme të 3 milionë personave, në rast se do t’ju përmbahej udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për ngritjen e cilësisë së ajrit. Sipas të dhënave të fundit, në Kinë vetëm gjatë vitit 2015, kanë qenë rreth 4.3 milionë pacientë të rinj me kancer, duke përfshirë 730,000 me kancer në mushkëri.