27.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Guterres dënon sulmin ndaj migrantëve në Jemen

Shefi i Kombeve të Bashkura, Antonio Guterres, ka thënë se është i shumë i “pikëlluar”, pas lajmit se kontrabandistët i kanë hedhur rreth 300 migrantë në ujërat e bregdetit në Jemen, në dy incidente, gjatë dy ditëve të fundit. Të paktën 56 migrantë janë gjetur duke luftuar me vdekjen në këtë incident, derisa dhjetëra të tjerë janë ende të zhdukur. Kontrabandistët, pas zbulimit të anijeve, i kanë hedhur nga varkat e tyre në ujë, rreth 180 migratë nga Etiopia dhe Somalia, gjatë ditës së enjte, një ditë para se të bënin të njëjtën gjë edhe me 120 persona të tjerë. Shumica e migrantëve kanë qenë të rinj, që po kërkonin punë në vendet e Gjirit Arab. Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), ka thënë se nga incidentet, disa nga të identifikuarit kanë qenë të vdekur, disa të gjallë, në plazhet e Jemenit. Guterres ka bërë thirrje për aksion ndërkombëtar për të ndaluar kontrabandistët dhe për të kërkuar rrugë ligjore për migrantët. Agjencia për Migrim ka thënë se mesatarisht, 55,000 migrantë janë larguar nga Afrika për në Jemen, vetëm nga fillimi i këtij viti.

Botërori, zhgënjen sërish Van Niekirk

Konsiderohej si një ndër garat më interesante të Botërorit, ajo e 200 metrave, gara në të cilën Wayede van Niekirk do të siguronte medaljen e dytë të artë pas asaj të 400 metrave apo Isaac Makwala do të fitonte një medalje të artë përrallore pasi u përjashtua nga finalja e 400 metrave, por asnjë nga këto nuk ndodhi në Botërorin e surprizave.
Kjo pasi ishte turku Ramil Guiyev ai që la pas Van Niekirk dhe atletin nga Trinidad Jereem Richards duke fituar medaljen e tij të parë të artë botërore me kohën 20”09. Kjo është koha më e ngadaltë në këtë garë që nga Botërori i parë i atletikës kur fitonte për Shtetet e Bashkuara Calvin Smith më 1983. Guilyev më parë ka përfaqësuar Azerbajxhanin dhe më 2011 zgjodhi të garonte për Turqinë, por ishte përjashtuar nga garat për vendin e tij adoptiv për 3 vjet. Tani ai i jep Turqisë medaljen e parë të Artë në Botëror. Ishte një fitore vërtet entuziazmuese për talentin premtues, sidomos po të merret parasysh se la pas në vendin e dytë favoritin absolut Van Niekerk që ndjeu lodhjen e garave të shumta në të cilat ka marrë pjesë, kjo ishte e 6 për të në këtë botëror.
Respektoi pritshmëritë ndërkohë gara e kërcimit në trehapësh për meshkuj me Christian Taylor që bëri më të mirën, duke kërcuar 17.68 metra për të lënë pas bashkatdhetarin e tij Will Claye me vetëm 5 centimetra në një finale të klasit të lartë.
Ky ishte titulli i tretë botëror me Taylor pas atyre të Daegu më 2011 dhe në Pekin dy vjet më parë.
Kishte një triumf të dyfishtë amerikan edhe në finalen e 400 metrave me pengesa për femra, por me një fituese surprizë pasi Kori Carter la pas kampionen olimpike Dalilah Muhammad. Carter që garonte në korsinë 9 e mposhti Muhamad, ndërsa atletja nga Xhamajka Ristananna Tracey mori medaljen e bronzit.
Vetëm 24 orë pasi pësoi një zhgënjim të madh duke e lënë benzina kur po kryesonte në metrat e fundit të garës së 400 metrave Shaunae Miller-Uibo nga Bahamas u shfaq në formë të mirë duke fituar në gjysmëfinalen e 200 metrave për të shkuar lehtësisht në finale.
Në garën e 800 metrave për finalen favoritja mbetet afrikanojugorja Caster Semenya që triumfoi në baterinë e saj dhe tani do të synojë një tjetër medalje në këtë botëror pas asaj të bronzit që mori në garën e 1500 metrave.
Rezultat impresionues në Londër ndërkohë në garën e hedhjes së shtizës për meshkuj, me gjermanin Johannes Vetter që me 91.20 metrat e tij shënon rezultatin e katërt më të mirë në të gjithë historinë e kampionateve botërore. Kjo do të thotë se bashkatdhetari i tij dhe njëkohësisht kampioni olimpik në fuqi, Thomas Rohler do të ketë një punë vërtet të vështirë për ta mposhtur në finalen e kësaj të diele ku shumë presin që të fitojë.

Kutinjo i pashitshëm

Një tjetër portë mbyllet në fytyrë për Barcelonën. Pas komunikatës së Borusias së Dortmundit që ndali tratativat për Dembele, të cilin verdhezinjtë ende nuk po e gjejnë se ku ndodhet, Liverpooli i ka dhënë fund tratativës për Kutinjon, tjetër objektiv i madh për blaugranat pas largimit të Neymar. Me një komunikatë zyrtare të kuqtë shpjeguan se braziliani nuk do të shitet. Në faqen zyrtare të Liverpool në Twitter Fenway Sports Gruop, kompania që ka në pronësi klubin shkruan:
“Dëshirojmë të bëjmë të qartë pozicionin mbi transferimin e mundshëm të Philippe Kutinjo. Pozicioni përfundimtar i klubit është se asnjë ofertë për Kutinjon nuk do të merret në konsideratë. Lojtari do të mbetet një anëtar i Liverpool Football Club kur të mbyllet sesioni veror i merkatos”. Por, vetëm pak orë më vonë, vetë lojtari ka reaguar ndaj kësaj komunikate dhe ka kërkuar zyrtarisht që të largohet, njofton “Sky Sports”.
Një qëndrim përfundimtar ky i klubit anglez, me Barçën që nuk po arrin të realizojë goditjen e pas Neymar. Pavarësisht se ka një fond ekonomik prej 222 milionë eurosh që u arkëtua nga PSG, klubi blaugrana nuk ia ka dalë të bindë Liverpoolin për Kutinjon që ishte objektivi numër një për trajnerin Valverde. Kutinjo mbetet nën urdhrat e Klopp që nuk dëshiron të privohet nga një ndër lojtarët e tij më të mirë. Mbetet pezull edhe çështja Dembele. Futbollisti nuk u paraqit të enjten në seancën stërvitore të Borusias, por klubi bëri të ditur se nuk ka një ofertë të mirë nga ana e Barcelonës. Vetë lojtari ka vendosur, Dembele dëshiron bluagranat, por për gjermanët 100 milionë eurot e ofruara nga katalanasit nuk mjaftojnë, Dortmundi kërkon 150 milionë euro. Zëvendësimi i Neymar po rezulton për Barçën më i vështirë nga sa mund të parashikohej.
Skuadra angleze, Liverpool edhe zyrtarisht ka njoftuar se nuk do të konsiderojnë asnjë ofertë për Philippe Kutinjon. Ata insistojnë se lojtari është i pashitshëm dhe do të mbetet në Liverpool. “Ne duam ta bëjmë të qartë pozicionin tonë për transferimin e mundshëm të Philippe Kutinjos. Klubi nuk do të konsiderojë asnjë ofertë për Kutinjon dhe ai do të mbetet lojtar i Liverpoolit edhe pasi të mbyllet afati kalimtar”, thuhet në komunikatën zyrtare. Për Kutinjon ishte interesuar Barcelona, skuadër e cila kishte ofruar 150 milionë euro.
Barcelona deri më tani ka bërë disa oferta për brazilianin e Liverpoolit, Philippe Kutinjo, por është refuzuar. Sipas “Don Balon”, Barça tashmë është duke menduar, që përveç parave, si pjesë të marrëveshjes të ofrojë edhe një lojtar. Bëhet fjalë për mesfushorin kroat, Ivan Rakitiç. Në rast se dështon edhe kjo ofertë, atëherë Barcelona do të kthejë vëmendjen nga Ousmane Dembele i Borussia Dortmund dhe Marco Asensio i Real Madridit.

Merkato, Vullnet Basha prezantohet tek Wisla

Vullnet Basha prezantohet te Visla Krakovë në Poloni. 27-vjeçari që ka luajtur një ndeshje edhe me kombëtaren kuqezi, firmosi kontratë 1-vjeçare, me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit.
I lindur në Zvicër, ai ka luajtur me Lozanën, Gras’shopers, Nojshatel dhe Sion. Vitet e fundit mesfushori difensiv është aktivizuar në Spanjë, fillimisht me Real Saragozën dhe më tej me Ponferradinën e Mursian.
“Dua t’i falënderoj të gjithë në klub për besimin që më dhanë. Jam i lumtur që u bëra pjesë e Vislas dhe po pres me padurim të nis punën me skuadrën. U befasova kur klubi më kërkoi, sepse nuk e prisja. Fillimisht dija vetëm që Visla është një skuadër e madhe dhe ka tifozë të zjarrtë. Nuk u mendova shumë për ta pranuar ofertën. Është kënaqësi të luaj për një klub të tillë”, u shpreh Vullnet Basha.
Vullnet Basha zbuloi edhe një prapaskenë rreth transferimit të tij te Visla. Mbrojtësi i Monaco dhe përfaqësueses polake, Kamil Glik ishte ai që e shtyu të mos e refuzonte ofertën.
“Nuk e njoh personalisht Kamil Glik, por vëllai im Migjeni bisedoi me të, pasi kanë luajtur së bashku te Torino. Kamil më këshilloi mos ta mendoja dy herë ofertën dhe unë firmosa menjëherë. Deri më tani jam stërvitur në mënyrë individuale dhe më duhet ende pak kohë për të rigjetur formën më të mirë. Kam biseduar me trajnerin dhe nuk do të jem gati për ndeshjen e radhës”, tha ai.

Shpëtim Moçka drejt rikthimit te Teuta

Teuta kthehet në Shqipëri, pasi mbylli pjesën e parë të përgatitjeve në tokën italiane, ndërsa drejtuesit e klubit projektojnë edhe një rikthim në skuadër. Bëhet fjalë për portierin Shpëtim Moçka. Pas aktivizimit në “Niko Dovana” gjatë dy sezoneve të fundit, kontrata e gardianit me durrsakët përfundoi me mbylljen e kampionatit të kaluar.
Megjithatë gjasat janë që Moçka të bëhet sërish pjesë e Teutës, edhe për edicionin e ardhshëm. Portieri vlonjat është në bisedime me drejtuesit e klubit dhe akordi duket fare pranë. Sipas gjasave, 27-vjeçari pritet t’i bashkohet skuadrës prej javës së ardhshme, ndërsa është parashikuar të vendoset nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani këtë të hënë.
Në këtë mënyrë, Teuta do të garantonte portën, ndërsa Shpëtim Moçka do të jetë gati për t’u stërvitur me grupin, në pjesën e mbetur të fazës përgatitore, që ekipi do ta zhvillojë në Ohër.
“Djemtë e Detit” do të nisen më 15 gusht drejt Maqedonisë, ku do të stërviten për dy javët në vijim, për të qenë të gatshëm për startin e Kategorisë Superiore më 9 shtator, ku në javën e parë të kampionatit Teuta do të presë në shtëpi Luftëtarin.

Tatuazhi prekës i Valon Behramit

Valon Behrami zbulon tatuazhin e tij të ri. Mesfushori i Watford, ka bërë tattoo pothuajse gjithë këmbën e tij të djathtë, me një dizanj shumë prekës, duke pasqyruar në të gjenocidin serb ndaj kosovarëve.
32-vjeçari ka lindur në Mitrovicë, por luan me përfaqësuesen e Zvicrës, megjithatë mesa duket, Behrami nuk është nga ata persona që e harrojnë origjinën e tyre apo dhe atë çfarë kanë kaluar kosovarët vite më parë.
Pasi prindërit e tij humbën punën, familja e Behramit u largua për në Canton Ticino, vend në Zvicrën Jugore, në vitet 1990, teksa në në vitin 1998 morën lejeqëndrimin e përkohshëm.
Një foto vlen sa 1000 fjalë dhe këto që tregojnë tatuazhin e Behramit, vlejnë shumë herë më shumë.

Shkëndija me fanellat e reja

Nga ajo foto e ‘94 kur Shkëndija e shqiptarëve vishte fanellat e Milanit duket se kanë kaluar shumë më tepër se 23 vjetët kalendarikë. Milani tani është kundërshtari i radhës në Europa League, ndërsa Shkëndija një klub i mirorganizuar në të gjitha aspektet. Shkëndija prezantoi fanellat e reja për sezonin e ri, një tjetër tregues i seriozitetit të klubit tetovar. Ferhan Buba Hasani, kapiten dhe idhull i tifozerisë, Sten Junior e pastaj dhe Cuculi, Radeski dhe Ibrahimi të zgjedhur për klipin e rastit. Seriozë, ndërsa dalin nga korridoret e klubit të gatshëm si për një duel gladiatorësh.
Fanella e parë në respekt të traditës së pandryshueshme të ngjyrave kuqezi, atyre të flamurit kombëtar, e dyta ajo për ndeshjet në transfertë, e bardhë ashtu si kombëtarja shqiptare.
Jo rastësisht vazhdon bashkëpunimi me Macron, kompaninë që po pushton tregun ku padyshim ishte vendimtar dhe suksesi i jashtëzakonshëm me Triumf, fanellën e Europianit të kombëtares.
Në fanellë sponsori Ecolog, që ka ngjitur Shkëndijën në nivelet më të larta, aty ku nuk ka qenë kurrë më parë edhe në rang europian.
Klas, elegancë edhe në paraqitje, Shkëndija është gati për një sezon të ri dhe natyrisht për përballjen me Milanin e madh që këtë sezon synon rikthimin në majat e futbollit.
Mediat italiane njoftojnë për entuziazëm të tifozëve milanistë për takimin e parë që do të luhet në “San Siro” më 15 gusht. Në Itali janë shitur 15 mijë bileta vetëm në 48 orë, diçka e jashtëzakonshme, po të marrësh parasysh se 17 gushti gjen shumicën absolute të italianëve me pushime. Padyshim edhe Shkëndijës nuk do t’i mungojnë përkrahësit, me futbollistët e skuadrës tetovare që do të jenë të karikuar më shumë se kurrë dhe me veshjen e denjë për takimin gala.

PSG-ja i prish planet Realit

Reali i Madridit kishte arritur një akord paraprak me Monakon për transferimin e sulmuesit 18-vjeçar Kilian Mbape në Spanjë, por duket se tashmë çdo gjë ka ndryshuar. Sipas asaj që raporton “Marca”, klubi i PSG-së i ka prishur planet e kampionëve të Europës duke qenë se ka ndërhyrë në negociata dhe ka bindur kampionët e Francës që futbollisti të transferohet drejt kryeqytetit francez.
Bindja e Monakos erdhi pasi PSG-ja ka rënë dakord që ta paguajë menjëherë shumën 180 milionë euro për blerjen e kartonit të Mbapesë, ndërsa akordi me Realin e Madridit ishte për 160 milionë euro që do të paguheshin menjëherë dhe 20 të tjera në varësi të klauzolave të marrëveshjes.
Sulmuesi francez, Kylian Mbape ka vendosur që të largohet nga Monako për të kaluar te rivali, PSG. Sipas “L’Equipe”, arsyeja kryesore pse Mbape zgjodhi PSG-në ishte paga e lartë, pasi ai do të përfitojë nga 18 milionë euro në sezon apo 12 më pak se sa Neymar.
Ndërsa, Monako në anën tjetër do të përfitojë 160 milionë euro dhe 20 milionë të tjera bonuse, në varësi të sukseseve të skuadrës dhe lojtarit. Për shërbimet e tij po interesoheshin edhe Real Madrid, Barcelona, Arsenal dhe Manchester City.

Isco do të vazhdojë kontratën me Realin

E ardhmja e mesfushorit spanjoll, Isco është në “Santiago Bernabeu”, pasi kjo është dëshira e lojtarit dhe kryesisë së klubit. Sipas “AS”, lojtari tashmë ka arritur marrëveshje me Realin dhe kjo do të zyrtarizohet pas Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës.
Isco do të nënshkruajë kontratë deri në vitin 2022 dhe do të ketë një klauzolë prej 700 milionë eurove. Kështu Reali dëshiron të ndalë interesimin e skuadrave të tjera për Iscon, i cili kërkohet nga Barcelona, Liverpool dhe Juventus.

Tirana, Merveille te Getafe për 400 mijë euro

Merveille te Getafe. Talenti i Tiranës transferohet në atë që konsiderohet gjerësisht si një ndër kampionatet më të fortë dhe të bukur të botës, La Ligën e Ronaldos dhe Messit. Nga shitja e tij klubi bardheblu përfiton bukurinë e 400 mijë eurove, ndërkohë që Tirana do të marrë edhe 10 për qind të të ardhurave në rast rishitjeje të 19-vjeçarit nga Kongo që spikati sezonin e kaluar me talentin e tij në Kategorinë Superiore.
Merveille Ndockyt hyn në këtë mënyrë drejt e në listën e 3 shitjeve më të bujshme të kampionatit shqiptar në këto dekadat e fundit, pas atyre të Olyainkës dhe Bernard Berishës. I kërkuar prej kohësh nga Osijek në kampionatin kroat, por edhe skuadra të tjera, sharmi i Getafes dhe kampionatit spanjoll ka qenë i parezistueshëm për vetë futbollistin, ndërkohë që për klubin është padyshim një biznes i mirë, duke marrë parasysh që oferta e Osijek për Mervielle dhe Aquah ishte në total 550 mijë euro, Tirana tani prej largimit të tij merr 400 mijë euro, ndërkohë që drejtuesit e klubit me largpamësi kanë ruajtur edhe 10 për qind të të drejtave në rast rishitje, duke patur parasysh moshën e re të lojtarit, si dhe faktin që La Liga është një vitrinë ku nëse shkëlqen mesfushori mund të shumëfishojë disa herë vlerën e tij.
Për arkat e Tiranës vjen në këtë mënyrë një garanci e rëndësishme financiare, ndërsa Merveille shkon në La Liga. Të gjithë të lumtur, ndërkohë që vlen të evidentohet se si Kategoria Superiore është kthyer tanimë zyrtarisht në një kampionat me vëmendje më të madhe dhe trampolinë e rëndësishme për kampionatet elitare të Europës, me largimin e Merveille që konfirmon trendin e sulmuesit të Partizanit Khaleb Ekuban, që falë paraqitjeve të mira me të kuqtë arriti të transferohej te Leeds United në Angli.