29.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

KLSH kallëzon 4 drejtorë bashkie, shkaktuan 38 milionë lekë dëm me tenderat

KLSH ka kallëzuar në Prokurori katër drejtorë të Bashkisë Roskovec dhe dy përgjegjës sektori. Zyrtarët e Bashkisë së Roskovecit akuzohen se i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 38.2 milionë lekësh. Shkeljet dhe parregullsitë në dispozitat ligjore në fuqi në fushën e prokurimit publik, në hartimin e kritereve për pjesëmarrjen në procedurat e prokurimit dhe vlerësimin e ofertave ekonomike, duke vepruar me dy standarde vlerësimi, janë konstatuar pas një auditimit të bërë. Shkeljet janë evidentuar sipas KLSH në 6 procedura prokurimi: “Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitetin rom/egjiptian”; “Rikonstruksion i shkollës Kuman, për t’u përdorur për zyra”; “Ndërtim i kanalizimeve të ujërave të zeza fshati Strum, Bashkia Roskovec”; “Ndërtim trotuari i rrugës së fshatit Velmisht”; “Projekti zhvillimor i qendrës Kuman” dhe “Ndriçimi i rrugëve: Loti I, ndriçim i rrugës Bushi Kola dhe Loti II – Ndriçimi i rrugës së Kurjanit”. Është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën prej 2,380,746 lekësh pa TVSH, për skualifikimin e padrejtë të operatorit ekonomik me ofertë me vlerë më të ulët, në kushtet kur operatori ekonomik ka plotësuar kërkesat e dokumenteve standarde të tenderimit; Janë kryer veprime me efekt negativ në buxhetin e shtetit për diferenca të ofertave në vlerën 4,047,807 lekë pa TVSH, shkaktuar nga vendosja e kritereve të gabuara dhe jo sipas objektit të prokurimit, me pasojë skualifikimin e operatorit ekonomik me vlerë më të ulët dhe shpalljen fitues të operatorit ekonomik me ofertë më të lartë; Kanë kërkuar kategori të licencave me klasifikim më të lartë se volumi i punimeve apo kategori licence që nuk lidhen me objektin e prokurimit; Kanë kërkuar një numër të konsiderueshëm fuqie punëtore të paargumentuar me volum pune; Kanë përcaktuar dhe evidentuar markën e materialeve, duke kufizuar numrin e shoqërive pjesëmarrëse në prokurim, në kundërshtim me Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar dhe me VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për Rregullat e Prokurimit Publik”, me VKM nr. 312, datë 05.05.2010, “Për miratimin e rregullores ‘Për sigurinë në kantier’, si dhe të neneve 8 dhe 18 të Ligjit nr. 8402, datë 10.9.1998 ‘Për kontrollin e disiplinimin e punimeve në ndërtim’”, të ndryshuar. Për këto shkelje dhe për të tjera, KLSH ka kryer pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, me shkresën nr. 257/16 datë 20.07.2017 kallëzim penal ndaj E.M., me detyrë drejtore Juridike, në cilësinë e anëtares së njësisë së hartimit të dokumenteve të tenderit (NJHDT), M.C., me detyrë ish-përgjegjëse e sektorit të financës, aktualisht specialiste finance, në cilësinë e anëtares së NJHDT, E.K., me detyrë ish-specialist topograf, në cilësinë e anëtarit të NJHDT, F.P., me detyrë ish-përgjegjës i Sektorit të Ndërtimeve, në cilësinë e anëtarit të NJHDT, S.C., me detyrë drejtor Ekonomik në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), E.T., me detyrë ish-drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, në cilësinë e anëtarit të KVO dhe A.D., me detyrë drejtor i Shërbimeve në cilësinë e anëtarit të KVO, për konsumimin e elementëve të veprave penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenet 258 dhe 248, të Kodit Penal. KLSH, me qëllim përmirësimin e situatës i ka rekomanduar Bashkinë Roskovec masa me karakter organizativ në lidhje me eliminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhet, kryesisht në fushën e tatim taksave, në vlerën 293 milion lekë.

Dule: Qeveria Rama represion në Himarë, gjoba selektive ndaj bizneseve

PBDNJ ka reaguar nëpërmjet një deklarate për mediat, ku ka akuzuar kryeministrin Rama dhe qeverinë, përsa i përket inspektimeve tendencioze ndaj bizneseve në Himarë. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e drejtuar nga Vangjel Dule, denoncon hapur represionin shtetëror që po bëhet në dëm të biznesit dhe komunitetit të Himarës nga qeveria Rama. Sipas PBDNJ po gjobiten biznese duke synuar që përmes penalizimit financiar të kontrollohet ndërgjegjja qytetare, por partia e Dules deklaron se rezistenca politike nuk ka për të reshtur.
Deklarata e plotë e PBDNJ
Në terrin informativ që tentohet të instalohet si standard i sjelljes publike në vend dhe duke përfituar nga zbutja e vëmendjes së opinionit publik për shkak të pushimeve verore, aparati shtetëror shumëformësh po realizon këto ditë fushatën e radhës së represionit në zonën e Himarës. Me inspektime tendencioze selektive, praktika diskriminuese në kurriz të qytetarëve që vijojnë të mos jenë njësuar me politikat e qeverisë qendrore apo autoritetit lokal po gjobiten biznese duke synuar përmes penalizimit financiar të kontrollohet ndërgjegjja qytetare. Duke qenë gjithmonë konsekuentë në nevojën e ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme të shtetit të së drejtës, por njëherësh në parimin e barazisë para ligjit të qytetarëve pavarësisht origjinës etnike apo bindjeve politike, denoncojmë aksionin represiv të qeverisë Rama. Komuniteti lokal në periudha të një aktiviteti ekonomik të zbehtë për shkak të konjukturave më të gjera në vend, duhet stimuluar dhe jo penguar në përfitimet ligjore nga sezoni dhe lëvizja turistike. Nuk është e lehtë të kontrollohet me këto mjete anakronike reagimi qytetar. Përkundrazi paralajmërohet frymëzuesi i sjelljeve të tilla diakronike represive në trevat e Himarës dhe më gjerë se rezistenca politike e jonë nuk ka për të reshtur.

Krimi i familjes Rama me varjen e poetit Havzi Nela

Albert VATAJ

Nga pak na shtrëngon të gjithëve në fyt ai litar që të shteri frymën e fundit, Havzi Nela. Sot pas 29 vitesh qysh prej atij akti mizorie, sekush ndër ne e ndjen peshën e rëndë të atij krimi. Ata që kanë moshën e këtij ekzekutimi do ta kenë të vështirë të besojnë mbi absurdin që çoi në litar një poet të andshëm, një mësues të përkushtuar, një malësor atdhetar. Me vitet nuk shuhet kobi i asaj nate. Në mish na ngulet thellë e më thellë kafshimi i asaj vdekjeje, fikja e atij shpirti të dlirë.
Vijmë sot në këtë përshpirtje dhe përulemi me nderim para përmendores së këtij poeti si në një urdhnesë të shenjtë shugurimi. Behim në ndërmendjen e përvjetorit të shuemjes së gjalli të poetit, tuj kumtu mirënjohje për krejtçfarë ai e shkroi me gjak mbrojti me kalvar. Ngucemi tash me rijetu copëza të atij mundimi të pashoq hekash dhe lëngimesh që gjaset me i gatu vetëm havani i terrtë i kobit të kuq. I vetmi krim që ky za kushtrues kishte konsumu, dhe për të cilën ai shkoi në litar 29 vjet më parë, ishte vullnesa për me ia kushtu veten mish e shpirt shërbesës së fjalës së lirë.
I pamposhturi i kushtrimit të lirisë, i kumtit ngadhënjyes të poetit, ishte Havzi Nela. Varra e mbrame e bishës në agoni. Zemra e thyeme e një shtati të drobitun. Zani gjëmues i një shpirti ngjadhnjimtar.
Nata kobzezë e 10 gushtit të motit 1988 e thuri me mraz mantelin e trishtimit, që do të lëshohej mbi qytetin verior, si një qefin morti, bashkë më me terrin e qorruem. Në yje i’u shndërrue grahmat e fundit atij shpirti ngadhnjyes. Me dritën që lindtte s’kish mbetun kurrçka gjallnuese në të, veç kurmit hekakeq të martirit, që derdhej në plisin e përpushun lëngimesh në trekëndësh. Në kup të qiellit kuja i’a lëshoi në atë zgjim tragjik të atij qyteti që strukej nën peshën e heshtjes. Sy e zemra u qorrën në këtë manifestim frike dhe paniku që mbillte kjo varrë mesjetare që rrëmihte të shkumen, të tashmen e të gjithmonshmen e vetëdijes së njerëzisë, kësoane e gjithsekënd. Në atë prehje trishtane që kalli tmerr shtati i shterrun hekash i poetit që tuj ken “armik i popullit dhe partisë” ishte bzamja ma kushtrues që ajo ndërkohje kishte mujt me e lëshu potershëm. Klithmë, e cili theri si dhimbë shgjetare atëditë e sot. Kësohere dritëlëshuesi i dijes e kumtuesi i kremtes së lirisë, kish da mendjen me ik, jo si më heret “zemërplasun” por zëkallun e oshëtues në ndërkohje.
As tokë nuk i dhan në pushimin e pasosun, Havzi Nelës. Deri në njat cak kishte mujt me mbërri makabriteti i lëshuem në duar të zellshme gjakatarësh, mbi të cilët nderej i friguem ajo bishë e plagosun. E derdhën mish e kocka, poetin në vrimën e një shtylle, mes ferrave. Me gurë dhe mrryl e mbuluen atë grumbull të mbetun prej së gjalli. Pa varr e lanë, pa kuja, pa lot e degdisën në tjetër botë. Kaq mundi me gadit zelli i përbinshëm i një regjimi. Vetëm kaq, me diftu, i’a behu mendja djallëzore e dora e gjakut të prishun.
Lirinë kishte krejtçka Havzi Nela në të gjallë e në amshim pati si armë, të cilën nuk e lëshoj prej dore kurrnji dekik. Poezinë kishte pishtar e nuk ndali së lëshumi tmerr dhe dritë gjithkah kamba e tij shkeli e zemra e tij kalli. Përkundër asnjë godi nuk mësoi të hesht ai zë gjëmimtar. Qeli, pranga, tortura, e farkëtuan atë shpirt lirie, atë shkrepëtim që ndrit udhën shtegtarit atëditë e sot.
Havzi Nela, do të mbamendet si shembulli më vetanak i mizorisë së kuqe në agoni, është dëshmia më ngjethëse që ka lënë diktatura atëhershme. Si djalli nga temjani u përndoq ky korife i mendimit të lirë, kjo pëshpërimë gjëmimtare e ngulmit për të dëshmuar në një kohë të mraztë vitalitetin e një vullnese të dlirë.
Golgota e mundimeve të këtij Prometeu të dijes u dogj më flakën e dritës që kalli vargjet e tij të zëshme liberatore. Fatkobi i poetit tek ai nuk preku ndonjëherë ngjashmëri të tjetera, të njimendta në atëhohje. Tehu i gjakimit të së keqes duke e shpuar tejpërtej ndër rrufe përgjimesh kobzeza, ishte derdhur mbi të pamëshirshëm dhe nuk iu shkoq deri në të mbramë të frymës në konop. Përdnjekja e kalli këtë zë liri e në flakët e ferrit të kuq me të cilat u ndesh dhëmb për dhëmb. Si Ante qëndroi ai mbi zemëratën e shtërzishme të motmotit. Nëpër shkulmet e këtij marazi ai mrujti apogjeun e shpirtit. Krejtçfarë është thënë për këtë shpirt rebel, dhe ka bërë me pasion të shenjtë ky ngulm lirie është një vullnesë e dlirë, një shëmbëllim që ngucat. Përkundër tançka ka ndërzy atë bishë të përbindshme komuniste, nuk e ka tut, nuk e ka ndal, nuk e ka step atë yrysh tokësor, më u ndesh me forcat më të errta të Hadit komunist. Ai qëndroi në kambë, në të gjallë e në të vdekun. Mundimet e këtij shpirti sakrificash, e këtij kushtrimi të zëshëm të lirisë, nuk kanë shoq.

Kush ishte ky gjëmim
Havzi Nela u lind më 20 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit të Kukësit. Ndoshta fëmijëria e tij e asaj ndërkohje s’do të kishte shumë më tepër gjana për të kumtu, ngase ai i tha me za e me vepëri në të gjallët e tij. Të themeltë e kish në vete shpirtin e kryengritjes, vullnesën e jetësimit deri në të mbrame të frymës që kishte. Tuj met jetim qysh në moshën 9-vjeçare, atij i’u lëshu në shpinën e njomë torba e randë e shtegtarit. U kalit në mundime dhe heka ky kurm që gjaku e shndërroi në pishtar.
Individi i kolektivizuar më shumë se një absurd që shakadahej në batakun e reales surreale, ishte për Havzi Nelën një ngadhënjim kryerendës, një domosdo për të reaguar që në krye të herës. Rebelimi kundër së keqes ishte gjaku dhe mishi që veshi, jetësoi ky bir nane.

Golgota e dijenxënies dhe e mësuesit
Edhe vetë kalvari i dijenxënies është jo më pak rrëfimtar i kacafytjes që kalli mbi këtë kurm drite paradoksi i asokohshëm. Ai mbaroi shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa jetojnë në varfëri ekstreme. Krejt rrëfimtaria e tij jetësore është një rrugëtim nëpër natë nën qiellin e gërmushin vetëtimash. Zgjaton lëngueshëm ai kortezh i të gjallëve të mësuesit dhe poetit, individit që ngiste nëpër teh të rrezikut me kap fillin e dritimit të perëndishëm, të njeriut me ëndrra qiejsh të kjart.
Duke kqyr turraz nëpër faqet e të shkumes mundena me kumtu se Havzi Nela gurëthemelin e dijes e hodhi në qytetin e Shkodrës, prejku u dëbua si element destruktiv. Pas do vitesh i jepet mësuesisë në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat në rrethin e Matit. As këtu nuk i zan kambët dhe këti ngulmi zjarmtar. Te e vona ai i kthehet sërish Shkodrës me i përmbyll studimet, kësohere me korrespondencë. Kruma, Lojmja, Shishtaveci, Topojan janë këto toponimet e dijedhënies së poetit. Përgjatë gjithë këtij rrugëtimi dritëlëshues, një pal sy ferri do të qepeshin përmbas, ngado. Golgota e mundimeve do të lëshonte britmën. Ai nis të marrjet hera-herash në paraburgim.

Kalvari i martirit
Dhe vjen dekiku i përballjes dhëmb për dhëmb. “Shko dallëndyshe” të Filip Shiroka, bahet “Lamtumira zemërplasun” e Havzi Nelës dhe bashkëshortes së tij, Lavdie. Ai arratiset për me sos në Kosovë, më 26 prill 1967. Një gërmushje ndjellakeqe e pret me “pushkë për faqe”. Ndalohet dhe merret në pyetje në një hotel në Prizren. Më 6 maj të po atij viti burrë e grua këmbehen në Morinë me shqiptarë të Kosovës, të cilët i dorëzohen UDB-së famëkeqe nga pala shqiptare.
Kalvari i trishtë nëpër të cilën rendi ky liberator, zgjaton që nga Elbasani, Vlora, Spaçi, Burreli, Ballshi, Qafë Bari. Nëpër zgafellet më makabre të diktaturës i kaploi 20 vitet e jetës së tij. Nëpër tmerrin më të mraztë e gërmëzoi gjithkohjen e kushtrimit të tij, poeti martir. Tinëz e thuri qiellin shkrepimtar të poetit, Havzi Nela në qeli. Në fletushka nëpër terrin e frikës dhe përgjimit e ngriti varg pas vargu e metaforë pas metaforë zjarmin e lirikës.
Të trishtë do ta ndjente të tashmën e zorshme të vlerave të përmbysta, kurmi i lënguem i atij shtati që sfidoi me qëndresën në kalvarët e terratisë. Rrno ndër ne Havzi Nela, në trajtën e një kujtese ngjethëse, një dlirësie shuguruese, një gjithëkohje kushtruese, rrno me dëshmu me mbamendjen tande të ngjyme në gjak lirie. Rrno ti trishtim i atij kobi që këputi frymën e poetit. Ngushtohu t’i litar që martirizove një shenjtor të fjalës së lirë dhe po na gremis çdo ditë e më thellë në honin e lirisë pa fjalë, në boshin e fjalës pa zë.

Ekzekutimi me varje për poetin në orën 2 të mëngjesit

Kristaq Rama, i ati i Edi Ramës ka firmosur dënimin me varje në litar të poetit Havzi Nela, në ditët kur diktatura komuniste po jepte shpirt. Në dokument duket qartë se, Kristaq Rama ka firmosur për dënimin me varje të poetit vetëm për faktin, se ai kishte shkruar poezi që nuk i pëlqenin regjimit. Ky ishte një vendim xhelatësh i firmosur nga Ramiz Alia dhe Kristaq Rama, për dënimin me varje të poetit të njohur më datë 10.8.1988. Poeti Havzi Nela mori një dënim maksimal për fajin e vetëm, se në vargjet e tij kërkonte të drejtat e njeriut. Më 9 gusht 1988, familjarët e Havzi Nelës kërkonin faljen e jetës dhe anulimin e vendimit për ekzekutim me varje të të afërmit të tij, por Presidiumi i Kuvendit Popullor, pjesë e së cilit ishte edhe Kristaq Rama nuk e pranoi. Disa herë, familjarët dhe shtresa e të përndjekurve politikë kanë kërkuar pendesën e djalit të atij që firmosi dënimin me vdekje të Havzi Nelës, por Edi Rama edhe sot e kësaj dite nuk pranon të kërkojë ndjesë për krimin e të atit të tij.
Kjo është tragjedia, e cila ka përfshirë sërish familjarët e Havzi Nelës, kur 29 vite pas ekzekutimit të tij me firmën e Kristaq Ramës, djali i tij i mashtron për mbështetje ndaj shtresës së të persekutuarve dhe harron të kërkojë falje. Dekreti që dënoi me varje në litar poetin Havzi Nela në ditët kur diktatura po jepte shpirt, mban firmën e Kristaq Ramës, babait të kryetarit të PS, Edi Rama. Havzi Nela u arrestua më 15 qershor në katundin Brekijë, ora 12 e mesditës – nis procesi hetimor. 24 qershor 1988 – dënimi i katërt, ose dënimi fatal. 25 qershor – bën ankim pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. 16 korrik – Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Kukës, pas firmosjes që kishte bërë Kristaq Rama. Më 2 gusht, Presidiumi i Kuvendit Popullor miraton vendimin për ekzekutimin e Havzi Nelës. Më 10 gusht 1988, ora 2:00 pas mesnate kryhet ekzekutimi me varje në Kukës, tek stacioni i autobusëve.
Dokumenti i Ministrisë së Brendshme, që mban firmën e ish-ministrit komunist, Hekuran Isai, mban datën 9 gusht 1988 dhe i drejtohet Degës së Brendshme të Kukësit, së cilës i kërkohet dënimi me vdekje i poetit. Ministria njofton degën e zonës se, Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk i fali jetën të dënuarit. Vendimi ka dhe emrat e firmëtarëve të Presidiumit, mes tyre edhe Kristaq Rama, i ati i kryesocialistit Edi Rama. Emrat e aparatit të Presidiumit Popullor nisin me ish-presidentin Ramiz Alia, Rita Markon, Xhafer Spahiun, Emine Gurin, Sihat Tozajn, Eleni Selenicën, Faik Çinajn dhe vijon më tej me emrat e Kristaq Ramës, Lumturi Rexhës, Petrit Gaçes, Rrahman Hankun, Simon Ballabanin, Sotir Koçollarin, Stefan Qirjakon dhe Terezina Marubin. Të gjitha këta persona kërkuan ekzekutimin me varje të poetit Havzi Nela dhe vetëm disa muaj para rënies së perdes së komunizmit, në një kohë kur familjarët e tij kishin kërkuar faljen e jetës, gjakatarët vendosën ta dënojnë Nelën me varje në mes të qytetit të Kukësit. Mbi të rëndonte akuza e krimeve kundër shtetit për dy herë radhazi, ndërkohë që vendimi përfundimtar ishte varja në litar.

 

Ma ka nie zemra se kena me dalë prej këtij ferri …

 

Konflikti i Havzi Nelës me shtetin komunist nis në kohën kur në Shqipëri po kolektivizohej gjithçka. Të mos kishte më “është e imja”, por të kishte veç “është e jona”. Në një mbledhje në Shishtavec, në prill 1967, ai shprehet se “nuk duhet zhdukur prona private”. (Kjo binte ndesh me urdhrat e partisë, kundërshtarët shpallen armiq… Kolektivizimi synonte të degjeneronte familjen, synonte që gratë dhe burrat, djemtë dhe vajzat të ishin të partisë, të komunistëve, synonte që pushtet mbi gruan apo vajzën të kishte jo më burri apo vëllai, por komunisti, brigadieri, sekretari i partisë…). Havziu shprehet se, “nuk duhen prishur kishat dhe xhamitë”. (Kishte nisur në Shqipëri shkatërrimi i objekteve të kultit, shndërrimi i tyre në magazina e furra buke, dënimi e përndjekja e priftërinjve dhe hoxhallarëve, pasi diktatori Hoxha synonte të shndërronte në fe komunizmin dhe në Zot veten e tij… S’lejohej më të bëhej be për Zotin apo “pasha Zotin”, por duhej të bëje be e të betoheshe “për ideal të partisë”. Ndryshe ishte herezi, armiqësi…). Havzi Nela gjithashtu shprehet se, “nuk duhen mohuar traditat, nuk duhet ndërruar veshja tradicionle e grave”. (Synimi i diktaturës ishte krijimi i njeriut të ri të tipit Lejfen, me veshje të njëjta, me sjellje të njëjta, me tru të shpërlarë… që të zhdukej identiteti i individit, tradita që dallon shqiptarin…).
Kjo ka qenë gjithë herezia dhe disidenca e Havzi Nelës, derisa ndaj tij të fillonte kalvari i burgjeve dhe internimeve. Burgje që ia poqën plotësisht disidencën, ia bënë të qartë dhe të vetëdijshme luftën dhe qëndresën për idetë e tij…
Duke parë reagimet e partisë, pëshpëshet e shumta, përgjimet e përndjekjet që i bëheshin, Havzi Nela, bashkë me gruan e tij, Lavdien, më 26 prill 1967, ua lexon dhe reciton nxënësve të tij poezinë “Dallëndyshet” të Filip Shirokës, në orën e mësimit dhe niset për në Jugosllavi.
Në kufi shkruan këto fjalë në një letër “Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, po, zemërplasun…”. Dhe letrën e vendos në një degë lajthie që ta gjenin kollaj ushtarët e kufirit. Ushtarë që ruanin kufirin që të mos ikte kush në Jugosllavi e të mos vinte kush nga Jugosllavia.
Pak ditë i mbajnë në Prizren në burg dhe i kthejnë në Morin, pasi po këmbeheshin me disa kosovarë.
Lavdije Nela tregon se, në Prizren na thonin “jeni agjentë të Shqipërisë”.
Në vitet e fundit të burgut, kur po ndiheshin erërat e ndryshimit të sistemit dhe të burgosurit politikë e ndjenin si sizmografë ndryshimin e motit, Havzi Nela i thotë bashkëvuajtësit Ismail Didës: “Ma ka nie zemra se kena me dalë prej këtij ferri. Por kena me mbyll shumë gjana dhe kena me veprue si u ka hije njerëzve me mend. Përndryshe, nuk e merr vetin kurrë Shqipëria. Gjaku me gjak nuk lahet, se bahet një pellg tjetër gjaku, që s’e lan e s’mundet me e la kurrë të parin”…
Asnjëherë Havzi Nela nuk bëri kompromis me diktaturën e kasnecët e saj.
Ismail Dida, bashkëvuajtës që nga dita e kthimit nga Prizreni në të njëjtin autoburg, si dhe Mahmut Peposhi, rrëfenin se Havzi Nela ishte në hall edhe në burg, edhe jashtë burgut. Kur ishte në burg, nga fjalët e guximshme që thoshte, nga akuzat e drejtpërdrejta kundër regjimit, shumë të burgosur dyshonin tek Havziu. Edhe ndokush thoshte për të se, mos është i Sigurimit ky që nuk ka hiç frikë. Mos e ka fut Sigurimi që të provokojë të burgosurit e tjerë.
Kur ishte jashtë burgut, të gjithë e shihnin si armik të popullit e të partisë dhe nuk e kishte vendin askund.
Havzi Nela nuk pati të drejtë për një varr. Nuk pati të drejtë të varrosej si gjithë njerëzit e vdekshëm në varr i shtrirë. Atë, policët, varrëmihësit e diktaturës, nuk e shtrinë në varr horizontalisht. Nuk çelën varr për të. Por, e ngulën në gropën e një shtylle vertikalisht. Në gropën e një shtylle që nuk dihej se pse e kishin shkulur. Pasi e shëtitën gjithë ditën e lume nëpër qytet për me tremb njerëzit, në mesnatë, rreth 24 orë pasi ia vunë litarin në qafë dhe pasi e shëtitën, e ngulin në gropën e një shtylle vertikalisht…
5 vite qëndroi në këmbë në varr. Nuk e lejuan të shtrihej e prehej si gjithë të vdekurit…
Pasi iu gjet varri, afër fshatit Kolsh, 3 kilometër larg Kukësit, më 20 gusht 1993, Havzi Nelës iu dha titulli i lartë “Martir i Demokracisë”, nga Presidenti i atëhershëm, Sali Berisha. Prej asaj kohe, ai prehet në fshatin e tij të lindjes Kollovoz. Por, prehet edhe në kujtimet dhe shpirtin e të dashurës së tij të zemrës, të gruas që e ndoqi kudo e kurdo, të gruas që diktatura synoi ta deformonte nëpër burgje e kampe përqendrimi, prehet në shpirtin e kujtimet e Lavdie Nelës, e cila nuk reshti së treguari e së foluri asnjë çast për burrin e saj, Havzi Nela, për burrin i cili i shkroi dhjetëra e dhjetëra letra dashurie nga qelitë e burgjeve të diktaturës, për burrin që i dha jetë ëndrrave të saj, për burrin që ia varën, që ia morën nga gjiri dhe nuk i lejuan të lindnin as edhe fëmijë…
Vetëm letra nga burgu, që ia ka dërguar gruas së tij Lavdijes, Havzi Nela ka shkruar 100 copë. Pa llogaritur vjershat e shumta. Të gjitha janë, thotë Lavdija, por i ka marrë dikush për t’i përdorur për publikim.
Letrat dhe vjershat e Havziut i kanë ruajtur me shumë zor nëna e tij, gruaja Lavdija, vëllai, Shukriu, edhe pse Sigurimi i Shtetit i ka kërkuar e gjurmuar shumë ato letra.
Vëllezërit e Havziut, duke zbatuar amanetin e besën, ia ruajtën gjithë letrat e vjershat në bahçen e shtëpisë në Kollovoz, poshtë një peme dhe shumë të mbështjella e të siguruara për mos me u prish. Kur ra diktatura ata i nxorën në dritë. I pari që është marrë me sistemimin e dokumenteve të Havzi Nelës është Nazif Dokle, studiues.
Havzi Nela është vlerësuar shumë edhe nga autoritetet letrare të vendit. Poeti Xhevahir Spahiu është shprehur “jam gati të dal në mes të natës e të bërtas: Nuk vriten poetët o të marrë…”. Halit Shamata thotë se, Havzi Nela është i pari që i kushtoi poezi Helsinkut që në vitet shtatëdhjetë. Teodor Laço e cilëson si “vrasje të përjetshme të ndërgjegjes që vrau Havzi Nelën”. Visar Zhiti shton: “Spanja shpreh pendim për vrasjen e Lorkës, kurse tek ne vrasësit janë krenarë”.
Më 20 gusht 1993, Presidenti i atëhershëm, Sali Berisha, i jep titullin e lartë “Martir i Demokracisë”. Këtë titull e dërgoi në familje, në Kollovoz të Kukësit, shoku i qelive të burgut, shoku i idealeve, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë në atë kohë, Pjetër Arbnori. Ishte akti i parë i vlerësimit të figurës së Havzi Nelës në epokën e lirisë.

 

KUR TË VDES

Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma gjetë.
Thoni: “Ai urreu mizorin”.
Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuetje e dërmoi”.
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”
Thoni: “Për njerzinë këndoi,
E për vete mbajti zi”.

Thoni se e qërroi terri
Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.
Thoni se e trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha: “Çohu!”

Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue.
Mbi vorr tim me gur’e ferra,
Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur t’a ngushëlloni,
Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë”!

 

Kush ishte Havzi Nela

Poeti Havzi Nela ka lindur më 1934 në Kollovoz të Kukësit. Ai ishte njëri nga ata njerëz që s’u pajtua asnjëherë me të keqen. Qysh në shkollë të mesme nisi të formësohet dhe të marrë frymë ndjenja e rebelizmit ndaj padrejtësive të sistemit që po i ngrinte në sistem. Pasi kishte kryer shkollën pedagogjike në Shkodër, ai fillon punën në rrethin e Matit, por u bënë shkak disa vjersha që iu gjetën, të cilat siç duket ishin të “papëlqyera” për pushtetin dhe pushtetarët e asaj kohe dhe pushohet nga puna. Më 22 maj 1967 – dënohet me l5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e tij me 10 vjet të lirisë. Më 8 gusht 1975 – ridënohet me 8 vjet heqje lirie. 19 dhjetor 1986 – lirohet nga burgu. 12 tetor 1987 – internohet në Arrën. 15 qershor – arrestimi në katundin Brekijë. 15 qershor, ora 12 e mesditës – nis procesi hetimor. 24 qershor 1988 – dënimi i katërt, ose dënimi fatal. 25 qershor – bën ankim pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. 16 korrik – Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Kukës. 2 gusht – Presidumi i Kuvendit Popullor miraton vendimin për ekzekutimin e Havzi Nelës. 10 gusht 1988, ora 2:00 pas mesnate – ekzekutimi me varje në Kukës, tek stacioni i autobusëve. 10 gusht, ora 11:00 e paradites – trupi hiqet nga vendi i ekzekutimit. 11 gusht, ora l:00 pas mesnate – trupi futet në gropë.

Kalvari i vuajtjeve të poetit

Për të vëzhguar tablonë e mundimeve të Havzi Nelës, në rast se e heqim kapakun për të parë ferrnajën, me lehtësi mund të vërejmë se fijet e saj janë futur në trupin e tij si gjilpëra tejpërtej:
22 maj 1967 – dënohet me l5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e tij me 10 vjet të lirisë.
8 gusht 1975 – ridënohet me 8 vjet heqje lirie.
19 dhjetor 1986 – lirohet nga burgu.
12 tetor 1987 – internohet në Arrën.
15 qershor – arrestimi në katundin Brekijë.
15 qershor, ora 12 e mesditës – nis procesi hetimor.
24 qershor 1988 – dënimi i katërt, ose dënimi fatal.
25 qershor – bën ankim pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
16 korrik – Këshilli gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Kukës.
2 gusht – Presidumi i Kuvendit Popullor miraton vendimin për ekzekutimin e Havzi Nelës.
10 gusht 1988, ora 2 mbas mesnate – ekzekutimi me varje në Kukës, tek stacioni i autobusëve.
10 gusht , ora 11 e paradites – trupi hiqet nga vendi i ekzekutimit.
11 gusht, ora l mbas mesnate – trupi futet në gropë.

Basha: Havzi Nela është një thirrje për shoqërinë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përkujtuar ditën e djeshme nëpërmjet një statusi në Facebook, 29-vjetorin e vrasjes së poetit Havzi Nela.
Kreu i PD, thekson ndër të tjera në status se, vrasja e Havzi Nelës rëndon ende mbi ndërgjegjen e atyre që nuk i kanë dënuar krimet e komunizmit.
Ndërsa e mbyll duke thënë se figura dhe historia e poetit Havzi Nela është një thirrje për shoqërinë tonë dhe paralajmërim për të keqen që e pret një vend dhe një popull ku vdes fjala e lirë dhe media e lirë.
Statusi i plotë:
Sot, 29 vjet më parë, kur Europa kishte nisur të çlirohej nga robëria komuniste dhe perdja e hekurt e izolimit po binte kudo, regjimi gjakatar shqiptar vrau Havzi Nelën, poetin që guxoi t’i thurte vargje lirisë. Jetën e poetit nuk e kursyen as intelektualët e regjimit, të cilët me zellin e shërbëtorit u bënë edhe më mizorë se xhelatët, të cilëve u shërbenin.
Poeti, mësuesi, njeriu i lirë dhe shpirti i pathyeshëm, Havzi Nela e sfidoi diktaturën dhe ngriti zërin kundër çdo krimi të saj: kundër shkatërrimit të pronës private, kundër kolektivizimit, kundër ndalimit të besimit në Zot, kundër mungesës së shtypit të lirë, kundër ndalimit të fjalës së lirë, kundër shtypjes dhe robërimit të një populli të tërë. Për 21 vjet rresht e torturuan, e burgosën, e internuan, por nuk e mposhtën dot. Edhe nga qelitë e burgut ai nuk rreshti duke i thurur himne lirisë, duke i bërë thirrje “të shtypunit çou” e duke shpresuar që Fryma e Helsinkit do “dergjej porsi era” kundër kështjellave feudale.
Kur nuk e thyen dot, xhelatët mizorë e vranë, por ai ngadhnjeu mbi vdekjen si martir i lirisë.
Havzi Nela rëndon ende mbi ndërgjegjen e atyre që ende nuk i kanë dënuar krimet e komunizmit dhe xhelatët e tij dhe të mijëra shqiptarëve të pafajshëm. Por sot Havzi Nela është edhe një thirrje për shoqërinë tonë, një paralajmërim për të keqen që e pret një vend dhe një popull ku vdes fjala e lirë dhe media e lirë.

Havzi Nela, Berisha: Rama të kërkojë ndjesë publike

Si dje, 29 vjet më parë, më 10 gusht 1988, u var në qytetin e Kukësit, poeti Havzi Nela. Në homazh të tij, ish-Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që të kërkojë ndjesë publike për këtë akt barbar, për të cilin ka pasur ndikim edhe i ati, Kristaq Rama, duke firmosur varjen e tij. Ja postimi i Berishës: “Edvin! 29 vjet më parë, diktatori i fundit komunist shqiptar Ramiz Alia dhe babai yt biologjik Kristaq Rama, do të firmosnin varjen publike të poetit Havzi Nela për vargjet e dy strofave të mëposhtme.
I bindur se ju personalisht nuk keni gisht, ju bëj thirrje në këtë 29 vjetor t’i lexoni këto vargje dhe t’i kërkoni ndjesë publike familjes së të ndjerit Havzi Nela për aktin terrorist të babait tuaj të 29 viteve më parë! Sb”.

Banka Botërore: Qeveria Rama dështoi me reformat

Banka Botërore deklaroi se ulja e borxhit publik në Shqipëri është shtyrë me disa vjet, pasi qeveria nuk arriti të realizojë objektivat fiskalë sipas marrëveshjes së rënë dakord me Fondin Monetar në vitin 2013. “Në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes, borxhi publik i Shqipërisë parashikohej të arrinte kulmin 71.7 për qind në vitin 2014 dhe të ulej në 69.3 për qind brenda vitit 2016. Por në vend të kësaj treguesi u rrit në 73.7 për qind në vitin 2015 dhe nuk parashikohet të zbresë nën nivelin 70 për qind deri në fund të këtij viti”, deklaroi BB, në një dokument ku analizon ecurinë e marrëveshjes me Shqipërinë.
Sipas Bankës Botërore, arsyet se pse qeveria shqiptare dështoi të ulë borxhin sipas programit janë disa, përfshirë rritjen e ulët ekonomike. “Shkaqet përfshijnë zhvlerësimin e lekut ndaj dollarit, rritjen ekonomike më të ulët nga parashikimet dhe performancën e dobët në mbledhjen e të ardhurave”, shkruan BB.

Reforma energjetike
Por ulja e borxhit nuk ishte treguesi i vetëm me të cilin qeveria dështoi. Sipas Bankës Botërore, edhe reforma në energjetikë ka rezultuar problematike. “Implementimi i reformave të energjisë ishte gjithashtu më i ngadaltë nga sa pritej, veçanërisht barazimi i tarifave me koston dhe miratimi i legjislacionit dytësor. Por veçanërisht, reforma filloi të humbasë momentum në fund të ciklit të zgjedhjeve”, deklaron BB.
Sipas Bankës, qeveria shqiptare dështoi të ulë humbjet e energjisë dhe projekti i rimëkëmbjes së sektorit ka dalë tashmë jashtë objektivave. Sipas programit 5-vjeçar të rimëkëmbjes, që qeveria dakortësoi me Bankën Botërore në fund të vitit të kaluar, humbjet e energjisë duhet të ishin ulur në 26 për qind. Por shifra faktike e humbjeve ka rezultuar 28 për qind, ose 2 pikë përqindje më shumë se sa objektivi. “Uljet e energjisë në 2016-ën u ulën me 3.3 për qind, nga 31.3 për qind që ishin në 2015-ën në 28 për qind. Megjithatë, ato janë 2 pikë përqindje më lart se objektivi i dakortësuar prej 26%”, deklaron Banka Botërore. Sipas të dhënave, humbjet e energjisë kanë mbetur edhe këtë vit në nivelin 28 për qind, kur duhet të ishin tashmë 22 për qind.

Dyshime për zbatimin e kredisë 150 milionë dollarë për energjinë
Nga kredia e Bankës Botërore 150 milionë dollarë për ringritjen e sistemit energjetik, e cila është bërë efektive qysh në janar të vitit 2015, në vitin e tretë të zbatimit të saj janë disbursuar vetëm 13.7 milionë dollarë. Sipas të dhënave zyrtare nga projekti, Banka Botërore ka vlerësuar si rreziqe mjaft të larta për zbatimin e saj kapacitetet teknike për aplikimin e projektit të kredisë. Banka i vlerësoi komponentët teknikë të zbatimit të projektit, ato të mbikëqyrjes dhe angazhimin e palëve të interesit me risk të lartë.
Në vlerësimin e projektit, më herët gjatë qershorit të këtij viti, zbatimi i projektit u vlerësua me rrezik të lartë, duke marrë në konsideratë punën e më shumë se tri viteve për zbatimin e tij. Në dokumentin e vlerësimit, Banka pohon se, një paketë prej 46 milionë eurosh është në proces prokurimi për investimet në rrjet. Ndërsa shuma e mbetur prej 50 milionë eurosh pritet të prokurohet gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017. Nënprojektet kryesore janë nënstacione dhe investime në sistemin e matjes për balancën e energjisë elektrike.
Banka thotë se, performanca e sektorit të energjisë është përmirësuar ndjeshëm nga rritja e arkëtimeve në mbi 92% dhe borxhet ndërmjet kompanive janë fashitur, teksa OSHEE ka investuar nga fondet e veta më 2015-2016 rreth 80 milionë euro.
Banka pohon se pozita financiare e kompanive është përmirësuar, por kërkon që të bëhet më shumë punë për të siguruar që këto arritje të jenë të qëndrueshme në afat të gjatë dhe të përfshijnë ndër të tjera përditësimin e kuadrit rregullator ekzistues dhe metodologjinë e tarifave. Por që nga muaji qershor, kur banka bëri vlerësimin, sektori energjetik dhe kompanitë të përfshira në projekt po përjetojnë një situatë emergjencë që ka krijuar mungesa e reshjeve. Harxhimet për importet e verës deri në fund të shtatorit kërkojnë së paku 70 milionë euro, shumë kjo përveçse angazhon të gjithë fitimin e kompanive, shkurton planet e tyre të investimeve dhe rrezikon t’i çojë ato në akumulimin e detyrimeve të reja nëse thatësira do të zgjasë.

Vërshojnë lejet për parqet e energjisë diellore

Parqet fotovoltaike janë shndërruar në një trend për bizneset, të cilët pasi kanë ezauruar HEC-et, u janë kthyer impianteve të tjera të prodhimit të energjisë nga dielli dhe era. Ministria e Energjetikës nuk po ndalet në dhënien e lejeve për parqet që, në pjesën më dërrmuese të tyre, kanë kapacitet prodhues jo më shumë se 2 MW. Së fundmi shoqëria “RTS” sh.p.k., ka shprehur interesin për ndërtimin e një parku fotovoltaik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, në zonën në “Tren-Bilisht (Korçë)”.
Parku do të ketë sipërfaqe totale rreth 63,915 m² ku kapaciteti i instaluar do të jetë 2 MW, me një vlerë investimi rreth 321,671,661 ALL ose rreth 2.4 milionë euro. Shoqëria “RTS” sh.p.k. ka aplikuar për pajisjen me autorizim paraprak në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni”.
Ministria e Energjisë është në një fazë intensive të dhënies së lejeve për ndërtime HEC-esh dhe parqesh energjie diellore që prodhojnë me kapacitet 2 MW. Prodhimi i energjisë prej ujit, diellit dhe erës po tërheqin së fundmi shumë investitorë. Përveç HEC-ve, shumë kërkesa janë drejtuar në Ministrinë e Energjetikës për ndërtimin e parqeve që do të prodhojnë energji të pastër nga dielli. Shqipëria si një vend 240-300 ditë diell në vit, nuk e ka të zhvilluar prodhimin e energjisë nga burimet e diellit.
Ekspertët e energjisë e vlerësojnë të domosdoshme diversifikimin e prodhimit të energjisë, pasi 100% e prodhimit në vend kryhet nga HEC-et. Por edhe parqet e vogla të energjisë diellore nuk e zgjidhin këtë problem, teksa kosto e energjisë së diellit, sipas çmimit të miratuar nga ERE, e bën atë shumë të shtrenjtë për përdorim nga konsumatorët vendas.

Gjiganti Havzi Nela dhe liliputët që nderojnë komunistin Antonio Gramshin!

Besim Ndregjoni

Sot mbushen 29 vite, që regjimi komunist do të denonte me varje poetin disident, martirin e lirisë, birin e Kollovozit të Kukësit, Havzi Nela. Shqipëria atdheu i tij i dashur që i kushtoi jetën e tij në mbrojtje të lirisë dhe dashurisë njerëzore do ta përcillte këtë dënim mesjetar me trishtim të madh. Këtë denim makabër varja me litar, Europa e kishte hequr nga legjislacioni që në vitet ‘30. Kurse Shqipëria nën drejtimin e diktaturës komuniste praktikonte këtë lloj dënimi për t’i bërë karrshillek Europës së Lindjes që po shembte muret ideologjike e sunduese të komunizmit, duke paraqitur bilancin e trishtueshëm me mbi 6000 të vrarë nga diktatura komuniste enveriste.
Për Havzi Nelën është shkruar vazhdimisht, në këto 27 vite e mendoj se për të do të vazhdojnë të shkruajnë gjithmonë. Në përgjithësi shoqëria, jashtë politikës, është munduar të zbardhë gjithçka rreth poetit: janë botuar poezitë e tij, janë analizuar e interpretuar krijimet e tij, një përmbledhje me shkrime të zgjedhura për Havzi Nelën çdo vit anembanë vendit mbahen tubime shkencore, konferenca përkujtimore për poetin, janë bërë dokumentarë. Në qytetin e Kukësit i kanë vënë emrin e tij një shkolle gjimnazi.
Presidenti e ka dekoruar Havzi Nelën me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Të propozuar nga Unioni i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, gjithçka korrekte, gjithçka në përputhje me nderimin e poetit-martir, ashtu siç i takon një simboli të luftëtarit që flijohet për çështjet e përjetshme të lirisë e drejtësisë. Poetin që shkruante nga katakombet komuniste, në burgun e Spaçit 1974 për “Frymën e Helsinkit”. Atdheu, të cilin poeti e mbuloi me muzën e vet, për poetin që vargjet i shkruante qelive, duke sfiduar xhelatët e diktaturës, për poetin që shkoi ballëhapur drejt vdekjes pa bërë asnjë lëshim të vogël, por duke marrë mbi vete gjithë frikërat e dobësitë tona, në emrin tonë. Vetëm shteti ynë e ka të pamundur nderimin e kujtimit të tij. Sepse shteti shqiptar, institucionalisht, e fyen kujtimin e tij, duke luajtur me të një lojë me standarde të dyfishta, hipokrite. Sepse, paralel me nderimin dhe përkujtimin tonë, institucionet e shtetit, para se të nderojnë emrin e tij, e kanë fyer dhe njollosur kujtimin e Havzi Nelës.
Këto ditë, ministrja e Kulturës, Kumbaro doli para mediave e qeshur e gëzuar për një projekt madhor për të nderuar tek institucioni që drejton memorializimin e veprimtarisë komuniste të shtetasit italian Antonio Gramshit. Në qoftëse ky shtetas i huaj kishte dhënë një kontribut për shqiptarët dhe Shqipërinë do të ishim dakort që ta nderonim veprimtarinë e tij. Dihet që Antonio Gramshi ka zhvilluar veprimtarinë komuniste në shtetin e tij Itali, dihet se ideologjia komuniste shkatërroi mijëra jetësh europian ku u instalua. Dihet se ne shqiptarëve ideologjia e komunizmit na shkatërroi si kombe, duke mbushur tokën shqiptare me varre të pafajshme vetëm se këta shqiptarë deshën lirinë dhe urrenin ideologjinë e krimit, ideologjinë e Antonio Gramshit.
Qeveria e rilindjes në këtë 29 vjetor të ekzekutimit përbuz gjigantin e lirisë së shqiptarëve poetin Havzi Nela dhe nderon komunistin Antonio Gramshi. Ky është shteti rilindas që nderon ideologët vrasës të Havzi Nelës. Zonja ministre kush ta jep të drejtën ty, që taksat e familjeve të martirëve të lirisë t’i përdorësh për të nderuar ideologjinë vrastare të komunizmit. Për të nderuar ata që me ideologjinë e tyre varën poetin. Antonio Gramshin le ta nderoi shteti i tij Italia. Ministria ku ju drejtoni është e shqiptarëve, dhe aty në atë vend duhet vendosur busti i poetit Havzi Nela që me martirizimin e jetës, me gjakun e pafajshëm që derdhi për liri të krijoi dhe ty mundësinë që të bëheshe ministre.
Fatkeqësisht, kështu kanë shkuar punët në Shqipërinë tonë. Liliputët e trashgminisë komuniste nderojnë komunistin Antonio Gramshin dhe përbuzin poetin e lirisë Havzi Nela. Nderimi nga ana e shtetit është kontradiktor, irritues e thjesht i pavlefshëm. Ismail Kadareja bën një sugjerim në 20-vjetorin e varjes së poetit..”. Poeti është në botën e amshuar, por shoqëria shqiptare a është e qetë”. Në rrugëtimin tonë drejt përparimit dhe Europës, është shembulli i qëndresës, dinjitetit dhe martirizimit të poetit Havzi Nela, i cili nga katakombet e burgjeve komuniste parandjente “frymën e Helsinkit”, kur politikanët e sotëm nuk ia dinin as emrin.
Pikërisht, politika shtetërore me trashëgimtarët e diktaturës në instancat më të larta të Drejtësisë e mban peng të vërtetën e krimit komunist. Në këtë mënyrë, e gjithë shoqëria jonë vazhdon të mbetet peng i së shkuarës, përderisa nuk përballemi ligjërisht me të, por mundohemi t’i gjejmë zgjidhje problemit, duke i rënë atij nga dera e pasme, d.m.th., duke ia lënë zgjidhjen kohës, vdekjes biologjike të aktorëve, me shpresën se ndoshta një ditë gjithçka do të harrohet.
“Nëse ne nuk do të ishim një shoqëri e përgjumur, shpërfillëse, nëse ne do të dinim të reagonim, të kërkonim llogari, atëherë jam i bindur se shteti, nuk do të mundet të abstragojë nga kujtesa e vërtetë e Havzi Nelës. Ne duhet t’ia kthejmë Europës dëshmorët e saj të parë, të rënë në ferrin e totalitarizmit stalinist enverist shqiptar. Ne i afrohemi Europës me dëshmitë e martirizuara të lirisë, me Havziun, Trifonin, Vilsonin dhe Gencin, por dikush na mban peng në këtë vërdallosje, sepse mendon se në Europë duhet të shkojmë medoemos, më parë se me poetët e vrarë, me vrasësit e tyre. Dhe ngelemi jashtë Europës se ajo nuk na pranon me vrasësit e poetëve, por me matirizimin e poetëve. Duke qenë heroi i vetvetes, ai natyrisht që jepte nga vetvetja edhe për të tjerët. Dhe vargjet e poetit sot tingllojnë fuqishëm për shoqërinë;
Ma mirë i vdekur e me nder, Se me më sundue, Një derr beterr.

Rama po krijon shtetin e tij personal

Vincent W.J. van Gerven Oei

Gjatë ditëve të fundit, kryeministri Edi Rama ka filluar të publikojë “raportet” e takimeve të tij me “njerëzit e thjeshtë” në rajone të ndryshme të Shqipërisë si pjesë e platformës së tij të bashkë-qeverisjes, një nismë e nisur pas fitores më 25 qershor.
Deri më tani, Rama ka publikuar “raportet” për Kukësin, Dibrën, Lezhën, Shkodrën dhe Durrësin. E theksoj midis thonjëzave fjalën “raport”, sepse këto raporte janë hartuar përmes një procesi krejtësisht të errët dhe arbitrar nga komisionerët e Partisë Socialiste, të cilët nuk kanë asnjë rol të rregulluar me ligj në administratën publike.
Metodologjia me të cilën janë shkruar këto “raporte” nuk bazohet në monitorime afatgjata dhe mbështetja në të dhënat sasiore statistikore, apo në sondazhe statistikore. Jo, ato bazohen në nën-grupe të parazgjedhura të popullsisë, përkatësisht ata që janë të lidhur me Partinë Socialiste dhe janë të gatshëm të kalojnë disa orë jashtë në vapën e këtyre ditëve për të dëgjuar Kryeministrin të mbajë një monolog.
Të gjitha këto “raporte” përbëhen nga dy pjesë: një “analizë” e rezultateve të zgjedhjeve bazuar në të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe një listë e ankesave. Për shembull, ne e dimë tani se në Shkodër 58 vetë u ankuan për ritmin e ngadalshëm të legalizimeve, ndërsa në Lezhë 76 u ankuan për mungesën e ujit të pijshëm. Në Dibër, 118 persona janë të shqetësuar për rrugën e Arbrit dhe në Kukës, 45 vetë shprehën shqetësim për gjendjen e rrugëve dytësore.
Në çdo “raport” këto shifra janë treguar në mënyra të ndryshme dhe nuk dihet asgjë për nivelin e arsimit, moshën, orientimin politik, të ardhurat etj., të njerëzve që i shprehën shqetësimet e tyre Kryeministrit. Shkurtimisht, këto të dhëna na tregojnë absolutisht asgjë – të paktën asgjë e dobishme në qoftë se qëllimi është që fondet publike të shkojnë aty ku ka më shumë nevojë dhe nga ku mund të përfitojë një pjesë sa më e madhe e popullsisë.
Mënyra se si këto “raporte” mbrojnë gjetjet e tyre është, thënë me mirësjellje, joprofesionale . Raporti mbi Lezhë pohon:
“Sa i takon metodologjisë së takimeve, duhet theksuar që të gjitha organizimet kanë qenë takime të hapura, publike dhe të njoftuara paraprakisht si në kanalet e medias sociale ashtu dhe në organet e medias konvencionale, për të mundësuar afrimin e një numri të madh qytetarësh të interesuar për të shprehur shqetësimet, nevojat dhe problemet e komuniteteve respektive. Të gjitha takimet janë realizuar në prani të drejtuesit politik [të Partisë Politike] të qarkut dhe deputetëve [të Partisë Socialiste], të cilët në shumicën e rasteve janë shoqëruar dhe nga titullari i njësisë vendore….”
Asnjë fjalë e vetme për afatet ligjore të përcaktuara me ligj për dëgjesat publike dhe asnjë një propozim i vetëm për diskutim. Ndërkohë, justifikimi administrativ për mbajtjen e një takimi të tillë mbetet plotësisht i panjohur. Qytetarët u “mblodhën” përpara “liderëve” të tyre për të shprehur “shqetësimet, nevojat dhe problemet e tyre”.
Duhet theksuar se në të njëjtën kohë, gjatë këtyre takime, shpesh cenohet e drejta e pjesëmarrësve për të folur e pyetur për shpenzimet apo hapësirat publike. Në këto takime, qytetarët duhet vetëm “të ankohen”, por jo për të ushtruar të drejtën e tyre për të vënë përpara përgjegjësisë krerët e lartë të shtetit. Këto takime janë – me pak fjalë – një gallatë totale.
I gjithë procesi i mbledhjes së këtyrë “të dhënave” që përcaktojnë se ku Qeveria Rama 2 do të drejtojë fondet publike, po ndodh në mënyrë flagrante, në shkelje të hapur të ligjit dhe institucioneve.
Ne jemi dëshmitarë të lindjes së një shteti paralel partiak, i cili vepron dhe financohet përtej kontrollit demokratik dhe që boton përfundimet e tij në një rrjet social, në faqen personale të Facebook të Kryeministrit, për të qenë më të saktë.
Është e vështirë të thuhet se sa gërryes ndaj sudimit të ligjit është ky lloj klientelizmi profesional. Në momentin që qytetarëve i është prezantuar një mënyrë “alternative” dhe joformale për të ndrequr “gabimet” që janë bërë ndaj tyre, institucionet publike automatikisht do të bëhen të pavlefshme. E kjo do të çojë në rritjen e pabarazisë, arbitraritetit e politikave të bazuara në mërinë e qytetarëve dhe jo në strategji afatgjata.
Ajo që po dëshmojmë sot është një shkatërrim i ngadalshëm i asaj që mbetet nga shteti shqiptar.

Qeveria dorëzohet, bëhuni gati për orë të gjata pa drita

Kriza vendase e prodhimit të energjisë e ka vënë me shpatulla për “muri” Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë, i cili në kushtet e emergjencës ka bërë një tender me vlerë 1.6 milionë euro për të siguruar energjinë e plotë deri në fund të këtij muaji. Çmimi mesatar i blerjes ishte 67 euro për MW, nivel më i ulët se çmimi i bursës në këto ditë. Gjithsej shpenzimet e OSHEE-së për blerjen e energjisë për muajin gusht shënuan 31.6 milionë euro. Në fund të korrikut OSHEE e tenderoi energjinë e gushtit me 29.9 milionë euro.
Vijimi i thatësirës edhe për muajin shtator është duke e vënë stabilitetin fiskal të vendit para një vështirësie serioze. Sipas shpenzimeve të kryera gjatë muajit gusht shihet se OSHEE nuk do të mund të përballojë e vetme harxhimet për importin. Teksa pritet që me formimin e qeverisë së re të ndryshojë buxheti i vitit 2017 për të akorduar tepricat buxhetore në favor të importit të energjisë. OSHEE raporton se pasi u konsultua me KESH u pa se mundësitë e prodhimit për periudhën gusht 2017 janë të kufizuara. Ndërkohë vihet re një rritje e ngarkesës mbi parashikimet mbi të cilën u realizua blerja për muajin gusht 2017 në sasinë 434,000 MWh.
Në këto kushte, OSHEE pas konsultimeve me KESh, OST dhe MEI vendosi të fillojë blerjen e një sasie shtesë energjie prej 35,200 MWh për periudhën 12-31 gusht 2017. Duke qenë se nga ofertat e ardhura në fazën e parë nuk ishte arritur sigurimi i sasisë së kërkuar për të optimizuar portofolin ekonomik të OSHEE sh.a., Komisioni i Blerjes vendosi të negociojë me të gjitha kompanitë për të rritur sasitë dhe për të ulur çmimin për njësi. Komisioni i blerjes vazhdoi procedurat e vlerësimit me 7 shoqëritë prodhuese/tregtare që paraqitën interes në raundin e fundit të procedurës së zhvilluar nga OSHEE. Fituesit ishin shoqëritë “EFT AG”; “GSA shpk”; “GEN-I Tirana shpk”; “NOA Energy Trade”, “Devolli Hydropower –Statkraf”; “A&A Group of companies” dhe “HSE”.

Kriza e energjisë elektrike, sa do t’i kushtojë fatura qeverisë shqiptare
Kriza energjetike do të ketë pasoja financiare për buxhetin e shtetit, por sipas Ministrisë së Financave ato janë të përballueshme dhe nuk do të çojnë në rritje të borxhit. Paraprakisht ekspertët e ministrisë llogarisin se fatura e krizës për buxhetin do të jetë rreth 5 miliardë lekë ose gati 38 milionë euro.
Në dy muajt e fundit Shqipëria ka shpenzuar mbi 50 milionë euro për të blerë energji elektrike. Deri tani fatura e importeve është përballuar nga vetë operatori i shpërndarjes së energjisë. Por për shkak të këtyre shpenzimeve të larta, OSHEE ka ndalur ripagesat e kredive, të marra me garanci të qeverisë. Për vitin 2017, ishte parashikuar që kompanitë publike të ripaguanin rreth 5 miliardë lekë kredi. Këto pagesa tashmë do të mbulohen nga buxheti.
Stafi teknik i Ministrisë së Financave ka nisur punën për ndryshimin e buxhetit, i cili me gjasa do të zyrtarizohet pas formimit të qeverisë së re. Por sipas tyre, pagesat për energjinë nuk do të çojnë në rritje të borxhit, pasi fatura do të mbulohet nga kursimet e interesave.
Në 6 muajt e parë të vitit, qeveria kurseu 3 miliardë lekë nga shërbimi i borxhit publik për shkak të rënies së interesave. Deri në fund të vitit, qeveria shpreson të kursejë më shumë, para të cilat do i përdorë për të financuar kreditë e kompanive energjetike pa rritur deficitin buxhetor.