Deri më 2050, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e mëdha dhe të vogla në Shqipëri pritet të bjerë me rreth përkatësisht, 15% dhe 20%, për shkak të rënies me 20% të shirave në stinën e verës deri në vitin 2050. Alarmin e dha Ministria e Bujqësisë në draft-strategjinë për menaxhimin e integruar të burimeve ujore. Strategjia, e cila aktualisht është në proces diskutimi, ka marrë në konsideratë të dhëna të mëparshme nga Banka Botërore.
Ekspertët shqiptarë të ujërave lajmërojnë se, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e mëdha është i lidhur me rënien e shirave dhe mbushjes me ujë të rezervuarëve furnizues, ndërsa prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e vogla varet nga volumi i rrjedhjes së ujit në lumenj.
Megjithëse disponueshmëria e përgjithshme e ujit për prodhimin e energjisë pritet të jetë e mjaftueshme, duhet të ndërmerren masa për të menaxhuar ujin gjatë periudhës së verës, në mënyrë që prodhimi i energjisë të jetë i përshtatshëm, ndërkohë që përdorimet e tjera të ujit do të rriten paksa, ndërsa ekosistemet që varen nga uji do të kërkojnë sigurimin e prurjes minimale. Kjo kërkon një bashkëpunim të ngushtë midis sektorit të energjisë dhe sektorëve të tjerë që përdorin ujë si për shembull industria dhe bujqësia, shprehen ata.
Ndryshimet klimatike janë reflektuar vitet e fundit, ku është parë se basenet e HEC-eve janë përballur me situata ekstreme, herë me tejmbushje nga reshjet e shumta që kanë shkaktuar përmbytje e herë me thatësira si kjo e kësaj vere, ku vendi po plotëson nevojat e furnizimit thuajse nga importi.
Vetëm për muajt korrik dhe gusht u harxhuan rreth 60 milionë euro për importin e energjisë, shumë kjo që shteroi thuajse të gjitha fitimet e kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë të realizuara më 2016.
Ekspertët lajmërojnë se, ndryshimet e faktorëve klimatikë dhe ndikimi stinor së bashku ndikojnë kërkesën dhe furnizimin me energji. Stina e dimrit pritet të jetë më e shkurtër dhe më e ngrohtë dhe kjo do të çojë në një rënie të kërkesës për energji për ngrohje. Gjithsesi, temperaturat e larta në stinën e verës do të çojnë në rritje të konsumit të energjisë për ftohje.
Reshjet e dendura të shirave (që parashikohen të jenë më të shpeshta) së bashku me shkrirjen e shpejtë të dëborës, për shkak të temperaturave të larta në stinën e dimrit mund të jenë një kërcënim për sigurinë e digave, duke i bërë komunitetet dhe zonat e banuara afër tyre të jenë të ekspozuara nga përmbytjet dhe/ose rrjedhjet e mundshme nga rezervuarët e hidrocentraleve.
Ky efekt bëhet më i madh për shkak të ndryshimeve në sasinë e reshjeve, veçanërisht gjatë reshjeve të dendura pas periudhave të gjata pa reshje, duke shtuar këtu ndryshime në bimësi (shpyllëzimet) përgjatë rrjedhave të ujit, proceset gjeologjike dhe ndryshimet në rrjedhën e ujit.
Thatësirat do ulin me 20% prodhimin e energjisë
Bizneset vështirësi në shlyerjen e kredive
Individët rezultojnë më të përgjegjshëm kur vjen puna për të kthyer kredinë në një bankë, në krahasim me bizneset. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2016, vetëm 10% e huasë që ishte dhënë për individët ishte në vonesë prej më shumë se tre muajsh, nga 13% që kishte qenë ky tregues një vit më parë. Historikisht, bankat kanë konstatuar se individët kanë qenë më të rregullt me kthimin e huave. Kjo lidhet me faktin që në pjesën më të madhe ata marrin hua për të blerë një shtëpi për të banuar dhe bëjnë ç’është e mundur për ta paguar atë, në të kundërt rrezikojnë që përmbaruesi t’u marrë shtëpinë. E ndryshme është situata me bizneset. Ato vijojnë të jenë problematike me kthimin e huave që kanë marrë në banka, e cila është në të njëjtin nivel me vitin e kaluar, 21.4%. Në rritjen e fortë të huasë së pakthyer në afat në banka ndikoi dhe përqendrimi i lartë i disa kompanive, ku 35 sipërmarrje krijuan 65% të kredisë së keqe të sistemit. Një pjesë e këtyre kompanive tashmë janë në fazë ristrukturimi, ndërsa për 7 prej tyre ka nisur procedura e falimentimin. Për sa i përket ndarjes së kredive me probleme sipas monedhës, sipas Bankës së Shqipërisë rezulton se, portofoli i kredive me probleme në valutë paraqet një tregues më të lartë me 21.5% (20.3% në fund të vitit të kaluar), krahasuar me portofolin e kredive në lekë me 13.7% (15% në fund të vitit të kaluar). Kreditë në valutë janë marrë më së shumti nga biznesi dhe nga ana tjetër ato janë prekur nga zhvlerësimi i fortë i lekut pas vitit 2008, ku monedha e përbashkët kërceu nga 124 lekë në 140 lekë në periudhën 2010-2015, ndërsa aktualisht ka zbritur sërish në rreth 132-133 lekë. Në maj 2017, treguesi i kredisë me probleme zbriti në 15.86%, në krahasim me 16.6%, që ishin muajin e mëparshëm. Dy vitet e fundit bankat kanë zbatuar procesin e fshirjes së huave, sipas të cilit hiqen nga bilancet e bankave kreditë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, ndërsa ato vazhdojnë të ndiqen nga bankat. Huatë me probleme janë ulur ndjeshëm nga niveli i tyre më i lartë prej gati 25%, që arritën në tremujorin e tretë të vitit 2014. Ndonëse të dhënat e INSTAT të publikuara për rritjen ekonomike flasin për përshpejtim, me një zgjerim prej 3.9% për tremujorin e parë, kjo nuk rezulton të jetë reflektuar në treguesit e kredisë (investimeve) dhe depozitave (shtim i kursimeve si rrjedhojë e përmirësimit të mirëqenies). Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i kredisë për ekonominë zbriti në maj në 554 miliardë lekë, me një rënie prej 854 milionë lekë në krahasim me muajin e kaluar. Rënia mujore ka ardhur nga kredia për sektorët jo financiarë në valutë, që është reduktuar me 3.9 miliardë lekë, duke dhënë ndikimin e vetëm në trendin rënës të huasë. Ndërkohë kredia në lekë për këtë sektor është rritur me 1.3 miliardë lekë. Në rritje gjatë muajit maj ishte kredia për individë, si në lekë dhe në valutë, që u zgjerua me gati 1.8 miliardë lekë. Në total, në krahasim me fundin e vitit të kaluar, huaja për ekonominë ka rënë me 3.1 miliardë lekë, ose 0.6%, duke treguar për një ngërç të investimeve në ekonomi, teksa huaja për biznesin ka rënë me gati 8 miliardë lekë gjatë të njëjtës periudhë. Edhe tendenca e depozitave nuk ka qenë pozitive. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursimet e shqiptarëve kanë rënë me 4.4 miliardë lekë në muajin maj, në krahasim me vitin e mëparshëm, duke arritur në rreth 995 miliardë lekë. Rënia më e fortë ka qenë nga valuta (-30 milionë euro), por këtu është dhe efekti i zhvlerësimit të euros, teksa treguesi total i depozitave raportohet në lekë. Nëse shihen të dhënat e depozitave vetëm në euro, të raportuara po në monedhën e përbashkët, në maj ato rezultojnë të jenë tkurrur realisht me 17 milionë euro.
Danny Rose drejt largimit nga Tottenham
Pas Kyle Walker, Tottenham-it, mund t’i japë lamtumirën edhe Danny Rose. Mbrojtësi i krahut të majtë, i cili është një titullar fiks edhe në kombëtaren angleze, pëlqehet shumë nga Chelsea i Antonio Contes. Për Rosse kanë shfaqur interes edhe Manchester United e Interi, megjithatë do të jetë e vështirë që Tottenhami të lejojë largimin e një tjetër mbrojtësi, pasi shiti Kyle Walker te Manchester City për 57 milionë euro.
Të premten starton Premier League me Arsenalin që do të presë Leicester City-in, në stadiumin e Emirates. Por këtë takim shumë të rëndësishëm trajneri i topçinjve Arsene Wenger nuk do të ketë shërbimet e sulmuesit Alexis Sanchez. Ish-lojtari i Barcelonës i shumëkërkuar në këtë merkato, pasi mungoi në duelin e Superkupës së Anglisë ndaj Chelsea-it nuk do të jetë i gatshëm as për sfidën ndaj Leicester-it, për shkak të disa dhimbjeve që ndjen në muskujt e barkut.
Mario Lemina, pasi u zyrtarizua si blerja më e re e Southamptonit foli për herë të parë si futbollisti më i ri i skuadrës së shenjtorëve. Jam shumë i lumtur që jam bërë pjesë e Southampton, më bindi projekti i klubit dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë për të vazhduar karrierën time deklaroi mesfushori nga Gaboni. Kartoni i Lemina i kushtoi klubit anglez 17 milionë euro.
Rafa Benitez këmbëngul për Luca Perez. Trajneri spanjoll e dëshiron me çdo kusht sulmuesin te Newcastle United. Arsenali kërkon 15 milionë euro për të lënë të lirë lojtarin, por për qymyrxhinjtë problemi më i madh qëndron te fakti se Perez përpara një kalimi të mundshëm te Newcastle preferon rikthimin te Deportivo La Coruna në La Liga.
Javier Hernandez është i lumtur për aventurën e re që ka nisur te West Ham United. “Dua të jap maksimumin për të ndihmuar skuadrën dhe pse jo të shfaq këtu të njëjtat cilësi, por edhe të njëjtën grintë e dëshirë si gjatë periudhës që isha pjesa e Manchester United”, deklaroi Chicarito. Jam në formë dhe shpresoj të aktivizohem në sfidën e parë të kampionatit pikërisht ndaj Djajve të Kuq që do të luhet të dielën në “Old Trafford”, shtoi në fund bomberi meksikan.
Vidal tek Interi?
Emre Mor dhe Interi duket se janë shumë pranë njëri-tjetrit. Pasi u mbyll transferimi i Dalbertit, Auzilio dhe Sabatini i kanë përqendruar forcat te mbyllja e marrëveshjes me mesfushorin turk. Ditën e djeshme kanë qarkulluar informacione që e lidhin Emre Morin me zikaltrit, por ëndrra e madhe mbetet Arturo Vidal, i cili duket se ka pranuar ofertën e Interit, por problemi i vetëm mbetet Bajerni që nuk ka ndërmend ta lërë të lirë.
Zikaltrit po lëvizin me vrull në këto ditë të nxehta gushti për të përforcuar ekipin dhe për t’i plotësuar të gjitha kërkesat e trajnerit Luçiano Spaleti. Puna e tij nuk do të vlente aspak, nëse nuk do të kishte të paktën edhe 2-3 afrime cilësore për të ringritur skuadrën.
Është Arturo Vidal kampioni që Interi kërkon të transferojë në Milano. Diçka e vështirë, por lojtari duket se ka pasur bisedime me drejtuesit e Interit dhe është joshur nga projekti që kanë nisur zikaltrit.
7.5 milionë euro për 4 vitet e ardhshme e kanë bërë kilianin të mendojë se e shkuara e tij me fanellën e Juventusit nuk është problem për të veshur atë zikaltër. Në ditët e ardhshme priten më shumë zhvillime rreth kësaj çështjeje, por Bajerni nuk ka ndërmend ta lërë të largohet kaq lehtësisht.
Agjenti i lojtarit, por ndoshta edhe vetë Emre Mor mund të mbërrijë në Milano për të diskutuar nga afër kushtet e transferimit. Të dhënat janë shumë pozitive për ekipin dhe për drejtuesit e Interit, sepse ka qenë vetë skuadra e Dortmundit që ka lajmëruar se mesfushori turk është drejt largimit.
Edhe presidenti i Fenerbahçes nxjerr zbuluar Interin dhe lojtarin. Ekipi gjerman, përmes një postimi në “Twitter”, shkruan se Emre Mor nuk do të jetë pjesë e fotos zyrtare. “Emre Mor nuk do të jetë në foton zyrtare të klubit, sepse është duke u diskutuar shitja e tij”, shkruhet në postim.
Ditën e djeshme pati një tentativë të fortë të Fenerbahçes për të transferuar 20-vjeçarin, por presidenti Aziz Jëlldirim thotë që Borusia kërkon ta shesë tek Interi, sepse po interesohet për lojtarë në ekipin zikaltër.
“Kemi bërë një ofertë në drejtim të Borusias për Emre Morin, por klubi gjerman nuk dëshiron ta llogarisë fare, sepse po e shtyn lojtarin drejt Interit. Ata janë të interesuar për të transferuar ndonjë lojtar zikaltër në Gjermani”, tha presidenti.
Real – Monaco, arrihet marrëveshja për Mbape

Skuadra e Real Madridit dhe Monaco kanë arritur marrëveshje për transferimin e sulmuesit francez, Kylian Mbappe. Për shërbimet e Mbappe, kampioni i Evropës do të paguajë 130 milionë euro dhe 20 milionë euro të tjera bonuse, shkruan Soymadridista.com. Transferimi i lojtarit do të kompletohet në fund të gushtit, pak ditë para përfundimit të afatit kalimtar të verës. Mbappe kështu do të bëhej lojtari i dytë më i shtrenjtë në histori të futbollit, pas Neymar, i cili për 222 milionë euro kaloi nga Barcelona në PSG.
Iker Casillas vazhdon të tregojë paraqitje fantastike me Porton. Portieri spanjoll, Iker Casillas ka treguar paraqitje shumë të mirë në ndeshjen e mbrëmshme ndërmjet Portos dhe Estoril. Casillas ka bërë dy pritje fantastike, në fitoren e thellë të skuadrës së tij prej 4:0.
Barcelona ka njoftuar se Andres Iniesta me leje të trajnerit nuk është duke u stërvitur sot me skuadrën. Nuk dihen arsyet e mungesës së kapitenit dhe nëse ai do të jetë gati për ndeshjen ndaj Real Madridit të dielën në Superkupën e Spanjës. “Andres Iniesta me leje të trajnerit nuk po stërvitet me skuadrës”, thuhet në njoftimin e Barcelonës.
Vijojnë surprizat në Botërorin e Atletikës
Botërori i Atletikës dhuroi një surprizë në gjysmëfinalet e 200 metrave për meshkuj, kur kampioni Wayde Van Niekirk u mund në baterinë e tij, duke u renditur i 3-ti dhe arriti të kalojë në finale vetëm si një prej vendeve të tretë më të shpejtë. Atleti nga Afrika e Jugut nuk ishte i vetmi që zhgënjeu, pasi dhe xhamajkani Yohan Blake nuk arriti të kalojë në finale. Ndërkohë nuk mungoi drama dhe në garën e 400 metrave për femra, ku Shaunae Miller Uibo e Bahamas u mendua se do të fitonte sërish ar ashtu si në Olimpiadën e Rios, por Miller-Uibo pësoi një dëmtim, duke lejuar amerikanen Phyllis Francis, që të arrinte e para në finish, medaljen e argjendtë e fitoi, ndërkohë 18-vjeçarja nga Bahreini Eid Naser, ndërsa Allyson Felix u rendit vetëm e 3-ta. Kjo ishte medalja e 14-të në karrierë për Felix në Botëror, duke barazuar kështu rekordin e Bolt dhe Ottey. Norvegjia mori medaljen e parë të artë në botëror, që prej vitit 1987, teksa Karsten Warholm arriti të triumfojë në garën e 400 metra me pengesa, duke paraprirë në finish, turkun Copello dhe ish-kampionin e botës, amerikanin Kerron Clement. Kina i shtoi vetes një tjetër ar në garën e hedhjes së gjyles, me Lijao Gong që triumfoi me rezultatin 19.94 metra, argjendin e fitoi hungarezja Anita Marton, ndërsa Michelle Carter mori bronzin.
Ibrahimoviç do të vazhdojë të jetë tek Manchester United
E ardhmja e Zlatan Ibrahimoviç do të vazhdojë të jetë tek Manchester United. Sulmuesi suedez është shumë pranë rikthimit te Djajtë e Kuq. Ibra, i cili u largua nga United në qershor, kur i përfundoi edhe kontrata me 20-herë kampionët e Anglisë, sëfundmi pas një bisede që ka patur me trajnerin Jose Mourinho i ka shprehur portugezit dëshirën për t’u rikthyer në “Old Trafford”. Gjiganri suedez po rikuperohet në kohë rekord nga dëmtimi që pësoi prillin e kaluar dhe kjo është një nga arsyet kryesore që drejtuesit e Manchester United po rinegociojnë me Ibrahimoviç për të arritur një marrëveshje të re bashkëpunimi.
Tottenham Hotspur në kërkim të një mbrojtësi cilësor. Trajneri Mauricio Pochettino u ka bërë të ditur drejtuesve të klubit londinez se ka nevojë për një qendërmbrojtës dhe këta të fundit janë gati tia plotësojnë dëshirën argjentinasit. Tottenham po bën gati një ofertë prej 38 milionë eurosh për të bindur Ajax-in të heqë dorë nga shërbimet e mbrojtësit të talentuar kolumbian Davinson Sanchez.
Antonio Conte kërkon përforcime dhe për këtë arsye drejtuesit e Chelsea-it janë duke lëvizur në merkato. Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, Blutë e Londrës janë gati të rritin ofertën për Alex Oxlade-Chamberlain. Për sulmuesin anësor të Arsenalit, Chelsea mund të derdhë në arkat e topçinjve deri në 38 milionë euro.
Juventusi tremb Barcelonën
Bardhezinjtë dëshirojnë me çdo kusht shërbimet e Sergi Robertos dhe po mendojnë të paguajnë klauzolën e largimit të lojtarit nga blaugranat që kap shifrën e 40 milionë eurove. Ernesto Valverde dëshiron ta mbajë në skuadër 25-vjeçarin për vetë faktin se Sergi Roberto përshtatet në shumë role, por edhe me spanjollin mund të ndodhë e njëjta gjë si me brazilianin Neymar.
Vitet kalojnë, por kapiteni Gabi, sulmuesi Fernando Torres dhe mbrojtësi Juanfran vazhdojnë të mbeten tre lojtarë shumë të rëndësishëm për Atleticon e Madridit. Në fakt të tre futbollistët kanë vetëm nga një vit kontratë me Los Colchoneros, megjithatë nëse Gabi, Torres dhe Juanfran arrinë kuotën e 25 paraqitjeve me skuadrën e Simeones në sezonin 2017-2018, kontratat e tyre me Atleticon do të rinovohen automatikisht edhe për një tjetër vit.
Riyad Boudebouz është futbollisti më i ri i Real Betis. Klubi andaluzian ka bërë goditjen e radhës në këtë merkato, duke prezantuar futbollistin e kombëtares algjeriane. 27-vjeçari, i cili luan si mesfushor i avancuar ka firmosur me klubin nga Sevilla për 4 sezonet e ardhshme, ndërkohë që për të blerë kartonin e Boudebouz, Betis ka derdhur në arkat e Montpellier shumën e 7 milionë eurove.
Marco Asensio është një nga talentet më të spikatur që ka aktualisht në dispozicion Reali i Madridit. Mesfushori që luan edhe si sulmues krahu, bëri paraqitje të shkëlqyera në sezonin e kaluar me Los Blancos dhe për të kanë shfaqur interes disa prej klubeve më të mëdha të Europës, për vetë faktin se te Reali Asensio nuk është një titullar fiks. Megjithatë madrilenët nuk kërkojnë të privohen nga shërbimet Asensios dhe për ta blinduar lojtarin i kanë vendosur një klauzolë të re largimi nga 80 milionë euro në plot 150 milionë euro duke e rritur me 70 milionë euro klauzolën aktuale.
Borxhi i përgjithshëm i Kosovës shënon rritje
Borxhi publik i Kosovës vazhdon të shënojë rritje, përkundër faktit që ai vlerësohet më i ulëti në rajon. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në vitin 2016, borxhi i përgjithshëm i shtetit ka arritur në 852.7 milionë euro, kurse vitin 2015 ka qenë rreth 750 milionë euro.
Kjo rritje e borxhit, sipas raportit të Bankës Qendrore, i atribuohet kryesisht rritjes së borxhit të brendshëm, i cili ka arritur në 479 milionë euro, ndërsa borxhi i jashtëm publik ka arritur në 373.8 milionë euro.
Shprehur në përqindje, borxhi publik ka arritur 14.5 për qind të Bruto Produktit Vendor. Kjo vlerë e borxhit, nga ekspertë për çështje ekonomike, konsiderohet jo e lartë dhe se sipas tyre, ka hapësirë për të marrë kredi për qëllime zhvillimore.
Borxhi i përgjithshëm është tërësia e borxhit shtetëror dhe komunal. Ky borxh merret në emër të institucioneve qendrore qeveritare, të cilin Republika e Kosovës është e obliguar ta paguajë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu për Radion “Evropa e Lirë”, thotë se shuma e borxhit publik të Kosovës nuk mund të konsiderohet alarmuese, pasi është brenda kornizës ligjore.
“E them këtë, duke u bazuar në faktin se trend i borxhit duhet të matet dhe krahasohet me nivelin e rritjes ekonomike. Dhe nëse Banka Botërore dhe Fondi Monetar e konfirmojnë rritjen ekonomike për vitin 2016 afër 4 për qind dhe kemi këtë nivel të borxhit, atëherë nuk kemi nevojë për brengosje. Por, përkundrazi duhet të na motivojë që të kemi projekte që kanë arsyeshmëri sa më të mirë dhe disiplinë financiare”, thotë Gërxhaliu.
Edhe eksperti tjetër për çështje ekonomike, Naim Gashi, thotë se krahasuar me vendet e rajonit, Kosova ka përqindjen më të ulët të borxhit publik, por që sipas tij, ky borxh nuk duhet të rritet në mënyrë të pakontrolluar.
“Kosova ka hapësirë juridike që të vazhdojë marrjen e borxheve, mirëpo edhe pse legjislacioni në fuqi na lejon këtë edhe parametrat e institucioneve financiare ndërkombëtare lejojnë. Megjithatë, Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme në hyrje në borxhe të reja dhe gjeneratat e ardhshme t’i shlyejnë borxhet tona, në të cilat nuk ka leverdi ekonomike dhe përfitime financiare drejtpërdrejtë, për ekonominë, për qytetarët dhe për arkën e shtetit”, tha Gashi.
Gashi për Radion “Evropa e Lirë” tha po ashtu se, në Kosovë ka shumë sektorë dhe shumë projekte profitabile, për të cilat autoritetet kompetente mund të marrin borxh dhe lehtë të shlyejnë kredinë.
“Në këtë rast mendoj se është ndërtimi i kapaciteteve energjetike dhe riaktivizimi i sektorit minerar dhe metalurgjik në Kosovë. Përfitimet në këta dy sektorë janë shumë të mëdha dhe mendoj që shlyerja e borxheve nuk do të ishte barrë për gjeneratat e ardhshme”, tha Gashi.
Ndërkaq, Safet Grëxhaliu thekson se duhet të anashkalohet qasja e marrjes së kredive për t’u investuar në infrastrukturë, por është koha, thotë ai, që të përmbushen objektivat tjera, konkretisht fuqizimi i sektorit privat.
“Në këtë drejtim duhet vërtet të kemi më tepër institucione për hulumtim dhe zhvillim, që për fat të keq në Kosovë mund t’i gjesh pak ose fare hiç”, thekson Gërxhaliu.
Ndryshe, sipas Ligjit për Borxhet Publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë dyzet për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).
Urdhërarreste të reja kundër gazetarëve në Turqi
Sërish qeveria turke vepron kundër mediave. Sipas një raportimi mediatik është urdhëruar arrestimi i 35 gazetarëve. Ata akuzohen për lidhje me predikuesin Fetullah Gylen. Agjencia e lajmeve “Anadolu” bën të ditur, se 9 gazetarë janë arrestuar ndërkohë, por urdhërarrestet janë dhënë për 35 gazetarë. “Anadolu” njoftoi të enjten (10.08), se mes të arrestuarve është edhe redaktori i gazetës kritike “Birgün”. Gazetarët akuzohen për lidhje me predikuesin Fetullah Gylen, të cilin qeveria turke e bën përgjegjës për përpjekjen për puç në korrik 2016. Sipas Anadolu ata akuzohen për anëtarësinë në një organizatë terroriste. Gazetarët akuzohen konkretisht se kanë përdorur shërbimin e mesazheve të celularëve, ByLock. Përmes këtij shërbimi ndër të tjera kanë komunikuar edhe përkrahësit e Gylenit, për përgatitjen e puçit. Qeveria turke e përdor ByLock si provë kundër përkrahësve të Gylenit. Kush e ka këtë App në celularin e tij, sipas Ankarasë është i dyshuar për lidhje me lëvizjen e ndaluar të Gylenit. Sipas autoriteteve turke ky App u zhvillua qëllimisht për lëvizjen Gylen, me qëllim që anëtarët e saj të komunikojnë në mënyrë të koduar me njëri-tjetrin. Sipas tyre ky shërbim nuk gjendej gratis në internet, por dhurohej brenda lëvizjes Gylen. Por shërbimi i BYLock ka qenë ofruar në internet gratis nga shtatori 2014 atë mund ta gjeje e shkarkoje në “Apple App store” dhe nga marsi 2015 në “Google Play Store”.