Rreth 50 emigrantë nga Somalia dhe Etipoa janë mbytur qëllimisht kur kontrabandistët i kanë detyruar që të hidhen nga anija në det, kur iu afruan brigjeve të Jemenit. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Migracionin (IOM) raportoi se trafikanti i qënieve njerëzore detyroi më shumë se 120 emigrantë të hidhen në det në bregun Shabwa përgjatë Detit Arab, duke e konsideruar këtë ngjarje “shokuese dhe çnjerëzore”. Sipas raportit të IOM në një deklaratë, janë gjetur në plazh 29 emigratë të vdekur në varre të improvizuara gjatë një patrullimi rutinë. Ndërsa theksohet se janë shpëtuar 27 të mbijetur, të cilët kanë ndaluar në plazh, ndërkohë emigrantët e tjerë janë larguar. Agjensia tha se, janë të paktën 22 të zhdukur. Sipas IOM mosha mesatare e refugjatëve në anije besohet të jetë mosha 16-vjeçare. Kontrabandisti dyshohet se i hodhi në ujë, kur panë një barkë që i përkiste autoriteteve që po afroheshin. Të vdekurit ishin varrosur me shpejtësi nga ata që mbijetuan dhe IOM tha se po punojnë ngushtë me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të siguruar kujdesin e duhur për mbetjet e imigrantëve të vdekur.
Tensionet Izrael-Hamas
Izraeli do të përshpejtojë ndërtimin e një barriere të madhe në kufirin e saj me Gazën, me qëllim parandalimin e hapjes së tuneleve nën-kufitare nga militantët. Ndërtesa 64 km e gjatë do të arrijë një thellësi 40 metra nën tokë dhe 6 metra mbi tokë, me një kosto prej 833 milionë dollarësh. Sipas një komandanti të ushtrisë izraelite, i gjithë ndërtimi pritet të përfundojë në vitin 2019. Izraeli ka bërë përpjekje për të neutralizuar kërcënimin që vjen nga tunelet ndërkufitare që prej luftës me militantët në Gaza në 2014. Gjatë 50 ditëve betejë, luftëtarë nga Hamasi i përdorën tunelet për t’u infiltruar në territorin izraelit në 4 raste, duke vrarë 12 ushtarë. Trupat izraelite shkatërruan më shumë se 30 tunele dhe kanë gjetur 2 në përfundim të luftës. Ky konflikt ka lënë të vdekur më shumë se 2,251 palestinezë dhe ka plagosur 11,231 të tjerë. Në kampin izraelit, 67 ushtarë dhe 6 civilë janë vrarë, ndërkohë që 1,600 janë plagosur. Një pjesë e barrierës së re do të zgjatet deri në Detin Mesdhe, në një përpjekje për të penguar sulmet nënujore, taktikë e përdorur më parë nga militantë të Hamasit. Sipas raportimeve të medias lokale, makineria e përdorur për ndërtimin e barrierës së re do të shkatërrojë çdo tunel ekzistues, ndërkohë që vetë barriera do të përdorë teknologjinë e sofistikuar për të kapur ndërtimin e ndonjë tuneli të ri.
Sërish tensione SHBA-Kubë, përjashtohen 2 diplomatë kubanë
Uashingtoni ka përjashtuar dy diplomatë kubanë, pasi stafi i ambasadës amerikane në Havana shfaqi simptoma fizike misterioze, sipas Departamentit amerikan të Shtetit.
Një zyrtar i qeverisë i cituar nga agjensia e lajmeve “Reuters” u shpreh se një pjesë e stafit të ambasadës amerikane pësuan humbje të dëgjimit. Mendohet se kjo mund të jetë shkaktuar nga një lloj pajisjeje sonike e vendosur jashtë shtëpive të diplomatëve.
Sipas zëdhënëses Heather Nauert, vitin e kaluar stafi i ambasadës amerikane ishte ankuar për këto simptoma të çuditshme. Edhe pse ato nuk ishin kërcënuese për jetën, Nauert zbuloi se disa persona ishin kthyer në SHBA si rezultat.
Ministria e Jashtme e Kubës është angazhuar në hetimin e këtyre pretendimeve. Zyrtarët e quajtën të pajustifikueshme shkarkimin e stafit kuban, por shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me Uashingtonin në sqarimin e situatës. Palët i rivendosën marrëdhëniet vetëm në 2015, pas 50 vitesh armiqësi mes dy vendeve.
Australia reagon e alarmuar për luftën mes Koresë dhe SHBA-së
Kërcënimet e flakta mes Amerikës dhe Koresë së Veriut duket se kanë alarmuar mbarë botën. I fundit që ka reaguar ka qenë Kryeministri australian, Malcolm Turnbull. Pas rritjes së tensioneve midis Uashingtonit dhe Phenianit, ai paralajmëroi sot se konflikti me Korenë e Veriut do të ishte shkatërrimtar, Presidenti Donald Trump tha dje se do të përgjigjej me “zjarr dhe zemërim”, nëse Koreja e Veriut do të vazhdonte me kërcënimet bërthamore, ndërsa Pheniani ka lajmëruar se është duke shqyrtuar një sulm me raketa kundër territorit amerikan të Guamit. Gjatë një konference për shtyp, në Canberra, Turnbull u tha gazetarëve se e vetmja mënyrë për të ndaluar kërcënimet e Koresë së Veriut ishte “presioni maksimal ekonomik”, duke mbështetur sanksionet reja të vendosura nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Ministrja e Jashtme, Julie Bishop tha se situata mund të përfshihet në një konflikt akoma më serioz, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tërhiqeshin për të shmangur përshkallëzimin e krizës. Ndërkohë, Koreja e Veriut ka deklaruar se plani i saj për të sulmuar me katër raketa territorin amerikan të Guamit do të jetë gati nga mesi i gushtit. Media shtetërore tha se raketat “Hwasong-12” do të kalonin mbi Japoninë dhe do të shpërthejnë në det rreth 30 kilometra larg Guamit. Mësohet se plani u miratua nga Kim Jong-un. Lideri suprem i Koresë së Veriut denoncoi paralajmërimet e Donald Trump për “zjarri dhe tërbim kundër regjimit” dhe tha se presidenti amerikan ishte i “paarsyeshëm”. SHBA-ja ka paralajmëruar Veriun se veprimet e Kim Jong-un mund të nënkuptojnë fundin e regjimit të saj.
Gjermania do t’i kthejë refugjatët në Greqi
Ministri grek për Emigracion, Giannis Mouzalas deklaroi mbrëmë se, Athina së shpejti do të pranojë një numër refugjatësh, të cilët Gjermania do t’i kthejë në Greqi. “Numri do të jetë i vogël. Në muajt e ardhshëm, do të pranojmë disa qindra persona”, tha Mouzalas gjatë një paraqitjeje televizive. Gjermania në vitin 2011 kishte vendosur të ndalonte kthimet e tilla në Greqi, pasi paraprakisht një Gjykatë e Lartë e BE-së vlerësoi se kushtet në kampet greke janë të papranueshme. Sipas Konventës së Dublinit nga viti 1990, refugjatët duhet të kërkojnë azil në shtetin e parë të BE-së në të cilin arrijnë. Mouzalas tha se, kjo do të ishte një veprim simbolik dhe një “gjest i vullnetit të mirë” ndaj një vendi që ka pranuar dhjetëra mijëra refugjatë nga Greqia, dhe se nuk është një ribërje e Konventës së Dublinit. Ministri gjithashtu tha se, ata kishin një detyrë të vështirë të integrimit të rreth 50 mijë refugjatëve që kërkonin azil në Greqi. Dhjetëra mijëra refugjatë mbetën të bllokuar në Greqi, pasi shkurtin e kaluar vendet e Ballkanit mbyllën kufijtë e tyre për kalimet e refugjatëve.
Venezuelë, qeveria vijon me masat totalitare
Asambleja Kushtetuese e Venezuelës miratoi një ligj që krijon një institucion të quajtur Komisioni i së Vërtetës. Komisioni do të drejtohet nga Delcy Rodrigez, e cila gjithashtu udhëheq asamblenë. Sipas Rodrigez, komisioni do të hetojë akte dhune që janë kryer për qëllime politike apo mungesë tolerance. Por kritikët dhe analistët thonë se, kjo është një tjetër mënyrë për të shtypur opozitën dhe për të sulmuar krerët e saj. Asambleja kushtetuese u krijua që të rishkruajë Kushtetutën, por deri tani është marrë me gjëra të tjera si shkarkimi i kryeprokurores Lusia Ortega dhe miratimi i një ligji që nuk lejon Parlamentin e kontrolluar nga opozita të ndërhyjë në vendimet e Asamblesë. Në fakt, qëllimi i Asamblesë Kushtetuese është mënjanimi i Parlamentit dhe rritja e fuqive të Presidentit Nicolas Maduro dhe fakti që çdo vendim asambleja e ka miratuar unanimisht, tregon qartë varësinë nga qeveria. Vetë Presidenti Maduro, pavarësisht kritikave të ashpra, edhe nga Papa Francesku, për krijimin e asamblesë, vijoi me planin e tij dhe në fakt, krijimi i asamblesë thjesht ka përkeqësuar situatën kaotike në Venezuelë. Qeveria fajëson terroristët e djathtë për dhunën në vend, por vetë OKB e ka përgënjeshtruar këtë, pasi tha se shumica e viktimave në vend gjatë protestave janë vrarë nga forcat e sigurisë.
SHBA-Kore e Veriut: Provokimet vazhdojnë
Edhe sa kërcënime do të jepen, derisa njëra palë vërtet t’i bëjë ato realitet? Ministri amerikan i Mbrojtjes, Mattis, paralajmëron “shfarosje”, Koreja e Veriut planifikon të sulmojë ishullin Guam. Në grindjen atomike me Korenë e Veriut, ministri amerikan i Mbrojtjes, James Mattis ka paralajmëruar Phenjanin nga “shfarosja” e popullit të vet. Koreja e Veriut është nga pikëpamja ushtarake dukshëm më inferiore përballë Shteteve të Bashkuara, ka thënë Mattis në Uashington. Ai i bëri thirrje qeverisë koreanoveriore të heqë dorë nga zhvillimi i mëtejshëm i programit të saj atomik dhe paralajmëroi me forcë në rast të “aktiviteteve që do të çonin në fundin e regjimit dhe shfarosjen e popullit”. Edhe Presidenti Trump ishte shprehur me tone luftarake më parë. Në Twitter ai shkroi se arsenali bërthamor i Shteteve të Bashkuara është “më asgjësues se kurrë më parë”.
Sulmi ndaj Guamit i mundshëm në mes të gushtit
Por qeveria koreanoveriore u tregua demonstrativisht e patrembur, duke i atestuar Presidentit amerikan mungesën e “çdo lloj aftësie për të kuptuar situatën”. “Dialogu faktik me një tip të tillë jashtë çdo arsyeje është i pamundur, vetëm me forcë të patundur mund t’i dalësh ballë atij”, thuhet në një prononcim të forcave të armatosura, të cituara nga agjencia e lajmeve, KCNA.
Në të njëjtën kohë, Koreja e Veriut ka kërcënuar me sulm ndaj ishullit Guam në Paqësor, në të cilin gjendet një bazë ushtarake amerikane. Deri në mesin e gushtit thuhet, se do të jetë gati plani i aksionit, për të goditur Guamin me katër raketa me rreze të mesme veprimi të tipit, Huasong 12, plan për të cilin do të vendosë Kim Jon Un.
Në të njëjtën kohë edhe Koreja e Jugut ashpërson tonet. Kreu i forcave të armatosura koreane, Roj Jae Cheon u shpreh se, nëse Koreja e Veriut nuk i lë “provokimet” ajo do të ndeshet me “shpagimin e fortë dhe të patundur të aleatëve”. Kina e ka kritikuar luftën verbale mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut. Pa “një kthim tek arsyeja” gjërat do të përkeqësohen”, thuhet në një koment të Pekinit.
SHBA-Kore e Veriut: Vringëllimi i rrezikshëm i shpatave
Trump nuk njihet për fjalët e përmbajtura, por kërcënimet e tij ndaj Koresë së Veriut kanë një tonalitet të ri. Ky konflikt është maksimalisht i rrezikshëm, palët rrezikojnë të bëhen pre e retorikës mendon Miodrag Soric.
Donald Trump kërcënon Korenë e Veriut me “zjarr, zemërim dhe fuqi”, si bota nuk e ka parë ndonjëherë. Pse nuk duhet që bota t’i shohë këto fjalë të këtij Presidenti -si shumë të tjera- si fjalë boshe? Si njoftime të reja të një politikani të vetëdashuruar, por që në fund pasohen nga veprat? Përgjigjja: Sepse kjo luftë verbale në fund mund të shkallëzohet deri në një përplasje ushtarake, me pasoja fatale për miliona njerëz. Ky nuk do të ishte konflikti i parë, që fillon me gjeste kërcënuese, por që del nga kontrolli në një moment të caktuar e kalon në një luftë shkatërruese.
Kryekomandanti i ushtrisë më të fuqishme të botës
Presidenti amerikan është kryekomandati i ushtrisë më të fuqishme të botës. Pikërisht për këtë fakt, ai duhet t’i zgjedhë me shumë kujdes fjalët dhe kërcënimet e këtij lloji t’i bëjë vetëm atëherë, kur është edhe i gatshëm të godasë me mjete ushtarake, por kujdesi, përllogaritja, racionaliteti dhe vetëpërmbajtja nuk janë tipare karakteristike të këtij Presidenti. Për fat të keq! Sepse ai nuk e ruan gjakftohtësinë. Përkundrazi është njeri gjaknxehtë dhe bën politikë nisur nga emocionet, është impulsiv, nuk ka durim, e për këtë arsye është i rrezikshëm. Pikërisht për këto arsye, kështu tha Presidenti Obama, i papërshtatshëm për të qenë kryekomandanti i forcave të armatosura amerikane.
Por votuesi amerikan vendosi ndryshe. Çdo shpresë që Donald Trumpin do ta formësojë posti, që do të veprojë e formulojë me kujdes ndërkohë është shuar. Fjalët e Trumpit drejtuar qeverisë koreanoveriore e vërtetojnë edhe njëherë këtë.
Me kërcënimin e Presidentit vihet në lojë besueshmëria e vendit. Nëse Uashingtoni do të lëshonte pe, gjë që do të ishte e arsyeshme, këtë do ta shënonin në regjistër kandidatë të tjerë dhe kundërshtarë të Amerikës. Nëse u jepej rasti, ata do të ndiqnin shembullin e Koresë së Veriut, dhe po ashtu do t’i hakërroheshin SHBA-së. Për pasojë, kjo nënkupton që tani Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ulin kokën e tregonin dobësi para një regjimi kriminal si ai i Koresë së Veriut. E megjithatë nuk duhet që zhvillimet e tanishme të përfundojnë në një luftë, që do ta çonte të gjithë vendin në katastrofë.
Ky konflikt mund të çtensionohet, vetëm nëse të dyja palët tërhiqen. Ose nëse një ndërmjetësues i ndershëm ndihmon që situata të mos shpërthejë. Të dyja mungojnë tani. As SHBA dhe as Koreja e Veriut nuk duan të lëshojnë pe. Ndërmjetësues të mundshëm si Kina apo Rusia bëjnë lojën e tyre. Vërtet që Pekini dhe Rusia janë kundër që armët atomike të jenë në duart e një regjimi si ai i Kimit, por ato kanë më shumë frikë nga zgjerimi i influencës amerikane, nëse ky diktator bie. Kështu gjendja e status-quo-së me një regjim stalinist është në interesin e tyre.
Kush i bën llogaritë gabim në fund?
Por duket qartë Trump që nuk do ta pranojë këtë. Ai kërkon çarmatimin e Koresë së Veriut, por këtë-për momentin-mund ta bëjë vetëm me dhunë. Lidershipi koreanoverior nga ana tjetër bën llogari se Trump në fund nuk do të jetë i gatshëm për luftë dhe e zhvillon më tej armatimin. Ky regjim beson, se vetëm me zotërimin e armëve atomike mund të garantojë mbijetesën në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Një gjendje e rrezikshme e një qorrsokak, ku në fund të dyja palët mund t’i bëjnë llogaritë gabim. Trump është i zhgënjyer, sepse programi i tij qeverisës vërtet që nuk po ecën përpara, partia e tij po e lë në baltë dhe përkrahësit e tij prej kohësh janë të zhgënjyer.
…E nuk do të ishte lufta e parë që shpërthen jashtë vendit, për të tërhequr vëmendjen nga problemet e brendshme.
Koreja V. me plan të detajuar për sulm afër ishullit Guam
Koreja Veriore e ka prezantuar një plan të detajuar për lansimin e raketave në ishullin Guam, territor i Shteteve të Bashkuara në Oqeanin Paqësor, duke shtuar se vetëm me “një forcë të tillë absolute” mund ta përballojnë Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Komandanti i Forcave Strategjike në Ushtrinë Popullore Koreane, gjenerali Kim Rak Gyom, është cituar të ketë thënë nga mediumi shtetëror KCNA, se Penjani është duke planifikuar të lansojë katër raketa Hwasong-12, të cilat do të fluturojnë mbi territorin e Japonisë dhe do ta arrijnë 30 kilometra larg ishullit Guam.
Në ishullin Guam, që gjendet 3,400 kilometra larg gadishullit korean, gjenden rreth 160,000 trupa të ushtrisë amerikane. Kim, ka thënë se plani do të finalizohet në mes të muajit gusht dhe më pas ushtria do të duhet të pres urdhrat nga lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un. Kim, ka thënë po ashtu se deklaratat e Presidentit Trump ka qenë të pakuptimta, duke mos e trajtuar seriozisht situatën e rëndë. Ai i ka bërë këto deklarata, duke iu referuar komenteve të Presidentit Trump, i cili ka thënë se Koreja do të përballet me “zjarr dhe ashpërsi, ashtu siç nuk ka parë bota më parë”, në rast se kërcënon prapë SHBA-në.
“Nuk mund të bisedojmë ndryshe me një person të tillë të paarsyeshëm, përveç përdorimit të forcës absolute”, ka thënë Kim.
Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Rex Tillerson, ka thënë se ai beson që komentet e Presidenti Trump, kanë qenë “mesazh i qartë për gjuhën të cilën e kupton Kim Jong Un, pasi duket se ai nuk e kupton fjalorin diplomatik.
Në disa postime të tjera përcjellëse, Trump, ka thënë se SHBA, e ka arsenalin bërthamor më të fuqishëm në botë, mirëpo shpreson të mos e përdorë asnjëherë.
Sekretari i shefit të kabinetit të Japonisë, Yoshihide Suga ka thënë se kërcënimet e Penjanit për të nisur raketa në Guam janë “absolutisht të papranueshme”.
Koreja Veriore, ka lansuar raketën e dytë balistike interkontinentale më 28 korrik, duke pretenduar se ka kapacitet për të arritur në gjithë tokën amerikane.
Në përgjigje të kësaj, OKB-ja i ka vënë sanksionet më të rënda kundër Penjanit.
Dënohet me burg aktivisti që protestoi kundër Putinit
Një gjykatë ruse e ka dënuar, Andrei Kosykh, me katër vite burgim, me arsyetimin se ai ka marrë pjesë në një protestë kundër qeverisë së Presidentit, Vladimir Putin, më 26 mars.
Gjykata në distriktin Tver në Moskë, e ka shpallur të fajshëm, Andrei Kosykh, për shkaktim të lëndimeve trupore ndaj dy zyrtarëve policorë, gjatë mbajtjes së protestës.
Marshet kundër korrupsionet janë mbajtur në Moskë dhe 100 qytete tjera në Rusi.
Këto protesta, të mbajtura më 26 mars, konsiderohen në mesin e marsheve më të mëdha kundër qeverisë së Presidentit Vladimir Putin, prej valës së protestave më 2011-2012.
Shumica e këtyre protestave janë mbajtur pa lejen e qeverisë.
Policia ka ndaluar më shumë se 1,000 persona në Moskë, duke përfshirë edhe liderin opozitar, Aleksei Navalny, i cili pati bërë thirrje për këto protesta.
Kosykh, është pjesëmarrësi i katërt deri më tash, që është shpallur fajtor, për shkak të pjesëmarrjes në protesta.