20.5 C
Tirana
E shtunë, 14 Qershor, 2025

Nuk bëhet striptizëm me zjarret

Bledi KASMI

Kur vendi digjet dhe bukuroshet krihen;

Kur pilotët e një ushtrie të një vendi në NATO bien dëshmorë jo në mision për të mbrojtur sovranitetin territorial, por duke qenë pjesë e misioneve ndërkombëtare të narkotrafikantëve që shpërndajnë drogën nga Maroku në Spanjë;

Kur aeroportet ushtarake të një vendi të Aleancës së Atlantikut kthehen në pista fluturimesh ku ngrihen avionët me ngarkesa hashashi të baronëve të drogës;

Kur helikopterët e blerë me miliona euro të taksapaguesve shqiptarë rrëzohen jo në misione lufte të Aleancës as në operacione shpëtimi, por duke ngritur pllakat e vilës alpine të ministres në Vermosh;

Kur pilotët vriten sepse detyrohen që të ngarkojnë trefishin e kapacitetit jo me ushtarë, por me material ndërtimi për vilën e ministres;

Kur fondet e ministrisë dhe të qeverisë zvogëlohen duke shkelur detyrimin që kemi ndaj Aleancës së Atlantikut vetëm se këto fonde duhet të shkojnë për luksin e ministrave;

Kur kolonelë të ushtrisë të vlerësuar nga NATO dhe SHBA për rolin e tyre në misionet në Irak dhe Afganistan shkarkohen duke u zëvendësuar me hajdutë xhepash;

Atëherë është e kuptueshme se në këtë vend, në një ditë si kjo e sotmja, kur në të gjithë vendin ka qindra vatra zjarri që po shkretojnë mijëra hektarë pyje, qeveria nuk ka asnjë faj që është nisur me pushime. Faji është i denoncuesve të këtij realiteti. I të vetmes media të pakapur nga pushtat e oligarkisë që ministrja e tubit grek me një fjalor të huazuar nga shefi i saj, që trajtohet si palaço në samitet ndërkombëtare, e quajti dje “fundkazani mediatik”.

Helikopterët kanë rënë të ngarkuar me pllaka, ndërsa pilotët janë pakësuar duke humbur jetën në këto operacione ose në ato të shpërndarjes së drogës, për pasojë sot s’kemi as pilotë, as helikopterë që të luftojnë me zjarret.

Nuk ka as fonde dhe as mjete. Fondet e emergjencave civile janë qesharake. Vetëm 1.2 milionë euro, ndërkohë që vetëm për arredimin e zyrave në Kryeministri këtë vit u shpenzuan 30 milionë euro.

Me zjarret nuk bëhet striptizëm zonja ministre.

Sot do të duhet të kishim një flotë helikopterësh dhe pilotësh në dispozicion të këtyre ditëve, por nuk i kemi. Zvarritemi duke kërkuar nga fqinjët të cilët duke parë seriozitetin e kreut të qeverisë që noton në Dhërmi dhe ministres që pozon me bikini ndërsa vendi digjet, natyrisht që nuk kanë asnjë arsye që të na marrin seriozisht dhe të na dërgojnë helikopterët e tyre sepse tanët i përdorim në vend të betoniereve.

Fondi i Emergjencave 30 herë më pak se ai i luksit në Kryeministri

Mungesa e fondeve për emergjencat civile po bën që sot Shqipëria të përballet me një situatë të jashtëzakonshme, ku vatrat e zjarrit po asgjësojnë me mijëra pyje e kullota, ndërsa po kërcënojnë seriozisht banesa e jetë njerëzore. Qeveria nuk e shpall gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të mungesës së fondeve, duke lënë në mëshirë të fatit vendin nga rënia e zjarreve. Ndërsa shpenzohen 30 milionë euro për arredimin e zyrave në kryeministri, për situatën dramatike me të cilën po përballet vendi sot për shkak të zjarreve vet Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli tha se janë shpenzuar vetëm 250 mijë dollarë apo 300 milionë lekë të vjetra. Qeveria ka ulur në minimum fondin e emergjencave për të gjitha llojet e fatkeqësive natyrore. Ky fakt vërtetohet po të shikosh fondet e qeverisë për Emergjencat Civile. Ndërsa në vitet 2013-2014 fondi i Emergjencave Civile ishte më shumë se 6 milionë euro ose 775 milionë lekë, për vitin 2017 ky fond u la nga Rama vetëm 164 milionë lekë. Ulja e tij filloi në vitin 2015, kur nën dirigjimin e Ramës, fondi i Emergjencave u ul në 144 milionë lekë ose rreth 1.2 milion euro, ndërkohë që Rama i shtoi këtij fondi dhe 20 milionë lekë të tjera gjatë përmbytjeve që ndodhën në janar-shkurt të këtij viti, duke e çuar në total në 164 milionë lekë. Kjo është shuma që është parashikuar nga qeveria për Emergjencat Civile, ndërsa Shqipëria është përfshirë nga zjarret. Një shumë qesharake, sa gjysma e parave që Rama harxhoi për ekspozita në New York, Berlin apo Kinën e Largët, si pjesë e pasionit të hershëm të rinisë së tij, por që po e promovon sot, duke përfituar nga benefitet që i jep pushteti dhe administrimi i parave publike. Por në rast se është treguar dorështrënguar për fondet e emergjencës për njerëzit në nevojë, Rama nuk shfaqet i tillë, përsa i përket shpenzimeve vetjake në Kryeministri. Në rast se për tre milionë banorë ai ka akorduar vetëm 1.2 milionë euro për emergjencat e vitit 2017, për Kryeministrinë ka akorduar 30 milionë euro. Shpenzimet janë bërë për fusha tenisi në Kryeministri, kondicionerë (plot 530 mijë euro), 6.7 milionë euro për karrige dhe tavolina, se helbete këto që janë s’ia mbushin syrin liderit global, makina, rikonstruksion të vilës së Mehmet Shehut, që ai përdor për gjumin e drekës dhe të tjera si këto. Pra, Rama shpenzon 30-fishin e fondit që jep për Emergjencat Civile, pasi më emergjente konsideron ngritjen e fushës së tenisit apo vendosjen e kondicionerëve të rinj nëpër ambientet ku rri ai dhe detashmenti i tij, ndërkohë që Shqipëria ndodhet në flakë. Kryeministri harxhon rreth 45 mijë euro për çdo person në Kryeministri, ndërkohë që me ato para mund të shuheshin flakët e zjarreve, duke marrë mjete të specializuara nga jashtë shtetit.

Luksi kryeministror
Edi Rama përgjatë katër viteve të qeverisjes duket se ka pasur një pasion të shfrenuar për rritjen e shpenzime të luksit. Janë ato shpenzime që kanë të bëjnë me mobilime zyrash, makina të shtrenjta për ofiqarët apo shpenzime për rikonstruksione vilash qeveritare etj. Për shembull, për vitin 2017, që ishte dhe vit elektoral, në buxhetin e shtetit ka planifikuar 30 milionë euro shpenzime vetëm për Kryeministrinë. Në vitin 2015 shpenzimet e luksit për qeverinë arritën në shifrën e 91 milionë eurove dhe në vitin 2016 kjo shumë shkoi në rreth 22 milionë euro. Pra, në tre vitet e fundit, vetëm për arredime zyrash dhe jetë sheikësh qeveritarët e mazhorancës me në krye Ramën kanë shpenzuar jo pak, por 140 milionë euro. Për vitin 2017 Rama ka akorduar në buxhet 30 milionë euro për arredim zyrash dhe shërbime të tjera të luksit vetëm në aparatin e kryeministrit. Bazuar në numrin e punonjësve që ka ky institucion, Rama duket se ka akorduar rreth 43 mijë euro në vit për çdo punonjës. Kjo shumë do të ishte e barabartë me pagën vjetore të 1145 pensionistëve ose me rreth 10 mijë bursa studentësh, sa gjysma e atyre që shkelin në një vit në auditore. Shifrat janë kokëforta dhe kjo është pasqyruar dhe në buxhetin e botuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave. Për vitin 2017, Kryeministri do të shpenzojë 530 milionë lekë (të vjetra) ose 350 mijë euro vetëm për blerje kondicionerësh. Një shumë kjo e pamenduar për këtë produkt, por të kemi parasysh çmimet e tyre në tregun vendas, që një kondicioner normal nuk kushton më shumë se 300 euro. Për çfarë i duhen kryeministrit kondicionerë kaq luksozë, ndërkohë që Kryeministria është e pajisur me to? Por për këtë vit, nga buxheti i shtetit, nga taksat e qytetarëve kryeministri do të shpenzojë rreth 6.7 milionë euro për tavolina e karrige, pra për arredimin dhe një milion euro të tjera për blerje makinash. Këto janë shuma astronomike për një vend si i yni, kur njerëzit rrojnë me 5 euro në ditë sipas Bankës Botërore.

Parkingu tjetër me pagesë në qendër të Tiranës

Bashkia e Tiranës synon të shtojë një parkim të ri në qendër të qytetit. Tirana Parkim që është në varësinë e Bashkisë parashikon që të kryejë një studim dhe projektim për një hapësirë të re parkimi ngjitur me Infosoft dhe në krah të qendrës tregtare “Toptani”. Sipas dokumenteve bashkëlidhur njoftimit të Tirana Parkim bëhet me dije se kostoja e studimit do të limitohet brenda shumës 550 mijë lekë, ndërkohë që ndërtimi dhe montimi parashikohet të jetë mbi 7.3 milionë lekë. “Sheshi i parkimit do t’i nënshtohet gërmimit dhe prishjes së elementëve të betonit, si dhe nivelimit të sipërfaqes përkundrejt kuotave faktike të terrenit. Ai ka një sipërfaqe rreth 1440 m2 dhe rrugët të cilat kufizohen me këtë shesh kanë infrastrukturë të rregullt me kanalizime dhe sistem të ujërave të shiut.
Duke llogaritur një sipërfaqe 25m2 parkim objekti ka një pritshmëri prej 57 vendparkimesh. Është pikërisht ky objektivi kryesor i termave të referencës për hartimin e projektit”, thuhet në dokumentet e Tirana Parking. Aktualisht sistemi i parkimit me pagesë në kryeqytet është shtrirë në një zonë pilot dhe në disa sheshe kryesore. Më i fundit që iu shtua listës është parkimi nëntokësor tek Sheshi Skënderbej. Në deklaratat që ka bërë më herët kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është vënë theksi tek të ardhurat në rritje nga parkimi, si dhe shtrirja e projektit të parkimit me pagesë në gjithë kryeqytetin brenda këtij viti.
Në buxhetin e Bashkisë për vitin 2017 u parashikuan të paktën 450 milionë lekë të ardhura nga parkimi dhe për vitin 2019 pritshmëritë janë që ky zë të regjistrojë një vlerë mbi 530 milionë lekë. Referuar shifrave të zbatimit faktik rezulton që për 2016 të jenë paguar 300 milionë lekë nga 72 milionë lekë në vitin 2015.

Emergjencat, BE: Shqipëria abuzim fondesh

Zjarret e shumta që po përfshijnë Shqipërinë kanë krijuar një gjendje të vështirë dhe pasojat do të jenë të rënda. Ajo që shpesh thuhet në media, pohohet edhe në raportin e fundit të Bashkimit Evropian, sipas të cilit Shqipëria ka mungesë të menaxhimit të të dhënave. “Ka progres, deri diku, me ministritë e linjës në ngritjen e zyra të informacionit dhe menaxhimit të emergjencave civile, por nuk ka pasur progres në nivel lokal dhe rajonal”, thuhet në raport. Po kështu, në raport vijohet të vihet në pah se kapaciteti i institucioneve për menaxhimin e emergjencave civile është i ulët. “Kapaciteti institucional dhe bashkëpunimi midis institucioneve të mbikëqyrjes duhet të forcohen për të siguruar veprim të efektshme ndaj situatave të emergjencës”, nënvizohet në raport. Po ajo që është më e rënda është fakti se Bashkimi Evropian në raportin e vet për Shqipërinë e ka cilësuar sektorin e emergjencave civile, si një nga sektorët ku abuzohet më shumë me fondet publike. “Keqmenaxhimi i fondeve publike lidhet kryesisht me emergjencat civile, pagesën e detyrimeve të prapambetura dhe kontrata punësh publike, furnizime e shërbime”, theksohet në raport.

Shqipëria në flakë, mbi 700 vatra gjatë një muaji

Shqipëria ndodhet në flakë nga Jugu në Veri, ndërsa kryeministri Rama vazhdon i qetë pushimet në ujërat e detit. Mbi 700 vatra zjarri kanë rënë në të gjithë vendin që nga muaji qershor, një shifër e lartë për vendin tonë. Me mijëra hektarë pyje janë shkatërruar gjatë këtyre ditëve. Pasojat që do të sjellë mungesa e pemëve dhe pyjeve do të jetë katastrofike për vendin tonë, thonë specialistë të ndryshëm. Sa shuhet një vatër zjarri, të tjera më të rrezikshme krijohen dhe askush nga Emergjencat Civile nuk di të thotë se edhe sa ditë Shqipëria do të vijojë të jetë në flakë.
Gjatë ditës së djeshme janë riaktivizuar disa vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa situata paraqitet më alarmante në Tiranë, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër. Bëhet e ditur se, në Gjirokastër pranë fshatit Jorgucat është regjistruar një tjetër vatër zjarri. Pas ndërhyrjes së zjarrfikëses u bë e mundur vënia nën kontroll e flakëve, të cilat deri në këto momente vazhdojnë në Qafën e Muzinës, por larg zonave të banuara. Po ashtu, bëhet e ditur se nga zjarri i rënë një ditë më parë në fshatin Turan të Tepelenës janë djegur rreth 74 ha kullotë e shkurre si dhe janë dëmtuar 500 rrënjë ullinj, 900 pemë frutore, por dhe vreshta me hardhi.
Vendi vijon të jetë i përfshirë nga flakët, vatra të reja zjarri që regjistrohen janë kthyer në një kërcënim serioz. Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 24 vatra të reja zjarri, ku situatë e vështirë ka qenë edhe në Ulëz të Matit, ku flakët iu afruan zonave të banuara. Pas ndërhyrjes së ushtrisë është bërë e mundur lokalizimi i flakëve, por pa e shuar përfundimisht atë.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe 13 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.
QARKU DIBËR
Zjarri në fshatin Madhesh, Bashkia Burrel, ka qenë aktiv duke rrezikuar dhe një banesë. Në Zerqan, Bashkia Bulqizë, kanë qenë aktive 2 vatra zjarri. Bashkë me zjarrfikësit janë angazhuar edhe forca vullnetare si dhe forca të shërbimit pyjor, të cilët po punojnë për të izoluar zjarrin në një terren të thyer malor.
QARKU LEZHË
Në Malin e Rrencit, Shëngjin, Bashkia Lezhë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha. Janë riaktivizuar vatrat e zjarrit pranë Kishës së Shën Ndout në Bashkinë Kurbin. Zjarrfikësit, së bashku me banorë të zonës dhe forca ushtarake kanë shkuar në vendngjarje, por për shkak të terrenit të thyer malor e kanë pasur të pamundur për të vepruar. Është ndërhyrë edhe me helikopter për të lokalizuar vatrat e zjarrit.
QARKU TIRANË
Në fshatin Mushqeta, në afërsi të tunelit të Krrabës ka vazhduar puna e forcave zjarrfikëse për të shuar zjarrin e rënë në pyllin me shkurre dhe dushqe. Zjarrfikësit janë mbështetur edhe nga forca ushtarake si dhe një helikopter. Vatrat e zjarrit janë izoluar përkohësisht. Zjarri i rënë në fshatin Cikallesh, Bashkia Kavajë ka qenë aktiv edhe ditën e djeshme. Zjarrfikësit së bashku me banorë të zonës kanë shkuar në vendngjarje, por për shkak të terrenit të vështirë ka qenë e pamundur për të vepruar. Eshtë ndërhyrë me helikopter dhe vatrat e zjarrit janë ulur, ndërkohë vazhdon operacioni për shuarjen e zjarrit. Në Malin e Derjes pranë fshatit Shëngjergj të Bashkisë Tiranë kanë pasur vatra zjarri aktive. Zjarrfikësit, punonjës së Zonave të Mbrojtura dhe Forca Ushtarake kanë punuar për shuarjen e zjarrit, por ka qenë e pamundur shuarja për shkak të terrenit të thyer malor dhe erës. Pritet të ndërhyhet me helikopter.
QARKU ELBASAN
Në qytetin Librazhdit ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Zjarrfikësit së bashku me 30 forca ushtarake kanë punuar për izolimin e vatrave. Në fshatin Gjinar, Bashkia Elbasan ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë, por për shkak të terrenit të thyer malor dhe sipërfaqes së madhe të zjarrit nuk është e mundur që zjarri të izolohet. Janë dërguar në ndihmë edhe forca ushtarake dhe operacioni është në vazhdim.
QARKU FIER
Në fshatin Ardenicë të Bashkisë Lushnjë ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë dhe më pas me helikopter vatra e zjarrit është shuar plotësisht.
QARKU DURRËS
Në fshatin Kërtushaj, Bashkia Durrës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha pranë zonës së banuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 ha me shkurre dhe pisha.
QARKU GJIROKASTËR
Në fshatin Jorgucat të Bashkisë Dropull ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe kullotë. Në vendngjarje janë dërguar mjetet dhe zjarrfikësit bashkë me forca të ushtrisë dhe të bashkisë, por nuk kanë mundur ta shuajnë zjarrin.
QARKU BERAT
Në Parkun e Bogovës, Bashkia Skrapar, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Pritet që sot të futet në operacion helikopteri për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Zjarr i madh në Qafë-Muzinë, bllokohet rruga në Jorgucat
Një zjarr i madh ka rënë dje pasdite në Qafë Muzinë në Gjirokastër, ku nga ky zjarr u rrezikua rruga nacionale, një karburant, dy stane bagëtish dhe një stan me bletë. Policia dhe zjarrfikwsja e Gjirokastrës po punojnë për të normalizuar situatën, e cila është nën kontroll dhe është stabilizuar. Më të rrezikshme e bënte prania e një pike karburanti shumë pranë zjarrit, që u izolua nga zjarrfikësit. Në Gjirokastër zjarret në vend vazhdojnë të bëjnë kërdinë, duke djegur hektarë me pyje, por jo vetëm, dhe pavarësisht se forca të mëdha zjarrfikëse dhe helikopterë janë angazhuar në shuarjen e tyre situata mbetet kritike.
Situata e zjarrit në Gjirokastër është përkeqësuar, dhe sidomos në fshatin Jorgucat, ku vatrat e zjarrit janë zgjeruar dhe mësohet se po i afrohen zonave të banuara. Vatra e zjarrit e rënë pasditen e djeshme në Malin e Gjerë, pranë fshatit Jorgucat është ende aktive. Ndërkohë dje pasdite raportohet se herë pas here ka qenë e bllokuar edhe rruga Qafa e Muzinës-Jorgucat, për shkak të situatës së krijuar nga zjarri. Dhjetwra automjete kanë pritur në radhë.

Zjarret rrezikojnë Gjinarin turistik
Një masiv pyjor i mbuluar me pisha dhe ahe po digjet në fshatin Derstilë të Elbasanit, duke rrezikuar edhe Gjinarin turistik. Flakët janë duke djegur sipërfaqe të mëdha me shkurre dhe pisha. Për shkak të terrenit të thyer, flakët është e vështirë të fiken. Forcat dhe mjetet tashmë janë pozicionuar në afërsi të zonave të banuara, pasi zjarri po përparon me shpejtësi. Vetë banorët kanë apeluar për ndërhyrje nga ajri, pasi sipas tyre situata mbetet kritike. Lidhur me shkaqet e kwtij zjarri, policia po heton edhe për zjarrvënie të qëllimshme.

 

R.POLISI

Berisha: Qytetarët SOS, Noriega freskohet në ujërat e Dhërmiut!

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për situatën alarmante të krijuar nga flakët e zjarreve në të gjithë vendin. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se, nga fshatrat dhe qytetet lëshohet me të drejtë SOS-i për ndihmë, ndërsa kryeministri freskohet në ujërat e Jonit.
“Të dashur miq, me dhjetëra e dhjetëra vatra zjarri në të katër anët e vendit po i venë flakën Shqipërisë. Nga fshatra, qytete lëshohet me të drejtë SOS-i për ndihmë nga kryeministri që freskohet në ujërat e Jonit.
Duhet thënë se ndihmë e vetme që Noriega ofron në këtë situatë emergjence është përjashtimi i plotë i fjalëve “zjarr”, “flakë” dhe “djegie” nga fjalori i llogoresë së tij të përditshme në mexhlisë dhe media që transmetojnë edhe për-përet e tij!
E vërteta është se kjo është një verë e nxehtë dhe e thatë por vendin po e ndez edhe më flakë indiferenca kriminale e Noriegës. Ka patur vite të tjera të thata dhe shumë të nxehta me vatra të shumta zjarresh, por vendet partnere dhe NATO iu përgjigjën emergjencës së vendit me helikopterë të fuqishëm për shuarjen e zjarreve.
Përveç këtyre, u kontraktuan nga qeveria avionë të mëdhenj nga Ukraina për shuarjen e tyre dhe në tërësi u arrit kufizimi në kohë dhe shuarja e tyre.
Ndërsa sot, jo vetëm që nuk kontraktohen avionë, por as nuk blihen me urgjencë kovat e mëdha të helikopterëve ushtarakë që u blenë edhe për emergjenca të tilla, por në vend të tyre kontraktohen helikopterë të vegjël nga kompani private që mund të përdorin vetëm kova të vogla me efekt të parëndësishëm.
Ndërkohë për Noriegën pushimet vazhdojnë, sepse zjarret në Shqipëri nuk ekzistojnë!
Duke mbështetur të gjitha ata qindra e qindra qytetarë apo dhe punonjës të emergjencës civile e të tjerë që përballen kudo me këtë emergjencë të rrezikshme, dënoj si cinik e të papërgjegjshëm qendrimin e Edvin Kristaq Ramës”, shkruan Berisha.

Zjarrvënia, Prokuroria hetime ndaj bashkive për shpërdorim fondesh

Prokuroria shqiptare ka nisur hetimet në të gjithë vendin për zjarrvënie të qëllimshme nga persona të ndryshëm, të cilët sipas informacioneve të mbledhura nga Agjencitë e Inteligjencës kanë objektiv përfitimet dhe abuzimet me fondet publike dhe dëmtimin e pasurive natyrore.
Sipas verifikimeve të informacioneve për zjarret në terren, prokurorëve u ka rezultuar se këto zjarre janë në 80% të tyre në zona të pabanuara, larg rrugëve kryesore dhe në zona malore çka hedh dyshime se zjarri nuk mund të ndizej vetë qoftë dhe nga temperaturat e larta.
Shuarja e këtyre zjarreve kërkon një mobilizim dhe një faturë shumë të madhe që duhet paguar nga shteti shqiptar. Bazuar në këto referime dhe nga informacionet e raportuara nga shërbimet inteligjente grupi hetimor po analizon dhe të gjitha pagesat e kryera nga emergjencat civile, stacionet zjarrfikëse dhe pushteti lokal në vend.
Bëhet e ditur se, hetuesit do të kontrollojnë dhe veprimtarinë e kryebashkiakëve, të cilët dhe pse kanë detyrim ligjor të krijojnë stacionet zjarrfikëse në të gjithë vendin, 23 bashki as nuk e ofrojnë fare këtë shërbim dhe kjo sipas prokurorëve është shpërdorim flagrant detyrë çka bën me përgjegjësi penale drejtuesit lokalë. Këto hetime kanë nisur vetëm 2 ditë më parë, pasi është analizuar edhe një raport konfidencial i Agjencive të Inteligjencës ku rezulton se zjarret janë krijuar në mënyrë qëllimshme për të dëmtuar kurorat e gjelbërta në vend dhe mjedisin.

Skandali 2 milionë euro me byzylyqet e të burgosurve

Kompania prodhuese ka kthyer 300 byzylykët elektronikë për të dënuarit shqiptarë, pas presionit nga ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi. Bëhet e ditur se, bashkimi i tre operatorëve ekonomikë “Soft & Solution”, “Fastech” dhe “Ratech” ka dorëzuar ditën e djeshme rreth 300 byzylykët elektronikë. Pasi u konstatua se, 300 byzylykë për mbikëqyrje elektronike të të pandehurve me vlerë rreth 2 milionë euro mungonin në Ministrinë e Drejtësisë, ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi i bëri thirrje kompanisë që t’i dorëzonte. Edhe pse fillimisht kompania nuk pranoi, duke u justifikuar me një akt të Shërbimit të Provës, në fund vendosi që të dorëzonte mallin për të cilin fitoi tenderin 2 milionë euro.
Mësohet se firma do i dorëzojë byzylykët pranë Sekretarit të Përgjithshëm dhe grupit të punës të ngritur nga Ministria, i cili nga ana e tij do të verifikojë nëse përputhen teknikisht me karakteristikat e përcaktuara në kontratë.
Ministria e Drejtësisë, në muajin maj të këtij viti ka lëshuar alarmin se, institucionit i mungonin 300 byzylykë për mbikëqyrje elektronike, të personave që kanë masa ndaluese për shkak të konsumimit të veprave penale. Ministri Gazment Bardhi në shkresën e tij dërguar kompanisë kontratuese hidhte dyshime për fiktivitetin e tenderit dhe mos përputhje të pajisjeve me specifikimet në kontratë. Ndërsa bashkimi i operatorëve gjatë korrespondencës që kanë patur me Ministrinë e Drejtësisë pretendonin se, kanë dorëzuar një herë mallin që ministria kishte porositur, duke mohuar se kanë marrë sërish në dorëzim sasinë prej 300 byzylykësh të mbikëqyrjes elektronike.
Në shkresë thuhej se, këto pajisje kompania ia ka kaluar për administrim sallës së mbikëqyrjes elektronike pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës. Por ky dorëzim, sipas ministrit Bardhi ishte bërë pa kryer procedurat ligjore të kalimit të kapitalit, nga aparati i Ministrisë së Drejtësisë te Shërbimi i Provës.
Ndërkohë, në datën 11 prill të këtij viti, Shërbimi i Provës nëpërmjet një akti dorëzimi me numër protokolli 834, i dërgoi 300 byzylykët elektronikë sërish bashkimit të operatorëve. Nga ana tjetër, këto të fundit, kërkesës së ministrit Bardhi për t’i kthyer mbrapsht byzylykët iu përgjigjën se kontrata për shitjen e tyre është zbatuar njëherë dhe se Ministria e Drejtësisë i ka marrë në dorëzim. Gjithashtu thuhej se, kërkesa e Bardhit është abuzive për të vënë nën presion bashkimin e operatorëve për qëllime korruptive.
Por pavarësisht kësaj korrespondence, ministri Bardhi konstatoi se institucionit që drejton i mungojnë 300 byzylykë, me një vlerë prej 2 milionë eurosh dhe se dokumentacioni tregon se këto pajisje po administrohej në mënyrë të paligjshme nga bashkimi i operatorëve dhe jo nga Ministria e Drejtësisë që i ka blerë. Për këtë arsye, Bardhi i paralajmëroi se në rast të mos kthimit të 300 byzylykëve, çështja do t’i referohej Prokurorisë. Kështu, pas presionit të ministrit Bardhi, kompania u detyrua të kthejë pranë Ministrisë së Drejtësisë 300 byzylykët elektronikë për të dënuarit shqiptarë.

Si u trafikuan tonelata drogë me avion nga Shqipëria në Itali e Greqi

Dhjetëra tonelata droge që kapet në Itali, Greqi, e shtete të tjera, të cilat kanë si pikënisje Shqipërinë ashtu siç kanë deklaruar edhe Shërbimet Inteligjente Ndërkombëtare, trafikantët kanë bashkëpunimin e zyrtarëve të lartë shqiptarë.
Gati në të gjitha përgjimet e trafikantëve të kanabisit në bisedat e tyre flitet për lidhje me zyrtarë të lartë në Tiranë, apo drejtues kryesorë të policisë. Rasti më i fundit është ai i grupit të trafikantëve të Vlorës, që u kapën në vitin 2015, pasi u zbulua se përdornin një avion sportiv, për ta trafikuar hashashin nga Shqipëria drejt Italisë.
Në trafik rezultoi i përfshirë edhe një shef policie, por trafikantët flasin për njerëz “të mëdhenj”, madje për “të madhin fare” në Tiranë.
Përgjimet janë kryer me anë të një aparati të vendosur në makinën e Sokol Burhamajt, organizatorit të trafikut, por edhe me metoda të tjera. Një pjesë e tyre, që është zbardhur tregon pikërisht lidhjet e trafikantëve me zyrtarë të lartë që u garantonin qetësinë për të kultivuar plantacione të tëra me kanabis.
Ky grup trafikantësh u zbulua falë një hetimi të policisë italiane për dy familje shqiptare, Lamaj dhe Hametaj, që trafikonin drogë me avionë nga Vlora në Brindisi, referohet Panorama”. Familja Lamaj përdorte një avion “Aeropakt A22S”, në të cilin autoritetet italiane arritën të vendosin një përgjues.
Mjete përgjimi u vendosën edhe në tre makina tip “Audi” që përdoreshin nga trafikantët.
Operacioni i koduar me emrin “Fluturimi i Lirë” nisi më 24 gusht me arrestimin nga autoritetet italiane të Vilson Lamajt dhe të italianit Italo Loreto. Ata po zbrisnin në një pistë të braktisur në komunën e Ostunit avionin me 128 kilogram kanabis që e kishin marrë në zonën e Lumit të Vlorës.
Përgjimi i datës 10 korrik 2015
Nga përgjimet ambientale në automjetin “Audi A3” me targë DL … NH, më datë 10 korrik 2015, ora 02:23 rezulton një bisedë mes Fatos Burhamajt (Lamajt) dhe Sokol Burhamajt.
Fatosi: I kanë thënë për një person shumë të madh në Tiranë, më i madhi.
Sokoli: Eh, ka marrë 50.000 euro. I ka marrë njëri që ishte atje… ca persona të tretë që kishin dhjetë parcela, 1 mijë a 3 mijë rrënjë kishin vetëm atje.
Ndërsa më 7 gusht 2015 dy vëllezërit Sokol Burhamaj (Lamaj) dhe Vilson Lamaj flasin për sasinë që do të mbillet. Në bisedën e tyre flitet sërish për implikimin e zyrtarëve të shtetit.
Sokoli: Do të bëhen stallat me rresh me eternity. Vetëm ne do të qëndrojmë atje. 5 – 6 persona me kallash. Do të bëjmë 10 mijë rrënjë. I vendos të thahen atje ku janë bletët. Unë them të bëjmë 1 ton. 10 mijë rrënjë bëjmë 10 ton hashash. Janë 10 ton hashash, vëlla.
Vilsoni: Janë shumë punë or mik.
Sokoli: Një ton ia japim shtetit dhe të tjerat i kemi për vete.
Vilsoni: Këtij i duhen mbushur xhepat mirë në mënyrë që të thotë “aaa, po, kam xhepat plot”.
Sokoli: Po çfarë të të thotë tjetër shteti ty.
Vilsoni: Të themi 10-20 mijë rrënjë të vogla dhe më pas kalojmë nga e madhja. 7 – 8 persona dhe çdonjëri ka punëtorin e vet në kopësht.
Nga hetimet nuk rezulton që ata t’i kenë përmendur me emra zyrtarët e lartë. Ndërkohë që hetimet e prokurorisë zbardhën edhe rolet e secilit prej anëtarëve të grupit të ndarë në dy pjesë, në Shqipëri dhe Itali.
Pas zbardhjes dhe këtij publikimit të këtij përgjimi të palës italiane, pyetja shtrohet; kush është ky zyrtar në Tiranë, “Më i madhi”?!