19.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Rafineri përpunimi heroine në Itali, arrestohen dy shqiptarë

Çdo gjë ka nisur nga një makinë e dyshimtë në pronësi të një shqiptari që është vërejtur në autostradë në Sirmione, njofton ANSA. Një shqiptar që ishte drejtuesi vazhdonte të hynte e të dilte në një shtëpi në Castelverde gjatë orarit të punës.
Guardia Di Finanza e Breshias dhe Policia e Kremonas më 31 korrik kanë vërejtur lëvizjet e dyshimta të shqiptarëve në banesë dhe menjëherë kanë mësyrë në banesën e tyre ku kanë zbuluar një laborator për përpunimin dhe paketimin e drogës.
Falë bashkëpunimit me skuadrën e ndërhyrjes së shpejtë në Cremona, është gjurmuar dhe zbuluar edhe personi tjetër që u arrestua. Makina dhe paratë e tyre u konfiskuan. Policia konfiskoi 4.6 kg heroinë të pastër dhe 30 kg substancë për përzierjen e saj si dhe makinerinë që shërbente për përzierjen e drogës bashkë me presën për paketimin.

Shqiptari kapet në Siçili me një valixhe me drogë

Një shqiptar 25 vjeç është arrestuar nga policia italiane, ndërsa transportonte drogë me autobus nga Brindizi në Siçili. Sipas mediave italiane, shqiptari i arrestuar quhet Arben Fasko. Fasko u ndalua nga karabinierët në rrugën “Arno”, rrethinat e Perrino-s. Në valixhen e madhe që kishte marrë me vete në autobus 1 kg marihuanë të destinuar për tregun siçilian. Po ashtu u denoncuan një burrë dhe një grua që ishin në shoqërinë e tij me akuzën e trafikut të drogës.

7 vjet pas lëvizjes së lirë, Rama po rikthen vizat për shqiptarët

7 vite pas lëvizjes së lirë, qeveria rikthen vizat për shqiptarët kjo për shkak të paaftësisë së saj për të frenuar fluksin e lartë të azilit të shqiptarëve drejt vendeve të BE. Ndonëse Shqipëria nuk është ende pjesë e Bashkimit Europian, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të udhëtojnë në zonën Shengen pa pasur nevojë për viza. Megjithatë, ata duhet të respektojnë disa rregulla, ndaj të cilave duket se nuk ka tolerancë. Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar disa informacione me rëndësi, të cilat duhet t’i keni parasysh përpara se të nisni udhëtimin tuaj në Shengen. Kjo masë e BE ndodh për shkak të largimit masiv të shqiptarëve drejt vendeve të BE për shkak të varfërisë ekstreme dhe papunësisë që ka përfshirë vendin në katër vitet e qeverisjes Rama. Vlerësohet se në dy vitet e fundit janë mbi 200 mijë shqiptarë që janë larguar drejt vendeve të BE për të kërkuar azil.
Pjesë e njoftimit janë edhe dënimet e BE-së për këdo që shkel këto rregulla.

Çfarë duhet të keni parasysh kur udhëtoni në zonën Shengen?
1- Duhet të keni pasaportë të vlefshme biometrike.
Sipas rregullave të reja, qytetarët shqiptarë me pasaportë biometrike mund të qëndrojnë në zonën Shengen, (që përfshin Islandën, Norvegjinë, Zvicrën, si edhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përveç Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës) maksimumi 90 ditë që nga dita e hyrjes brenda një periudhe kohore prej gjashtë muajsh (180 ditë).
Periudha fillon që nga momenti kur ju hyni për herë të parë në këtë zonë, brenda periudhës gjashtë mujore. Për shembull, nëse më datë 1 janar ju hyni për herë të parë në zonën Shengen, periudha e ardhshme gjashtë mujore fillon më datë 1 korrik.
Nëse udhëtoni shpesh në zonën Shengen, duhet të numëroni ditët e mbetura nga periudha gjashtë mujore. Pra, ju mund të bëni disa udhëtime afatshkurtra, me kusht që kohëzgjatja e tyre të mos kalojë 90 ditët brenda periudhës gjashtë mujore (180 ditë).
2 – Duhet të justifikoni qëllimin e udhëtimit nëpërmjet dokumentesh.
Për vizitë familjare
Kur deklarohet në kufi se po udhëtohet për vizitë tek një i afërm, duhet të jepet informacion mbi të dhënat e personit pritës, adresa e tij, numër telefoni etj.
Për turizëm
Kur deklarohet në kufi se po udhëtohet për turizëm, për pushime, i pavarur nga pritja apo shoqërimi i një personi tjetër etj., duhet të paraqitet një rezervim hoteli, bileta e kthimit (nëse udhëtohet me avion apo mjete të transportit ujor), si dhe të ardhurat financiare që keni me vete.
Për kontroll mjekësor
Kur deklarohet në kufi se po udhëtohet për arsye shëndetësore, paraqitet rekomandimi i institucionit shëndetësor shqiptar, si dhe konfirmimi i institucionit shëndetësor ku do të shkohet.
Për aktivitete
Kur deklarohet në kufi se po udhëtohet për aktivitete të ndryshme, paraqitet dokumentacioni mbi aktivitetin për të cilin personi është ftuar.
Udhëtimi me makinë
Kur udhëtohet me makinë, duhet të keni dokumentacionin e nevojshëm, leje ndërkombëtare drejtimi automjeti, patentë ndërkombëtare dhe karton të gjelbër sigurimi ndërkombëtar të makinës.
Sigurimi shëndetësor
Në të gjitha rastet duhet të keni siguracionin shëndetësor për periudhën e qëndrimit.
3 – Duhet të paraqisni garanci financiare për kohën e qëndrimit.
Sipas Kodit Shengen (neni 6/4) “Mjetet e jetesës do të vlerësohen në përputhje me kohëzgjatjen dhe qëllimin e qëndrimit dhe duke iu referuar çmimeve mesatare në shtetin ose shtetet anëtare shumëzuar me numrin e ditëve të qëndrimit.
Vlerësimi i mjeteve të mjaftueshme të jetesës mund të bazohet në paratë, kontrollet e udhëtarëve dhe kartat e kreditit.
Deklaratat e sponsorizimit dhe letrat e garancisë nga pritësit, gjithashtu mund të përbëjnë dëshmi të mjeteve të mjaftueshme të jetesës.
Sipas Kodit Shengen
Dokumentet mbështetëse që vërtetojnë plotësimin e kushteve të hyrjes janë:
(A) për udhëtimet e biznesit:
(I) një ftesë nga një firmë ose një autoritet për të marrë pjesë në takime, konferenca apo ngjarje që lidhen me tregtinë, industrinë ose punën;
(Ii) dokumente të tjera që tregojnë ekzistencën e marrëdhënieve tregtare ose marrëdhënieve për qëllime pune;
(Iii) biletat e hyrjes për panaire dhe kongrese; (B) për udhëtimet e ndërmarra për qëllime studimi ose llojet e tjera të trajnimit:
(I) çertifikatën e regjistrimit në një institut mësimor për qëllime të ndjekjes së kurseve profesionale ose teorike në kuadër të trajnimit bazë dhe të mëtejshëm;
(Ii) kartat e studentit ose çertifikatat për kurset e ndjekura;
(C) për udhëtimet e ndërmarra për qëllime turizmi ose për arsye private:
(I) dokumentet mbështetëse në lidhje me strehimin: – një ftesë nga pritësi nëse qëndron te një i tillë; – një dokument mbështetës nga institucioni që ofron strehim ose ndonjë dokument tjetër të përshtatshëm që tregon vendndodhjen e parashikuar;
(Ii) dokumentet mbështetëse në lidhje me itinerarin: – konfirmimin e rezervimit të një udhëtimi të organizuar ose ndonjë dokumenti tjetër të përshtatshëm që tregon planet e parashikuara të udhëtimit;
(Iii) dokumentet mbështetëse në lidhje me kthimin: – një biletë të kthimit ose vajtje-ardhje;
(D) për udhëtime të kryera për ngjarje politike, shkencore, kulturore, sportive ose fetare ose për arsye të tjera: ftesat, biletë e hyrjes, regjistrimet ose programet ku thuhet ku është e mundur emri i organizatës pritëse dhe kohëzgjatja e qëndrimit ose ndonjë dokument tjetër përkatës që tregon qëllimin e vizitës.
*4 – Duhet t’u përmbaheni rregullave të qëndrimit (ndalohet punësimi i paligjshëm)*
Sipas rregullave të reja, nuk mund të punohet në shtetet e zonës në kundërshtim me ligjin.
Rregullat që aplikohen vetëm për qëllime udhëtimi, nuk u japin të drejtë qytetarëve shqiptarë për të qëndruar më shumë se 3 muaj dhe as të drejtën për t’u punësuar apo për të kërkuar azil, në këto shtete.
Ata shtetas që kanë ndërmend të punësohen apo të studiojnë për një periudhë që tejkalon 90 ditët, më parë duhet të aplikojnë për vizë afatgjatë ose për leje qëndrimi, pranë ambasadës apo konsullatës së shtetit ku dëshirojnë të shkojnë.
Është e ndaluar të punohet në zonën Shengen pa leje pune apo të jetohet aty pa lejen përkatëse të qëndrimit.
Punësimi i ligjshëm i shtetasve shqiptarë në një prej këtyre vendeve, do të mundësohet vetëm nëpërmjet lejeve të punës.
Lejet e punës mund të merren vetëm në bazë të kontratave të punës dhe vizave të tipit D, të cilat merren në ambasadën e atij vendi në të cilin është marrë kontrata e punës.
Nëse një qytetar shqiptar ka siguruar një kontratë të vlefshme pune, atëherë ai do të mund të pajiset në Shqipëri me një vizë të tipi D dhe më pas, këtë vizë do ta kthejë, në vendin përkatës, në leje qëndrimi, me një afat deri në një vit.
5 – Masat që merren ndaj shtetasve që shkelin rregullat e qëndrimit.
Qytetarëve shqiptarë do t’u kërkohet që të zbatojnë disa kërkesa dhe rregulla, jo vetëm gjatë hyrjes në vendet e BE-së, por edhe gjatë qëndrimit të tyre në këto vende.
Nëse qytetarët shqiptarë do të shkelin këto rregulla, ata do të bëhen subjekt i largimit apo deportimit me forcë, veprim i cili shoqërohet gjithmonë me ndalim hyrje nga 1-5 vjet.
Për një kategori shkeljesh të rregullave të qëndrimit, shtetet anëtare të BE-së aplikojnë masa administrative gjobë, të cilat shkojnë deri në 3000 euro. Në rast se këto shuma nuk paguhen, atëherë personi i gjobitur nuk do të lejohet të hyjë në atë vend, që i ka vendosur gjobën, derisa ta paguajë atë me gjithë kamatëvonesën.
Me rëndësi është të dihet se cilat janë këto rregulla që shtetasit shqiptarë nuk duhet të shkelin:
• së pari, nuk duhet të shkelin afatin e lejuar të qëndrimit që është 90 ditë për 180 ditë.
• së dyti, nuk duhet të shkelin legjislacionin vendas, kryesisht atë mbi punësimin.
Pra, nëse kapen duke punuar, ata bëhen subjekt i largimit dhe ndalimit të hyrjes.
• së treti, nuk duhet të bëhen problem për sigurinë publike apo të përfshihen në aktivitete kriminale.
• së katërti, nuk duhet të bëhen barrë publike. Barrë publike janë personat, të cilët nuk kanë të siguruar strehimin, ushqimin apo nevojat e tjera jetësore.
E thënë në mënyrë të përmbledhur, nëse shtetasit shqiptarë do të shkelin kushtet e lejuara për hyrjen dhe qëndrimin në një nga vendet e BE-së, atëherë ata do të penalizohen individualisht, do t’u ndalohet hyrja në të gjitha vendet e BE-së për një periudhë deri në 5 vjet.

Tabaku: A mund të luftohet droga kur trafikanët dhe shteti janë një?

Këto ditë të nxehta vere përpos traditës së kryeministrit për të paguar shkrime në prestigjiozet ndërkombëtare që flasin për një qeveri të suksesshme dhe një Shqipëri që po lulëzon, më ra në sy edhe përgjimi i një trafikanti, i cili siguronte kolegun keqbërës se kishte paguar shumën e majme tek një person tepër i rëndësishëm për të vazhduar punën të pashqetësuar. Prita një reagim të kryeministrit, i cili jo më larg se disa ditë më parë u zotua për betejë ndaj drogës. Aq më tepër që përgjatë këtyre katër viteve raportet ndërkombëtare nga Departamenti i Shtetit amerikan, por edhe Europol janë: Shqipëria është portë hyrëse për heroinën, Shqipëria hambar i kanabisit, Shqipëria furnizon Europën.
Heshtja është pohim, shpreheshin dikur romakët. Heshtja e kryeministrit dhe mosreagimi i tij është pranimi i asaj akuze që opozita ka katër vjet që ia përplas në fytyrë atij, asaj akuze që përsërisin partnerët ndërkombëtarë e asaj akuze që duket qartë në sasinë e trafikuar dhe kapur në vendet fqinje. Ai që flet për çdo gjë, por jo për ato që kanë rëndësi sot hesht. Është e kuptueshme edhe heshtja e tij, edhe kur euro ka rënë në nivele marramendëse tërësisht në kundërshti me trendin e saj, vetëm si pasojë e trafikimit të drogës dhe futjes së euros prej tregtisë së paligjshme.
Por sado të regjur jemi nga heshtja e kryeministrit mbi këtë temë, kur dëgjon “Një ton ia japim shtetit dhe të tjerat i kemi për vete” pret një ngritje në këmbë të një shteti dhe një qeverie për të zbuluar bashkëfajtorin në këtë krim. Por, në të kundërt heshtja është vulosja e radhës se kjo është një qeveri karteli. Bashkëpunëtore deri në fajësim të këtij krimi që ka kapluar vendin duke i shndërruar shqiptarët në eksportues të hashashit dhe jo vetëm. Dhe nëse mund të perifrazoj një shprehje të Ayn Rand “Nëse qeveria nuk arrin të të mbrojë më prej të korruptuarve, por mbron të korruptuarit prej teje, atëherë dije se je një komb i humbur”.

CIA: Korrupsioni endemik në Shqipëri largon investitorët e huaj

Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA-së, CIA, ka azhurnuar së fundmi të dhënat për Shqipërinë, ku sipas saj, ekonomia e Shqipërisë është përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme dhe rritja ekonomike pritet të rritet në 3.8% në vitin 2017.
“Kodet e taksave komplekse dhe kërkesat e licencimit, sistemi i dobët gjyqësor, korrupsioni endemik, zbatimi i dobët i kontratave dhe çështjet e pronësisë, si dhe infrastruktura e vjetruar kontribuojnë në mjedisin e varfër të biznesit në Shqipëri, duke e bërë të vështirë tërheqjen e investimeve të huaja”, vë në dukje Agjencia amerikane e Inteligjencës. CIA vë në dukje se, lidhjet e ngushta të tregtisë, remitancave dhe sektorit bankar me Greqinë dhe Italinë e bëjnë Shqipërinë të prekshme ndaj pasojave të krizave të mundshme të borxhit dhe rritjes së dobët në eurozonë.
Remitancat, një katalizator i rëndësishëm për rritjen ekonomike, u ulën nga 12-15% të PBB-së para krizës financiare të vitit 2005 në 5.8% të PBB-së në vitin 2015, kryesisht nga shqiptarët që banojnë në Greqi dhe Itali.
CIA analizon se sektori i bujqësisë, i cili kontribuon pothuajse në gjysmën e punësimit dhe në një të pestën e PBB-së, kufizohet kryesisht në operacionet e vogla familjare dhe në bujqësinë për ekzistencë, për shkak të mungesës së pajisjeve moderne, të drejtave të paqarta të pronësisë dhe përhapjes së vogël, parcelat e tokës. Furnizimi me energji elektrike i Shqipërisë është i pabarabartë, pavarësisht nga kapacitetet e transmetimit të përmirësuara me vendet fqinje. Megjithatë, qeveria kohët e fundit ka ndërmarrë hapa për të frenuar humbjet jo teknike dhe ka filluar të përmirësojë rrjetin e shpërndarjes. Zbatimi më i mirë i kontratave të energjisë elektrike ka përmirësuar qëndrueshmërinë financiare të sektorit, duke zvogëluar mbështetjen e tij në mbështetjen buxhetore. Gjithashtu, me ndihmën e donatorëve ndërkombëtarë, qeveria po ndërmerr hapa për të përmirësuar rrjetet e varfra të rrugëve dhe hekurudhave, një pengesë afatgjatë për një rritje të qëndrueshme ekonomike.
Buxheti i Shqipërisë për 2017 synon të arrijë një tepricë të vogël primare, të cilën qeveria shqiptare ka në plan ta arrijë duke forcuar mbledhjen e taksave midis rritjes së moderuar të pagave publike dhe pensioneve. Vendi vazhdon të përballet me borxhin e lartë publik, duke tejkaluar kufirin ligjor të saj prej 60% të PBB-së në vitin 2013 dhe duke arritur në 71% në vitin 2016.

Rënie e fortë e investimeve të huaja me 42%
Investimet e huaja direkte shënuan një rënie të fortë prej 42% në tremujorin e parë të këtij viti, edhe tremujori i dytë dhe i gjithë 6-mujori nuk premton të jetë i mbarë. Bankers Petroleum, investitori më i madh i huaj në vend, ka deklaruar se shpenzimet kapitale në 6 muajt e parë të vitit ishin 20 milionë dollarë, nga 87.5 milionë dollarë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sidomos në tremujorin e dytë, Bankers ka investuar vetëm 7.3 milionë dollarë nga 37.5 milionë dollarë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kompania njoftoi se nuk shpoi asnjë pus të ri gjatë këtij tremujori. Dy vitet e fundit (2014-2015), investimet në hidrokarbure (kryesisht Bankers) përbënin rreth 40% të totalit të investimeve të huaja. Për krahasim, në janar-qershor 2014, investimet kapitale të Bankers ishin 132 milionë dollarë apo mëse 6 herë më të larta se në të njëjtën periudhë 2016. Frenimi i Bankers pritet të lërë zbuluar një pjesë të rëndësishme të investimeve të huaja dhe të zbehë shpresat e qeverisë për një hyrje të kapitalit në vend, teksa sipërmarrjet e reja të mëdha me kapital të huaj po mungojnë. Vërtet vitin e kaluar u hapën 694 sipërmarrje të reja me pronarë të huaj, por sipas INSTAT, 507 kishin më pak se 4 punonjës apo 73% e tyre, duke qenë kryesisht biznese të vogla që nuk sjellin investime të mëdha. Vetëm 43 sipërmarrje të reja të huaja që kanë mbi 50 punonjës janë hapur vitin e kaluar. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të huaja janë italiane, kryesisht call center, që duan një kapital minimal për t’u hapur.

Taksat më të larta në rajon
Taksat më të larta në rajon, mungesa e inçentivave (Serbia për shembull, ndonëse ka taksa të krahasueshme me ne ofron subvencione për investitorët), klima e rënduar e investitorëve aktualë, që po thuhet hapur nga gjithë dhomat e huaja, janë disa nga arsyet që po mbajnë larg investitorët e huaj. Investimet e huaja ishin 152 milionë euro në tremujorin e parë, nga 261 milionë euro në janar-mars 2015 dhe 222 milionë euro në tremujorin e parë 2014, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Shtesa e kapitalit të bankave, një tjetër element që nxiti investimet më 2015-n ishte gati 50% më e ulët në gjashtëmujorin e parë 2016, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të pasiveve të sistemit, të publikuara nga Banka e Shqipërisë (8 miliardë lekë, nga 15.3 mld lekë që ishte shtesa në janar-qershor 2015). Licenca celulare, që i dhanë hov investimeve të huaja në gjysmën e parë të 2015-s, nuk janë dhënë në muajt e parë të këtij viti. Shpresa e vetme për qeverinë mbeten dy investimet e mëdha strategjike për momentin, gazsjellësi TAP dhe HEC-i i Devollit. Të dhënat e investimeve të huaja për tremujorin e dytë pritet të publikohen në shtator nga Banka e Shqipërisë.

Miniera me 4 ton rezerva ari në Shqipëri

Nëntoka shqiptare është e pasur me minerale, sidomos bakër në të cilin ka edhe një sasi ari. Sasia e arit është më e përqendruar në minierën e bakrit të Munellës, ku sipas një analize që ka bërë së fundmi Ministria e Industrisë dhe Energjetikës, në 1 ton bakër gjenden 4 gramë ar. “Miniera polimetalore e Munellës ka pasur një shpërndarje mineralogjike të tillë, ku një trup prej rreth 1 milion ton mineral ka pasur cilësi shumë të lartë si: bakër mesatar 4–5%, zink mesatar 3% dhe ari 4 gramë/ton, argjendi 65 gramë/ton krahas elementeve të tjerë si Selen, Stibium etj”, pohon dikasteri i Gjiknurit. Sipas përllogaritjeve, rezerva e arit në këtë miniere është 4 tonë. Objektet e industrisë së bakrit në vitin 2001 janë dhënë me koncesion një kompanie turke “BER-ONER”, me shoqëri koncesionare “Ber Alb” sh.p.k. Kjo industri në periudhën 2004 deri 2015 ka funksionuar e lokalizuar në shfrytëzimin e dy minierave Munellë dhe Lak Rosh në rajonin e Pukës, duke e pasuruar mineralin e pasur në Fabrikën e Pasurimit në Fushë-Arrëz. Njëkohësisht, disa kompani shumica kanadeze kanë pasur leje minerare për kërkim-zbulim të cilat, realisht më tepër janë fokusuar në rivlerësimin e rezervave të zbuluara më parë nga institucionet shqiptare deri në vitin 1992, duke mos kontribuar në shtimin e rezervave të reja. Nga skema e përpunimit të plotë e trashëguar deri në vitin 1990, pjesërisht ka funksionuar vetëm Uzina e Telave në Shkodër. Fabrika e Shkrirjes në ish-Uzinën e Bakrit në Rubik është demoluar në vitin 2007–2008, ndërsa Uzina e Rafinimit i ishte dhënë me koncesion një subjekti në fund të vitit 2012, por që tashmë ka dështuar që në vitin e parë, sepse koncesionari kërkonte përshtatjen e saj për prodhim ferrokromi. Në fundin e vitit 2015, edhe kompania turke “BER-ONER” e fokusuar në rajonin e Pukës, me skemë prodhimi deri në koncentrat bakri, ka ndërprerë prodhimin, duke u justifikuar me rënien e çmimit të metaleve në bursë. Në maj të këtij viti, Ministria e Industrisë ka hapur një garë për dhënien me koncesion të së gjithë industrisë së bakrit në vendin tonë. Kompanitë e shumta që kanë punuar në këtë minierë prej vitit 2000, janë marrë kryesisht me rivlerësimin e rezervave të bakrit dhe zinkut e më pak me shtimin e rezervave të reja. Së fundmi, është rritur interesi i kompanive koncesionare edhe kundrejt mineraleve më të pakta në këtë minierë, duke bërë një rivlerësim të rezervave të arit – një rezultat befasues dhe goxha i shtrenjtë prej 4 tonësh ar!

Shqipëria, e fundit në rajon edhe për kërkim-zhvillim

Kërkimi dhe zhvillimi është faktor i rëndësishëm në proceset e inovacionit dhe zëri i shpenzimeve për to ka një peshë gjithnjë e më të madhe si në sektorin privat, edhe në atë publik. Pavarësisht rëndësisë së kërkimit dhe zhvillimit, Shqipëria renditet e fundit në rajon dhe botë për sa u përket shpenzimeve në këtë fushë dhe numrit të ulët të kërkuesve për një milion banorë. Sipas Institutit të Statistikave të UNESCO-s, shpenzimet për kërkimin dhe zhvillimin në Shqipëri përllogariten 0.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, rreth 37 milionë dollarë, më e ulëta në rajon. Nga këto rreth 19 milionë janë shpenzime të kryera nga qeveria dhe 17 milionë dollarë nga universitetet. Nuk ka të dhëna për shpenzimet që kryejnë bizneset në fushën e kërkimit dhe zhvillimit. Nga të dhënat e UNESCO-s, në Shqipëri ka rreth 157 kërkues për një milion banorë, nga të cilët 57% janë meshkuj dhe 44% femra. Në rajon, nivelin më të lartë të shpenzimeve për kërkimin dhe zhvillimin e ka Serbia. Shpenzimet për kërkimin dhe zhvillimin janë sa 0.8% të PBB-së apo 757 milionë dollarë, ndërsa numri i kërkuesve përllogaritet rreth 1,830 për një milion banorë. Sipas të dhënave të publikuara, peshën më të madhe të bizneseve e kanë bizneset me rreth 224 milionë dollarë. E dyta renditet Maqedonia, shpenzimet e së cilës për kërkimin dhe zhvillimin janë rreth 0.5% e PBB-së apo 145 milionë dollarë. Maqedonia numëron rreth 838 kërkues për një milion banorë. Ndërsa Mali i Zi dhe Bosnja, shpenzojnë për kërkimin dhe zhvillimin përkatësisht 0.4% dhe 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Numri i kërkuesve për një milion banorë është 673 në Malin e Zi dhe 266 në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Bankat çojnë 18 mijë kredi të këqija në Përmbarim

Ekonomia shqiptare është e mbërthyer në një zinxhir të madh borxhesh të këqija, nga i cili po lulëzon vetëm një biznes, ai i Përmbarimit. Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privat bëri të ditur se bankat private kanë çuar mbi 18 mijë kredi të këqija për ekzekutim kolaterali. Shifra e lartë pasqyron situatën e vështirë në sektorin financiar, si dhe pamundësinë e debitorëve për të shlyer borxhet, që kanë marrë në banka. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë aktualisht niveli i kredive të këqija në banka llogaritet rreth 90 miliardë lekë ose afro 690 milionë euro, ndërkohë që bankat kanë fshirë nga bilancet të paktën edhe 50 miliardë lekë të tjera kredi të humbura.
Bankat mbushen me prona
Mijëra prona të sekuestruara për shkak të kredive të pashlyera i kanë shndërruar bankat private në pronaret më të mëdha të pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të parë të këtij viti vlera e pronave të sekuestruara në bilancet e bankave arriti në 23.3 miliardë lekë ose gati 175 milionë euro. Këtu bëjnë pjesë ndërtesa për qëllime tregtare, apartamente banimi apo toka, kryesisht në bregdet të sekuestruara nga individë dhe biznese, që nuk kanë kthyer kreditë e marra. Sipas shifrave krahasuar me fundin e vitit 2015, vlera e pasurive të patundshme që zotërohet nga bankat është rritur me 12 për qind, nga 20.8 miliardë lekë në 23.3 miliardë lekë. Por krahasuar me 5 vjet më parë, kjo vlerë është rritur me katër herë e gjysmë.
Tregu nuk funksionon
Në total kreditë e këqija në banka vlerësohen rreth 690 milionë euro, rrjedhimisht vlera e pronave të sekuestruara është sa 25 për qind e totalit të kredive të këqija. Fillimisht, pasi e sekuestrojnë një pronë bankat e nxjerrin atë për shitje në ankand. Por sipas Bankës së Shqipërisë, një pjesë e madhe e tyre nuk arrijnë të shiten dhe bankat detyrohen që t’i marrin në pronësinë e tyre. Mbushja e bankave me pasuri të bllokuara i ekspozon ato para disa rreziqeve. Më kryesori është ai i rënies së çmimit të këtyre pasurive gjatë kohës që mbahen nga bankat, çka ul shumën e përfituar nga shitja. Por veç rrezikut të rënies së çmimit, mbajtja e pronave nga bankat është edhe një proçes me kosto, pasi ato duhet të ruhen, por edhe mirëmbahen. Në fund të vitit të kaluar, Parlamenti miratoi një paketë me 5 ligje, që synojnë uljen e kredive të këqija dhe forcimin e sistemit financiar. Pjesë e kësaj pakete ishte, ligji i ri për falimentin si dhe ai për Përmbarimin Privat. Paketa e plotë ligjore hyn në fuqi gjatë këtij muaji. Sipas Bankës së Shqipërisë, ajo do të përmirësojë procesin e ekzekutimeve, duke gjallëruar tregun e shitjes së pronave të bllokuara. Kjo pritet të sjellë uljen e kredive të këqija, të cilat aktualisht mbeten ndër më të lartat në rajon.

Mbi 100 milionë euro mungesë në buxhetin e Kosovës

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit të Kosovës dhe pamundësisë që të bëhet rishikimi i buxhetit, përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë bërë të ditur se buxheti i shtetit do të përballet me vështirësi në kryerjen e obligimeve. “Janë 112 milionë euro mungesë në buxhetin e shtetit”, ka deklaruar ministri në largim i Financave, Avdullah Hoti. Kjo mungesë e mjeteve buxhetore për kryerjen e obligimeve që ka qeveria, nga ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësohet se do të përcillet me pasoja të mëdha për ekonominë e gjithmbarshme të vendit. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha për Radion “Evropa e Lirë” se pasojat mund të jenë të pariparueshme, në rast të moskonstituimit sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës dhe më pas rishikimit të buxhetit. “Nëse nuk do të kemi rishikim të buxhetit dhe kemi këtë mungesë të mjeteve jo vetëm që do të dështojnë projektet kapitale, qoftë në infrastrukturë, qoftë në fushat e tjera, por do të jetë një goditje e drejtpërdrejtë për sektorin privat, sepse sektori privat në pjesën dërmuese është zbatues ose ekzekutues i këtyre punëve”, thotë Gërxhaliu. Një nga projektet për të cilat obligimet kanë mbetur të papërfunduara për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore, është autostrada Prishtinë-Hani i Elezit. Një pjesë e konsiderueshme e obligimeve për këtë kontratë ishin paraparë nga mjetet që vijnë prej Agjencisë kosovare të Privatizimit, për të cilën duhet të ndryshohet ligji për AKP-në, për të mundësuar tërheqjen e këtyre mjeteve. Por, në mungesë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ky ligj ka qenë e pamundur që të procedohet. Përveç të tjerash, mungesë në buxhetin e shtetit janë edhe 24 milionë euro për veteranët e luftës. Mungesa e këtyre mjeteve buxhetore të shtetit, për njohësin e çështjeve ekonomike Ismail Kastrati, paraqet probleme të mëdha në zhvillimin ekonomik. Sipas tij, kjo do të paraqesë rënie ekonomike, rënie në investime dhe në konsum. “Çdo çrregullim buxhetor ndikon negativisht në rrjedhën e parasë dhe në zgjedhjen e problemeve buxhetore. Më pak para buxhetore në qarkullim situata më e rëndë është për ekonominë dhe përgjithësi zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thotë Kastrati. Ndërkohë, Safet Gërxhaliu thotë se partitë politike që do të përbëjnë legjislaturën e re duhet të angazhohen që sa më shpejt të krijojnë institucionet e reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit, pasi pasojat nga ky vakum politik, sipas tij, janë të mëdha. “Fakti që në këtë vit do të kemi prapë zgjedhje, siç janë ato lokale dhe është paraparë që të kemi fushatë parazgjedhore njëmujore, vërtet është një situatë që nuk i bën nder Kosovës, nuk i bën nder stabiliteti social bazuar në zhvillimin ekonomik dhe nuk i bën mirë proceseve integruese në të cilat Kosova pretendon apo të paktën mendon që të jetë”, thekson Gërxhaliu.

Rritja e çmimeve nuk ndalet, tjetër rritje me 2% në muajin korrik

Rritja e përgjithshme e çmimeve në muajin korrik shënoi 2%, por pesha e çmimeve të ushqimeve në këtë rritje ishte 1.71% raportoi dje INSTAT. Më tej çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,22 pikë përqindje në rritjen e inflacionit. Çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,17 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “pije alkoolike dhe duhan” dhe “shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili.
Çmimet e grupit “transport” dhe “komunikimi” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupeve “veshje dhe këpucë” dhe “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar me -0,07 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “argëtim e kulturë” kanë kontribuar me -0,03 pikë përqindje. Krahasuar me muajin korrik 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,7%, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,4%, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,1%, “pije alkoolike dhe duhan” dhe “shërbimi arsimor” me nga 0,7% secili, “komunikimi” me 0,6%, “transporti” me 0,4%, etj.
Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 13,7%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 11,2%, “peshk” me 4,3%, “qumësht, djathë e vezë” me 4,1%, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 3,1%, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 3,0%. Ulja më e madhe vjetore e çmimeve vërehet në grupin “veshje dhe këpucë” me 1,7%, pasuar nga grupet “argëtim dhe kulturë” dhe “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me nga 0,1% secili.
Ndryshimi mujor i indeksit është – 0,1 %. Krahasuar me qershor 2017, ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupet “argëtim dhe kulturë” me 0,9%, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të tjera” me 0,4%, “ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,3%, “pije alkoolike dhe duhan” me 0,1%. Rritje mujore e çmimeve vërehet në grupet “veshje dhe këpucë” me 0,6% dhe “transporti” me 0,4%.