30.5 C
Tirana
E premte, 13 Qershor, 2025

Mbi 100 milionë euro mungesë në buxhetin e Kosovës

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit të Kosovës dhe pamundësisë që të bëhet rishikimi i buxhetit, përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë bërë të ditur se buxheti i shtetit do të përballet me vështirësi në kryerjen e obligimeve. “Janë 112 milionë euro mungesë në buxhetin e shtetit”, ka deklaruar ministri në largim i Financave, Avdullah Hoti. Kjo mungesë e mjeteve buxhetore për kryerjen e obligimeve që ka qeveria, nga ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësohet se do të përcillet me pasoja të mëdha për ekonominë e gjithmbarshme të vendit. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha për Radion “Evropa e Lirë” se pasojat mund të jenë të pariparueshme, në rast të moskonstituimit sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës dhe më pas rishikimit të buxhetit. “Nëse nuk do të kemi rishikim të buxhetit dhe kemi këtë mungesë të mjeteve jo vetëm që do të dështojnë projektet kapitale, qoftë në infrastrukturë, qoftë në fushat e tjera, por do të jetë një goditje e drejtpërdrejtë për sektorin privat, sepse sektori privat në pjesën dërmuese është zbatues ose ekzekutues i këtyre punëve”, thotë Gërxhaliu. Një nga projektet për të cilat obligimet kanë mbetur të papërfunduara për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore, është autostrada Prishtinë-Hani i Elezit. Një pjesë e konsiderueshme e obligimeve për këtë kontratë ishin paraparë nga mjetet që vijnë prej Agjencisë kosovare të Privatizimit, për të cilën duhet të ndryshohet ligji për AKP-në, për të mundësuar tërheqjen e këtyre mjeteve. Por, në mungesë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ky ligj ka qenë e pamundur që të procedohet. Përveç të tjerash, mungesë në buxhetin e shtetit janë edhe 24 milionë euro për veteranët e luftës. Mungesa e këtyre mjeteve buxhetore të shtetit, për njohësin e çështjeve ekonomike Ismail Kastrati, paraqet probleme të mëdha në zhvillimin ekonomik. Sipas tij, kjo do të paraqesë rënie ekonomike, rënie në investime dhe në konsum. “Çdo çrregullim buxhetor ndikon negativisht në rrjedhën e parasë dhe në zgjedhjen e problemeve buxhetore. Më pak para buxhetore në qarkullim situata më e rëndë është për ekonominë dhe përgjithësi zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thotë Kastrati. Ndërkohë, Safet Gërxhaliu thotë se partitë politike që do të përbëjnë legjislaturën e re duhet të angazhohen që sa më shpejt të krijojnë institucionet e reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit, pasi pasojat nga ky vakum politik, sipas tij, janë të mëdha. “Fakti që në këtë vit do të kemi prapë zgjedhje, siç janë ato lokale dhe është paraparë që të kemi fushatë parazgjedhore njëmujore, vërtet është një situatë që nuk i bën nder Kosovës, nuk i bën nder stabiliteti social bazuar në zhvillimin ekonomik dhe nuk i bën mirë proceseve integruese në të cilat Kosova pretendon apo të paktën mendon që të jetë”, thekson Gërxhaliu.

Rritja e çmimeve nuk ndalet, tjetër rritje me 2% në muajin korrik

Rritja e përgjithshme e çmimeve në muajin korrik shënoi 2%, por pesha e çmimeve të ushqimeve në këtë rritje ishte 1.71% raportoi dje INSTAT. Më tej çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,22 pikë përqindje në rritjen e inflacionit. Çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,17 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “pije alkoolike dhe duhan” dhe “shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili.
Çmimet e grupit “transport” dhe “komunikimi” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupeve “veshje dhe këpucë” dhe “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar me -0,07 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “argëtim e kulturë” kanë kontribuar me -0,03 pikë përqindje. Krahasuar me muajin korrik 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,7%, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,4%, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,1%, “pije alkoolike dhe duhan” dhe “shërbimi arsimor” me nga 0,7% secili, “komunikimi” me 0,6%, “transporti” me 0,4%, etj.
Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 13,7%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 11,2%, “peshk” me 4,3%, “qumësht, djathë e vezë” me 4,1%, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 3,1%, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 3,0%. Ulja më e madhe vjetore e çmimeve vërehet në grupin “veshje dhe këpucë” me 1,7%, pasuar nga grupet “argëtim dhe kulturë” dhe “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me nga 0,1% secili.
Ndryshimi mujor i indeksit është – 0,1 %. Krahasuar me qershor 2017, ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupet “argëtim dhe kulturë” me 0,9%, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të tjera” me 0,4%, “ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,3%, “pije alkoolike dhe duhan” me 0,1%. Rritje mujore e çmimeve vërehet në grupet “veshje dhe këpucë” me 0,6% dhe “transporti” me 0,4%.

Ndotje masive e lumenjve në Shqipëri

Thuajse të gjithë lumenjtë e Shqipërisë paraqesin norma të larta ndotjeje, ndërkohë që më problematike gjendja mbetet në basenin Ishëm–Erzen dhe atë të Semanit. Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka publikuar rezultatet e matjeve të kryera gjatë vitit 2016, duke përcaktuar edhe 17 pikat më të ndotura të lumenjve. Ato i përkasin kryesisht Lumit Ishëm e Lumit të Gjanicës.
Në analizën e saj, agjencia i klasifikon ujërat e lumenjve në 5 kategori, që nisin nga shumë e mirë deri te shumë e keqe. Baseni i Drinit në stacionet e monitoruara referuar vlerave limite të parametrave të një cilësie të mirë ku klasifikohen në klasën e tretë, por Drini i Lezhës, klasifikohet në klasën IV dhe si rrjedhojë gjithë baseni klasifikohet në gjendje të varfër. Baseni Ishëm–Erzen dhe baseni i Semanit janë dy basenet më të ndotura, të cilat klasifikohen në klasën V – gjendje e keqe.
Për ndotjen e të dy baseneve fajtorë janë shkarkimet e lëngëta urbane të patrajtuara, si dhe shkarkimet industriale. Baseni i Shkumbinit është një basen më i moderuar, ku impakt të madh ndotjeje kanë stacionet e Paprit dhe Rrogozhinës, të cilat e klasifikojnë këtë basen në klasën III. Baseni i Vjosës referuar vlerave mesatare të monitorimit e klasifikon në gjendje të mirë – klasa II. Baseni i Matit vlerësohet në gjendje të moderuar – klasa II.

Narkotrafiku, rreziku kryesor që i kanoset Shqipërisë

Rudina Hajdari

Në një artikull të para pak ditëve, Pëllumb Nako, ish-drejtor i Kufirit në Policinë e Shtetit, e cilësonte të çuditshëm faktin që misioni i Guardia di Finanza është ende në Shqipëri prej 20 vitesh, ndërkohë që financimet e dhëna deri tani nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë qenë mëse të mjaftueshme për të kontrolluar kultivimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri. Janë të paktën 70 milionë dollarë mbështetje prej tyre për institucionet e luftës kundër drogës dhe trafiqeve për të fuqizuar aftësinë e tyre, pa patur nevojë për mbështetjen e forcave italiane.
Përgjigjja është e thjeshtë. Guardia di Finanza vazhdon të mbetet në Shqipëri sepse institucionet tona të luftës kundër trafiqeve mbeten të korruptuara. Është pikërisht ky korrupsion shkaku kryesor që droga është sot një nga realitetet më të dukshme dhe me ndikimin më të madh ekonomik, shoqëror dhe politik.
Vrojtimi Shkollor europian mbi Alkoolin dhe Drogat (ESPAD), realizuar nga Qendra e BE-së për Monitorimin e Drogës dhe Varësisë ndaj Drogës, zbuloi se konsumi i drogës mes studentëve shqiptarë është i ulët në krahasim me konsumin mes studentëve nga 35 vende të tjera europiane të vrojtuara. Në vitin 2015, vetëm 7 për qind e studentëve shqiptarë përdornin kanabis- mbi dy herë më pak se mesatarja (prej 16 për qind) e konsumit mes studentëve europianë të vrojtuar. Kurse përdorimi i drogave të tjera të paligjshme mes studentëve shqiptarë ishte në pothuajse të njëjtin nivel sa ai i mesatares europiane- 5 për qind e të rinjve janë përdorues të kokainës dhe 4 për qind janë përdorues të MDMA-së (e njohur si ekstazi).
Analiza afatgjatë tregon një prirje rritëse të përdorimit të drogës mes studentëve shqiptarë: nga viti 2011 në vitin 2015 përdorimi i kanabisit është rritur nga 4 për qind në 7 për qind. Kjo ecuri pritet të vazhdojë në rritje, çka do ta bëjë konsumin e drogës një problem të madh shoqëror në vend, veçanërisht mes moshave të reja.
Përtej shqetësimit të rritjes së konsumit të kanabisit në vend, studimi tregon se problemi kryesor në lidhje me drogën në Shqipëri mbetet trafikimi i drogës, sidomos kanabisit dhe të ardhurat e jashtëzakonshme që droga prodhon për krimin e organizuar. Këto dy dukuri përbëjnë një rrezik akoma më të madh për sigurinë dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Europoli dhe Departamenti i Shtetit kanë konfirmuar se Shqipëria është prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i kanabisit në BE, si dhe rrugë e rëndësishme e kalimit të heroinës dhe kokainës për në BE. Në raportin mbi Barnat në Europë, Trendet dhe Zhvillimet 2017, Qendra europiane e Monitorimit të Drogës konfirmonte gjithashtu se Shqipëria është tashmë nyje kyçe e rrjetit të kultivimit të kanabisit së bashku me Marokun dhe Libinë.
Shtrirja e madhe në territor dhe rrugët e lehta të trafikimit e kanë kthyer kultivimin dhe trafikimin e drogës në një aktivitet jashtëzakonisht fitimprurës për krimin vendas dhe ndërkombëtar. Për më tepër, në ndryshim nga vende të tjera, ky aktivitet kriminal mbart pak rreziqe dhe humbje në Shqipëri, për shkak të mungesës së luftës ndaj drogës.
Vetëm nga një vlerësim sipërfaqësor i raportimeve në mediave, në periudhën janar-korrik 2017 janë kapur mbi 500 tonë kanabis të prodhuar në Shqipëri. Një sasi edhe më e madhe se kaq pretendohet se është asgjësuar nga policia shqiptare si bimë e mbjellë.
Çmimet e tregut të lëndëve narkotike sot janë: kanabisi me shumicë: 300 euro/kg; heroina me shumicë: 20 000 euro/kg; kokaina me shumicë: 40 000 euro/kg.
Mbi 1 mijë tonë kanabis të sekuestruara dhe asgjësuara vlerësohen se do të kishin prodhuar mbi 300 milionë euro të ardhura. Nëse arsyetojmë mbi përqindjen mesatare europiane të kapjen së marijuanës së trafikuar- rreth 10 për qind të sasisë totale të trafikuar -atëherë mund të thuhet se marijuana e kultivuar dhe trafikuar në Shqipëri prodhon 3-4 miliardë euro të ardhura çdo vit, gati sa gjysma e gjithë prodhimit ekonomik të vendit. Një burim kaq i madh të ardhurash është e natyrshme që do të tërhiqte organizatat kriminele ndërkombëtare dhe interesat terroriste që kërkojnë vazhdimisht burime financimi.
Sikurse përmenda më sipër, një faktor i rëndësishëm i lulëzimit të drogës në Shqipëri dhe tërheqjes së krimit të organizuar ndërkombëtar në këtë biznes është dështimi i policisë dhe institucioneve shqiptare në luftën kundër drogës. Para dy muajsh, ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe prej disa javësh vetë Kryeministri Edi Rama kanë pranuar përfshirjen e policisë në kultivimin dhe trafikun e drogës. Altin Qato, drejtori i Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit pohoi për “Deutsche Welle” në muajin shkurt se, “ka pasur raste të izoluara të përfshirjes së policisë”, por pohoi se nga mbi 9 mijë forca policore, vetëm 40 janë identifikuar si ndihmës në kultivimin dhe trafikimin e drogës në vitin 2016, edhe vetëm 8 policë janë arrestuar. A nuk është shqetësuese fakti se shumë pak punonjës të strukturave antidrogë janë ndjekur penalisht për shpërdorim detyre ndër këto vitet e fundit?
Nga ana tjetër, niveli i zbulimit dhe goditjes së organizatave dhe invidivëve të përfshirë në trafikun e drogës është i ulët. Sipas raportit të EMCDAA në vitin 2015 Policia e Shtetit raportoi në Prokurori rreth 1 118 vepra penale të lidhura me drogën, të cilat përbëjnë vetëm rreth 3 për qind të të gjitha shkeljeve të regjistruara në vend gjatë këtij viti.
Për më tepër, raporti zbulon se nga këto 1 118 vepra penale mbi 93 për qind e tyre ishin të lidhura me kultivimin e kanabisit dhe shitjen në rrugë të drogës dhe vetëm 6 për qind ishin vepra të lidhura me trafikimin e drogës.
Është fakt tashmë se ndikimi qeveritar nuk ndihet askund për të zgjidhur këtë gjendje, e cila po rrezikon jo vetëm ekuilibrat socio-ekonomik, demokracinë dhe sigurinë kombëtare, por po kthehet në një rrezik edhe për sigurinë e vendeve europiane- Adriatiku dhe Joni janë kthyer në autostrada detare ku vërshojnë gomone të ngarkuara me tonelata kanabis, ndërsa Italia është shndërruar në portën hyrëse në BE të kanabisit nga Shqipëria.
Avionët me drogë qeveria i quajti mushkonja, ndërsa mbjelljen e kanabisit e konsideroi si një aktivitet gati-gati normal bujqësor – të gjithë kujtojnë si Kryeministri Rama u drejtohej me batuta fermerëve duke i pyetur si po ju shkonte kultivimi i kanabisit.
Këto orvatje për ta ambalazhuar me qesëndi kanabizimin e Shqipërisë dhe implikimi i zyrtarëve të lartë në narkotrafik tregojnë se jemi përballë një kompromisi, një omertaje mes qeverisë dhe narkotrafikut.
Propaganda qeveritare synon t’ua shesë shqiptarëve çështjen e kanabizimit si një ekonomi alternative, si domosdoshmëri për mbijetesë shtetërore. Në fakt është thjesht për mbijetesë qeveritare, një ekonomi e re për oreksin e tyre, një koncesion gjigant ku e tërë Shqipëria është shitur për serrë.
Së fundmi, mediat kanë publikuar pjesë nga përgjimet e një grupi trafikantësh, që transportin drogë me avion drejt Italisë. Në bisedat me njëri-tjetrin, trafikantët shprehen se kanë korruptuar me 50 mijë euro “një njeri të madh në Tiranë”.
Zinxhirin korruptiv që ndjek narkotrafiku fillon nga roja e kufirit deri në majat e nomenklaturës qeverisëse. Një roje bregdetare paguhet maksimumi 600 euro në muaj. Nëse atij i ofrohet 10 000 euro për të siguruar që 5 kg kokainë të arrijnë ose të kalojnë në Durrës, trafikanti i drogës arrin kështu të nxjerrë 190 000 euro. Nëse arrin të “bindësh” 5 roje bregdetare, atëherë shifra rritet lehtë në 950 000 euro kokainë me 50 000 euro në ryshfet për rojet bregdetare apo policët, etj.
Por si mbulohet kjo? Rojet bregdetare apo policët e tjerë që merren me këto operacione kanë një qendër që i kontrollon dhe kështu trafikantët e drogës vënë në kurth 5 djem të rinj, mundësisht të varfër nga zonat rurale dhe u japin atyre 10 kg kanabis – vlera e tregut 3 000 euro për person që arrijnë në 15 000 euro për 5 veta. Trafikanti i tregon rojes bregdetare ose policëve antidrogë se ku ndodhet ky kanabis dhe ata shkojnë dhe i godasin. Pra, si diversion, goditen 5 djem të rinj për kontrabandën e kanabisit dhe mbulohet pjesa tjetër. Burgjet e Shqipërisë janë mbushur me djem të rinj, ndërsa në kronikat e lajmeve dëgjojmë se kapen tonelata me kanabis, por mungon pjesa e arrestimit të “baronit” të drogës. Kësisoj, “baroni” është i paprekshëm sepse ka bashkëpunëtorë e tij në politikë.
Në Shqipëri, falë dekriminalizimit të nisur dhe bërë realitet ligjor nga opozita, u demaskuan shumë zyrtarë të lartë, përfshirë deputetë të mazhorancës si të lidhur me krimin organizuar dhe trafikun e drogës. Ligji i dekriminalizimit ka përjashtuar disa prej tyre. Por ç’do të ndodhë më tej, a do të zbatohet ky ligj?
Gjatë dy viteve të fundit, krimi i organizuar e ka transformuar Shqipërinë në hambarin e Europës për kultivimin e kanabisit dhe një nga pikat kyçe të trafikimit të heroinës dhe kokainës në Europën Perëndimore. Miliona euro të gjeneruara nga trafiku i drogës u përdorën për blerjen e votave dhe manipulimin e zgjedhjeve të 25 qershorit.
Opozita hodhi hapat e para me ligjin e dekriminalizimit dhe këto 4 vite, Partia Demokratike do të nisë një betejë edhe më të madhe për të pastruar vendin nga krimi e droga që po cenojnë të ardhmen e vendit tonë. Siç e treguan zgjedhjet e 25 qershorit, narkotrafiku tashmë po shndërrohet në një sistem qeverisës. Të qenit në opozitë nuk na pengon që t’u shërbejmë shqiptarëve dhe të ofrojmë zgjidhje, përkundrazi e bën betejën tonë më të sinqertë e të ndershme përballë një qeverisjeje në “overdozë” nga narkotrafiku.

Kriza politike në Kosovë, dështon takimi konsultativ

Takimi konsultativ i partive politike në Kosovë nuk ka sjellë ndonjë rezultat për ta zgjidhur bllokadën që është krijuar rreth konstituimit të institucioneve të reja. Në takim, përveç subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, kanë qenë të pranishëm të gjithë përfaqësuesit e partive politike. Takimi është zhvilluar me akuza e kundërakuza ndërmjet kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, përfaqësuesve të koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismas [PAN] dhe zyrtarëve të koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës [LAA].
Përfaqësuesi i koalicionit PAN, Enver Hoxhaj, ka thënë se PAN nuk do të marrë pjesë në seancën e së enjtes, të cilën e ka thirrur zoti Mikullovci. “Është e qartë se fuqia politike për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, post i cili i takon koalicionit PAN, është në anën tonë dhe kjo ka të bëjë më legjitimitetin qytetar dhe ne këtë të drejtë do ta ushtrojmë. Ne do të sillemi në kuadër të këtyre dy parametrave, edhe të fuqisë tonë politike, edhe të së drejtës për ta propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi”.
“Kandidati për kryetar të Kuvendit të Kosovës do të jetë Kadri Veseli dhe zgjedhja e tij është e pandalshme”. “Dua të njoftoj se ne nuk do të marrim pjesë në seancën konstituive, përderisa nuk respektohet vullneti i subjekteve politike”, ka thënë Hoxhaj. Nga ana tjetër, Avdullah Hoti, përfaqësues i koalicionit LAA, i ka bërë thirrje PAN-it që të marrë pjesë në seancën e thirrur për të enjten, në mënyrë që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se është obligim para qytetarëve të vendit që të krijohen institucionet e reja të Kosovës.
“Ju jeni pakicë, është e pamundur që të krijoni qeverinë në tri seanca, nuk e di ku na dërgon kjo rrugë dhe ky qëndrim që jeni duke mbajtur. Që të jeni të përgjegjshëm politikisht, kjo nënkupton që ju nesër të paraqiteni në seancë dhe të propozoni kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Ose të dilni para seancës së Kuvendit dhe të thoni se nuk e kemi shumicën e nevojshme për konstituimin e institucioneve të vendit”, ka thënë Hoti.
Përfaqësuesi i Listës Serbe, Goran Rakiç ka thënë se deputetët e subjektit të tij e mbështesin krijimin e institucioneve dhe nuk do të bllokojnë proceset.
Përfaqësuesit e koalicionit PAN kanë kërkuar që seanca e së enjtes të shtyhet për javën e ardhshme dhe që paraprakisht të mbahet edhe një takim tjetër konsultativ. Një propozim i tillë është kundërshtuar nga LAA, duke thënë se koalicioni PAN po tregon “papërgjegjësi dhe joseriozitet”.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se kërkesa për shtyrje të seancës është në funksion të synimeve të PAN-it “për të blerë kohë”. “Kjo nuk është në rregull, për arsyen se kjo është në funksion të qëllimeve të koalicionit PAN për të blerë kohë aq sa është e mundshme, derisa ata t’i përmbyllin pazaret e tyre që i kanë filluar veç e veç, qoftë me Teuta Rugovën, qoftë me deputetët e tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët ata duan t’i blejnë”, ka thënë Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për mediat pas takimit konsultativ. Analisti politik, Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se përplasjet e partive politike për vazhdimin e seancës konstituive, po e zvarrisin edhe më shumë krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.
“Thjesht PAN-i duhet ta propozojë emrin e kandidatit për kryeparlamentar dhe të shihet nëse i ka votat për ta zgjedhur atë. Për mua është e papranueshme që në njërën anë të akuzohen deputetët se nuk po e votojnë kandidatin, e në anën tjetër të thuhet se ne i kemi votat. Pra, janë dy çështje totalisht të ndryshme, që kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe deklarata e tilla bëhen me qëllimin që çështja të prolongohet e jo të zgjidhet”, tha Mushkolaj. Kryesuesi i seancës konstituive ka thënë se seanca e thirrur për të enjten nuk mund të shtyhet.

Europa e Lirë

Deklasifikimi i dosjeve të zakonshme

Një miku im, kureshtar për çështjet arkivore më dërgoi sot kapakun e një dosjeje hetimore-gjyqësore shoqëruar me pyetjen në janë apo jo këto lloj dokumentesh informacione të klasifikuara sekret shtetëror. Ishte fjala për dosjen hetimore-gjyqësore, në ngarkim të poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi, Bedri Blloshmi, etj., e cila iu dhurua para disa ditësh djalit të Gencit, pavarësisht se ky i fundit asnjëherë në këto vite nuk ka treguar interes për të.
U habita teksa në kapakun e dosjes vërejta një vulë me shënimin “deklasifikuar”. Gjej rastin kësisoj, që mikut dhe publikut t’i jap informacionin e mëposhtëm.
Kjo dosje, pjesë e fondit prej më pak se 14 mijë dosjesh të fondit hetimor-gjyqësor të Arkivit të Sistemit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka qenë dhe është lirisht e shfrytëzueshme. “Deklasifikimi” i kryer nuk e di për çfarë arsye nga autoriteti “për hapjen e dosjeve”, jo vetëm është veprim i kotë, por dëshmon më së miri mosnjohjen e legjislacionit për arkivat dhe informacionin e klasifikuar sekret shtetëror.
Dosja është e njëllojtë me çfarëdolloj dosje hetimore-gjyqësore në Shqipëri, të cilat gjenden në gjykatat e vendit, pavarësisht natyrave të çështjeve. Sigurisht edhe këto dosje nuk janë të klasifikuara sepse nuk mund të jenë të tilla pasi janë procese publike. Dosja e poetëve është marrë nga arkivi (pjesë e së cilit është ligjërisht) në kundërshtim me rregullat arkivore, duke dalë nga njësia e ruajtjes duke bërë xhiro dhe tani po i tregohet publikut si “dosje sekrete”.
Autoritetit, çdo dokument i kohës së komunizmit i duket sikur vjen nga Sigurimi, madje për dosjet hetimore-gjyqësore, në ligjin e tyre kanë vendosur edhe një përcaktim të çuditshëm që nuk shkon as nga ana gjuhësore dhe as nga ajo ligjore, “për sa kohë qëndrojnë te Sigurimi” (nuk e kam kuptuar asnjëherë se ku është ky Sigurim imagjinar, sepse dosjet qëndrojnë në arkiv e jo në Sigurim).
Procesi hetimor-gjyqësor ka qenë një proces publik dhe jo agjenturor-operativ. Konkretisht, dosjen e kanë përgatitur hetuesit e Librazhdit në varësi të Drejtorisë së Hetuesisë në MPB, Gjykata e Librazhdit në varësi të Gjykatës së Lartë dhe Prokuroria e Librazhdit në varësi të Prokurorisë së Përgjithshme. Pra, me gjithë dëshirën e pafund për të parë Sigurim gjithandej, kjo dosje nuk lidhet fare me Sigurimin.
Tani të vijmë te niveli i klasifikimit. Komisioni për Deklasifikimin dhe Zhvlerësimin e Informacionit të Klasifikuar sekret shtetëror në Ministrinë e Brendshme nuk i shqyrtoi asnjëherë për deklasifikim këto dosje, pasi në masën 99.99% nuk u konstatua se në to kishte dokumentacion të klasifikuar.
Nuk përbëjnë arsye për deklasifikim dhe nuk janë shenja klasifikimi kapakë dosjesh dhe fletë inventari të shtypura standard në shtypshkronja. Që një dokument të jetë i tillë, duhet që në çdo akt të hetuesisë, vendimmarrje administrative dhe vendim gjykate, të jenë të vendosur krahas datës, në mënyrë të qartë edhe nivelet e klasifikimit (të kohës): tepër sekret, sekret dhe SRV (sekret i rëndësisë së veçantë).
Konkretisht, te ky fond janë sekret vetëm disa fletë lirime të të dënuarve (që përbëjnë rreth 0.001% të dosjeve), të cilat janë trajtuar nga dispozitat e Ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë nga regjimi komunist”, si dhe mund të ndodhet ndonjë material operativ i rastësishëm (që mund të përbëjë rreth 0.001% të dosjeve). Thënë ndryshe, fondi nuk paraqet probleme që lidhen me sekretin shtetëror.
Deri në vitin 1999, për informacionin e klasifikuar, shërbente si bazë ligjore VKM-ja, nr. 243, datë 27.8.1982 “Për ruajtjen e sekretit shtetëror”. Ndonjë dispozitë në fundin e kësaj VKM-je mund të interpretohej në mënyrë abuzive. Por, me daljen e Ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, ndryshuar me Ligjin nr. 9541, datë 22.5.2006″, për klasifikimin origjinal dhe deklasifikimin zbatohen vetëm dispozitat e këtij ligji. Ky nuk i jep asnjë kompetencë autoritetit “të hapjes së dosjeve” të jetë autoritet klasifikues e për rrjedhojë nuk mund të jetë as deklasifikues.
VKM-ja nr.124, datë 15.3.2001 “Për deklasifikimin e zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar sekret shtetëror”, që ndodhen në rrjetin kombëtar të arkivave”, në nenin 1 të saj e përcakton qartë që “në rrjetin kombëtar të arkivave, të ngrihen Komisionet për Deklasifikimin dhe Zhvlerësimin (KDZH) të informacionit të klasifikuar sekret shtetëror, i cili përfshihet në çfarëdolloj fondi dokumentar”. Këtë të drejtë ligji ua njeh autoriteteve klasifikuese (që kanë edhe arkiva sistemi), si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Edhe vetë ligji i krijimit të Autoritetit “të hapjes së dosjeve”, nuk ka asnjë dispozitë që parashikon të drejta deklasifikuese të këtij institucioni.
Po ashtu e gjej me vend të theksoj se personat që kanë ushtruar detyrat e oficerit të Sigurimit, etj., si persona që kanë ushtruar gjenocid, nuk mund të mbrohen nga asnjë lloj veprimi apo propagande se gjoja emrat e tyre qenkan të “dhëna personale”. Nuk e di kush e këshillon Autoritetin të bëjë avokatinë e kësaj kategorie, shpresoj jo oficerët e Sigurimit, ndoshta janë arsye të tjera, por e sigurt është që ligjet ndërkombëtare që ka nënshkruar Shqipëria për dënimin e gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit thonë se këto krime nuk mund të parashkruhen e mbulohen, aq më tepër në këtë formë.

Asamble Hatibi përmendi dy vrasje të diktatorit

Asamble Hatibit, regjimi i Enver Hoxhës i vrau bashkëshortin në moshë të re. Galip Hatibi u rrëmbye në mënyrë të fshehtë në vitin 1946 (kur ishte i sapomartuar me Asamblenë) kur ishte para godinës së sotme të Universitetit të Tiranës me urdhër të drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Nesti Kerenxhi, sigurisht duke përçuar një dëshirë të Enver Hoxhës. Hatibi u mbajt i izoluar për një kohë të gjatë në bodrumin e Seksionit të Sigurimit të Shtetit (te Selvia), derisa u ekzekutua diku afër zonës së Kinostudios kur ishte kthyer në një kufomë, kockë e lëkurë. Galip Hatibi nuk u mor në pyetje asnjëherë. Ai u la në errësirë dhe vetëm sa mbahej gjallë me ndonjë krodhe bukë. Galipi ishte njohje apo më shumë se kaq e Nexhmije Hoxhës gjatë luftës. Ai u burgos në vitin 1942 dhe ishte pjesë e grupit antifashist që u lirua nga amerikanët në Bari të Italisë. Megjithëse vrasja kriminale e Hatibit doli shumë herë gjatë procesit të Koçi Xoxes, regjimi asnjëherë nuk e rehabilitoi Galip Hatibin. Bashkëshortja e Galipit, Asambleja, njihte shumë mirë jetën e Enver dhe Nexhmije Hoxhës. Asambleja (mbante këtë emër sepse u lind në vitin 1924 kur u hap Asambleja Kushtetuese), mbaroi Institutin Femëror në Tiranë. Gjatë luftës u burgos si antifashiste. Në vitet 1944-1949 punoi në organizatën e Bashkimit të Grave, në vitet 1949-1956 në Ministrinë e Bujqësisë, më 1956-1974 në Institutin Bujqësor të Kamzës si laborante; më 1974-1978 në ndërmarrjen artistike “Migjeni”. Asambleja u arrestua më 10.10.1978 dhe u lirua nga burgu më 15.11.1982 me amnistinë e përgjithshme të këtij viti.
Goditja e ashpër e Asamblesë u bë pikërisht për shkak të emetimit prej saj të fakteve mbi jetën e diktatorit. Në një raport të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë të datës 11.9.1978, për Asamble Hatibin bëhet një analizë e fjalëve të saj duke ndarë agjitacionin në çështje politike dhe ekonomike. Raporti nënvizonte: “Nga burimet rezulton se Asamble Hatibi është femër e zgjuar, me kulturë, di dy gjuhë të huaja (frëngjisht e italisht, por në një të dhënë tjetër thuhej se di 4 gjuhë- shënim). Është e pasionuar pas muzikës dhe letërsisë perëndimore, ka rreth të gjerë shoqëror, të cilët i ka afruar në sajë të aftësive të saj për të tërhequr njerëzit duke u gjetur pikat e dobëta. Një pjesë janë me qëndrim të mirë politik”. Citoheshin fjalët e saj, ndër të tjera, të mëposhtmet:
– Enver Hoxha është vrasës, kriminel, fajtor për të gjitha vrasjet që janë bërë në vendin tonë. Një person që ka bashkëpunuar me armiqtë e partisë, por për të shpëtuar veten, i ka eliminuar ata.
– Ai zhduk dhe vret, zakonisht ata që dinë sekretin për të.
– Ai e ka ngritur shumë figurën e vet, mirëpo me atë që bën, nuk janë pak, ka vrarë shumë, ka vrarë gjithë njerëzit që nuk kanë rënë dakord me të dhe ju thotë se kanë shkelur platformën. Ai është shkaktar i vrasjes së vëllezërve Kokalari gjatë luftës, burrit tim Galip Hatibi dhe shumë të tjerëve. Ai është vrasës dhe katil. Enver Hoxha është pederast. Unë e di këtë gjë. Për këtë punë ai ka vrarë edhe atë, Kokalarin… si dhe gjellëbërësin e tij, të cilin e kish mbajtur vetë për marrëdhëniet e mësipërme.
– Po pse, sa do të rrojë ky? Ka për të vdekur një ditë dhe atëherë do të kemi liri të plotë. Sot pyetet për gjithçka Enver Hoxha, zëvendësi i tij nuk dëgjohet fare. Gruaja e këtij të fundit e ka tepruar me elegancën e saj… ajo është frikacake, por ka përfituar nga dinakëria e atij labit.
– Enver Hoxhës i pëlqen ta ngresh në qiell, siç ndodh me kapitullin e qëndrimit të tij në Moskë në romanin “Dimri i madh” ku autori paraqet tërë mizerjen e jetës sonë. Vaniteti (kotësia) e Enver Hoxhës arrin deri aty sa të mos i bëjë përshtypje se vepra e tij është e zezë. Autori (Ismail Kadare-shënim) është i madh se e bën armën e Sigurimit zhele.
– Hë pra, jeto në komunizëm, mbaje dhe radhën për kastraveca, të mos prodhojë kastravec vendi ynë? I thonë 34 vjet! Marksist-leninist qe edhe Bashkimi Sovjetik, por e kuptoi që nuk ecet.
– Ata bëjnë politikë, do të hajë populli, mjaft e ka mbajtur peshën në kurriz, i thonë 60 vjet… Ti nuk e di se ç’është punëtori (tregon për një djalë me babanë punëtor që lagjia i dha një shtëpi të vjetër. Kështu është shteti punëtor, diktatura e proletariatit).
– Unë nuk i them shthurje atyre që mbajnë pantallona të gjera e flokë të gjata, ajo është gusto e njeriut. Pantallona të gjera i ka mbajtur vetë Enver Hoxha kur ishte i ri. Shthurje i them të spiunosh prindërit se shikojnë Italinë në televizor. Ç’është e vërteta rinia ka krijuar urrejtje. Çfarë i kanë dhënë rinisë këta, vetëm aksionin.
– Ne nuk mund të izolohemi nga bota, sot janë konditat e tilla. Shikon televizorin, po shkojnë në Hënë e çfarë shthurje ka në këtë mes? Ata që janë në fuqi jetojnë gjithnjë mirë, ata kanë vila kudo, në Volerekë të Pogradecit, në Shkodër, në Korçë, u rrinë gati shtëpitë dimër-verë. Por ama lërmë dhe mua të jetoj si njeri, pse më le kështu.

Trump për Kim Jong Un: Do përballesh me atë që kjo botë s’e ka parë

Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson tha se, nuk beson se ka ndonjë kërcënim të afërt nga Koreja e Veriut ndaj ishullit Guam të Paqësorit, pavarësisht pretendimit të Penianit se po shqyrton planet për ta rrethuar me zjarr këtë territor amerikan. Zoti Tillerson foli me gazetarët gjatë fluturimit në Guam të mërkurën, pas një dite retorike të nxehtë midis Uashingtonit dhe Penianit. Sekretari i Shtetit qëndroi në ishull për një furnizim me karburant pas një vizite në Azi. “Unë mendoj se Presidenti po i dërgon një mesazh të fortë Koresë së Veriut në gjuhën që kupton Kim Jong Un, i cili nuk duket se e kupton gjuhën diplomatike”, tha zoti Tillerson. Në një deklaratë të lëshuar herët të mërkurën, Agjencia Shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, tha se forcat e armatosura po “shqyrtojnë me kujdes” një plan për sulm me raketa në Guam. Në bazat ushtarake amerikane në territorin e ishullit në Paqësor, besohet se është i vendosur arsenali më i madh bërthamor amerikan, jashtë Amerikës kontinentale.
Zhvillimet pasuan një ditë të ngarkuar me retorikë të ashpër ndërmjet Washingtonit dhe Phenianit. Presidenti amerikan, Donald Trump, bëri një paralajmërim të ashpër ndaj Koresë së Veriut, duke theksuar që nëse ajo vazhdon të kërcënojë Shtetet e Bashkuara “do të përballet me një zjarr dhe furi të tillë, që bota nuk e ka parë ndonjëherë”. “Mendoj se Presidenti thjesht dëshironte të ishte i qartë për regjimin e Koresë së Veriut, se SHBA ka aftësi të padiskutueshme për të mbrojtur veten, se SHBA do të mbrojë veten dhe aleatët. Mendoj se ishte e rëndësishme që ai të përcillte këtë mesazh për të shmangur çdo llogaritje të gabuar nga ana e tyre”, tha zoti Tillerson. Ndërkaq, në një koment në Twitter, Presidenti Trump tha se, arsenali bërthamor i Amerikës është më i fortë se kurrë.

Guam, zyrtarët u japin sigurime banorëve
Zyrtarët e zgjedhur në Guam, po sigurojnë banorët se territori i Shteteve të Bashkuara është i sigurt, pas pretendimeve të Koresë së Veriut se po shqyrton planin e saj për “sulm me raketa” në ishullin e rëndësishëm strategjik të Paqësorit. Një zëdhënës i ushtrisë së Koresë së Veriut, citohet të ketë thënë se plani i sulmit “do të zbatohet në mënyrë të shumëfishtë dhe të vazhdueshme në çdo moment”, sapo të jetë dhënë urdhri nga Kim Jong Un. Guvernatori i Guamit, Eddie Calvo, tha në një fjalim në televizion se nuk ka ndonjë kërcënim për ishullin, por theksoi se “ai është i përgatitur për çdo mundësi”. Ai tha se, “Guami është tokë amerikane…jo vetëm një bazë ushtarake” dhe se është siguruar nga Shtëpia e Bardhë se një sulm mbi Guamin do të konsiderohet si sulm mbi Shtetet e Bashkuara. Madeleine Bordallo, e deleguar e zgjedhur e kongresit në Guam, shprehu po ashtu bindjen në aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur ishullin pas kërcënimeve “tejet shqetësuese” të Koresë së Veriut, por i bëri thirrje Presidentit Donald Trump që të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të zbutur tensionet.

Reagimi i ashpër i Trump
Presidenti Trump u tha të martën gazetarëve se, udhëheqësi i Koresë së Veriut, po sillet në mënyrë kërcënuese që kur Shtetet e Bashkuara forcuan sanksionet ndaj shtetit të izoluar komunist dhe siguruan një votim të njëzëshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të dënuar Phenianin. Duke folur në klubin e tij të golfit në New Jersey, Presidenti Trump përsëriti paralajmërimin se Kim po rrezikon vendin e tij të varfër të përballet me “një zjarr dhe furi, sinqerisht me një fuqi që kjo botë nuk e ka parë kurrë më parë”. Presidenti i bëri komentet si reagim ndaj një njoftimi të gazetës “Washington Post” dhe televizionit NBC News, ku thuhej se zyrtarët amerikanë të zbulimit vlerësojnë që Koreja e Veriut ka prodhuar me sukses një mbushje bërthamore në përmasa të vogla, e cila mund të montohet në raketat e saj.
Nëse është e vërtetë, kjo nënkupton se Koreja e Veriut ka kaluar një prag të rëndësishëm në rrugën për t’u bërë një fuqi e plotë bërthamore. Mediat, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë të zbulimit, thonë se analiza që arrin në një përfundim të tillë, është kryer muajin e kaluar nga Agjencia e Zbulimit të Mbrojtjes. Zyrtarët e Agjencisë nuk pranuan të komentojnë. As zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar nuk ka komentuar. Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes e Japonisë vlerësoi në një raport të martën se është e mundur që Koreja e Veriut të ketë arritur miniaturizimin e armëve bërthamore dhe të ketë prodhuar mbushje bërthamore. Presidenti Donald Trump dhe ambasadorja e tij në Kombet e Bashkuara thonë se sanksionet e reja kundër Koresë së Veriut janë të domosdoshme për të ndalur programin bërthamor të këtij vendi.
Në një koment në Twitter zoti Trump shkruante sot se: “Pas shumë vitesh dështimi, vendet janë bërë bashkë për t’iu përgjigjur përfundimisht rreziqeve që paraqet Koreja e Veriut. Ne duhet të jemi të ashpër dhe vendimtarë”, shkruante Presidenti amerikan. Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley tha gjatë një interviste për rrjetin NBC se nuk është e sigurt nëse sanksionet do të funksionojnë. Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, nuk ka shprehur interes për t’u larguar nga programi bërthamor dhe balistik dhe vendi u ka mbijetuar sanksioneve të vendosura në të shkuarën. Por ambasadorja Haley thotë se sanksionet e detyrojnë Kim Jung Unin të rishikojë “strategjinë e tij dhe të vendosë, duke i bërë pyetjen vetes, se nëse godet Shtetet e Bashkuara, a mendon se do të fitojë?

Kërcënime reciproke ndërmjet SHBA-ve dhe Koresë Veriore

Koreja Veriore është kërcënuar se “me kujdes po i shqyrton” planet për lansimin e sulmit raketor kundër ishullit Guam në Paqësorin e Shteteve të Bashkuara, disa orë pasi Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka tërhequr vërejtjen Phenianit se çfarëdo kërcënimi do të ndeshet me “zjarr dhe ashpërsi”. Koreja Veriore tha se qëllimi i saj është zhvillimi i raketës me kokë atomike, e aftë për ta sulmuar tokën e Shteteve të Bashkuara, dhe i ka injoruar sanksionet ndërkombëtare, me të cilat synohet ndalja e programit atomik dhe raketor të Koresë Veriore. Një sulm nga raketa balistike strategjike me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, mund të lansohet kah Gaumi, në çdo moment, atëherë kur lideri verikorean, Kim Jong Un, e merr vendimin, ka thënë një zëdhënës i Armatës Popullore të Koresë Veriore, në deklaratën e transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve e këtij vendi, KCNA. Ky zëdhënës tha se sulmi do të kishte për qëllim për të “arritur në bazat ushtarake kryesore të Shteteve të Bashkuara në Guam”. Kjo bazë është tejet e rëndësishme për ushtrinë amerikane, pasi nga ajo lansohen misione në rajonin Azi-Paqësor. Koreja Veriore, po ashtu i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përgatisin “luftë parandaluese”, për të cilën Pheniani thotë se do të shndërrohej në “luftë të përgjithshme me shkatërrimin e të gjitha bazave të armikut, përfshirë tokën e Shteteve të Bashkuara”. Guvernatori i Guamit, Eddie Calvo, i ka hedhur poshtë kërcënimet e Phenianit dhe tha se ishulli është i përgatitur për “çfarëdo eventualiteti” me vendosjen e mbrojtjeve strategjike. Zoti Calvo tha se është në kontakt me Shtëpinë e Bardhë dhe se nuk ka ndryshim në nivelin e kërcënimit për Guamin, me popullatë prej 163 mijë banorëve. Në një video mesazh, guvernatori Calvo tha se, “Guami është tokë amerikane dhe se ne nuk jemi vetëm instalim ushtarak”. Presidenti amerikan, Donald Trump, më herët ia ka tërhequr vërejtjen Phenianit për pasoja të rënda, nëse kërcënohen Shtetet e Bashkuara. “Më së miri është që Koreja Veriore të mos u kërcënohet mëtutje Shteteve të Bashkuara”, u tha mbrëmë vonë zoti Trump gazetarëve dhe ka shtuar se “ata do të ndeshen me zjarr dhe ashpërsi, që bota nuk e ka parë kurrë”. Këtë vërejtje Presidenti Trump e bëri pas raportit të së përditshmes, “Washington Post”, ku citohen zyrtarët e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, se Pheniani e ka prodhuar një kokë miniaturale atomike, që mund të vendoset brenda raketave të veta, i cili është hap madhor i përpjekjeve të këtij vendi për t’u bërë fuqi komplete bërthamore. Retorika kërcënuese ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Phenianit është tensionuar në mënyrë dramatike, pasi Koreja Veriore, në muajin korrik, i ka testuar dy raketa balistike ndërkontinentale, duke ndërmarrë hap të rëndësishëm kah qëllimi i vet për zhvillimin e raketës me rreze të gjatë veprimi me aftësi për të sulmuar çdokund në tokën e Shteteve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 5 gusht, në mënyrë unanime ka vendosur sanksione kundër Koresë Veriore, që kanë për qëllim të bëjnë presion ndaj Phenianit, për ta përfunduar programin e vet atomik.

Trump riposton një lajm të bazuar në burime anonime të zbulimit

Trump Twitter

Presidenti amerikan Donald Trump, ka sulmuar ata që rrjedhin dokumente të zbulimit nga Shtëpia e Bardhë, por të martën ishte ai që u dërgoi një lajm miliona ndjekësve në llogarinë e tij në median sociale, rreth raketave të Koresë së Veriut, që bazohej në burime anonime amerikane të zbulimit. Duke dashur të theksojë rreziqet që paraqesin provat me raketa të Koresë së Veriut dhe programi i saj i armëve bërthamore, zoti Trump përdori llogarinë e tij në Twitter për të ripostuar një lajm të rrjetit “Fox News”. Sipas lajmit, disa ditë më parë agjencitë amerikane të spiunazhit kishin zbuluar se, Pheniani kishte ngarkuar në një anije patrullimi dy raketa kundër anijeve. “Fox” citonte për lajmin “zyrtarë në dijeni të informacioneve më të fundit të zbulimit në rajon”, ndonëse nuk dihej nëse informacioni ishte klasifikuar si sekret. Sipas rrjetit “Fox News” lidhur me lajmin po citohej “një zyrtar që kërkoi t’i ruhej anonimiteti, pasi fjala ishte për informacione të ndjeshme”. Shtëpia e Bardhë nuk komentoi se përse zoti Trump e ripostoi në Twitter lajmin e shfaqur në programin “Fox & Friends”, të cilën ai e ndjek shpesh në mëngjes herët. Që në ditët e para të tij në Shtëpinë e Bardhë Presidenti Trump është ankuar shpesh për rrjedhjet e informacionit të klasifikuar nga agjencitë qeveritare, veçanërisht për lajmet që bazohen në informacion që ka rrjedhur dhe që ka hedhur hije mbi administratën e tij. Ai ka kërkuar që ata që e nxjerrin informacionin “të gjenden dhe ndiqen penalisht”. Muajin e kaluar zoti Trump kritikoi prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions, si “shumë të dobët” lidhur me “rrjedhjen në media të informacionit të zbulimit”. Por kur javën e kaluar Prokurori i Përgjithshëm njoftoi se, Departamenti i Drejtësisë kishte rritur numrin e hetimeve lidhur me këtë çështje, Presidenti Trump shkroi në Twitter: “pas shumë vitesh rrjedhje të informacionit në Uashington është mirë të shohësh Prokurorin e Përgjithshëm të ndërmarrë veprime. Sa më të ashpër, aq më mirë”, shkruante ai.