Milani ka bërë një merkato fantastike deri tani, duke afruar në skuadër plot 10 futbollistë mes tyre edhe emra shumë të rëndësishëm si Leonardo Bonucci, Lucas Biglia, Andrea Conti, Franck Kessie e Andre Silva. Gjithsesi, për të kompletuar skuadrën drejtuesit e klubit prej kohësh po lëvizin për të realizuar edhe goditjen e fundit që do të jetë afrimi i një sulmuesi me shumë peshë që të mbajë mbi shpatulla repartin e avancuar të Milanit, pasi Carlos Bacca dhe i riu Andre Silva nuk e bindin plotësisht trajnerin Vincenzo Montella.
Në orët e fundit është folur shumë për një rikthim të Zlatan Ibrahimoviç te kuqezinjtë. Shtatlarti suedez po e merr veten nga dëmtimi i rëndë që pësoi në Prill dhe mund të jetë gati për të luajtur në fillim të tetorit. Megjithatë për të frenuar disi entuziazmin e tifozëve të Milanit për një afrim të mundshëm të Ibrës, ka menduar drejtori sportiv Massimiliano Mirabelli, i cili në një intervistë ka theksuar se në listën prej 3 emrash për sulmin e kuqezinjve nuk bën pjesë ai i Zlatan Ibrahimoviç.
Borussia e Dortmundit dhe vetë Pierre Emerick Aubameyang i kanë mbyllur dyert kuqezinjve por Mirabelli nuk e përjashton ende mundësinë që sulmuesi nga Gaboni mund të bëhet pjesë e Milanit. Diego Costa dhe Nikola Kalinic janë dy emra të tjerë që janë lakuar shumë për të afruar te Milani. Mirabelli edhe pse e pranoi se Milani ka nevojë për një sulmues të madh, ai dhe Fassonne nuk duan të gabojnë dhe do të presin deri në ditën e fundit të merkatos për të bërë zgjedhjen e duhur.
Aventura e Stephan Lichtsteiner te Juventusi mund të jetë drejt fundit. Në rast se bardhezinjtë do të firmosnin me Joao Cancelo, zvicerani nuk do të kishte hapësirën e dëshiruar në formacion dhe për këtë po studion alternativa të reja. “Zonja e Vjetër” e vlerëson 7-8 milionë euro kartonin e 33-vjeçarit, i cili për momentin kërkohet vetëm nga Nice, pasi mësohet se Wolfsburg është tërhequr nga gara për mbrojtësin.
Valentin Eysseric është lojtari më i ri i Fiorentinës. Mesfushori, i cili vjen nga skuadra e Nice, zhvilloi vizitat mjekësore me klubin vjollcë, për të firmosur më pas kontratën. 25-vjeçari deklaroi se është shumë i lumtur që ndodhet në Firenze. Eysseric do të jetë në dispozicion të Stefano Piolit, për miqësoren e ditës së enjte, kundër Pistoieses.
Ibra nuk bën pjesë në listën e Milanit
Tronditet Barcelona
Drejtuesit e Barcelonës kanë marrë lajme të këqija nga Anglia. Liverpool i ka bërë me dije gjigantit nga La Liga se Philippe Coutinho është i paprekshëm. Madje, udhëheqësit e Liverpoolit nuk kanë pranuar që të takohen me zyrtarët e Barcelonës për të biseduar për transferimin e mundshëm të Coutinhos në “Camp Nou”, shkruan Goal.com.
Anglezët e kanë bërë këtë veprim, pasi Coutinhon e konsiderojnë të pa prekshëm dhe se nuk kanë pasur se çfarë të diskutojnë. Mbetet të shihet se cili do të jetë hapi i radhës i Barcelonës për Coutinhon, i cili shihet si paradhësi i Neymarit, i cili u transferua te Barcelona për 222 milionë euro.
Drejtuesit e Barcelonës kanë nisur misionin që ta transferojnë yllin e ri francez, Ousmane Dembele nga Borussia Dortmund. Dembele shihet si paraardhës i Neymarit, i cili u transferua në Paris Saint-Germain për 222 milionë euro. Por, transferimi i francezit në “Camp Nou” mund të dështojë, pasi Borussia Dortmund po kërkon 150 milionë euro për lojtarin. Megjithatë, drejtuesit e Barcelonës pritet që të bisedojnë sy më sy me udhëheqësit e Dortmundit, dhe do të mundohen që të gjejnë një marrëveshje për transferimin e Dembeles në “Camp Nou”.
Pas Neymarit, Barcelona do të mbetet edhe pa Munir El Haddadin. Ky i fundit ka arritur marrëveshje me Romën, shkruan e përditshmja katalunase, “Sport”. Sipas “Sport”, tani Romës i ka mbetur që të arrijë marrëveshje me Barcelonën për Munirin, përcjell “Express”.
Sulmuesi i Spanjës, i cili sezonin e kaluar ishte i huazuar te Valencia, mund të shitet për 15 milionë euro. Duhet theksuar se Munir ka pasur oferta edhe nga Ajax e Zenit St Petersburg, por ka zgjedhur Romën për ta vazhduar karrierën.
Pas blerjes së Neymarit nga Barcelona për 222 milionë euro, Paris Saint Germaini e ka gati ‘bombën’ e radhës. Sipas televizionit francez, TF1, ylli i Monacos, Kylian Mbappe ka vendosur që të transferohet në Paris Saint Germaini. Thuhet se Mbappe ka zgjedhur Parisin, pasi këta të fundit transferuan yllin brazilian, Neymar. Paris Saint Germaini do t’i ofroj Monacos 155 milionë, plus bonuse, për transferimin e Mbappes, i cili kërkohet me ngulm nga Real Madrid.
Hysaj për rekord, i vetmi lojtar i pazëvendësueshëm tek Napoli

Një vit më parë, Elseid Hysaj u rendit futbollisti i tretë i Napolit për minutazhin më të madh të luajtur në të gjithë kompeticionet me skuadrën italiane. Përpara tij ishte vetëm portieri dhe një tjetër nga shokët e skuadrës. Kjo ka sjellë edhe disa herë lodhjen e tij dhe mediat italiane e kanë justifikuar shpesh paraqitjen e tij me këtë fakt.
Mirëpo, mbrojtësi i Kombëtares edhe këtë vit shihet si i pazëvendësueshëm. Qoftë edhe në një ndeshje miqësore. Në barazimin e Napolit 2-2 kundër Bornmëthit, shqiptari ishte autor i pasimit të një prej golave të Napolit. Jo vetëm kaq, por për fat të keq, në barazimin nga skuadra angleze, Hysaj devijoi pa fat një top që më pas u shënua në portën e napolitanëve.
Gjithsesi, përveç lojës së mirë të mbrojtësit të Kombëtares, ka rënë në sy fakti që Hysaj ka qenë i vetmi që ka luajtur 90 minuta për Napolin. Trajneri Sarri i ka zëvendësuar të gjithë futbollistët e tjerë, përfshirë edhe portierin, me përjashtim të mbrojtësit kuqezi.
Ndërkohë, “Daily Mirror” ka zbuluar se skuadra e Interit ka hyrë në garë transferimin e Riyad Mahrez nga Leicester City. “Daily Mirror” shkruan se drejtuesit e Nerazzurrëve shumë shpejt do t’i bëjnë një ofertë skuadrës nga Premierliga për Mahrezin. Për Mahrez interesim të madh ka shfaqur edhe Roma, por romakët thuajse janë dorëzuar, pasi Leicester City ka kërkuar 50 milionë funte (55 milionë euro) për lojtarin. Pritet të shihet nëse Interi do të jetë i gatshëm t’i plotësoj kërkesat e ish-kampionit të Anglisë apo jo.
Dzeko: Prioriteti i Romës është fitimi i titullit kampion
Edin Dzeko i ka të qarta objektivat e tij dhe të skuadrës së Romës për sezonin 2017-2018. Sulmuesi boshnjak dëshiron që këtë sezon, verdhekuqtë të mos dështojnë në tentativën e tyre për të fituar titullin kampion, edhe pse është i ndërgjegjshëm për vështirësitë që do të ketë skuadra e tij.
“Dua të fitoj dhe të bëj edhe më mirë për Romën, sepse kampionati italian në aspektin taktik është më i miri në botë. Këtu kam mësuar shumë gjëra që nuk i kisha hasur më parë. Këtu, të gjitha skuadrat janë të përgatitura mirë taktikisht, edhe të ashtuquajturat ekipe të vogla”, tha Dzeko.
Pas një sezoni në Europa League, Roma kthehet në Champions League, në të cilën Dzeko pretendon se ai dhe skuadra e tij do të bëjë mirë. “Championsi është një kompeticion që më pëlqen, e ku do të kërkojmë të bëjmë një figurë shumë të mirë. Por prioriteti ynë është fitimi i titullit në Serinë A”, deklaroi boshnjaku Dzeko.
Pas Romës edhe Interi është vendosur në gjurmët e Riyad Mahrez. Algjeriani i Leicester, siç raporton “The Mirror”, ka përfunduar edhe në “radarin” e klubit zikaltër. Roma prej kohësh nuk po gjen akordin me anglezët, të cilit kërkojnë rreth 55 mln euro, teksa verdhekuqtë ofrojnë deri në 35 mln. Megjithatë, në tratativat mes palëve ka ndërhyrë dhe Interi, me Walter Sabatinin, që është i gatshëm të lëvizë për të sjellë në Milano 26-vjeçarin.
Marco Benassi mund të jetë goditja e radhës e Fiorentinës në merkato. Klubi vjollcë, pasi ka humbur disa elementë cilësorë në këtë verë po mendon të përforcojë ekipin. Një ndër objektivat kryesorë është pikërisht mesfushori i klubit granata, i cili pëlqehet shumë nga trajneri Stefano Pioli. 22-vjeçari luan që prej vitit 2014 me Torinon dhe në 85 ndeshje ka arritur të shënojë 11 gola.
Superkupa e Italisë, Juventus me probleme ndaj Lazios
Ndërsa po numërohen ditët në prag të Superkupës së Italisë të dielën kundër Lazio-s, në kampin e Juventus nuk janë të gjithë lojtarët në kushte optimale. Kampionët e Serisë A duhet të bëjnë llogaritë me problemet fizike të kolumbianit Cuadrado, që është në dyshim për sfidën e stadiumit “Olimpico”.
Për trajnerin Alegri shtohen kështu mundësitë që në repartin ofensiv pas krahëve të Gonzalo Higuain, të jetë Dagllas Costa. Blerja e re e kësaj vere ishte në balotazh me mesfushorin kolumbian, por tashmë favorizohet nga lodhja muskulare e shokut të ekipit që i jep një fanelë titullari.
Cuadrado gjithsesi do të përfshihet në grumbullimin ndaj Lazio-s dhe mund të futet në fushë në pjesën e dytë në një skemë 4-2-4-1 që trajneri Alegri shpreson se do t’i japë trofeun. Pritet gjithashtu të mungojë portieri polak, zëvendësuesi Szczeny.
Shtyhet sërish debutimi i Neymar
Mund të shtyhet me një tjetër javë debutimi i shumëpritur i Neymar me PSG. Mediat franceze dhe ato spanjolle bëjnë të ditur se transferi ndërkombëtar nuk ka shkuar në zyrat e PSG, kështu që reduktohen shanset për ta parë brazilianin në fushë këtë të diel kundër Guiganp, takim që do të transmetohet në Supersport që ka ekskluzivitetin e Ligue 1, kampionat ku sapo ka zbarkuar ylli i futbollit botëror. Siç bën të ditur “L’Equipe” ka kohë deri mesnatën e së shtunës që PSG t’i dërgojë Ligës Franceze të Futbollit dokumentin që do t’i dorëzohet nga Federata Spanjolle, por te Barcelona ende nuk kanë lëvizur për të lëshuar transferin, duke krijuar përshtypjen se te Barça kanë dëshirë ta zvarrisin çështjen edhe për disa ditë.
Teorikisht, sipas rregullores klubi katalanas ka kohë deri në 18 gusht për t’i dorëzuar federatës spanjolle transferin, periudhë pas së cilës PSG mund t’i drejtohet FIFA-s. Ndërkohë, Neymar vijon rregullisht të stërvitet me skuadrën e tij të re, pasi shijoi dy ditë pushim që ju dhanë nga trajneri Unai Emery, kohë që e shfrytëzoi për t’u relaksuar në Saint Tropez. Debutimi i sulmuesit siç po shkojnë gjërat mund të ndodhë në 20 gusht në PSG-Toulose, në javën e 3-të të Ligue 1.
Botërori i Atletikës, pa asnjë shqiptar
Me dëmtimin e Luiza Gegës, që pritej të garonte në 3000 metra, i cili pasoi atë të Izmir Smajlajt, mbetet pa asnjë shqiptar Botërori i Atletikës në Londër. Ndër zhvillimet e fundit, padyshim më interesanti ai i Wayde van Niekerk, që fitoi medaljen e artë në garën e 400 metrave edhe pse nuk theu rekordin e botës siç mund të priste shumëkush. Van Niekerk nuk garoi me kronomentrin, por me rivalët duke u mjaftuar me një kohë normale për të 43”98, duke mos nxituar sidomos në 30 metrat e fundit, pasi la mbrapa Steven Gardiner me 44”41 dhe Abdalelah Harouin që fitoi medaljen e bronzit. Afrikanojugori që mban aktualisht rekordin e botës, mbron në këtë mënyrë titullin botëror pas medaljes olimpike.
Vijon mallkimi i botërorit për rekordmenin e kërcimit me shkop Renaud Lavillenie që nuk ka triumfuar në asnjë nga 5 botërorët ku ka marrë pjesë. Këtë herë ai që fitoi ishte ushtaraku amerikan Sam Kendricks që me vertikalizimin e tij arriti rezultatin 5.89 m, po aq sa Pitr Lisek, por që kishte bërë më shumë gabime, duke i lënë francezit vetëm medaljen e bronztë.
Surprizon Europa në garën e 800 metrave. Trashëgimtari i Rudoshas është Pierre-Ambroise Bosse, me atletin francez që i bëri 150 metrat e fundit në mënyrë të shkëlqyer duke mos i besuar madje as vetes kur arriti finishin me kohën 1’4”67. Lajmi është që Afrika është vetëm e treta në këtë garë, pasi finalja e polakut Adam Kzsczot i dha medaljen e argjendtë duke i lënë vetëm vendin e tretë kenianit që është shpallur kampion bote me të rinjtë, Kipyegon Bett.
Vijon të mbetet e fortë Kenia që dominon prej plot 30 vitesh në garën e 3000 metrave me pengesa. Marokeni Soufiane El Bakkali dhe amerikani Evan Jager provuan të ndërpresin këtë seri të pabesueshme, pasi gara nuk fitohet nga një atlet që nuk ka lindur në Kenia që nga 1987 e largët, por as këtë herë nuk ishte e thënë pasi në një xhiro të fundit plot pasion kampioni olimpik Conseslus Kipruto me kohën 8’14”12 i dogji të dy rivalët duke vijuar traditën keniane të triumfit edhe këtë botëror.
Në hedhjen e shtizës medalje e artë për Barbora Spotakovan me çeken që fiton titullin botëror, një medalje që për herë të parë e ka shijuar 10 vjet më parë në Korenë e Jugut, 36-vjeçarja çeke me rezultatin 66.76 m la pas dy kinezet Lingwei Li dhe Huihui Lyu.
Shpërthen Murinjo
Reali i Madridit triumfon në Superkupën e Europës për vitin 2017. Skuadra e Zinedine Zidane fitoi trofeun e parë kontinental të sezonit, pasi mposhti në Shkup 2-1 Manchester United të Jose Mourinho. Edhe pse ylli i skuadrës, Cristiano Ronaldo qëndroi në stol, “Los Blancos” nuk kishin vështirësi dhe kaluan në avantazh me golin e Casemiros në minutën e 24-rt.
Në startin e pjesës së dytë Isco dyfishoi shifrat, duke i hapur rrugën suksesit të madrilenëve, me trajnerin Zidane që vazhdon të koleksionojë trofe. Kjo është kupa e gjashtë e fituar nga legjenda franceze në 20 muaj, prej emërimit te Reali në janar 2016. Finalja e pestë e fituar në po kaq të luajtura. Zidane ndoshta nuk është mjeshtër i taktikës, por i dha një leksion edhe Murinjos.
“Ashtu si të gjithë në klub, jam i lumtur për këtë rezultat. Ne luajmë për t’i fituar këto sfida të rëndësishme. Luajtëm një ndeshje të madhe, edhe pse vuajtëm paksa në pjesën e dytë. Triumfuam falë karakterit. Ky është vetëm fillimi, pasi sezoni është shumë i gjatë. Megjithatë, Reali i Madridit është padyshim një prej klubeve më të rëndësishëm në botë”, u shpreh Zidane.
Manchester United nuk i mjaftoi goli i Lukakut në të 62-ën, me trajnerin Murinjo që si zakonisht ngre polemika për një gol në pozicion jashtë loje të Realit. Trajneri i “Djajve të Kuq”, Jose Murinjo, e ka pranuar se kundërshtari ishte më i mirë, por u ankua për golin e parë të shënuar nga Casemiro, duke thënë se ishte pozicion jashtë loje dhe se me sistemin VAR gjithçka do të ishte e barabartë. “Real Madridi ka qenë superior në disa momente, por shënuan një gol nga pozita jashtë loje”, tha Murinjo pas ndeshjes.
“Mund të kishim bërë më mirë, por një prej golave të Realit ishte në pozicion jashtë loje. Nëse do të kishim pamjet video në fushë ndeshja do të mbyllej në barazim dhe do të luanim shtesat. Luajtëm përballë një skuadre me lojtarë fantastikë dhe ndeshja mbeti e hapur deri në fund. Provuam shanset tona dhe e bëmë Realin të vuante. Ne humbëm 2-1. Rezultati ishte i ngushtë dhe ata shënuan një gol jo të rregullt. Me sistemin VAR rezultati do të ishte 1-1”, tha Murinjo.
Pas suksesit, Reali konfirmoi se nuk ka rivalë në Europë, ku pas dy triumfeve radhazi në Champions, erdhi edhe fitorja e dytë radhazi në Superkupën e Europës, e katërta në historinë e klubit madrilen.
Ledian Memushaj mes Sionit dhe Beneventos
Ditë vendimtare për të ardhmen e Ledian Memushajt. Tashmë është e sigurtë që mesfushori i kombëtares shqiptare do të largohet nga Pescara, për të provuar një eksperiencë të re në një tjetër skuadër. Lënia jashtë listës së lojtarëve të grumbulluar nga ana e trajnerit Zdenek Zeman për sfidën e Kupës së Italisë ndaj Triestinës ishte një sinjal mëse i qartë se aventurës së 30-vjeçarit nga Vlora te klubi abrucez i ka ardhur fundi. Por nëse deri përpara pak ditësh dukej si i sigurtë kalimi i Memushajt te Sioni në Superligën zvicerane, në garë së fundmi për të marrë shërbimet e kuqeziut është futur fuqishëm Benevento, klubi i sapongjitur në Serinë A dhe ka shumë gjasa që Memushaj të mos largohet nga Italia.
Do të jetë një konkurrencë e fortë dyshe mes Sionit të Paolo Tramezzanit dhe Beneventos, madje drejtuesit e klubit nga Jugu i Italisë kanë programuar një takim me përfaqësues të Pescarës dhe menaxherit e futbollistit për të arritur një marrëveshje. Megjithatë pas hyrjes në garë të Beneventos duhet pritur lëvizja e radhës që do të bëjë Sioni, pasi ish-ndihmësi i Gianni de Biasit te Shqipëria, Paolo Tramezzanni e dëshiron me çdo kusht në skuadrën e tij mesfushorin shqiptar. Nëse transferohet në Zvicër, Memushaj do të ketë shok skuadre Ermir Lenjanin, ndërsa nëse zgjedh të qëndrojë në Itali, duke kaluar te Benevento do të luajë në të njëjtin ekip me një tjetër futbollist të kombëtares shqiptare, pikërisht Berat Gjimshitin.
Sadiku kthehet te goli në Kupën e Polonisë
Armando Sadiku i është përgjigjur sipas mënyrës së tij kritikave pas eliminimit të Legias së Varshavës në turet kualifikuese të Championsit. Me atë që di të bëjë më mirë: golat. Sulmuesi shqiptar gjeti rrjetën në fitoren 4-1 që skuadra e tij regjistroi përballë Visla Pulavit, skuadër e kategorisë së dytë, në Kupën e Polonisë.
Sadiku u aktivizua në minutën e 65-të nga stoli, ndërsa Legia po fitonte me rezultatin e pastër 3-0. Vendasit arritën të shënonin golin e nderit në fundin e kohës së rregullt, ndërsa në minutën e parë të shtesës kuqeziu vulosi rezultatin përfundimtar. Depërtim nga e majta në zonë, driblim mes disa mbrojtësve dhe e djathtë potente, me topin që u ndal vetëm nga rrjeta.
Ky ishte goli i tretë i Armando Sadikut me Legian e Varshavës, në shtatë ndeshje të luajtura prej transferimit në merkaton e verës. Më parë 26-vjeçari kishte realizuar në debutimin në Ekstraklasan polake dhe në duelin e parë kualifikues në Champions ndaj Astanës.