23.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Qershor, 2025

Ledian Memushaj mes Sionit dhe Beneventos

Ditë vendimtare për të ardhmen e Ledian Memushajt. Tashmë është e sigurtë që mesfushori i kombëtares shqiptare do të largohet nga Pescara, për të provuar një eksperiencë të re në një tjetër skuadër. Lënia jashtë listës së lojtarëve të grumbulluar nga ana e trajnerit Zdenek Zeman për sfidën e Kupës së Italisë ndaj Triestinës ishte një sinjal mëse i qartë se aventurës së 30-vjeçarit nga Vlora te klubi abrucez i ka ardhur fundi. Por nëse deri përpara pak ditësh dukej si i sigurtë kalimi i Memushajt te Sioni në Superligën zvicerane, në garë së fundmi për të marrë shërbimet e kuqeziut është futur fuqishëm Benevento, klubi i sapongjitur në Serinë A dhe ka shumë gjasa që Memushaj të mos largohet nga Italia.
Do të jetë një konkurrencë e fortë dyshe mes Sionit të Paolo Tramezzanit dhe Beneventos, madje drejtuesit e klubit nga Jugu i Italisë kanë programuar një takim me përfaqësues të Pescarës dhe menaxherit e futbollistit për të arritur një marrëveshje. Megjithatë pas hyrjes në garë të Beneventos duhet pritur lëvizja e radhës që do të bëjë Sioni, pasi ish-ndihmësi i Gianni de Biasit te Shqipëria, Paolo Tramezzanni e dëshiron me çdo kusht në skuadrën e tij mesfushorin shqiptar. Nëse transferohet në Zvicër, Memushaj do të ketë shok skuadre Ermir Lenjanin, ndërsa nëse zgjedh të qëndrojë në Itali, duke kaluar te Benevento do të luajë në të njëjtin ekip me një tjetër futbollist të kombëtares shqiptare, pikërisht Berat Gjimshitin.

Sadiku kthehet te goli në Kupën e Polonisë

Armando Sadiku i është përgjigjur sipas mënyrës së tij kritikave pas eliminimit të Legias së Varshavës në turet kualifikuese të Championsit. Me atë që di të bëjë më mirë: golat. Sulmuesi shqiptar gjeti rrjetën në fitoren 4-1 që skuadra e tij regjistroi përballë Visla Pulavit, skuadër e kategorisë së dytë, në Kupën e Polonisë.
Sadiku u aktivizua në minutën e 65-të nga stoli, ndërsa Legia po fitonte me rezultatin e pastër 3-0. Vendasit arritën të shënonin golin e nderit në fundin e kohës së rregullt, ndërsa në minutën e parë të shtesës kuqeziu vulosi rezultatin përfundimtar. Depërtim nga e majta në zonë, driblim mes disa mbrojtësve dhe e djathtë potente, me topin që u ndal vetëm nga rrjeta.
Ky ishte goli i tretë i Armando Sadikut me Legian e Varshavës, në shtatë ndeshje të luajtura prej transferimit në merkaton e verës. Më parë 26-vjeçari kishte realizuar në debutimin në Ekstraklasan polake dhe në duelin e parë kualifikues në Champions ndaj Astanës.

Skënderbeu, optimizëm për surprizën në Zagreb

Skuadra e vetme shqiptare e mbetur në kupat europiane, Skënderbeu do të synojë një surprizë të bukur në sfidën e parë të “play off” ndaj Dinamos së Zagrebit. Në kampin korçar ka optimizëm për të rrëmbyer të paktën një barazim që do të ishte me shumë vlera në stadiumin “Maksimir”, edhe pse dalmatët janë një ekip me histori dhe buxhet të fuqishëm, që janë protagonistë në grupet e Champions apo Europa League.
Skënderbeu vijoi me seancën stërvitore të programuar këtë të martë dhe deri më tani nuk ka probleme me dëmtimet apo pezullimet. Në ndeshjen e dytë mund të penalizohen Radas dhe Vangjeli, gjithmonë nëse këta të fundit marrin karton në ndeshjen e parë ndaj Dinamos së Zagrebit.
Ndërkohë qeveria e futbollit europian ka përcaktuar zyrtarisht edhe oraret e përballjes së dyfishtë të “Ujqërve të Dëborës”. Transferta e vështirë në Zagreb ndaj Dinamos vendase do të luhet më 17 gusht në stadiumin “Maksimir” në orën 19:00. Ndërkohë kthimi që do të sanksionojë kualifikimin, luhet në stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të fillojë në orën 20:00, mbrëmjen e 24 gushtit.

Arijan Ademi është kthyer

Dinamo e Zagrebit përforcohet me një futbollist shqiptar, përpara duelit në fazën “play off” të Europa League me Skënderbeun. Bëhet fjalë për mesfushorin Arijan Ademi. 26-vjeçari, që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te gjigantët kroatë, përfundoi pezullimin e dhënë nga UEFA, pasi rezultoi pozitiv në testet antidoping. Fillimisht pezullimi ishte 4-vjeçar, por kohëzgjatja u ul nga Apeli në 2 vjet.
Arijan Ademi është kthyer këtë të martë në stërvitje me skuadrën, ndërsa klubi ftoi të gjithë tifozët ta mirëprisnin lojtarin në seancën e zhvilluar në stadiumin “Maksimir”. Një mënyrë për t’i treguar mesfushorit me origjinë shqiptare, të lindur në Kroaci, por që prej vitit 2014 përfaqëson Maqedoninë në arenën ndërkombëtare, se ai mbetet një pjesë e rëndësishme e Dinamos së Zagrebit.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosin stafi teknik dhe trajneri Cvitanovic rreth aktivizimit të Arijan Ademit, fillimisht në derbin përballë Rijekës, që do të luhet këtë të premte dhe më pas në ndeshjet “play off” përballë Skënderbeut, që do të luhen në datat 17 dhe 24 gusht.

Mimi, 300 milionë për zjarret, 1 miliard për zyrën e tualetin

Ministrja e Mbrojtjes ka lënë për dy dytë pushimet, ku ajo pozonte për gazetat e veshur si notare dhe është marrë pak me zjarret. Tallja e qeverisë me zjarret ka vazhduar edhe në mënyrë publike, kur ministrja deklaroi se ministria e saj kishte shpenzuar 30 milionë lekë për shuarjen e zjarreve.
“Ministrisë së Mbrojtjes i kanë kushtuar mbi 30 milionë lekë të reja. I bëj thirrje qytetarëve të na ndihmojnë për ta përballuar këtë situatë, por dhe të mos e krijojnë”, tha Kodheli në një prononcim për median.
A mund të bëhej qeveria më qesharake se deklaratat e ministres së Mbrojtjes. Çfarë janë 30 milionë lekë të vëna në dispozicion për shuarjen e zjarreve, kur shifrat për luksin e qeverisë kapin shumat e qindra miliona eurove? Sot në të gjithë vendin ka më pak se 20 zjarrfikëse që merren me flakët, ndërsa zyrtarisht numri i vatrave të zjarreve në të gjithë vendin ka qenë 640. A do të mundeshin 20 zjarrfikëse të përballonin 640 vatra zjarri?
Ndërkohë, ministrja e Mbrojtjes që përdorte helikopterët e ushtrisë për dërgimin e pllakave për shtëpinë e saj në veri, ka vetëm një helikopter në dispozicion për shuarjen e zjarreve, sepse një tjetër i’u rrëzua me pllakat.
Në Shqipëri, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, foli për një situatë dramatike të zjarreve, të cilat, që prej një muaji janë përhapur në zona të shumta në të gjithë vendin.
“Situata klimaterike është jashtë normales dhe në Shqipëri, për shkak të temperaturave tejet të larta dhe shirave inekzistente. Dhe kjo e ka çuar vendin drejt një situate shumë, shumë të vështirë”, u shpreh ministrja Kodheli.
Për të përballuar gjendjen e krijuar, Shqipëria ka angazhuar dhe trupat e mjetet e ushtrisë së saj. Ministrja Kodheli tha se, forcat e armatosura kanë marrë pjesë në 102 operacione në 9 nga 12 qarqet e vendit, dhe se në këto operacione janë angazhuar afro 40 për qind e atyre që mbajnë uniformën e ushtrisë shqiptare.
Nga ana e tij, drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, deklaroi se gjatë kësaj vere në të gjithë vendin ka patur 640 vatra zjarri. Në të paktën 125 prej tyre është kërkuar ndërhyrje ajrore. Fundjavën e shkuar u regjistrua një situatë problematike veçanërisht në Parkun e Llogarasë në Jug të vendit, ku për të përballuar shuarjen e flakëve u kërkua dhe ndërhyrja me mjete ajrore nga Greqia dhe Italia.

Zjarret i kushtojnë ministrisë katër herë më pak se tualeti i ministres

Do të ishte që Kodheli të publikonte krahas kostove të operacioneve në shuarjen e zjarreve edhe koston se sa ka kushtuar zyra e saj dhe tualeti i zyrës sipas dokumentave. Për zjarret, ministria e Mbrojtjes ka shpenzuar gati katër herë më pak se për zyrën dhe tualetin e ministres. Kjo është qeveria e dëgjesave. Vendi digjet dhe luksi nuk ndalet.
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli shpenzoi rreth 1 milion dollarë për rinovimin e zyrave dhe tualeteve të saj në ambientet e reja të Ministrisë së Mbrojtjes.
Janë shpenzuar plot një miliard lekë për rinovimin e zyrës së ministres Kodheli dhe stafit të saj të ngushtë, për infrastrukturën e rrjeteve si dhe tualete. Vetëm për zyrat e reja të ministres Kodheli, zv/ministrave dhe këshilltarëve të saj janë shpenzuar plot: 50.172.320 lekë të reja me TVSH.
Vetëm infrastruktura e shtrimit të kabllove dhe rrjeteve, theksojmë këtu, jo ato të sigurisë së veçantë, ka kushtuar plot: 46.788.060 lekë të reja me TVSH.
Ndërsa vetëm rehabilitimi i disa tualeteve, sigurisht më i kushtueshmi ai brenda zyrës së ministres Kodheli, ka kushtuar: 8.656.691 lekë të reja me TVSH.
Kosto, që në total të këtyre shpenzimeve kap shifrën e 105.617.071 lekë të reja me TVSH.
Shpenzime marramendëse po të kesh parasysh krizën ekonomike dhe rënien e të ardhurave në rang kombëtar. E nëse për të mbushur sado pak arkën e brishtë të shtetit, qeveria nuk nguron të presë dritat e të fusë në burg debitorë, vetëm e vetëm se nuk mund të shpërdorohet xhepi i shtetit, duket se në Ministrinë e Mbrojtjes ky xhep është shpuar paksa dhe ministrja Kodheli i ka rënë me top shpenzimeve për akomodim luksi të saj dhe stafit të saj.
Por, ajo që e bën akoma më të rëndë këtë shpenzim luksi të ministres Kodheli është mënyra e tenderimit një miliardësh për luksin në zyrat e reja.
Ministrja Kodheli ka preferuar që këtë tender ta parapërcaktojë për firmën fituese, pasi ka zgjedhur jo tenderimin e hapur, por atë të mbyllur e të kufizuar me negociim.
Ky variant tenderimi sipas ligjit të prokurimit publik, bëhet vetëm në rastin kur kemi të bëjmë me tenderime me objekt strategjik dhe kur produkti mban një rëndësi të veçantë dhe përmbajtje sekrete.
Por se çfarë përmbajtje sekrete përmbajnë banjot e znj.Kodheli, parketi i ri, kolltuqet dhe tavolinat e reja të zyrave të saj, vetëm ministrja Kodheli dhe grupi prokurues brenda Ministrisë së Mbrojtjes mund të japin shpjegim.
Aspak sekret dhe të rëndësisë së veçantë nuk janë as kabllot e reja të shtruara, që kanë kushtuar rreth 50 milionë lekë të reja, pasi sistemi i komunikimit me NATO-n dhe Qendra Operacionale kanë qëndruar në zyrat e vjetra, ku aktualisht janë transferuar Ministria e Financave dhe ajo e Ekonomisë.
Kjo është shkelja më e rëndë, përveç shpenzimit marramendës me shifra stratosferike, që Ministrja Kodheli ka bërë. Përdorimi i prokurimit të kufizuar për mallra dhe shpenzime që i përkasin prokurimit të hapur.

Vetëm një helikopter për zjarret

Një sipërfaqe e madhe pyjore u dogj në Krrabë, fare pranë tunelit të autostradës. Për 24 orë nuk ndërhyri askush. Një helikopter u dërgua në orët e vona të pasdites. Ishte i njëjti që po kryente fluturime gjatë gjithë ditës në afërsi të Ulzës, ku zjarret po digjnin një prej pyjeve më të dendur të zonës.
Një helikopter i vetëm që operon në të gjithë vendin. Emergjencat Civile japin me saktësi numrin e automjeteve apo të ushtarëve, por jo të helikopterëve.
“Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 98 punonjës zjarrfikës, 13 automjete zjarrfikëse, 140 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, dhjetëra vullnetarë si dhe punonjës të Pyjores, të Drejtorisë së Zonave të Mbrojtura, etj., të mbështetur dhe nga helikopterë”, thuhet në njoftimin e sotëm të Emergjencave.
Aktualisht janë 14 vatra zjarri në vend. Janë shkrumbuar më shumë se 500 hektarë. Eshtë kërkuar ndihmë nga Italia e Greqia. Kreu i Emergjencave Civile deklaroi të dielën se s’kishte ardhur asnjë helikopter nga jashtë për të ndihmuar.
LSI insiston në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe ka sulmuar çdo ditë kryeministrin për zjarret. E ka akuzuar si të papërgjegjshëm. Maqedonia e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në një zonë të saj. Sipërfaqja që po digjet atje është disa herë më e vogël se pyjet që po digjen në Tiranë, Dibër, Lezhë, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Berat, Durrës e Korçë.
Zjarrfikësit, në të shumtën e rasteve nuk arrijnë të ndërhyjnë. Terreni është i vështirë. Emergjencat Civile furnizojnë mediat me pamje të të njëjtit helikopter (me ngjyrë të kuqe) që operon sa në Veri ashtu edhe në Jug.
Situata nuk ndryshon prej ditësh. Duket një betejë e humbur. Me autoritetet, që më shumë se tek planet e reagimit, shpresojnë në ndryshimin e motit dhe rikthimin e reshjeve. Sinoptikanët parashikojnë ditë të tjera të nxehta. Qindra hektarë me pyje do të jenë djegur deri në nisjen e shirave.
Të dhënat e publikuara nga Emergjencat Civile për 24 orët e fundit.

QARKU DIBËR
Zjarri i rënë në fshatin Sllatinë, Bashkia Dibër, është izoluar plotësisht nga forcat e zjarrfikëses dhe vullnetarët. Si pasojë e zjarrit është përshkuar gjithsej nga flakët një sipërfaqe prej rreth 70 ha pyll pishe e zezë.
Vijojnë operacionet për të shuar zjarret në fshatrat Madhesh dhe Bushkash, Bashkia Mat, ku ditën e djeshme ka punuar edhe një helikopter. Zjarrfikësit, forca të pyjores dhe forca vullnetare kanë punuar për të izoluar vatrat e zjarrit. Një vatër zjarri në fshatin Bushkash është bërë tepër aktive në pyllin me dushk dhe pemë lisi me drejtim nga mali dhe jo nga banesat e fshatit.

QARKU LEZHË
Në Malin e Kishës së Shënandoit të qytetit Laç ka rënë zjarr në kurorën me pisha të larta. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me forca dhe mjete, të mbështetur edhe nga punonjës të bashkisë si dhe personel të ushtrisë, të cilët i kanë shuar vatrat e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe relativisht e madhe me shkurre dhe pisha të reja.
Zjarret nuk po kursejnë as zonat turistike. Një zjarr masiv me pyje në zonën e Ranës së Hedhun në Lezhë është përfshirë nga flakët pasditen e së martës. Raportohet se zjarri që ka përfshirë këtë zonë është i përmasave të mëdha, dhe po favorizohet edhe nga era. Ndërhyjra për neutralizimin e flakëve është shumë e vështirë për shkak të terrenit malor. Ndërkohë “Rana e Hedhun” është një zonë mjaft e populluar me turistë në këtë periudhë sezoni veror.

 

QARKU TIRANË
Në fshatin Mushqeta, Bashkia Tiranë, në afërsi të Tunelit të Krrabës ka rënë një zjarr në një zonë me shkurre dhe dushqe. Forcat e zjarrfikëses, me mjete, të mbështetur dhe nga forca të Ushtrisë si dhe një helikopter, kanë punuar gjithë kohën, duke lokalizuar zjarrin. Operacioni është në vijim edhe ditën e sotme.
Në fshatin Cikallesh, Bashkia Kavajë ka rënë zjarr në shkurre dhe pisha. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë me mjete, të mbështetur dhe nga forca të ushtrisë, të cilat kanë mundur të izolojnë vatrat e zjarrit.
Në Landfillin e Sharrës, Bashkia Tiranë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një tub gazi i landfillit dhe shkurre e ferra.
Në Malin e Derjes afër fshatit Shëngjergj, Bashkia Tiranë ka vijuar zjarri i rënë në shkurre dhe pisha. Zjarrfikësit, forca të pyjores dhe një helikopter kanë punuar për izolimin e vatrave, por ka qenë tepër e vështirë për shkak të terrenit. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe relativisht e madhe me shkurre dhe pisha.

QARKU ELBASAN
Në fshatin Mamel, Bashkia Elbasan ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe dushqe. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete, të mbështetur dhe nga forca të ushtrisë, të cilat kanë izoluar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 5 ha me shkurre dhe pyll dushku.
Në vendin e quajtur “Teqja e Dushkut”, bashkia Gramsh ka rënë zjarr në një sipërfaqen me shkurre dhe pisha. Zjarri ka marrë përmasa e përhapje deri në malin e Konjas dhe Lukovës në kufi me Stravaj të Bashkisë Librazhd. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me forcë dhe mjete, të mbështetur dhe nga vullnetarë për të izoluar zjarrin. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe relativisht e madhe me shkurre dhe pisha.

QARKU FIER
Në fshatin Visokë, Bashkia Mallakastër ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte. Zjarrfikësit janë ndërhyrë me mjete të mbështetur dhe nga personel i Bashkisë, dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë u dogjën rreth 6 ha me shkurre dhe rreth 200 rrënjë ullinj të rinj e të vjetër.
Në fshatin Rromës, Bashkia Mallakastër ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete të mbështetur dhe nga personel i Bashkisë, dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 10 ha me shkurre dhe ullishte.

QARKU GJIROKASTËR
Në fshatin Turan, Bashkia Tepelenë ka rënë zjarr në shkurre, ullishte dhe pemë frutore, që rrezikonte disa banesa. Zjarri është përhapur në drejtim të Malit të Veliqotit në sipërfaqe me shkurre dhe kullota, ku ndodhej 1 stallë bagëtish. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete, të mbështetuar nga forca të ushtrisë të cilat kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit në fshatin Turan u dogjën shkurre, rreth 200 rrënjë ullinj të rinj, 300 pemë frutore dhe 1 stallë bagëtish, bazë materiale për bagëtinë, ndërsa në fshatin Veliqot u dogj rreth 5 ha sipërfaqe me shkurre dhe kullota.
Në fshatin Sopik, Bashkia Dropull ka rënë zjarr në shkurre dhe kullota. Banorët e fshatit janë angazhuar për izolimin dhe monitorimin e vatrave të zjarrit, të cilat nuk përbëjnë rrezik.

QARKU BERAT
Te Parku i Bogovës, Bashkia Skrapar, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit të thyer malor. Sot do të dërgohet 1 helikopter për të shuar vatrat e zjarrit.

QARKU DURRËS
Në fshatin Zgërdhesh, Bashkia Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullinj. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 200 rrënjë ullinj.

QARKU KORÇË
Në kurorën e qytetit Pogradec ka rënë zjarr në shkurre dhe pyllin me gështenja. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete, të mbështetur edhe nga punonjës të Agjencisë së Administrimit të Zonave të Mbrojtura, punonjës të pyjores duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.2 ha me shkurre dhe pyll gështenje.

 

Flakët gjunjëzojnë edhe fshatrat e Kavajës

Flakët që vijojnë prej dy ditësh në fshatin Cikallesh të njësisë administrative Helmes, kanë djegur deri tani 70 ha pisha e shkurre dhe 80 rrënjë ullinj. Terreni i thyer malor ka kërkuar edhe ndërhyrjen nga ajri të kompanisë se helikopterëve Viva, e cila po punon për izolimin e flakëve të zjarrit. Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, në një prononcim telefonik për “Ora News” tha se po bëhet ndërhyrje nga ajri, pasi është e pamundur ndërhyrja nga toka e zjarrfikësve sepse zona është e thellë. “Ka mëse një orë që ka ardhur helikopteri. Njëzet forca xheniere që po punojnë për të shuar flakët, zjarrfikësit në detyrë dhe jemi në rrugë të mbarë për ta vënë nën kontroll”. Kryetari i Bashkisë së Kavajës thotë se mjetet zjarrfikëse e kanë pasur të pamundur të ndërhyjnë, ndërsa kanë ndihmuar banorët për të izoluar flakët. “Sot kanë ardhur mjetet nga ajri dhe gjithë ditën po mundohen të shuajnë flakët dhe na informojnë se së shpejti do vihet nën kontroll. Nga informacioni që kam brenda ditës së sotme do të shuhen flakët”, tha Sakja në një prononcim për mediat.

Sa po i paguan Rama mediat e huaja për promovimin e vetes?

Në mënyrë të vazhdueshme, krahas shpenzimeve luksoze për t’i krijuar vetes komoditet përreth tij, Rama ka përdorur paratë e taksapaguesve shqiptarë për të promovuar veten e tij si lideri që po ndryshon Shqipërinë, megjithëse e ka fundosur në greminë atë.
Vetëm në javën e fundit, artikuj në media të huaja të ndryshme si “Vanity Fair”, “Assosiated Press”, “Le Monde” etj., shfaqin Shqipërinë si vendin e ëndrrave, shfaqin Veliajn si “heroin” e Tiranës dhe Ramën si reformatorin e madh.
Të gjitha, elozhe të blera me taksat e shqiptarëve për të mashtruar vetë shqiptarët.
Në të gjitha mediat e huaja, gazetat apo revistat kanë faqe të dedikuara për artikuj promocionalë, të cilat kushtojnë dhjetëra mijëra euro. Në fakt, këto faqe nuk cilësohet si faqe me lajme informative, por si faqe reklamash të dedikuara për artikuj me pagesë. Në këto artikuj, blerësi i faqes mund të shkruajë në shërbim të interesave të tij, mjafton që të mos shkelë etikën e vendosur nga gazeta që ka të bëjë me fjalorin e përdorur apo disa rregulla të tjerë redaksionalë.
Pak ditë më parë, Denis Mc Shaine, emri i ish-ministrit të Tony Blair, u shfaq si autori i një artikulli të publikuar në gazetën franceze “Le Monde”. Ai thurrte lavde për lidershipin e Ramës dhe mënyrën e tij të qeverisjes, lavde këto që në fakt ishin të shkruara e të paguara nga Rama në Tiranë. Menjëherë pas publikimit të këtij artikulli, Rama nxitoi ta postonte atë në Facebook, ku u “shiste” shqiptarëve lavdet që kishte blerë për veten në “Le Monde”.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas postimit nga ana e Kryeministrit Rama në Facebook, të një shkrimi të ish-ministrit anglez Denis Mc Shaine, në gazetën franceze “Le Monde” për Shqipërinë dhe punën e qeverisë. Sipas Berishës në ato faqe ku është botuar shkrimi, çdokush mund të botojë çfarë të dojë kundrejt pagesës, ndërkohë që shprehet se ish-ministri në fjalë ka qenë i dënuar për korrupsion.
Po ashtu, ai shkon më tej ku shkruan se shkrime të tilla po paguhen nga taksapaguesit shqiptarë në shërbim të Edi Ramës. Berisha shprehet se në mungesë të proletarëve, sot po thërriten të korruptuarit e të gjithë botës bashkohuni të vjedhim së bashku.
“Les corrompus te tous Le Monde unissez vous! Të korruptuar të të gjithë botës bashkohuni! Të dashur miq, këto ditë, një ish-gazetar, ministër laburist i Tony Blair, Denis Mc Shaine, i dënuar dhe burgosur për korrupsion, botoi një artikull në gazetën franceze ‘Le Monde’, në faqen që kjo gazetë boton artikujt kundrejt pagesës së kujtdo.
Në këta artikuj të paguar, autori mund të shkruajë, të mashtrojë çfarë të dojë, kundrejt pagesës për çdo rresht që shkruan, në rastin konkret mbrojtje dhe lavderime të Edi Ramës. Ky i fundit, artikullin e botuar për lavdinë e tij personale kundrejt pagesës me paratë e takspaguesve shqiptarë, dëgjuesve të detyruar të mexhlisëve, e postoi në FB si ‘mirëmëngjes’ të madh e të përzemërt për qytetarët shqiptarë nga ministri anglez, gazeta e Francës dhe ai vetë!
Me fjalë të tjera ai i tha popullit të mexhlisit ‘shikoni se kush jam unë, ja çfarë shkruan anglezi në gazetën e Francës për mua’! Por, natyrisht, Rama e bëri këtë duke mos iu treguar se ky anglezi kur ka qenë ministër ka bërë burg për vjedhje të taksave të qytetarëve të tij dhe se shkrimi është shkruar me paratë e qytetarëve që ka vjedhur për të paguar për penën e ministrit anglez.
Por ju mos kujtoni se ai ka bërë burg dhe mos kujtoni se ju kam vjedhur për të paguar anglezin për shkrimin e tij dhe gazetën e Francës për çdo rresht të botuar në faqen e saj me paratë tuaja o shqiptarë.
Si përfundim, sot kuqalashët, parullën e famshme të manifestit komunist ‘proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni’, në mungesë të proletarëve e kanë zëvendësuar me parullën ‘të korruptuar të të gjithë botës bashkohuni, të vjedhim sa më shumë së bashku për një botë të re! Lavdi vjedhjes, lavdi!!’”.

Ja si Erion Veliaj e vrau 17-vjeçarin Gjoklaj dy herë brenda një viti

E hëna ishte një ditë vërtet e nxehtë gushti. “Luçiferi” i motit ka disa ditë që ka zbritur edhe në tokën shqiptare, dhe të hënën duket se përjetoi ndër të tjera edhe mishërimin e mëkatit të tij të preferuar tek njerëzit…, vanitetin. Është ajo pjesë e njerëzimit që ka të bëjë me harxhimin e kohës me kotësi dhe pa e vrarë mendjen për gjëra që kanë rëndësi, për gjëra për të cilat kanë përgjegjësi. Për akte, të cilat shënojnë jetën e tyre në mënyrë të pakthyeshme, të përditshme, të përjetshme. E hëna ishte një ditë me valencë të caktuar emocionale, për 3 njerëz. Të parët ishin 2 prindërit e Ardit Gjoklajt. Familja Gjoklaj ditën e hënë vështirë se ka patuar takatin financiar për të shtruar një drekë përkujtimore për birin e tyre të shtrenjtë Arditin, punëtorin, fjalëpakun, të mirin e shtëpisë, pika e djalit si ai, që datën 7 gusht një vit më parë nata ia mori jetën në landfillin e Sharrës. Në atë vend të namun rezervash që njerëz të kamun e refuzojnë gjatë ditës. Natën Arditi shkonte e rrëmonte ndër to për të gjetur pak shpresë. 7 gushtin e një viti më parë trupi i Ardit Gjoklajt pësoi goditjen vendimtare nga kova e një fadrome, e cila me një lëvizje të papritur, a mos më keq duke e shtypur, për një dekik ia mori përjetësisht frymën fëmijës së Gjoklajve. Një krim perfekt i perit të fatit të zi të Gjoklajve, që siç e do kodi i pashkruar i fatalitetit, u këput aty ku është më i hollë. Ah çfarë gjëme!… Mandej, është edhe një tjetër njeri që deri në frymën e fundit të ditëve të tij prej banditi pa lavdi, jetën e tij të mallkuar prej vanitetit ekstrem, do ta ketë të lidhur pandashmërisht me njollën e 7 gushtit të vitit 2016. Fiks një viti pasi për të zezë të Arditit më së shumti, e për atë të qytetarëve të Tiranës po aq, kishte marrë detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, fëmija i Gjoklajve humbi jetën. Ardit Gjoklaj humbi jetën në vendin kur Erion Veliaj vetëm një muaj para tragjedisë, doli e garantoi se landfill-i i Sharrës, ishte tashmë toka e premtuar e njerëzve të pamundur. 1 muaj pasi Erion Veliaj licencoi kompaninë e kryetarit të PS-së së Peqinit, Edurim Teqja që të skllavëronte me kontratë qindra njerëzit që punonin aty, ata që deri dje ishin vetëskllavëruar me vetëdije aty prej bukës së gojës. Nëse mendoni se kjo e bën fajtor Erion Veliajn për vdekjen e Ardit Gjoklajt gaboni. Krimi më i madh në procedurën penale, më shumë se vetë akti, konsiderohet prishja e provave, zhbërja e ngjarjes dhe e fundit mbulimi i krimit. Erion Veliaj është autor i prishjes së vendit të krimit ku u vra Ardit Gjoklaj, është urdhërues i zhbërjes së krimit dhe në fund fare është edhe sponsorizuesi i mbulimit përfundimtar të krimit. Për këtë të fundit përdori plot 20 milionë euro, pare të shqiptarëve për t’ia dhënë kompanisë së të afërmve të prokurorit të çështjes së vrasjes së Ardit Gjoklajt, Petrit Fushës. Si përfundim, sot qytetarët e Tiranës i gëzohen Sheshit Skënderbej të rikonstruktuar, ndërsa prindërit e Ardit Gjokalj nuk ka ngushëllim që i mbush zemrën ku mbanin t’birin e tyre. Sheshi, i cili nuk do të mjaftojë kurrë për të mbuluar krimin për të cilin u pagua. Kjo është edhe arsyeja pse me gjasë, ai shesh ka një gungë mu në qendër të tij, atë të ngjashme me një varr, sepse sheshi është sot varri real i Ardit Gjoklajt. Subkoshienca e Erion Veliajt, nxori kokën edhe një herë. Nëse të afërmit e Arditit e lexojnë këtë shkrim, u themi që të hënën edhe ne mbajtëm zi për Arditin tuaj, e bëmë edhe se na vjen turp që nuk mundëm të bëjmë më shumë. Jo se ky shkrim do t’ua lehtësojë dhembjen, por le ta dini se çdo 7 gusht, e çdo ditë tjetër, ne do të kërkojmë drejtësi për Arditin, do të mbajmë zi për Arditin, e nuk do të pajtohemi kurrë me Erion Veliajn që ua vrau djalin tuaj 2 herë. Një herë 1 vit më parë, e herë e dytë kur besoi se ia hodhi drejtësisë ndaj të cilës ai është debitor, por që nuk do të ketë kurrë mjaft sheshe e tendera të fëlliqur që do të mund t’ia pastrojnë gjakun e Arditit ndër duar.
Syri.net

Katastrofë mjedisore për qytetarët nga landfilli në Elbasan

Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje dy denoncime nga qytetarë të Elbasanit, sipas të cilëve një katastrofë e vërtetë mjedisore po ndodh atje për shkak të ndotjes së shkaktuar në ajër nga vënia në punë e landfillit në këtë qytet. Në denoncimet e publikuara nga Berisha thuhet: -“Përshëndetje doktor, uroj të jeni mirë ju dhe familja juaj, përveçse Shqipëria digjet dhe kryqeveritarët krihen, në Elbasan veç kjo kishte mbetur për të përmbysur ajrin pa oksigjen prej dekadash, një aromë vdekje ka pushtuar qytetin, që në aplikimin e landfillit të Elbasanit ajri që thithim është erë e ngordhur dhe një situatë shumë e vështirë sidomos në këto ditë ekstrem të nxehta, kjo shkakton vrasjen në heshtje të popullit, ju lutem bëjeni sa më mediatike këtë çështje se kanceri po na vret. Unë e dua vendin tim!”. Denoncimi tjetër: “Përsh lideri historik i Shqipërisë, zoti Sali Berisha kemi një shqetësim shumë të madh. Jam një banor i lagjes Skënderbej Fushmret, afër landfillit Elbasan, po vdesim nga era e keqe, po bëjmë 1 muaj që nuk po jetohet, është bërë me ik fare nga lagjia, aq erë e keqe. Të lutem na ndihmoni se ti je zgjidhësi i probleme dhe halleve tona. Të lutem na ndihmoni se po vdesim fare nga era e keqe, po bëhemi me kancer që në moshë kaq te re. Flm nqs e shpërndan si problem me respekt”.