Brenda ditës së premte Ballist Morina duhet të dalë sërish në gjyq, aty ku pritet që të përcaktohet edhe fati i tij nëse do të ekstradohet apo do të refuzohet ekstradimi drejt Serbisë. Më 11 gusht është shpallur vendimi i Gjykatës së Apelit, ndërkohë që ministri i Drejtësisë ka gati dosjen që do t’i dorëzojë autoriteteve të drejtësisë kroate për të mos ekstraduar Ballist Morinën.
Federata Shqiptare e Futbollit, në kuadër të përpjekjeve për të ndaluar ekstradimin e Ismail Morinës, i njohur edhe si “Ballist” Morina, nga Kroacia drejt Serbisë, i ka dorëzuar ditën e martë Ministrisë së Drejtësisë një raport mbi vendimin e Gjykatës sportive KAS, për ndeshjen e ndërprerë Serbi-Shqipëri të 14 tetorit 2014 në Beograd.
Në këtë vendim, ku Shqipëria fitoi tre pikët në tavolinë, Gjykata Sportive ka përmendur koret raciste si dhe dhunën e paprecedentë fizike që tifozët dhe personeli i stadiumit kanë ushtruar ndaj lojtarëve dhe stafit teknik të kombëtares shqiptare.
Këto detaje, së bashku me videon përkatëse, pritet të bëhen pjesë e relacionit që ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi shumë shpejt do t’i dërgojë homologut kroat për të bindur qeverinë në Zagreb që të mos e lejojë ekstradimin e Morinës drejt Serbisë, siç ka vendosur Gjykata e Dubrovnikut.
Sipas legjislacionit kroat, pavarësisht vendimeve të marra nga gjyqësori për çështje të tilla, që kanë të bëjnë me ekstradime ku ka pretendime për përndjekje raciste ose etnike, është qeveria kroate që thotë fjalën e fundit.
Përveç relacionit të Ministrisë së Drejtësisë, më herët edhe ministri Bushati deklaroi se pas takimit të dy kryeministrave besonte se Morina nuk do të ekstradohet, duke sjellë si shembull vendimin e Italisë, e cila nuk pranoi dërgimin e tij në Beograd. Ndërkohë, pritet që më datë 11 gusht të zhvillohet seanca paraprake në Gjykatën e Lartë kroate pikërisht për këtë çështje.
Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi po punon intensivisht për të ndalë Gjykatën kroate të ekstradojë në Serbi, Ismail Morinën. Në një njoftim për media të kësaj ministrie thuhet se ministri Bardhi në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të shtetasit shqiptar Ismail Morina, ka marrë kontakt urgjent zyrtar me autoritetet kompetente kroate, për të argumentuar nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, pamundësinë e ekstradimit të tij në Serbi. Për këtë qëllim, me shkresën nr. 4782, datë 28/07/2017 drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë, ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë i ka kërkuar zyrtarisht homologut të tij kroat mos miratimin e kërkesës për ekstradim, duke vlerësuar se kërkesa për ekstradim bie ndesh me Konventën e Këshillit të Europës “Për ekstradimin” dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Në këtë shkresë, Ministria e Drejtësisë ka marrë angazhimin që në një kohë sa më të shpejtë të përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë se jemi përpara një shkelje politike, për të cilën bazuar në nenin 3 të Konventës së Këshillit të Europës “Për ekstradimin”, nuk mund të akordohet ekstradimi.
Tre ditët kur vendoset për “ballist” Morinën
Në prag kolapsi, BB i bllokon Ramës fondin për blerje energjie
Pak javë më parë mediat pranë kryeministrit, akuzuan gjatë muajit korrik drejtorin teknik të Partisë Demokratike të KESH, se nuk po firmosnin përdorimin e një fondi prej 22.4 milionë euro, për blerje energjie, duke qenë se prodhimi vendas ka arritur në pikën e fundit.
Pas kësaj me një ndërhyrje plot pompozitet që u amplifikua fortë në mediat qeveritare, Edi Rama bëri “shpëtimtarin”, duke “firmosur” fondin në fjalë, për muajin gusht. Por kanë ikur tetë ditë nga ky muaj, thatësira e madhe ka paralizuar liqenet dhe hidrocentralet e vendit dhe ato para për blerjen urgjente të energjisë, nuk po duken gjëkundi. Kjo për faktin se 22.4 milionë eurot e Ramës, në fakt janë një kredi e kërkuar nga Banka Botërore, e cila nuk po hap rrugë për lëvrimin e saj.
Aktualisht prodhimi vendas siguron më pak se 20% të nevojave dhe shifra po ulet në proporcion të drejtë me thatësirën, çdo ditë e më shumë. Burime zyrtare të KESH thanë për mediat dy ditë më parë, se BB nuk ka kthyer përgjigje për përdorimin e kësaj shume për blerje energjie, edhe pse janë në bisedime për rreth 20 ditë. KESH thotë gjithashtu se në momentin që do të marrë këtë fond do të nis urgjentisht edhe blerjen nga operatorët e huaj.
Thatësira që nuk ka të ndalur e ka çuar faturën e humbjeve për hidocentralet vendase (kryesisht në kaskadën e Drinit) në mbi 60 milionë euro. Ndërkohë mësohet se niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës parashikohet të mbetet në të njëjtat kuota, edhe për shtatorin gjë që do të thotë se, nëse Banka Botërore nuk “pushon së menduari”, vendi rrezikon të futet në kolaps energjetik.
Alarmi i ekspertëve: Thatësirat do ulin me 20% prodhimin e energjisë
Deri në 2050, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e mëdha dhe të vogla në Shqipëri pritet të bjerë me rreth përkatësisht, 15% dhe 20%, për shkak të rënies me 20% të shirave në stinën e verës deri në vitin 2050. Alarmin e dha Ministria e Bujqësisë në draft-strategjinë për menaxhimin e integruar të burimeve ujore. Strategjia, e cila aktualisht është në proces diskutimi, ka marrë në konsideratë të dhëna të mëparshme nga Banka Botërore.
Ekspertët shqiptarë të ujërave lajmërojnë se, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e mëdha është i lidhur me rënien e shirave dhe mbushjes me ujë të rezervuarëve furnizues, ndërsa prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e vogla varet nga volumi i rrjedhjes së ujit në lumenj.
Megjithëse disponueshmëria e përgjithshme e ujit për prodhimin e energjisë pritet të jetë e mjaftueshme, duhet të ndërmerren masa për të menaxhuar ujin gjatë periudhës së verës, në mënyrë që prodhimi i energjisë të jetë i përshtatshëm, ndërkohë që përdorimet e tjera të ujit do të rriten paksa, ndërsa ekosistemet që varen nga uji do të kërkojnë sigurimin e prurjes minimale. Kjo kërkon një bashkëpunim të ngushtë midis sektorit të energjisë dhe sektorëve të tjerë që përdorin ujë si për shembull industria dhe bujqësia, shprehen ata.
Ndryshimet klimatike janë reflektuar vitet e fundit, ku është parë se basenet e HEC-ve janë përballur me situata ekstreme, herë me tejmbushje nga reshjet e shumta që kanë shkaktuar përmbytje e herë me thatësira si kjo e kësaj vere, ku vendi po plotëson nevojat e furnizimit thuajse nga importi.
Vetëm për muajt korrik dhe gusht u harxhuan rreth 60 milionë euro për importin e energjisë, shumë kjo që shteroi thuajse të gjitha fitimet e kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë të realizuara më 2016.
Ekspertët lajmërojnë se, ndryshimet e faktorëve klimatikë dhe ndikimi stinor së bashku ndikojnë kërkesën dhe furnizimin me energji. Stina e dimrit pritet të jetë më e shkurtër dhe më e ngrohtë dhe kjo do të çojë në një rënie të kërkesës për energji për ngrohje. Gjithsesi, temperaturat e larta në stinën e verës do të çojnë në rritje të konsumit të energjisë për ftohje.
Reshjet e dendura të shirave (që parashikohen të jenë më të shpeshta) së bashku me shkrirjen e shpejtë të dëborës, për shkak të temperaturave të larta në stinën e dimrit mund të jenë një kërcënim për sigurinë e digave, duke i bërë komunitetet dhe zonat e banuara afër tyre të jenë të ekspozuara nga përmbytjet dhe/ose rrjedhjet e mundshme nga rezervuarët e hidrocentraleve.
Ky efekt bëhet më i madh për shkak të ndryshimeve në sasinë e reshjeve, veçanërisht gjatë reshjeve të dendura pas periudhave të gjata pa reshje, duke shtuar këtu ndryshime në bimësi (shpyllëzimet) përgjatë rrjedhave të ujit, proceset gjeologjike dhe ndryshimet në rrjedhën e ujit.
Kërcënimi që vjen nga moti, si po rritet numri i ditëve me mbi 35 °C
Numri i ditëve me temperatura më të larta se 35°C ka të ngjarë të rritet me 3-4 ditë deri në vitin 2020 krahasuar me mesataren e viteve 1961-1990, ndërsa numri i ditëve me ngrica (me temperatura më të ulëta se -5°C) në lartësi të mëdha pritet të ulet me 4-5 ditë deri në vitin 2025, dhe me 9 ditë deri në vitin 2050. Parashikimet u dhanë në projekt-strategjinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe u hartuan nga ekspertë të Këshillit Kombëtar të Ujit.
Ata thonë se, temperaturat në rritje priten të kontribuojnë në një numër më të madh ditësh me stuhi breshëri në verë dhe gjithashtu do të ndikojnë në shpeshtësinë dhe intensitetin e ditëve të nxehta dhe valëve të të nxehtit. Numri i ditëve me reshje të rrëmbyeshme (maksimumi 24 orë) krahasuar me mesataren e viteve 1961-1990 ka gjasa të rritet me 1-2 ditë deri në vitin 2025, me 2-3 ditë deri në vitin 2050.
Mirëpo këto zhvillime në kushtet klimatike do të ndikojnë negativisht edhe në zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos bujqësinë dhe prodhimin e energjisë.
Përveç ndryshimeve nga njëri vit në tjetrin, si dhe ndryshimeve sezonale, në vend ka edhe ndryshime gjeografike shumë të dukshme. Shirat vijnë kryesisht nëpërmjet erërave jugperëndimore dhe ndikohen edhe nga relievi. Kjo ofron një larmi veçorish klimatike dhe të ecurisë së reshjeve në rajonet e vendit, shpjegojnë ekspertët e ujërave. Edhe pse reshjet e shumta shoqërohen përgjithësisht me rritje të nivelit të ujit, kjo nuk ndodh njëlloj në të gjithë territorin, si në pjesën e sipërme të Basenit të Drinit, e cila mbetet një zonë ë thatë.
Reshjet më të pakta vjetore në Shqipëri bien në zonat bregdetare në jug me vlera nën 1,000 mm/vit. Megjithatë, ka pjesë të basenit ujor të Drinit në Kosovë dhe Maqedoni, ku reshjet vjetore janë më të pakta dhe nuk i kalojnë 800 mm/vit.
Reshjet më të shumta bien në rajonin e Liqenit të Shkodrës, ku reshjet mesatare vjetore i tejkalojnë 3,000 mm/vit. Temperaturat mesatare vjetore më të larta vihen re në pjesën perëndimore të vendit me 15°C më të larta në bregdet.
Temperaturat vjetore më të ulëta shënohen në Veri afër kufirit me Kosovën dhe në Lindje afër Liqenit të Ohrit. Efekti i kombinuar i reshjeve dhe temperaturës (dhe ndryshime të tjera meteorologjike) çojnë në përfundimin se prurjet janë më të larta në Veri dhe Jug të vendit, ku sasia e reshjeve tejkalon sasinë e ujit që avullon më shumë se 500 mm në vit. Në pjesën qendrore të vendit reshjet arrijnë më pak se gjysma e kësaj vlere.
E turpshme, Rama u heq invalidëve të gjymtuar rëndë ndihmën ekonomike
Të paktën mediat kanë denoncuar me dhjetëra raste vitin e kaluar ku invalidë të gjymtuar rëndë janë përjashtuar nga pagesat mujore që shteti jep për këtë kategori. Në dy dekadat e fundit numri i personave që kanë përfituar këtë pagesë ka ardhur gjithnjë në rritje përjashtuar 2016. Nga rreth 26 mijë persona që merrnin pagesë invaliditeti në vitin 2000, në fund të vitit 2016 këtë pagesë e marrin 61,938 persona. Pagesat e invaliditetit pësuan një rritje të shpejtë në vitin 2016 dhe vitet e tjera që pasuan më pas pasi qeveria e kohës lehtësoi kriteret e përfitimit të pagesës.
Në këtë periudhë u hoq kriteri i vjetërsisë, duke ndikuar rritjen e numrit të përfituesve në moshat e reja. Kështu numri i përfituesve në dekadën e fundit pësoi një rritje të shpejtë dhe pagesat për to gjithashtu. Por qeveria pas vitit 2013 mori masa për të frenuar rritjen e mëtejshme të pagesave për invalidët. Për herë të parë më 2016 nga skema dolën 163 persona, ndërkohë që invalidë rishtaz nuk u futën dot në skemë.
Reduktimi i personave thonë ekspertët ka ardhur për shkak të shtrëngimit të kritereve për pagesat. Kryesori është kushti i të pasurit një vit sigurime në pesë vitet e fundit nga momenti që bëhet kërkesa për pagesë invaliditeti. Kjo ka vështirësuar së tepërmi pagesën për personat që dalin rishtaz në Komision.
Ligji për sigurimet shoqërore shprehet se, personi që bëhet i paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin), ka të drejtë të marrë pension invaliditeti.
Sakatimi i ndihmës ekonomike
Fondet dedikuar ndihmës ekonomike nga viti në vit kanë pësuar luhatje të mëdha, si pasojë e ekspozimit të skemës ndaj manipulimeve, fondeve të kufizuara buxhetore dhe një reformë që ka ndërmarrë qeveria. Fondet e ndihmës shënuan rritje me 13% më 2016, pas një rënie me 22% më 2015, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Por me hyrjen në fuqi (28 janar 2017) të një vendimi qeverie, fondet për ndihmën ekonomike pritet të ulen më tej. Vendimi i qeverisë numër 955, i datës 7 dhjetor 2016, kufizon dhënien e ndihmës ekonomike në vetëm 5 vite.
Ky vendim që cenon mbrojtjen e shtresave më të varfra të popullsisë kaloi në heshtje pasi qeveria nuk e publikoi në web-in zyrtar të saj, bashkë me vendimet e tjera që u miratuan në atë ditë. Pasojat e tij u morën vesh pasi VKM-ja u botua në Fletoren Zyrtare më datë 27 janar. Sipas vendimit të qeverisë “ndihma ekonomike, për familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, është një pagesë që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, e cila kufizohet në kohë, për një periudhë jo më shumë se 5 vjet. Por ky kufizim nuk mund të aplikohet për familjet, anëtarët e së cilës janë mbi moshë pune dhe familjet me kryefamiljare gra. Sipas VKM, tavani i ndihmës ekonomike, për familjet e përzgjedhura në bazë të formulës së pikëzimit, bëhet sipas strukturës së familjes, por nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj. Gjatë viteve 2014 dhe 2015 rreth 25 mijë familje kanë dalë nga trajtimi me ndihmë ekonomik sipas të dhënave të INSTAT. Numri i tyre ka ardhur në ulje edhe për 2016, por ende nuk janë azhurnuar të dhënat finale vjetore. Por fondi i ndihmës ekonomike është shumë i ulët në krahasim me minimumin jetik që ka vlerësuar Avokati i Popullit. Pagesa maksimale për ndihmën ekonomike është aktualisht maksimumi 8 mijë lekë në muaj, ndërsa një studim i Avokatit të Popullit thotë se, minimumi jetik është 16 mijë lekë për person në muaj. Sipas studimit të Avokatit të Popullit rreth 7 mijë lekë i nevojiten çdo personi për ushqime dhe afro 9 mijë lekë për shpenzime të tjera joushqimore, për të siguruar jetesën minimale, bazuar në kriteret shkencore të varfërisë absolute.
Situata në kaskadën e Drinit, kritike
Situata në kaskadën e Drinit mbetet kritike. Thatësira ka detyruar KESH që të ulë në minimum prodhimin, duke plotësuar vetëm pjesën e humbjeve në transmetim dhe 1600 Mwh në ditë për OSHEE. Të dhënat zyrtare të së mërkurës (2 gusht) tregonin se aktualisht liqeni i hidrocentralit të Fierzës ishte në nivelin 269.80 metra një nivel me një rënie krahasuar me pak ditë më parë. Ndërkohë që prurjet janë vetëm 25m3/s. Korporata bëri me dije se do të rishikojë programet e saj ditore dhe mujore të prodhimit në mënyrë që të garantohet operim i vazhdueshëm dhe i sigurt i sistemit, ndërkohë që parashikimet në periudhën afatshkurtër nuk janë aspak optimiste dhe prurjet natyrale mbeten në minimum. Në kushtet e domosdoshmërisë, për të mos cenuar sigurinë dhe stabilitetin e sistemit energjetik, me nivelin aktual të prurjeve në basenin e Fierzës, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare arrin të përmbushë plotësisht vetëm detyrimet në kuadër të kontratave prioritare që ka me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (furnizimin e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e transmetimit, si dhe furnizimin e energjisë së mjaftueshme për balancimin e sistemit) dhe të furnizojë OSHEE sh.a/ FSHU me jo më shumë se 1600 Mwh/ditë energji elektrike për furnizimin e klientëve tariforë sipas marrëveshjes së dakorduar mes palëve. Në përputhje me parashikimet dhe kuadrin ligjor e rregullator në fuqi, pjesa tjetër e nevojave të klientëve që përfitojnë nga shërbimi universal i furnizimit duhet të plotësohet nga tregu i parregulluar. Aktualisht furnizimi në vend po bëhet përmes importeve të siguruara një javë më parë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Vetëm për gushtin OSHEE bleu 434 mijë kwh energji me një vlerë prej rreth 30 milionë euro. Ky është muaji i dytë që furnizimi i vendit me energji mbështetet tek importet dhe procedurat përfundon OSHEE edhe pse pritej një përfshirje e KESH përmes kredisë të Bankës Botërore në nivelin 22.4 milionë euro, por që do të vijohet në një moment të dytë.
Dështimi i marrëveshjes me FMN
Për shkak të mungesës së programeve të Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), që vjen si pasojë e dështimit të marrëveshjes së re, Kosova rrezikon që të humbë edhe 50 milionë euro nga Bashkimi Evropian. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë Radios Evropa e Lirë se performanca në kuadër të programit të FMN-së është me rëndësi qenësore në vlerësimin e BE-së për stabilitetin makro-fiskal në Kosovë. Prandaj, sipas tyre, miratimi dhe zbatimi i programeve të BE-së do të duhet të vlerësohet në këtë kontekst. “BE-ja, aktualisht është duke përgatitur dy programe nga Sektori Mbështetës për Buxhetit, për të përkrahur Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike në Kosovë, me një vlerë prej 50 milionë euro. Për të përfituar mbështetje nga Sektori për Buxheti i BE-së, një kriter i domosdoshëm është stabiliteti makro-fiskal”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së Kosovë. Marrëveshjet me FMN-në i kanë ndihmuar Kosovës në vazhdimësi që të marrë kredi me kushte shumë të volitshme, si nga Banka Botërore dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare, vlera e të cilave ka arritur në 400 milionë euro. Ndërkohë, projektet që nuk do të arrijnë të adresohen, në rast të dështimit të marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar, në përgjithësi kanë të bëjnë me përmirësimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në kohën kur marrëveshja ishte nënshkruar, autoritetet e Kosovës patën deklaruar se këto mjete do të kenë fokus projektet në fushën e bujqësisë, në ujitjen e tokave, të infrastrukturës hekurudhore dhe projekte të tjera në arsim dhe shëndetësi. Marrëveshja ekonomike, në vlerë prej 185 milionë euro mes Kosovës dhe FMN-së, e arritur në vitin 2015 me një kohëzgjatje prej 22 muaj, skadon në gusht të këtij viti. Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se nga kjo marrëveshje janë edhe 16 milionë euro që nuk mund të merren kredi, pa pasur rishikim të katërt të marrëveshjes, nga misioni i FMN-së. Por, që ky mision për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe situatës politike të krijuar në vend nuk kishte zhvilluar takimet. Në Kosovë, më 11 qershor ishin mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por që deri më tani nuk është arritur të formohen institucionet e reja të vendit. Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet më 3 gusht. Ndërkohë, për ekspertë të çështjeve ekonomike, humbja e këtyre mjeteve dhe fondeve nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, do të ketë pasoja shumë dimenzionale. Eksperti i ekonomisë Naim Gashi thotë se përveç alokimeve të drejtpërdrejta të këtyre mjeteve në shumë fusha, buxheti i Kosovës do të ketë ngecje. “Çdo ditë që vonohet në konstituimin e institucioneve ,do të ketë një kosto financiare për ekonominë për qytetarët e Kosovës dhe për buxhetin e shtetit. Konstituimi sa më i shpejt i institucioneve të Kosovës është nevojë jetike për vendin. Unë dyshoj që Kosova do ta përsërit ngërçin që ka pasur në vitin 2014, ku si pasojë e këtij ngërçi, kishim një rritje ekonomike vetëm prej 1.2 për qind dhe një frenim të investimeve, të realizimit të projekteve kapitale”, thekson Gashi. Gashi shton se projektet që dështojnë nga mosrealizmi i këtyre fondeve, përveç tjerash kanë të bëjnë në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe projekte të tjera. “Sa i përket asaj se cilat projekte do të pësojnë më së shumti është arka e shtetit, likuiditeti financiar dhe realizimi i projekteve në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik forcimit të sektorit privat ruajtjes së mjedisit dhe është sektori energjisë së ripërtritshme nga alokimi i mjeteve sidomos i mjeteve të Komisionit Evropian”, thekson Gashi. Marrëveshje ekonomike në vlerë prej 185 milionë euro ndërmjet Kosovës dhe FMN-së ishte rrezikuar të ndërpritej edhe në vitin 2016, kur projekt-buxheti i Kosovës ishte në rrezik të mosmiratimit.
Shqipëria me hendekun më të madh mes të varfërve e të pasurve
Shqipëria është ndër katër vendet e renditur më keq në botë për angazhimin e qeverisë për uljen e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve. Kështu raporton Oxfam, organizata ndërkombëtare që vëzhgon politikat e 152 shteteve për të ulur pabarazitë në vend.
Në këtë raport merren në shqyrtim tre elementë:
Shpenzimet e qeverisë për shërbimet publike siç janë arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale;
Tatimet progresive, ku kompanitë dhe individët që fitojnë më shumë tatohen më shumë për të shpërndarë burimet në shoqëri dhe për të siguruar financimin e shërbimeve publike;
Paga më të larta për punëtorët e zakonshëm dhe më shumë të drejta në punë, veçanërisht për gratë.
Në total, për të treja elementët Shqipëria renditet si vendi i katërt më i keq në botë për angazhimin në luftën kundër pabarazisë. Ndërsa për strukturën e taksave Shqipëria renditet e fundit mes 152 shteteve.
Vendet e Evropës Veriore si Suedia, Belgjika dhe Danimarka janë në krye të listës.
Në javët e fundit, kryeministri Edi Rama është përpjekur të reklamohet në shtypin ndërkombëtar si hero i demokracisë sociale në Evropë. Megjithatë, këto shifra tregojnë se nën qeverinë e tij, Shqipëria nuk ka bërë aspak përparim në përmirësimin e jetës së njerëzve më të varfër në shoqëri, duke lënë pas dore shëndetin, arsimin dhe mbrojtjen sociale, duke ruajtur një strukturë tatimore që mbron oligarkët afër tij.
Firmat e ndërtimit mbushin buxhetin e shtetit
Të dhënat e fundit të publikuara nga revista “Monitor”, që citojnë portalin Financa Vendore, tregojnë varësinë në rritje të buxhetit të Bashkisë Tiranë nga industria e ndërtimit.
Dyfishimi i taksës së infrastrukturës nga 4 në 8 për qind, si dhe një rritje e madhe e lejeve të ndërtimit të dhëna nga Bashkia kanë çuar në rritjen e të ardhurave nga ky tatim nga rreth 662,000 mijë euro në tremujorin e parë të 2015 në rreth 10 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2017. Pra një rritje prej 2,386 përqindësh.
Në tremujorin e parë të 2015-ës, të ardhurat nga taksat e infrastrukturës përbënin 11 për qind të të ardhurave të Bashkisë, ndërsa në tremujorin e parë të 2017-ës ato përbënin 56 për qind të totalit të buxhetit.
Një tjetër rritje domethënëse ishte në të ardhurat nga taksat e tjera, ku përfshihen tarifat e reja të parkimit. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2015, të ardhurat e krijuara nga taksat dhe tarifat e tjera në tremujorin e parë të 2017-ës, duke u rritur me 3,607 për qind, duke rritur pjesëmarrjen e tyre në të ardhurat totale lokale nga 0.24 në 7.4 për qind.
Në të njëjtën kohë, të ardhurat nga tatimi mbi biznesin e vogël vazhdojnë të bien – vetëm 0.25 për qind të të ardhurave totale.
Këto shifra tregojnë qartë karakteristikat e reja të regjimit financiar të instaluar nga kryetari Erion Veliaj. Më shumë se gjysma e buxhetit komunal, dhe rrjedhimisht funksionimi i vetë Bashkisë, varet nga projektet e ndërtimit. Ndërtimi është motori ekonomik që drejton Bashkinë, megjithëse me sa duket ende është nevoja të mblidhen taksa shtesë për të siguruar infrastruktura thelbësore si për ujin apo dhe për shkollat.
Në të njëjtën kohë, projektet e ndërtimit, si ato në ish-Parkun e Autobusëve, shkatërrojnë më shumë hapësirën publike dhe kontribuojnë në rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit në Tiranë. Me fjalë të tjera, politika e taksave të Bashkisë është grabitqare. Vetëm duke ndërtuar më shumë ndërtesa, nga viti në vit, Bashkia do të jetë në gjendje të shmangë falimentimin, ndërkohë që aktiviteti aktual ekonomik prodhues kontribuon gjithnjë e më pak në buxhetin e saj.
Kina ndalon importin e mbeturinave të huaja
“The Economist”
Kina dominon tregtinë ndërkombëtare në shumë mallra, por pak më shumë në riciklimin e mbetjeve. Ajo thithi më shumë se gjysmën e eksporteve botërore të mbeturinave të bakrit dhe letrës në vitin 2016, dhe gjysmën e plastikës së përdorur. Në tërësi, Kina kaloi mbi 18 miliardë dollarë importin e plehrave vitin e kaluar. Ndërkohë, Amerika është një furnizues i etur.
Në vitin 2016 gati një e katërta e vëllimit të eksportuesve më të mëdhenj të Amerikës ishin ricikluesit e letrës, plastikës ose metalit. Në krye të listës ishte Amerika Chung Nam, një furnizues me bazë në Kaliforni i mbeturinave të letrës, që vitin e kaluar eksportoi 333.900 konteinerë, pothuajse të gjitha në Kinë.
Por kjo së shpejti mund të ndryshojë. Më 18 korrik, Kina i tha Organizatës Botërore të Tregtisë se deri në fund të vitit, ajo nuk do të pranojë importimin e 24 kategorive të mbeturinave të ngurta, si pjesë e një fushate qeveritare kundër “yang laji” apo “mbeturinave të huaja”. Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit thotë se, kufizimi i këtyre importeve do të mbrojë mjedisin dhe do të përmirësojë shëndetin publik. Por ndalimi i propozuar do të shkatërrojë miliarda dollarë në tregti. Ricikluesit shqetësohen se kategori të tjera të mbeturinave së shpejti mund të ndalohen.
Importi i plehrave ka ndihmuar Kinën të ushqejë oreksin e pangopur për lëndë të parë. Shpesh është më e lirë të riciklosh bakrin, hekurin dhe çelikun, si dhe mbeturinat e letrës dhe plastikës, sesa t’i bësh materiale të tilla nga e para, veçanërisht kur çmimet e mallrave janë të larta. Kështu, ndërsa çmimet e mallrave u rritën gjatë viteve 2000, nga tregtia në rritje e mbeturinave përfituan si eksportuesit, të cilët bënë para nga mbeturinat e pavlerë ashtu edhe importuesit, të cilët patën qasje në një burim të besueshëm të lëndës së parë të çmuar. Mes viteve 1995 dhe 2016 importet kineze të mbetjeve u rritën dhjetë herë, nga 4.5 milionë në 45 milionë ton.
Por importet e mbetjeve të riciklueshme janë shpesh të ndotura, të ndara jo mirë ose të kontaminuara me substanca të rrezikshme, të tilla si plumbi ose mërkuri. Në 1996 fabrikat në Xinjiang importuan pa dashje më shumë se 100 ton metal radioaktiv nga Kazakistani. Një vit më pas, një biznesmen amerikan u dënua për kontrabandë me mbi 200 ton mbeturina të paklasifikuara të emërtuara si mbetje letre. Edhe kur materiali i synuar importohet, shpesh është ricikluar në mënyrë jo të duhur. Në vitin 2002 autoritetet u përballën me kritika të gjera, pasi një dokumentar tregoi se punëtorët në provincën Guangdong, pjesët e mbetura toksike të pajisjeve elektronike të shkatërruara, i hidhnin në një lumë. Zyrtarët mund të jenë nxitur për të vendosur kufizimet e fundit me publikimin e “Plastic China”, një dokumentar kritik për industrinë e riciklimit të plastikës, i cili u shfaq në janar në Sundance, festivalin e madh amerikan të filmit.
Qeveria kishte bërë fushatë, ndërkohë për të bllokuar importet e mbetjeve të paligjshme dhe me cilësi të ulët nën një operacion të quajtur “Operacioni i Gardhit të Gjelbër”, i nisur në 2013. Zyrtarët e doganës kanë rritur inspektimet e metaleve, plastikës së shiringave dhe mbetje të tjera mjekësore, si dhe të letrës për plastikë apo dru. Që atëherë, importet e mbeturinave të Kinës kanë rënë ndjeshëm .
Ndërsa “Gardhi i Gjelbër” kishte për qëllim përmirësimin e cilësisë së mbeturinave të importuara, masa më e fundit e qeverisë ndalon disa lloje të mbeturinave, duke kërcënuar rreth 5 miliardë dollarë në tregti. Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit thotë se ndalimi do të ulë ndotjen. Por pjesa më e madhe e mbeturinave të konsumuara nga industria e riciklimit të Kinës vjen nga burime të brendshme, jo nga importi, vë në dukje Joshua Goldstein nga Universiteti i Kalifornisë Jugore: “Kjo nuk është me të vërtetë çështja ku qëndron problemi”. Në fakt, ricikluesit që mbështeten në importe tani mund të kalojnë në stokun e ndotur të mbetjeve të brendshme.
“Kjo do të jetë shumë e vështirë për industrinë tonë”, thotë Adina Renee Adler nga Instituti i Riciklimit të Skrapit. Siç është, “Operacioni Gardhi i Gjelbër” ka nxjerrë jashtë tregut shumë biznese të vegjël. Eksportuesit do të vuajnë shumë. Derek Kellenberg i Universitetit të Montanës thotë, “Dyshimi im është se sendet me cilësi më të ulët kanë më shumë gjasa të përfundojnë në një landfill”.
Ujët & diamantet
Aurel PLASARI
Nuk e kam me ujin dhe çmimin e tij, jo, por pikërisht rragatjet për çmimin e ujit më kujtuan paradoksin e ujit dhe të diamanteve. Është njëri nga paradokset e njohura të ekonomisë klasike, i quajtur edhe “paradoksi i vlerës”. Mund të shprehet shkurt kështu: ndonëse uji është më i dobishëm / madje i domosdoshëm / se diamanti, janë diamantet ato që kanë çmim më të lartë në treg. U mor me këtë paradoks z. Adam Smith, ai që sot në Shqipëri ka sevdallinjtë e vet, në veprën “Mbi pasurinë e kombeve”. Edhe të tjerë e kishin vënë re para tij. Por ishte z. Smith që e formuloi habinë e vet paradoksale kështu:
“Gjë më të dobishme se uji s’ka, mirëpo pakogjë mund të blihet me të dhe asgjë me vlerë me të nuk mund të shkëmbehet. Një diamant, përkundrazi, ka vlerë të paktë përdorimi, porse me anë të tij mund të blihen ose të këmbehen shumë gjëra”.
Kur erdhi Marx-i shpjegoi atë çfarë mendja e Adam Smithit me shokë nuk e kishte përkapur: vlerën-punë. Madhësia e vlerës së një malli, tha Marx-i, varet nga puna socialisht e nevojshme për prodhimin e tij. Ajo nuk përcaktohet aspak nga “vlera e përdorimit” dhe nga përdorimi konkret që i bëhet më mbas atij malli, si dhe as nga nevoja konkrete që ai mall përmbush.
Prandaj vlera e ujit është zakonisht më e vogël se ajo e një diamanti ngaqë puna socialisht e nevojshme për të siguruar ujin është më e vogël, ndërsa puna socialisht e nevojshme për të siguruar një diamant është më e madhe dhe kjo pavarësisht nëse uji përdoret për të përmbushur një funksion jetik, ndërsa diamanti jo. Ishte e qartë, për Marx-in, që në situata mungese vlera është më e madhe sepse kushtet e mungesës kërkojnë një shtim të punës socialisht të nevojshme për të prodhuar / ose siguruar / një mall të caktuar. Mungesa ose rrallësia e diamanteve kërkon më shumë punë për t’i siguruar, prandaj ata janë aq “të vlershëm”. Në të njëjtën mënyrë shpjegohet se përse në zona shkretëtirash, ku kërkohet më shumë punë për ta siguruar, uji ka vlerë më të madhe sesa në zona që nuk janë shkretëtira. Pra, sipas pikëpamjes së Marx-it, paradoksi i ujit dhe diamanteve, domethënë ai që quhet paradoksi i vlerës, është vetëm një shembull i gabimit teorik në të cilin patën rënë ekonomistët klasikë duke ngatërruar dhe bërë lëmsh vlerën me vlerën e përdorimit, si dhe një shembull i trajtimit të mallit si fetish nga ana e ekonomistëve të tillë.
Ishte edhe ky paradoks njëri nga shkaqet e shumta që në ekonominë neoklasike të shpikej teoria që njihet në angl. si “marginal utility”. Fjalë për fjalë ajo përkthehet e “dobisë anësore”, por ka kuptimin e dobisë joparësore, të dobisë së dorës së dytë a të tretë etj., pra të dobisë që mund të lihet mënjanë. Kjo teori e zgjidhte paradoksin me përfundimin që nuk është kërkesa e një të mire / pasurie / ajo që përcakton çmimin e saj, por “dobia margjinale” e saj. Sipas saj vlera e një të mire / pasurie / nuk përcaktohet nga sasia e punës që është harxhuar për prodhimin e saj, si teoria e vlerës-punë marxiste, as nga dobia në përgjithësi, porse çmimi përcaktohet nga “dobia margjinale” e saj, që është përdorimi më pak i rëndësishëm i asaj të mire / pasurie / për personin.
Për sipërmarrjet dhe bizneset “dobia margjinale” ka të bëjë me cakun delikat mes fitimit dhe humbjes, që janë në ekuilibër të pasigurt. Për ne që nuk kemi qëlluar as sipërmarrës dhe as biznesmenë, teoria e “dobisë margjinale” ndihmon për të kuptuar diçka nga situata që po përjetojmë, sepse duhet të përpiqemi të kuptojmë, apo jo? Më shqip: ajo ndihmon për të dalluar ekuilibrin e paqëndrueshëm mes të pasurit dhe të mospasurit, mes kamjes dhe skamjes. Më pëlqen ajo sidomos kur debatoj me mjeshtër të librit, të botimit, të promovimit të kulturës, të cilët një e dy ankohen: “Librat nuk shiten”, “Librat nuk blihen”, “Për librat nuk ka më interes”, “Njerëzit nuk e duan librin”, “Njerëzit janë indiferentë ndaj kulturës”, “Njerëzit nuk e çajnë më kokën për kulturën”. Etj. Nëse do të bënim ndonjë orvatje për të depërtuar, fjala vjen, në një vepër të cilën e kam rekomanduar mëse një herë, “Manual of Political Economy” të ekonomistit sociolog të përsyshur Vilfredo Pareto, padyshim që do ta kuptonim ndryshe edhe titullin ironik të Hemingway-t për romanin “To have and to have not”. Ndonëse autor “i përsyshur”, shoh që më në fund e ka ribotuar edhe Oxford University Press më 2014.
Po përdor një shembull “katundarësh”, që e ka shtënë në punë jo vetëm Pareto, por edhe kolegu i tij Böhm-Bawerk para Paretos dhe që tanimë përdoret rëndom në tekste të ekonomisë politike: Një fermer ka prodhuar pesë barrë grurë. Me të parën do të bëjë bukë për të siguruar atë që quhet “bukë e gojës”. Të dytën do ta përdorë për farë për vitin e ardhshëm. Me të tretën do të ushqejë kafshët që ka në fermë. Të katërtën do ta shtjerë në punë për të prodhuar whisky. Me të fundit do të ushqejë pëllumbat. Nëse i heqim njërën nga këto barrë, kjo nuk do të thotë që ai do të thjeshtojë gjithë sa bën në një të pestat, jo: ai do të lërë pa ushqyer pëllumbat. Kështu që vlera e një barre grurë rezulton e barabartë me kënaqësinë që ai provon kur ushqen pëllumbat. Duke hequr këtë barrë grurë, përdorimi më pak i domosdoshëm cili mbetet? Mbetet barra me të cilin bën whisky. Nëse ia heqim edhe atë, ai as whisky nuk do të prodhojë më. Dhe kështu me radhë: nëse nuk ka më mundësi të ketë katër barrë, mandej as tre dhe as dy, i mbetet vetëm barra e grurit për bukën e gojës dhe fermerit i duhet të bëjë llogaritë për kafshatën, në mos po edhe të hajë më pak. Ky i fundit është përdorimi i skajshëm më produktiv i grurit: barra e fundit është baras me jetën e tij. Barrët e tjera, të prodhimit më pak produktiv, përbënin “dobitë margjinale” të tij, ato që mund të lihen “mënjanë”.
Kështu, nëpërmjet “dobisë margjinale”, shpjegohet edhe se përse shishja e fundit e ujit në shkretëtirë ka aq shumë vlerë dhe se përse në një situatë të tillë gjithkush do të ishte i gatshëm të jepte një diamant për një shishe ujë, ndonëse një shishe ujë kushton shumë shumë më pak se një diamant.
Ka qenë e pritshme që edhe teorisë së “dobisë margjinale” t’i bëhen kritika, – në shkencë kritikat për çdo teori të re përbëjnë kusht për përparimin shkencor, – nga shkolla e Ludwig von Mises-it për shembull. Por në Shqipërinë tonë teorinë e “dobisë margjinale” e vërteton realiteti. “Librat nuk shiten”?, “Librat nuk blihen”?, “Për librat nuk ka më interes”?, “Njerëzit nuk e duan librin”?, “Njerëzit janë indiferentë ndaj kulturës”?, “Njerëzit nuk e çajnë më kokën për kulturën”? E pra nuk qenka krejt kështu. Qytetarëve u janë ngritur taksat e banesës e të jetesës dhe ju keni heshtur, sepse ju i përballoni. Atëherë qytetarët nuk kanë mundësi të ushqejnë pëllumbat me barrën e grurit që nuk e kanë më. Qytetarëve u janë rritur taksat e arsimit dhe të gjelbërimit a të automjetit e të qarkullimit, ndërsa ju përsëri keni heshtur, sepse ju i përballoni. Qytetarët mbaskëtaj, edhe me një tjetër barrë gruri më pak, nuk mundin më të prodhojnë whisky. Qytetarëve mund t’u dyfishohet deri edhe çmimi i ujit. Dhe ju përsëri heshtni, sepse ju e përballoni, ndërsa vijoni të ankoheni që librat “nuk blihen”. Por qytetarët, të cilëve u hiqet edhe një tjetër barrë gruri, rrezikojë të thjeshtohen te barra simbol e bukës së gojës. Atëherë, ju mjeshtër të librit, ende do të vazhdoni të shtireni kinse nuk e kuptoni që këta qytetarë, blerës potencialë, nuk është se nuk e duan librin a se e kanë zët kulturën, por ata me të drejtë numërojnë natë për natë “barrët e grurit”, duke llogaritur atë më të fundit? Dhe të heshtni? Nuk është më çështje “libri”.