22.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Cinizmi si formë e ideologjisë

Slavoj Zizek

Koncepti më elementar i ideologjisë është ndoshta fraza më e njohur e Marksit në kapital “Sie wissen das nicht, aber sie tun es” (“ata nuk e dinë këtë, mirëpo e bëjnë”). Koncepti i ideologjisë implikon një lloj naiviteti bazik, themelor: mospranimi i predispozitave, të kushteve efektive të saj, një distancë, një divergjencë të ashtuquajtur realitet social dhe pasqyrimi jonë i shtrembëruar, vetëdija jonë e rreme për të. Kjo është pse një “vetëdije e tillë naive” mund të shpërfaqet në një procedurë kritike-ideologjike. Qëllimi i kësaj procedure është të dërgojë një vetëdije ideologjike naive në pikën që ajo mund të pranojë kushtet e saj efektive, realitetin social që po e shtrembëron dhe përmes këtij akti ta tretë vetveten. Në versione më të sofistikuara të kritikës së ideologjisë – që janë zhvilluar nga Shkolla e Frankfurtit, për shembull – kjo nuk është vetëm të vësh një pikëpyetje mbi gjërat që shohim (realitetin social) ashtu siç “vërtet janë”, duke hedhur larg syzet e ideologjisë; çështja kryesore është të shohim se si realiteti në vetvete nuk mund të riprodhojë vetveten pa të ashtuquajturin mistifikim ideologjik. Maska nuk është thjesht duke e fshehur gjendjen e vërtetë të gjërave; shtrembërimi ideologjik është i shkruar brenda esencës së saj.
Më pas arrijmë tek paradoksi i një qenieje, e cila mund të riprodhojë veten vetëm për aq sa ajo është e refuzuar dhe e neglizhuar: në momentin që ne e shohim atë “ashtu siç vërtetë është”, kjo qenie e humbet veten, tretet në një asgjë ose më saktë, e ndryshon veten një një realitet të llojit tjetër. Kjo është arsyeja pse ne duhet të shmangim metaforat e thjeshta të demaskimit, që i hedhin tutje mbulesat, të cilat janë të përcaktuara të fshehin realitetin e zhveshur. Mund të shohim pse Lacani në seminarin e tij mbi Etikën e Psikanalizës e distancon veten nga gjestet çliruese të të thënit përfundimisht se “mbreti nuk ka rroba”. Çështja qëndron, në momentin e përcaktuar nga Lacani, se mbreti është i zhveshur vetëm nën rrobat e tij, kështu që nëse ekziston ndonjë gjest i pamaskuar i psikanalizës, ai është më afër shakasë së mirënjohur të Alphonse Allaisit të cituar nga Lacani: dikush tregon drejt një gruaje dhe flet me një zë të tronditur, “Shikojeni atë, çfarë turpi, nën rrobat e saj ajo është totalisht e zhveshur” (Lacan, 1986, fq.231).
Por të gjitha këto tashmë janë të mirënjohura: dihet koncepti klasik i ideologjisë si “vetëdije e rreme”, mospranimi i realitetit social, i cili është pjesë e vetë realitetit. Pyetja jonë është: A aplikohet koncepti i ideologjisë si vetëdije naive ende në ditët e sotme? A është duke operuar ende edhe sot? Në “Kritikën e Arsyes Cinike”, bestselleri i famshëm në Gjermani (Sloterdijk, 1983), Peter Sloterdijk e dërgon tutje tezën se gjendja dominante e funksionimit të ideologjisë është cinike, e cila bën të pamundur të kotë – procedurën e kritikës klasike të ideologjisë. Subjekti cinik është mjaft i vetëdijshëm për distancën mes maskës ideologjike dhe realitetit social, por megjithatë ai insiston në maskën. Formula ashtu siç e ka propozuar Sloterdijk do të jetë: “ata e dinë shumë mirë çfarë po bëjnë, por ende vazhdojnë ta bëjnë”. Arsyeja cinike nuk është më naive, por është një paradoks i një vetëdije të rreme: njeriu e di pavërtetësinë shumë mirë, është mirë i vetëdijshëm për interesin partikular të fshehur prapa një universaliteti ideologjik, por nuk heq dorë nga kjo.
Ne duhet të dallojmë këtë pozicion cinik saktësisht nga ajo çka Sloterdijk e quan cinizëm. Cinizmi paraqet refuzimin popullor, të njeriut të pagdhendur ndaj kulturës zyrtare me anë të ironisë dhe sarkazmës: procedura klasike e cinizmit është të konfrontojë frazat patetike të ideologjisë zyrtare udhëheqëse – solemnin e saj, tonalitetin e rëndë – me banalitetin e përditshëm dhe t’i mbajë ata deri në tallje, kjo ekspozon prapa fisnikërisë së frazave ideologjike interesat egoiste, dhunën, pretendimet brutale për fuqi. Më pas kjo procedurë është më shumë pragmatike sesa argumentuese: ajo shkatërron propozimin zyrtar duke e konfrontuar atë me situatën e shpalljes së saj; ajo procedon ad hominem (për shembull, kur një politikan predikon detyrën e sakrificës patriotike, cinizmi e shfaq fitimin personal që ai po e bën nga sakrifica e të tjerëve).
Cinizmi është përgjigjja për kulturën dominuese ndaj subversionit cinik: kjo e pranon, e fut në llogari, interesin partikular mbrapa universalitetit ideologjik, distancën mes maskës ideologjike dhe realitetit, por ende gjen arsye që ta mbajë maskën. Ky cinizëm nuk është pozicion direkt i jomoralitetit, është më shumë mbi atë se si vetë moraliteti e vendos veten në shërbim të jomoralitetit – modeli i urtësisë cinike është të krijojë ndershmëri, integritet, si formë supreme e pandershmërisë dhe moral si formë supreme të shthurjes, të vërtetën si formën më efektive të gënjeshtrës. Prandaj ky cinizëm është një lloj “mohimi i mohimit” zvetënimi i ideologjisë zyrtare: e konfrontuar me pasurimin ilegal, me plaçkitje, reaksioni cinik konsiston në të shprehurit se pasurimi legal është shumë më shumë se aq dhe për më tepër, i mbrojtur nga ligji. Ashtu siç e tha Bertolt Brecht në Operan për Tre Groshë: “çka është plaçkitja e një banke krahasuar me themelimin e një banke të re?”.
Është e qartë se konfrontimi me arsye të tilla cinike si pasojë e bën kritikën tradicionale të ideologjisë të jetë jo funksionale. Nuk mundemi që ta nënshtrojmë tekstin ideologjik ndaj “leximit simptomatik”, duke e konfrontuar atë me pika boshe, me atë që duhet të shtypë për të organizuar vetveten, të ruajë konsistencën e vet – arsyeja cinike e merr parasysh këtë distancë paraprakisht. A na mbetet neve pastaj vetëm çështja të konfirmojmë se, me mbretërimin e arsyes cinike, ne e gjejmë veten në të ashtuquajturën botë postideologjike? Madje edhe Adorno vjen deri te ky konkluzion, duke filluar nga premisa se ideologjia është saktësisht, vetëm një sistem, i cili bën një hamendësim për të vërtetën- kjo është ajo që nuk është thjesht një gënjeshtër, por një gënjeshtër e sprovuar si e vërtetë, një gënjeshtër, e cila prentendon që të merret seriozisht. Ideologjia totalitare nuk e ka më këtë pretendim. Ajo nuk do të thotë më, edhe sipas autorëve të saj, që të merret seriozisht- statusi i saj është vetëm një mjet për manipulim, diçka e jashtme dhe instrumentale; rregulli i saj është i siguruar jo nga e vlera e saj e vërtetë, por thjesht nga një dhunë ekstraideologjike dhe nga një premtim fitimi.
Pikërisht në këtë pikë duhet të prezantohet ndarja mes simptomës dhe fantazisë me qëllim që të tregojë se si ideja që ne jetojmë në një shoqëri postideologjike lëviz pak si shumë në mënyrë të shpejtuar: arsyeja cinike, me të gjitha shkëputjet e saj, e lë të paprekur nivelin fondamental të fantazisë ideologjike, nivelin mbi të cilin ideologjia e strukturon realitetin social në vetvete.

Shpenzimet për interesat e borxhit, më të ulëtat në 9 vjet

Shpenzimet qeveritare për pagesat e interesave të borxhit publik shënuan nivelin më të ulët të nëntë viteve të fundit, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Gjatë periudhës janar-qershor janë shpenzuar 14.2 miliardë lekë, niveli më i ulët që nga viti 2008. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, interesat ishin 18% më të ulëta. Në raport me planin e gjashtëmujorit, qeveria kurseu 2.8 miliardë lekë ose 21 milionë euro, të cilat do të mund të përdoren për importin e energjisë pas rishikimit të buxhetit 2017 gjatë muajit shtator. Ministria e Financave shpjegon se, reduktimi i shpenzimeve për interesa i atribuohet efektit të rënies së normave të interesit në tregun e brendshëm, kryesisht gjatë tri viteve paraardhëse për obligacionet dhe gjatë vitit 2016 për bonot e thesarit. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2017, ka vazhduar tendenca e uljes së kostos së borxhit dhe përmirësimit të treguesve të riskut. Struktura e borxhit ka shfaqur përmirësim, kryesisht në aspektin e reduktimit të ekspozimit të riskut të rifinancimit dhe riskut të normave të interesit. Ndërkohë, risku i kursit të këmbimit pothuajse ka qëndruar në të njëjtat nivele me vitin e kaluar, pasi raporti ndërmjet borxhit në monedhë vendase me atë në valutë mbetet pothuajse i pandryshuar. Kërkesa e tregut për tituj shtetërorë ka qenë në nivele të larta dhe ka arritur të mbulojë nevojat e qeverisë për huamarrje, duke çuar në rënie të normave të interesit krahasuar me ato të fundit të vitit 2016. Ministria e Financave planifikon se, gjatë pjesës së mbetur të vitit 2017, menaxhimi i borxhit do të ketë në fokus reduktimin e mëtejshëm të ekspozimit ndaj risqeve të portofolit të borxhit (kryesisht portofolit të borxhit të brendshëm), si dhe ruajtjen e raporteve të qëndrueshme ndërmjet kostos dhe riskut. Ndërkohë, do të vazhdojnë të ndërmerren aktivitete, të cilat do të synojnë zhvillimin e mëtejshëm të tregut primar dhe nxitjen e aktivitetit të tregut sekondar për titujt shtetërorë.

KLSH padit 2 ish-drejtorë të Prefekturës së Lezhës

KLSH kallëzon në Prokurori 2 ish-drejtorë dhe 2 specialistë të Komisionit Vendor të Verifikimit të titujve të pronësisë në Prefekturën e Qarkut Lezhë. Ata i kanë sjellë impakt negativ, Buxhetit të Shtetit në vlerën 11 milionë lekë.
Kontrolli i Lartë të Shtetit njoftoi se pas auditimit të Prefekturës së Lezhës për periudhën 1 janar 2013 deri më 31 dhjetor 2016, ka konstatuar shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e trajtimit të vlefshmërisë dhe ligjshmërisë të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore (AMTP), ndër të cilat më kryesoret janë:
Në 20 raste për sipërfaqen 186842 m2 nuk kanë kryer kallëzim penal në organet e drejtësisë, ndaj komisioneve të ndarjes së tokës në fshat, të cilat ka tejkaluar kompetencat ligjore, duke ndarë tokë bujqësore më shumë se norma për frymë, me pasojë dëmtimin e rëndë të interesave të shtetit;
Në 8 raste për sipërfaqen 46046 m2 nuk kanë liruar dhe nuk e kanë kaluar në pronësi e posedim të shtetit tokën bujqësore nga personat, të cilët e përdorin në mënyrë të paligjshme;
Në 6 raste për sipërfaqen 119825 m2 të rikonfirmimit të AMTP edhe pse përfituesit nuk kanë qenë banor në ish-kooperativën bujqësore me datë 01.08.1991, apo pa qenë punonjës në ish-NB më datë 01.10.1992, duke marrë vendime të pa mbështetur në prova dhe në ligj dhe në tejkalim të kompetencave ligjore, me pasojë dëmtimin e interesave të shtetit;
Në 6 raste për sipërfaqen 22362 m2, me zë kadastral “PF”, tokë e cila nuk ka qenë objekt trajtimi nga Ligji nr. 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”, nga Komisioni Vendor nuk është vepruar me kalimin në pronësi e posedim të shtetit të tokës nga personat të cilët e përdorin në mënyrë të paligjshme;
Në 9 raste për sipërfaqen 1750 m2, me zë kadastral “Truall”, tokë e cila nuk ka qenë objekt trajtimi nga ligji për tokën, nga Komisioni Vendor nuk është vepruar me kalimin në pronësi e posedim të shtetit të tokës nga personat, të cilët e përdorin në mënyrë të paligjshme;
Mosushtrimi i kontrolleve të drejtpërdrejta, me nismën e vet, për tokat bujqësore të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore dhe zonat me përparësi zhvillimin e turizmit për Qarkun e Lezhës,
Në kundërshtim me Ligjin nr. 9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, me VKM nr. 1269, datë 17.09.2008 “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, me VKM nr. 224, datë 19.02.2009 “Për procedurat e krijimit të Akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, si pasojë e korrigjimeve të kryera nga Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë”, me Ligjin nr. 8485, datë 12.05.1999 “Kodi i Procedurave Administrative  të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
Për këto shkelje dhe për të tjera, KLSH ka kryer pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me shkresën me nr. 259/22 datë 08.07.2017 kallëzim penal ndaj B.Z. dhe A.P. me detyrë ish-drejtorë të Komisionit Vendor dhe  R.N. e E.G. me detyrë ish- specialistë në Komisionin Vendor, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Shënim: Në web-in e KLSH gjendet i plotë Vendimi nr. 78, datë 30.06.2017 i Kryetarit të KLSH-së, në lidhje me këtë auditim.

Kosova pa stabilitet deri në zgjedhjet e reja

-Zonja ambasadore Viets, ngërçi aktual politik në Kosovë, ku seancat parlamentare radhazi dështojnë nuk të bën optimist. E kuptoni ju këtë varavingo politike?
Po, mund ta kuptojmë shumë mirë, nga njëra anë kjo situatë të kujton shumë atë të verës 2014, edhe atëherë kishim zgjedhje të parakohshme, por në thelb konflikti është më i vjetër. Ai të kthen pas në vitin 1999, ndoshta edhe më parë, përballë njëra-tjetrës qëndrojnë parti të armiqësuara, individë të armiqësuar me njëri-tjetrin, kjo e bën shumë të vështirë dhënien e recetave për një zgjidhje. Kriza në zgjedhjet e fundit në 2014-ën nuk u kapërcye.

-Duket se asnjëra nga partitë nuk po lëshon pe, çfarë strategjie fshihet pas kësaj?
Partitë janë të interesuara kryesisht për ruajtjen e pushtetit, dhe persona të caktuar që veprojnë, janë jo pak të interesuar edhe për atë se çfarë do të ndodhë me ta. Shumë kanë frikë edhe nga ndjekja penale, nëse nuk janë në pushtet. Kemi një situatë patt-i tani, dhe madje rrezikon një stanjacion i gjatë. Partitë deri më tani nuk ia kanë dalë të bien dakord për një axhendë kombëtare me konsensus. Janë egoizmat ato, që i pengojnë politikanët për të menduar në radhë të parë për fatin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo është një luftë për pushtet e përcaktuar nga egoizmat.
Nga ana tjetër, zgjedhjet ishin të lira e të ndershme, siç edhe u vlerësuan nga vëzhguesit. Qytetarët për herë të parë nuk votuan mbi bazë oportuniteti, si në të shkuarën, por sipas ndërgjegjes e arsyes. Njerëzit në Kosovë kanë ecur më përpara se politika. Ne jemi përpjekur po ashtu të çojmë përpara transformimin e shoqërisë me projekte nga Europa, BE, Gjermania e partnerë të tjerë.

-A prisni daljen nga kriza të enjten, kur do të zhvillohet seanca e re parlemantare?
Jo, nuk pres. Edhe nëse në ditët e javët e ardhshme do të arrihej shumica qeverisëse, pra 61 deputetët që janë të nevojshëm, – 61 ose 61 nga 120 deputetë – kjo do të ishte një qeveri jo e stabilizuar, saqë shpesh edhe kuorumi në Parlament nuk do të arrihej, pra do të jetë e vështirë edhe miratimi i një ligji normal që kërkon vetëm shumicë të thjeshtë.

-Por si mund të dilej nga ky udhëkryq, një qeveri gjithëpërfshirëse është përmendur po ashtu…
Nuk shoh për momentin se partitë që janë bashkuar në një koalicion, mund të krijojnë një qeveri të qëndrueshme në plan afatgjatë. Mendoj dhe për fat të keq, se skenari më i mundshëm është një fazë e gjatë të mungesës së stabilitetit deri në zgjedhje të reja. Kjo nuk është mirë për axhendën tonë. Kosova ndryshe nga vendet e tjera ka pak përvojë qeverisëse, tani po ndërtohet një Kosovë moderne, ky është një proces i dhimbshëm, kjo kërkon kohën e saj, e me sa duket këtë kohë ne duhet t’ua japim.

-Përmendët se skenari i mungesës së stabilitetit nuk është i mirë për axhendën…çfarë pasojash konkrete kanë këto vonesa për Kosovën?
Do të shtyhen edhe më tej në kohë implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, axhenda europiane, projekte konkrete ekonomike të BE-së me Kosovën, kjo nuk është gjë e mirë. Edhe për shkak të statusit ende të kontestuar për Kosovën, Kosova është një rast i veçantë mes vendeve të Ballkanit. Politikanët në vend e dinë, se edhe për shkak se ka vende në BE që nuk e njohin Kosovën, rruga në BE do të jetë shumë e gjatë, prandaj është shumë e vështirë të ruhet vullneti për reforma. Detyra jonë është që ky vullnet të forcohet, për këtë kemi krijuar edhe iniciativa të rëndësishme si Procesi i Berlinit për të përshpejtuar këtë fazë tranzicioni e për të dhënë impulse për bashkëpunimin rajonal.

-Situatë kritike për Kosovën, ku ka shumë çështje të hapura – dialogu me Serbinë ka ngecur, çështja e demarkacionit me Malin e Zi nuk është zgjidhur, të mos harrohen problemet ekonomike e papunësia në vend…
Politikanët duhet të bashkohen për axhendën e Kosovës, të lenë pas interesat personale. Lidhur me dialogun që përmendët, ai është prioritet politik për ne, por ka gati një vit e ky dialog ka ngecur. Ka mjaft ujdi që janë arritur dhe nuk janë implementuar, si për shembull asociacioni nga pala kosovare dhe ujditë për energjinë nga pala serbe. Veç këtyre ujdive, kemi një asimetri të madhe. Nga njëra anë Vuçiç, që doli i fortë nga zgjedhjet e ka një parti të fortë pas vetes, nga ana tjetër kemi këtu një situatë, ku pushteti është ndarë mes tre kampeve dhe nuk ka konsensus kombëtar për asnjë temë. Dialogu, siç është zhvilluar deri më tani, pa përfshirë edhe Parlamentin e Kosovës për të arritur konsensusin e nevojshëm, nuk mund të mendohet më.

-Zonja Viets, ju e mbaroni për pak ditë mandatin tuaj në Kosovë. Cili është bilanci juaj për këtë kohë?
Bilanci politik është mjaft i përzier. Krahas disa sukseseve, si nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit apo efektet e Procesit të Berlinit, ka pasur tema që kanë dështuar. UNESCO ishte dështim i madh për Kosovën. Largohem me përshtypjen se kanë qenë tre vite me intensitet të madh, me mjaft kriza të vogla e të mesme që na bënin të mbanim frymën. Por ishte edhe kënaqësi, sepse konsultimi ndërkombëtar, nga SHBA, por edhe nga Gjermania kërkohet gati përditë. Nuk më kujtohet ndonjë post tjetër, ku mund të bësh kaq shumë, si në Kosovë. Por ngaqë kosovarët kanë tendencën të të bëjnë komplet për vete, duhet ruajtur edhe distanca kritike. Megjithatë përulësia rritet, kur shikon se çfarë problemesh e sfidash duhet të kapërcejë një vend kaq i vogël si Kosova.

-Çfarë kujtimi do të merrni me vete kur të largoheni…
Ka pasur shumë takime personale me njerëz mjaft impresionues, por ajo që më ka prekur gjithmonë është se edhe kur shkon në një fshat të vogël, njerëz të panjohur vijnë, kur e dallojnë që vjen nga Gjermania të përqafojnë pa të pyetur e të thonë “Faleminderit Gjermani!” Këtë nuk do ta harroj!

“Deutsche Welle”

Kostoja e zbatimit të gjuhës shqipe në Maqedoni

Ministria e Drejtësisë dhe Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit e kanë publikuar tekstin zyrtar të propozimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve që është në procedurë parlamentare për miratim. Thonë se këtë e kanë bërë duke pasur parasysh parimet e konfirmuara nga Qeveria për qeverisje transparente dhe llogaridhënie për qytetarët.
Për zbatimin e propozim-ligjit do të duhen mjete shtesë nga buxheti i Republikës së Maqedonisë, për themelimin e Agjencisë për aplikimin e gjuhëve që e flasin më së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, por edhe detyrime materiale për subjektet e tjera.
Për funksionimin e institucioneve të reja në vitin e parë vlerësohet se do të duhen 16-të milionë denarë, të cilat do të sigurohen nga buxheti për vitin 2018. Plus do të duhet të sigurohen edhe 90 milionë denarë nga buxheti që do të ndahen në shfrytëzues të ndryshëm buxhetor për zbatimin e ligjit. Gjithsej 106 milionë denarë ose 1.7 milionë euro.
Për punësimet në institucionet e reja, me propozim-ligjin parashikohet që një pjesë të realizohet me marrjen nga institucionet e tjera shtetërore, para së gjithash nga Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë.
Pas miratimit të ligjit nga ana e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, do të dorëzohet në Komisionin e Venedikut së bashku me dispozitat kontestuese që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës shqipe në monedhë dhe në letra me vlerë si dhe në uniformën e ushtrisë dhe të policisë.
Qëllimi është që të shihen se kjo është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Nëse nga Komisioni i Venedikut merret mendim pozitiv, siç deklaroi zëvendëskryeministri Bujar Osmani, të tri pikat në mënyrë shtesë do të përfshihen në ligj.
Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë do të formohet inspektorat shtetëror që do ta mbikëqyrin  zbatimin e normave gjuhësore për përdorimin e gjuhëve. Për institucionet, të cilat nuk do ta zbatojnë ligjin parashihet dënim prej 5 mijë euro.
Ndryshe, gjykatat dhe prokuroritë publike janë pjesë e institucioneve, të cilat më së paku duhet të punojnë që të përshtaten në dispozitat e reja nga propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve. Për dallim nga më parë, si e drejtë për përdorimin e gjuhës tjetër përveç maqedonishtes u rezervua vetëm për të dyshuarit, të paditurit privat dhe dëshmitarët, tani parashikohet që kjo e drejtë edhe për gjykatësit dhe prokuroritë.

Debati në Iran për fotot me Mogherinin

Një grup i ligjvënësve iranianë u janë nënshtruar kritikave të ashpra, për atë që duket se ishte dëshirë e madhe e tyre për të bërë fotografi selfie me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e cila ishte për një vizitë të nivelit të lartë në Teheran.
Mogherini ishte në mesin e dhjetëra zyrtarëve të jashtëm të pranishëm në inaugurimin e Presidentit të Iranit, Hassan Rohani, në mandatin e tij të dytë presidencial, më 5 gusht. Rrjedhimisht, prania e kësaj politikaneje italiane nuk kaloi pa u shënuar.
Në fotografi është parë zonja Mogherini e rrethuar nga ligjvënësit me telefona mobilë, të tubuar aty për të bërë selfie me të, me ç’rast disa shihen duke lëvizur për të hyrë në kuadër, ndërsa të tjerët duke ia bërë me dorë zonjës Mogherini.
Por, këto fotografi janë kritikuar në shtypin e Iranit dhe në mediat sociale.
Disa kanë sugjeruar se me këtë sjellje ligjvënësit e kanë turpëruar dhe poshtëruar vetveten.
Hesamodin Ashna, këshilltar për Kulturë i Presidentit relativisht të moderuar, Hassan Rohani, ka shkruar në rrjetin Twitter se “ky nuk është problem politik, por është më tepër kulturor” dhe ka shtuar se “secili prej këtyre ligjvënësve të nderuar në atë selfie do të duhej të intervistohej seriozisht”.
Sadeq Kharazzi, ish-diplomat iranian dhe këshilltar i Presidentit të dikurshëm reformist, Mohammad Khatami, ka shkruar në rrjetin Instagram se, Parlamenti duhet të mbajë “kurse trajnimi për kodin e sjelljes dhe për vlerat morale universale” për ligjvënësit.
Të tjerët kanë thënë se ligjvënësit, që në përgjithësi nuk janë të njohur për favorizimin e të drejtave të femrave, ishin tejmase të entuziazmuar për t’u fotografuar me një femër me post të lartë politik.
E përditshmja e moderuar, Ghanon, e ka bërë një krahasim me pikturën e njohur, The Scream (Klithja), të autorit, Edvard Munch. Kjo gazetë në faqen e parë e ka botuar një karikaturë të titulluar, The Selfie of Scream (Selfie e Klithjes), ku shihen Mogherini dhe ligjvënësit me telefonat e tyre.
E përditshmja e linjës së fortë, Kayhan, e ka bërë një lidhshmëri të paqartë me kundërthënien për marrëveshjen atomike të Iranit me gjashtë fuqitë botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe tri vende anëtare të Bashkimit Evropian, por jo me Italinë ose me vetë BE-në.
Shtetet e Bashkuara dhe tri vendet e BE-së të involvuara në marrëveshjen e vitit 2015, Britania, Franca dhe Gjermania, i kanë dënuar testet aktuale raketore të kryera nga Irani, duke thënë se ato nuk ishin “në harmoni” me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të cilën është mbështetur marrëveshja atomike.
“Ata që supozohet se duhet t’i mbrojnë të drejtat e vendit kundër armikut, janë rreshtuar për të bërë fotografi në mënyrë poshtëruese me shkelësit e marrëveshjes atomike”, ka shkruar gazeta “Kayhan”.
Kjo gazetë, po ashtu, ka pretenduar se qëndrimet e disa zyrtarëve të BE-së, duke mos i specifikuar këta individë, sugjerojnë se BE-ja kishte marrëveshje me Shtetet e Bashkuara në “armiqësinë” ndaj Iranit.
Adminsitrata e Presidentit Donald Trump, ishte jashtëzakonsiht kritike për marrëveshjen atomike, megjithqë dy herë e ka çertifikuar bashkëpunimin e Iranit me dispozitat e marrëveshjes.
Së paku, njëri prej ligjvënësve iranianë, që është përfshirë në skandalin me selfie, deputeti i reformuar nga rajoni Shiraz, Farajollah Rajabi, ka kërkuar falje për sjelljen e tij.
Por, të tjerët janë përpjekur ta kundërshtojnë kritikën.
Ligjvënësi, Hamayoun Yusefi, i tha agjencisë së lajmeve të linjës së fortë, Tasnim, se selfie ishte diçka “totalisht normale” dhe se kjo çështje nuk duhet “të zmadhohet shumë”.
“Në ceremonitë e inaugurimit, qindra seflie janë bërë dhe kjo ishte njëra nga ato”, tha Yusefi, i cili ka theksuar se nuk ka bërë selfie me Mogherinin.
“Prania e Mogheerinit, përkundër kundërshtimit intensiv të Amerikës, është fitore madhore diplomatike për Iranin”, tha deputeti Yusefi dhe ka shtuar se inaugurimi nuk duhet të lihet anash për “çështje të këtilla të parëndësishme”.
Ligjvënësi Abolfazl Hassanbeigi, zëvendëskryetar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare, i tha një gazete nën kontroll të shtetit se çështja e selfieve nuk duhet ta mbizotërojë “madhështinë” e inaugurimit të Presidentit Rohani.
“Me të vërtetë ishte pozitive për Republikën Islamike”, tha Hassanbeigi dhe ka shtuar se “disa ligjvënës janë takuar dhe i kanë përshëndetur mysafirët e jashtëm, përfshirë Mogherinin”.
Sipas tij, deputetët iranianë ia kanë përçuar qëndrimet e tyre zonjës Mogherini. “Unë isha atje, jam dëshmitar kur një ligjvënës i tha Mogherinit se ne shpresojmë se ajo një ditë do të brohoriste – Vdekje Amerikës”, tha Hassanbeigi.
Mëtutje, ai theksoi se ligjvënësit i kanë thënë diplomates së lartë të Bashkimit Evropian se ata shpresojnë se BE-ja do të vazhdojë ta respektojë marrëveshjen atomike të vitit 2015 dhe “nuk do t’u bashkohet lojërave të Shteteve të Bashkuara”.
“Atëherë, unë dhe disa ligjvënës të tjerë kemi thënë zëshëm – vdekje Amerikës dhe rroftë Evropa”, tha Hassanbeigi.
Federica Mogherini nuk ka reaguar publikisht ndaj kësaj kundërthënie.

Baza Trump është shumë më e madhe dhe më e fortë

Presidenti Donald Trump këmbëngul se mbështetja ndaj tij është më e fortë se kurrë, pavarësisht nga një njoftim se disa republikanë po shohin mundësitë që ai të mos kandidojë për zgjedhjet presidenciale të 2020.
Në një koment të tij në Twitter sot herët në mëngjes, presidenti shkruante se, “baza Trump është shumë më e madhe dhe më e fortë se kurrë më parë, pavarësisht nga sondazhet e mediave të rreme”, siç shkruan ai. Zoti Trump kritikonte në mënyrë specifike atë që e cilësonte “dështim i gazetës “Nee York Times”.
Në një shkrim të kësaj gazete, përshkruhen përpjekjet që sipas saj që po bëhen nga disa republikanë për garën presideciale të 2020-ës, duke përfshirë dhe një kandidim të nënpresidentit Mike Pence. Vetë zoti Pence e hodhi poshtë lajmin si të pavërtetë.
Nëpërmjet një deklarate zoti Pence tha se, “lajmi i publikuar në “Nee York Times” sipas të cilit ai po zhvillon një “fushatë në hije” është i turpshëm dhe fyes”.
Ligjvënësit amerikanë si dhe Presidenti Donald Trump janë larguar nga Uashingtoni për disa javë për pushimet e verës, por hetimi ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane vazhdon. Siç njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Michael Boeman, para se Senati të mbyllte punën javën e kaluar, u paraqit një projektligj dypartiak për të mbrojtur prokurorin e posaçëm për hetimin e Rusisë, Robert Mueller, në rast se presidenti kërkon ta shkarkojë atë.
Para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë për pushime, Presidenti Trump foli për një mori lajmesh të mira ekonomike:
“Niveli i papunësisë është më i ulti në 16 vjet, rritja e PBB-së për tremujorin e fundit shkoi në 2.6 për qind. Prosperiteti po kthehet përsëri pasi ne, po e vendosim prioritetin tek punëtorët dhe familjet amerikane”.
Por hetimi për Rusinë vazhdon të jetë një irritim i përhershëm për një president që e ka etiketuar atë disa herë si gjueti shtrigash. Trump ka shkarkuar tashmë personin që dikur drejtonte hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhje në Departamentin e Drejtësisë, ish-drejtorin e FBI-së James Comey.
“FBI-ja do të jetë mirë pa mua. Misioni i FBI-së do të vazhdojë pa ndërprerje”, tha ish-drejtori i FBI-së James Comey.
A mund të shkarkojë tani Presidenti Prokurorin e Posaçëm, Robert Mueller? Shtëpia e Bardhë po e minimizon, por nuk po e përjashton këtë mundësi.
“Presidenti as që e ka diskutuar këtë. Presidenti nuk ka diskutuar shkarkimin e zotit Mueller”, thotë Kellyanne Conway, këshilltare e Presidentit.
Është propozuar një legjislacion që do ta bënte të vështirë shkarkimin e zotit Mueller apo çdo hetuesi të pavarur në të ardhmen.
“Legjislacioni i jep presidentit mundësinë të këshillohet me Prokurorin e Përgjithshëm dhe Departamentin e Drejtësisë për shkarkimin e një prokurori të posaçëm, por kërkon gjithashtu që rasti të shqyrtohet në Gjykatë në mënyrë që të sigurohemi se kjo bëhet për arsyen e duhur”, thotë senatori republikan Thom Tillis.
Presidenti e ka kritikuar vazhdimisht hetimin për Rusinë, por zoti Mueller vazhdon të gëzojë një reputacion të mirë në Kongres.
“Bob Mueller është një nga zyrtarët më të respektuar të zbatimit të ligjit në historinë moderne të Amerikës. Kujtoj se ai është një republikan që u emërua nga një republikan…Është në interesin e Presidentit Trump, është në interesin e mbrojtjes së rendit, që Bob Mueller të lejohet të vazhdojë hetimin deri në fund”, thotë Chris Coons, senator demokrat.
Ndërkohë, aleatët e Presidentit argumentojnë se hetimi prej disa muajsh nuk ka zbuluar pothuajse asgjë.
“Na u premtuan prova të drejtpërdrejta për ndërhyrje dhe ndryshim të rezultatit të zgjedhjeve… nuk ka asgjë të tillë”.
Javën e kaluar, Mueller njoftohet se ka ngritur një juri të madhe për të shqyrtuar provat dhe dëshmitë e mbledhura në hetim, një masë që mund të çojë ose jo, në ngritjen e akuzave.

Korea e Veriut nuk e ndal projektin bërthamor

Koreja e Veriut bëri të ditur të hënën se do të vazhdojë programin e saj të armëve bërthamore, duke hedhur poshtë thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për të frenuar veprimet e saj ushtarake agresive.
Misioni i Phenianit në Kombet e Bashkuara pretendoi se, sanksionet e reja të Kombeve të Bashkuara kundër Koresë së Veriut lidhur me provat e saj me raketa ishin një “shkelje flagrante ndaj sovranitetit të vendit”. Mediat shtetërore pretenduan se ato ishin rezultat i një “komploti të urryer të SHBA-së për të izoluar dhe mbytur” vendin komunist.
Koreja e Veriut tha se kurrë nuk do të negociojë programin e armëve bërthamore apo të raketave balistike si dhe se do t’i jepte Shteteve të Bashkuara një “mësim të ashpër” me forcë bërthamore strategjike, nëse Uashingtoni ndërmerrte veprime ushtarake. Komentet u bënë gjatë një takimi rajonal të vendeve të Azisë Juglindore në Manila.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson tha të hënën se hapi më i mirë që Koreja e Veriut mund të ndërmerrte për të sinjalizuar se është gati për dialog, do të ishte ndalimi i provave me raketa.
Zoti Tillerson foli për gazetarët në Manila, ku ndodhet për të marrë pjesë në Forumin Rajonal të Vendeve të Azisë Juglindore.
Sipas tij, votimi njëzëri i së shtunës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për miratimin e sanksione të reja kundër Koresë së Veriut si përgjigje ndaj provave me raketa balistike, dërgon mesazhin se e gjithë bashkësia ndërkombëtare i sheh veprimet e vendit të papranueshme dhe se pritshmëritë e tyre janë një gadishull korean i çnuklearizuar.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Donald Trump dhe ai i Koresë së Jugut, Moon gjatë një bisede telefonike u angazhuan të zbatojnë plotësisht të gjitha rezolutat e Kombeve të Bashkuara lidhur me Korenë e Veriut dhe të “nxisin bashkësinë ndërkombëtare që të bëjë të njëjtën gjë”.

Turqia paralajmëron një tjetër operacion ushtarak

Turqia po forcon praninë ushtarake në kufirin sirian, ndërsa Presidenti turk Rexhep Erdogan ka shtuar retorikën e tij për një operacion të afërt ushtarak në Siri. Raportohet se, Ankaraja po përpiqet të sigurojë mbështetjen e Moskës për një operacion të mundshëm në enklavën e Afrit në Siri, që tashmë ndodhet nën kontrollin e milicisë kurde të YPG-së.
Ankaraja akuzon YPG-në, që kontrollon pjesë të mëdha të territorit sirian përgjatë kufirit, se është një degë e PKK-së (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit) që lufton kundër shtetin turk.
“Do të ndërmarrim hapa të rëndësishëm me qëllim zhvillimin e fushatave të reja në të ardhmen e afërt”, deklaroi zoti Erdogan të shtunën përpara mbështetësve në qytetin turk Malatyas.
Mundësia për një operacion ushtarak është vlerësuar nga të gjitha mediat pro-qeveritare të Turqisë.
Moska ka vendosur forca ushtarake në rajonin Afrin të kontrolluar nga YPG-ja, disa prej tyre thuhet se ndodhen pranë kufirit turk. Por “Turqia sheh një dritare mundësie. Tashmë ka ndryshim në terren mes Rusisë dhe SHBA-së”, thotë diplomati turk në pension Aydin Selcen.
Zoti Selçen thotë se, Moska është e zemëruar nga bashkëpunimi ushtarak në rritje mes YPG-së dhe SHBA-së për largimin e Shtetit Islamik nga kryeqyteti i tij i vetëdeklaruar i Rakës.
Frustrimet e Rusisë u rritën në qershor, kur një avion i Uashingtonit rrëzoi një avion bombardues të qeverisë siriane, që thuhet se kishte në shënjestër forcat e SDF-së (Forcat Demokratike Siriane).
Ankaraja ka rritur bashkëpunimin e saj diplomatik me Moskën, pasi njoftoi muajin e kaluar planet për të blerë një sistem të avancuar të mbrojtjes ajrore të Rusisë. Ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusolgu, bisedoi të dielën me homologun e tij rus, Sergej Lavrov ndërsa merrnin pjesë në një takim rajonal në Manila.
Zyrtarët turq, rusë dhe iranianë kanë planifikuar të mbajnë një takim dy-ditor mbi Sirinë, duke filluar të martën në Teheran.

Sfidat e qyteteve nga ndryshimi i klimës

Vera e sivjetshme gjermane ka qenë me mjaft shira. Shërbimi Metereologjik Gjerman (DWD) tha se korriku 2017 ishte një nga muajt me më shumë rreshje që nga koha kur kanë nisur regjistrimet e motit në vitin 1881. Këto ekstreme klimaterike janë për ekspertët shenjë se ndryshimi i klimës po e shfaq ndikimin e tij në jetën e përditshme. Kjo do të thotë që në verë ditët e nxehta do të alternohen me ditë me lagështi dhe shira të fortë.
Sidomos qytetet gjermane po vuajnë prej shirave dhe rreshjeve, sepse kanalizimet e tyre nuk mund t’i përballojnë sasitë e mëdha të ujit. Për këtë arsye gjithnjë e më shpesh rrugët e qyteteve, bodrumet e shtypive apo stacionet e metrove po përmbyten nga rreshjet.
Por edhe ditët me diell po shkaktojnë probleme. Për shkak të ndërtesave të shumta që thithin ngrohtësinë e diellit dhe mungesës së rrymave të ajrit, temperaturat në qytete janë shpesh deri në rreth 10 gradë më të larta se sa në zonat përreth ku nuk ka aq shumë ndërtime.

Sfida për urbanistët
Shumë qytete dhe komuna në Gjermani kanë filluar të marrin tani masa përgatitore për rastet të rreshjeve të forta dhe të aplikojnë konceptet e klimatologjisë urbane. Kështu në qytete po ndërtohen më tepër godina me fasada me bojë të çelur që të mos thithin shumë energji diellore. Po ashtu ka nisur edhe gjelbërimi i tarracave dhe i fasadave. Bimët e mbjella aty jo vetëm freskojnë, por thithin edhe një pjesë të ujit të shiut.
Në disa qytete si në Hamburg, bashkia jep edhe ndihma financiare për gjelbërimin e tarracave të pallateve. Kurse në qytete të tjera, si në Bonn, sipërmarrjet po marrin pjesë në një projekt për gjelbërimin e zonave të parkimit të ndërmarrjeve si dhe të pjesëve të tjera të territorit të tyre të mbuluar me asfalt apo beton. Por edhe zgjerimi i sistemit të kanalizimeve është një nga rrugët që po ndiqen.
Shndërrimi i të gjitha qyteteve dhe zonave të banuara në zona të përshtatura me ndryshimet klimatike është thuajse i pamundur, thonë ekspertët, sepse kërkon shpenzime të mëdha dhe vullnet politik. Por shumë mund të bëhet në vendet dhe zonat ku ndërtohen pallate dhe ndërtesa të reja, që këto zona të jenë në përshtatje me ndryshimet klimatike për 100 vitet e ardhshme.