Real Madrid dhe Manchester United do të luftojë të martën për të fituar Superkupën e Europës, e cila do të luhet në orën 20:45 në Shkup të Maqedonisë. Fituesit në fuqi të Champions-it dhe “Europa League”, respektivisht, do të tentojnë trofeun e parë sezonal. Të dy trajnerët kanë marrë në shqyrtim tashmë edhe formacionet e tyre. Zidane pritet të hedhë në fushë dhjetë lojtarë të formacionit të finales së Cardiff-it, me të cilin fitoi kundër Juventusit, qershorin e kaluar. Parashikohet vetëm mungesa e Cristiano Ronaldos, i cili është ende duke luftuar të kapë ritmin e stërvitjes. Formacioni i “Los Blancos” pritet të jetë: Keylor, Carvajal, Ramos, Varane, Marcelo, Casemiro, Kroos, Modriç, Isco dhe Benzema.
Bale ose Asensio do të kompletojë formacionin e Zidanes kundër Manchester United. Në kahun tjetër është Jose Mourinho, që mediton të aktivizojë pesë lojtarë në mbrojtje. Në skuadrën angleze, megjithatë, ka më shumë pikëpyetje mbi skema dhe emrat. Mourinho ka testuar të tijtë kundër Sampdorias me pesë lojtarë në mbrojtje dhe po mediton përsëri të njëjtën gjë për shkak të Bailly, Jones dhe Rojo nuk janë gati për këtë finale. Në mesfushë, pyetja është nëse portugezi do të zgjedhë Fellaini apo të porsaardhurin Matiç. Në ofensivë pritet të luajnë Lukaku, Rashford dhe Mkhitaryan.
Planet e Zidane dhe Mourinho për Superkupën e Europës
Bartomeu: Askush nuk mund të jetë mbi Barçën!
Josep Maria Bartomeu ka folur për herë të parë pas nënshkrimit të Neymar te PSG-ja. Ai e ka bërë këtë gjë në Kongresin Botëror të Përkrahësve të Barcelonës. “Neymar është pjesë e historisë. Ai donte të largohej. Çdo gjë e ka një kufi dhe askush nuk mund të jetë mbi klubin. Ne njoftuam transferimin në UEFA. Donim ta parandalonim largimin e Neymar, prandaj kishim vendosur një klauzolë shumë të shtrenjtë. Parisienët arritën ta paguajnë klauzolën, lojtari u largua nga Barcelona dhe ne tashmë jemi duke punuar për të gjetur zëvendësuesin.
Nëse do të qëndronte, ne do të mbanim një lojtar të madh. Ne jemi një klub me 118 vjet histori, me lojtarë të mëdhenj, me mbi 140,000 anëtarë, kemi partnerë të shumtë, por nuk jemi sheikë apo oligarkë. Ne si klub kemi Leo Messin si shembull. Angazhimi dhe besnikëria e tij duhet të jenë pikë referimi apo Andres Iniesta. Leo Messi, futbollisti më i mirë ndonjëherë, do të mbetet lider i ekipit tonë. 222 milionët e marra nga shitja e Neymar JR do të përmirësojnë trashëgiminë tonë”.
Nga Spanja, Real Madrid ofron Kovaçiç dhe 85 milionë për Dybala
Paulo Dybala vazhdon të jetë ëndërr e largët e Real Madridit, ndërsa Kovaçiç është një nga profilet më të njohura nga Juventusi për të përmirësuar cilësinë e mesfushës së tij. Dy operacione që mund të jenë të lidhura ngushtë, sipas raporteve nga “Mundo Deportivo”. Për edicionin online të gazetës katalanase, Florentino Perez ka planifikuar të fillojë negociatat me stafin menaxhues të Juventusit për ta bindur atë që ta lërë të largohet “Joya” në këmbim të ish-lojtarit të Interit dhe një shume që mund të jetë rreth 80 dhe 85 milionë euro. Por Juventusi, vazhdon “Mundo Deportivo”, definitivisht nuk do të largohet nga Dybala për më pak se 120 milionë euro. Ai është një pikësynim edhe i Barcelonës për të zëvendësuar Neymar.
Bayern komplikon Mourinhon, jep 50 mln euro për Eric Dier
Ancelotti, kampioni i fundit i Superkupës së Gjermanisë, pasi mundi Dortmundin me penallti, dëshiron të forcojë mesfushën e vet me një lojtar të ri dhe të gjithanshëm, i cili, gjithashtu, mund të veprojë si qendror. Zgjedhja është Eric Dier, një nga perlat e Tottenham, 23 vjeç. Për të, sikurse raportonte dje “The Sun”, Bayern Munich është i gatshëm të ofrojë 50 milionë euro para mbylljes së merkatos. Kështu, gjermanët do të mbulojnë një largim të mundshëm të Renato Sanches dhe do të rrëmbejnë një nga kërkesat e Mourinhos, një rival i drejtpërdrejtë në Europë. Nga Anglia sugjerojnë se Pochettino ka vendosur të investojë miliona, të cilët të shkojnë për nënshkrimin e Barkley, mesfushorit të Everton. Megjithatë, marrëveshja nuk do të jetë e lehtë, sepse klubi i Liverpool ka vënë një çmim për lojtarin mbi 50 milionë euro.
Ancelotti: Kush e fiton Champions-in? Bayerni im!
Pasi ka fituar Superkupën e Gjermanisë, trajneri i Bayern-it, Carlo Ancelotti, nuk është aspak i shqetësuar për presionin nga klubi, edhe pse miqësoret parasezonale i mbylli si mos më keq: 5 humbje, 1 fitore. “Klubi gjithmonë më ka mbështetur. Këtu ndihem si në një familje, ku të gjithë ecin në të njëjtin drejtim, duke nisur nga shoku im, Karl-Heinz Rummenigge. Ai është fantastik, një vëlla”, është shprehur italiani për median italiane.
I pyetur se kush do ta fitojë sivjet Ligën e Kampionëve, Don Carlo u përgjigj: “Bayern im, logjike. Nuk ka dyshime për fuqinë e skuadrës dhe cilësitë individuale. Bayern do të luajë një rol prej lideri në kampionat, Champions dhe çdo kompeticion ku do të marrë pjesë”. Gjithsesi, ai ua ka frikën disa skuadrave. “Real Madridi e ka fituar dy herë radhazi dhe ka lojtarë të jashtëzakonshëm. Barcelona ka ndryshuar trajner dhe do të nisë një epokë të re”, shtoi tekniku.
Përveç dy skuadrave spanjolle, Ancelotti përmendi edhe tri skuadra angleze. “Chelsea është gjithashtu favorite. Antonio Conte arrin të përcjellë mentalitetin e tij prej luftëtari në gjithë skuadrën. Te Manchester City, ndërkohë, pas një viti me Pep Guardiolën, do të shihni rezultate. Manchester United ka fituar Ligën e Evropës me Jose Mourinho-n. Ata kanë traditë dhe nuk duhen nënvlerësuar”.
Tenori lë Shqipërinë: Atdheun e ka kapur prej fyti një kastë krimi
Tenori i famshëm me origjinë nga Kavaja, Agim Hushi, ka shpërthyer me një deklaratë të fortë ndaj vendit dhe bashkëkombësve të tij.
Në rrjetet sociale, tenori me famë botërore e quan atdheun e tij të dështuar, që është kapur për fyti dhe po jep shpirt në duart e një kaste kriminale.
Duke shtuar se kjo kastë e bëri t’i vijë turp nga vetja, Hushi i thotë lamtumirë Shqipërisë, teksa shprehet se ndihet i lumtur dhe krenar për rikthimin dinjitoz si qytetar australian.
Reagimi i plotë:
Së fundmi rikthimi në qytetin tim, atje ku filloi karriera ime; në Sydney Opera!
Ndihem kaq i lumtur dhe krenar për këtë rikthim dinjitoz si qytetar australian!
Pas një viti qesharak më së fundmi erdha dhe unë tek termat serioze të realitetit të një atdheu të dështuar, që është kapur për fyti dhe po jep shpirt në duart e një kaste kriminele, ku vlerë kanë vetëm hajdutët, maskarenjtë, injorantët, baballarët tanë të kombit me hundët zbardhur nga kokaina!
Më bëtë të më vijë turp nga vetja që jam bashkëkombasi juaj!
Më dhemb që ai popull i mirë ka marrë pothuaj lehtësinë e një kopeje delesh për t’u çuar buzë greminës dhe kujtesa historike i është kthyer në një histeri politike të skajshme dhe pa asgjë që të kujton qytetërimin të cilit i përkasim!
Duke lënë pas sukseset e mëdha të një sheshi qesharak me majë dhe ujëra që rrjedhin si përrenj psiqikë të sëmurë dhe tregun e ri po ju prezantoj pamje të botës së lirë ku emrin e kryetarit të bashkisë së një qyteti 5 milionësh se di askush dhe ku kryetari i shtetit mban përgjegjësi edhe për menynë e pensionistëve!
Të një shteti që po përgatitet të dërgojë së shpejti 4 banorët e parë të përjetshëm tokësore në Mars!
Lamtumirë Shqipëri!! Faleminderit Australia ime!!!
Reagon Rama: Ika nga Samiti sepse nuk më priste dot helikopteri privat
Dy ditë pas skandalit me dëbimin e tij nga fotoja zyrtare e Samitit të Adriatikut në Podgoricë, ndonëse jo zyrtarisht Rama ka reaguar përmes “Top Channel”, duke justifikuar mospraninë e tij në foton ku mes liderëve të Ballkanit dhe zv.presidentit amerikan Pence mungonte vetëm ai.
Në vështirësi për të gjetur një justifikim të qenësishëm, Rama ka përdorur një sajesë që e nxjerr atë po aq qesharak sa vetë paraqitja e tij fyese në Samit.
Por, sipas “Top Channel” burime nga Kryeministria kanë sqaruar se, Rama nuk mori pjesë në foton familjare për shkak se gjithçka filloi me vonesë. “Kryeministri Edi Rama udhëtoi për në Podgoricë me helikopter. Aeroporti i Podgoricës ishte i mbyllur për arsye sigurie të fluturimit të Mike Pence dhe rihapej në orën 19.00 pasi të nisej zv.presidenti amerikan”, tha një burim zyrtar.
“Helikopterët tanë nuk udhëtojnë natën, ndaj i vetmi korridor ajror që delegacioni të nisej ishte ora 16.00. Sipas planit fillestar, në këtë orar duhet të kishin mbaruar të gjitha aktivitetet e Samitit, përfshirë dhe fotoja familjare. Por Samiti filloi me vonesë e gjithçka u shty, edhe fotoja familjare”, thonë burime pranë Kryeministrisë.
Pra, sipas reagimit të Kryeministrisë, që sigurisht është hartuar nga vetë Rama, kryeministri shqiptar e ka pasur me nxitim qëndrimin e tij në Samitin e Podgoricës ku ishte i pranishëm zv.presidenti amerikan Pence, pasi helikopteri i tij nuk e priste dot derisa të mbaronte punimet Samiti. Një justifikim qesharak dhe tallës që dëshmon se sa seriozisht i merr Rama gafa të tilla të rënda që cenojnë rëndë imazhin e Shqipërisë përballë partnerëve më strategjikë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për të përforcuar nxitimin e Kryeministrit Rama, të cilin nuk e priste dot helikopteri i tij privat, “Top Channel” vijon kronikën ndërsa shton: “Në këto kushte, Kryeministri Edi Rama zhvilloi takimin kokë me kokë me zv.presidentin Pence dhe u përshëndet me të dhe të gjithë liderët e rajonit, më pas ai u nis më përpara për shkak të detajeve të udhëtimit”.
Sipas këtyre pretendimeve, zv.presidenti amerikan ka qenë në dispozicion të Ramës, për ta pritur në takim kokë më kokë atë, menjëherë pasi kryeministri shqiptar më pas u përshëndet shpejt e shpejt me liderët e rajonit për të nxituar drejt helikopterit të tij privat.
Janë vetëm 24 zjarrfikëse për 15 vatra zjarri
Shpërndahen edhe më shumë zjarret në vend, sidomos në zonën e Elbasanit dhe në Llogara. Emergjenca Civile njofton se në Librazhd është djegur një shtëpi dhe disa bagëti. Ndërkohë që në Llogara vazhdon lufta me flakët.
Gjatë 24 orëve të fundit deri në orën 09:00 të mëngjesit të djeshëm janë shënuar 15 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Vlorë, Dibër, Elbasan, Shkodër, Fier, Berat, Lezhë.
Janë angazhuar 24 makina zjarrfikëse, 109 forca zjarrfikëse, 11 forca pyjore dhe helikopterë. Krahas tyre, Forcat e Armatosura vijojnë pa ndërprerje angazhimin në shuarjen e zjarreve: 320 efektivë janë në terren me 10 mjete dhe 14 zjarrfikëse.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
Qarku Elbasan
Në fshatin Gizavesh, Bashkia Librazhd, ka rënë zjarr në një banesë. Shërbimi vendor i MZSH të Bashkisë Librazhd ka arritur të shuajë zjarrin, ku si pasojë u dogj banesa dhe disa bagëti. Në fshatin Krastë, Bashkia Elbasan, është riaktivizuar sërish zjarri i rënë dy ditë më parë në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha.
Shërbimi i MZSH Elbasan ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar me të gjithë personelin për shuarjen e flakëve, por situata ka agravuar pasi zjarri është favorizuar dhe nga era e fortë.
Pas një pune të gjatë të MZSH Elbasan me ndihmën e MZSH Peqin, MZSH Përmet, MZSH Librazhd, MZSH Gramsh, MZSH Lushnjë, forcave ushtarake dhe të pyjores, u arrit shuarja e zjarrit, ku si pasojë u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha. Në fshatin Kostenjë, Njësia Administrative Lunik, Bashkia Librazhd, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Për shkak të terrenit të vështirë, ka qenë e pamundur ndërhyrja nga shërbimi i MZSH Librazhd. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.
Qarku Vlorë
Në fshatin Dukat, pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë, situata ka agravuar gjatë gjithë ditës pasi zjarri favorizohej dhe nga era e fortë. Për këtë shkak, Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile (DPEC) kanë komunikuar me Qendrën e Përgjigjes ndaj Emergjencave Civile në Bashkimin Europian (ERÇ) për dërgimin në vendin tonë të një avioni tip CANADAIR për të shuar vatrat e zjarrit.
Vatrat e zjarrit ndodhen në krahun e majtë në aksin rrugor Orikum-Llogara-Himarë, konkretisht: 1 në fshatin Dukat, 1 në Parkun Kombëtar të Llogarasë, 1 sipër fshatit Palasë dhe pjesa tjetër e vatrave të zjarrit janë në fshatrat e Lumit të Vlorës (Tërbaç, Vranisht dhe Kallarat).
Qarku Tiranë
Në Malin e Dajtit, pas ndërhyrjes së helikopterit, vatra e zjarrit është më pak aktive. Forca të MZSH Tiranë dhe forca ushtarake po punojnë për të mbajtur zonën nën kontroll nga vatrat e fshehura të zjarrit.
Qarku Dibër
Në fshatin Sllatinë, Njësia Administrative Sllovë, Bashkia Dibër, vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive. Për shkak të terrenit të thyer malor ka qenë e pamundur ndërhyrja nga shërbimi vendor i MZSH Dibër. Deri tani si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Qarku Shkodër
Në fshatin Lohe, Njësia Administrative Shkrel, Bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me hamullore dhe bimë medicinale. Shërbimi i MZSH Malësi e Madhe ka shuar zjarrin. Si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe rreth 3 ha me hamullore dhe bimë medicinale në pronësi të tri shtetasve.
Qarku Fier
Në fshatin Metoh, Njësia Administrative Aranitas, Bashkia Mallakastër, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shuarja e tij ka qenë e pamundur pavarësisht ndërhyrjes nga shërbimi vendor i MZSH Mallakastër. Deri tani si pasojë e flakëve u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Qarku Berat
Në fshatin Kuç të Bashkisë Skrapar, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi i MZSH Skrapar nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.
Qarku Lezhë
Në fshatin Simon, Njësia Administrative Kaçinar, Bashkia Mirditë, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Mirditë, nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Deri tani si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Pse Rama lë në maganiza helikopterët e emergjencave?
Ish-Kryeministri Berisha i është përgjigjur dje shqetësimit të ngritur nga një ndjekës i tij në Facebook, se përse gjatë kohës së qeverisjes së tij nuk u investuan për blerjen e mjeteve të duhura logjistike për të përballuar situata të fatkeqësive natyrore siç është rasti konkret ai i zjarreve masive.
Në një reagim të tij, Berisha bën të ditur se gjatë qeverisjes së tij janë blerë disa helikopterë nga Eurocopter me qëllim përdorimin e tyre në situata të tilla të emergjencave, por për përdorimin e tyre duhet të blihen kovat e ujit. Berisha tha se Rama ndonëse ka shpenzuar mbi 600 mijë euro në porositjen e “Benz-it” të tij të blinduar nuk investon asnjë qindarkë lekë në blerjen e kovave që duhen për shuarjen e zjarreve përmes helikopterëve.
“Zoti Garid Seno shkruan: ‘25 vjet o Salë nuk bletë një avion për fikjen e zjarreve, ngeli shteti duke lipur tek fqinjët dhe kur t’u fryhet atyre të vijnë, nëse vijnë, çdo gjë është shkrumbuar, turp i madh”.
Përshëndetje Garid! Lidhur me objeksionin tuaj për mungesën e avionëve kundër zjarreve ju sqaroj sa vijon:
Qeveria e mëparshme, në një kontratë me Eurokopter ka porositur disa helikopterë modernë të fuqishëm dhe multifunksionalë për ushtrinë. Këta helikopterë mbartin edhe kova uji disa tonëshe për shuarje zjarresh dhe përdoren me sukses për këto qëllime në të gjitha vendet që kanë probleme me zjarrin. Por për t’i përdorur ata për këtë qëllim, duhet që të blesh kovën e ujit. Mirëpo Edi Rama e ka mendjen tek ‘Benz’-at e blinduar për veten e tij.
Kështu ai, përveç një ‘Benz’-i të blinduar që kishte në Kryeministri prej vitesh, sapo erdhi në pushtet mori për përdorim personal ‘Benz’-in e blinduar të blerë për transportin e personaliteteve të huaja që vizitojnë Shqipërinë. Rama më vonë porositi me mbi 600 mijë euro një tjetër ‘Benz’ të blinduar për vete, ndërkohë që me ato para mund të blinte 15 kova për helikopterët Puma për shuarjen e zjarreve në vend. Por problemi i tij është se ai mendon vetëm për veten e tij!”.