30.5 C
Tirana
E hënë, 9 Qershor, 2025

Rekordi me taksat, në tre muaj Veliaj u mori qytetarëve 17 milionë euro

Bashkia e Tiranës ka arkëtuar 2.4 miliardë lekë (rreth 17 milionë euro) të ardhura në tre muajt e parë të vitit 2017, sipas të dhënave të detajuara të buxhetit të bashkisë së kryeqytetit, të publikuara nga Portali i financave vendore (financatvendore.al), një project i Co-Plan, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat janë rritur me 139%. Efektin kryesor në këtë rritje e ka dhënë taksa e ndikimit në infrastrukturë, që arriti në 1.3 miliardë lekë (gati 10 milionë euro), duke shënuar një rritje të fortë, prej 25 herësh në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dyfishimi i kësaj takse, nga 4% të kostos në 8% të çmimit të shitjes dhe rritja e numrit të lejeve të ndërtimit të dhëna në Tiranë ka ndikuar në këtë tendencë. Sipas INSTAT, në tre muajt e parë të vitit 2017, në Tiranë u dhanë  43 leje ndërtimi nga 18 leje vitin e kaluar. Gjithashtu lejet për të ndërtuar në kryeqytet ishin edhe më të larta se në tremujorin e fundit të 2016 ku u dhanë 41 të tilla. Nga janari i 2016 deri në fund të marsit 2017 u dhanë 149 leje në kryeqytet. Numri i lejeve të dhëna sinjalizon se sektori i ndërtimit do të vijojë rritjen edhe këtë vit.
Të ardhurat nga taksa e infrastrukturës sollën 56% të të ardhurave në buxhetin e bashkisë, nga 27% që ishte kjo peshë në vitin 2014. Pas firmave të ndërtimit, kontribuesit e dytë më të mëdhenj me të ardhura për Bashkinë e kryeqytetit ishin bizneset dhe individët, që kanë paguar si tarifat për shërbimeve publike vendore (pastrim-gjelbërim etj.) 250 milionë lekë, apo rreth 1.8 milionë euro, me një rritje prej 22% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ata kanë paguar 1.55 milionë euro për tarifat e shërbimeve administrative (vërtetime, licenca, gjoba, qira, menaxhimi i aseteve, mencat etj.), me një rënie prej 2% me bazë vjetore. Si taksë pasurie mbi ndërtesat, bizneset dhe banorët e Tranës kanë paguar rreth 1.5 milionë euro, me një rritje të ndjeshme prej 89% në raport me janar-mars 2016. Si taksa të tjera, banorët e Tiranës kanë paguar 1.27 milionë euro, 35 herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ku peshën kryesore e zënë të ardhurat nga parkingjet, teksa në çdo cep të Tiranës sot është e vështirë të parkosh pa paguar.
Për taksat e tjera janë arkëtuar gjithsej 1.4 milionë euro, përfshirë edhe taksën nga biznesi i vogël, të ardhurat nga e cila kanë rënë me 97%, teksa pas heqjes së taksës së biznesit të vogël (që është zero për xhiron nga 0-5 mln lekë), Bashkisë iu desh të gjente hapësira të reja për të rikuperuar këtë humbje. Në rënie me 43% ka qenë dhe taksa për tabelat dhe reklamat. Pavarësisht rritjes së numrit të turistëve të huaj që kanë ardhur në Tiranë, taksa e hotelit ka sjellë vetëm 2% më shumë të ardhura në buxhetin e Bashkisë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për vitin 2017, Bashkia planifikon, sipas buxhetit të saj fillestar të mbledhë në total 14.2 miliardë lekë të ardhura, apo rreth 102 milionë euro. Në tre muajt e parë të këtij viti, ajo ka realizuar vetëm 17% të planit vjetor, çka nënkupton se duhet të përshpejtojë ritmin e mbledhjes së të ardhurave në tremujorët në vijim, në mënyrë që të realizojë të ardhurat e planifikuara për gjithë 2017-ën.

Veliaj ka dyfishuar taksat në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë
Qeveria pranon në një dokument të saj të fundit se bashkitë në vend kanë rritur shpenzimet e tyre për paga. Referuar këtij dokumenti thuhet se ajo që mund të ketë ndodhur është ose rritja e nivelit të pagave për punonjësit aktualë ose rritja e numrit të të punësuarve në bashki. Gjithsesi kjo rritje e shpenzimeve nuk është në linjë me atë që synonte reforma territoriale. “Megjithëse është ende herët për të dalë në konkluzione përfundimtare, rritja e shpenzimeve të personelit dhe atyre operative nuk pajtohet me objektivin madhor të reformës administrative territoriale për eficiencë operacionale dhe reduktim të kostove administrative. Nga ana tjetër, megjithëse, kostot operacionale nuk duket të vijnë në ulje, duhet të mbahet në konsideratë fakti se, bashkitë kanë rritur shpenzimet për investime”, thuhet në dokumentin e qeverisë. Shpenzimet për personelin në tremujorin e parë të këtij viti rezultojnë 4.3 miliardë lekë nga 3.5 miliardë lekë që ishin në tremujorin e parë të vitit 2016. Kjo rritje me të paktën 25% në fondin që shkon për personelin justifikohet pjesërisht edhe me financimin e funksioneve të reja, por jo totalisht. Mbledhja e të ardhurave ka qenë dhe mbetet një sfidë për pushtetin vendor, i cili në shumë raste has ngërçin e mungesës së kapaciteteve. Gjithsesi duket se tremujori i parë 2017 reflekton një ecuri të mirë në zërin e të ardhurave për bashkitë, kjo në veçanti për Bashkinë e Tiranës, e cila mban edhe peshën kryesore. Në tremujorin e parë të vitit 2017, të ardhurat nga taksat vendore janë dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që të ardhurat nga tarifat vendore janë rritur me 15% në terma vjetore. Megjithatë, një analizë më e detajuar, tregon se dyfishimi i të ardhurave nga taksat vendore, vjen i gjithi nga të ardhurat e mbledhura nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë në Bashkinë e Tiranës”, thuhet në raport. Nëse nga totali i të ardhurave zhvishet efekti i Bashkisë së Tiranës të ardhurat vendore nga taksat dhe tarifat janë rritur me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë, taksa e ndikimit në infrastrukturë vetëm në Bashkinë e Tiranës është 1.3 miliardë lekë, ndërkohë që për të gjitha bashkitë e tjera është 400 milionë lekë në total. Tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël ka pësuar edhe rënien më drastike nga gjithë zërat e tjerë tek të ardhurat. Në tremujorin e parë 2017, kemi një rënie me 93% krahasuar me tremujorin e një viti më parë. Një tjetër problematikë duket se po shfaqet edhe për taksën mbi truallin. “Vlen të evidentohet se të ardhurat nga taksat mbi truallin urban e prezantuar së fundmi, janë në nivelin zero për tremujorin e parë. Ky nivel mund të lidhet me problematikat e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës (dhe taksapaguesve). Gjithashtu mund të jemi përballë edhe të një problemi të raportimit financiar dhe një vlerësim më i thellë do duhej të bëhej nga autoritetet”.

300 investitorë të huaj ikën nga Shqipëria në 2016

Për herë të parë vitin e kaluar, numri i bizneseve të huaja në Shqipëri, jo vetëm që nuk u rrit, por shënoi rënie. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Instituti i Statistikave, në regjistrin statistikor të ndërmarrjeve. Sipas INSTAT në vitin 2016-ën u mbyllën ose ikën mbi 300 biznese të huaja nga Shqipëria. Më konkretisht nga 5939 biznese të huaja që ishin aktive në vitin 2015, një vit më vonë shifra ra në vetëm 5637 biznese. Të dhënat e detajuara, tregojnë se bizneset e mbyllura janë kryesisht greke ose italiane, dy vende të cilat kanë numrin më të madh të ndërmarrjeve në Shqipëri. Sipas INSTAT, numri i bizneseve greke është ulur me rreth 23 për qind dhe nga 675 që ishin në 2015, ra në 523. Po kështu, janë larguar edhe 74 biznese italiane si dhe 19 biznese nga Kosova. Mbyllja e bizneseve të huaja vjen pas një sërë anketash negative mbi klimën e biznesit në Shqipëri. Dhomat e investitorëve të huaj, si ajo gjermane, por edhe italiane kanë bërë publike një sërë anketash, sipas të cilave klima e biznesit në vend rezulton të jetë përkeqësuar veçanërisht në dy vitet e fundit. Në fund të vitit 2015, numri i ndërmarrjeve të huaja ishte më i lartë se në 2014-ën. Por viti i kaluar ka shënuar një pikë kthese, duke bërë që numri i bizneseve të huaja jo vetëm të mos rritet, por të shënojë rënie. Të dhënat e INSTAT tregojnë se, ndërmarrjet e huaja janë përqendruar kryesisht në sektorin e Call Centerave, fasonit dhe sistemin financiar. Megjithatë pjesa më e madhe e tyre, janë kryesisht biznese të vogla me nga 1 deri në 4 punonjës. Kjo tregon cilësinë e ulët të investimeve të huaja që mbërrijnë në Shqipëri.

Largimi në tre muajt e parë të 2017
Banka e Shqiprisë evidenton se tremujori i parë këtij viti ka pasur një rritje në trendin e investimeve të huaja edhe pse kjo rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë duket se është mjaft e vogël, ndërsa është shumë herë më e ulët sesa tre mujori i fundit i vitit 2016. Sipas bankës, kjo vlerë ka arritur në 168 milionë euro dhe sektori që ka pasur rritjen më të madhe ka qenë sektori i energjetikës dhe ndërtimi i HEC-ve me 41% pasur nga hidrokarburet me 37%, dhe ndërmjetësimi financiar me 6%. Shifrat tregojnë se në 2 vitet e fundit, fluksi hyrës është ndikuar nga nisja e punimeve të gazsjellësit TAP, ndërtimi i HEC-ve mbi lumin Devoll edhe pse ky rritëm nuk mund të vijojë me këtë trend, pasi projektet janë afatshkurtër dhe kërkohet një zgjidhje pas përfundimit të tyre për një diversifikimi në afatin e mesëm. Ndërsa sektori i hidrokarbureve është i varur nga bursat ndërkombëtare. Sipas raportit Botëror për investimet WIR 2017, Shqipëria po tërheq  investitorë tradicionalë dhe të rinj. Interes ka pasur nga investitorët kinezë, ku 12 kompani kanë shprehur interes për ndërtimin e rrugëve dhe në kërkimin e burimeve natyrore ku veçohet Geo Jade Petroleum bleu të drejtat për kontrollin e dy fushave naftëmbajtëse shqiptare me vlerë 422 milionë dollarë, si dhe kanë fituar koncesionin e Aeroportit “Nënë Tereza”.

Informaliteti dhe korrupsioni, kritika e BE për ekonominë shqiptare

Bashkimi Europian ka publikuar raportin mbi ecurinë ekonomike të Shqipërisë. Në raport vlerësohet se informaliteti dhe korrupsioni janë pengesa strukturore dhe rekomandohet që Shqipëria duhet të vazhdojë rregullimet fiskale. Gjithashtu, raporti i huave të këqija ka mbetur i lartë, me gjithë zbatimin e pjesshëm të strategjisë për zgjidhje dhe futjen e zbritjeve të detyruara nga taksat. Shqipëria i ka zbatuar pjesërisht udhëzimet e përcaktuara politike të vendosura në konkluzionet e Dialogut Ekonomik dhe Financiar të majit 2016. Vendi po përjeton një përmirësim gradual ekonomik që pritet të vazhdojë në periudhën 2017-2019. Konsolidimi fiskal e ka reduktuar deficitin e buxhetit në një nivel të ulët të zgjatur në vitin 2016, ndërsa planet rregulluese fiskale për tre vitet e ardhshme pritet të jenë të moderuara, por të mjaftueshme për të vazhduar reduktimin e borxhit publik si pjesë e PBB-së, në përputhje me rregullat fiskale të miratuara kohët e fundit. Raporti i huave të këqija ka mbetur i lartë, me gjithë zbatimin e pjesshëm të strategjisë për zgjidhje dhe futjen e zbritjeve të detyruara nga taksat. Shqipëria i ka zbatuar pjesërisht udhëzimet e përcaktuara politike të vendosura në konkluzionet e Dialogut Ekonomik dhe Financiar të majit 2016. Me gjithë progresin, pengesat strukturore për zhvillimin dhe konkurrencën përfshijnë pronësinë ende të paqartë mbi tokën, qasjen e ulët në financë, një nivel të lartë informaliteti dhe korrupsioni, një barrë rregullatore të tepruar dhe paparashikueshmërinë në sistemin gjyqësor, çka dekurajon investimet e huaja dhe të brendshme. Janë arritur përmirësime përmes futjes së sistemit të lejeve elektronike të ndërtimit, masave që trajtojnë ekonominë informale, si dhe hapave për nxitjen e qëndrueshmërisë financiare të sektorit të energjisë elektrike.

Afera, KESH zyrtarizon fituesin e tenderit të dyshuar për manipulim

Pasi ka përjashtuar nga tenderi të gjithë konkurentët e tjerë, KESH ka shpallur kompaninë S.M.O. Union shpk fituese të tenderit për pastrimin e liqenit të Fierzës nga mbetjet e grumbulluara para hyrjes së një prej turbinave të hidrocentralit. KESH ka njoftuar se fituesi është shpallur për shkak se ai ka paraqitur çmimin më të ulët. Është një argumentim cinik, pasi KESH ishte kujdesur që të skualifikonte nga konkurimi ofertat e të gjitha kompanive të tjera veç asaj fituese me pretekstin e mosplotësimit të kritereve të përcaktuara për pjesëmarrje. Kjo do të thotë se fituesi praktikisht nuk ka konkurruar me askënd tjetër, as me çmim dhe as me kriteret e tjera.
Argumentimi i zgjedhjes së fituesit për shkak të çmimit më të ulët është akoma më cinik po të kihet parasysh se oferta financiare e fituesit ishte e dyta më e lartë nga katër ofertat e paraqitura dhe vetëm pak më e ulët se fondi limit i përcaktuar për kontratën—ofertat e fituesit S.M.O Union ishte rreth 299 milionë lekë, ndërsa tre ofertat e tjera ishin rreth 256 milionë lekë, rreth 269 milionë lekë dhe rreth 307 milionë lekë. Exit ka siguruar dokumentat e tenderit dhe vlerësimin e komisionit të tenderit dhe konstaton një sërë arsyesh që ngrejnë pikëpyetje për procedurë të manipuluar. Është e çuditshme që vetëm një nga shtatë kompani që shprehën interes fillestar dhe nga katër që paraqitën ofertë plotësoi kushtet e tenderit.
Aq më tepër shtohet dyshimi kur një ndër kompanitë e skualifikuara është kompania Viante Konstruksion shpk, e cila para pak muajsh ka fituar me tender nga KESH një kontratë për punime identike në Hidrocentralin e Komanit-pastrimin e pjesës së liqenit para hyrjes së turbinave. Mjaft që kjo kompani të riprodhonte dokumentacionin e tenderit të mëparshëm dhe nuk do të skualifikohej. Nga sqarimet e dhëna nga KESH kuptohet që kompania me ofertën më të ulët-rreth 326 mijë euro më të ulët se oferta e kompanisë fituese-është skualifikuar për arsye krejtësisht të parëndësishme, përfshi që tre kamionë vetëshkarkues kanë kapacitet më të madh se specifikimet e dokumentave të tenderit dhe se dokumentat që japin përshkrimin teknik të një prej pajisjeve gërrmuese është pjesërisht në gjuhën angleze.
Sikurse është shpjeguar në artikullin e referuar më sipër, vlera e kostos së punimeve, rreth 2,5 milionë euro, është disa herë më e lartë se vlerësimet e ekspertëve për llojin dhe volumin e punimeve. Kjo vlerë është shumë më e lartë se ajo e punimeve të krahasueshme të kryera nga KESH në rastet të tjera. Exit nuk mund të vlerësojë me siguri që ky tender është manipuluar, por beson se ka mjaft dyshime të arsyeshme për këtë gjë. Kryeministri është duke bërë thirrje çdo ditë për të përcjellë tek ai çdo dyshim apo informacion për abuzime nga punonjësit e administratës. KESH duhet të jetë një kandidat i mirë për t’u konsideruar.

Dështimi i marrëveshjes me FMN-në rrezikon edhe 50 milionë euro të BE-së

Për shkak të mungesës së programeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që vjen si pasojë e dështimit të marrëveshjes së re, Kosova rrezikon që të humbë edhe 50 milionë euro nga Bashkimi Evropian. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë Radios “Evropa e Lirë” se, performanca në kuadër të programit të FMN-së është me rëndësi qenësore në vlerësimin e BE-së për stabilitetin makro-fiskal në Kosovë. Prandaj, sipas tyre, miratimi dhe zbatimi i programeve të BE-së do të duhet të vlerësohet në këtë kontekst.
“BE-ja, aktualisht është duke përgatitur dy programe nga Sektori Mbështetës për Buxhetin, për të përkrahur Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike në Kosovë, me një vlerë prej 50 milionë euro. Për të përfituar mbështetje nga Sektori për Buxhetin e BE-së, një kriter i domosdoshëm është stabiliteti makro-fiskal”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së Kosovë. Marrëveshjet me FMN-në i kanë ndihmuar Kosovës në vazhdimësi që të marrë kredi me kushte shumë të volitshme, si nga Banka Botërore dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare, vlera e të cilave ka arritur në 400 milionë euro.
Ndërkohë, projektet që nuk do të arrijnë të adresohen, në rast të dështimit të marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar, në përgjithësi kanë të bëjnë me përmirësimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në kohën kur marrëveshja ishte nënshkruar, autoritetet e Kosovës patën deklaruar se këto mjete do të kenë fokus projektet në fushën e bujqësisë, në ujitjen e tokave, të infrastrukturës hekurudhore dhe projekte të tjera në arsim dhe shëndetësi. Marrëveshja ekonomike, në vlerë prej 185 milionë euro mes Kosovës dhe FMN-së, e arritur në vitin 2015 me një kohëzgjatje prej 22 muaj, skadon në gusht të këtij viti.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se, nga kjo marrëveshje janë edhe 16 milionë euro që nuk mund të merren kredi, pa pasur rishikim të katërt të marrëveshjes, nga misioni i FMN-së. Por, që ky mision për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe situatës politike të krijuar në vend nuk kishte zhvilluar takimet. Në Kosovë, më 11 qershor ishin mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por që deri më tani nuk është arritur të formohen institucionet e reja të vendit. Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet më 3 gusht. Ndërkohë, për ekspertë të çështjeve ekonomike, humbja e këtyre mjeteve dhe fondeve nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, do të ketë pasoja shumë dimensionale.

Kuvendi, kriza e re e Kosovës

Fillimi i punës së legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, ka reflektuar shenjat e para të një krize të re, thonë analistët politikë.
Situata e krijuar në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, sipas tyre, burimin e ka në sistemin zgjedhor, i cili vlerësohet se nuk i ka mundësuar asnjërës parti apo koalicioni që të fitojë një shumicë parlamentare.
Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, propozimi për kryetarin e Kuvendit si dhe për formimin e Qeverisë i takon koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, si subjekt fitues.
Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike i tha Radios “Evropa e Lirë” se e gjithë kjo situatë e cila ndodhi në seancën konstituive ka qenë e pritshme.
Ai thotë se pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të koalicioni PAN se ata i kanë numrat, faktet tregojnë të kundërtën.
“Fillimi i punës së legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës u karakterizua edhe me fillimin e një krizë, në kuptim e asaj se ishin dy muaj kohë dhe koalicioni fitues i zgjedhjeve duket se nuk i ka numrat për të zgjedhur kryetarin, dhe rrjedhimisht për t’i hapur rrugë edhe krijimit të qeverisë”.
“Në fakt sot në seancë pamë një papërgjegjshmëri të deputetëve të PDK-së dhe AAK-së, që nuk erdhën në kohën e duhur në Kuvend dhe pastaj kur erdhën dhanë lajmin se iu duhet edhe dy orë tjera në mënyrë që të vazhdojnë konsultimet”, thotë Mushkolaj.
Në anën tjetër, Arben Qirezi, analist i çështjeve politike, në një prononcim për Radion “Evropa e Lirë” thotë se, situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës ishte kaotike.
“Kjo tregon situatën në Kosovë, e cila rrjedh nga sistemi zgjedhor i Kosovës, i cili nuk i ka mundësuar asnjërës parti parazgjedhore që të fitojë një shumicë parlamentare, që të mundëson zgjedhjen e personaliteteve në pozitat e caktuara”.
“Kjo është edhe pasojë e vendimeve absurde të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, e cila i ka sjellë dhe do të vazhdojë t’i sjellë Kosovës kokëçarje të mëdha në funksionimin e sistemit të saj politik. Në anën tjetër, mendoj që mbyllja e seancës nuk është dashur të ndodh nuk është dashur të ndodh as kërkesa për pauzë”, thekson Qirezi.
Qirezi shton se gjithë kjo situatë e krijuar e cila mund të dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ndërkohë, disa qytetarë të anketuar nga Radio “Evropa e Lirë” shprehen të shqetësuar për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.
Hasan Selimi, pensionist, thotë se nuk ka besim se krerët e institucioneve po bëjnë më të mirën për qytetarët.
“Partitë në Kosovë po punojnë vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata po i blejnë votat e deputetëve për interesa të veta. Populli po i voton ata, pastaj po ballafaqohet me probleme të mëdha”, thotë ai.
Ndërkaq, Naim Haliti një qytetar nga Prishtina thotë se gjendja në Kosovë duhet të ndryshojë.
“Do të kisha pasur dëshirë të ndodh diçka. Nuk di se çka të them. Nëse do të mund të konstituohen institucionet e vendit, çështjet me të cilat do të duhej të merren janë arsimi, shëndetësia dhe shumë çështje të tjera, mendoj se duhet të ndryshohet diçka”, thotë Haliti.
Nëse nuk gjendet një zgjidhje që të votohet kandidati për kryetar të Kuvendit të Kosovës nga koalicioni PAN dhe t’i hapet rrugë formimit të Qeverisë, Mushkolaj thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pashmangshme.
“I mbetet PAN-it që të gjejë zgjidhje, duke pasur parasysh se, deklarimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicioni LAA janë të qarta, se ata nuk do të votojnë Kadri Veselin për kryetar. PAN duhet të ndërmarrë hapin e parë që të diskutojë me deputetët e LDK-së, AKR-së, Alternativës dhe VV-së në mënyrë që të merren vesh për votimin e një kandidati tjetër dhe të konstituohet Kuvendi, dhe pastaj të procedohet brenda afatit kushtetues dhe ligjor edhe për krijimin e Qeverisë”, thekson Mushkolaj.
Qëndrimet e kundërta ndërmjet partive politike, sipas analistëve, nuk figurojnë asgjë tjetër përveç shkuarjes së vendit edhe në një palë zgjedhje të jashtëzakonshme.

SHBA e zhgënjyer me dështimin në Parlament

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, i ka shprehur zhgënjimin me zhvillimet në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
“Ne jemi të zhgënjyer që përfaqësuesit e popullit të Kosovës dështuan që të konstituojnë Kuvendin sot. Për Kosovën është e rëndësishme që të ketë Kuvend dhe Qeveri funksionale sa më shpejt që është e mundur, për t’i adresuar prioritetet urgjente për popullin e këtij shteti”, ka thënë ambasadori Delawie për Radion “Evropa e Lirë”.
Ai gjithashtu ka shtuar se, “ne nxisim të gjitha partitë dhe përfaqësuesit e tyre që të vazhdojnë menjëherë me formimin e institucioneve shtetërore”.

Kosova masa për të shmangur krizën energjetike

Arben Gjuka, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, tha për Radion “Evropa e Lirë” se Korporata ka arritur marrëveshje me dy familje të fshatit Shipitullë, zonë kjo ku është planifikuar operimi që mundëson vazhdimin e nxjerrjes se thëngjillit.
“Ky është një hap plotësues, pasi pritet që në ditët në vijim në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 21 korrik, që procedurat për marrjen e kësaj toke të përmbyllen në pjesën e parë të muajit shtator të këtij viti”, tha Gjuka.
Ishte vetë drejtori i KEK-ut, Gjuka, i cili javën e kaluar kishte paralajmëruar se Kosova brenda dy javësh mund të përballet me një krizë energjetike, për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit, si lëndë e parë për prodhimin e energjisë elektrike.
Aktualisht, KEK-u është përqendruar në shpronësimin e 52 hektarëve, me mbi 100 shtëpi, në katër lagjet e fshatit Shipitullë.
Kjo zonë, për shkak të mihjeve që zhvillohen aty, në kërkim të rezervave të thëngjillit, para disa vitesh është shpallur e rrezikshme për banim, ndërsa po ashtu është shpallur zonë e interesit të veçantë ekonomik.
Disa familje janë zhvendosur, kurse disa të tjera, konkretisht katër lagjet e këtij fshati, nuk kanë pranuar procesin e shpronësimit, për shkak se kanë qenë të pakënaqur me kushtet e vlerësimit për kompensimin e tokës.
Kostoja e shpronësimit, e vendosur fillimisht ishte 4.5 milionë euro. Kurse tashmë ka arritur në mbi 15 milionë euro.
Në anën tjetër, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala në mbledhjen e Qeverisë në largim të mbajtur të mërkurën, ka thënë se procesi i shpronësimit dhe zhvendosjes se banorëve të fshatit Shipitullë është vonuar për dy vite, dhe gjatë kësaj faze janë ndërtuar dhjetëra objekte ilegale në zonë të interesit.
Kurse më 21 korrik, Qeveria në largim e Kosovës ka nxjerrë vendimin me të cilin aprovon shqyrtimin e kërkesës për shpronësim.
Në anën tjetër, njohës të fushës së energjisë në Kosovë thonë se, interesat personale kanë sjell probleme në procesin e shpronësimit të tokave në këto pjesë.
Hamdi Malushaj, drejtor në kompaninë “Evroenergie”, kompani kjo që merret me analiza dhe studime të çështjeve energjetike në tregun e Kosovës dhe Gjermanisë, thotë se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme të thëngjillit që mund të ndikojë edhe në stabilitetin rajonal të energjisë.
Por, gabimet dhe keqmenaxhimi në këtë sektor ka bërë që Kosova të përballet me furnizim jostabil me energji.
“Sa i përket shpronësimit të tokave, unë besoj se ka ‘hile’ në pronësinë e tokave, pasi nuk janë pronarë të vjetër, por janë pronarë të rinj të pasluftës, të cilët e kanë hulumtuar, menduar se duhet të krijojnë probleme në mënyrë që të pasurohen në rastin e shpronësimit”.
“Qeveria e Kosovës e ka Kushtetutën, e cila nuk ka nevojë me pritë për biseda bilaterale me familje dhe familjet të pranojnë për çështjet strategjike të zhvillimit ekonomik”, thotë Malushaj për Radion “Evropa e Lirë”.
Qymyri është resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës, i cili furnizon rreth 97% të prodhimit total të energjisë elektrike.
Resurset e vlerësuara të linjitit në gjithë Kosovën janë 12.5 miliardë tonë, 8.6 miliardë tonë janë rezerva të shfrytëzueshme që nga aspekti ekonomik konsiderohen me leverdi për t’u shfrytëzuar.

Trump ka të drejtë në lidhje me Kinën dhe Korenë e Veriut

David Ignatus

Ja një mendim i kundërt: Presidenti Trump kishte instinktin e duhur për të këmbëngulur që Kina të ndihmojë në zgjidhjen e problemit e madh të Koresë së Veriut. Një zgjidhje paqësore është e pamundur pa ndihmën e fuqisë tjetër të…
Ja një mendim i kundërt: Presidenti Trump kishte instinktin e duhur për të këmbëngulur që Kina të ndihmojë në zgjidhjen e problemit e madh të Koresë së Veriut. Një zgjidhje paqësore është e pamundur pa ndihmën e fuqisë tjetër të madhe në Azinë Lindore.
Ndërsa Trump arrin pragun e një krize ushtarake me Korenë e Veriut, ai duhet të përmbajë këtë intuitë të hershme – dhe të mos nxitet në veprime që mund të duken të vështira, por që do të lënë çdo aktor më keq. Modeli nuk ka ndryshuar me të vërtetë që nga Lufta e Koresë në vitin 1950: veprimet agresive të Koresë së Veriut sjellin një përgjigje amerikane dhe pastaj një luftë të përgjithshme që shkatërron Gadishullin Korean. Konflikti përfundon në bllokim dhe me kosto të mëdha.
Trump në muajt e parë, pa nevojën për një ndërprerje të negociuar të programit të Koresë së Veriut. Por ai është shtyrë në drejtim të opsioneve ushtarake nga vazhdimi i pamatur i Kim Jong Un ndaj testimit të raketave, pavarësisht nga përpjekjet e Kinës për të ndaluar udhëheqësin e ri impulsiv. Ethet e luftës po rriten, ashtu si dhe në komentin e Senatorit Lindsey O. Graham (Republikan) i cili të martën tha se konflikti është “i pashmangshëm” nëse Pheniani nuk ndalon testimin e armëve.
Cila është politika e mençur? Edhe sikur Trump të rritë presionin, ai duhet të kërkojë në heshtje që Kina të marrë rolin udhëheqës në një zgjidhje diplomatike. Ai duhet të vazhdojë t’i bëjë të qartë Pekinit se interesat e saj ekonomike dhe të sigurisë do të dëmtohen rëndë nëse Shtetet e Bashkuara janë të detyruara të trajtojnë problemin e Koresë së Veriut në vetvete, ushtarakisht.
Ja një sugjerim për Pekinin: Kina duhet të ftojë lojtarë të tjerë kryesorë – Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Korenë e Jugut, ndoshta Rusinë – që të mblidhen në Nju Jork gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për bisedime se si të merren me problemin e Koresë së Veriut. Modeli do të ishte grupi “P5 + 1” që sponsorizonte bisedimet bërthamore të Iranit. Atëherë Kina ishte një vëzhgues; Këtë herë do të ishte bashkërenduesi. Statusi global i Xi Jinping do të rritet, ndërsa do drejtojë kongresin e madh të partisë këtë vjeshtë që do të formësojë të ardhmen e tij si president.
Tre muaj më parë, Trump ishte gati për bisedime ballë për ballë me Kim, nën sponsorizimin kinez. Ai dukej se po i paketonte çantat e tij më 1 maj, kur tha: “Nëse do të ishte e përshtatshme për mua t’u takoja me të, do e bëja absolutisht, do të isha i nderuar të bëja atë”. Duke lënë gjuhën e ashpër mënjanë, ky ishte një instinkt i drejtë. Por tani, Trump ndihet i “djegur” që kinezët nuk mund të ndalonin testet e raketave të Pyongyang, dhe Shtëpia e Bardhë dëshiron që Xi të marrë drejtimin.
Kishte një nuancë tradhëtie personale në tweetet e Trump, fundjavën e kaluar: “Unë jam shumë i zhgënjyer me Kinën… Ata nuk bëjnë asgjë për ne me Korenë e Veriut, thjesht flasim”.
Për shkak të zhgënjimit të Trump ndaj Pekinit, tregtia është kthyer në tavolinë. Shtetet e Bashkuara po përgatisin sanksione të ashpra tregtare kundër prodhuesve kinez të çelikut dhe ndoshta kundër disa kompanive të mëdha të internetit. Disa burime më kanë treguar se një marrëveshje e butë e tregtisë e përpunuar nga Sekretari i Tregtisë, Wilbur Ross muajin e kaluar ishte rrëzuar nga Shtëpia e Bardhë, duke turpëruar kinezët dhe Rossin, por duke dërguar gjithashtu mesazhin se Trump e ka seriozisht kur kërkon ndihmën e Kinës për Korenë e Veriut si çmim për fleksibilizimin e tregtisë.
Komanda e Paqësorit të SHBA-ve po përgatit opsionet ushtarake. Por Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis e di më mirë se kushdo se një konflikt ushtarak do të ishte një katastrofë. Një sulm parandalues nga Shtetet e Bashkuara do të rrezikonte vdekjen e qindra mijëra koreanëve dhe japonezëve (dhe banorëve të SHBA-ve të Seulit), megjithëse do të sillte pak rreziqe për atdheun amerikan. Kjo mund t’i pëlqejë disa anëtarëve të Kongresit, por do të zemëronte pjesën tjetër të botës. Kjo zgjedhje do të shtynte gjithashtu problemin e përhapjes bërthamore në një zonë të pakontrolluar të veprimit të njëanshëm, duke dëmtuar interesat e SHBA-ve.
Kina e di se rruga përpara është potencialisht shkatërruese. Muajin e kaluar, ambasadori i Kinës, Liu Jieyi, tha: “Aktualisht tensionet janë të larta dhe ne me siguri do të dëshironim të shihnim një de-përshkallëzim. . . . nëse tensioni vetëm rritet. . . atëherë herët a vonë do të dalë jashtë kontrollit dhe pasojat do të ishin katastrofike”. Shtypi shtetëror i Kinës gjithashtu godet Phenianin.
Rusia, gjithashtu, duket e gatshme të jetë e dobishme në Korenë e Veriut, siç ishte në Iran – sepse interesat e saj janë dëmtuar nga një shtet i çrregullt me armë bërthamore.
Trump ka mundësinë për një rivendosje të politikës së jashtme në hijen e krizës së Koresë së Veriut. Presidenti rus Vladimir Putin është tejkaluar dhe është kundërshtuar nga sanksionet e kongresit. Kim ka tejkaluar limitet me testimet e tij të vazhdueshme të raketave. Xi ka tejkaluar mundësitë, duke ofruar më shumë se ai në të vërtetë ka bërë në frenimin e Phenianit.
Bota po fillon të shqetësohet, pasi Trump mund të shkojë në luftë. Ndoshta ky është momenti kur Kina do të fillojë të ndihmojë për të organizuar një nga ato zgjidhje “win-win” për të dyja palët për të cilat Xi gjithmonë flet.

The Washington Post

Konkurrimi asimetrik…! Ç’duhet bërë?

Kastriot Islami

3 individë kanë mundur të sigurojnë 4 mandate në vetëm 3 qarqe; ky mund të konsiderohet një sukses i “individit” përmes një sistemi proporcional që shfaqet “rixhid” për partitë e reja. Kjo ka ndodhur në Elbasan e Dibër dhe Shkodër. 3 partitë e reja, 3 Partitë e reja, Libra, FRD e Sfida, s’kanë mundur të fitojnë asnjë mandat pavarësisht se së bashku kanë grumbulluar rreth 30 mijë vota në shkallë kombëtare.
Në Elbasan, në 2017, PDIU ka fituar për herë të parë 2 mandate, dhe në Dibër po ashtu për herë të parë 1 mandat. Në 2017, në Shkodër, PSD ka fituar për herë të parë 1 mandat.  Rezultatet e këtyre dy forcave në këto qarqe janë impresionuese.
PDIU ka dalë forcë e parë politike në Peqin me 44,21% të votave, ndërkohë që PS e PD së bashku kanë marrë 49,76% të votave (përkatësisht PS ka marrë 26,56% dhe PD ka marrë 23,20%). PDIU  ka dalë forcë e tretë politike në të gjithë Qarkun  e Dibrës me 17,52%; por ajo ka dalë forcë e parë politike në të gjithë rrethin e Dibrës me 31,47% të votave.
Në Shkodër, PSD ka dalë forcë e tretë politike; por ajo është forcë e parë me 44,85 për qind të votave në Vig-Mnelë dhe në Pult me 45,97 për qind të votave; forcë e dytë politike në Bushat me 20,45 për qind të votave, forcë e dytë politike me 26,26 për qind të votave në Guri i Zi.
Nga analiza e shpejtë e këtyre rezultateve evidentohet “forca” e “veprimit mazhoritar/individual” brënda sistemit proporcional. Madje mund të thuhet se, “veprimi partiak/proporcional” rezulton i pafuqishëm përballë “veprimit individual/mazhoritar”. Kjo fuqi e veprimit mazhoritar ka qenë evidente edhe në konkurimin mes PS e PD. “Sjellja mazhoritare” ka rezultuar e sukseshme edhe në 2009 e 2013, kurse në 2017 ajo është aplikuar me sukses, në mënyrë direkte apo indirekte, por më e maskuar nga ana e PS.
Si përfundim mund të thuhet se në Shqipëri, më i “suksesshëm” rezulton roli i “veprimit mazhoritar” sesa i “rolit partiak”, i cili natyrisht është i fuqishëm brenda partisë, por ende sekondar përballë sjelljes mazhoritare që aplikohet në përballjet mes partive. Ky “rol  mazhoritar” rezulton shumë i fuqishëm tek PS, e cila mund të konsiderohet si inisiatore dhe frymëzuese e kësaj sjelljeje, ndërkohë që kjo qasje është ende shumë e dobët ose inekzistente te PD.
Kjo sjellje ka ndikuar në “suksesin” elektoral të modelit të aplikuar nga PS në 2013 e 2017, duke qenë një nga shkaqet e “dështimit” të PD, por mbi të gjitha një nga pengesat kryesore për lindjen e partive të reja. Por kjo dukuri, e përhapur te PS e ka bërë konkurimin mes palëve asimetrik. Asimetria për shkak të sjelljes “mazhoritare” duket të ketë patur në 2017 ndikim në zgjerimin e suksesit për zotërimin e timonit të qeverisjes nga PS, në mënyrë direkte apo indirekte përmes mbështetjes së maskuar të veprimit mazhoritar kryesisht ndaj individëve të disa forcave të tjera politike, potencialisht aleate.
Mbetet të kryhet një analizë e thelluar e kësaj sjelljeje:
– për të përcaktuar qasjen e duhur në mënyrë që konkurimi proporcional të jetë simetrik për të gjithë forcat politike; duke synuar heqjen e “rixhiditetit” për partitë e reja dhe pengimin/frenimin e penetrimit të faktorit mazhoritar;
– për të përcaktuar ndikimin e këtij faktori në rezultatin e zgjedhjeve të 2013 dhe 2017 dhe për të gjetur zgjidhjen e përshtatshme (sepse ekzistojnë mënyra së paku për ta reduktuar këtë dukuri); po në çdo rast duhet patur parasysh se një sistem elektoral mazhoritar apo i përzier veçse do të legalizonte një dukuri të tillë ose thënë ndryshe do ta bënte këtë sjellje të individëve omniprezente në të gjithë vendin.