33.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

1 vit nga vrasja e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës, akoma nuk ka drejtësi

Ka kaluar një vit nga 1-vjetori i vrasjes së të riut Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, vdekja e të cilit ka ngritur pikëpyetje të shumta. I mituri u vra në landfill nga një eskavator teksa punonte aty. Dy janë deri më tani personat që janë përballur me drejtësinë për vdekjen e Arditit: Përgjegjësi i turnit i kompanisë “3R” që menaxhonte përpunimin e mbeturinave, shtetasi Dëfrim Hakrama, si edhe fadromisti Edmond Kollari, nuk kanë respektuar rregulloret për mënyrën e punës, si pasojë e të cilave ka mbetur i vdekur shtetasi Gjoklaj, i cili punonte pranë kësaj kompanie.
Për këtë çështje, krahas hetimeve të nisura për vdekjen e 17-vjeçarit, janë duke u zhvilluar hetime edhe për përgjegjësitë e mundshme të kompanisë “3R”, shoqërisë “Eco Tirana” dhe Bashkisë së Tiranës, bazuar në një kallëzim të dorëzuar nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike. Ajo që ngelet akoma pa sqaruar është fakti, se si një i mitur u lejua të punonte në një vend të tillë kur është e ndaluar. Ishte kompania e kontraktuar nga Bashkia e Tiranës ajo që, sipas dëshmive punësonte edhe fëmijë për të punuar në landfillin e Sharrës.
Publikimi i një dokumentari nga emisioni “Publikus” shfaqi për publikun atë çka fshihej realisht në këtë landfill. Dokumentari u censurua në televizione, por u shpërnda në rrjetet sociale, duke sjellë një valë të madhe reagimesh. Protestat ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Veliaj ishin të shumta për këtë ngjarje, duke e akuzuar si të përfshirë në krim për shkak të lidhjes së përfolur me kompaninë që merret me riciklimin e mbetjeve në Sharrë.
Gjithashtu në rrjetet sociale doli një foto ku shihej Veliaj së bashku me prokurorin e çështjes së 17-vjeçarit, të ulur në një tavolinë, duke biseduar pas dite pas ngjarjes së rëndë. Ndonëse ka kaluar një vit, kjo ngjarje që i mori jetën një të mituri dhe tregoi skandalin me riciklimin e plehrave nga Bashkia e Tiranës, asgjë nuk është zbardhur, përkundrazi, ngjarja po harrohet çdo ditë e më shumë. Së bashku me trupin e 17-vjeçarit u mbuluan edhe aferat e mëdha të pushtetit të Bashkisë së Tiranës, ndërsa drejtësia për këtë ngjarje duket se do të ketë pak gjasa të vihet në vend.
Lapsi.al

Qytetarët, kërkesë prefektit të mos pranojë rritjen e çmimit të ujit

Një grup qytetarësh të Tiranës i kanë kërkuar prefektit Admir Abrija të konsiderojë të pavlefshëm vendimet e marra nga Këshilli Bashkiak Tiranë në mbledhjen e 26 korrikut. Dy prej vendimeve më të rëndësishme, të cilat dhe qytetarët kundërshtojnë janë rritja e çmimit të ujit të pijshëm dhe dhënien me PPP të ndërtimit të shkollave në Tiranë.
Me anë të një letre, qytetarët argumentojnë se vendimet e marra në atë mbledhje janë në shkelje të ligjit:
Në mbledhjen e datës 26.07.2017 në sallën e Këshillit Bashkiak ishin vetëm 25 anëtarë me mandat të vlefshëm dhe 6 anëtarë të rinj që duhej të merrnin mandatin në atë mbledhje, pra do të duhej të betoheshin.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak u zhvillua kur në fakt nuk kishte kuorum, çka bën ligjërisht të pamundur edhe betimin e 6 anëtarëve të rinj, por dhe miratimin e projektvendimeve.
Bazuar në ligjet përkatëse, qytetarët i kërkojnë prefektit Abrija të rikthejë për shqyrtim në Këshillin Bashkiak vendimet e datës 26 korrik.

Bizneset: Korrupsioni po shkatërron ekonominë

Bizneset shqiptare mendojnë se arsyeja kryesore që nxit evazionin në vend është niveli i lartë i korrupsionit. Në fakt, korrupsioni është një çështje kaq e madhe në Shqipëri, sa ¾ e bizneseve të intervistuara (72.9%) pohojnë se korrupsioni është faktori më i rëndësishëm për ekzistencën e ekonomisë së fshehur.
Këto janë gjetjet e pjesës së dytë të sondazhit të kryer nga Qendra për Kërkime dhe Politikëbërje (CRPM) në Maqedoni dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Shqipëri, me metodologji identike. Për Maqedoninë, sondazhi u zhvillua në fund të vitit 2016 dhe për Shqipërinë në prill të vitit 2017, me një kampion prej 70 sipërmarrje për secilin vend, përfaqësuese sipas xhiros dhe ndarjes sektoriale në ekonomi dhe demografikisht. Raporti titullohet: “Barra e lartë ndaj biznesit çon në fshehjen e aktivitetit- Perspektiva e biznesit dhe ekonomia e fshehur në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë”. Gjetja kryesore e këtij sondazhi ishte se 84.3% e kompanive të anketuara konfirmuan se tentojnë të fshehin të ardhurat vazhdimisht, në më të shumtën e rasteve ose ndonjëherë.
Arsyeja e dytë e identifikuar nga bizneset shqiptare për informalitetin e lartë është sistemi jo eficient gjyqësor (38.6%) dhe barra e lartë e taksave është e treta (35.7%).
Interesant është fakti që bizneset në Maqedoni identifikojnë si problem më të madh barrën e taksave sesa sipërmarrësit në Shqipëri, ndonëse Maqedonia ka taksa më të ulëta. Barra e taksave është identifikuar si problematike nga 42.9% të të anketuarve në Maqedoni, nga 35.7% në Shqipëri.
Raporti thekson se perspektiva e biznesit lidhur me nivelin e taksave në Shqipëri ndryshon dukshëm në krahasim me Maqedoninë. Bizneset shqiptare dukshëm deklarojnë se taksat janë “aq sa duhet të ishin” me 69% dhe 73% të sipërmarrjeve që pohojnë se normat e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore janë në nivelet e duhura.
Përsa i përket taksave së korporatës dhe TVSH-së, më shumë se gjysma e bizneseve sërish deklarojnë se taksat janë aq sa duhet të jenë. Gjithsesi, bizneset nuk bien dakord kur vjen puna te nivelet tatimore për tatim fitimin dhe tatimin mbi të ardhurat personale dhe 62% dhe 55%, përkatësisht, të bizneseve shqiptare të anketuara, që pretendojnë se këto taksa janë më të larta sesa duhet të ishin.
Të pyetur lidhur me masat që duhen ndërmarrë për të reduktuar evazionin, stimuli për bizneset është përzgjedhur nga 57.1% e përfaqësuesve të sipërmarrjes shqiptare si masa më e preferuar.
Reduktimi i korrupsionit është masa e dytë më e zgjedhur nga bizneset (55.7%) për uljen e ekonomisë së fshehur.
Pothuajse gjysma e bizneseve shqiptare (48.6%) e vënë theksin tek nevoja për rritjen e eficiencës në sistemin gjyqësor, që mund të jetë një tregues për mosfunksionimin si duhet të sistemit ligjor në vend. Kjo mund të lidhet me rreziqet e mëdha që bizneset dhe qytetarët përjetojnë në sistemin gjyqësor në vend si dhënia e ryshfetit të oficerëve të gjyqësorit në këmbim të vendimeve të favorshme gjyqësore dhe mungesës së llogaridhënies së gjykatësve dhe prokurorëve, thekson raporti.
Një reformë e nisur e sistemit gjyqësor pritet të adresojë disa nga problemet që do të kenë ndikim në madhësinë e praktikave të përdorura të ekonomisë informale. Duhet më shumë kohë për të vlerësuar nëse kjo reformë do të riformatojë sistemin gjyqësor dhe do të kundërveprojë ndaj korrupsionit të lartë në sistemin gjyqësor, do të nxjerrë në pah lidhjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve me politikën dhe krimin etj., dhe do të sjellë në përgjithësi më shumë llogaridhënie dhe transparencë në sistemin gjyqësor shqiptar, thuhet në raport.

Evazioni i lartë
Një sondazh rajonal për praktikat e ekonomisë së fshehur në Maqedoni dhe Shqipëri nxjerr në pah evazionin e lartë të ekonomisë shqiptare, ku 84.3% e kompanive të anketuara konfirmuan se tentojnë të fshehin të ardhurat vazhdimisht, në më të shumtën e rasteve ose ndonjëherë. Për Maqedoninë, kjo përqindje është dukshëm më e ulët, ku 54.4% e bizneseve të anketuara konfirmojnë se praktikat e ekonomisë së fshehur përdoren në sektorin e tyre në mënyrë “konstante”, “në shumicën e rasteve” ose “ndonjëherë”.
Sondazhi u krye nga Qendra për Kërkime dhe Politikëbërje (CRPM) në Maqedoni dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Shqipëri, me metodologji identike. Për Maqedoninë, sondazhi u zhvillua në fund të vitit 2016 dhe për Shqipërinë në prill të vitit 2017, me një kampion prej 70 sipërmarrje për secilin vend, përfaqësuese sipas xhiros dhe ndarjes sektoriale në ekonomi dhe demografikisht. Raporti titullohet: “Barra e lartë ndaj biznesit çon në fshehjen e aktivitetit- Perspektiva e biznesit dhe ekonomia e fshehur në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë”.
Raporti thekson se fshehja e xhiros është më domethënëse në Shqipëri, ku 40% e atyre që pohuan se tentojnë të fshehin të ardhurat thanë se kjo praktikë përdorej në “më të shumtën e rasteve”.

Bankat çojnë 18 mijë kredi të këqija në përmbarim

Ekonomia shqiptare është e mbërthyer në një zinxhir të madh borxhesh të këqija, nga i cili po lulëzon vetëm një biznes, ai i përmbarimit. Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë bëri të ditur se bankat private kanë çuar mbi 18 mijë kredi të këqija për ekzekutim kolaterali. Shifra e lartë pasqyron situatën e vështirë në sektorin financiar, si dhe pamundësinë e debitorëve për të shlyer borxhet, që kanë marrë në banka.
Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë aktualisht niveli i kredive të këqija në banka llogaritet rreth 90 miliardë lekë ose afro 690 milionë euro, ndërkohë që bankat kanë fshirë nga bilancet të paktën edhe 50 miliardë lekë të tjera kredi të humbura.
Mijëra prona të sekuestruara për shkak të kredive të pashlyera i kanë shndërruar bankat private në pronaret më të mëdha të pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të parë të këtij viti vlera e pronave të sekuestruara në bilancet e bankave arriti në 23.3 miliardë lekë ose gati 175 milionë euro. Këtu bëjnë pjesë ndërtesa për qëllime tregtare, apartamente banimi apo toka, kryesisht në bregdet të sekuestruara nga individë dhe biznese, që nuk kanë kthyer kreditë e marra. Sipas shifrave krahasuar me fundin e vitit 2015, vlera e pasurive të patundshme që zotërohet nga bankat është rritur me 12 për qind, nga 20.8 miliardë lekë në 23.3 miliardë lekë. Por krahasuar me 5 vjet më parë, kjo vlerë është rritur me katër herë e gjysmë.
Në total kreditë e këqija në banka vlerësohen rreth 690 milionë euro, rrjedhimisht vlera e pronave të sekuestruara është sa 25 për qind e totalit të kredive të këqija. Fillimisht pasi e sekuestrojnë një pronë bankat e nxjerrin atë për shitje në ankand. Por sipas Bankës së Shqipërisë, një pjesë e madhe e tyre nuk arrijnë të shiten dhe bankat detyrohen që t’i marrin në pronësinë e tyre.
Mbushja e bankave me pasuri të bllokuara i ekspozon ato para disa rreziqeve. Më kryesori është ai i rënies së çmimit të këtyre pasurive gjatë kohës që mbahen nga bankat, çka ul shumën e përfituar nga shitja. Por veç rrezikut të rënies së çmimit, mbajtja e pronave nga bankat është edhe një proces me kosto, pasi ato duhet të ruhen, por edhe mirëmbahen.
Në fund të vitit të kaluar, Parlamenti miratoi një paketë me 5 ligje, që synojnë uljen e kredive të këqija dhe forcimin e sistemit financiar. Pjesë e kësaj pakete ishte ligji i ri për falimentin, si dhe ai për përmbarimin privat. Paketa e plotë ligjore hyn në fuqi gjatë këtij muaji. Sipas Bankës së Shqipërisë, ajo do të përmirësojë procesin e ekzekutimeve duke gjallëruar tregun e shitjes së pronave të bllokuara. Kjo pritet të sjellë uljen e kredive të këqija, të cilat aktualisht mbeten ndër më të lartat në rajon.

Paralajmërimi i Moody’s: Pas TAP, investimet e huaja në Shqipëri do të bien

Gjiganti ndërkombëtar i vlerësimeve financiare, Moody’s paralajmëron se Shqipëria mund të përballet me rënien e investimeve të huaja, pas përfundimit të gazsjellësit Trans Adriatik dhe kaskadës së Devollit. “Ne shikojmë një rrezik se investimet e huaja direkte mund të bien gjatë viteve në vijim, veçanërisht në kushtet kur pozicioni i jashtëm i ekonomisë shqiptare është i dobët”, deklaron Moody’s në raportin vlerësues për Shqipërinë. Ky vit shënon kulmin e vëllimit të investimeve për dy projektet e mëdha të energjisë, TAP dhe kaskadën e Devollit, rrjedhimisht investimet e huaja direkte pritet të shënojnë nivelin 9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Por Moody’s parashikon se shifra do të ulet ndjeshëm vitin që vjen duke rënë në 7 për qind të PBB. Sipas agjencisë prestigjioze, rënia do të vazhdojë edhe në vitin 2019, kur investimet e huaja direkte pritet të cekin nivelin 6.5 për qind të Prodhimit Kombëtar, plot 2.5 pikë përqindje më pak se sa niveli aktual.
Rënia e investimeve të huaja, përveçse përkeqëson pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare do të ketë pasoja negative për rritjen ekonomike dhe atë të punësimit. Në tre vitet e fundit, investimet e huaja janë ndikuar ndjeshëm nga punimet për gazsjellësin TAP dhe ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Por, shqetësimi lidhet me faktin që këto dy projekte janë afatshkurtra në kohë dhe kërkohet diversifikim në afatin e mesëm.
Kjo është theksuar edhe nga Komisioni Europian, ka tërhequr vëmendjen për nevojën e diversifikimit të investimeve të huaja dhe burimeve të rritjes së Shqipërisë në raportin e zgjeruar të programit të reformave për Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Turqinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën për periudhën 2017-2019.
Sipas raportit, përfundimi i projekteve të mëdha dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para mund të përbëjë rrezik për rritjen, nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë do ta integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më të mira në të gjithë ekonominë.

Fituan 11.5 miliardë lekë në gjashtë muaj, bankat vendosin rekord fitimi

Fitimi i sistemit bankar arriti në 11.5 miliardë lekë në 6 muajt e parë të këtij viti, duke u dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat u publikuan nga Banka e Shqipërisë, e cila i raporton fitimet e bankave sipas standardeve lokale, në bazë të të cilave bankat paguajnë dhe tatim fitimin në buxhet. Sipas të dhënave historike të Bankës së Shqipërisë, ky është niveli më i lartë rekord i fitimeve të arritura nga sistemi bankar për gjashtëmujorin e parë, që nga viti 1999, kur raportohen të dhënat.
Dy janë arsyet që kanë ndikuar në përmirësimin e rezultatit financiar të bankave. Së pari janë rritur të ardhurat neto nga veprimtaritë e tjera, me 2.8 miliardë lekë, duke u trefishuar në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo ka amortizuar dhe rënien e të ardhurave nga interesat me 1 miliard lekë, si rrjedhojë e uljes së interesave të huave që bankat japin për bizneset dhe individët.
Së dyti, janë ulur ndjeshëm shpenzimet për provigjionime, me 3.6 miliardë lekë apo 72%, të cilat janë fitimet që bankat lënë mënjanë për të mbuluar kreditë me probleme. Niveli i huave të pakthyera në afat ka rënë vazhdimisht përgjatë këtij viti, duke arritur në 15.58%, niveli më i ulët në 6 vjet. Kjo ka bërë që bankat të rimarrin këto fondet që i kishin lënë si “garanci” për huatë që nuk po u ktheheshin. Situata e përfitueshmërisë së sistemit bankar është shumë më e përmirësuar në raport me gjashtëmujorin e parë 2016, kur ato panë një tkurrje të fitimeve me 39%.
Rritja e fitimeve ka përmirësuar dhe treguesit e rentabilitetit, si kthyeshmëria nga kapitali (ROE), që u rrit me 1.2 pikë përqindje në 16.7%, e cila tregon se sa me eficiencë po i përdor banka kapitalet e veta dhe kthyeshmëria nga aktivet (ROA), që u rrit nga 1.51% në 1.64%. Ndërsa 6-mujori ka qenë pozitiv për bankat dhe uljen e huasë me probleme, treguesit e tjerë, që kanë ndikim në ekonomi nuk kanë qenë aq pozitivë. Kreditimi ka rezultuar i tkurrur, me stokun e huasë dhënë për ekonominë, që në qershor 2017 ra me 1.6%. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë edhe stoku i depozitave zbriti në 988.6 miliardë lekë në qershor, me një rënie prej 0.6% në raport me muajin e kaluar.

Turistët polakë të zhgënjyer me Shqipërinë

“Pushova në Durrës. Hoteli ishte i ri dhe me hapësira të bollshme, me kondicionerë, por në anë të rrugës kryesore, zhurmat ishin të mëdha. Ushqimi ishte i pamjaftueshëm, duhet të mbaje radhë për një bërxollë dhe kishte shumë pak kamerierë. Nuk kishe mundësi zgjedhjeje në ushqim, pasi të gjithë kohën ishin të njëjtat gjëra, edhe proshuta ishte e njëjta. Dhomat pastroheshin dhe peshqirët ndërroheshin.
Por nuk kishte asnjë gjë argëtuese për fëmijët përveç pishinës”. Këto janë përshtypjet që ka shkuar një turist polak që ka qëndruar 10 ditë në plazhin e Durrësit. Si kjo edhe përshtypjet e mëposhtme u dhanë për hotelet shqiptare që agjencia polake Itaka kishte lidhur kontratat. Itaka është një agjenci e madhe polake që këtë verë ka siguruar kontrata me 12 hotele në Shqipëri për oferta all inclusive dhe ka sjellë këtë vit në Shqipëri një numër të konsiderueshëm turistësh polakë.
– “Ne pushuam gjithashtu në hotel ‘….’ në Durrës. Java e parë ishte katastrofike, por javën e dytë disa gjëra u përmirësuan. Vaktet ishin shumë të varfra. Duket qartë se ato janë ende në fillesat e të mësuarit si të shërbejnë për turistët, por pse në kurrizin tonë. Unë mendoj se ata, para se të fillojë sezoni, duhet të marrin leksione për shërbimet bazë që duhen ofruar”, shprehet një tjetër turist polak.
– “Unë qëndrova disa ditë në hotel ‘…’ po në Durrës. Sapo u prezantova me hotelin, gjërat në dhomë nuk ishin si shpjegimet në ofertë. Pastaj dita fillon me një trishtim të madh, pasi një vakt nuk ishte i përfshirë, teksa unë kisha blerë ofertën all inclusive. Pas kërkesave të mia këmbëngulëse për konsumin e drekës m’u ofrua një vakt i ftohtë me një copë mishi që praktikisht ishte e pangrënshme. Në ofertë ishte premtuar se pishina ishte me bar falas, por kjo në realitet nuk ofrohej. Hoteli nuk kishte ekspres kafeje.
Nuk kishte ushqim të mjaftueshëm, ishte pa shije, i ftohtë dhe shumica e vakteve ishin pa mish dhe peshk. Edhe supa gjeje rrallë. Nuk më pëlqeu fakti që në pritje ishin vënë shumë flamuj europianë, ishte edhe ai i SHBA-së, por flamuri polak mungonte. Vendasit as nuk e konceptonin rëndësinë që kishin flamujt, teksa për ne ishte fyese, pasi hoteli ishte i mbushur vetëm me polakë. Avantazhi i hotelit është vendndodhja. Në afërsi të plazhit me rërë, kishte kafene dhe dyqane. Unë mendoj se organizatorët duhet të shesin këtë hotel me vetëm mëngjes, sepse versionet e tjera thjesht nuk janë të arritshme”, shprehet një tjetër vizitor polak për Durrësin.
– “Kam qenë në hotel ‘….’ në Durrës nga data 13 deri më 20 qershor të vitit 2017 me një grup me dhjetëra polakë të tjerë. Hoteli ishte i ri, pajisje të reja dhe në afërsi të plazhit. Mëngjesi atje ishte shumë i vrazhdë sidomos për të konsumuar vaktin e parë”.
“Fjalë për fjalë, nuk kishte asgjë për të ngrënë. Disa domate, sallatë jeshile, pak spageti, disa pjesë të mishit që nuk ishin të mjaftueshme as për 10 persona, supë e holluar me ujë dhe kështu. Pavarësisht ankesave tona edhe të nesërmen asgjë nuk kishte ndryshuar, përveçse supa bashkë me mishin u zhdukën nga menuja. Peshku gatuhej në vaj, ishte shumë i hollë dhe tejmase i skuqur. Në mëngjes arrije të merrje vetëm një briosh, pasi në të shumtën e rasteve çaji dhe lëngjet kishin mbaruar, kanat ishin të boshatisura dhe nuk mbusheshin prapë. Nuk bëhet fjalë për ëmbëlsira, akullore dhe fruta. Nuk kishte aktivitete argëtuese. Unë ju them, ju lutem braktisini ofertat all inclusive, pasi mund të ushqeheni me para ekstra, pasi ka plot dyqane perimesh në zonë dhe restorante të tjera që ofrojnë vakte të lira. Kostot e mia ishin shumë më të mëdha se oferta që më dha Itaka. Pushimet e mia u prishën”, thotë një tjetër turist për hotelin në të cilin agjencia polake Itaka kishte lidhur kontratën.
– “Unë qëndrova në Durrës në korrik 2016 në hotel ‘…..’. Zona përreth është dramë e madhe, plot plehra dhe baltë. Ushqimi ishte i ftohtë dhe gjithmonë i njëjti, një pulë e servirur në forma të ndryshme. Restoranti nuk ka pajisje për ngrohjen e ushqimit. Për dhomën e hotelit nuk mund të ankohem. Muzika ishte gjithnjë me zë të lartë në çdo orë të ditës dhe kishim përshtypjen se ishte në dhomën tonë. Muzika ishte vendase, gjithmonë me zë të lartë, thjesht e padurueshme. Uji në det ishte i ngrohtë dhe noti ishte gjëja më e mirë atje”, është shprehur një tjetër turist polak.
– “Kam qëndruar në Shëngjin në hotel ‘….’ për shtatë ditë. Po shoh që keni bërë shumë komente negative për këtë hotel, por situata nuk është kaq e rëndë. Hoteli është i madh pasi ka pothuajse 500 dhoma, kështu që fakti se ka shumë njerëz nuk duhet të befasojë askënd. Dhomat janë shumë të mëdha, banjo gjithashtu. Nëse nuk të pëlqen pamja, lehtësisht ndryshon dhomën. Për ushqimin dhe pijet ju lutem mos lexoni komentet e gjyshërve apo biznesmenëve, të cilët kërkojnë superluks duke paguar vetëm 2500 ZL (350 euro). Ushqimi qe i shijshëm dhe jo monoton. Në ofertat e alkooleve janë vetëm vera dhe birra.
Uji i detit është i ngrohtë, por shpesh të duhet të luftosh për të zënë një shezlong. Shqipëria nuk është aq e ndyrë, sa po shkruani këtu, shumë qytete në Poloni, duken më keq, në aspektin e shërbimit hotelier. Shqipëria është një vend shumë i qetë gjatë natës, kemi ecur sikur të ishim në vendin tonë, pa na shqetësuar aspak. Nuk ke mundësi për shopping, por kjo nuk është ndonjë mangësi e madhe. Unë zakonisht nuk bëj komente për hotelet, por jam shumë i habitur se ky hotel është vlerësuar në mënyrë të ulët”. Këto ishin përshtypjet e një turisti polak që pushoi vitin e kaluar në Shëngjin.
– “Kam qëndruar në Durrës. Hoteli ishte i pastër dhe peshqirët ndërroheshin. Ushqimi shumë i keq dhe ndaj nesh u krye një vjedhje”, shprehet një tjetër turist polak.
– “Kam qëndruar në Durrës për dy javë në shtator 2016. E vlerësoj shumë pozitivisht hotelin. Njerëzit që punonin në hotel ishin dashamirës dhe pronari i tij ishte gjithë kohën pranë nesh. Ushqimi ishte i mirë dhe i ngrohtë. Mëngjesi pak i varfër dhe nuk shërbeheshin salsiçe dhe proshuta, siç ne jemi mësuar. Por vlerësimi im është me superlativa për komoditetin dhe ambientin miqësor”, shprehet një tjetër turist nga Polonia.
– “Kam qëndruar në Durrës disa ditë. Mëngjesi ishte si një shuplakë për ne. Por kishe mundësi të konsumoje vakte të lira jashtë ofertës në restorantet përreth. Në plazh kishte shumë gjëra që të bezdisnin. Shitës frutash dhe gjërash të tjera nuk të linin asnjë minutë të qetë dhe qentë e rrugës ishin të frikshëm. Ata pushonin ngjitur me ne të qetë në diell. Kur vinte darka, lukunia e mushkonjave të bënte copë. Ishte hera e para e imja në Shqipëri dhe e kam shumë të vështirë t’ju them juve që të shkoni atje”, shprehet një tjetër turist polak.
– “Unë kam pushuar në Durrës në shtator 2016. Për çmimin që paguajmë kushtet janë të mjaftueshme. Dhoma kishte disa probleme të vogla që vinin nga ndërtimi, si për shembull pllaka të vëna shtrembër, por në përgjithësi kushtet nuk janë keq dhe pamja është shumë e mirë, nga deti. Hoteli ka karriget e veta në plazh, rëra ishte e pastër dhe kishte një pamje të bukur nga tarraca në katin e nëntë. Ushqimi gjithashtu shumë i mirë, një përzgjedhje mjaft të madhe me ëmbëlsira dhe fruta. Pastrimi ishte i përditshëm. Në përgjithësi, shqiptarët kanë ende disa gjëra për të mësuar, por mendoj se ‘…..’ është një nga hotelet më të mira në këtë pjesë të rajonit të Durrësit. Personalisht, unë kam qenë i kënaqur”.

Ligji i gjuhës shqipe në Maqedoni drejt miratimit

Ligji i ri për gjuhën shqipe në Maqedoni – i parë si dispozita e fundit ligjore që rrjedh nga marrëveshja e paqes së vitit 2001, e cila i dha fund një konflikti të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave maqedonase të sigurisë – pritet të miratohet së shpejti në Parlamentin maqedonas.
Ligji do të shtojë përdorimin zyrtar të shqipes në të gjithë vendin, ku shqiptarët etnikë përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë prej 2.1 milionë banorësh. Ai do të lehtësojë komunikimin në gjuhën shqipe në institucione si komunat, spitalet dhe gjykatat.
Në një marrëveshje midis Partisë kryesore Social Demokratike, LSDM dhe partnerëve të saj të koalicionit shqiptar, u ra dakord të dërgohen për vlerësim dy pjesët kryesore të ligjit në Komisionin e Venecias.
Komisionit të Venecias, një organ këshillues të Këshillit të Europës, do t’i kërkohet të vlerësojë nëse hedhja në treg e kartëmonedhave dygjuhëshe dhe uniformave të ushtrisë dhe policisë janë në përputhje me Kushtetutën maqedonase dhe Marrëveshjen e Ohrit për paqen të vitit 2001.
Nëse kjo pohohet, ato mund të përfshihen lehtësisht në ligj pak më vonë, tha për mediat kryeministri Zoran Zaev të shtunën.
“Nuk do të ketë kartëmonedha dhe uniforma dygjuhësore (në ligjin e ri), nëse Komisioni i Venecias nuk konfirmon se kjo është në përputhje me Kushtetutën. Ne nuk kemi paragjykime për këto gjëra”, tha Zaev.
“Në ligj është përfshirë çdo gjë që përmirëson cilësinë e jetës së qytetarëve dhe që e lejon Kushtetuta”, shtoi ai.
Zaev e premtoi ligjin për shtimin e përdorimit zyrtar të shqipes kur ai arriti një marrëveshje koalicioni me disa parti shqiptare më herët këtë vit.
Në korrik, partia në koalicion PDSH – Lëvizja për Reformat kërcënoi të tërhiqte mbështetjen e saj jetike për qeverinë, nëse Zaev nuk e dorëzonte ligjin brenda 100 ditëve të para të administratës së tij.
Ligji aktual i gjuhës e përkufizon gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, por ajo ka status vetëm në zonat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë.
Ligji i ri i propozuar ka shkaktuar shumë kritika nga ish-partia qeverisëse VMRO-DPMNE, e cila ka akuzuar Zaevin se ka bërë shumë lëshime ndaj partnerëve shqiptarë dhe ka tradhtuar interesat kombëtare të Maqedonisë. VMRO-DPMNE këmbëngul se ligji mund të rrezikojë karakterin unitar të Maqedonisë.
Duke komentuar për mundësinë që disa maqedonas etnikë e shohin si kërcënim ligjin e gjuhës, ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily, tha të premten se është e rëndësishme që ligji “të bazohet në udhëzimet e përcaktuara në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit”.
“Kjo është një çështje e rëndësishme që duhet diskutuar dhe gjetur zgjidhje për të krijuar një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe një sistem politik gjithëpërfshirës, por gjithashtu të ruhet uniteti dhe bashkësia midis të gjithë njerëzve të këtij vendi”, tha Baily për “Alsat M TV”.

Miratohen sanksionet e reja ndaj Koresë në OKB

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara votoi njëzëri të shtunën për të miratuar një rezolutë me nismën e Shteteve të Bashkuara, që i heq Koresë së Veriut 1 miliard dollarë të ardhura në vit, të cilat përdoren prej saj për programin e jashtëligjshëm bërthamor dhe balistik.
Rezoluta për sanksione shtesë erdhi si përgjigje ndaj lëshimit nga Pheniani të raketave balistike ndërkontinentale më 3 dhe 28 korrik, të cilat treguan se Koreja e Veriut mund të ketë arritur aftësinë për të vënë në shënjestër SHBA dhe pjesën më të madhe të Europës.
Dispozitat e rezolutës në thelb i mohojnë Phenianit një të tretën e të ardhurave vjetore prej 3 miliardë dollarësh në formë eksportesh. Objekt i rezolutës janë katër sektorë të eksportit: qymyrguri, hekuri dhe minerali i hekurit, minerali i plumbit dhe plumbi, si dhe ushqimet e detit.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, tha se SHBA janë “duke marrë dhe do të vazhdojnë të marrin masa të kujdesshme mbrojtëse për të ruajtur veten dhe aleatët” nga kërcënimi që paraqet Koreja e Veriut, për të cilin ajo tha se, “po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm”.
Në dy rezoluta të miratuara në mars dhe nëntor të vitit të kaluar, Këshilli i Sigurimit vendosi limite për eksportet e qymyrgurit, që është eksporti më i madh i Koresë së Veriut.
“Në këtë rezolutë nuk bëhet fjalë për kufizim, qymyri nuk do të lejohet. Të gjitha eksportet e qymyrit ndalohen të eksportohen nga Koreja e Veriut”, tha për “Zërin e Amerikës” një diplomat i Këshillit të Sigurimit para votimit.
Diplomati tha se me heqjen e sasisë së lejuar, të ardhurat e eksportit të Koresë së Veriut menjëherë do të pësojnë një rënie prej 400 milionë dollarësh në vit.
Ndalimi i eksportit të hekurit dhe e mineralit të hekurit do ta privojë Korenë e Veriut nga rreth 251 milionë dollarë këtë vit. Eksportet e plumbit dhe mineralit të plumbit pritej t’i sillnin vendit 113 milionë dollarë të ardhura këtë vit, ndërsa prodhimet e detit rreth 300 milionë dollarë.
Rezoluta gjithashtu ndalon vendet e ndryshme të pranojnë punëtorë të tjerë sezonalë nga Koreja e Veriut. Pheniani është i njohur për dërgimin e shtetasve të tij në vende të tjera për të punuar dhe pastaj i konfiskon një pjesë të mirë ose të gjitha pagat, duke i kthyer ata në thelb në skllevër të punësuar.
Rezoluta forcon zbatimin e sanksioneve ekzistuese. Që nga viti 2006, Këshilli i Sigurimit ka vendosur disa herë sanksione gjithnjë e më të ashpra ndaj Koresë së Veriut për provat e saj bërthamore dhe lëshimin e raketave balistike.
Përveç sanksioneve, rezoluta përcakton nëntë individë të Koresë së Veriut dhe katër njësi ekonomike, të cilëve u bllokon pasuritë dhe i ndalon të udhëtojnë.

Tillerson-Lavrov, takim për sanksionet e reja amerikane

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson tha të hënën se ai dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov diskutuan për “shumë punë” që sipas tij duhen bërë lidhur me marrëdhëniet mes SHBA dhe Rusisë. Dy kryediplomatët mbajtën bisedime në periferi të një forumi rajonal në Filipine.
Takimi ishte kontakti i parë i nivelit të lartë mes dy vendeve që nga nënshkrimi javën e kaluar nga Presidenti Donald Trump i ligjit për sanksione të reja, që ndëshkojnë Rusinë për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
“Po përpiqemi t’i ndihmojmë ata të kuptojnë se sa serioz ka qenë ky incident dhe sa seriozisht i ka dëmtuar marrëdhëniet midis popullit amerikan dhe atij rus, se kjo ka krijuar mosbesim serioz midis dy vendeve tona dhe se ne na duhet të gjejmë ndonjë mënyrë për ta zgjidhur këtë”, tha sekretari amerikan i Shtetit.
Sekretari Tillerson tha se i kishte komunikuar zotit Lavrov se SHBA do t’i përgjigjet deri më 1 shtator urdhrit të Rusisë për të larguar qindra diplomatë dhe personel tjetër nga objektet diplomatike amerikane në Rusi.
Ish-presidenti Barak Obama, pak javë para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, dëboi 35 diplomatë rusë dhe mbylli dy objekte ruse në Shtetet e Bashkuara, pasi komuniteti i zbulimit amerikan arriti në përfundimin se presidenti rus, Vladimir Putin kishte urdhëruar personalisht ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Rusia nuk u hakmor në atë kohë, por me miratimin e sanksioneve të reja amerikane, Moska urdhëroi SHBA të largonin 755 diplomatë dhe punonjës të tjerë, shumë prej të cilëve rusë, nga ambasada dhe konsullatat e saj në Rusi.

Volker, së shpejti në Rusi për bisedime mbi Ukrainën
Ndërkohë, Rusia tha të dielën se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë së shpejti një përfaqësues në Moskë lidhur me situatën në Ukrainën Lindore, për të zhvilluar bisedime me zyrtarët rusë mbi dhunën që vazhdon.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e bëri njoftimin të dielën, pas takimit me homologun amerikan.
Ministri Lavrov tha se diplomati amerikan, Kurt Volker do të takohej me të dërguarin rus për Ukrainën, Vladislav Surkov. Zoti Volker muajin e kaluar vizitoi Ukrainën Lindore, ku separatistët rusë të mbështetur nga Moska luftojnë për më shumë se tre vjet me forcat ukrainase. Konflikti që ka marrë mbi 10 mijë jetë, filloi kur Moska aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina.
Ministri rus tha se megjithë sanksionet amerikane, Moska i përmbahet bindjes se, “homologët amerikanë duhet të mbajnë të hapur dialogun. Nuk ka alternativë tjetër”.