Presidenti amerikan Donald Trump dhe dy senatorë republikanë njoftuan se kanë propozuar një ligj të ri që do të pakësonte emigracionin e ligjshëm.
“Sipas “BBC”, projektligji gjithashtu do të eliminonte Programin e Vizave të Emigrantëve të Departamentit të Shtetit, një program llotarie që lejon që rreth 50,000 persona të jetojnë përgjithmonë në SHBA çdo vit.
Duke folur të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump tha se, Shtetet e Bashkuara për dekada kanë “funksionuar me emigrantë me një nivel kualifikimi të ulët”. Sistemi i ri që propozohet do të vepronte si një sistem i bazuar në pikë, që do të merrte parasysh aftësitë e aplikantëve për të folur anglisht dhe mundësitë për të përballuar jetën në Amerikë, kur bëhet fjala për të aplikuar për “Kartën e Gjelbërt”.
“Ligji tregon dhembshurinë tonë për familjet amerikane që përpiqen çdo ditë”, tha zoti Trump. “I vendos nevojat e tyre dhe Amerikën në plan të parë”.
Presidenti Trump tha se, ligji ka për qëllim të mbrojë “punëtorët e pakicave që konkurrojnë për vende pune ndaj atyre që sapo vijnë në Amerikë” dhe “do t’u japë atyre një ngritje page, duke pakësuar numrin e punëtorëve të pakualifikuar që hyjnë në SHBA”.
Më parë këtë vit, senatorët Tom Cotton dhe David Perdue paraqitën projektligjin që do të shkurtonte imigrimin e ligjshëm nga 1 milion, në 500 mijë njerëz çdo vit.
Projektligji, i cili nuk ka kaluar në Senat, gjithashtu kërkon kufizimin e pranimit të anëtarëve të familjes së emigrantëve, duke i dhënë fund programit të llotarisë dhe duke e bërë më të vështirë procesin e marrjes së “Kartës së Gjelbërt”.
Zoti Cotton tha se, vetëm një në 15 emigrantë vjen në Amerikë për shkak të aftësive të tyre dhe se frenimi i imigracionit të personave e që kanë kualifikim të ulët, do t’i ndihmonte punëtorët amerikanë të arrinin një standard më të lartë jetese, si dhe do të mbështeste rritjen e përgjithshme ekonomike.
Presidenti Trump është takuar dy herë me senatorët për të diskutuar lidhur me projektligjin, që synon përmbushjen e një prej synimeve kryesore të politikës të tij në reformimin e sistemit të emigracionit të ligjshëm në Amerikë.
Jo bllokim, por pakësim i përfituesve nga Green Cart
Shqipëra, e dyta në Europë me rezerva të ujit, prapë s’kemi ujë të pijshëm
Shqipëria, vendi i dytë në Europë për rezervat ujore, nuk arrin të plotësojë nevojat me ujë të pijshëm. Sipas ekspertëve strukturimi mbi baza rajonale i menaxhimit është zgjidhje e problemit.
Rasti i Shqipërisë me ujin është krejt i veçantë, me kontraste nga më të çuditshmit. Jo pa shkak konsiderohet si një vend i bekuar sa i takon rezervave ujore: për numër popullate është i dyti në Europë, pas Norvegjisë. Sipas studimeve më të fundit në Shqipëri rrjedhin rreth 1300 metër kub ujë në sekondë dhe për të përmbushur nevojat e saj Shqipërisë i duhet vetëm 1 për qind e kësaj rezerve. Në të gjithë territorin e vendit janë rreth 600 sisteme të furnizimit me ujë të pijshëm. Nga niveli i prodhimit të ujit të pijshëm vendi ka një standard, që është 4 herë më i lartë se ai europian.
Por si është realiteti i furnizimit të konsumatorëve? Nga përllogaritjet zyrtare, rreth 68 për qind e sasisë së prodhuar shkon dëm, humbet, duke shkaktuar “etje” pavarësisht bollëkut. Furnizimi real aktual është mesatarisht në rreth 11 ose 12 orë në ditë. Por kjo shifër e mesatarizuar ka shumë luhatje: nga furnizimi me ujë 24 orë, siç janë Korça, Pogradeci, Librazhdi, Gramshi e Berati dhe deri në furnizimin 4-6 orë në ditë për zona të tjera të vendit. Rasti më ekstrem, që “ujë ka dhe ujë nuk ka”, është në Vlorë, ku niveli i prodhimit të ujit është rreth 700 litra në sekondë dhe arrihet të merret vetëm rreth 200 litra në sekondë.
Decentralizim i pastudiuar në administrim
Ing. Arjan Jovani, zëvendëskryetar i Komisionit Kombëtar Rregullator të Ujit, duke folur për “DW” shpjegon se humbja prej 68 për qind në furnizimin me ujë ka kryesisht dy shkaqe kryesore. Në masën 40 për qind janë humbjet teknike, që vijnë nga amortizimi i rrjeteve dhe moskryerja e investimeve të domosdoshme dhe së dyti, pjesa tjetër e humbjeve vjen nga keqmenaxhimi.
“Defekt i madh është teprimi me decentralizimin e sistemit të furnizimit me ujë. Kalimi në varësi të autoriteteve lokale të ndërmarrjeve të ujësjellave nuk ka qenë e bazuar në logjikë teknike, ekonomike dhe menaxheriale. Shikoni, ka paradokse të tilla, për shembull në Vlorë ka 5 ndërmarrje të tilla, në Pukë janë 3, kurse në Tiranën me afër 1 milion banorë, është vetëm 1. Nga 52 ndërmarrjet e ujësjellësit në vend, pjesa më e madhe e tyre ka probleme serioze ekonomike dhe financiare të krijuara prej vitesh. Rreth 40 prej tyre mbulojnë një popullsi të vogël, pra kanë aftësi të pakta për të krijuar të ardhura dhe për të pasur mundësinë e investimeve. Nuk kanë aftësi likuiduese duke qenë në borxhe. Nuk paguajnë energjinë elektrike të përdorur, nuk paguajnë si duhet punonjësit etj”.
Ing. Jovani thotë se ulja e humbjeve në sistemet e ujësjellësve do të ndikojë drejtpërdrejtë në uljen e kostos së ujit për përdoruesit. Gjithashtu ai përmend dhe mungesën e matjes së ujit që konsumohet. Vetëm gjysma e ujit që shkon për konsum arrin të matet. Sipas ekspertëve të fushës ndryshimi i gjendjes lidhet me përqendrimin e menaxhimit të ujit, duke ndërtuar një infrastrukturë me bazë rajonale.
“Nuk ka nevojë për kaq shumë ndërmarrje. Nga procesi i ndarjes së re territoriale dhe administrative do të korrektohet patjetër pozitivisht dhe problematika me ujin, do të jetë më eficente në administrim”, thotë ing. Arjan Jovani për “DW”.
Të ashpërsohet ligji
Prof. Sazan Guri, ekspert i mjedisit dhe hidrogjeolog ka publikuar para pak kohe një studim titulluar “Magjia Ujit”. Sipas tij ka një sjellje jo miqësore me këtë komponent vital për shoqërinë, duke e keqtrajtuar.
“Në tregun botëror një litër ujë i pijshëm shitet mesatarisht në afër 1 dollar, aq më tepër po të shtojmë këtu vlerën energjetike të përdorimit të ujit. Nuk respektohet ligji dhe uji trajtohet si një ‘mall belik’, duke ndërtuar një raport armiqësor me natyrën, që do të thotë se me ujin mund të bësh çfarë të duash, mund ta shpërdorosh dhe nuk të hyn asnjë gjemb në këmbë. Jemi ndër vendet e pakta, ku na ndodh që fabrika a sipërmarrje të ndryshme, pasi e përdorin ujin për qëllime industriale e shkarkojnë pa asnjë trajtim dhe këto sasi të ndotura bëjnë kërdinë në natyrë dhe janë një rrezik i madh prezent për jetët e njerëzve. E keni parasysh që derdhja e ujërave me përbërës të rrezikshëm në një cikël zinxhir mbërrin deri në tryezën e njeriut. Raste alarmante janë ato të fabrikave të lëkurëve në Berat, në rajonin Tiranë-Durrës etj. Ato janë dhe sipërmarrje të huaja, që në Shqipëri kanë gjetur ‘parajsën’ e moskontrollit dhe mosndëshkimit për dëmet e pallogaritshme, që shkaktojnë”.
Prof. Sazan Guri është për forcim të legjislacionit. Ndotja e ujit parashikohet dhe në Kodin Penal aktual si vepër penale, por përmirësimi i legjislacionit duhet bërë sipas tij. “Jemi dëshmitarë të vendosjes së gjobave administrative, që janë të barasvlershme sa fitimi i një dite për një sipërmarrje. Kjo duhet të marrë fund”.
Ing. Arjan Jovani e shikon ndotjen e ujërave dhe procesin e trajtimit të tyre nga një pikëvështrim tjetër. Ai ngre problemin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotur. Nëse impiante të tilla funksionojnë në Korçë, Pogradec dhe Kavajë, në mënyrë të pajustifikuar impiantet e ndërtuar në Sarandë, Vlorë dhe Lezhë nuk janë vënë ende në punë. Për shkaqe teknike të pajustifikuara apo për mosmarrje në dorëzim nga autoritetet lokale investimet disa milionë euro janë në pritje.
Mundet Vuçiç të bëhet De Gaulle i Serbisë për Kosovën?
Marcus Tanner
Artikulli i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç për Kosovën në gazetën “Blic” disa ditë më parë i ka vënë vëzhguesit në Ballkan të flasin.
Në një artikull të nënshkruar, njeriu më i fuqishëm në Beograd tha se kishte ardhur koha që njerëzit “të mos fusnin më kokat në rërë” përsa i takon Kosovës “dhe të tregoheshin realistë”.
Serbët dhe shqiptarët duhej të pranonin dëmin që i kishin shkaktuar njëri-tjetrit, shtoi ai, duke vazhduar duke i bërë homazhe kujtimit të ndërmjetësuesit të Izraelit me palestinezët Simon Peres.
Në një vend tjetër, thirrjet për “t’u treguar realistë” në lidhje me temën e një province që u humb pothuajse dy dekada më parë nuk do të ishin lajme për në faqe të parë. Por në kontekstin e nacionalizmit serb, kjo ishte diçka e tipi ulu dhe mbaj shënim.
Ajo që ishte mbresëlënëse në artikullin e Vuçiçit gjithashtu nuk ishte ajo që ai tha, por ajo që nuk tha. Ku ishin referencat e detyrueshme për Kosovën dhe Metohinë si “djep” i Serbisë – dhe rituali për të mos e njohur kurrë Kosovën si shtet, në asnjë rrethanë?
Nacionalistët e vërtetë të “Kosova është Serbi” duhet të shqetësohen. Ata duhet të shpresojnë gjithashtu që Vuçiçi të mos ketë gërmuar biografitë e Charles de Gaulle – si edhe libra mbi Presin. Pse? Sepse De Gaulle ishte nacionalisti tipik i krahut të djathtë që mori të gjithë nacionalistët e tjerë të krahut të djathtë dhe në një mënyrë që asnjë liberal apo socialist s’do të kishte guxuar kurrë ta bënte.
Sigurisht që paralelet midis Vuçiçit dhe Kosovës sot dhe De Gaulle dhe Algjerisë në atë kohë nuk janë identike. Askush në Francë nuk e mendonte Algjerinë – e pushtuar në vitin 1830 – si djepi kombëtar. Megjithatë, vlen të kujtojmë gjithashtu se, deri në fund të viteve 1950, përmendja e mundësisë së pavarësisë algjeriane ishte herezi politike.
Algjeria ishte “zemra e Francës”, pjesë e shtetit francez (ndryshe nga kolonitë) dhe për më tepër, ishte një shtëpi e rreth një milion francezëve dhe grave që në Algjer, Oran dhe Konstandinë kishin krijuar versione më të vogla të Parisit dhe Marsejës.
Madje, ishin besimtarët në Algjerinë franceze, Algérie Française, ata që sollën në pushtet De Gaulle në pranverën e vitit 1958 – duke besuar gabimisht se heroi i madh do të ulte në gjunjë rebelët pro pavarësisë së Algjerisë.
Vetëm pak ditë pas ardhjes në pushtet, De Gaulle dukej sikur po jetonte me ato shpresa, duke fluturuar në Algjer dhe më 4 qershor 1958, iu drejtua një turme të madhe njerëzish në Forumin e Algjerisë me fjalët e famshme: “Je vous ai compris!” “Unë ju kam kuptuar!”.
Më pas rezultoi se ajo që De Gaulle “kishte kuptuar” nuk ishte zemërimi i algjerianëve francezë, por mungesa e shpresës e pozicionit të Francës në Algjeri dhe fakti se asgjë më pak se pavarësia do ta largonte Francën nga një konflikt pa fund.
Ia vlen të kujtojmë gjithashtu se kur De Gaulle vendosi të priste nyjën gordiane rreth Algjerisë, ai nuk ishte i motivuar nga një shkëndijë dhembshurie ndaj nacionalizmit arab. Llogaritja e ftohtë e interesit kombëtar të Francës tregoi gjithçka.
Mbi të gjitha, ai kishte vendosur që Franca nuk mund ta arrinte kurrë qëllimin e saj për t’u bërë forca dominuese brenda atij që do të bëhej Bashkimi Europian nëse një luftë e zgjatur në Afrikën e Veriut do të konsumonte të gjithë energjinë e saj.
Një tjetër motiv ishte një kuptim i papërpunuar i tendencave demografike. Ritmi i shpejtë i rritjes së popullsisë së Algjerisë i kishte bërë shumë përshtypje atij, duke marrë parasysh faktin se popullsia e Francës ishte e amullt. Nëse të dy vendet mbeteshin të bashkuar, thuhet se tha ai në vitin 1959, karakteri europian i Francës do të ishte i paqëndrueshëm.
Nëse Vuçiç ka arritur momentin e tij De Gaulle dhe ka arritur në përfundimin se, në fund, do të jetë ose Kosova apo Europa – jo të dyja/dhe – ai mund të ngushëllohet me faktin që ndoshta nuk do të duhet të paguajë të njëjtin çmim si De Gaulle.
Shkatërrimi i Algérie Francaise traumatizoi Francën dhe ndau të djathtën franceze – pasojat e së cilës vazhdojnë edhe sot.
Vetë De Gaulle ishte subjekt i disa tentativave të vrasjes nga të djathtët e zemëruar, përfshirë një përpjekje tepër dramatike më 22 gusht 1962, kur 12 persona të armatosur qëlluan makinën e tij në “Avenue de la Liberation” në Paris me 140 plumba. Ishte e pabesueshme që ai mbijetoi, duke marrë parasysh se personat e armatosur qëlluan të katër gomat e makinës, e megjithatë Citroen i tij vazhdoi të ecte.
Në njëfarë mënyre, për të gjitha fjalët dhe zemërimin mbi “provincën jugore”, nuk është e sigurt nëse Vuçiç do të haste diçka të ngjashme me të njëjtin nivel zemërimi.
Marcus Tanner është redaktor i Balkan Insight dhe autor i “Albania’s Mountain Queen, Edith Durham and the Balkans”.
Pse ndodhën ndryshimet në administratën Trump
Largimi nga detyra e një shefi kabineti brenda një kohe kaq të shkurtër – Trump është në detyrë prej pak më shumë se 6 muajsh – nuk është i zakonshëm, por gjatë ditëve të fundit është folur për shkarkimin e afërt të Priebus pasi drejtori i Komunikimeve të Shtëpisë së Bardhë, Anthony Scaramucci, e kishte paralajmëruar afërsinë e shkarkimit gjatë një telefonate në të cilin kishte folur (larë e palarë) me Ryan Lizza, një gazetar të “New Yorker”.
Shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë është njeriu më i rëndësishëm pas Presidentit dhe ka një rol qendror në aksionin e administratës. Është lidhja midis sekretarëve dhe Sallës Ovale dhe midis politikës, partisë dhe qeverisë. Në rastin e Priebus, roli i këtij të fundit ishte vendimtar, për faktin se Trump nuk ka marrëdhënie shumë të mira me një pjesë të mirë republikanësh, megjithëse janë të partisë së tij.
Në realitet, Priebus ishte një ish-kryetar partie – President i Komitetit Kombëtar Republikan quhet posti politik në Shtetet e Bashkuara – dhe ka qenë jo pak, por 6 vjet në të: për këtë arsye ka kultivuar një raport të mirë me të gjithë aktorët me peshë, nga politikanët (sidomos senatorët), tek financuesit. Dorëheqja mund të lexohet edhe si fryti i një përplasjeje që Shtëpia e Bardhë (qysh nga fillimi) po realizon me të ashtuquajturin establishment republikan.
Trump dhe partia janë në grindje dhe kjo pengon pjesë të aksionit të qeverisjes presidenciale: në Kongres gjen pothuajse një opozitë, aq sa disa ligje të rëndësishme të hartuara prej tij – si reforma fiskale – as nuk janë diskutuar akoma dhe të tjera si reforma shëndetësore kanë përfunduar shumë herë nën kuotën e mazhorancës për t’u miratuar.
Për të kuptuar klimën që mbretëron: kohët e fundit, kongresmenët republikanë kanë miratuar një ligj që do të kufizojë pushtetet presidenciale për sa i përket lehtësimit të sanksioneve ndaj Rusisë, duke i ngritur automatikisht të reja dhe duke shkuar kështu kundër njërës prej linjave programatike të Trump, që është afrimi me Moskën. Trump e ndjen këtë klimë mosbesimi dhe ka shumë të ngjarë që ta shikojë të pasqyruar tek Priebus edhe prej gojës së këshilltarëve të tij.
Në mënyrë të veçantë Scaramucci, që e ka akuzuar hapur ish-shefin e Stafit se është prapa rrjedhjeve kolosale të lajmeve që kanë gjymtuar administratën në këto muaj të parë (veçanti për t’u pasur mirë parasysh: Priebus ishte i vetmi nga nëpunësit e lartë që nuk kishte nënshkruar një non-disclosure agreement, domethënë një marrëveshje për ruajtje sekreti me Presidentin dhe disa muaj më parë Katie Walsh, zëvendësja e tij, e ka lënë vendin e punës pasi është akuzuar informalisht se është tepër bujare me shtypin).
Përpara kësaj mosbesnikërie hipotetike, Trump ka thirrur si zëvendësues një gjeneral me 4 yje të marinsave, një që do të flasë qartë me Presidentin, por me disiplinë, me një formim shumë më respektues ndaj zinxhirëve të komandimit dhe që do t’i premtojë besnikëri Presidentit.
Kelly bëhet një tjetër nga ish-ushtarakët e shumtë që kanë marrë pushtet në brendësi të strukturave civile në administratën Trump. Gjenerali ka konsensusin e grupit rinor të pushtetit trumpian, atë të përfaqësuar nga Ivanka Trump e Jared Kushner dhe nga rrethi i afërt i tyre. Midis tyre është Dina Powell, zëvendëskëshilltare e Sigurisë Kombëtare: Powell është edhe ura lidhëse midis stafit të Shtëpisë së Bardhë më shumë i përqendruar mbi çështje politike dhe atij të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i drejtuar gjithmonë nga një gjeneral, HR Mc Master. Por duket që ka edhe mbështetjen e krahut më revolucionar të trumpistëve, atij të përfaqësuar nga strategu politik Steve Bannon dhe nga policy-maker Stephen Miller.
“Është një moment i mirë për të shtypur butonin ‘reset’”, ka thënë Priebus në intervistën e tij të parë pas largimit të nga të detyra, të dhënë Wolf Blitzer të “CNN”-it. Intervista është konsideruar si një incident diplomatik në botën e gazetarisë amerikane. Kanali televiziv “Fox”, shumë republikan dhe shumë dashamirës me Presidentin, kishte njoftuar se fjalët e para të ish-shefit të Stafit do t’ia thoshte Sean Hannity, ylli i drejtuesve televizivë amerikanë dhe sigurisht gazetari më i afërt me të. Por Priebus ka zgjedhur ndryshe, bile ka shkuar më tej duke dalë në “CNN”, rrjeti televiziv që sulmohet nga simpatizantët e Presidentit dhe vetë ai sepse i bën një mbulim jo dashamirës administratës.
Nuk duhet harruar edhe që “CNN”-i është televizioni në të cilin 3 gazetarë me peshë kanë dhënë dorëheqjen pasi kanë nxjerrë një artikull lidhur me një ngjarje që kishte të bënte me Scaramucci-n, pasi artikulli nuk i kishte kaluar të gjitha kontrollet cilësore redaksionale. Hannity është nga ana tjetër gazetari që gjendej për darkë në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, bashkë me një ish-drejtues të “Fox”, bashkë me Trump e bashkëshorten e tij dhe Scaramucci: një burim i brendshëm i ka treguar për këtë darkë Ryan Lizza të revistës “New Yorker”, Lizza e ka shkruar në Twitter dhe nga kjo ka lindur edhe telefonata e “tërbuar” e Scaramucci-t, gjatë së cilës ai ka akuzuar Priebus se është “një paranojak” që mezi priste t’u tregonte gjëra të tilla gazetarëve.
ARMIN TIRANA
Pse oferta për dialog e Vuçiçit ka gjasa të dështojë
Analistët politikë këmbëngulin se propozimi i fundit i presidentit Aleksandër Vuçiç për një “dialog të brendshëm” mbi statusin e Kosovës është më e fundit e një sërë nismash për të hapur diskutime publike dhe për të arritur konsensus mbi çështje kryesore sociale dhe politike, edhe pse asnjë prej tyre nuk ka përfunduar me sukses deri më tani.
Vuçiç shkroi në një artikull për gazetën e përditshme “Blic” javën e kaluar se kombi serb duhet “të mos e fusë më kokën në rërë” përsa i takon çështjes së Kosovës dhe të fillojë “një dialog të brendshëm” rreth saj.
“Ne duhet të përpiqemi të tregohemi realistë, të mos humbasim apo japim atë që kemi, por s’duhet të presim as të marrim atë që e kemi humbur kohë më parë”, tha Vuçiç në një artikull më 24 korrik. Ai nuk ofroi ndonjë propozim konkret nga ana e tij.
Ekonomisti Milan Kovaçeviç shprehu skepticizëm për fjalët e Vuçiçit, duke sugjeruar se e vemja gjë që dëshiron të arrijë me këtë presidenti serb, është “të forcojë autoritetin e tij”.
“Nuk mendoj se ai ka ndërmend të ketë dialog tani. Në fund të fundit, nëse ai po fton për një dialog, do të ishte më e arsyeshme që ai të jepte mendimin e tij”, tha Kovaçeviç për “BIRN”.
Boban Stojanoviç nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd pyeti se çfarë mund të arrinte një proces i tillë, pasi Vuçiç tashmë ka një qëndrim të fiksuar për të ardhmen e Kosovës.
“Nuk mendoj se ky dialog, nëse ndodh ndonjëherë, do të ketë ndonjë përfundim”, tha Stojanoviç për “BIRN”.
Stojanoviç beson se Vuçiç nuk është gati ta njohë Kosovën, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe kështu që “dialogu i brendshëm” mund të mos ketë asnjë ndikim në realitet.
Mungesë konsensusi
Vuçiç ka nisur “dialog” për një sërë çështjesh të tjera të rëndësishme në të kaluarën, vetëm për të mos bërë asgjë më shumë për to ose i ka marrë vetë vendimet.
Në mars 2014, para zgjedhjeve parlamentare të atij viti, Vuçiç premtoi të arrinte një konsensus kombëtar mbi çështjen e reformave të dhembshme ekonomike.
“Detyra jonë është të bashkojmë Serbinë. Ne nuk duam pushtet të madh, por që populli në Serbi të arrijë një konsensus për të pasur një vend të mirë dhe normal”, tha Vuçiç në atë kohë.
Disa muaj pas zgjedhjeve, në të cilat Partia e tij Progresive fitoi shumicën e votave, kryeministri i ri Vuçiç tha se reformat do të zhvilloheshin edhe pa konsensus.
Pak muaj më vonë, qeveria prezantoi masa shtrënguese, duke ulur të gjitha pensionet dhe pagat në sektorin publik të Serbisë që ishin më të larta se 25,000 dinarë (rreth 210 euro) në muaj.
Autoritetet serbe janë mburrur gjithashtu se kanë nxitur dialog mbi çështjet sociale, pasi Vuçiç u takua me përfaqësues nga Konfederata e Sindikatës europiane dhe dy sindikata serbe në prill të këtij viti.
Megjithatë, një marrëveshje e kohëve të fundit midis punëtorëve të Fiat Chrysler Automobiles në Serbi dhe punëdhënësit e tyre, e ndërmjetësuar nga qeveria, është kritikuar se po dëmton të drejtat e punonjësve.
“Ne kemi të kundërtën e dialogut social. Shikoni çfarë po ndodh me të gjitha grevat dhe çfarë po bën shteti”, tha Kovaçeviç.
Ai përmendi shembullin e “Gosa”, një kompani, punëtorët e të cilës aktualisht janë në grevë duke kërkuar rrogat që u detyrohen punëdhënësit e tyre.
Greva në “Gosa” së fundmi bëri që presidenti i sindikatës Sloga, Zeljko Veselinoviç, ta deklaronte “të pakuptimtë” dialogun social në Serbi.
“Nëse dialogu social ekzistonte, Vuçiçi nuk do të duhej të shuante zjarre duke i ofruar çdo punonjësi 60,000 dinarë (500 euro)”, tha Veslinoviç për stacionin televiziv rajonal “N1”, duke iu referuar pagesave të premtuara nga Vuçiçi.
Mungesa e konsensusit publik është përdorur edhe nga Vuçiçi në të kaluarën si një arsye për mosveprim në çështjet jetësore.
Në vitin 2016, Vuçiç tha se qeveria “nuk ka forcë” të luftojë huliganizmin në sport – një problem i rrënjosur thellë në Serbi – sepse nuk ka “asnjë konsensus social” për të ndërmarrë masa.
Ai nuk shpjegoi kurrë se kush ishte kundër shtypjes së huliganizmit.
Në pritje për t’u trajtuar është edhe çështja e ndryshimit të Kushtetutës serbe, që Vuçiç gjithashtu thotë se do konsensus.
Mediat e vendit kanë spekuluar për disa vite me radhë se BE po kërkon që Serbia të heqë ose ndryshojë preambulën e Kushtetutës së vendit, e cila deklaron se Kosova është pjesë e Serbisë.
Stojanoviç tha se “dialogu i brendshëm” i propozuar nga Vuçiç ndoshta mund t’i referohet këtyre ndryshimeve, por ai nuk beson se presidenti do të guxojë ta trajtojë seriozisht këtë temë politikisht shpërthyese.
“Gjatë vitit ose dy viteve të ardhshme, i vetmi diskutim serioz që mund të mbahet mund të ketë lidhje me preambulën, por nuk mendoj se ai do të ketë kurajë ta trajtojë këtë çështje”, tha Stojanoviç.
Koalicioni qeveritar në Maqedoni në rrezik prej gjuhës shqipe?!
Ligji për shqipen, debati për të cilin u la përgjysmë në mbledhjen e fundit të qeverisë akoma është duke u harmonizuar midis partnerëve të koalicionit qeverisës. “Alsat” mëson se gjatë ditës janë zhvilluar konsultime, por nuk jepen detaje se për cilat pika të draftit dallimet janë më të theksuara. Zyrtarisht qeveria mohon të ketë mosmarrëveshje.
Debati rreth propozimligjit për gjuhën shqipe ka kaluar në atmosferë të qetë dhe nuk është paraqitur asnjë problem gjatë këtij debati. Është konstatuar se nevojitet koordinim i mëtutjeshëm me qëllim që të arrihet harmonizimi për mënyrën e zbatimit të vendimit ligjor”, thanë në qeverinë e Maqedonisë.
Ndërkohë, eksperti juridik Osman Kadriu thotë se, ligji për shqipen parashikon vetëm avancim të shqipes për fusha konkrete. Sipas tij procedura për miratimin e shqipes nuk do të jetë fare i lehtë për faktin se për këtë ligj duhet të ketë pajtueshmëri edhe nga VMRO-DPMNE-ja.
Çdo gjë që del jashtë Kushtetutës atëherë mundet një ligj i tillë, edhe nëse miratohet a dyshoj se do të miratohet me ato kërkesa, me ato propozime do të bjerë në Gjykatën Kushtetuese si ligj antikushtetues. Prandaj, mendoj se edhe pse paralajmërimet janë sidomos nga pjesëtarët e bllokut shqiptar në qeveri se ka konsensus, se për këtë ligj duhet të ketë pajtueshmëri edhe nga VMRO-DPMNE, do të ketë një përkrahje të plotë, mendoj se procedura nuk do të jetë aq e lehtë në miratimin e këtij ligji dhe nuk është për t’u habitur se mund të vijë në pyetje edhe koalicioni i partive shqiptare në qeveri, deklaroi Osman Kadriu, ekspert juridik.
Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe nuk kaloi në mbledhjen e fundit me arsyetimin se do të ripërpunohet dhe do të kalojë në seancë qeveritare pas festës së Ilindenit. Në njoftimin zyrtar u theksua se propozimligji ka ngecur tek formimi i organeve të reja të agjencisë për zbatimin e gjuhëve dhe tek Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve për të cilat duhet të përkufizohet dhe konfirmohet kompetenca e tyre. Kohë më parë, kryeministri Zaev paralajmëroi se drafti do të dërgohet për shqyrtim edhe në Komisionin e Venedikut, ndërsa paralelisht ligji mund të jetë në Kuvend, por më vonë të plotësohet nëse ka vërejtje.
Trump: Sanksionet e reja dëmtojnë aleatët europianë
Presidenti Donald Trump nënshkroi të mërkurën një ligj me sanksione ndaj Rusisë, të cilin ai e cilësoi “me shumë të meta” dhe me “disa klauzola jokushtetuese”.
Ligji ndëshkon me sanksione Moskën, për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, si dhe Iranin dhe Korenë e Veriut. Ligji po ashtu kufizon autoritetin e Presidentit për heqjen e këtyre sanksioneve.
“Përmes kufizimit të autoritetit të Presidentit, ky ligj ua vështirëson Shteteve të Bashkuara që të arrijnë marrëveshje të mira për popullin amerikan dhe do t’i afrojë me njëri-tjetrin vende si Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut”, thoshte Trump në disa deklarata që i bëri të njohura të mërkurën Shtëpia e Bardhë.
“Megjithë problemet që ka, unë po e nënshkruaj ligjin për hir të unitetit kombëtar”, shtoi Presidenti. “Që kur u paraqit ligji në fillim, unë i shpreha shqetësimet e mia Kongresit lidhur me të, sepse ligji ndërhyn tek autoriteti i Presidentit, krijon një situatë të pafavorshme për kompanitë amerikane dhe dëmton interesat e aleatëve tanë europianë”.
Ligji i sanksioneve ndaj Rusisë u miratua thuajse unanimisht në të dyja dhomat e Kongresit.
Udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se ligjvënësit republikanë “nuk duhet ta lejojnë Shtëpinë e Bardhë të Donald Trumpit të shmangë detyrat e saj për vendosjen e sanksioneve për sulmin e pacipë të Rusisë ndaj demokracisë sonë”.
Senatori republikan, Lindsey Graham, i tha “CNN”-it, se nëshkrimi i ligjit në qetësi dhe pa praninë e zakonshme të gazetarëve dhe kamerave, “përforcon idenë se administrata e zotit Trump nuk e ka seriozisht me masat ndaj Rusisë. Unë mendoj se ky është një gabim, sepse Putini ka për ta parë këtë si shenjë dobësie”, tha zoti Graham.
Ligji i sanksioneve ndaj Rusisë
Masat ndëshkimore ndaj Moskës merren për shkak të ndërhyrjes ruse ndaj zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit të kaluar.
Fillimisht, këshilltarët e zotit Trump ishin shprehur kundër ligjit të sanksioneve, pasi ai përmbante një klauzolë që u jep ligjvënësve 30 ditë kohë për të rishikuar dhe bllokuar çdo përpjekje të Presidentit për të lehtësuar sanksionet kundër Rusisë.
Ligji i ri i sanksioneve vendos kufizime të reja ndaj kompanive amerikane që punojnë me kompani ruse të naftës dhe të gazit. Sanksionet u shtohen atyre të vendosura nga Presidenti Barack Obama për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane, përfshirë mbylljen e dy komplekseve në Shtetet e Bashkuara, që përdoreshin nga diplomatë rusë dhe dëbimin e 35 diplomatëve rusë.
Të dyja dhomat e Kongresit votuan me shumicë dërrmuese për miratimin e ligjit të sanksioneve, duke e bërë të pavlefshme veton e Presidentit, nëse ai nuk do ta nënshkruante ligjin.
Moska reagoi lidhur me ligjin e ri të sanksioneve, para se atë ta nëshkruante Presidenti Trump.
Presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi shkurtimin me 755 vetë të personelit diplomatik amerikan në Rusi.
Departamenti amerikan i Shtetit e quajti urdhrin e Presidentit Putin “një veprim për të ardhur keq dhe të pajustifikuar” dhe thotë se po analizon se si do të reagojë.
Nënshkrimi i ligjit të sanksioneve nga Presidenti Trump vjen ndërsa nënpresidenti Mike Pence u tha udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor se e ardhmja e tyre është “në Perëndim”, duke e cilësuar Rusinë “një vend të papredikueshëm”, që përpiqet për destabilizimin e rajonit.
Duke folur në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, zoti Pence tha se, “Rusia po i vazhdon përpjekjet për ndërrimin e kufijve ndërkombëtarë me forcë dhe këtu, në Ballkanin Perëndimor, ajo ka punuar për destabilizimin e rajonit, për të minuar demokracitë tuaja dhe për t’iu përçarë me njëri-tjetrin dhe me pjesën tjetër të Europës”.
Nënpresidenti Pence është zyrtari më i lartë amerikan që vizion Malin e Zi në 100 vjet. Ky vend u bë anëtar i NATO-s në qershor të këtij viti dhe Rusia është përpjekur të mos e lejojë atë t’i bashkohet Aleancës ushtarake.
“Ne kemi besimin se Ballkani Perëndimor do t’i bashkohet Perëndimit”, tha zoti Pence.
Shtëpia e Bardhë përgënjeshtron “Washington Post”
Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë një artikull të gazetës “Washington Post” që thotë se Presidenti Trump hartoi personalisht deklaratën, duke pretenduar se takimi mes djalit të tij, Donald Junior, zyrtarëve të fushatës së tij presidenciale dhe një grup rusësh nuk kishte lidhje me fushatën presidenciale republikane.
Shtëpia e Bardhë tha se, Presidenti Donald Trump mori pjesë në hartimin e deklaratës së publikuar në emër të djalit të tij muajin e kaluar, rreth një takimi të Donald Trump Jr., dhe zyrtarëve të tjerë të fushatës presidenciale me një avokate ruse. Megjithatë, zëdhënësja e zotit Trump tha se Presidenti nuk diktoi përmbajtjen e deklaratës, e cila brenda disa ditësh doli të ishte e pasaktë.
“Ai sigurisht që nuk diktoi deklaratën. Siç e thashë ai ofroi sugjerime siç do të bënte çdo prind”.
Donald Trump Junior më pas publikoi një seri e-mail-esh që tregonin se këshilltarë të Presidentit Trump në të vërtetë u takuan me një grup rusësh rreth mundësisë për të siguruar informacione negative ndaj kundërshtares së zotit Trump, demokrates Hillary Clinton.
Një ndërmjetës për avokaten ruse, Natalia Veselnitskaya kishte premtuar të dorëzonte informacione që dëmtonin zonjën Clinton gjatë takimit në Nju Jork ku merrte pjesë Paul Manafort, menaxheri i përgjithshëm i fushatës së zotit Trump në atë kohë dhe Jared Kushner, dhëndri i zotit Trump dhe këshilltari i tij i afërt.
Dy komisione të Kongresit dhe një prokuror i posaçëm po hetojnë nëse ekipi i zotit Trump bashkëpunoi në mënyrë të fshehtë me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.
Trump kërkon largimin e komandantit të ushtrisë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka propozuar largimin nga pozita e komandatit të ushtrisë së SHBA-së në Afganistan, John Nicholson, pas frustrimit se lufta kundër talebanëve është bllokur, kanë raportuar mediat.
Trump ka qenë tejet nervoz për mungesën e zhvillimeve në këtë çështje, gjatë një takimi në muajin e kaluar me këshilltarët e tij dhe ka kërkuar të informohet se cili do të jetë fundi i një lufte që ka zgjatur për 16 vjet, kanë raportuar “AP”, “Reuters” dhe media të tjera, duke cituar zyrtarë amerikanë anonimë.
Sipas tyre Trump ka thënë se sekretari i Mbrojtjes, James Mattis dhe stafi i tij duhet të konsiderojnë largimin e gjeneralit John Nicholson nga pozita e komandatit të forcave amerikane në Afganistan, pasi nuk është duke e fituar luftën.
Agjencia e lajmeve “Reuters”, ka raportuar se, Trump, ka thënë që SHBA-ja duhet të kërkojë nga Afganistani, një pjesë të fitimeve që ka ky vend nga pasuria minerale, e cila llogaritet të jetë në vlerë të 1 trilion dollarëve, në këmbim të ndihmës amerikane në qeverinë afgane.
Trump po ashtu është ankuar për fitimet e Kinës në minierat e Afganistanit, derisa SHBA-ja është duke shpenzuar për luftë.
Ky takim është mbajtur disa ditë pasi Presidenti Trump i pati ftuar një grup të veteranëve afganë në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar ide të ndryshme se si duhet fituar lufta.
Pentagoni është duke përgatitur një strategji të re në Afganistan dhe është thënë se Mattis, ka rekomanduar rritjen e numrit të trupave amerikane në Afganistan edhe për 4000, nga 8,400 sa i ka tani.
Asgjë nuk është miratuar deri më tash nga Presidenti Trump.
Rohani rizgjidhet president i Iranit

“Unë e konfirmoj votën dhe të emëroj si President të Republikës”, ka thënë lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në një ceremoni në Teheran, ku ishin pjesëmarrës zyrtarë iranianë dhe personalitete të vendit e të jashtme.
Rohani, 68-vjeçar, e ka fituar mandatin e dytë gjatë muajit maj.
Ai pritet të kryejë betimin në Parlamentin iranian më 5 gusht.
Gjatë komenteve të tij Rohani ka bërë thirrje për unitet.
“Ua zgjas dorën të gjithë atyre që kërkojnë më të mirën për vendin”, ka thënë ai, duke premtuar se do të vazhdojë përpjekjet e tij për të rregulluar marrëdhëniet me botën.
“Nuk do ta pranojmë kurrë izolimin”, ka thënë Rohani.
“Marrëveshja bërthamore është shenjë e vullnetit të mirë të Iranit në skenën ndërkombëtare”, ka thënë ai duke iu referuar marrëveshjes me fuqitë botërore, përmes së cilës, Iranit i duhet të zvogëlojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.