Pasi ka fituar Superkupën e Gjermanisë, trajneri i Bayern-it, Carlo Ancelotti, nuk është aspak i shqetësuar për presionin nga klubi, edhe pse miqësoret parasezonale i mbylli si mos më keq: 5 humbje, 1 fitore. “Klubi gjithmonë më ka mbështetur. Këtu ndihem si në një familje, ku të gjithë ecin në të njëjtin drejtim, duke nisur nga shoku im, Karl-Heinz Rummenigge. Ai është fantastik, një vëlla”, është shprehur italiani për median italiane.
I pyetur se kush do ta fitojë sivjet Ligën e Kampionëve, Don Carlo u përgjigj: “Bayern im, logjike. Nuk ka dyshime për fuqinë e skuadrës dhe cilësitë individuale. Bayern do të luajë një rol prej lideri në kampionat, Champions dhe çdo kompeticion ku do të marrë pjesë”. Gjithsesi, ai ua ka frikën disa skuadrave. “Real Madridi e ka fituar dy herë radhazi dhe ka lojtarë të jashtëzakonshëm. Barcelona ka ndryshuar trajner dhe do të nisë një epokë të re”, shtoi tekniku.
Përveç dy skuadrave spanjolle, Ancelotti përmendi edhe tri skuadra angleze. “Chelsea është gjithashtu favorite. Antonio Conte arrin të përcjellë mentalitetin e tij prej luftëtari në gjithë skuadrën. Te Manchester City, ndërkohë, pas një viti me Pep Guardiolën, do të shihni rezultate. Manchester United ka fituar Ligën e Evropës me Jose Mourinho-n. Ata kanë traditë dhe nuk duhen nënvlerësuar”.
Ancelotti: Kush e fiton Champions-in? Bayerni im!
Tenori lë Shqipërinë: Atdheun e ka kapur prej fyti një kastë krimi
Tenori i famshëm me origjinë nga Kavaja, Agim Hushi, ka shpërthyer me një deklaratë të fortë ndaj vendit dhe bashkëkombësve të tij.
Në rrjetet sociale, tenori me famë botërore e quan atdheun e tij të dështuar, që është kapur për fyti dhe po jep shpirt në duart e një kaste kriminale.
Duke shtuar se kjo kastë e bëri t’i vijë turp nga vetja, Hushi i thotë lamtumirë Shqipërisë, teksa shprehet se ndihet i lumtur dhe krenar për rikthimin dinjitoz si qytetar australian.
Reagimi i plotë:
Së fundmi rikthimi në qytetin tim, atje ku filloi karriera ime; në Sydney Opera!
Ndihem kaq i lumtur dhe krenar për këtë rikthim dinjitoz si qytetar australian!
Pas një viti qesharak më së fundmi erdha dhe unë tek termat serioze të realitetit të një atdheu të dështuar, që është kapur për fyti dhe po jep shpirt në duart e një kaste kriminele, ku vlerë kanë vetëm hajdutët, maskarenjtë, injorantët, baballarët tanë të kombit me hundët zbardhur nga kokaina!
Më bëtë të më vijë turp nga vetja që jam bashkëkombasi juaj!
Më dhemb që ai popull i mirë ka marrë pothuaj lehtësinë e një kopeje delesh për t’u çuar buzë greminës dhe kujtesa historike i është kthyer në një histeri politike të skajshme dhe pa asgjë që të kujton qytetërimin të cilit i përkasim!
Duke lënë pas sukseset e mëdha të një sheshi qesharak me majë dhe ujëra që rrjedhin si përrenj psiqikë të sëmurë dhe tregun e ri po ju prezantoj pamje të botës së lirë ku emrin e kryetarit të bashkisë së një qyteti 5 milionësh se di askush dhe ku kryetari i shtetit mban përgjegjësi edhe për menynë e pensionistëve!
Të një shteti që po përgatitet të dërgojë së shpejti 4 banorët e parë të përjetshëm tokësore në Mars!
Lamtumirë Shqipëri!! Faleminderit Australia ime!!!
Reagon Rama: Ika nga Samiti sepse nuk më priste dot helikopteri privat
Dy ditë pas skandalit me dëbimin e tij nga fotoja zyrtare e Samitit të Adriatikut në Podgoricë, ndonëse jo zyrtarisht Rama ka reaguar përmes “Top Channel”, duke justifikuar mospraninë e tij në foton ku mes liderëve të Ballkanit dhe zv.presidentit amerikan Pence mungonte vetëm ai.
Në vështirësi për të gjetur një justifikim të qenësishëm, Rama ka përdorur një sajesë që e nxjerr atë po aq qesharak sa vetë paraqitja e tij fyese në Samit.
Por, sipas “Top Channel” burime nga Kryeministria kanë sqaruar se, Rama nuk mori pjesë në foton familjare për shkak se gjithçka filloi me vonesë. “Kryeministri Edi Rama udhëtoi për në Podgoricë me helikopter. Aeroporti i Podgoricës ishte i mbyllur për arsye sigurie të fluturimit të Mike Pence dhe rihapej në orën 19.00 pasi të nisej zv.presidenti amerikan”, tha një burim zyrtar.
“Helikopterët tanë nuk udhëtojnë natën, ndaj i vetmi korridor ajror që delegacioni të nisej ishte ora 16.00. Sipas planit fillestar, në këtë orar duhet të kishin mbaruar të gjitha aktivitetet e Samitit, përfshirë dhe fotoja familjare. Por Samiti filloi me vonesë e gjithçka u shty, edhe fotoja familjare”, thonë burime pranë Kryeministrisë.
Pra, sipas reagimit të Kryeministrisë, që sigurisht është hartuar nga vetë Rama, kryeministri shqiptar e ka pasur me nxitim qëndrimin e tij në Samitin e Podgoricës ku ishte i pranishëm zv.presidenti amerikan Pence, pasi helikopteri i tij nuk e priste dot derisa të mbaronte punimet Samiti. Një justifikim qesharak dhe tallës që dëshmon se sa seriozisht i merr Rama gafa të tilla të rënda që cenojnë rëndë imazhin e Shqipërisë përballë partnerëve më strategjikë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për të përforcuar nxitimin e Kryeministrit Rama, të cilin nuk e priste dot helikopteri i tij privat, “Top Channel” vijon kronikën ndërsa shton: “Në këto kushte, Kryeministri Edi Rama zhvilloi takimin kokë me kokë me zv.presidentin Pence dhe u përshëndet me të dhe të gjithë liderët e rajonit, më pas ai u nis më përpara për shkak të detajeve të udhëtimit”.
Sipas këtyre pretendimeve, zv.presidenti amerikan ka qenë në dispozicion të Ramës, për ta pritur në takim kokë më kokë atë, menjëherë pasi kryeministri shqiptar më pas u përshëndet shpejt e shpejt me liderët e rajonit për të nxituar drejt helikopterit të tij privat.
Janë vetëm 24 zjarrfikëse për 15 vatra zjarri
Shpërndahen edhe më shumë zjarret në vend, sidomos në zonën e Elbasanit dhe në Llogara. Emergjenca Civile njofton se në Librazhd është djegur një shtëpi dhe disa bagëti. Ndërkohë që në Llogara vazhdon lufta me flakët.
Gjatë 24 orëve të fundit deri në orën 09:00 të mëngjesit të djeshëm janë shënuar 15 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Vlorë, Dibër, Elbasan, Shkodër, Fier, Berat, Lezhë.
Janë angazhuar 24 makina zjarrfikëse, 109 forca zjarrfikëse, 11 forca pyjore dhe helikopterë. Krahas tyre, Forcat e Armatosura vijojnë pa ndërprerje angazhimin në shuarjen e zjarreve: 320 efektivë janë në terren me 10 mjete dhe 14 zjarrfikëse.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
Qarku Elbasan
Në fshatin Gizavesh, Bashkia Librazhd, ka rënë zjarr në një banesë. Shërbimi vendor i MZSH të Bashkisë Librazhd ka arritur të shuajë zjarrin, ku si pasojë u dogj banesa dhe disa bagëti. Në fshatin Krastë, Bashkia Elbasan, është riaktivizuar sërish zjarri i rënë dy ditë më parë në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha.
Shërbimi i MZSH Elbasan ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar me të gjithë personelin për shuarjen e flakëve, por situata ka agravuar pasi zjarri është favorizuar dhe nga era e fortë.
Pas një pune të gjatë të MZSH Elbasan me ndihmën e MZSH Peqin, MZSH Përmet, MZSH Librazhd, MZSH Gramsh, MZSH Lushnjë, forcave ushtarake dhe të pyjores, u arrit shuarja e zjarrit, ku si pasojë u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha. Në fshatin Kostenjë, Njësia Administrative Lunik, Bashkia Librazhd, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Për shkak të terrenit të vështirë, ka qenë e pamundur ndërhyrja nga shërbimi i MZSH Librazhd. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.
Qarku Vlorë
Në fshatin Dukat, pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë, situata ka agravuar gjatë gjithë ditës pasi zjarri favorizohej dhe nga era e fortë. Për këtë shkak, Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile (DPEC) kanë komunikuar me Qendrën e Përgjigjes ndaj Emergjencave Civile në Bashkimin Europian (ERÇ) për dërgimin në vendin tonë të një avioni tip CANADAIR për të shuar vatrat e zjarrit.
Vatrat e zjarrit ndodhen në krahun e majtë në aksin rrugor Orikum-Llogara-Himarë, konkretisht: 1 në fshatin Dukat, 1 në Parkun Kombëtar të Llogarasë, 1 sipër fshatit Palasë dhe pjesa tjetër e vatrave të zjarrit janë në fshatrat e Lumit të Vlorës (Tërbaç, Vranisht dhe Kallarat).
Qarku Tiranë
Në Malin e Dajtit, pas ndërhyrjes së helikopterit, vatra e zjarrit është më pak aktive. Forca të MZSH Tiranë dhe forca ushtarake po punojnë për të mbajtur zonën nën kontroll nga vatrat e fshehura të zjarrit.
Qarku Dibër
Në fshatin Sllatinë, Njësia Administrative Sllovë, Bashkia Dibër, vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive. Për shkak të terrenit të thyer malor ka qenë e pamundur ndërhyrja nga shërbimi vendor i MZSH Dibër. Deri tani si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Qarku Shkodër
Në fshatin Lohe, Njësia Administrative Shkrel, Bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me hamullore dhe bimë medicinale. Shërbimi i MZSH Malësi e Madhe ka shuar zjarrin. Si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe rreth 3 ha me hamullore dhe bimë medicinale në pronësi të tri shtetasve.
Qarku Fier
Në fshatin Metoh, Njësia Administrative Aranitas, Bashkia Mallakastër, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shuarja e tij ka qenë e pamundur pavarësisht ndërhyrjes nga shërbimi vendor i MZSH Mallakastër. Deri tani si pasojë e flakëve u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Qarku Berat
Në fshatin Kuç të Bashkisë Skrapar, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi i MZSH Skrapar nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.
Qarku Lezhë
Në fshatin Simon, Njësia Administrative Kaçinar, Bashkia Mirditë, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Mirditë, nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Deri tani si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Pse Rama lë në maganiza helikopterët e emergjencave?
Ish-Kryeministri Berisha i është përgjigjur dje shqetësimit të ngritur nga një ndjekës i tij në Facebook, se përse gjatë kohës së qeverisjes së tij nuk u investuan për blerjen e mjeteve të duhura logjistike për të përballuar situata të fatkeqësive natyrore siç është rasti konkret ai i zjarreve masive.
Në një reagim të tij, Berisha bën të ditur se gjatë qeverisjes së tij janë blerë disa helikopterë nga Eurocopter me qëllim përdorimin e tyre në situata të tilla të emergjencave, por për përdorimin e tyre duhet të blihen kovat e ujit. Berisha tha se Rama ndonëse ka shpenzuar mbi 600 mijë euro në porositjen e “Benz-it” të tij të blinduar nuk investon asnjë qindarkë lekë në blerjen e kovave që duhen për shuarjen e zjarreve përmes helikopterëve.
“Zoti Garid Seno shkruan: ‘25 vjet o Salë nuk bletë një avion për fikjen e zjarreve, ngeli shteti duke lipur tek fqinjët dhe kur t’u fryhet atyre të vijnë, nëse vijnë, çdo gjë është shkrumbuar, turp i madh”.
Përshëndetje Garid! Lidhur me objeksionin tuaj për mungesën e avionëve kundër zjarreve ju sqaroj sa vijon:
Qeveria e mëparshme, në një kontratë me Eurokopter ka porositur disa helikopterë modernë të fuqishëm dhe multifunksionalë për ushtrinë. Këta helikopterë mbartin edhe kova uji disa tonëshe për shuarje zjarresh dhe përdoren me sukses për këto qëllime në të gjitha vendet që kanë probleme me zjarrin. Por për t’i përdorur ata për këtë qëllim, duhet që të blesh kovën e ujit. Mirëpo Edi Rama e ka mendjen tek ‘Benz’-at e blinduar për veten e tij.
Kështu ai, përveç një ‘Benz’-i të blinduar që kishte në Kryeministri prej vitesh, sapo erdhi në pushtet mori për përdorim personal ‘Benz’-in e blinduar të blerë për transportin e personaliteteve të huaja që vizitojnë Shqipërinë. Rama më vonë porositi me mbi 600 mijë euro një tjetër ‘Benz’ të blinduar për vete, ndërkohë që me ato para mund të blinte 15 kova për helikopterët Puma për shuarjen e zjarreve në vend. Por problemi i tij është se ai mendon vetëm për veten e tij!”.
Meta me ministrin Demiraj për zjarret që po shkrumbojnë vendin
Presidenti Ilir Meta ka bërë një apel për angazhim maksimal dhe solidaritet institucional e njerëzor në përballimin e situatës së vështirë në zonat e prekura nga zjarret.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj gjatë të cilit kreu i shtetit diskutoi me shqetësim dhe vëmendje maksimale mbi situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi ynë për shkak të zjarreve në disa qarqe.
Presidenti u interesua për masat e marra nga strukturat e shtetit, nga shërbimet e emergjencave dhe ato zjarrfikëse, si dhe autoritetet vendore, të përfshira në përpjekjet për përballimin e kësaj gjendjeje të vështirë; u interesua dhe u njoh në detaje mbi gjendjen aktuale në qarqet e prekura nga përhapja masive e zjarreve, në veçanti për jetën e banorëve të zonave të rrezikuara, masat e marra për kontrollin dhe eliminimin e rrezikut, si dhe problematika të tjera të lidhura me to.
Presidenti Meta vlerësoi maksimalisht dhe inkurajoi punën e admirueshme dhe sakrificat vetëmohuese të forcave zjarrfikëse, të personelit të Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme, njësive të emergjencës, si dhe drejtuesve të pushtetit vendor për të neutralizuar zjarret e për t’iu ndodhur pranë qytetarëve të prekur nga këto vatra zjarri.
Kreu i shtetit shqiptar përgëzon të gjithë ata të cilët, pavarësisht nga vështirësitë dhe rrethanat e jashtëzakonshme, kanë bërë gjithçka në mbrojtje të jetës së banorëve të rrezikuar dhe përballimit të situatës me sa më pak dëme materiale, apelon për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës, duke u bërë thirrje të gjitha autoriteteve që të marrin masa drastike në përputhje me ligjin për parandalimin e zjarrvënieve të qëllimshme.
Presidenti i Republikës u bën thirrje dhe nxit institucionalisht të gjithë autoritetet qendrore e vendore të vazhdojnë përpjekjet dhe komunikimin intensiv mes tyre, për koordinimin në kohë dhe me efektshmërinë e duhur të marrjes së masave të emergjencës, për t’u ardhur në ndihmë zonave dhe qytetarëve të prekur nga zjarret, duke vlerësuar njëkohësisht e shprehur mirënjohjen për ndihmesën, gatishmërinë dhe solidaritetin e vendeve fqinje dhe partnerëve ndërkombëtarë.
KLSH padi penale për 5 ish-regjistrues në Korçë
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programeve të auditimit nr. 285/1, datë 15.03.2017 dhe 702/2, datë 15.10.2015 ka përfunduar auditimin në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, për periudhën janar 2014 – dhjetor 2016 të aktivitetit të këtij institucioni.
Me Vendimin nr. 84, datë 07.07.2017 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, duke i rekomanduar me shkresën nr. 285/9 datë 07.07.2017 Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, masa me karakter organizativ dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 39,2 milionë lekë.
Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish të zbatimit të dispozitave ligjore në fuqi, duke cënuar interesin publik:
– Në 5 raste, në Zonat Kadastrale (ZK) ZK 8561, ZK 2307 dhe ZK 3819, fshati Voskopojë janë regjistruar toka sipas Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) dhe AMTP-ve u mungon njëra nga vulat, për të cilat, nuk janë verifikuar elementet e formës dhe të përmbajtjes së Aktit Administrativ, veprime këto në papajtueshmëri me shkronjën “a” i nenit 25, të Ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, UKM nr. 2, datë 13.06.2013 “Për mënyrën e procedimit të organeve të administratës publike, për pasuritë e paluajtshme, të fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)” dhe UKM nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementëve të akteve, që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të proçedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”.
– Në 3 raste, ZVRPP Korçë ka regjistruar pasuritë e paluajtshme për poseduesit e AMTP-ve përkatëse, të cilët kanë përfituar më tepër tokë, se sipërfaqja e përcaktuar në AMTP, në total sipërfaqen prej 7230 m2, e llojit arë.
– Kanë regjistruar sipërfaqen prej 2500 m2 lloji “Truall” në ZK 8562 “Korçë”, përfituar me kontratë shitje nga Këshilli i Rrethit Korçë në favor të një blerësi privat, ndërkohë që privatizimi i këtij trualli është në kundërshtim me Ligjin nr. 7980, datë 27.7.1995 “Për shitblerjen e trojeve” me një diferencë çmimi të papaguar prej 20,473 mijë lekë, që përbën dëm ekonomik për fondin e kompensimit të ish-pronarëve.
-Në 2 raste, në ZK 2631 “Mborje”, kanë regjistruar pasuri “Reparti i parafabrikateve i poligonit të ndërtimit”, me sipërfaqe të përgjithshme 15035 m2 të përfituar nga privatizimi, në mungesë të kontratës së marrëdhënieve me truallin (kontrata e qirasë) ose dokument tjetër si vendim i KKK Pronave, etj., për sipërfaqen 5035 m2 nuk kanë likuiduar vleftën e objektit si dhe qiranë për 5035 m2, për periudhën 3-vjeçare të përdorimit në vlerën 16,714 mijë lekë, për të cilën nuk është paraqitur asnjë dokument financiar vërtetues, që përbën dëm ekonomik për buxhetin e shtetit.
-Kanë regjistruar pasurinë në 500 m2, duke kaluar nga pronësia shtet sipërfaqen prej 250 m2, pa ndonjë akt që përbën Titull Pronësie.
– Kanë regjistruar pasurinë nr. 1/738, truall me sipërfaqe 859 m2 dhe objekt me sipërfaqe ndërtimi 435 m2, ZK nr. 8561, është kryer regjistrimi i truallit si shesh ndërtimi, ndërkohë që kjo pasuri rezulton e kufizuar për mungesë të dokumentacionit të pronësisë.
– Kanë regjistruar pasurinë “Arë” me sipërfaqe 15675 m2, ZK 2631 “Mborje”, bazuar në vendimin nr. 231, datë 26.10.2007 të ZRKK Pronave, Qarku Korçë, nga ku rezulton se për sipërfaqen 15030 m2 është ndryshuar zëri kadastral “Pyll” në zërin “Arë”.
-Kanë lejuar 6 raste me sipërfaqe 436.1 m2 kryerjen e veprimeve dhe transaksioneve, duke lëshuar çertifikata pronësie, për pasuri që janë regjistruar, në kundërshtim me dispozitat ligjore, dhe pa llogaritur qiranë me vlerë 1,319 mijë lekë.
-Në 1 rast në ZK 2462 “Liqenas”, kanë regjistruar pasuritë me sipërfaqe 70 m2 më tepër,e cila nuk përfshihet në kontratën e shitjes, për rrjedhojë kjo kontratë nuk duhej të ishte regjistruar nga ZVRPP Korçë pa u zgjidhur problemi i objektit: “Stacioni i pompimit”, si dhe për sipërfaqe 5100 m2 “Kullotë”, kanë kryer ndryshimin e zërit kadastral nga “Kullotë” në “Truall”.
-Në 1 rast, në ZK 8662, “Korçë”, ka regjistruar pasuri “Truall” 160.65 m2 dhe “Ndërtesë”: 124.30 m2, të përfituar sipas nenit 25/b, të ligjit nr. 33/2012, datë 21.03.2012, ndëkohë që baza mbi të cilën është mbështetur kërkesa është Vendimi i Gjykatës së Rrethit Korçë, “Vërtetim fakti juridik i pronësisë”, i cili nuk mund të merret si bazë, sepse është në kundërshtim me nenin 193, të Ligjit nr. Nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë” .
-Në 3 raste, në ZK 8662, “Korçë”, kanë regjistruar pasuri “Truall”: 232 m2 dhe “Ndërtesë”: 113.50 m2, dhe regjistrimin e pasurisë 3/932 me siperfaqe trualli 549 m2 v.38, faqe 63, sipas nenit 25/b, duke favorizuar persona të tretë, me pasuri të përfituara sipas nenit 25/b, të Ligjit nr. 33/2012, datë 21.03.2012, me mungesë të dokumentacionit tekniko-ligjor, sipas nenit 193, të Ligjit nr. 7850, datë 29.07.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”.
-Në 5 raste për sipërfaqe 2733 m2, kanë kryer kalimin nga sistemi hipotekor në sistem regjistrimi, duke lëshuar çertifikata pronësie, edhe pse ka rezultuar se ka rritje të sipërfaqes së truallit në + 449 m2, e pa mbështetur me dokumentacion pronësie.
– Në 1 rast, në ZK 1538 “Drenovë”, kanë regjistruar pasuri “Stalla komplekse të ndodhur tek ish-fusha e aviacionit”, me sipërfaqe “Ndërtesë” 4545 m2 dhe “Truall” 10067 m2, të përfituar nga privatizimi, sipas Ligjit nr. 7512, datë 10.08.1991, ku sipërfaqja rrjedh nga bashkimi i 5 pasurive, ndërmjet të cilave pasuritë “Rrugë”, “Kanal”, “Shesh”, për një sipërfaqe prej 5003 m2, veprime në kundërshtim me ligjin nenet 14 dhe 21 të Ligjit nr. 7512, datë 10.08.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarur dhe privatizimit”, ku lejohet vetëm dhënia me qira ose shitja e “Truallit” dhe jo e llojeve të tjera të pronës dhe me Kodin Rrugor.
-Në 1 rast kanë regjistruar pasurinë me sipërfaqe 138.9 m2 dhe në origjinë nuk është llogaritur qiraja për periudhën 6-mujore nga privatizimi deri tek shitja, me një vlerë prej 1.318 mijë lekë, me parregullsi dhe mungesë të dokumentacionit tekniko-ligjor.
– Kanë regjistruar Vendimin nr. 56, datë 13.01.2016 të Gjykatës së Rrethit Korçë, për pasurinë 719/1 me sipërfaqe 4,400 m2, duke ndryshuar zërin kadastral nga shkëmb në arë, duke vepruar në kundërshtim me Vendimin nr. 33, datë 08.12.2005 të Gjykatës Kushtetuese, Ligjin nr. 9385, datë 04.05.2005 “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, i ndryshuar me Ligj nr. 15/2012, datë 16.02.2012 dhe Ligjin nr. 8752, datë 26.03.2001 “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, i ndryshuar.
– Në 1 rast, fshati Voskopojë kanë korrigjuar sipërfaqen e parcelës nr. 902, pjesë e së cilës është edhe pasuria nr. 902/3, me sipërfaqe 3000 m2 dhe nga korrigjimi ka ndodhur rritja e sipërfaqes së pasurisë, nga 3000 m2 në 54800 m2 në emër të një privati, i cili në fakt posedon me AMTP vetëm 3000 m2. ZVRPP Korçë nuk ka veçuar e regjistruar në llojin “shtet” sipërfaqen e tepërt prej 51800 m2, e llojit “pemëtore”.
– Në 5 raste për regjistrimin e ndërtesave me sipërfaqe totale 11535 m2, kanë regjistruar në favor të 5 subjekteve private, në mungesë dhe me parregullsi të dokumentacionit tekniko-ligjor, pasi mungon deklarata e përputhshmërisë, bashkëlidhur Lejes së Përdorimit, e cila kofirmon kryerjen e punimeve në përputhje me normat e standardet e sigurisë në fuqi.
– Në 24 raste janë regjistruar leje legalizimi, ndërsa në genplanin e hartuar nga Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Qarku Korçë, nuk janë përcaktuar shenja lidhëse të parcelës ndërtimore me objektin, rruga hyrëse dhe dalja nga parcela ndërtimore, etj.
– Në 5 raste për 5 AMTP për afro 8 pasuri, nuk janë ndjekur procedurat për masë kufizimi lidhur me zbatimin e vendimeve që kanë marrë formë të prerë, marrë nga Gjykata e Shkallës Parë Administrative Korçë dhe Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë (KVVTP) Prefekti Qarkut Korçë, të urdhëruar me kthimin me pronar shtet, për sipërfaqen totale prej 20200 m2.
– Në 3 raste janë regjistruar pasuri të përfituara me leje ndërtimi dhe nuk është llogaritur e arkëtuar, detyrimi i pagesës së taksës për sipërfaqen e përbashkët 1649 m2 në vlerën prej 1,151 mijë lekë.
– Në 1 rast është regjistruar pasuria ndërtesë me sipërfaqe 138.9 m2 me leje legalizimi nr. 110/683, datë 23.01.2015, ku evidentohet se legalizimi i ndërtimit ndodhet në pronën e përfituar nga privatizimi i Parkut të Transportit, duke mos llogaritur dhe arkëtuar detyrimin e qirasë me vlerë 1,318,464 lekë .
Për këto shkelje, me shkresën Nr. 285/9 datë 07/07/2017 KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë për SH.V, AK, DH.Ç, K.B dhe E.R, ish-regjistrues të ZVRPP Korçë, si dhe për A.D dhe E.N, nëpunës të këtij institucioni, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal.
Me shkresën nr. 285/11, datë 07.07.2017, KLSH, bazuar në nenin 281, të Ligjit nr. 7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në germat “e” dhe “ç”, neni 11, kreun IV, nenin 37 të Ligjit nr. 7691, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Ligjin nr. 33/2012, datë 29.4.2012 “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, si dhe në kontratën individuale të punës, i ka rekomanduar Kryeregjistruesit të ZQRPP Tiranë, fillimin e procedurave administrative për dhënien e masës disiplinore nga “Vërejtje” deri “Ndërprerje të marrëdhënieve të punës”, sipas shkallës së përgjegjësisë, për 9 nëpunës të ZVRPP Korçë.
Shënim. Në faqen në internet të KLSH-së gjendet i plotë Vendimi i Kryetarit të KLSH me nr. 84, datë 07.07.2017 në lidhje me këtë auditim.
Rrëzohet DAP, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit Ndreca nën hetim

Drejtoria e Administratës Publike është dorëzuar para Ministrisë së Arsimit, për sa i përket çështjes së sekretarit të Përgjithshëm të këtij institucioni Plarent Ndreca. Ministrja e Arsimit, Karabina, prej disa kohësh ka kërkuar largimin nga detyra të Ndrecës, si dhe ndjekjen e tij penalisht, por DAP vendosi rikthimin e tij në punë. Ndërkohë që tashmë është vendosur përfundimisht që ndaj Ndrecës të merren masa disiplinore. Pasi e pushoi nga puna, ministrja teknike Mirela Karabina, e ka paditur Plarent Ndrecën në Prokurori, ky i fundit i pezulluar nga detyra e sekretarit të Përgjithshëm. Karabina ka kallëzuar në Prokurori Plarent Ndrecën për shpërdorim detyre, pasi Ndreca ka abuzuar, duke nënshkruar një kontratë prej 86 milionë lekësh të vjetra (pa TVSH), për botime. Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, kallëzimi në Prokurorinë e Përgjithshme është bërë pasi Ndreca, në kundërshtim me aktet ligjore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ka firmosur si titullar i autoritetit kontraktor për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit një kontratë me një operator ekonomik. “Konsiderojmë se vazhdimi i ushtrimit të paligjshëm të funksioneve shtetërore nga ana e shtetasit Plarent Ndreca është shpërdorim i hapur i detyrës me pasoja të rënda ligjore dhe financiare për institucionin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe buxhetin e shtetit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Arsimit. Në vijim të kallëzimit penal me Nr. 2466-M, datë 12.06.2017 për shtetasin Plarent Ndreca, për shkelje të rënda ligjore të bëra gjatë ushtrimit të detyrës së tij si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit deri më datën 13.06.2017, titullari i këtij institucioni Mirela Karabina, ka depozituar, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimi penal me Nr. Prot extra 12, datë 24.07.2017 për shtetasin Plarent Ndreca, i pezulluar nga detyra e sekretarit të Përgjithshëm, si dhe i shfuqizuar nga kompetencat që përmban ky funksion.
Ministri i Drejtësisë kundër Ramës, hipotekat nën hetime
Ministri i Drejtësisë, del me një deklaratë të fortë kundër kryeministrit Edi Rama lidhur me thirrjen e tij të prerë për dorëheqjen e të gjithë krerëve të hipotekave. Ai shprehet se ata kanë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve.
Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi, është njohur dje me kërkesën për dorëheqje të Regjistruesve të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës, Vlorës, Kukësit, Dibrës, Elbasanit, Tropojës, Hasit, Matit, Kuçovës, Bulqizës, Lezhës, Kurbinit, etj.
Duke vlerësuar se dorëheqjet vijnë në vijim të konstatimit publik të Kryeministrit të Shqipërisë, se këta funksionarë publikë kanë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve, duke konsumuar një tallje kolektive dhe individuale me njerëzit, ministri i Drejtësisë ka marrë një vendim të ndërmjetëm, për pezullimin e procedurave të miratimit të dorëheqjes së tyre, deri në përfundimin e një hetimi të plotë administrativ mbi veprimtarinë e këtyre funksionarëve publikë.
Kjo masë vjen në kuadër të detyrimit moral dhe ligjor që kanë autoritetet publike, që kur konstatojnë shkelje të të drejtave të qytetarëve, të mos pranojnë dorëheqjen e zyrtarëve, por t’i bëjnë ato t’i nënshtrohen pasojave që parashikon ligji.
Për këtë qëllim, ministri Bardhi, ka urdhëruar Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që nën mbikëqyrjen e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, të ngrejë 3 grupe kontrolli, me qëllim inspektimin e veprimtarisë së Regjistruesve në ZVRPP përkatëse.
Afati i ushtrimit të kontrollit është 10 ditë nga hyrja në fuqi e urdhrit. Gjatë kësaj periudhe, me qëllim mos pengimin e veprimtarisë së grupeve të kontrollit dhe vijimin normal të punës në ZVRPP, ministri i Drejtësisë ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Regjistruesve përkatës, deri në përfundimin e hetimit administrativ.
Ministri i Drejtësisë shpreh vendosmërinë e tij se të gjithë Regjistruesit e ZVRPP që kanë kryer shkelje gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe kanë cenuar të drejtat e ligjshme të qytetarëve shqiptar, do të largohen nga detyra me masë disiplinore “Shkarkim nga detyra”, me qëllim shmangien e ushtrimit të funksioneve publike në të ardhmen.
Që nga data e fillimit të detyrës së tij dhe deri më sot, ministri Bardhi ka urdhëruar shkarkimin nga detyra të rreth 1/4 së të gjithë Regjistruesve të ZVRPP dhe garanton se nuk do të hezitojë ta bëjë këtë në asnjë rast kur konstatohet cenimi i interesave të qytetarëve apo abuzimi me detyrën.
Për ministrin e Drejtësisë z. Gazment Bardhi, zyrtarët publikë që cenojnë interesin e qytetarëve shqiptar, apo që kryejnë shkelje të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, deri në nivelin e talljes kolektive me to, nuk mund të largohen me akt dinjiteti, pra me dorëheqje.
Largimi i tyre nga detyra, duhet të jetë një përpjekje e autoriteteve përgjegjëse për të zhdëmtuar cenimin e dinjitetit të qytetarëve, duke i larguar këta zyrtarë me masë disiplinore “shkarkim nga detyra”, apo duke përcjellë informacionin për shkeljet e tyre në organet kompetente.
Kjo do të pamundësonte, që në rrethana të caktuara, apo për qëllime politike të momentit, këta funksionarë të riktheheshin në funksione publike në administratë shtetërore dhe të bëheshin premisë për cenimin e interesit të qytetarëve përsëri në të ardhmen.
Ministria e Drejtësisë shpreh të gjithë angazhimin e saj institucional në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe ndëshkimin e çdo zyrtari publikë që abuzon me qytetarët.
Në këtë drejtim, ministri i Drejtësisë z. Bardhi paralajmëron çdo punonjës të ZVRPP të bëjnë kujdes në ushtrimin e detyrës dhe të veprojnë me përgjegjshmëri në zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve, përndryshe do të përballen pa asnjë diskutim me pasojat e shkeljes së ligjit.