Një denoncim ka ardhur në redaksinë e Syri.net lidhur me tenderat që zhvillon Posta Shqiptare. Denoncuesi e konsideron skandal tenderin më të fundit zhvilluar në maj, ku kompanive të thirrura në tender iu jepej një adresë mashtruese dhe tenderi realisht zhvillohej në një ambient tjetër.
Denoncuesi po ashtu jep edhe provat e këtij skandali.
Ja çfarë shkruan ai:
Skandal tek Posta Shqiptare: publikon adresë tjetër të zhvillimit të tenderit, nga kjo ku realisht bën hapjen e ofertave dhe marrjen e modeleve. Në datë 10 korrik 2017, Posta Shqiptare zhvilloi tenderin me objekt “Blerje shtypshkrime 2017” me fond limit 50.593.702 lekë pa tvsh. Një nga kriteret për t’u kualifikuar ishte paraqitja e modeleve në datën dhe orën e hapjes së ofertave.
Në dokumentat standarde të tenderit, adresa e publikuar ishte: “Posta Shqiptare sha, Terminal Center, Kthesa e Kamzës, Tiranë”.
Ndërkohë që në mënyrë totalisht të jashtëligjshme, por me sa duket edhe të qëllimshme, hapja e ofertave nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave si edhe pranimi i modeleve të kërkuara u bë në godinën e Postës, tek rruga “Reshit Çollaku”.
Ky ndryshim i paralajmëruar dhe i papublikuar më parë, madje as edhe kur Posta vendosi të ndryshojë disa kritere si pasojë e ankesave të shumta nga operatorë të ndryshëm në lidhje me kriteret diskriminuese të vëna, krijoi konfuzion tek kompani të ndryshme të cilat iu drejtuan zyrave në adresën e publikuar në dokumentacion.
Kjo “surprizë” i vuri kompanitë në vështirësi, pasi kur mësuan se ku po bëhej procedura ishte tepër vonë dhe KVO i skualifikoi për mosardhje në orar.
Shprehja “duke pyetur gjen Stambollin” nuk vlen për KVO-n e Postës, e cila preferon të luajë kukamçefti me kompanitë.
Është për t’u theksuar fakti që edhe mbas 4 vitesh, KVO e Postës ka një gjë që s’ndryshon asnjëherë: emrin e fituesit!!! Nga 8 kompani, 7 rezultojnë të skualifikuara, vetëm një e kualifikuar.
Sigurisht, nga ta gjenin KVO-n?!
Të njëjtin rezultat ka edhe tenderi tjetër për “Prodhimin e Pullave”, po i njëjti emër fiton.
Gjithashtu, Komisionit të Vlerësimit të Ofertave po i bashkëngjitim edhe foto të reklamës së Postës Shqiptare tek Terminali Center, të bëra në datat 26 – 28 korrik.
Pra, Drejtoria e Postës aty vazhdon të jetë, veç KVO ka marrë drejtim të paditur. Duhet lajmëruar Prokuroria t’i gjejë, se të tjerët nuk kanë shanse!
Skandal i Postës me tenderat
Shqipëria shtyn sanksionet ndaj Rusisë
Shqipëria ka shtyrë afatin e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë deri më 31 janar 2018.
Ky vendim i qeverisë shqiptare vjen pas vendimit të Këshillit të BE-së, marrë më 28 qershor, për të shtyrë sanksionet ndaj Rusisë deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm. Përveç Shqipërisë, dhe Mali i Zi, Norvegjia dhe Ukraina kanë marrë të njëjtin vendim.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini përshëndeti vendimin e këtyre shteteve se pavarësisht se nuk janë pjesë e BE-së, i janë bashkuar nismës së saj.
Sanksionet ekonomike të BE-së ndaj Rusisë u vendosën në vitin 2014, si përgjigje ndaj pushtimit të Krimesë nga Rusia. Sanksionet kishin për qëllim goditjen e sektorit të energjisë, industrisë së mbrojtjes dhe financave. Vendosja e sanksioneve e bëri më të vështirë hyrjen e Rusisë në tregjet kapitale evropiane. Shqipëria iu bashkua nismës së BE-së që në vitin 2014.
Presidenti rus Vladimir Putin, po ashtu ka vendosur shtyrjen e sanksioneve ndaj vendeve që kundërshtuan Rusinë dhe vendosën saksione ndaj saj deri më 31 dhjetor 2018.
OKB: ISIS po vazhdon genocidin
Komisioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka thënë se grupi militant, Shteti Islamik është duke kryer gjenocid kundër jazidëve, grup minoritar në Irak dhe Siri.
Sipas këtij komisioni, bota ka bërë pak për ta parandaluar këtë gjë.
Ky komision i Hetimeve në Siri, ka raportuar se luftëtarët e Shtetit Islamik janë duke tentuar të shesin gratë dhe vajzat jazidi përpara se të ikin, pas përshpejtimit të fushatës për largimin e militanëve të Shtetit Islamik nga qyteti Raka.
“Gjenocidi është duke vazhduar dhe mbetet i pazgjidhur, pavarësisht obligimit të Shteteve të Bashkuara, për të ndaluar dhe ndëshkuar krimin”, është thënë tutje nga ky komision.
Më 2015, në Sinjar të Irakut janë gjendur rreth 30 varreza masive të jazidëve.
“Mijëra burra dhe djem jazidi mbeten të zhdukur derisa grupi terrorist vazhdon të kryejë sulme brutale ndaj rreth 3,000 vajzave dhe grave në Siri”, ka thënë ndër të tjera komisioni.
Si i manipulon Rama ndërkombëtarët
Nga Vincent Van Gerven Oei
Ajo çfarë ka bërë përshtypje këto katër vjet është mbështetja që Kryeministri Edi Rama duket se gëzon brenda komunitetit ndërkombëtar, edhe pse sistemi i tij i vlerave ka pak të përbashkëta me shtetin e të drejtës dhe demokracinë.
Unë kam shkruar edhe më parë se si komuniteti ndërkombëtar nuk arrin ta kuptojë sistemin politik dhe ekonomik që po legjitimohet kohët e fundit në Shqipëri, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama, i ndihmuar nga një grup i lodhur laburistësh të “Rrugës së Tretë”, ka qenë në gjendje të kontrollojë mënyrën si flitet për vendin e “tij”.
Sidoqoftë, suksesi i tij nuk është thjesht rezultat i një PR të zgjuar, por është gjithashtu rezultat i padijes së përhapur mbi Shqipërinë dhe një orientalizmi të skalitur thellë. Sot, në politikën dhe diplomacinë ndërkombëtare ekzistojnë disa narrativa të rëndësishme që ushqehen nga ky orientalizëm, të cilin Rama e ka përqafuar me sukses në marrëdhëniet e tij me jashtë:
Kërcënimi i ekstremizmit/terrorizmit radikal mysliman;
Kërcënimi i zgjerimit të ndikimit të Rusisë në Ballkan;
Kërcënimi i paqëndrueshmërisë së rajonit.
Rama e ka portretizuar Shqipërinë si një vend në të cilin të katër besimet fetare- mysliman, bektashi, katolik dhe ortodoks -jetojnë në harmoni së bashku, si për shembull gjatë paradës së udhëheqësve botërorë pas sulmit ndaj zyrave të revistës “Charlie Hebdo” në Paris në janar të vitit 2015; si dhe një vend me shumicë myslimane ku ekstremizmi mund të shpërthejë në çdo moment.
Rama e ka përdorur me sukses kartën e ekstremizmit mysliman në një sërë situatash, në veçanti si kërcënim ndaj BE-së me qëllim përshpejtimin e hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Në korrik 2015, në një artikull të “Financial Times” shkruhej:
Si paralajmërim për rrezikun e mundshëm të përhapjes së radikalizmit islam në Ballkan, Edi Rama tha: “Një i ri në Tunizi apo Tobruk ndjen se nuk ka të ardhme. Por në Shqipëri ylli në qiell është Evropa. Nëse BE nuk është e aftë të tregohet ashtu siç pritet, atëherë do të ketë një hapësirë të madhe për islamin radikal”.
Ndërsa në dhjetor 2016, Edi Rama pohoi për gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se:
Nëse duam të kemi një BE të sigurt dhe të qëndrueshme dhe me të edhe një Europë të sigurt, nuk është mirë të ketë boshllëqe.
Për më tepër, nuk duhet të harrojmë që ka gjithashtu aktorë të tjerë, palë të treta, që po luajnë lojën e tyre dhe që do të përfitonin nëse BE do të linte një boshllëk këtu. E kam fjalën për Rusinë, por gjithashtu e kam fjalën për islamin radikal.
Fakti është se nuk është besimi ai që nxit ekstremizmin dhe terrorizmin, por diskriminimi shoqëror, varfëria dhe shtypja e vazhdueshme. Ekstremizmi mysliman nuk mund të shfaqet befas në momentin që BE ndalon apo ngadalëson zgjerimin e saj.
Sidoqoftë, kjo narrativë godet në shenjë në pjesë të caktuara të komunitetit ndërkombëtar, në mos për tjetër, për shkak të racizmit dhe islamofobisë të ngulitur thellë.
Ky fakt i thjeshtë, që Shqipëria është një vend me shumicë myslimane- edhe pse të dhënat e regjistrimit të fundit të popullsisë nuk përfshijnë besimin dhe shumica e popullsisë është ateiste në çdo lloj kuptim dhe për çdo lloj qëllimi -është i mjaftueshëm për ta vendosur atë në krye të listës së vendeve të rrezikuara nga ekstremizmi islamik. Rama i ka luajtur të dyja rolet në këtë lojë, si atë të garantuesit të tolerancës fetare, edhe atë të paralajmëruesit për rritjen e vazhdueshme të mundësisë për radikalizim.
Narrativa e dytë është ajo e Rusisë. Në ndryshim nga vendet sllave që e rrethojnë, Shqipëria nuk ka ndonjë histori të marrëdhënieve me Rusinë dhe në fakt ka qenë vendi i parë i bllokut lindor që preu lidhjet me Bashkimin Sovjetik pas vdekjes së Stalinit. Në Shqipëri nuk ka asnjë shtrat për ndonjë lloj pansllavizmi, sikurse nuk ka asnjë provë të ndërhyrjes së Rusisë në politikën shqiptare. Por Rama e përmend “Rusinë” në të njëjtën frymë me “islamin radikal” duke e ditur se ato janë dy kokëçarjet më të mëdha për funksionarët e SHBA-ve dhe të BE-së.
Narrativa e tretë është ajo e “Ballkanit”, e cila ngjall menjëherë imazhet e luftës dhe gjenocidit. Nuk ka asnjë rëndësi që Shqipëria nuk ka qenë direkt e përfshirë në asnjë nga luftërat e fundit të zhvilluara në Ballkan, sikurse nuk ka rëndësi as fakti që në Shqipëri mungojnë ndarjet etniko-fetare që mund të jenë nxitëse të konflikteve të tilla. E vërteta është se Shqipëria e percepton veten (paçka se padrejtësisht) si mono etnike dhe paqëndrueshmëria e fundit që ajo ka përjetuar u shkaktua nga probleme ekonomike, jo nga probleme etnike apo fetare.
Sërish Rama ka qenë i aftë të përfitojë nga kërcënimi i “paqëndrueshmërisë” së Ballkanit, duke u pozicionuar si një udhëheqës i “qëndrueshëm” dhe si një “urë” ndaj vendeve të tjera të Ballkanit. Kjo aftësi e tij është shfaqur më mirë se kudo në gjithë qasjen e tij në kuadër të nismës së Merkelit për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë një skenë a jashtëzakonshme për Ramën për të luajtur rolin e udhëheqësit paqësor dhe bashkëpunues perëndimor.
Kështu Rama ka përfituar para së gjithash nga steriotipi thuajse automatik që ekziston për Shqipërinë në qarqet ndërkombëtare si një vend me “shumicë myslimane” dhe një vend “ballkanik”. Përballë këtij steriotipi Rama e ka pozicionuar mjeshtërisht veten si njeri kozmopolitan, si një udhëheqës i ndriçuar, i cili e mban gjithçka të bashkuar, duke i mundësuar vetes zgjerimin e kapitalit të tij politik.
Por pavarësisht nga e gjitha kjo, Rama ka mbetur relativisht i izoluar në arenën politike ndërkombëtare. Vizitat në Tiranë të krerëve të shteteve perëndimore apo të Ramës në vendet e tyre janë të rralla dhe pjesa më e madhe e ndërveprimit të tij me ndërkombëtarët ndodh gjatë takimeve dhe konferencave në të cilat ai ftohet sepse kështu e do rregulli.
I vetmi përjashtim është Turqia. Marrëdhëniet e Ramës me regjimin e Presidentit Tajip Erdogan janë miqësore dhe personale. Ai ishte dëshmitari personal në dasmën e vajzës së Erdoganit më 14 maj 2016, së bashku me udhëheqësit e vendeve të tjera myslimane aziatike.
Qeveria shqiptare, gjithashtu, ka mbështetur qeverinë turke në gjuetinë e shtrigave ndaj të ashtuquajturve “terroristë” anëtarë të organizatës së profetit mysliman Fetullah Gylen, ndërsa vendet e tjera europianoperëndimore, si Gjermania dhe Greqia, u kanë dhënë atyre azil politik.
Rama ka falënderuar publikisht Presidentin Erdogan për mbështetjen e tij për uniformat e reja të policisë shqiptare, ndërsa kohët e fundit ai njoftoi se do të krijohet një kompani e re ajrore shqiptare nën kujdesin personal të Erdoganit. Asnjë udhëheqës tjetër i huaj nuk ka pasur një trajtim të tillë.
Por a ka ndonjë person të interesuar në marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Ramës dhe Erdoganit dhe çfarë mund të na thonë këto marrëdhënie për katërvjeçarin e ardhshëm të politikës shqiptare?
Për katër vjet, komuniteti ndërkombëtar është vënë në lojë për shkak të paragjykimeve orientaliste dhe koncepteve të vjetëruara mendore.
Ndoshta është koha që të shikohet ajo çfarë Rama bën në të vërtetë, në vend që të fantazohet se nga çfarë po na mbron ai.
“Exit.al”
Dyshime policisë për atentatin
Dyshimet mbi veprimet e policisë në një aksion antidrogë në zonën “Don Bosko”, ku mbeti i plagosur Blendi Peca, po shtohen.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) i nisi menjëherë hetimet.
Policia njoftoi se 27–vjeçari u plagos nga plumbat që agjentët e antidrogës qëlluan drejt gomave të makinës që nuk pranoi t’i bindet urdhrit të efektivëve të saj.
U tha, në njoftimin zyrtar, se makina rrezikoi jetën e punonjësve të policisë.
Policia deklaroi gjithashtu se agjentët e antidrogës kishin informacion se Blendi Peca, së bashku me dy personat e tjerë që gjendeshin në makinë me të, Ardit Murati, 24 vjeç dhe Shehat Murati, 50 vjeç, “qarkullonin në qytet të armatosur dhe ushtronin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes në sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike të llojit kokainë në zonën e Don Boskos”.
Për këtë arsye, reagimi ndaj tij ishte me armë.
Ishte akoma pa u errësuar kur agjentët e policisë, të veshur me jelekun multifunksional me mbishkrimin “Policia”, i bënë shenjë ndalimi makinës “Citroen” që drejtohej nga Peca, por mjeti nuk ka ndaluar.
“Ka kryer manovra lëvizjeje të rrezikshme për jetën e punonjësve të policisë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe “në këto kushte punonjësit e policisë kanë nxjerrë armën e brezit dhe kanë qëlluar në ajër duke dhënë përsëri urdhër ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk është bindur, ka vijuar tentativën për t’u larguar”.
Dhe pasi makina ka vazhduar rrugën, “punonjësit e policisë kanë shënjestruar dhe qëlluar gomat e mjetit dhe kur janë afruar kanë vënë re se është plagosur lehtë, drejtuesi i mjetit, shtetasi B.P., 27 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën”, saktësohet në njoftim.
E gjithë ngjarja, si në një skenë filmash hollivudianë, ka ndodhur në orën 19.30 të së mërkurës, në një zonë të mbipopulluar, në një rrugë me lëvizshmëri të lartë nga këmbësorët dhe makinat, si ajo e “Don Boskos”.
“Agjentët e antidrogës kanë qëlluar 13 plumba”, thanë gjithë indinjim familjarët e Pecës në Gjykatën e Tiranës, pasi u vendos që ai të qëndronte në burg së bashku me mikun e tij, Ardit Murati. Ndërsa Shehat Murati do të jetë me “detyrim paraqitje”.
“Agjentët e kanë përplasur mjetin, kanë ushtruar dhunë dhe kanë qëlluar me armë në drejtim të tij”, thonë familjarët.
Gjendja e 27–vjeçarit është përkeqësuar.
Gjatë kontrollit që policët ushtruan në makinën e tij gjetën 385 gramë kokainë.
Por përdorimi i armëve nga ana e policisë ka ngritur pikëpyetje të mëdha. Dyshimet e SHÇBA janë për shkelje të ligjit të përdorimit të armëve, pasi nga të dyshuarit nuk ka pasur as përdorim të armëve të zjarrit dhe ata nuk kanë qenë as në posedimin e tyre.
Situatën e rëndon fakti se është qëlluar në një zonë të populluar, në mes të rrugës.
Akuzat e familjarëve të Pecës se në makinën tij janë 13 plumba, i shtojnë dozat e dyshimit për reagimin e policisë.
A duheshin derdhur aq shumë plumba për të kapur një shpërndarës droge? A duhej qëlluar në mes të ditës pa u marrë në konsideratë fakti se operacioni po zhvillohej në një zonë të banuar, me densitet të lartë lëvizjeje?
Për të gjitha këto do të duhet të përgjigjen agjentët e antidrogës para SHÇBA, organit që heton veprimet e punonjësve të policisë.
Nëse do të konstatohet shkelje e ligjit, bashkë me trafikantët, para drejtësisë pritet të përfundojnë edhe policët.
Policia në makinën e trafikantit të drogës
Zbulohen detaje të reja në lidhje me operacionin antidrogë të disav ditëve më parë në zonën e “Don Boskos”, në kuadër të së cilit u arrestuan tri persona.
Raportohet se makina që përdornin agjentët e antidrogës mbëmjen e 1 gushtit, për të ndjekur të dyshuarin Bledi Peca, i përkiste një të arrestuari për trafik droge. Bëhet fjalë për një makinë me ngjyrë të bardhë, e cila rezulton të jetë sekuestruar, por që përdorej për punë nga agjentët e antidrogës.
Pas përplasjes me makinën “Citroen” në ngjyrë bojëqielli me të cilën lëvizte i dyshuari Bledi Peca, duken qartë shenjat e dëmtimit edhe në mjetin e përdorur nga policët.
Tjetër përplasje me armë në Tiranë
Një person me inicialet Xh.D., ka bërë një denoncim në polici pasi pretendon se është gjuajtur me armë zjarri nga një person. Ngjarja është regjistruar në hyrje të repartit ushtarak në kryeqytet. Policia ka nisur hetimet dhe deklaron zyrtarisht se personi që ka denoncuar ngjarjen fatmirësisht ndodhet në gjendje të mirë dhe nuk ka marrë plagë. Sipas informacionit paraprak nga burimet e policisë së Komisariatit Nr. 6 në Tiranë, më datë 03.08.2017, në numrin 112 ka ardhur një telefonatë nga shtetasi Xh.D., i cili pretendon se në hyrje të repartit ushtarak, i kanë gjuajtur me armë. Mësohet se ai nuk është dëmtuar. Janë dërguar shërbimet, punohet për sqarimin e rrethanave. Rendi në vendin tonë është në një gjendje alarmante. Mbrëmjen e së enjtes një përplasje me armë zjarri është shënuar rreth orës 19:55, në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë. Për pasojë mbeti i plagosur 24-vjeçari Lorenc Hoxha. Hoxha është qëlluar nga disa persona që po qarkullonin me një automjet tjetër. Ngjarja ka nisur në kryqëzimin e “Komunës së Parisit” për të vijuar më pas në rrugën “Sulejman Delvina”. Sipas dëshmitarëve 24-vjeçari nga Bulqiza është plagosur në shpatull dhe në pamundësi për të drejtuar automjetin është përplasur me një nga shtyllat e kësaj rruge. Automjeti ka përfunduar në hyrje të pallatit. “Nga hetimet paraprake ka rezultuar se ka pasur një shkëmbim zjarri midis disa mjeteve, ku për pasojë ka mbetur i plagosur në shpatull shtetasi Lorenc Hoxha, 24 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”, sqaron policia. Më pas ai u shoqërua nga disa persona në spital, ndërsa automjeti ka përfunduar në hyrje të pallatit. U ngritën pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kontrolle të rrepta në pikat kufitare kundër emigrantëve
Duke vlerësuar se fenomeni i azilkërkimit të shtetasve shqiptarë, në vende të Bashkimit Europian është bërë një shqetësim i madh që mund të rrezikojë lëvizjen e lirë të tyre, me qëllim forcimin e kontrollit në dalje nga kufiri shtetëror, prej datës 1 gusht qarkullon një urdhër i firmosur nga kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako.
“Gazeta Express” ka mundur të sigurojë një kopje të këtij urdhri, i cili përmban 14 rekomandime, që duhet të zbatohen nga të gjthë punonjësit e Drejtorisë së Kufirit që kanë në kompetencë për të kontrolluar daljet e shtetasve shqiptarë jashtë territorit tonë.
“Në dalje të kufirit shtetëror të forcohet kontrolli i shtetasve që nuk plotësojnë kushtet e udhëtimit për hyrjen dhe qëndrimin në vendet Shengen/BE-së, duke kryer verifikime dhe intervistime të detajuara si: adresën e saktë të akomodimit në vendin e destinacionit ku do të shkojë; ftesa e pritësit në vendin e destinacionit (të përmbajë kontaktet e pritësit); biletë rezervimi për kthimin, si dhe mjetet financiare për mbulimin e shpenzimeve për kohën e qëndrimit”, thuhet në urdhër.
Kontrollet do të shtohen edhe ndaj agjencive turistike, me të cilat fare lehtë kushdo mund t’i përdorë për qëllime azili.
Por që prej nisjes së zbatimit të këtij urdhri, mësohet se në aeroportin “Nënë Tereza” ka patur pakënaqësi nga shtetasit shqiptarë që dalin jashtë kufirit, të cilët në disa raste i janë drejtuar edhe Policisë së Shtetit për të kryer denoncime.
Gjithsesi ky urdhër sensibilizimi për shqiptarët vjen në një moment kur Franca prej rreth një muaji ka ngritur shqetësimin e shtimit të numrit të shqiptarëve që kërkojnë azil në këtë shtet. Pak ditë më parë për këtë çështje në Francë kanë qenë dy ministrat shqiptarë, ai i Jashtmi Ditmir Bushati, si dhe ai i Brendshmi (që pritet të konfirmohet nga vetë Rama) të cilat janë takuar me ministrin e Jashtëm francez, ku çështja e emigracionit dhe kërkesat për azil kanë qenë në fokus të diskutimeve.
Europa jep alarmin: Temperatura mbi 42 gradë
Shumë nga shtetet e Evropës kanë përjetuar gjatë kësaj jave temperatura, të cilat në disa prej tyre kanë shënuar edhe rekordin e dekadës. Alarme për shëndetin kanë ngritur disa shtete, ku temperaturat kanë arritur në nivele potencialisht të rrezikshme.
Italia është momentalisht duke përjetuar temperatura prej 10 gradë Celsius më të larta se mesatarja e të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Në Siçili këtë javë termometri shënoi 42 gradë Celsius, ku një masë e nxehtë ajri nga Afrika kaloi mbi detin Mesdhe.
Turistët dhe banorët vendas në disa qytete të Evropës Jugore, kanë përdorur shatërvanët publikë për t’u freskuar sadopak.
Temperaturat e larta priten të arrijnë edhe në Evropën Qendrore dhe në Ballkan.
Fundjava do të vazhdojë të jetë me temperatura të larta, ndërkohë që ulja e temperaturave pritet të nisë nga dita e hënë.
S’kanë para, kontribuesit vullnetarë po “braktisin” skemën shtetërore të pensioneve
Interesi për të paguar kontributet e sigurimeve në mënyrë vullnetare ka rënë dukshëm vitet e fundit. Përveç vitit 2014, ku u pa rritje e numrit të kontribuesve vullnetare, nga viti 2010 trendi është në rënie. Nga 8670 persona që derdhnin kontribute vullnetarisht në skemën shtetërore të sigurimeve në 2010-ën, në vitin 2016 ishin vetëm 7323 kontribues ku shihet se 1357 persona kanë dalë nga skema me një rënie 16 për qind. Vetëm më 2016 më shumë se 300 persona dolën nga skema. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, sigurimi vullnetar është një mundësi për të gjithë shtetasit shqiptarë kudo që ndodhen, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj. Në këtë skemë përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar. Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm, ata kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të sigurojnë pensionin e pleqërisë. Kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare. Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar. Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe ka të njëjtin rregull me kontributin e detyrueshëm. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa.
Rekordi me taksat, në tre muaj Veliaj u mori qytetarëve 17 milionë euro
Bashkia e Tiranës ka arkëtuar 2.4 miliardë lekë (rreth 17 milionë euro) të ardhura në tre muajt e parë të vitit 2017, sipas të dhënave të detajuara të buxhetit të bashkisë së kryeqytetit, të publikuara nga Portali i financave vendore (financatvendore.al), një project i Co-Plan, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat janë rritur me 139%. Efektin kryesor në këtë rritje e ka dhënë taksa e ndikimit në infrastrukturë, që arriti në 1.3 miliardë lekë (gati 10 milionë euro), duke shënuar një rritje të fortë, prej 25 herësh në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dyfishimi i kësaj takse, nga 4% të kostos në 8% të çmimit të shitjes dhe rritja e numrit të lejeve të ndërtimit të dhëna në Tiranë ka ndikuar në këtë tendencë. Sipas INSTAT, në tre muajt e parë të vitit 2017, në Tiranë u dhanë 43 leje ndërtimi nga 18 leje vitin e kaluar. Gjithashtu lejet për të ndërtuar në kryeqytet ishin edhe më të larta se në tremujorin e fundit të 2016 ku u dhanë 41 të tilla. Nga janari i 2016 deri në fund të marsit 2017 u dhanë 149 leje në kryeqytet. Numri i lejeve të dhëna sinjalizon se sektori i ndërtimit do të vijojë rritjen edhe këtë vit.
Të ardhurat nga taksa e infrastrukturës sollën 56% të të ardhurave në buxhetin e bashkisë, nga 27% që ishte kjo peshë në vitin 2014. Pas firmave të ndërtimit, kontribuesit e dytë më të mëdhenj me të ardhura për Bashkinë e kryeqytetit ishin bizneset dhe individët, që kanë paguar si tarifat për shërbimeve publike vendore (pastrim-gjelbërim etj.) 250 milionë lekë, apo rreth 1.8 milionë euro, me një rritje prej 22% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ata kanë paguar 1.55 milionë euro për tarifat e shërbimeve administrative (vërtetime, licenca, gjoba, qira, menaxhimi i aseteve, mencat etj.), me një rënie prej 2% me bazë vjetore. Si taksë pasurie mbi ndërtesat, bizneset dhe banorët e Tranës kanë paguar rreth 1.5 milionë euro, me një rritje të ndjeshme prej 89% në raport me janar-mars 2016. Si taksa të tjera, banorët e Tiranës kanë paguar 1.27 milionë euro, 35 herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ku peshën kryesore e zënë të ardhurat nga parkingjet, teksa në çdo cep të Tiranës sot është e vështirë të parkosh pa paguar.
Për taksat e tjera janë arkëtuar gjithsej 1.4 milionë euro, përfshirë edhe taksën nga biznesi i vogël, të ardhurat nga e cila kanë rënë me 97%, teksa pas heqjes së taksës së biznesit të vogël (që është zero për xhiron nga 0-5 mln lekë), Bashkisë iu desh të gjente hapësira të reja për të rikuperuar këtë humbje. Në rënie me 43% ka qenë dhe taksa për tabelat dhe reklamat. Pavarësisht rritjes së numrit të turistëve të huaj që kanë ardhur në Tiranë, taksa e hotelit ka sjellë vetëm 2% më shumë të ardhura në buxhetin e Bashkisë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për vitin 2017, Bashkia planifikon, sipas buxhetit të saj fillestar të mbledhë në total 14.2 miliardë lekë të ardhura, apo rreth 102 milionë euro. Në tre muajt e parë të këtij viti, ajo ka realizuar vetëm 17% të planit vjetor, çka nënkupton se duhet të përshpejtojë ritmin e mbledhjes së të ardhurave në tremujorët në vijim, në mënyrë që të realizojë të ardhurat e planifikuara për gjithë 2017-ën.
Veliaj ka dyfishuar taksat në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë
Qeveria pranon në një dokument të saj të fundit se bashkitë në vend kanë rritur shpenzimet e tyre për paga. Referuar këtij dokumenti thuhet se ajo që mund të ketë ndodhur është ose rritja e nivelit të pagave për punonjësit aktualë ose rritja e numrit të të punësuarve në bashki. Gjithsesi kjo rritje e shpenzimeve nuk është në linjë me atë që synonte reforma territoriale. “Megjithëse është ende herët për të dalë në konkluzione përfundimtare, rritja e shpenzimeve të personelit dhe atyre operative nuk pajtohet me objektivin madhor të reformës administrative territoriale për eficiencë operacionale dhe reduktim të kostove administrative. Nga ana tjetër, megjithëse, kostot operacionale nuk duket të vijnë në ulje, duhet të mbahet në konsideratë fakti se, bashkitë kanë rritur shpenzimet për investime”, thuhet në dokumentin e qeverisë. Shpenzimet për personelin në tremujorin e parë të këtij viti rezultojnë 4.3 miliardë lekë nga 3.5 miliardë lekë që ishin në tremujorin e parë të vitit 2016. Kjo rritje me të paktën 25% në fondin që shkon për personelin justifikohet pjesërisht edhe me financimin e funksioneve të reja, por jo totalisht. Mbledhja e të ardhurave ka qenë dhe mbetet një sfidë për pushtetin vendor, i cili në shumë raste has ngërçin e mungesës së kapaciteteve. Gjithsesi duket se tremujori i parë 2017 reflekton një ecuri të mirë në zërin e të ardhurave për bashkitë, kjo në veçanti për Bashkinë e Tiranës, e cila mban edhe peshën kryesore. Në tremujorin e parë të vitit 2017, të ardhurat nga taksat vendore janë dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që të ardhurat nga tarifat vendore janë rritur me 15% në terma vjetore. Megjithatë, një analizë më e detajuar, tregon se dyfishimi i të ardhurave nga taksat vendore, vjen i gjithi nga të ardhurat e mbledhura nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë në Bashkinë e Tiranës”, thuhet në raport. Nëse nga totali i të ardhurave zhvishet efekti i Bashkisë së Tiranës të ardhurat vendore nga taksat dhe tarifat janë rritur me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë, taksa e ndikimit në infrastrukturë vetëm në Bashkinë e Tiranës është 1.3 miliardë lekë, ndërkohë që për të gjitha bashkitë e tjera është 400 milionë lekë në total. Tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël ka pësuar edhe rënien më drastike nga gjithë zërat e tjerë tek të ardhurat. Në tremujorin e parë 2017, kemi një rënie me 93% krahasuar me tremujorin e një viti më parë. Një tjetër problematikë duket se po shfaqet edhe për taksën mbi truallin. “Vlen të evidentohet se të ardhurat nga taksat mbi truallin urban e prezantuar së fundmi, janë në nivelin zero për tremujorin e parë. Ky nivel mund të lidhet me problematikat e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës (dhe taksapaguesve). Gjithashtu mund të jemi përballë edhe të një problemi të raportimit financiar dhe një vlerësim më i thellë do duhej të bëhej nga autoritetet”.