32.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Trump, presion tregtar Kinës

Presidenti i SHBA, Donald Trump së shpejti do të përpiqet të rrisë presionin ndaj Kinës që ajo të ndryshojë praktikat e saj tregtare dhe të bëjë më shumë për të ndalur programet e armëve të Koresë së Veriut.
Sipas njoftimeve në shtypin financiar, Presidenti Trump mund të nënshkruajë të premten një urdhër për të filluar hetimet rreth kërkesave që thuhet se, Kina u bën kompanive të huaja që ato t’i japin asaj sekrete teknologjike në këmbim të hapjes së tregut të madh kinez për këto firma.
Hetimi mund të çojë në rritjen e tarifave ndaj prodhimeve kineze të destinuara për në tregun amerikan, më i madhi në botë. Ekspertët e tregtisë paralajmërojnë se një hap i tillë mund të shkelë angazhimet e SHBA në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross kohët e fundit ka shkruar se praktikat tregtare të Kinës, duke përfshirë transferimin e detyruar të teknologjisë, janë të padrejta, dëmtojnë eksportet e SHBA dhe kontribuojnë në deficitin prej 347 miliardë dollarësh në tregtinë e mallrave midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Kur ishte kandidat për President, zoti Trump e kritikonte ashpër Kinën në çështjet e tregtisë. Ai ka thënë gjithashtu se Kina, si fqinjë e Koresë së Veriut dhe partnerja kryesore tregtare e saj, mund të bëjë shumë më tepër për të ndalur përpjekjet e Phenianit për të përmirësuar armët bërthamore dhe raketat balistike.
Ekspertët e SHBA paralajmërojnë se provat e Koresë së Veriut me raketa dhe bomba bërthamore tregojnë se Pheniani është një kërcënim në rritje për Shtetet e Bashkuara.

Konfirmohet vrasja e Lavdrim Muhaxherit në muajin qershor

Koalicioni ndërkombëtar kundër grupit militant Shteti Islamik, konfirmoi vrasjen e disa luftëtarëve nga Evropa Juglindore, përfshirë edhe disa luftëtarë shqiptarë që u janë bashkuar konflikteve në Lindjen e Mesme.
Në një njoftim të koalicionit thuhet se ai ka vazhduar sulmet ajrore për të vënë në shënjestër dhe vrarë udhëheqësit e ISIS-it dhe luftëtarët e huaj në Siri, në mbështetje të partnerëve të koalicionit për t’i hequr mundësinë ISIS-it që të frymëzojë, mbështesë dhe drejtojë sulme terroriste në botë.
Së fundmi, thuhet në njoftim, koalicioni vrau udhëheqësit e ISIS-it të përfshirë në drejtimin e operacioneve të jashtme dhe prodhuesit e bombave që synonin shënjestra në rajon dhe në perëndim.
Më 24 korrik, koalicioni vrau Abd al-Ghafurin, zyrtar i operacioneve të jashtme të ISIS-it me bazë në Siri dhe një nga bashkëpunëtorët e tij në afërsi të Albu Kamalit në Siri. Ndihmësi i tij, Abu Hammam dhe tre pjesëtarë të ISIS-it u vranë në sulmet ajrore të koalicionit më 16 korrik në afërsi të Dayr Az Zawrit në Siri.
Më 13 korrik është vrarë Abu Futtum, specialist i mjeteve shpërthyese bashkë me një ndihmës në afërsi të Mayadinit.
Koalicioni ka vënë në shënjestër edhe luftëtarët e huaj nga Evropa Juglindore që vepronin në Siri si rekrutues e komplotues, përgjegjës për shumë mizori atje.
Lavdrim Muhaxheri, thuhet në njoftim, është vrarë në një sulm ajror të koalicionit më 7 qershor afër Mayadinit. Muhaxheri ishte shqiptar etnik nga Kaçaniku i Kosovës dhe udhëheqës i vetëshpallur i luftëtarëve të ISIS-it nga Kosova.
Ai njihej si luftëtari më i shquar radikal shqiptar në Siri dhe ishte drejtpërdrejt përgjegjës për nxitjen e ideologjisë xhihadiste brenda komuniteteve evropiane dhe inkurajimin e luftëtarëve të huaj për të udhëtuar në territorin e kontrolluar nga ISIS-i. Ai ishte përgjegjës për planifikimin e shumë sulmeve terroriste, përfshirë edhe planin e dështuar për sulm me bombë në ndeshjen e futbollit ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë në vjeshtën e vitit 2016.
Për më tepër, thuhet në njoftim mund të konfirmohet vdekja e katër bashkëpunëtorëve të lartë të Muhaxherit. Jetmir Ismaili, një planifikues i sulmeve terroriste, u vra gjatë një sulmi ajror në Raqqah në qershor. Ai kishte lidhje thelbësore me planifikuesit e sulmeve terroriste në Evropë dhe Siri dhe personalisht kishte planifikuar dhe bashkërenduar sulme të jashtme terroriste të ISIS-it.

Trump fajëson Kongresin për Moskën

Presidenti Donald Trump po fajëson Kongresin se ka krijuar tensione të reja me Rusinë, duke miratuar sanksione kundër Moskës. Kremlini është shprehur me të njëjtin konkluzion se ndëshkimet do të dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Marrëdhëniet tona janë në pikën më të ulët dhe më të rrezikshme”, shkruan presidenti dje në një koment në Twitter, një deklaratë që duket se lë në harresë Luftën e Ftohtë apo krizën e raketave në Kubë. Në komentin e tij Presidenti shkruan. “Për këtë situatë mund të falënderoni Kongresin, të njëjtët njerëz që nuk arrijnë të miratojnë ligjin për kujdes shëndetësor”, duke iu referuar faktit që javën e kaluar Senati nuk votoi për të ndryshuar ligjin Obamacare për kujdesin shëndetësor.
Kongresi votoi me shumicë dërrmuese për të miratuar sanksione kundër Moskës. Presidenti Trump, i përballur me rrezikun që vetoja e tij ndaj kësaj mase legjislative të hidhej poshtë nga mbështetja dërrmuese që gëzojnë sanksionet në Kongres, e firmosi dje ligjin.
Sanksionet janë ndëshkim për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane. Presidenti Trump i cilëson sanksionet si një masë “me shumë probleme”, dhe me “shumë klauzola që janë jokushtetuese”, të cilat kufizojnë të drejtën e Presidentit për të drejtuar politikën e jashtme, ashtu siç e sheh ai të arsyeshme.
Në një seri komentesh në Twitter, Kryeministri rus Dmitri Medvedev tha se me nënshkrimin e paketës ligjore nga zoti Trump, “për sanksione të reja kundër Rusisë, merr fund çdo shpresë për përmirësimin e marrëdhënieve tona”.
Ai shtoi “Administrata Trump ka dëshmuar dobësinë e saj të plotë duke ia dorëzuar kompetencat ekzekutive Kongresit në një mënyrë shumë poshtëruese. Struktura politike amerikane ia hodhi Trumpit. Presidenti amerikan nuk ishte i kënaqur me ligjin, por gjithsesi e nënshkroi”.
Ligji i jep Kongresit 30 ditë afat për të analizuar ndonjë përpjekje nga Presidenti Trump, i cili është përpjekur të afrohet me Presidentin Vladimir Putin, për të zbutur sanksionet kundër Rusisë, përfshirë edhe anulimin e masave të administratës Obama, e cila mbylli dy komplekse ruse në Shtetet e Bashkuara dhe dëboi 35 diplomatë rusë si ndëshkim për ndërhyrjet në procesin zgjedhor. Presidenti Putin u kundërpërgjigj ditët e fundit duke mbyllur një kompleks pushimi të ambasadës amerikane dhe një magazinë në Moskë, si dhe duke urdhëruar Shtetet e Bashkuara të shkurtojnë 755 punonjës nga stafi i ambasadës dhe konsullatave, shumë prej të cilëve janë shtetas rusë.
Sanksionet e reja vendosin gjithashtu kufizime mbi aktivitetin që mund të kryejnë kompani amerikane me kompani ruse të naftës dhe gazit dhe kthejnë në ligj sanksionet e miratuara nga administrata Obama.
Presidenti Trump ka injoruar përfundimet e proceseve hetimore nga agjencitë e zbulimit lidhur me përzierjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe akuzat se ndihmësit e tij kanë bashkëpunuar fshehtazi me Moskën, duke i cilësuar këto procese “gjueti shtrigash” dhe justifikim i demokratëve për humbjen e papritur të kandidates së tyre Hillary Clinton në zgjedhje. Ndërkohë Kongresi ka vënë në lëvizje një numër procesesh hetimore, ndërsa hetuesi special Robert Mueller i ngarkuar nga Departamenti i Drejtësisë vazhdon një proces hetimor të pavarur.
Në komente të tjera të postuara dje në Twitter, Presidenti Trump shprehet entuziast për gjendjen e ekonomisë gjatë administratës së tij. Ai gjithashtu përgënjeshtron me forcë një artikull të revistës “Sports Illustrated”, sipas të cilit Presidenti ka thënë se Shtëpia e Bardhë i duket e rëndomtë krahasuar me një nga komplekset e tij të pushimit.
“Më pëlqen shumë Shtëpia e Bardhë, është një ndër ndërtesat më të bukura që kam parë ndonjëherë”, reagon Presidenti.
Lidhur me ekonominë amerikane, Presidenti tha: “Biznesi po ecën më mirë se kurrë, entuziazmi i biznesit ka arritur nivele rekord. Bursa e aksioneve ka arritur vlerën më të lartë ndonjëherë. Këto gjëra nuk ndodhin vetvetiu”.
Ekonomia amerikane, tha Presidenti, po ecën falë politikave të tij.
“Unë po vazhdon të eliminoj rregullore të panevojshme. Mbetet ende shumë punë për të bërë, por rezultati do të jetë fantastik. Do të shtohet biznesi dhe vendet e punës”, shkruan në një postim Presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Reagimi i rrallë i gjeneralit pakistanez për vrasjen e amerikanëve

Në një lëvizje të pazakontë, shefi ushtarak i Pakistanit dënoi të enjten duke e vlerësuar si terrorizëm sulmin taleban në Afganistanin fqinj, në të cilin u vranë dy pjesëtarë të forcave ushtarake amerikane dhe katër të tjerë u plagosën.
Komenti i gjeneralit Qamar Javed Bajwa që dënonte sulmin, erdhi në një ditë kur i dërguari i posaçëm i SHBA për rajonin Alice Wells, nisi një vizitë zyrtare dyditore në Islamabad, për të diskutuar ndër të tjera çështje dhe mënyrat për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur afgan.
“Ne e kuptojmë plotësisht humbjen dhe dhembjen e familjarëve të viktimave, ndërsa Pakistani po përjeton një situatë të ngjashme me dhunë në luftën kundër kërcënimit të përbashkët terrorist”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë pakistaneze që citon gjeneralin pakistanez.
Gjenerali pakistanez ofroi ngushëllime “të përzemërta” për vdekjen e dy ushtarëve amerikanë.
Talebanët islamikë e morën menjëherë përgjegjësinë për sulmin e së mërkurës me autobombë në qytetin jugor të Afganistanit në Kandahar, ndaj një autokolone të NATO-s.
Një zëdhënës i talebanëve tha se 15 ushtarë që i përkisnin “forcave të huaja pushtuese”, përfshirë dy oficerë “të rangut të lartë”, u vranë. Si forcë pushtuese grupi kryengritës i referohet misionit ushtarak të NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan.
Talebanët janë të njohur për fryrjen që u bëjnë shifrave që lidhen me numrin e viktimave.
Zyrtarët amerikanë dhe afganë kanë pohuar prej kohësh që ushtria pakistaneze ka mbështetur dhe strehuar fshehurazi krerët talebanë dhe anëtarët e rrjetit të Haqqanit, duke komplotuar sulme vdekjeprurëse kundër forcave vendase dhe ndërkombëtare.
Islamabadi i ka hedhur poshtë akuzat dhe thotë se po bën të gjitha përpjekjet e mundshme për të siguruar kufirin me Afganistanin dhe për të nxitur paqen dhe pajtimin mes palëve ndërluftuese në vendin fqinj.

Dalin në treg edhe bisedat e Trump me udhëheqësit e Meksikës e Australisë

President Donald Trump listens during during an event to unveil legislation that would place new limits on legal immigration, in the Roosevelt Room of the White House, Wednesday, Aug. 2, 2017, in Washington. (AP Photo/Evan Vucci)

Gazeta “Washington Post” ka publikuar transkriptet e telefonatave të tensionuara që Presidenti Donald Trump ka bërë me udhëheqësit e Meksikës dhe Australisë, pak pas marrjes së detyrës.
Sipas dokumenteve, zoti Trump kërkoi që Presidenti meksikan Enrique Pena Nieto të mos thoshte që Meksika nuk do të paguante për murin përgjatë kufirit amerikan me Meksikën. Zoti Trump ishte zotuar se do ta detyronte Meksikën të paguante faturën.
Në një transkript të thirrjes telefonike të zhvilluar më 27 janar, botuar të enjten nga “The Washington Post”, zoti Trump i thotë zotit Pena Nieto: “nëse do të vazhdoni të thoni se Meksika nuk do të paguajë për murin, atëherë nuk do të takohem me ju sepse nuk mund ta duroj këtë”.
Në një moment zoti Trump thotë: “Më duhet të siguroj që Meksika do të paguajë për murin. Kam dy vjet që flas për këtë”.
Por presidenti meksikan Pena Nieto reziston, duke thënë: “pozicioni im ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë shumë i prerë”, duke shtuar se, “Meksika nuk mund të paguajë për murin”.
Presidenti Trump kundërshton duke thënë: “Por ju nuk mund ta thoni këtë në shtyp. Shtypi do të merret me këtë dhe unë nuk mund ta duroj këtë”.
Në fund Pena Nieto thotë se propozimi i zotit Trump për murin “është një çështje që lidhet me dinjitetin e Meksikës dhe krenarinë kombëtare të Meksikës”, por ai bie dakord “të mos flitet për murin”.
Së fundmi Presidenti Trump ka thënë se ai “absolutisht” synon të përpiqet ta bëjë Meksikën të paguajë për murin prej 21 miliardë dollarësh. Por ndërkohë i ka kërkuar Kongresit të miratojë fondin për fillimin e ndërtimit. Megjithatë, fati i propozimit është i pasigurt, në kushtet kur ligjvënësit demokratë dhe disa republikanë janë kundër tij.
Në një tjetër telefonatë me tone edhe më të hidhura të zhvilluar në muajin janar Presidenti Trump, i cili veproi shpejt me qëllim frenimin e emigracionin në SHBA, shpërtheu ndaj kryeministrit australian, Malcolm Turnbull ndërsa diskutonin një marrëveshje që ish-Presidenti Barak Obama kishte arritur me Australinë për pranimin e 1,250 refugjatëve në Amerikë.
“Kjo do të më godiste rëndë”, i ka thënë zoti Trump kryeministrit australian. “Unë jam njeriu më i rëndësishëm në botë dhe nuk mund të lejoj njerëz të hyjnë në këtë vend. Si mund të bie dakord për të pranuar 2.000 vetë?”.
Ndërsa ata debatonin për planin e refugjatëve, zoti Trump i thotë udhëheqësit australian: “kam bërë disa telefonata gjatë gjithë ditës dhe kjo është më e pakëndshmja që kam patur”.
Përpara se telefonata të përfundonte papritmas, zoti Trump i thotë zotit Turnbull se të paktën një nga telefonatat e tij me udhëheqës botërorë, kishte shkuar më mirë. “Telefonata me Putinin ishte e këndshme”, i tha zoti Trump, duke iu referuar Presidentit rus, Vladimir Putin. “Kjo është qesharake”.
Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë asnjë koment lidhur me transkriptet. Presidenti Trump ka takuar të dy udhëheqësit Pena Nieto dhe Malcolm Turnbull në tubime botërore dhe në dukje bisedat mes tyre kanë qenë më pak problematike.

Poeti dhe bota

Wislawa Szymborska

Thonë se në një fjalim më e vështira është fjalia e parë. Pra, tashmë e kam atë pas vetes… Por ma do mendja, se edhe fjalitë pasuese, e treta, e gjashta, e dhjeta do të jenë të vështira, sepse më duhet të flas për poezinë. Mbi këtë temë flas rrallë, pothuajse fare. Dhe gjithmonë më ka shoqëruar bindja se nuk e kryej dhe aq mirë këtë gjë. Prandaj fjalimi im nuk do të jetë shumë i gjatë. Çdo gjë jo e arrirë durohet më lehtësisht, kur jepet me doza të vogla.
Poeti i sotëm është skeptik dhe dyshues, bile – apo ndoshta mbi të gjitha – edhe ndaj vetvetes. Bën të ditur publikisht fare pa dëshirë, se është poet – sikur t’i vinte paksa turp për këtë. Por në epokën tonë të zhurmët, nga të tjerët pranohen shumë më lehtë të metat personale, sidomos kur paraqiten me bujë, ndërsa shumë më vështirë të mirat, sepse janë të fshehura më thellë dhe jo plotësisht, bile edhe në vetvete, ekziston besimi tek to… Në anketa të ndryshme apo në biseda me njerëz të rastit, kur poeti medoemos duhet të cilësojë me çfarë merret, ai shprehet në përgjithësi “shkrimtar” ose përmend emrin e ndonjë pune tjetër shtesë.
Informacioni, se kanë të bëjnë me një poet, pranohet nga zyrtarët apo nga pasagjerët në autobus me një lloj mosbesimi të lehtë dhe shqetësim. Ma do mendja se edhe filozofi paraqet probleme të ngjashme. Por ai gjendet në një situatë më të rehatshme, sepse zakonisht ka mundësi ta zbukurojë profesionin e tij me ndonjë titull shkencor. Profesor filozofie – kjo tingëllon me më shumë peshë.
Siç dihet, nuk ka profesorë poezie. Kjo do të thoshte, se do të kishim të bënim me një sipërmarrje që kërkon studime të specializuara, dhënie të rregullt të provimeve, përgatitje disertacionesh teorike të pajisura me bibliografi dhe shënime, e së fundi ceremoni marrje diplomash. Duke shkuar më tej, kjo do të thoshte se për t’u bërë poet, nuk do të mjaftonin copëza letrash të mbuluara qoftë edhe me vargje nga më të mrekullueshmet – i domosdoshëm dhe kjo mbi të gjitha, do të ishte një dokument i vulosur. Le të kujtojmë, se pikërisht mbi këtë bazë u dënua me mërgim “krenaria” e poezisë ruse, nobelisti i mëvonshëm Josif Brodski. U cilësua si “parazi”, sepse nuk kishte dëshmi zyrtare, e cila i lejonte të ishte poet.
Para disa vitesh pata nderin dhe gëzimin ta njihja atë personalisht. Vura re se vetëm ai, midis të gjithë poetëve që njoh, pëlqente ta quante veten “poet” dhe shqiptonte këtë fjalë pa ndonjë kundërshtim të brendshëm, bile me një liri provokuese. Mendoj se kjo i ndodhte për shkak të kujtimit të poshtërimit brutal që ai njohu në rininë e vet.
Në vende më të lumtura, ku dinjiteti njerëzor nuk përshkelet me kaq lehtësi, poetët natyrisht dëshirojnë të botohen, lexohen dhe kuptohen, por nuk bëjnë asgjë ose ndoshta bëjnë shumë pak për t’u dalluar nga njerëzit e tjerë. Dhe të mendosh, se jo shumë kohë më parë, në dekadat e para të shekullit tonë, poetët pëlqenin të tërhiqnin vëmendjen me veshjet e pazakonta apo me sjelljet e tyre ekscentrike. Por gjithmonë ishte kjo një shfaqje për publikun. Vinte një moment kur poeti mbyllte derën pas vetes, flakte në qoshe pelerinën, xhingla-minglat e të gjithë aksesorët e tjerë poetikë dhe qëndronte në qetësi, duke pritur vetveten mbi faqen akoma të pashkruar të letrës. Sepse në të vërtetë vetëm kjo vlen.
Ja diçka karakteristike. Prodhohen vazhdimisht shumë filma biografikë për shkencëtarë ose artistë të mëdhenj. Regjisorët me ambicie më të thella i vënë vetes si qëllim paraqitjen në mënyrë të besueshme të procesit krijues apo çoi në lindjen e veprave më të shquara të artit. Deri diku me njëfarë suksesi mund të paraqitet puna e disa shkencëtarëve: laboratorët, pajisje të ndryshme, mekanizma të vënë në lëvizje për njëfarë kohe janë në gjendje të përqendrojnë vëmendjen e shikuesve. Pastaj, dramatike janë momentet e pasigurisë, nëse eksperimenti, që vetëm pas një modifikimi të vogël po përsëritet për të njëmijëtën herë, do të sjellë suksesin e shumëpritur. Panoramikë mund të jenë filmat për piktorët – mund të paraqiten me hollësi të gjitha fazat e lindjes së tablosë, nga vija fillestare deri në penelatën e fundit. Filmat për kompozitorët i mbush muzika – qysh prej notave të para, që krijuesi i dëgjon në vetvete, deri në pjekurinë e veprës së shkruar për instrumente. E gjitha kjo vazhdon të jetë naive dhe asgjë të re nuk shpreh mbi atë gjendjen e çuditshme të shpirtit, të quajtur në gjuhën e përditshme frymëzim, por ama kemi ç’të shikojmë dhe dëgjojmë.
Më keq është me poetët. Puna e tyre është deri në pafundësi e mërzitshme dhe jofotozhenike. Një njeri ulur pranë tavolinës, ose shtrirë në kanape e ka ngulur shikimin në mur apo në tavan, kohë pas kohe shkruan shtatë vargje, njërin prej të cilëve e shuan pas një çerek ore, e kështu përsëri kalon një orë, gjatë së cilës nuk ndodh asgjë… Cili shikues do të duronte diçka të tillë?
Përmenda më lart frymëzimin. Pyetjes, se çfarë është ai, nëse është diçka, poetët e sotëm i përgjigjen disi shkarazi. Dhe kjo jo për faktin se asnjëherë nuk e kanë ndjerë forcën dobiprurëse të atij impulsi të brendshëm. Shkaku fshihet diku tjetër. Nuk është e lehtë t’i shpjegosh dikujt diçka, që as vetë nuk arrin ta kuptosh.
Unë gjithashtu, kur më pyesin për këtë, e anashkaloj thelbin e çështjes. Por megjithatë përgjigjem: frymëzimi nuk është privilegj vetëm i poetëve apo artistëve në përgjithësi. Është, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një grup i caktuar njerëzish, të cilët i viziton frymëzimi. Janë këta të gjithë ata, që me vetëdije e zgjedhin punën e tyre dhe e kryejnë atë me dashuri e imagjinatë. Ka të tillë mjekë, pedagogë, kopshtarë, njerëz të qindra profesioneve të tjera. Puna e tyre mund të kthehet në një aventurë të përjetuar pambarimisht, por vetëm nëse do të jenë në gjendje të gjejnë aty gjithmonë diçka të re. Megjithë vështirësitë, humbjet, interesimi i tyre nuk ftohet. Nga çdo çështje e zgjidhur merr krahë një tufë me pyetje të reja. Frymëzimi, çfarëdo qoftë ai, lind nga e përsëritura pambarimisht “nuk e di”.
Njerëzit e tillë numërohen me gishta. Shumica e banorëve të këtij planeti punon për të siguruar mjetet e mbijetesës, punon, sepse duhet të punojë. Dhe nuk janë ata që e zgjedhin me pasion punën e vet, janë rrethanat e jetës që zgjedhin me pasion punën e vet, janë rrethanat e jetës që zgjedhin për ta. Puna e papëlqyer, puna që mërzit, puna e vlerësuar vetëm për faktin se në këtë formë nuk është e mundshme për të gjithë – ky është një nga mundimet më të rënda njerëzore. Dhe zor se shekujt e ardhshëm do të sjellin ndonjë ndryshim të lumtur në mes.
Më lejohet pra të them, se edhe pse jua mora poetëve monopolin mbi frymëzimin, megjithatë po i fus ata në grupin e vogël të të zgjedhurve të fatit.
Këtu tek dëgjuesit mund të lindin dyshime. Xhelatë të shumëllojshëm, diktatorë, fanatikë, demagogë, që luftojnë për pushtet duke thirrur zhurmueshëm parulla të ndryshme, gjithashtu e pëlqejnë punën e tyre dhe e kryejnë atë me vendosmëri e shkathtësi. Po e drejtë, por ama ata “dinë” sesi. Dinë dhe ajo çka dinë iu mjafton përgjithmonë. Nuk janë kuriozë për asgjë më tepër mbi këtë, sepse kjo mund të dobësonte forcën e argumenteve të tyre. Dhe çdo dituri, e cila nuk nxjerr nga vetvetja pyetje të reja, vyshket brenda një kohe të shkurtër, humbet ngrohtësinë jetëdhënëse. Bile siç dihet mirë nga historia e vjetër dhe ajo e re, në rastet më ekstreme mund të kthehet në një kërcënim vdekjeprurës për shoqëritë.
Prandaj jashtëzakonisht vlerësoj tre fjalë të vogla: “nuk e di”. Të vogla, por me krahë të fuqishëm. Zgjerojnë jetën tonë në horizonte, që i mbartim në vetvete, në hapësira, në të cilat gjendet e varur Toka jonë e dobët. Sikur Isak Njutoni të mos thoshte “nuk e di”, mollët mund të binin përpara syve të tij si breshër dhe ai, në rastin më të mirë, vetëm do të përkulej për t’i mbledhur e ngrënë ato me kënaqësi. Sikur bashkëkombësja ime, Maria Skodowska-Curie, të mos thoshte “nuk e di”, me siguri do të bëhej një mësuese e thjeshtë kimie për zonjushat e sferave të larta dhe në këtë kimie për zonjushat e sferave të larta dhe në këtë punë – sidoqoftë fisnike – do t’i rridhte e gjithë jeta. Por vazhdimisht përsëriste “nuk e di” dhe pikërisht këto fjalë e sollën atë dy herë këtu në Stokholm, ku njerëzit me shpirt jo të qetë e përjetësisht kërkues vlerësohen me çmimin Nobel.
Poeti gjithashtu nëse është poet i vërtetë, vazhdimisht duhet të përsërisë në vetvete “nuk e di”. Në çdo krijim përpiqet të gjejë një përgjigje, por sa vë pikën në fund të fjalisë, fillon ta gërryejë dyshimi, fillon të kuptojë se kjo është një përgjigje e përkohshme dhe absolutisht e pamjaftueshme. Prandaj e provon përsëri, pastaj edhe një herë tjetër dhe më pas këto prova të moskënaqësisë së tij prej vetvetes, historianët e letërsisë i mbledhin së bashku, duke i quajtur “vepër e tij”…
Nganjëherë ëndërroj për situata të pamundura për t’u realizuar. Me një lloj impertinence përfytyroj për shembull, se kam mundësi të bisedoj me Eklezjastin, autorin e njërit prej vajeve më prekës mbi vlerën e mjerë të çdo akti njerëzor. Do t’i përulesha thellë, sepse – të paktën për mua – ky është një nga poetët më të rëndësishëm. Por më pas do ta kapja për dore. “Asgjë të re në këtë diell” – ke shkruar o Eklezjast. Por ti vetë u linde i ri nën këtë diell. Poema që ke shkruar, gjithashtu është e re, sepse askush përpara teje nuk e shkroi. Dhe të rinj nën diell janë lexuesit e tu, se ata që lindën më përpara nuk mund ta lexonin poemën tënde. Dhe i ri është qiparisi, nën hijen e të cilit je ulur, se nuk ka qenë këtu që nga fillimi i botës. Me siguri i dha atij jetë një qiparis tjetër, i ngjashëm e megjithatë tjetër nga ai i yti. E mbi të gjitha do të doja të të pyesja o Eklezjast, çfarë të reje nën diell mendon tani të shkruar. Mos ndoshta diçka me të cilën do të plotësosh mendimet e tua apo vallë ke dëshirë disave prej tyre t’iu kundërvihesh? Në poemën tënde të mëparshme vure re edhe gëzimin – ç’rëndësi ka, se është kalimtar? Ndoshta për të do të jetë poema jote e re nën diell? A ke tashmë shënime, ndonjë skicë fillestare? Nuk besoj se do të thuash: “I shkrova tashmë të gjitha, nuk kam asgjë për të shtuar”. Këtë nuk mund ta thotë asnjë poet në botë, e jo më një poet kaq i madh sa ti.
Bota, çfarëdo që të mendonim të frikësuar nga madhësia e saj dhe pafuqia jonë ndaj saj, të nxehur nga indiferentizmi i saj kundrejt vuajtjeve të veçanta – të njerëzve, kafshëve, a ndoshta edhe të bimëve, se në fund të fundit nga e dimë me siguri, se bimët nuk vuajnë, çfarëdo që të mendonim për hapësirat e saj të tejpërshkruar nga rrezatimi i yjeve, yjeve përreth të cilëve po zbulojmë planete të reja – tanimë të vdekura? Akoma të vdekura? – nuk dihet, çfarëdo që të mendonim për këtë teatër të pafund, ku kemi vërtet një biletë hyrjeje, vlera e së cilës ama është qesharake dhe e shkurtër, e kufizuar nga dy data të sakta, pra çfarëdo që të mendonim tjetër mbi këtë botë – ajo është me të vërtetë çuditëse.
Por në fjalën “çuditëse” fshihet një kurth logjik. Sepse na çudit ajo që nuk përputhet me një normë të njohur dhe të pranuar nga të gjithë, me një realitet që përbën për ne diçka të zakonshme. Pikërisht bota e cilësuar si e zakonshme nuk ekziston. Çudia jonë është e vetvetishme dhe nuk rrjedh nga asnjë lloj krahasimi me çfarëdolloj gjëje.
Dakord, në gjuhën e përditshme, e cila nuk mendon gjatë për çdo fjalë, të gjithë përdorim cilësime të tilla, si: “botë e zakonshme”, “jetë e zakonshme”, “rrjedha e zakonshme e gjërave”… e kështu me radhë. Por në gjuhën e poezisë, ku secila fjalë peshohet, asgjë nuk është normale dhe e zakonshme. Asnjë gur dhe reja mbi të. Asnjë ditë dhe asnjë natë pas saj. E mbi të gjitha asnjë qenie e dikujt në këtë botë.
Pra, mesa duket, poetët gjithmonë do të kenë shumë punë.

Fjala e mbajtur me rastin e marrjes së çmimit Nobel, 1966

Rrëfehet Neymar

Neymar ka dalë në konferencë për shtyp, e para si lojtar i PSG-së, pasi u transferua te gjigantët parisienë. Në prani të një interesimi të madh të gazetarëve, sulmuesi brazilian ka bërë me dije se, “dua të bëj histori, ndaj kam ardhur këtu; për sfida të reja dhe ambiciet e klubit. Qëllimi ynë përfundimtar është Liga e Kampionëve, por ne, gjithashtu, duam t’i fitojmë të gjithë trofetë e tjerë. Unë dua të falënderoj Pastoren, që më la fanellën me numrin 10. Ka pasur momente të presionit të madh për shkak se ka qenë një nga vendimet më të vështira. Largimin nga Barcelona e kam vendosur dy ditë më parë, në kohën kur kam komunikuar me Valverde. Trajnerit ishte i pari, që ia komunikova vendimin për t’u transferuar te PSG-ja, më pas të gjithë ekipit. Fotoja e Pique ishte një shaka e tij. Në të vërtetë atë ditë nuk e kisha vendosur nëse do të lëvizja përfundimisht. Pique është një mik i madh, që kam në futboll. I uroj atij më të mirën. Ata që mendojnë se paratë janë të parat nuk dinë asgjë për jetën time. Ju siguroj se paraja ka qenë gjëja e fundit në këtë transferim, pasi kam menduar para gjithçkaje për lumturinë time dhe të familjes. Me këtë rast dua t’u dërgoj një mesazh respekti dhe dashurie të gjithë tifozëve të Barcelonës, të cilët më kanë pritur e trajtuar shumë mirë. Unë kam qenë shumë i lumtur dhe nuk kam asgjë për t’u ankuar. Çdo gjë tjetër mendoj se ka të bëjë me historinë. Kam fituar shumë tituj te Barcelona, kam shënuar shumë gola, e kam ndihmuar skuadrën katalanase në mënyrën më të mirë të mundshme. Natyrisht, në këtë botë nuk mund t’i bësh të gjithë të lumtur, ndonjëherë pasioni i tifozëve shkon përtej futbollit. E përsëris, ky ka qenë një nga vendimet më të vështira të jetës sime, sepse lashë një jetë të përshtatshme shumë të mirë në atë qytet, duke qenë pjesë e një ekipi të madh, me lojtarë fantastikë. Unë jam shumë i lumtur që kam lënë miq atje, të cilët i vlerësoj shumë. Respekt e dashuri për të gjithë lojtarët e Barcelonës, të cilët më kanë mirëpritur pasi lashë Brazilin. Kam qenë shumë i lumtur gjatë këtyre katër viteve, por kërkova sfida të reja. Përpjekja e PSG-së për të nënshkruar që vitin e kaluar? Është e vështirë për të folur për diçka që Perëndia e bëri realitet në kohën e duhur. Protagonizmi nuk ka ndikuar absolutisht në dëshirën time për të ardhur te PSG-ja. Jam këtu për shkak se doja një sfidë të re, për të kërkuar diçka të ndryshme. Kjo nuk ndodhi për shkak se ndjehesha i parehatshëm te Barcelona. Kam ardhur për ambicie, sepse ky klub synon diçka të madhe”.

Presidenti i PSG-së: Në 3 vite, vlera e Neymar do të dyfishohet

Në krah të brazilianit ka qenë edhe njeriu që bëri realitet këtë lëvizje rekord botëror për futbollin, presidenti i PSG-së, Al-Khelaifi, i cili u shpreh: “Neymar tregon ambicien tonë si klub. Kemi foli me Neymar dhe duam të fitojmë Ligën e Kampionëve. Ky është objektivi maksimal i mundshëm. Kjo është ëndrra jonë, objektivi ynë kryesor, por unë nuk mund të them se do ta fitojmë Ligën e Kampionëve këtë vit. Ne do të luftojmë për këtë. Sa i përket transferimit të Neymar, ne kemi bërë gjithçka në mënyrë të ligjshme. Unë nuk jam i shqetësuar në lidhje me ‘fair play’-in financiar, sepse kemi punuar në mënyrë transparente dhe të ligjshme me UEFA-n. Neymar nuk më duket i shtrenjtë. Me të ne do të fitojmë më shumë se kemi shpenzuar. Ne do t’i japim besimin e plotë, sepse ka ardhur për të qenë në qendër të një projekti. Interesi i Barcelonës për Verrattin? Nuk ka të bëjë me nënshkrimin e Neymar. Për mua, Neymar është lojtari më i mirë, me të cilin do të fitojmë të gjithë trofetë e mundshëm dhe do të shkruajmë historinë e madhe të PSG-së në qytetin më të bukur në botë, që është Parisi. Në tri vite, vlera e Neymar do të dyfishohet, të paktën”.

Pique për Neymar: Lamtumirë, vëllain im i vogël…!

Pique shkruan për Neymarin në rrjetet sociale. Herën e fundit që e ka bërë këtë ka qenë e famshmja “qëndron”. Dje ka përdorur profilin e tij në Instagram për t’i thënë lamtumirë mikut, i cili tani është zyrtarisht lojtar i PSG-së. Qendërmbrojtësi i Barcelonës ka përdorur një foto të një përqafimi me Neymar dhe i ka kushtuar një postim. Këtu po e riprodhojmë tekstin: “Që kur ti erdhe, unë të pashë në gjithçka si vëllain e vogël. E përkryer mënyra jote e të kuptuarit të jetës dhe futbollit. Ne ishim shumë të ngjashëm, ndaj u lidhëm me shpejtësi. Ka qenë një kënaqësi e madhe që të të kem pasur në anën time gjatë këtyre viteve. Unë nuk do ta harroj të gjithë kohën që kemi kaluar së bashku, brenda dhe jashtë fushës. Jam i lumtur që fitove gjithçka me fanellën e Barcelonës. Kjo do të mbetet përgjithmonë. Lojtarët si ti e bëjnë këtë klub të madh dhe historinë e tij. Unë shpresoj që ti do të kesh një karrierë të madhe edhe në të ardhmen. Ti meriton që ëndrrat që të kanë mbetur për t’u bërë realitet të realizohen në Paris. Dhe së fundi, mos harro të bësh gjithmonë atë, që bënte miku ynë JC: Magji. Të dua, Gerard”.

Inter bën gati rinovimin për Perisiç dhe kërkon Emre Mor!

Inter nuk lë të lirë Ivan Perisiç dhe me shumë mundësi do të marrë Emre Mor. Zikaltërit janë duke punuar për rinovimin e kontratës së kroatit, që tanimë ka bindur plotësisht Spallettin dhe kjo është arsyeja përse Sabatini është gati t’i propozojë një marrëveshje të re, për të blinduar futbollistin. Për të janë bërë gati 5 milionë euro në sezon për katër vitet e ardhshme. Menjëherë pas rinovimit të Perisiç, zikaltërit do të synojnë blerjen e talentit të Borussia Dortmund. Ndjekja e gjatë që Manchester United i ka bërë Perisiç nuk ka sjellë ende asgjë konkrete, sepse oferta e “djajve” nuk ka kënaqur kurrë kërkesat e Suning. Situata ka ndryshuar këto ditë, sepse Inter jo vetëm që nuk ka ndërmend të shesë kroatin, por ka bërë gati kontratën e re. Futbollisti kërkon 6 milionë euro, teksa Inter mund ta kënaqë me 5 milionë euro neto në sezon për katër vitet e ardhshme. Aktualisht, Perisiç merr 3.2 milionë euro dhe kontrata i skadon në vitin 2020. Në pritje për të përcaktuar situatën e Perisiç, klubi zikaltër po mendon për Emre Mor për të përforcuar repartin e avancuar. Kërkesa e Borussia Dortmund është 22 milionë euro dhe gjermanët mund të bazohen te fakti që kanë shumë oferta për futbollistin e lindur në vitin 1997, që pëlqehet edhe nga skuadrat e tjera italiane si Napoli dhe Roma. Inter ka nisur bisedimet me futbollistin, teksa në klubin zikaltër mendojnë se ai mund të bëhet kampion i madh.