21.5 C
Tirana
E hënë, 9 Qershor, 2025

Trump i ka kërkuar ish-gjeneralit John Kelly të rikthejë rregullin në Shtëpinë e Bardhë

Këtë javë Shtëpia e Bardhë e Presidentit Donald Trump ka një shef të ri personeli. Gjenerali në pension i Marinës amerikane, John Kelly, ka filluar detyrën e re në Shtëpinë e Bardhë, pasi shërbeu për 6 muaj në postin e sekretarit të Sigurisë Kombëtare. Përkrahësit e zotit Trump, sikurse edhe kritikët e tij, shtrojnë pyetjen nëse zoti Kelly do të arrijë që përmes përvojës së tij ushtarake të vendosë një lloj disipline në Shtëpinë e Bardhë, të përfshirë nga momente të shumta kaotike gjatë pjesës më të madhe të 6 muajve të parë në detyrë të Presidentit Trump:
Pas disa javësh kaotike, Presidenti Trump i ka kërkuar ish-gjeneralit John Kelly, që të rikthejë rregullin në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne kemi për të punuar shumë dhe kemi për t’i kthyer madhështinë Amerikës. Gjithçka është me synimin për ta bërë Amerikën përsëri madhështore. Këtë do të bëjmë”, tha Presidenti.
Gjenerali Kelly zëvendëson Reince Priebus, i cili pati mosmarrëveshje me shefin e komunikimit Anthony Scaramucci.
“Unë e dua shumë Presidentin”, tha zoti Scaramucci më 21 korrik.
Por Scaramucci u pushua nga puna të hënën, po atë ditë që filloi punën gjenerali Kelly, një sinjal se zoti Trump e ka marrë seriozisht çështjen që t’i japë fund grindjeve në Shtëpinë e Bardhë.
Autori Chris Whipple ka shkruar një libër lidhur me rolin e rëndësishëm të shefit të personelit në Shtëpinë e Bardhë.
“Shtëpia e Bardhë nuk mund të drejtohet njëlloj sikurse një firmë familjare e pasurive të patundshme në Manhattan, ndërsa shkojnë e vijnë një numër këshilltarësh, pa patur një zinxhir komande dhe askush nuk ka mundësinë që të zbatojë axhendën e Presidentit”, shkruan ai.
Zoti Whipple thotë se suksesi i gjeneralit Kelly do të varet nga eksperienca e tij:
“Çdo president mëson, shpesh përmes një rruge të vështirë se nuk mund të qeverisë me efikasitet pa fuqizuar shefin e personelit, për të realizuar një sërë detyrash, por më e rëndësishmja është zbatimi i axhendës së Presidentit dhe ta informojë atë për gjithçka, qoftë e mirë apo e keqe”.
Presidenti këmbënguli në një tweet se në Shtëpinë e Bardhë nuk ka kaos. Por gjatë 6 muajve të tij të parë në detyrë, zoti Trump po përballet me nivel të ulët të mbështetjes në anketa, si dhe me hetimin për Rusinë. Ai po ashtu përballet me një axhendë që ka ngecur në Kongresit, pas dështimit të miratimit në Senat të planit për kujdesin shëndetësor.
Zoti Trump vazhdon të përpiqet të sigurojë mbështetjen e bazës dhe shumë nga përkrahësit e tij kryesorë mbeten besnikë ndaj tij.
“Ne duhet ta përkrahim Presidentin Trump. Ai bën më të mirën e mundshme”, tha një përkrahës.
Disa anlistë thonë se gjenerali Kelly mund të përpiqet ta frenojë Presidentin, sidomos zakonin e tij për shfaqur mendimet e tij në Twitter.
Niveli i miratimit për zotin Trump është rritur në periudha të qeta, thotë analisti Kyle Kondik:
“Nëse ai shfaq një lloj qetësie, unë mendoj se publiku do ta falte më tepër, por kjo gjë nuk ka ndodhur shumë gjatë presidencës së tij”.
John Kelly do të jetë në qendër të vëmendjes ditët e ardhshme, ndërsa presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara po përpiqet të sigurojë mbështetje politike, pas 6 muajsh të vështirë në detyrë.

Letra e fundit e Mitrush Kutelit dërguar gruas

E dashur Efterpi,

Këtë letrë, që është, ndofta, e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurtë, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit.
Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqia. Sikur më ndiqnin gjermanët, që të më varnin. Iknja me vrap, hynja në gropa e puse, dilnja prapë. Ata më ndiqnin. Ment më kapnin. Iknja përsëri. Në një çast u gjende edhe ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë. Prapë gropa, puse, gremina. Sikur isha në Berat, nën Kala. Në një sterrë të Kalasë, pranë Kishës. Më tej, në Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkonja ndonjë shtëpi për t’u fshehur.
Isha i zbathur, i zveshur. Dikush më thirri: “Qëndro, Dhimitri! Të zumë”. Më rrethuan, më zunë dhe po më shpinin të më vrisnin. Unë qeshnja. Kisha qef të më vrisnin… Dhe ja, u gjenda në burg. Shumë njerëz. Midis tyre Sofo Çomorra, që ka vdekur. Më shikonte me dhembje. “Si u bë kështu, o Pasko? Ç’ke bërë?” –“S’di”. –“Shiko këtu”. Dhe më dha ca shkresa të shkruara bukur: një akt akuzë dhe ca lidhje të tjera. Më quanin bejtexhi. Më thoshin se kisha bërë një vjershë për glyrën me rima italiane. Pashë Andrean. I ardhi keq. U vendos të më vrasin. Prapë u gëzova. –“Fundja, do vdes, thashë. Do të shpëtoj. Do çlodhem. Jeta ime ka qenë shumë e turbullt, e ngatërruar, e mirë dhe e keqe. Sa mirë që mbaroi”. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha dhe e kam, të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minutash ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli… Sipas mendjes sime, shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore. Që të dyja janë të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur në kohën e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasojë e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krijoj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s’kam qënë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç’të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt…..
Letrën e nisa për tjetër gjë: të të përsërit porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t’i kam thënë kaq herë. Të kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë i fundit që po të sjell.
Ne u bashkuam, rrojtmë, dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha. Tani, ti e di… I di ditët e netet e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobekësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve.
Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këta vjete pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë të shkrimeve të mija- shqip dhe rumanisht- janë aty, në Bibliotekën Kombëtare.
Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër interesit vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka një mijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me trathëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetiak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot.
Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike- në fushën ekonomike -në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”. Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht, veprimtarinë time.
Kam qënë kundër rusëve sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë; kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar, aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vëndas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke.
Një nga pasojet e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, po vetëm kapital. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish-drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.
Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij- të cilëve u le trashëgim punën dhe ëndrat e mija të mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë.
Jam i sigurtë se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin.
Nisa të të shkruaj një letrë të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva- ndonse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa dhe shiko se ku arrita.
Dëgjo!
Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra, mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.
Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret. Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua! Nuk do të lajmëroni, para varrimit, asnjeri, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërmë për të bërë formalitet e varrimit dhe varrimin. Kaq! S’kam qef të mërzit njeri. Sikush ka hallet e veta.
Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.
Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.
Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëhere kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike- ajo fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar, -dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë. Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do të lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.
Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!
Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri-tjetrin, të ndihmoni njëri-tjetrin, të duroni njëri-tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi, butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh, zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë.
Ta doni dhe nderoni mamanë, se ka qënë trime në jetë, ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur. Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvoje nga jeta e hidhur, dhe kjo përvoje mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani.
Doruntina është më e vogla. Ajo ka nevojë për mjaft vjet ndihme dhe drejtimi. Mos i kurseni ndihmën tuaj, që të mund të prehem i qetë në dhe.
Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni.
Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit.
Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.

Yti
Dhimitraq.

Arsenali kërkoi talentin e Dortmundit, por mori një “jo”

Kjo ishte e papritur! Arsenali këtë verë duket se ka bërë një ofertë për mesfushorin e Dortmundit, Ousmane Dembele, por është refuzuar. Lajmi vjen nga e përditshmja sportive spanjolle “El Mundo Deportivo”, sipas së cilës trajneri Arsene Wenger është i magjepsur nga 19-vjeçari. Pavarësisht deklaratave se Alexis Sanchez nuk do të largohet nga Londra, “Topçinjtë” janë të vetëdijshëm se gjithçka mund të ndodhë dhe po përgatiten për çdo skenar të mundshëm. Sulmuesi kilian nuk ndihet rehat në “Emirates Stadium”, sepse do të luajë në Champions League. Dembele me të vërtet nuk është një golashënues si 28-vjeçari, por luan në krah dhe do t’i sillte shumë dinamikë dhe ide lojës së Arsenalit. Përveç londinezëve, interes për mesfushorin francez ka shprehur edhe PSG-ja, por përgjigjja e Dortmundit ka qenë e njëjta: “jo”. Në Spanjë, ndërkohë, ai po “programohet” si pasues i brazilianit Neymar.

Vera e tmerrshme e Bayern, që nga e shtuna, s’ka më justifikime!

Një verë makthi ka qenë ajo që kanë kaluar Carlo Ancelotti dhe Bayern Munich. Humbja kundër Napolit ka qenë e fundit e një serie të gjatë, në gjashtë miqësore të luajtura mes “International Champions Cup” dhe “Audi Cup”. Bavarezët kanë buzëqeshur vetëm në fitoren 3-2 ndaj Chelsea. Të tjerat kanë qenë dështime, dy prej të cilave të shkaktuara nga skuadrat italiane Milan (0-4) dhe Inter (0-2). Sigurisht që nuk mund të bëhet dramatike situata vetëm për miqësoret, por të shtunën është ndeshja e parë zyrtare, Superkupa e Gjermanisë kundër Borussia Dortmund. Neuer, Boateng dhe Robben nuk luajtën, Hummels, Lewandovski, Muller dhe Ribery e nisën ndeshjen nga stoli. Ancelotti ka një justifikim për formacionin jo të plotë, por duke nisur nga dita e shtunë ndalohen gabimet. “Do të punojmë për t’i transformuar vërshëllimat në duartrokitje. Ndaj Napoli na munguan pjesa më e madhe e titullarëve, por sezoni ende nuk ka nisur dhe kemi kohë për t’u përmirësuar”, këto kanë qenë fjalët e Ancelotti-t pas humbjes kundër Napolit, por zemërimi i tifozëve në “Allianz Arena”, nuk e ka lënë indiferent. Më 18 gusht është edhe ndeshja e parë në shtëpi kundër Bayer Leverkusen. Koha e eksperimenteve mbaroi.

Spikat Bruno Telushi, vlerësohet lojtari i javës në Kroaci

Bruno Telushi e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij në Kroaci. Ish-kapiteni i Flamurtarit realizoi një paraqitje të përsosur në fitoren 1-0 të Sllaven Belupos kundër Inter Zapresiç. Kjo performancë e vlonjatit është shpërblyer jo vetëm me përfshirjen në skuadrën më të mirë të javës, por 26-vjeçari është vlerësuar gjithashtu si lojtari më i mirë i këtij raundi në ligën kroate. Bruno Telushi vendosi që në këtë sesion të merkatos të largohej nga qyteti i tij i lindjes Vlora, të braktiste shiritin e kapitenit tek Flamurtari për t’u transferuar në kampionatin kroat me Slaven Belupon dhe deri më tani duket si zgjedhja më e mirë. Mesfushori është aktivizuar në të tria takimet e para që skuadra e tij ka zhvilluar në këtë sezon në kampionat, ku ekipi i Belupos ka regjistruar dy fitore dhe një disfatë ndaj kampionëve të Rijekës. Në takimin e fundit ku Slaven mposhti në transfertë Inter Zapresiç me rezultatin 1-0, 26-vjeçari shqiptar ishte absolutisht lojtari më i mirë në fushën e lojës. Performanca e tij nuk ka kaluar pa vëmendje dhe Telushi jo vetëm që është përfshirë në formacionin më të mirë të javës, por është shpallur edhe lojtari më i spikatur i këtij raundi në ligën kroate. Statistika e vlonjatit në këtë takim kanë qenë thuajse të përsosura. 3 goditje drejt portës dy prej të cilave në kuadrat, 42 pasime të sakta nga 47 të tentuara, 12 duele të fituara nga 15 dhe gjithashtu 10 harkime drejt zonës, vërtet një performancë e nivelit të lartë. Nëse Telushi vijon me këto ritme atëherë do të ketë të drejtën e plotë për të pretenduar fanellën kuqezi, jo atë të Flamurtarit, por atë të skuadrës tonë përfaqësuese.

Keidi Bare nderon Simeonen, i shënon Liverpool

Tashmë Keidi Bare mund të cilësohet si një bast i fituar për trajnerin Simeone. Talenti i Shpresave të Shqipërisë ka shënuar golin e parë me skuadrën e Atletico-s dhe këtë e ka bërë ndaj gjigantëve anglezë të Liverpool. Simeone e aktivizoi që nga minuta e parë 19-vjeçarin shqiptar dhe ai ia shpërbleu duke shënuar golin e parë në këtë takim. Bare qëndroi në fushën e lojës deri në minutën e 60, duke zhvilluar një paraqitje fantastike përballë Liverpool, në ndeshjen e vlefshme për “Audi Cup”. Në momentin e golit, jo vetëm Bare festoi si i “çmendur”, mëse legjitime për të, por të njëjtën gjë bëri edhe Simeone. Keidi Bare provoi për herë të parë jehonën e një stadium madhështor si “Allianz Arena” në momentin kur Diego Pablo Siemone vendosi t’i dhuronte një fanellë titullari në finalen e turneut “Audi Cup” mes Atleticos së Madridit dhe Liverpoolit. Mesfushori fierak nuk u tremb aspak përkundrazi, pavarësisht se bëhej fjalë për një turne miqësor shpalosi vlerat e tij absolute duke gjetur për herë të parë rrugën e rrjetës me ngjyrat e “rojiblanocve”. Një harkim i Vrsalijkos u devijua në portë nga Correa, por Ward arriti mrekullisht ta dërgonte në traversë, megjithatë në topin e kthyer u lëshua menjëherë kapiteni i kombëtares shqiptare të 21-vjeçarëve, i cili me kokë e përcolli në rrjetë. Një gol shumë i rëndësishëm në aspektin personal dhe një paraqitje e përsosur, e cila është marka më e mirë e prezantimit për 19-vjeçarin shqiptar. Bare u zëvendësua në minutën e 59-të duke i lënë vendin Antoine Griezmannit. Përsa i përket finales së “Audi Cup”, goli i realizuar nga mesfushori fierak i dha avantazhin Atleticos, por Liverpooli rivendosi ekulibrat 8 minuta nga fundi kur Origi fitoi një 11 metërsh si pasojë e një kontakti me Gabin. Firmino nga pika e bardhë e dërgoi topin në fund të rrjetës. Gjithçka u mbyll në barazim dhe ky takim iu drejtua penalltive. Gabimi i kapitenit Jordan Henderson, i cili u ndal nga Moya u shfrytëzua plotësisht nga lojtarët e Atleticos dhe në fund ishte Filipe Luis ai që realizoi duke i dhuruar trofeun “los colchonerove”.

Milan “troket” te Chelsea, kërkon huazimin e Diego Costa

Ka të reja në rrugën që mund ta çojë Diego Costa-n te Milan! Kuqezinjtë mbeten në kërkim të një qendërsulmuesi dhe spanjolli është në listën e kandidatëve bashkë me Kaliniç, Belotti, Aubameyang dhe Ibrahimoviç, aksionet e të cilëve ulen e ngrihen çdo ditë në bazë të drejtuesve dhe menaxherëve të tyre. Por, Mirabelli dhe Fassone kanë bërë një hap përpara në krahasim me dje, duke kërkuar zyrtarisht te Chelsea huazimin për një sezon. Kjo lëvizje duket se i pëlqen të gjitha palëve, mbi të gjitha futbollistit, që është në kërkim të një klubi me nivel të lartë, ku të luajë titullar dhe të mos humbasë vendin në “Rusi 2018”. Huazimi është mënyra që i pëlqen lojtarit të lindur në Brazil, pasi do të kishte sërish mundësinë të shkonte te Atletico Madrid, destinacioni i tij i preferuar, në momentin që FIFA do t’i heqë embargon e merkatos skuadrës drejtuar nga Simeone. Edhe Chelsea do të ishte “pro” huazimit të një futbollisti që nuk është më në planet e Conte-s.

Nga Maradona te Neymar, historia e largimeve të mëdha nga Barcelona

Historikisht, Barcelona ka pasur gjithmonë probleme me figurat e saj të mëdha. Klubi katalanas është përpjekur gjithmonë që të ketë lojtarët më të mirë në botë, ia ka arritur kësaj, por shumica e tyre kanë shkuar nga dera e pasme. Kjo gjë filloi me Maradonën, u pasua nga Figo, Laudrup, Shuster, Rivaldo, Romario, Ronaldinho dhe përfundon, të paktën deri më tani, nga Neymar. Maradona ishte një nga blerjet e para të mëdha të Barcelonës. Ai u bashkua me klubin katalanas në sezonin 1982-1983, i ardhur nga Boca Juniors. Qëndroi aty për dy sezone, me një paraqitje të parregullt. Lëndimi i rëndë, i pësuar pas një ndërhyrjeje të ashpër të Goikoetxea, lojtar i Athletic, ishte një nga shkaqet që performanca e tij nuk rezultoi siç pritej, pa harruar jetën e tij të keqe jashtë fushe. Më 5 maj 1984, në fund të finales së Kupës së Mbretit (humbja 1-0 kundër Athletic) ishte protagonist i një rrahje të rëndë ndërmjet lojtarëve të të dy ekipeve. Ai sulmoi Miguel Angel Sola dhe u ndalua për tre muaj, pa qenë në gjendje të luajë. Ky sanksion, ndjenja pak e mbështetur nga direktiva dhe problemet ekonomike për shkak të keqmenaxhimit të përfaqësuesit të tij, Jorge Czysterpiller, udhëhoqën lamtumirën e tij për Barcelonën. Napoli pagoi për të 1.185 milionë pesetas (rreth 7,100 milionë euro).

Kalimi te PSG, zbulohet dhurata e parë për Neymarin

Te PSG-ja janë duke u bërë gati për të pritur futbollistin më të shtrenjtë të historisë të futbollit. Mjedisi, tifozët madje edhe shumë shokë të skuadrës janë gati për t’i dhënë mirëseardhjen yllit brazilian. Dhurata e parë për Neymarin vjen nga argjentinasi Havier Pastore, i cili vendosi ta lirojë numrin 10-të që mban në fanellë për brazilianin. Në një prononcim për radion spanjolle “Cadena Ser”, Pastore ka sqaruar: “Unë dua që ai të ndihet rehat dhe i lumtur që në ditën e parë. Dua t’i jap gjithë mbështetjen që ka nevojë në mënyrë që së bashku ne mund të fitojmë Ligën e Kampionëve. Për mua ky është një simbol i vogël mirëseardhjeje”. Ky gjest ka prekur edhe shoqërinë parisiene, sipas “Cadena Ser”, klubi ka vendosur të mos e shesë Pastoren, të paktën edhe për një sezon.

Neymar shkon në FIFA, do të largohet urgjentisht nga Barça

La Liga dje bëri atë që presidenti Javier Tebas e kishte paralajmëruar me kohë: nuk pranoi pagesën e klauzolës së largimit të Neymar-it nga Barcelona për t’u transferuar te PSG-ja. Avokatët e sulmuesit brazilian vizituan institucionin më të madh të futbollit spanjoll në Madrid, por nuk arritën të mbyllnin kalimin e 25-vjeçarit në “Parc des Princes”. Klauzola e largimit e ish-yllit të Santosit është 222 milionë euro, shumë të cilën klubi parisien është gati ta paguajë, por La Liga ka ndaluar procedurat, të paktën tani për tani. Sipas mediave spanjolle, Neymar me këshilltarët e tij do të dorëzojnë një kërkesë të veçantë te FIFA për këtë çështje, që i bie të jetë praktikisht ankesë. Agjenti i lojtarit, Wagner Ribeiro, dje tha se PSG-ja ishte gati për të paguar shifrën e parashikuar në kontratën e klientit të tij me Barcelonën, që prezantimi në Paris të bëhej që në fundjavë. Duket qartë se Neymar e ka me nxitim shkëputjen nga katalanasit. Ëndrra e tij është të bëhet më i miri në botë, larg shokut dhe idhullit të tij, Lionel Messi.