30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Jo vetëm zjarre por edhe krizë energjetike

Situata në kaskadën e Drinit mbetet kritike. Thatësira ka detyruar KESH që të ulë në minimum prodhimin, duke plotësuar vetëm pjesën e humbjeve në transmetim dhe 1600 Mwh në ditë për OSHEE. Të dhënat zyrtare të së mërkurës (2 gusht) tregonin se aktualisht liqeni i hidrocentralit të Fierzës ishte në nivelin 269.80 metra një nivel me një rënie krahasuar me pak ditë më parë. Ndërkohe që prurjet janë vetëm 25m3/s. Korporata bëri me dije se do të rishikojë programet e saj ditore dhe mujore të prodhimit në mënyrë që të garantohet operim i vazhdueshëm dhe i sigurt i sistemit, ndërkohë që parashikimet në periudhën afatshkurtër nuk janë aspak optimiste dhe prurjet natyrale mbeten në minimum.

Reagimi i KESH
Në kushtet e domosdoshmërisë, për të mos cenuar sigurinë dhe stabilitetin e sistemit energjetik, me nivelin aktual të prurjeve në basenin e Fierzës, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare arrin të përmbushë plotësisht vetëm detyrimet në kuadër të kontratave prioritare që ka me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (furnizimin e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e transmetimit, si dhe furnizimin e energjisë së mjaftueshme për balancimin e sistemit) dhe të furnizojë OSHEE sh.a/ FSHU me jo më shumë se 1600 Mwh/ditë energji elektrike për furnizimin e klientëve tariforë sipas marrëveshjes së dakorduar mes palëve. Në përputhje me parashikimet dhe kuadrin ligjor e rregullator në fuqi, pjesa tjetër e nevojave të klientëve që përfitojnë nga shërbimi universal i furnizimit duhet të plotësohet nga tregu i parregulluar.

Furnizim në vend
Aktualisht furnizimi në vend po bëhet përmes importeve të siguruara një javë më parë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Vetëm për gushtin OSHEE bleu 434 mijë kwh energji me një vlerë prej rreth 30 milionë euro. Ky është muaji i dytë që furnizimi i vendit me energji mbështetet tek importet dhe procedurat përfundon OSHEE edhe pse pritej një përfshirje e KESH përmes kredisë të Bankës Botërore në nivelin 22.4 milionë euro, por që do të vijohet në një moment të dytë.

Pushuesit në rrezik, bregun e pushtojnë “jet-ski”-të, më 2016 u 15-fishuan importet

Ka një ofertë tipike që e gjen në bregdetin shqiptar gjatë sezonit veror dhe që nuk ka munguar as këtë vit. Bëhet fjalë për një shëtitje me jet-ski apo motorë uji që kushtojnë 5 mijë lekë për 30 minuta.
Ajo që vihet re këtë vit në bregdet është që shumica e atyre që e ofrojnë këtë si shërbim janë të gatshëm të negociojnë duke bërë lëshime edhe me 3 mijë lekë për 30 minuta. Dikur çmimi që të jepej ishte në euro dhe nuk zbriste poshtë 100 euro ora.
Kjo rënie duket se e ka pas edhe një arsye. Numri i motorëve të ujit ka ardhur në rritje, sidomos ata që u importuan gjatë vitit 2016 që ka shënuar edhe rekordin.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në total u importuan 2023 mjete lundruese sportive ku bëjnë pjesë dhe jet ski-të, 15 herë më shumë se një vit më parë. Vlera e tyre në dollarë është rreth 290 mijë dollarë.
Në vitin 2015 u importuan vetëm 137 mjete me një vlerë mbi 521 mijë dollarë dhe akoma më pak më 2014 kur u regjistruan vetëm 105 mjete me vlerë 310 mijë dollarë.

Rreziku nga mjetet sportive lundruese
E ndërsa mjetet lundruese shihen si një pjesë plotësuese e gjithë ofertës turistike të bregdetit duket se ato operojnë tërësisht të pakontrolluara.
Për shërbimin që japin nuk lëshojnë asnjë faturë tatimore dhe garancia jote pasi hipën në motor është një jelek uji, kurse për atë që është duke notuar në breg mbrojtësi më i madh është fati.
Në këtë përfundim arrin nëse sheh atë çka ndodh nga Ksamili në Velipojë ku motorët e ujit afrohen pa problem në breg dhe në shumë raste me manovra të rrezikshme.  Por në fakt nuk janë vetëm motorët e ujit që lundrojnë në spontanitet total dhe pa respektuar distanca.
Kjo ka bërë që jo në pak raste të kemi edhe incidente që kanë përfunduar në tragjedi. Rasti i turistes ruse në Ksamil ishte edhe më i fundit.
Ditëve të fundit nisur dhe nga ky incident ka pasur edhe një nismë për ndalimin e mjeteve lundruese çka u shoqërua me kundërshtime sidomos në Durrës.
Për një vend që ka një vijë bregdetare për t’u pasur zili ndalimi dhe moratoriumi duket se nuk janë zgjidhja finale ajo që kërkohet është rregullimi ligjor i tij.

Rritja e kostos, subvencion për vjedhësit

Guximi i Bashkisë së Tiranës që premton 24 orë ujë të pijshëm për kryeqytetin, ndonëse në këto kohë moderne duket grotesk, në një vend si Shqipëria ku për ujin janë thurur legjenda, është një ambicie që duhet vlerësuar me seriozitet të plotë.
Por opinioni i bashkisë së kryeqytetit për të zgjidhur këtë çështje përmes rritjes së çmimit për konsumatorët mbi 40 për qind, ka nxehur më shumë se vapa, atmosferën sociale. Bashkia mendon se do t’i freskojë e zbusë temperaturat e pakënaqësisë, pas pesë vjetësh kur të garantojë furnizim pa ndërprerje. Ajo thotë se duhen rreth 220 milionë euro investime për të realizuar këtë projekt, por nuk thotë asgjë se nga ka ardhur te ky rezultat, nga ka dalë kjo shumë dhe si do të përdoret sipas zërave, sepse qytetarët kanë nevojë të dinë se si janë përdorur dhe do të përdoren paratë e tyre.
Bashkia thotë se ujësjellësi ka një fitim vjetor prej 5 milionë eurosh, por ai nuk është i aftë të marrë kredi si shoqëri anonime për të realizuar këtë investim, pa ia ngarkuar qytetarit përmes rritjes së çmimit. Bashkia thotë se humbjet në rrjetin hidrik janë rreth 65 për qind, por nuk ka treguar asnjë plan se si t’i reduktojë ato dhe si dhe sa kjo masë ndikon pozitivisht duke i rritur financat e ujësjellësit. Ka dhe shumë pyetje dhe disa punë të tjera për të bërë më parë bashkia përpara se të shkojë te vendimi për rritjen e çmimit dhe që duhet t’u përgjigjet qytetarëve.
Ne mendojmë se uji është një pasuri po aq strategjike dhe jetike sa dhe energjia, ndaj edhe qasja ndaj problemit duhet të jetë po kaq strategjike. Nga ana tjetër, kriza e furnizimit me ujë në Shqipëri ngjan si dy pika uji me krizën energjetike që ka pasur dhe që ende nuk është zgjidhur në mënyrë të plotë, sepse arsyet mbeten të njëjta.
Kriza energjetike është ricikluar në Shqipëri për këto shkaqe:
– burime të pamjaftueshme hidrike dhe mungesë investimesh për to;
– rrjet të amortizuar transmetimi dhe shpërndarjeje;
– vjedhje dhe mosarkëtime mjaft të larta;
– kërkesë më të lartë në rritje kundrejt ofertës.
Edhe kriza e ujit është për të njëjtat arsye. Historia deri në kufijtë e tragjikes me sektorin e energjisë, fatmirësisht mund t’i ndihmojë vendimmarrësit të orientohen drejt zgjidhjes së problemit. Por në asnjë rast çmimi nuk ka qenë zgjidhja finale, se ashtu si tek energjia, rritja e tij ka dënuar shtresat më të varfra të popullatës, nuk ka ulur humbjet dhe në fakt, ka qenë subvencion për vjedhjen. Duke e ditur mirë se çfarë ndodhi me energjinë, tani e dimë mirë se çfarë do të ndodhë me ujin: rritja e çmimit nuk është zgjidhja, por është vetëm një kamerdare ndihme për ata që qeverisin dhe keqmenaxhojnë, sepse burimi i problemit është pikërisht keqmenaxhimi.
Po pse shkruajmë vetëm për Tiranën, përveç Korçës, të gjitha qytetet e tjera janë në krizë me ujin e pijshëm. Për Tiranën ia vlen të ndalesh jo vetëm se është kryeqyteti e këtu pijnë ujë si qytetari më periferik edhe kreu më i lartë i shtetit, por edhe se është kampioni më përfaqësues i problemit, për shkak të faktorëve shoqërorë, socialë dhe ekonomikë që ajo ka. Ndaj zgjidhja e Tiranës është zgjidhja për gjithë Shqipërinë.
Por zgjidhja përmes çmimit mund të përkëdhelë sedrën e bashkisë për të zhdukur një legjendë, por kurrsesi nuk mund ta kthejë çmimin e rritur në një mit dhe as në dorë të disa këshilltarëve bashkiakë që luhaten mes lojërave politike apo të kapur nga përftimet e vogla individuale. Por qëndron te qeverisja më e mirë në nivelin më të lartë të saj.

Vasili shpërthen ndaj Ramës: Shqipëria në flakë, ku është qeveria?

Petrit Vasili, kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, i ka mëshuar sërish situatës alarmante me zjarret në vend dhe ka ngritur alarmin se pse qeveria ende nuk po shpall gjendjen e jashtëzakonshme. Vasili ka shkuar më përtej, duke shigjetuar Kryeministrin. “Situatë e jashtëzakonshme, Shqipëria në flakë, shkruan Vasili.  Zjarre të frikshme që po asgjësojnë pasuri natyrore dhe prona të qytetarëve. Aleanca e kryeministrit me qytetarët thjesht një demagogji mizore, hipokrite, frikacake.
1. Ku është qeveria?
2. Pse nuk shpallet gjendja e jashtëzakonshme?
3. Ku është shtabi qeveritar i emergjencës?
4. Ku është shteti që, në këto ditë të rënda, duhej të ishte i gjithi në këmbë?
Apo le të digjet vendi dhe pastaj vjen kryeministri për ngushëllim dhe qan me kujë? Shqipëria digjet, kryeministri krihet. “Deri kur kështu ma?”, thoshte Migjeni i madh”.

Serbia i përgjigjet Kroacisë për ekstradimin e “Ballist” Morinës

Filip RUDIÇ

Ministria serbe e Drejtësisë tha për BIRN se do t’i garantojë Ismail Morinës, të dyshuarit për ngritjen e dronit në ndeshjen Serbi-Shqipëri të njëjtat të drejta personat e tjerë që Beogradi kërkon të ekstradojë, por nuk ofroi garanci shtesë për sigurinë e tij, ndonëse familja e tij ka frikë se ai do të kërcënohet nëse dërgohet në Serbi.
“Si në të gjitha rastet e ekstradimit deri më tani, Serbia garanton të drejtat e personave të cilëve u kërkohet ekstradimi sipas rregullave vendase dhe ndërkombëtare”, tha për BIRN ministria.
Ministria nuk pranoi të komentojë më gjerë çështjen, pasi vendimi përfundimtar mbi kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Morinës nuk është marrë ende nga autoritetet kroate.
Morina zemëroi nacionalistët serbë në tetor 2014, kur fluturoi mbi fushë një dron që mbante një flamur me hartën e Shqipërisë së Madhe gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare midis Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd.
Policia kroate e arrestoi Morinën në Dubrovnik në qershor, sipas një urdhërarresti serb, ndërsa ky po shkonte në Itali, ku jeton prej vitesh me familjen.
Avokati i Morinës, Darko Butigan, i tha BIRN të hënën se klienti i tij po kërkon azil politik në Kroaci, sepse nuk mendon se do të marrë një gjykim të drejtë në Serbi.
Butigan tha për televizionin shqiptar “Top Channel” se, Serbia e kishte akuzuar Morinën për nxitje të akteve kriminale mes kombeve, një akuzë që mund të rezultojë deri në tetë vjet burgim.
Vëllai i të dyshuarit, Xhevair Morina, tha për televizionin “Report TV” se, beson se jeta e Ismail Morinës do të rrezikohej nëse ai do të ekstradohej në Serbi.
Ministria shqiptare e Drejtësisë i ka kërkuar homologut të saj kroat të pezullojë kërkesën për ekstradim, duke argumentuar se është në kundërshtim me konventat europiane të ekstradimit dhe me të drejtat e njeriut.
Të shtunën e kaluar, tifozët shqiptarë të futbollit protestuan përpara zyrës së kryeministrit Edi Rama, ku u bënë thirrje autoriteteve të ndërhyjnë për të ndaluar ekstradimin e Morinës.
Morina ka pasur gjithashtu fërkime me ligjin në Shqipëri në të kaluarën.
Në tetor 2015 policia shqiptare e arrestoi atë ndërsa i jepte makinës, ku iu gjet një pistoletë në brez dhe një tjetër e fshehur në makinë.
Policia gjithashtu gjeti 36 bileta me emra të ndryshëm njerëzish që do të ndiqnin ndeshjen e futbollit të Shqipërisë kundër Serbisë në Elbasan. Në dhjetor të vitit 2015, ai u lirua nga paraburgimi.
Gjykata e Lartë në Kroaci nuk ka vendosur ende nëse do ta ekstradojë Morinën.

Dy ministri kundër ekstradimit

Ministria e Drejtësisë u ka dërguar një shkresë zyrtare autoriteteve krovate që të mos lejojnë ekstradimin e Ballist Morinës në Serbi.
Në letrën e dërguar prej tyre, minstri Demiraj shkruan se nëse Ismail Morina, i njohur si “Ballist Morina” do të ekstradohej në Serbi rrezikon t’i nënshtrohet përndjekjes, persekutimeve apo diskriminimeve të motivuara politisht për shkak të shtetësisë së tij.
“Ministri i Drejtësisë në kërkesën drejtuar autoriteteve kroate ka argumentuar se, në rast ekstradimi në Serbi, shtetasi shqiptar Ismail Morina rrezikon t’i nënshtrohet përndjekjes, persekutimeve apo diskriminimeve të motivuara politisht për shkak të shtetësisë së tij dhe gjendjes personale apo shoqërore, çka përbën shkelje të një të drejte themelore të njeriut, që duhet të pengojë miratimin e kërkesës për ekstradim”, shkruhet në njoftim.
Gjithashtu ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, ka kërkuar zgjidhjen e kësaj çështje në rrugë diplomatike, pasi Serbia e ka përdorur politikisht ndeshjen e luajtur në nëntor të vitit 2015.
“Për këtë qëllim, ditën e sotme, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar bashkëpunimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për t’i vënë në dispozicion të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë përdorimin politik nga autoritetet serbe të ngjarjes së ndodhur në stadiumin e Beogradit në nëntor të vitit 2015, si dhe sjelljes çnjerëzore të tifozëve dhe personelit serb të stadiumit ndaj ekipit kombëtar shqiptar, me qëllim provueshmërinë e rrezikut real që i kanoset shtetasit Ismail Morina për shkak të shtetësisë së tij shqiptare në rast ekstradimi në Serbi”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

FSHF, e angazhuar t’i shkojë deri në fund çështjes

Federata e Futbollit Shqiptar ka reaguar për çështjen e Ballist Morinës, ky i fundit pritet që të ekstradohet në Serbi nga Kroacia.
FSHF-ja ka kërkuar nga autoritetet përkatëse dhe institucioneve që të ndërhyjnë brenda kornizës ligjore për ta ndaluar ekstradimin e Ismail “Ballist” Morinës në Serbi.
Lexoni reagimin e Federatës së Futbollit Shqiptar:
FSHF e angazhuar për zgjidhjen e çështjes Morina!
FSHF reagon publikisht dhe i bën thirrje të hapur autoriteteve përkatëse dhe institucioneve që të ndërhyjnë brenda kornizës ligjore për të ndaluar ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi. Menjëherë pas publikimit në media të lajmit për vendimmarrjen e Gjykatës së Dubrovnikut në Kroaci për Ismail Morinën, i ndaluar ditë më parë, FSHF ka nisur menjëherë edhe interesimin e saj të drejtpërdrejtë për t’i dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë këtij problemi shumë të ndjeshëm për tifozët dhe shqiptarët kudo që ndodhen.
FSHF është plotësisht e angazhuar t’i shkojë deri në fund një çështjeje të tillë, duke shfrytëzuar të gjitha rrugët dhe hapësirat e saj institucionale dhe diplomatike për të riparë edhe një herë këtë rast.
FSHF është duke u marrë intensivisht me këtë problem, duke siguruar vetë Ismail Morinën, familjen, por edhe të gjithë tifozët shqiptarë që do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i jepen në mënyrë që një diçka e tillë të mos realizohet dhe ku hapësira ligjore ankimuese në Apel të mundësojë edhe abrogimin e vendimit të Shkallës së Parë.
Ndërkaq, Federata ka nisur menjëherë kontaktet edhe me autoritetet shqiptare për të parë dhe operuar çdo mundësi që ekziston deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit, në mosekstradimin e tij drejt Serbisë.

Juncker: Ballkani Perëndimor, jo shpejt në BE

Kryetari i Komisionit Europian Jena Claude – Juncker ka thënë se nuk është për atë që vendet e Ballkanit Perëndimor sa më shpejt të hyjnë në Bashkimin Europian.
Megjithatë, ai ka theksuar se vendeve të Ballkanit nuk bën t’i merret perspektiva evropiane, transmeton Koha.net.
Në një intervistë për “Politico“ Juncker ka thënë se “nëse BE shpërbëhet, ashtu si po pohon Trump, Ballkani Perëndimor do ta humbiste perspektivën europaine”.
“Nuk jam për atë vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen shpejt BE-së, por nëse atyre ua marrim perspektivën europiane, atëherë sërish do të kemi atë që e kemi pasur në vitet e ‘90-ta. Në këtë kuptim stabiliteti i përbërjes së BE-së është parakusht që Ballkani të mos jetë sërish në luftë, shpresoj se Trump e kupton këtë”, ka thënë Juncker.

Çfarë po ndodh me ilaçet dhe farmacistët

Shkrimi i keq i mjekëve është fenomen sa i njohur edhe i komentuar me humor, por pakkush e di se sa jetë njerëzish kushton, përveç vetë mjekëve, ata duhet ta dinë mirë por e marrin përsipër rrezikun çdo ditë, sepse mesa duket për ta ngelet thjesht statistikë. Dhe kur vjen puna tek statistikat, në SHBA çdo vit vdesin 7000 njerëz dhe dëmtohen rreth 1,5 milionë vetëm prej recetave me shkrim të keq të mjekëve, shkurtimeve dhe ngatërrimit të dozave nga farmacisti që e lexon, ose më mirë të themi mezi e lexon.
Si e kanë zgjidhur farmacistët në Shqipëri? Nga një hetim i Tabloid.al zbuluam se 2262 farmacistë shqiptarë kanë krijuar grupin e tyre sekret në Facebook, emrin e të cilit nuk do ta zbulojmë, ku shkëmbejnë informacione me njëri-tjetrin. Vendin kryesor e zënë postimet e recetave të padeshifrueshme. Çdo ditë dhjetëra receta tuajat postohen në Facebook dhe vendimi final se çfarë mjekimi po merrni i takon komentuesve që shpesh nuk janë në një mendje. Domethënë, vetëm mua më kalon një drithërimë frike?
Nëse në çdo profesion tjetër ne penalizohemi ose të paktën na tërhiqet vëmendja nëse dorëzojmë dokumente të shkruara keq apo të padeshifrueshme, pse mjekët që kanë në dorë jetët tona jo vetëm u lejohet, por edhe u pranohet si i mirëqenë kudo nëpër botë ky shkrim në receta? Pse nuk mund të marrin një minut kohë më shumë për ta shkruar, ta shkruajnë me shkronja shtypi që dallohen më lehtë, të kalohet në receta elektronike apo çfarëdo zgjidhje tjetër që na garanton mjekimin e duhur?  NEPSI (National e-prescribing Patient Safety Initiative) në SHBA u ka ofruar akses dhe përdorim falas mjekëve për të shkruar receta elektronike falas, ku njëkohësisht programi kontrollon për kombinime të rrezikshme të ilaçeve dhe kontrollon që farmacia të sigurojë dozat e duhura.
Gabimet e mjekëve mbajnë vendin e tretë në botë për vdekjet e pacientëve, shto këtu edhe gabimet e farmacistëve në deshifrimin e recetave, do ta kuptoni pse njihni personalisht aq shumë raste njerëzish që kanë gjetur vdekjen ose janë përkeqësuar për shkak të gabimeve të mjekëve.
Po farmacistët? Në vend që të telefonojnë mjekun e rastit ose të ngrenë zërin publikisht për një problem që e hasin çdo ditë, preferojnë të shfryhen nëpër grupe Facebook-u, madje edhe të bëjnë ndonjë shaka lidhur me këtë si farmacisti i mëposhtëm.
Nëse mendoni se ky problem nuk duhet të kalojë më në heshtje, shpërndajeni sa më shumë artikullin tek miqtë tuaj. Mos harroni të na kontaktoni në inbox për çështjet që ju shqetësojnë ju dhe komunitetin tuaj.
Tabloid.al

Presidenti i i Auditimit çek takime me Metën e Leskajn

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar me Kontrollin e Lartë të Shtetit, Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Çekisë, Ing. Miloslav Kala, po zhvillon një vizitë disa ditore në Shqipëri dhe në KLSH.
Zyra e Auditimit Suprem të Çekisë është një nga Institucionet Supreme të Auditimit(SAI-t) më të konsoliduara dhe moderne të Evropës, e themeluar në vitin 1761. Ing. Kala është Zv-President i Parë i Organizatës Europiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), ndërsa më 24 maj 2017, Kongresi i X-të i EUROSAI-t në Stamboll zgjodhi SAI-n çek si SAI-n President të EUROSAI-t për periudhën 2020-2023.
Sot më 2 gusht 2017, Presidenti i Shqipërisë, zoti Ilir Meta takoi në zyrën e tij Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Çekisë, Ing. Miloslav Kala. Presidenti Meta theksoi miqësinë tradicionale që lidh të dy popujt, çek dhe shqiptar dhe u shpreh i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit mes të dy institucioneve të auditimit suprem, bashkëpunim i cili kontribuon në integrimin e vendit në BE. Nga ana e tij, Presidenti Kala vlerësoi gatishmërinë e KLSH-së për të bashkëpunuar në nismat e reja të ndërmarra nga SAI çek në kuadër të të gjithë EUROSAI-t, si dhe rritjen e treguesve kryesorë të performancës së SAI-t shqiptar. Ai u shpreh i gatshëm për të ngritur në nivele më të larta bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave audituese mes Zyrës Çeke dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit
Në sallën qëndrore të Akademisë së Shkencave, po më datën 2 gusht 2017, në prani të audituesve të KLSH-së dhe përfaqësuesve nga shoqatat profesionale të fushës, Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Çekisë, Ing. Miloslav Kala dha një leksion të rëndësisë për SAI-t të përdorimit dhe përpunimit të informacionit dixhital në dispozicion të agjencive qeveritare. Ai solli raste të shumta nga eksperienca e auditimit të të dhënave të përqendruara (Big Data) në projektet dhe shërbimet qeveritare, ndërkohë që prezantoi portalin e EUROSAI-t të të dhënave (database) të auditimeve të të gjitha SAI-ve evropiane në anglisht, portal i krijuar dhe menaxhuar nga Zyra e Auditimit Suprem të Çekisë, me synimin që të shërbejë si një forum virtual shkëmbimi eksperiencash mes SAI-ve evropiane, në bazë të motos së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest (Nga Eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)”.
Takimi mes Presidentit të SAI-t të Çekisë, Inxh. Miloslav Kala dhe Kryetarit të KLSH-së, z. Bujar Leskaj në zyrën e këtij të fundit, u përqendrua në zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar vitin e kaluar, përmes projekteve që do të përfshijnë auditime dhe trajnime të përbashkëta. Bashkëpunimi do të shtrihet edhe në zbatimin e Planit Strategjik të EUROSAI-t, veçanërisht të Objektivit Strategjik Nr. 1 të tij “Bashkëpunimi Profesional”, i drejtuar nga SAI çek, ku në veprimtarinë e grupit të tij të punës e përfshi edhe  KLSH, me ftesë të Presidentit Kala.
Në fjalën e tij, Kryetari Leskaj e vlerësoi vizitën e Inxh. Kala si një nga vizitat më të rëndësishme për KLSH-në, për shkak edhe të profilit të lartë që përfaqëson Inxh. Miloslav Kala, i cili jo vetëm ka kontribuar si personalitet i jetës politike të Çekisë, ku ka mbajtur detyra të rëndësishme si kryebashkiak dhe deputet, por në vitet e fundit është afirmuar si një personalitet qendror i auditimit suprem evropian, me pozicionet e mbajtura dhe nismat e ndërmarra. “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit, në rrugëtimin e tij plot sfida drejt një institucioni evropian modern auditimi, bashkëpunimi me figura të larta dhe institucionet më të mira të auditimit evropian përbën një vlerë të shtuar dhe një aset të rëndësishëm”, u shpreh Kryetari i KLSH-së.
Presidenti Kala falënderoi Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për mbështetjen zyrtare dhe lobimin e ushtruar në Kongresin e X-të të EUROSAI-t për zgjedhjen e Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës Çeke në postin e Presidencës së EUROSAI-t për vitet 2020-2023. Ai u shpreh se vjen në KLSH jo vetëm si Kreu i SAI-t çek, por edhe si Zv/President i Parë i EUROSAI-t, duke cilësuar se marrëveshja e bashkëpunimit me KLSH-në do të ketë impakte shumë përmasore, jo vetëm në rrafshin e forcimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve, por edhe në kuadër të bashkëpunimit mes KLSH-së dhe EUROSAI-t.
Ai vlerësoi kontributin dhe rolin e Kryetarit Leksaj në zhvillimin e  Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke theksuar se KLSH ka arritur të dallohet si një nga institucionet më serioze në Shqipëri. “Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ndërmarrë reforma të mëdha, të cilat e kanë përafruar me modelet dhe metodologjinë audituese europiane. Në Shqipëri keni arritur një standard të lartë si institucion shtetëror, ndërsa puna juaj ka shënuar impakte të rëndësishme për mirëqeverisjen në vend. Si President i SAI-t çek dhe si zv/President i EUROSAI-t dëshiroj të konfirmoj vullnetin tim për të mbështetur Kontrollin e Lartë të Shtetit në kapërcimin e sfidave që has në implementimin e standardeve ndërkombëtare të auditimit”.
Kryetari Leskaj theksoi se KLSH është një institucion i ndërgjegjshëm për rolin që ka në luftën kundër korrupsionit dhe sfidën që të jetë një organizatë që udhëheq përmes shembullit. Äi u shpreh se, “Zyra e Auditimit Suprem të Republikës së Çekisë përbën për ne  një shembull të asaj se çfarë duhet të arrijmë dhe jam i bindur se, zbatimi i marrëveshjes së bashkëpunimit do të jetë produktiv për zhvillimin e metodologjisë audituese dhe për rritjen e kontributit të KLSH-së në luftën kundër korrupsionit”.

Deputetët betohen, por nuk zgjedhin drejtuesit

Parlamenti i ri i Kosovës u mblodh dje për herë të parë pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit, por dështoi të zgjedhë udhëheqjen e tij.
Seanca e cila filloi me vonesë, u ndërpre menjëherë pas betimit të deputetëve, meqë koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, kërkoi dy orë pushim para se të hidhet propozimi dhe të votohet për kryetarin e Parlamentit. Ky post, i takon koalicionit fitues.
Nga 120 deputetë sa ka Parlamenti i Kosovës, 60 votuan në favor dhe 60 kundër këtij propozimi dhe kryesuesi i seancës, deputeti Adem Mikullovci tha se në raste të tilla propozimet nuk kalojnë.
“Meqenëse rezultati ishte 60 për dhe 60 kundër, rezultati është i barabartë propozimi bie poshtë dhe nuk miratohet”, tha ai.
Kjo nxiti pakënaqësinë e koalicionit fitues dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kritikoi mënyrën e drejtimit të seancës.
“Ju nuk jeni i pari i familjes, por vetëm udhëheqës i seancës, ju kisha lutë mos bëni shkelje të rregullores”, tha zoti Hoxhaj.
Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se, me këtë shtyrje koalicioni fitues po synon bllokimin e konstituimit të Parlamentit.
Ndërsa, Avdullah Hoti nga koalicioni i Lidhjes Demokratike, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës akuzoi “Presidentin e vendit, Hashim Thaçi, për përfshirje në shtyrjen e seancës konstituive të Parlamentit”, ndërsa nënvizoi se Kosova nuk ka kohë që të presë më, sepse edhe ashtu ndodhet në afatet e fundit kushtetuese”.
Kryesuesi i Parlamentit e shpalli të mbyllur mbledhjen e sotme. Pak orë më pas, ai thirri mbledhjen e Parlamentit pasdite.
Seanca konstituive shihej edhe si vendimtare për koalicionin fitues të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, nëse do të mund të sigurojë votat e mjaftueshme për krijimin e qeverisë së re, një proces sfidues meqë asnjë forcë politike nuk i ka votat e mjaftueshme që ta krijojë e vetme qeverinë.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve, koalicioni fitues ka 39 vende në Parlament dhe bashkë me deputetët e pakicave kombëtare arrin në 59 vota, dy më pak se sa votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit dhe për krijimin e qeverisë.
Votimi i propozimit për një pushim dy orësh shfaqi ndarjen e thellë të votave në Parlament.

34.3 milionë euro Kosovës për vende të reja pune

Në Kosovë, zyrtarë të qeverisë në largim dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore, nënshkruan dy marrëveshje për një kredi prej 34.3 milionë eurosh që do të investohen në fuqizimin e sektorit privat dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se “projekti i parë ka për qëllim avancimin e legjislacionit për tregti si dhe krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për eksporte me standarde ndërkombëtare. Realizimi i projektit në fjalë do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e konkurueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve që eksportohen nga tregu i Kosovës”, ndërsa marrëveshje e dytë ka të bëjë me sektorin e bujqësisë dhe ka për qëllim vazhdimin e financimit për grantet e bujqve, si dhe për rehabilitimin e kanaleve në skemat e ujitjes Radoniqi dhe Dukagjini”, tha ministri Hoti
Ndërsa, përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, tha se dy marrëveshjet e reja do të ndihmojnë rritjen ekonomike të Kosovës të bazuar në shtimin e prodhimit brenda vendit dhe me aftësi të konkurrencës më të lartë jashtë vendit.
“Financimi për këto projekte është pjesë e strategjisë së Grupit të Bankës Botërore që synon t’i ndihmojë Kosovës në përparimin drejt rritjes ekonomike më të qëndrueshme, të drejtuar nga eksporti, ashtu që qytetarët e saj të kenë më shumë mundësi për një jetë më të mirë”, tha zoti Mantovanelli.
Zbatimi i marrëveshjeve kërkon edhe ratifikimin në Parlamentin e Kosovës, i cili pritet të mblidhet të enjten për herë të parë pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit.
Për shkak të situatës së krijuar me zgjedhjet e parakohshme, javën e kaluar Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se, Kosova do të humbë rreth 16 milionë euro kredi nga ky fond, meqë marrëveshja skadon me 4 gusht dhe mungesa e institucioneve të reja, pamundëson diskutimet rreth saj.
Marrëveshja ishte realizuar në vitin 2015, për një shumë prej rreth 185 milionë eurosh, ndërsa rishqyrtimi i fundit i projekteve të mbështetura duhej të bëhej në qershor kur vendi ishte në zgjedhje.
Kosova shpalli pavarësisë në shkurt të vitit 2008, ndërsa në qershor të vitit 2009, ajo u bë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Anëtarësimi qe vlerësuar me rëndësi për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës, e cila përballet me shkallë të lartë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe varfërisë.