18.5 C
Tirana
E martë, 10 Qershor, 2025

Arsenali kërkoi talentin e Dortmundit, por mori një “jo”

Kjo ishte e papritur! Arsenali këtë verë duket se ka bërë një ofertë për mesfushorin e Dortmundit, Ousmane Dembele, por është refuzuar. Lajmi vjen nga e përditshmja sportive spanjolle “El Mundo Deportivo”, sipas së cilës trajneri Arsene Wenger është i magjepsur nga 19-vjeçari. Pavarësisht deklaratave se Alexis Sanchez nuk do të largohet nga Londra, “Topçinjtë” janë të vetëdijshëm se gjithçka mund të ndodhë dhe po përgatiten për çdo skenar të mundshëm. Sulmuesi kilian nuk ndihet rehat në “Emirates Stadium”, sepse do të luajë në Champions League. Dembele me të vërtet nuk është një golashënues si 28-vjeçari, por luan në krah dhe do t’i sillte shumë dinamikë dhe ide lojës së Arsenalit. Përveç londinezëve, interes për mesfushorin francez ka shprehur edhe PSG-ja, por përgjigjja e Dortmundit ka qenë e njëjta: “jo”. Në Spanjë, ndërkohë, ai po “programohet” si pasues i brazilianit Neymar.

Vera e tmerrshme e Bayern, që nga e shtuna, s’ka më justifikime!

Një verë makthi ka qenë ajo që kanë kaluar Carlo Ancelotti dhe Bayern Munich. Humbja kundër Napolit ka qenë e fundit e një serie të gjatë, në gjashtë miqësore të luajtura mes “International Champions Cup” dhe “Audi Cup”. Bavarezët kanë buzëqeshur vetëm në fitoren 3-2 ndaj Chelsea. Të tjerat kanë qenë dështime, dy prej të cilave të shkaktuara nga skuadrat italiane Milan (0-4) dhe Inter (0-2). Sigurisht që nuk mund të bëhet dramatike situata vetëm për miqësoret, por të shtunën është ndeshja e parë zyrtare, Superkupa e Gjermanisë kundër Borussia Dortmund. Neuer, Boateng dhe Robben nuk luajtën, Hummels, Lewandovski, Muller dhe Ribery e nisën ndeshjen nga stoli. Ancelotti ka një justifikim për formacionin jo të plotë, por duke nisur nga dita e shtunë ndalohen gabimet. “Do të punojmë për t’i transformuar vërshëllimat në duartrokitje. Ndaj Napoli na munguan pjesa më e madhe e titullarëve, por sezoni ende nuk ka nisur dhe kemi kohë për t’u përmirësuar”, këto kanë qenë fjalët e Ancelotti-t pas humbjes kundër Napolit, por zemërimi i tifozëve në “Allianz Arena”, nuk e ka lënë indiferent. Më 18 gusht është edhe ndeshja e parë në shtëpi kundër Bayer Leverkusen. Koha e eksperimenteve mbaroi.

Spikat Bruno Telushi, vlerësohet lojtari i javës në Kroaci

Bruno Telushi e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij në Kroaci. Ish-kapiteni i Flamurtarit realizoi një paraqitje të përsosur në fitoren 1-0 të Sllaven Belupos kundër Inter Zapresiç. Kjo performancë e vlonjatit është shpërblyer jo vetëm me përfshirjen në skuadrën më të mirë të javës, por 26-vjeçari është vlerësuar gjithashtu si lojtari më i mirë i këtij raundi në ligën kroate. Bruno Telushi vendosi që në këtë sesion të merkatos të largohej nga qyteti i tij i lindjes Vlora, të braktiste shiritin e kapitenit tek Flamurtari për t’u transferuar në kampionatin kroat me Slaven Belupon dhe deri më tani duket si zgjedhja më e mirë. Mesfushori është aktivizuar në të tria takimet e para që skuadra e tij ka zhvilluar në këtë sezon në kampionat, ku ekipi i Belupos ka regjistruar dy fitore dhe një disfatë ndaj kampionëve të Rijekës. Në takimin e fundit ku Slaven mposhti në transfertë Inter Zapresiç me rezultatin 1-0, 26-vjeçari shqiptar ishte absolutisht lojtari më i mirë në fushën e lojës. Performanca e tij nuk ka kaluar pa vëmendje dhe Telushi jo vetëm që është përfshirë në formacionin më të mirë të javës, por është shpallur edhe lojtari më i spikatur i këtij raundi në ligën kroate. Statistika e vlonjatit në këtë takim kanë qenë thuajse të përsosura. 3 goditje drejt portës dy prej të cilave në kuadrat, 42 pasime të sakta nga 47 të tentuara, 12 duele të fituara nga 15 dhe gjithashtu 10 harkime drejt zonës, vërtet një performancë e nivelit të lartë. Nëse Telushi vijon me këto ritme atëherë do të ketë të drejtën e plotë për të pretenduar fanellën kuqezi, jo atë të Flamurtarit, por atë të skuadrës tonë përfaqësuese.

Keidi Bare nderon Simeonen, i shënon Liverpool

Tashmë Keidi Bare mund të cilësohet si një bast i fituar për trajnerin Simeone. Talenti i Shpresave të Shqipërisë ka shënuar golin e parë me skuadrën e Atletico-s dhe këtë e ka bërë ndaj gjigantëve anglezë të Liverpool. Simeone e aktivizoi që nga minuta e parë 19-vjeçarin shqiptar dhe ai ia shpërbleu duke shënuar golin e parë në këtë takim. Bare qëndroi në fushën e lojës deri në minutën e 60, duke zhvilluar një paraqitje fantastike përballë Liverpool, në ndeshjen e vlefshme për “Audi Cup”. Në momentin e golit, jo vetëm Bare festoi si i “çmendur”, mëse legjitime për të, por të njëjtën gjë bëri edhe Simeone. Keidi Bare provoi për herë të parë jehonën e një stadium madhështor si “Allianz Arena” në momentin kur Diego Pablo Siemone vendosi t’i dhuronte një fanellë titullari në finalen e turneut “Audi Cup” mes Atleticos së Madridit dhe Liverpoolit. Mesfushori fierak nuk u tremb aspak përkundrazi, pavarësisht se bëhej fjalë për një turne miqësor shpalosi vlerat e tij absolute duke gjetur për herë të parë rrugën e rrjetës me ngjyrat e “rojiblanocve”. Një harkim i Vrsalijkos u devijua në portë nga Correa, por Ward arriti mrekullisht ta dërgonte në traversë, megjithatë në topin e kthyer u lëshua menjëherë kapiteni i kombëtares shqiptare të 21-vjeçarëve, i cili me kokë e përcolli në rrjetë. Një gol shumë i rëndësishëm në aspektin personal dhe një paraqitje e përsosur, e cila është marka më e mirë e prezantimit për 19-vjeçarin shqiptar. Bare u zëvendësua në minutën e 59-të duke i lënë vendin Antoine Griezmannit. Përsa i përket finales së “Audi Cup”, goli i realizuar nga mesfushori fierak i dha avantazhin Atleticos, por Liverpooli rivendosi ekulibrat 8 minuta nga fundi kur Origi fitoi një 11 metërsh si pasojë e një kontakti me Gabin. Firmino nga pika e bardhë e dërgoi topin në fund të rrjetës. Gjithçka u mbyll në barazim dhe ky takim iu drejtua penalltive. Gabimi i kapitenit Jordan Henderson, i cili u ndal nga Moya u shfrytëzua plotësisht nga lojtarët e Atleticos dhe në fund ishte Filipe Luis ai që realizoi duke i dhuruar trofeun “los colchonerove”.

Milan “troket” te Chelsea, kërkon huazimin e Diego Costa

Ka të reja në rrugën që mund ta çojë Diego Costa-n te Milan! Kuqezinjtë mbeten në kërkim të një qendërsulmuesi dhe spanjolli është në listën e kandidatëve bashkë me Kaliniç, Belotti, Aubameyang dhe Ibrahimoviç, aksionet e të cilëve ulen e ngrihen çdo ditë në bazë të drejtuesve dhe menaxherëve të tyre. Por, Mirabelli dhe Fassone kanë bërë një hap përpara në krahasim me dje, duke kërkuar zyrtarisht te Chelsea huazimin për një sezon. Kjo lëvizje duket se i pëlqen të gjitha palëve, mbi të gjitha futbollistit, që është në kërkim të një klubi me nivel të lartë, ku të luajë titullar dhe të mos humbasë vendin në “Rusi 2018”. Huazimi është mënyra që i pëlqen lojtarit të lindur në Brazil, pasi do të kishte sërish mundësinë të shkonte te Atletico Madrid, destinacioni i tij i preferuar, në momentin që FIFA do t’i heqë embargon e merkatos skuadrës drejtuar nga Simeone. Edhe Chelsea do të ishte “pro” huazimit të një futbollisti që nuk është më në planet e Conte-s.

Nga Maradona te Neymar, historia e largimeve të mëdha nga Barcelona

Historikisht, Barcelona ka pasur gjithmonë probleme me figurat e saj të mëdha. Klubi katalanas është përpjekur gjithmonë që të ketë lojtarët më të mirë në botë, ia ka arritur kësaj, por shumica e tyre kanë shkuar nga dera e pasme. Kjo gjë filloi me Maradonën, u pasua nga Figo, Laudrup, Shuster, Rivaldo, Romario, Ronaldinho dhe përfundon, të paktën deri më tani, nga Neymar. Maradona ishte një nga blerjet e para të mëdha të Barcelonës. Ai u bashkua me klubin katalanas në sezonin 1982-1983, i ardhur nga Boca Juniors. Qëndroi aty për dy sezone, me një paraqitje të parregullt. Lëndimi i rëndë, i pësuar pas një ndërhyrjeje të ashpër të Goikoetxea, lojtar i Athletic, ishte një nga shkaqet që performanca e tij nuk rezultoi siç pritej, pa harruar jetën e tij të keqe jashtë fushe. Më 5 maj 1984, në fund të finales së Kupës së Mbretit (humbja 1-0 kundër Athletic) ishte protagonist i një rrahje të rëndë ndërmjet lojtarëve të të dy ekipeve. Ai sulmoi Miguel Angel Sola dhe u ndalua për tre muaj, pa qenë në gjendje të luajë. Ky sanksion, ndjenja pak e mbështetur nga direktiva dhe problemet ekonomike për shkak të keqmenaxhimit të përfaqësuesit të tij, Jorge Czysterpiller, udhëhoqën lamtumirën e tij për Barcelonën. Napoli pagoi për të 1.185 milionë pesetas (rreth 7,100 milionë euro).

Kalimi te PSG, zbulohet dhurata e parë për Neymarin

Te PSG-ja janë duke u bërë gati për të pritur futbollistin më të shtrenjtë të historisë të futbollit. Mjedisi, tifozët madje edhe shumë shokë të skuadrës janë gati për t’i dhënë mirëseardhjen yllit brazilian. Dhurata e parë për Neymarin vjen nga argjentinasi Havier Pastore, i cili vendosi ta lirojë numrin 10-të që mban në fanellë për brazilianin. Në një prononcim për radion spanjolle “Cadena Ser”, Pastore ka sqaruar: “Unë dua që ai të ndihet rehat dhe i lumtur që në ditën e parë. Dua t’i jap gjithë mbështetjen që ka nevojë në mënyrë që së bashku ne mund të fitojmë Ligën e Kampionëve. Për mua ky është një simbol i vogël mirëseardhjeje”. Ky gjest ka prekur edhe shoqërinë parisiene, sipas “Cadena Ser”, klubi ka vendosur të mos e shesë Pastoren, të paktën edhe për një sezon.

Neymar shkon në FIFA, do të largohet urgjentisht nga Barça

La Liga dje bëri atë që presidenti Javier Tebas e kishte paralajmëruar me kohë: nuk pranoi pagesën e klauzolës së largimit të Neymar-it nga Barcelona për t’u transferuar te PSG-ja. Avokatët e sulmuesit brazilian vizituan institucionin më të madh të futbollit spanjoll në Madrid, por nuk arritën të mbyllnin kalimin e 25-vjeçarit në “Parc des Princes”. Klauzola e largimit e ish-yllit të Santosit është 222 milionë euro, shumë të cilën klubi parisien është gati ta paguajë, por La Liga ka ndaluar procedurat, të paktën tani për tani. Sipas mediave spanjolle, Neymar me këshilltarët e tij do të dorëzojnë një kërkesë të veçantë te FIFA për këtë çështje, që i bie të jetë praktikisht ankesë. Agjenti i lojtarit, Wagner Ribeiro, dje tha se PSG-ja ishte gati për të paguar shifrën e parashikuar në kontratën e klientit të tij me Barcelonën, që prezantimi në Paris të bëhej që në fundjavë. Duket qartë se Neymar e ka me nxitim shkëputjen nga katalanasit. Ëndrra e tij është të bëhet më i miri në botë, larg shokut dhe idhullit të tij, Lionel Messi.

La Liga refuzon pagesën për Neymar

Nuk mund të konsiderohet si një rrufe në qiell të hapur episodi më i fundit i çështjes së transferimit të Neymar te PSG, kjo pasi pozicioni i Ligës spanjolle të Futbollit ishte lënë të kuptohej nga një intervistë të presidentit Javier Tebas, por tanimë është zyrtare. La Liga ka kthyer pas pagesën e klauzolës së transferimit të brazilianit nga Barcelona te PSG, duke u mbështetur te aplikimi i rregullave që kanë të bëjnë me fair play financiar. Gjithsesi vlen të kujtohet se në lidhje me të njëjtën temë, një ditë më parë ishte shprehur UEFA që kujtoi se klubi parisien ka kohë deri në fund të gushtit për të kryer shitjet e nevojshme në mënyrë që të futet në kornizat financiare të parashikuara nga rregullorja. Juan de Dios Crespo, avokat i specializuar në të drejtën sportive, ishte personi që ishte ngarkuar të depozitonte në zyrat e Ligës spanjolle të Futbollit çekun prej 222 milionë eurosh, por tentativa e tij është refuzuar nga organi që kontrollon futbollin spanjoll. PSG, gjithsesi mund t’i drejtohet FIFA-s dhe të marrë transferimin e përkohshëm, pasi pagesa e klauzolës ishte e parashikuar në kontratën e Neymar me Barcelonën. Pra, praktikisht refuzimi i Ligës spanjolle është një pengesë gjatë rrugës, por që gjithsesi nuk mund të ndikojë në përfundimin pozitiv të operacionit.