21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Kalimi te PSG, zbulohet dhurata e parë për Neymarin

Te PSG-ja janë duke u bërë gati për të pritur futbollistin më të shtrenjtë të historisë të futbollit. Mjedisi, tifozët madje edhe shumë shokë të skuadrës janë gati për t’i dhënë mirëseardhjen yllit brazilian. Dhurata e parë për Neymarin vjen nga argjentinasi Havier Pastore, i cili vendosi ta lirojë numrin 10-të që mban në fanellë për brazilianin. Në një prononcim për radion spanjolle “Cadena Ser”, Pastore ka sqaruar: “Unë dua që ai të ndihet rehat dhe i lumtur që në ditën e parë. Dua t’i jap gjithë mbështetjen që ka nevojë në mënyrë që së bashku ne mund të fitojmë Ligën e Kampionëve. Për mua ky është një simbol i vogël mirëseardhjeje”. Ky gjest ka prekur edhe shoqërinë parisiene, sipas “Cadena Ser”, klubi ka vendosur të mos e shesë Pastoren, të paktën edhe për një sezon.

Neymar shkon në FIFA, do të largohet urgjentisht nga Barça

La Liga dje bëri atë që presidenti Javier Tebas e kishte paralajmëruar me kohë: nuk pranoi pagesën e klauzolës së largimit të Neymar-it nga Barcelona për t’u transferuar te PSG-ja. Avokatët e sulmuesit brazilian vizituan institucionin më të madh të futbollit spanjoll në Madrid, por nuk arritën të mbyllnin kalimin e 25-vjeçarit në “Parc des Princes”. Klauzola e largimit e ish-yllit të Santosit është 222 milionë euro, shumë të cilën klubi parisien është gati ta paguajë, por La Liga ka ndaluar procedurat, të paktën tani për tani. Sipas mediave spanjolle, Neymar me këshilltarët e tij do të dorëzojnë një kërkesë të veçantë te FIFA për këtë çështje, që i bie të jetë praktikisht ankesë. Agjenti i lojtarit, Wagner Ribeiro, dje tha se PSG-ja ishte gati për të paguar shifrën e parashikuar në kontratën e klientit të tij me Barcelonën, që prezantimi në Paris të bëhej që në fundjavë. Duket qartë se Neymar e ka me nxitim shkëputjen nga katalanasit. Ëndrra e tij është të bëhet më i miri në botë, larg shokut dhe idhullit të tij, Lionel Messi.

La Liga refuzon pagesën për Neymar

Nuk mund të konsiderohet si një rrufe në qiell të hapur episodi më i fundit i çështjes së transferimit të Neymar te PSG, kjo pasi pozicioni i Ligës spanjolle të Futbollit ishte lënë të kuptohej nga një intervistë të presidentit Javier Tebas, por tanimë është zyrtare. La Liga ka kthyer pas pagesën e klauzolës së transferimit të brazilianit nga Barcelona te PSG, duke u mbështetur te aplikimi i rregullave që kanë të bëjnë me fair play financiar. Gjithsesi vlen të kujtohet se në lidhje me të njëjtën temë, një ditë më parë ishte shprehur UEFA që kujtoi se klubi parisien ka kohë deri në fund të gushtit për të kryer shitjet e nevojshme në mënyrë që të futet në kornizat financiare të parashikuara nga rregullorja. Juan de Dios Crespo, avokat i specializuar në të drejtën sportive, ishte personi që ishte ngarkuar të depozitonte në zyrat e Ligës spanjolle të Futbollit çekun prej 222 milionë eurosh, por tentativa e tij është refuzuar nga organi që kontrollon futbollin spanjoll. PSG, gjithsesi mund t’i drejtohet FIFA-s dhe të marrë transferimin e përkohshëm, pasi pagesa e klauzolës ishte e parashikuar në kontratën e Neymar me Barcelonën. Pra, praktikisht refuzimi i Ligës spanjolle është një pengesë gjatë rrugës, por që gjithsesi nuk mund të ndikojë në përfundimin pozitiv të operacionit.

A u dëbua Rama nga fotoja zyrtare e Samitit të Adriatikut?

Kryeministri Edi Rama ka munguar dje në foton zyrtare të të Samitit të Adriatikut të zhvilluar dje në Malin e Zi. Pas përfundimit të punimeve të Samitit, liderët e Ballkanit bashkë me Zv/Presidentin amerikan Mike Pence bënë fotografinë zyrtare, një traditë kjo e ndjekur zyrtarisht në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare.
Në këtë foto familjare bashkë me Zv/Presidentin e SHBA, Mike Pence, janë dhe liderët e vendeve të Ballkanit, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, Kryeministri i Bosnje Hercegonivës, Denis Zvizdiç, Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviç, Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, Kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar. Ai që mungon është vetëm Kryeministri i Shqipërisë, Rama.
Foto është publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Malit të Zi. Ndonëse i pranishëm gjatë punimeve të Samitit, Rama nuk është i pranishëm në foton zyrtare.
A kemi të bëjmë me një dëbim të Ramës nga foto zyrtare e Samitit të Adrtiakut apo vetë lideri global ka refuzuar që të jetë në foton zyrtare të takimit bashkë me Zv/Presidentin amerikan Mike Pence, i cili siç u shpreh në takim ishte i dërguari direkt i Presidentit amerikan Trump për të dhënë mesazhe të forta për sigurinë e rajonit, NATO dhe qeveritë e reja me besim popullor larg korrupsionit.
Vështirë të besohet se lideri global që kalon të gjithë kohën në Shqipëri në takime informale me krerë të karteleve të drogës dhe oligarkë të ketë refuzuar që të jetë pjesë e fotos zyrtare të Samitit të Adriatikut përkrah Zv/Presidentit Pence dhe kryeministrave të tjerë të rajonit.
Gjatë ditës së djeshme, lajmet që qarkullonin në lidhje me prezencën e Ramës në Samit nuk kishin të bënin me takimet e zhvilluara prej tij atje, por për paraqitjen në thyerje të kodit të veshjes të një takimi të një niveli të tillë të lartë ku ai u paraqit sërish me atlete.
Rama u shfaq përballë Zv/Presidentit të SHBA me atlete, duke përcjellë mungesë serioziteti dhe respekti jo vetëm ndaj numrit dy të Shtëpisë së Bardhë, por ndaj gjithë të pranishmëve të tjerë në Samit.
Ndoshta deliri dhe mendjelehtësia për show edhe në evente të tilla ndërkombëtare e ka penalizuar Ramën, duke e dëbuar atë nga foto zyrtare e Samitit të Adriatikut. Kjo mund të ishte më e pakta që mund të thuhet për mungesën e tij në këtë foto. Mesazhi politik i mungesës së Ramës në foton zyrtare të Zv/Presidentit Pence me krerët e tjerë të qeverisë të rajonit merr një kontekst krejt të ndryshëm duke e çuar atë në kufijtë e një incidenti.
Pavarësisht se Rama ka mundur të bëjë një foto kortezie me Zv/Preesidentin Pence, kreu i qeverisë shqiptare nuk ka pasur asnjë takim zyrtar me numrin dy të Shtëpisë së Bardhë. Pence ka pasur takime të tjera me krerët e qeverive të rajonit dhe nuk rezulton të ketë zhvilluar një takim të tillë me Ramën.

Arben SHAHINI

SHBA zbarkon në Tiranë për drogën, krimin e korrupsionin

Një delegacion me kongresmenë amerikanë dhe Drejtues të Komisionit për Inteligjencën në Kongresin Amerikan ka vizituar të martën Shqipërinë për t’u njohur nga afër me zhvillimet në vend.
Në përbërje të këtij delegacioni kanë qenë kongresmenët Devin Nunes, njëkohësisht Kryetar i Komisionit për Inteligjencën në Kongresin Amerikan, dhe kongresmeni Rick Crawford, anëtar i këtij komisioni.

Ky është komisioni më i rëndësishëm dhe më me peshë në Kongresin Amerikan, pasi merret me mbikëqyrjen e çështjeve sensitive që kërcënojnë demokracitë e shteteve të jashtme të lidhura me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vizita e këtij delegacioni vjen pas një sërë raportesh të publikuara nga Departamenti amerikan i Shtetit, ku Shqipëria evidentohet tashmë si një vatër e krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike gjithashtu.

Gjatë kësaj vizite, kongresmenët dhe anëtarët e Komisionit për Inteligjencën në Kongresin Amerikan kanë zhvilluar të martën në mbrëmje një darkë pune me kreun e PD, Lulzim Basha. Të pranishëm ishin kongresmenët Devin Nunes, Kryetar i Komisionit për Inteligjencën në Kongresin Amerikan  dhe Rick Crawford, anëtar i këtij komisioni.

Në fokus të bisedës ishte situata në Shqipëri dhe rajon dhe bashkëpunimi strategjik me SHBA për t’u përballur me kërcënimet e krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit. Mësohet se kreu i opozitës i njohu kongresmenët amerikanë me fakte dhe të dhëna për rolin e organizatave kriminale në bashkëpunim me qeverinë për blerjen dhe manipulimin e votës së 25 qershorit.
Basha ka njohur kongesmenët me prova të pakundërshtueshme se si zgjedhjet e 25 qershorit ishin tërësisht nën diktatin e pushtetit të krimit dhe parave të drogës, e për rrjedhojë vullneti i lirë i shqiptarëve u tjetërsua dhe votat u blenë masivisht për të prodhuar më pas rezultatin e një fituesi fals.
Bashkëbiseduesit ndanë shqetësimin për shumë prej problemeve të evidentuara në zgjedhje dhe u shprehën në mbështetje të një reforme të thellë zgjedhore dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi. Po ashtu, bëhet e ditur se ata shprehën shqetësimin për rritjen galopante të kultivimit e trafikimit të drogës në Shqipëri.
Siç mësohet, Basha i siguroi kongresmenët për qendrimin e palëkundur të PD, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe drogës, në shërbim të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë dhe mbarë rajonit.
Kriza politike, e veçanërisht droga dhe krimi kanë qenë shqetësim i ngritur në mënyrë konstante nga përfaqësues të Kongresit Amerikan ashtu si edhe Senatit. Reagime të forta nga Kongresi e Senati Amerikan janë përcjellë për Shqipërinë në lidhje me kërcënimin e sigurisë së vendit nga forcimi dhe pushteti i grupeve kriminale dhe trafikut të drogës gjithashtu.
Këto reagime u bënë edhe më intensive gjatë fushatës zgjedhore ku ngrihej shqetësimi për cënimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shqetësim që pas zgjedhjeve të 25 qershorit rezultoi i drejtë.

Njoftimi i Ambasadës së SHBA
Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve Devin Nunes dhe Rick Crawford vizituan Shqipërinë, ku u takuan me një sërë udhëheqësish për të diskutuar çështje të ndryshme, përfshirë aleancën e NATO-s, sigurinë rajonale, bashkëpunimin për mbrojtjen dhe luftën ndaj terrorizmit, si dhe marrëdhëniet dypalëshe. Gjatë vizitës së tyre, anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve Nunes dhe Crawford u takuan me Presidentin Meta, Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, dhe zyrtarë të tjerë. Ata vunë theksin në rëndësinë e kontributit të Shqipërisë në luftën ndaj terrorizmit, rolin e vendit në stabilitetin rajonal dhe nevojshmërinë për zbatimin e reformave kyçe.

Kongresmenët priten nga Meta, nuk takojnë Ramën
Të martën, vizita e këtij delegacioni u pasqyrua në mënyrë të vakët në media teksa u përcoll një njoftim i shkurtër për shtyp nga Presidenca, ku lajmërohej takimi me Presidentin Meta. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme nuk ka patur asnjë informacion nëse kongresmenët kanë zhvilluar takim me Kryeministrin Rama apo jo. Nga zyra e shtypit e Kryerministrisë si dhe faqes zyrtare të saj nuk ka asnjë lajmërim mbi një takim të mundshëm të Ramës me përfaqësuesit e Kongresit Amerikan dhe Komisionit për Inteligjencën.
Më vonë, pasdite, Ambasada Amerikane publikoi takimet e zhvilluara të dy kongresmenëve në Tiranë, ku përmendej vetëm takimi me Presidentin Meta dhe Kreun e PD, Basha, duke lënë të kuptohej se nuk ka patur një takim me Kryeministrin Rama.
I vetmi takim i bërë publik në media mbi vizitën e dy kongresmenëve amerikanë krahas darkës së punës me kreun e PD, Basha ishte dhe një njoftim i shkurtër nga ana e Presidencës.
Sipas të cilës “Meta zhvilloi një takim pune me një delegacion kongresmenësh, anëtarë të Komisionit të Përhershëm Përzgjedhës të Dhomës së Përfaqësuesve për Inteligjencën të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (HPSCI), të kryesuar nga Devin Nunes. Presidenti Meta dhe kongresmenët amerikanë diskutuan dhe ndanë pikëpamje të njëjta mbi çështje të sigurisë rajonale dhe globale, duke pasur parasysh se Shqipëria, përveç se një anëtare dhe kontribuese e NATO-s, ka treguar e provuar se është edhe një aleate besnike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në koalicionin kundër terrorizmit dhe ekstremizmit ndërkombëtar”.

DASH: Shqipëria, bazë krimi, korrupsioni dhe tranzit heroine dhe kokaine

Në të gjitha raportet e publikuara këtë vit, Departamenti Amerikan i Shtetit ka përfshirë Shqipërinë në listën e fundit të shteteve kryesore që pastrojnë para në botë, teksa institucionet e tyre financiare janë të përfshirë në transaksionet në valutë, që përfshijnë të ardhura të konsiderueshme nga trafiku i drogës. Për Shqipërinë, raporti thotë se nuk është një qendër rajonale financiare apo qendër e parajsave fiskale. Vendi mbetet në rrezik të konsiderueshëm për pastrimin e parave për shkak të korrupsionit të shfrenuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare. Shqipëria ka një ekonomi të madhe në cash dhe të sektorit informal, me prurje të mëdha të parave nga jashtë në formën e remitancave. Të ardhurat më të mëdha të gjeneruara nga krimi në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal, kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallra të kontrabanduara dhe kontrabanda është lehtësuar nga kontrollet e dobëta kufitare dhe procedurat doganore. Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të konsiderueshme marijuane, kryesisht për përdorim europian dhe është një vend tranzit për heroinën afgane dhe kokainën, duke shërbyer si një portë kryesore për shpërndarjen e heroinës në të gjithë Evropën. Shqipëria shërben si një bazë e operacioneve rajonale për organizatat e krimit të organizuar. Të ardhurat e paligjshme mund të pastrohen lehtë, tha raporti. Pasuritë e paluajtshme (veçanërisht në zonat bregdetare), projektet e zhvillimit të biznesit dhe të lojërave të fatit janë ndër metodat më të popullarizuara për të fshehur të ardhurat e paligjshme. Ligjvënësit njohin nevojën për të luftuar pastrimin e parave, por mbeten kryesisht të paefektshëm për të bërë këtë. Policia e Shtetit ka një njësi të dedikuar Krimit Ekonomik, që bën përpjekje për të parandaluar pastrimin e parave, ndërsa policia dhe prokurorët vazhdojnë të trajnohen në këtë temë. Ka nevojë për bashkëpunim më të mirë mes policisë dhe prokurorëve. Raporti shton se, ndërsa autoritetet shqiptare raportuan një rritje të arrestimeve dhe shkatërrimin e plantacioneve të kanabisit në vitin 2016, ka pasur edhe raporte të rritjes së kultivimit të kanabisit brenda vendit. Megjithatë, me përjashtim të marijuanës, përdorimi i paligjshëm i drogës nuk duket të jetë i përhapur. Ndërkohë që qeveria e Shqipërisë miratoi reforma të Kodit Penal dhe ndryshime legjislative më 2012 përpjekjet e zbatimit kanë qenë të dobëta. Pavarësisht nga një numër i konsiderueshëm i hetimeve të pastrimit të parave, numri i ndjekjeve penale të pastrimit të parave mbetet i ulët. Deri në mes të vitit 2016, katër raste të pastrimit të parave janë referuar në Gjykatë për ndjekje, ndërsa shtatë të pandehur janë dënuar për veprën. Në vitin 2016 zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka punësuar një ekspert të tretë për të ndihmuar në hetimin e rasteve. DASH në raportet e tij flet edhe për korrupsionin në qeveri e institucione të tjera. Burimet më të mëdha të të ardhurave të paligjshme janë trafiqet, korrupsioni i zyrtarëve dhe mashtrimi, thuhet në raport. Krimi shpesh investon paratë e pista në prona të patundshme dhe në projekte për zhvillimin e biznesit, thuhet më tej në raport. Sipas zyrtarëve amerikanë, në Shqipëri ka një treg të madh të zi për mallra të tilla, si duhani, bizhuteritë dhe telefonat celularë, si pasojë e nivelit të lartë të importimit të mallrave të konsumit dhe kontrolleve të dobëta doganore. Madje, “grupe të organizuara kriminale e përdorin Shqipërinë si një bazë operacionale për ndërmarrjen e veprimtarive kriminale në vende të tjera e shpesh ato i sjellin fitimet e tyre të paligjshme në Shqipëri. Paratë e fituara nga këto veprimtari shpëlahen lehtësisht në Shqipëri, pasi aty kryesisht sundon ende një ekonomi e bazuar në para në dorë dhe hyrja e parave nga jashtë në formën e prurjeve valutore të emigrantëve janë të zakonshme”.

Drejtorët e spitaleve injorojnë liderin suprem

Drejtorët e spitaleve rajonale injorojnë udhrin që u dha dy ditë më parë Kryeministri Rama për të dhënë dorëheqjen. Kur kanë kaluar dy ditë nga afati i vënë nga Kryeministri, më pak se gjysma e tyre e ka paraqitur aktin e dorëheqjes dhe kanë vijuar normalisht punën.
“Nuk e kam dhënë ende, por jam i gatshëm ta jap. Më morën ata të ministrisë dhe më thanë se mund ta jap dorëheqjen edhe me e-mail dhe është ministri që do ta pranojë ose jo”, u shpreh drejtori i spitalit të Dibrës Beqir Bici për mediat, i cili vjen nga radhët e LSI.
Disa drejtorë të tjerë janë shprehur se nuk mund ta braktisin detyrën në këtë periudhë, pasi ka fluks pacientësh.
Kryeministri u kërkoi atyre të largohen duke i bërë përgjegjës për keqmenaxhimin e spitaleve.
Në të njëjtën mënyrë ai veproi edhe me drejtorët e hipotekave, të cilët, ndryshe nga drejtorët e spitaleve, i paraqitën menjëherë dorëheqjet, pa kaluar 24 orë nga kërkesa e kryeministrit.
Ndërkohë që “Tmerri i drejtorëve”, siç po etiketohet kohët e fundit me ironi apo jo, Edi Rama, ka nisur zyrtarisht pushimet, të paralajmëruarit në bllok kanë shpërthyer në refuzime për t’u larguar nga puna, pas ultimatumeve të kryeministrit.
Shumica e drejtuesve të spitaleve rajonale nuk kanë pranuar të lënë vendet e punës, në kushtet kur nuk janë bërë të ditur zëvendësuesit e tyre.
Mësohet gjithashtu se një pjesë e mirë e këtyre drejtorëve në rrethe janë shprehur se do të vijojnë të jenë në detyrë për të përballuar fluksin e shërbimeve gjatë muajve të verës. Kështu drejtori i Spitalit të Sarandës, Lushnjës, Kukësit, Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit janë shprehur se nuk do të japin dorëheqjen. Ndërsa drejtoresha e spitalit të Vlorës është me leje deri në fund të muajt gusht dhe për rrjedhojë nuk do të japë dorëheqjen. Ditën e djeshme nuk u raportua për asnjë të larguar, ndërsa zyrtarisht ka nisur pushimet edhe qeveria me në krye “Tmerrin e drejtorëve”, duke stopuar përkohësisht ankthin e drejtuesve të institucioneve të tjera. Më guximtarët po flasin dhe po shpjegojnë se fajin kryesor për atë gjendje ku janë katandisur spitalet në Shqipëri e kanë politikat në qendër, duke nisur nga ministri e deri te kryeministri që deri dje mburrej me reformat e tij në këtë fusha.
Dje ish-drejtori i spitalit të Pogradecit, Genti Çala në një prononcim për mediat i vlerësoi mashtrime deklaratat e kryeministrit Edi Rama rreth shkaqeve që ai shprehu, ndërsa dha urdhër për largimin në bllok të të gjithë drejtuesve të spitaleve, veç atyre të Tiranës. Çala e konsideroi nonsens që kryeministri i futi në një thes të gjithë drejtuesit e spitaleve, ndërsa tha se ai mashtroi për disa problematika që përmendi. Ish-drejtori i spitalit të Pogradecit tha se problemi thelbësor nuk janë drejtuesit, por është politika e kundërt me premtimet që ka ndjekur Rama gjatë katër viteve të kaluara. Ai shtoi se sektori i shëndetësisë u centralizua dhe prandaj fajin për gjendjen skandaloze nuk e kanë drejtuesit lokalë, por ata në qendër.
“Në radhë të parë është Ministria e Shëndetësisë dhe kryeministri, i cili zbatoi të kundërtën e asaj që premtoi në vitin 2013 për decentralizimin në shëndetësi. Ai centralizoi çdo gjë, centralizoi fondet, centralizoi përdorimin e të ardhurave dytësore, të burimeve njerëzore. Edhe një infermier që do të shkojë në fshatin më të largët duhet marrë në ministri. Ky është problemi i parë dhe është krejtësisht e pavërtetë ajo që thotë Rama për specializantët, që nuk kemi bërë kërkesa, ky është nonsens, sepse ne kërkesa bëmë çdo vit, edhe sikur të mos donim duhej patjetër t’i dërgonim në ministri. Le ta hapë protokollin dhe le ta lexojë ministri”, ka deklaruar Çala.

Lista e drejtorëve që Rama u kërkoi dorëheqjen

Shkodër, Përparim Çela
Lezhë, Pashko Smaçi
Kukës, Hasije Zeneli
Dibër, Beqir Biçi
Durrës, Viola Cikalleshi
Elbasan, Desantila Tahiraj
Berat, Arqile Vasili
Fier, Andrea Dollaku
Lushnjë, Panore Veliu
Gjirokastër, Përparim Muço
Vlorë, Bruna Mersini
Përmet, Elda Cullufe
Tepelenë, Stoli Selmani
Mirditë, Lek Reçi
Sarandë, Arjan Kalcuni

Enton DACI

Shteti jashtëligjor i Edi Ramës

Rezearta Çaushaj

Gjatë gjithë mandatit të tij si kryeministër, Edi Rama ka tentuar gjithmonë, në forma të ndryshme, të legjitimojë “zgjidhjen” e probleme jashtë ligjit, procedurave, rregullave e institucioneve.
Rëndom këto “zgjidhje” bazohen në opinione të rastësishme dhe të painformuara, bazuar në perceptimet “popullore” se ku “qëndrojnë” problemet e shprehura përmes ankesave popullore. Sigurisht që ankesat sinjalizojnë ekzistencën e problemeve, por ato nuk mund të japin zgjidhje e aq më pak të trajtohen si politika publike.
Por nën petkun e shqetësimit dhe përgjigjes ndaj problemeve të njerëzve, Edi Rama po çimenton pushtetin e tij personal jashtinstitucional dhe jashtëligjor. Tashmë, perceptimet, opinionet, inatet, qejfmbetjet apo gjykimet personale/ sipërfaqësore ai po i kthen në një institucion për të fuqizuar veten dhe vetëm veten e për t’i përdorur kundër kujtdo. Brenda apo jashtë partisë, këto janë simptoma të pushtetit të pakufizuar.
– Nuk janë departamentet përkatëse të administratës që bëjnë vlerësimin e ecurisë dhe dhënien e masave disiplinore për nëpunësit- është Rama që të shkarkon drejtpërdrejt në TV dhe të punëson në moment kur i dërgon jetëshkrimin.
– Nuk ka studime, analiza, vlerësim zyrtar dhe profesional të strategjive, programeve dhe politikave- ka grup klasifikimi të komenteve të njerëzve për Edi Ramën në Facebook, në bazë të të cilit lëshohen direktivat përkatëse nga Edi Rama.
– Nuk ka zyra, kanale zyrtare, mekanizma formale ankimimi- ka dëgjesa popullore drejtpërdrejt në TV apo në Facebook.
– Nuk ka përgjegjësi administrative apo penale bazuar në shkeljet apo dëmet e shkaktuara ndaj interesit publik- ka “shkulje veshi” nga Edi Rama.
– Nuk kanë rëndësi raportet vendore e ndërkombëtare mbi drogën, nuk kanë rëndësi parcelat që njerëzit shikojnë me sytë e tyre- ajo ekziston vetëm kur Edi Rama e pranon se ekziston.
– Nuk janë institucionet përgjegjëse që si pjesë e punës së tyre të përditshme hartojnë strategji apo veprime për të luftuar drogën që ka mbuluar vendin, nuk janë institucionet përgjegjëse që ngarkohen me detyra dhe përgjegjësi konkrete- është Edi Rama ai që shpall se kur dhe si do të fillojë lufta.
Kjo metodë ka dy pasoja të rëndësishme. E para, ajo personalizon krejtësisht marrëdhënien qeveri/zyrtar–qytetar. Pra, inkurajon praktikat më të këqija të zhvillimit të administratës, bazuar në një qasje tribalizmi apo patriarkalizmi. Ti mund t’i japësh zgjidhje problemit tënd duke iu drejtuar personalisht udhëheqësit me ankesa për të tjerët, por ai nuk mund të kritikohet vetë.
Rrjedhimisht, ky model do të riprodhohet në nivele më të ulëta drejtimi e do të favorizojë “miqtë” e qeverisë. Të tjerët, do të duhet të shfrytëzojnë marrëdhëniet personale apo edhe të blejnë një “zgjidhje”.
Së dyti, metoda e Kryeministrit shmang çdo përgjegjësi që ai dhe politikat e tij mbartin mbi gjendjen e institucioneve dhe politikave- hipotekave, shëndetësisë, arsimit, investimeve, turizmit, drogës, korrupsionit, etj. Përgjegjësia është individuale. Pra, politikat e zbatuara ishin të duhurat, por ato u komprometuan nga individë të caktuar.
Prandaj, nuk ka vend për ndryshim apo reflektim. Udhëheqësi merr vendimet e duhura, por atë e minon vazhdimisht pangopësia apo paaftësia e drejtuesve të institucioneve- pak rëndësi ka që individët në të gjitha nivelet drejtuese në çdo ministri dhe institucion qendror janë emërime partiake.

Pence: Ndërtoni qeveri të besueshme

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, dje në Podgoricë tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Perëndim. Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në Mal të Zi, dy muaj pasi ai u bë vend anëtar i NATO-s, me gjithë kundërshtimin e Rusisë.
Nënpresidenti Pence arriti të martën në Mal të Zi, në përmbyllje të vizitës së tij në Evropë, që synonte rikonfirmimin e përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë në Evropën Lindore, përballë Rusisë.
Nënpresidenti Pence nënvizoi përkushtimin e Washingtonit ndaj lidhjeve euro-atlantike, një përkushtim që për shumëkënd ishte në pikëpyetje për shkak të qëndrimeve të Presidentit Trump, i cili e kishte cilësuar NATO-n si të “vjetruar” dhe kishte argumentuar në favor të marrëdhënieve më të mira me Rusinë.
“Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Perëndim”, tha nënpresidenti Pence, gjatë fjalimit në takimin e Kartës së Adriatikut, ku po marrin pjesë vendet anëtare të NATO-s, si Mali i Zi, Kroacia e Shqipëria, si dhe Bosnja e Maqedonia. Udhëheqës nga Kosova, Serbia e Sllovenia do të jenë të pranishëm në takim.
Ai u tha pjesëmarrësve që të punojnë për të realizuar ëndrrën e Evropës së lirë dhe në paqe.
“Të jeni të sigurt se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ballkanin Perëndimor derisa merrni hapat për qeverisje të mirë, reforma demokratike dhe sundimin e ligjit. Do të vazhdojmë të mbështesim marrëveshjen e Daytonit dhe parimet që paraqet ajo. Jemi të përkushtuar për bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, tha ai.
Nënpresidenti Pence tha se Shtetet e Bashkuara do të jenë në partneritet me qytetarët e rajonit për të forcuar shoqërinë civile, shtypin e lirë dhe të pavarur dhe një ekonomi që hap mundësi për të gjithë.
“Dhe nuk duhet të harrojmë kurrë se siguria është themeli i përparimit tonë dhe Shtetet e Bashkuara, mund t’ju siguroj, do të vazhdojnë të punojnë në partneritet me secilin prej jush për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe përtej”, tha ai.
Nënpresidenti Pence tha se do të vazhdojë forcimi i lidhjeve të forcave të armatosura të vendeve të rajonit me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe për të forcuar mundësitë e tyre që të veproni përkrah NATO-s dhe forcave të tjera perëndimore për të zvogëluar varësinë nga trashëgimia sovjetike e ruse.
“Por, siç e ka bërë të qartë Presidenti Trump, mbrojtja juaj kërkon përkushtimin tuaj, po aq sa tonin. Mbrojtja kolektive është themel thelbësor për aleancën e NATO-s dhe Presidenti Trump e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara presin që aleatët tanë dhe ata që duan t’i bashkohen aleancës, të përkushtojnë të paktën 2 për qind të GDP-së për mbrojtjen kombëtare. Ky investim është i domosdoshëm për të mbajtur zotimin tonë se sulmi mbi njërin është sulm mbi të gjithë”, theksoi ai.
Nënpresidenti Pence tha bota është bërë sot më e rrezikshme që nga rënia e komunizmit, duke theksuar se terrorizimi është rreziku më i përhapur në botë.
“Terrorizmi na kërcënon të gjithëve, që nga Ballkani Perëndimor, në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara. Ka më pak se një vit që kur disa vende tuajat penguan planet e frymëzuara nga ISIS-i për sulme të bashkërenduara në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Shtetet e Bashkuara janë mirënjohëse për ndihmesën tuaj në fushatën globale për të mundur ISIS-in dhe luftën kundër terrorit në Afganistan. Sakrificat tona në fushën e betejës vetëm na bashkojnë dhe forcojnë përkushtimin tonë ndaj lirisë”, tha ai duke nënvizuar se, “Presidenti Donald Trump dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të pushojmë derisa të çrrënjosim ISIS-in në mënyrë që të mos mund të kërcënojë më njerëzit tanë, aleatët tanë apo mënyrën tonë të jetesës”.
Ai tha derisa forcat amerikane dhe aleatët po dëbojnë ISIS-in nga Iraku, vendet e Ballkanit do të përballen me rreziqet e luftëtarëve të huaj që kthehen në shtëpi nga Lindja e Mesme me qëllim që të shkaktojnë kaos, prandaj duhet kujdes ndaj këtij kërcënimi.
Nënpresidenti Pence arriti në Mal të Zi nga Gjeorgjia, e cila u përball me një luftë të shkurtër me Rusinë në vitin 2008 rreth enklavës së saj të ndarë në Osetinë Jugore. Ai vizitoi edhe Estoninë ku ju tha udhëheqësve të vendeve të Balltikut se mund të llogarisin në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara nëse përballen me agresion nga Rusia.
Ai tha në Podgoricë se Rusia po provon të rishkruajë kufijtë ndërkombëtarë me forcë.
“Në Ballkanin Perëndimor Rusia ka punuar për të destabilizuar rajonin, të dëmtojë demokracitë tuaja dhe t’ju ndajë nga njëri-tjetri dhe nga pjesa tjetër e Evropës”, tha ai duke iu referuar zhvillimeve të tetorit të vitit 2016 në Mal të Zi.
Mali i Zi, një ish-Republikë jugosllave me rreth 680 mijë banorë dhe një ushtri prej 2 mijë trupash, u bashkua me NATO-n në qershor, tetë muaj pasi akuzoi spiunët rusë për organizimin e një përpjekjeje për grusht shteti për të penguar anëtarësimin.
Moska i hodhi poshtë akuzat duke i cilësuar ato si “histeri antiruse” dhe paralajmëroi se do të hakmerret ndaj “orientimit armiqësor” të Malit të Zi.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, refuzojnë çdo përpjekje për të përdorur forcën, kërcënimet apo frikësimet në këtë rajon dhe përtej. Ballkani Perëndimor ka të drejtë të vendosë të ardhmen e tij”, tha nënpresidenti Pence.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj dhe u bëjnë thirrje aleatëve evropianë që të bëjnë një gjë të tillë dhe për këtë arsye Presidenti Trump do të nënshkruajë ligjin që forcon sanksionet ndaj Rusisë.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara preferojnë marrëdhënie konstruktive me Rusinë mbi themelet e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe interesit të përbashkët
Por Presidenti dhe Kongresi janë bashkë në mesazhin ndaj Rusisë se marrëdhëniet e mira dhe heqja e sanksioneve nënkupton që Rusia të heqë dorë nga veprimet që kanë çuar tek sanksionet.

“Trump do të qëndrojë me ju, ndiqni të ardhmen europiane”

Në fjalën e mbajtur në Podgoricë, zëvendëspresidenti amerikan, Pence ka shpalosur para liderëve të rajonit politikën e SHBA ndaj Evropës dhe Ballkanit dhe ka inkurajuar liderët të bëjnë si duhet detyrat për të cilat janë besuar nga qytetarët.
“Më ka dërguar Trump për të përcjellë angazhimin e veçantë për Ballkanin Perëndimor. Trump do të qëndrojë me ju ndërsa ndiqni të ardhmen tuaj evropiane, SHBA ju mbështet, se çdo rrugë do të forcojë Evropën. Me Trump politika e SHBA do të jetë prosperiteti i Amerikës në fillim, por Amerika e para nuk do të thotë Amerika e vetme, lidhja SHBA-Evropë do të jetë jetike, ne jemi më të fortë së bashku sesa të ndarë”, tha ai.
Ai porositi liderët të lënë mënjanë zemërimet. “Punoni së bashku, forconi ekonomitë, luftoni korrupsionin, ndërtoni qeveri të besueshme e të përgjegjshme, rrisni besimin te njerëzit, detyra juaj kërkon kurajë”, tha ai.
Samiti i Kartës së Adriatikut është një takim i përvitshëm që organizohet mes liderëve e ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjës, Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, ndërsa këtë vit do të marrin pjesë edhe Kosova, Serbia dhe Sllovenia, në statusin e vëzhguesve të takimit.
Një muaj më parë, Mali i Zi u bë anëtar me të drejta të plota i aleancës politiko-ushtarake euroatlantike, ndërsa mbeten jashtë NATO-s vendet si Bosnja, Maqedonia, Serbia dhe Kosova.

Pence, i dërguari i Trump për Ballkanin

Zv.presidenti amerikan, Mike Pence mbërriti të martën pasdite në Mal të Zi, ku u mirëprit në aeroportin e Podgoricës nga Kryeministri Dusko Markoviç. Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në rajonin e Ballkanit, që pas zgjedhjes së Presidentit Donald Trump.
Pence mbërriti në Mal të Zi i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Karen, në vazhdën e turit të tij europian që nisi me vizitën në Estoni e më pas me ndalesën në Gjeorgji. Ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, thotë se masat diplomatike që ka marrë Rusia në përgjigje të sanksioneve të reja amerikane nuk do të ndikojnë te përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj sigurisë për vete dhe aleatët e tyre.
Pence i bëri komentet në Gjeorgji, një ndër ndalesat në kuadër të turneut të tij në tri vende aleate.
Zv.presidenti Pence thotë se turneu i tij është një sinjal i qartë i mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për vende që kanë përqafuar vlerat e Perëndimit. “Presidenti Trump më ka dërguar në këtë turne me një mesazh shumë të qartë për vendet balltike, për popullin gjeorgjian dhe më pas për Malin e Zi, se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah vendeve liridashëse në botë. Dhe ashtu siç e ka thënë Presidenti, këtë do ta bëjmë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra”.
Zv.presidenti amerikan foli edhe për sanksionet e reja që ka miratuar Kongresi si ndëshkim ndaj Rusisë. Pence tha se sanksionet e reja që do të hyjnë në fuqi së shpejti, sapo të marrin firmën e Presidentit Trump, dërgojnë një “mesazh shumë të qartë” se veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe mbështetja që Moska u jep Iranit dhe Sirisë “duhet të ndryshojnë”.