30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Sërish skandal me koncesionin e Spitallës parashikuar për Olsin

Ministria e Ekonomisë ka shpallur ditët e fundit fituesin e koncesionit për ndërtimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe operimin e Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (ZTZHE) të Spitallës, në Durrës.
Zona e lirë ekonomike do të ketë një sipërfaqe prej 101,2 hektarësh dhe do të jepet për 99 vjet me një qira simbolike prej 1 euro, konsorciumit të kompanive “Pelikan” shpk, “The Best Construction” shpk dhe “Vëllezërit Hysa” shpk.
Konsorciumi i kompanive, i cili do të përfitojë nga taksa preferenciale, parashikon të ndërtojë një fabrikë për pasurimin e ferrokromit, një investim prej 39 milionë eurosh që mund të punësojë deri në 2500 punonjës.
ZTZHE në Spitallë është një prej tri zonave të lira ekonomike të shpallura nga Ministria e Ekonomisë që në gusht të vitit 2015. Dy zonat e tjera janë në Koplik dhe Vlorë.
Dhënia me koncesion e zonës ekonomike në Spitallë ka histori të gjatë. Në vitin 2008, qeveria Berisha njoftoi zhvillimin e një parku industrial prej 805 hektarësh, me koncesion 35-vjeçar. Plani nuk u zbatua asnjëherë.
Në janar 2015, qeveria e Rama e zvogëloi sipërfaqen e zonës në 500 hektarë, me një çmim simbolik prej 1 euro dhe një koncesion prej 35 vjetësh. Në korrik të vitit 2015, kohëzgjatja e koncesionit u shtri deri në 99 vjet.
Përkundër thashethemeve rreth investitorëve turq apo maqedonas, tenderi, i hapur nga qeveria, mori vetëm dy oferta nga kompani kineze pa ndonjë eksperiencë të mëparshme në këtë fushë. Një nga dy ofertuesit publikoi një foto në internet ku kishte dalë së bashku me vëllain e kryeministrit Rama. Ky tender u anulua në shkurt të vitit 2016 nga Kryeministri Rama për të “shmangur spekulimet politike”:
“Unë dëgjova një akuzë për një proces transparent, me procedurë ndërkombëtare, për Zonën Ekonomike të Spitallës dhe vetëm për faktin që im vëlla ishte shoqëruar me një shokun e tij që nga emigracioni në Amerikë, që është sipërmarrës dhe është i lidhur me kompaninë që mund të ishte fituese, unë i kërkova ministrit anulimin”.
Ndërmarrjet kineze, megjithatë, morën një përgjigje zyrtare nga ministrja Milva Ekonomi ku shkruhej se, “dokumentet e tyre nuk plotësonin kushtet e vendosura nga Ministria e Ekonomisë”. Më pas në prill 2016 sipërfaqja e zonës u reduktua më tej në 200 hektarë.
Në shkurt 2017, një tender i dytë u njoftua nga ministrja Ekonomi për 101.2 hektarë, i cili tani është fituar nga konsorciumi shqiptar.

Fiton kompania me ofertë 53 milionë euro më pak

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka surprizuar jo pak me vendimin e saj, për të shpallur kompaninë fituese që do të zhvillojë zonën industriale në Spitallë të Durrësit. Sipas ministrisë, konsorciumi fitues është bashkimi i përkohshëm i kompanive “Pelikani”, “Vëllezërit Hysa” dhe “Best Construction”, me një vlerë financiare prej 38,4 mln eurosh. Kjo shumë rezulton dyfish më pak se oferta që kompania e dytë në garë, kishte ofruar për investim, rreth 92 mln euro.
Kjo vendimmarrje e ministrisë, shton dyshimet se shpallja e fituesit, lidhet me afera korruptive të njerëzve me pushtet, që qëndrojnë pas këtij konsorciumi. Por vlera financiare nuk është elementi i vetëm që e komprometon këtë vendim.
Mësohet se kompania e shpallur fituese, ka në plan që në zonën e Spitallës, të ndërtojë një fabrikë të pasurimit të ferrokromit. Ky fakt bie në kundërshtim me llojin e aktivitetit që parashikohet për zhvillimin e kësaj zone. Nëse do të gjejë zbatim, ky projekt do të ketë një ndikim të madh negativ në mjedis, pasi Spitalla është vetëm 2 km larg zonës turistike të Gjirit të Lalzit apo Hamallajt.
Plan-projekti dhe vlera financiare, janë dy elemente thelbësorë që përcaktojnë fituesin në një garë, por mesa duket, ministria dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, nuk i kanë marrë këto në konsideratë, duke ngritur pikëpyetje lidhur me këtë vendimmarrje. Dyshimet shtohen më tej kur Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka marrë vendim për të shtyrë me dy herë afatin për shpalljen e fituesit, pa dhënë asnjë arsye për ta argumentuar.
E nëse do të flitet më tej për kriteret e tjera lidhur me kohën e përfundimit të investimit, numrin e të punësuarve, planin e biznesit etj., vendimmarrja e Ministrisë së Ekonomisë do të duhet të anulohet, pasi është në shkelje të hapur të ligjit. Ky vendim absurd që shpërfill interesin për komunitetin dhe buxhetin e shtetit duket se do të përfundojë në Prokurori.

Dy kompanitë që garuan për koncesionin

Ofertën më të madhe e ka dhënë kompania “Edil Al-IT” me seli në Tiranë. Kjo firmë kërkon të zhvillojë këtë zonë me një investim rreth 89 milionë euro, ndërsa synonte të hapte 12 mijë vende të reja pune. Zarfi i dytë është ai i kompanisë “Pelikan” sh.p.k. Investimi i firmës nga Durrësi është për 10 vite, deri më 2027-n dhe ka një vlerë prej 38.9 milionë eurosh. “Pelikan” sh.p.k. thotë se do të hapë 2,500 vende të reja pune. Objekti i kontratës është ndërtimi, zhvillimi, mirëmbajtja dhe operimi i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, në Spitallë, Durrës, për një periudhë 99-vjeçare. Zona shtrihet në afërsi me Portin e Durrësit, më të madhin dhe më të rëndësishmin në Shqipëri, pranë qytetit të dytë për nga zhvillimi ekonomik në Shqipëri, Durrësit, vetëm 30 km larg aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 37 km nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana. Në kriteret e përzgjedhjes së fituesit, propozimi teknik për ndërtimin e zonës vlerësohet me 25 pikë, ndikimi mjedisor 10 pikë, ndikimi social 15 pikë, koha e përfundimit të investimit 10 pikë dhe kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit) me 40 pikë. Përpjekjet fillestare në vitin 2015 për dhënien e 500 hektarëve në Spitallë, një zonë afër Durrësit dështuan pasi kompanitë kineze, “Zhejiang Haiteng Investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co” shfaqën mangësi.

Skandali që përfshiu vëlla Olsin me firmën fantazmë nga Kina

Hije skandali u zbuluan dy vite më parë nga mediat për Zonën Ekonomike të Spitallës, lidhur me tenderin e zhvilluar që kap vlerën e 1.5 miliard dollarëve. Për tenderin janë paraqitur dy kompani të huaja: firma italiane “RENDur4” sh.p.k., e cila nuk ekziston në regjistrat italianë, ç’ka e skualifikon automatikisht nga gara dhe konsorciumi kinez, bashkimi i dy kompanive “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co.Ltd”.
Në website “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd” është një kompani shumë e vogël dhe për përmasat e Shqipërisë, me në kapital prej 2,7 milionë eurosh (ose 20 milionë juan) dhe në historikun e aktivitetit të saj ka blerë aksione të një prodhuesi të vogël farmaceutik. Kjo kompani rezulton që nuk ka as faqe interneti.
Ndërsa firma “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co.Ltd” ka në aktivitetin e saj mirëmbajtjen e shtëpive të pleqve në Kinë.
Pra, asnjë nga firmat kineze në konsorcium:
1- nuk kanë kapacitetin financiar të investojnë 1,5 miliardë dollarë, siç pretendohet në njoftimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes;
2- nuk kanë asnjë eksperiencë për zhvillimin e Zonave të Lira Ekonomike;
3- nuk kanë asnjë eksperiencë ndërkombëtare;
4- nuk kanë çertifikimet e nevojshme për aktivitet Free Trade Zone në Kinë.
5- nuk paraqitën në tender asnjë garanci bankare për investimin e tyre.
Sipas burimeve, kompania “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd” i ka shkruar vetë termat e referencës, të cilat ministri Ahmetaj i paraqet si sugjerime nga Universiteti i Harvardit. Emri i vëllait të Edi Ramës, Olsi Rama, lidhet direkt si përfaqësuesi de facto i këtyre firmave dhe fituesi real i Zonës së Lirë Ekonomike të Spitallës.
Në web-in e një kompanie kineze thuhet se Olsi Rama është i dërguari zyrtar i qeverisë shqiptare në këto negociata, së bashku me këshilltarin tregtar të ambasadës Krivis Meci dhe Gëzim Mançe (ky i fundit është parë shpesh në takime me Ahmetajn) përfaqësues për investimet në Shqipëri.
Gëzim Mançe, së bashku me Xiaohe Zhou (pronarin e firmës kineze “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd”, me Olsi Ramën në Kinë, janë paraqitur në tenderin e Ministrisë së Ekonomisë).

Shqipëria nën pushtetin e flakëve

Temperaturat e larta të javëve të fundit kanë shkaktuar një numër të madh zjarresh në të gjithë vendin. Që nga mëngjesi i djeshëm, janë raportuar 16 raste zjarresh, pa përmendur dhe rënien e zjarrit në landfillin e Sharrës pranë Tiranës, zjarr që ka prodhuar tym toksik gjatë ditëve të fundit. Gjithashtu afër Tiranës, një tjetër vatër zjarri në malin e Dajtit kërcënon antenat e kompanive të telefonisë celulare dhe disa restorante. Në të gjitha rastet, shërbimet e emergjencës po punojnë për të shuar zjarret, por nuk kanë kapacitetet e duhura për t’i izoluar ato, kjo për shkak të mungesës së fondeve të emergjencës. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 16 vatra zjarri në qarqet Shkodër, Tiranë, Vlorë, Korçë, Dibër, Durrës, Elbasan, Berat. Më problematik mbetet situata në Malin e Dajtit ku zjarri vijon, por duke u favorizuar edhe era dhe terreni malor, zjarri ka marrë përmasa dhe ka rrezikuar Teleferikun, Repartin e Gardës, Antenat. Problematike mbetet edhe situata në fshatin Ibë, ku pavarësisht ndërhyrjes nuk kanë mundur të shuajnë zjarrin për shkak të terrenit të thyer kodrinor. Forcat zjarrfikëse kanë punuar deri në orët e vona të natës dhe kanë izoluar zjarrin. Në afërsi të Parkut Kombëtar të Llogarasë, Bashkia Himarë, janë kryer operacione nga ajri të dy helikopterëve, për të shuar zjarrin e rënë në vendin e quajtur Maja e Qorres. Shërbimi vendor i MZSH ka punuar dhe ka bërë të mundur që rreth mesditës të izolojë vatrat e zjarrit. Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.
Shkrumbohen pyjet e Shkodrës

Në fshatin Reç, Njësia Administrative Velipojë, Bashkia Shkodër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pyll. Shërbimi vendor i MZSH Shkodër ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me forca zjarrfikëse. Shërbimi vendor i MZSH Malësi e Madhe ka dërguar për ndihmë në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues. Forcat zjarrfikëse e kanë patur të pamundur për të shuar vatrat e zjarrit për shkak të terrenit të thyer, ndërsa zjarri i favorizuar nga era ka marrë përmasa dhe ka rrezikuar disa banesa të fshatit. Një helikopter ka kryer disa opracione ajrore, duke shuar vatrat më problematike të zjarrit. Pas largimit të tij, forcat zjarrfikëse kanë punuar për të shuar zjarrin, por për shkak të erës dhe terrenit, zjarri ka patur riaktivizim dhe ka rrezikuar të përhapej drejt banesave të fshatit. Forca të ushtrisë kanë punuar së bashku me forcat zjarrfikëse deri në orët e vona të natës, duke izoluar vatrat e zjarrit.
Në fshatin Grudë-Fushë, Njësia Administrative Gruemirë, Bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pemë frutore të ndryshme. Shërbimi vendor i MZSH Malësi e Madhe ka dërguar 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.6 ha sipërfaqe me pemë frutore të ndryshme.

Dajti nën flakë, rrezikohet Teleferiku

Në fshatin Ibë, Njësia Administrative Bërzhitë, Bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Shërbimi vendor i MZSH Tiranë ka dërguar 2 automjete zjarrfikëse dhe 10 forca zjarrfikëse, të cilat nuk kanë mundur të shuajnë zjarrin për shkak të terrenit të thyer kodrinor. Forcat zjarrfikëse kanë punuar deri në orët e vona të natës dhe kanë izoluar zjarrin.
Në malin e Dajtit ka rënë zjarr tek Shkalla e Tujanit. Punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura Tiranë kanë punuar me punonjës me mjete rrethanore për të shuar zjarrin, por nga era dhe terreni malor zjarri ka marrë përmasa dhe ka rrezikuar Teleferikun, Repartin e Gardës, Antenat, etj. Për këtë arsye, këto forca kanë kërkuar ndihmë nga Shërbimi vendor i MZSH Tiranë, i cili dërgoi në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues. Forcat në terren janë ndihmuar edhe nga 60 forca të Repartit të Gardës, por ato e kanë patur të pamundur për të lokalizuar zjarrin. Në vendngjarje mbërritën 15 forca të ushtrisë dhe 1 helikopter, duke kryer disa operacione, duke izoluar shumë vatra zjarri në malin e Dajtit. Shërbimi vendor i MZSH Tiranë për të izoluar vatrat e zjarrit në ,alin e Dajtit ka dërguar edhe 4 automjete zjarrfikëse me 40 forca zjarrfikëse, të cilat kanë punuar me forcat e tjera gjatë gjithë natës, por errësira, era dhe terreni malor, kanë krijuar vështirësi për punën e forcave dhe vatrat e zjarrit janë sërish problem.

Zjarrfikëset nuk izolojnë dot zjarret në Korçë

Në fshatin Udënisht, Njësia Administrative Udënisht, Bashkia Pogradec, ka rënë zjarr në masivin pyjor me pemë bredhi dhe pishe të Zonave të Mbrojtura. Shërbimi vendor i MZSH Pogradec ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me forca zjarrfikëse dhe bashkiake, të cilat kanë punuar me mjete rrethanore për të shuar zjarrin, por për shkak të terrenit dhe erës këto forca nuk kanë patur mundësi të izolojnë dhe shuajnë zjarrin. Gjatë punës së forcave ka ndodhur shpërthim i municioneve nga zjarri që ka plagosur 1 punonjës të bashkisë, i cili është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal Pogradec, ku i është dhënë ndihma mjekësore. Për arsyet e mësipërme forcat kanë ndërprerë punën dhe kanë kërkuar mjet ajror për të shuar zjarrin. Një helikopter ka shkuar dhe ka shuar zjarrin në Kurorën e Pogradecit.
Në fshatin Vidohovë, Njësia Administrative Miras, Bashkia Devoll, ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre, dushk dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Devoll ka dërguar në vendngjarje 1 makinë transporti me forca zjarrfikëse dhe forca të pyjores, të cilat me mjete rrethanore kanë izoluar zjarrin deri në orët e natës, pa mundur ta shuajnë zjarrin për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës. Në vendngjarje kanë qëndruar disa punonjës të pyjores për të mbajtur nën ruajtje vatrat e zjarrit.

Në Dibër zjarret shuhen me forca vullnetare

Në fshatin Tërnovë e Madhe, Njësia Administrative Zerqan, Bashkia Bulqizë, ka rënë zjarr në 1 banesë të pabanuar. Zjarri ka rrezikuar të përhapej në drejtim të shkollës 9-vjeçare të fshatit, por është shuar nga forca vullnetare. Si pasojë e zjarrit u dogj vetëm banesa e pabanuar.
Në fshatin Kastriot, Njësia Administrative Kastriot, Bashkia Dibër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pemë gështenje dhe dushku, si dhe kullotë, tek vendi i quajtur “Kodra e gështenjave”. Shërbimi vendor i MZSH Dibër ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me forca zjarrfikëse, të cilat së bashku me forcat vullnetare, kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.3 ha me pemë gështenje dhe dushku, si dhe rreth 2 ha kullotë.
Në fshatin Pollozhan, Njësia Administrative Tomin, Bashkia Dibër, ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra pranë disa banesave. Shërbimi vendor i MZSH Dibër ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me forca zjarrfikëse, të cilat kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.1 ha me shkurre dhe ferra.

Edhe fshatrat e Durrësit përfshihen nga zjarret

Në fshatin Lalz, Njësia Administrative Ishëm, Bashkia Durrës, ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra në një faqe kodre të Gjirit të Lalzit. Shërbimi vendor i MZSH Durrës ka dërguar për ndihmë në vendngjarje 3 automjete zjarrfikëse me forca zjarrfikëse. Shërbimi vendor i MZSH Shijak ka dërguar 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues. Forcat dhe mjetet zjarrfikëse të dy shërbimeve kanë punuar deri në orën 23:30 dhe kanë izoluar zjarrin, por pa mundur ta shuajnë atë. Në vendngjarje ka qendruar 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues të Shërbimit vendor të MZSH Durrës për të mbajtur nën kontroll vatrat e zjarrit. Forcat dhe mjetet zjarrfikëse do të punojnë sot për të shuar plotësisht vatrat e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 3 ha me shkurre dhe ferra.

Në Elbasan mjete rrethanore përballë flakëve të zjarrit

Në fshatin Kukuçovë, Njësia Administrative Sult, Bashkia Gramsh ka rënë zjarr në 2 vatra me pemë mare, dushk dhe dëllenjë. Shërbimi vendor i MZSH Gramsh ka dërguar në vendngjarje 1 automjet transporti me forca zjarrfikëse, të cilat me mjete rrethanore kanë shuar 1 vatër zjarri, kurse vatra tjetër nuk u bë e mundur të izolohej dhe shuhej deri në orët e vona të natës për shkak të sipërfaqes së madhe dhe errësirës. Si pasojë e zjarrit në vatrën e parë u dogj rreth 1 ha me pemë mare, dushk dhe dëllenjë, kurse në vatrën e dytë u dogj rreth 4 ha me pemë mare, dushk dhe dëllenjë.
Në fshatin Stanaj dhe në një pjesë të fshatit Seferan, Njësia Administrative Belsh, Bashkia Belsh, ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte. Shërbimi vendor i MZSH Elbasan ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me forca zjarrfikëse, të cilat kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 35 ha me shkurre dhe ullishte.

Në Berat shkrumbohen dhjetëra sipërfaqe me pisha

Në fshatin Mbjeshovë, Njësia Administrative Sinjë, Bashkia Berat, ka rënë zjarr në shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Berat ka dërguar në vendngjarje 1 automjet transporti me forca zjarrfikëse dhe forca të bashkisë, të cilat kanë shuar zjarrin me mjete rrethanore për shkak të terrenit të thyer. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 2 ha me shkurre dhe pisha.

Parku i Llogarasë në rrezik, pyjet e Dukatit bëhen hi

Zjarri i rënë prej 24 orësh ka djegur me dhjetëra ha tokë në zonën e Dukatit, duke rrezikuar edhe Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Flakët kanë nisur rreth orës 22:30 të mbrëmjes së të martës dhe janë intensifikuar në orët në vazhdim. I gjithë reparti i zjarrfikëses ka qenë gjithë natën në Llogara për të ndihmuar në neutralizimin e flakëve, por terreni i thyer malor ka bërë që mjetet zjarrfikëse të mos shkojnë dot atje dhe forcat zjarrfikëse u është dashur të ecin në këmbë për më shumë se një orë. Në fshatin Dukat pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë ka rënë zjarr në terren shumë të thyer malor, mbi aksin rrugor nacional Vlorë-Llogara-Himarë. Shërbimi vendor i MZSH të Bashkisë Vlorë ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me 30 forca zjarrfikëse. Nga Pashalimani është dërguar 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues zjarrfikës. Në vendngjarje kanë shkuar edhe forca të Shërbimit Pyjor dhe Zonave të Mbrojtura Vlorë. Automjetet zjarrfikëse dhe forcat në terren e kanë patur të pamundur të ndërhyjnë në vatrën e zjarrit për shkak të terrenit dhe errësirës. Ato kanë qëndruar në aksin rrugor kombëtar dhe kanë shuar flakët që po tentonin të kalonin aksin rrugor dhe të përhapeshin në krahun tjetër të tij në zonën pyjore ku ndodhej një lokal”, njoftuan sot Emergjencat Civile. Gjatë natës, shefi i zjarrfikëses e quajti situatën të rëndë për shkak të terrenit të vështirë dhe kërkoi ndihmë nga ajri, pasi nëse nuk merreshin masa rrezikohej dhe Parku Kombëtar i Llogarasë. Forcat dhe mjetet kanë punuar gjatë gjithë natës, duke izoluar zjarrin në disa vatra, por ai mbetet ende problematik. Ka ende vatra zjarri dhe kryetari i Bashkisë, Dritan Leli, i cili ka ndjekur nga afër gjithë situatën kërkoi suportin nga ajri të helikopterëve, pasi flakët e mëdha nuk mund të vihen në kontroll nga toka. “Një helikopter i kompanisë VIVA po kryen aktualisht operacione për shuarjen e vatrave të zjarrit”, informuan sot Emergjencat Civile.

Për hetimet do vendosin gjyqtarët jo prokurorët

Duke filluar nga e marta asnjë prokuror në Shqipëri nuk mund të vendosë për fatin e dosjes hetimore që ai ka hartuar bazuar në denoncimin për një vepër penale. Kjo në sajë të hyrjes në fuqi të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar, për të qenë në përputhje me ndryshimet e thella që sjell reforma në sistemin e drejtësisë. Në zbatim të këtij Kodi të gjitha dosjet hetimore të prokurorëve do të kalojnë në sitën e gjyqtarëve të hetimeve paraprake që kanë “Carta Bianca”, pra autoritet të plotë, të vlerësojnë nëse një dosje hetimore duhet dërguar në Gjykatë dhe shtetasi/sja e hetuar duhet të merret i/e pandehur dhe të hapet gjyq apo dosja të hidhet poshtë si e pabazuar në fakte dhe prova. Shkurt, përfaqësuesit e organit të akuzës, prokurorit të një ҫështjeje penale, i hiqet e drejta të vendosë nëse qytetari/qytetarja, ndaj të cilit ai ka ndërmarrë hetime, do të shkojë në gjyq. Deputetja socialite, Vasilika Hysi, sekretare në Komisionin parlamentar për Reformën në Drejtësi gjatë legjislaturës së kaluar të parlamentit, thotë për DW: “Struktura e gjyqtarëve për hetimet paraprake shton efikasitetin e hetimeve, mbron më mirë të drejtat dhe liritë e individit, i shërben një drejtësi penale që mbron viktimat dhe trajton njëlloj subjektet e procedimit penal. Me strukturën e re të hetimeve paraprake, qytetari njihet me akuzën para se të shkojë në Gjykatë, gjë që nuk ka ndodhur deri tani. Kompetencat e gjyqtarëve të hetimeve paraprake mundësojnë edhe parandalimin e korrupsionit dhe arbitraritetit potencial të prokurorëve, që edhe pse kanë kaluar vettingun dhe janë pjesë e sistemit të reformuar të drejtësisë nuk përjashtohet që të korruptohen”.
Gjyqtarët e hetimeve paraprake, që do të fillojnë së shpejti punë, do të jenë të kaluar në skanerin e vettingut, që zyrtarisht si proces fillon pas një muaji, në shtator dhe do të vazhdojë të paktën deri në vitin 2025. Rëndësi të dorës së parë në vlerësimin prej këtyre gjyqtarëve të dosjeve hetimore të përgatitura nga organi i akuzës marrin faktet për veprën penale dhe provat që vërtetojnë atë.

Vettingu: Jo imunitet për ata që japin dorëheqjen
Afrimi i shtatorit, funksionimi i Kodit të ndryshuar të Procedurës Penale ka sjellë edhe dorëheqje të prokurorëve dhe gjyqtarëve për t’i shpëtuar vettingut. Shtatë prokurorë dhe gjykatës, shumica në Gjykatën e Lartë, dhanë kohët e fundit dorëheqjen. Ligji për vettingun përcakton që të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e Shqipërisë brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vettingut janë të detyruar të plotësojnë formularin e burimit të pasurisë së tyre, të kontrollit të figurës dhe të formimit profesional. Ligji përcakton gjithashtu që për ata gjykatës dhe prokurorë që japin dorëheqjen nga detyra u jepet amnisti nga vettingu. Por jo imunitet. Deputetja Hysi sqaron për DW: “Gjykatësit dhe prokurorët që japin dorëheqje nuk janë më subjekt i vettingut, por vettingu nuk u jep atyre imunitet. Kjo do të thotë që Prokuroria mund të hapë hetim ndaj tyre kur ka denoncime, të dhëna, fakte për pasuri të paligjshme, lidhje me krimin e organiziuar apo për korrupsion. Edhe për gjykatësit dhe prokurorët që japin dorëheqjen do të funksionojnë mekanizmat e ndjekjes penale si për cilindo qytetar. Kjo është një nga elementët e rikthimit të besimit të qytetarëve në sistemin e reformuar të drejtësisë”, thekson Vasilika Hysi.

Strukturat Anti Korrupsion dhe Drejtësia e kapitulluar
Shtatori do të kurorëzojë edhe procesin pionier në Shqipëri të krijimit të strukturave të reja kushtetuese përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organiziuar në rradhët e zyrtarëve të lartë, që njihen me inicialet SPAK – Struktura të Posaҫme Anti Korrupsion. Ato vlerësohen si garanci për mbylljen e kapitullit të drejtësisë së kapitulluar ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse gjykatësit dhe prokurorët që do të punojnë në këto struktura do të kenë kaluar me sukses vettingun. SPAK do të përbëhet nga Prokuroria e Posaҫme Anti-Korrupsion, Byroja Kombëtare e Hetimit, që është konceptuar sipas modelit të FBI-së dhe së fundi nga Gjykata e Posaҫme Anti-Korrupsion, që të tria fillojnë punën menjëherë sapo të ketë përfunduar vlerësimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve. Në Tiranë tanimë kanë mbërritur oficerët amerikanë të FBI-së, që po trajnojnë ekipin e përzgjedhur që do të punojë në Byronë Kombëtare të Hetimit. Në fokus janë operacionet për gjurmimin dhe gjetjen e pastrimit të parave dhe transaksioneve financiare, lidhjet e politikës dhe administratës shtetërore me krimin e organizuar. Ekipi përbëhet kryesisht nga të rinj dhe të reja me rezultate të shkëlqyera në universitet dhe të kaluar në skaner për integritetin e tyre moral. Kriter në përzgjedhjen e tyre është mungesa e plotë e lidhjeve me politikën dhe administratën shtetërore. Reforma në Drejtësi në Shqipëri vlerësohet si një nga reformat më të thella jo vetëm në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor, por në të gjitha vendet ish-komuniste të Europës.

Prokurorët: Nenet antikushtetuese të reformës

Unioni i Prokurorëve kërkoi shfuqizimin e rreth 20 neneve të Kodit të Procedurës Penale në Gjykatën Kushtetuese. Ndryshimet hynë në fuqi në datën 1 gusht. Sipas këtyre ndryshimve, të gjitha veprimet hetimore që do të kryhen nga Prokuroria duhet të marrin edhe miratimin e Gjykatës.
Thënë më thjeshtë, vendimet e pushimit të hetimeve, ndryshimit të akuzës, zgjatjes së afateve të hetimit, kontrolleve dhe ekspertizave për shkak të hetimit e deri tek dërgimi i dosjes për gjykim duhet të kenë patjetër përveç kërkesës së prokurorit edhe miratimin e Gjykatës.

Ligjet që ankimohen nga Prokurorë

A. Lidhur me cënimin e parimit të shtetit të së drejtës.
10. Në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe në nenin 4 të saj, është afirmuar parimi i shtetit të së drejtës, i cili është një nga parimet më themelore e më të rëndësishme në shtetin dhe shoqërinë demokratike. Si i tillë, ai është një normë e pavarur kushtetuese, prandaj shkelja e tij përbën në vetvete bazë të mjaftueshme për deklarimin e një ligji si antikushtetues. Ky parim nënkupton sundimin e ligjit dhe mënjanimin e arbitraritetit, me qëllim që të arrihet respektimi dhe garantimi i dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike.
10.1. Në nenin 4, paragrafi i dytë i Kushtetutës deklarohet: “Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë”. Deklarimi i epërsisë së Kushtetutës, duke e vendosur në majë të piramidës së normave juridike, përbën një aspekt thelbësor të parimit të shtetit të së drejtës. Ky parim detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese. Aktet juridike që nxirren nga këto organe duhet të jenë në pajtim me aktet juridike më të larta, si në kuptimin formal, ashtu edhe atë material.
11. Gjykata ka theksuar se nuk është detyrë e saj shqyrtimi i përplasjeve dhe papajtueshmërive mes dy ligjeve të ndryshme apo ligjeve dhe kodeve. Në juridiksionin kushtetues hyjnë papajtueshmëria e ligjeve apo kodeve me Kushtetutën.
12. Respektimi i hierarkisë së akteve normative është një detyrim që rrjedh nga parimi i shtetit të së drejtës dhe i koherencës në sistemin ligjor. Parimi i shtetit të së drejtës nënkupton veprimin e të gjitha institucioneve shtetërore sipas së drejtës në fuqi, si dhe supremacinë e Kushtetutës ndaj akteve të tjera normative. Rendi juridik nuk është një radhitje e barazvlershme normash, por një sistem hierarkik, i cili përbëhet nga nivele të ndryshme vlefshmërie dhe në secilin prej këtyre niveleve qëndron një normë ose grup normash, duke përftuar kështu edhe fuqinë e caktuar juridike. Piramida e akteve normative, e sanksionuar në nenin 116 të Kushtetutës, përcakton marrëdhëniet midis normave juridike, të cilat bazohen në raportin e mbi/nënvendosjes së tyre. Kjo piramidë aktesh normative ka në majë të saj Kushtetutën, e cila shërben si burim për aktet e tjera juridike. Për rrjedhojë, në rastet e konflikteve ndërmjet normave me fuqi të ndryshme juridike, norma me fuqi më të lartë ka epërsi në raport me normën tjetër.
13. Neni 4/3 i Kushtetutës parashikon se, dispozitat kushtetuese zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Sipas këtij parimi themelor, kur rregulli kushtetues parashikohet shprehimisht, ai nuk mund të mënjanohet dhe as të tejkalohet, por duhet të zbatohet drejtpërsëdrejti. Përjashtimi kushtetues i parashikuar në këtë dispozitë nënkupton se normat kushtetuese mund edhe të mos gjejnë zbatim drejtpërsëdrejti, kur Kushtetuta ka ngarkuar posaçërisht organet shtetërore përkatëse për të nxjerrë ligjet dhe aktet e tjera nënligjore, me qëllim rregullimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme dhe në përputhje me hierarkinë e normave. Pra, Kushtetuta përmban dispozita që rregullojnë zbatimin e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Rregullimet që bën Kushtetuta nuk mund të jenë gjithmonë të plota ose shteruese, pasi ajo nuk ka për qëllim të rregullojë hollësisht çdo çështje të organizimit të jetës politiko-shoqërore të një vendi, por vetëm parimet dhe kriteret bazë mbi të cilat duhet të mbështetet ajo. Edhe pse disa çështje që lidhen me rendin shtetëror mund të parashikohen në mënyrë të hollësishme prej saj, gjithsesi mbeten mjaft aspekte të organizimit të jetës institucionale për t’u parashikuar nga ligje ose akte të tjera normative, sipas rastit.
14. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj ka theksuar se nëse  ndodhemi përpara një norme ligjore, që nuk mbështetet në parimet dhe rregullimet e specifikuara kushtetuese, por në tejkalime jashtëkushtetuese, si në formë ashtu edhe në përmbajtje, atëherë do të cënohet parimi i hierarkisë së normave. Ky është një qëndrim i konsoliduar i Gjykatës Kushtetuese në disa çështje të tjera analoge, në të cilat ka theksuar se “atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta nuk mund ta bëjë ligji. Prandaj nuk mund të pranohet se ajo ka ometuar pa përmendur raste të tilla …”.
15. Në nenin 148 të Kushtetutës, të ndryshuar, thuhet shprehimisht: “1.Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj. 2. Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit. 3. Prokuroria është organizuar dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor. 4. Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve penale sipas nenit 135, paragrafi 2, të Kushtetutës janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm. Njësia e Posaçme Hetimore është në varësi të Prokurorisë së Posaçme..”. Nga përmbajtja e kësaj dispozite rezulton se Prokuroria është i vetmi organ që ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Ajo është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në këtë dispozitë kushtetuese nuk vendos kufizime përsa i përket kompetencave që duhet të ushtrojë organi i Prokurorisë. Po ashtu, formulimi i kësaj dispozite kushtetuese paraqitet si një dispozitë e qartë dhe ezauruese, dhe si e tillë, duhet interpretuar në mënyrë strikte e të zbatohet drejtpërdrejtë, pasi në këtë dispozitë nuk është parashikuar mundësia e kufizimit të funksioneve të Prokurorisë me anë të ligjeve, qoftë edhe Kodit të Procedurës Penale. Pra, kjo dispozitë e Kushtetutës nuk përmban elementet e një norme referuese, për shkak se nuk i është deleguar e drejta ligjvënësit për të përcaktuar funksionet dhe kompetencat e Prokurorisë.
16. UPRSH-ja vlerëson se, nenet 8, 16, 182, 183, 184, 185, 188, si nenet, apo paragrafë të neneve të lidhura me to, të Ligjit Nr. 35/2017 që, i kufizojnë kompetencat e Organit të Prokurorisë-së për ushtrimin e ndjekjes penale bien në kundërshtim flagrant me nenin 148 pika 1 dhe 2 të Kushtetutës, ku thuhet se Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj. Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit. Gjithashtu, në këtë dispozitë kushtetuese nuk vendosen kufizime përsa i përket kompetencave që duhet të ushtrojë Prokuroria dhe nuk i delegohet ligjvënësit ndonjë kompetencë për rregullimin e kompetencës dhe funksioneve të organit të Prokurorisë, ç’ka e bën këtë dispozitë kushtetuese drejtpërdrejtë të zbatueshme. Ndodhur në këto kushte, legjislatori nëpërmjet neneve nenet 8, 16, 182, 183, 184, 185, 188, si nenet, apo paragrafë të neneve të lidhura me to, të Ligjit Nr. 35/2017 ka cënuar respektimin e hierarkisë së normave jurdike si element i parimit të shtetit të së drejtës. Ky është një qëndrim i konsoliduar i Gjykatës Kushtetuese në disa çështje të tjera analoge, në të cilat ka theksuar se “atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta nuk mund ta bëjë ligji”.

B. Lidhur me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
17. Në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 4 të saj proklamohet parimi i shtetit të së drejtës. Baza themelore e shtetit të së drejtës, që lidhen me objektin e këtij shqyrtimi kushtetues, është parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Pjesë integrale e këtij parimi janë edhe parimet e pavarësisë së organit të prokurorisë, miratimi i ligjeve në përputhje me Kushtetutën, garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, dhe barazisë së shtetasve përpara ligjit.
18. Parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve është sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në të cilin theksohet se: “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Nga përmbajtja e këtij neni rezulton se ligjvënësi, ekzekutivi dhe gjyqësori janë të ndarë, efektivisht të pavarur dhe midis tyre duhet të ketë një balancë. Çdo institucion i secilit pushtet gëzon kompetencën sipas këtij qëllimi. Përmbajtja konkrete e kësaj kompetence varet nga fakti se cilit pushtet i përket institucioni, nga vendi i tij midis institucioneve të tjera, nga raportet e tij me ato të institucioneve të pushtetit shtetëror. Në përputhje me detyrat që u ka ngarkuar Kushtetuta, secili prej tyre është i pajisur me pushtet të mjaftueshëm, gjë që i jep mundësinë të marrë vendime në mënyrë të lirë e të pavarur. Asnjë organ apo institucion tjetër, në përbërje ose jo të një prej tri pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve, që sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese. Pra, parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve duhet të zbatohet jo vetëm në kuadër të veprimtarisë së mekanizmave apo institucioneve që veprojnë në një prej tre degëve kryesore të pushtetit shtetëror, por edhe në mekanizma të tjerë kushtetues që ushtrojnë funksionet e tyre kushtetuese sipas rastit, në mënyrë të pavarur apo si ndërthurje e kompetencave me institucione të tjera kushtetuese.
18.1 Ndarja e pushteteve ka të bëjë më shumë se me një ndarje “punësh” midis degëve të pushtetit. Qëllimi i këtij parimi është që të parandalojë përqendrimin e pushtetit në një person ose grup të caktuar. Parimi i ndarjes së pushteteve kërkon ndarje të pushtetit ndërmjet ligjvënësit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. I pari miraton ligjet, i dyti i zbaton dhe i treti i interpreton këto ligje. Parimi i ndarjes së pushteteve është i lidhur ngushtë edhe me parimin e balancës dhe kontrollit të tyre.
18.2 UPRSH vlerëson se ligji objekt kundërshtimi në pjesën ku parashikon kompetencën e prokurorit për pushimin e akuzës apo çështjes vetëm për kundërvajtjet penale, si dhe kompentecën e Gjykatës për të gjykuar kërkesen e prokurorit për pushimin e akuzës ose çështjes për krimet; kërkesën e prokurorit për dërgimin e çështjes në gjyq, dhe aspekte të tjera procedurale bie ndesh me nenin 148 të Kushtetutës, pasi kufizon kompetencën e të organit të Prokurorisë, si i vetmi organ i parashikuar nga Kushtetuta që ushtron ndjekjen penale. Heqja e ekskluzivitetit të organit të Prokurorisë në ushtrimin e ndjekjes penale përbën shmangie të këtij organi nga ushtrimi i veprimtarisë së tij kushtetuese. Në këtë mënyrë cenohet edhe parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, i sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës.
19. Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj, duke iu referuar nenit 7 të Kushtetutës, që parashikon parimin e ndarjes së pushteteve, ka theksuar se ky parim në demokraci si formë e qeverisjes synon kryesisht të mënjanojë rrezikun e përqendrimit të pushtetit në duart e një organi apo të personave të caktuar, gjë që praktikisht mbart me vete rrezikun e shpërdorimit të tij. Nëpërmjet këtij parimi kushtetutëbërësi ka përcaktuar për secilin nga organet që përfaqësojnë këto pushtete kompetencat që përputhen/i përgjigjen qëllimit të tij. Për sa kohë këto kompetenca janë të përcaktuara nga normat kushtetuese, është e palejueshme që një organ tjetër t’i marrë ose t’i anashkalojë ato me vullnetin e tij .
20. Gjithsesi, parimi i ndarjes së pushteteve nuk duhet kuptuar që çdo pushtet është i mbyllur dhe i pakontrolluar nga askush. Ndarja e pushteteve midis tri degëve të qeverisjes garantohet vetëm nëpërmjet sistemit të kontrolleve dhe ekuilibrave. Në këtë mënyrë, sipas Kushtetutës, aq sa flitet për ndarje bëhet fjalë edhe për ekuilibër të pushteteve. Qëllimi i një koncepti të tillë kushtetues siguron që të parandalojë çdo degë të qeverisjes për të ushtruar një pushtet të pakufizuar. Kontrollet dhe ekuilibrat që njeh Kushtetuta i japin secilës degë pushtete që kompensojnë apo zbusin ato të degëve të tjera. Ndonëse renditen njëri pas tjetrit, tri pushtetet e përmendura nuk qëndrojnë në varësi hierarkike nga njëri-tjetri dhe as nuk dominojnë apo i nënshtrohen ndikimeve reciproke extra ligjore.
21. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj ka theksuar se krijimi i raporteve të balancuara ndërmjet pushteteve, si dhe organeve të tjera kushtetuese duhet të orientohet nga standardi kushtetues i bashkëpunimit. Parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe fryma e Kushtetutës pranojnë bashkëpunim dhe bashkëveprim ndërmjet tyre, por kjo duhet të organizohet në mënyrë të tillë që parimet e lartpërmendura të mos shkelen.
22. Për parimin e sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese është shprehur se ai shtrihet jo vetëm ndaj tri degëve të pushtetit, ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, por edhe ndaj organeve të tjera kushtetuese të pavarura, kompetencat e të cilave janë të parashikuara nga dispozitat e Kushtetutës. Sipas këtij parimi, asnjë organ, në përbërje ose jo të një prej tri pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që, sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese. Ky qëndrim është i konsoliduar. Ai është mbajtur edhe në vendimin nr. 43 datë 26.06.2015 nga Gjykata Kushtetuese, e cila arsyeton se: “Sipas këtij parimi, asnjë organ, në përbërje ose jo të një prej tri pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që, sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve gjen zbatim edhe në raportin ndërmjet organit të Prokurorisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit”. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve gjen zbatim edhe në raportin ndërmjet organit të Prokurorisë dhe Gjykatës.
23. Prokuroria, për vetë rëndësinë që ka, është ngritur në nivelin e organit kushtetues nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. E themi këtë, pasi ajo i ka kushtuar një kapitull të veçantë dhe rregullon jo vetëm krijimin, por shkon edhe më tutje, duke parashikuar  organizimin dhe funksionet themelore të saj, emërimin dhe shkarkimin e prokurorëve. Megjithatë, Kushtetuta nuk ka përcaktuar se në cilin pushtet bën pjesë Prokuroria. E thënë ndryshe, nuk ka specifikuar pozicionin konkret të saj. Në nenin 148/3 të saj parashikohet se: “Prokuroria është organizuar dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor”. Ndërsa në paragrafin e parë të nenit 148 të Kushtetutës theksohet se: “Prokuroria ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit”. Këto paragrafe të këtij neni deklarojnë dy tipare të organit të Prokurorisë, njëri ka të bëjë me: “Prokuroria si organ i aparatit shtetëror” dhe tjetri ka të bëjë me: “si subjekt i procesit penal”.
24. Në nenin 7 të Kushtetutës sanksionohet se: “Sistemi i qeverisjes në Republikës e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Duke e interpretuar nga ana literale këtë nen rezulton se pushteti shtetëror ushtrohet nga tre pushtetet e sipërpërmendura. Pra çdo organ duhet të përfshihet në njërin nga këto pushtete. Në këtë logjikë edhe Prokuroria duhet të përfshihet në njërin nga këto pushtete. Pra duhet të diskutohet për “përkatësinë” në njërin apo tjetrin pushtet. Për të realizuar një gjë të tillë duhet të analizohen tiparet dhe karakteristikat e organit të Prokurorisë.
25. Prokuroria ka disa karakteristika të ngjashme, si me organet gjyqësore ashtu edhe me ato ekzekutive, por ka edhe dallime thelbësore me secilin prej tyre. Ngjashmëritë me Gjykatën konsistojnë tek:
1. Pavarësia. Prokuroria, ashtu si Gjykata, është e pavarur dhe prokurorët veprojnë me pavarësi në zgjidhjen e çështjeve konkrete.
2. Gëzimi i garancive në lidhje me emërimin, lëvizjen, imunitetin.
Por këto karakteristika nuk e bëjnë Prokurorinë pjesë të pushtetit gjyqësor. Ajo është palë në procedimin penal, si përfaqësues i shtetit. Në nenin 148/3 të saj parashikohet se: “Prokuroria është organizuar dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor”. Pra Prokuroria nuk është pjesë e sistemit gjyqësor, por funksionon pranë tij.
Si konkluzion themi që Prokuroria është organ sui generis, i vetmi në llojin e vet, i pavarur dhe kushtetues.
26. Gjykata po ashtu ka theksuar se normat kushtetuese nuk mund të interpretohen si norma të izoluara, por duhen parë në harmoni me normat e tjera kushtetuese. Një qëndrim i tillë bazohet në faktin se asnjë dispozitë e Kushtetutës nuk mund të nxirret jashtë kontekstit të saj dhe të interpretohet më vete, pasi çdo dispozitë kushtetuese duhet të interpretohet në mënyrë që të jetë e pajtueshme me parimet themelore kushtetuese, kjo për arsye se të gjitha normat dhe parimet kushtetuese formojnë një sistem harmonik pa kontradikta të brendshme.
27. Nga sa më lart, Gjykata Kushtetuese  duhet të çmojë dhe shqyrtojë kërkesën tonë për cenimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve në përputhje me parimin kushtetues të shtetit të së drejtës, të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës, që përcakton se “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. I tillë është rasti i nenit 148 të Kushtetutës, sipas të cilit ndjekja penale është atribut ekskluziv i organit të Prokurorisë .
28. Në këtë drejtim, Gjykata në jurisprudencën e saj tashmë të konsoliduar është shprehur se parimi i shtetit të së drejtës detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese.  Aktet juridike që nxirren nga këto organe duhet të jenë në pajtim me aktet juridike më të larta si në kuptimin formal, ashtu edhe atë material.
29. Në vendimin nr. 43 datë 26.06.2015 Gjykata Kushtetuese arsyeton se: “Për sa i përket nenit 148/1 të Kushtetutës, funksioni i organit të Prokurorisë, si përfaqësues i akuzës në emër të shtetit, bën që ky organ të ketë të drejtën ekskluzive të vendosë ndjekjen penale ose jo, d.m.th., të shpjerë ose jo një çështje në gjyq, ta pushojë ose jo një çështje në fazën e gjykimit. Lidhur me këtë organ Gjykata ka vlerësuar se ai ka disa veçori, të cilat janë përcaktuar në Kushtetutë e në ligj dhe që e vendosin këtë organ në një pozitë të dallueshme nga pushtetet e tjera, dhe veçanërisht: a) si organi i vetëm në vend që ushtron ndjekjen penale; b) si organi që përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit, që disponon mbi çështjet që ndodhen në gjykim dhe që është i lirë në kërkimin e llojit dhe të masës së dënimit ndaj personave që i rezultojnë fajtorë; c) si organ me pavarësi të plotë në ushtrimin e funksioneve, duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve, gjë që do të thotë se fillimi i procedimit penal, vënia para përgjegjësisë penale, pushimi, pezullimi i çështjeve ose dërgimi në gjyq janë atribute të Prokurorisë”. Pra, Gjykata Kushtetuese nxjerr në pah një element shumë të rëndësishëm të funksionit të ndjekjes penale, i cili është e drejta ekskluzive e Prokurorisë për të vendosur ndjekjen penale ose jo, d.m.th., të shpjerë ose jo një çështje në gjyq, ta pushojë ose jo një çështje në fazën e hetimit. Dhënia e një atributi të tillë pushtetit gjyqësor cenon në thelb funksionin e Prokurorisë për ushtrimin ndjekjes penale.
30. Në vendimin nr. 43 datë 26.06.2015 Gjykata Kushtetuese arsyeton se: “Nga sa më lart, Gjykata vlerëson se, Kushtetuta në nenin 148 të saj e ka konceptuar organin e Prokurorisë si të vetmin organ përgjegjës për ushtrimin e ndjekjes penale, pjesë përbërëse e të cilës është edhe hetimi i çështjeve penale”. Me ndryshimet e bëra në Kodin e Procedures Penale ligjvënësi ka vepruar në mënyrë kontradiktore. Kështu nga njëra anë përcakon organin e Prokurorisë si të vetmin organ që mban përgjegjesi  për ushtrimin e ndjekjes penale, ndërsa nga ana tjetër i heq këtij organi mundësinë e vendimmarrjes lidhur me ndjekjen penale, duke ia dhënë këtë Gjykatës. Pra në këtë mënyrë organi i Prokurorisë mban përgjegjësi për një vendimmarrje jo të tij.

Riorganizim në Shtëpinë e Bardhë

Një tjetër zyrtar i lartë u largua nga administrata Trump. Drejtori i Komunikimeve Anthony Scaramucci dha dorëheqjen 10 ditë pasi e mori këtë post në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Donald Trump emëroi sekretarin e Sigurisë Kombëtare, John Kelly si shefin e ri të personelit, me autoritet të plotë për të rivendosur rregull në Shtëpinë e Bardhë.
Kujtojmë se në vetëm pak ditë nga Shtëpia e Bardhë janë larguar tre zyrtarë të lartë – fillimisht sekretari i Shtypit Sean Spicer, më pas shefi i personelit Reince Pribeus dhe tani drejtori i komunikimit Anthony Scaramucci. Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Donald Trump i ka dhënë autoritet të plotë shefit të ri të personelit John Kelly për të sjellë strukturë dhe disiplinë të re në administratën e tij. Një zëdhënës tha se i gjithë personeli, përfshi vajzën e presidentit, Ivanka dhe dhëndrin Jared Kushner, do të raportojnë tek zoti Kelly. John Kelly, ish-sekretar i Sigurisë Kombëtare dhe një gjeneral i lartë i Marinës në pension, bëri betimin të hënën. Brenda pak orësh drejtorit të Komunikimeve iu dhanë të firmoste dokumentet e dorëheqjes duke sinjalizuar se gjenerali Kelly do të merrte një autoritet më të prerë nga paraardhësi i tij Reince Priebus dhe nuk donte të kishte në personel një njeri problematik si Anthony Scaramucci. Dorëheqja e zotit Scaramucci erdhi pas intervistës së tij famëkeqe me fjalë të papërshtatshme për revistën “The New Yorker”, ku vinte në shënjestër mes të tjerash, ish-shefin e personelit të zotit Trump, Reince Priebus dhe mburrej se raportonte direkt tek Presidenti. Në konferencën për shtyp dje në Shtëpinë e Bardhë, sekretarja e Shtypit tha se Presidenti Trump e vlerësoi si të papërshtatshme gjuhën e përdorur nga Scaramucci në intervistë.
“Presidenti mendon se komentet e Anthony-t ishin të papërshtatshme për një njeri në atë pozitë dhe ai nuk donte të ngarkonte gjeneralin Kelly me këtë të kaluar”.
Scaramucci kërkoi më vonë ndjesë për komentet e tij, por zyrtari i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk do të ketë një rol tjetër në administratë. Të hënën, Presidenti Trump i uroi mirëseardhjen zotit Kelly në një takim të kabinetit.
“Të gjithë e njohim. E respektojmë. E admirojmë për atë që ka bërë”.
Zoti Kelly zëvendëson Reince Priebus, i cili u pushua nga puna vetëm gjashtë muaj në detyrë.
Priebus ishte shefi i personelit që ka shërbyer më pak në historinë e vendit thotë profesori i shkencave politike David Cohen.
“Kur erdhi në detyrë Donald Trump vendosi një sistem të dobët për personelin. Në karrierën e tij të biznesit Donald Trump ishte mësuar që njerëzit të kishin privilegjin ta takonin dhe ai të bisedonte me shumë njerëz dhe këtë donte ta përdorte edhe në Shtëpinë e Bardhë”.
Por dhënia e këtij privilegji për shumë njerëz, përfshi zotin Scaramucci, kishte krijuar kaos në administratë, thotë zoti Cohen. Kelly ka negociuar të ketë më shumë autoritet nga sa kishte zoti Priebus. Tradicionalisht, shefi i personelit është personi i dytë më i fuqishëm në Shtëpinë e Bardhë thotë zoti Cohen.
“Shefi i personelit është ai që drejton gjithë Shtëpinë e Bardhë dhe siguron që çdo gjë të ecë sipas një plani. Ai organizon personelin. Sheh rrjedhën e dokumenteve dhe njerëzit që hyjnë në Zyrën Ovale për të takuar Presidentin. Ai menaxhon kohën e Presidentit. Pra, është një njeri shumë i rëndësishëm që përcakton sesi operon Shtëpia e Bardhë”.
Presidenti Trump ka premtuar t’i japë zotit Kelly autoritet të plotë mbi personelin e Shtëpisë së Bardhë, por ai mohon që administrata e tij është në kaos.
Analistët thonë se suksesi i zotit Kelly në këtë post do të varet pikërisht nga fakti nëse do të ketë autoritet të plotë, ndërsa sfida e tij më e madhe do të jetë bllokimi i rrjedhjes së informacionit nga Shtëpia e Bardhë në media. Ndërkohë ky riorganizim madhor vjen ndërsa ka njoftime të reja rreth takimit të djalit të Presidentit Trump me një avokate ruse gjatë fushatës së vitit 2016. Gazeta “The Washington Post” dhe rrjeti “ABC News” citojnë burime të kenë thënë se Presidenti Trump i ka diktuar personalisht deklaratën që djali i tij bëri në përgjigje të këtij takimi… gjë që ekipi i zotit Trump e mohoi muajin e kaluar. Është kjo ndoshta kriza e parë me të cilën do të përballet shefi i ri i personelit të Shtëpisë së Bardhë.

Senati konfirmon shefin e ri të FBI, Christopher Wray

epa06120442 (FILE) - Christopher Wray is sworn-in to testify before the Senate Judiciary Committee hearing on his nomination to be Director of the FBI, on Capitol Hill in Washington, DC, USA, 12 July 2017. Media reports state that the US Senate on 01 August 2017 has confirmed Christopher Wray to be the Director of the FBI. EPA/MICHAEL REYNOLDS

Senati amerikan konfirmoi me shumicë dërrmuese votash zotin Christopher Wray në postin e shefit të Byrosë Federale të Hetimeve. Me 92 vota Senati vendosi që ai të marrë përsipër drejtimin e agjencisë, e cila ishte në qendër të kundërthënieve që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
“Kjo është kohë e vështirë për të marrë një punë të vështirë”, tha senatori demokrat Amy Klobuchar nga Minesota gjatë debatit mbi emërimin e Wray-t. “Drejtori i mëparshëm i FBI-së, siç e dimë, u shkarkua për shkak të hetimit rus” mbi ndërhyrjen e Rusisë në fushatën presidenciale.
Por, zoti Wray tha në seancën dëgjimore për konfirmimin e tij muajin e kaluar se kishte vetëm “një mënyrë” për të bërë punën – “me pavarësi të rreptë, duke luajtur drejt, besnik ndaj ligjeve tona dhe besnik ndaj praktikave më të mira të institucionit”.
Wray, 50-vjeçar, ka një karrierë të shquar si prokuror federal dhe një diplomë drejtësie nga Universiteti në Yale.
Ai ishte ndihmësprokuror i Përgjithshëm gjatë administratës së presidentit George W. Bush dhe ka përvojë të konsiderueshme në rastet e sigurisë kombëtare.
Wray zëvendëson James Comey-n, i cili u përjashtua nga Presidenti Donald Trump, në muajin maj, derisa FBI po hetonte pretendimet se fushata e Trumpit kishte marrëveshje të fshehta me rusët në një përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016.
Presidenti Trump tha se FBI ishte me probleme nën drejtimin e Comey-t dhe se agjentët dhe të tjerët në byro, kishin humbur besimin në të.
Zyrtarët e FBI-së e mohuan këtë duke nxitur shumëkënd në Washington që të spekulojë se Presidenti Trump përjashtoi Comey-n, sepse ai nuk ishte i gatshëm të përmbushë dëshirën e presidentit për t’u tërhequr nga hetimet mbi përzierjen ruse.
Presidenti Trump, kritikoi po ashtu Comey-n për shkak të vendimit që të mos ndjekur ish-kandidaten demokrate për postin e Presidentit Hillary Clinton, për mënyrën se kishte shfrytëzuar llogarinë e saj në postën elektronike si sekretare e Shtetit.
Drejtorët e FBI-së emërohen për një mandat dhjetëvjeçar dhe prej tyre pritet të jenë objektivë dhe jo partiakë.

Irani kundër sanksioneve të reja të Kongresit në SHBA

Irani thotë se e ka paraqitur një ankesë në komisionin përgjegjës për mbikëqyrjen e implementimit të marrëveshjes atomike të vitit 2015, për shkak të sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.
Kryetari i Parlamentit të Iranit, Ali Larijani, ka njoftuar dje për këtë ankesë, me të cilën Uashingtoni akuzohet për shkelje të marrëveshjes, të njohur si Plani i Përbashkët Gjithpërfshirës Aksional (JCPOA), ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Ankesa e Iranit u bë pasi Departamenti amerikan i Thesarit, në fund të muajit të kaluar, ka imponuar sanksione kundër gjashtë firmave iraniane për rolin e tyre në zhvillimin e raketave balistike. Këto sanksione u ndërmorën për shkak të testit të raketës iraniane me kapacitet për dërgim të satelitëve në orbitë të Tokës.
Kongresi i Shteteve të Bashkuara, po ashtu, e ka miratuaar legjislacionin për sanksione të reja kundër Iranit, në shënjestër të të cilave është programi raketor, abuzuesit e të drejtave të njeriut dhe Garda Revolucionare e Iranit.
“Irani është ankuar në komision për shkelje të marrëveshjes nga Amerika”, i tha Larijani agjencisë iraniane të lajmeve, “Tahsin”.
Ai i referohej Komisionit të Planit të Përbashkët Gjithpërfshirës Aksional, i cili është formuar nga gjashtë fuqitë botërore, Irani dhe Bashkimi Evropian, për mbikëqyrjen e shkeljeve të mundshme të marrëveshjes atomike.
Nëse ky komision nuk është në gjendje ta zgjidhë mospajtimin, atëherë palët mund të shkojnë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Irani edhe më parë i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për mosrespektim të marrëveshjes atomike duke imponuar sanksione, por më parë nuk ka ndërmarrë kurrfarë aksioni formal kundër Uashingtonit.
Shtetet e Bashkuara, e arsyetojnë imponimin e sanksioneve duke theksuar se testet raketore iraniane paraqesin shkelje të “frymës” së marrëveshjes, ndërsa kjo dispozitë gjendet edhe në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Me këtë dispozitë nga Irani kërkohet që të përmbahet nga provat raketore, që kanë kapacitet për bartje të kokave atomike.
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, e ka përsëritur qëndrimin e tij në një konferencë të mbrëmshme për gazetarë, duke theksuar se Irani po e shkel frymën e marrëveshjes, pasi ajo kërkon që Teherani t’i ndalë provat e raketave balistike dhe të jetë “fqinj i mirë” me vendet e tjera të rajonit të Gjirit Persik.
Por, qëllimi kryesor i marrëveshjes bërthamore është tërheqja e sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit në këmbim për kufizimin e aktiviteteve atomike iraniane.
Por, Shtetet e Bashkuara kanë imponuar sanksione joatomike kundër Iranit, në shënjestër të të cilave janë zhvillimi raketor dhe aktivitetet e tjera.
Zoti Tillerson, po ashtu, ka thënë se është mbështetës i fuqishëm i marrëveshjes atomike dhe se atë e ka mbrojtur në diskutimet e tij me Presidentin Donald Trump, i cili disa herë ka thënë se do të dëshironte ta fundoste atë.
Rrjedhimisht, duke folur për mospajtimet e tij me Presidentin Donald Trump, lidhur me marrëveshjen atomike me Iranin, zoti Tillerson tha:
“Ai dhe unë kemi dallime në pikëpamje për gjëra, siç është Plani i Përbashkët Gjithpërfshirës Aksional dhe si ne duhet ta shfrytëzojmë atë, por mendoj se nëse ne nuk do t’i kishim këto dallime, unë nuk do të isha i sigurt se po i shërbej atij”, tha Rex Tillerson.
Më tutje, ai theksoi se, “ekzistojnë shumë mënyra alternative, me të cilat ne e shfrytëzojmë marrëveshjen për avancimin e politikave tona dhe raportet me Iranin dhe kjo është ajo që përgjithësisht flasim me Presidentin”.
Megjithatë, Tillerson ka pranuar se nuk është i sigurt se e ka bindur Trumpin që ta respektojë marrëveshjen për një periudhë afatgjatë.

Arrestohen drejtuesit e opozitës në Venezuelë

Caracas El Servicio Bolivariano de Inteligencia (Sebin) de Venezuela volvió a detener esta madrugada a los opositores Leopoldo López (izq.)y Antonio Ledezma (der.), los que estaban bajo arresto domiciliario, informaron familiares y fuentes cercanas a ambos dirigentes. "Se acaban de llevar a Leopoldo de la casa. No sabemos donde está ni a dónde lo llevan. (Nicolás) Maduro es responsable si algo le pasa", escribió en Twitter Lilian Tintori, la esposa de López. Foto: Afp

Në Venezuelë autoritetet arrestuan dy udhëheqës të opozitës nën akuzën e organizimit të protestave kundër Asamblesë së Posaçme, e cila pritet të hartojë një Kushtetutë të re për vendin. Lajmi u konfirmua dje prej familjarëve të tyre. Miratimi i Asamblesë Kushtetuese ka nxitur një reagim të gjerë ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Forcat e sigurisë së Venezuelës arrestuan dy udhëheqës të opozitës, Leopoldo Lopez dhe Antonio Ledezman, të martën në mbrëmje vonë pasi bastisën shtëpitë e tyre. Lajmi u bë i ditur dje nga familjarët. Arrestimi lidhej me protestat kundër Asamblesë së Posaçme të denoncuar gjerësisht si antidemokratike. Në momentin kur u morën nga forcat e policisë, Leopoldo Lopez dhe Antonio Ledezma ishin të dy nën arrest shtëpie, i pari për rolin e tij në protestat kundër Presidentit Nicolas Maduro në vitin 2014 dhe i dyti nën akuzën e komplotimit të një grushti shteti.
Një video e postuar në mediat sociale tregon momentin e arrestimit të Antonio Ledezmas, nxjerrjen e tij jashtë nga shtëpia prej policëve të veshur me uniforma të Agjencisë së Zbulimit, Sebin.
Të hënën, para arrestimit, Antonio Ledezma postoi një video në internet në të cilën i bënte thirrje popullit të Venezuelës të vazhdonte luftën pas zgjedhjeve të së dielës për Asamblenë Kushtetuese. Kjo e fundit zëvendëson Asamblenë e kontrolluar nga opozita, të zhveshur tanimë nga pushteti i saj me vendim të Gjykatës së Lartë të kontrolluar nga Presidenti Maduro. Të dy udhëheqësit opozitarë janë ish-kryetarë të bashkisë së kryeqytetit, Karakas dhe kritikë të fortë të Presidentit Maduro.
Dy ditë më parë Shtetet e Bashkuara e quajtën të paligjshme zgjedhjen e asamblesë dhe vendosën sanksione ndaj Presidentit Maduro.
Të gjitha pasuritë e tij në Shtetet e Bashkuara janë të ngrira dhe amerikanët janë të ndaluar të bëjnë biznes me të.
Por sipas analistit amerikan Michael O’Hanlon sanksionet vështirë se mund të jenë zgjidhja për problemet e Venezuelës.
“Nuk e shoh si një gjë që funksionon vendosjen e sanksioneve ndaj bizneseve të veçanta ose individëve të veçantë nga Venezuela, duke i ndaluar ata të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara apo të mbajnë para në bankat amerikane. Këta njerëz kanë provuar tashmë se janë shumë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për të mbajtur pushtetin edhe pse vendi i tyre ndodhet në gjendje të vështirë ekonomike, si dhe është një nga vendet më të dhunshëm në tokë, pa ndonjë shpresë reale për përmirësim të situatës. Jam shumë i trishtuar për Venezuelën. Mendoj se duhet të kemi një qasje ndryshe dhe të mendojmë opsione shumë më radikale nëse vërtet duam të përpiqemi ta zgjidhim këtë problem”, thotë Michael O’Hanlon i Institutit “Brookings”.
Presidenti Maduro u tregua indiferent ndaj sanksioneve, duke i quajtur ato shenjë “dëshpërimi dhe urrejtjeje” të Presidentit Donald Trump.
Sekretari amerikan i Thesarit nuk komentoi lidhur me mundësinë e sanksioneve të tjera në të ardhmen, përfshirë dhe ndalimin e eksporteve të naftës nga Venezuela.
Ndërkohë Bashkimi Evropian ka reaguar duke bërë të ditur se gjithashtu nuk do ta njohë asamblenë e sapoformuar. Këtij qëndrimi i janë bashkuar edhe Kanadaja, Spanja dhe pothuajse çdo vend i Amerikës Latine.

Trump do mbështet tek rrjetet sociale

Trump Twitter

Presidenti Donald Trump sinjalizoi të martën se ka në plan të vazhdojë të ofrojë mendimet e tij me postimet e shpeshta në mediat sociale.
“Vetëm Mediat e Rreme dhe armiqtë e Trumpit duan që unë të mos i përdor mediat sociale (110 milionë njerëz)”, shkruante Presidenti në llogarinë e tij në Twitter. “Është e vetmja mënyrë që unë të nxjerr të vërtetën!”.
Megjithë pretendimin e zotit Trump, mediat kryesore tradicionale të lajmeve në SHBA, të cilat shpesh quhen prej Presidentit si “lajme të rreme”, nuk i kanë kërkuar atij të heqë dorë nga përdorimi i mediave sociale.
Përkundrazi, ato shpesh citojnë komentet e tij në Twitter dhe i shohin ato si një dritare për të kuptuar mendimet e tij në kohë të ndryshme të ditës, nga orët e hershme të mëngjesit deri në orët e vona të natës.
Megjithatë, disa ndihmës të Shtëpisë së Bardhë, si dhe ligjvënës republikanë e demokratë e kanë kritikuar përdorimin e Twitterit nga Presidenti, i cili në gjashtë muajt e parë të presidencës ka bërë rreth një mijë komente.
Komentet e Presidentit në Twitter kanë natyrë nga më të ndryshmet: nga përgëzimet për kampionët e sporteve e deri te kritikat e ashpra për ligjvënës të ndryshëm, të cilët hedhin poshtë politikat që zoti Trump dëshiron të miratohen nga Kongresi.
Ndonjëherë zoti Trump i ka befasuar edhe ndihmësit e tij me komentet në Twitter, siç ndodhi javën e kaluar kur ai tha se kishte në plan të ndryshonte një politikë të ish-Presidentit Barak Obama dhe të ndalonte personat transgjinorë të shërbejnë në forcat e armatosura amerikane.

Mesazhi i Tillerson për Korenë

FILE - In this Friday, March 27, 2015 file photo, ExxonMobil CEO Rex Tillerson delivers remarks on the release of a report by the National Petroleum Council on oil drilling in the Arctic, in Washington. On Saturday, Dec. 10, 2016, President-elect Donald Trump moved closer to nominating Tillerson as his secretary of state, meeting privately with the business leader for the second time in a week. (AP Photo/Evan Vucci, File)

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, në komentet e pazakonta të bëra të martën gjatë një konference shtypi, iu drejtua krerëve të Koresë së Veriut me fjalët “ne nuk jemi armiku juaj” dhe bëri thirrje për dialog në klimën e tensioneve që po rriten me shpejtësi.
Zoti Tillerson tha se kërcënimi i Koresë së Veriut “është materializuar pikërisht ashtu siç ne e prisnim të ndodhte” dhe shtoi se administrata amerikane është përgjigjur me “presion paqësor”, ndonëse alternativat janë të kufizuara.
“Ne menduam se gjëja më e përshtatshme që duhej të bënim ishte presioni paqësor ndaj regjimit të Koresë së Veriut, në mënyrë që gradualisht ata të tregoheshin të gatshëm për t’u ulur dhe biseduar me ne dhe me të tjerët”, por me nënkuptimin se “nuk do të ketë një të ardhme” në të cilën Koreja e Veriut do të zotëronte armë bërthamore, tha zoti Tillerson.
Ai tha se nuk ua hedh fajin kinezëve për gjendjen në Korenë e Veriut, por se SHBA do të kërkonin ndihmën kineze në arritjen e një dialogu me Korenë e Veriut.
“Ne jemi në njëfarë pike kthese” në marrëdhëniet me Kinën, tha zoti Tillerson, duke shtuar se “ne e kuptojmë që kushtet kanë ndryshuar”.
Të hënën, në fillim të një takimi të kabinetit, Presidenti Donald Trump shprehu siguri se kërcënimit të Koresë së Veriut do t’i gjendet zgjidhja, por nuk dha hollësi.