30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Lidhje të forta mes politikës dhe industrisë në Gjermani

Industria e automobilëve është industri kryesore në Gjermani. “Ne kemi nevojë për një industri të fuqishme dhe inovative automobilësh, por edhe të ndershme”, tha zëdhënësja e qeverisë gjermane, Ulrike Demmer, në fillim të javës në lidhje me takimin që do të zhvillohet mes përfaqësuesve të industrisë së prodhimit të automjeteve dhe atyre të qeverisë gjermane. Ajo tha se vërtet gjërat që janë për t’u kritikuar, duhet të kritikohen, por gjithmonë me vetëdijen se kjo është një industri me rëndësi strategjike për Gjermaninë”.
Shifrat janë të njohura: industria e automobilëve në Gjermani ofron 800.000 vende direkte pune dhe ajo kontribuon me pothuajse një të pestën e numrit të përgjithshëm të eksporteve. Këtyre u shtohen edhe më shumë se gjysmë milioni vende pune indirekte që varen nga prodhimi i automjeteve. Në rastin e Gjermanisë mund të thuhet se pa koncernet automobilistike si Volkswagen, Mercedes dhe BMW, Gjermania nuk do të ishte më shtet drejtues në ekonomi.
Në këtë kontekst nuk janë të rralla rastet kur ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverive gjermane janë bërë lobistë kryesorë të industrisë së automobilëve ose janë anëtarë të bordeve drejtuese të këtyre koncerneve. Ose anasjelltas që ish-lobistët apo anëtarët e bordeve të koncerneve automobilistike të kenë marrë poste të rëndësishme në qeveri.
Ministrja e Ambietit, Barbara Hendricks, tha para takimit me përfaqësues të industrisë së prodhimit të automjeteve se në të kaluarën “shteti shpesh nuk ka ruajtur distancë prej industrisë së prodhimit të automjeteve”.
Koncernet e prodhimit të automjeteve janë edhe sponsorizues të rregullt të partive. Për shembull, në muajin prill koncerni Daimler Benz u dhuroi dy partive të mëdha CDU dhe SPD nga 100.000 euro, gjë që e bën prej vitesh. Por edhe partitë e tjera si Të Gjelbërit kanë marrë sponsorizime prej koncerneve të industrisë së prodhimit të automjeteve.

Politika u vjen shpesh në ndihmë koncerneve
Sipas organizatës “Greenpeace” kjo ka bërë që politika t’u vijë shpesh në ndihmë koncerneve të industrisë së prodhimit të automjeteve, duke u krijuar kushte favorizuese për prodhimin e automjeteve të motorë të fuqishëm, që sjellin edhe shumë përfitime për koncernet, por dëmtojnë ambientin.
Kjo ka bërë që Gjermania të jetë tepër larg qëllimit që deri në vitin 2020 në Gjermani të jenë në përdorim rreth një milion makina elektrike. Tani që janë shtuar problemet me ndotjen e ambientit të shkaktuar nga gazrat e automobilëve, qeveria gjermane dhe koncernet e industrisë së prodhimit të automjeteve do të diskutojnë për mundësitë për minimizimin e emisioneve të gazrave dhe të filtrave për automjetet dhe se si mund të realizohet kalimi nga automjetet tradicionale me naftë apo bezinë, në automjete me bateri elektrike.

Eksperti gjerman, formulë të re bashkimi Kosovë-Serbi

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka hapur kohët e fundit “një dialog brenda Serbisë” për Kosovën. Shumë besojnë se ai po përpiqet në këtë mënyrë që ta ndajnë përgjegjësinë për një njohje de facto të Kosovës me të gjithë kombin. Por dëgjohen edhe sugjerime të tjera – për shembull, në qarkullim është përsëri modeli i marrëveshjes ndërmjet Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore e vitit 1972. A është ky një model i mirë?
Sipas politologut dhe ekspertit për Ballkanin, Werner Weidenfeld, gjendja është e tillë që ndoshta askush nga palët e mëdha në konflikt nuk do të heqë dorë nga qëndrimi i vet krejtësisht. Është si dikur mes Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermanisë Lindore: dy pikëpamje të ndryshme, askush në thelb nuk heq dorë në parim, por ka një interes për përmirësimin praktik të situatës. Të gjitha palët vazhdojnë në parim pozicionin e tyre, por përtej tij ka një përmirësim të situatës praktike. Nëse ato janë të interesuara për kontakte më të mira, për shembull, në heqjen e pengesave për qarkullimin, atëherë modeli i marrëveshjes ndërmjet Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore mund të shërbejë sigurisht si model. Por në një marrëveshje të tillë nuk duhet të përfshihet çështja e statusit të Kosovës.
Këtë model unë e kam sugjeruar, për shembull, për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme. Nëse negociatat në konfliktin e Lindjes së Mesme fillojnë direkt me sqarimin e statusit të Jeruzalemit, ato nuk do të shkojnë kurrë përpara. Në konfliktin Lindje-Perëndim gjërat u bënë ndryshe dhe pati përparime të mëdha.

Çështjet e statusit nuk duhen bërë patjetër element thelbësor i bisedimeve
Modeli i marrëveshjes ndërmjet Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore u propozua që nga viti 2007 nga Wolfgang Ischinger, por Beogradi e hodhi asokohe poshtë këtë propozim. Tani status quo-ja është një tjetër dhe kjo duhet të jetë baza, për të cilën mund të diskutohet. Një prej pasojave të marrëveshjes mes RDGJ-së dhe RFGJ-së ishte që të dyja shtetet u bënë anëtare të OKB-së. Kurse Kosova nuk është anëtare e OKB-së ndër të tjera edhe prej rezistencës së Rusisë. Sipas mendimit të Werner Weidenfeld nëse synohet të arrihet përparim në këtë drejtim nuk duhet që bisedimet të rëndohen me një barrë të tillë kaq të madhe. “Çështjet e statusit nuk duhen bërë patjetër element thelbësor i bisedimeve të mëtejshme. Ato mund të diskutohen pasi të jenë arritur zhvillime pozitive. Një marrëveshje e tillë do të çonte dhe në mënjanimin e çështjes së kufijve, si dikur mes RDGJ-së dhe RFGJ-së. Vendet e Ballkanit duan të integrohen në BE, por ato kanë tensione mes tyre dhe duhet të punojnë për t’i ulur ato”.

Të gjitha idetë duhen diskutuar
Në lidhje me hedhjen në qarkullim të idesë së vjetër për ndarjen e Kosovës nga ministri i Jashtëm i Serbisë Daçiç, sipas së cilës Serbia duhet të marrë veriun e Kosovës dhe Kosova rajonin e Preshevës, politologu dhe eksperti për Ballkanin Weidenfeld, mendon se duhen mbledhur dhe diskutuar të gjitha idetë që gjërat të shkojnë përpara. Gjëja më e mirë është që palët të thonë, se cilat janë sipas tyre idetë më të mira dhe pastaj të diskutojnë me ndihmën e ndonjë ndërmjetësi, për shembull, presidentit të Këshillit të Evropës.

Prof. Dr. Werner Weidenfeld është profesor për sistemet politike dhe integrimet evropiane në Universitetin e Mynihut dhe drejtor i Qendrës për Hulumtime të Politikave të Aplikuara. Ai është autor i shumë librave dhe ekspert për politikën ndaj Ballkanit. Nga viti 1987 deri 1999 ai ishte koordinator i qeverisë gjermane për bashkëpunimin gjermano-amerikan.

Veseli, i vetmi kandidat për kryeparlamentar

Partia Demokratike e Kosovës nën udhëheqjen e kreut të saj, Kadri Veselit dje gjatë ditës ka mbajtur takim me deputetët e zgjedhur të kësaj partie për të diskutuar për seancën e sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës. Pas përfundimit të mbledhjes para gazetarëve ka folur nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Krasniqi ka deklaruar se mediat kanë keqinterpretuar deklaratat e tij lidhur me kandidimin e Veselit për kryetar të Kuvendit.
Ai të mërkurën për “Express” është shprehur se, koalicioni PAN nuk ka kandidat tjetër pos Veselit për kryetar Kuvendi. Thotë se zyrtarizimin e Veselit do ta bëjnë sot.
“Duket se deklarata ime sot nuk është interpretuar drejt dhe ndoshta është nxjerrë jashtë kontekstit! Kadri Veseli e ka mbështetjen e plotë të të gjitha strukturave të PDK-së, si dhe të koalicionit tonë, për të qenë kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës edhe në mandatin e ardhshëm. Kandidimi i tij do të zyrtarizohet nesër në seancë, meqë kështu edhe parashihet proceduralisht”, ka deklaruar nënkryetari i PDK-së.
“Z. Veseli është lideri që i duhet kësaj legjislature dhe nga pozita e kryetarit të Kuvendit do të vazhdojë të jetë shtylla e koalicionit tonë të përbashkët”, ka shtuar ai.

LDK deklaron votën kundër Kadri Veselit

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes Kryesisë mbrëmë vendosi që shef i Grupit parlamentar të saj në Kuvendin e Kosovës të jetë Avdullah Hoti. Nga kjo mbledhje, partia e dytë më e madhe në vend vendosi edhe një herë që të mos bashkëpunojë në asnjë formë me koalicionin PAN.
Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova në një bisedë për Gazetën Observer ka thënë se, zgjedhja e Avdullah Hotit në krye të deputetëve të LDK-së nuk ka ndonjë lidhje me të ardhmen e partisë sa i përket koalicionit të mundshëm me Vetëvendosjen.
“Nuk besoj që kjo ka lidhje me ndonjë koalicion të mundshëm. Ne mbajmë të drejtën për me caktu shefin e Grupit parlamentar dhe varësisht prej situatave ai mund të ndërrohet”, tha Rugova.
Ai ka thënë se deri më tani një gjë është e sigurtë, që nuk do të ketë koalicion me PAN-in, ndërsa bashkëpunimi me LVV nuk është diskutuar.
“Vendimi i qartë i LDK-së është që nuk do të shkojë në koalicion me PAN-in. Për momentin nuk është duke u diskutuar bashkëpunimi me Vetëvendosjen, këto gjëra bëhen hap pas hapi. Ky është hapi i parë, jo bashkëpunim me PAN-in”, deklaroi Rugova.
Nënkryetari i LDK-së ka lënë të kuptohet që partia e Isa Mustafës do të qëndrojë në opozitë, sepse sipas tij këtë e deshën të gjitha partitë e tjera.
“Realisht, ata që u bashkuan që të rrëzojnë qeverinë dhe kryeministrin Mustafa, le ta bëjnë qeverinë vetë. Neve na qitën në opozitë, me një fjalë, të gjitha partitë”, theksoi Rugova.
I pyetur rreth mundësisë për ta votuar ndonjë deputet i LDK-së Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, Rugova thotë se nuk beson se do të ndodhë një gjë e tillë. Ai tha se qëndrimi politik i LDK-së është të mos votohet Kadri Veseli, ndërsa nëse ndodh e kundërta, do ta diskutojnë brenda partisë këtë çështje për të marrë masa ndaj atyre deputetëve.

Kosova me Parlament apo drejt zgjedhjeve të reja?

Në prag të mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, mbetet ende mjaft e paqartë se, a do të mund të krijohet shumica parlamentare dhe a do të mund të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, të cilin pritet ta propozojë koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN.
Mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet të enjten, më 3 gusht. Pjesëmarrjen në këtë mbledhje tashmë e kanë konfirmuar subjektet parlamentare.
Memli Krasniqi, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se koalicioni PAN është i përkushtuar që gjithçka të rrjedhë mirë në seancën konstituive të Kuvendit. “Ne e kemi mbështetjen e mjaftueshme për ta votuar edhe qeverinë, për ta konstituar edhe Kuvendin dhe besojmë që gjithçka do të shkojë dhe do të rrjedhë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ky edhe është përkushtimi ynë si koalicion”.
I nominuari për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se të gjithë deputetët e këtij subjekti politik, do të jenë të pranishëm në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ai ka kritikuar koalicionin PAN për, siç ka thënë ai, mënyrën se si po përpiqet ta krijojë shumicën parlamentare.
“PAN-i po orvatet që ta krijojë shumicën parlamentare nëpërmjet një qeverie, e cila do të varet nga partia e Beogradit në Kosovë dhe nga blerja e ndonjë deputeti. I bën shtetndërtimit dhe demokracisë në Kosovë, por nuk ju bën nder edhe atyre”, ka thënë Kurti.
Koalicioni PAN, që më parë kanë paralajmëruar se për kryetar të Kuvendit do ta propozojë liderin e PDK-së, Kadri Veselin, i cili ka mbajtur këtë post edhe në legjislaturën e kaluar.
Këtë e ka konfirmuar edhe Krasniqi, ndonëse sipas tij, kjo ende nuk është zyrtare.
“Ka një mbështetje të plotë për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe për liderin e koalicionit tonë, për zotin Kadri Veseli. Por, unë sot nuk mund t’ua them këtë si fakt të kryer. Vendimin zyrtar do ta publikojmë me kohë”.
Kryetari i Kuvendit zgjidhet me shumicën e thjeshtë, që nënkupton me 61 vota të deputetëve.
Kurti ka thënë se 32 deputetët e Lëvizja Vetëvendosje, nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.
“Të enjten, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta zgjedhë për kryetar një person, një figurë politike, i cili duhet të jetë sa më gjithpërfshirëse e kurrsesi kontroverse. Ky deputet që do të bëhet kryetar i Kuvendit, në legjislaturën e 6 duhet të jetë shumë më i mirë se sa kryetari i Kuvendit në legjislaturën e pestë”.
Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Imer Mushkolaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se problemet për krijimin e shumicës parlamentare, por edhe për votimin e kryetarit të ri të Kuvendit, janë mëse evidente, pavarësisht deklaratave të deritashme të koalicionit PAN, se ekzistojnë votat e nevojshme për këto, raporton REL.
“Unë pres – të paktën duke u bazuar edhe në disponimin e përgjithshëm të partive politike, por edhe në përgjithësi deklaratat që janë bërë publike – që zgjedhja e kryeparlamentarit të dështojë. Kjo do të çonte pastaj në një situatë të re, në kuptimin që po ashtu koalicioni PAN mund të provojë edhe herëve të tjera të njëjtin kandidat ose kandidat tjetër. Por, prapëseprapë ekziston rreziku që kryetari i Kuvendit të mos zgjidhet dhe rrjedhimisht edhe Kuvendi të mos konstituohet”.
Mushkolaj shton se një situatë e tillë do ta çonte vendin në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, gjë që sipas tij, nuk do të ishte zgjidhje e duhur.
“Nëse ndodh kështu, bëhet vetëm për inate personale, për shkak se unë konsideroj se ekzistojnë mundësi të tjera. Do të mund të ishte, ta zëmë, caktimi i një kandidati tjetër nga koalicioni PAN, një kandidati të pranueshëm për rivalët politikë që nuk janë në koalicionin PAN, që të paktën të konstituohet Kuvendi dhe pastaj të kalohet në çështjen e krijimit të qeverisë”.
Sidoqoftë, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, fillon edhe faza prej 15 ditëve për formimin e qeverisë së re. Duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, edhe formimi i qeverisë i takon koalicionit PAN, por kërkohet që ky koalicion të sigurojë minimumin prej 61 votave.

Neymar, PSG ofron çek 300 milionë euro

Transferimi i Neymarit në Paris do të kryhet: çdo ditë dhe orë që kalon, vjen dhe një pozicionim më i qartë nga ana e futbollistit dhe shtohen shanset e kalimit të tij të bujshëm te PSG-ja. Edhe në Katalunjë kanë nisur të dorëzohen për humbjen e “O Ney”. Sipas “Sport”, ai do të largohet, ndërsa “Mundo Deportivo” e quan çështje ditësh, për të mos thënë, orësh vendimtare. Sot në Doha? Neymar nuk është rikthyer me shokët e skuadrës në Barcelonë, pas turit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ndodhej në Kinë (në Shangai) për një seri takimesh marketingu. Dhe prej atje, sipas “Mundo”, sulmuesi do të niset për në Doha, ku edhe do të kryejë vizitat mjekësore me klubin francez. Ndërkohë, babai, i cili ka një rol kyç në transferim, ka zbarkuar mëngjesin e së hënës në Barcelonë. Ai udhëtoi me të njëjtin avion të zëvendëspresidentit të Barcelonës, Manel Arrojo dhe ish-kapitenit Karles Pujol. I ndaluar nga gazetarët, ai nuk preferoi të lëshojë asnjë deklaratë. Madje, me njërin prej tyre pati edhe një përplasje.

Kush e paguan klauzolën?
Sipas informacioneve që vijnë nga shtypi francez, PSG ka zbuluar edhe mënyrën për t’iu shmangur detyrimeve të “Fair Play-t Financiar”. “Qatar Sports Investment” do t’i paguajë futbollistit 300 milionë euro si imazhin e Botërorit 2022. Dhe në këtë pikë klubi francez nuk do të ndërhyjë absolutisht në këtë operacion, duke ia lënë në dorë vetë futbollistit që ta paguajë klauzolën e prishjes së kontratës. Kush fshihet pas “Qatar Sports Investment”? E kush tjetër veç familjes Al-Khelaifi dhe pikërisht Naser Al-Khelaifit, presidentit të PSG.

Barça, ikën Neymar vjen Coutinho
Transferimi i Neymar te Paris Sant Germmain do të ketë një efekt të menjëhershëm domino në merkaton e futbollistëve. Kjo lëvizje do të pasohet me të tjera goditje të mëdha, ku pa dyshim protagoniste kryesore do të jetë Barcelona. Klubi katalan, me arkat e mbushura nga shitja e yllit të “Selecaos” do të hidhet menjëherë në sulm për blerjen e një tjetër futbollisti brazilian, Filipe Coutinhon. Plani i drejtuesve blaugrana është që brenda 7 gushtit, ditë kur do të zhvillohet sfida me Chapocoensen për trofeun Gamper, ta ketë mbyllur marrëveshjen me Liverpulin, duke i paguar klubit anglez 100 milionë euro për kartonin e futbollistit. Ndaj presionit të vazhdueshëm të Barçës, pritet të dorëzohet edhe Jurgen Klopp, që e ka kundërshtuar me forcë mundësinë e largimit të Coutinhos nga “Anffield”. Në fakt ndërhyrja e menjëhershme në merkato pas shitjes së Neymar synon të mos u lërë vend polemikave apo keqardhjeve. 222 milionë euro që Barcelona do të përfitojë nga kartoni i Neymar, mjaftojnë jo vetëm për Courinhon, por edhe për të blerë emra të tjerë të rëndësishëm si Mbappe, Di Maria e veçanërisht talenti i Dortmundit Dembele, dëshira më e madhe e trajnerit Ernesto Valverde.

Barcelona ofertë “faraonike” për Dibalën

Është Paolo Dibala objektivi i Barcelonës, në rast se Neymar do të largohet. Kjo e fundit duket se është e sigurt dhe drejtuesit e katalanasve po mendojnë për zëvendësuesin e tij. Lista është e gjatë, por duket se pretendentët kanë pësuar ndryshime. Në momentet e fundit ka fituar terren Paolo Dibala. Argjentinasi i Juventusit është një nga lojtarët që pëlqen Leo Mesi dhe “Pleshti” ka dhënë lejen për transferimin e tij. Juventusi e konsideron të pashitshëm dhe nuk ka ndërmend ta lërë të lirë, por kjo nuk e pengon Barcelonën që të bëjë një ofertë në radhët e kampionëve të Italisë. Po mendohen 110 milionë euro, si një shifër joshëse për t’i bindur drejtuesit e bardhezinjve. Dibala tha pak ditë më parë se është Juventusi që vendos, edhe pse është i lumtur në Torino. Megjithatë, Alegri dhe stafi janë të qetë dhe mendojnë që Dibala nuk do të largohet. Fakti që sakrifikuan Bonuçin për numrin 21 do të thotë se ky i fundit ka disa detyrime për këtë vit.

Mesazhi i fshehtë i Ronaldos për Neymarin

Në fushën e lojës janë rivalë, por jashtë saj ruajnë raport miqësor dhe shoqëror shumë të mirë. Cristiano Ronaldo dhe Neymar duket se kanë shkëmbyer mesazhe me njëri-tjetrin gjatë këtyre ditëve dhe portugezi e ka këshilluar që të mendohet mirë për të ardhmen, por i ka lënë të kuptohet se transferimi në Paris ndoshta nuk është i duhuri për të në këto momente. Ronaldo e ka këshilluar që nëse ka një ekip që ia vlen për të braktisur Barcelonën është Mançesteri. Lajmi i përhapur nga “The Sun” ka bërë xhiron e botës, por nuk është pritur aspak mirë nga drejtuesit katalanas dhe nga ata madrilenë. Këta të fundit tremben ndoshta se Ronaldo po mendon një rikthim të mundshëm në Angli dhe kërkon që të ketë shok skuadre Neymarin. Në një intervistë të thënë për “ESPN”, Ronaldo ka thënë se rivaliteti me lojtarët si Neymar, Messi, Higuain apo Levandovski e ka ndihmuar shumë të rritet në lojë. “Është e vërtetë që rivaliteti më bën të punoj më shumë, por unë me ata që përmenda më sipër bëjmë një kampionat më vete dhe pretendoj që të dal më i mirë se ata”, ka thënë Cristiano Ronaldo.

Shkëlqimi i Berishës dhe Keidi Bares

Nga stoli Keidi Bare fiton derbin përballë Elseid Hysajt. Takimi gjysmë final mes Atleticos së Madridit dhe Napolit i vlefshëm për trofeun “Audi Cup” është fituar nga ana e Colchoneros me rezultatin 2-1. Bare, i cili vetëm një javë më parë në miqësoren kundër skuadrës meksikane të Tolucas i dha një sinjal të qartë trajnerit Diego Simeone se përsa i përket aftësive të tij, nuk ka vend për dilema. Sidoqoftë në përballjen kundër italianëve, Keidi ka qëndruar në stol përgjatë 90 minutave edhe pse pritej që mesfushori kuqezi të aktivizohej në këtë takim. Vendimi i teknikut Simeone, i cili kërkon që 19-vjeçari të integrohet gradualisht në lojën e klubit spanjoll gjithashtu dhe duke mos dashur ta rrezikojë Keidin nga ndonjë dëmtim të rëndë në prag të nisjes së kampionatit spanjoll, pasi me shumë gjasa, falë edhe paraqitjeve pozitive nga ana e mesfushorit kuqezi, aktivizimi i tij si titullar ose si zëvendësues përgjatë kampionatit me shumë mundësi nuk do të mungojë.
Një fakt të tillë e vërteton dhe grumbullimi i 19-vjeçarit për fazën përgatitore që nga dita e parë e nisjes. Falë fitores, Atletico Madrid ka arritur të sigurojë finalen e “Audi Cup” dhe ndoshta tekniku Simeone e ka rezervuar aktivizimin e Bares pikërisht, për këtë ndeshje, përballë një kundërshtari të madh dhe me peshë siç është Liverpooli. Në krahun tjetër tek Napoli, një tjetër kuqezi, Elseid Hysaj rikonfirmohet si titullar absolut në krahun e djathtë. Pavarësisht humbjes, shkodrani tashmë prej kohësh ka vërtetuar se edhe pse i ri në moshë, emri i tij është një garanci më shumë për repartin e prapavijës tek skuadra jugore dhe jo më kot, Presidenti i Napolit, Aurelo DeLaurentis, por edhe tekniku Sarri, kanë refuzuar një numër të konsiderueshëm ofertash që vijnë në drejtim të 23-vjeçarit nga klubet më në zë të Europës.

Atalanta, Berisha shkëlqen ndaj Dortmundit
Një fitore ëndrrash për Etrit Berishën dhe Atalantën. Skuadra nga Bergamo mposhti 1-0 gjigantët e Borussia Dortmund në testin e fundit të luajtur në Austri, aty ku skuadra zhvilloi fazën përgatitore. Portieri shqiptar qëndroi 90 minuta në fushë, në miqësoren e luksit, duke dhënë sërish garanci mes shtyllave: Prej minutave të para, me një pritje vendimtare pas tentativës së Isak.
Berisha ishte i shkëlqyer edhe në pjesën e dytë të lojës. Fillimisht duke evituar një tjetër gol të sigurt përballë të riut Philipp (min 57), ndërsa më pas neutralizoi edhe tentativën e Pulisiç. Me gardianin kuqezi që garantoi paprekshmërinë e portës, Atalanta shfrytëzoi gabimin e portierit Reimann, duke kaluar në avantazh me Iliçiç në minutën e 72-të.
Kjo ishte rrjeta që vendosi rezultatin final të sfidës. Një ndeshje që u cilësua si “Testi europian” për zikaltërit dhe që dha garanci të rëndësishme se Atalanta e Etrit Berishës është gati për të befasuar edhe në Europa League.

Milan, Montella: Ndaj Craiova vëmendje maksimale

Milan, play off-i i Europa League objektiv i arritshëm. Kuqezinjtë arritën të fitonin takimin e parë të Europa League, kundër modestëve të Craiovas, me rezultatin minimal 1-0. Sigurisht që në ndeshjen e kthimit, misioni është sërish i njëjtë të fitojë dhe të sigurojë fazën play off. Suksesi i arritur ofron një lloj garancie për Milanin, por tekniku i tyre Vicenzo Montella, kërkon përgjegjshmëri maksimale nga të gjithë futbollistët dhe të bëjnë kujdes në mënyrën se si ata do ta menaxhojnë lojën. Pas një periudhe të gjatë në agoni, me një stadium gjysmë të zbrazur, “San Siro” do të jetë i tejmbushur për këtë përballje falë transferimeve të kryera, të cilët mbështetësit kuqezinj mezi presin momentin për t’i parë nga afër dhe sigurisht me dëshirën për të mos u përballur me ndonjë surprizë të pakëndshme. Për teknikun Montella pjesëmarrja masive e tifozëve në stadium është diçka e bukur dhe i shton skuadrës akoma edhe më shumë peshën e të zhvilluarit një ndeshje perfekte. “Pres përmirësime në pjesën e mbajtjes së topit, përgjatë 90 minutave. Një gjë të tillë arritëm ta realizonim edhe në ndeshjen e parë, por jo në një nivel të kënaqshëm. ‘San Siro’ plot? Është një emocion i veçantë dhe një përgjegjësi e madhe për ne. Tifozët po na tregojnë mbështetjen e tyre dhe ky fakt meriton shpërblim nga ana jonë. Nuk do t’i zhgënjejmë”. Më tej Montella bëri dhe disa komente në lidhje me portierin Gianluiggi Donnarumma, çështjen se cili prej futbollistëve do të mbajë shiritin e kapitenit dhe për mundësinë e aktivizimit të Andre Silva. “Donnarumma ka kaluar një verë me intensitet të lartë, por e shoh disi më të maturuar. Shpresoj që tifozët ndaj tij të kenë të njëjtën sjellje si ajo e sezonit të kaluar, sepse e meriton një gjë të tillë. Përsa i përket çështjes së shiritit të kapitenit ndaj Craiovas do të jetë Zapata ai që do ta mbajë, ndërsa një vendim përfundimtar ende nuk e kam marrë. Në mendjen time Andre Silva do të jetë titullar. Ka arritur të përshtatet shumë mirë me pjesën tjetër të grupit”.

Në 6 muaj çon në Prokurori 178 raste për pastrim parash

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) ka referuar në Prokurori të paktën 178 raste të dyshimta në gjysmën e parë të vitit. Sipas të dhënave është vendosur masë bllokimi për 31 prej tyre me një vlerë prej 3.8 milionë euro. Të paktën në 91% të rasteve të raportuara subjektet që kanë bërë raportimin janë ato që detyrohen me ligj të bëjnë këtë raportim duke nisur nga bankat, tek noterët, agjencitë e këmbimit të valutës, ato të transfertave të parave. Kjo sipas drejtorisë përgjegjëse për parandalimin e pastrimit të parave tregon për rritje të efikasitetit në sistemin parandalues në vend. Shifra e këtij 6-mujori për shumën e bllokuar si e dyshimtë dhe si e ardhur nga aktivitete kriminale është dukshëm më e ulët sesa ajo e një viti më parë. Konkretisht në fund të 2016 DPPPP raportoi se ishin bllokuar 29 milionë euro si të ardhura të dyshuara nga aktivitetet kriminale. Në kuadër të kërkesës që vjen nga Task Forca Qendrore, për zbatimin e Planit Kombëtar të Luftës për Parandalimin e Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit, DPPPP ka zbuluar edhe planin e saj të veprimit që konsiston në tri pika. Së pari, synohet rritja e kontrollit ndaj qarkullimit të parasë “cash”. Së dyti, rritja e kontrollit dhe cilësisë së analizës ndaj transaksioneve të dyshimta. Së treti, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe dërgimin në organet ligjzbatuese të një numri të lartë të rasteve të dyshuara për pastrim parash.