16.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Iu sekuestruan me urdhër të SPAK 3.1 milionë euro pasuri, ish-shefi i Operacionales, Oltian Bistri rekurs në Gjykatën e Lartë

Ish-shefi i Forcave Operacionale Oltian Bistri dhe familjarët e tij i janë drejtuar me një rekurs Gjykatës së Lartë ku kërkojnë zhbllokimin e pasurive të sekuestruara me urdhër të SPAK.

 

Rekursi pritet të shqyrtohet nga një trupë gjykuese, ndërsa relator i çështjes është caktuar Sokol Binaj.

SPAK njoftoi pak muaj më parë  se kishte vendosur në sekuestro pasuri me vlerë 3 milion euro në pronësi të Oltian Bistrit, që përfshijnë 22 njësi (dyqane/ambiente biznesi); 10 apartamente; 1 vilë, 200 metra truall në kryeqytet, një garazh dhe një makinë.

Bistri u arrestua në korrik të 2023 në kuadër të operacionit të koduar “Metamorfoza”. Bashkë me Bistrin u arrestuan edhe Pëllumb Gjoka një biznesmen i njohur, por edhe drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit Xhevahir Lita.

bistri rekurs

Pasuritë e sekuestruara 

– 18 Njësi (dyqane) + 1 Apartament, të ndodhura në rrugën “Todi Shkurti”, Tiranë;

– Apartament me sipërfaqe totale prej 400 m2, kati i 6 (gjashtë), ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

– Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 200 m2, Zona Kadastrale 8270, ndodhur në “Rrugën e Kosovarëve”, Tiranë;

– Apartament me sipërfaqe 66.5 m2,  ndodhur në kompleksin “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Apartament me nr. 18/C, kati i shtatë teknik/8 ndërtim, me sipërfaqe 73.16 m2, i ndodhur në godinën 1, në “Kompleksin Delijorgji”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Apartament me sipërfaqe 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

– Njësi (dyqan) me sipërfaqe 125 m2, në katin e parë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Apartament me sipërfaqe 138.3 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;

– Garazh me sipërfaqe 87.8 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;

– Apartamenti me sipërfaqe 100.6 m2, në katin e dhjetë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

– Njësi (dyqan) me sipërfaqe ndërtimore 72 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Vila A14, në rezidencën “Green Valley”, Tiranë;

–  Apartament me nr. 3, kati i katërt, me sipërfaqe 58.5 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;

– Apartament me nr. 9, kati i dytë, me sipërfaqe 58.9 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;

– Pasuri e llojit njësi (dyqan), me sipërfaqe ndërtimore 110 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe totale 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

– Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe totale 95 m2, në katin e parë,  ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Automjet i markës “Land Rover” model “Range Rover Sport”, vit prodhimi 2012;

Aksident në aksin Elbasan-Peqin/ Humbi kontrollin mbi makinën dhe u përplas me bordurën, 47-vjeçarja përfundon në spital

jë aksident raportohet se ka ndodhur mesditën e sotme në aksin Elbasan-Peqin, ky ka mbetur e plagosur një grua.

 

Sipas informacioneve paraprake, një 47-vjeçare duke drejtuar automjetin ka humbur kontrollin mbi të dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës.

Mësohet se ajo është dërguar në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku po merr ndihmë mjekësore.

Sakaq, policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Më shtrenjtë se Singapori, Shqipëria renditet e teta në botë për çmimin më të lartë të naftës

Shqipëria është vendi i parë në Rajon, i pesti në Europë dhe i teti në botë për çmimin më të lartë të naftës. Të dhënat nga platforma “Global Petrol Prices” një litër naftë në vend kushton 1.98 dollarë, çmim ky më i shtrenjtë edhe se krahasuar me Singaporin që i ka të ardhurat për frymë në mbi 85 mijë dollarë. Hong Kongu është shteti ku nafta kushton më shumë, 3.14 dollarë për litër, pasuar nga Monako dhe Afrika Qendrore.

“Prandaj është nevoja që institucionet të ndërhyjnë me qëllim goditjen e oligopoleve që qytetarët të kenë çmime më normale”, shprehet për A2 Mikela Qafa, eksperte për ekonominë.

Çdo litër naftë që shitet në pikat e karburanteve është i përbërë nga çmimi me të cilin lënda djegëse blihet në bursa dhe taksat e tarifat që aplikohen nga qeveria. Të dhënat nga bursa Platts tregojnë se çmimi naftës ka rënë në 667 dollarë për ton nga 713 dollarë në fillim të muajit.

Duke qenë se lënda blihet në dollarë, ndryshimi i kursit të këmbimit është faktor i rëndësishëm për përcaktimin e çmimit. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, këtë muaj dollari është zhvlerësuar me disa pikë pse nuk ulet çmimi i naftës në vend?

“Duke qenë se kërkesa për produktet vijon të rritet, kjo rrjedhimisht sjell çmime të larta nga pikat e karburanteve”, thekson Stafa.

Në Shqipëri, përveç luhatjeve të çmimit të hidrokarbureve në bursë, taksat dhe tarifat të përfshira në çdo litër naftë dhe benzinë që tregtohet, vlerësohet si ndikojnë në ndjeshmërinë e lartë të rritjes  së çmimit të këtyre produkteve. Aktualisht, më shumë se 62 për qind e vlerës së një litri nafte dhe benzine përbëhet nga taksat vendore dhe qendror.

“Ekonomia në Lindje të Gjermanisë po lulëzon”/ Analiza e DW: Por pse shumë njerëz janë të pakënaqur me politikën?

Pse kaq shumë njerëz në Gjermaninë Lindore votojnë veçanërisht për partinë ekstremiste të krahut të djathtë AfD dhe partinë e re populiste të krahut të majtë BSW? Në zgjedhjet në Tyringi, Saksoni dhe Brandenburg, Alternativa për Gjermaninë (AfD) fitoi 29 deri në 33 për qind ndërsa Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) fitoi 12 deri 14 për qind të votave.

 

Raporti vjetor i përfaqësuesit të qeverisë për Gjermaninë Lindore, të cilin Carsten Schneider e prezantoi këto ditë në Berlin, mund të japë disa përgjigje për këto pyetje. Për herë të dytë që nga viti 2022, Schneider, i cili vetë vjen nga Tyringia, ka shqyrtuar zhvillimin ekonomik dhe social së bashku me autorë të shumtë të shquar.

Përfundimi i tij: Gjermania është “e lirë, e bashkuar dhe e papërfunduar”. Vendi ka ndryshuar shumë që nga viti 1990, duke përfshirë edhe ndryshimet në Perëndim, thotë Carsten Schneider. “Vetë demokracia favorizohet si modeli kryesor social në Lindje dhe Perëndim, por ka pakënaqësi me politikat dhe zbatimin e politikave.

Edhe 35 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, ka dallime ekonomike me landet e vjetra federale, por dinamika e përgjithshme e rritjes është pozitive. Shumica e njerëzve në Lindje e vlerësuan situatën e tyre ekonomike si të mirë, por nuk ndiheshin të kuptuar siç duhet dhe sa duhet nga politika. Ata kanë më pak besim në institucionet demokratike sesa gjermanët në Perëndim.

“Frika nga ndryshimi”

Prifti Martin Liedtke po ashtu e sheh këtë gjendje në Lübben, një qytet i vogël në Brandenburg. Ai e përshkruan gjendjen shpirtërore në komunitetin e tij kështu: “Ajo që vërej është se njerëzit kanë frikë nga ndryshimi dhe se ata janë të hapur ndaj pozicioneve ose partive që u premtojnë atyre se gjërat mund të vazhdojnë kështu.”

Prifti Liedtke tha në një intervistë për DW se në zgjedhjet e landeve pesë vjet më parë ishte ende mirë të votohej për të Gjelbrit dhe për mbrojtjen e klimës. Tani gjithçka po sillet rreth migrimit. “E kjo ndryshon shumë nga gjendja e mëparshme,” thekson prifti protestant i kongregacionit Paul Gerhardt, disa ditë pas zgjedhjeve më të fundit.

Përfaqësuesi i qeverisë për lindjen, Carsten Schneider është “i tronditur, i zhgënjyer dhe i alarmuar” nga zhvillimet politike në Tyringi, Saksoni dhe Brandenburg. Në raportin e tij ai pranon se ka ende paga më të ulëta në pesë landet lindore të Gjermanisë sesa në ato perëndimore. Gjermanolindorët janë të nënpërfaqësuar në elitat drejtuese në biznes, shkencë e gjyqësor. Por po bëhen investime masive. Papunësia është e ulët. Infrastruktura dhe shërbimet publike ndonjëherë janë më të zhvilluara sesa në Perëndim.

“Pakënaqësi kolektive”

Kreu i Institutit të Ekonomisë Gjermane, Michael Hüther, shkruan në raportin vjetor se Gjermania Lindore pësoi një “zhvillim mbresëlënës” pas ribashkimit gjerman më 1990. “Në pamje të parë, pakënaqësia kolektive që reflektohet në kutinë e votimit nuk përputhet domosdoshmërisht me sukseset ekonomike. Pasiguria dhe shqetësimi aktual i njerëzve në rajonet e prekura nga transformimi po forcojnë mbështetjen e AfD në mbarë vendin”, tha eksperti i ekonomisë. “Ky fenomen është veçanërisht i theksuar në rajonet e Gjermanisë Lindore.

“Ndjenja e përbashkësisë” është e dobët

Carsten Schneider thekson gjithashtu se prirja drejt populistëve të krahut të djathtë nuk kufizohet vetëm në Gjermaninë Lindore. AfD performoi fuqishëm edhe në zgjedhjet e landeve në Bavari dhe Hesse. Në thelb, thotë Schneider, Gjermania Lindore nuk ekziston më si një bllok i unifikuar. Gjërat ndryshojnë shumë nga rajoni në rajon. Nëse shikoni Republikën Federale të Gjermanisë, me 16 landet e saj në tërësi, Mecklenburg-Pomerania dhe Brandenburgu janë aktualisht landet me rritjen më të lartë ekonomike.

Raporti vjetor tregon se njerëzit në Gjermaninë Lindore janë më skeptikë për realizimin e lirive të tyre civile sesa njerëzit në Perëndim. Për shembull, midis Detit Baltik dhe Zvicrës, më shumë njerëz besojnë se liria e shprehjes dhe liria e shtypit nuk janë realizuar plotësisht sesa njerëzit midis Detit të Veriut dhe Alpeve. Sipas raportit vjetor, një “ndjenjë uniteti” gjithëgjermane nuk është shfaqur ende. Kjo ndjenjë kohezioni është më pak e zhvilluar në Gjermaninë Lindore sesa në Perëndim.

“Në Lindje është zhvilluar një gjendje emocionale sociale e protestës dhe indinjatës, e ofendimit dhe e pakënaqësisë, e poshtërimit dhe e rebelimit, e cila refuzon të gjitha përpjekjet për dialog dhe mirëkuptim,” tha sociologu i fesë Detlef Pollack, në një artikull të shkruar për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në gusht. Është shumë e vështirë për partitë e qendrës që të ndikojnë në qëndrimet e gjermanolindorëve. As injorimi i partive ekstreme dhe as e kundërta, duke marrë përsipër çështjet e tyre, nuk ka pasur sukses deri më tani, sipas sociologut që hulumton në Münster, NRW.

“Problem me demokracinë”

Historiani nga Berlini Ilko-Sascha Kowalczuk bëri një gjykim mjaft drastik përpara se të publikohej raporti i fundit i Gjermanisë Lindore. Ai merret me diktaturën në RDGJ dhe procesin e bashkimit. “Unë supozoj se dy të tretat e gjermanolindorëve kanë një problem me demokracinë dhe lirinë,” tha historiani në disa intervista, duke ndezur një debat midis intelektualëve dhe politikanëve gjermanolindorë.

Kowalczuk beson se njerëzit në Lindje nuk janë të panjohur me konceptet e lirisë dhe demokracisë, por më tepër me pasojat. “Ne e shohim këtë në pjesëmarrjen e ulët në proceset e negociatave demokratike. Shumë njerëz në Lindje nuk e kanë kuptuar ende se ne jetojmë në një shoqëri kompromisi, jo në një shoqëri konsensusi.”

Pak para se të publikohej raporti i Përfaqësuesit të tij për Lindjen, kancelari Olaf Scholz publikoi një video-mesazh mjaft pajtues. Pas zgjedhjeve në lande “vendi duket i ndarë”. Ai e kundërshtoi këtë mendësi. Kancelari beson se ka një shumicë të gjerë në favor të politikës për mbështetjen e migracionit, mbrojtjen e klimës dhe në mbështetje të Ukrainës. “Shpesh dëgjon vetëm ekstremet. Por nuk ka rëndësi se kush bërtet më fort. Shumica e qendrës politike është shumë, shumë më e madhe.”

Përfaqësuesi i qeverisë dhe vetë kancelari bëjnë thirrje për forcimin e qendrës politike. Njerëzit, shoqatat dhe vullnetarët që angazhohen për funksionimin e mirë të shoqërisë dhe zgjidhjen e problemeve kanë nevojë për mbështetje.

Volodymyr Zelensky zbardh bisedën e “ftohtë” me Donald Trump: Ja çfarë më pyeti ish-presidenti i SHBA-ve

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka zbuluar brendësinë e bisedimeve  me Donald Trump që mund të vendosin fatin e luftës. Ky takim është konsideruar nga mediat si i “ftohtë” mes dy zyrtarëve.

 

Kjo vjen pasi ish-presidenti amerikan u mburr në mënyrë të çuditshme për “marrëdhëniet e tij shumë të mira” me liderin rus Vladimir Putin para mediave dhe presidentit ukrainas, shkruan The Sun.

Dyshja u takuan në Trump Tower në Nju Jork dhe diskutuan për luftën, e cila vazhdon, ndërsa dita e zgjedhjeve të nëntorit në SHBA po afron.

Në një intervistë të mëvonshme me Fox News, Zelensky zbuloi se çfarë i kërkoi Trump gjatë takimit të tyre.

“Më bëri shumë pyetje”, u shpreh Zelensky.

“Trump pyeti; Çfarë shihni tani, si është situata në fushën e betejës? Si e shihni mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara? Pse mendoni se Putini filloi pushtimin?”, tha Presidenti ukrainas.

Zelensky gjithashtu u shpreh se Trump i tha atij se mbështet Ukrainën dhe “ai do të jetë në anën tonë, se ai do të mbështesë Ukrainën”.

“Unë mendoj se ne e kuptojmë më mirë se të gjithë, përfshirë Donald Trump, se çfarë po ndodh në Ukrainë dhe si ta ndalojmë Putinin”, deklaroi ndër të tjera Zelensky.

Për muaj të tërë, Donald Trump ka kritikuar mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën.

Dita Botërore e zemrës/ Vjeshti: Po preken moshat e reja, nuk duhen neglizhuar vizitat…

Mjekët theksojnë rëndësinë e vizitave të hershme për shëndetin kardiak.

Në ditën botërore të zemrës, Altin Veshti, shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, nënvizon rëndësinë e kontrollit të rregullt për të gjithë, veçanërisht për ata midis moshave 40 dhe 50 vjeç. Ai thekson se faktorë si gjenetika, pirja e duhanit dhe mungesa e aktivitetit fizik ndihmojnë në rritjen e rrezikut për sëmundjet e zemrës.

“Unë vazhdoj dhe do të them gjithmonë një këshillë për të gjithë. Këshilla është :e “Kultura mjekesore per te zhvilluar vizita per zemrën!”

Ky eshte mesazhi i Altin Veshti, shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në ditën botërore të Zemrës!

Kujdesi i veçantë duhet të jetë tek njerëzit midis moshave 40 dhe 50 vjeç, por Veshti thotë se vizitat duhet të bëhen edhe më herët për shkak të uljes së moshës së personave që kanë probleme kardiake.

“Çdo njeri duhet patjetër të ketë bërë një vizitë midis moshës 40-50 vjeç. E mira është ta bëjnë edhe më përpara sepse sot po shohim gjithmonë një ulje të moshës së pacientëve që kanë problem në zemër.”

Gjenetika, trashëgimia, por edhe pirja e duhanit dhe mungesa e aktivitetit fizik janë disa nga faktorët që ndikojnë në sëmundjet e zemrës.

“Gjenetika, familjariteti ose trashigimia sigurisht faktorë të tjerë të rrezikut mbeten: Duhani, që është faktori i pare, diabeti, mosbërja e aktivitetit fizik dhe një diet e rregullt jo e bazuar në yndyrna.”

Kultura e moskontrolleve periodike është shqetësuese thonë mjekët pasi kapja në kohë e sëmundjeve shpëton jetën e pacientëve!

“Njerëzit duhet të bëjnë vizita. Një analyze gjaku dhe një vizitë zemre. Kjo duhet absolutisht për të ditur ku jemi. Kapja në kohë eviton shumë komplikime.”

Nëntë duele të fituara, Gjimshiti shkëlqen tek Atalanta/ Ja nota dhe statistikat e mbrojtësit të Kombëtares

Tjetër paraqitje dinjitoze për Berat Gjimshitin me fanellën e Atalantës. Mbrojtësi i Kombëtares, ishte një nga më të mirët në fushë për bergamaskët, në barazimin 1-1 që zikaltrit regjistruan në transfertë ndaj Bolonjës.

GJIMSHITI-ATALANTA

Gjimshiti është titullar i padiskutueshëm tek Atalanta, teksa u vlerësua me notën 7.4 nga faqja e specializuar e statistikave “Sofa Score”.

WhatsApp-Image-2024-09-28-at-23.14.22

Shqiptari regjistroi plot 47 pasime të sakta, si dhe fitoi 9 duele me kundërshtarët. Gjithashtu Gjimshiti bllokoi 2 gjuajtje të rrezikshme dhe ndërpreu 4 herë aksionet e Bolonjës.

Fuqia tërheqëse e Murakamit

Nga Agim Baçi

Haruki Murakami ka fuqinë të na tërheqë për të besuar se po dëgjojmë veten tonë teksa ai flet. Ai kërkon të ngrejë një urë mes imagjinatës, kujtimeve dhe botës reale, asaj që e kemi përballë çdo ditë. E menjëherë sapo mbyll faqen e fundit të romanit “Në jug të kufirit, në perëndim të diellit” të vjen një pyetje që s’mund t’i shmangesh dot: “A duhet t’i besojmë asaj që shohim apo asaj që kemi menduar?”. E më pas pyetje të tjera vijnë natyrshëm: “Çfarë na bën neve të plotësuar në këtë jetë?”
Romani “Në jug të kufirit, në perëndim të diellit” është një stil realist, edhe pse ndërtohet si një udhëtim i nëndheshëm i mendimeve tona, i kujtimeve tona. Haxhime, një personazh që nuk ka synim të na trondisë, vjen përmes një bote të largët, të mbetur në sytë e tij si e paarritshmja, ndërkohë që e tashmja ka pikëpyetjet e veta. Duke kujtuar atë që ka njohur dhe ka dashur fëmijë, Shimamoton – vajzën krenare dhe të zgjuar por që një këmbë e tërhiqte pakëz zvarrë-, Haxhime i Murakamit na fton të kujtojmë se, e shkuara është përditë me ty dhe se ti ke nevojë ta dish që është aty, e t’i japësh atë që meriton. Sidomos kur nuk je më vetëm ti me veten tënde, por je duke bashkëndarë përditshmërinë me një tjetër jetë, apo edhe me më shumë se sa një jetë, siç mund të jenë familja, gjaku yt.
“-Edhe unë doja të të shihja, – tha ajo. – Por ti nuk erdhe kurrë. E kujton këtë? Pasi fillove shkollën e mesme në një qytezë tjetër, unë të prita. Pse nuk erdhe? Kam qenë shumë e trishtuar. Mendoja se kishe zënë miq të rinj në vendin tënd të rid he kishe harruar gjithçka rreth meje.
Shimamotoja shtypi cigaren në tavëll. Kishte vënë llak të tejdukshëm. I dukeshin si punim dore I bërë me mjeshtri, me shkëlqim, por nuk binin në sy.
-Kisha frikë, j apse, – thashë.
-Frikë?- pyeti ajo. – Frikë nga çfarë? Nga unë?
-Jo. Jo nga ty. Frikë nga refuzimi. Isha ende fëmijë. Nuk e përfytyroja që tip o më prisje vërtet. Kasha tmerr se do më refuzoje. Se do të vija në shtëpinë tënde për të parë dhe do të të bezdisja. Prandaj nuk erdha më. Nëse do të lëndohesha, mendova se do të ishte më mirë të vazhdoja të jetoja me kujtimet e bukura të kohës kur ishim bashkë”. ( Haruki Murakami, “Në jug të kufirit, në perëndim të diellit”, Përkthimi: Artan Kuçi, f.91)
Haruki Murakami arrin të shmangë gjithnjë banalen në rrëfimet e tij dhe plot elegancë të na tërheqë vetëm në atë ç’ka vlen të kujtohemi apo ëndërrojmë. Murakami risjell të gjitha kujtimet si një përrallë – ato që kemi imagjinuar dhe ato që na kanë ndodhur. Dhe për dashurinë, që është gjithnjë me kohën e vet brenda nesh, ai rikthen nevojën për t’i dhënë përgjigje vetes, se ç’vlen për ne për të ruajtur nga e shkuara.
Por a janë rikthimet pas një shpëtim i shpirtit? Vetë titulli i romanit, ku përmenden kufijtë, dielli dhe perëndimi, duket si një ftesë për të parë veten përtej një çasti të vetëm, që të mos mbetemi peng dëshpërimesh. Sepse ne nuk mund të jemi tjetërkush përveç asaj që na ka ndodhur, përveç takimit tonë me fatin.
Një rikthim i Haxhimes në përditshmërinë e tij me Jukikon dhe dy vajzat pasi Shimamoto e fëmijërisë zhduket, është si një zgjim për të të shkundur nga ajo që nuk munde dot të ishe. E shkuara është në përditshmërinë tonë, në lëkurën tonë. Por ajo vlen ashtu, shpeshherë si e pamundur, si një ëndërr, që vlen të shihet duket ditur se do të zgjohesh, se do të shohësh atë që ke pranë vetes duke i dhuruar dashuri.
“Jukiko mblodhi krahët në kraharor dhe më vështroi. – Edhe unë kisha ëndrra, e di? Por në një farë mënyre, u fashitën rrugës. Para se të të takoja. I vrava. I shtypa dhe i hodha tej. Si një organ i brendshëm që nuk të duhet mëq dhe që e shkul nga trupi. Nuk e di nëse kjo ishte diçka e drejtë. Por ishte e vetmja gjë që mund të bëja në atë kohë… Ndonjëherë shoh një ëndërr. Të njëjtën ëndërr herë pas here. Me dikë, i cili, tek mban diçka në të dyja duart, vjen tek unë e më thotë: ‘Ke harruar këtë’! Ka qenë lumturi për mua të jetoja me ty. Nuk më ka munguar asgjë dhe nuk kam pasur asnjë ankesë. Prapëseprapë, diçka më përndjek. Zgjohem në mes të natës e mbuluar nga djersët. Më përndjek ajo që kam hedhur tej. Ti kujton se je i vetmi që përndiqesh, por e ke gabim. Nuk je i vetmi që ka hedhur tej diçka, që ka humbur diçka. E kupton se ç’dua të them?” (Po aty, f. 203-204).

Orjola Pampuri: Pensionistët, kategoria më e nëpërkëmbur nga qeveria. Indeksimi 4.1 %, tallje

Në një reagim, deputetja e PD – Demokratët Euroatlantikë, Orjola Pampuri, shprehet se pensionistët vijojnë të mbeten kategoria më e nëpërkëmbur nga qeveria, ndërsa indeksimi 4.1% është tallje me pensionistët, në një kohë kur çmimet e produkteve të shportës janë rritur mbi 40%.

Më poshtë reagimi i plotë:

Pensionistet vijojne te mbeten kategoria me e neperkembur nga qeveria. Indeksimi me 4.1% i pensioneve eshte thjesht tallje me pensionistet, kur cmimet e produkteve te shportes jane rritur mbi 40%.

❗️Ku shumica e pensionisteve duhet te shtojne para nga xhepi per te zevendesuar barnat e listes se rimbursimit, te cilat kane cilesi qe le per te deshiruar, me medikamente te certifikuara nga EMA dhe FDA, te cilat shtojne shpenzimet e pensionisteve, qe me pensionet qe marrin shpesh e kane te pamundur.

⭕️Sic eshte rasti i Xarelto i cili ne listen e rimbursimit eshte zevendesuar me nje medikament te nje cilesie qe le per te deshiruar, dhe pensionistet duhet te shtojne me shume se dyfishin e rritjes qesharake te pensionit vetem per te blere XARELTO.

❗️Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të paguajnë dhjetra milionë euro, për katër konçesione ne shendetesi që sot janë nën hetim nga drejtësia dhe SPAK.

❗️Vlerat e konçesioneve në Shëndetësi për 2024
Për konçesionin e;
Check up 9.3 milione euro
Setet kirurgjikale 18.3milion euro
Dializa 9.7 milion euro
Laboratorëve 20 milion euro

❗️Fondi qe ishte parashikuar per PPP-te gjate 2024, rezulton:
a) 3.5 here me i larte se fondi i parashikuar per rritjen e pensioneve, apo;
b) Rreth tre here me i larte se fondi i ndihmes ekonomike per 64 mije familje qe trajtohen nga kjo skeme mbeshtetese.

Sot shqiptarët përballen me një keqqeverisje që po gërryen shtetin e së drejtës, demokracise dhe mirëqënien.

Vijohet me propagandë për rritje pagash e pensionesh.

Ne shendetesi shkojnë cdo vit pagesa për 4 koncesionaret e PPP, plot 50 milion euro.

Shqiperia mban rekord per shpenzime jashtë sistemit, pra “para nga xhepi” i shqiptarëve me mbi 60% për trajtime ndaj sëmundjeve të cilat janë rritur nga viti në vit. Pra efekti parandalues që do të duhet të kishim nga diagnostikimi në kohë nëpërmjet check-up e cila targeton pikërisht popullsinë më potenciale për patologji kronike e të rënda është në fakt një dështim i plotë.

Ne nje realitet te tille, lufta per karrige e kujtdo eshte skandali me i madh qe po i ndodh ketij vendi, pasojat e te cilit po i vuajne shqiptaret.

Ata qe kane vendosur te mbajne peng fatet e shqiptareve duke u shitur si heronj te dhunshem apo si shpetimtaret e ketij vendi, do te jene personat qe do mbajne mbi supe pergjegjesine me te madhe, ate te rrenimit te demokracise duke bashkuar votat me te keqen me te madhe te ketij vendi Edi Ramen per ceshtje radikale qe lidhen me te ardhmen e Shqiperise.

Ata qe sot drejtojne gishtin hipokrit ndaj te tjereve, ate gisht duhet t’ia vene kokes se tyre per te gjitha veprimet dhe levizjet politike pragmatiste me pasoja qe nje dite do tu kthehen ne boumerang.

“Çamët të largohen prej andej”- Dëshmia e rrallë e profesorit: Plazhi i Durrësit ishte i shkretë dhe kishte pamjen e kohës së Monarkisë, por kreu i Komitetit të Partisë, dha urdhër që…

Nga Gëzim Kabashi

-Historia e panjohur e komunitetit çam, në plazhin e Durrësit-

Plazhi i Durrësit po mbush një shekull jetë, që atëherë kur u ndërtuan vilat e para të tregtarëve në bregdet. Ndërkaq, 500 metra më tej, në anën tjetër të rrugës automobilistike drejt Kavajës, në fund të Luftës së Dytë Botërore, u vendosën çamët e dëbuar nga trojet e tyre në Greqinë e Veriut. Sot e kësaj dite ata mbeten dëshmitarët e drejtpërdrejtë të zhvillimit të plazhit më të madh të vendit, dhe në të njëjtën kohë, edhe përfaqësues të mbijetesës së komunitetit të çamëve, që edhe sot vazhdon të banojë vetëm pak kilometra larg qytetit të lashtë.

 “Unë kam qenë 12 vjeç, kur familja ime u vendos në këtë territor, një ranishte dunash, ku mbizotëronte bimësia e gjineshtrave – tregon Prof. Hajredin Isufi, i cili sapo ka festuar 91-vjetorin e lindjes.

“Ishte viti 1944, dhe një pjesë e familjes time, pas gjenocidit grek u shpërngul nga Çamëria drejt Sarandës, me barkat e himarjotëve, ndërsa babai me disa bagëti, mbërriti nga malet mes një mijë vështirësish”, kujtoi ai.

Në tregimin e Prof. Hajredinit, bëjnë pjesë kujtimet e hidhura kur nëna nuk kishte bukë t’i ushqente, apo kur prindit ngjiteshin në pyllin mbi Shkëmbin e Kavajës, për të prerë dru, me të cilat fitoheshin pak lekë më shumë.

Sipas tij, ende pa një status si banorë të Shqipërisë, çamët u kujdesën që të instaloheshin në zonat bregdetare, në Vlorë, në Fier apo në Durrës, ku mendonin se jetesa e tyre e re, do të ishte më e lehtë.

Plazhi i Durrësit ishte krejt i shkretë dhe rreth 100 familje çame, fillimisht zunë vend në vilat e braktisura të bregdetit, të ndërtuara në kohën e Monarkisë.

“Shteti nuk na pengoi, pasi ne ende konsideroheshim refugjatë për shkak të marrëdhënieve plot të papritura, mes Shqipërisë dhe Greqisë. Shifra e deklaruar e të dëbuarve nga Çamëria, arrinte në 23-25 mijë vetë, por ajo asnjëherë nuk u zyrtarizua – tha studiuesi 91-vjeçar.

“Ne u quajtëm shqiptarë, vetëm në vitin 1953, kur shteti na pajisi me pasaporta” – sjell në mendje Hajredin Isufi. Në kushtet e persekutimit të vazhduar dhe të heshtur të shtetit, Çamët e plazhit u lidhën fort me njëri tjetrin.

“Nëna dhe babai im janë takuar rastësisht në spital, për shkak të një aksidenti. Brenda 24 orësh gjyshërit e mi, vendosën t’i martojnë të rinjtë, më shumë për arsye mbijetese, se sa për lumturi familjare” – tregon Hysen Hyseni, 75-vjeç.

“Disa vjet më vonë, babai im u dënua me 8 vjet burg, për tentativë arratisjeje, dhe jeta jonë u vështirësua edhe më tej” – kujtoi ai.

Edhe tani Ceni, siç e thërrasin të gjithë fqinjët, banon atje ku u lind, në stabilimentin “Hekurudha”, në qendër të plazhit me gjatësi 3.4 km.

Plazhi i Durrësit ishte i shkretë dhe kishte të njëjtën pamje me atë të kohës së Monarkisë, kur drejtuesi i Partisë në rrethin e Durrësit dha urdhër që çamët të largoheshin prej andej, sepse prishnin pamjen e zonës.

Ishte mesi i viteve ’60-të dhe çamët edhe sot e konsiderojnë si “dëbimin persekutues të radhës”, largimin pa asnjë mbështetje, ku secila familje duhet t’ia dilte vetë, duke filluar nga banesa, deri te puna.

“Të gjithë banorët që ndodheshin pranë rrugës Durrës-Kavajë, u bartën drejt lagjes së Spitallës, një territor me pyll të dëndur dhe ku mbizotëronin mushkonjat e kënetës” – dëshmon Hajredin Isufi.

Në të njejtën kohë, në fillim të viteve 1970, pushteti u kujtua për sistemimin e plazhit. Vilat e shtetëzuara që u ndërtuan gjatë paraluftës, u vunë në dispozicion të familjeve të partiakëve dhe pushtetarëve të lartë, si dhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë, të partive komuniste.

U ndërtuan radhët e para me kabina kompensate, apo blloqesh betoni, të cilave më vonë iu shtuan edhe çadrat prej mushamaje, ku familjet e zakonshme pushonin në 12 ditët e lejes së zakonshme.

Barakat ku banonin çamët e plazhit, nuk i përgjigjeshin kërkesave për një plazh të përparuar, dhe kjo përbënte një arsye të mjaftueshme, për t’i përcjellë në zonën e pabanuar në veri të qytetit.

Të tjerat, që ndodheshin larg plazhit dhe pas shinave hekurudhore, i shpëtuan nga dëbimi familjet e pakta çame, që vazhduan të jetojnë po aty. Ata përpiqen të përfitojnë nga kërkesat e shumta të familjeve nga qytete të ndryshme të vendit, të cilat nuk gjejnë vend për të pushuar në kabinat e shtetit.

Çamët fillojnë të japin me qira dhoma në stinën e verës, pasi arrijnë të marrin leje, në Këshillin Popullor të lagjes, dhe në instanca të tjera. Ndërkaq banorët e dëbuar çamë të Spitallës, përpiqen të rikthehen në vendin nga ku i përzunë.

Pasi kishin bërë të gjitha punët e mundimshme në ndërtim apo ngarkim-shkarkim, ata e quajtën një zgjidhje shumë të mira, trajtimin e shtëpive si apartamente turistike. Dhomat me qira ishin një e ardhur e mirë, dhe pa shumë lodhje.

Familjarët nga i gjithë vendi që kërkonin zgjidhje për pushimet e verës, filluan t’i drejtoheshin zonës me “dhoma të çamëve”.

Prof. Hajredini , i cili ishte diplomuar në degën e Histori-Gjeografi, fton në atë kohë për pushime në shtëpinë e tij, njerëzit më të shquar të instituteve të Historisë, Gjuhësisë, të Arkivës së Shtetit, e kështu me radhë.

Në këmbim të mirënjohjes, për dy javët e pushimit në plazh, ai vetë fiton të drejtën e njohjes me dokumenta arkivore të plota për Durrësin dhe Çamërinë. Profesori i nderuar është autor i një duzinë librash për vendlindjen e tij, fshatin Rrëzanj të Çamërisë dhe për figura të shquara të lëvizjes kombëtare.

“Tani çamët i gjen në të gjithë botën – tha Prof. Hajredini. “Ata që kanë mbetur këtu në plazh, kujdesen për banesat që japin me qira në stinën e verës, por jo vetëm të tyret, edhe ato të vëllezërve e motrave, që kanë zgjedhur të jetojnë e të punojnë në pjesën tjetër të botës” – përfundoi ai. Memorie.al