39.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Mish pule nga Brazili ende në tregun shqiptar? Evropa vijon refuzimin masiv

Evropa po vijon të bllokojë masivisht tonelata me mish pule të importuara nga Brazili për shkak të kontaminimit të tyre me salmonelë. Sipas të dhënave të “AgroWeb.org” të konsultuara nga Agjencia e Sigurisë Ushqimore pranë Komisionit Europian rezulton se në vetëm dy muaj, për qershorin dhe korrikun, në portet e vendeve të BE, si Gjermani, Belgjikë, Holandë, Angli, Francë, Spanjë, janë bllokuar 117 ngarkesa me tonelata mish pule nga Brazili. Të gjitha tonelatat janë bllokuar në portet përkatëse dhe janë kthyer mbrapsht për në vendin e origjinës, për shkak të prezencës së lartë të salmonelës. Ndërkohë në total, përgjatë këtij viti, vendet e BE kanë bllokuar rreth 766 ngarkesa me mish pule Brazili të kontaminuar. E nëse në vendet e BE, bllokimi i tonelatave të tilla ndodh thuajse në çdo dy javë, në Shqipëri një bllokim i tillë ka ndodhur vetëm një herë, kur një ngarkesë me 26 tonë mish pule të kontaminuar me salmonelë u sekuestrua në Portin e Durrësit më 15 maj 2017. Pas lajmit mbi këtë rast, shqiptarët me të drejtë u panikuan dhe u orientuan drejt konsumimit të pulave të prodhuara në vend. Por sa garanci ka që ngarkesa të tjera me mish pule Brazili të kontaminuar me salmonelë të mos jenë futur në tregun shqiptar e të mos jenë prezente edhe sot në dyqane e marketet shqiptare? Dyshimet lindin jo vetëm nga të dhënat mbi importin masiv që vendet e BE vijojnë edhe sot ta refuzojnë, por mbi të gjitha nga terri informativ që hasim përditë në dyqanet apo supermarketet teksa drejtohemi për të blerë produktet e mishit të pulës. “AgroWeb.org” zhvilloi një vëzhgim mbi shumë dyqane, markete e supermarkete në zona të ndryshme të Tiranës. Rezultati ishte i njëjtë: Të gjitha produktet e mishit të pulës të ekspozuara në banak, krahas pulave të vendit, të cilat janë me stampat përkatëse, nuk kanë asnjë informacion përcjellës mbi origjinën e tyre. Krahë pule, gjoks e kofshë pule, fileto apo kotoleta etj., të gjitha të ekspozuara në ambientet e posaçme frigoriferike, por pa asnjë etiketë apo informacion përcjellës mbi vendin e origjinës së tyre. Një gjë është e sigurtë, në rast se do të ishin produkte vendase ato do të ishin me siguri të stampuara me etiketat përkatëse. Shitësit e dyqaneve apo supermarketeve, të pyetur mbi origjinën e mishit të pulës me prejardhje të paspecifikuar nuk dinë si të përgjigjen. Pyetjes së “AgroWeb.org” se cila është prejardhja e këtyre produkteve- të zënë ngushtë e paksa në siklet, ata i përgjigjen gjithë dyshime edhe vetë – “Janë të freskëta, sot i kemi nxjerrë!”. Rrjedhimisht, dyshimet janë të forta se shqiptarët janë potencialisht të ekspozuar ndaj rrezikut që vjen për shëndetin nga mishi i pulave braziliane, pavarësisht kujdesit që tregojnë në përzgjedhjen e produkteve të mishit të pulës. Ndaj dhe e vetmja garanci për të shmangur konsumimin pa dashje të mishit të importuar nga Brazili është konsumimi i mishit të pulave vendase. Është pikërisht kjo arsye, pse sot, në Shqipëri konsumatorët po orientohen përherë e më shumë drejt prodhimeve shqiptare të mishit të pulës duke evituar në maksimum çdo prodhim të dyshuar, i cili nuk ka asnjë të dhënë mbi origjinën e prodhimit të tij.

Koncesioni i dializës realizon 380 mijë euro fitime ende pa nisur mirë punën

BIRN

Koncesioni i shumëpërfolur i shërbimit të hemodializës, i cili u dha nga Ministria e Shëndetësisë te një kompani e panjohur në tetor të 2015, raportohet se ka realizuar një fitim neto marramendës që në vitin e parë të aktivitetit, ende pa investuar asnjë kacidhe nga kapitalet e veta.
Të dhënat e bilancit të kompanisë “Diavita” sh.p.k, të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se për vitin 2016-të, kompania e shumëdebatuar e koncesionit të dializës realizoi fitime neto në masën e 51 milionë lekëve, vetëm për një aktivitet të pjesshëm të zhvilluar në vitin e parë të koncesionit, ndërkohë që kompania mëmë e saj “Evita” sh.p.k, shiti pjesën më të madhe të aksioneve vitin e kaluar te një kompani guackë e regjistruar në Holandë për vlerën minimale të 160 mijë eurove.
“Diavita” është kompania e krijuar në bashkëpronësi të kompanisë American Hospital, në masën 15 për qind dhe kompanisë “Evita” sh.p.k në masën 85 për qind. Kjo është kompania që ka për detyrë të zbatojë kontratën e shumëdebatuar koncesionare të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2015 për të dhënë shërbimin e dializës në pesë spitale rajonale, shërbim që më parë jepej nga spitalet publike. Hemodializa është një proces, të cilit i nënshtrohen personat që vuajnë nga mosfunksionimi i veshkave dhe konsiston në filtrimin e gjakut të pacientëve me pajisje jashtë trupit për të zëvendësuar veshkat që nuk funksionojnë.
Procedura e prokurimit të koncesionit me afat dhjetëvjeçar përcaktonte si kriter treguesin “kosto për njësi shërbimi”, por jo një vlerë të përgjithshme për kontratën. Por më vonë, Ministria e Financave, nën imponimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, u detyrua të deklarojë koston e pritshme të kontratave koncesionare të nënshkruara pjesërisht nga qeveria e kaluar dhe pjesërisht nga qeveria aktuale. Sipas këtij raporti, kontrata e koncesionit të dializës do të ketë një kosto vjetore prej 947 milionë lekësh në vit për dhjetë vjet me radhë.
Argumentimi kryesor i qeverisë aktuale për dhënien me koncesion të një pjese të konsiderueshme të sistemit të shëndetësisë ka qenë që këto kontrata koncesionare do të sillnin investime private, investime që shteti shqiptar tani për tani nuk ka mundësi t’i kryejë për shkak se borxhi publik është për momentin shumë i lartë. Por nga koncesionet e qeverisë aktuale për të cilat ka bilance të publikuara, siç është dhe bilanci i vitit 2016 i “Diavita” Sh.p.k, investime të tilla nuk duken asgjëkundi. E vetmja gjë që duket janë normat e jashtëzakonshme të fitimeve që do t’i kishte zili çdo biznes shqiptar – qoftë ky i ligjshëm apo informal.

35% normë fitimi mbi të ardhurat, 51 herë normë fitimi mbi kapitalin
Eficenca e punës në një kompani zakonisht matet me normën e fitimit neto si përqindje mbi të ardhurat, normën e kthimit në raport me kapitalin aksioner, si dhe normën e kthimit mbi asetet. Të tria këto tregues duken të pakuptimtë në bilancin e kompanisë koncesionare të shërbimit të dializës. Aksionerët e kompanisë paguan një kapital themeltar prej 1 milion lekësh në nëntor 2015, kur kompania u themelua. Por gjatë vitit 2016, kompania pati fitime neto në masën 51 milionë lekë ose 51 herë më shumë se sa vlera e kapitalit themeltar ose 5100 për qind.
Viti 2016 qe vetëm viti i parë i funksionimit të kompanisë. Të ardhurat e saj qenë në masën 148 milionë lekë. Fitimet neto të kompanisë janë të barabarta me 35 për qind të të ardhurave, një normë fitimi neto e lakmueshme për çfarëdolloj aktiviteti.
Treguesi tjetër, norma e kthimit mbi asetet rezulton gjithashtu shumë e lartë. Kompania ka në bilanc asete të përgjithshme me vlerë 294 milionë lekë. Fitimet neto të kompanisë janë të barasvlefshme me 17 për qind të aseteve. Sa për krahasim, sistemi bankar në tërësi ka një normë kthimi mbi asetet në rendin 1-2 për qind.

Pronarët e rinj fshihen pas kompanisë “guackë”
Rezultati i tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë në tetor 2015 për koncesionin e dializës, koncesioni i dytë i madh në shëndetësi nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama, qe një surprizë. Ministria deklaroi se fituese qe shpallur kompania “Evita”, një kompani e re, e themeluar në vitin 2013. “BIRN” kërkoi të dinte se kush qenë personat pas kësaj kompanie dhe zbuloi se “Evita” qe një kompani e vogël dhe pa eksperiencë në shërbime të tilla. Kompania fituese kishte asete me vlerë prej 30 milionë lekësh dhe papritur kishte fituar një kontratë dhjetëvjeçare, e cila do t’i sjellë të ardhura të sigurta në masën 9.5 miliardë lekë, (rreth 70 milionë euro).
Pas investigimit të “BIRN”, qeveria, përmes faqes së saj të përgënjeshtrimeve Transparenca.al, deklaroi se eksperienca i përkiste aksionerit minoritar në ofertën fituese të koncesionit, kompanisë American Hospital, e cila kishte 15% të aksioneve. Zbulimi i ofertave të tjera në tenderin e shumëpërfolur nxori në pah se oferta e “Evita” sh.p.k dhe e American Hospital në fakt nuk qe oferta më e lirë. “Evita” sh.p.k e pati fituar tenderin duke ofruar të kryejë shërbimin e dializës përkundrejt çmimit 11,203 lekë për seancë. Katër kompani të tjera konkurrente kishin hedhur oferta me çmime pak më të ulëta, por rezultuan që të katërta humbëse për shkak se “Evita” sh.p.k me American Hospital rezultuan se kishin më shumë eksperiencë. Të pasurit më shumë eksperiencë konsistonte në faktin që prej vitesh, spitalet publike në Shqipëri kanë kontraktuar spitale të ndryshme private për shërbimin e dializës dhe American Hospital rezulton si spitali me numrin më të madh të seancave të kryera.
Sikur të mos mjaftonte fakti që një kompani me kapital 30 milionë lekë fitoi një kontratë me vlerë 70 milionë euro, në nëntor 2016, 72.5 për qind e aksioneve të “Evita” iu shit përkundrejt një çmimi prej vetëm 160 mijë eurosh një kompanie guackë të quajtur ARIMO B.V. Kjo e fundit është e regjistruar në Holandë, një vend që konsiderohet si parajsë fiskale pasi lejon kompanitë të regjistrohen aty me një administrator fasadë dhe me pronësi të fshehur. Kompanisë, aksionet e së cilës iu shitën për 160 mijë euro, i përket, sipas bilancit të vitit 2016, 43 milionë lekë ose 318 mijë euro vetëm nga fitimet e vitit të parë të kompanisë së koncesionit.

Fotot, thyhet me kazmë muri bizantin i Torrës Veneciane

Masakra arkeologjike në Durrës nuk ka fund. Në vijim të projektit “Veliera” në qytetin e Durrësit, është thyer me kazmë muri ngjitur me Torrën Veneciane. Struktura arkeologjike është thyer nga punonjësit e firmës private që po zbaton projektin e Bashkisë Durrës. Përgjatë kohës që këto veprime po ndodhnin, me një komunikim telefonik “Amfora.al” vuri në dijeni drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, Ledion Lako, i cili tha se do të dërgonte specialistët për të verifikuar rastin. Ky fragment muri është Monument Kulture i Kategorisë I, referuar shpalljes së Torrës Veneciane dhe murit rrethues të qytetit si të tillë, përpara viteve ’90.
Në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, neni 28, për Monumentet e Kulturës shkruhet se: “Ato ruhen në tërësinë e përbërësve të tyre arkitektonike dhe teknike. Kompozimi i vëllimeve, trajtimi arkitektonik i pamjeve të jashtme dhe të brendshme, si dhe zgjidhja planimetrike dhe funksionale e këtyre monumenteve nuk mund të ndryshohen.
Ndërtimet e reja pranë tyre duhet të respektojnë distancat e zonës së mbrojtur”. Vijimi i këtij projekti me ndërhyrje nëntokësore është i paligjshëm sepse gjysma e projektit “Veliera” shtrihet në Zonën Arkeologjike A, që i ndalon kategorikisht projektet me ndërhyrje nëntokësore. Vijimi i murit antik nëntokë, ruhet me anë të një vendimi të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, i cili udhëzon që zona të mbulohet me çakull. Por mbi tokë ditën e djeshme kazmat thyen themelet e murit ngjitur me Torrën Veneciane dhe kjo pa asnjë vendim zyrtar që e dikton këtë veprim. Për më tepër ka disa vendime të gjykatave të Durrësit që i ndalojnë punimet në këtë zonë. Megjithëse qytetarët protestuan rreth një javë më parë kundër betonizimit të murit rrethues të qytetit (pilaster romak i shek. II të erës sonë), duket se veprimtaria shkatërruese është zhvendosur nga nëntoka në strukturat arkeologjike mbi tokë.
Arsyeja e vendimit është se muret e zbuluara gjatë gërmimeve në vendin ku po kryhen punimet dyshohet se i përkasin periudhës bizantine. Qytetarët dhe përfaqësues të shoqërisë civile e kanë kundërshtuar vazhdimisht këtë projekt, duke u shprehur se projekti rrezikon të betonizojë trashëgiminë kulturore në Durrës. Ky projekt nisi më nëntor të vitit 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 200 metrash katrorë. Ai do të kushtojë rreth 18.3 milionë euro. Në total, 40 për qind e të gjithë buxhetit të vitit 2017 të Bashkisë Durrës.
Ky projekt përveç kostos së lartë e dëmtimit të trashëgimisë kulturore mijëravjeçare të Durrësit është dhe një provë e klientelizmit të qeverisë Rama, ku një grup i ngushtë miqsh të Kryeministrit kanë përfituar të drejtën për të realizuar pjesën më të madhe të ndërhyrjeve infrastrukturore në vend. Projekti filloi përpara miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor nga Këshilli Bashkiak. Projekti “Veliera” është projektuar nga firma italiane e arkitekturës “Archea Associati” e arkitektit të dënuar në Itali, Marco Casamonti. Arkitekti Casamonti ka projektuar edhe stadiumin “Arena Kombëtare”, një tjetër projekt i qeverisë i përfshirë në skandale. Tenderi për ndërtimin e “Velierës” iu dha kompanisë “Everest” shpk dhe “Fusha” shpk. Kjo e fundit ka fituar edhe projektin e Sheshit Skënderbej, duke marrë tri tendera publikë të njëpasnjëshëm. Ashtu si në rasti e projektimit, kompania “Everest” dhe “Fusha” fituan vetëm sepse konkurruesit e tjerë u skualifikuan.
Ndërkohë, kompania “Everest”, në të njëjtën datë, u skualifikua nga një tender i Bashkisë Tiranë, sepse nuk paraqiti vërtetimin e pagesës së taksave. Ashtu si në rastin e Gjirokastrës, projekti i rikualifikimit urban kërcënon trashëgiminë kulturore dhe sitet arkeologjike të rëndësishme. Në një pjesë të rëndësishme: Projekti “Veliera” do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Numër 237, më datë 23 mars 2011. Edhe pse VKM-ja lejon rindërtimin e infrastrukturës në këtë zonë të mbrojtur, neni 2, pika 3 parashikon qartësisht se lejohen vetëm ndërtime të lehta me një lartësi maksimale deri në 3 metra.
Këto ndërtime duhet të jenë të lëvizshme dhe nuk duhet të dëmtojnë themelet nëntokësore dhe peizazhin. Zona ngjyrë rozë është Zona e mbrojtur A. Ngjyra e gjelbër është Zona B, në të cilën ndërtimet lejohen pas një “mbikëqyrjeje të vazhdueshme” nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, me anë të “zhurmave arkeologjike ose forma të tjera testimi në varësi të potencialeve të ofruara nga zona dhe me miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë”. Dy shtyllat e “velës” së betonit, të cilat janë shumë afër qendrës së qytetit ndodhen brenda Zonës A, cepi i tunelit ndodhet shumë pranë skajit të saj. Për mbajtjen e velës së betonit me sipërfaqe 200 metra katrorë, themelet duhet të jenë veçanërisht të forta. Ndërtimi i tyre, pa asnjë dyshim, do të dëmtojë shtresat e nëndheshme të qytetit.

Projekti kërcënon trashëgiminë kulturore
Ashtu si në rastin e Gjirokastrës, projekti i rikualifikimit urban kërcënon trashëgiminë kulturore dhe sitet arkeologjike të rëndësishme. Në një pjesë të rëndësishme: Projekti “Veliera” do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 237, më datë 23 mars 2011. Edhe pse VKM-ja lejon rindërtimin e infrastrukturës në këtë zonë të mbrojtur, neni 2, pika 3 parashikon qartësisht se lejohen vetëm ndërtime të lehta me një lartësi maksimale deri në 3 metra. Këto ndërtime duhet të jenë të lëvizshme dhe nuk duhet të dëmtojnë themelet nëntokësore dhe peizazhin. Zona ngjyrë rozë është Zona e mbrojtur A. Ngjyra e gjelbër është Zona B, në të cilën ndërtimet lejohen pas një “mbikëqyrjeje të vazhdueshme” nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, me anë të “zhurmave arkeologjike ose forma të tjera testimi në varësi të potencialeve të ofruara nga zona dhe me miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë”.

Dekonspirimi/ Pse në shtator, si po u jepet kohë 124 baronëve?

Pse Rama e bëri publik më 31 korrik operacionin e shtatorit për arrestimin e trafikantëve të drogës? A po i jepet kohë krerëve të karteleve që të largohen?

 

Kryeministri Rama deklaroi një ditë më parë se në muajin shtator do të nisë një operacion masiv nga Policia e Shtetit për arrestimin e trafikantëve të drogës. Rama tha se, policia ka në dorë listën e personave me rekorde kriminale, të cilët i cilësoi feudë të kultivimit të kanabisit, por, tha ai, aksioni për arrestimin e tyre do të nisë në muajin shtator. Kështu, Rama deklaroi në korrik operacionin që sipas tij do të zhvillohet në shtator për arrestimin e trafikantëve të drogës. Me këtë veprim, Rama u ka lënë një muaj kohë baronëve të drogës që të largohen për t’i shpëtuar arrestimit.

Me këtë deklaratë publike, Rama nuk bëri gjë tjetër, por veçse i paralajmëroi krerët e grupeve kriminale të trafikut të drogës që të largohen nga Shqipëria, ose të marrin masa që të organizojnë mbrojtjen ndaj ligjit apo t’i fshihen drejtësisë.

Lista me emrat e trafikantëve të drogës është sjellë nga shërbimet inteligjente të huaja, por Rama në vend që të niste aksionin policor për arrestimin e tyre, caktoi muajin shtator për nisjen e arrestimeve. Bëhet e ditur se në listën e shërbimeve të huaja përfshihen edhe emra qeveritarësh dhe zyrtarësh të lartë të policisë, por për t’i shpëtuar ata, Rama paralajmëroi shtatorin si muajin kur do të nisë operacioni kundër trafikantëve të drogës.

Rama me ish-ministrin e tij të Brendshëm, Saimir Tahiri, lejuan kanabizimin e të gjithë territorit të Shqipërisë në katër vite qeverisje. Në kultivimin dhe trafikimin e drogës u përfshinë trafikantët që kishin lidhje me qeverinë dhe bashkëpunonin me krerët e policisë. Paratë e drogës Rama i përdori për blerjen e votave në zgjedhjet e 25 qershorit. Janë këto grupe kriminale të drogës që e mbajnë Ramën në pushtet ndaj dhe ai nuk mund t’i godasë ato.

Më 31 korrik, Rama deklaroi se do të nisë operacioni për arrestimin e baronëve të drogës, duke iu krijuar mundësinë atyre që të arratisen. Oficerë të Policisë Kriminale që nuk duan të identifikohen, shprehen se deklarata e kryeministrit për nisjen e operacionit në muajin shtator për arrestimin e trafikantëve të drogës, u jep mundësi këtyre të fundit që të marrin masa për t’i shpëtuar drejtësisë. Oficerët e Policisë Kriminale hedhin dyshime të forta se, beteja e paralajmëruar do të përfundojë me arrestime në nivelet më të ulta të grupeve të narkotrafikut, ndërsa baronët dhe zyrtarët e policisë të përfshirë në trafikun e drogës do të lihen të lirë.

Rama pranoi se kishte dijeni për përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafikun e drogës, por i lejoi ata që të vijojnë aktivitetin kriminal. Dy ndër krerët më të fuqishëm të trafikut të drogës janë Klement Balili dhe Agron Xhafa, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa, por edhe pse Balili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, Rama e la të lirë që t’i fshihet drejtësisë, ndërsa Xhafa edhe pse i dënuar për trafik droge në Itali, lihet i lirë për të vijuar trafikun e drogës pa asnjë problem. Ata kanë mbrojtjen direkt të Ramës, sepse kanë kontribuar në blerjen e votave për ta mbajtur atë në pushtet.

R.POLISI

 

Berisha: Rama do të dekorojë baronët e kanabisit

 

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar pas publikimit të raportit të Qendrës së Monitorimit Europian për Drogat ku shkruhet se, Shqipëria ka qarkulluar 9.3 miliardë euro nga kanabisi. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se, lajmin e eurodoganave për qarkullimin 9.4 miliardë euro kanabis, Rama po e shoqëron me vendimin e tij për të dekoruar 124 baronët e kanabisit, ish-ministra të tij, Çakon e drogës dhe gjithë kryetrafikantët me uniformë dhe pa uniformë.

“Një lajm me peshë të madhe! Kryebaroni i Kanabisit, alias Noriega shqiptar, Edvin Kristaq Rama, lajmin e eurodoganave për qarkullimin 9.4 miliardë euro kanabis nga dogana shqiptare, po e shoqëron me vendimin e tij për të dekoruar së shpejti 124 baronët e kanabisit, ish-ministra të tij, Çakon e drogës dhe gjithë të tjerët, kryetrafikantët me uniformë dhe pa uniformë!”, shkruan Berisha.

Qendra e Monitorimit Europian për Drogat dhe varësinë nga Drogat publikoi raportin vjetor Europian të Drogave të vitit 2017, ku Shqipëria ka qarkulluar 9.3 miliardë euro kanabis. Në raportin e vitit 2017, Shqipëria veçohet si për rritjen e kultivimit të kanabisit ashtu dhe për faktin se ajo po bëhet një rrugë kryesore e trafikimit të narkotikëve në Europë.

 

Rama-kriminelëve: Shkoni me pushime se përndryshe do ju kap

 

Ish-Kryeministri Berisha shkruan në një postim në Facebook se deklarata e Ramës më 1 gusht për nisjen e operacionit në muajin shtator për arrestimin e kriminelëve do të thotë: Shkoni me pushime se përndryshe do ju kap. “Ultimatumi i 1 gushtit! Rama, kriminelëve: Shkoni me pushime se përndryshe do ju kap! Të dashur miq! Edvin Kristaq Rama zgjodhi si rastësisht 1 gushtin për t’ju kërcëllitur dhëmbët miqve të tij trafikantë dhe banditë dhe u lëshoi ultimatumin: Shkoni me pushime se përndryshe do ju kap?!?! Ja se çfarë shkruajnë mediat për ultimatumin e 1 gushtit!”, shkruan Berisha.

“Rama lajmëron kriminelët: Tani do të nisim operacionin e madh ndaj jush.

Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar sot nisjen e një operacioni të madh policor në vend kundër “të fortëve”, ‘mikrobeve të gjalla që kontaminojnë komunitetin tonë” siç i quajti ai, elementët kriminalë në vend që kanë nxjerrë fitime të pallogaritshme nga trafiku i kanabisit.

Rama, i cili mblodhi sot Task Forcë-n, njoftoi nëpërmjet mediave, se sapo të nisë rënia e fluksit të turistëve, do të nisë operacioni ndaj kriminelëve i shoqëruar jo vetëm me arrestimin e tyre, por edhe me sekuestrimin e pronave dhe fitimeve të tjera. Krahas tyre, operacioni do të shtrihet edhe brenda Policisë së Shtetit, tek personat e lidhur dhe të nënshtruar ndaj krimit.

“Në rend të ditës, tha Rama, është sekuestrimi i aseteve kriminale dhe ndjekja, arrestimi e ndëshkimi ligjor i “të fortëve” në feudet e në llagëmet e drogës.

Është momenti që Policia e Shtetit të përgatitet për një operacion të madh në të gjithë territorin e vendit në zonat që janë simbol i këtyre feudeve dhe ndaj të fortëve të zonës.

Mjafton që ky operacion që do të përgatitet me shumë kujdes, të mos bëhet pengesë në këtë pikë kulmore të sezonit turistik. Menjëherë me rënien e fluksit të turistëve të vihet në zbatim duke bllokuar automjetet e këtyre personazheve. Mjafton që këto elementë shumë shqetësues për komunitetet, njerëzit dhe sigurinë dhe që dëshmojnë pandëshkueshmërinë, të vihen para Prokurorisë dhe Gjykatës.

Është koha të pastrojmë Shqipërinë jo vetëm nga kanabisi, por edhe nga këto “mikrobe të gjalla”, theksoi kryeministri, që kontaminojnë komunitetin tonë dhe cenojnë sigurinë e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”.

 

Demiraj: 124 baronë droge me mbështetje politike

 

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, gjatë një interviste për emisionin “5 Pyetje nga Babaramo” në “Report TV”, deklaroi se, ekziston një listë me 124 emra, persona të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Pjesë e listës, sipas ministrit, janë koka, por edhe bujq të thjeshtë, duke theksuar se shumë prej tyre kanë edhe mbështetje politike.

“Unë kam një listë shumë të madhe, të përbërë nga 124 emra, për shkak edhe të funksionit, për shkak të një bashkëpunimi më të mirë sesa paraardhësit e mi me agjensitë e tjera. Kjo është një listë e hartuar nga agjenci të ndryshme, të cilat nuk i përmend këtu. Sigurisht, që kryeministri dhe gjithë personat që duhet ta kenë, e kanë këtë listë e kanë dhe ne jemi duke punuar në funksion të detyrës organike që kemi për ta pastruar përfundimisht Shqipërinë nga ky fenomen, nga trafiqet në mënyrë që Shqipëria të mos figurojë më në hartën e vendeve që trafikojnë. Po tani duhet të themi të vërtetën, pa mbështetje politike nuk kultivon dot kanabis. Pa mbështetjen e policisë dhe qeverisë vendore, kryetarit të komunës, kryetarit të bashkisë, kryetarit të partisë së tij nuk kultivon dot kanabis. Ka pas raste se sasira tonelatash droge ndodheshin në shtëpinë e punonjësit të policisë”, tha Demiraj.

Burime pranë Ministrisë së Brendshme pas deklaratës së fortë të ministrit Demiraj në “Report TV”  është fakti, se këtë listë nuk e ka përpiluar as Policia dhe as Prokuroria shqiptare, por shërbimet inteligjente të huaja. “Unë kam një listë shumë të madhe, të përbërë nga 124 emra, për shkak edhe të funksionit, për shkak të një bashkëpunimi më të mirë sesa paraardhësit e mi me agjencitë e tjera. Kjo është një listë e hartuar nga agjenci të ndryshme, të cilat nuk i përmend këtu. Sigurisht, që kryeministri dhe gjithë personat që duhet ta kenë, e kanë këtë listë”, thotë Demiraj.

Por më poshtë ai duke arsyetuar, se përse ndodhi ajo që ndodhi me shndërrimin e vendit gjatë vitit të shkuar në një fermë gjigante kanabisi, zbulon edhe arsyen se përse këta emra të kultivimit nuk janë çuar mbi tryezën e tij dhe të kryeministrit, nga agjencitë ligj-zbatuese shqiptare; politika dhe policia ka qenë e përzier në këtë sipërmarrje kriminale.

“Po tani duhet të themi të vërtetën, pa mbështetje politike nuk kultivon dot kanabis. Pa mbështetjen e policisë dhe qeverisë vendore, kryetarit të komunës, kryetarit të bashkisë, kryetarit të partisë së tij, nuk kultivon dot kanabis. Ka pas raste, që sasi tonelatash droge ndodheshin në shtëpinë e punonjësit të policisë”, deklaroi Demiraj.

Kamza prezanton 4 blerjet e reja

Kryebashkiaku Mziu inspekton punimet e rikonstruksionit të stadiumit

4 prezantime në një ditë te Kamza. Klubi i ngjitur këtë sezon në Superiore, prezantoi portierin Argent Halili që vjen pas eksperiencave me Kukësin e Flamurtarin, mesfushorin Alfred Zefi, brazilianin Bruno Arrabal dhe mbrojtësin Hektor Idrizi, që vjen për të gjetur më shumë hapësira nga Skënderbeu. Pjesë e stafit të trajnerit Ramadan Ndreu do të jetë ndërkohë edhe përgatitësi atletik Luca Guerra, me një të kaluar në kampionatin italian dhe hungarez. Përforcime që konfirmojnë ambiciet e kryetarit të Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu dhe Presidentit të klubit, Naim Qarri për një projekt që të garantojë në radhë të parë qëndrimin mes më të mirëve të futbollit shqiptar.

“Me këto përforcime, por edhe të tjera që do të njoftohen në ditët në vazhdim ne konfirmojmë se Kamza nuk do të jetë kalimtare në Kategorinë Superiore, por një ekip që do të luftojë për më tepër duke qenë mjaft konkurues në kampionat”, u shpreh Qarri.

Vetë futbollistët e sapoafruar presin me optimizëm aventurën e re me përkushtimin dhe shpresën për të bërë sa më mirë te Kamza. “Është një eksperiencë e re për mua, zakonisht eksperiencat e reja më kanë sjellë fat si te Kukësi ashtu dhe te Flamurtari dhe synoj që edhe këtu të bëj çfarë kam bërë mirë në këto dy skuadra”, tha Argent Halili.

Alfred Zefi: Besoj se duke punuar dhe duke vënë në shërbim përvojën time do të ndihmoj skuadrën në mënyrë që të arrijmë objektivin për të qëndruar në Kategorinë Superiore”.

Hektor Idrizi: “Mendoj se duhet t’i futemi sa më shpejt punës, nëse shohim skuadrat e tjera besoj se ka 3 apo 4 ekipe në Superiore që mund t’i arrijmë, por gjithçka duhet bërë me këmbë në tokë dhe duke punuar ndaj duhet të fillojmë sa më shpejt”.

Bruno Arrabal: “Është një eksperiencë e re për mua këtu në Shqipëri, me një skuadër të re, jam gati të vihem në shërbim të saj dhe të jap gjithçka në mënyrë që të ngjitemi sa më lart”.

Lojtarë të përzgjedhur nga trajneri Ramazan Ndreu, edhe pse Kamza po ndërton një skuadër të re këtë vit, eksperienca e 51-vjeçarit thotë se objektivi mbijetesë është mëse i arritshëm.

“Janë afrime të përzgjedhura me kujdes, në funksion të arritjes së objektivave. Do të kemi edhe të tjera prezantime gjatë kësaj jave. Besoj se me ndihmën e eksperiencës do të arrijmë të sigurojmë mbijetesën, madje mendimi im është se do të mund të renditemi në mesin e tabelës”.

Pas prezantimit, për kryetarin e Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu ka qenë momenti edhe për një inspektim në punimet e stadiumit, ku po ju jepet dora e fundit rikonstruksionit sipas udhëzimeve të FSHF. Për Kamzën do të jetë thelbësore që kampionati të nisë në shtëpi, ndërkohë që po punohet me Federatën që në një të ardhme të afërt të sigurohet dhe ndriçimi i stadiumit për ndeshjet natën.

“Siç edhe mund ta shihni është një fushë cilësore, por kryejmë punimet si me ambientet e brendshme ashtu dhe me tribunën kryesore dhe atë ballore për të plotësuar gjithë kushtet e FSHF. Jemi në negociata me FSHF për të siguruar madje edhe ndriçimin për ndeshjet natën si dhe tribunat anësore në mënyrë që ky stadium të plotësojë të gjitha kushtet për një imiant të Kategorisë Superiore”, u shpreh Mziu.

Kjo pritet të jetë një javë intensive për Kamzën, ku pritet edhe prezantimi i japonezit Masato Fukui, por edhe lojtarëve të tjerë. Klubi është në bisedime për sa i përket sulmit me Sebino Plakun me tratativën që është në fazë të avancuar, ndërkohë që për minifazën stërvitore jashtë vendit që do të nisë në 10 gusht, opsionet janë Sllovenia dhe Ohri në Maqedoni.

 

Rrugët e hashashit kalojnë nga Shqipëria për në Europë

 

 

Qendra e Monitorimit Europian për Drogat dhe varësinë nga Drogat (EMCDDA) në vijim të publikimit të raportit të saj vjetor, ka dhënë informacion të detajuar lidhur me ndryshimin e tregut të barit të kanabisit në Europë. Sipas hartës së publikuar nga EMCDDA, Shqipëria është nyje e trafikimit të kanabisit nga Afganistani, me destinacion Holandën dhe më pas Britaninë e Madhe.

Tregu evropian për hashashin është aktualisht një nga më të mëdhatë dhe më fitimprurësit në botë, thekson raporti. Rreth 647 ton bar kanabisi dhe 641 ton hashash u konsumuan në Bashkimin Evropian në vitin 2013 dhe tregu i shitjes me pakicë ka një vlerë të përgjithshme të vlerësuar në mënyrë konservative në rreth 9.3 miliardë euro në vitin 2013. Analiza e EMCDDA përshkruan se si po ndryshon furnizimi i kanabisit në Evropë, në përgjigje të konkurrencës dhe zhvillimeve të tjera të tregut.

Ndërsa përdorimi i hashashit në shkallë të vogël ka ekzistuar prej kohësh në Evropë, tregu i madh për drogat filloi të zhvillohej vetëm gjatë viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970, i furnizuar fillimisht nga Pakistani dhe Afganistani me më vonë nga Libani. Kur furnizimet e Evropës u ndërprenë nga konfliktet në Liban (1975-‘91) dhe Afganistan (1979-‘89), u shënua një rritje e prodhimit të hashashit në shkallë të gjerë në Marok. Deri në fillim të viteve 1990, kanabisi maroken me cilësi të dobët (250 g) arriti pothuajse monopol mbi produktet e kanabisit në tregun evropian perëndimor.

Megjithatë, që nga fillimi i viteve 2000 një rritje dramatike e prodhimit të incanabisit në Evropë ka çuar në një ndryshim në tregun, që tradicionalisht ka qenë në duart e krimit të organizuar, me organizatat kriminale marokene që luanin një rol qendror në importin me shumicë dhe shpërndarjen. Spanja, vendi që tradicionalisht ndan sasitë më të mëdha të barit të kanabisit në Evropë, është pika kryesore e hyrjes në Evropë për drogën dhe është gjithashtu pikë e shpërndarjes. Holanda dhe Belgjika janë shpërndarës tradicionalë për tregjet e BE-së, dhe për Rusinë dhe Bjellorusinë, ndërsa Danimarka është shpërndarës kyç për vendet nordike.

Konsumi vjetor i kanabisit në Europë llogaritet në rreth 1200 tonë për vitin 2015. Raporti thekson se grupet kriminale marokene janë lojtarë kryesorë në ofrimin e barit të kanabisit në Evropë, nganjëherë në partneritet me organizatat kriminale evropiane, për shembull ato holandeze dhe shqiptare.

Grupet kriminale shqiptare raportohen të jenë përfshirë në tregtinë e kanabisit afgan, kryesisht në Evropën Lindore dhe Qendrore dhe, nëpërmjet Holandës në Mbretërinë e Bashkuar, thekson raporti. Megjithatë, duket se Britania e Madhe gjithashtu merr hashashin afgan direkt nga Azia Jug-perëndimore.

Revolta ndaj Ramës në FB: Arresto ministrat për drogën e korrupsionin

 

Komentuesit i shkruajnë se cila do të jetë kostoja e ish-ministrit të tij të Drejtësisë, duke e pasur fjalën për Ilir Beqjan dhe korrupsionin galopant të tij në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Por nga ana e tij Rama, u ka kthyer përgjigje duke i thënë se nuk e kanë kuptuar thelbin e çështjes

Ndjekësit i kërkojnë Ramës arrestimin e Saimir Tahirit, Ilir Beqes dhe ministrave të tjerë të tij të lidhur me skandale e afera korruptive

Shfaqjet e fundit të Ramës mbi gjoja luftën kundër kanabisit dhe korrupsionit ka një revoltë masive tek ndjekësit e Ramës në FB, të cilët i kërkojnë atij të nisë këto operacione nga arrestimi i ministrave të tij, të cilët sipas tyre janë autorët e vërtetë të korrupsionit masiv dhe kanabizimit të vendit. Ndjekësit e Ramës në FB shprehen të revoltuar dhe aspak të bindur se Rama i ka seriozisht pseudo aksionet që ka shpallur e aq më tepër t’u shkojë deri në fund atyre, duke arrestuar përgjegjësit konkret që sot kanë shkatërruar gjithë sistemin shtetëror dhe kanë shndërruar vendin në një plantacion gjigant droge. Kryeministri Edi Rama, në një dalje për mediat u ka kërkuar dorëheqjen të gjithë drejtorëve të spitaleve rajonalë dhe bashkiakë, duke theksuar se kanë abuzuar me detyrën. I gjithë aktiviteti i kryeministrit u ndoq live nga shumë ndjekës në rrjetin e tij social “Facebook”. Njëri nga komentuesit i shkruan se cila do të jetë kostoja e ish-ministrit të tij të Drejtësisë, duke e pasur fjalën për Ilir Beqjan. Por nga ana e tij Rama, i ka kthyer përgjigje duke i thënë se nuk ka kuptuar thelbin e çështjes.

Qytetari: A ka kosto ish-ministri jot që për 4 vite se ka parë këtë që pe ti për pak ditë dhe që e finalizove me dorëheqje të të gjithë drejtorëve të spitaleve. Ku qëndron ministri jot për gjithë këtë skandal. Ku është përgjegjësia e tij zotrote apo ta gradosh edhe njëherë ministër aty apo dikun tjetër kushedi. Turp ! Korrupsionin luftoje nga koka e jo nga të vegjëlit që skanë faj fare në rastin në fjalë, sepse çdo gjë kanë bërë e kanë bërë se janë toleruar nga lart.

Rama: Gjovalin, s’ke kuptuar thelbin e gjithë lëvizjes që sapo ka filluar ti vëlla, po si duket s’di shahun po vetëm lojën luftash me top gome. Dhe turpin shko tregoja vetes në pasqyrë jo mua, se s’ta ka njeri borxh të dëgjojë klithmat e tua të moskuptimit.

Kryeministri Rama është përplasur me komentuesit edhe lidhur me kultivimin e kanabisit në vendin tonë. Një ndër komentuesit i shkruan që të mos merret me barishte duke pasur parasysh kanabisin, por të fusë në burg familjen e Ilir Metës dhe Sali Berishës.

Replikat e plota

Qytetarja: Ti na kenaqe tu ik sa andej e këndej bo një ligj për kriminelat që vrasin kush vret të rri në burge jo të shkoj turist e të dali mbas tre muaj.

Rama: Vana, qenke goxha vajze mëso shqipen se kështu si e shkruan dukesh keq shumë, po s’është vetëm kjo, mëso edhe edukatën njëkohësisht, se nuk ka manikyrë që i zbukuron thonjtë e pagdhendshëm të paditurisë!

Qytetari: Lëre kanabisin po shikoni zjarret se ka 3 ditë që po digjet këtej nga Riviera dhe nuk e ka lëvizur njeri menderen.

Rama:  Lion, të gjithë ata që duhet të lëvizin janë në lëvizje kundër zjarreve, po zotrote nuk ke si i shikon nga shezlloni dhe mesa duket se paske fare idene e asaj që po ndodh me zjarret në të gjithë Mesdheun!

Qytetari: Recitime poezish, apo lexim monologjesh, fjalë shumë e jo konkrete e punë pak… mentalitet shqiptar i qeverisjes.

Rama: Jeton ta marrsha të keqen, nëse s’të duken konkrete rezultatet që thuhen dhe thuhen me fjalë, s’mund të thuhen me gishta, atëherë me siguri ose s’e ke pasur mendjen kur i ke dëgjuar ose nuk dëgjon dot se nuk e ke mendjen.

Qytetarja: Po ça pret o kryeministër? T’ju thonë se nuk po punojnë? Në letra i kopsitin bukur, por për zbatim “hajt se folim”.

Rama: Alba, janë fakte këto që thuhen këtu, me prova të çertifikuara nga partnerët ndërkombëtarë, nuk janë letra të kopsitura.

Qytetari: Po ik mo çi keni këto lëreni popullin të hajë bukë pse nuk arrestoni zyrtarë të lartë ministra ish-kryeministra dhe presidenta apo këta sprekën iko se po na vjen për të vjell bashkë me këtë bajgë që po flet.

Rama: Rent, Rent Omer, ku i ke parë xhepat e mi t’i apo t’i ka treguar katragjyshi dixhital? Dhe nuk shkruhet gjykaç po gjykatës, kështu që zotrote mëso shqip njëherë pastaj shkruaj për shpëtimin e shpirtit.

Qytetari: I pari duhet që të arrestohesh je vet ti.

Qytetari:  Më duket ke fillu t’u anashkalu problemet kryesore të shqiptarëve zoti Rama shumë
shpejt.

Qytetar:  Zbatoni Ligjin Antimafia për zyrtarë, hashashllinj e laro që kanë vjedhur prona dhe kanë pasuri të paligjshme. Duhen prova që njerëzit të besojnë që ju e keni seriozisht.

Qytetar:  O shefo, mirë e ke nisur këtë pune. Po me një lule s’vjen pranvera.
Mbanë era kalbësirë në çdo zyrë.

Qytetar: Saimir Tahiri kanabizoi Shqipërinë, kurse ti thua do arrestoj trafikantët. Arresto Tahirin.

 

 

Manipuloi zgjedhjet, SHBA vendos sanksione ndaj Maduros

Supporters of Venezuelan opposition presidential candidate Henrique Capriles protest in front of riot policemen in Caracas on April 15, 2013. Venezuela's opposition piled pressure on electoral authorities Monday to recount the tight vote to replace late leader Hugo Chavez, calling for protests if acting President Nicolas Maduro is formally proclaimed the winner. AFP PHOTO/Geraldo Caso

Administrata Trump shpalli të hënën sanksione financiare kundër presidentit venezuelian, Nicolas Maduro pas zgjedhjeve të fundjavës që i dhanë partisë në fuqi kompetenca thuajse të pakufizuara.
Sanksionet, që u njoftuan nga sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, ngrijnë çfarëdo pasurie që Maduro mund të ketë në SHBA dhe ndalojnë shtetasit amerikanë të hyjnë në marrëdhënie biznesi me të.
Ndikimi monetar i sanksioneve nuk është ende i qartë, sepse pasuritë e zotit Maduro në zonat nën juridiksionin e SHBA nuk janë publikuar.
Megjithatë, vendosja e sanksioneve ndaj një kreu shteti është diçka e rrallë dhe mund të shërbejë si një simbolikë e fuqishme, pasi bën që vendet e tjera të shmangin një udhëheqësi të tillë.
SHBA vazhdojnë të mbajnë në fuqi sanksione kundër Presidentit sirian Bashar Assad që nga viti 2011.
Presidenti Nicolas Maduro, ndaj të cilit ka një pakënaqësi të gjerë për shkak të drejtimit që po i jep ekonomisë së shthurur venezueliane, ka premtuar se Asambleja e re Kombëtare do të sjellë paqen pas protestave 4-mujore të opozitës, gjatë të cilave janë vrarë mbi 115 persona.
Partitë opozitare bojkotuan ato që i quajnë si zgjedhje të manipuluara, ndërsa simpatizantë të tyre kanë planifikuar demonstrata anembanë vendit gjatë ditës së sotme, duke shtuar sërish perspektivën e përleshjeve të dhunshme me forcat e sigurisë.
Kritikët thonë se Asambleja do t’i lejojë Maduros të shpërbëjë Kongresin e kontrolluar nga opozita, të shtyjë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të rishkruajë Kodin Zgjedhor për të ndaluar mposhtjen me votë të socialistëve.
Votimi, që vjen pas shtyrjes së zgjedhjeve rajonale dhe refuzimit të vazhdueshëm të Maduros për të konsideruar vendimet e marra nga Kongresi, është dënuar nga shumë palë globale.
Shtetet e Bashkuara, tregu më i madh për naftën venezueliane, vendosi sanksione gjatë javës së kaluar për 13 udhëheqës të Partisë Socialiste të Venezuelës, pjesërisht si kundërpërgjigje e këtyre zgjedhjeve. Administrata e presidentit Donald Trump ka premtuar masa të tjera ekonomike, nëse votimi do të zhvillohej.
Edhe Kolumbia fqinje ka njoftuar se nuk do ta njohë rezultatin e këtyre zgjedhjeve. “Duke nisur nga nesër do të bëhet e qartë se ky proces, jo vetëm që ka qenë një mashtrim kushtetues, por edhe gabimi më i madh historik që Maduro dhe mafia e tij mund të kenë bërë ndonjëherë”, tha udhëheqësi i opozitës, Freddy Guevara, në një konferencë për shtyp të shtunën.

Trump: Nuk ka kaos në Shtëpinë e Bardhë

Drejtori i ri i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Anthony Scaramucci dha dorëheqjen, vetëm 10 ditë pas emërimit në këtë post.
Njoftimi u dha të hënën, dita e parë e punës në Shtëpinë e Bardhë për zotin John Kelly si shef i ri i kabinetit.
Anthony Scaramucci, financier nga Nju Jorku, u bë shkak për polemika menjëherë pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, duke hapur një grindje me ish-shefin e kabinetit Reince Priebus.
Revista “New Yorker” botoi të enjten një intervistë, në të cilën Scaramucci e sulmoi ashpër zotin Priebus, në atë kohë shef kabineti, duke përdorur edhe fjalë të papërshtatshme.
Sipas mediave, dorëheqja erdhi për t’i lejuar një fillim të ri shefit të ri të kabinetit, Kelly.
Presidenti Trump hodhi poshtë akuzat për kaos në Shtëpinë e Bardhë.
Në komentet e bëra të hënën në Twitter, Presidenti Trump shkruante se tregu i aksioneve është në nivele të papara, shifrat ekonomike janë më të mirat, papunësia është më e ulëta në 17 vjet, pagat po rriten dhe kufiri është i sigurtë. “Në Shtëpinë e Bardhë nuk ka kaos”, shkruante ai.
Komentet e zotit Trump u bënë në prag të betimit të shefit të tij të ri të kabinetit, gjeneralit në pension John Kelly, i cili mori detyrën që deri tani mbahej nga Reince Priebus.
Presidenti Trump tha se zoti Kelly do të bëjë “një punë të shkëlqyer” në detyrën e re.
Gjatë javës së kaluar, drejtori i ri i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Anthony Scaramucci, sulmoi ashpër zotin Priebus.
Ndërkohë, vetë zoti Trump u bë objekt kritikash për sulmet e tij publike ndaj prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions dhe për dështimin e republikanëve të Senatit për të ndryshuar ligjin e kujdesit shëndetësor.