32.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Edhe BE me viza në Britani

“Liria e lëvizjes do të marrë fund në mars 2019”, deklaroi kryeministrja britanike, Theresa May përmes zëdhënësit të saj. Pas daljes nga BE do të ketë rregulla të reja dhe një sistem regjistrimi për migrantët nga Bashkimi Evropian. Që të spekulosh tani për detajet do të ishte gabim, theksoi zëdhënësi. Ai shtoi se qeveria tashmë i ka hartuar propozimet e saj për të drejtat e qytetarëve të shteteve të BE pas marsit 2019.
May ndërhyri në këtë mënyrë, që nga pushimet, në një grindje në kabinetin e saj. Sepse kohët e fundit aty janë dëgjuar deklarata të ndryshme për temën e migrimit.
Kështu, ministri i Financave, Philip Hammond u shpreh që pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian të mos ndryshohen menjëherë rregullat e imigrimit. Politikani konservator Hammond konsiderohet si përfaqësues i një Brexiti të butë, mundësisht pa pasoja – dhe si kundërlojtar i May-t.

Brexit i fortë apo i butë?
Edhe ministrja e Brendshme, Amber Rudd u ngjalli shpresa sipërmarrësve dhe qytetarëve të BE pak ditë më parë, me një artikull për gazetën “Financial Times”. Në të ajo shkroi se nuk do të ketë një fund të menjëhershëm të përcaktimeve aktuale për migrimin.
Ministri i Tregtisë, Liam Fox bëri të ditur pas kësaj pozicionin e tij. Sipas tij, është në kundërshtim me frymën e votës britanike të 23 qershorit 2016, po të ruhet liria e lëvizjes pas Brexit-it. Me këto fjalë ai mbron pozicionin e përfaqësuesve të vijës së fortë, të cilët pretendojnë të vendosin kontroll të plotë për migrimin. Që prej votimit për Brexit-in, të drejtat e rreth 3.5 milionë qytetarëve të BE që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe të drejtat e 1.5 milionë britanikëve që jetojnë në BE janë kthyer në një çështje qendrore të negociatave të Brexit-it.
Brukseli ka bërë të ditur se çdo marrëveshje tranzitore që do të pasojë Brexit-in, do të bëjë që Britania e Madhe t’i humbasë të drejtat e votës në BE, por në të njëjtën kohë do të nevojitet që Britania e Madhe të qëndrojë nën juridiksionin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe të pranojë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Por këtë e ka kundërshtuar May, e cila dëshiron t’i japë fund juridiksionit të gjykatës me qendër në Luksemburg.
Kryeministrja britanike, Theresa May ndodhet nga të gjitha palët nën presion të fortë – më e vonta që kur konservatorët e humbën shumicën absolute në zgjedhjet e parakohshme në qershor. Në Mbretërinë e Bashkuar ka javë që spekulohet, për sa kohë do të qëndrojë dot në pushtet May.

Ukraina kërcënon Kosturicën për Krimenë

Ambasada ukrainase në Beograd i dërgoi një letër të hapur Kusturicës të martën, duke paralajmëruar se kushdo që shkel Ligjin e vendit për Territoret e Pushtuara Përkohësisht duke vizituar Krimenë e aneksuar nga Rusia do të ndiqet penalisht.
“Një nga ndëshkimet për shkeljen e ligjit është ndalimi i hyrjes në territorin ukrainas për një periudhë pesëvjeçare”, tha ambasada në letër.
Më 23 korrik, Kusturica mbajti një koncert në Yalta, në gadishullin e Krimesë, me grupin e tij muzikor “No Smoking Orchestra”.
Para koncertit, ai citoi se bashkimi i Krimesë dhe Rusisë ishte një “proces natyral organik” dhe i bëri thirrje qytetarëve të Krimesë ta zhvillojnë gadishullin si “pjesë të Rusisë të madhe”.
Ambasada tha se i vinte keq për faktin që Kusturica “mbështeste agresorin, Rusinë”, duke shtuar se 11,000 njerëz, përfshirë artistë të famshëm, kanë vdekur gjatë konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë.
Kusturica nuk qe i disponueshëm për një koment të martën.
Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014, pas një referendumi tepër të diskutuar në të cilin njerëzit votuan se gadishulli ukrainas duhej t’i bashkohej Rusisë.
Si Ukraina ashtu edhe Perëndimi e konsiderojnë të paligjshëm referendumin dhe aneksimin si pushtim të territorit ukrainas nga ana e Rusisë.
Në letrën e saj, ambasada ukrainase shtoi se Kievi ende e mbështet fuqimisht Beogradin në lidhje me politikën e Kosovës dhe nuk e ka njohur pavarësinë e kësaj të fundit.

Shkupi dhe Sofja zgjidhën mosmarrëveshjet historike

Maqedonia dhe Bullgaria nënshkruan të martën në Shkup marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me të cilën, dy vendet pretendojnë se i jepet fund mosmarrëveshjeve që kanë ekzistuar që nga pavarësia e Maqedonisë lidhur me gjuhën, kulturën dhe historinë e ndërsjelltë.
Marrëveshja, e cila është vlerësuar si historike, është nënshkruar nga kryeministrat Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, i cili udhëheq delegacionin e lartë shtetëror bullgar në vizitën dyditore në Shkup. Vizita korrespondon me 2 gushtin, festën shtetërore të Maqedonisë, ndërsa data ishte zgjedhur me qëllim që dy delegacionet shtetërore të shprehin mirënjohje për personalitetet historike të kësaj date e që ndërlidhen me historitë e dy vendeve.
“Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim tregon qartë se atje ku ka vullnet politik, ide për progres, çështjet e hapura do të zgjidhen. Maqedonia dhe Bullgaria kanë bërë një hap historik, duke e përdorur të kaluarën si themel për të ardhmen, stabilitetin dhe zhvillimin jo vetëm të dy vendeve, por edhe për rajonin ballkanik…. Maqedonia dhe Bullgaria me këtë marrëveshje treguan përgjegjësi ndaj shtetasve të tyre. Kjo marrëveshje është shembull se si frenimi shumëvjeçar mund të shndërrohet në motor të bashkëpunimit dhe lidhjes mes popujve”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, duke shtuar se me këtë marrëveshje, Sofja dhe Shkupi i kanë dërguar një mesazh të fuqishëm Bashkimit Evropian, se dy vendet janë të përcaktuara për paqe dhe stabilitet.
“Vëmendja e NATO-s dhe e BE-së është e drejtuar nga përcaktimi i shteteve të rajonit për bashkëpunim, pasi çështja e raporteve të fqinjësisë së mirë është çështje e kapaciteteve të pjekurisë për kapërcimin e mosmarrëveshjeve me mirëkuptim, si vlera të larta demokratike”, deklaroi Zaev.
Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, tha se dy vendet kanë dëshmuar se mosmarrëveshjet mund t’i zgjidhin edhe pa ndërmjetësim nga jashtë, nëse drejtuesit e tyre shtetërorë udhëhiqen nga interesat e fqinjësisë së mirë.
“Pa ndërmjetësues, pa moderator apo pa ndikime të tjera ne arritëm këtë marrëveshje, pasi vlerësuam se paqja, miqësia dhe fqinjësia e mirë janë më të rëndësishme se gjithçka tjetër. Me këtë marrëveshje, ne vendosim të lëmë pas të kaluarën dhe të shohim përpara, drejt të ardhmes së dy vendeve tona”, tha Borisov, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme marrëveshjen për zhvillimin ekonomik jo vetëm të dy vendeve, por edhe të rajonit në përgjithësi.
Marrëveshja është nënshkruar në dy gjuhë, maqedonisht dhe bullgarisht, me çka Sofja e njeh edhe zyrtarisht gjuhën maqedonase. Dokumenti i jep të drejtën dy vendeve që të kujdesen për pakicat e tyre në shtetet respektive, në përputhje me marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe.
Në nenin 11 të marrëveshjes thuhet se “Maqedonia konfirmon se në Kushtetutën e saj asnjë nen nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet si përzierje në punët e brendshme të Bullgarisë, me qëllim mbrojtjen e statusit të personave që nuk janë shtetas të Maqedonisë”.
Në marrëveshje, veç të tjerash qëndron se Bullgaria do të ndihmojë Maqedoninë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, pa vendosje të kushteve paraprake. Një nen tjetër i marrëveshjes parasheh formimin e një komisioni të përbashkët, i cili duhet të kontribuojë në interpretimin objektiv dhe shkencor të ngjarjeve historike dhe se Bullgaria e Maqedonia do të marrin pjesë në shënimin e ngjarjeve historike.
Marrëveshja, ndërkohë nuk është mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja, partia më e madhe opozitare e udhëhequr nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Në një komunikatë të kësaj partie thuhet se marrëveshja nuk pranohet nga ana e saj, meqë nuk ishte pranuar asnjë nga vërejtjet e saj. Ajo i kishte bërë thirrje qeverisë që deri në nënshkrimin e dokumentit të ndryshojë pjesët kontestuese, që sipas VMRO-së mund të kenë pasoja afatgjata ndaj interesave shtetërore dhe kombëtare të Maqedonisë, si dhe për gjuhën, historinë dhe popullin maqedon.
Marrëveshja kishte nxitur edhe disa protesta para Ministrisë së Punëve të Jashtme, por ato më tepër ishin simbolike. Pas nënshkrimit, marrëveshja duhet të ratifikohet edhe nga ana e Kuvendit të Maqedonisë.

Pikëpyetje mbi mbledhjen e Parlamentit të ri në Kosovë

Janë regjistruar në Kuvendin e Kosovës të gjithë deputetët e kësaj legjislature e dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit 2017. Seanca konstituuese e caktuar nga Presidenti i Kosovës mbahet këtë të enjte (3.08) ku dhe do të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Sipas përfaqësuesve të koalicionit PAN, ata synojnë që të njëjtën ditë të votohet edhe për qeverinë e Kosovës. Ndonëse ende nuk është njoftuar zyrtarisht, kandidati i vetëm për kryetar të Kuvendit i koalicionit PAN (Partia Demokratike e Kosovës PDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK dhe Nisma) është Kadri Veseli, kryetar i PDK-së.
“Ju e dini se mbështetja e plotë e PDK-së është për Kadri Veselin. Por, tash për tash nuk mund ta them se është fakt i kryer, por për këtë do të vendoset me kohë”, tha Memli Krasniqi, deputet i PDK-së.
Ndonëse në bazë të Kushtetutës së Kosovës, posti i kryetarit të Kuvendit i takon fituesit të zgjedhjeve, në këtë rast koalicionit PAN. Subjektet e tjera politike, që u renditën e dyta dhe e treta në zgjedhje, LAA dhe Vetëvendosja, tashmë janë deklaruar se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, sikundër që nuk do ta votojnë as të nominuarin për kryeministër Ramush Haradinaj. Për zgjedhjen e tyre në këto dy poste nevojitet shumica e thjeshtë prej 61 votave, nga 120 deputetë sa i ka Parlamenti i Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosja dhe koalicioni LAA thonë, se në mënyrë që procesi i formimit të institucioneve të mos bllokohet, koalicioni PAN, si zgjidhje mund të propozojnë një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit.
“Lëvizja Vetëvendosje do të votojë kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit, por ne jemi të gatshëm që t’i shqyrtojmë emrat e tjerë, të cilët do të mund të propozoheshin”, thotë Glauk Konjufca deputet i Vetëvendosjes.
Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur qartë se partia e tij nuk do ta votojë Kadri Veselin për kryetar Kuvendi, sepse, sipas tij, “Veseli ishte njëri nga iniciatorët e prishjes së koalicionit PDK-LDK”.
“Ne e kemi qëndrimin që në asnjë rast nuk bëjmë koalicion me PAN-in dhe po ashtu nuk e votojmë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit. Konsiderojmë se ai ishte njëri nga njerëzit që e prishi marrëveshjen dhe i ka vënë interesat personale para shtetit”, thotë Isa Mustafa.
Nga ana tjetër përfaqësues të koalicionit PAN thonë, se ata e kanë numrin e mjaftueshëm të deputetëve që do ta bëjnë kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, kryetar Kuvendi dhe Ramush Haradinajn kryeministër.
Muharrem Nitaj, zëdhënës i Ramush Haradinajt, thotë se në zgjedhjet e 11 qershorit koalicioni PAN ka fituar më së shumti mandate dhe sipas Kushtetutës i takon këtij koalicioni që ta propozojë dhe ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin e Kosovës.
“Ka një Kuvend të Kosovës që përbëhet nga deputetë të zgjedhur dhe gjithçka varet nga vota e tyre. Ne jemi të bindur se koalicioni PAN nuk do të ketë telashe as në krijimin e qeverisë dhe as në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, thotë Muharrem Nitaj.
Mirëpo, dy subjektet e tjera politike lëvizja Vetëvendosja dhe LAA thonë, se koalicioni PAN nuk i ka numrat e votave të mjaftueshme. Lëvizja Vetëvendosja dhe LAA së bashku kanë 61 deputetë dhe pikërisht për këtë ata janë të bindur se koalicioni PAN, edhe nëse i bashkohen pakicat kombëtare, mund të arrijë vetëm në 59 deputetë, numër ky jo i mjaftueshëm për zgjedhjet e kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit. Mirëpo, rreth çështjes së numrave, Memli Krasniqi nga koalicioni PAN, thotë se kjo çështje është devalvuar deri në atë masë saqë deputetët tashmë po quhen “numra”.
“Mendoj se asnjëherë nuk është dashur që t’i devalvojmë deputetët dhe t’i quajmë numra. Ne e kemi mbështetjen e mjaftueshme për formimin e qeverisë dhe për konstituimin e Kuvendit”, thotë Memli Krasniqi.
Përfaqësues të dy subjekteve politike LAA dhe Vetëvendosja thonë, se qeverinë duhet ta krijojnë këto dy subjekte politike, sepse ato kanë numër të mjaftueshëm të votave.
Vjosa Osmani, deputete nga LDK, thotë, se qeverinë duhet ta formojnë Vetëvendosja dhe LDK-ja, pasi koalicioni PAN, sipas saj, “do të dështojë në përpjekjen e parë për formimin e qeverisë”.
“Ka vullnet të mirë tek të dyja subjektet politike që të arrihet një marrëveshje për bashkëqeverisje. Koalicioni PAN do të dështojë me arritjen e numrave të nevojshëm për formimin e qeverisë. Dhe së dyti, kemi edhe një mision që na bashkon me Vetëvendosjen, që PDK-në ta dërgojmë në opozitë”, thotë Vjosa Osmani.
Sidoqoftë tash për tash akoma është e paqartë sesi do të rrjedhë seanca konstituuese e Parlamentit të Kosovës më 3 gusht. Kjo për faktin që rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit nuk nxori asnjë subjekt politik fitues, që do të mund ta krijonte vetëm qeverinë. Analistët politikë parashohin krizë institucionale, ndërkohë që prania ndërkombëtare në Kosovë bën thirrje për krijim të shpejtë të institucioneve, në mënyrë që vendi të vazhdojë me integrimet evropiane dhe reformat e kërkuara.

Gjermania kundër sanksioneve të reja të SHBA ndaj Rusisë

FILE PHOTO - German Minister for Economic Affairs and Energy, Brigitte Zypries speaks during an interview with Reuters in Berlin, Germany June 16, 2017. REUTERS/Stefanie Loos

Ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të kundërpërgjigjet ndaj legjislacionit për sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë, pasi mund të dëmtohen çështje biznesi të kompanive perëndimore me Rusinë.
Në legjislacionin e ri që u miratua me shumicë votash nga Kongresi në SHBA, sanksionet përfshijnë edhe disa firma ruse të energjisë. Ky legjislacion pritet të nënshkruhet nga presidenti Trump.
Liderët evropianë kanë thënë se sanksionet e reja do të dëmtonin ekonomitë e tyre.
Dispozitat mund të ndikojnë në Evropë, ashtu që mund t’i lejojnë presidentit Trump të vendosë sanksione ndaj bizneseve të Perëndimit, të cilat punojnë me Gazpromin e Rusisë.
“Shumë thjesht, ne këto sanksione i konsiderojmë kundër ligjit ndërkombëtar”, ka thënë ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries, në një intervistë për gazetën “Funke Mediengruppe”.
“Amerikanët nuk mund të ndëshkojnë kompanitë gjermane sepse kanë interesa të biznesit në shtete të tjera”, ka shtuar ajo.
“Sigurisht që ne nuk duam luftë tregtare. Mirëpo është e rëndësishme që Komisioni Evropian të marrë masa”, ka thënë ndër të tjera, Zypries.
Sipas saj, Berlini i ka kërkuar disa herë Uashingtonit të mos përfshijë dispozita që prekin kompani evropiane, në kuadër të legjislacionit për sanksionimin e Rusisë, pas supozimeve se ky vend ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, për agresionin në Ukrainë dhe çështje të tjera.

Ze Maria: Nisim rrugën drejt Superiores

31 korriku ishte dita që Tirana nisi zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri. Pas pjesëmarrjes në turin e parë kualifikues të Europa League, me bardheblutë që bënë dy ndeshje të mira ndaj Maccabit të Tel Avivit tani vëmendja e Tiranës është e gjitha te Kategoria e Parë me skuadrën e Ze Marias që do të jetë e impenjuar në grupin B. Trajneri brazilian beson te grupi që ka aktualisht në dispozicion dhe e ka të qartë se cili do të jetë objektivi i kësaj Tirane.
“Sot fillojmë një rrugëtim të gjatë për të arritur objektivin tonë, që siç e disktuam edhe me presidentin dhe futbollistët brenda dhomave të zhveshjes është mëse i qartë dhe djemtë e dinë këtë, të fitojmë grupin B të kategorisë së Parë për ta rikthyer Tiranën aty ku i takon. Do të ketë disa fytyra të reja, pasi brenda kësaj jave do t’i bashkohen skuadrës 3-4 futbollistë të tjerë që do të kompletojnë grupin”, u shpreh Ze Maria.
22 futbollistë ishin nën urdhrat e Ze Marias dhe stafit të tij në ditën e parë të përgatitjeve, ku spikasnin emrat e rëndësishëm si kapiteni Karabeci, portierët Lika e Bakaj, por edhe mbrojtësit Doka e Hoxhallari si dhe mesfushori Asion Daja. Megjithatë binin në sy mungesat e dy mesfushorëve të shumëkërkuar në merkato, Merveille dhe Acquah, të cilët janë shumë pranë transferimit te skuadra kroate e Osijek. Ze Maria, ndërkohë konfirmoi edhe pozicionet, në të cilët luajnë blerjet e reja që do t’i bashkohen Tiranës gjatë ditëve në vazhdim.
“Është e vërtetë në stërvitje mungojnë Merveille dhe Acquah, pasi ata po vendosin sëbashku me klubin të ardhmen e tyre, por mungojnë edhe disa lojtarë të tjerë që janë blerë Tirana dhe ata janë 2 mesfushorë dhe një sulmues”, tha ai.
Ish-lojtari i Interit është i kënaqur me punën që kanë bërë deri tani drejtuesit, ndërsa nuk fshihet kur deklaron se, rikthimi në Superiore nuk është prioriteti i vetëm i Tiranës.
“Deri tani jam i kënaqur me punën që kanë bërë drejtuesit e klubit, më kanë vënë në dispozicion futbollistët që u kam kërkuar, lojtarë të zotë. Ne duhet të mendojmë si për këtë sezon ashtu edhe për sezonin pasardhës që të ndërtojmë një skuadër të fortë për të përballuar me sukses edhe kategorinë Superiore vitin tjetër”, tha trajneri i Tiranës.
Ze Maria konfirmoi qëndrimin te 24-herë kampionët të Karabecit dhe Ilion Likës, ndërsa vuri veton që Albi Doka të vazhdojë  të jetë pjesë e Tiranës. “Po Karabeci ka rinovuar, Lika gjithashtu. Janë dy futbollistë shumë të rëndësishëm, për këtë skuadër pasi eksperienca e tyre mund të rriter lojtarët me të riten në moshë. Doka është një futbollist i yni dua ta mbaj në skuadër sepse një lojtar me cilësi të mëdha dhe me një të ardhme të madhe përpara. Siç e dini Doka është një futbollist që luan në të njëjtin rol ku kam luajtur unë dhe mendoj se mund ta ndihmoj shumë të rritet dhe klubi e di këtë”, përfundoi Ze Maria.
Pas 1 jave stërvitje në kompleksin Skënder Halili, Tirana do të udhëtojë jashtë Shqipërisë për të zhvilluar fazën përgatitore.

Merkato e Interit

Kontratë 4-vjeçare, fanella me numër 6 dhe besim i plotë nga ana e Luciano Spallettit. Matias Vecino është futbollisti më i ri i Interit. Mesfushori urguajan është blerja e 4-t e zikaltërve në këtë merkato pas Padellit, Skriniar dhe Borja Valeros. Për të plotësuar dëshirën e trajnerit Luciano Spalletti drejtuesit e Interit derdhën në arkat e Fiorentinës shumën e 24 milionë eurove duke paguar klauzolën e largimit të 25-vjeçarit nga klubi vjollcë. Me Interin, Vecino ka firmosur një kontratë 4-vjeçare nga e cila do të përfitojë 2,5 milionë euro në sezon plus bonuset, ndërkohë që Spalletti mund t’ia besojë qëndrën e mesfushës dy ish-futbollistëve të Fiorentinës, Borja Valeros dhe Vecinos, të cilët i kërkoi me ngulm në skuadrën e tij.
Pasi kaloi me sukses vizitat mjekësore, uruguajani tha edhe fjalët e para si lojtari më i ri i Interit duke u shfaqur shumë i lumtur, ndërkohë që falenderoi të gjithë tifozët zikaltër. Vecino është një mesfushor total që luan në çdo rol të repartit të ndërmjetëm dhe konsiderohet si një vlerë e shtuar e mesfushës së Interit. Por jo vetëm Vecino, pasi kjo javë parashikohet shumë aktive për Interin në merkato. Është arritur më në fund marrëveshja mes klubit italian dhe Nicës për transferimin në “San Siro” të mbrojtësit të majtë Dalbert Henrique. 23-vjeçari brazilian do t’i kushtojë Interit, 20 milionë euro plus bonuset, ndërkohë që të enjten pritet të jetë në Milano për të kryer vizitat mjekësore. Zikaltërit e kishin mëse të nevojshëm afrimin e një mbrojtësi të majtë dhe Dalbert Henrique ishte zgjedhja e parë për drejtuesit, pasi Nagatomo dhe Ansaldi nuk e bindin aspak trajnerin Spalletti.
Interi përgatit goditjen e bujshme në merkato, 39 milionë euro për mesfushorin e Liverpulit. Interi është duke u përgatitur për një goditje të bujshme në merkato. Mediat britanike bëjnë me dije se, zikatërit janë vënë në ndjekje të mesfushorit të Liverpulit, Sadio Mane. 25-vjeçari konsiderohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën angleze dhe për trajnerin Jurgen Klop largimi i mesfushorit senegalez do të ishtë shumë i hidhur.
Për transferimin e Manes, Interi është gati të shpenzoje 39 milionë euro. Mesfushori nga Senegali, i cili humbi fundin e sezonin të kaluar për shkak të një lëndimi në ligament, u rikthye në fushë gjatë miqësores kundër Herthës së Berlinit. Në sezonin e kaluar, ai arriti të shënonte 13 gola.
Aventura e Jonathan Biabiany  në Inter tashmë ka marrë fund. Sipas Calciomercato.com sulmuesi francez është pranë transferimit te Sparta Pragë. Thuhet se Nerazzurtë janë  në negociata të avancuara për transferimin e Biabiany në skuadër çeke. Sparta Prag po synon ta huazojë ish-sulmuesin e Parmës deri në fund të sezonit, por me mundësi të blerjes për 4 milionë euro. Biabiany  ka kontratë me Interin deri në verën e vitit 2019, por nuk bën pjesë në planet e Luciano Spallettit.

Daja: Skënderbeu do kualifikohet me tifozët nga e gjithë Shqipëria

Një gol për t’u kualifikuar. Kaq do t’i mjaftonte Skënderbeut për të vazhduar ëndrrën europiane dhe të sigurojë biletën në fazën “play off” të Europa League. Megjithë humbjen 2-1 në Çeki, misioni përballë Mlada Boleslav, këtë të enjte në “Elbasan Arena” është mëse i mundur. Trajneri Ilir Daja e ka të qartë çfarë duhet të bëjë skuadra në fushë, për të arritur suksesin. “Duhet të jemi të kujdesshëm, pavarësisht se duhet ta fitojmë ndeshjen. Të jemi shumë të ekuilibruar për të mos i lejuar kundërshtarit hapësira për të ndërtuar sulmet apo kundërsulmet. Duke iu referuar ndeshjes së parë, mendoj se në të gjitha aksionet e pjesës së parë, ia kemi dhuruar ne topin kundërshtarit, nuk kanë qenë aksione të ndërtuara. Ne do të sulmojmë, por duhet të jemi shumë të ekuilibruar, si në administrimin e lojës, ashtu edhe në heqjen e mundësisë së kundërshtarit që të na sulmojë”, u shpreh Daja.
Rikthimi i dy prej lojtarëve kryesorë të korçarëve, garanton cilësi, eksperiencë, por mbi të gjitha alternativa, nëse gjatë ndeshjes me Mlada Boleslav duhet ndryshuar diçka. “Në një ndeshje futbolli nuk është i rëndësishëm moduli i lojës, por manovra në të dyja fazat e lojës. Me rikthimin e Lilajt, ekipi ka edhe më shumë frymëmarrje, sepse përveç potencialit që zotëron, Sabieni ka edhe eksperiencë në kompeticionet europiane, pra është një prej pikave të forta të ekipit, ashtu si edhe Xhejms. Duke u shtuar dy forca, edhe stoli është më i kompletuar dhe kemi avantazhin që mund të ndërhyjmë në çdo moment gjatë lojës”, tha Daja.
Trajneri Daja beson te mbështetja e tifozëve. Jo vetëm e atyre korçarë, por e të gjithë shqiptarëve. Sipas tij, ky do të jetë një motiv më shumë që Skënderbeu të kualifikohet. “Tifozët? Besoj që do t’i kemi të shumtë, sepse me mbështetjen e tyre ekipi ka një tjetër motiv. Por, mendojmë se përveç tifozëve tanë, duke qenë se jemi ekipi i vetëm që vazhdon rrugëtimin në Europa League, edhe tifozët e tjerë do të jenë në mbështetjen tonë në Elbasan. Bashkimi i të gjithë shqiptarëve për të qenë suport, dhe veçanërisht i tifozëve tanë të zjarrtë, do të jetë një motiv i shtuar dhe një mbështetje morale që na duhet patjetër”, përfundoi Daja.

Kamza prezanton 4 blerjet e reja

4 prezantime në një ditë te Kamza. Klubi i ngjitur këtë sezon në Superiore, prezantoi portierin Argent Halili që vjen pas eksperiencave me Kukësin e Flamurtarin, mesfushorin Alfred Zefi, brazilianin Bruno Arrabal dhe mbrojtësin Hektor Idrizi, që vjen për të gjetur më shumë hapësira nga Skënderbeu. Pjesë e stafit të trajnerit Ramadan Ndreu do të jetë ndërkohë edhe përgatitësi atletik Luca Guerra, me një të kaluar në kampionatin italian dhe hungarez. Përforcime që konfirmojnë ambiciet e kryetarit të Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu dhe Presidentit të klubit, Naim Qarri për një projekt që të garantojë në radhë të parë qëndrimin mes më të mirëve të futbollit shqiptar.
“Me këto përforcime, por edhe të tjera që do të njoftohen në ditët në vazhdim ne konfirmojmë se Kamza nuk do të jetë kalimtare në Kategorinë Superiore, por një ekip që do të luftojë për më tepër duke qenë mjaft konkurues në kampionat”, u shpreh Qarri.
Vetë futbollistët e sapoafruar presin me optimizëm aventurën e re me përkushtimin dhe shpresën për të bërë sa më mirë te Kamza. “Është një eksperiencë e re për mua, zakonisht eksperiencat e reja më kanë sjellë fat si te Kukësi ashtu dhe te Flamurtari dhe synoj që edhe këtu të bëj çfarë kam bërë mirë në këto dy skuadra”, tha Argent Halili.
Alfred Zefi: Besoj se duke punuar dhe duke vënë në shërbim përvojën time do të ndihmoj skuadrën në mënyrë që të arrijmë objektivin për të qëndruar në Kategorinë Superiore”.
Hektor Idrizi: “Mendoj se duhet t’i futemi sa më shpejt punës, nëse shohim skuadrat e tjera besoj se ka 3 apo 4 ekipe në Superiore që mund t’i arrijmë, por gjithçka duhet bërë me këmbë në tokë dhe duke punuar ndaj duhet të fillojmë sa më shpejt”.
Bruno Arrabal: “Është një eksperiencë e re për mua këtu në Shqipëri, me një skuadër të re, jam gati të vihem në shërbim të saj dhe të jap gjithçka në mënyrë që të ngjitemi sa më lart”.
Lojtarë të përzgjedhur nga trajneri Ramazan Ndreu, edhe pse Kamza po ndërton një skuadër të re këtë vit, eksperienca e 51-vjeçarit thotë se objektivi mbijetesë është mëse i arritshëm.
“Janë afrime të përzgjedhura me kujdes, në funksion të arritjes së objektivave. Do të kemi edhe të tjera prezantime gjatë kësaj jave. Besoj se me ndihmën e eksperiencës do të arrijmë të sigurojmë mbijetesën, madje mendimi im është se do të mund të renditemi në mesin e tabelës”.
Pas prezantimit, për kryetarin e Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu ka qenë momenti edhe për një inspektim në punimet e stadiumit, ku po ju jepet dora e fundit rikonstruksionit sipas udhëzimeve të FSHF. Për Kamzën do të jetë thelbësore që kampionati të nisë në shtëpi, ndërkohë që po punohet me Federatën që në një të ardhme të afërt të sigurohet dhe ndriçimi i stadiumit për ndeshjet natën.
“Siç edhe mund ta shihni është një fushë cilësore, por kryejmë punimet si me ambientet e brendshme ashtu dhe me tribunën kryesore dhe atë ballore për të plotësuar gjithë kushtet e FSHF. Jemi në negociata me FSHF për të siguruar madje edhe ndriçimin për ndeshjet natën si dhe tribunat anësore në mënyrë që ky stadium të plotësojë të gjitha kushtet për një imiant të Kategorisë Superiore”, u shpreh Mziu.
Kjo pritet të jetë një javë intensive për Kamzën, ku pritet edhe prezantimi i japonezit Masato Fukui, por edhe lojtarëve të tjerë. Klubi është në bisedime për sa i përket sulmit me Sebino Plakun me tratativën që është në fazë të avancuar, ndërkohë që për minifazën stërvitore jashtë vendit që do të nisë në 10 gusht, opsionet janë Sllovenia dhe Ohri në Maqedoni.

Zlatan Ibrahimoviç thërret Milanin

Zlatan Ibrahimoviç i vetëpropozohet Milanit. Një nga emrat më të përfolur ose më të kërkuar gjatë merkatos verore është ai i bomberit suedez. Çdo sezon transferimesh rreth tij ngrihet pyetja se ku do të luajë Ibra. Ndryshe nga herët e kaluara, emri i sulmuesit ndoshta nuk është lakuar shumë për shkak të dëmtimit të rëndë që pësoi në gju. Pavarësisht këtij fakti, interesi për Ibrën nga disa ekipe nuk mungon dhe njëri prej tyre është pikërisht Milani. Kuqezinjtë në mënyrë krejt të papritur, kanë marrë një ftesë nga ana e 35-vjeçarit. Sulmuesi në një intervistë të dhënë për mediat italiane, ka dhënë garanci absolute se në tetor ai do të jetë i gatshëm t’i rikthehet fushës së blertë. Nisur nga kjo deklaratë Ibra mesa duket ka djegur etapat e rikuperimit dhe e pëlqen idenë e rikthimit tek Milani.
Nga ana tjetër dyshja e kuqezinjve Fassone-Mirabelli pasi morën sinjalin janë vënë menjëherë në lëvizje, për të përgatitur goditjen e fundit në merkato dhe do të jetë një goditje e dyfishtë për vijën e parë të sulmit, Ibra-Kaliniç, ky i fundit pritet të transferohet në ditët në vazhdim, ndërsa për suedezin vendimi përfundimtar do të jepet pas datës 15 gusht. Zlatan ka kërkuar kontratë 1-vjecare dhe 7 milionë euro në sezon. Kupola drejtuese e Milanit është vënë në lëvizje ditët e ardhshme, ndoshta mund të vijë dhe goditja e shumëpritur. Titulli i fundit kampion për Milanin u fitua më 2011 me Zlatan, falë Zlatan ndoshta këtë herë nëse transferimi realizohet mund të shpresohet sërish tek ky trofe.
Serie A
Inter i prish punë Liverpool për Naby Keitan. “The Reds” prej kohësh duan të sigurojnë shërbimet e yllit të RB Leipzig, por së fundmi në garë për lojtarin janë vendosur edhe zikaltërit. Akordi mes klubit anglez dhe gjerman nuk është gjetur dhe ekipi milanez kërkon të përfitojë nga ky fakt për të tentuar firmën me 22-vjeçarin.
Genoa është në kërkim të një mbrojtësi qendre me eksperiencë për të përforcuar sa më mirë skuadrën. Presidenti Preziosi shikon në Milano për të gjetur profilin e duhur të lojtarit që i duhet. Në “radarë” është interisti Andrea Ranocchia dhe Cristian Zapata, por për këtë të fundit problem mbetet paga e lartë.