Trajneri i Manchester United nis sulmin ndaj atij të Chelsit ende pa nisur kampionati. Miq? Asnjëherë! Ashtu siç kanë konfirmuar edhe episodet e sezonit të shkuar. E vërtetë, në njëfarë pike Antonio Konte tentoi edhe ta çtensiononte situatën, duke e mbrojtur tezën se ai me Murinjon kishte vetëm një konflikt sportiv. Por në rastin e parë që i është dhënë, trajneri i Çelsit e lëshoi batutën e helmatisur kundër ish-trajnerit të bluve dhe lufta rinisi sërish.
Sepse Zhoze Murinjo nuk mban pengje. Aq më tepër kur bëhet fjalë për të thumbuar kritikët e tij kolegë, ashtu siç ka ndodhur së fundmi në rastin e kolegut të tij. Trajneri i zemëruar i Çelsit paralajmëroi skuadrën e tij kampione që të shmangte “një sezon Murinjo” dhe kundërpërgjigjja e trajnerit portugez nuk vonoi dhe erdhi pikërisht atje ku i dhemb më shumë italianit: duke marrë si referencë që dikur ish-mesfushori i Juventusit ka bërë një transplant flokësh.
“Nuk e di, unë mund t’i përgjigjem në shumë mënyra”, tha tekniku i Mançester Junajtid, në konferencën për shtyp, pas fitores 3-0 në miqësoren kundër Valarengës në Norvegji. “Por unë nuk do të humbas flokët e mia duke folur për Antonio Konten”, ironizoi ish-tekniku i bluve të Londrës.
Dhe duket se për t’i hedhur më tepër benzinë zjarrit, shërben edhe transferimi i Nemanja Matiçit nga “Stamford Bridge” në “Old Trafford”, për të cilin portugezi foli me superlativa pas zyrtarizimit:
“Nemanja është një lojtar i Mançester Junajtid dhe një lojtar i Zhoze Murinjos. Ai përfaqëson gjithçka ne kërkojmë te një futbollist: besnikërinë, përputhshmërinë, ambicien dhe qenien një lojtar skuadre.
Unë do të doja ta falënderoja për dëshirën e tij për të na u bashkuar neve, sepse pa atë do të ishte e pamundur që ta kishim këtu. Jam i sigurt se lojtarët dhe tifozët tanë do ta dashurojnë. Një mirëseardhje e madhe për numrin tonë të ri 31”, tha Mou, i cili hodhi poshtë edhe zërat e largimit të Maruan Felainit drejt Gallatasarajit: “Është më e lehtë që Gallatasaraji të më blejë mua sesa Maruan Felainin. Nëse u duhet një trajner, atëherë kanë një shans, por Maruan? Harrojeni! Ai është shumë i rëndësishëm për mua”.
Murinjo nis sulmin
Interi kërkon Joao Cancelo
Drejtuesit e Interit kërkojnë përforcime për mbrojtjen dhe për këtë kanë hedhur sytë nga 23-vjeçari i Valencias, Joao Cancelo. Sipas mediave spanjolle, zikaltrit kanë shfaqur interes për mbrojtësin gjatë tratativave të nisura me klubin nga Mestalla për kalimin e Jeison Murillo nën urdhrat e trjanerit Marcelino Garcia Toral. Gjithsesi për të arritur te kartoni i futbollistit më parë Interi duhet të mposhtë edhe konkurrencën e Juventusit, që ka kohë në ndjekje të portugezit.
Mbrojtësi danez, Simon Kjaer ishte një nga objektivat e Milanit në këtë merkato, por 28-vjeçari ka refuzuar kalimin te kuqezinjtë duke zgjedhur të transferohet në Spanjë te skuadra e Seviljes.
Kjaer prej 2 sezonesh ishte pjesë e Fenerbahçes në kampionatin turk, ku u aktivizua në 54 takime dhe arriti të realizonte 3 gola. Konkurrenca e madhe në mbrojtjen e Milanit ka qenë arsyeja kryesore, e cila e ka shtyrë mbrojtësin të pranojë ofertën e Seviljas duke mos u rikthyer në Serinë A. Në të kaluarën ai ka qenë pjesë e Palermos dhe Romës. Ditën e nesërme Kjaer do të kryejë vizitat mjekësore, më pas danezi do të nënshkruajë edhe kontratën 4-vjeçare. Lajmi për arritjen e marrëveshjes është bërë publik nga klubi spanjoll nëpërmjet faqes zyrtare në Twitter.
Pavarësisht refuzimeve të Leicester, Roma nuk dorëzohet dhe vazhdon të ushtrojë presion për të arritur te kartoni i Riyad Mahrez. Por pavarësisht si shkojnë gjërat deri në fund të merkatos, verdhekuqtë nuk kanë ndërmend të hasin në surpriza të pakëndshme dhe sipas mediave italiane, po vlerësojnë edhe alternativa të tjera. Një nga objektivët që shikohet si alternativa e algerianit është Lucas Vazquez i Real Madrid.
Manchester City pritet të largojë 3 lojtarë
Manchester City vazhdon të jetë aktiv në merkaton e transferimeve. Pasi shpenzoi 240.5 milionë euro për blerjen e 5 futbollistëve, tashmë “Citizens” i janë kthyer kapitullit të shitjes së futbollistëve. Trajneri Pep Guardiola e ka të qartë se cilët janë lojtarët që do t’i japin lamtumirën skuadrës së tij, 2 prej të cilëve duket se janë Nasri dhe Mangala.
“Nasri e di shumë mirë situatën e tij. Kemi shumë futbollistë të repartit të mesfushës, kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë. E njëjta histori edhe me Mangala. Këta dy futbollistë do të duhet të marrin vendimin e tyre, së bashku me përfaqësuesit që kanë. Ne do të kujdesemi për ta, për sa kohë do të jenë ende pjesë e jona”, tha Guardiola. Ai që e ka të sigurtë se do të largohet nga “Etihad Stadium” është Iheanacho, destinacioni i të cilit është Leicester City, diçka që u konfirmua nga vetë Guardiola.
Deri në këtë moment, Manchester City ka akumuluar vetëm 41.4 milionë euro nga shitja e disa prej futbollistëve, por i duhen edhe më shumë të ardhura nëse dëshiron që të bëjë përforcime edhe në repartin e prapavijës, ku objektivi kryesor është blerja e një qendërmbrojtësi.
Bayerni nuk lejon shitjen e Renato Sanches
Pas disa vitesh në “varfëri” merkatoja për Milanin duket se nuk ka fund pas kalimit nën pronësinë e kinezëve. Renato Sanches është një ndër objektivat që kuqezinjtë duan të kenë pjesë të tyre dhe oferta për të nuk mungon. 10 milionë euro nëse do të transferohej në formën e huazimit dhe 35-40 milionë euro për kartonin e lojtarit.
Por për klubin aktual të mesfushorit vlera e portugezit është 55-60 milionë euro, duke u dhënë kështu një përgjigje negative negociatorëve kuqezi. Tashmë mbetet për të kuptuar se nga do të anojë vullneti i 19-vjeçarit, i cili deri më tani ka gjetur shumë pak hapësira tek kampionët gjermanë.
Mavraj kapiten te Hamburgu
Përveçse një prej lojtarëve më të rëndësishëm, Mërgim Mavraj do të jetë edhe një prej liderëve të Hamburgut për sezonin e ri. Skuadra e Bundesligës mbylli fazën përgatitore në Austri, me ndeshjen miqësore të luajtur përballë turqve të Antalyaspor.
Ajo që spikati në startin e testit, ishte fakti që mbrojtësi kuqezi mbante shiritin e kapitenit, ndërsa përballë tij kishte as më shumë e as më pak, por Samuel Eto’o. Kjo ishte hera e parë që Mavraj mbante shiritin e kapitenit te Hamburgu, ndërsa në fund skuadra gjermane u mposht me rezultatin 2-0. Antalyaspor shënoi në minutën e 39-të me Maicon.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare luajti vetëm në 45 minutat e para të miqësores, me trajnerin Markus Gisdol që i dha mundësi të gjithë futbollistëve të aktivizoheshin. E ndërsa Hamburgu shfaqi probleme në fazën sulmuese, duke mos arritur të finalizonte mundësitë e krijuara, në të 61-tën rivalët nga Superliga turke dyfishuan rezultatin me kamerunasin Eto’o, i cili shënoi me 11-metërsh.
Mziu inspekton punimet në rrugën “Elez Isufi” në Kamëz
Vijon puna intensive e Bashkisë Kamëz për realizimin e investimeve publike
Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, inspektoi një nga investimet që po realizohen në lagjen 1 në Bathore. Bëhet fjalë për ndërtimin e rrugës “Elez Isufi”, projekt që do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës urbane në lagjen 1 Bathore. Rruga “Elez Isufi”, me gjatësi 506 ml, do të ketë gjerësi 4.5 ml, kunetë dhe trotuare 1 ml në të dyja anët e saj, si dhe ndriçimin gjatë gjithë segmentit rrugor.
Bashkia Kamëz ka përfshirë në prioritetet e investimeve të saj edhe këtë rrugë, e cila do të financohet nga të ardhurat e vetë Bashkisë, meqenëse nga qeveria nuk është akorduar asnjë qindarkë për projektet, nga të cilat do të përfitonin banorët e Kamzës. Në këtë mënyrë vijon puna intensive e Bashkisë Kamëz për përmirësimin e infrastrukturës urbane, gjë që përbën një ndër synimet kryesore të Bashkisë dhe të kryebashkiakut Xhelal Mziu.
Lideri suprem shkarkon Drejtorët e spitaleve
Pas drejtuesve të hipotekave, lideri suprem ka shkrakuar dje Drejtorët e Spitaleve. Ai ka zhvilluar pasditen e të hënës takim me drejtuesit e spitaleve rajonale në vend. Gjatë fjalës së tij, Rama kërkoi shkarkimin e të gjithë drejtueseve të Spitaleve Rajonalë për paaftësi menaxheriale. “Largimi i menjëhershëm nga drejtimi i spitalit nesër, nuk është zgjidhja e këtij problemi por fillimi i zgjidhjes”, ishte deklarata e Ramës.
Sipas shefit të qeverisë rritja e cilësisë së shërbimit shëndetësor, kalon përmes thellimit me kurajo e vendosmëri të reformës së sistemit të shëndetësisë. Pika kur Kryeministri u ndal ishte:
Ristrukturim tërësor i organizimit në territor të institucioneve të shëndetit publik
Largim i të gjithë drejtuesve aktualë të spitaleve e të institucioneve të shëndetit publik, dhe afirmim i një profili të ri drejtuesi menaxher në shërbimin spitalor përmes konkurseve publike për çdo drejtori spitali dhe institucion të shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë
Fuqizim i mbështetjes financiare për specialistët që angazhohen jashtë Tiranës
Nisja e procesit për jetësimin e Autonomisë Spitalore
Struktura dhe mekanizma të reja shërbimi përmes partneritetit publik – privat.
“Ju mbani përgjegjësi për mosplotësimin e kërkesave të pacientëve, të cilët janë të detyruar që të vinë në Tiranë për të marrë shërbimin e e kërkuar. Ju nuk bëni një kërkese për ta sjellë mjekun e specializuar nga Tirana për tek pacienti dhe ata janë të detyruar që të vinë në kryeqytet, duke shkaktuar fluks. Gatish,mëria e 3 spitaleve në Tiranë është e plotë. Mjafton të sjell në vëmendje situatën e protezave në Gjirokastër.
Në vend që të bashkëpunohej me drejtorin e Spitalin e Traumës për të çuar mjekët atje, refuzoheshin protezat me argumentin se nuk kishe mjekë. Kjo është skandaloze. Të gjithë spitalet nëpër rrethe i sjellin pacientët në Tiranë dhe kjo sjell radhë të pajustifikueshme në Tiranë. Disa shërbime mund të trajtohen fare mirë në spitalet rajonale të vendit. E kujt është kjo përgjegjësi?
Këtu kemi të bëjmë me një drejtim pa sy e pa zemër. Në vend që të ankoheshin mjekët në Tiranë, por atyre nuk ia ka ardhur një kërkesë e vetme që mjekët e specializuar të dalin jashtë Tiranës. Shumë prej mjekëve apo infermierëve nuk gjenden në vendin e duhur gjatë orarit zyrtar dhe qytetarët sorollaten “, tha Rama.
Më tej ai ftoi njerëz të aftë që të konkurrojnë për drejtimin e spitaleve në vend. Ai tha se konkurruesit mund të vinë nga brenda apo jashtë shtetit apo nga çdo qytet.
Si Kadare ndërhyri për të shpëtuar motrën
Nga Kastriot DERVISHI
Dosjet agjenturore “Shtriga” dhe “Krokodili”
Letra e datës 2.4.1980 e shkrimtarit Ismail Kadare drejtuar Enver Hoxhës, është pjesë e një historie “me grupe armiqësore” të nisur në vitin 1978, në të cilën implikohet edhe motra e tij, Kadria. Njohja e letrës pa ditur shkakun e saj është një histori e copëzuar dhe pashpjeguar mirë. Shkrimi i kësaj letre është një përpjekje njerëzore për të shpëtuar motrën e vet nga burgosja, thuajse e sigurt. Ajo letër është gati e njëllojtë për nga përmbajtja dhe qëllimi me qindra letra të tjera të të dënuarve që kërkojnë faljen e dënimit me vdekje.
Kadria, ose Kakuja siç e njohim ne, ka qenë një antikomuniste e njohur në vitet ‘70-‘80, e sinqertë më shumë nga ç’duhej në atë lloj shoqërie të gatshme për të spiunuar. Në shumë raste, agjitonte kundër regjimit, duke pasur për bazë edhe bisedat që bënte në shtëpi. Duke mos menduar asnjëherë për rrezikun që i vinte nga ziliqarët, spiunët e dashakeqët, ajo i deklaronte me një sinqeritet të habitshëm mendimet e veta. Kadria është këshilluar nga zëvendësdrejtori i Punëve të Brendshme të Tiranës, Nusret Dautaj, ndërsa vëllai i saj është thirrur në Komitetin e PPSH-së së Tiranës. Këtu e kanë këshilluar që meqë është prekur emri i Enver Hoxhës, duhej patjetër t’i bënte një letër atij.
Në vitin 1978, Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, mbi bazë të një denoncimi nisi, çeli dy probleme të centralizuara: “Shtrigat” dhe “Krokodili”. Në thelb të këtyre çështjeve ishte emri i Enver Hoxhës, i zënë me gojë në mënyrë të ashpër edhe për pederastinë e tij nga disa prej personave të implikuar. Çështja përfundoi me disa burgosje, këshillime dhe me një vetëvrasje.
Asamble Hatibi kishte pakënaqësi ndaj regjimit, sepse në mënyrë mizore komunistët i vranë në mënyrë kriminale bashkëshortin në vitin 1947. Ajo u arrestua shumë shpejt me urdhër të Feçor Shehut sapo përforcoi fjalët për figurën e keqe morale të Enver Hoxhës. Kësisoj organet e Punëve të Brendshme ishin vigjilentë për të mbrojtur kreun e regjimit të Tiranës.
Vendimi për hapjen e dosjes agjenturiale “Shtrigat”, u mor më 27.9.1978. Në të u implikuan:
1-Asamble Hatibi, lindur më 1924 në Tiranë, punëtore në ndërmarrjen artistike “Migjeni”, u vu në përpunim aktiv 2A më 18.7.1978. U arrestua më 10.10.1978. U dënua me 7 vjet burgim në bazë të nenit 55 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë. Ajo kishte thënë:
“Koçi Xoxe me Enver Hoxhën kanë qenë njëlloj, kanë punuar bashkë, por Enveri kur pa se Koçin e donin më shumë dhe ishte rrezik se do ta ulnin atë dhe do të vinin Koçin, atëherë ktheu politikën dhe bëri grusht, nuk sulmoi jugosllavët, por ia vuri të gjitha Koçit, demek se ishte katil…Çdo 10 vjet Enveri bën fushata vrasjesh siç qe rasti i Beqir Ballukut, Kiço Ngjelës, etj. Ky ka qenë shkaktar i (vrasjes) së vëllezërve Kokalari gjatë luftës, burri tim Galip Hatibi e shumë të tjerëve. Ai vret ata që dinë për të, është pederast, pis, “Zeus”, vrasës, diktator si Franko, etj”.
2-Kadrie Kadare, lindur më 1937 në Gjirokastër, pedagoge në ILB Kamëz. U vu në përpunim paraprak më 15.7.1978. Më parë ishte marrë në përpunim aktiv 2A më 3.11.1976, fillimisht si “si agjente e mundshme” në shërbim të zbulimeve të huaja e më pas iu ndryshua tendenca në agjitacion e propagandë më 4.2.1977. U këshillua më 3.8.1978. Megjithatë, vazhdonte të bënte agjitacion e propagandë, sepse “flet shumë ashpër kundër udhëheqësve të partisë e të shtetit”. Fjalët e saj ishin ndër të tjera: “Shteti harxhon valutë për të përkthyer veprat e Enver Hoxhës për t’i botuar jashtë, por bota nuk pyet për to. Vëllai im ia ka hedhur Enver Hoxhës dhe ai është i zoti. Po ndërroi situata do mbretërojë me librat e tij”.
3-Eqerem Biba, lindur në Tiranë më 1917, redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Ka një histori të vitit 1964. U vu në përpunim 2A më 14.9.1978. I përmenden bisedat që ka zhvilluar kur jetës luksoze të udhëheqësve. U arrestua më 20.2.1980. U dënua me 9 vjet heqje lirie në bazë të nenit 55 të Kodit Penal.
4-Lela Petrela, lindur në Tiranë më 1923, muzikant, mësues fizike. U vu në përpunim 2A më 23.9.1978. Ishte këshilluar në vitin 1951. Zhvillonte biseda armiqësore. Citohej se në shtëpinë e tij shiheshin filma të huaj se ai diskutonte keq për Leninin, etj.
5-Durim Hatibi, lindur në Tiranë më 1947, biri i Asamblesë, punëtor në Ndërmarrjen Gjeologjike. Në kallëzim për të thuhej: “Është tepër korrekt, tepër i mbyllur, por në gjoksin e tij zien një vullkan”. U këshillua.
6-Marilda Veshi, lindur më 1935 në Shkodër, redaktore në shtëpinë e librit shkollor. U vu në përpunim paraprak më 15.9.1978. shënohet se bënte biseda armiqësore me bashkëshortin e saj Lefter Veshi (drejtor i Institutit të Tokave). U këshillua.
7-Tomson Baçi, lindur në Tiranë më 1945, inxhinier pyjesh në Pogradec. Kishte shoqëri me Asamblenë dhe personat e tjerë dhe bënte biseda politike me ta. U tentua të tërhiqej në bashkëpunim, por refuzoi dhe kreu vetëvrasje.
8-Fatbardha Qorri (Deliu), lindur në Tiranë më 1927, nëpunëse në pension. U arrestua më 21.9.1979. Cilësohej “element antiparti”, lidhje e Todi Lubonjës. Shoqe e Asamble Hatibit. U dënua me 5 vjet burgim në bazë të nenit 55 të Kodit Penal.
9-Drita Çaushi, pedagoge në ILB Kamëz. Shoqe me Asamblenë, me të cilën ka zhvilluar biseda armiqësore. U këshillua.
Denoncimet nisën pas kallëzimet më 12.8.1978 ndaj Asamblesë dhe shoqeve të saj. Kohë pas kohe, u informua për zhvillimet sekretari i parë i Komitetit të PPSh-së së Tiranës, Simon Stefani.
Në problemin e centralizuar “Krokodili” u implikuan:
1-Eqerem Biba, (nxjerrë nga “grupi” i mësipërm)
2-Hysenil Dume, lindur në Selanik më 1925, nëpunës në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, i përjashtuar nga partia, arrestuar më 5.7.1980. U dënua me 9 vjet burgim sipas nenit 55 të Kodit Penal.
3-Xhelal Ramku, lindur në Tiranë më 1932, i përjashtuar nga partia, nëpunës, arrestuar më 21.3.1980. u dënua së bashku me Eqerem Bibën, me 9 vjet burgim sipas nenit 55 të Kodit Penal.
Vendi jashtë kontrollit, 2 të vrarë në Vlorë dhe Shkodër
Dy persona janë vrarë me armë zjarri gjatë 24 orëve të fundit në Vlorë dhe në Shkodër. Mbrëmjen e të dielës u ekzekutua me armë zjarri një 37-vjeçar në Vlorë, ndërsa mesditën e djeshme u vra një 50-vjeçar në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 në “Fushë të Cukalit”, Bashkia Vau i Dejës, ku u vra me armë zjarri automatik shtetasi, Mëhill Pali. Pali u qëllua me 6 plumba dhe u dërgua menjëherë në spital, por humbi jetën si pasojë e plagëve të marra. Policia bëri të ditur se, vrasja ka ndodhur për një vijë uji. Policia tha se ka arrestuar autorin e vrasjes, Pjetër Pjetri, banues në fshatin Logegaj, Bashkia Vau i Dejës.
Vendi ndodhet jashtë kontrollit, ku si pasojë përditë ndodhin vrasje, grabitje me armë dhe mbytje pushuesish në brigjet tona. Siguria e jetës së qytetarëve është në rrezik, ndërsa policia është e paaftë për të goditur krimin dhe për të vendosur rendin dhe sigurinë. Ndërsa përditë ndodhin vrasje e grabitje me maksa, kryeministri vazhdon shoun e tij nëpër qytete të ndryshme të vendit dhe nuk bën asnjë reagim për vrasjet në mes të ditës.
Si u ekzekutua me 6 plumba 37-vjeçari në Vlorë
Një vrasje e tipit mafioz ndodhi mbrëmjen në të dielës në qendër në qytetit të Vlorës. 37-vjeçari Marjen Xhaferaj u qëllua me 6 plumba pistolete në një tavolinë të lokalit të tij, në zonën e Lungomares. 37-vjeçari njihej në Vlorë me emrin “Reni” dhe është baba i tre fëmijëve. Ishte ora 21:15 kur një person iu afrua dhe e zbrazi karikatorin e pistoletës. Viktima kishte gjithashtu një pistoletë me vete, por nuk mundi ta përdorte. Vrasësi u largua në këmbë për të humbur gjurmët mes pallateve të shumta të zonës. Në momentin e atentatit ka pasur shumë pushues, të cilët janë tronditur nga ngjarja, duke krijuar një situatë jo të mirë si për ta ashtu edhe turistët e huaj që ndodhen në qytet.
Viktima ishte në tavolinë me një tjetër person, i cili nuk dihet ende nëse ka mundur ta shquajë atentatorin sa për të ndihmuar policinë që të ndërtojë një identikit. Marjen Xhaferaj mbeti i vdekur në vend. Policia tha se ai ishte një person me precedentë penalë. Kishte ndryshuar disa herë identitet. Njihej edhe si Marjen Omeri, e po ashtu edhe me disa emra të tjerë.
Të gjitha gjeneralitetet e ndryshuara dyshohet se kanë lidhje me të shkuarën e tij kriminale. E shkuara është edhe pista kryesore e hetimit. Por policia dyshon edhe për një lidhje me një ngjarje kriminale të dy viteve më parë, ku në afërsi të Portit të Durrësit mbeti i vrarë nipi i tij. Në këtë krim, ai kishte qenë dëshmitar. Xhaferaj dyshohet të ketë pasur probleme edhe kohët e fundit dhe kjo ishte arsyeja përse ai mbante me vete një pistoletë pa leje, e cila iu gjet nga policia në vendin ku ai u vra.
Hetimet e Prokurorisë
Dyshohet se vrasja e 37-vjeçarit në Vlorë ka lidhje me një ngjarje tjetër kriminale të ndodhur dy vite më parë, në afërsi të Portit të Durrësit, ku ka mbetur i vdekur nipi i viktimës. Burime pranë grupit hetimor bënë të ditur se dy muaj më parë, ai shpëtoi në një tentativë për ta eliminuar, në një kazino në Vlorë. Ngjarja nuk u bë publike në atë kohë. Por ngjarja më e bujshme është ajo e ndodhur më 21 dhjetor të vitit 2015 në afërsi të Torres, përballë Portit të Durrësit. Në këtë ngjarje mbetën të vrarë Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj, nip i Renato Omerit.
Burime të rezervuara nga grupi hetimor sqarojnë se, shënjestër e atentatit me dy viktima, ka qenë pikërisht 37-vjeçari, baba i tre fëmijëve. Por ai ka mundur t’u shpëtojë breshërive të plumbave të dala nga dy kallashnikovë. Prej kësaj ngjarje 37-vjeçari ruhej, i kishte lëvizjet e kufizuara pranë shtëpise apo lokalit të tij dhe gjatë gjithë kohës lëvizte i armatosur.
Ai mbante një pistoletë në brez edhe kur u qëllua nga një person ende i paidentifikuar. Kjo është arma që policia e gjeti afër trupit të tij, në lokalin që ai kishte në zonën e Lungomares. Policia tha se, po heton disa pista në përpjekje për të gjetur autorin dhe motivin e krimit, ndërsa nuk përjashtohet që motivi i krimit nga veprimet e para hetimore dyshohet se ka lidhje me të kaluarën e viktimës. Ai rezulton një person me precedent kriminal në Europë dhe kryesisht në Itali në fushën e narkotrafikut.
Përdorte disa emra, por vetëm dy kishte të regjistruar në gjendjen civile. Renato Omeri ishte emri i tij i vërtetë ,ndërsa njihej dhe si Marjen Omeri dhe Marjan Xhaferaj, duke mbajtur në këtë rast mbiemrin e bashkëshortes.
R.POLISI