22.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Avokati i ‘Ballist’ Morinës flet nga Kroacia: Pse kërkuam azil politik

Tifozet Kuq e Zi, gjate ndeshjes se futbollit ndermjet ekipeve kombetare, Shqiperi-Armeni, 2-1, e vlefshme per eleminatoret e "Euro 2016" ne France, e luajtur ne stadiumin "Elbasan Arena", ne qytetin e Elbasanit. /r/n/r/nAlbanian fans, during the Euro 2016 qualifying round football match between Albania and Armenia, 2-1, at the Elbasan Arena Stadium.

Shtetasi i Shqipërisë, Ismail Morina i njohur në opinion me nofkën “Ballisti”, për të cilin Serbia ka kërkuar ekstradimin nga Kroacia, për shkak të dronit me flamur në ndeshjen e futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd në vitin 2014, përveç ankesës së dorëzuar në Gjykatën Supreme të Kroacisë, ka kërkuar azil politik në këtë vend. Azilin politik, Morina e ka kërkuar për shkak të frikës që në rast të ekstradimit në Serbi, nuk do të kishte gjykim të drejtë. Lidhur me këtë rast, në Kroaci flitet vetëm në rrafshin e gjyqësorit dhe jo në atë politik.
Darko Butigan, avokat nga Dubrovniku, i cili përfaqëson shtetasin e Shqipërisë, Ismail Morina, duke folur për Radion “Evropa e Lirë”, ka sqaruar se mbi çka bazohet ankesa në Gjykatën Supreme të Kroacisë lidhur me vendimin e Gjykatës së Qarkut të Dubrovnikut për ekstradimin e Morinës në Serbi. Sipas tij, Morina nuk ka bërë vepër penale, për të cilën ngarkohet.
“Republika e Serbisë kërkon ekstradimin e Ismail Morinës për veprën penale nga neni 317, alineja 3, i Ligjit Penal, për vepër penale të nxitjes urrejtjes nacionale, racore dhe fetare, si dhe mostolerancës. Gjatë gjithë procedurës, ne themi se flamuri i caktuar i cili ka rënë mbi atë stadium nuk përmban kurrfarë elementësh të thirrjes për urrejtje nacionale, racore ose çfarëdo urrejtje tjetër ndërmjet popujve”, tha avokati Butigan.
Ai gjithashtu ka sqaruar se bëhet fjalë për flamurin me fotografitë e dy baballarëve të kombit shqiptar, Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit, të cilët në konferencën e Londrës në vitin 1913, kanë kërkuar që Shqipëria të jetë në kufijtë, të cilët kanë figuruar në atë flamur.
“Kjo është e gjitha për të cilën flet ai flamur. Ndërkaq, pas ndeshjes në Serbi, nuk ka pasur kurrfarë përshkallëzimi të dhunës ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, dhe me këtë nuk është nxitur kurrfarë urrejtje nacionale ndërmjet popujve. Incidenti, i cili ka ndodhur në ndeshje, në tërësi bie mbi përgjegjësinë e Policisë, gjegjësisht mbi organizatorin e vet ndeshjes. Është përgjegjësi e tyre që tifozët kanë depërtuar në fushën e futbollit, aty ku nuk e kanë vendin”, tha Butigan.
Ai ka thënë se, në ankesë është vënë në dukje që Morinës në Serbi do t’i rrezikohej e drejta për gjykim të drejtë. Ankesa, sipas tij është krejtësisht e bazuar në fakte konkrete, të cilat tash për tash nuk do t’i bëj publike, përderisa procedurat janë në zhvillim e sipër.
Avokati Butigan ka theksuar që si mundësi e mbrojtjes shtesë për të mos u ekstraduar në Serbi, Morina ka kërkuar azil në Kroaci, me shpjegimin që për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare, në Serbi nuk do të kishte gjykim të drejtë. Procedura për miratimin e mbrojtjes ndërkombëtare në Kroaci zgjat 6 deri në 10 muaj.
Në rast se Gjykata Supreme e Kroacisë, refuzon ankesën e tyre, Butigan ka theksuar se do të ankohet edhe më tej. “Absolutisht, do të shkojmë tutje në Gjykatën Kushtetuese e madje, nëse do të jetë e nevojshme, deri në Strasburg, sepse bëhet fjalë për shkelje të të drejtave themelore dhe lirisë së njeriut”, tha Butigan.
Në Gjykatën Supreme të Republikës së Kroacisë ende nuk e kanë pranuar rastin. Siç është konfirmuar zyrtarisht, Gjykata do të vendosë me procedurë urgjente, por që edhe kjo do të zgjasë. Butigan vlerëson se kjo mund të zgjasë deri në 2 muaj.
Avokati Branko Sheriq nga Zagrebi, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se, vendimi i mundshëm i Gjykatës Supreme, me të cilën konfirmohet ekstradimi, bëhet i plotfuqishëm në momentin kur edhe merret ai vendim. Por, sipas tij, është e mundur që Gjykata Supreme të anulojë vendimin për ekstradim nga Gjykata më e ulët dhe rastin ta kthejë në Dubrovnik për një vendim të sërishëm. Në rast se përsëri vendimi do të jetë për ekstradim, hapi i ardhshëm i avokatit të Morinës, do të ishte Gjykata Kushtetuese.
“Pas kësaj, personi që kërkohet për ekstradim, në qoftë se nuk është në procedurën e kontrollit për azil, mund të paraqesë padi në Gjykatën Kushtetuese, në rast se vërtetë ekziston dyshimi i arsyeshëm për cenimin e të drejtave themelore të njeriut të atij personi. Siç e dimë, procedura është e gjatë. Megjithatë, ekziston mundësia që nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kroacisë të kërkohet e ashtuquajtura masa e përkohshme, vendim i cili do ta pezullojë kryerjen e vendimit të plotfuqishëm për ekstradim, deri në momentin që Gjykata Kushtetuese nuk e zgjidh çështjen”, theksoi avokati Sheriq.
Morina, i cili është arrestuar në muajin qershor në Dubrovnik, derisa po udhëtonte drejt Italisë, po qëndron në burgun e atjeshëm deri në një vendim të ardhshëm. Avokati Butigan ka theksuar se është në kontakt të rregullt me të. Sipas tij, Morina po trajtohet sikurse të gjithë personat e tjerë të paraburgosur.

Gazetari amerikan, viziton në burg “Ballist” Morinën

Gazetari James Montague, i cili ka publikuar më parë një artikull të gjatë në ‘New York Times’ për çështjen e dronit në ndeshjen Serbi-Shqipëri, ka vizituar së fundmi Ismail Morinën, që ndodhet në një prej burgjeve të Kroacisë.
Montague ka deklaruar se Morina është tjetër njeri nga ai që ka takuar dy vite më parë, si dhe frikësohet për jetën e tij nëse ekstradohet në Serbi. “Kur e pashë, ai ishte shumë i frikësuar, ishte një person tjetër nga ai që takova dy vjet më parë kur e intervistoja. I kishte prerë flokët, kishte hequr mjekrën, ishte i frikësuar për të ardhmen e tij, veçanërisht nëse ai do të ekstradohej dhe kishte frikë më shumë se çdo gjë, sepse ai besonte se jeta e tij në Serbi do të rrezikohej”, ka deklaruar gazetari.
Më datë 11 gusht, Gjykata kroate do të vendos nëse Ismail (Ballist) Morina do të ekstradohet apo jo në Serbi, ndërsa çështja mund të kalojë edhe në Ministrinë e Drejtësisë së Kroacisë.

Mziu: Qeveria nuk jep leje mjedisore dhe nuk financon landfillin për mbetjet

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu prezantoi dje para mediave zgjidhjen e planifikuar nga institucioni i tij prej vitesh si dhe apeloi për bashkëpunim ndaj institucioneve qendrore për dhënien e lejes mjedisore në Valias si dhe ngritjen e një landfilli të ri.
Problematika e krijuar në venddepozitimin e mbetjeve në Kamëz ka bërë që kryebashkiaku Xhelal Mziu ta vlerësojë jo vetëm që nga dita e parë, por edhe të jetë absolutisht i angazhuar sikurse prej vitesh në 3 mandatet e drejtimit të tij për një qytet të pastër. Situata e krijuar në pikën e depozitimit të mbetjeve, si pasojë e rënies së zjarrit te vendi i quajtur Argjinatura, ka krijuar probleme në zhvendosjen e plehrave në qytet. Kjo nuk do të thotë që Bashkia Kamëz nuk ka qenë aspak e përgatitur për të pasur alternativa, si dhe për t’u bërë ballë situatave të tilla me të cilat do të ndeshej. E gjendur përballë fenomenit të krijuar javën e fundit, ardhur për shkak të zjarreve, një problem i cili me të drejtë ka bërë që banorët të cilët janë pranë këtij venddepozitimi të jenë të irrituar dhe protestojnë, Bashkia Kamëz ka punuar dhe po punon 24 orë për t’i dhënë zgjidhje problemit. Me gjithë strukturën e Bashkisë, por edhe me persona të tjerë, të cilët janë kontaktuar edhe privatisht, po punohet intensivisht për heqjen e këtyre mbetjeve për të mos krijuar problematika me qytetarët.
Mziu ka takuar edhe ambientalistin Sazan Guri, si dhe ka pranuar të takojë edhe një përfaqësi të banorëve, mjafton që ata të ishin banorë të Bashkisë Kamëz dhe të mos përdoreshin politikisht, pasi organizatori kryesor i protestës ishte përfaqësues i PS-së dhe me banim në Zall-Herr, njësi administrative e Tiranës. Në këtë komunikim me mediat, kryebashkiaku Xhelal Mziu dha argumentet e tij në funksion të zgjidhjes së situatës, duke qenë transparent me qytetarët.
“Duhet theksuar se pika e venddepozitimit të mbetjeve ku aktualisht ato hidhen është brenda normave teknike e ligjore, e miratuar, ku akt miratimi i rifreskuar i lejes së mjedisit të tipit C është bërë nga Agjencia Rajonale e Mjedisit më 12.8.2016, me nr. prot. 724 dhe nr. identifikimi të lejes 724 dhe e konfirmuar nga Ministria e Mjedisit më 26.10.2016 me nr. prot. 6976 nr. identifikimi 193. Pra, zona ku deri më tani hidheshin dhe hidhen mbetjet urbane të Bashkisë Kamëz, është brenda të gjitha normave, sepse kjo zonë nuk ishte e populluar deri në kohën në të cilën është bërë miratimi si venddepozitim i mbetjeve urbane të planifikuar për qytetarët e kësaj njësie administrative, duke qenë një pikë grumbullimi prej 20 vitesh. Menaxhimi i mbetjeve nuk është vetëm një shqetësim për Bashkinë Kamëz, por thuajse për 90% të bashkive të Shqipërisë, të cilat vazhdojnë që të kenë trajtimin e mbetjeve urbane në mënyrë gati primitive, pra që s’kanë një landfill”, tha Mziu.
E gjendur në këto kushte, Bashkia Kamëz, kryebashkiaku Xhelal Mziu jo vetëm në këto ditë, por edhe disa vite më parë ka kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje për ndërtimin e një landfilli që të jetë bashkëkohor, por që të mos krijojë problematika edhe për qytetarët. Kjo kërkesë e Bashkisë Kamëz sigurisht që ka rënë në vesh të shurdhër. Kjo qeveri e ka diskriminuar politikisht Kamzën dhe banorët e saj. Në sirtarët e qeverisë flenë mbi 135 projekte që nuk janë financuar.
Bashkia Kamëz ka qenë gjithnjë në anën e qytetarëve dhe mbështet çdo pakënaqësi të tyre dhe jep mbështetjen për zgjidhjen e çdo problemi, por asnjë banor i Kamzës nuk duhet të përdoret politikisht. Përgjegjshmëria e Bashkisë Kamëz ndaj qytetarëve ka qenë dhe është maksimale, si në shërbimet e ofruara, ashtu edhe investimeve të kryera në infrastrukturë.

Inspektoriati heq përgjegjësinë për shpërthimin

Inspektoriati Shtetëror Teknik heq nga vetja të gjitha përgjegjësitë për ngjarjen e rëndë që ndodhi në restorantin “Il Cavaliero” në Velipojë, ku humbi jetën pronari i tij dhe u plagos i biri me dy persona të tjerë.
Drejtori i Inspektoriatit që kontrollon pajisjet me presion sqaroi që ky subjekt është kontrolluar disa muaj më parë. Por, ai zbuloi se inspektorët janë mjaftuar vetëm me deklarimin e pronarëve dhe nuk kanë kontrolluar në ç’gjendje janë bombulat apo çisterna 1 mijë litërshe, që ishte vendosur në bodrumin e restorantit, pa leje dhe jashtë kushteve teknike. Siç rezulton nga ky pohim, kontrollet e Inspektoratit Shteteror Teknik janë fiktive. Vetë drejtori thotë se kontrolli në çdo subjekt është i pamundur.
Në shkurt të 2016-ës, Inspektoriati Shtetëror Teknik paralajmëroi masa të ashpra për të gjithë shkelësit e rregullave të instalimit të pajisjeve me gaz, nisur nga një ngjarje e rëndë që ndodhi në fshatin Beragozhdë të Pogradecit, ku u plagosën 30 persona. Një vit e gjysmë më pas, asgjë nuk ka ndryshuar dhe përdorimi jashtë kushteve teknike i pajisjeve që mbajnë gazin e lëngshëm, vazhdon të shkaktojë viktima.

Shpërthimi, djali i pronarit të resortit niset për Turqi

Katër ditë pas ngjarjes së rëndë ku mbeti i lënduar nga shpërthimi në një lokal në Velipojë, familjarët kanë vendosur ta nisin për në Turqi, Hektor Zejnunin. Shefi i repartit të djegie plastikës në QSUT, Gjergji Belba konfirmoi se 33-vjeçari është lejuar të dërgohet për një mjekim më të specializuar. Edhe pse i djegur në 70% të trupit, sipas Belbës, i riu ishte në gjendje të stabilizuar. I ndërgjegjshëm, por plagët e shkaktuara nga zjarri e mbajnë akoma në një gjendje të rrezikuar për jetën. Zejnuni mësohet të jetë nisur mesditën e djeshme për në Turqi me shpenzimet e familjarëve.
I ati i tij, Besnik Zejnuni, ndërroi jetë mbrëmjen e së shtunës, pasi nuk i rezistoi djegieve. Për shpërthimin i cili lëndoi dhe 20 persona të tjerë Prokuroria nisi hetimet ndërsa sipas raportit të Inspektoratit Teknik shkak u bë rrjedhja e gazit në çisternën 1 000 litërshe.

Zjarr i madh në Llogara dhe në kodrat me ullinj në Elbasan

Ajo çka nisi si një vatër e vogël zjarri në malin e Llogarasë, tani ka marrë përmasa të mëdha. Bëhet e ditur se shërbimet zjarrfikëse të Vlorës dhe Himarës janë njoftuar, por deri më tani ende nuk ka asnjë ndërhyrje, ndoshta edhe prej terrenit të thepisur, siç mund të shihet edhe nga videoja. Mësohet se vetëm pas 8 orësh ka nisur operacioni për fikjen e kësaj vatre zjarri. Ndërkohë që vatra e zjarrit sa vjen e po zgjerohet në sipërfaqe edhe më të mëdha.
Dje në mesditë është dërguar një helikopter për shuarjen e zjarrit në Llogara. Helikopterit i është dashur të bëjë plot dy “xhiro” kot mbi vatrat e zjarrit. Kjo, pasi pilotët nuk e kishin vënë re që depozita e ujit u derdhej rrugës dhe në vend që të shuanin flakët, ofruan plot 2 herë një “shi” për plazhistët e Drimadhes.
Po ditën e djeshme, një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat me ullinj e shkurre në kodrat e Shijonit në Elbasan. Bëhet e ditur se zjarri po përparon si pasojë e erës dhe po u afrohet banesave. Po ashtu është riaktivizuar zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe pyll ahu në malin Babje, Njësia Administrative Qendër, Bashkia Librazhd. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 1 ha me shkurre e ferra dhe disa drurë ahu.
Emergjencat Civile raportojnë se gjatë 24 orëve të fundit janë konstatuar 5 vatra zjarri në pyje e kullota. Në fshatin Zhuri, Njësia Administrative Ndroq, Bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre dhe ferra.
Në Pyllin e Sodës, pranë Petroliferës, në Bashkinë Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e madhe me shkurre dhe disa pisha.
Në fshatin Tërbaç të Bashkisë Vlorë, ka rënë zjarr në vendin e quajtur Maja e Qorres. Shërbimi i MZSH Vlorë e ka pasur të pamundur për të vepruar për shkak të terrenit të thyer malor. Zjarri i favorizuar dhe nga era ka dalë nga krahu tjetër i malit në afërsi të Parkut Kombëtar të Llogarasë, Bashkia Orikum. Një helikopter është angazhuar në operacion për shuarjen e zjarrit.
Në fshatin Suk, Bashkia Këlcyrë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me lisa. Shërbimi i MZSH Këlcyrë së bashku me banorë të zonës dhe punonjës të bashkisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar me mjete rrethanore për të shuar zjarrin. Pas një pune të gjatë zjarri është shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre dhe disa lisa.

Mbytet një 50-vjeçar në Liqenin Artificial

Një person është mbytur pasditen e djeshme tek Liqeni Artificial në Tiranë. Policia është njoftuar nga qytetarët rreth orës 17:00, të cilët kanë deklaruar se një burrë i moshës rreth 45-50 vjeç është futur për t’u larë në liqen dhe nuk ka dalë më. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi i polumbarëve, të cilët kanë nxjerrë pas disa minutash kërkime trupin e pajetë të një burri rreth 50 vjeç. Policia ende nuk ka të dhëna për identitetin e personit që është mbytur. Policia bën të ditur se, më datë 31.07.2017, rreth orës 17:00, në numrin e Emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë për një shtetas të mbytur tek Liqeni Artificial.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ambulanca dhe grupi i polumbarëve të RENEA-s. Rreth orës 19:20 nga grupi i polumbarëve u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit të pajetë nga liqeni. Nga verifikimet  paraprake rezulton se trupi i pajetë i përket një shtetasi të gjinisë mashkull, rreth moshës 50 vjeç, rreth 1 e 70 i gjatë dhe me flokë të rëna. Po punohet për identifikimin e trupit të pajetë. Sipas deklarimeve të dëshmitarëve, shtetasi është futur në Liqenin Artificial për t’u larë dhe nuk ka dalë më. Grupi hetimor po vazhdon punën për zbulimin e shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.

Grabitet një pikë karburanti tek “Shkëmbi” i Kavajës

Persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një karburant tek Shkëmbi i Kavajës. Në karburant ndodheshin rojet me inicialet M.P. 37 vjeç dhe P.M. 52 vjeç, njëri banues në Shkallnur dhe tjetri në Golem. Kanë qenë dy persona të armatosur, të cilët kanë dhunuar dhe më pas kanë grabitur paratë e xhiros së pikës së karburantit. Policia bëri të ditur se grabitësit kanë arritur të marrin një sasi lekësh nën ushtrimin e dhunës ndaj rojeve të karburantit. Ende nuk është zbardhur identiteti i autorit, policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.
“Më datë 30.07.2017, te shkëmbi i Kavajës, tek një karburant një person i paidentifikuar, rojeve të karburantit M.P dhe P.M, vjeç 37 e 52 banues në Shkallnur e Golem, u ka marrë me dhunë një sasi lekësh. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Breshëri plumbash mbi “Audin”

Të shtëna me armë në lagjen “Kodër – Haxhë”, në Kamëz. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 01:20. Sipas policisë, persona ende të paindentifikuar kanë qëlluar me breshëri arme zjarri, në mjetin e parkuar tip “Audi”, në pronësi të shtetasit M.C. Bëhet me dije se nuk ka viktima në njerëz dhe se policia po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Në njoftimin e policisë thuhet se, më datë 31.07.2017, rreth orës 01:20, në numrin e Emergjencave 112 ka ardhur një telefonatë për të shtëna me armë në lagjen “Kodër – Haxhë”, në Kamëz. “Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe nga hetimet paraprake ka rezultuar se persona ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me breshëri arme zjarri, në mjetin e parkuar tip “Audi”, në pronësi të shtetasit M.C. Nuk ka patur dëmtime në njerëz. Në vendngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja arme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Shkoi të lahej në lumë, zhduket 14-vjeçari

Një djalë 14-vjeçar nga Shkodra është zhdukur prej 24-orësh. Ai quhet Valentin Çarkaj dhe familja e tij ka bërë apel për ndihmë. Valentini jeton prej vitesh jashtë vendit dhe nuk e njeh mirë qytetin e Shkodrës, thanë familjarët. Ata kanë bërë denoncim edhe në rajonin e Policisë, pasi i riu ka humbur ditën e dielë, kur tha se do të shkonte të lahej në lumë me një shok. Shoku i tij u kthye, por nuk ka dijeni se ku ndodhet Valentini. Kush ka informacione, u shpreh familja, është i lutur të kontaktojë në numrin e celularit: 069 62 69 778.

Basha: Rama, kampion i abuzimit me detyrën

Të dhënat e frikshme të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kreu i PD, Lulzim Basha i cilësoi si dëshmi e faktit se Rama është kampioni i abuzimit me detyrën dhe pasuritë publike. “Raporti i sapobërë publik i Kontrollit të Lartë të Shtetit shpjegon në detaje se dëmi ekonomik i shkaktuar nga keqqeverisja dhe abuzimi vetëm në dogana, tatime dhe tendera është afro 600 milionë euro. Është tjetër tregues skandaloz i një qeverisje qëllimi i vetëm i së cilës është grabitja e parave dhe pasurive të vendit. Në shfaqjen e tij tragjikomike Edi Rama është duke bredhur në Shqipëri për t’ju kërkuar njerëzve të denoncojnë ata që abuzojnë me detyrën. Nëse e ka seriozisht le të marrë raportin e KLSH-së dhe të pushojë dhe ndjekë penalisht drejtuesit e doganave, tatimeve dhe prokurimeve, dhe ministrat e funksionarët e tjerë publikë që kanë shkaktuar këto dëme. Por kjo nuk ka për të ndodhur, sepse në fakt Edi Rama është vetë shembulli dhe kampioni i abuzimit me detyrën dhe pasuritë publike për interesat e tij dhe klientëve të tij”.

Rritja e papunësisë në Shqipëri nuk ndalet

Komisioni Europian ka publikuar raportin e tremujorit të dytë për vendet kandidate dhe potenciale kandidate në Bashkimin Europian. Raporti thekson se rimëkëmbja ekonomike në Ballkanin Perëndimor ka vazhduar gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, edhe pse me një ritëm më të moderuar, duke u ngadalësuar në pothuajse të gjitha vendet, por sidomos në Serbi, e cila është ekonomia më e madhe në rajon. Megjithatë, investimet dhe konsumi privat vijuan të mbështesin rritjen në rajon. Pozicionet e jashtme kanë mbetur të dobëta, teksa deficiti i llogarisë korente u zgjerua në shumicën e vendeve. Zgjerimi ekonomik çoi në krijimin e mëtejshëm të vendeve të punës dhe normat e papunësisë kanë vazhduar të ulen në shumicën e vendeve, por ato mbeten të larta në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht progresit të mëtejshëm në konsolidimin fiskal, nivelet e borxhit publik, ende të larta, në shumicën e vendeve të rajonit mbeten një shkak për shqetësim. Raporti thekson se në mënyrë specifike, Shqipëria dhe Serbia po regjistrojnë ende normat më të larta të kredive të këqija në rajon, në 17.4% dhe 16.8% përkatësisht, të ndjekura nga Bosnja dhe Hercegovina (11.5%) dhe Mali i Zi (9.9%). Mes një situate ende sfiduese të tregut të punës në Ballkanin Perëndimor, rimëkëmbja e vazhdueshme ekonomike ka çuar në rritje të mëtejshme në nivelet e punësimit, edhe pse ritmi i krijimit të vendeve të punës u ngadalësua në disa vende. Në tremujorin e parë të vitit 2017, rritja vjetore e punësimit është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me tremujorin e kaluar në Shqipëri (nga 5.5% në 2.8%) dhe Serbi (nga 5.8% në 3.2%). Në anën tjetër, rritja e vendeve të punës u përshpejtua në Mal të Zi dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, duke kontribuar në një normë mesatare të rritjes të punës në Ballkanin Perëndimor në 3% me bazë vjetore në tremujorin e parë të vitit 2017. Për të njëjtën periudhë, rritja në nivelet e punësimit ka kontribuar në uljen e shkallës së papunësisë në shumicën e vendeve të rajonit, në raport me një vit më parë. Rënia ishte veçanërisht e rëndësishme (më shumë se 2 pikë përqindje) në Serbi dhe Shqipëri.