32.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

“Marrëzia pa fund” e lojërave të fatit, mungojnë 375 milionë euro

Në krye të listët së institucioneve të audituara nga KLSH dhe që kanë shkaktuar dëme të rënda financiare qëndron Autoriteti i Mbikëqyres Financiare në aksionin e famshëm të shpallur nga Rama të quajtur “Fundi i Marrëzisë”.
Super aksioni i Ramës kishte si qëllim konfiskimin e të gjitha pajisjeve të lojërave të fatit që nuk ishin të regjistruara dhe nuk kishin dokumentet përkatëse. Aksioni nisi pas ardhjes së Ramës në pushtet dhe përfshiu gjithë pikat e paligjshme të basteve ashtu, si edhe ato të lojërave të fatit. Qindra objekte dhe subjekte u bllokuan e ndoqën penalisht, atë kohë raportet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë flisnin për shifra si me normë për sekuestrot e vendosura në vetëm një ditë.
Por cili ka qenë rezultati i vërtetë i këtij operacioni? Përgjigjja më e mirë vjen nga shifrat zyrtare të nxjerra nga KLSH.
Raporti i fundit i auditimit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka zbuluar se në fushën e lojërave të fatit është vendosur një rekord i ri dëmi. Plot 375 milionë euro apo 50,2 miliardë lekë është shifra e të ardhurave të munguara që sipas KLSH nuk janë mbledhur nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Periudha e audituar i përket aktivitetit në tri vite 2014-2016 të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që përkon edhe me fillimin dhe fundin e aksionit “Fundi i Marrëzisë”, që synoi të sillte në shina aktivitetin e lojërave të fatit në vend. “Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën e përgjithshme 76,4 miliardë lekë, nga e cila Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, në vlerën 50,2 miliardë lekë si pasojë e mosushtrimit të kompetencave për kundravajtjet administrative për gjobat e pavendosura në kuadër të konfiskimeve të pajisjeve nga njësia e mbikëqyrjes financiare”, thuhet në raportin e KLSH.
Në raportin e tij, KLSH ndan dëmin e konstatuar në dy zëra. I pari është dëm i shkaktuar si rezultat i parregullsisë dhe shkeljeve financiare në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera afërsisht 14.4 milionë euro dhe i dyti dëmi që vjen si rezultat i shkeljes së disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara në shumën 575.5 milionë euro. Në total për pjesën e parë të vitit u zhvilluan 107 auditime nga të cilat vetëm 54 janë përfunduar dhe evaduar, 16 ende të paevaduar dhe 40 në proces auditimi.
Shifrat në raportin e KLSH tregojnë një administratë të sunduar nga paligjshmëria dhe mungesa e eficencës, e pakontrolluar apo mbikëqyrur nga institucionet qeveritare. Doganat paraqiten si ndër institucionet më pak eficente dhe më shumë të korruptuara, krahasuar me institucionet e tjera. Pas doganave, renditen Zyra e Prokurimeve Publike dhe Drejtoria e Tatim Taksave.
Në total nga 104 auditime, ekspertët e KLSH kanë konstatuar shkelje financiare. Konkretisht dëmi më i madh është shkaktuar në sektorin e doganave me 800 milionë lekëve, ku shkeljet më të mëdha janë gjetur në Doganën e Durrësit, në fushën e prokurimeve publike, vlera e përgjithshme e dëmit kap shifrën e gati 300 milionëve, pjesa më e madhe e konstatuar në Bashkinë Sarandë, Tepelenë dhe Himarë.
Shkelje të tjera ligjore me dëm financiar në buxhetin e shtetit janë gjetur edhe në sektorin e tatim taksave dhe në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore nga Ministria e Transporteve dhe ajo e Bujqësisë. KLSH ka zbuluar gjithashtu parregullsi dhe shkelje financiare me dëm ekonomik në të ardhura prej 74 milionë lekëve dhe 15 milionëve në shpenzime publike.
Auditimet në institucionet e administratës së vetë qeverisjes vendore e njësi të tjera në nivel vendor dhe auditimet në ministritë e institucionet qendrore zënë përqindjen më të lartë, konkretisht: Institucionet në nivel qendror zënë 18% të totalit të auditimeve; auditimet në institucionet e administratës së qeverisjes vendore e njësi të tjera në nivel vendor zënë 44% të totalit të auditimeve; në institucionet financiare dhe në shoqëritë me kapital të përbashkët shtetëror 16%; auditimet në drejtoritë e degët e tatimeve dhe doganave zënë 10%; auditimet në njësitë dhe projektet me financime të huaja 8%; auditimet në subjektet e mbrojtjes së mjedisit 4%.

Lojërat e Fatit, Rama ia dha me koncesion vëlla Olsit

Dështimi i AMLF-së merr rëndësi të veçantë po të rikujtojmë se në fillim të 2017-ës, qeveria Rama dha me koncesion ndërtimin dhe operimin e Sistemit Qendror të Monitorimit On-line të Lojërave të Fatit. Përmes një koncesioni abuziv, Edi Rama i ka dhënë vëllait të tij Olsi Rama marrjen nën kontroll të aktivitetit të lojërave të fatit, me qëllim pastrimin e parave të pista. Në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, koncesioni i është dhënë kompanisë, Mc Networking, e cila zyrtarisht figuron në pronësi të ortakut të Olsi Ramës, Endri Meksi. Me këtë të fundit, Olsi Rama është bashkortak në kompaninë Pegasus Communication.

Doganat, 6 milionë euro dëm ekonomik

Në sektorin e doganave, në vlerën e përgjithshme prej 798 898 milionë lekësh, konstatuar në institucionet:
Dega e Doganës Berat, në vlerën 108,570 milionë lekë nga të cilat, 13,616 milionë lekë si pasojë e nxjerrjes së vendimeve administrative jo në përputhje me Kodin Doganor;
56,538 milionë lekë veprime të kryera jo në përputhje me rregullat bazë të nomeklaturës së harmonizuar të mallrave;
18,291 milionë lekë veprime që kanë sjellë pasoja në keqadministrimin e regjimeve të përpunimit aktiv, shkelje të afateve të mbylljes së autorizimeve me veprimtarinë e përfaqësuesve doganorë për periudhën e juridiksionit të auditimit.
Dega e Doganës Elbasan, në vlerën 42,217 milionë lekë; nga të cilat 33, 996 milionë lekë si pasojë e klasifikimeve tarifore jo në përputhje me rregullat bazë të Nomenklaturës së Harmonizuar të mallrave, 1, 925 milionë lekë si pasojë e mosnxjerrjes së sanksioneve doganore për akcizën, 2.5 milionë lekë si pasojë e keqadministrimit të regjimeve të përpunimit aktiv në shkeljen e afateve të mbylljes së autorizimeve doganore.
Dega e Doganës Durrës në vlerën 648,111 milionë lekë si pasojë e shqyrtimit jo si duhet të vlerës doganore të mallrave dhe transportit, si dhe jo konfiskim të mallrave për sasi, të cilat kanë rezultuar tepër gjatë verifikimit të sasisë së deklaruar.

2.1 milionë euro tek Prokurimet Publike

– Procedurat e parregullta të prokurimit publik dhe mungesa e mbikëqyrjes ndaj këtij institucioni, kanë shkaktuar një dëm prej 2,1 milionë eurosh;

1.8 milionë euro të pambledhura nga tatim taksat

– Dështimi i mbledhjes së tatim taksave nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave ka shkaktuar një dëm prej 1,8 milionë eurosh;
540 mijë euro nga shkarkimet e padrejta nga detyra
– Shpërblimi i nëpunësve civilë të shkarkuar nga detyra ka sjellë një dëm prej 540 mijë eurosh.

Berisha: Këshilltari i Bashkisë, i dënuar për prostitucion, si mik i Arben Çukos

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar me postimin e tij të radhës këshilltarin e Bashkisë së Lushnjës, Arjanit Muço, i cili ka qenë i dënuar për prostitucion dhe sot është mik i Arben Çukos. Këtë denoncim Berisha e ka bërë nëpërmjet “qytetarit” dixhital.
“Në narkoshtetin e Noriegës trafikantët janë dhe më të preferuarit, për miq dhe këshilltarë! Lexoni postimin dhe shikoni fotot e qytetarit dixhital. Sb”.
“Zotëria me bluzë të kuqe, në krah të drejtorit të burgjeve, Arben Çuko, është Arjanit Muço, i dënuar për shfrytëzim prostitucioni. Aktualisht anëtar i këshillit në Bashkinë Lushnjë dhe këshilltar personal i Arben Çukos”.

Terror kolektiv, Rama shkarkon të gjithë drejtorët e spitaleve

Terrori i kërcënimeve dhe presioneve kolektive përmes shkarkimeve në grup, ashtu si në kohën e regjimit komunist pas hipotekave, Rama e ka transferuar në Drejtoritë e Spitaleve. Dje ai u shfaq para mediave duke akuzuar pikërisht drejtorët e spitaleve mbi situatën katastrofale ku ndodhet shëndetësia sot, megjithëse personi i parë që duhej shkarkuar për rrënimin e këtij sistemi është ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili do të mbahet mend gjatë si kampioni i vjedhjes përmes tenderave e koncesioneve në qeverisjen Rama.
Duke iu drejtuar krerëve të spitaleve se, të gjitha kostot e keqmenaxhimit dhe mosfunksionimit normal të sistemit shëndetësor në vend kanë ardhur si pasojë e përzgjedhjes së tyre nëpërmjet tepsisë së pushtetit, Rama deklaroi largimin e tyre të menjëhershëm. Duke iu referuar në mënyrë indirekte drejtuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që në fakt kanë një pjesë të mirë të drejtimit në sistemin shëndetësor në vend ai tha. “Edhe ju keni qenë pjesë e tepsisë për sa kohë jeni produkte i saj. Është turp që më 2017 që infermierët të punësohen nga partitë politike. Punësimi do të bëhet përmes platformës online, ashtu siç është vepruar me mësuesit. Rekrutim me transparencë maksimale dhe sistem konkurrueshmërie. Nuk është e thënë të jesh me një parti apo të jesh krushka apo kushërira e dikujt për t’u futur në sistem. Do të jetë një sistem transparent”, u shpreh Rama.
Pas takimit që kryeministri Rama zhvilloi me drejtorët e spitaleve dhe të Shëndetit Publik, ku iu dha ultimatum që sot të paraqesin dorëheqjen e tyre, ka ardhur dhe reagimi i parë nga radhët e Partisë Demokratike. Është deputeti demokrat Tritan Shehu, i cili nëpërmjet një statusi në Facebook ironizon kreun e qeverisë.
“Z. Rama sot për shëndetësinë: Nuk ka çfarë t’i bëjë gomarit dhe i bie samarit!
‘Gomari’ është reforma në shëndetësi e nisur nga Rilindja katër vite më parë nën devizën ‘Shëndetësi Falas’, politizim ekstrem i sistemit dhe i drejtuesve të tij, varfëri e tejskajshme e shëndetësisë sonë, denigrimi i mjekëve e i personelit etj., këto janë shkaqet kryesore të këtij dështimi ciklopik në shëndetësi, të cilin edhe vetë Kryeministri e konfirmoi sot.
‘Samari’ janë këta drejtorë mjeranë të spitaleve që u shkarkuan sot, duke u etiketuar padrejtësisht si shkaktarët e dështimit, kur në të vërtetë janë veçse produkt i politikave dështuese të aplikuara prej vetë z. Rama.
Mjeranë, sepse asnjë nga ata nuk pati kurajon të rebelohet ndaj ofendimit që iu bë; ndoshta duke i quajtur si shkak i dështimit të një sistemi të tërë, iu duk vetja i rëndësishëm për një çast.
Këto ishin disa nga perceptimet e mia prej kësaj ceremonie të sotme, që ngjante me një vaki të asaj reforme të destinuar të vdiste që ditën që lindi, për vetë absurditetet e hapësirat korruptive mbi të cilat u ndërtua”.

Tabaku: Nuk janë njerëzit është sistemi

Pas ultimatumeve të njëpasnjëshme që Rama ka nisur me drejtorët e hipotekave dhe së fundmi me drejtorët e spitaleve dhe ato të Shëndetit Publik, ku kërkon dorëheqjen e tyre, ka reaguar dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Nëpërmjet një statusi në facebook, Tabaku shprehet se drejtorët e hipotekave, të spitaleve apo çdo drejtorie tjetër në këtë pushtet, janë ushtarë të bindur që sipas saj nëse kanë vjedhur apo kanë abuzuar e kanë bërë me bekimin e kryeministrit.
Ndërkohë që thekson se shkarkimet që kryeminstri po bën, janë një formë marketingu që vijnë nga e njëjta shkollë partie që dëboi 200 000 mijë shqiptarë nga vendi apo që e ktheu vendin në portën kryesore të drogës në Europë.
Statusi i plotë:
Disa ditë me radhë dëgjoj kryeministrin nëpër diskutime live me qytetarë dhe nëpunës të administratës të cilët i fajëson për situatën problematike në të cilën ndodhet sot shërbimi publik shtetëror.
Ironikisht, drejtorët e hipotekave, të spitaleve, të burgjeve, tatimeve e kështu me radhë janë thjesht ushtarë partiakë të emëruar me lista partie, që janë denoncuar me kohe, ato janë emërime nga një deputet apo nga një tjetër sipas interesit apo kuotës së paguar. Një prej detyrave të tyre ka qenë ajo e ushtarit të bindur i cili ndër të tjera duhet të zbatojë vullnetin politik të rilindjes dhe madje të vetë kryeministrit Rama. Nëse kanë vjedhur, abuzuar apo edhe kanë kthyer korrupsionin në praktikë duke i katandisur sektorët e ndryshëm në agjenci pasurimi personal apo zinxhir të korrupsionit që shkon edhe më lart, kanë vepruar me bekimin dhe miratimin e kryeministrit.
Kështu që ky marketingu me pushime nga puna për t’u zëvendësuar drejtori i rilindjes me një tjetër drejtor rilindje që vjen nga e njëjta shkollë partie është po aq bajate sa beteja kundër korrupsionit dhe nuk do të prodhojë asnjë rezultat.
Nuk janë njerëzit, është sistemi. Sistemi i korrupsionit dhe vjedhjes të cilin e fshihni me marketingun dhe gjoja qeverisjen me popullin. Sistemin që lejoi abuzime me 2,8 mld euro sipas KLSH, sistemi që largoi 200 000 shqiptare e që e ktheu Shqipërinë qendrën e kanabisit, portën kryesore të heroinës në Europë. Sistemin që ju keni ngritur edhe perfeksionuar.
Për sa kohë të mbahen në këmbë këto pushtetarë që ushqejnë dhe menaxhojnë këtë sistem për aq kohë do të mungojë vullneti politik, ndërsa administrata do të vazhdojë të jetë thjesht një ushtri e bindur partiake e ndërtuar për të dhënë tendera e koncesione dhe pse jo për të përfituar ndonjë gjë çfarë mund të rrjedhë në zinxhirin korruptiv që është instaluar! Asgjë më shumë se shëmbëllimi i fytyrës së qeverisë!

Pse Rama nuk arreston Balilin dhe Agron Xhafën?

Edi Rama paralajmëroi dje një aksion të gjerë antikanabis në vend dhe luftë sipas të tij të pakompromis me grupet kriminale të trafikut të drogës. Por deklarata e tij më shumë se sa një paralajmërim erdhi si një reagim qesharak në një kohë që është pikërisht trafiku i drogës dhe grupet kriminale që po mbajnë Ramën në pushtet.
Në katër vitet e qeverisjes Rama, sipas të gjitha raporteve dhe analizave ndërkombëtare, Shqipëria u shndërrua në një plantacion kanabisi ku grupet kriminale jo vetëm që gjallëruan aktivitetin e tyre, por kishin lidhje të forta me pushtetin.
Janë pikërisht këto lidhje, të cilat i mundësuan Ramës fitoren e zgjedhjeve të 25 qershorit e pa këto grupe kriminale, Rama e di mirë se nuk mund të qëndrojë dot më gjatë në pushtet as edhe një ditë.
Përkundrejt deklaratës së tij mbi këtë operacion, sot krerët më mafiozë të grupeve kriminale të trafikut të drogës jo vetëm që lëvizin lirisht edhe se ndaj ndaj tyre ka urdhra ndërkombëtarë arresti, por Rama u ka ofruar atyre garanci të plotë për të mos u prekur nga askush.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar dje pas deklaratës së Ramës në lidhje me gjoja betejën kundër grupeve të trafikut të drogës.
Basha solli emra konkretë të kokave të trafikut të drogës, të cilët sot do të duhet të ishin në burg për shkak të dosjeve të tyre voluminoze në lidhje me trafikun e drogës. Kreu i PD u shpreh i sigurtë se kushdo që do të besojë se Rama e ka seriozisht operacionin e tij të shpallur kundër drogës do të zhgënjehet. Ai theksoi se e vetmja gjë që do të bëjë Rama do të jetë arrestimi i disa fshatarëve të varfër apo autorëve të vegjël, ndërsa kriminelët e vërtetë do të vijojnë të qetë aktivitetin e tyre me bekimin e vetë Ramës.
Basha përmendi tri emra, Saimir Tahirin, Klement Balilin dhe Agron Xhafën, vëllain e Fatmir Xhafës si njerëz të lidhur me trafiqet më të mëdha të drogës në vend dhe jashtë vendi, por theksoi se këta e shumë të tjerë të fuqishëm si këta trafikantë Ramës i duhen për të mbajtur pushtetin.
“Me seriozitetin tragjiko-komik që e ka pushtuar, Edi Rama shpalli sot para botës një tjetër betejë historike: luftën heroike kundër kanabisit dhe grupeve kriminale të lidhura me drogën. Por, tashmë, dihet se heroizmi i vetëm i Ramës është të arrestojë keqbërësit e vegjël, ata që nuk janë aq të mëdhenj sa të kenë lidhje me pushtetin.
Koka e kthimit të Shqipërisë në plantacion kanabisi është Saimir Tahiri, aq sa edhe partnerët e huaj i vunë ultimatumin Ramës për largimin e tij, si kurrë ndonjëherë.
Por ata që presin që aksioni i Ramës të prekë Tahirin do të zhgënjehen. Trafikanti ndoshta më i madh i drogës në Shqipëri është Klement Balili, të cilin Edi Rama e la të lirë edhe pse e kërkonte qeveria e SHBA-ve, sepse po të fliste Balili rrëzohej gjysma e ministrave. Prandaj, ata që presin që me aksionin e tij Rama të arrestojë Balilin do të zhgënjehen.
Një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Evropë është vëllai i Fatmir Xhafës, por ata që presin që aksioni i Ramës ta arrestojë atë do të zhgënjehen, gjithashtu.
Aksioni i Edi Ramës do të arrestojë ca fshatarë të varfër dhe ca kriminelë të vegjël. Kriminelët e vërtetë do të qeverisin vendin së bashku me Ramën. Derisa populli t’i largojë”, shprehet Basha në reagimin e tij.

Rusia, 30 ditë afat SHBA për diplomatët

Presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi shkurtimin me 755 vetë të personelit diplomatik amerikan në Rusi si reagim ndaj sanksioneve amerikane për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Departamenti amerikan i Shtetit e quajti urdhrin e Presidentit Putin “një veprim për të ardhur keq dhe të pajustifikuar” dhe thotë se po analizon se si do të reagojë. Presidenti Trump pritet t’i nënshkruajë sanksionet ndaj Rusisë, si dhe masa të reja ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut të përfshira në legjislacion.
Zoti Putin i tha një rrjeti televiziv rus se, qeveria e tij mund të marrë edhe masa të tjera kundër Shteteve të Bashkuara, por se sot për sot ai “do të ishte kundër tyre”.
“Ne kemi një numër të madh alternativash. Po reagojmë tani sepse amerikanët ndërmorën këtë hap të paprovokuar drejt keqësimit të marrëdhënieve SHBA-Rusi, duke imponuar kufizime të paligjshme dhe duke u përpjekur të ushtrojnë ndikim tek vende të tjera, përfshirë aleatët e tyre që janë të interesuar në ruajtjen dhe përparimin e lidhjeve me Federatën ruse”.
Departamenti i Shtetit nuk pranoi të japë numrin e saktë të diplomatëve ose zyrtarëve amerikanë në Rusi, por mendohet që numri të jetë rreth 400, disa prej të cilëve kanë anëtarë të familjeve me pasaporta diplomatike.
Një numër i madh i mbi 1000 punonjësve të misioneve amerikane në Rusi, të cilat përfshijnë ambasadën në Moskë dhe konsullatat në Shën Petërsburg, Vladivostok dhe Jekaterinburg, janë punonjës vendas.
Kongresi amerikan i miratoi sanksionet e reja të enjten. Legjislacioni për sanksionet demonstroi diçka të rrallë në Kongres, një mbështetje dërrmuese nga të dyja palët.
“Ne nuk do të tolerojmë sulme ndaj demokracisë sonë. Ky është synimi i kësaj pakete”, tha senatori republikan John McCain.
Sanksionet vënë në shënjestër segmente të gjera të sektorëve më me rëndësi për Presidentin Putin.
“Sanksionet e detyrueshme që lidhen me sektorët e energjisë, financave, zbulimit dhe mbrojtjes”, tha senatori demokrat, Ben Cardin.
Ministria e Jashtme e Rusisë ishte e para që reagoi të premten duke propozuar reduktimin e personelit diplomatik dhe teknik amerikan në Rusi në të njëjtin nivel sa ç’është personeli rus në Shtetet e Bashkuara, në 455 vetë dhe shtoi se kjo duhet realizuar deri në fund të gushtit.
Megjithatë zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov tha të dielën se beson që ka fusha ku të dyja palët mund dhe duhet të punojnë së bashku, përfshirë mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, kundërterrorizmi, trafiku njerëzor, imgracioni i paligjshëm dhe ndryshimet e klimës.
Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Donald Trump do ta nënshkruajë legjislacionin për sanksionet.
Ndërsa Kongresi ishte angazhuar prej kohësh në negociatat për legjislacionin, këshilltarët e zotit Trump ishin shprehur kundër për shkak të një klauzole që u jep ligjvënësve 30 ditë kohë për të rishikuar dhe bllokuar çdo përpjekje të Presidentit për të lehtësuar sanksionet kundër Rusisë. Kjo përfshin vendimin e ish-Presidentit Barack Obama për të mbyllur dy komplekse ruse dhe për të dëbuar 35 diplomatë për shkak të ndërhyrjes ruse në zgjedhje.
Analistët politikë në Shtetet e Bashkuara kishin parashikuar se zoti Trump, në një përpjekje për të lehtësuar tensionet me Putinin, mund t’i shfuqizonte sanksionet e ish-Presidentit Obama kur të merrte detyrën në janar, por ai nuk e bëri këtë.
Që nga ajo kohë, muajt e parë të presidencës së zotit Trump janë shoqëruar nga hetime të shumta për ndërhyrjen ruse në zgjedhje, të përqendruara veçanërisht për të analizuar nëse ndihmësit e tij kishin bashkëpunuar me Moskën për ta ndihmuar atë të fitonte.
Hetimet kanë si synim gjithashtu t’i japin përgjigje pyetjes nëse zoti Trump pengoi drejtësinë kur shkarkoi drejtorin e FBI-së James Comey, që ishte në krye të hetimit për Rusinë.
Një tjetër ish-drejtor i FBI-së, Robert Mueller, u emërua për të drejtuar një hetim të posaçëm.
Moska e ka hedhur poshtë përfundimin e komunitetit amerikan të zbulimit se Presidenti Putin personalisht kishte orkestruar ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Presidenti Trump i ka quajtur hetimet “gjueti shtrigash” dhe një justifikim që sipas tij kanë përdorur demokratët për të shpjeguar fitoren e tij të papritur ndaj kandidates Hillary Clinton.

Presidenti Trump hedh poshtë akuzat për kaos në Shtëpinë e Bardhë

Në komentet e bëra dje në Twitter, Presidenti Trump shkruante se tregu i aksioneve është në nivele të papara, shifrat ekonomike janë më të mirat, papunësia është më e ulëta në 17 vjet, pagat po rriten dhe kufiri është i sigurtë. “Në Shtëpinë e Bardhë nuk ka kaos”, shkruante ai.
Komentet e zotit Trump u bënë në prag të betimit të shefit të tij të ri të kabinetit, gjeneralit në pension John Kelly, i cili mori detyrën që deri tani mbahej nga Reince Priebus.
Në takimin me shefin e ri të kabinetit, Presidenti Trump tha se zoti Kelly do të bëjë “një punë spektakolare” në detyrën e re.
Gjatë javës së kaluar, drejtori i ri i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Anthony Scaramucci, sulmoi ashpër zotin Priebus, duke përdorur edhe fjalë të papërshtatshme.
Ndërkohë, vetë zoti Trump u bë objekt kritikash për sulmet e tij publike ndaj prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions dhe për dështimin e republikanëve të Senatit për të ndryshuar ligjin e kujdesit shëndetësor.
Dje, Presidenti Trump pati një takim me prokurorin e Përgjithshëm në Shtëpinë e Bardhë.

Agresioni rus kërcënim për vendet balltike

U.S. Vice President Mike Pence, second from right, accompanied by the leaders of Baltic States, from left, Estonia President Kersti Kaljulaid, Latvia President Raimonds Vejonis and Lithuanian President Dalia Grybauskaite, speaks during a news conference following his meeting in the Kadriorg Palace in Tallinn, Estonia, Monday, July 31, 2017. Pence arrived in Tallinn for a two day visit where he will meet Baltic States leaders to discuss regional security issues as well as economic and political topics. (AP Photo/Mindaugas Kulbis)

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence siguroi dje udhëheqësit e vendeve balltike se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për mbrojtjen e rajonit. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentët e Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë, zoti Pence tha se, “Rusia është një kërcënim i paparashikueshëm” ndërsa shfaqi shpresën për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën.
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, tha dje se nuk ka kërcënim më të madh për shtetet balltike se sa “spektri i agresionit” nga Rusia, ndërsa ai premtoi mbështetje për aleatët e NATO-s, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë.
“Në këtë moment Rusia përpiqet të ripërcaktojë kufijtë ndërkombëtarë me forcë, të dëmtojë demokracitë e vendeve sovrane dhe të përçajë vendet e lira të Evropës. Nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë çdo përpjekje për të përdorur forcën, kërcënimet apo ndikimin keqdashës në shtetet balltike apo kundër çdo aleati të traktatit”.
Zoti Pence foli në Talin, kryeqyteti i Estonisë, pas takimit me presidentin estonez, Kersti Kaljulaid, presidentin e Letonisë, Raimonds dhe presidenten e Lituanisë, Dalia Grybauskaite.
Nënpresidenti amerikan tha se kërkesa e Moskës për të shkurtuar 755 anëtarë të personelit diplomatik amerikan nuk do ta pengojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleatëve.
“Ne shpresojmë për ditë më të mira, për marrëdhënie më të mira me Rusinë, por veprimet e fundit diplomatike të ndërmarra nga Moska nuk do të pengojnë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë tonë, atë të aleatëve tanë dhe sigurinë e vendeve që duan liri në mbarë botën”.
Zoti Pence vlerësoi gjithashtu Estoninë për përmbushjen e angazhimit financiar ndaj aleancës së NATO-s duke shpenzuar të paktën 2 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm të Brendshëm për mbrojtjen dhe tha se Letonia dhe Lituania do ta arrijnë këtë nivel vitin e ardhshëm. Presidenti Trump ka përsëritur thirrjet që vendet e NATO-s të shtojnë shpenzimet e mbrojtjes.
Estonia, Letonia dhe Lituania kanë kërkuar shprehje konkrete të mbështetjes ushtarake amerikane. Shqetësimet rreth ekspansionizmit rus janë rritur ndjeshëm në rajonin e Balltikut pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Nënpresidenti Pence do të shkojë në Gjeorgji ku trupat amerikane dhe të partnerëve të NATO-s kanë filluar manovra ushtarake të dielën dhe më pas ai shkon në Mal të Zi, anëtari më i ri i aleancës.
“Mesazhi im për shtetet balltike, mesazhi im kur të vizitoj Gjeorgjinë dhe Malin e Zi do të jetë i njëjtë. Për aleatët tanë këtu në Evropën Lindore: Ne jemi me ju, ne qëndrojmë përkrah jush për lirinë dhe është një nder i madh për mua që ndodhem këtu”, tha nënpresidenti.
Duke iu referuar perspektivës së shtimit të sanksioneve amerikane kundër Rusisë, që Kongresi miratoi javën e kaluar me shumicë dërrmuese, zoti Pence tha se ai dhe presidentit Trump “presin që sjellja e Rusisë të ndryshojë.
Zoti Pence tha se pret që Presidenti Trump të nënshkruajë projektligjin e sanksioneve, i cili vendos masa ndëshkuese ndaj Koresë së Veriut, Iranit, si dhe Rusisë.

Votimet fiktive në Venezuelë dhe kundërshtimet e opozitës

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro e ka deklaruar si plotësisht të suksesshme votën e djeshme për hartimin e një Kushtetute të re, megjithë këmbënguljen e opozitës se kjo masë është një hap tjetër drejt vendosjes së një diktature socialiste në këtë vend të Amerikës së Jugut. Vota e djeshme është kritikuar gjerësisht nga vendet perëndimore si një akt që minon të drejtën për vetëvendosje të venezuelianëve.
Nicolas Maduro iu drejtua vendit me tone triumfi, pasi deklaroi se përpjekja për të krijuar një Asamble Kushtetuese kishte marrë një mbështetje të qartë në votën e djeshme:
“Populli venezuelian ka treguar se kur fati na vë në provë, kur oligarkë pa shtet na bëjnë sfidë, kur imperializmi na sfidon, ne dëshmojmë gjakun e liberatorit që rrjedh në damarët e çdo burri, gruaje dhe fëmije”, tha Presidenti Maduro.
Nicolas Maduro ndodhej në Karakas ku po festonte fitoren në votën e djeshme.
Sipas Këshillit Kombëtar Elektoral, mbi 8 milionë vetë votuan për t’i dhënë Partisë Socialiste në pushtet autoritetet thuajse të pakufizuar për të ngritur Asamblenë Kushtetuese. Shifrat zyrtare tregojnë një pjesëmarrje thuajse dy herë më të lartë se ç’kishin parashikuar opozita apo ekspertët e pavarur.
“Kemi regjistruar pjesëmarrjen e 41.5% të votuesve të regjistruar apo të 8.8 milionë venezuelianëve, të cilët dolën për të hedhur votën për një Asamble Kushtetuese. Ishte një pjesëmarrje shumë e lartë dhe e habitshme në njëfarë mase, kur mendon për kërcënimet, bllokimet, vështirësitë që kishin për të kapërcyer”, tha presidentja e Këshillit Kombëtar Elektoral.
Shifrat zyrtare u përcollën me tallje dhe komente përbuzëse nga pjesëtarët e opozitës që besojnë se pjesëmarrja ishte tek 2-3 milionë votues.
“Çdo konfirmim tregon se kjo ishte një ditë e rëndë, e frikshme dhe e mjerë; një proces ku vetëm qeveria mori pjesë. Sipas shifrave që kemi ne, 2.483 milionë vetë morën pjesë, pra 12.4% pjesëmarrje dhe 88% abstenim”, tha Henry Ramos Allup, një ndër udhëheqësit e opozitës.
Ai shtoi se populli venezuelian nuk do të dorëzohet.
“Ne nuk heqim dorë nga të drejtat tona kushtetuese. Do të vazhdojmë protestat në rrugë kundër qeverisë së korruptuar. Nuk do të heqim dorë nga e drejta për të deklaruar para të gjitha vendeve dhe organizmave ndërkombëtare se kemi një diktaturë të shëmtuar që po e shkatërron vendin”.
Një numër vendesh, ndër to Shtetet e Bashkuara, Argjentina, Kanadaja, Kolumbia, Meksika, Spanja dhe Britania kanë thënë se nuk do ta njohin votimin e djeshëm.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se referendumi i së dielës “minoi të drejtën e popullit venezuelian për vetëvendosje”. Heather Nauert, zëdhënëse në Departamentin e Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndërmarrin “masa të vendosura kundër arkitektëve të autoritarizmit në Venezuelë… si rezultat i këtyre votimeve problematike”.
Administrata e Presidentit Trump ka vënë sanksione ekonomike ndaj një numër anëtarësh të lartë të administratës Maduro.
Opozita venezueliane ka bërë thirrje për vazhdimin e protestave. Më shumë se 120 vetë kanë gjetur vdekjen gjatë protestave të organizuara në katër muajt e fundit.

Çeçenët e zhdukur mund të jenë ekzekutuar

Gazeta ruse, “Novaya Gazeta”, ka publikuar disa informacione shtesë për 24 persona që supozohet të jenë ekzekutuar pa ndonjë gjykim, pasi ishin arrestuar pas përleshjeve me policinë në rajonin e Çeçenisë, gjatë vitit të kaluar.
Në këtë raport ka detaje, duke përfshirë edhe fotografi të 24 personave, duke u bazuar në materiale të siguruara nga strukturat policore në rajonin e Kaukazit Verior, i cili udhëhiqet për një dekadë nga Ramzan Kadyrov, që ka mbështetjen e Kremlinit.
Në raport përfshihen të dhëna për një 18-vjeçare, e cila ishte arrestuar në dhjetor dhe është raportuar të ketë vdekur në rrethana të paqarta.
Në këtë listë përfshihen 67 persona për të cilët gazeta raporton se janë zhdukur.
“Novaya Gazeta” raporton se telefonat mobilë të disa prej personave që supozohet të jenë ekzekutuar janë dërguar në Siri nga zyrtarët çeçenë, në mënyrë që të ketë të dhëna se ata janë gjallë dhe u janë bashkuar militantëve të Shtetit Islamik.
Në këtë raport supozohet se të afërmit e çeçenëve të zhdukur janë detyruar të nënshkruajnë me forcë dokumente, sipas të cilave individët janë larguar nga Çeçenia, duke hequr mundësinë për të paraqitur kërkesa tek autoritetet e këtij vendi.
Kjo gazetë më parë ka raportuar edhe për një kampanjë të dhunshme, e cila kishte cak homoseksualët në këtë rajon.
Kadyrov dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Çeçeni i kanë konsideruar këto raportime si “gënjeshtra”.