24.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Memoriali i parë i luftës në Belgjikë

Memoriali në portën Menin në Ypres të Belgjikës përkujton Betejën e Passendale, e cila filloi më 31 korrik të vitit 1917. Kjo betejë njihet edhe me emrin si Beteja e Flamëve. 200 pasardhës të luftëtarëve të asaj kohe janë të ftuar në ceremoninë përkujtimore. Princi William në ceremoni tha: “Pjesëtarët e familjeve tona, regjimentet tona, popujt tanë – kanë sakrifikuar gjithçka për jetën, që ne sot e jetojmë. Njëqind vite më vonë, ne jemi krah për krah në kujtimin e viktimave”.
Në ceremoninë qendrore, që u zhvillua të hënën (31.07) në një varrezë ushtarake pranë Ypres, pati përfaqësues edhe të ish-armiqve në kohën e luftës. Gjermania përfaqësohet nga ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel. Po ashtu edhe Teresa May, kryeministrja e Britanisë së Madhe dhe mijëra pasardhës të pjesëmarrësve në betejë, do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore në varrezat ushtarake Tyne Cot në Ypres.
Para nisjes për në Belgjikë, ministri Gabriel tha, se Beteja Ypres është “simbol për marrëzinë e luftës”. Në përkujtimin e qindra mijëra ushtarëve të vdekur “mesazhi i përbashkët duhet të jetë kurrë më”. Sot më shumë se kurrë vlen shprehja: “Evropa është një projekt paqeje, Evropa është e ardhmja jonë, vetëm të bashkuar mundemi t’i mbrojmë interesat dhe vlerat tona…”, tha Sigmar Gabriel.
Vetëm nga ushtria britanike kanë humbur jetën më shumë se 250.000 ushtarë në këtë betejë, kurse në anën gjermane 40.000 vetë ranë viktima. Trupat britanike dhe aleatët e tyre luftuan ashpër për të pushtuar një pjesë, e cila ishte nën kontrollin e ushtarëve gjermanë. Beteja e Ypres u bë një simbol i absurditetit të luftës. Pavarësisht humbjeve të mëdha beteja përfundoi pa ndonjë arritje të rëndësishme, vijat e frontit u zhvendosën vetëm nga pak.

Kriza e dizelit, marka “Made in Germany” në rrezik?

Ministri federal i Transporteve, Alexander Dobrindt ka kërkuar nga prodhuesit e automobilëve të reagojnë. “Industria e automobilëve ka një përgjegjësi të madhe për të rivendosur besimin dhe të shlyejë gabimet e bëra”, tha politikani i partisë CSU për gazetën “Bild am Sonntag”.
Është “e tmerrshme” që për veturat po rrezikohet marka “Made in Germany”. Kriza madje është bërë një barrë për të gjithë industrinë gjermane. Ministri federal i Transporteve Dobrindt tha: “Industria e automobilëve ka një përgjegjësi të madhe”. Sipas vlerësimit të Institutit gjerman për Studimet Ekonomike, kriza është një paralajmërues për ngadalësim të zhvillimit ekonomik në Gjermani. Shefi i Institutit Marcel Fratzscher tha për gazetën “Welt am Sonntag” se, Gjermania e ka arritur pikën e lartë të kapaciteteve prodhuese ekonomike dhe ndoshta edhe e ka tejkaluar atë”. Ndërmarrjet kanë investuar shumë pak dhe kjo sidomos në kërkimin shkencor dhe inovacion. “Në industrinë e automobilëve mund të shihet se aty kanë mbetur shumë gjatë në teknologjitë e vjetra”. Marka “Made in Germany” është e lidhur ngushtë me prodhimin e automobilëve. “Një krizë e industrisë së makinave është një rrezik për të gjithë ekonominë gjermane”.

“Transformimi më i madh në historinë e industrisë së makinave”
Ministrja federale e Ekonomisë nuk shkon kaq larg. Por Brigitte Zypries e shikon industrinë e auomobilëve përpara transformimit më të madh në historinë e tyre 100-vjeçare. Prodhuesit gjermanë duhet të lëvizin shpejt në qoftë se duan të konkurrojnë me Kinën dhe vendet e tjera përsa i përket veturave elektrike, tha Zypries për grupin mediatik Funke.
Zypries: “As e arsyeshme dhe as me objektiva të qarta”.
Ministrja e Ekonomisë kërkoi një strategji të përbashkët të politikës dhe të industrisë së automobilëve për nxitjen e elektromobilitetit. “Në periudhën e ardhshme legjislative do të duhet të ngrihet një platformë ‘e ardhmja e mobilitetit’ ku ne do të flasim me ekspertët për transformimet e nevojshme për një rrjet mobiliteti të qëndrueshëm”, tha ministrja. “Ne na duhen koncepte të së ardhmes dhe jo vetëm aksione të ditës. Politikania e SPD-s është kundër përcaktimit të një date se kur do të ndalohet përdorimi i motorëve me djegie. “Për momentin të përcaktosh një datë si viti 2040 nuk është e arsyeshme dhe jo konstruktive”.
Dyshime për makinat elektrike. “Ndërsa në Angli thuajse nuk prodhohen vetura më, Gjermania është një nga vendet ku prodhohet numri më i madh i tyre në botë me mbi 1 milion vende pune që varen prej saj”, tha Zypries. “Nuk është aspak konstruktive të përmendësh data në një të ardhme të largët”. Ministra kërkoi “rregulla të njehsuara në nivel të Bashkimit Evropian. Zypries vuri në dyshim qëllimin për të patur në rrugët e Gjermanisë 1 milion automobilë elektrikë deri në vitin 2020 duke e konsideruar si “shumë të ambicionuar dhe jo të lehtë për t´u arritur”. Shitja e makinave elektrike deri tani “nuk ka qenë shumë e suksesshme”.

Optimizëm tek Volkswageni
Sipas mendimit të shefit të Volkswagenit, Herbert Diess elektromobiliteti do të ndihmojë të riforcojë Volkswagenin. Konzerni nga Wolfsburgu ka humbur shumë në besueshmëri për shkak të krizës së gazrave, tha Diess për agjencinë gjermane të lajmeve, “DPA”. Megjithatë menaxheri tregohet optimist: “ne kemi arritur që kohët e fundit ta riforcojmë pozicionin tonë në treg dhe unë mendoj se në vitin 2018 Volkswageni do ta lerë krizën pas”.

Menaxheri i Volkswagenit Diess: “Diezeli mbetet sidoqoftë një alternativë”
Diess po ashtu nuk mendon se do të ketë një kalim të shpejtë në elektromobilitet dhe një fund të shpejtë të teknologjisë së dizelit. “Në Evropë dizeli mbetet një alternativë për automjetet e mëdha dhe për udhëtime të gjata, edhe pse do të jetë e kushtueshme dhe avantazhet nga taksa e vajgurit në vitet e ardhshme mund të reduktohen”.
Alexander Dobrindt kërkon nga industria e makinave më shumë dinamikë në inovacionet për motorët. Ministri i Transporteve tha se takimi i nivelit të lartë për dizelin javën e ardhshme ofron një shans që ekologjia dhe mobiliteti të afrohen më shumë dhe po ashtu është një perspektivë për të ardhmen.
Në takimin të mërkurën (02.08) industria e automjeteve gjermane, shpreson që të mënjanojë rrezikun për ndalim që i kanoset dizelit. Në takim ku do të marrin pjesë politikanë dhe përfaqësues të firmave do të diskutohet se si mund të pakësohet emetimi i gazrave të dëmshme. Është planifikuar që të bëhen pajisje shtesë për të aktualizimin e software-ve për Dizelin Euro 5 dhe Euro 6 që do të sjellë edhe reduktimin e nitrogjenit të oksiduar.
Gjykata Administrative e Shtutgardit i hapi dritën jeshile ndalimit të automjeteve me dizel në qendrat e qyteteve. Gjykata mendon se ndalimi i automjeteve të vjetra është zgjidhja më e mirë për të ulur nivelin e gazrave të dëmshëm për shëndetin. Në Shtutgart, por edhe në shumë qytete të tjera gjermane niveli i lejuar i gazrave të emetuar kalohet në mënyrë të ndjeshme.

Juve mposht Romën me 11-metërsha

Juventusi fiton me 11-metërsha testin e titullit ndaj Romës në Champions Cup. 1-1 përfundoi koha e rregullt mes dy rivalëve të Serisë A në “Gillette Stadium” të Foxborough në Masachusets, por në llotarinë e penalltive bardhezinjtë u treguan më të saktë, duke mos gabuar asnjë gjuajtje, ndërsa për verdhekuqtë dështoi Tumminelo, që në tentativën e parë. Sa u përket 90 minutave të kohës së rregullt, të dyja skuadrat e nisën takimin me shumë emra të rëndësishëm në formacion, duke shfaqur nivel të lartë lojë. Në minutën e 29-të, Mario Mandzukiç lëviz bukur pas shpinës së mbrojtjes së Romës i shërbyer nga Alex Sandro, dhe pasi shmang edhe portierin Alisson, e dërgon topin në rrjetë. Me avantazhin minimal të bardhezinjve mbyllet pjesa e parë.
Pjesa e dytë nis me ndryshime të shumta në të dy kampet, madje në të 66-ën Alegri i jep mundësinë e debutimit Bernardeschit që mori vendin e Dybalas. Në këtë fraksion Roma ishte më e freskët dhe pas një presioni të vazhdueshëm arrin të barazojë me Edin Dzekon, që u shërbye nga Kolarov.
Në përfundim të 90 minutave dhe kohës shtesë, nisi llotaria e 11-metërshave, ku që në tentativën e parë gaboi Tumminello për verdhekuqtë. Edhe pse Pellegrini, Iturbe, Peres dhe Under u treguan të saktë për Romën, në fund festa ishte për Juventusin, pasi realizuan të gjithë me radhë, Lihsteiner, Barzagli, Bernardeschi, Khedira dhe Costa.
E ardhmja e Mbaye Niang është në udhëkryq. Sulmuesi i Milan-it, kërkohet nga Torino, me trajnerin Sinisa Mihajloviç që prej kohësh është admirues i Senegalezit. Nga ana tjetër edhe trajneri serb është një person që Niang e vlerëson shumë dhe kjo mund të jetë faktori kryesor që të bindë lojtarin të largohet nga kuqezinjtë, për t’u transferuar te klubi granata.
Alex Sandro është një ndër emrat më të përfolur në këtë merkato vere, me mbrojtësin e Juventus-it që kërkohet nga shumë ekipe. Megjithatë, klubi bardhezi nuk ka ndërmend të privohet nga shërbimet e 26-vjeçarit. “Zonja e Vjetër” e bënë të qartë se braziliani është shumë i rëndësishëm për skuadrën dhe nuk mendojnë ta shesin.

Perisiç tek United

Manchester United-Perisiç, tashmë duket se jemi në detajet përfundimtare. Kroati i Interit që po kërkohet me ngulm nga Jose Mourinho ka kërkuar largimin dhe klubi italian është gati të plotësojë dëshirën e tij, pasi anglezët janë gati të derdhin 53 milionë euro në arkën e zikaltërve. Trajneri Luciano Spalleti ka vendosur veton për qëndrimin e lojtarit, por sipas “Daily Star”, Manchester United është shumë pranë firmës, pasi ka gjetur gjuhën e përbashkët me stafin e lojtarit dhe po diskuton detajet e fundit me Interin. Është pikërisht trajneri portugez që i ka kërkuar klubit të tij të përshpejtojë procedurat për ta pasur 28-vjeçarin në grupin e tij në prag të sezonit të ri.
Mourinho beson se Perisiç do të arrijë të bëjë diferencën në fushën e lojës, pasi është një lojtar i shpejtë në sulm dhe i disiplinuar në fazën mbrojtëse. Largimi i mundshëm i lojtarit kroat do ta hidhte menjëherë në sulm klubin nga Milano dhe i pari në listën e dëshirave është sulmuesi i Lazios, Keita Balde. Me arkëtimin e 53 milionë eurove, Interi mund ta ketë luksin për të rivalizuar me Juventusin në këtë garë. Lazio është në pritje të ofertës më të majme për lojtarin senegalez dhe 25 milionë euro mund të mjaftojnë për të bindur presidentin Claudio Lotito. Keita është zëvendësuesi ideal i Perisiç dhe Spalleti ka ndezur dritën jeshile për këtë operacion, pasi e konsideron 23-vjeçarin si një lojtar të shumë të rëndësishëm për skuadrën e tij të re.
UEFA ka njoftuar se ka gjobitur skuadrën e Manchester Unitedit dhe dy lojtarët e saj, Phil Jones dhe Daley Blind. Unitedi është dënuar me 10 mijë euro, ndërsa lojtarët me nga 5.000 mijë euro. Edhe më keq se kaq, mbrojtësi anglez Phil Jones është dënuar me dy ndeshje mos luajë, çka do të thotë nuk do të luajë ndaj Real Madridit në Superkupën e Evropës, e cila do të mbahet me 8 gusht në Shkup. Për shkak të suspendimit, ndaj Real Madridit nuk do të luajë as qendërmbrojtësi Eric Bailly, i suspenduar me tre ndeshje.
Sulmuesi suedez, Zlatan Ibrahimoviç i është ofruar ish-skuadrës së tij Milan, e cila është përforcuar shumë gjatë kësaj vere. Ibra është lojtar i lirë, sepse Unitedi refuzoi t’ia vazhdonte kontratën, pas lëndimit që pësoi në gju, ku edhe u operua. Sipas Premium Sport, agjenti Mino Raiola ia ka ofruar Milanit sulmuesin suedez për një sezon. Problem mbetet vetëm lëndimi i lojtarit, i cili nuk mund të luajë para muajit tetor.

Të shpenzosh shumë nuk të garanton titullin

MILAN, ITALY - APRIL 03: President FC Internazionale Erick Thohir attends the Serie A match between FC Internazionale and Torino FC Milano at Stadio Giuseppe Meazza on April 3, 2016 in Milan, Italy. (Photo by Claudio Villa - Inter/Inter via Getty Images )

Erik Tohir është i ndërgjegjshëm se të investosh shuma të mëdha në merkato nuk të sjellin detyrimisht tituj. Në vitet e kaluara, Interi i tij ishte zakonisht skuadra që mbante gjallë merkaton e verës, por rezultatet kanë munguar. Ndaj duke folur për situatën aktuale financiare, ai u ka dhënë një këshillë “kushërinjve” të Milanit, të cilët praktikisht kanë blerë një skuadër të re nga e para.
“Ne nuk është se nuk i besuam skuadrës ekzistuese asokohe. Kur erdha unë, shumë nga lojtarët tanë ishin në moshë, si Zaneti, Kambiaso, Samuel apo Kivu. Për këtë arsye blemë futbollistë si D’Ambrosio, Medel, Perisiç dhe Kondogbia për t’i zëvendësuar.
Interi tani ka të paktën 105 milionë fansa në Kinë dhe të gjithë e shohin atë vend si tregun e madh. Për këtë arsye vendosa që të kishim partnerë kinezë në drejtim. Tani të ardhurat janë më të larta falë tregut në Kinë dhe ndihmës së Suning, meqë ata janë një nga kompanitë më të mëdha në Kinë.
Këto janë gjërat që sjellin më shumë të ardhura për Interin, pasi Suning ka trefishuar buxhetin tonë, ndaj kanë ardhur Zhoao Mario, Antonio Kandreva, Gabigol e Roberto Galjardini. Në merkato duhet të tregohemi inteligjentë. Të shpenzosh shumë para, nuk të garanton titullin”, tha ai.

Coutinho, akord me Barcelonën

Coutinho është një hap larg Barcelonës. Blaugranat, siç shkruajnë në Spanjë kanë arritur akordin me lojtarin me Liverpulin që e ka kuptuar se e ka të pamundur ta mbajë brazilianin kundër dëshirës së tij. Klubi anglez gjithsesi përveç pretendimeve për çmimin synon që ta ketë lojtarin për ndeshjen e parë në Champions në 15 gusht. Pas kësaj date klubet pritet të zyrtarizojnë transferimin për një shumë nga 75 deri në 85 milionë euro.
Liverpool e ka gjetur zëvendësuesin e Felipe Coutinhos, sigurisht nëse mesfushori bazilian do të largohet drejt Barcelonës. Bëhet fjalë për mesfushorin e West Hamit, Lanzini, për të cilin drejtuesit e Liverpoolit janë gati të shpenzojnë 25 milionë euro.

Berisha motivon Atalantan

Në startin e edicionit të ri, Etrit Berisha projektohet drejt një tjetër sezoni si protagonist te Atalanta. Edhe prej paraqitjeve të shkëlqyera të portierit shqiptar, zikaltërit siguruan një vend në kupat e Euopës, ndërsa klubi vendosi ta blinte kartonin e 28-vjeçarit nga Lazio. “Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre. Edhe vitin e kaluar realizuam gjëra të mëdha. Më pëlqeu ekipi, qyteti dhe projekti që ka Atalanta për këtë vit dhe në vazhdim. Isha shumë i bindur për të qëndruar dhe jam i lumtur”, deklaroi portieri.
Garanci në fushën e lojës, “Titi” Berisha foli edhe si lider rreth sfidave të reja të Atalantës, ku më kryesorja është ngjeshja e kalendarit, me ekipin të angazhuar në Serinë A, Kupën e Italisë dhe në Europa League. Sipas portierit, skuadra ka vërtetë shumë ndeshje për të luajtur, por nuk duhet ta mendojë këtë fakt. “Fillimisht duhet të përgatisim ndeshjen e parë, sepse është e rëndësishme ta nisim mirë sezonin. Të jemi të përqendruar të bëjmë rezultat”, tha djaloshi nga Prishtina.
Etrit Berisha ishte një prej lojtarëve që shkëlqyen me Atalantën në miqësoren e parë ndërkombëtare, të fituar 1-0 përballë francezëve të Lille në trofeun “Bortolotti”. Një garanci në portë me pritjet e tij dhe në fund triumfi, sepse sipas gardianit bergameskët “dëshironin ta fitonin këtë trofe, edhe pse nuk ishte e thjeshtë, pasi Lilla ishte mjaft përpara me përgatitjet, duke qenë se e nis sezonin më shpejt”.
Testet e radhës për Atalantën dhe Berishën do të jenë ato ndaj Borussia Dortmund dhe Valencias, “ndeshje ndaj dy skuadrave të mëdha”, që sipas portierit i shërbejnë ekipit, sepse “ky do të jetë niveli i kundërshtarëve në Europa League”.

Xhaka refuzon Panuçin

Mesfushori i Baselit, Taulant Xhaka u largua para disa muajsh nga kombëtarja shqiptare, duke pretenduar se sjellja jo e drejtë e trajnerit Gianni de Biasi e ku kishte njoftuar se nuk do të luante për Shqipërinë për aq kohë sa italiani do të ishte në krye. Me emërimin e trajnerit Christian Panuçi në krye të Shqipërisë, futbollisti i parë që pritej të afrohej në skuadër ishte Xhaka, megjithatë ky i fundit duket se nuk e ka pasur me De Biasin problemin në kombëtare.
Takimi i shumëpërfolur që do të zhvillohej të dielën në mes Panuçit dhe Xhakës në Bazel nuk ka ndodhur. Trajneri i kombëtares e ka pritur për më shumë se 3 orë futbollistin, por ky i fundit nuk i ka kthyer asnjë përgjigje, duke mos iu përgjigjur telefonatave të italianit.
Panuçi ishte i pranishëm në stadium gjatë ndeshjes së djeshme në kampionatin zviceran mes Baselit dhe Luzernit për të ndjekur nga afër Xhakën dhe për të zhvilluar më pas një takim me të ku do të diskutohej kthimi në kombëtare.
Mesfushori nuk u aktivizua për asnjë minutë në takimin e djeshëm, madje pati dhe një debat me disa tifozë gjatë stërvitjes pas ndeshjes. Ky veprim i Xhakës e ka lënë padyshim të shokuar trajnerin Panuçi, i cili tashmë me shumë mundësi ia ka mbyllur derën e kombëtares përfundimisht Xhakës.

Fitojnë Leipzig dhe Sevilla

Në takimin e radhës të turneut “Emirates Cup”, atë mes Leipzig dhe Benficës, është mbyllur me fitoren e klubit gjerman, me rezultatin 2-0. Skuadra e teknikut Ralph Hasenhuttl pas humbjes minimale kundër Arsenalit, ka arritur të gjejë fitoren përballë “Shqiponjave”. Leipzig arrin të kalojë në epërsi, në minutën e 19 të takimit, pas një zbritjeje të shpejtë të klubit gjerman është mbrojtësi Marcel Halstenberg, ai që kujdeset për ta dërguar topin në fundin e rrjetës. Tentativat nga ana e Benficës për të barazuar nuk mungojnë, por pa efikasitet.
Një pjesë e parë e qetë dhe me pak raste shënimi. Fraksioni i dytë i lojës sheh sërish Leipzig më kërkues dhe goli i sigurisë vjen në minutën e 53. Dyfishimi i rezultatit për Demat vjen sërish nga një mbrojtës, këtë herë me Marvin Compper, i cili pas një krosimi në zonë, me një goditje të topit me kokë, i dhuron sërish festë skuadrës së tij. Një lojë e dobët nga ana e Benficës dhe me shumë pak raste shënimi, ndërkohë në krahun tjetër, klubi gjerman arriti të siguronte një fitore jo të lehtë. Përballja tjetër e Emirates Cup, Arsenal-Sevilla, u mbyll me fitoren 1-2, të klubit spanjoll.
45 minutat e para të takimit nuk prodhuan asnjë gol për të dyja skuadrat, pavarësisht tentativave për të zhbllokuar rezultatin. Vetëm 4 minuta nga fillimi i fraksionit të dytë të lojës është Sevilla që arrin të gjejë golin e avantazhit në të 49, me anë të Joaquin Correa. Për t’i rikthyer baraspeshën, kujdeset blerja më e re e “Topçinjve të Londrës”, Alexandre Lacazette në minutën e 63. Nuk vonon kundërpërgjigjja e andaluzianëve, me mesfushorin N’Zonzi, i cili me një goditje nga jashtë zone, i dhuron sërish avantazhin ekipit, në minutën e 69. Përpjekjet e Arsenalit për të barazuar sërish rezultatin nuk funksionojnë, me Sevillan që arrin të fitojë përballë klubit londinez.

Sot firmos me PSG

Plot 15 minuta të kaluara në dhomat e zhveshjes së Real Madridit pas fitores 3-2 të Barcelonës në Miami, duket se kanë mjaftuar për të ushqyer spekulimet frenetike që po shoqërojnë këtë merkato verore lidhur me të ardhmen e yllit brazilian, Neymar. Sulmuesi 25-vjeçar tashmë duket të jetë shumë pranë kalimit te klubi i sheikut Al Khelaifi, që për të do të paguajë plot 220 milionë euro dhe veprimi i Neymar duke marrë fanellat e Sergio Ramos dhe Casemiro apo bisedat e gjata me Julio Baptistan në ambientet e stadiumit “Hard Rock” mbrëmjen e së shtunës, përkthehet nga të gjitha mediat si një lamtumirë. E nëse këto do të ishin imazhet e fundit të Neymar si një lojtar i Barcelonës atëherë për Realin ky do të ishte një lajm i mirë.
Për ta konfirmuar këtë mendon dhe e përditshmja e Katarit, “Al Watan” që tregon se ditën e martë sulmuesi do të kryejë ekzaminimet mjekësore në Katar për ekipin e Paris Saint Germain. Neymar nuk i është bashkuar grupit katalanas për kthimin në Spanjë, por ka udhëtuar për në Kinë ku po angazhohet në një spot publicitar, e prej andej do të udhëtojë për në Katar ku pritet të mbërrijë të martën, për t’u takuar me Presidentin e klubit nga Parisi, sheikun Nasser Al Khelaifi. Ky padiskutim që do të jetë transferimi më i bujshëm i kësaj merkatoje.
Nëse sheiku nga Katari, Al Khelaifi mendon se 222 milionë eurot e klauzolës do të mjaftojnë për ta shkëputur Neymar nga Barcelona, ndoshta gabohet. Sipas mediave katalanase, klubi blaugrana i ka kërkuar PSG një nga yjet e skuadrës për të ndezur dritën jeshile dhe këtu nuk bëhet fjalë për lojtarë të dorës së dytë. Dy asistet e Neymar në El Clasicon amerikane mund të jenë prekjet e fundit të topit me Barcelonën që synon të afrojë një prej yjeve të PSG. Di Maria, Draxler, Rabiot ose Verratti, gjithçka do të varet nga fjala e fundit që do ta thotë trajneri Valverde, por edhe nga dëshira e presidentit Josep Maria Bartomeu. Mes katër emrave të propozuar nga Barcelona, pista më e vështirë duket ajo që të çon te mesfushori italian duke qenë se PSG e konsideron të pashitshëm.
Nuk dihet ende nëse njëri prej lojtarëve të kërkuar do të përfshihet në çmimin e shitjes së Neymar, por e sigurt është që presidenti katalanas po bën gjithçka për të mos lejuar transferimin e brazilianit në Paris, pasi në këtë mënyrë imazhi i Barcelonës do të binte ndjeshëm. Në krahun tjetër, PSG po përdor një taktikë të njohur. Al Khelaifi shpreson që miku i tij, Dani Alves të arrijë ta bindë Neymar të pranojë ofertën stratosferike. Në Paris, sulmuesi brazilian do të përfitonte rreth 30 milionë euro në sezon dhe mbi të gjitha do të ishte lideri i padiskutueshëm i ekipit, ndryshe nga aventura e tij në Barcelonë që vazhdon të jetë e mbuluar nga hija e Lionel Messit.
Ndërkohë, Barcelona ka kthyer sytë nga Mesut Ozil. Siç bëjnë të ditur mediat spanjolle, alternativa e parë ndaj Philippe Coutinho-s për Barcelonën është Mesut Ozil. Futbollisti i Arsenal-it mund të lërë Topçinjtë këtë verë, me katalanasit që janë gati të paguajnë deri në 60 milionë euro për kartonin e gjermanit që në të kaluarën ka luajtur me rivalët e Realit të Madrid-it.