Mësohen emrat e gjyqtarëve që do të japin drejtësi në ndeshjet e kthimit të raundit të tretë kualifikues të Europa League për skuadrat shqiptare. Sigurisht me kalimin e tureve rritet dhe niveli i arbitrave, pasi shtohet edhe përgjegjësia. Përballjen mes Skënderbeut dhe Mllada Boleslavit do ta drejtojë ukrainasi Sergi Boiko, një gjyqtar i FIFA-s që nga viti 2011. Gjatë sezoneve të fundit ky arbitër ka gjykuar në vazhdimësi ndeshjet e fazës së grupeve të Europa Leagues, ndërsa për tifozët shqiptarë është i njohur pasi ka arbitruar sfidën mes Gentit dhe Shkëndijës së Tetovës në play off-in e sezonit të kaluar, takim që u mbyll me suksesin 1-2 të skuadrës belge. Ndihmës të tij do të jenë Viktor Matjash dhe Volodimir Visotski, ndërsa i katërt Ivan Bondar.
Për ndeshjen mes Shkëndijës dhe Trakait, UEFA ka caktuar gjyqtar kryesor Klejton Pisani nga Malta. Në vitin 2014 ai drejtoi ndeshjen e Ligës së Europës mes Flamurtarit dhe Sioni Bolnisi, të përfunduar me shifrat 2-1 për ekipin gjeorgjian. Në sezonin pasardhës ishte kryesori në ndeshjen Sporting Lisbonë-Skënderbeu, në fazën në grupe të Ligës së Europës, që përfundoi me shifrat 5-1. Dha dy 11-metërsha në atë takim në favor të portugezëve, si dhe ndëshkoi me karton të kuq Salihin. Ndihmës të tij do të jenë Alan Kamileri dhe Eduard Spiteri, ndërsa gjyqtar i katërt Glen Tona.
Skënderbeu e Shkëndija, ja kush do jenë gjyqtarët
Besar Halimi shkëlqen te Brondby
Formë fantastike e Besar Halimit te Brondby. Ai ka arritur të realizojë golin e dytë në elitën e futbollit danez, në fitoren e skuadrës së tij 5:3 ndaj Lyngby. Fantazisti i përfaqësueses së Kosovës ka realizuar golin e tij për rezultatin 4:3 në minutën e 79, duke i hapur rrugë fitores së Brondby. Aksionin e bukur të golit e nisi pikërisht ish-anëtari i Mainz.
22-vjeçari luajti për 90 minuta këtë takim duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm te Brondby. Huazimi i tij në Danimarkë padyshim ka qenë një hap shumë i rëndësishëm për karrierën e Halimit, i cili në 3 ndeshje ka arritur të realizojë dy gola. Nëse forma e tij do të vazhdojë në këtë mënyrë, atëherë me shumë mundësi do të ftohet nga Albert Bunjaku në përfaqësuese për ndeshjet e shtatorit me Kroacinë dhe Finlandën.
Lenjani debuton në fitoren e Sionit
Vetëm pak ditë i kanë mjaftuar Ermir Lenjanit për bindur trajnerin Paolo Tramezzani që t’i rezervonte minuta në radhët e Sionit në javën e dytë të Superligës së Zvicrës. Përballë Laussanës në transfertë, futbollisti i kombëtares shqiptare u aktivizua nga ish-ndihmësi i De Biasit në minutën e 68-të, kur rezultati vazhdonte të ishte ai i pjesës së parë, 0-1 për ekipin e Sionit. Lenjani u aktivizua në krahun e majtë, kur përveç detyrave mbrojtëse duhet të dilte me shpejtësi në sulm për të krijuar situata të rrezikshme në zonën kundërshtare.
Në këtë sfidë Lenjani qëndroi për rreth 25 minuta në fushë, duke dhënë sinjale se do të jetë një alternativë e besueshme për krahun e majtë. Sioni ka arritur të marrë pikë të plotë në dy takimet e para të kampionatit zviceran sikurse Zyrihu i Burim Kukelit, që falë aftësisë të tij në vendosje po jep kontribut edhe si qendërmbrojtës, rol që e ka kryer me sukses edhe në kombëtaren shqiptare.
Ylli i ri i Levantes, perlë e Enis Bardhit
Enis Bardhi vazhdon të mahnisë Levanten. Talenti shqiptar nga Maqedonia realizoi një gol të shkëlqyer në miqësoren që skuadra nga Valencia zhvilloi me Vijarealin. Një perlë nga goditje dënimi, që janë specialiteti i tij. Portieri i dorëzuar, ndërsa Levante kaloi në avantazh 1-0. Në pjesën e dytë të lojës, Vijareali përmbysi shifrat, duke fituar 3-1, por në përgatitjet për sezonin e ri Enis Bardhi është kthyer në yllin e ri të ekipit.
Mesfushori 22-vjeçar i mahniti të gjithë me golin dhe me lojën, duke u konfirmuar si një blerje e goditur nga Levante, që pagoi 1,5 milionë euro për kartonin e lojtarit te hungarezët e Ujpeshtit. Një lojtar shtatshkurtër, por me klas dhe potencë, duke u shfaqur gjithmonë luftarak në fushë, Bardhi ishte mes protagonistëve absolutë të kualifikimit historik të përfaqësueses së 21-vjeçarëve në Kampionatin Europian.
Talenti shqiptar i lindur në Shkup dha sinjale se do të ishte një lojtar i rëndësishëm për Levanten, pasi shënoi prej ndeshjes së parë miqësore, të luajtur më 20 korrikun e kaluar, ku skuadra e sapongjitur në La Ligan spanjolle fitoi 5-0 përballë La Nusia, por edhe në fitoren 2-1 përballë Kadizit.
Thirrje tifozëve për mbështetje
Klubi i Skënderbeut u bën thirrje tifozëve korçarë të jenë sa më të shumtë në numër në mbështetje të ekipit në ndeshjen e kthimit me Mllada Boleslavin që do të zhvillohet të enjten në orën 20:00 në “Elbasan Arena”. Me moton “Bashkë do ta kalojmë edhe këtë betejë”, drejtuesit e Skënderbeut kërkojnë të sensibilizojnë të gjithë mbështetësit për rëndësinë që ka prania e tyre në stadium.
Gjithashtu në faqen zyrtare të klubit u publikuan edhe çmimet e biletave të takimit me skuadrën çeke, që janë të ndara sipas kategorive. Kështu në tribunat G dhe C një biletë kushton 200 lekë, në tribunat D dhe F 300 lekë, ndërsa në tribunën E 400 lekë.
Çmimi shkon në 1000 lekë në tribunat A1, A4, B1 dhe B5. Në A2, A3 dhe B2, B4 për të prenotuar një vend duhet të shpenzosh 1500 lekë. Çmimi rritet në 2000 lekë për tribunën B3, ndërsa çmimin më të lartë e ka tribuna VIP me 4000 lekë për biletë.
Problemi jeni Ju, zoti Kryeministër!
Nga Namir Lapardhaja
Aftësia manipulative dhe retorika propagandistike nëpërmjet një sistemi mediatik thellësisht klientelist dhe të kapur nga pushteti, është çelësi i sekretit të fitores së qeverive problematike dhe të korruptuara.
Ajo që ka rëndësi në këto raste nuk është çka ke vepruar dhe çka vepron konkretisht për njerëzit dhe për vendin, por mjeshtëria për të manipuluar elektoratin, i cili, në masë të madhe, është mjaftueshmërisht i ndikueshëm dhe i orientueshëm nga ajo çka shikon në mëngjes dhe në mbrëmje në televizor.
Ky problem nuk është vetëm shqiptar. Jo më kot fushatat elektorale sot kanë marrë dimensione të tjera, kryesisht duke u investuar në fushën e vizibilitetit dhe virtualitetit dhe duke i dhënë më shumë se gjithçka rëndësi zyrave të marrëdhënieve me publikun. Është ajo që J. Baudrillard kur flet tek “Amerika” për Reganin thotë se besueshmëria e tij qëndron tek përmasa e saktë e buzëqeshjes transparente dhe hiçanake. Pra, tek aftësia e manipulimit të njerëzve.
Për një popull si ky i yni që propagandën dhe manipulimin e kanë të lidhur me historinë e tyre jo shumë të largët, narrativa e politikës dhe besueshmëria në të, realizohet më me lehtësi. Dhe nuk mund ta fshehim se kjo aftësi manipuluese është më e madhe, më mjeshtërore dhe më profesionale në radhët e Partisë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama, pavarësisht se si qëndron raporti i së vërtetës mes premtimeve dhe realizimeve të qeverisjes së tij.
Rreth 4 vjet më parë, Edi Rama proklamonte me të madhe se nuk ka njerëz të korruptuar, por është sistemi ai që i bën të tillë. Faji i sistemit i shërbente në atë kohë për të anatemuar kundërshtarin dhe për të amnistuar pjesë të qeverisjes së asaj kohe, që do t’i shërbenin si patericë për të ardhur në pushtet dhe për ta mbajtur atë në qeverisjeje për një kohë të konsiderueshme. Sigurisht që retorika e sistemit i funksionoi për të marrë pushtetin dhe për ta qeverisur vendin për 4 vjet, jo si do të duhej, por si mund të qeveriste.
Mirëpo, fill pas fitores së tij të 25 qershorit, në takimet e tij me njerëzit, që më së shumti i përngjajnë gjyqeve të dikurshme popullore, pavarësisht se ato i shërbejnë këtij manipulimi mjeshtëror dhe realizohen qëllimisht për të shfryrë inatin e turmës tek disa individë, të lënë në mënyrë të menjëhershme dhe të hedhur me të shpejtë si preh për lukuninë e harbuar, që janë gati t’i shqyejnë, tregojnë dhe nxjerrin në pah probleme të mëdha të këtij sistemi që Rama mundi të “ndërtonte” për 4 vjet.
Sepse drejtorët e Zyrave të Regjistrimit dhe të ALUIZN-it, meqenëse kjo fushatë është kryesisht kundër tyre, nuk janë vendosur aty nga qielli apo për ndonjë meritë të theksuar profesionale, intelektuale ose qytetare, por si pasojë e një sistemi që funksionon nëpërmjet lidhjeve politike dhe nepotike, të cilit ata i kanë shërbyer për katër vjet me radhë dhe i cili sot i ka nxjerrë në ballë të urrejtjes së njerëzve.
Në fakt, me anatemimin e tyre zoti Rama nuk bën gjë tjetër vetëm se nxjerr veten e tij zbuluar. Sepse ata në ato pozicione janë vënë pikërisht nga partia e tij dhe këto zyra kanë keqfunksionuar përgjatë 4-vjeçarit të tij qeverisës.
Vetëm raporti i fundit i KLSH-së, nxori në pah se administrata shtetërore i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej 590 milionë eurosh vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2017. Nuk po përmendim këtu dëmin që i ka shkaktuar e njëjta administratë buxhetit për 4 vjetët që kanë kaluar dhe për ato që do të vijnë.
Dhe sipas të njëjtit raport këto dëme janë shkaktuar kryesisht në dogana dhe në tatime, të dyja këto institucione mjaft të rëndësishme dhe që kanë qenë nën kontrollin total dhe të drejtpërdrejtë të Kryeministrit Edi Rama.
Pra, përveç Zyrave të Regjistrimit dhe ALUIZN-it, problem gjatë qeverisjes qenkan edhe doganat dhe tatimet.
Këto problematika Edi Rama nuk mund t’i fshehë as pas listave të denoncimeve anonime për 100 zyrtarë në Shqipëri, në një kohë që në atë listë mungon vetë ai, pikë së pari apo ministra të kabinetit të tij qeverisës, të cilët për 4 vjet kanë qenë herë pas here në qendër të denoncimeve për afera korruptive miliona euro.
Në këtë kuptim dhe duke iu rikthyer sistemit, qeverisja e Edi Ramës është një dështim total, për sa kohë që ai jo vetëm nuk mund ta përmirësonte sistemin, por sistemi që ai ngriti dhe që personifikohet kryesisht me figurën e tij, doli që qenka po aq problematik dhe po aq i korruptuar, në mos më shumë.
Ndaj, pavarësisht rezultatit zgjedhor, problemeve të mëdha të opozitës, e cila ende nuk po gjen rrugën e duhur për të parë drejt dhe qartë, pavarësisht propagandës mjeshtërore dhe thellësisht manipulative, problemi jeni Ju, zoti Kryeministër!
Kosova s’ka qen
Edison YPI
Më pat marrë malli për perrinë e Sharrit, hyjninë e Istogut, eleganten e Prizrenit. Anipse e korruptuar dhe e islamizuar, po digjesha për hiret, nazet e Saj, me ja bo ca komplimenta, ca ledhatime, me e kap për qafe, me e puth në faqe. Mezi po duroja me ja heq Kosovës të gjitha rrobat. Dorpërdore me Kosovën cullak dhe flokët që ja merr era, me shetit nga Kaçaniku në Leposaviq, nga Deçani në Kamenicë. Nuk u nisa në Kosovë se më mori malli për imamët rrogëtarë pëllitës, as për ministrat hajduta. U nisa në Kosovë për qef. Kur kisha bërë disa kilometra drejt Prizrenit, nuk po u besoja syve; Ku janë qentë e shtypur me zorrë përjashta nga rrotat e makinave si në autostradat e Shqipërisë? Këtu makina ka, pse s’ka edhe qen të shtypur nga rrotat? Ku po e çon breshka e progresit këtë vend me makina dhe rrota, por pa pellgje gjaku qensh të shtypur? Deri në Kukës pashë të paktën dhjetë qen të shpartallum nga rrotat e makinave. Shqipëria është plot me qen, makina, rrota. Në Tiranë vetëm rrotull shtëpisë time janë nja shtatë a tetë që kanë qënë spiunë dhe tani mbahen për demokratë të dorës së parë. Mijëra të tjerë me kryt nga hëna kuisin nëpër zyra e nëpër rrëza, pranë restoranteve, nëpër sheshe, ca zgjuar duke marrë frymë me zor, të tjerë kutullaç duke fjetur, duke dremitur, duke u krruajtur. I habitur nga kjo asimetri numerike qensh të shtypur nga rrotat, ndala në Suharekë. Rrotull kasapit të Suharekës, asnjë qen. Ky konstatim u bë sebep të më shtohet interesimi për me mësu më tepër për qentë e Kosovës të cilët mungonin edhe aty ku gjithmonë janë prezent, në thertore. Ku janë, si janë, çfarë hanë, çfarë lëpijnë vallë qentë kosovarë? Në një Restorant pa qen te dera dhe as brenda, mik i hershëm nga Dobërdalani po ha e pi me dikend me mustaqe të trasha si degustator birre dhe një tjetër me një seriozitet epik në surrat sikur sapo ka dalë nga një ep. Ne kosovarët, tha miku nga Dobërdalani, nuk kemi pyje të prerë, nuk kemi kamarierë që të shajnë nga mami po u hyre në restorant, nuk kemi qen zorraxhinj nëpër rrugë e nëpër kazana. Autostrada nuk është për ty. Kalo nga Budakova. Bëra si tha miku. Duke u ngjitur në drejtim të Bjeshkës, para Budakovës, një kalimtar që s’dukej si qen më qartësoi; Kemi kryesisht qen stani me e rujt bagëtinë mos me e ça ujku. Nuk mundesh me i pa qent e stanit se janë larg në bjeshkë. Në katund kemi qen seriozë, qen gjahu. Për qen kockash, qen rrugësh, qen plehrash, nuk bëhet fjalë. Budakova është një ballkon natyror prejnga mundesh me pa gjysmën e Kosovës pa qen dhe një copë shqipërie që po ta shohësh me dylbi është plot me qen. Disa budakovarë të rinj në verandën e një lokali; Kemi shpia, kemi kerra, kemi UÇK, kemi emigracion, kemi pare. Kemi dhe një kerr të policisë serbe që deshte me na shkel si kerrat e Shqipnis shkelin qent. Atë kerr kriminel, ne budakovarët trima e dogjëm gjatë luftës. Qenin e djegur e kemi vu anës rrugës si muzeum në natyrë. Qen si ata që thua zotrote nuk kemi. I shmangem me kujdes ftesës insistuese të budakovarëve për me ndejt për drekë e darkë me mish e pilaf e muhabet, dhe bëj tutje. Tabelat e panumurta të rrugëve nuk kanë emra qensh, emra atentatorësh halabakë, si rrugët e Shqipërisë. Kanë emra luftëtarësh të UÇK. Katunde mahnitëse njëri më i bukur se tjetri, fusha të mbjella, panorama pyjesh dhe shkëmbinjsh në të majtë e të djathtë rrëshqasin si në dy filma që çfaqen njëkohësisht për secilin sy. Shtëpitë, kopështet, arat, gjithçka e skalitur, gjithçka si e vizatume me kompjuter. Por, çudi e madhe, asnjë qen. Asnjë qen edhe pranë apo brenda disa restoranteve në vende turistike ku kamarierët përgjigjen me mirsjellje për gjithçka i pyet. Kalimtari, çuni i minimarketit, shoferi i furgonit, një çoban, një fëmijë me çantë shpine, çika që pret autobuzin, për çfarë i pyet të gjithë pa përjashtim të përgjigjen si njerëz, jo si qen. Diku në një burim në majë të malit që u qujtke “Kroi i Mbretit”, kosovarë e kosovaresha kanë ndal makinat, po pijnë ujë, po freskohen e po çlodhen duke kqyrur pamjen sy-lumturuese. Pranë burimit duke lëpi mbeturinat, duke u krrujt a duke flejt, asnjë qen. Më tutje, ku mbaron bjeshka dhe fillon fusha, kompleksin modern të banjave nuk e ka ndërtu një qen për qentë por një njeri për njerzit.
Vendimi skandaloz i Kolegjit: I 19-ti në listë është para të 17-tit
LSI ka reaguar me ashpërsi dje ndaj kreut të qeverisë Edi Rama, duke e konsideruar si njeriun që do të ketë nën kontroll çdo pushtet në Shqipëri, edhe mbi atë lokal, edhe mbi drejtësinë.
Reagimi ka ardhur pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të mos ia hequr mandatin këshilltares së përjashtuar të LSI-së nga Këshilli Bashkiak, Genta Mezini. Mezini, kundër vendimit të LSI-së, votoi pro rritjes së çmimit të ujit të pijshëm bashkë me Agim Krajën, një këshilltar tjetër i LSI. Për këtë arsye u përjashtuan nga radhët e kësaj partie, që i etiketoi si të korruptuar dhe të blerë nga pushteti.
Me vendimin e djeshëm të Kolegjit për të mos e zëvendësuar Mezinin me dikë tjetër, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari ngriti gishtin e akuzës drejt Kryeministrit.
Deklarata e plotë e Braimllarit:
“Vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor për këshilltarin bashkiak që i takon ligjërisht Lëvizjes Socialiste për Integrim vendosi që 19-ta është para 17-s. Edi Rama tregoi edhe një herë qartazi që kërkon të ketë në kontroll çdo pushtet në Shqipëri, përfshirë pushtetin lokal dhe sistemin e drejtësisë për të cilin ka shumë kohë që lufton që ta zotërojë në çdo mënyrë.
Shqiptarët tani do të shikojnë se pas tepsisë, Edi Rama do të shtrohet këmbëkryq edhe në drejtësi. Tashmë regjimi i drogës, krimit dhe oligarkëve do të rendisë edhe listat e këshilltarëve dhe deputetëve.
Vendimi i sotëm tregon se i gjithë sistemi në Shqipëri është i kapur nga Edi Rama.
Lëvizja Socialiste për Integrim është e vendosur në rrugën e saj për të bërë opozitë frontale ndaj këtij regjimi të neveritshëm, i cili po tregon çdo ditë e më shumë kapjen e çdo sistemi, duke përfshirë këtu edhe sistemin e drejtësisë.
Kjo është politika e pashpresë e Edi Ramës, e cila po e çon Shqipërinë në udhëkryq duke larguar çdo ditë e më shumë shqiptarët nga Shqipëria”.
Pavlopoulos paralajmëron qeverinë Rama
Presidenti grek Prokopis Pavlopoulos, në një fjalim në Kongresin e Këshillit Botëror të Epiriotëve të Diasporës, mbajtur në Prevezë, i ka çuar një mesazh edhe Shqipërisë. Ai ka kërkuar që Shqipëria të respektojë të drejtat e minoritetit etnik grek, si një kusht i qartë për anëtarësimin në BE.
“Nuk duhet të harrojmë edhe minoritetin etnik grek, çdo të drejtë e të cilit duhet të respektohet plotësisht në Shqipërinë fqinje, ashtu siç u takon qytetarëve që jetojnë në një shtet të së drejtës. Sepse vetëm vendet që janë me të vërtetë shtete të së drejtës plotësojnë minimumin dhe tashmë kushtin e qartë për integrimin në familjen e madhe të popujve evropianë”, ka deklaruar Pavlopoulos.
Me dëshpërim, ai është shprehur se ato që po shihen kohët e fundit në Shqipëri nuk janë shenja pozitive. “Ato që po shohim kohët e fundit, e themi me të vërtetë me dëshpërim, nuk janë shenja të mira. Sepse ato që po ndodhin sot dhe që janë totalisht të paligjshme, sidomos shembja e shtëpive, tregojnë se një pjesë e shtetit të së drejtës dhe të respektit të të drejtave themelore, që është respekti tek prona, sepse prona është e drejtë themelore, e cila mbrohet nga e drejta kombëtare e çdo vendi, por edhe e drejta kombëtare, kur shohim pra këto fenomene themi se ekziston një shkelje e të drejtave themelore, pra shkelje e shtetit të së drejtës”, ka vijuar Pavlopulos.
Ai ka shtuar se, Greqia i sheh gjithnjë me dashuri nëne bashkëkombësit e saj dhe i siguron ata se ashtu si ajo respekton dhe ruan me nder të drejtën evropiane dhe ndërkombëtare, pret të njëjtën sjellje nga Shqipëria.
“Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, shembja e ndërtesave që u përkasin minoritarëve grekë nuk favorizon aspak perspektivën evropiane të saj”, ka përfunduar fjalimin presidenti i Greqisë.
Kina i thotë jo mbetjeve të Europës, do vijnë në Shqipëri
Ish-deputeti, tashmë në krye të partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, nëpërmjet një shënimi në faqen e tij në Facebook ka zbuluar një detaj të rëndësishëm sipas tij, për arsyen se përse kryeministri Rama këmbëngul për të kaluar ligjin e mbetjeve në Parlamentin e ardhshëm.
Sipas tij, Kina që importon 50% të mbetjeve të BE-së në vit ka vendosur, që ta ndërpresë këtë aktivitet.
Kokëdhima e shikon Shqipërinë si hallkën më të dobët, ku edhe me nënshtrimin e kryeministrit Rama, mund të kthehet pas miratimit të ligjit, në një depo gjigante të grumbullimit të plehrave të Europës.
Reagimi i Kokëdhimës
Kina ndalon importin e mbetjeve të Europës, a do i pranojë ato Shqipëria?
Ku qëndron sekreti i sevdasë që ka shfaqur kryeministri ynë për të sjellë në Shqipëri mbetjet e Europës dhe të botës?!
Kina ka shkaktuar një tërmet këtë korrik, duke deklaruar se nuk do të importojë më mbetje nga Bashkimi Europian. Pekini ka vendosur të mos lejojë më të hyjnë në territorin kinez mbetje plastike, tekstile, letra dhe kartona e deri inertet. Kina ishte importuesi më i madh i mbetjeve në botë me 50 milionë tonë në vit, për industrinë e riciklimit.
Deklarata e autoriteteve kineze me këtë rast thotë: “Kontrabandistë kinezë, në bashkëpunim me ata të huaj, kanë përfituar nga ligji mbi importin e mbetjeve, për të futur ilegalisht mbetje të rrezikshme në Kinë. Na duhet të mbrojmë interesat mjedisore të vendit tonë dhe shëndetin e njerëzve”.
Këtë vendim Kina do ta shoqërojë me mbylljen e një sërë fabrikash riciklimi në vend, që funksiononin nga importi i mbetjeve.
Ky vendim e ka vënë në hall BE-në, e cila, 50% të mbetjeve i eksporton aktualisht në Kinë. Duhen gjetur kështu vende të tjera kamikaze, për të shkarkuar këto miliona tonelata mbetje në vit, që Kina s’do t’i pranojë më. Kjo, mesa duket, është një nga arsyet përse Europa e mbështet kryeministrin tonë me tumane e atlete!
ZGJIDHJA nuk do të lejojë që vendi ynë të bëhet koshi i plehrave që europianët duan të ngrenë në periferi të tyre, për të zëvendësuar landfill-et që po humbasin në Kinë.
Shumë njerëz nuk e kanë shpjeguar dot këmbënguljen e Kryeministrit tonë për të miratuar ligjin për importin e plehrave. Kina është një shtet shumë i fortë në shumë drejtime; ekonomia e parë në botë dhe prapë nuk arrinte dot të mbrohej nga mafia e mbetjeve të vendit dhe të Europës. Si do të mbrohet Shqipëria?!
Shteti shqiptar është rrumpallë, administrata e korruptuar deri në palcë, qeveria e kapur nga mafia dhe oligarkia e korrupsionit, vendi pa asnjë kapacitet për menaxhimin e kufijve, doganave, standardeve mjedisore dhe mbetjeve!
Ky vend do të transformohet shpejt në një parajsë të mafies së mbetjeve për fitime kolosale e njëkohësisht në një pus gjigant kanceri për popullin tonë.
Kryeministri e di këtë gjë. Ai, me vetëdije të plotë, ka shkatërruar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ka zhdukur çdo element të demokracisë në parti dhe në qeverisjen e vendit, ka instaluar një regjim antidemokratik e antipopullor në shërbim të një grushti oligarkësh, e ka mbushur administratën me tutkunë, injorantë, militantë partie të pashkolluar, të korruptuar dhe të inkriminuar.
Ky kryeministër ka uzurpuar gjithë pushtetet dhe burimet. Ai mund të fitojë çdo palë zgjedhje, si ato të 25 qershorit, me 99% sepse vetë i organizon, vetë i kontrollon, vetë i drejton dhe vetë i numëron. Megjithatë, ai ka nevojë të blejë heshtjen e faktorit ndërkombëtar, që ata të mbyllin sytë përpara këtyre të vërtetave dhe të vijojnë mbështetjen ndaj kësaj qeverisje!
Kjo është një nga arsyet pse kryeministri ynë është treguar drejtuesi më servil ndaj interesave dhe diplomatëve të huaj që ka patur ndonjëherë Shqipëria, përveç atyre të qeverive kuislinge gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Aq sa brutal, autokratik dhe i pashpirt shfaqet ndaj popullit të vet, po aq i përulur dhe puthador sillet ndaj të huajve.
ZGJIDHJA nuk do të lejojë që ai ta përdorë timonin që ka marrë për të na hedhur kolektivisht në greminë! Ne jemi të vetëdijshëm për rrezikun që po i kanoset vendit. Të gjithë shqiptarët, që e duan këtë vend duhet të luftojnë! Kryeministri është përgatitur të miratojë ligjin për importin e mbetjeve, menjëherë sa të mblidhet Parlamenti i ri. Ai tentoi disa herë gjatë vitit të shkuar. Sfida jonë për të mbrojtur atdheun nga pushtimi i plehrave hyn në fazën e vet më të rëndësishme në shtator!
ZGJIDHJA do të jetë në krye të rezistencës së popullit tonë kundër planit të ekomafies ndërkombëtare për ta kthyer Shqipërinë në bazë të tyre.
Importi i mbetjeve, një çështje e refuzuar në mënyrë masive
Aleanca kundër Importit të Plehrave ka shprehur rezervat lidhur me ndryshimet në ligj, ndërsa thekson se nuk është respektuar dekreti i presidentit. AKIP gjykon se importi i mbetjeve është një çështje e refuzuar në mënyrë masive nga qytetarët e këtij vendi, jo vetëm me sondazhe me mbi 90% të popullsisë, por dhe me 65000 firma referendare dhe me protesta të vazhdueshme. Ndaj ata gjykojnë se amendimet Shalsi duhet të rrëzohen si të papranueshme. Nga ana tjetër, Qendra e Studimeve të Burimeve Natyrore thekson se janë njësitë vendore ato, të cilat duhet të ndërmarrin fushata informuese për ndarjen e mbetjeve në burim. Lidhur me ndarjen e mbetjeve të riciklueshme, që është edhe një nga objektivat e ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, duhen zbatuar forma më praktike, në kushtet e favorshme të krijuara nga ndarja e re administrative-territoriale, vendosja e administratorëve të pallateve dhe administrimi me bordin e banorëve dhe rolit që do të luajnë në komunitet bordet e zgjedhura të pallateve. Po ashtu sipas kësaj qendre, mbetet shqetësuese çështja e ngritjes së inceneratorëve.