18.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Bizneset kanë humbur besimin tek ekonomia

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) shënoi nivelin 111.4 në tremujorin e dytë të vitit 2017, duke rënë me 9.7 pikë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Niveli më i ulët i TNE-së pasqyroi rënien e treguesve të besimit në shërbime dhe në tregti, ndërkohë që besimi i bizneseve të ndërtimit, të industrisë, si dhe besimi i konsumatorëve rezultoi i përmirësuar. Me gjithë këtë zhvillim, niveli aktual i TNE-së në tremujorin në analizë vazhdon të mbetet mbi mesataren afatgjatë të tij dhe më lart nivelit të shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) vijoi të rritet me 4.5 pikë përqindje për të dytin tremujor radhazi. Rritja e TBI-së pasqyroi kryesisht dinamikën pozitive të balancës së kontratave porositëse (+10.1 pikë përqindje) dhe një masë më të vogël rritjen e dy komponentëve të tjerë formues të treguesit – balanca e prodhimit (+1.2 pikë përqindje) dhe e gjendjes së inventarëve (-2.1 pikë përqindje). Midis balancave të tjera të vrojtimit, gjendja financiare e bizneseve të sektorit rezultoi e përmirësuar. Një nivel më të lartë shënoi edhe balanca e pritjeve për ecurinë e prodhimit në tremujorin e ardhshëm, ndërkohë që pritjet për punësimin shënuan rënie të lehtë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 0.5 pikë përqindje kundrejt vlerës së tremujorit të mëparshëm, por niveli i saj, rreth 74.4%, mbetet 2.2 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj. Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) vazhdoi tendencën rritëse edhe në tremujorin e dytë (+1.7 pikë përqindje), duke e zhvendosur atë lehtësisht mbi mesataren historike të tij (+1.2 pikë përqindje). Të dyja balancat përbërëse të TBN-së, kontratat porositëse dhe aktiviteti ndërtues, rezultuan më të larta kundrejt tremujorit të mëparshëm, përkatësisht me 2.6 dhe 0.7 pikë përqindje. Vlerësimet e bizneseve në sektorin e ndërtimit për gjendjen financiare u përmirësuan në tremujorin në analizë. Rritje shënuan edhe balancat e punësimit dhe pritjeve për të në tremujorin e ardhshëm. Gjithashtu, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim rezultoi 63.6%, rreth 1.9 pikë përqindje më lart se një tremujor më parë, por ende nën mesataren historike të saj (me -0.5 pikë përqindje). Pas rritjes për tre tremujorë radhazi, treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) rezultoi me rënie (- 18.0 pikë përqindje) në tremujorin e dytë të këtij viti. Megjithatë, niveli i TBSH-së qëndron mbi vlerën e shënuar një vit më parë (+17.1 pikë përqindje) dhe mbi mesataren historike (+9.5 pikë përqindje. Dinamika e TBSH-së i atribuohet rënies së balancave të tij formuese, kërkesës (-19.0 pikë përqindje) dhe ecurisë së biznesit (-17.4 pikë përqindje). Ndërkohë, edhe balancat e tjera që nuk përfshihen në ndërtimin e treguesit agregat, si ato të gjendjes financiare të bizneseve dhe të punësimit rezultuan më të ulëta në tremujorin në analizë. Pritjet e bizneseve për kërkesën në tremujorin e ardhshëm qëndruan në të njëjtin nivel me periudhën e mëparshme, ndërsa pritjet për punësimin shfaqën një përmirësim të lehtë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi rënie me 8.1 pikë përqindje në tremujorin e dytë, duke qëndruar rreth nivelit 71.7%. Kjo normë rezulton 4.8 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj. Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) ra me 3.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë. Megjithë dinamikën rënëse të treguesit, TBT-ja mbetet mbi mesataren historike (+1.0 pikë përqindje). Rënia e TBT-së pasqyroi nivelet më të ulëta të balancave që formojnë treguesin, ecuria e biznesit (-5.5 pikë përqindje) dhe pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm (-2.3 pikë përqindje). Edhe balanca e gjendjes financiare të bizneseve të sektorit shënoi rënie.

Bie ndjeshëm kredia për ekonominë më 2017-n

Ndonëse ekonomia raportohet se ka një gjallërim dhe u rrit me gati 4% në tremujorin e parë të këtij viti, sistemi bankar nuk arrin të reflektojë këtë tendencë. Huaja për ekonominë, që është një tregues i financimeve që marrin bizneset për të investuar ose qarkulluar kapitalin dhe individët për të blerë pasuri të paluajtshme apo produkte konsumi, ka shënuar një rënie të fortë në muajin qershor. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë zbriti në 543.5 miliardë lekë, duke arritur në nivelin më të ulët që nga janari i vitit 2016. Vetëm në qershor, stoku i huasë u reduktua me 955 milionë lekë, në raport me muajin e mëparshëm, pasi ishte reduktuar ndjeshëm edhe në janar dhe prill. Në krahasim me dhjetorin 2016, stoku i huasë për ekonominë ka rënë me 0.7%. Me bazë vjetore (qershor 2017/qershor 2016), kredia e dhënë për ekonominë është reduktuar me 1.6%. Me bazë vjetore, e gjithë rënia është ndikuar nga tkurrja e stokut të huasë dhënë korporatave jo financiare në valutë, pra kryesisht huaja e dhënë në euro për bizneset, stoku i të cilës ka rënë me 26 miliardë lekë në raport me qershorin 2016, nga 8.9 miliardë lekë që ka rënë stoku në total i huasë për të njëjtën periudhë. Sistemi bankar është përfshirë në një proces të fshirjes së kredive që janë më shumë se tre vjet vonesë, që kanë reduktuar kryesisht në valutë. Kjo fshirje u reflektua dhe në uljen e treguesit të kredisë me probleme, që zbriti në 15.86% në muajin maj, larg nga niveli rekord i afërt 25% që arriti në mesin e vitit 2014. Rritjen më të lartë në vlerë absolute vitin e fundit e ka shënuar kredia për individë, me rreth 8.8 miliardë lekë më shumë apo zgjerim 8.7%, në raport me qershorin 2016. Kredia për bizneset në lekë ka shënuar një rritje më të moderuar me 6.4%. Banka e Shqipërisë njoftoi në vrojtimin e fundit se bankat vijuan të mbanin të shtrënguara standardet e kreditimit për bizneset, ndërsa i kanë liruar për individët. Këta të fundit kanë rezultuar kredimarrës më të mirë, teksa përqindja e kredive të tyre me probleme është gati tre herë më e ulët se e bizneseve.

Drejt dhënies me koncesion edhe lejet e qarkullimit të automjeteve

Shërbimi i lejeve të qarkullimit të automjeteve do të jepet me koncesion. Sipas mediave burime zyrtare thanë se në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës ka mbërritur një ofertë e pakërkuar nga një kompani që kërkon të marrë kontrollin dhe verifikimin e mjeteve përpara regjistrimit dhe më pas lëshimin e lejes për to. Aktualisht ky shërbim sot jepet nga Drejtoria e Transportit Rrugor. Një grup pune në nivel teknik është ngritur për të vlerësuar ofertën. Pjesë e grupit është edhe Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve. Baza ligjore për dhënien e këtij shërbimi te privati ka nisur që në tetor të vitit 2015, ku përmes një vendimi, Këshilli i Ministrave i dha të drejtë Ministrisë së Transportit që të përzgjedhë një firmë private, e cila do të licencohej për të bërë kontrollin përpara regjistrimit të mjetit. Burimet thonë se tarifa që firma ka propozuar do të jetë në të njëjtat nivele, ndërsa grupi i punës është drejt finalizimit të vendimit për t’i dhënë një përgjigje ofertës që ka ardhur. Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve tha se është në pritje të vendimit të Ministrisë së Transporteve për hapjen e tenderit, i cili në këtë rast nuk pengohet nga urdhri i kryeministrit për bllokimin e prokurimeve publike, pasi aty nuk përfshihen koncesionet dhe format e tjera të partneritetit publik privat.

Veriu vijon të jetë zona më e varfër në Shqipëri

Veriu vijon të mbetet rajoni me Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë më të ulët në të gjithë Shqipërinë. Ndonëse me një rritje të lehtë në vitin 2015 falë kontributit të ekonomive të Lezhës, Shkodrës dhe Durrësit, PBB për frymë qëndron pak mbi 403 mijë lekë në vit, 92 mijë lekë më pak se mesatarja e të gjithë vendit.
Nëse nga aritmetika për llogaritjen e shumës do të përjashtonim Durrësin, atëherë shifrat për këtë rajon do të ishin edhe më të ulëta, nën 360 mijë lekë për frymë.
Edhe qarku më i varfër në Shqipëri, Kukësi, gjendet pikërisht në këtë rajon, me një mesatare prej 318 mijë lekësh në vit, në rënie nga viti i mëparshëm. PBB për frymë e këtij qarku është 35,7% nën mesataren e vendit. Për t’i dhënë një dimension të tretë shifrave të këtij qarku, mjafton t’i krahasojmë me mesataren e Shqipërisë (-177 mijë lekë) dhe mesataren e Tiranës (-360 mijë). Për nga PBB për frymë ndjekin si më të varfrat qarqet e Elbasanit, Lezhës, Dibrës dhe Shkodrës, ndërsa më të pasurat vijojnë të mbeten Tirana, Fieri, Gjirokastra dhe Durrësi. Më pas, me PBB-në për frymë më të ulët, renditet Qarku Elbasan me rreth 351 mijë lekë duke shënuar një rënie me 0,5% ndaj vitit 2014. PBB për frymë e këtij qarku është 29,2%, nën mesataren e vendit.
Qarku i Tiranës ka shënuar një rritje prej 5.5% krahasuar me vitin 2014 dhe PBB për frymë është 37% mbi mesataren e vendit. Ndonëse Qarku i Fierit ka patur rënien më të madhe për vitin 2015, PBB për frymë mbetet ende 11% mbi mesataren e vendit. Sa i takon ndryshimit nga viti në vit, të dhënat e INSTAT tregojnë se ekonomia po balancohet me ritme të ulëta midis Veriut dhe Jugut, ndërsa qendra e vendit ose më mirë të themi Tirana është motori i vërtetë që nxit rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Krahasuar me Standardin e Fuqisë Blerëse të Bashkimit Europian, edhe rajoni më i pasur në Shqipëri nuk shkon përtej 1/3 së mesatares së vendeve të unionit. BB për frymë në këtë standard për të gjithë vendin sa 29.6% e BE-së. Ata që banojnë në Tiranë kanë mesatarisht të ardhurat më të larta për frymë në Shqipëri, sipas raportit të fundit të INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruro, sipas rajoneve statistikore. Tirana kishte të ardhura për frymë prej 679 mijë lekë në vitin 2015 dhe pati një rritje me 5,5%, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij qarku është 37,0% mbi mesataren e vendit. Më pas renditen Qarku Fier me 550 mijë lekë, duke shënuar një rënie prej 9,6%, ndaj vitit 2014. PBB për frymë e këtij qarku është 11,0% mbi mesataren e vendit. Pas Fierit renditen Gjirokastra, Durrësi, Vlora, Berati, Korça.
Për gjithë Shqipërinë, në vitin 2015 niveli i PBB-së për frymë është rreth 496 mijë lekë. Krahasuar me vitin 2014 PBB për frymë u rrit me 2,63%.  Në rajonin statistikor qendër, PBB për frymë është 679 mijë lekë dhe pati një rritje me 4,8%, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni rezultoi 20,1% mbi mesataren e vendit. Në rajonin statistikor veri, PBB për frymë është 404 mijë lekë, duke shënuar një rritje me 5,9%, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni është 18,5% nën mesataren e vendit. Në rajonin statistikor jug, PBB për frymë është 457 mijë lekë, duke shënuar një rënie me 3,3%, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni është 7,8% nën mesataren e vendit.

Kush i vendos linjat Ramës?

Më datë 24 korrik menjëherë pas ceremonisë së betimit të Presidentit Ilir Meta, Edi Rama në mesnatë rreth orës 24.00 është nisur për një udhëtim “privat” drejt Amsterdamit.
Fillimisht mediat thanë se kryeministri kishte pajtuar një çarter për këtë udhëtim jashtë axhendës kryeministrore, por më pas vetë zyra e shtypit të tij e detyruar të konfirmojë lajmin pas incidentit me policinë holandeze njoftoi, se Rama kishte përdorur një nga linjat “Low Cost”.
Ka qenë rastësia, që ka zbuluar këtë fluturim në mes të natës të kryeministrit të vendit tonë. Një pasagjere në aeroport ka mundur të jetë dëshmitare dhe të fotografojë momentet, kur autoritetet aeroportuale kanë çuar në zyrat e tyre Edi Ramën për verifikim. Pas dekonspirimit të këtij udhëtimi që u mbajt i fshehtë deri në momentet e fundit, zyra e kryeministrit nxitoi të sqarojë, se bëhet fjalë “thjesht për një vizitë private”.
Të gjitha mediat dhe opinioni publik u fokusuan vetëm te “incidenti” me autoritetet holandeze dhe më pas çështja u harrua. Por në fakt, përse ka shkuar një javë më parë Edi Rama në Holandë në mes të natës dhe a ka qenë ky udhëtim “krejtësisht privat”, siç nxitoi të sqarojë Endri Fuga?
“SYRI.net” ka mësuar nga burime të sigurta pak ditë më parë, se në fakt ky udhëtim misterioz nuk ka qenë aspak për çështje private, por për një mbledhje të gjerë me emra shumë të njohur ndërkombëtarë ku është diskutuar e vendosur për vetë fatet e Shqipërisë, jo vetëm gjatë 4 viteve të ardhshme të qeverisë “Rama 2”, por edhe për dekadat në vijim.
Bëhet fjalë për një takim të organizuar sipas metodologjisë “masonike”, ku merrnin pjesë individë shumë të fuqishëm politikë, financiarë dhe të lobimit nga gjithë Europa. Mësuam se një nga organizatorët e kësaj mbledhje sekrete ka qenë ish-kryeministri anglez, Toni Bler, që ka qenë edhe i pranishëm.
Nuk e botuam këtë informacion pak ditë më parë sapo e mësuam, pasi marrja e të dhënave të hollësishme ishte gati e pamundur si pasojë e “omertës” që është vendosur.
Por “papritur” dje na ka ardhur në ndihmë vetë këshilltari “sekret” britanik i Edi Ramës, që në kohën kur ishte në opozitë dhe krahu i djathtë i Toni Bler, që ka qenë gjithashtu dëshmitar i kësaj mbledhje sekrete, Alistair Campbell.
Në një shkrim të gjatë në mburrje të Shqipërisë nën hyqmin e Ramës, të botuar në blogun e tij dhe te “The New European”, pa dashje ose me qëllim, ai zbulon dhe konfirmon takimin sekret.

Alistair Campbell rrëfen takimin

“Sa i përket përfshirjes sime personale në këtë vend, e cila daton 6-7 vjet, Edi Rama tregoi këtë histori në një darkë një javë më parë, ku mblodhi një grup ish-kryeministrash nga Europa, këshilltarë të Bankës Botërore, akademikë, organizata fílantrope, ekspertë të zhvillimit dhe këshilltarët e tij të komunikimit, për të diskutuar planet për mandatin e tij të dytë, vetëm pak pas zgjedhjeve që e panë atë të fítonte një mandat dhe më të fuqishëm se ai i pari, katër vjet të shkuara”.
Pra, rreth një javë më parë, kohë që korrespondon me udhëtimin misterioz të Ramës në Holandë, qenka mbledhur një grup i madh me “VIP-a” nga Europa, të politikës, miliarderë filantropë, ekspertë të njohur ekonomikë etj., që kanë diskutuar për fatin e Shqipërisë gjatë mandatit të dytë të Edi Ramës.
Përse është mbajtur dhe mbahet ende sekret ky eveniment kaq i rëndësishëm nga publiku shqiptar? Që kur udhëtimet e kryeministrit të Shqipërisë në mes të natës, për të vendosur mbi fatet e Shqipërisë qenkan “axhendë private”?
Njëfarë përgjigjeje për shumë pikëpyetje dhe dyshime që ngrihen mbi gjithë këtë na e jep vetë Campbell, mes rreshtave në shkrimin e tij:
“Ekziston një arsye përse të gjithë këta ekspertë të njohur nga e gjithë bota dolën vullnetarë, për të qenë në takimin që përcaktoi linjat e mandatit të dytë të Ramës. Kjo është shumë e rëndësishme, në një rajon historikisht të paqëndrueshëm, me të, një lider të rëndësishëm brenda tij. Liderja më e rëndësishme në Europë, Angela Merkel, ka zhvilluar një interes të posaçëm për të dhe ka luajtur një rol aktiv në inkurajimin e afrimit shqiptaro-serb”.
Pra, në këtë takim qenkan përcaktuar përfundimisht linjat e qeverisë shqiptare për të paktën katër vitet e ardhshme dhe se plani “ish-Jugosllavia plus Shqipëri”, tashmë qenka vendosur.
Kaq tani për tani për këtë mbledhje sekrete të Ramës, mbajtur për fatet e Shqipërisë, duke pritur që kryeministri i vendit të sqarojë, Parlamentin dhe mbi të gjitha popullin shqiptar, se çfarë është vendosur konkretisht në këtë takim dhe cilët janë nominalisht këta ish-kryeministra, ekspertë e filantropë “të njohur në gjithë botën”, që kanë vendosur për të ardhmen tonë.

SYRI.net

Beogradi kërkon ndarjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç në një artikull për gazetën më të madhe në Beograd, “Blic”, shkruan, se Kosova është tashmë prej mëse nëntë vitesh shtet i pavarur i njohur prej 110 shteteve. DPA citon nga artikulli i Blic: Në Kosovë ndodhen shumë manastire mesjetare serbe dhe fushëbeteja, kështu që Beogradi deri tani donte ta kishte sërish këtë rajon. Në Veri të Kosovës jeton një minoritet kompakt serb. Sipas ideve të mëparshme për ndarjen Veriu i Kosovës mund t’i bashkohet Serbisë. Por në një rast të tillë pala shqiptare shtron çështjen e rreth 100.000 shqiptarëve në Jug të Serbisë, që mund të bashkohen me Kosovën. Manastireve historike serbe në Kosovë, që ndodhen  në listën e UNESCO-s si trashëgimi e kulturës botërore, në rast të ndarjes mund t’u jepet një status i veçantë autonomie, ka propozuar Daçiç sërish.
Një javë më parë në një tekst autorial për gazetën “Blic”, Vuçiç ai ka shkruar se në Serbi duhet të fillojë një dialog i brendshëm për Kosovën dhe se Serbia duhet të jetë realiste karshi zhvillimeve në Kosovë dhe jo ta fusë kokën në rënë si struci. Vuçiç mendon se “Kosova është në thelb problemi ynë më i rëndë, ndaj është e nevojshme, si kurrë më parë, që të gjithë së bashku të gjejmë një përgjigje. Një përgjigje që do të jetë e qëndrueshme, që përjashton konfliktin si opsion, një përgjigje e cila të gjithëve në rajon do t’u sillte leverdi”.

Analistët mbi apelin e Vuçiçit

Dushan Janjiç, koordinator i Forumit për Raporte Etnike thotë për DË se, nuk është optimist se ky dialog do të rezultojë me sukses: “Vuçiçi nuk ka në fakt një ide të qartë se për çfarë do të bisedohet. Por paraprakisht i ka quajtur si të dështuar të gjithë ata që janë kundër këtij dialogu. Një tekst dhe një ton i tillë, si dhe arroganca e tij, nuk janë një nisje e mirë dhe krijojnë rezistencë ndaj këtij dialogu”. Janjiç mendon se këto tekste paraqesin një lloj manipulimi me dialogun, sipas motos “unë ju kam pyetur, ju po heshtni dhe nuk po përgjigjeni. Ndaj kam vendosur vet, ndërsa përgjegjësitë do t’i ndajmë të gjithë”.
Situata në Ballkan po ndryshon me shpejtësi, thotë për DW Dushan Prorokoviç nga Qendra për Alternativa Strategjike. Mali i Zi është futur në NATO, ndërsa Maqedonia ka intensifikuar sërish përpjekjet për anëtarësim. “Në këtë kontekst e shoh edhe iniciativën e fundit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Tani dëshirohet përshpejtimi i procesit dhe një përfundim sa më i shpejtë i procesit, si dhe futja e Kosovës në Kombet e Bashkuara – ndoshta vitin e ardhshëm”, mendon ai. Prorokoviç pohon se ky dialog i brendshëm ka për qëllim legjitimimin e gjithë procesit.
“Ne do të zhvillojmë një gjoja dialog, i cili në fund do të rezultojë me njohjen e realitetit, që do të thotë se Kosova do të bëhet anëtare e OKB pa njohjen formale nga Serbia. Ky është modeli i dy gjermanive, për të cilin flitet që nga viti 2008 dhe që nënkupton marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës, që duhet të kenë raporte si dikur Berlini Lindor dhe Boni”.
Dushan Prorokoviç thotë se në opinion kjo do të paraqitet si një zgjidhje e mesme: “Ne nuk e kemi njohur Prishtinën, nuk do të vendosim raporte diplomatike, por Kosova do të legjitimojë statusin e anëtares në OKB, sepse ky është realiteti”. “Mendoj se gjërat po shkojnë në këtë drejtim”, thotë bashkëbiseduesi i DW, por kjo sipas tij, “nuk do ta zgjidhë përfundimisht çështjen e Kosovës, sepse Serbia do të përballet me probleme shumë serioze”.
“Anëtarësimi i Kosovës në OKB do të dëmtonte pozitën e Serbisë në shtigje afagjata. Pas kësaj do të mund të pritej edhe anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në NATO, që do të thotë se do të ndryshonte edhe pozita e Serbisë, e cila do të detyrohej ndoshta edhe vet të bëhet anëtare e NATO-s”, pohon Prorokoviç. “Mendoj se më pas mund të priten shumë shpejtë edhe aktakuza e Kosovës kundër Serbisë për gjenocid dhe probleme të mëdha rreth përcaktimit të vijës kufitare, që Serbinë do ta fuste në probleme shumë të mëdha dhe të mundimshme. Ndaj mendoj se dogma se njohja e Kosovës do t’i zgjidhë problemet është shumë e rrezikshme dhe e gabuar”, pohon ai.

Korrupsioni, problemi kryesor i vendeve të Ballkanit

Të gjitha shifrat dhe sondazhet tregojnë se, korrupsioni është shqetësimi numër një në shtetet e Ballkanit. Kjo u bë e qartë edhe në raportin e fundit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal. E korrupsioni mbetet njëra nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve të Kosovës, por edhe Shqipërisë. Mbi 60 për qind e qytetarëve, të cilët janë pyetur në sondazhin e RCC-së në Kosovë, thonë se korrupsioni është shqetësimi i tyre kryesor. Krahas “Ne kemi barometrin ballkanik, ku i pyesim njerëzit çfarë mendojnë për çështje të ndryshme. Kur i kemi pyetur se cili është problemi i tyre numër një, nuk ka kurrfarë dallimi në Ballkan. Njerëzit thonë se është papunësia. Papunësia është frikë e përbashkët në rajon. E dyta, që kemi gjetur në secilin shtet është pakënaqësia me situatën e përgjithshme ekonomike. E treta është korrupsioni. Perceptimi i korrupsionit është rritur me 15 për qind nga viti i kaluar në këtë vit. Në veçanti për Kosovën është 62 për qind, njerëzit thonë se korrupsioni është problemi i tyre numër një”, ka thënë Svilanoviç. Kosova nuk qëndron mirë sa i përket edhe përmbushjes së strategjisë për vitin 2020 në punësimin e personave nga 20 deri në 64 vjeç. “Kur është në pyetje punësimi i grupmoshave 20-64 vjeç, ekonomia ka përmbushur vetëm 42 për qind targetin e përcaktuar për vitin 2020”, ka treguar Svilanoviç. Sipas tij, në Shqipëri situata është më e mirë, ku me 68 për qind është përmbushur qëllimi për punësimin e grupmoshave 20-64 vjeç. “Shteti shqiptar është lider në rajon në shkëmbimin e produkteve, me 111 për qind të targetit 2020, duke e kaluar përqindjen e dëshiruar. Sipas raportit të RCC-së, shteti shqiptar ka bërë përparim të madh edhe në shtimin e njerëzve me shkollim profesional në tregun e punës. Targeti i përcaktuar më 2020-ën është përmbushur sipas të njëjtit raport, me 88 për qind”, ka thënë ai. Ndërkohë, sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës, Svilanoviç ka treguar se Serbia mbetet lidere në këtë drejtim. Nga 400 mijë vende të reja të punës që janë krijuar në katër vjetët e fundit, ai ka thënë se Serbia ka hapur 300 mijë prej tyre. Mbizotërimi i një klime jostabile politike në vend ka bërë që Kosova t’i humbë 369 milionë euro investime të huaja nga viti 2010 deri më sot.

A po dërgon Uashingtoni një sinjal rikonfirmimi të angazhimit në Ballkan?

Ndërsa nënpresidenti amerikan Mike Pence është në prag të vizitës në Mal të Zi ku do të mbajë bisedime me udhëheqësit e Ballkanit, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee thotë se, angazhimi i Shteteve të Bashkuara në Ballkan vazhdon të jetë i fortë. Ky mesazh është lajm i mirë për udhëheqësit e vendeve të rajonit, mes shqetësimeve se shkurtimet e thella të parashikuara në projekt-buxhetin e Departamentit të Shtetit mund të dobësojnë rolin e Uashingtonit në këto demokraci të brishta të ekspozuara ndaj ndërhyrjes ruse. Kolegia Keida Kostreci njofton.
Zoti Yee thotë se, Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të bashkëpunojnë me Rusinë në fushat me interes të ndërsjellë si anti-terrorizmi, por kur kanë pikëpamje të kundërta…
“Shtetet e Bashkuara, do të mbrojnë interesat dhe vlerat e veta dhe të aleatëve të tyre me shumë vendosmëri. Dhe ne këtë po bëjmë”, thotë ai. Përsa i takon Ballkanit Perëndimor, zoti Yee thotë se Uashingtoni nuk do që ta ekzagjerojë seriozitetin e ndërhyrjes së Rusisë, por mendon se është e rëndësishme të ruhet vigjilenca.
“Po marrim masa aty ku mundemi që të forcojmë vendet e Ballkanit Perëndimor, përballë ndikimeve me synime keqdashëse, qoftë nga Rusia apo, burime, vende dhe faktorë të tjerë”, thotë zoti Yee.
Zyrtari i lartë veçon rastin e Malit të Zi, ku ai thotë se siç tregojnë të gjitha të dhënat, Rusia ndërhyri për të përmbysur një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike. “Vendet e tjera të Ballkanit duhet të jenë shumë të kujdesshme, duhet të ndjekin me vëmendje se ç’bën Rusia dhe ne po bëjmë të njëjtën gjë”, thotë ai.
Zoti Yee i referohej asaj që prokurorët në Podgoricë kanë thënë se ishte një përpjekje për grusht shteti, e mbështetur financiarisht nga Rusia, në zgjedhjet e tetorit të kaluar, që sipas akuzave synonte vrasjen e Kryeministrit Milo Gjukanoviç, për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, që u realizua në qershor. Moska është përpjekur të frenojë afrimin e vendeve të Ballkanit me institucionet Euro-Atlantike, përfshirë ndërhyrje në politikën e Maqedonisë dhe marrëdhëniet e ngushta me aleatin tradicional, Serbinë që po kërkon të hyjë në Bashkimin Evropian.
Zoti Yee thotë se, takimi i Presidentit serb Aleksandër Vuçiç me nënpresidentin Mike Pence në Uashington dhe vizita e zotit Pence në Mal të Zi, rikonfimojnë angazhimin e administratës së re në Ballkan. Ai thotë se, integrimi i rajonit në BE dhe NATO, është padyshim në interesin e Shteteve të Bashkuara.
“Për këtë arsye, politika amerikane ka qenë e qëndrueshme gjatë disa administratave, si demokratike ashtu edhe republikane dhe besoj se do të vazhdojë”, thotë zoti Yee. Por, analisti Daniel Serwer dyshon se Ballkanit do t’i kushtohet vëmendje më e madhe nga administrata e Presidentit Trump.
“Ashtu si administrata e kaluar ata ia kanë lënë nënpresidentit të merret me Ballkanin, gjë që nuk është absolutisht negative, por as plotësisht pozitive. Më duket se nuk ka shumë gjasa që të rritet vëmendja, por nuk e dimë ende me siguri”, thotë zoti Serwer.
Zoti Yee thotë se sa më të përkushtuara të jenë vendet për të vënë në jetë reformat dhe të luftojnë korrupsionin, aq më pak të ekspozuara do të jenë ndaj ndërhyrjeve nga jashtë. Dhe një sinjal angazhimi nga Shtetet e Bashkuara, do të ketë ndikim të ndjeshëm në një rajon ku sfidat e brendshme dhe të jashtme, nuk janë zgjidhur ende.

Dështon marrëveshja me FMN-në, Kosova humb 16 milionë euro

Republika e Kosovës do të humbë 16 milionë euro kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi që më 4 gusht përfundon një marrëveshje ekonomike me këtë Fond, bëjnë të ditur zyrtarë të qeverisë në largim të Kosovës. Për shkak të mosformimit të institucioneve të reja, autoritetet në Prishtinë nuk kanë mundësi që të negociojnë me FMN-në për ndonjë program të ri. Republika e Kosovës kishte arritur një marrëveshje ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin 2015, në vlerë prej rreth 185 milionë euro, në kohëzgjatje prej 22 muajsh. Afati i kësaj marrëveshjeje skadon më 4 gusht të këtij viti.
Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave në qeverinë në largim të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo marrëveshje nuk ka mundësi të vazhdohet dhe të negociohet për program të ri, pa formimin e qeverisë së re. “Rreth 16 milionë euro nuk mund të merren kredi. Misioni i FMN-së është dashur të vijë në muajin qershor. Por, për shkak të zgjedhjeve nuk ka ardhur. Pa pasur rishikim të katërt të marrëveshjes, nuk mund të merren këto kredi”, tha Krasniqi. Krasniqi, ndërkaq thotë se mosprania e Kosovës në programet e FMN-së, humb besueshmërinë e Republikës së Kosovës karshi institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare dhe investitorët ndërkombëtarë.
“Nëse nuk je në program humb kredibiliteti, besueshmëria edhe tek investitorët e tjerë. Këto janë çështje të lidhura me njëra-tjetrën. Për arsye se raportet e një shteti, në këtë rast raportet e Kosovës me FMN-në, vlerësohet kredibiliteti edhe qëndrueshmëria e financave publike”. Ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë, ndërkaq thonë se dështimi i marrëveshjes së re me Fondin Monetar Ndërkombëtar, rrezikon realizimin e projekteve të parapara me ato kredi. Arian Zeka, kryeshef ekzekutiv në Odës Ekonomike amerikane, thotë se ky është edhe një sinjal për nevojën e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.
“Nëse marrëveshja në fjalë ka paraparë ndonjë grant financiar ose infuzion financiar për shtetin e Kosovës, atëherë natyrisht se ajo që mund të rrezikohet është mosrealizimi i ndonjë projekti, financimi i të cilit është paraparë me mjete të FMN-së”, tha Zeka për Radion Evropa e Lirë. Programi i fundit i qeverisë së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ishte për të ndërmarrë reforma për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe të fuqizimit të pozitës së saj. Ndryshe, marrëveshjet me Fondin Monetar Ndërkombëtar i kanë ndihmuar Kosovës që të marrë kredi me kushte shumë të volitshme, si nga Banka Botërore dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare, vlera e të cilave ka arritur në 400 milionë euro. Kosova, në vitin 2009 është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar, kurse në muajin qershor po të këtij viti, është anëtarësuar edhe në Bankën Botërore.

Miliona euro energji e importuar nuk përballon dot thatësirën

BIRN

Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, dy kompanitë publike të gjenerimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, KESH dhe OSHEE, deklaruan që vendi ishte në prag krize për shkak të thatësirës dhe mungesës së reshjeve që ushqejnë basenet e hidrocentraleve mbi lumin Drin – burimi kryesor i prodhimit të energjisë në vend.
Më 21 qershor, drejtori teknik i OSHEE, Haki Mustafa –produkt i marrëveshjes politike parazgjedhore midis kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Lulzim Basha – porositi hapjen e procedurave për importimin e 285.6 GWh energji me vlerë të përgjithshme prej 16.4 milionë eurosh, si dhe me çmim mesatar prej 57.4 euro për MWh. Periudha e importimit qe nga data 28 qershor deri më 31 korrik.
Një javë më vonë, drejtori joteknik i OSHEE, Adrian Çela – i cili zëvendësoi Mustafën pas zgjedhjeve – urdhëroi hapjen e procedurave të reja të prokurimit për import shtesë nga data 7 deri më 31 korrik. Në këtë tender, OSHEE bleu 105 GWh energji me vlerë 7.2 milionë euro dhe me çmim mesatar 68.2 euro për MWh.
Në total, vetëm për të siguruar furnizimin e korrikut, OSHEE do të shpenzojë 23.6 milionë euro.
Kjo situatë krize erdhi si pasojë e rënies drastike të prodhimit nga hidrocentralet publike dhe ato private, si dhe reagimit të plogësht të KESH dhe OSHEE për të ruajtur rezervën energjetike duke e kompensuar në kohë mungesën e reshjeve me importe të energjisë elektrike nga vendet e rajonit.

Thatësira ul prodhimin

Përgjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka importuar mesatarisht rreth 25 për qind të nevojave të saj, por niveli i importeve ka variuar nga 49 për qind e konsumit në vitin 2007 në 13 për qind eksporte neto në vitin 2010. Në vitin 2016, prodhimi vendës i energjisë mjaftoi për të mbuluar të gjithë konsumin, si dhe realizoi një eksport neto modest. Situata paraqitet ndryshe në vitin 2017.
Të dhënat e vëna në dispozicion të “BIRN” nga Enti Rregullator i Energjisë përmes një kërkese për të drejtë informimi, tregojnë se prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri për periudhën janar-prill 2017 ka rënë me 20 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, e cila menaxhon kaskadën e Drinit, pësoi rënie në prodhim me 19 për qind, ndërsa hidrocentralet private dhe me koncesion patën rënie me 28 për qind. Rënie të konsiderueshme pati prodhimi në katër hidrocentralet e privatizuara nga Kurum, Ulza, Shkopeti, Bistrica 1 dhe 2 me 30 për qind, ndërsa hidrocentrali privat Peshqesh pësoi gjithashtu rënie me 23 për qind. Hidrocentrali i Banjës, i cili ka hyrë në prodhim për herë të parë verën e kaluar, prodhoi gjatë kësaj periudhe një sasi modeste prej 51 milionë KWh, e barasvlefshme me 2 për qind të prodhimit kombëtar.

Fierza pranë minimumit historik

Pavarësisht se reshjet qenë të pakëta, niveli i Hidrocentralit të Fierzës u mbajt në kuotë të lartë prej 281 metrash mbi nivelin e detit deri në muajin mars, duke qëndruar afro 1.6 metra mbi nivelin mesatar shumëvjeçar të këtij muaji. Por në muajt në vijim, niveli i Fierzës ra me shpejtësi duke arritur në vetëm 272 metra mbi nivelin e detit në muajin qershor. Në qershor, niveli i Fierzës qe 17.5 metra më i ulët se sa mesatarja shumëvjeçare dhe vetëm 1.1 metra më lart se sa minimumi shumëvjeçar i shënuar në vitin 2002. Rënia e nivelit të Fierzës mbart pasoja të dyfishta për prodhimin, pasi nga njëra anë ul prodhimin si pasojë e prurjeve më të pakta, ndërsa nga ana tjetër ul eficencën e prodhimit të energjisë nga përdorimi i të njëjtave burime ujore. Mirëmenaxhimi i kaskadës së Drinit përmes mbajtjes në nivel të lartë të Fierzës mund të sjellë një luhatshmëri deri në 40 për qind për çdo metër kub ujë të përdorur.
Shqipëria ka prodhuar mesatarisht 5 miliardë KWh energji elektrike përgjatë 15 viteve të fundit, ndërkohë që ka konsumuar mesatarisht 6.5 miliardë KWh me një deficit mesatar të mbuluar nga importet në masën 1.5 miliardë KWh. Por prodhimi në Shqipëri luhatet në varësi të reshjeve dhe cilësisë së menaxhimit të kaskadës dhe për rrjedhojë, deficiti është luhatur nga 49 për qind e konsumit në krizën e vitit 2007 në një suficit prej 13 për qind në vitin 2010.

Importe të pamjaftueshme

Megjithëse prurjet dhe prodhimi qenë shumë më të ulëta gjatë fillimit të vitit 2017, OSHEE u kufizua në importin e sasive relativisht të vogla të energjisë në muajt janar-maj, ndërsa në qershor importet ranë më shumë si pasojë e pasigurisë të shkaktuar nga emërimi i një “drejtori teknik” nga qeveria, ndërsa vetëm në korrik filluan importet në shkallë të gjerë për të shmangur krizën në furnizim. Megjithatë, të dhënat e ERE tregojnë se ulja e nivelit të Fierzës, ndonëse u përkeqësua në qershor, kishte filluar që në prill. Kështu, niveli i Fierzës në prill 2017 qe 279 metra, afro 8 metra nën mesataren shumëvjeçare, ndërsa në maj ai ra në 9 metra nën mesataren shumëvjeçare.
Gjatë kësaj periudhe, KESH ndërmori vetëm praktika të optimizimit të energjisë në sasi të vogla, praktikë që nënkupton shitjen e energjisë në orët pa konsum dhe marrjen e saj në orët me konsum për të optimizuar përfitueshmërinë ekonomike.
Ndërkohë që importet qenë të pakta, niveli i Fierzës ra me shpejtësi. Në janar, OSHEE bleu 9.5 milionë euro energji në treg të parregulluar me çmim 51 euro për MWh, ndërsa në shkurt bleu 10 milionë euro të tjera ndërkohë që çmimi fluturoi në 65.2 euro për MWh. Në total gjatë periudhës janar-korrik, OSHEE bleu 50 milionë euro energji në treg të parregulluar me çmim mesatar 54.2 euro për MWh.
Për muajin gusht, importet u rritën më tej. OSHEE bleu përmes një ankandi 434 mijë MWh, e barabartë me gati 80 për qind të konsumit të pritshëm për këtë muaj me vlerë të përgjithshme prej 29.9 milionë eurosh dhe me çmim mesatar prej 69 euro për MWh, çmimi më i lartë i shënuar deri tani dhe një nga çmimet më të larta në dekadën e fundit.
Importet pritet të vijojnë të larta edhe për muajt e ardhshëm duke tharë financat e OSHEE. Kompania ka përfituar gjatë viteve të shkuara nga ulja e kostos së importeve të energjisë duke kursyer dhjetëra milionë euro si pasojë e prodhimit më të lartë. Por rikthimi te importet do ta detyrojë të shkurtojë planin e vet të investimeve për të paguar këto importe.

Zgjedhjet, 44 milionë euro jashtë bankave në mars-qershor

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar ka arritur në një nivel rekord në qershor, sipas statistikave të publikuara dje nga Banka e Shqipërisë. Në fund të qershorit, jashtë sistemit bankar qarkullonin 250 miliardë lekë apo rreth 1.8 miliardë euro, niveli më i lartë rekord ky në vite. Vetëm gjatë muajit qershor kemi një rritje me 3.8 miliardë lekë apo rreth 28 milionë euro më shumë, që kanë qarkulluar në treg. Edhe në prill ky tregues ishte rritur me 13 milionë euro, ndërsa në maj nuk u konstatua rritje e ndjeshme e këtij treguesi. Për gjithë periudhën mars-qershor, paraja jashtë sistemit bankar u rrit me rreth 44 milionë euro.
Teksa ka një rritje sezonale të parasë jashtë bankave në dhjetor dhe gusht të çdo viti, e lidhur me flukset e emigrantëve, kjo rritje në qershor është e lidhur me shpenzimet e larta përpara zgjedhjeve, një tendencë kjo që është konstatuar në çdo fushatë parazgjedhore. Për shembull, në maj-qershor 2015, para zgjedhjeve vendore, ky tregues u rrit me gati 10 miliardë lekë. Në prill-maj 2013, për zgjedhjet e përgjithshme paraja jashtë bankave shënoi rritje me rreth 9 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Në prill qershor 2009, ky indikator u zgjerua me rreth 6.6 miliardë lekë.
Periudhat para zgjedhore tradicionalisht shoqërohen me rritje të inflacionit (për shkak të rritjes së parasë në qarkullim) dhe zhvlerësim të monedhës vendase. Por këtë vit, aktorët e tregut valutor kanë konstatuar edhe një rritje të pazakontë të përdorimit të euros para fushatës, që ata e cilësuan dhe si një ndër arsyet e zhvlerësimit të fortë të monedhës europiane në tregun vendas. Më 27 qershor, euro zbriti në nivelin më të ulët të 9 viteve, duke u këmbyer nën 132 lekë. Më pas euro e mori veten dhe aktualisht e ka kaluar kufirin e 133 lekëve.
Rritja e parasë jashtë bankave duket se ka krijuar likuiditet të bollshëm jashtë kanaleve bankare. Qarkullimi i parave jashtë bankave është nxitur vitet e fundit edhe nga politika lehtësuese që ka ndjekur Banka e Shqipërisë. Ulja e normës bazë të interesit në 1.25% është reflektuar në uljen e interesave të depozitave në lekë. Nëse indeksojmë interesin e depozitave në banka me inflacionin e muajit, interesi real është në negativ me -1%.
Banka e Shqipërisë ka njoftuar së fundmi për rigjallërimin e fenomenit të huadhënies informale. Ka një lidhje empirike ndërmjet rritjes së parasë që qarkullon jashtë bankave dhe fenomenit të fajdeve. Edhe në vitin 2015, kur financimet me kontrata huaje nga noterët u rritën jashtë normales, pati një rritje jo të zakontë të qarkullimit të parasë jashtë kanaleve bankave.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë sistemit bankar (korporatave depozituese) në muajin prill shënoi një rritje me gati 2 miliardë lekë (13 milionë euro), për herë të parë përgjatë këtij viti, duke arritur në 246 miliardë lekë apo gati 1.8 miliardë euro. Dy periudhat kur tradicionalisht ka rritje të parasë në qarkullim jashtë bankave janë në korrik-gusht kur vijnë emigrantët dhe turistët dhe dhjetor, kur sërish ka prurje nga emigrantë, ndërsa gjatë muajve të tjerë përgjithësisht ky tregues shënon rënie.
Përjashtim kanë bërë vetëm periudhat para zgjedhore, kur paraja jashtë bankave shënon rritje të pazakontë.
Teksa euro në bursa vijon të mbetet relativisht e fortë, në 1.11 USD, larg nivelit prej 1.05 USD ku zbriti në dhjetor të vitit të kaluar, oferta e lartë e brendshme për valutë mbetet arsyeja kryesore që po forcon lekun në vend.