Presidenti Donald Trump dhe republikanët në Kongres pësuan dje një disfatë të rëndësishme politike, kur Senati nuk miratoi rrëzimin e pjesshëm të programit të shërbimit shëndetësor Obamacare, që ka qenë një ndër premtimet kryesore të fushatës së tij presidenciale. Vota vendimtare ishte e Senatorit republikan John McCain, i cili e ka kundërshtuar zotin Trump në të kaluarën.
Në një fjalim për zyrtarët e zbatimit të ligjit në shtetin e tij New York, Presidenti Trump shprehu irritimin me disfatën republikane në Senat për ligjin e kujdesit shëndetësor.
“Megjithëse nuk mund të arrijmë çdo gjë, duhet ta kishin miratuar mbrëmë ligjin për kujdesin shëndetësor. E kam thënë që në fillim, lëreni njëherë programin Obamacare të dështojë dhe pastaj ndryshojeni. Pata të drejtë. Lëreni të dështojë”, tha Presidenti Trump.
Përpjekja e republikanëve për të anuluar Obamacare dështoi për pak vota, pasi Senatori John McCain dhe dy republikanë të tjerë iu bashkuan demokratëve.
Xhirimet nga salla e Senatit e tregojnë Senatorin McCain, duke diskutuar projektligjin me Nënpresidentin Mike Pence.
Pak më vonë, Senatori nga Arizona hodhi votën vendimtare që rrëzoi në mënyrë dramatike planin republikan, duke shkaktuar habi dhe pasthirrma në Senat.
Humbja erdhi pas disa ditësh votimesh të organizuara nga udhëheqësi republikan, Senatori Mitch McConnell. “Votuesit tani kanë vuajtur mjaft nga Obamacare. Menduam se ata meritojnë më shumë”, tha Senatori McConnell. Pak ditë më parë, Senatorit McCain iu bë një pritje e ngrohtë nga kolegët, kur ai u rikthye në Senat pas një operacioni për kancer dhe bëri një zotim emocional për të qëndruar mbi linjat partiake.
“Çfarë humbasim nëse përpiqemi t’i gjejmë zgjidhjet së bashku? Nuk arrijmë shumë të veçuar”, deklaroi Senatori McCain.
Vota e tij që hodhi poshtë planin e ri për kujdesin shëndetësor është vetëm kapitulli më i fundit i një armiqësie që filloi dy vite më parë, kur zoti Trump, atëherë kandidat për President, ngriti pikëpyetje mbi statusin e heroit ushtarak të zotit McCain, i cili i pati mbijetuar mbi pesë vjet burgimi në Vietnam.
“Ai është hero lufte, pasi u kap rob. Mua më pëlqejnë njerëzit që nuk kapen rob”, u shpreh më 18 korrik 2015 zoti Trump.
Pasi u bllokuan përpjekjet e republikanëve, udhëheqësi demokrat në Senat, Chuck Schumer, tha se tashmë ka ardhur koha për një qasje dypartiake.
“Meqë nuk ka arritur shumë, shpresoj që Presidenti Trump tashmë të veprojë ndryshe, në një mënyrë dypartiake. Duke filluar nga qendra dhe jo nga ekstremi i djathtë”, tha Senatori Schumer. Zyra e zotit McCain njoftoi se, Senatori 80-vjeçar do të rikthehet në Arizona ku do të fillojë kurimin për një formë agresive të kancerit në tru që iu zbulua vetëm këtë muaj.
Reagimi i Trump: Lëreni Obamacare të dështojë vetë
John Kelly, shefi i ri i kabinetit në Shtëpinë e Bardhë
Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Gjenerali në pension i marinës amerikane John Kelly, nga e hëna do të shërbejë në një post të ri, atë të shefit të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.
Komandanti ushtarak ka shërbyer tri herë në luftën e Irakut, dhe analistët thonë se ai pritet të sjellë disiplinë ushtarake dhe rregull në Shtëpinë e Bardhë, pas tensioneve që u mësua publikisht që ekzistonin atje.
“Ai ka qenë ylli i administratës sime”, shkroi dje në Twitter Presidenti, kur njoftoi emërimin e zotit Kelly në postin e ri. Ai e quajti atë “një udhëheqës dhe amerikan i shkëlqyer”.
Si Sekretar i Sigurisë Kombëtare, zoti Kelly ka marrë rol drejtues në politikat më të debatuara të Presidentit, si urdhërat ekzekutivë për ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të refugjatëve dhe ndalimin e përkohshëm të vizitorëve nga disa vende me shumicë myslimane. Këto urdhëra janë pezulluar nga gjykatat e shteteve, në pritje për t’u rishikuar nga Gjykata e Lartë në vjeshtë.
Gjenerali Kelly sfidoi anëtarët e Kongresit në muajin prill, kur diskutohej qëndrimi agresiv i administratës ndaj zbatimit të ligjeve për imigracionin dhe kjo shihet si një tjetër arsye që e bën atë tërheqës për Presidentin. Ai u pati thënë ligjvënësve “ndryshoni ligjet, ose përndryshe pushoni”. Megjithatë, zoti Kelly gëzon respektin e ligjvënësve të të dyja partive në sajë të karrierës së tij të shquar si ushtarak.
Në Kosovë kundërshtohet Kadri Veseli
Kadri Veseli, nuk do të ketë përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me partitë partnere në koalicion, në rast se kandidon për postin e kryetarit të Kuvendit.
Kryetari i deritashëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, konsiderohet i papranueshëm për këtë post nga Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja.
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është e domosdoshme për vazhdimin e procedurave të tjera të konstituimit të Kuvendit dhe për fillimin e fazës për formimin e Qeverisë së re.
Në mënyrë që procesi i formimit të institucioneve të mos bllokohet, si zgjidhje, Vetëvendosje dhe LDK i ofrojnë koalicionit PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma që të propozojnë një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit.
Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se, Kadri Veseli do të dështojë nëse kandidon, për mungesë të votave.
“Lëvizja Vetëvendosje do të votojë kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit, por ne jemi të gatshëm që t’i shqyrtojmë edhe emrat e tjerë, të cilët do të mund të propozoheshin”, thotë Konjufca.
Në rast se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dështon, procedura mbetet aty deri në arritjen e ndonjë marrëveshje politike. Për zgjedhjen e tij, nevojitet shumica e thjeshtë prej 61 votave, por të cilat koalicioni PAN deri më tani nuk e ka dëshmuar se i ka.
Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi thotë se kjo nyje, nëse krijohet, duhet të zgjidhet, ngase nuk mund të vazhdohet me procedura të tjera.
“Nëse ky kandidat nuk i merr votat e mjaftueshme, pra 61 e më shumë vota, atëherë nuk mund të procedohet më tutje, duhet që të ndërpritet seanca, të shihet nëse mund të arrihen kompromise mes subjekteve politike apo të provohet me një kandidat tjetër, i cili do të ishte më i pranueshëm për shumicën e deputetëve”, sqaron Krasniqi.
Partia Demokratike e Kosovës, si subjekti më i madh në kuadër të koalicionit PAN, thotë se nuk e ka caktuar ende kandidatin për kryetar të Kuvendit. Por, sipas nënkryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ai mund të jetë pikërisht kryetari i partisë, Kadri Veseli.
“Është e drejtë e opozitës që të thotë se e votoj ose nuk e votoj, por z.Veseli e ka mbështetjen e PDK-së dhe të partnerëve të koalicionit. Besoj që z.Veseli do ta thotë vet fjalën përfundimtare”, ka thënë Hoxhaj.
Përderisa për kryetarin e Kuvendit, Vetëvendosje dhe LDK thonë se mund të tregojnë fleksibilitet nëse nuk kandidon Veseli, ato e përjashtojnë mundësinë që ta përkrahin cilindo kandidat të këtij koalicioni për kryeministër.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Vjosa Osmani thotë se Qeverinë duhet ta formojnë Vetëvendosja dhe LDK-ja, pasi që koalicioni PAN, sipas saj, dështoi në përpjekjen e parë.
BE nis procedurat e ndëshkimit të Polonisë
BE-ja hapi kundër Polonisë procesin për shkelje të marrëveshjeve të BE-së për shkak të reformës së diskutueshme në organet e gjyqësorit të këtij vendi. Kjo ndodhi pas publikimit të njërit prej ligjeve në Gazetën Zyrtare të Polonisë, njoftoi Komisioni Evropian. Procedura e shkeljes së marrëveshjeve të BE-së mund të çojë në padi pranë Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe në dënime me gjoba.
Kërcënim me bombën atomike politike
Polonia ka njoftuar se do të reformojë organet e drejtësisë. Kjo ka shkaktuar reagime të forta në Bruksel. Zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, Frans Timmermans, ka kërcënuar madje me “bombën atomike politike”, me të cilën në zhargonin e Brukselit nënkuptohen sanksionet më të rënda ndaj një vendi anëtar. Fjala është për heqjen e së drejtës së votës në Këshillin Evropian. Kjo parashikohet në nenin 7 të Marrëveshjes së Amsterdamit. Kjo masë ndaj vendeve që devijojnë nga rruga demokratike u përfshi në këtë marrëveshje në vitin 1999, me rastin e zgjerimit të BE-së drejt Lindjes. Deri tani kjo masë nuk është zbatuar ndaj asnjë vendi.
Gjatë kësaj jave Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, arriti të ndalte me veton e tij dy nga katër ligjet për reformën gjyqësore në Poloni, për të cilat ka mosmarrëveshje të forta.
Njëri nga ligjet e bllokuar është ai për riformimin e Gjykatës së Lartë. Komisioneri holandez Frans Timmermans e kishte sidomos këtë ligj halë në sy, dhe kishte deklaruar se nëse ky ligj do të hyjë në fuqi dhe do të çojë në shkarkimin e shefit të drejtësisë, ai nuk do të ngurrojë të përdorë në “çdo kohë” nenin 7 dhe të ndezë “bombën atomike”.
Proces i komplikuar
Çështja nëse sanksionet me të cilat kërcënohet Polonia do të zbatohen, është ende krejt e hapur dhe procesi për heqjen e së drejtës së votës në Këshillin Evropian një vendi anëtar kalon në dy faza. Së pari, këtë duhet ta miratojë Parlamenti Evropian, më pas Këshilli Evropian. Në Parlament duhet që një e pesta e shteteve anëtare të konstatojnë në marrëveshje me Parlamentin Evropian nëse Polonia është vërtet në rrezik që të dalë nga rruga e sundimit të ligjit dhe të demokracisë. Kurse në këshill nevojitet vendim unanim dhe Presidenti i Hungarisë, Viktor Orban ka deklaruar se do të votojë kundër, sepse e konsideron qeverinë polake si mike politike.
Përveç heqjes së të drejtës së votës në Këshillin Evropian një mundësi tjetër është që Varshavës t’i shkurtohen paratë që merr nga Brukseli.
Meqenëse neni 7 i Marrëveshjes së Amsterdamit, pra heqja e së drejtës së votës në Këshillin Evropian, nuk është zbatuar asnjëherë deri tani, në Bruksel – sikurse edhe në rastin e Brexitit (neni 50) nuk e di askush se si do të zhvillohet një procedurë e tillë dhe se sa kohë mund të zgjasë ajo.
Turizmi i vdekjes, 16 të mbytur në dy javë
Turizmi është kthyer në një rrezik vdekje për pushuesit. Çdo ditë po mbyten njerëz të lënë në mëshirë të fatit. Sipas statistikave, në dy javë kanë humbur jetën 16 pushues në brigjet tona, ndërsa një ditë më parë, një restorant shpërtheu në plazhin e Velipojës, ku 2 nga 4 të plagosurit po luftojnë me vdekjen. Shpërthimi ndodhi, sepse askush nga strukturat shtetërore s’ka marrë mundimin për të kontrolluar kushtet që ofrohen nga turizmi. Qeveria harxhon miliona me broshurat e promovimit dhe bën llogje në ekrane, ndërsa nuk merr asnjë masë për sigurinë e jetës së njerëzve. Janë jetë njërëzish që ikin çdo ditë në kushtet e turizmit që ofron kjo qeveri.
Ngjarja më e rëndë është ajo e para dy javëve që ndodhi në Vlorë, ku 4 të rinj u mbytën, mes tyre edhe një djalë 24-vjeçar nga Tetova e Maqedonisë. Njëra prej viktimave, u mbyt në det dhe dy të tjerët kanë shkuar për ta ndihmuar e për pasojë kanë humbur jetën edhe vetë.
Po ashtu një 35-vjeçar nga Kosova u mbyt në plazhin e Velipojës. Ndërsa një ditë më pas u mbyt një 62-vjeçar po nga Kosova në plazhin e Durrësit. Ndërsa para dy ditësh u mbyt një tjetër pushues në Golem të Kavajës.
Mungesa e rojeve të plazhit dhe ndihmës së parë është kthyer vdekjeprurëse për shumë pushues. Në disa raste kanë qenë pushuesit që kanë ndihmuar të gjendurit në vështirësi, për shkak se kullat e vrojtimit mungojnë në çdo plazh të Shqipërisë. Vazhdimisht është ngritur shqetësimi nga qytetarët se mungojnë rojet e plazhit që do ta bënin bregdetin më të sigurtë dhe më me pak incidente.
Vdekja e dy turistëve
Dy turistë të huaj që kishin ardhur për të pushuar në vendin tonë u mbytën para një jave në det. Fillimisht u mbyt një 16-vjeçare ruse në Ksamil të Sarandës. Disa orë pas mbytjes së 16-vjeçares ruse, një tjetër turist i huaj humbi jetën në det, në një plazh në zonën e Kavajës.
Turistja ruse u godit nga një mjet lundrues në Ksamil. Nga kryerja e hetimeve rezultoi, se mjeti lundrues që drejtohej kishte kaluar me shpejtësi në hapësirën ujore ku po notonte shtetësja ruse dhe e ka goditur me helikë. Grupi hetimor konfirmon se turistja, e cila ishte duke notuar në det gjeti vdekjen si pasojë e goditjeve të forta me mjete prerëse në kokë dhe trup.
Ashtu si turistja ruse, mijëra pushues të tjerë rrezikojnë çdo ditë nga motorët e ujit që bëjnë xhiro me shpejtësi marramendëse mbi kokat e pushuesve pa u shqetësuar nga askush. Qeveria dështoi edhe këtë vit të disiplinojë këto mjete të rrezikshme që janë shqetësim dhe rrezik për jetën e mijëra pushuesve që frekuentojnë plazhet shqiptare. Edhe pse për përdorimin e motorëve të ujit janë të përcaktuar rregulla se ku duhet dhe si duhet të lëvizin në det, në të gjitha këto plazhe me dhjetëra mijëra pushues nuk gjen qoftë edhe një polic të vetëm që të monitorojë ashtu siç duhet zbatimin e këtyre rregullave thelbësore për të garantuar jetën.
Në çdo vend të botës janë zonat ku duhet të lëvizin motorët e ujit, por në Shqipëri jo vetëm mungojnë shenjat, por këto mjete nisen që nga bregu i detit me shpejtësi. Pushuesit shqiptarë i shohin këto motorë të ujit çdo ditë t’u rrezikojnë jetën, por ndihen të pafuqishëm e të pambrojtur, sepse policia që e ka për detyrë t’i mbrojë nuk ekziston.
Personat e papërgjegjshëm që përdorin motorët e ujit në pjesën ku lahen pushuesit rrezikojnë jetën edhe të tjerë turistë vendas apo të huaj, sepse inekzistenca e shtetit i bën plazhet shqiptare si të jenë xhungël ku mbizotëron logjika e më të fortit dhe jo rregulli. Pushuesit shprehen se, motorët e ujit qarkullojnë me shpejtësi skëterrë në një distancë më të afërt se 200 metra larg bregut, duke rrezikuar seriozisht jetën e qindra plazhistëve.
R.POLISI
Dëshmia për vrasjen në Borsh: Policia na braktisi
Zbardhen detaje të reja nga vrasja makabre e guzhinierit në Borsh, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë. Dëshmitari Enea Myftari ka rrëfyer para hetuesve se, kishte kërkuar ndihmë nga policia e Borshit, por i kishin thënë që të vinte nesër sepse ishte vonë. Në dëshminë e tij, Enea Myftari thotë se, pasi e kishin larguar nga Posta Policore në Borsh, kishte takuar edhe shefin e FNSH-së të cilit i kishte shpjeguar situatën, duke i thënë se kishin pasur një sherr me disa djem, të cilët ishin të armatosur.
Edhe ai i kishte thënë që të shkonte nesër në Komisariatin e Policisë në Himarë dhe të bënte denoncimin. Por kjo gjë nuk ka qenë e mundur, pasi vetëm disa metra më tutje do të shpërthente sherri i dyti, që do të sillte edhe pasoja të rënda, vrasjen e guzhinierit Premtim Bega.
“Pas sherrit të parë u shkëputa dhe u nisa për të kërkuar ndihmë në Postën e Policisë Borsh. Kur kam shkuar kam takuar policin e shërbimit Shefqet Toçi dhe i kam kërkuar që të bënte kallëzim, pasi ndihej i kërcënuar nga personat që e goditën.
Polici i shërbimit ka marrë në telefon komandantin e postës i quajtur Viktor dhe i ka sqaruar problemin dhe ai i kishte thënë që të shkonte të nesërmen e të bënte kallëzim.
Në këto kushte jam larguar nga posta e policisë, por në rrugë kam takuar komandantin e FNSH-së, të cilit i kam thënë se kisha problem me dy djem dhe ai më tha që të shkonte ditën tjetër e të bënte kallëzim në Himarë.
Dhe pasi u larguam disa metra nga policia, na kanë dalë para përsëri në drejtim të fermës, personat që e kishin goditur pak më parë, por që ishin me automjetin tjetër tip ‘Ford’ ngjyrë ‘blu’ i cili është në pronësi të shtetasit R. H., babait të Nasi Hodo.
Në automjet së bashku me ata dy persona kësaj herë ishte edhe Nasi Hodo. Këta persona kanë zbritur nga automjeti i tyre, duke mbajtur në dorë leva, kaçavida dhe thika dhe u drejtuan tek ata… Pas këtij sherrit të dytë, mbeti i vrarë me thikë kuzhinieri Premtim Bega”, ka rrëfyer në dëshmitari Enea Myftari.
Denoncimi i këtij skandali është bërë nga ish-Kryeministri Berisha që ditën e ngjarjes pas marrjes së një mesazhi nga një qytetar nga Borshi. Enea Myftaraj shkruante se kishte shkuar në rajonin e policisë në Borsh dhe kishte kërkuar ndihmë, pasi shoku i tij po kërcënohej me jetë nga disa persona, por oficeri i policisë i ka thënë: “Eja nesër se sot është vonë”. Viktima 30 minuta para vrasjes kërkoi ndihmën e policisë. Çunat e krimit i thanë “le të të vrasin ty sot se nesër do merremi me ta?!?!”, shkruante Berisha në një postim në Facebook.
Ndërkohë, tre të rinjtë që dyshohen si autorë të ngjarjes që ndodhi në fshatin Borsh disa ditë më parë dolën para Gjykatës së Sarandës për masën e sigurisë. Trupi gjykues vendosi arrest me burg për Ronaldo Shehun, Xhonatan Muçon dhe Thanas Hodon. Mësohet se asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të flasë në Gjykatë. Ndaj tyre rëndon vepra penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim.
Ngjarja ndodhi më 26 korrik në rrugën kryesore të fshatit. Pas përplasjes verbale mes 7 personave konflikti degradoi deri në përdorimin e mjeteve prerëse, ku mbeti i vrarë Premtim Bega dhe u plagosën shokët e tij. Hetuesit janë përqendruar në pistën e një konflikti të mëparshem për pronësinë.
Akuza Inspektoriatit: Toleroi cisternën ‘bombë’ në Velipojë
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Alfred Kristuli ka folur dje për ngjarjen tragjike në Velipojë ku si pasojë e shpërthimit të gazit në një restorant turistik u plagosën disa persona. Kristuli tha për “Neës24” se shërbimi zjarrfikës ka qenë në vendngjarje për 2 minuta, ndërsa për të shmangur këto ngjarje duhet të merren masa parandaluese. “Shërbimi zjarrfikës ka qenë në vendngjarje për 2 minuta. Zjarri u fik nga personeli që ishte dhe nuk u kërkua ndihmë. Përmasa tjetër ishte tek shpërthimi. Problemi tek gazi i lëngshëm është duke u trajtuar në dy shtylla. Kryesorja janë masat dhe parandalimi si dhe ndërhyrja. ISHTI nuk kishte pse lejonte 1 mijë litra gaz të lëngshëm në një resort. Pra kush janë këto masa parandaluese? Masat parandaluese duhet të respektohen nga kompanitë. Pra janë sinjalizuesit që të njoftojnë për çdo rrjedhje gazi dhe këto sinjalizues gjenden kollaj”, tha Alfred Kristuli.
Ndërkohë përsa i përket situatës së zjarreve në vend, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës tha se, operacionet më të vështira kanë qenë në zjarret që ranë në Tepelenë, Berat dhe Ibë. “Shërbimi zjarrfikës nga viti 2015 i është kaluar shërbimeve vendore dhe kjo është një reformë që është bërë në kohën e duhur. Por edhe sensibilizimi i komunitetit ka ndikim. Zjarri më i rrezikshëm nisi në Tepelenë ku janë përqendruar forca edhe nga shërbimi zjarrfikës nga Gjirokastra dhe Përmeti. Po ashtu kemi edhe rastin e zjarrit në Berat dhe në Ibë, ku përveç Forcave të Shërbimit Zjarrfikës dhanë ndihmëse edhe forcat e Armatosura”, tha ai.
Shpërthimi në Velipojë, Prokuroria: Hetimet do shtrihen deri tek ISHTI
Prokuroria e Shkodrës pritet të nisë procedim penal për shpërthimin e paradites të së premtes në një restorant në Velipojë, ku nga rrjedhja e gazit u plagosën rëndë 4 persona, dy prej të cilëve në gjendje kritike për jetën. Sipas organit të akuzës, hetimet do të shqyrtojnë faktet nëse ISHTI ka kryer kontrollin teknik dhe ka dhënë leje për subjektin që të instalonte cisternën e gazit.
Procedim penal pritet të nisë edhe për pronarin e restorantit, ku ndodhi shpërthimi që kishte vendosur cisternën poshtë pallatit. Sipas Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial, pronari Zenuni nuk ka pasur leje për vendosjen e cisternës, dhe në kundërshtim me ligjin nuk ka kërkuar asnjëherë leje për të. Faktet pritet të verifikohen nga Prokuroria, që e cilëson çisternën 1 mijë litërshe pa kushte dhe siguri.
Gjithashtu, pritet ekspertiza e shërbimit zjarrfikës për të zbardhur detaje të tjera që ndihmojnë në hetim. Ndërkaq, mbeten në gjendje kritike pronari 55-vjeçar Besnik Zenuni dhe djali i tij Hektor Zenuni 23 vjeç, të cilët ndodhen në Repartin e Djegieve në Tiranë me djegie të shkallës së dytë dhe të tretë në gati në 50% të trupit. “Kur dëgjova shpërthimin isha në banak dhe menjëherë zbrita të shikoj çfarë po ndodhte. Aty pashë babain të shtrirë dhe menjëherë e mora në krahë, për ta nxjerrë. Pas pak sekondash ndjeva një shpërthim tjetër që më shtyu përpara. Nga aty nuk mbaj mend më”, tregon i biri.
Ndërkaq, edhe e plagosura 19-vjeçare nga Kosova, Saida Spahija, e cila punonte në banak është transportuar drejt Tiranës për shkak se ka paraqitur probleme me sytë. Mjekët në Shkodër e kanë dërguar vajzën në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Mëngjesin e së premtes, rrjedhja e gazit nga cisterna 1 mijë litërshe solli shpërthime të fuqishme nga të cilat u plagosën katër persona, ndërsa kanë sjellë panik dhe tmerr mes banorëve dhe pushuesve në zonë. Kanë qenë të shumtë dëshmitarët e kësaj ngjarje të rëndë që kanë rrëfyer për atë çfarë ndodhi, por gjurmë të pashlyeshme nga pamjet e rënda të shpërthimit të ditës së djeshme ka rrëfyer dhe infermierja Vjollca Voci, e cila u asfiksua pas ndërhyrjes në lokalin që u përshi nga flakët. Infermierja e ka të pamundur të heq nga mendja lutjet e dy të djegurve që ndodheshin brenda në lokal që i drejtoheshin asaj për t’i shpëtuar.
Dhunohet në spital kirurgu në Shkodër
Mjeku Besmir Grizhja ka rënë dje pre e dhunës në Spitalin e Shkodrës, ku është goditur me grushta nga bashkëshorti i një pacienteje. 45-vjeçari me iniciale A.K., ka pretenduar se mjeku Grizhja nuk i ka shërbyer siç duhet gruas së tij, por kishte vendosur ta dërgonte drejt QSUT-së.
Por, pak muaj më parë, i njëjti mjek ka kryer një prej operacioneve të rralla në botë.
Kirurgët Besmir Grizhja, Lulëzim Lekaj, Luan Bajri, me mbështetjen e gjithë stafit të kolegëve, raportohet se realizuan në muajin shkurt të këtij viti, një intervent kirurgjikal vaskular (bypass femoro popliteal me graft PTFE 5mm) për një sëmundje shumë të rrallë. Nga viti 1964 deri në 2008, në botë janë regjistruar 168 raste në total.
Pacientja kishte Arterie ischiadike persistente aneurizmatike të trombozuar, me ishemi të këmbës (në rrezik amputacioni). Falë këtij interventi, pacientes iu shpëtua këmba. Kirurgët u shprehën pas këtij operacioni se “ndihemi krenar për këtë intervent të suksesshëm, për institucionin ku shërbejmë si dhe për profesionalizmin e mjekëve kirurgë e anestezistë”.
Trafiku i drogës, 5 urdhër-arreste të reja për grupin e “Vilunit”
Grupi i cili trafikonte drogë nga Laguna e Vilunit ka qenë një ndër më të strukturuarit që ka hetuar Prokuroria e Krimeve të Rënda. Deri më tani në periudha të ndryshme kohore janë arrestuar 11 persona. Të premten pasdite dhe këtë të shtunë Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i ka miratuar Prokurorisë edhe 5 urdhër-arreste të tjerë. Këta persona janë shpallur në kërkim, pasi nuk janë gjetur në banesat e tyre.
Sipas Prokurorisë ata kanë patur rol aktiv në trafikimin e 700 kilogramëve kanabis, të cilat u sekuestruan në 2014 në Vilun. Identitetet nuk bëhen publike për shkak të sekretit hetimor, por sqarohet veprimet e tyre janë zbuluar nga përgjimet. Vlen për t’u sqaruar se Gjykata e Shkallës së Parë nuk i miratoi urdhër-arrestet, të cilat detyruan Prokurorinë t’i drejtohej Apelit.
Prokurorisë së Krimeve të Rënda iu deshën dy vjet hetime dhe bashkëpunim i ngushtë me autoritet italiane për të arrestuar 4 persona të tjerë, të cilët trafikonin kanabis drejt vendit fqinj nga Laguna e Vilunit. Tre vjet më parë u arrestuan 7 persona dhe u dënuan nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Vazhdon të jetë në kërkim Bardhok Pllanaj i cilësuar një prej njerëzve të rëndësishëm të këtij rrjeti.
Ndërsa në qershor u arrestuan Andi Mita, Kasëm Piluri, Altin Rramolli dhe Andrea Çaushi. Ky i fundit u lirua më pas nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda. Prokurorët thonë se këta persona kishin përgatitur trafikimin drejt Siçilisë të rreth 3.5 ton kanabis. Ky grup furnizonte familjet mafioze me kanabis në Siçili.
Krushqit përleshen me thika, 2 të plagosur në Korçë
Detaje të reja janë zbardhur nga policia lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në periferi të Korçës, ku 2 persona kanë përfunduar në spital të plagosur me thikë. Burime zyrtare bëjnë me dije se, si autorë janë arrestuar at e bir, pasi në bashkëpunim mes tyre, plagosën rëndë me mjete të forta krushkun e tyre dhe djalin e tij. Në pranga janë vënë Petrit Çaushllari, 47 vjeç, si edhe djali i tij Emiljano Çaushllari, 21 vjeç, të dy banues në fshatin Buçimas-Pogradec.
Arrestimi i tyre u bë pasi, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me mjete të forta në kokë dhe trup, shtetasit P.B, 60 vjeç, si edhe djalin e tij shtetasin S.B, 26 vjeç, në banesën e këtyre të fundit.
Nga hetimet e kryera rezulton se autorët e dyshuar të ngjarjes, kanë lidhje krushqie me dy të plagosurit, pasi vajza e Petrit Çaushllarit është nusja e djalit të shtetasit P.B dhe kunata e S.B. Shtetasi P.B, aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal të Korçës, nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Katër shtetasit e mësipërm dyshohet të jenë përfshirë në këtë konflikt fizik mes tyre pas një debati për motive të dobëta, midis shtetasit P.B. dhe nuses të djalit të tij. Materialet për rastin i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”.