Zjarret vijojnë të shkrumbojnë pyjet në të gjithë vendin, ndërsa në Krujë po rrezikohen edhe disa banesa. Mesditën e djeshme ka rënë një zjarr i madh në lagjen Meçe të qytetit të Krujës. Bëhet e ditur se, zjarri ka rënë në një sipërfaqe pyjore, pranë të cilës ndodhen edhe banesa të banuara, të cilat rrezikohen nga flakët. Përhapja e flakëve favorizohet nga era, ndërkohë që forcat zjarrfikëse janë në vendngjarje, por ndërhyrja e tyre është vështirësuar për shkak të terrenit. Ende nuk dihet nëse nisja e zjarrit ka ardhur prej temperaturave të larta apo ka qenë e qëllimshme.
Gjatë ditës së djeshme në të gjithë vendin janë shënuar 8 vatra zjarri në pyje e kullota në qarqet Shkodër, Elbasan, Dibër, Vlorë e Gjirokastër. Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohet për raste zjarresh dhe vatra të vogla që kanë qenë aktive janë shuar. Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.
Në Shkodër ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre e ferra dhe hamullore në afërsi të disa banesave në fshatin Goraj, Njësia Administrative Kastrat, Bashkia Malësi e Madhe. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 0.2 ha me shkurre e ferra dhe hamullore.
Ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra pranë disa banesave në lagjen “Llixha” të qytetit Peshkopi. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.1 ha me shkurre dhe ferra.
Ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre e ferra dhe pyll pishe në fshatin Paulesh, Njësia Administrative Pajovë, Bashkia Peqin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 0.2 ha me shkurre e ferra dhe pyll pishe.
Ka rënë zjarr në sipërfaqe pylli me pemë ahu tek Mali i Babjes, në vendin e quajtur “Zalishte”, të fshatit Babje, Njësia Administrative Qendër Librazhd, Bashkia Librazhd. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.3 ha sipërfaqe me pyll ahu.
Ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre e ferra pranë pyllit me pisha në lagjen “Xhami” të qytetit Peqin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 0.4 ha me shkurre dhe ferra.
Ka rënë zjarr në sipërfaqen me shkurre e ferra në kurorën me ullishte pranë lagjes “Vullnetari” të qytetit Elbasan. Si pasojë e zjarrit u dogj 1 ha me shkurre e ferra dhe 3 rrënjë ullinj të moshës së vjetër.
Edhe në Vlorë vijojnë zjarret. Ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre të ndryshme në fshatin Shkozë, Njësia Administrative Sevaster, Bashkia Selenicë. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 3 ha sipërfaqe me shkurre të ndryshme.
Ka rënë zjarr në barishte dhe shkurre në vendin e quajtur “Lëmi i Jahos” në fshatin Riban, Njësia Administrative Dëshnicë, Bashkia Këlcyrë. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 1 ha me barishte dhe shkurre.
Zjarr i madh në Krujë, rrezikohen disa banesa në lagjen Meçe
Rriten masat e sigurisë për pushuesit në Shëngjinit
Rriten masat e sigurisë për pushuesit në plazhin e Shëngjinit. Ngjarjet e rënda të kohëve të fundit që kanë rezultuar fatale për jetën e pushuesve, kanë bërë që të vendosen kullat e vrojtimit, po ende ato nuk janë të mjaftueshme.
Në Shëngjin, janë vendosur edhe vrojtuesit, por ka edhe zona që nuk mbulohen. Përgjegjësi i Zyrës së Turizmit në Shëngjin, Gjovalin Maklaj thotë se po punohet për shtimin e kullave të vrojtimit dhe plotësimin e tyre me të gjitha elementët e nevojshëm për t’i bërë funksionale. “Gjatë këtyre ditëve kemi vendosur 5 kulla vrojtimi në zonën e Shëngjinit dhe 2 në Ranën e hedhun”, tha Gjovalin Maklaj.
Rritja e sigurise për pushuesit e vendosur në bregdetin e Tales dhe Shëngjinit mbetet një sfidë për Bashkinë Lezhë, ndërsa po bashkëpunohet ngushtë edhe me operatorët privatë për të përmbushur këtë detyrim ligjor.
Trageti ‘Adria Ferries’ ngec në ujërat ndërkombëtare
Trageti Adria Ferries që është nisur mbrëmjen e djeshme nga Ankona me destinacion Portin e Durrësit, pritet të mbërrijnë në Durrës gjatë paradites së nesërme. Burime nga Kapiteneria e Portit bëjnë të ditur se aktualisht trageti ndodhet në ujërat ndërkombëtare dhe mbërritja e tij në Durrës nuk mund të ndodhë para orës 11:00 të ditës se dielë.
Trageti në fjalë ka pësuar defekt në njërin nga motorët dhe për këtë arsye po lundron me shpejtësi të ulët.
Ekuipazhi i tragetit ka marrë masa për furnizimin e pasagjerëve me ujë dhe ushqime.
Askush në Venezuelë nuk e di çfarë po ndodh
Natalia Viana
Më 5 qershor të 2017 venezuelianët janë zgjuar me të njëjtin president, siç ndodh qysh kur Nicolas Maduro ka marrë stafetën e Hugo Chavez më 2013. Për shumë manifestues që gjatë dy muajve të mëparshëm kishin mbushur sheshet në qytete të ndryshme të vendit ka qenë një zhgënjim tjetër. Kishin qarkulluar zëra, të amplifikuara nga mesazhe në WhatsApp, sipas të cilave një ditë më parë Maduro ishte larguar nga vendi. Ky episod, bashkë me shumë të tjerë, demonstron se gjithçka ndodh në Venezuelë është shënuar nga dezinformimi dhe nga lajme false të përhapura nga simpatizantë të qeverisë dhe të opozitës. Në politikën venezueliane gjithçka është spektakël. Kështu që harrojini gjërat që keni lexuar gjatë këtyre muajve: Venezuela nuk po përjeton një katastrofë humanitare prej mungesës së mallrave ushqimore; qeveria e Maduro-s nuk është duke rënë; policia nuk po masakron manifestuesit nëpër rrugë. Por nuk është as e vërtetë që gjithçka ecën mirë dhe se protestat e dhuna që e shoqëron janë krijuar nga “terroristë” të armatosur, siç thonë mbështetësit e qeverisë. Ky reportazh është fryt i 3 javëve të kaluara duke dëgjuar atë që thonë venezuelianët dhe udhëheqësit e tyre.
Sapo arrijmë në Karakas, asistojmë në një protestë të opozitës në zonën lindore të qytetit. Manifestime si ky e trondisin kryeqytetin qysh nga fillimet e prillit, me një ritëm prej të paktën një çdo dy ditë. Në rrugët kryesore qëndrojnë makina të blinduara dhe shikohen radhë të gjata agjentësh të policisë kombëtare bolivariane me armë të kalibrit të rëndë. Edhe ushtarët e ushtrisë, me uniformat e tyre ngjyrë ulliri, zënë cepat e rrugëve dhe vendet më të përshtatshme për të frikësuar manifestuesit potencialë. Shumë rrugë që të çojnë në vendet e protestave janë bllokuar. Manifestimet ndjekin një skemë fikse: në sheshin “Altamira”, në një lagje të banuar nga shtresa e mesme, zotërinj dhe zonja bjonde që mbajnë veshur kapelet karakteristike me ngjyrat e Venezuelës flasin ndërsa studentë nga universitete të ndryshme – si Universidad Central de Caracas, Universidad Metropolitana dhe Universidad Santa Maria – parakalojnë duke mbajtur postera dhe tabela me mesazhe kundër Maduro-s, duke e akuzuar se është diktator. Disa nxjerrin nga çantat e shpinës “armët e luftës”: kaska, bluza të zeza që përdorin për të mbuluar fytyrën, maskat antigaz, doreza të trasha, mburoja druri të prera me kujdes. Ka shumë të rinj midis 16 dhe 25 vjeçëve që gjejnë në këto kontestime një mënyrë shprehjeje të dëshirës së tyre për ndryshim. Gjatë manifestimeve sulmojnë banka dhe dyqane. Mbajnë me vete gurë dhe përdorim doreza të trasha për të kthyer mbrapsht gazin lotsjellës të qëlluar nga policia; disa lëshojnë bomba molotov apo artizanale kundër policëve. Përshëndeten si heronj nga opozita. Asgjë nga kjo nuk përbën risi në Venezuelë. Slogani “calle, calle, calle” (rrugë, rrugë, rrugë) përdoret nga liderë të ndryshëm të opozitës, me energji më të lartë apo më të ulët, nga viti 1998, kur Hugo Chavez u zgjodh president. Protestat, bojkotimet dhe grevat kanë qenë të shumta saqë është e lehtë mos t’i mbash mend sa. Në shumë raste manifestuesit janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara nëpërmjet financimeve të Agjencisë për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID). Pas vdekjes së Chavez më 2013, ka pasur të paktën 3 valë protestash. Manifestuesit sigurojnë se kësaj radhe është hera e mirë për ta rrëzuar qeverinë. “Do të vazhdojmë të manifestojmë. Tashmë nuk ka më asnjeri në këtë vend që e do këtë regjim”, na thotë 23-vjeçari Alejandro Ferrero, që mban veshur një kasko me ngjyrat e flamurit venezuelian. Prej prillit janë arrestuar më shumë se 2800 manifestues. Më shumë se 200 janë ende në burg.
Parlament i privuar nga autoriteti
Motivi i valës së fundit të protestave gjendet në një ndërtesë të bardhë në qendër të Karakasit, ku punon apo duhet të punojë Parlamenti, duke qenë se në gushtin e 2016 Gjykata Supreme e ka zhveshur nga autoriteti dhe qysh atëherë asnjeri nuk e di mirë sesi ta nxjerrë nga kjo situatë. Një fat i trishtuar, por shumë venezuelianë, për një Parlament që nga dhjetori i 2015, kur është rinovuar, kontrollohet nga opozita, pasi ka qenë për 16 vjet në duart e chavistëve. Partitë opozitare që janë pjesë e Mesa de Unidad Democratica (MUD) kanë fituar shumicën prej 2/3 të vendeve dhe kjo i ka mundësuar që të miratojnë ligje që shkojnë kundër zgjedhjeve kryesore politike të qeverisë dhe të kenë fjalën e fundit lidhur me huatë ndërkombëtare apo mbi bilancin shtetëror. Ditën e betimit të Parlamentit të ri, Presidenti i Asamblesë, Henry Ramos Allup ka propozuar një ligj për dhënien e amnistisë të gjithë të burgosurve politikë dhe në diskutimin e tij ka deklaruar: “Gjatë muajve të ardhshëm do të përdorim një metodë, një sistem për ta ndryshuar qeverinë me anë instrumentesh kushtetues”. Disa orë më parë, Presidenti Nicolas Maduro kish firmosur një dekret që i hiqte Parlamentit pushtetin e emërimit të drejtorit të Bankës Qendrore dhe Gjykata Supreme i kish penguar 3 deputetët e opozitës që të betoheshin (për të shmangur që opozita të arrinte mazhorancën). MUD-i nuk e ka respektuar vendimin e gjykatës dhe qysh atëherë qeveria nuk ua paguan rrogat deputetëve dhe të gjitha vendimet e Parlamentit anulohen sistematikisht nga Gjykata Supreme, që më 29 mars ka marrë pushtetet e Asamblesë Kombëtare, për të bërë më pas prapaktheu përballë reagimit të komunitetit ndërkombëtar. “Parlamenti ka vlerë simbolike”, shpjegon Julio Borges, presidenti aktual i Asamblesë. “Qysh kur janë betuar deputetët, Gjykata Supreme ka marrë më shumë se 60 vendime që i kanë anuluar të gjitha vendimet. Është absurde ta privosh Parlamentin nga autoriteti duke e akuzuar për rebelim dhe fyerje, sikur të ishte një njeri i vetëm”, thotë Borges. “Maduro ka miratuar bilancin vetë, nëpërmjet Gjykatës Supreme. Ka miratuar ligjin për borxhin publik pa e kaluar nga Parlamenti, i mbyllur nga një qeveri, të cilës nuk i intereson vota popullore apo demokracia”. Lufta midis pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv është rënduar më 2016. Një tentativë dialogu e mbështetur nga Papa Françesku dhe nga Bashkimi i Vendeve Jugamerikane (UNASUR) në shtator ka përfunduar me asgjë faktike. Referendumi për të rrëzuar Maduro-n, i propozuar nga partitë e opozitës, është bllokuar nga Këshilli Kombëtar Elektoral (CNE), që ka pezulluar mbledhjen e formave për mashtrime në 5 shtete në fund të tetorit. Këtë javë CNE-ja ka njoftuar se zgjedhjet e guvernatorëve, që do të mund t’i garantonin shumicën opozitës (dhe për pasojë, kontrollin e forcave të policive rajonale), do të mbaheshin në semestrin e parë të 2017, me 6 muaj vonesë. Këto zgjedhje nuk janë mbajtur akoma.
Kushtetutë e kontestuar
Në qendër të Karakasit, sytë e Hugo Chavez, i vdekur në marsin e 2013, janë kudo. Ministri i Arsimit, Elias Jaua na pret në zyrën e tij midis fotove të ndryshme të ish-presidentit. Njeri i besuar i Chavez, Jaua ka qenë sekretar i Presidencës, ministër i Jashtëm, ministër i Ekonomisë Popullore, ministër i Bujqësisë dhe zëvendëspresident. Sot është i impenjuar edhe që të realizojë objektivin kryesor të qeverisë për të tejkaluar ngërçin e krijuar nga opozita (që nuk e ka ndërmend të pushojë së manifestuari): t’i japë jetë Asamblesë Kushtetuese të propozuar nga Maduro më 1 maj. Nëse projekti i qeverisë do të përfundojë me sukses, organi i ri do t’i anashkalojë të gjithë pushtetet e tjera dhe do të mund të imponohet ndaj Parlamentit apo deri edhe ta mbyllë atë. Jaua e ka lëkurën e errët dhe një shikim serioz prapa syzeve me skelet katror. Shpjegon plot afsh se problemi më i madh i vendit është “refuzimi i pajustifikueshëm i opozitës për të dialoguar me qeverinë dhe parapëlqimi i saj për dhunë”. Jaua ka detyrën që të koordinojë punën për Asamblenë Kushtetuese, një bast i rrezikshëm, që kërkon të vihet dorë në një prej trashëgimive më të rëndësishme të Chavez: Kushtetuta e 1999. Edhe pse në atë kohë u kritikua, sot të gjithë politikanët akuzojnë njëri-tjetrin se po e shkelin këtë tekst. “Problemi nuk është të modifikohet Kushtetuta”, shpjegon Jaua. “Duhet rishkruar parimi sipas të cilit sovraniteti popullor është burimi suprem i fatit të kombit. Dialogu nuk bëhet duke përfshirë një rreth të ngushtë politikanësh të opozitës, por nëpërmjet një procesi elektoral universal, të drejtpërdrejtë dhe sekret, që i bën të dalin liderin e qeverisë dhe të opozitës kundër kësaj dhune”. Sipas formulës të menduar nga qeveria, përbërësit e Asamblesë Kushtetuese do të zgjidhen gjysma me bazë rajonale, kurse gjysma tjetër do të vijë nga 9 sektorë të tjerë të shoqërisë, si për shembull fshatarë, biznesmenë, indigjenë, njerëz me aftësi të kufizuar, universitarë dhe përfaqësues të këshillave komunalë. Pavarësisht ndryshimeve të paraqitura nga një Asamble Kushtetuese të zgjedhur sipas këtyre rregullave, Jaua thekson se, “bazat doktrinare dhe folozofike të Kushtetutës së 1999 do të mbesin të pandryshuara”. Por propozimi i qeverisë e ka nxehur klimën politike. Më 11 maj opozita ka mbushur rrugët e “Las Mercedes”, një lagje në zonën lindore të Karakasit. Protesta, e organizuar në më pak se 24 orë, ishte krejtësisht ndryshe nga ajo që kishte filluar gjithmonë prej aty një ditë më parë, kur turma kishte kërkuar që të hynte në qendër të qytetit, duke sfiduar kordonat e policisë. Ka pasur përleshje dhe një student 24-vjeçar i Shkencave të Komunikimit, Miguel Fernando Castillo Bracho, ka mbetur i vrarë. Më 11 maj familjet, të drejtuara nga një klerik katolik, faleshin, këndonin dhe mbanin kurora me lule për të kujtuar të riun e vrarë. Sipas Prokurorisë venezueliane, Castillo është goditur nga një plumb i qëlluar nga një armë artizanale. “Jam këtu si nënë, për të ndarë dhembjen e nënave të këtyre të rinjve të vrarë, për shkak të represionit dhe të ligësisë së qeverisë”, ka thënë profesorja Ana Karina Malave. Prej marsit kanë vdekur më shumë se 90 persona gjatë protestave. Numërimi i viktimave, një perversitet i sensacionalizmit venezuelian, është përdorur si armë nga të dy rreshtimet politike. Në Karakas, një prej qyteteve më të dhunshme të botës, ka pasur incidente vdekjeprurëse në të gjitha valët e manifestimeve kundër chavizmit. Më 2014 qeveria ka përdorur vdekjen e 43 manifestuesve, të vrarë gjatë një proteste, për të dënuar me 14 vite liderin e opozitës Leopoldo Lopez. Qysh atëherë, Lopez është i burgosuri politik më i famshëm i vendit. Në prillin e 2002, 19 të vdekurit gjatë një dite proteste u përdorën nga ushtarakët si pretekst për të kërkuar dorëheqjen e Chavez dhe i hapën rrugën një grushti shteti që do të zgjaste më pak se 48 orë.
Ernesto Villegas është ministër i Komunikacioneve dhe president i televizionit shtetëror “Venezolana de Television” (VTV). Por mbi të gjitha është gazetar. Villegas ka shkruar një libër për grushtin e shtetit të 2002 të titulluar “Abril, golpe adentro” (Prill, grusht shteti i brendshëm). “Të gjithë të vdekurit kanë të njëjtën vlerë, janë të gjithë të dhembshëm, pavarësisht nga përkatësia politike e viktimës”, thotë ministri dhe shton se të vdekurit e shkaktuar nga policia janë shumë më pak nga ato që thuhen andej-këtej. Villegas thekson se nga 77 persona që janë vrarë në 6 muajt e parë të vitit sipas të dhënave të mbledhura nga zyra e tij, vetëm 25 janë vrarë teksa merrnin pjesë në protesta. Midis viktimave ka persona të vrarë prej plumbave të qëlluara nga armë artizanale apo armë zjarri. Paul Moreno, një student 24-vjeçar i Mjekësisë, është shtypur nga një makinë në Maracaibo, në perëndim të vendit. Juan Pernalete, një student 20-vjeçar, është vrarë – sipas versionit të prokurores së Përgjithshme, Luisa Ortega Diaz – pasi është goditur në gjoks nga një bombë gazi lotsjellës të lëshuar nga policia. Midis viktimave janë 4 chavistë, 4 policë dhe 8 persona kanë vdekur në vend teksa plaçkisnin një furrë buke në Karakas. Rasti për të cilin është folur më shumë është ai i Orlando Figuera, një djalë 21-vjeçar që më 20 maj, pasi është akuzuar për vjedhje, është linçuar, therur me thikë dhe djegur i gjallë nga manifestuesit që ndodheshin në sheshin “Altamira”. Figuera ka vdekur në spital 15 ditë më vonë, sipas prindërve të tij, që janë chavistë, djali punonte si punëtor parkimi në “Las Mercedes” dhe është vrarë “pse ishte chavist”. Lajmi nuk ka tërhequr shumë vëmendje në shtypin ndërkombëtar dhe është përdorur nga qeveria për të akuzuar opozitën. “Kur flasin për Venezuelën”, pohon Villegas, “mjetet e huaja të informimit nuk zbatojnë rregullat standarde të gazetarisë. Burimet zyrtare nuk konsiderohen të vlefshme. Ideja bazë është se çdo gjë e thënë kundër qeverisë përbën lajm, pa pasur nevojë të verifikohet”. Villegas nënvizon një diferencë themelore midis 2002 dhe sot: rrjetet sociale. Në Venezuelë 53% e popullsisë ka akses në internet dhe midis shtresave popullore e dhëna shkon në 70%. “Më 2002 qemë robër të televizionit”, thotë ministri. “Sot komunikimi online ka zëvendësuar televizionin në disa zona dhe për disa grupmosha. Vlejnë më shumë mesazhet e shkëmbyera në grupet WhatsApp; Facebook është aplikacioni më popullor në vend dhe Twitter përdoret shumë nga politikanët”.
Më shumë protesta dhe më shumë të vdekur
Manifestimet si ai ku ka vdekur Miguel Fernando Castillo Bracho nuk gjejnë hapësirë në kanalet televizive free (në veçanti “Telesur” dhe “VTV” u kushtojnë shumë hapësirë programeve të propagandës kundër opozitarëve), nga ana tjetër është e pamundur të kontrollohet lumi i videove amatoreske të përhapura në faqet antichaviste si Maduradas apo La Patilla. “Ka edhe një tendencë tjetër: shumë gjëra të prodhuara për Venezuelën vijnë nga Miami. Nëse do të bëhej një kërkim mbi përdoruesit më influentë online, do të shikohej se rreth 60% e tyre jeton jashtë Venezuele”. Kundërsulmi chavist procedon me po aq shpejtësi në faqe të tilla si “La Iguana TV”, që boton video ku shikohen manifestues të hedhin eksplozivë artizanalë kundër policisë. Nganjëherë lajmet e përhapura nga televizioni shtetëror manipulohen në mënyrë të dukshme, për shembull duket futur armë në fotografitë e manifestuesve. Me një felpë mbi shpatulla, Henrique Capriles duket sikur sapo ka bërë xhoging. Është figura kryesore e opozitës prej më shumë se 10 vitesh. Thekson se kriza ekonomike nuk do të zgjidhet deri kur nuk do t’i gjendet një rrugëdalje krizës politike dhe duke folur me të të krijohet ndjesia se kjo rrugëdalje është larg. Capriles, kandidati presidencial që bashkon opozitën dhe që më 2013 është mundur nga Nicolas Maduro me vetëm 224000 vota, nuk do të mund të paraqitet në zgjedhje për 15 vitet e ardhshme. “Sipas Kushtetutës, ndalimi politik fillon vetëm kur ka një vendim të formës së prerë. Rasti im ka të bëjë me një gjobë prej 40000 bolivares (rreth 6 dollarë në tregun e zi) pse kam marrë një donacion nga Mbretëria e Bashkuar e destinuar për një projekt shkollor”. Dy ditë pas intervistës me Agencia Publica, Capriles, guvernator i shtetit Miranda, do të shikojë që do t’i merret pasaporta në aeroport dhe nuk do të mund të largohet nga vendi për të shkuar në OKB, ku donte të denonconte shkeljet e të drejtave të njeriut në zhvillim në Venezuelë. Capriles mendon se kaosi mund të rritet. Nëse projekti i Asamblesë Kushtetuese ecën përpara, thotë, ai, Venezuela mund ta gjejë veten me dy Kushtetuta. “Jam jashtëzakonisht i preokupuar, pasi qeveria i ka radikalizuar pozicionet e saj”, thotë ai. Për Capriles zgjidhja është që të vazhdohet të manifestohet. “Maduro e ka injoruar rezultatin e kutive të votimit, një mazhorancë dërrmuese në favor të forcave të ndryshimit. Çfarë kemi propozuar? Një referendum për ta votëbesuar presidentin, i parashikuar nga Kushtetuta. Çfarë ka ndodhur? Na është mohuar. Çfarë duhet të bëjmë kur na i mbyllin të gjitha portat demokratike? Çfarë duhet të bëjë një udhëheqës?”.
Gjatë manifestimeve, Capriles bëhet njeri tjetër. E çon turmën në delir, duke sharë Maduro-n dhe duke siguruar se qeveria është në pikën e rrëzimit. Në studion e tij duket më i arsyeshëm dhe paqëtues. “Jam i bindur se ndryshimi do të vijë nëpërmjet votës, pasi duhet të mendojmë për pas Maduro. Një qeveri që lind nga një rebelim ushtarak, nga një grusht shteti, nuk mund t’i japë stabilitet vendit”. Më 2002 Capriles ndoqi nga afër grushtin e shtetit të dështuar, por sot këmbëngul për distancimin nga ajo trashëgimi e mallkuar. Më 11 prill 2002, disa orë përpara se Chavez të merrej nga ushtarakët që merrnin pjesë në puç, Julio Borges, në atë kohë president i Partisë Primera Justicia dhe sot president i Parlamentit, doli në televizion dhe i kërkoi qeverisë të dorëhiqej. Në të majtë të tij ishte Leopoldo Lopez, kryebashkiaku i ri i Chacao, një komunë e rajonit metropolitan të Karakasit. Të nesërmen Lopez shkoi me Policinë Bashkiake të arrestojë Ramon Rodriguez Chacin, ministër i Brendshëm dhe i Drejtësisë, në kuadër të një spastrimi që, ashtu si grushti i shtetit, zgjati pak. Kur u fut me forcë në shtëpinë e ministrit, Lopez ishte në shoqërinë e Capriles, në atë kohë kryebashkiak i ri i Baruta, gjithmonë në rajonin metropolitan të Karakasit. Po atë ditë, Capriles qe protagonist i një episodi të diskutueshëm në ambasadën kubaneze në Karakas. Ndërtesa ishte nën rrethim qysh nga 9 prilli. Turma kërcënonte se do të futej brenda dhe qysh kur qarkullonin zëra se brenda ndodhej zëvendëspresidenti Diosdado Cabello, që kërkonte azil politik, ndërtesës nuk i shkonin më as rryma, as uji. Capriles hyri në ambasadë dhe kërkoi që të bënte një kontroll. Ambasadori refuzoi, duke iu apeluar të drejtës ndërkombëtare. Në dalje, Capriles zgjodhi që të lante duart: “Nuk mund ta konfirmoj apo të them ndryshe se Cabello ndodhet në ambasadë, pasi nuk më lanë të kontrolloja”. Capriles thekson se shkoi aty me kërkesën e ambasadorit dhe se i ngritën një kurth. “Nuk kam marrë pjesë kurrë në grushtin e shtetit, kurrë!”, përsëriti gjatë një interviste.
Ndërkohë Diosdado Cabello është bërë politikani më i fuqishëm i chavizmit. Çdo të martë në orën 20 “VTV”-ja transmeton “Con el mazo dando”, një program piktoresk që zgjat rreth 4 orë. Është takimi i përjavshëm me Cabello, që ka marrë stafetën nga Chavez, që si president bënte një emision të ngjashëm. Programi e merr emrin nga një çelës mekanik që prezantuesi e përdor për të goditur tavolinën kur dëshiron të theksojë atë që thotë. Ish-ushtaraku flet përpara një logoje të madhe me siglën 4F (simbol i grushtit të shtetit të dështuar të tentuar nga Chavez më 1992) dhe shprehjen “Aqui no se habla mal de Chavez”, këtu nuk flitet keq për Chavez. Cabello është figurë kyçe e një qeverie që i bën gjithnjë e më shumë apel mbështetjes së ushtrisë. Ka qenë zëvendëspresident gjatë grushtit të shtetit dhe president i Parlamentit, ministër i Punëve Botore dhe i Politikave të Banimit, si dhe guvernator i shtetit Miranda, një post që e ka humbur ndaj Capriles. Pa një mandat zyrtar në qeveri dhe me një vend të kotë prej deputeti në një Parlament që nuk funksionon, është një prej njerëzve të propagandës chaviste. “Në këtë moment Cabello është politikani që i njeh më shumë forcat e armatosura”, shpjegon Rocio San Miguel, drejtore e OJQ-së Control Ciudadano para la Seguridad, la Defensa y la Fuerza Armada. “I pëlqen që ta shesë këtë imazh të vetes, dëshiron të besohet se kontrollon forcat e armatosura, por nuk është kështu. Në këtë moment asnjeri në Venezuelë nuk e ka kontrollin e forcave të armatosura. As vetë Maduro”. Është pikërisht lidhur me këtë pikë në të cilën ndërhyn opozita, që qysh nga fillimi i vitit po kërkon që t’i bindë ushtarakët ta ndërpresin mbështetjen ndaj Maduro. “Sot qeveria është e ulur mbi bajoneta. Por shpresojmë që në forcat e armatosura të ketë një komponente demokratike dhe institucionale, që të mos mbështesë një qeveri të korruptuar”, thotë Borges. “Po kërkojmë t’i bindim ushtarakët që të mos kenë frikë nga një proces elektoral në gjendje të bashkojë vendin”. Edhe Parlamenti po provon që t’i bindë ushtarakët. Në fund të majit është krijuar një komision garancie për tranzicionin, i cili duhet të miratojë një amnisti për të mbrojtur kë ndryshon rreshtim. “Jo vetëm amnisti, por edhe stimuj”, shpjegon deputeti Freddy Guevara, zëvendëspresident i Parlamentit dhe koordinator i Partisë Voluntad Popular, e drejtuar nga Leopoldo Lopez. “Kush arrestohet apo shkarkohet pse mbështet luftën për demokraci duhet ta dijë se kur do të vijë demokracia do të kompensohet”.
Gjenerali besnik
Në këtë mënyrë liderët e opozitës kërkojnë që të sigurojnë ushtarakët për faktin se në qoftë se do të vijnë në pushtet nuk do të zbatojnë asnjë represion si ai i dëshiruar nga Chavez pas grushtit të shtetit të dështuar të 2002, ku morën pjesë edhe disa liderë aktualë të opozitës. Në atë kohë qeveria chaviste reformoi policinë dhe konsolidoi praninë e doktrinës bolivariane në ushtri, duke u besuar pozicione komanduese ushtarakëve besnikë. “Chavez ka sjellë ushtarakët në pushtet për të stabilizuar qeverinë, por pas vdekjes së tij Maduro i ka bërë lëshime të tjera ushtrisë dhe sot lidhja midis politikanëve dhe forcave të armatosura është edhe më e ngushtë”, shpjegon San Miguel. “Sot kemi një qeveri që udhëhiqet nga një civil, por që ka të gjitha karakteristikat e një ekzekutivi ushtarak. Shoqëria është militarizuar dhe jeta e përditshme rregullohet nga forcat e armatosura, të cilët menaxhojnë shpërndarjen e mallrave ushqimore, transportet, farmacitë”. Prej 32 ministrave të qeverisë së Maduro, 11 janë ushtarakë dhe 11 nga 23 guvernatorët shtetërorë janë ushtarakë në pension. Veç kësaj, ushtria është e pranishme në Zona Economica Militar Socialista, një kompleks industrial i krijuar nga Maduro më 2013 në shpresën e rigjallërimit të ekonomisë. Midis bizneseve të lindura me shpalljen e kësaj iniciative, 5 kanë raporte me forcat e armatosura: një bankë, një industri bujqësore e zooteknike, një kanal televiziv dixhital, një kompani ndërtimesh dhe një furnizim ujor në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Qysh atëherë janë krijuar 3 kompani të tjera. Compania Anonima Militar de Industrias Mineras, Petroliferas y de Gas (Camimpeg) është krijuar në fillim të 2016 për të racionalizuar shfrytëzimin e naftës, gazit dhe mineraleve. Këshilli drejtues emërohet nga Gjenerali Vladimir Padrino Lopez, ministër Mbrojtjeje dhe qeveria është aksioneri kryesor. Maduro thotë se kjo kompani kufizohet vetëm në “sigurimin e shërbimeve PDVSA-së”, kompanisë petrolifere shtetërore. Ushtarakët janë në vijë të parë edhe në luftën e qeverisë kundër krizës ekonomike, veçanërisht nëpërmjet Gran Mision Abastecimiento Soberano, e drejtuar gjithmonë nga Padrino Lopez. Programi shërben për të rregulluar importimin dhe shpërndarjen e mallrave ushqimore popullsisë më të varfër nëpërmjet komiteteve lokale të furnizimit dhe prodhimit (CLAP). Këto komitete, të lidhur me këshillat komunalë të lagjeve të varfëra, shpërndajnë thasë që përmbajnë rreth 12 kilogram produkte bazë si oriz, miell, makarona e vaj, me çmime të subvencionuara nga qeveria. Pavarësisht problemeve, politika e CLAP-it i ka lehtësuar vështirësitë e krijuara nga mungesa e mallrave ushqimore, që ka arritur momentin më kritik më 2016.
Një studim i tri universiteteve i kryer gjithmonë më 2016 ka zbuluar se 70% e venezuelianëve kishte humbur mesatarisht 8 kilogram në harkun e një viti, një e dhënë katastrofike po të kihet parasysh se nën chavizmin popullsia që vuante nga mungesat ushqimore ishte reduktuar nga 15% në 5%. Sot shpërndarja e shumë mallrave – vaj, sheqer, kafe, oriz dhe letrës higjienike – menaxhohet nga një ushtarak në kuadër të planit “Rubro por rubro”. Kur vala e fundit e protestave është shtrirë nga Karakasi në shtete të tjera të vendit – duke sjellë me vete plaçkitje, bllokime rrugore dhe sulme kundër strukturave të policisë – qeveria ka nisur fazën e dytë të planit “Zamora”, që parashikon përdorimin e ushtrisë për të garantuar rendin publik në zona të tëra të vendit. Në mes të majit, Ministria e Mbrojtjes ka dërguar 2000 ushtarë të Gardës Kombëtare bolivariane dhe 600 ushtarë të forcave speciale në shtetin Tachira, në kufi me Kolumbinë. Prej majit, forcat e armatosura të të gjithë vendit janë autorizuar të arrestojnë manifestues, që më pas gjykohen nga gjykata ushtarake. Gjenerali Padrino Lopez nuk lodhet kurrë së treguari mbështetjen e tij për Maduro-n. Deklaron se Asambleja Kushtetuese “është një propozim revolucionar dhe thellësisht demokratik, që ne e mbështesim”. Kërkon “përfundimin e fushatës së urrejtjes kundër forcave të armatosura” dhe ka mbështetur publikisht daljen e Venezuelës nga Organizata e Shteteve amerikane (OEA), e lajmëruar në fund të prillit. Luis Almagro, sekretari i Përgjithshëm i saj, është objektivi i pjesës më të madhe të kritikave të tij. Rritja e influencës së ushtarakëve në sektorë strategjikë të ekonomisë ngre një seri problemesh, sidomos rrezikun që të rritet korrupsioni, thembra e vërtetë e Akilit e qeverisë chaviste. “Për momentin raporti midis ushtarakëve dhe qeverisë funksionon dhe do të vazhdojë të funksionojë në të ardhmen e afërt”, thotë Rocio San Miguel. Por një kërcënim i qëndron sipër: “ka 3 krime që prekin nga afër kupolën ushtarake të vendit: narkotrafiku, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe korrupsioni”.
Një bashkëbisedues realist
Të kërkosh një zë të paanshëm në Venezuelë është e pamundur. Maksimumi dhe me lodhje të madhe, mund të gjendet një bashkëbisedues realist. Luis Vicente Leon, drejtor i Institutit Datanalisis, nuk është lloji i njeriut që nuk dëshiron të rreshtohet; mendon se Maduro po fillon të abuzojë me pushtetin e tij dhe se qeveria e tij ka marrë tipare diktatoriale. Por fakti që është një ekspert të dhënash (Datanalisis është një prej instituteve më të rëndësishëm të Venezuelës) e shtyn Leon të bëjë konsiderata të tjera: shpjegon se nga 2016, kur pakësimi i mallrave ushqimore ka arritur pikun e tij, popullariteti i Maduro-s është rritur. “Kishtë rënë ndjeshëm pasi kishte fituar me 51% të votave; momenti më i keq i tij ka qenë në dhjetor të 2016, kur kishte zbritur në 18% të konsensusit. Por këtë vit, paradoksalisht, Presidenti ka rikuperuar 6 pikë përqindjeje, duke u ngjitur nga 18 në 24% besim. Kjo e dhënë varet nga ai 35% i popullsisë që e quan veten të pavarur, domethënë as me Maduro, as me opozitën”. Leon thotë edhe se 90.5% e venezuelianëve mendon se vendi po ecën keq apo shumë keq dhe se 70% fajëson qeverinë për këtë. “Por as opozita nuk ngjall shumë besim. Duhet të flasë për të ardhmen e vendit, por preferon që të vazhdojë të sokëllijë kundër Maduro-s”. Leon paralajmëron një negociatë midis qeverisë dhe opozitës. “Pa një traktativë politike do të jetë e pamundur të rikuperohet një ekuilibër. Opozita duhet ta përdorë forcën e saj në Parlament dhe në rrugë jo për ta detyruar qeverinë të dorëhiqet, por për të kërkuar një negociatë me të cilën të rithemelohen institucionet”. Në qoftë se, siç duket, opozita do të vendosë të mos e ndjekë këtë rrugë të dytë, qeveria do të vazhdojë t’i “getizojë manifestimet”, duke i bërë më të dhunshme. “Duhet ta shmangim me çdo kusht”. Leon tregon edhe një faktor tjetër, më të thellë: “Në Venezuelë mungojnë qumështi, kafeja dhe orizi, por ajo që mungon më shumë është e vërteta dhe akoma më shumë se ajo, objektiviteti. Në këtë vend nuk kuptohet më se cila është e vërteta, në mjetet e informimit, në diskutime, në debate, në intervista. Vlera e së vërtetës ka humbur krejtësisht, si në qeveri, ashtu edhe në opozitë. Bëhet luftë se kush thotë më shumë gënjeshtra. Humbja e së vërtetës nënkupton se nuk mund të ndahen më zërat nga realiteti. Kështu që pozicionimi bëhet shumë i vështirë”. Në Venezuelë duket se është hapur një frakturë sociale që më pas është shtrirë në pjesën tjetër të kontinentit. “Kur fraktura sociale është maksimale, atëherë edhe e vërteta konsiderohet tradhti”, përfundon Leon.
Autorja është një gazetare braziliane, drejtuese e uebsajtit të gazetarisë investigative Agencia Publica (apublica.org)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
Shpirti gjerman i Amerikës
Aaron Spencer Fogleman
Midis shumë emigrantëve të ardhur në kolonitë britanike të Amerikës Veriore në të sapokrijuarën Shtete të Bashkuara, rreth 150000 vinin nga territoret gjermanishtfolëse të Perandorisë së Shenjtë Romake. Ata përbënin grupin më të madh europian të emigruar në këto koloni dhe primati numerik i tyre ka vazhduar gjatë gjithë shekullit XIX dhe një pjese të mirë të shekullit XX. Rreth ¾ e emigrantëve në periudhën koloniale dhe shumë të tjerë në periudhën pas pavarësisë u vendosën në Philadelphia; pjesa më e madhe mbeti në Pennsylvania apo në afërsitë e shtetit, ku gjatë gjeneratave mori formë familjaria Pennsylvania Dutch, domethënë një kulturë specifike e markës gjermanike. Si grup, këta emigrantë dhe trashëgimtarët e tyre kontribuan ndjeshëm për të plazmuar fizionominë demografike, ekonomike, politike, sociale e kulturore të kolonive britanike më parë dhe të Shteteve të Bashkuara më pas. Qenë protagonistë të fazave vendimtare të historisë amerikane, midis të cilave pushtimi i territoreve të banuara nga vendasit amerikanë, skllavërisë, luftës për (ose kundër) pavarësisë. Si emigrantë, shumë bënë pasuri në tokat e reja, shumë të tjerë jo. Në disa aspekte të caktuara, ata qenë pararoja e miliona europianëve të tjerë që më pas erdhën në Amerikën Veriore. Në epokën koloniale dhe në periudhën e parë të pavarësisë, këta emigrantë ndërtuan dhe ruajtën një identitet etnik specifik, të bazuar sidomos mbi gjuhën, religjionin dhe vendbanimet, siç rezulton pjesërisht evidente akoma sot.
Bota e vjetër që emigrantët lanë prapa ishte e përbërë nga zakone, besime dhe raporte që vazhduan të informojnë jetën e emigrantëve edhe pas vendosjes së tyre përtej oqeanit. Në epokën koloniale, pjesa më e madhe e emigrantëve gjermanishtfolës vinte nga territoret juperëndimore gjermane përgjatë Rinit e degëve të tij dhe nga kantonet zvicerane. Vitet që shkojnë nga 1714 më 1792 qenë vite paqeje dhe prosperiteti relativ për këto troje, pas dekadash luftërash shkatërrimtare. Në shekullin XVIII ndodhën ndryshimet sociale: popullsia rurale në rritje ndeshej me mungesën e tokave, ndërsa shtetet moderne po vinin duke u strukturuar. Reformat agrare dhe zhvillimi i manifakturave rurale i përmirësuan pjesërisht kushtet e jetesës. Shumë të rinj gjetën punë si fshatarë dhe artizanë, në tentativën për të rritur të ardhurat e tyre në këto kohë të vështira. Të tjerë iu kundërvunë aristokratëve që kërkuan të mohojnë marrëveshjet e bëra në shekullin XVI, në kohën e Bauernkrieg (revoltës fshatare që mori zjarr midis viteve 1524 e 1526 në Perandorinë e Shenjtë Romake). Këta fshatarë, shumë prej të cilëve shërbëtorë të fisnikëve, i kishin shumë të qarta të drejtat e tyre dhe tregoheshin të gatshëm që t’i mbronin. Shumë fshatarë zviceranë dhe të territoreve jugperëndimore gjermane bënin atë që individë dhe familje kishin bërë prej shekujsh në kohë të vështira: linin shtëpitë dhe tokat e tyre në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Shumë prej atyre që emigruan në vende të largëta shkuan në Europën Lindore, sidomos në Rusi, në territoret e reja të fituara nga Prusia apo në Banat, në Transilvani, në Hungari dhe tjetërkund në Juglindje. Për shekuj me radhë, në periudhat e vështira fshatarët e Jugperëndimit gjerman kishin emigruar në Europën Lindore dhe vazhduan ta bëjnë edhe gjatë shekullit XVIII. Qe vetëm pas luftërave napoleoniane që Amerika Veriore u bë destinacion për pjesën më të madhe të emigrantëve gjermanë. Megjithatë, duke filluar nga ‘700, në Jugperëndimin gjerman dhe në Zvicër ishte përhapur zëri se Amerika Veriore, sidomos Pennsylvania, ishte një tjetër opsion i mirë. Përderisa dhjetëra mijëra fshatarë filluan të emigrojnë përtej oqeanit duke u mbështetur në rrjete familjare, të fshatit apo fetare. Letrat dhe libërthat nga Amerika që përshkruajnë hapësira të gjera të lira dhe lirinë relative lidhur me një prani qeveritare të reduktuar i tërhoqën shumë fshatarë, që zgjodhën për një zgjedhje drastike në tentativën për t’u dhënë një kthesë jetëve të tyre.
Ndërsa shumë emigrantë u përthithën në kontekstin e ri, duke e humbur në mënyrë relativisht të shpejtë identitetin e tyre qendro–europian dhe duke u zhytur në panoramën e gjerë e laramane të Amerikës, shumë të tjerë krijuan komunitete me një profil etnik të mirëpërcaktuar. Pjesa më e madhe e tyre ishte në Pennsylvania, por dora-dorës që shteti copëzohej prej emigrimit të vazhdueshëm dhe rritjes natyrale, shumë gjermanë (apo Teutschen, siç e quanin ata veten) nisën të themelojnë koloni të reja tjetërkund, disa duke u shtyrë deri në North dhe South Carolina. Familja, fshati dhe feja mbetën kanunet themelore të këtyre vendbanimeve, që rikrijonin në tokën amerikane komunitetet e origjinës të emigrantëve. Megjithëse më pak se 10% e të ardhurve të rinj i përkiste grupeve të vogla të pietistëve radikalë (si amishët, mennonitët apo moravianët), këto pakica të vogla qëndronin kokëfortësisht të bashkuara. Veç kësaj, komunitetet e reja kalviniste e luterane të krijuara në kolonitë tërhoqën shumë emigrantë dhe trashëgimtarët e tyre, megjithëse të ardhur nga kontinente të tjera dhe të emigruar për motive të ndryshme nga ato religjioze. Rezultati qe krijimi i komuniteteve të qëndrueshme gjermane, që ushtruan influenca të forta religjioze në universin e madh e të përbërë amerikan. Amerika Veriore britanike e shekullit XVIII u paraqitej emigrantëve nga Europa Qendrore si tokë e mundësive, por në realitet emigrimi masiv e bëri mjedisin e ri tmerrësisht konkurrues. Në fakt, kush ia doli dhe kush dështoi në botën e re? Ata që ia dolën qenë ata që sollën me vete një pasuri të konsiderueshme (domethënë një pakicë e vogël) dhe kush ndoqi një të ashtuquajtur “strategji kolektive”; kurse kush erdhi i varfër u besoi vetëm forcave të veta, me rregull mbeti prapa. Ata që u besuan rrjetit familjar, territorial e religjioz kishin avantazhin e marrjes së një mbështetjeje të drejtpërdrejtë, përfshi këshilla të dobishme e të detajuara lidhur me mënyrën sesi të emigronin, ku të vendoseshin, si të raportoheshin me autoritetet, si të përballonin çështje të tjera vendimtare të jetës në një mjedis të panjohur. Përkundrazi, shumë prej atyre që emigruan jashtë këtyre rrjeteve u bënë krah pune i detyruar, duke iu dashur që të punonin vite të tëra në gjendje gjysmë skllavërie për të paguar borxhet përpara se të kërkonin fat. Pjesa më e madhe e ish-shërbëtorëve e konsideronin këtë gjendje një perspektivë të sigurtë falimentimi në Amerikë, ndërsa ata që arrinin me pak para apo me hiçasgjë, por mund të llogarisnin një mbështetje, gëzonin huara dhe kushte pune të favorshme në debutimin e tyre. Për këta njerëz, ngjitja sociale ishte një mundësi konkrete. Mbi 40% e emigrantëve qenë gra ose vajza. Ndërsa në pjesën më të madhe të rasteve burrat zgjidhnin të emigronin në Amerikë për të kërkuar ndonjë formë mundësie apo lirie, shumë gra niseshin sepse burrat, babai apo figura të tjera mashkullore të tyre i dëshironin me vete. Përkrah punës së vështirë, kjo përfaqëson një element tjetër shtrëngues në një fenomen, ai migrator, që shpesh konsiderohej në fakt si i “lirë”. Për shembull, në vitin 1739 një grua luterane me emrin Maria Barbara Knoll arriti në një komunitet moravian afër Frankfurtit pasi i pëlqente stili komunitar i jetesës dhe mundësitë që ky kontekst u ofronte grave. Por me të hyrë në të, udhëheqësit e grupit e martuan me një doktor që kishte nevojë për një grua dhe ishte i destinuar për një mision në Amerikë. Ishte një normë specifike e moravianëve ajo që të dërgonin përtej oqeanit, kur ishte e mundur, çifte të martuara, kështu që Knoll u gjet në Amerikë në ndjekje të bashkëshortit dhe kundër vullnetit të saj. Për më tepër, gratë e emigruara qenë më të prekshmet, sidomos nëse nuk qenë të integruara mirë në një rrjet familjar apo të llojit tjetër. Më 1738 Maria Barbara Kobe emigroi me burrin e sapomartuar dhe fëmijën e tyre në Pennsylvania. E humbi djalin gjatë udhëtimit dhe pasi arritën, çifti nuk arriti që të grumbullojë paratë e nevojshme për të paguar borxhet, kështu që të dy iu shitën si shërbëtorë dy padronëve të ndryshëm. Kober kaloi një jetë të vështirë si shërbëtore larg nga Philadelphia dhe vetëm shumë vite më pas mësoi se i shoqi kishte vdekur pak ditë nga ndarja e tyre. Megjithatë, nganjëherë emigrimi në Amerikë mund të ishte çlirues për gratë, sidomos nëse linin prapa krahëve struktura asfiksuese patriarkale dhe shmangnin që të binin sërish në kushte të ngjashme në kontekstin e ri. Në pjesën më të madhe të rasteve, emigrantet dhe vajzat e tyre kontribuan gjerësisht në rritjen e kulturës etnike të Amerikës, pavarësisht nga fakti nëse donin apo jo të gjendeshin aty.
Kontributi i emigrantëve në politikën dhe në kulturën politike të kolonive veriamerikane e më pas të Shteteve të Bashkuara qe e konsiderueshme. Duke lënë prapa krahëve territore të populluara dhe të kontestuara, mbështesnin politika që lehtësonin blerjen dhe pagimin e tokës, pse jo edhe mbrojtjen e saj nga indigjenët amerikanë, nga burokracia dhe nga spekulatorët. Në vigjilje të luftës për pavarësi, këta emigrantë kërkonin natyralizimin për të vulosur të drejtat e tyre të pronësisë dhe votonin politikanë që ua garantonin ato. Vetë lufta përfaqësoi një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme politike për emigrantët gjermanë, ashtu si për të gjithë kolonët e tjerë. Atyre iu desh të kryenin një zgjedhje themelore: t’i bashkoheshin rebelimit, të mbështesnin monarkinë ose të qëndronin jashtë. Opsioni i fundit rezultoi jo i ndjekshëm, përderisa shumë u bënë lealistë, ndërsa shumë të tjerë iu bashkuan rebelëve. Në Pennsylvania këta të fundit luajtën një rol qendror në shtytjen radikale që më 1776 prodhoi një prej kushtetutave më demokratike të shkruar ndonjëherë. Në anën tjetër të barrikadës, 30000 ushtarë gjermanë luftuan përkrah trupave britanike, duke pësuar humbje të tmerrshme. Prej këtyre, 5000 dezertuan dhe kaluan tek amerikanët, duke mbetur në vendin e ri si “emigrantë”. Midis fundit të ‘700 dhe fillimit të ‘800, kultura dhe shoqëria gjermane lulëzuan në Shtetet e Bashkuara, duke vazhduar të prosperojnë edhe në shekullin XX. Në vitin 1790 pothuajse të gjithë emigrantët dhe pasardhësit e tyre flisnin gjermanisht në shtëpi dhe në publik, martoheshin me gjermanë të tjerë dhe shkonin nëpër kisha gjermane. Pjesa më e madhe e tyre jetonte në lagje gjermane. Shtypi në gjuhën gjermane ishte shumë i përhapur dhe në rritje, ndërsa kishat e shumta luterane dhe kalviniste formonin klerikët e tyre. Megjithëse vala pasuese emigratore nga Gjermania e tejkaloi gjerësisht atë fillestare, për shumë aspekte kultura e vjetër gjermanike ka mbijetuar dhe ekziston akoma sot. Kishat luterane, kalviniste apo moraviane ekzistojnë akoma dhe festojnë historinë e tyre, megjithëse jo më në gjermanisht. Amishët dhe mennonistët janë përhapur nga Pennsylvania në Midwest, duke e ruajtur pothuajse të paprekur folklorin e tyre (përfshi atë gjerman). Në koloni dhe në agimin e republikës, shumë gjermanë kanë kontribuar të krijohet një Amerikë e re, e ndryshme dhe kompetitive. Duke bërë këtë, ata janë amerikanizuar pa abdikuar nga origjina e tyre. Kështu, në njëfarë kuptimi, është Amerika ajo që është bërë paksa gjermane.
Autori është profesor historie në Northern Illinois University
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
Roberto Baggio Forever
Jo për të vënë në dyshim siguritë e pakta të fituara, por nostalgjia është më shumë e habitshme sesa e poshtër. E përfunduar (shpresohet) epoka e brengës për vitet në të cilat futbolli qenë pjesët e dyta në radio dhe sinteza e një ndeshjeje të dielën në mbrëmje, ka nisur një tjetër: ajo në të cilën futbolli i sotëm preferon atë të viteve ‘90. Por është edhe e vërtetë se ndonjë arsye për të ëndërruar kohët e bukura ekziston: për shembull, fakti që vitet ‘90 qenë dekada në të cilën është parë talenti më i madh puro i futbollit italian. Dhe shumë i vlerësuar edhe jashtë kufijve, por të gjykosh nga sa njerëz janë paraqitur në Londër për të parë nga afër Roberto Baggio-n, të cilin Diadora e ka dashur jo edhe aq si testimonial sesa pikërisht si origjinë parësore të rikthimit të tij me stil të madh në futboll: dy modele këpucësh, një bluze dhe tutat e Italisë të frymëzuara nga ai Botëror i 1994, njëherazi epik dhe fatkeq. Për të cilin edhe ai, ndoshta pse ndërkohë ka mbushur të 50-at, ka një nostalgji të tmerrshme, edhe pse kontradiktore.
– Roberto Baggio, kanë kaluar disa muaj nga ditëlindja juaj nr. 50, ishit më shumë i përgatitur të linit futbollin apo të mbushnit 50 vjeç?
Isha më shumë i përgatitur që të lija futbollin: nuk po i duroja dot më dhembjet.
– Po me 50-shen si shkoi?
Është rrëmujë komplet. Vijnë dhe nuk i kupton fare.
– Keni thënë gjithmonë se nuk keni ruajtur copëra të prera gazetash, maksimumi e bënte nganjëherë bashkëshortja juaj Andreina. Jeni penduar tani?
Jo. Është se gjithçka ka kaluar me shpejtësi. Këto 15 vitet e fundit kanë fluturuar. Nga njëra anë jam i lumtur, pasi nuk kam brenga. Ama koha ka nisur të fluturojë me shpejtësi.
– Cila është dita – tip e Roberto Baggio-s?
Vështirë që ditët e mia të jenë bosh. Kur luaja, stërvitjet qenë të përqendruara në 2 orë, pastaj dita ishte e lirë. Tani jam më shumë i impenjuar. Është projekti për të cilin po punoj. Kam më pak kohë të mendoj.
– Çfarë projekti?
Kur të jetë plotësisht gati, do të ta them.
– Ndërkohë, keni parë ndokund ndonjë Roberto Baggio të ri apo që në njëfarë mënyre mund të konsiderohet si trashëgimtari juaj?
Trashëgimtarin tim nuk e di. Shikoj shumë futboll latinoamerikan dhe si tifoz i Boca Juniors më pëlqen shumë Centurion. Por duhet të përmirësohet jashtë fushe.
– Në autobiografinë tuaj “Una porta nel cielo” (2001), ju flisni shpesh për këmbënguljen dhe dellin tuaj prej luftaraku. Megjithatë, shtoni, nuk jam konsideruar kurrë lider, ndoshta pse “nuk më ndihmon fytyra”.
Kur luaja unë, kishte futbollistë që nuk dinin ta ndalonin topin as me dorë, e megjithatë i sulmonin të gjithë dhe kështu që konsideroheshin gladiatorë. Sigurisht që nuk kam qenë kurrë njeri që nuk kam kritikuar asnjë shok, pasi gjithmonë kam menduar se nëse gabonte, e njëjta gjë mund të më ndodhte mua.
– Kur luanit akoma, thatë se më të mirët e të gjitha kohërave kanë qenë Pele dhe Maradona. Jeni gjithmonë i bindur për këtë?
Në vitet e tyre nuk ekzistonin rregullat e sotme. Sot sulmuesit janë shumë më të mbrojtur. Dikur ishte si gjueti ndaj njeriut.
– Sot Baggio do të merrte më pak shkelma?
Besoj se do të kisha arritur të luaja disa vite më shumë dhe jo vetëm unë. Në kohën time, në fillim prisje të vinin takat dhe vetëm më pas mendoje sesi ta ndaloje topin. Kurse sot nganjëherë rrezikohet e kuqja qysh në faullin e parë. Dikur haje shkelmin dhe nuk e dije as kush ta kishte gjuajtur.
– Ju keni nisur të luani në një lloj të caktuar futbolli. Pastaj ka ardhur revolucioni i Sacchi-t dhe ka ndryshuar gjithçka. Në mënyrën e të luajturit dhe në atë të stërvitjes.
Nuk ka qenë e lehtë. Vinim nga një futboll në të cilin secili duhej të shpikte. Nuk kishe kulturën e sotme futbollistike. Atë që dije e dije nga rruga dhe nuk ta kishte mësuar askush.
– E ndjenit në njëfarë mënyre talentin tuaj si të futur në kafaz?
Më shumë se çdo gjë tjetër bëri rrugë antifutbolli dhe ato që luanin si unë mezi gjenin vend në formacion. Gianfranco Zola-s iu desh të shkojë deri në Angli që të gjente vend në formacion….
– Jo vetëm ai. Qenë vitet e dogmës së 4-4-2, kur Carlo Ancelotti nuk iu deshi tek Parma sepse nuk dinte ku t’ju vendoste…
Gjëja e rëndësishme është se ka bërë pendim publik….
– Dhe tani, me modulet më fleksibël, ku do të luante Roberto Baggio? Prapa një pyke kryesore në 4-2-3-1? Prapa dy sulmuesve në një 4-3-1-2? Apo do të bënit pykën e dytë?
Pykë e dytë në një 4-3-1-2, patjetër. Përkrah një qendërsulmuesi të vërtetë.
– Jemi gjithmonë aty, Platini që ju quajti një 9.5…
Përkufizim i përkyer. Ishte realiteti.
– Si do të gjendej një 9.5 në Barcelonën e mikut tuaj Pep Guardiola?
Kush nuk do të ishte gjendur mirë?.
– Kur luanit bashkë, në Brescia e Carlo Mazzone-s, do të thoshit se Pep do të bëhej trajneri më i mirë i epokës së tij dhe një ndër më të mirët e të gjitha kohërave?
Mesfushorët janë futbollistët që i njohin më mirë dy fazat e lojës. Kështu që janë më të prirurit për të bërë trajnerin. Për më tepër, Pep ishte tashmë mesfushor taktik kur luante dhe vinte nga një shkollë trajnerësh të mëdhenj, inteligjenca e tij ka përfituar prej tyre.
– Meqë jemi tek kampionët: kush është mbrojtësi më i vështirë kundër të cilit keni luajtur?
Paolo Maldini. Kur e kishe përballë e dije se nuk e kaloje dot. Ishte i fortë. Bile ishte i fortë me kokë, me të djathtën, me të majtën… Duhej të bëje bashkë 15 lojtarë që të nxirrje një si ai.
– Po lojtari me të cilin shkëmbeje më me kënaqësi bluzën?
Marco Van Basten. Dhe do të më pëlqente edhe të kishim luajtur së bashku.
– Fiorentina ka lënë të largohet Borja Valero, një tjetër lojtar i talentuar që kishte adoptuar dhe me të cilin dukej se do të kishte dashuri të përjetshme. Pse është kaq e vështirë të lihet Firenze?
Ndaj Firenze-s unë kisha dhe do të kem gjithmonë një ndjenjë të madhe mirënjohjeje prej 2 viteve inaktivitet prej gjurit të dëmtuar. Nuk kisha luajtur kurrë dhe njerëzit më qëndronin afër, më demonstronin afeksionin e tyre, më stimulonin që të mos dorëzohesha, më thoshin se do të më prisnin. Janë gjëra që unë nuk i harroj. Besoj se Borja Valero t’i ketë ndodhur diçka e ngjashme.
– Në ato dy vite inaktivitet, ju dilnit shumë pak për të mos bërë të besohej se po bënit jetë të bukur si i dëmtuar. Përjashtimi i vetëm: vajtjet në një dyqan disqesh. Çfarë blinit aty?
Mesa mbaj mend unë, Eagles. Në atë kohë i adhuroja.
– Kur kaluat nga Fiorentina tek Juve, u bëtë “Zotëri 25 miliardëshi”, çmimi i kartonit tuaj në lireta. Domethënë 12.5 milionë euro, sot çmimi i një mbrojtësi me këmbë as jo shumë të mirë. Sa do të vlente Roberto Baggio në këtë tregun e sotëm?
Nuk e kam idenë. (Zë nga sfondi, i menaxherit dhe mikut historik të tij Vittorio Petrone: “150 milionë dollarë”…).
– Për ju kanë thënë se keni qenë lojtari i fundit i madh italian, në kuptimin që keni bashkuar një popull. Ai që kudo që shkonit, ju duartrokiste. Ose nuk ju fishkëllente. Sipas jush, pse ndodhte një gjë e tillë?
Më vjen shumë mirë. Besoj sepse, me vetëdije apo jo, kam kërkuar gjithmonë që t’i kënaq njerëzit. Që ndoshta e kanë ndjerë një gjë të tillë.
– E çfarë ishte që i argëtonte njerëzit?
Mënyra ime e thjeshtë e të luajturit.
– Ndoshta e thjeshtë për ju.
Atëherë edhe thjeshtësia e mënyrës së të qenit, e sjelljes. Nuk jam ndjerë asnjëherë ndryshe nga gjithë ata që vinin të më shikonin: ndoshta ajo ka qenë forca ime.
– Ndoshta përtej pastërtisë së gjestit teknik?
Po, ndoshta nganjëherë po.
– Në autobiografinë tuaj ju rrëfeni se shpesh keni ëndërruar penalltinë e Pasadena, finalen e Botërorit USA ‘94 kundër Brazilit. Dhe në ëndrrën tuaj topi përfundonte në rrjetë. Ju ndodh akoma?
Më ndodh që ta risjell në mendje.
– Dhe shtonit se herët a vonë do ta kishit gjetur kuptimin e atij gabimi. Kanë kaluar 23 vite: e keni gjetur atë kuptim?
Jo, akoma jo.
– Por, në largësinë e viteve, risjellja në mendje të bën të ndjehesh më pak keq?
Jo, është i njëjti hidhërim i 1994. Nuk është pakësuar. Mendoj se nuk do të më kalojë kurrë.
– Megjithatë tani jeni këtu, me tutat, shajet dhe bluzën që të sjellin ndërmend atë Botëror…
Po, sepse do të më pëlqente të kthehesha prapa, në ato vite. Rikuperimi i tyre është i pëlqyeshëm, janë kujtime intime, të thella dhe shumë të bukura. Përjashto finalen.
– Po pse, megjithëkëtë finale, mbetet një kujtim i bukur?
Sepse rrugëtimi qe i mbushur plot me domethënie: prej lodhjes, vështirësive dhe prej karakterit e vendosmërisë me të cilën kemi dalë. Nuk do ta kisha menduar kurrë se një ditë njerëzit do të donin të vishnin atë që vishnim ne atëherë. Do të thotë se ndoshta ke lënë diçka të bukur e të thellë. Edhe pse….
– Edhe pse?
Edhe pse është Botërori i 1990 ai në të cilin ndjeja se mund të bëja çdo gjë.
(Tommaso Pellizzari për “Corriere della Sera”)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
Njerëzit me fuqi mbinatyrore
Në botë sot ka njerëz të çuditshëm, por janë disa që konsiderohen me fuqi mbinatyrore
1. Shikim me rrezet X
Natasha Demkina është një grua nga Rusia, e cila shprehet se mund të shohë brenda trupit të njeriut. Njëlloj si një aparaturë me rrezet X ajo mund t’i gjejë problemet në brendësi të trupit të njeriut dhe të përcaktojë diagnozën gjithashtu. Sipas mamasë së saj, Natasha ishte një fëmijë mëse normal deri në moshën dhjetë vjeçare. Në këto moshë aftësitë e saj filluan të shfaqen.
2. Trupi magnetik
Liew Thow Lin është një burrë nga Malajzia, i cili mund të ngjisë objekte metalike në trupin e tij. Megjithëse shkencëtarët nuk kanë zbuluar asgjë jashtë normales me magnetikën e trupit të tij ai është i mundur të mbajë dhe balancojë një peshë të konsiderueshme objektesh metali mbi lëkurën e tij.
3. Memoria mbinjerëzore
Daniel Temmet mund të mbajë mend sasi të mëdha informacioni. Për shembull, ai bëri të mundur përsëritjen e numrit pi deri në 22,514 shifra brenda 5 orëve dhe 9 minutave më 14 mars të vitit 2004. Shumica e të diturve nuk janë në gjendje t’i shpjegojnë aftësitë e tyre të mrekullueshme, por Danieli është ndryshe. Ai shpjegon se në mendjen e tij çdo numër i plotë deri në 10,000 ka cilësinë, ngjyrën, formën dhe ndjesinë e tij unike. Kjo gjë e ka ndihmuar atë t’i memorizojë gjërat më mirë se një njeri normal.
4. S’ka nevojë për gjumë
Al Herpin ishte një njeri, i cili e dinte se ç’do të thotë kjo gjë. Ai pretendonte se kishte një sëmundje të rrallë pagjumësie dhe nuk kishte fare nevojë të flinte. Në një pikë të jetës së tij ai kishte qëndruar për më shumë se rreth 10 vjet pa fjetur. Kjo gjë tërhoqi vëmendjen e mjekëve profesionalë, të cilët e shqyrtuan më tej këtë çështje. Ata nuk gjetën asnjë shtrat ose dhomë gjumi në shtëpinë e tij. Ai është shprehur se shkonte në punë dhe kur kthehej ulej dhe lexonte deri në orarin kur i duhej të shkonte përsëri në punë ditën tjetër. Ai ishte një njeri i shëndetshëm, i cili vdiq në moshën 94-vjeçare.
5. Stomak prej çeliku
Michel Lotito është njohur për aftësinë e tij për të ngrënë objekte që nuk treten mirë pa i shkaktuar asnjë dëm. Ai është parë duke ngrënë xham, metal, gomë dhe objekte të tjera. Mos e provoni këtë gjë në shtëpi.
6. Aftësi gjuhëfolëse mbinjerëzore
Mesatarja e të folurit të disa gjuhëve e të gjithë njerëzve në botë është 1.69. Harold Williams, në anën tjetër mund të fliste 58 gjuhë të ndryshme. Harold-i ishte një fëmijë normal deri në moshën 7-vjeçare kur ai u shpreh se kishte pësuar një “shpërthim në tru”. Pasi mësoi latinisht, e cila është baza e shumë gjuhëve ai nuk u ngop dot. Ai e kaloi jetën e tij duke udhëtuar nëpër vende të ndryshme në mënyrë që të mësonte sa më shumë gjuhë.
7. Shikim shqiponje
Veronica Seider mban rekordin e shikimit të objektit më të vogël pa ndihmë teknologjike. Ajo ka një mprehtësi të të shikuarit 20 herë më të mirë se të një njeriu normal. Ajo është në gjendje të identifikojë një person në një largësi prej 1.6 km.
8. Vizion hidrolokator
Ben Underwood është një person i jashtëzakonshëm, i cili mund të shikojë (orientohet) duke përdorur tingullin e objekteve ose personave përreth tij. Ben humbi shikimin e tij nga kanceri dhe është plotësisht i verbër. Por sidoqoftë duke përdorur një seri zhurmash kërcitëse ai është në gjendje analizojë botën përreth tij.
9. Tolerancë të lartë ndaj dhembjes
Kpainemi ka parë njerëz që kanë përdorur meditimin për të lehtësuar dhembjen e lindjes së një fëmije, por Trim Cridland ka vendosur që ta përdorë tolerancën e tij të lartë ndaj dhembjes si mjet performance dhe argëtimi. Nuk ka asgjë jashtë normales për sa i përket trupit tim. Çdo gjë që kam bërë, ka qenë për shkak të stërvitjes sime. Do të thosha se unë po jap disa shembuj ekstremë të asaj çfarë ne mund të bëjmë me mendjen tonë të kombinuar me trupin.
10. Komunikimi me kafshët
Kevin Richardson është një stërvitës kafshësh, i cili është pranuar në disa tufa luanësh dhe klane hienash. Ai ka thyer pothuajse çdo rregull sigurie dhe shprehet se ai fokusohet më shumë tek intuita sesa tek metodat tradicionale kur bëhet fjalë për bashkëveprim me kafshët. Imagjinoni një botë ku të gjithë ne do të mund të jetonim në harmoni me kafshët përreth nesh.
11. Aftësi ndijore dhe njohja e muzikës
Arthur Lintgen është një fizikant amerikan, i cili mund t’i njohë këngët që përmban një gramafon vetëm duke e parë atë. Ai gjithashtu mund të dallojë nëse volumi i këngës është i lartë apo i ulët duke u bazuar në disa detaje të vogla të disqeve.
12. Njeri kompjuter
Shakuntala Devi është një grua nga India, e cila mund të llogarisë numra përtej aftësive normale të njeriut. Ajo është testuar disa herë dhe ka qenë e aftë t’i bëjë të gjitha llogaritjet në mendjen e saj. Kur ajo u testua nga Universiteti i Kalifornisë asaj iu kërkua të llogariste rrënjën katrore të 61,629,875 gjë që ishte shumë e lehtë për të.
13. Memorie fotografike
Stephen Wiltshere është një arkitekt britanik, i cili e shikon një peizazh një herë dhe mund ta vizatojë atë me saktësi perfekte. Ai shpeshherë vizaton planimetritë e qyteteve vetëm duke i parë ato për një kohë shumë të shkurtër nga një helikopter. Një herë ai vizatoi 10 km2 të qytetit të Londrës me një saktësi të detajuar vetëm nga një xhiro e shkurtër me helikopter.
14. Vrapim në distanca të largëta
Në veriperëndim të Meksikës gjendet një grup vendasish, të cilët quhen njerëzit Tarahumara dhe kanë aftësinë të vrapojnë në distanca shumë të largëta. Ato deklarojnë se vrapojnë në një distancë prej 230 km pa ndalim për një kohëzgjatje 2 ditore.
15. “Njeri prej akulli”
Wiceim Hof është një burrë 50-vjeçar, i cili ka thyer limitet e të ftohtit në të gjithë botën. Në 35 vitet e fundit ai ka realizuar sfida të ndryshme duke mbajtur kështu 20 rekorde gines. Wim përdor një teknikë meditimi për frymëmarrje, e cila bën të mundur që ai të mos e ndjejë të ftohtin si gjithë ne të tjerët.
16. Reflekse të mbinatyrshme
Isao Machii është një mjeshtër laido-je, i cili ka reflekset më të shpejta në botë. Ai mban shumë rekorde botërore për aftësitë e tij të shpejta me shpatë.
Ndoshta limitet qëndrojnë vetëm në mendjen tonë.
Çfarë kemi mësuar nga leximi i ëndrrave
Nga Kris Baranjuk
Ditën tjetër qe më pranë kulmi i Luftës së Dytë Botërore. Lars (emri i tij jo i vërtetë), një burrë 36-vjeçar nga fisi vendas amerikan Hopi, ishte duke u përgatitur për të shkuar në shtrat. Njerëzit në komunitetin e tij qenë shumë larg nga shkatërrimet që po ndodhnin në Evropë, por ata kishin dëgjuar çdo natë në radio lajme mbi luftën. Kur Lars ra atë natë në gjumë, ëndrra e tij do t’i jetësonte ato raporte.
Ai u shtri në shtratin e tij duke ëndërruar një qytet evropian – një qytet që, edhe pse nuk kishte qenë kurrë më parë, për të ngjante si Parisi. Ndërsa po shëtiste përreth, pa se vendi ishte bombarduar rëndë. Ishte një vizion i Parisit, por ëndrra vazhdoi dhe ai e kuptoi se dukej të ishte vendosur në një luginë pranë vendit ku jetonte. Ëndrra përfundoi, Lars u zgjua dhe pak kohë më vonë lufta mbaroi.
Lars ka vdekur prej kohësh, por ne dimë atë që ai ëndërroi atë natë. Në fakt, ne mund të shqyrtojmë qindra ëndrra nga e gjithë bota – falë një arkivi që regjistroi shumë vizione të përjetuara nga anëtarët e fisit Hopi, por dhe fiseve të tjera. Sot janë duke u krijuar koleksione të reja ëndrrash – në fakt ekzistojnë disa aplikacione për smartfonë që e bëjnë këtë. Por çfarë mund të na tregojnë arkiva të tilla në lidhje me kuptimin e ëndrrave? Dhe kush vendosi të fillojë mbledhjen e tyre për herë të parë?
Interesi ynë mbi ëndrrat është ndoshta aq i vjetër, sa edhe aftësia jonë për të formuar fjalë. Por përpjekja e parë e madhe për të koleksionuar të dhënat e gjërave të tilla dhe i bërë ato lehtësisht të arritshme, ndodhi gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Arkivi i madh dhe gjerësisht i harruar sot, qe një ide e psikologut amerikan Bert Kapllan dhe trashëgimia e tij është dokumentuar së fundmi në një libër me titull “Baza e të dhënave të ëndrrave: Tentativa për të kataloguar njerëzimin” nga studiuesja e Universitetit të Harvardit, Rebeka Lemov.
Për vite të tëra, antropologët kontribuan në këtë projekt, duke intervistuar njerëz nga kultura të ndryshme fisnore në mbarë botën. Të dhënat nga këto intervista do të ruheshin në arkiva, të depozituara në zona të ndryshme, në formën e mikrokartave. Këto ishin karta, në të cilat ishte shtypur një tekst në miniaturë – në disa raste me më shumë se 100 faqe të kondesuara në një kartë të vetme.
Lexuesi zmadhues i bënte kartat të lexueshme, por kjo teknologji u zëvendësua shpejt. Sot, ne mbështetemi tek aftësitë e mëdha të ruajtjes të të dhënave në formatin dixhital. Të dhënat nuk kanë më nevojë të kompresohen – por vetëm të ngarkohen. Për 8 vjet, Lemov udhëtoi nga biblioteka në bibliotekë, duke konsultuar shumë nga baza e të dhënave të ëndrrave. Ndonjëherë të dhënat qenë të paprekura për dekada të tëra dhe në një rast, bibliotekarët i kishin hedhur ato në koshin e plehrave. Por kur Lemov pati qasje tek të dhënat që po kërkonte, ajo zbuloi ëndrra nga të gjitha llojet e njerëzve.
Retë e zeza
Një tregim përshkruan haluçinacionet e një gruaje libaneze, që vuante nga tifoja, e cila kishte imagjinuar një kumbull të bukur që babai ia mori në këmbim të një lire turke prej ari. Ajo më pas iu mor pa leje për të paguar një mjek. “Kur u zgjova dhe s’munda të gjeja lirën time, fillova të bërtas”, i tha gruaja studiuesit që e intervistoi atë.
Ka pasur edhe banorët të ishujve të Paqësorit Jugor, të cilët kanë patur ëndrrat e tyre – një burrë që kishte “luajtur mendsh” pas ardhjes së marinës amerikane në rajon dhe një amerikane vendase që ëndërroi sikur “fluturonte nëpër re të zeza”, ku ajo u përball me një të afërm.
Sikurse të gjithë e dimë, disa herë shohim ëndrra që duket se kanë “kuptim” për ne – ne kemi një ide të drejtë pse kemi ëndërruar një gjë të caktuar. (Ky artikull u
Por shumë shpesh ato përmbajnë detaje të mistershme – ose janë krejtësisht të çuditshme. “Ëndrrat nuk udhëtojnë në mënyrë të përsosur, ato janë iluzive”, thotë Lemov “dhe unë nuk mendoj se teknologjia mund të ndihmojë shumë në këtë aspekt”. E megjithatë, ka disa që mendojnë se teknologjia mund të ndihmojë për të sqaruar kuptimin e ëndrrave.
Aplikacione si “Dreamboard” dhe “Shadow” u ofrojnë përdoruesve mundësinë për të regjistruar përshkrimet e ëndrrave të tyre. Nga ana tjetër, krijuesit e aplikacioneve, përpiqen të kërkojnë për modele dhe sinjale, në mënyrë që të përftojnë të kuptuarit tonë të përgjithshëm të asaj që janë ëndrrat dhe se çfarë ne mund të mësojmë prej tyre. Megjithatë, Hanter Li Soik, themelues i “Shadow”, vë në dukje se kjo nuk është e lehtë. “Shadow”, që nuk është ende në dispozicion të publikut, ka rreth 10,000 anëtarë beta.
Disa modele tashmë janë vëzhguar në ëndrrat e tyre, por Soik është i prirur të theksojë se ato s’mund të jenë vendimtare për ato gjetje. “Në çdo mostër shumë të vogël kemi parë një rritje të ëndrrave seksuale dhe të dhunshme rreth kohës së hënave të plota dhe se kjo është në përputhje me kalimin e çdo hëne të plotë, që kur kemi vënë në funksion aplikacionin”, thotë ai.
“Kjo është ajo që kemi parë tek baza jonë e vogël e të dhënave, prandaj në asnjë mënyrë nuk pretendoj të them që kjo është ajo që po ndodh në të vërtetë”. Por ndoshta çdo ndërlidhje në këtë pikë është interesante – dhe cilido mund të kuptojë pse disa do të jenë mjaftueshëm kuriozë për t’i shkuar më tej. Aplikacioni i Soik, kërkon nga përdoruesit një fjalë kyçe të ëndrrave të tyre, në mënyrë që modelet në të gjithë vendet dhe madje edhe në botë, të mund të identifikohen.
“Sa njerëz ëndërruan Godzilla-n natën e kaluar në Japoni? “Shadow” mund të jetë në gjendje t’iu japë një ide të përafërt, sugjeron ai. “Shumë njerëz shohin ëndrra të frikshme dhe ato janë ëndrrat që ata mbajnë mend”, shton ai. “Nga ana tjetër, disa njerëz kanë ëndrra shumë të qarta, sikur janë duke fluturuar dhe kryer të gjitha llojet e gjëra interesante. “Gratë kanë më shumë personazhe në ëndrrat e tyre dhe një lloj jete më të gjallë në ëndërr – dhe kjo është shumë interesante”.
Deshifrimi i ëndrrave
Soik dhe ekipi i tij po përpiqen t’i japin përgjigje pyetjes: a mund të bëhemi ne më të aftë në deshifrimin e ëndrrave? Kjo është një ide e shtruar nga neuropsikologu Patrik Meknamara nga Shkolla e Mjekësisë në Universitetin e Bostonit, i cili është këshilltar i “Dreamboard”. Ai është i interesuar në të mirat e gjetjes së modeleve mbi ëndrrat – si çfarë figura dhe objekte mund të kenë lidhje të veçanta – dhe duke përdorur ato për të ndërtuar një “kod të ëndrrave”.
“Në qoftë se ne mundemi të ndërtojmë një pjesë të mirë të elementeve të kodit të ëndrrave, mund t’i japim një përgjigje pyetjes nëse ëndrrat kanë apo jo një domethënie”, thotë ai. Krijimi i një baze gjithnjë e më të madhe të dhënash, që mbledh informacione në lidhje me ëndrrat është premtues, shton ai. Në fakt, është shenjë e mirë se një përparim të tillë – ose të paktën fillimet e tij – mund të ndodhë në të ardhmen e afërt.
Por ndërkohë Meknamara dëshiron të jetë i qartë se asnjë kod i tillë nuk ekziston sot – dhe se ai ka qenë i zëshëm në kundërshtimin e atyre që pretendojnë se janë në gjendje të interpretojnë ëndrrat. “Unë nuk po them se ëndrrat nuk kanë asnjë domethënie, porse ne nuk e dimë ende atë. Pra, që shkenca nuk mbështet asnjë metodë të veçantë të interpretimit të ëndrrave”.
Aktualisht, një pjesë e problemit me analizimin e ëndrrave, qëndron në faktin se studiuesit duhet të mbështeten në përshkrimet e dhëna nga subjektet – të cilat mund të mos jenë gjithmonë të sakta ose të plota. Në realitet, nuk është e vështirë të kuptohet se disa njerëz mund të ndihen më pak të aftë për të folur sinqerisht për ëndrrat e tyre më intime apo shqetësuese.
Ndoshta ne s’kemi gjithmonë nevojë të presim, që ëndërrimtarët të bëjnë të ditura haluçinacionet e tyre. Një ekip studiuesish japonezë nga Universiteti i Tokios, përshkroi kohët e fundit se si një makinë e mësimit të algoritmit, mund të trajnohet për të lidhur disa nga modelet e aktivitetit të trurit me imazhe të veçanta.
Sistemi, i detajuara në revistën “Science”, mund të “gjejë” në mënyrë të saktë se çfarë janë duke ëndërruar njerëzit, vetëm duke monitoruar trurin e tyre gjatë natës. E megjithatë, ëndrrat, duke qenë aktiviteti më misterioz i trurit, mbeten disa prej fenomeneve më të çuditshme dhe më pak të shpjeguara që ndodhin rreth nesh.
Dhe ende miliarda njerëz shohin ëndrra çdo natë. Ideja se mund të deshifrohen, nuk mund të mos jetë asnjëherë joemocionuese – ndoshta për shkak se ëndrrat janë menduar shpesh si dritare e ndjenjave dhe dëshirave tona më të thella. Të paktën për Soik, rritja e gatishmërisë së njerëzve për të ndarë të dhënat intime mbi veten, është në përgjithësi një ogur i mirë për shkencën në fushën e ëndrrave.
“Ne shpresojmë që mund të krijojë besimin e mjaftueshëm tek përdoruesit, në mënyrë që këta të fundit të jenë dakord për të zbuluar gjithnjë e më shumë detaje nga ëndrrat e tyre”, komenton ai. “Çdo gjë që e mbajmë fshehur, është diçka që ia mbajmë vetvetes. Sa më shumë transparentë të jemi, aq më shumë mund t’i nxjerrim ëndrrat tona në dritë të diellit dhe të themi se kjo është për shkak të kësaj; dhe ajo është për shkak të asaj”.
Dhe ndonëse nuk u shënua asnjë përparim si ato të sotmit gjatë jetës së Bert Kapllanit, Lemov vë në dukje se shumë kontribues në bazën origjinale të ëndrrave, e panë gjithmonë atë si diçka, që brezat e ardhshëm mund të jenë në gjendje ta kuptojnë më mirë. “Disa nga njerëzit që qenë prapa këtij projekti në vitet ’50 e panë atë jo aq sa një mesazh, por si një medium”, shpjegon ajo. “Materiali që mund të jetë grumbulluar në aq shumë modele, mund të zbulohet në këtë format”. Ndoshta, një ditë. Deri atëherë, ne vetëm mund të ëndërrojmë.
BBC – Bota.al
10 misteret që shkenca nuk i zbulon dot
“Nuk ka asgjë më magjepsëse për shumicën prej nesh se sa vetja jonë. Kështu që, nuk ka pse habitemi përse kemi bërë shumë përpjekje për t’i shkuar në rrënjë domethënies së të qenit njerëzor.
Ajo çfarë të habit është se ka kaq shumë tipare që mbeten enigmatikë. Këto variojnë që nga sublimja, si arti, ëndërrimi dhe altruizmi deri tek qesharakja, si qimet, skuqja dhe kapja e hundës.
Mund të duken të çuditshme, por shpjegimet më të mira për to shpesh kanë pasoja të thella. Ja disa teori që tregojnë përse ne i bëjmë ato gjëra që bëjmë dhe disa prej problemeve:
1 – Skuqja: Charles Darwin luftoi shumë për të shpjeguar përse evolucioni na bëri të skuqemi kur gënjejmë, gjë që sinjalizon të tjerët. Megjithatë, disa mendojnë se kjo mund të ndihmojë për eliminimin e konfrontimit apo ushqejë intimitetin, duke zbuluar dobësi.
2 – E qeshura: Endorfinat që përmirësojnë gjendjen shpirtërore çlirohen kur ne qeshim, gjë që duket një arsye normale për ta bërë këtë, por një studim 10-vjeçar i turbulloi disi ujërat kur zbuloi se më shumë të qeshura shkaktohen nga komente banalë se sa nga shakatë.
3 – Puthja: Shpjegimi për puthjen nuk ka gjasa të jetë gjenetik, pasi jo të gjithë shoqëritë humane e bëjnë. Ka teori që janë të lidhura me kujtimet e ushqimit në gji dhe që njerëzit e lashtë ua prisnin gjirin foshnjave, duke i ushqyer me gojën e tyre, gjë që përforcoi lidhjen.
4 – Ëndërrimi: Teoria e ëndrrave e Zigmund Frojdit, sipas të cilës ëndrrat shprehin dëshirat tona të nënvetëdijes janë diskredituar përgjithësisht dhe është pranuar se ato na ndihmojnë të përpunojmë emocione, por arsyeja përse ne shohim vizione kaq të çuditshëm nuk është shpjeguar plotësisht.
5 – Supersticioni: Zakonet e pazakontë, por që sjellin qetësim nuk kanë kuptim nga këndvështrimi i evolucionit; megjithatë, njerëzit e lashtë do të kishin përfituar nëse nuk do të kishin injoruar fëshfërimën e këmbëve të një luani në bar, duke e quajtur thjesht shkulm ere. Feja duket se e ka burimin tek ky impuls.
6 – Kapja e hundës: Zakoni aspak tërheqës, por i zakonshëm i “gërryerjes së vrimave të hundës” nuk ofron pothuajse asnjë dobi ushqyese, atëherë përse një e katërta e adoleshentëve e bëjnë të paktën katër herë në ditë? Disa mendojnë se forcon sistemin imunitar.
7 – Adoleshenca: Asnjë kafshë tjetër nuk i nënshtrohet viteve të paparashikueshëm të adoleshencës. Disa mendojnë se ajo ndihmon trurin tonë të madh që të riorganizohet përpara rritjes apo lejon eksperimentim në sjellje përpara përgjegjësisë që do të sjellin vitet e mëvonshëm.
8 – Altruizmi: Të japësh gjëra pa patur të sigurt rikthimin është sjellje e çuditshme, nga pikëpamja e evolucionit. Mund të ndihmojë në lidhjet e grupeve apo thjesht të japë kënaqësi.
9 – Arti: Piktura, vallëzimi, skulptura dhe muzika mund të jenë të gjitha ekuivalenti human i bishtit të palloit që mund të tregojnë se sa i mirë mund të jetë dikush, si shok apo bashkëshort. Megjithatë, mund të jetë njëkohësisht një mjet i përhapjes së dijes apo ndarjes së eksperiencave.
10 – Qimet e trupit: Arsyet e supozuara mund të jenë në rol në përhapjen e aromës së trupit, ngrohje apo edhe mbrojtje nga acarimet njerëzore që ata nuk kanë arritur t’i shpjegojnë plotësisht.
Arda Turan, gati rikthimi në Turqi
Tashmë është e sigurt. Barcelona do të shesë Arda Turan. Siç raporton e përditshmja katalanase “Mundo Deportivo” vazhdojnë kontaktet me Galatasaray-n për shitjen e mesfushorit. Klubi turk preferon ta rikthejë në atdhe me formulën e huazimit, por katalanasit duan vetëm shitjen përfundimtare të kartonit të Turan.
Sevilla ka tashmë në dorë Simon Kjaer që në javët e kaluara ishte përfolur për një kalim të mundshëm te Milani. Siç sigurojnë burime brenda klubit spanjoll lojtari është gati të firmosë një kontratë 4-vjeçare me klubin andaluzian. Në këmbim të kartonit të tij Fenerbahçes do t’i paguhen 10 milionë euro.
Hugo Lloris me elozhe për Mbappe

Portieri i Francës dhe i Tottenham, Hugo Lloris vlerëson Mbappe, që këtë vit është shndërruar në një prej lojtarëve më të kërkuar në merkato. Numri 1 i “Gjelave” të Londrës ka deklaruar për mediat se nuk është aspak i surprizuar nga fakti që City dhe Real Madrid janë gati të ofrojnë shumë marramendëse për talentin francez. Sipas Lloris, Mbappe është një futbollist me tipare të jashtëzakonshme dhe nëse vendos të transferohet te Citizens të jetë i sigurtë se në Premier League do të gjejë një ambient fantastik dhe do ta ketë të thjeshtë të përshtatet.
Emre Can i bashkohet Liverpool-it. Mesfushori, i cili deri më tani ka qëndruar pushim për shkak të angazhimit të tij me kombëtaren e Gjermanisë në Kupën e Konfederatave, i është rikthyer gjirit të skuadrës, për të nisur fazën përgatitore me “The Reds”.
Antonio Conte thur elozhe për Cesc Fabregas. Trajneri i skuadrës së Chelsea-t, e ka komplimentuar mesfushorin për angazhimin e tij në seancat stërvitore, duke e cilësuar atë si një model për skuadrën. Më tej, italiani shuajti dhe zërat për një largim të mundshëm të spanjollit, duke deklaruar se Fabregas do të vazhdojë të jetë pjesë e “Bluve të Londrës”.
Edhe te Reali i Madridit mund të mos jesh i lumtur. Lucas Vazqeues mund të lërë Los Blancos pasi dëshiron të shkojë diku ku mund të luajë me më tepër vazhdimësi. Sulmuesi i krahut ka përfunduar në shënjestrën e dy klubeve angleze, me Arsenalin dhe Liverpulin që mund ta marrin futbollistin në formë huazimi.