Manchester City nuk di të ndalet. Klubi i sheikëve përgatitet për t’i ofruar Alexis Sanchez një shumë që i afrohet 400 mijë paundëve që kërkon sulmuesi. Saga e futbollistit që dëshiron largimin nga Arsenali mori një rrjedhë intriguese me Sanchez që postoi në Instagram një foto ku shfaqet i sëmurë, ndërkohë që te Arsenali e presin të rikthehet për të nisur përgatitjet parasezonale. Klubi i Wenger konfirmoi se e pret Sanchez këtë të dielë që të bashkohet me skuadrën dhe nëse diçka e tillë nuk ndodh kjo mund të nënkuptohet si një sinjal i transferimit të mundshëm te rivalët e Manchester City.
Citizens duan ta bëjnë Sanchez lojtarin më të paguar të skuadrës me një marrëveshje që i jep atij rreth 320 mijë paund në javë, por kjo shumë do të jetë shumë më e lartë në sajë të bonuseve të lidhura me performancën e lojtarit dhe përqindjen që Sanchez do të fitojë nga të drejtat e imazhit. Ndërkohë Monaco ka refuzuar ofertën e Arsenalit prej 50 milionë paund për Thomas Lemar. Futbollistët e Manchester City-t deklaruan se e mirëpresin krahëhapur Sanchez, të cilit mund t’i duhet të presë edhe një vit për t’u bashkuar me ta nëse nuk arrin të marrë miratimin për t’u larguar nga Arsenali. Në të vërtetë Arsene Wenger ka bërë të ditur se është i gatshëm që më mirë ta humbasë sulmuesin me parametra zero vitin e ardhshëm, se sa të pranojë shitjen e tij tani. Arsenali është duke u përpjekur që ta bindë futbollistin për të nënshkruan rinovimin e kontratës me klubin, por mediat angleze bëjnë të ditur se shpresat që diçka e tillë të ndodhë janë gjithnjë e më të vakëta.
Alexis Sanchez do t’i bashkohet Arsenalit në stërvitje të dielën, por ende nuk e ka qartësuar të ardhmen. Kurse Manchester City po i bën përpjekjet e fundit për ta transferuar Alexis Sanchezin, i cili ka kontratë me Arsenalin vetëm edhe një vit. Sipas tabloidit britanik “Daily Mail”, ekipi i Pep Guardioas i ka ofruar një pagë të majme kilianit.
Thuhet se Manchester City i ka ofruar ish-anëtarit të Barcelonës një pagë prej 320 mijë funte në javë (357 mijë euro) ose mbi 17 milionë euro në sezon. Arsenali është i vendosur që Sanchezin mos t’ia shesë Manchester City-t. Por, deri më 1 shtator mund të ndodhë gjithçka.
Pep Guardiola nuk ndalet në merkato. Trajneri i Man.City ka bërë me dije se dëshiron të blejë një tjetër qendërmbrojtës pavarësisht se ka shpenzuar jo pak për këtë repart. Sipas mediave angleze, Pep dëshiron të afrojë te blutë nga Manchesteri, Inigo Martinez të Real Sociedadit ose gjermanin Holger Badstuber. I vetmi problem i tij është që ka tejkaluar shpenzimet e klubit sa i përket repartit të mbrojtjes dhe ndoshta klubi mund të vendosë kufizime për blerjen e një tjetër futbollisti në prapavijë.
Sulm për Sanchez
Inter arrin të fitojë edhe ndaj Chelsit
Tjetër fitore e Interit në International Champions Cup. Zikaltërit, pasi arritën të fitonin përballë Bayernin të Mynihut, të njëjtën gjë bënë edhe ndaj Chelsit të Antonio Conte, duke i mposhtur ata me rezultatin 2-1. Një pjesë e parë e ndarë me dy fytyra, me skuadrën e Luciano Spalletit, të cilët në 20 minutat e para e dominuan kundërshtarin më pas ishin “Blutë e Londrës” ata që balancuan disi lojën. Goli i epërsisë vjen në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. Faulli i shkaktuar në zonë nga ana e Azpilicueta, bën që zikaltërit të fitojnë një 11-metërsh.
Nga pika e bardhë niset Stefan Jovetiç, me Cortua që arrin të presë në fillim topin, më pas malazezi në tentativën e tij të dytë arrin të dërgojë skuadrën e tij në avantazh. Fraksioni i dytë i lojës sheh sërish Interin dominant ndaj kampionëve të Anglisë dhe në të 54, zikaltërit arrijnë të dyfishojnë rezultatin me anë të kroatit, Ivan Perisiç. Chelsi nuk arrin dot të gjejë fundin e rrjetës, por për të realizuar një gjë tillë kujdeset mesfushori Kongogbia, i cili në të 74, me një pasim të kthyer prapa realizon autogolin më të bukur të vitit. Blutë e Londrës mund të kishin barazuar rezultatin, por goli i Batshuayi është i pavlefshëm, pasi sulmuesi ndodhej në pozicion jashtë loje. Kështu Interi regjistron një tjetër fitore përballë një kundërshtari të vështirë.
Bernardeski prezantohet te Juventusi
Federiko Bernardeski është prezantuar dje zyrtarisht si një futbollist i Juventusit në një konferencë për shtyp ku ka folur para gazetarëve dhe u është përgjigjur pyetjeve të tyre. Ajo çka ra më shumë në sy gjatë prezantimit të tij dhe që u bë çështje diskutimi ishte numri, i cili do të mbajë në fanellë mesfushori 23-vjeçar që u ble për 40 milionë euro nga Fiorentina.
Bernardeski ishte përfolur shumë se do të merrte fanellën me numrin 10, por ai ka surprizuar kur ka treguar se në shpinë do të mbajë numrin 33. “Ka qenë një vendim i përbashkët me klubin. Fanella me numrin 10 është shumë e rëndë dhe unë duhet ta meritoj atë. Do të më pëlqente ta merrja atë numër, por pasi fola dhe me drejtuesit, vendosëm që është më e drejtë kështu. Unë duhet t’i bind të gjithë që e meritoj atë numër, ndaj të shohim vitin tjetër. Numrin 33 e zgjodha sepse jam besimtar”, u shpreh mesfushori.
Shkëndija “humbet” Vujçiç
Shkëndija humbet një lojtar të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit të raundit të 3-të të Europa League ndaj Trakait. Klubi tetovar nuk do të ketë shërbimet e Stefan Vujçiçit dhe për ndeshjen e kësaj të enjteje, pasi lojtari është konfirmuar se ka këputur ligamentin e përparmë të këmbës së djathtë dhe do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për një periudhë të gjatë.
Mesfushori gjerman nuk luajti as në ndeshjen e vajtjes me Trakain, si pasojë e një dëmtimi që mori në sfidën e kthimit me HJK Helsinki në turin e dytë kualifikues të Europa League dhe pasi iu nënshtrua kontrolleve të detajuara u konfirmua këputja e ligamentit. Sipas klubit tetovar lojtari do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për një periudhë të gjatë dhe shumë shpejt pritet t’i nënshtrohet dhe një ndërhyrje kirurgjikale. 31-vjeçari është pjesë e Shkëndijës që prej vitit 2016 duke qenë një element i rëndësishëm për kuqezinjtë.
Sulmuesi i Lacios refuzon Partizanin
Përforcimi i repartit të sulmit mbetet një nga bastet e Luçiano Moxhit, i cili ka premtuar se nuk duhet të qahet nga largimi i Kaleb Ekubanit, pasi ai do të sigurojë lojtarë më të mirë se italo-ganezi. Një nga emrat e lakuar më shpesh gjatë kësaj periudhe për sulmin e Partizanit të sezonit të ri, është kolumbiani në pronësi të Lacios, Brajan Perea.
Sulmuesi nuk është në planet e lacialëve për sezonin e ri dhe për të liruar një vend ekstrakomunitari në ekip, ata kërkojnë që ta huazojnë ose shesin Perean. Ditë më parë, mediat italiane shkruanin se i vetmi klub që ka shfaqur një interesim konkret për të marrë shërbimet e futbollistit 24-vjeçar, është Partizani.
Kolumbiani shihet si zëvendësuesi ideal për vendin e lënë bosh pas largimit të Ekubanit. Por sipas raportimit të djeshëm të “Repubblica”, mësohet se ky transferim i kolumbianit te Partizani konsiderohet i pamundur për momentin. Shkak është bërë refuzimi i Brajan Pereas, i cili nuk dëshiron që karrierën ta vazhdojë në Shqipëri.
Lacio kërkon që ta sistemojë sa më shpejt kolumbianin, për të hapur një vend për afrimin e një ekstrakomunitari tjetër në ekip. Ishte menduar se prezenca e Luçiano Moxhit dhe trajnerit Mark Iuliano do të shërbente si një magnet për prurjet nga tregu italian, por sulmuesi kolumbian përbën përjashtim, pasi nuk e josh kalimi te Partizani.
Përpos refuzimit të Brajan Pereas, mësohet se nga tregu italian, drejtuesit e Partizanit kanë arritur akordin me disa futbollistë. Sulmuesi Milan Basrak thuhet se e ka gjetur akordin me “demat” që në kohën kur ekipi përgatitej për Ligën e Europës. Së fundmi, trajneri Iuliano erdhi në Shqipëri me Xhovani la Kameran, Andrea Selvaxhion dhe Romeo Shahinas.
Ballist Morina, i burgosuri politik Nr.1 në Ballkan
Nga Sali BERISHA
Ballist Morina, ylli i tifozerisë shqiptare dhe botërore tashmë i burgosuri politik numër 1 i Ballkanit!
Ai është viktimë e takimit kokë më kokë Rama-Vuçiç!
Të dashur miq, këto ditë, një gjykatë kroate, me absurditet absolut ka vendosur të ekstradojë pa asnjë shkak ligjor në Beograd simbolin e tifozëve kuq e zi, por dhe njeriun simbol të tifozëve paqësor në botë; Ballist Morinën.
Ky është sot i riu më i persekutuar, më i ndjekur në Ballkanin e mbushur me kriminelët më të rrezikshëm të të gjitha llojeve dhe që qarkullojnë të lirë edhe në zyrat kryesore shtetërore. Ndërkohë që krimi i tij i vetëm, ishte lëshimi i një droni me banderolën e një harte sui generis dhe portretet e Ismail bej Vlorës dhe Isa Buletinit mbi stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes midis kombëtareve të Shqipërisë dhe Serbisë.
Me këtë akt historik, i riu Ballist Morina i bëri një shërbim të madh paqes. Ai i tregoi mbarë botës se cilat janë përmasat e vërteta të primitivizmit të nacionalizmit serb, ndaj dhe ai u bë pa mëdyshje star i tifozerisë botëtore.
Ballist Morina ishte çështje e parë e takimit kokë meëkokë Rama-Vuçiç, në të cilin Vuçiç i kërkoi Ramës arrestimin dhe ekstradimin e tij në Beograd si hellin e nacionalistëve të Beogradit dhe si shpërblim për këtë hoqi Olsi Ramën nga rrethi i kuq që Beogradi e kishte vendosur pas kësaj ndeshje. Pas këtij takimi fillon kalvari i ndjekjes së egër e Ballist Morinës.
Edi Rama, siç i kishte premtuar Vuçiçit, do arrestohej në Tiranë para zhvillimit të ndeshjes së kthimit Shqipëri – Serbi në Elbasan, sikur të ishte ndonjë terrorist.
Arrestimi i tij pa asnjë shkak real u bë me qëllim ekstradimin e tij në Beograd, por, reagimi i fortë i publikut dhe simpatia e madhe në tifozerinë botërore e tij, detyruan Ramën të heqë dorë nga ky akt antinjerëzor dhe antikombëtar.
Por natyrisht kalvari i Morinës vazhdonte. Atë e ndiqnin në emër të serbomadhisë tre shtete të Ballkanit; Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia. Më në fund, me kombinime të turpshme të fshehta dhe ndërhyrje të dënueshme, Edi Rama arriti që, me vendimin absurd të një gjykate të një vendi mik, të hedhë në gojën e ultranacionalistëve serb, siç kishte premtuar Vuçiçit, të riun Ballist Morina, duke e shndërruar kështu yllin e tifozërisë botërore në të burgosurin politik numër një të Ballkanit!
Duke dënuar me forcë të gjitha kurthet dhe inskenimet politike ndaj të riut Morina, u bëj thirrje autoriteteve kroate të rishqyrtojnë këtë vendim të padrejtë. Ju bëj të gjithë organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si dhe institucioneve ndërkombëtare si OSBE, Këshillit të Europës, Parlamentit Europian, të bëjnë gjithçka që i burgosuri politik Ismail Morina të lirohet menjëherë!
Unë, kriminelja!
Të paktën tri persona janë marrë nën hetim nga Policia e Tiranës pasi kanë protestuar kundër rritjes së çmimit të ujit në Tiranë, të propozuar nga Bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj.
Përmes një njoftimi policia thotë se ka nisur procedimin penale ndaj atyre që protestuan kundër rritjes së çmimit të ujit. “Më datë 27.07.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasit Rezarta Vesi Çaushaj, Andi Bardhyl Tepelena dhe Besjan Sevo Pesha, të datëlindjes 16.06.1990, 12.02.1972 e 09.08.1980, banues në Tiranë, me arsim 12 e 16 klasë, sepse më datë 26.07.2017, ora 18:05, përpara Bashkisë Tiranë, kanë organizuar pa leje, një protestë kundër rritjes së çmimit të ujit, duke e nxitur turmën për veprime të dhunshme. Neni 262 i K.P. Nr. Unik 201707270061”, thuhet në deklaratë.
Një prej tyre është edhe aktivistja e shoqërisë civile, Rezarta Çaushaj, e cila mësohet se është edhe shtatzënë. Pas nisjes së hetimit ndaj saj, ka reaguar edhe vetë Çaushaj me një shënim në Facebook si vijon më poshtë:
Reagimi i aktivistes, Rezarta Çaushaj
Unë jam Rezarta Çaushaj. Pas pak muajsh do të bëhem nënë për herë të parë dhe jam e ngazëlluar (nuk ishte kjo mënyra sesi kisha ëndërruar ta shpallja publikisht, por…)
Fëmija i parë është një pikë thyerje në jetë. Është momenti kur ti kupton që tashmë jeta jote nuk të përket më ty, por atij. Çdo vendim apo veprim që nga ky moment e tutje, nuk i bën më për veten tënde, por për atë.
Është një ndjesi e bukur…
Por unë nuk jam vetëm shtatzënë. Sot mësova që ky konglomerati kaotik social, që ne për konvencion e quajmë “shteti ynë”, më ka quajtur kriminele. Sepse dola dhe protestova kundër rritjes së çmimit të ujit. Sepse dola dhe bërtita kundër grabitjes që Lali Eri po iu bën mijëra familjeve në Tiranë duke iu rritur çmimin e ujit.
Është sa për të qeshur, aq edhe për të qarë.
Për të qeshur, sepse të akuzosh një grua shtatzënë për dhunë ndaj policisë, është si të akuzosh lepurin për dhunë ndaj ujkut.
Është për të qarë, sepse dëshpërohem sa herë mendoj se ku do të më duhet të rris fëmijën tim.
Ku po shkojmë? E kemi lënë veten dhe vendin në dorë të hajdutëve që as nuk mendojnë asnjë sekondë për asgjë tjetër përveçse si të përfitojnë për veten e tyre, për xhepin e tyre. Në dorë të përdhunuesve politikë që pasi të dhunojnë, nuk të lënë as të nxjerrësh ofshamën e dhembjes.
E kemi lënë në dorë të Lali Erit dhe lali Erëve që të rrjepin ditën dhe të vrasin natën. Rrit çmimin e ujit, iu vjedh lekët njerëzve dhe që t’i shkojë deri në fund aktit të përdhunimit, i merr dhe i fut në burg ata që ankohen.
Kjo më dëshpëron pa masë.
Unë gjithmonë kam protestuar kur e kam parë të padrejtën që ngre krye. Dhe do të vazhdoj ta bëj. Çështja është se e vetme apo thjesht me disa qindra në shesh nuk kam për të arritur ndonjë gjë të madhe.
Duhet ta kuptojmë të gjithë. Mushka jonë drutë i do të tilla. Dhjetëra mijëra në shesh. Vetëm kështu mund të ndryshojmë diçka. Dhe duhet të ndryshojmë diçka, përpara se gjithçka të kthehet në e pandryshueshme më.
Përpara se të gjithë të ikin dhe i fundit të mbyllë dritat.
Raporti i KLSH për administratën, 576 milionë euro abuzime të pushtetit
Fushata aktuale e iniciuar nga ana e kryeministrit Edi Rama për dëgjimin e problematikës lidhur me nëpunësit e shtetit duket se nuk ka thjesht vlera populiste.
Administrata publike në të gjithë rrjetin kapilar të shtetit, në qendër e në bazë, vazhdon të shfaqë mangësi të theksuara në performancë, por edhe vijon të kryejë shkelje të natyrës financiare, që vlerësohen me një dëm në masën 590 milionë euro.
Kjo shifër gjigante është konstatuar nga raportet e auditimeve, të kryera vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit nga grupet audituese të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas raportit të tremujorit të dytë të veprimtarisë së këtij institucioni, të publikuar këto ditë, janë konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 1.9 miliardë lekë, afërsisht 14.4 milionë euro.
Po kështu, janë zbuluar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 76.4 miliardë lekë të reja, afërsisht 576 milionë euro, nga e cila:
564 milionë euro në fushën e të ardhurave dhe 11.5 milionë euro në fushën e shpenzimeve. Sipas natyrës së abuzimit dhe institucionit publik që i ka kryer, KLSH ka pasqyruar hollësisht raste konkrete të shoqëruara me vlerën e dëmit ndaj arkës së shtetit.
Në Tatime e Dogana rezulton një dëm ekonomik prej afro 1.1 miliardë lekësh të reja. Parregullsi dhe shkelje të natyrës financiare vihen re që nga ministritë, agjencitë, drejtoritë e deri te pushteti vendor.
Shifrat e turpit, ujësjellësi me koncesion
Si po ia faturon Erion Veliaj paaftësinë e tij banorëve të Tiranës? Bashkia Tiranë miratoi rritjen e çmimit të ujit me 45%.
Pas kësaj rritjeje fshihet paaftësia menaxhuese e Bashkisë, që drejtohet nga Erion Veliaj. Më 2015-n, kur në krye të Bashkisë erdhi Veliaj, arkëtimet e pambledhura u rritën me 45%.
Edhe në vitin 2016 ka vazhduar përkeqësimi. Në dy vjet që Veliaj drejton Bashkinë, arkëtimet e pambledhura u rritën me 54%. Sot tutkunëve të Bashkisë u mungojnë rreth 22 milionë euro për shkak të paaftësisë, makutërisë dhe hajdutërisë së tyre dhe këtë dështim Veliaj po kërkon t’ia faturojë banorëve të Tiranës, duke u fshehur pas premtimit se do u sigurojë ujë për 24 orë!
Ne jemi një ndër vendet më të pasura me ujëra në Europë. Çmimi që paguajnë banorët e Tiranës është ndër më të lartët në rajon e më gjerë. UKT është me fitim të vogël, edhe pse vidhet e plaçkitet barbarisht nga “Rilindja”. Ky institucion faturon vetëm 20% të sasisë së ujit që shet. Duke përmirësuar rrjetin dhe menaxhimin, të ardhurat e UKT mund të katërfishohen. Pse rritet çmimi i ujit atëherë?
Rama mesa duket po përgatit dhënien me koncesion të UKT. Duhet të rrisë çmimet dhe mundësitë për fitime abuzive përpara se t’ia japë edhe ujin miqve të tij. Po të ndalojë vjedhja, grabitja dhe keqmenaxhimi, UKT mund të realizojë minimalisht një fitim mbi 25 milionë dollarë në vit me çmimet që ka aktualisht për ujin. Kjo ndërmarrje i ka të gjitha mundësitë të financojë të gjitha projektet që do i mundësonin furnizimin me ujë për 24 orë Tiranës brenda 5 vitesh.
Veliaj nuk sheh asnjë rrugë tjetër veçse ta bëjë çmimin e ujit sa Korça dhe sa Pogradeci. Sa qesharake! Sipas këtij “arsyetimi” çdo ujësjellës në botë që furnizon nevojat e klientëve për 24 orë duhet ta ketë çmimin sa uji i Korçës! Kështu thotë Veliaj. Dhe s’ka faj! Përvoja e tij e kufizuar pa background profesional nuk i këshillon gjë tjetër veç rritjes së çmimit!
Manjani-Ramës: Po çon popullin për ndjekje penale
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar në lidhje me procedimin penal të nisur ndaj protestuesve të Partisë Demokratike mbi rritjen e çmimit të ujit të pijshëm para Bashkisë së Tiranës.
Manjani akuzon direkt kryeministrin Edi Rama, teksa shkruan në Facebook se, ai fajëson gjithmonë aleatët, edhe kur thotë që aleat ka popullin. Në këtë rast, vijon ish-ministri, e çoi popullin në ndjekje penale, edhe pse nuk protestoi për të rrëzuar qeverinë, por për çmimin e ujit.
“Fajin e kanë aleatët. Çoi popullin në ndjekje penale?! Pse, ç’bëri populli? Protestoi. Për çfarë? Për të rrëzuar qeverinë? Jo, për çmimin e ujit. Po ky sikur e ka aleat popullin në qeveri?! Këtij gjithnjë fajin ia kanë aleatët… Aleatët janë ‘tepsia’, ‘kazani’, ‘legeni’, ‘qypi’… Ç’faj ka ai?”, shkruan Manjani.
Si u falsifikua lista e LSI në Këshillin Bashkiak
Çështja e miratimit të çmimit të ujit të pijshëm nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, para dy ditëve, jo vetëm që shkatërroi marrëdhëniet e mira mes kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj me LSI-në, por edhe ka nxjerrë një skandal të madh, ku janë përzier bashkia, KQZ dhe PS.
Duke nxituar që të mbledhin vota kudo e sido, kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës (përfaqësues i PS) ka krijuar një precedent të rrezikshëm. Pasi LSI nuk mori pjesë në votim dhe pasi PD-ja krijoi kuorumin, por më pas iku, dikush ka nxituar që të nisë në KQZ zëvendësimin e listës së LSI, ku në të vërtetë i takonte Lindita Veliasit, por kanë dërguar emrin e Genta Mezinit, me të cilën siç duket kanë rënë dakord se e miratojnë me shpejtësi si këshilltare, por me kushtin që të tradhtojë LSI e të kalojë me PS. Kjo është bërë nga kryetari i Këshillit Bashkiak Aldrin Dalipi, i cili pas këtij veprimi rrezikon jo vetëm padinë në Prokurori, por ka informacione se do të kërkohet shkarkimi i tij nga kryetar.
Prokuroria do të hapë hetim për autorin e dërgimit të listës së falsifikuar në KQZ për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve zyrtare”. Po kështu edhe nga administrata e KQZ ka shpërdorim detyre, pasi një kopje të listës së depozituar nga LSI (dhe çdo parti politike) e ka në dosjet e saj, sepse e detyron ligji.
Pra, nga nxitimi apo dëshira për të bërë numrin 31 këshilltarë, që mbetet shumica në Këshillin Bashkiak, kanë spostuar emrin në listën e këshilltarëve të bashkisë të LSI. Në vend të Lindita Veliasit kanë çuar emrin pas Linditës, duke kapërcyer radhën kushtetuese, pra Genta Mezini. Genta rezultoi se votoi pro PS dhe Erion Veliajt.
Përveç kësaj shkeljeje ligjore e kushtetuese, për spostimin e emrit në listë, ndërkohë që Lindita Veliasi nuk ka asnjë kërkesë për dorëheqje nga lista, drejtuesit e Këshillit Bashkiak kanë bërë edhe një shkelje tjetër ligjore. Genta Mezini, e cila është miratuar me shpejtësi si anëtare e re e Këshillit Bashkiak, ka hyrë me vonesë në mbledhje dhe ka votuar për rritjen e çmimit të ujit, pa bërë betimin. Si rregull deputet apo anëtar këshilli duhet të bësh betimin së pari në Parlament apo në këshill dhe më pas voton sipas dëshirës tënde, edhe kundër partisë që të ka propozuar.
Paligjshmëria e vendimit të Këshillit Bashkiak
Ditën e mërkurë, mes shumë debateve e kundërshtive të shumanshme, Këshilli Bashkiak i Tiranës mori me urgjencë disa vendime shumë të rëndësishme për qytetarët e kryeqytetit. Ndër to, ndoshta më i debatuari ishte rritja e çmimit të ujit nga 45 lekë për metër kub në 65 lekë. Këshilltarët e djathtë të këtij Këshilli e kishin deklaruar votën e tyre kundër këtij vendimi, madje për ta pamundësuar atë vendosën ta bojkotojnë mbledhjen, ndërsa këshilltarët e LSI-së ishin fillimisht të paqartë, por në fund edhe ata u shprehën kundër dhe iu bashkëngjitën bojkotit të kolegëve të tyre të djathtë.
Dy këshilltarë të LSI-së iu bashkuan grupit të këshilltarëve socialistë për të formuar kuorumin e nevojshëm për mbajtjen e mbledhjes dhe votimin e vendimeve. Sipas asaj çka u tha në media, sepse akoma nuk është zbardhur procesverbali, në mbledhje morën pjesë 31 këshilltarë, që përbëjnë edhe shumicën e të gjithë anëtarëve të këtij këshilli. Veçse pikërisht te ky numër lindin një sërë parregullsish që e bëjnë vetë mbajtjen e mbledhjes të pavlefshme e për rrjedhojë edhe vendimet e marra gjatë saj. Por, edhe sikur këto të ishin të rregullta, natyra e këtyre vendimeve e bën të detyrueshëm konsultimin publik me bashkësinë për shkak të efekteve që ka ky vendim dhe shtresave të qytetarëve që prek. Le t’i trajtojmë me radhë disa prej argumenteve kryesore ligjore pse vendimet e këshillit jo vetëm janë të pavlefshme, por edhe në shkelje të hapur të ligjit.
1. Pavlefshmëria e mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili për hir të rëndësisë së tij kërkon një shumicë prej 3/5 të deputetëve, në nenin 53, pika 7 përcakton se, “Mbledhja e Këshillit Bashkiak quhet e vlefshme kur në të merr pjesë shumica e të gjithë anëtarëve të këshillit, me përjashtim të rasteve kur kërkohet një shumicë tjetër për marrjen e vendimeve, sipas përcaktimeve në nenin 55 të këtij ligji”. Dhe po ashtu rregullorja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, e cila për shkak të hierarkisë së normave duhet të jetë konform ligjit, në nenin 13, pika 7 përcakton se, “Mbledhja e Këshillit quhet e vlefshme, kur në të merr pjesa shumica e të gjithë anëtarëve të këshillit…”. Duke pasur parasysh se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka 61 këshilltarë, që mbledhja të jetë e vlefshme duhet të marrin pjesë minimalisht 31 anëtarë.
Nëse e shohim nga jashtë mbledhja e ditës së mërkurë, ajo duket në rregull, por nëse vërejmë se kush janë këta këshilltarë ka disa probleme. Në zgjedhjet e 25 qershorit, tre këshilltarë të PS-së: Elona Gjebrea, Elisa Spiropali, Klotilda Bushka (Ferhati), e po ashtu tre nga radhët e LSI-së: Endrit Braimllari, Floida Kërpaçi, Shezai Rrokaj, u zgjodhën deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.
Nga momenti i shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve këta persona nuk mund të ushtrojnë më asnjë lloj funksioni shtetëror përpos atij të anëtarit të Këshillit të Ministrave sepse mandati i tyre i deputetit tashmë ka filluar. Për këtë, Kushtetuta ka parashikuar qartë në dy nenet e saj, përkatësisht neni 71, pika 1 përcakton “Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve” dhe neni 70, pika 2 përcakton se “Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave”.
Krahas dispozitave të Kushtetutës ka edhe dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, nr. 44/2011 dhe nr. 32/2016 që e kanë qartësuar edhe më tej momentin e fillimit të mandatit të deputetit. E thënë me fjalë të thjeshta, mandati i këtyre këshilltarëve ka përfunduar dhe vendet e tyre kanë mbetur vakante. Mbarimin e mandatit të këtyre personave si këshilltarë në momentin e fillimit të mandatit si deputetë, e përforcon akoma dhe më tej neni 47, pika 1/ç e ligjit të sipërmendur 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” që përcakton se, “Funksioni i këshilltarit është i papajtueshëm me funksionin e deputetit”, ndërsa pika 49, pika c e po këtij ligji përcakton “mandati i këshilltarit mbaron përpara afatit kur krijohen kushte të papajtueshmërisë të përcaktuara në nenin 47 të këtij ligji”.
Kusht i papajtueshmërisë është zgjedhja deputet. Prandaj, me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit, në Këshillin Bashkiak të Tiranës mbeten gjashtë vende vakante. Sigurisht që ligji ka parashikuar këtë situatë dhe zëvendësimin e tyre, por edhe kjo kërkon respektimin e një procedure të mirëpërcaktuar ligjërisht. Kodi Zgjedhor në nenin 164, pika 2 ka parashikuar se, “Mandati i ndërprerë i deputetit ose anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse”.
Pra, vendet vakante në Këshillin Bashkiak të Tiranës iu kalojnë kandidatëve pasues që nuk arritën të zgjidhen në zgjedhjet e 21 qershorit 2015. Për kalimin e mandatit sërish Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” është shprehur qartë në nenin 49 ku përcakton “1. Mandati i jepet këshilltarit me vendim të Këshillit Bashkiak. 2. Dhënia dhe heqja e mandatit bëhen me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit. 3. Këshilltari nuk voton për mandatin e tij”. Njëjtë parashikon edhe rregullorja e Këshillit Bashkiak të Tiranës në nenin 8, pika 3 dhe 4. Zëvendësimi pra i këshilltarëve, të cilëve iu ka mbaruar mandati kërkon respektimin e një procedure të caktuar përndryshe është një veprim i pavlefshëm.
Tani vijmë te situata konkrete. Në mbledhje votuan të 25 këshilltarët e PS, tre të PDIU, 2 të LSI dhe një nga FRD. Problemi lind se ndër këshilltarët e PS së paku tre kanë qenë ose me mandat të mbaruar sepse janë zgjedhur deputetë e nëse kanë qenë zëvendësuesit e tyre nuk kanë pasur fare mandat sepse Këshilli nuk ka pasur kuorumin për t’ju dhënë atyre mandatin siç parashikon ligji. Jo vetëm kjo, por problem përbën edhe këshilltarja e LSI-së, e cila edhe ajo ishte zëvendësuese sërish pa mandat.
Prandaj, ndër 31 personat që kanë qenë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës vetëm 28 prej tyre kanë qenë këshilltarë të mandatuar të këtij këshilli. Bazuar në nenet e sipërcituara (neni 53 të Ligjit 139/2015 dhe rregullores së Këshillit neni 13, pika 7), mbledhja ka qenë e pavlefshme. Mjafton ky argument për ta mbyllur këtë temë sepse logjika e thjeshtë të çon në përfundimin se nëse mbledhja ka qenë e pavlefshme, të tilla janë edhe vendimet e marra në të. Por, le të merremi pak edhe me vendimet e kësaj mbledhjeje të pavlefshme.
2. Pavlefshmëria e vendimeve të Këshillit Bashkiak të Tiranës Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” në nenin 55 përcakton se, “Vendimet e këshillit merren me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të këshillit”, çka do të thotë se për marrjen e një vendimi në Këshillin Bashkiak duhen të jenë të pranishëm 31 këshilltarë dhe më shumë se gjysma e tyre të votojnë pro vendimit. Siç e shpjeguam më lart gjerësisht në mbledhje ishin vetëm 28 këshilltarë, ndaj edhe vendimet e marra prej tyre janë të pavlefshme. Të njëjtën gjë parashikon edhe Rregullorja e Këshillit në nenin 40, pika 4. Ndërsa pika 3 e nenit 55 të Ligjit 139/2015 sjell diçka edhe më të rëndësishme për rastin tonë sepse parashikon “Vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të këshillit për rastet e parashikuara në shkronjat ‘a’, ‘b’, ‘c’, ‘d’, ‘dh’, ‘f’, ‘g’, ‘gj’ dhe ‘j’ të nenit 54, të këtij ligji”. Ndër rastet është pika f e nenit 54 që parashikon “vendos për taksat e tarifat vendore, sipas këtij ligji dhe legjislacionit tjetër në fuqi”.
Rritja e çmimit të ujit bën pjesë te kjo pikë, ndaj vendimet në lidhje me të duhet detyrimisht të merren me shumicë absolute pra, 31 këshilltarë. Për ta mbyllur këtë pjesë, bazuar te dispozitat ligjore arrijmë në konkluzionin se vendimet e këshillit janë thjesht nul dhe nuk prodhojnë asnjë efekt.
Si u procedua për mbajtjen e mbledhjes dhe marrjen e vendimeve
Tani le të bëjmë edhe një analizë të shkurtër të mënyrës si u procedua për mbajtjen e kësaj mbledhjeje dhe marrjen e këtyre vendimeve, megjithëse të pavlefshme:
Mungesa e transparencës e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Transparenca me qytetarët është një ndër standardet themelore dhe shumë të rëndësishme për demokracinë e një vendi. Është padyshim pengesa kryesore e korrupsionit dhe mungesa e këtij standardi krijon hapësira të shumta për abuzime. Akoma më e domosdoshme bëhet ky standard në qeverisjen vendore ku kontakti i qeveritarëve me qytetarin është edhe më i afërt dhe i mundshëm.
Legjislacioni shqiptar duke pasur parasysh këtë filozofi që e kanë aplikuar me sukses të gjitha demokracitë perëndimore ka parashikuar në Ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” në nenin 15, pika 1 se “Njësitë e vetëqeverisjes vendore garantojnë për publikun transparencën e veprimtarisë së tyre”. Dhe këtë e ka shoqëruar me disa dispozita të tjera për ta bërë më konkrete dhe të realizueshme, duke parashikuar në nenin 16, pika 1 edhe pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje. Jo vetëm kaq, por neni 18, pika 1 ka përcaktuar disa raste që Këshilli Bashkiak e ka detyrim këshillimin me bashkësinë përpara shqyrtimit dhe miratimin të akteve.
Ndër këto raste bëjnë pjesë edhe taksat e tarifat vendore (neni 54, pika f), pjesë e të cilave sigurisht është edhe vendimi për rritjen e çmimit të ujit. Kjo do të thotë hiç më pak se Këshilli Bashkiak i Tiranës duke shqyrtuar dhe miratuar një vendim për rritjen e çmimit të ujit ka shkelur ligjin. Si përfundim mund të arrijmë në konkluzionin se bazuar në dispozitat e Kushtetutës e Shqipërisë, Kodit Zgjedhor, Ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” dhe Rregullores së Këshillit, mënyra e procedimit deri te mbledhja, kjo e fundit dhe vendimet janë të pavlefshme dhe në shkelje të hapur të ligjit. Kjo s’ka të bëjë as me të majtën e as me të djathtën, me socialistët apo demokratët, por vetëm me ligjin dhe shtetin e së drejtës që kërkojmë të ndërtojmë. Kushdo që përpiqet ta nxjerrë nga hullia e ligjit dhe ta fusë në amullinë e politikës, e bën veçse për ta hequr vëmendjen nga ajo që është thelbi i diskutimit.