26.5 C
Tirana
E martë, 19 Gusht, 2025

UKT, 21 miliardë lekë tendera luksi, makina e bileta avioni

E ndërsa Bashkia po përpiqet të justifikojë rritjen e çmimit të ujit për shkak të mungesës së parave për garantimin e tij, UKT Tiranë, kjo kompani me aksioner publik bashkinë rezulton të jetë një nga institucionet me shpenzime marramendëse, jo për investime në furnizimin me ujë, por për shërbime luksi.
Në një vëzhgim të gazetës në portalin e të dhënave Open Data rezulton se në një vit, UKT ka tenderuar 21 miliardë lekë  (2,175,092,646) kontrata publike, qindra prej të cilave nuk kanë asnjë lidhje me funksionimin e këtij institucioni siç është garantimi me ujë të pijshëm, sistemi i kanalizimeve apo rikonstruksionet e nevojshme në lidhje me garantimin e furnizimit me ujë. Ka disa qindra tendera dhe kontrata publike ku shumica nuk janë investime dhe nuk sjellin cilësi dhe dobishmëri për qytetarët. Monitoroni tendera të ujësjellësit për të kuptuar si shpenzohen paratë e qytetarëve.
Blerje e automjeteve, brandime mbi përmirësimin e imazhit të institucionit, bileta avioni nga një kontinent në tjetrin, blerje orendish për zyra, rikonstruksione zyrash dhe krijimi i kushteve komode në ambjentet e punës, blerje aparatësh fotografikë, printera e fotokopje, roje godine e një sërë tenderash të tjerë, të cilët kushtojnë miliona euro, por nuk i shërbejnë asapk konsumatorëve të kryeqytetit.
Nëse sheh listën e objekteve të prokuruara nga UKT përgjatë një viti sheh tendera të çuditshëm, të cilët, duke u nisur nga shifrat e shpallura dukshëm vihet re rëndësia që UKT i ka kushtuar imazhit të institucionit, ku janë shpallur tendera të veçantë 100 milionësh për të prodhuar postera e banera mbi punën e UKT, shifra me të cilat ky institucion fare mund të ndihmonte në përmirësimin e dhjetëra problemeve që has kryeqyteti sot në lidhje me kanalizimet apo furnizimin me ujë. Por jo. Për UKT ka të tjera prioritete.

Bileta avioni nga Kina në Majami

Një pjesë e mirë e fondeve, qindra milionë janë shpenzuar për udhëtime të çuditshme, disa herë në Kinë, e pastaj në Majami në SHBA. Dyshimet bien mbi faktin nëse këto udhëtime luksoze që nuk limitohen vetëm me SHBA dhe Kinën, por vijojnë edhe me shtete të tjera të Europë janë zhvilluar për çështje pune apo jo.
Në faqen zyrtare të UKT nuk ekziston asnjë njoftim për mediat mbi këto vizita, ndërkohë që biletat kapin shifra marramendëse. Udhëtimet janë të shpeshta në kohë dhe vihet re blerja e tyre me destinacion Kinën e largët. Nuk dihen arsyet e këtyre udhëtimeve, pasi UKT nuk ka bërë asnjë transparencë apo lajmërim mbi ndonjë vizitë zyrtare në shtetet e lartpërmendura.

Reklama për t’u mbyllur gojën mediave

Jo vetëm Veliaj ushtron pushtetin e tij për të censuruar çdo lajm që bie në kundërshtim me vendimin e tij për rritjen e çmimit të ujit, por vet UKT kujdeset posaçërisht për mediat. Pak para nisjes së debatit për rritjen e çmimit të ujit, UKT nisi një fushatë mediatike ku përmes reklamave lajmëronte konsumatorët që të kursenin ujin e pijshëm.
Një metodë e njohur kjo për të paguar mediat e për t’i detyruar ato të mos publikojnë asnjë lajm kundër institucionit që paguan e për rrjedhojë asnjë lajm në shërbim të qytetarëve. Që prej rritjes së çmimit të ujit, mediat e kapura nuk po guxojnë të denoncojnë këtë akt korruptiv dhe abuziv në kurriz të qytetarëve, pikërisht se në një mënyrë apo në tjetrën janë bërë palë e pazareve të Bashkisë Tiranë.

5 milionë lekë për një aparat fotografik

Nëse kërkon për në motorin e kërkimit Google për aparat fotografik profesional që zakonisht përdorin institucionet zyrtare, vlera maksimale nuk i kalon 1.5 milionë lekë të vjetra. Por për UKT me sa duket ka prodhime edhe më të sofistikuara se kaq.
Një tender i shpallur për blerjen e një aparati fotografik specifikon vlerën prej 5 milionë lekësh të vjetra, pra, sa katër fishi gati i një aparati profesional që zakonisht blejnë institucionet zyrtare. Shpallja e këtij tenderi dhe blerja e këtij aparati është paksa me pikëpyetje në një kohë që UKT është një ndër institucionet më pak vizibël mediatikisht në aktivitete apo takime me qytetarët.

Arredime dhe orendi zyrash

Komoditet dhe rehati. Dhjetëra tendera qindra milionë lekësh janë shpallur nga UKT për rikonstruksion godinash ku ndodhen zyra pune, mobilim zyrash, karrige, tavolina, kompjutera, orendi të ndryshme renditen në tenderat e listuar nga Open Data për Ujësjellësin e Tiranës. Duket gati si një hambar parash pafund që kanë shkuar në drejtim të shërbimeve që ofrojnë komoditet e aspak ndihmë ndaj qytetarëve apo investime në përmirësimin e furnizimit me ujë. Për shkak të këtyre abuzimeve, Veliaj deklaron sot se UKT nuk ka para mjaftueshëm e se qytetarët duhet të paguajnë më shumë për të mbuluar vjedhjet masive që ky institucion ka bërë në vetëm një vit.

Vjedhjet masive, arka e UKT e boshatisur

Ujësjellësi i Tiranës prodhon 3 herë më shumë sesa faturon! Mungesa e parave në arkë nuk zgjidhet duke rritur çmimin e vënë gjoba, por duke arkëtuar sasinë e prodhimit. Me këto shifra, duhet që çmimi të ulet dhe prapë ujësjellësi del me më shumë të ardhura se zakonisht sikur të mos abuzonte po vetë ky institucion së bashku me Bashkinë e Tiranës. Ujësjellësi dhe qyteti kanë nevojë për administrim e jo për gjobaxhinj e taksidarë. Rritja e çmimit të ujit nga Bashkia Tiranë u paralajmërua një javë më parë, teksa UKT bashkë me Veliajn u bëri një thirrje të beftë të gjithë konsumatorëve e bizneseve të kursenin ujin në çdo pikë, pasi përndryshe do të kishte pasoja. E gjithë lëvizja e UKT, e orkestruar nga Veliaj u bë si qëllim për propozimin e rritjes së tarifave të planifikuar qysh kohë më parë. Çmimi i ujit në Tiranë do të rritet nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset. Rritja e çmimit do të prekë edhe tarifën fikse mujore. Aktualisht, çdo familje paguan 100 lekë në muaj si tarifë fikse dhe propozohet që kjo tarifë të dyfishohet në 200 lekë në muaj. Relacioni i Bashkisë flet për rritje të investimeve dhe sigurimin e ujit 24 orë për Tiranën. Në vendim, parashikohet që të mos ndryshojë tarifa për ujërat e ndotura. Që pas zgjedhjeve, Bashkia ka nisur një fushatë agresive kundër lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm dhe kjo jo pa qëllim. Duket se kjo po i paraprin vendimit të ri. Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e mërkurë, ku pritet të ketë debate të gjata për tarifën e re. Bashkia argumenton se, “bazuar tek nevoja totale për të ardhura, UKT sha., ka zhvilluar një strategji të tarifave dhe çmimeve për periudhën 5-vjeçare. Tarifat propozohen të ndryshojnë në të gjithë komponentët e secilës kategori konsumatori duke u bazuar në shitjet e ujit dhe normat e arkëtimit, të cilat rriten nga 90% në vitin 2017 në 91% në vitin 2018″. Tarifat rriten edhe për furrat e bukës apo buxhetorët. Sipas projektvendimit, furrat e bukës do të paguajnë nga 95 lekë/m3 që është tarifa aktuale në 130 lekë/m3. Mediat kanë botuar tabelën e plotë të tarifave ekzistuese dhe sa do të bëhen. Çmimet e reja parashikohet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2018. Kompania ka një kapital neto prej 7.1 miliardë lekë, ndërsa detyrimet në total arrijnë në 9.7 miliardë lekë, nga të cilat 5.2 miliardë lekë është një huamarrje afatgjatë. Kredia afatgjatë është me kushte të buta dhe e marrrë nga qeveria italiane, gjatë periudhës 1993-2001 përmes BKT-së. Ujësjellësi ka dhe një kredi direkte nga BKT të marrë në vitin 2015 prej 1 miliard lekësh, e cila do të përdoret për rikonceptimin e shfrytëzimit të burimeve të Shën Mërisë.

Tirana, apel Zagrebit: Mos ekstradoni ballist Morinën

Ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi, në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të shtetasit shqiptar Ismail Morina, ka marrë kontakt urgjent zyrtar me autoritetet kompetente kroate, për të argumentuar nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, pamundësinë e ekstradimit të tij në Serbi.
Për këtë qëllim, me shkresën nr. 4782, datë 28/07/2017 drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë, ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë i ka kërkuar zyrtarisht homologut të tij kroat mos miratimin e kërkesës për ekstradim, duke vlerësuar se kërkesa për ekstradim bie ndesh me Konventën e Këshillit të Europës “Për ekstradimin” dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
Në këtë shkresë, Ministria e Drejtësisë ka marrë angazhimin që në një kohë sa më të shpejtë të përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë se jemi përpara një shkelje politike, për të cilën bazuar në nenin 3 të Konventës së Këshillit të Europës “Për ekstradimin”, nuk mund të akordohet ekstradimi.
Ministri i Drejtësisë në kërkesën drejtuar autoriteteve kroate ka argumentuar se në rast ekstradimi në Serbi, shtetasi shqiptar Ismail Morina rrezikon t’i nënshtrohet përndjekjes, persekutimeve apo diskriminimeve të motivuara politikisht për shkak të shtetësisë së tij dhe gjendjes personale apo shoqërore, çka përbën shkelje të një të drejte themelore të njeriut, që duhet të pengojë miratimin e kërkesës për ekstradim.
Për këtë qëllim, ditën e sotme, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar bashkëpunimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për  t’i vënë në dispozicion të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë përdorimin politik nga autoritetet serbe të ngjarjes së ndodhur në stadiumin e Beogradit në nëntor të vitit 2015, si dhe sjelljes çnjerëzore të tifozëve dhe personelit serb të stadiumit ndaj ekipit kombëtar shqiptar, me qëllim provueshmërinë e rrezikut real që i kanoset shtetasit Ismail Morina për shkak të shtetësisë së tij shqiptare në rast ekstradimi në Serbi.
Gjithashtu po sot, z. Bardhi i ka njoftuar Ministrisë së Punëve të Jashtme shkresën që i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë, duke kërkuar nga MPJ që të vlerësohet mundësia për ndjekjen e rrugëve të tjera diplomatike, apo marrjes së kontaktit me autoritete të tjera shtetërore të Republikës së Kroacisë, për të mundësuar mos miratimin nga autoritetet kompetente kroate të kërkesës së Serbisë për ekstradimin e shtetasit shqiptar Ismail Morina, si dhe pranimin nga ana e ministrit të Drejtësisë së Republikës së Kroacisë të kërkesës së ministrit të Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë për mos ekstradimin e tij.
Ministria e Drejtësisë shpreh të gjithë angazhimin e saj institucional në mbrojtjen e të drejtave të shtetasit shqiptar Ismail Morina dhe ndjekjes së të gjitha rrugëve ligjore dhe institucionale për të penguar ekstradimin e tij në Serbi, jashtë kushteve të lejuara nga konventat ndërkombëtare në këtë fushë.

Demiraj takim me ambasadoren kroate për Ballsitin

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, është angazhuar intensivisht në çështjen e ekstradimit të Ballist Morinës nga autoritetet kroate drejt Serbisë.
Vendimi i Gjykatës kroate u bë i ditur një ditë më parë, ndërsa ministri teknik ka zhvilluar menjëherë një takim me ambasadoren e Kroacisë në Tiranë, Sanja Bujas-Juraga, të cilën e ka informuar në detaje për çështjen.
“Lidhur me çështjen e arrestimit për efekte ekstradimi të shtetasit shqiptar Ismail Morina, ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj, që një muaj më parë sapo është njohur me ndalimin e tij, ka marrë menjëherë kontakt me ambasadoren kroate në Tiranë znj. Sanja Bujas-Juraga, të cilën e ka informuar në detaje për çështjen në fjalë.
Vetë ministri Demiraj dhe familjarët e zotit Morina, ka vënë në dispozicion të autoriteteve kroate dokumentacionin që dëshmon përdorimin politik të kësaj çështje.
Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj po vijon me intensitet përpjekjet për zgjidhjen në rrugë ligjore të kësaj çështje, duke kërkuar nga autoritetet kroate që çështja të gjykohet drejt”, thuhet në një reagim të Ministrisë së  Punëve të Brendshme.

Fajde dhe pastrim parash, si po funksionon ekonomia

Blerina HOXHA

A. Mehmeti, një konsulent në sektorin e biznesit, muajin e kaluar siguroi një hua prej rreth 100 milionë lekësh në tregun e zi. Pas disa muaj përpjekjesh në banka, ai dështoi të siguronte kredinë për projektin e tij në sektorin e kromit, pasi nuk kishte kolateral. Bankat në vendin tonë ende nuk janë në stadin që të financojnë projekte, nëse ato nuk janë të mbështetura me pasuri të patundshme, edhe nëse i kanë të ardhurat e sigurta, tha Mehmeti. Ai i njeh mirë koniunkturat në tregjet ndërkombëtare, të cilat vitin e fundit kanë reflektuar një rritje të çmimeve të mineraleve, kryesisht kromit. Projeksionet janë me rritje të shpejtë edhe në vitin në vijim, prandaj me një grup investitorësh, ai u investua në nxjerrjen e kromit në zonën e Bulqizës. Sasitë e para janë planifikuar të shiten në vjeshtë, teksa është siguruar tregu dhe transporti.
Mirëpo duheshin financime për shpenzimet operative, të cilat aksionerët nuk i kishin. Në këto kushte, kur bankat refuzuan financimin në formën e një overdrafti qarkullues, Mehmeti iu drejtua tregut të zi, prej ku siguroi pjesën e tij të financimit. Huaja është marrë kundrejt interesit 2% në muaj, interesi vjetor llogaritet 24% ose gati 18 pikë përqindje më shumë se mesatarja e interesit të kredive që bankat dhanë për biznesin këtë vit.
Por për zotin Mehmeti, koha ka shumë rëndësi, pasi nxjerrja e kromit është e favorshme në këtë periudhë, teksa fitimin e ka të garantuar referuar pritjeve të çmimeve në bursa. Ai ka pohuar se edhe herë të tjera ka përdorur tregun e zi për financime të nevojave të shpejta. Nuk ka burokraci dhe vepron shpejt, por duhen për projekte me fizibilitet të lartë, pohon ai, duke shtuar se interesat në tregun e zi janë më të ulëta këtë vit. Në vitet 2014, huatë në tregun informal ishin edhe 60% në një vit, tani janë 24-35% për shumat e mëdha.
Një treg intensiv huaje paralel me bankat është zhvilluar me shpejtësi vitet e fundit. Politika shtrënguese bankare për kreditë dhe interesat minimale të depozitave (në maj ishin mesatarisht 1%) nga njëra anë dhe likuiditeti i bollshëm nga burimet e ekonomisë informale kanë sjellë mbifurnizim monetar të tregut jobankar, kryesisht me valutë. Fenomeni po vërtetohet me zhvillimet në tregun e këmbimit, ku euro në tregun vendas është nënçmuar me 6 lekë në harkun e një viti, teksa euro në tregun ndërkombëtar në harkun e një viti ka arritur kuotat më të larta të vitit, duke u këmbyer së fundmi me 1.15 USD.

Konfirmimi nga Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë ka lajmëruar disa herë vitin e fundit nëpërmjet raporteve të politikës monetare se, tregu ka mbingopje me valutë, por së fundmi bankat tregtare shprehën shqetësimin në një pyetësor të posaçëm të Bankës Qendrore se, tregu informal i huasë ka ndikuar në uljen e kërkesës së bizneseve në kredi në banka. Burimet brenda sektorit bankar pohojnë se sektorët e ndërtimit dhe ata të industrisë së rëndë minerare, po financohen më së shumti nga tregu informal.
Tregu informal (fajdet) sidomos në pjesën e parë të këtij viti po plotëson kërkesën e bizneseve për financim.
Banka e Shqipërisë në publikimin për vrojtimin e aktivitetit kredituese për tremujorin e dytë të këtij viti, si një nga faktorët që kanë ndikuar kërkesën përmend faktin se, “Bankat raportojnë se kërkesa për kredi nga ana e bizneseve është mbështetur nga nevoja për financimin e kapitalit qarkullues dhe e investimeve, si dhe nga kushtet e favorshme të kreditimit. Kërkesa më e ulët për kredi është perceptuar nga bankat si pasojë e përdorimit të burimeve alternative të financimit jashtë sistemit bankar”.
E njëjta tendencë është konstatuar edhe për individët. “Ndërkohë, ekspertët bankarë raportojnë se prania e burimeve alternative dhe besimi konsumator kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të individëve”, thuhet në vrojtim.
Sipas grafikëve që publikon bankat, tek individët kjo dukuri është vënë re përgjatë tri tremujorëve të kaluar (duke filluar nga shtatori 2016).
Për bizneset, ndikimi i burimeve alternative të financimit është konstatuar gjatë dy tremujorëve të fundit, pra që nga fillimi i këtij viti.

Huaja informale nuk kalon më nga noteri

Kontratat e huasë nga noterët, që tregojnë trendin e financimit jobankar, nuk janë me rritje këtë vit. Artan Treska, kryetar i Dhomës së Noterëve në Tiranë, tha se kontratat e huave nuk kanë pësuar rritje këtë vit, në raport me vitin 2015, kur fenomeni i huadhënies te noterët arriti kulmin. Treska tha se, tregu i fajdeve i ka shmangur noterët së fundmi për shkak se, kontrata e huasë nuk ka qenë shumë efektive, pasi në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishte kolateral. Për rrjedhojë, ekzekutimi i tyre në gjykatë në rast të mosshlyrjes së detyrimit në kohë nuk rezultoi efektiv, pasi në themel të kontratës ishte vetëm norma e interesit dhe jo pasuritë e paluajtshme.
Një noter tjetër i pohoi “Monitor” në kushtet e anonimatit se fajdet janë në lulëzim, por nuk kalojnë nga noterët. Së pari, tha ai, ka një stepje, për shkak se noterët janë objekt i deklarimit tek Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Çdo kontratë huaje duhet të raportohet në DPPP, ndryshe ne rrezikojmë penalitete, shpjegoi noteri. Ai shtoi më tej se, po funksionojnë grupe të strukturuara të fajdeve që japin paratë e aktiviteteve të paligjshme si hua për biznese dhe persona në nevojë. Më tej, noteri shpjegoi se në vend të kontratave të huasë, poseduesit e parave të lira jashtë bankave shpesh po përdorin disa rregulla kanunore për të dhënë e për të marrë borxhin, ndërkohë që kanë struktura për arkëtimin me forcë të tyre.

Fajdet, financime me miliona euro

Nuk të duhen më shumë se dy orë që në mes të Tiranës, në zonat më të frekuentuara, nga 9-katëshet deri në ish-Bllok, të gjesh financim nga fajdet. Mjafton të gjesh një biznesmen me përvojë, që nevoja e ka çuar shpesh të gjejë hua qarkulluese në tregun e zi. Ata kanë kontaktet, i njohin njerëzit dhe për persona të besueshëm, mund të gjejnë financime që i kalojnë të 3 milionë eurot. Personat që i japin nuk kërkojnë ndërmjetësim ligjor, por kanë mjetet e tyre, kryesisht ato të ushtrimit të forcës për arkëtimin e borxhit në afat, me gjithë interesa.
Kontratat e huasë jashtë bankave përgjithësisht janë për shuma jo dhe aq të mëdha dhe me afate të shkurtra 3 muaj deri në një vit. Për një borxh 10 mijë euro, për tre muaj, kërkohen 13 mijë euro. Nëse shuma nuk kthehet në kohë, fillon një penalitet ditor që shkon mbi 50 euro në ditë. Burimet e financimit që ushqejnë huanë jashtë bankave janë prurje nga emigrantët dhe kursime individësh dhe paratë që vijnë nga aktivitete jo të ligjshme, tregojnë bizneset ndërmjetësues.

Ndërtimi, si po financohet nga tregu i zi

Sektori i ndërtimit, prej dy vitesh është futur në një trajektore rritëse, duke kulmuar këtë vit me bum objektesh të reja në kryeqytet dhe në zonat bregdetare. Komplekse po ndërtohen anekënd Tiranës, teksa katër kullat e para mbi 30 kate janë gati të fillojnë. Fluksi i ri i ndërtimeve ka përfshirë edhe bregdetin dhe ajo pak hapësirë e mbetur bosh në brigjet e Adriatikut në plazhet popullore të Durrësit, Shëngjinit dhe Velipojës po mbushet me shpejtësi. Instituti i Statistikave konfirmoi se sektori i ndërtimit u rrit me mbi 14.06% në tremujorin e parë, zgjerimi më i madh që nga 2010, duke përjashtuar tremujorin e dytë të vitit 2015, kur u zhvilluan zgjedhjet lokale. Por rikthimi i bujshëm i ndërtimeve vjen me një veçanti këtë herë. Ndërtimet e reja nuk po financohen me kredi.
Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se shtesa e stokut të kredisë për sektorin e ndërtimit në Tiranë, për tremujorin e parë të 2017-s, është vetëm 3.2 milionë euro, teksa vlera e ndërtimeve në kryeqytet po në këtë periudhë, sipas taksave të paguara për lejet e ndërtimit, i ka kaluar të 120 milionë eurot. Ndërsa në qytetet e Vlorës, Durrësit, Shkodrës dhe Elbasanit, kredia për sektorin e ndërtimit shënoi rënie në tremujorin e parë, në kontradiktë me ndërtimet e reja në zona.
Kjo praktikë po shkon përkundër zhvillimeve të parakrizës së vitit 2008, kur sektori financohej nga kredia. Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se në vitet 2017-2008, kredia në sektorin e biznesit për ndërtimin shënoi një rritje vjetore më shumë se 50% në vit. Pikërisht nga kreditimi i lartë që pësoi sektori i ndërtimit, rënia e mëvonshme krijoi problematikë në banka, pasi pjesa më e madhe e kredisë së keqe ishte pikërisht nga kompanitë e ndërtimit. Lidhur me sektorët kryesorë të ekonomisë, sektori i ndërtimit ka shënuar ritmin më të shpejtë të rritjes së kredive me probleme, duke arritur në 29.6% në qershor të vitit 2012, nga 7.6% në fund të vitit 2008.
Gjatë vitit të kaluar, 455 leje për të ndërtuar u dhanë në të gjithë vendin, me një rritje 167% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në tremujorin e parë të 2017-s janë dhënë edhe 101 leje të tjera. Burimet nga Banka e Shqipërisë pohojnë se sektori i ndërtimit nuk po financohet me kredi bankare. Në këndvështrimin e sektorit bankar, kjo mund të shihet edhe si një zhvillim pozitiv, pasi flluska e dytë që mund të përfshijë sektorin nuk do të prekë bankat. Sektori i ndërtimit, bashkë me biznesin e lojërave të fatit, historikisht janë etiketuar si lavatriçja e pastrimit të parave të pista. Ndërtimi shihet si sektori me kthimin më të shpejtë të investimit dhe një metode shumë efikase për pastrimin e parë. Ndërtuesit me përvojë e shpjegojnë skemën në këtë mënyrë. Poseduesit e parave të paligjshme bëhen bashkaksionerë me ndërtues që kanë përvojë në sektor, por nuk kanë likuiditete të mjaftueshme. Në këtë mënyrë, ata investojnë dhe pastrojnë paratë e pista në të njëjtën kohë.

Fajdet po financojnë industrinë minerare

Minierat janë zgjuar sërish këtë vit, pas një pauze më shumë se trevjeçare nga rënia e çmimeve në tregun ndërkombëtar. Eksportet e mineraleve arritën 6.8 miliardë lekë në gjashtëmujorin e parë, me një rritje gati 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të INSTAT. Banka Botërore nëpërmjet indeksit kryesor të mallrave, ka referuar se çmimet e mineraleve kanë shënuar rritje me 10% në tremujorin e parë të vitit 2017, teksa rritja vjetore e tyre pritet të jetë 16%. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, industria e mineraleve, e cila preku falimentin vitin e kaluar, po ringjallet. Mirëpo riinvestimet në galeri nuk po financohen nga bankat. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia për sektorin e industrisë pati rritje modeste në Tiranë.
Stoku i industrisë nxjerrëse u rrit me vetëm 2.1 milionë euro në tremujorin e parë, ndërsa në shumicën e qarqeve, financimi i bankave për industrinë nxjerrëse ishte me rënie. Nga ana tjetër, kompanitë rinisën investimet në një vit të vështirë për to. Shumica e operatorëve kishin mbyllur aktivitetin sipas të dhënave nga Ministria e Industrisë. Duke qenë se kjo periudhë është e favorshme për kryerjen dhe nxjerrjen e mineraleve nga galeritë për shkak të motit favorizues, sipas burimeve nga tregu, shumica e kompanive kanë gjetur financime nga tregu i zi. Financimet janë marrë për një periudhë 6-mujore kundrejt interesave që variojnë nga 2-3% në muaj, pasi kromi i pritet të shitet gjatë muajve shtator–tetor.
Çmimet e metaleve u rritën me 10% në rang global në janar-mars 2017. Kjo është rritja e katërt tremujore radhazi. Çmimet u nxitën nga kërkesa e fortë, për shkak të investimeve në infrastrukturën e Kinës. Në përgjithësi, furnizimet globale do të zgjerohen këtë vit, si rezultat i investimeve të mëparshme në sektor. Banka Botërore ka konfirmuar se shpenzimet kapitale në kompanitë minerare pritet të rriten për herë të parë këtë vit që nga viti 2012.

Hashashi, furnitori i tregut të fajdeve

Tregtarët e valutës me përvojë gati 20-vjeçare në tregun afër Bankës së Shqipërisë janë duke përjetuar një periudhë lulëzimi në aktivitetin e tyre. “Ka shumë valutë këtë vit. Disa shokë të mi hapën agjenci këmbimi. Kemi punuar sivjet, nuk qahemi”, thotë një nga tregtarët më me përvojë në tregun e zi të kambizmit pranë Bankës së Shqipërisë, pa dhënë shumë detaje për personat dhe shumat që këmbejnë. “E sheh atë agjencinë aty. Është e re. Ka shumë punë, nuk mbyllet as ditën e diel”, tregon tregtari me gisht për një zyrë këmbimi ngjitur me të.
Monedha kombëtare Leku, pati një forcim të pazakontë këtë vit në tregun e këmbimit, duke u mbiçmuar me 6 pikë në harkun e një viti me euron, ndërkohë që zhvillimet në tregun ndërkombëtar të valutës europiane nuk i justifikojnë këto zhvillime.
Burimet zyrtare të financimit të ekonomisë gjithashtu nuk qenë në atë masë që të forcojnë lekun në pozitat e sivjetshme.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, deficiti i llogarisë korrente në tremujorin e parë të 2017-s shënoi 179 milionë euro, rreth 20% më i ulët krahasuar me një vit më parë. Tendenca për ngushtimin e deficitit korrent vijoi edhe këtë tremujor, ndikuar kryesisht nga zgjerimi i ndjeshëm në suficitin e llogarisë së shërbimeve. Ky zhvillim u mbështet nga flukse të larta hyrëse në zërin “shërbime të tjera biznesi”, si dhe në atë “shërbime transporti”. Përmirësimi i deficitit korrent i atribuohet edhe një zgjerimi më të ngadaltë të deficitit tregtar në mallra, si efekt i rritjes më të shpejtë vjetore në eksporte (prej 45%) kundrejt asaj në importe (prej 9%).
Ekspertë të këmbimeve valutore pohojnë se këtë vit, tregtimi i kanabisit ka qenë një furnitor i madh për tregun e këmbimit. Sipas statistikave ndërkombëtare, krimi dhe trafiqet zbulohen në masën 10% të tregut real që disponohet. Në Shqipëri, deri më tani, janë kapur me qindra tonelata kanabis, por një pjesë më e madhe se ajo që është kapur ka arritur të tregtohet dhe më pas të futet si valutë në tregun vendas.

Rritet paraja jashtë bankave më 2017

Teksa oferta monetare nuk është se ka shënuar rritje më 2017, fenomeni i rritjes së parasë jashtë bankave është rikthyer sërish. Krahas burimeve të paligjshme të financimit në valutë, rritja e parasë jashtë bankave ka krijuar likuiditet të bollshëm jashtë kanaleve bankare. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë bankave u rrit me 8.8% në janar-maj 2016, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në maj 2017, paraja jashtë kanaleve bankare u rrit me mbi 20 miliardë lekë ose rreth 150 milionë euro në krahasim me majin 2016.
Qarkullimi i parave jashtë bankave është nxitur vitet e fundit edhe nga politika lehtësuese që ka ndjekur Banka e Shqipërisë. Ulja e normës bazë të interesit në 1.25% është reflektuar në uljen e interesave të depozitave në lekë. Nëse indeksojmë interesin e depozitave në banka me inflacionin e muajit, interesi real është në negativ me -1%.
Ka një lidhje empirike ndërmjet rritjes së parasë që qarkullon jashtë bankave dhe fenomenit të fajdeve. Edhe në vitin 2015, kur financimet me kontrata huaje nga noterët u rritën jashtë normales, pati një rritje jo të zakontë të qarkullimit të parasë jashtë kanaleve bankave.
Fajdet po nxiten edhe për shkak të shtrëngimit të kushteve të kreditimit nga bankat. Në një vrojtim që ka bërë Banka e Shqipërisë vitin e kaluar, në kushtet e financimit të biznesit, gjeti se procesi i huamarrjes nga bankat vlerësohet midis nivelit “normal” dhe “i vështirë” nga të gjitha ndërmarrjet. Mundësia e huamarrjes së re për gjashtëmujorin e parë vlerësohet përgjithësisht “pak e mundshme”.
Rritja e financimit në ekonomi, përmes burimeve alternative është konfirmuar dhe nga Banka e Shqipërisë në raportet tremujore të standardeve të kredidhënies. Në një prej tyre, BSH pohon se, “faktorët kryesorë që kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të bizneseve është përdorimi i burimeve alternative të financimit”. Me këtë pohim, Banka e Shqipërisë është në dijeni të një fenomeni në rritje të kredisë jashtë kanaleve bankare. Banka ka lënë të kuptojë se financimet jashtë sistemit janë aq të larta sa kanë ndikuar në uljen e kërkesës për kredi në banka. Nga të dhënat e vrojtimit të aktivitetit kreditues është raportuar vazhdimisht që kushtet e kreditimit janë shtrënguar. Kjo do të thotë se, vlera e kolateralit që kërkohet është më e lartë. Kjo sjellje e bankave me prirje shtrënguese e ka çuar tregun informal të kredisë në zhvillime më të shpejta, sidomos në gjashtëmujorin e fundit.

Skema, si pastrohen paratë e pista me fajde në ndërtim

Në moshë të re (29 vjeç), shtetasi shqiptar “A”, në dhjetor të vitit 2015, rezultoi fitues i një ankandi për blerjen e një apartamenti në shumën 350 000 euro. Rasti është zbuluar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, që ka ndërtuar dhe skemën. Duke marrë në konsideratë shumën e lartë të investuar dhe moshën e re të këtij shtetasi, DPPP ka kryer verifikime të mëtejshme, nga të cilat rezultoi se, pak ditë para fitimit të ankandit, ky shtetas ka lidhur një kontratë për marrje huaje, me një afat kthimi dymujor, nga shtetasi “R” (mosha 28 vjeç), në të njëjtën shumë të cilën ka paguar për apartamentin e blerë nëpërmjet ankandit (350 000 euro).
Garanci për shumën e marrë hua është vendosur apartamenti i fituar në ankand. Gjithashtu, rezultoi se shtetasi “R”, i cili i ka dhënë hua shtetasit “A”, ka lidhur një kontratë për marrje huaje në shumën 300 000 euro nga babai i tij, shtetasi “M”. Evidentohet se shuma totale, e cila është përdorur për të blerë apartamentin nga shtetasi “A”, është dhënë hua nga shtetasi “R”, i cili pjesën më të madhe (300 000 EUR) e ka marrë hua nga babai i tij.
Nga verifikime të mëtejshme në lidhje me shtetasin “A” dhe familjarët e tij, rezultoi se vetëm në emër të shtetasit “A” është regjistruar një subjekt tregtar i tipit “person fizik”. Në lidhje me këtë subjekt, rezultoi se fitimet e deklaruara prej tij në organet tatimore janë në vlera të papërfillshme krahasuar me investimin e ndërmarrë.
Për sa më sipër, duke marrë në konsideratë dyshimet se shtetasi “A” ka blerë nëpërmjet ankandit një apartament në vlerë tepër të lartë. Shuma është marrë hua për një afat të shkurtër kthimi nga shtetasi “R”. Nga ana tjetër, shtetasi “R” e ka marrë hua shumën prej 300 000 eurosh nga babai i tij. Shtetasi “A” ka një biznes në emër të tij me fitime vjetore në vlera të papërfillshme, të cilat nuk mundësojnë shlyerjen e huasë së marrë. Ky është një rast tipik se burimet e paligjshme të parave përdoren duke u pastruar në tregun e pasurive të paluajtshme.

Rritet blerja e pasurive me fonde të panjohura

Tre vitet e fundit është rritur dukshëm numri i pasurive të paluajtshme që po financohen nga burime të panjohura. Vetëm gjatë viteve 2015-2016 janë mbi 700 blerje në banesa e toka, të cilat e kanë të panjohur burimin e financimit sipas analizës që ka bërë DPPP. Sipas të dhënave zyrtare, rastet janë shtuar dukshëm, duke marrë në konsideratë se në vitin 2013 ishin evidentuar vetëm 29 blerje pasurish me burime të panjohura. Zakonisht rastet raportohen se kanë marrë financime në formën e huave jobankare, por burimi i tyre është i dyshimtë. Rastet janë referuar në Prokurori. Statistikat në Shqipëri kanë të dhëna të vakëta në lidhje me zbulimin e korrupsionit nëpërmjet hetimit të pasurisë, teksa kjo praktikë në vendet e zhvilluara është elementi kryesor që çon në zbulimin e burimeve të paligjshme të financimit të ekonomisë.

Rriten blerjet me cash dhe këmbimet me vlera të larta

Blerjet cash dhe këmbimet me vlera të larta kanë shënuar rritje domethënëse në “sytë” e agjencive të monitorimit të këtyre fenomeneve.
Në vitin 2016, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka gjetur 143 blerje të mëdha në cash. Rastet e gjetura shënuan rritje me 36% në krahasim me një vit më parë. Numri i transaksioneve cash në valutë është rritur, por gjithashtu edhe vlera e tyre. DPP ka referuar se rastet e këmbimit me vlera të mëdha janë rritur. Në vitin 2016 u evidentuan 16 raste këmbimi me vlera të mëdha valute, teksa në vitin 2013, nuk ishte gjetur asnjë rast i tillë. Gjatë 2015-2016 janë hapur 72 zyra të reja të këmbimit valutor. Ky ishte një ritëm jo i zakontë rritjeje në krahasim me periudhën 2009-2013.
Banka e Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar, pati në fokus monitorimin e aktivitetit të zyrave të këmbimit valutor. Në përfundim të monitorimeve njoftoi se ka gjetur mospajtueshmëri me kërkesat ligjore në lidhje me identifikimin dhe verifikimin e klientit në disa raste dhe në disa të tjera, mosmbajtje e një sistemi të centralizuar për identifikimin e anomalive. Është vërejtur gjithashtu mungesë raportimi në Drejtorinë e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave, të transaksioneve në para fizike në pragun e raportimit.

Rasti, si u pastruan paratë e kanabisit në biznes

Rrjetet e trafikut kanë krijuar skemat e pastrimit të parave nëpërmjet bizneseve. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka zbuluar një rast të tillë dhe ka ndërtuar edhe skemën se si ka funksionuar.
Shoqëria “A”, në llogaritë e saj në një nga bankat tregtare në vendin tonë, rezulton se ka kryer transaksione në vlera të larta të tipit tërheqje CASH, me justifikimin për shlyerjen e detyrimeve që kjo kishte ndaj furnitorëve të saj. Nga verifikimet e kryera në të gjitha bankat e nivelit të dytë, në lidhje me këtë shoqëri, rezultoi se në bankat 1 dhe 2, shoqëria “A” kishte kryer një sërë transaksionesh në funksion të aktivitetit që prej krijimit të saj prej afro 10 vjetësh dhe në vijim; ndërsa në bankat 3, 4 dhe 5, shoqëria “A” kishte kryer vetëm nga 4-5 transaksione dhe më pas, llogaritë ishin në statusin “e fjetur”. Natyra e transaksioneve dhe anomalitë e konstatuara ishin të së njëjtës natyrë, madje veprimet në banka ishin kryer njëra pas tjetrës, për shembull, si vijon: Në bankën numër 1. – Për një periudhë 2-mujore, gjatë vitit 2015, shoqëria “A” ka përfituar tri transferta, në vlera deri në 15 000 000 lekë për likuidim faturash nga dy shoqëri të tjera (B dhe C). – Shumat e përfituara nëpërmjet transfertave janë tërhequr menjëherë CASH me arsyetimin: “likuidim të furnitorëve”.
Në bankën numër 2. – Për një periudhë 2-mujore, gjatë vitit 2016 shoqëria “A”, ka përfituar dy transferta në vlerën totale prej 150 000 eurosh, për likuidim faturash nga dy shoqëri të tjera (D dhe E). – Shumat e përfituara nëpërmjet transfertave janë tërhequr menjëherë CASH, me arsyetimin e likuidimit të furnitorëve. Në bankën numër 3. – Në mars të vitit 2016 ka përfituar dy transferta, në vlerat totale prej 23 000 000 lekësh për likuidim faturash nga dy shoqëri të tjera (M dhe N). – Edhe në këtë rast, shumat janë tërhequr në CASH me arsyetimin e likuidimit të furnitorëve. Nga verifikimet e kryera në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezultoi se: – Struktura aksionere e shoqërisë “A” kishte ndryshuar disa herë që nga krijimi i saj. Ortaku themelues i shoqërisë dhe pronari i vërtetë përfitues i saj është shtetasi “X”, i cili rezulton të ketë shitur kuotat disa herë te persona me lidhje të ngushta familjare me të. Së fundmi, shoqëria “A” kishte ortak të vetëm një të afërm të ngushtë të shtetasit “X”. – Gjithashtu, shtetasi “X” rezulton i përfshirë edhe në disa biznese të tjera në fushën e ndërtimit.
Nga verifikime të tjera, të kryera për shtetasin “X”, rezultoi se ai, 7 vjet më parë, ishte arrestuar dhe dënuar për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Për sa më sipër, duke marrë në konsideratë dyshimet se janë hapur llogari bankare në disa banka tregtare njëra pas tjetrës dhe rezulton të jenë kryer vetëm 2-3 transferta hyrëse në vlera të larta, të cilat më pas janë tërhequr menjëherë në Cash. Arsyetimet për tërheqjet në Cash janë për shlyerje të furnitorëve, ndërkohë që sipas legjislacionit tatimor, likuidimi i faturave për më shumë se 150 000 lekë është penalizues. Ndryshimi i ortakërisë së biznesit, duke përfshirë të afërm të tij të ngushtë, ndërkohë që vetë shtetasi “X” rezulton me precedencë penale për trafikim të lëndëve narkotike. Rasti është referuar në organet e zbatimit të ligjit.

“Monitor”

Klopp nuk dorëzohet për Naby Keita

Jurgen Klopp s’duket se është dorëzuar për blerjen e Naby Keita. Trajneri i Liverpoolit ka pranuar se Leipzig ka refuzuar vazhdimisht ofertat e “The Reds” për futbollistin nga Guinea, përfshi dhe një shumë prej 70 milionë paundsh dhe me shumë gjasa transferimi i Keita-s në “Anfield Road” është i pamundur, pavarësisht se vetë futbollisti e dëshiron diçka të tillë.
Arsenal interesohet për Jean-Michel Seri. Mesfushori i Nice është vendosur në qendër të vëmendjes nga ana e “Topçinjve” të Londrës. Futbollisti nga Bregu i Fildishtë ka një klauzolë, e cila kap shifrat e 40 milionë eurove. Seri përgjatë këtij sezoni me fanellën e Nice regjistroi 39 takime të luajtura, nga ku ka arritur të realizojë 7 gola, si dhe shërbyer 9 asist. Në ditët në vazhdim pritet të ketë dhe një takim mes palëve.
Ros Barckley do të largohet nga Everton. Lajmin e jep vetë trajneri i skuadrës së Everton, Ronald Koeman, i cili ka deklaruar se është vetë futbollisti, ai që ia ka konfirmuar një gjë të tillë, në fundin e sezonit dhe se i ka thënë që dëshira e tij është të nisë një aventurë të re tek ndonjë skuadër tjetër. Divorci nuk duket larg, pasi Barckley ka refuzuar dhe rinovimin e kontratës me Everton.
Paul Pogba premton një sezon fantastik me fanellën e Man.United. Mesfushori i Djajve të Kuq është shprehur i bindur se United këtë sezon i ka të gjitha mundësitë për të fituar në të gjitha kompeticionet ku ata marrin pjesë. Rikthimi në Champions, sipas Pogba është një fakt që tregon se skuadra është përmirësuar ndjeshëm.
Premier League
Manchester City nuk ka nevojë për të tjerë sulmues. Një gjë të tillë e konfirmon vetë tekniku i Citizens, Pep Guardiola, i cili në një intervistë të dhënë ka mohuar zërat për një interesim të klubit anglez, për njërin mes Alexis Sanchez dhe Kylian Mbappe. Më tej 46-vjeçari deklaroi se është i kënaqur me transferimet e realizuara deri më tani nga ana e drejtuesve të skuadrës.

Sos durimi te Barça

Sherr me Semedon në stërvitje, ndërkohë që në Francë e japin akordin me Paris Saint-Germain si punë të kryer, të gjitha indikacionet duket se e çojnë Neymar larg Barcelonës. Braziliani vazhdon të heshtë, madje nuk foli mbi spekulimet rreth transferimit të tij të bujshëm as pas një shfaqjeje të shkurtër që bëri në Miami në një event të sponsorit Nike, ndërkohë që te Barcelona në prag të ndeshjes me Realin e Madridit të vlefshme për Internatinal Champions Cup shokët e tij të skuadrës, dy lojtarë simbol si Iniesta dhe Suarez kërkuan që vetë braziliani të shprehet në lidhje me atë që konsiderohet si transferimi më i bujshëm i kësaj vere.
“Neymar duhet t’i bëjë gjërat të qarta sa më shpejt, për të mirën e tij dhe të skuadrës, deklaroi Andres Iniesta duke shtuar, për ne do të ishte diçka e shkëlqyer nëse do të qëndronte, është shumë i fortë dhe nëse do të jetë me ne do të na gëzojë shumë më tepër se 200 milionë euro, por zgjedhja është personale dhe gjëja më e mirë është që Neymar të shprehet”.
Në të njëjtën valë mendimi u shfaq edhe sulmuesi uruguaian, “El Pistolero” Suarez, që deklaroi: “Afeksioni ynë nuk i mungon dhe shpresojmë që të qëndrojë pasi është një ndër 3 futbollistët më të fortë në botë, por duhet të jemi të gatshëm t’i qëndrojmë pranë, si shokë, cilado qoftë zgjedhja e tij”.
I lodhur nga kjo situatë duket edhe presidenti Bartomeu, pasi në disa intervista gjatë këtyre javëve të fundit është shprehur se Neymar nuk do të largohet, tani e shfaq hapur pasigurinë e tij, duke i lëshuar një mesazh PSG edhe për çmimin. “Duam që Neymar të qëndrojë, por ekzistojnë klauzolat dhe nëse ai ka si synim të shkojë te PSG duhet të na paguajë deri në euron e fundit të 222 milionëve”, tha Bartomeu duke vijuar. Ende nuk kemi folur me të, por nëse largohet me paratë që do të marrim do të përforcojmë skuadrën”. Të gjitha deklarata që duket se paralajmërojnë largimin, sipas të gjitha gjasave, El Clasico i International Champions Cup, mund të jetë ndeshja e fundit e Neymar me fanellën e Barcelonës.
Situata e brazilianit Neymar te Barcelona tashmë ka dalë plotësisht jashtë kontrollit. E përditshmja britanike “Daily Mail” ka siguruar disa pamje të stërvitjeve të katalanasve në SHBA ku Neymar përfshihet në një zënkë me shokun e skuadrës, Semedo dhe pastaj braktis stërvitjen.
Braziliani ishte i pakënaqur pas një dueli me mbrojtësin dhe u kacafyt me të, i ndarë vetëm nga shokët e skuadrës. Më pas, i nervozuar ai hoqi jelekun stërvitor që mbante veshur, e hodhi atë në tokë dhe braktisi stërvitjen, ndërsa trajneri Valverde shihte i çuditur atë që ndodhte pasi braziliani as nuk denjoi t’i merrte leje për një gjë të tillë.
Kaosi vazhdon me udhëtimin që Neymar ka planifikuar për një aktivitet marketingu në Kinë, ndërsa pjesa tjetër e ekipit do të kthehet në Spanjë. Sipas mediave spanjolle, aziatikët janë shumë pranë anulimit të këtij aktiviteti, pasi janë të pakënaqur me faktin se për momentin, ajo që u intereson njerëzve rreth brazilianit janë vetëm zërat e merkatos që e shohin atë drejt kalimit te PSG.
Sipas të përditshmes sportive katalane “Mundo Deportivo”, Neymar tashmë ka vendosur që t’i bashkohet Paris Saint-Germain dhe nuk ka kthim prapa. “Mundo Deportivo” ka bërë të ditur se, Neymar iu ka treguar bashkëlojtarëve të ngushtë se do të transferohet në Paris Saint-Germain.

Spalletti i mbyll derën United: Perisiç do të qëndrojë te Interi

Man.Utd duket se duhet të dorëzohet për blerjen e Ivan Perisiçit nga Interi. Pavarësisht interesimit të vazhdueshëm të Djajve të Kuq për futbollistin kroat, trajneri i zikaltërve Luciano Spalletti ka vendosur veton lidhur me shitjen e tij, duke theksuar se lojtari nuk do të largohet nga “San Siro” dhe duhet të mësohet me këtë fakt.
Napoli mendon për të gjetur zëvendësuesin e Pepe Reina dhe i përzgjedhuri për mediat italiane është pa diskutim Geronimo Rulli. Gjithsesi Real Sociedad që ka në pronësi futbollistin bëri të ditur nëpërmjet presidentit të klubit Jokin Aperribay, se nuk ka marrë asnjë ofertë zyrtare nga Napoli. Presidenti deklaroi se është vënë në dijeni nëpërmjet agjentit të portierit se Napoli interesohet për të, por askush nga klubi i De Laurentiis nuk i ka telefonuar.
Drejtori sportiv i Romës, Monchi ka thënë se kanë bërë ofertën e fundit për Riyad Mahrez dhe se janë duke menduar për opsione të tjera. Kjo do të jetë oferta e tretë e Romës për Mahrezin, teksa Leicester City ka refuzuar afër 40 milionë euro për 26-vjeçarin. “Nuk jemi duke punuar vetëm në një drejtim, për një lojtar. Mahrez është bërë publik, por ka edhe emra të tjerë që po monitorojmë”, tha Monchi.
“Kemi bërë dy oferta, e dyta ishte e drejtë. Mahrez është opsion, por jo i vetmi. Është e vërtetë se kjo mund të jetë oferta e fundit dhe jemi duke shikuar për opsione të tjera”, tha Monchi, duke bërë të ditur se kanë bërë ofertë të tretë për Mahrez.

Shehi: “Skënderbeu do ecë përpara”

Pavarësisht humbjes së pasur me rezultatin 2-1 ndaj Mlade Boleslav në fushën e kësaj të fundit, Orges Shehi shpreson te kalimi i Skënderbeut në turin e tretë. “Pavarësisht humbjes, skuadra jonë ka potenciale për ta përmbysur rezultatin e ndeshjes. Një gjë të tillë e bazoj te forca që ka skuadra”, shprehet një nga futbollistët më cilësorë jo vetëm të skuadrës korçare dhe i skuadrës kombëtare, Orges Shehi.
-Përshëndetje Orges, nga shtypi i ditës jemi informuar se pas ndeshjeve të kupës Europa League, do të tërhiqeni nga futbolli i luajtur….
Sigurisht që po. Çdo fillim e ka dhe një fund. Unë gjatë karrierës time sportive kam fituar shumë jo vetëm tituj kampionë, kupe apo superkupe, por dhe kam ndjerë kënaqësinë pasi kudo ku kam luajtur jam respektuar.
– Cili do të jetë Orges Shehi pas tërheqjes nga futbolli …?
Unë kam investuar shumë në sport dhe në të ardhmen do të jem pjesë e tij. Dhe pas lënies së futbollit do të jem pjesë e klubit Skënderbeu. Me këtë skuadër kam fituar shumë tituj kampionë dhe e ndjej detyrim moral që të jem pjesë e saj dhe në të ardhmen.
– Si ka qenë sipas jush Skënderbeu i sezonit që sapo përfundoi?
Duhet pranuar se ka qenë një sezon i shoqëruar me oshilacione. Duke qenë se vinim pas gjashtë titujsh kampion, natyrshëm pritshmëria ka qenë më e madhe. Oshilacionet erdhën pasi skuadra ndërroi tre trajnerë dhe kjo nuk është pak. Trajneri Agostineli nuk iu përshtat sa duhet skuadrës. Në fazën e fundit skuadra zhvilloi ndeshje të mira, duke qenë rival për titullin kampion deri në javën e fundit.
– Të enjten keni zhvilluar ndeshjen e parë për turin e tretë të Europa League ndaj Mllade Boleslav, a mendoni se ky ishte rezultati real i ndeshjes?
Absolutisht që jo. Duhet pranuar se skuadra nuk u shpreh sa duhet në fushën e lojës dhe kjo më tepër në pjesë e parë të ndeshjes. E thënë shkurt, skuadra në ndeshjen ndaj çekëve, paraqiti dy tablo loje: Një të parë me pak lëvizshmëri në fushën e lojës dhe një të dytë mjaft të mirë me një qarkullim të kënaqshëm të topit. Nuk mendoj se është defekt, por thjesht nuk po hynim në ritmin e lojës sonë.
– Duke qenë se tashmë keni krijuar një ide rreth kundërshtarit, jeni optimist se do t’i kaloni çekët e Mlade Boleslavit…?
Absolutisht se po. Jam optimist se skuadra do të hyjë në ndeshjen e dytë shumë më ndryshe nga ndeshja e parë. Jo vetëm që do të jemi më të motivuar, por do të kemi dhe përkrahjen e sportdashësve tanë të mrekullueshëm dhe kjo nuk është pak për një skuadër që kërkon suksesin.
– Me kontigjentin që ka skuadra mendoni se do i arrini ndeshjet në grupe të Europa League?
Në futboll ka një thënie se, ndeshjet duhet të merren një e nga një. Me këtë dua të them që në radhë të parë duhet të kalojmë ndeshjen e radhës që e kemi ndaj Mlade Boleslav. Dihet se nga turi në tur ndeshjet sa vijnë e vërshtirësohen, por kontigjenti që ka skuadra ka eksperiencën e duhur për të përballuar me sukses çdo kundërshtar.
– A mendoni se skuadra juaj në kampionatin e ri do të jetë me profilin e kampionit?
Klubi ynë objektivat i ndërton me filozofinë e fitimin e trofeve. Si me mua ashtu dhe pa mua, skuadra do të hyjë në garë për të fituar trofetë. Ky është objektivi kryesor i skuadrës në çdo sezon futbollistik.
– Një vlerësim për skuadrat shqiptare në kupat e Europës ….
Për Kukësin më erdhi shumë keq. Pavarësisht se u eliminua skuadra kuksiane zhvilloi ndeshje të kënaqshme. Kjo është çështje fati. Ju faleminderit.
Bisedoi:
Nderim Goci

Paditen protestuesit, Basha e dënon

Kryetari i opozitës ka denoncuar padinë në Prokurori ndaj protestuesve që kundërshtuan rritjen e çmimit të ujit. Basha deklaron se kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të ngjallur frikë nga njeriu që duhet të ishte nën akuzë për vrasjen e Ardit Gjoklajt.
“Edi Rama dhe veglat e tij në krye të Bashkisë Tiranë kanë kërkuar procedim penal kundër qytetarëve që ngritën zërin para Bashkisë, ndërsa ata ngritën në mënyrë kriminale çmimin e ujit. Rama e di që ka vetëm një mënyrë për të plaçkitur dhe për të dhunuar një vend: shuarja e çdo zëri kritik dhe persekutimi i çdo kujt që guxon të shprehet dhe veprojë kundër. Prandaj, ai po përdor kundër qytetarëve kryeveglën e tij në Tiranë, i cili vetë akoma nuk ka dhënë llogari në Prokurori për vrasjen e Ardit Gjoklajt dhe shfrytëzimin skllavëror të fëmijëve për të mbushur xhepat e tij dhe klientëve të tij. Është përpjekje e dëshpëruar e njerëzve të zhytur në të keqe për të ngjallur frikë tek populli i tyre.
Dua t’u them qytetarëve se nuk duhet të tremben, sepse janë më të fortë se çdo regjim dhe çdo qeveri. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të ngrenë zërin dhe të reagojnë ndaj këtij veprimi burracak kundër njerëzve të lirë dhe të drejtave të tyre”, thotë Basha.

Kryebashkiaku dhe kryepolici i Krujës me plantacione droge

Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi dhe shefi i Komisariatit të Policisë së Krujës, kanë disa plantacione të mbjella me kanabis. Denoncimi është bërë nga një punonjës policie, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-kryeministrit Sali Berisha. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha ka denoncuar me foto dhe emra konkretë plantacionet e drogës dhe kanabisit kryebashkiakut dhe shefit të Policisë së Krujës. Berisha teksa ka publikuar të plotë mesazhin e një qytetari dixhital, zbulon edhe lejtnantët e Noriegës sipas tij, të cilat janë Artur dhe Ilir Bushi. Në këtë denoncim të Berishës akuzohet drejtpërdrejt edhe shefi i Policisë së Krujës.
“Këto janë plantacionet e reja të lejtnantëve të Noriegës! Qytetari dixhital denoncon me foto plantacionet e freskëta të kanabisit të lejtnantëve të Noriegës: Artur dhe Ilir Bushi dhe Shefit të Policisë së Krujës, Kolonel Kanabisit! Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e tij”, shkruan Berisha.
“Si jeni Doktor, uroj të jeni mirë familjarisht! Desha të denoncoj te kjo faqja juaj një farsë që po luhet në Krujë. Në lumin e Drojës mbrapa fabrikës së çimentos Thumanë, Artur dhe Ilir Bushi, vëllai i kryetarit të Bashkisë kanë mbjellë 700 rrënjë kanabis në bashkëpunim me shefin e Policisë të Krujës. Në Malësi të Krujës, në përroin e Arrateshit, Islam Xaka në bashkëpunim me shefin e policisë ka mbjellë 1000 rrënjë kanabis, ku nuk e kap helikopteri që vjen vërdallë kot e bën sikur patrullon. Unë jam një polic i ri në këtë komisariat dhe i bie që në qoftë se gjendet, ta marrim ne përgjegjësinë e këto trafikantë e shefat e mëdhenj të mos i gjejë gjë. Të lutem anonim se ato janë tepër të rrezikshëm e na hedhin në rrugë”, shkruan efektivi i policisë.

Si u zbulua punishtja e drogës së Bushit

Vitin e kaluar Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe SHISH zbuluan një punishte droge vetëm 100 metra larg rrugës nacionale, në fshatin Derven të Krujës që i përkiste klanit të Bushit. Në operacionin e organizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë më 18 tetor, policia gjeti në punishte kultivuesit që vijonin të qetë punën për përpunimin e kanabisit dhe përgatitjen e tij për shitje. Pas një aksioni të koordinuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Shërbimi Informativ u arrit kapja e kartelit të drogës, dhe u sekuestruan 1.3 tonë kanabis sativa, që ishte në proces tharjeje dhe do të përpunohej për t’u bërë gati për tregtim. Një video brenda magazinës së drogës tregonte qartë mënyrën sesi ishin përshtatur ambientet e punishtes për të realizuar proceset e ndryshme për tharjen dhe përgatitjen e drogës.
Sistem tharje, me tela, rrjeta dhe tenda, ishin vendosur në lartësi të ndryshme të punishtes, për të mundësuar përgatitjen e kanabisit. Gjatë aksionit, janë konstatuar dy ambiente që shërbenin për tharjen e lëndëve narkotike, një magazinë dhe një banesë e pabanuar. Në brendësi të tyre u gjetën bimë narkotike të thara, në proces tharje dhe një pjesë e përgatitur për shitje. Gjatë operacionit u arrestuan 11 persona si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Një nga të arrestuarit ishte një i afërm i kryebashkiakut të Krujës, të cilit Bushi i kishte besuar procesin e tharjes të drogës dhe përgatitjes për shitje. Ai ishte edhe organizatori i transportit dhe kishte garanci të plotë në këtë aktivitet nga Bushi dhe rrjeti i tij në Policinë e Fushë-Krujës dhe të Krujës, të cilën e kontrollon tërësisht.
Prokuroria kishte nisur hetimet që në korrik të vitit të kaluar pas informacioneve të dhëna nga agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror. Informacioni ka qenë i shoqëruar me fotografi konkrete të parcelave të mbjella me hashash dhe emrat e personave që merreshin me këtë aktivitet kriminal.

Shpërthen lokali në plazh, 4 të plagosur, 2 në rrezik për jetën

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi mëngjesin e djeshëm në një restorant në plazhin e Velipojës. Burimet nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 në kompleksin “Fishta” në Velipojë, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur rëndë 4 persona, dy prej të cilëve në rrezik për jetën. Turistët ishin në gjumë në momentin e shpërthimit dhe janë përfshirë nga paniku. Dëshmitarët tregojnë se ka patur shumë të lënduar nga flakët. Ata kanë ndërhyrë të parët për të ndihmuar personat që u goditën nga shpërthimi.
Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, vala e shpërthimit flaku shumë metra tej pronarin e restorantit në plazhin e Velipojës. Sipas policisë, 55-vjeçari Besnik Zenuni dhe djali i tij, Hektor Zenuni, 23 vjeç ndodhen në gjendje të rëndë për jetën. Po ashtu edhe një kalimtar u godit shumë keq nga vala e shpërthimit. Dëshmitarët thanë se, flaka doli nga kuzhina, ndërsa në lokal ndodheshin shumë pak persona. Tre klientë sapo largoheshin nga lokali dhe fatmirësisht shpëtuan, ndërsa vala e flakës goditi një 19-vjeçare që ndodhej pranë.
Dëshmitarët thanë se, flaka u ngjit shumë lart, duke përfshirë të gjitha ballkonet dhe dritaret e pallatit 5 katësh. Shumë persona ndodheshin brenda dhe janë lënduar nga flaka, ndërsa vetëm pas mbërritjes së policisë, ata janë nxjerrë jashtë.
Pjesa më e madhe janë turistë nga Kosova, të cilët nga zjarri humbën edhe dokumentet personale. “Sapo kemi dalë jashtë ka nisur shpërthimi. Në shpërthimin e dytë janë lënduar edhe njerëzit jashtë”, u shpreh një turist nga Kosova. “Shpërthimi i parë u shoqërua edhe me dy tre shpërthime të tjera, ndërsa më pas shpërtheu një flakë e madhe”, tha një tjetër pushues.
Dëshmitarët thanë se, në fillim kishin dëgjuar një zhurmë si një fërshëllimë të fortë, e më pas ndodhi shpërthimi me flakë. Administratori i Velipojës, Altin Kaçi theksoi se, janë evakuuar të gjithë banorët e pallatit pranë kompleksit. Inspektorët teknikë që panë vendin e ngjarjes thanë se asnjë nga bombulat nuk ka shpërthyer, por ka patur një rrjedhje gazi nga cisterna një mijë litërshe në bodrumin e restorantit, e më pas masa e madhe e gazit e mbledhur brenda në lokal është ndezur nga ndonjë shkëndijë. Të lënduarit u dërguan në Spitalin e Shkodrës, ndërsa dy pronarët babë e bir janë transportuar me helikopter për në Tiranë ku ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Në bodrum kishte çisternë 1 mijë litërshe me gaz

Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), ka reaguar pas shpërthimit të bombulës së gazit në një lokal në Velipojë. Sipas ISHTI, ka pasur rrjedhje gazi, gjë që shkaktoi edhe shpërthimin e bombulës e më pas përhapjen e flakëve. “Ka pasur rrjedhje të një depozite gazi në bodrumin e lokalit. Në bodrumin e lokalit ka pasur një çisternë 1 mijë litërshe me gaz për përdorim në kuzhinë. Inspektorët u futën në ambientet e lokalit. Shpërthimi ndodhi nga rrjedhja e gazit të çisternës. Bombulat e gazit nuk kanë shpërthyer, ato janë në rregull”, thotë Inspektoriati Teknik.
Nga shpërthimi në lokal mbetën të asfiksuar 4 persona, mes të cilëve pronari i lokalit Besnik Zenuni. Ai është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërkohë, dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar në Spitalin e Shkodrës.

Mjeku: Dy të plagosurit në gjendje kritike për jetën

Dy prej të plagosurve që ndodhen në QSUT në Tiranë janë në gjendje të rëndë për jetën. Këtë e konfirmon Shefi i Shërbimit të Djegie-Plastikës, Gjergji Belba, i cili duke folur për mediat theksoi se, pacientët kanë djegie të rënda në trup. “Deri tani në reanimacionin e spitalit tonë janë shtruar dy pacientë të djegur rëndë, me djegie pothuajse në të gjithë sipërfaqen trupore. Si pasojë e eksplozionit të asaj bombule gazi në restorantin e tyre, pacientët kanë pësuar djegie të rënda në trup dhe janë në gjendje kritike për jetën. Konsiderohet prognozë e rezervuar për jetën. Të plagosurit janë të vetëdijshëm, por nën efektin e qetësuesve. Jemi në momentet e para të vlerësimit të situatës, të ekzaminimeve laboratike, por njëkohësisht vazhdon edhe mjekimi intensiv për të dy pacientët”, tha mjeku Gjergji Belba.
Të plagosurit janë Besnik Zenuni 55 vjeç, pronari i lokalit ku ndodhi shpërthimi, dhe djali i tij Hektor Zenuni. Ata u transportuan me helikopter në Tiranë për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore. Nga shpërthimi i gazit në një lokal në Velipojë u lënduan edhe dhjetëra të tjerë, të cilët marrin mjekim në Spitalin e Shkodrës.

R.POLISI