31.5 C
Tirana
E martë, 19 Gusht, 2025

Gjykata kroate ekstradon ‘Ballist’ Morinën në Serbi

Gjykata e Shkallës së Parë të Dubrovnikut në Kroaci ka vendosur të ekstradojë në Serbi, Ismail Morinën, të njohur si “Ballist” Morina, i akuzuar për ngritjen e dronit me flamurin “Autochtonus” në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri në nëntor të vitit 2015. “Ballist” Morina vazhdon të jetë pas hekurave në Kroaci, aty ku qëndron i ndaluar prej afro një muaji. Nga informacionet e fundit ekskluzive që dispononon Opinion.al të siguruara nga gazetari Dritan Laçi, Morina ka dalë tri ditë më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Dubrovnikut, ku togat e zeza kanë vendosur ekstradimin e tij në Serbi, pasi sikundër dihet prej afro dy vitesh në emër të këtij shtetasi ka një urdhër ekstradimi nga shteti serb lidhur mbi ngjarjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri, ku ngritja e një droni me një baner të mbishkruajtur Autochtonus solli trazira në stadium dhe më pas ndërprerjen e ndeshjes.

Ffamiljarët: Do të vetëflijohemi po u ekstradua

Familjarë të Ballist Morinës janë shprehur se po bëjnë të pamundurën që i afërmi i tyre të mos ekstradohet dhe për këtë qëllim vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së Dubrovnikut do ta apelojnë më tej. Pranë Ballist Morinës në këto momente ndodhet bashkëshortja e tij italiane, me profesion avokate, e cila edhe pse shtatzënë nuk e ka braktisur të shoqin në këto momente të vështira për të.
Xhevahir Morina, i vëllai i Ballist Morina është shprehur se nëna e tyre ka qenë këto ditë në Tiranë, ku ka pasur takime me zyrtarë të lartë, duke specifikuar përfaqësues pranë Ilir Metës dhe ministrin e Brendshëm teknik, Dritan Demiraj, por ende nuk kanë marrë një sinjal të qartë ndihme për të afërmin e tyre që rrezikon që nga Heroi i Beogradit tani të jetë i burgosuri i Beogradit, nëse shteti kroat vendos ekstradimin e tij në Serbi.
Po kështu, Xhevahiri është shprehur se nëse Ballist Morina ekstradohet ai do të ndërrmarrë aktin ekstrem të vetëflijimit. Koha për të dërguar në Apelim vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë është e pakët për Ismail Morinën. Ai duhet ta bëjë Apelimin brenda tri ditësh nga dita e djeshme.

Ministri Demiraj kontakton autoritetet kroate

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj është interesuar te autoritetet kroate prej një muaji për ekstradimin e Ballist Morinës, shqiptarit që dyshohet se ngriti dronin në Beograd kur luhej ndeshja Serbi-Shqipëri. Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë të ditur se, ministri Demiraj ka kërkuar nga autoritetet kroate që të gjykohet çështja drejt. Ai ka patur për një muaj kontakte me palën kroate. Gjykata në Kroaci ka vendosur për ekstradimin e tij në Serbi, ndërsa Morina ka apeluar vendimin.

Berisha: Turizmi skandaloz në shtetin e Noriegës

Ish-kryeministri Berisha ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e djeshëm në plazhin e Velipojës, ku disa persona u plagosën si pasojë e shpërthimit të një cisterne gazi në një hotel turistik. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Berisha shkruan se, për shkak të mungesës së sigurisë, turizmi është kthyer në një sektor shqetësues. Duke iu referuar rasteve të regjistruara këtë verë, Berisha thotë se, janë mbytur 15 turistë në brigjet shqiptare.
“Turizmi skandaloz në shtetin e Noriegës!
Një shpërthim i fuqishëm i një cisterne gazi dhe një zjarr i madh në një hotel turistik, tronditi  mijëra e mijëra pushues në Velipojë. Nga ky shpërthim që mund të merrte shumë jetë, por duket se çisterna e madhe nuk ishte plot gaz, u dogjën rëndë tre qytetarë, të cilëve nga zemra ju urojmë shërim të shpejtë.
Por mund të thuhet se ky ishte një muaj skandaloz për turizmin shqiptar. Vetëm në ujërat e plazheve të vendit janë mbytur 15 turistë, dy herë më shumë se në të gjitha plazhet e Europës të marra së bashku, dhjetëra turistë të tjerë humbën jetën apo u plagosën në trafikun jashtë kontrolli të rrugëve të vendit.
Vrasja me mjetet ujore të mafies, e vajzës 15-vjeçare ruse dhe shpërthimi i ujërave të zeza në Ksamil (për shkak të BE thotë kryetarja siçiliste e Bashkisë së Sarandës), dërguan lajme skandaloze në mbarë botën.
Po të shtojmë këtu shërbimet skandaloze dhe çmimet marramendëse të pakontrollura, mungesa e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm, të gjitha këto përbëjnë një bilanc skandaloz të turizmit të një vendi pa zot dhe turpin e kësaj qeverie që noton në korrupsion”, shkruan Berisha.

Humb një fëmijë në Durrës, familjarët apel për ndihmë

Policia e Durrësit njofton se, rreth orës 10:30 të ditës së premte është larguar nga banesa, lagja Nr.15, shtetasi E.C. 7 vjeç. Nga deklarimet e familjarëve pohohet se shtetasi i mitur ka dalë nga banesa për të luajtur dhe nuk është kthyer më. Fëmija është rreth 130 cm i gjatë dhe në momentin e largimit ka pasur të veshur një palë pantallona të shkurtra dhe një palë shapka ngjyrë blu. Familjarët kanë kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e fëmijës.

Gjendet trupi i pajetë i një personi në Lushnjë

Trupi i pajetë i një personi është gjetur dje pranë Spitalit të Lushnjës. Nga të dhënat e para të policisë mësohet se, trupi i përket një personi të seksit mashkull rreth 65 vjeç dhe është i dekompozuar. Ka dyshime që mund të bëhet fjalë për një endacak, ndërsa për ta identifikuar pritet kryerja e ekspertizës mjeko-ligjore. Policia po heton për të sqaruar rrethanat si ka ndodhur ngjarja, nëse ka qenë aksidentale apo e kanë vrarë.

Zhduket Alket Hatija i dënuari për drogë në Itali

24 orë pasi Gjykata e Apelit në Durrës vendosi rikthimin në qeli të Alket Hatijes, i dënuar nga drejtësia italiane me 20 vjet burg  për trafik droge, është shpallur në kërkim nga policia. 45- vjeçari mësohet se nuk është gjetur në adresën e deklaruar prej tij. Pavarësisht se Gjykata e Shkallës së Parë Durrës kishte vendosur më heret masën e sigurimit personal, detyrim paraqitje dy herë në muaj pranë oficerit gjyqësor të Hatijes, ky i fundit është zhdukur.
Informacioni krahas Policisë së Durrësit i është dërguar të gjithë drejtorive në vend, me qëllim arrestimin e tij. Ende mbetet e paqartë, thotë policia, nëse i shumëkërkuari ndodhet ende në vendin tonë apo ka dalë jashtë kufijve. Për këtë është kërkuar verifikimi i të gjithë sistemit TIMS në vend.

Prokuroria zbulon grupin që fuste drogë në burgun e Durrësit

Prokuroria ka zbuluar pas disa muaj hetismesh grupin që fuste drogë tek të burgosurit në burgun e Durrësit. Pesë persona janë vënë në pranga gjatë një operacioni të koduar “psikologu” që çoi në goditjen e një rrjeti kriminal që fuste drogë në burgun e Durrësit. Nga një hetim dy mujor u zbulua se i përfshirë ishte edhe psikologu i burgut, Arjan Belishova 49 vjeç. Të arrestuarit e tjerë janë Astrit Hushi 50 vjeç, Saimir Zotkaj 32 vjeç i burgosur, Serxhio Shtjalshi 24 vjeç shitës në burgun e Durrësit dhe Sadiol Duma 38 vjeç.
Policia thotë se, Astrit Hushi i dyshuar në rolin e ndërmjetësit, siguronte lëndën narkotike tek Sodiol Duma i dyshuar në rolin e furnizuesit, dhe ia jepte Arjan Belishovës (i dyshuar në rolin e korrierit).
Belishova ia dorëzonte lëndën narkotike Saimir Zotkaj, i cili është i burgosur në I.E.V.P. Durrës. Saimir Zotkaj (i dyshuar në rolin e shpërndarësit) e shpërndante lëndën narkotike në ambientet e burgut.
Serxhio Shtjalshi, punonjës në lokalin e burgut merrte lekët nga Saimir Zotkaj dhe ia jepte Astrit Hushit, lekë me të cilat ky i fundit blinte lëndën narkotike dhe paguante psikologun.
Astrit Hushi është kapur në flagrancë më 27 korrik duke i dhënë lëndën narkotike Arjan Belishovës, të ndarë në doza, si edhe një sasi lekësh për punën që do kryente A. Belishova, duke e futur lëndën narkotike në ambientet e burgut. Kështu, gjatë operacionit u sekuestruan 42.5 gr heroinë, 13 gr kokainë, 36 gr kanabis, 2 peshore elektronike, 3250 euro dhe 27.500 lekë. Nga veprimet hetimore të kryera janë zbardhur dhe dokumentuar 6 ngjarje, ku shtetasit e mësipërm dyshohet se janë të implikuar.

Zbardhet dëshmia e nënës së turistes ruse që humbi jetën në Ksamil

Një varkë e verdhë me motor u largua me shpejtësi nga vendi ku po notonte turistja 15-vjeçare ruse, Ksenia Ryok. Një tjetër, me ngjyrë të bardhë, qëndroi në vend. Ky është momenti që ka fiksuar Tatiana Kulagina, nëna e adoleshentes që mbeti viktimë, si pasojë e goditjes nga një mjet lundrues në plazhin e Ksamilit.
Tatiana Kulagina ka rrëfyer se ajo së bashku me vajzën e saj, në datën 21 korrik janë nisur me not në drejtim të tre ishujve, nga plazhi i shtetasit Arben Pole. Ksenia ishte përpara nënës së saj me not dhe në një moment ajo e humb nga sytë atë. Kur është afruar afër ishullit në një distancë 30-50 metra ka parë një njeri që ka ngritur dorën lart. Por ajo nuk mund të përcaktojë nëse ka qenë vajza e saj. Po në atë kohë në të njëjtin vend, Tatiana ka parë një varkë të verdhë dhe pak metra më tutje një me ngjyrë të bardhë.
Sipas dëshmisë, varka e bardhë qëndroi në atë vend, kurse e verdha u largua. Tatiana nuk ka fiksuar se sa njerëz ndodheshin në këto dy varka, por sqaron se ato kryenin transport turistësh. Duke mos e parë ende vajzën, Tatiana ka vendosur të dalë në bregun e ishullit. Ka kërkuar me sy vajzën e shqetësuar, por nuk e ka parë. Duke këqyrur  majtas-djathtas, ka parë që diçka po ndodhte në det, pikërisht në vendin ku pa njërin që ngriti dorë. Aty ishin dy varka një e policisë me ngjyrë të errët dhe një e bardhë.
Ka notuar drejt tyre dhe kur është ndodhur në një distancë rreth 10 metra larg tyre, ka parë që po nxirrnin një person nga uji. Kur u është afruar më shumë ajo ka njohur se personi që nxorrën nga uji të pajetë ishte vajza e saj, pasi e njohu nga këmba. Tatiana ka hipur fillimisht tek mjeti i policisë ku kishin hipur edhe trupin e pajetë të vajzës së saj. Por është larguar nga aty, duke e hipur tek varka tjetër. Por më pas e larguan nga ai mjet dhe e hipën tek varka tjetër me ngjyrë të bardhë që ndodhej atje.

Tjetër shpërthim bombule gazi këtë herë në Lushnjë

Një bombul gazi që përdorej për gatim ka shpërthyer në një shtëpi në qytetin e Lushnjës. Ndërhyrja e familjarëve dhe ardhja e zjarrfikëseve në kohë ka shmangur që flakët të përhapen në banesë. Në apartament në momentin e zjarrit ndodheshin 5 pjesëtarët e familjes, por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk ka pësuar lëndime. Sipas zjarrfikëseve të Lushnjës, kolaudimi i bombulave shpesh herë neglizhohet nga vetë përdoruesit dhe ata që merren me mbushjen e tyre. Ky është rasti i dytë brenda katër ditëve që ndodh një shpërthim i tillë.

Kryesia nuk është kusht për të qenë demokrat

Pranvera SHEHAJ

Kushdo lufton për qëllimin individual në vetvete dhe të rrallë janë ata që konfliktin me ata që i rrethojnë e çojnë përtej interesit vetiak. Forca e bashkëpunimit ka bërë të mundur triumfin në beteja thuajse të pamundura ashtu sikurse përçarja mes bashkëpunëtorëve ka çuar drejt humnerës suksese të padiskutueshme. Të besosh tek lidershipi që ke zgjedhur do të thotë të bindesh se mënyra e tij e punës do të ketë vendime frytdhënëse, shpeshherë të paraprira nga propozime jo fort bindëse. Por, ky është motivi pse betejat bëhen në grup dhe lideri nuk duhet të perceptohet si nxënës në fazë provimi ku presioni për të qenë i suksesshëm e diferencon prej grupit dhe betejën përfundon duke e luftuar i vetëm.
Sot për sot, beteja brenda së djathtës është sa reflektim i një proçesi demokratik, aq edhe një praktikë inerte dhe jo shumë vizionare për vetë profilin e së djathtës. Të presësh humbjen e forcës tënde politike për të treguar se lideri aktual dështoi nuk është fort profesionale. Nëse një lider duhet të zgjidhet me paramendimin se presim të dështojë atëherë humbja ka pasur një kauzë që shkon përtej marrjes së votave. Nëse modeli i Bashës u pranua si strategji për t’i hapur shteg zgjedhjeve për kryetar, atëherë mund të besojmë se lufta për votë dhe uniteti drejt fitores nuk ka qenë i ndershëm. Triumfi i së majtës nuk ishte rezultat vote aq sa ishte pasojë e debulesës së kampeve të tjera politike dhe rrjedhojë e mënyrës se si zgjodhi të bëjë fushatë, duke bastarduar demokracinë e proçesit elektoral në këmbim të një tjetër katërvjeçari.
Duke qëndruar në sfondin e garës për Kryesinë e PD, duke qenë se humbja i është faturuar tërësisht Bashës, atëherë po e nis analizën jo me pyetjen “përse humbi PD”, por “përse humbi Basha?”
Arsyeja e parë qëndron tek pavarësia e Bashës në vendimmarrje. Liria e vetëvendosjes si kryetar i të djathtëve iu dha shumë pak kohë përpara zgjedhjeve, duke i lënë fare pak hapësirë për të organizuar praktikën e tij në këto zgjedhje. Përgatitja për fitoren pas katër viteve duhet të nisë prej çastit që nga zgjedhjet del si humbës dhe jo në gjashtë mujorin e fundit përpara betejës së re elektorale.
Arsyeja e dytë është padyshim misioni i papërfunduar i çadrës, një nismë e Bashës, e cila u finalizua me një marrëveshje të keqinterpretuar nga shumica e të djathtëve. Marrëveshja me Ramën u perceptua si shtegu drejt një koalicioni të mundshëm midis dy forcave më të mëdhaja në vend, çka bëri që shumica e demokratëve të shkonin drejt kutive të votimit të paqartë për mënyrën se si do të vepronte e djathta. Pritshmëria e lartë për një koalicion paszgjedhor shpëtoi të majtën nga ndëshkimi dhe demotivoi të djathtët për të përmbysur katastrofën qeverisëse me votë. Është e qartë se, Basha iu dorëzua bashkëpunimit politik si rrugë demokratike për zgjidhjen e krizës politike në vend, por marrëveshjes mund t’i ishte dhënë tjetër sens dhe e djathta duhet ta kishte diferencuar programin, idetë dhe vizionin e saj prej së majtës, duhej të kishte qartësuar se në këto zgjedhje hynte dhe dilte e vetme.
Një tjetër pikë dobësie në proçesin zgjedhor ishte përfshirja e partive të vogla nën logon e demokratëve, çka nuk i la vend motivimit të tyre për t’iu dedikuar me gjithë forcën e luftës për votë. Humbja e zgjedhjeve, nëse nga dikush mund të lexohet si faturë debiti për Bashën, nga ata që e dinë se çfarë kërkohet në politikë, do të lexohej si pikënisje e një programi që do të mund t’i përshtatet në mënyrë më efektive nevojave urgjente të vendit.
Gara post zgjedhore për Kryesinë e PD, reflekton deri-diku një konflikt sa të pabazë aq edhe cinik. Shumëkush mund të mendojë se gabimi i PD qëndronte te modeli i Bashës, ndërsa e menduar më racionalisht, gabimi i PD qëndronte tek të djathtët, të cilët në këto zgjedhje nuk ditën dhe nuk mundën të ishin mjaftueshëm të djathtë. Të hapësh një diskutim të nxehtë për listat zgjedhore në prag votimi është reflektim i qartë i një cinizmi që nuk të lejon të shohësh përtej karriges. Të krijosh grup të djathtë brenda së djathtës, duke tronditur unitetin brenda kampit tënd politik vetëm sepse ke bindjen se ke kontribuuar më shumë se dikush tjetër në PD, nuk është dëshmi e pjekurisë politike dhe profesionalizmit si politikan. Këtë bënë disa prej pretendentëve për lidership. I dhanë një goditje të fortë kësaj force politike dhe u paraqitën përballë elektoratit skeptikë, kontestues dhe të tërhequr, e si rrjedhojë zgjodhën të prisnin duarkryq për të reflektuar menjëherë pas humbjes zgjedhore. Kam bindjen se qëndruan në pritje të humbjes, jo sepse me Bashën demokratët do të humbnin, por sepse politikanët e vjetër e dinë mirë se përçarja brenda njërës forcë politike përkthehet drejtpërdrejt në avantazh për kampin kundërshtar. Ky fakt i bën investitorë në humbje.
Ajo që rivalët e Bashës gabojnë është bindja se lideri zgjidhet vetëm për të udhëhequr betejat zgjedhore e si rrjedhojë, humbja e tyre u dashka të shoqërohet me dorëheqjen e tij. Nëse është kështu, atëherë le t’i japim mundësi kujtdo: studentit, punëtorit, fshatarit, qytetarit, të shkolluarit e të pashkolluarit të vijë e të kandidojë për kryesinë e partisë. Fundja, nëse jo këto zgjedhje, ato të ardhshmet do t’i fitojë.
Nuk është ky përkufizimi i liderit të dashur demokratë. Lideri vjen me një profil, një program dhe një filozofi për udhëheqjen. Lideri nuk vjen për t’u testuar, por për të sjellë brenda partisë ndryshim, progres dhe rritje politike. Liderit i jepet mundësi të gabojë, të praktikojë një gjuhë politike që mund të mos funksionojë, të ndërmarrë sfida politike në të cilat mund të dështojë. Suksesi i tij do të qëndrojë tek aftësia për të shkuar nga njëri gabim tek tjetri pa e humbur entuziazmin, besimin, vizionin dhe aftësinë për të drejtuar.
Nëse një kryetar i ri do të zgjidhet në PD, fakti që mandati i tij mund të përkojë me një fitore në zgjedhjet e ardhshme elektorale, nuk e bën një model më vizionar, më produktiv apo më të denjë se sa ai aktual, sepse detyra e liderit shkon përtej kalkulimit të fitores. Lider është ai që shpesh i duhet të sakrifikojë prestigjin individual në këmbim të demokratizimit të dialogut politik, ashtu sikurse pushtetin katërvjeçar e sakrifikon në këmbim të instaurimit të standardeve demokratike në politikë. Modeli i Bashës duhet të vazhdojë për t’u bindur se fakti që politika jonë ka degraduar nuk do të thotë të zbresim të gjithë në nivelin e mediokritetit të kundërshtarit. Duhet të vazhdojë propozimi i tij për ekonominë, punësimin, taksat, arsimin. Një betejë e humbur nuk është fundi i misionit dhe misioni kërkon më shumë se sa fitoren e një raundi zgjedhor.
Prandaj, zgjedhjet për Kryesinë e PD mund të kthehen në një praktikë që kërkon të ndërpresë zhvillimin e një modeli të munguar në politikën shqiptare. Ajo që Basha solli ishte reduktimi i propagandës, programi konkret me prioritet ekonominë, diaologu politik dhe komunikimi direkt me shqiptarët në zonat më të thella të vendit. Humbja e zgjedhjeve jo domosdoshmërisht përkthehet në dështim modeli, por duhet të lexohet më së shumti si pasojë e një të djathte që fatkeqësisht po lufton fuqishëm mes së vjetrës e së resë.
Zgjidhja nuk është kjo.
Një forcë politike ringrihet më fuqishëm se kurrë kur eksperienca e anëtarëve të vjetër shërben si mësim dhe mundësi për anëtarët e rinj. Zgjidhja nuk është gara, as lufta brenda llojit, por bashkëpunimi dhe uniteti brenda grupit. Karrigia dhe kryesia nuk janë i vetmi pozicion prej të cilit një demokrat mund të bëjë detyrën e tij. Përkushtimi dhe vizioni individual mund të gjejë vend midis demokratëve pa qenë nevoja domosdoshmërisht për kryesinë. Të jesh demokrat, të besosh tek forca e unitetit të grupit dhe të shohësh me pozitivizëm modelin e liderit që ke zgjedhur është mëse mjaftueshm për t’u bërë arkitekt i ringritjes së PD.