31.5 C
Tirana
E martë, 19 Gusht, 2025

Fjalimi i Trumpit që i ka vënë fëmijët në rrugën e duhur

Nga James BOVARD

Shumë nga mediat u shokuan dhe tmerruan nga fjalimi i Presidentit Donald Trump në Festën e Madhe të Boy Scouts të hënën. Shumë komentatorë po flasin sikur ligjërata e bujshme e Trumpit t’i ketë ekspozuar fëmijët e mitur para pornografisë politike. Në vend që të fliste kundër Hillary Clinton dhe të mburrej për fitoren në zgjedhjet e vitit të kaluar, Trump duhej të kishte mbajtur fjalimin e zakonshëm për “sistemin tonë të mrekullueshëm politik”.
Disa njerëz nuk kanë për t’ia falur kurrë Trumpit që u tha Skautëve se Uashingtoni është “kanal ujërash të zeza”. Në të vërtetë, ky mesazh mund të jetë një antidotë për shumë nga gjërat që dëgjojnë Skautët. Fjalimi i Trumpit, për aq sa nxit dyshime rreth autoritetit politik, mund të jetë shumë më tepër i shëndetshëm se fjalimet e presidentëve të mëparshëm në festë.
Kur kam qenë në Festën e Skautëve në Idaho më 1969, Presidenti Richard Nixon na dërgoi një mesazh lavdërimi për idealizmin tonë. Por lloji i idealizmit që Nixon dhe Skautët shpesh glorifikonin kishte më tepër gjasa të prodhonte servilizëm se sa liri. Para se të pranohesha në radhët e Festës, u mora në pyetje nga liderë të rritur Skautësh në një qytet pranë timit. Pyetja më e paharrueshme ishte: “Çfarë mendon për situatën në Vietnam?”. Edhe 12-vjeçarët duhej të mbroheshin nga tendencat disidente.
Festa e Idahos u zhvillua një muaj para festivalit muzikor të Woodstockut. Në vend të mijëra njerëzve që thërrisnin slogane kundër luftës, Festa ekzaltoi ushtarakët në të gjitha format. Në vend të mijëra hipive gjysmë të zhveshur, Skautët mbroheshin nga “policë me uniformë” që siguroheshin që çdo djalë të kishte veshur shallin e duhur gjatë gjithë kohës. Në vend të Joan Baez që këndonte “We Shall Overcome” (Do ta kapërcejmë), Skautët dëgjonin “Up with People”, një grup me 125 anëtarë i krijuar si antidotë ndaj “trazirave studentore dhe ankesave për Amerikën”.
Motoja e Festës 1969 ishte “Ndërtojmë për të shërbyer”. Më vonë vrisja mendjen: T’i shërbejmë kujt? Festa i ngrinte të gjithë qeveritarët në piedestal, duke filluar me sekretarin e Shëndetit, Arsimit dhe Mirëqenies, Peter Finch, për të vazhduar me këdo që kishte një titull qeveritar me tre fjalë.
Pas udhëtimit në Idaho, u angazhova me Skautët mjaftueshëm gjatë sa të merrja rangun e Shqiponjës. Tesera zyrtare e Eagle Scout kishte edhe firmën e Nixonit si “president nderi” i Boy Scouts të Amerikës. Skautët e nderuan Nixonin me çmimin e tyre më të lartë, Bualli i Argjendtë, në të njëjtën kohë që ndihmësit e tij nisën operacionet e fshehta që u zbuluan më pas si skandali i Watergate.
Skautingu ka ndihmuar miliona djem të forcohen. Por në të njëjtën kohë ka inkurajuar shpesh bindjen e verbër ndaj çdo autoriteti.
Kur Presidenti Lyndon Johnson iu drejtua Festës së Skautëve më 1964, ai deklaroi se, “fytyrat e qeshura dhe optimistë të Skautëve do të më japin fuqinë e duhur në orët që kaloj tek përpiqem të udhëheq këtë vend të madh”. Johnson u tha djemve edhe se nuk duhej të kishin frikë nga qeveria. Por Festa nuk e ndaloi që të niste gjysmë milioni trupa në Vietnam, ku edhe shumë nga djemtë që dëgjuan fjalimin e tij frymëzues atë ditë vdiqën në një luftë për të cilën Johnson vazhdoi të mashtronte publikun amerikan.
Zonja e Parë, Nancy Reagan mbajti fjalimin më 1985 (Presidenti Reagan ishte në periudhë rikuperimi pas operacionit) dhe u tha djemve se, “askush nuk mund të përdorë drogë dhe të mbetet boyscout i vërtetë. Skautët mund të ndihmojnë në shpëtimin e brezit të tyre nga droga”. Lufta kundër drogës që nisi Reagan i ktheu qytetet në zona lufte dhe dërgoi miliona amerikanë në burgje.
Presidenti Bill Clinton foli më 1997 dhe u mallëngjye për nevojën për të shërbyer dhe bërë “kthesën e duhur”, një formulë e sigurt për një president të mbytur nga skandalet. Clinton e mbylli me “Amerika është e madhe sepse Amerika është e mirë”, një slogan i brohoritur gjithmonë nga ekspertët që nuk bëjnë asgjë.
George W. Bush foli më 2005 si zakonisht për luftën kundër terrorizmit, ndërkohë që administrat e tij prej kohësh kishte shkelur mbrojtjen e privatësisë, sanksionuar në Kushtetutë dhe fshehurazi përkrahte torturën si kyç për fitoren e së mirës kundër të keqes.
Në mënyrë kontradiktore, pas fjalimit të Trumpit, shumë majtistë i krahasuan Boy Scoutët me rininë hitleriane. Por është jokorrekte për djemtë e rinj që dëgjuan fjalimin e Trumpit të supozosh se ata do të bëhen trumpistë pa tru – apo qoftë edhe republikanë – në vazhdimësi. Përkundrazi, fjala e Trumpit mund t’i ketë kthyer disa nga të pranishmit në dyshues për çdo politikan, një korrigjim i mirëpritur në premtimet pa fund të Skautëve për bindje.

“USA Today”

Të rinjtë e PD protestë para Bashkisë

Qindra të rinj demokratë protestuan para Bashkisë pasditen e djshme kundër rritjes së çmimit të ujit. Me pankarta në duar “10 mijë lekë më shumë”, “Duhet të shërbehesh që të paguhesh”, “Hajdut, Jep dorëheqjen”, “Lali Leku” etj., të rinjtë demokratë i bënë thirrje kryetarit të Bashkisë Tiranë për anulimin e vendimit për çmimin e ujit.
Në mënyrë simbolike ata hodhën drejt godinës së Bashkisë dhjetëra bidona uji bosh, duke përcjellë mesazhin e pamundësisë të konsumatorëve shqiptarë për të paguar faturën e hidhur që Veliaj ka përgatitur për ta. Ndërkohë të rinjtë kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët e ardhshme.

KLSH: 600 milionë euro vjedhje në dy vite

Auditi i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka dalë në përfundimin se ‘Rilindja’ gjatë mandatit të saj të parë, i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 600 milionë eurosh vetëm në harkun kohor 2014-2016. KLSH-ja ka konstatuar shkeljen më të rëndë në sektorin e doganave, ku shkeljet më të mëdha janë gjetur në doganën e Durrësit. Sipas këtij auditimi në fushën e prokurimeve publike, vlera e shkeljeve kap shifrën e 300 milionëve, ku pjesa më e madhe është konstatuar në Bashkinë e Sarandës, Tepelenës dhe Himarës. Po ashtu, shkelje janë konstatuar edhe në sektorin e Tatim-Taksave si dhe në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore nga Ministria e Transportit dhe ajo e Bujqësisë. Por krahas këtyre shkeljeve, nuk ka mbetur pa u ‘bërë pis’ as sektori i shpenzimeve publike prej 14 milionësh dhe në të ardhura prej 74 milionësh. Pas konstatimeve të bëra, KLSH-ja ka kërkuar marrjen e masave disiplinore dhe administrative për 650 punonjës, ndërsa ka depozituar në Prokurori 22 kallëzime penale. Të kallëzuarit e KLSH-së janë drejtues në rang të lartë e të mesëm nga të cilët 17 mësohet se janë në hetim nga degët e prokurorive në rrethe.

Nga rritja e çmimit të ujit Bashkia do të fitojë 38 milionë euro në vit

“Rilindja Demokratike” raportoi një ditë më parë duke iu referuar dhe ekspertëve të fushës se me 45 lekë për metër kub, ujësjellësi ka një fitim neto prej rreth 30 lekësh (shifra mendohet të jetë më e madhe, pasi me shumicë uji ka një çmim prej 12 lekësh). Në rast se do të bëhet një llogari vjetore, për rreth 84 milionë metra kub ujë në vit që prodhon Bovilla, atëherë rezulton që fitimi neto të jetë rreth 20 milionë euro në vit, ose 2,5 miliardë lekë.
Dhe këtu nuk po futet çmimi i ujërave të përdorura, të cilët kanë një kosto të papërfillshme, por që merret 11 lekë për metër kub. Vetë Veliaj deklaroi se në vitin 2016, ujësjellësi kish kapur një normë fitimi prej 5 milionë euro.
Ndërkohë me çmimin e ri, i bie që kjo shumë pra fitimi i UKT të shkojë në rreth 38 milionë euro në rast se do mblidhej, pra gati një dyfishim të shumës që do duhej të mblidhte UKT, por që do dalë nga xhepat e qytetarëve. Në fakt shuma është e përafërt se këtu nuk llogariten bizneset që kanë një tarifë tre herë më të lartë. Shkurt një biznes që do e kishin zili dhe kompanitë e mëdha që operojnë në bursë. Plani i biznesit i firmosur nga drejtori i UKT, Redi Molla, nuk bën parashikime se sa do të rriten të ardhurat nga rritja e tarifave në mënyrë kaq të lartë. Aty flitet vetëm për “të ardhura të dëshirueshme”, të cilat për vitin 2018 janë 4 miliardë lekë ose 17 për qind më shumë se sa të ardhurat e pritshme 2017 ose 29 për qind më shumë se sa të ardhurat e vitit 2016.
Por plani i biznesit nuk parashikon se sa do të rriten të ardhurat në një kohë, kur rritja e tarifave do të jetë 40-70 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Plani i biznesit parashikon “të ardhura të dëshirueshme” në masën 4.6 miliardë lekë për vitin 2019, (rritje 43 për qind në krahasim me vitin 2016). Plani nuk parashikon përmirësim në eficencën e administrimit, pasi ruan nivel të njëjtë të “shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes”, si dhe nuk parashikon të ardhura shtesë nga lufta kundër vjedhjeve të ujit, në një qytet ku dy të tretat e ujit konsiderohen “konsum i pafaturuar”.
Gjithashtu, plani i biznesit pranon se humbjet nga uji i pafaturuar (termi teknik që përdoret për vjedhjet apo rrjedhjet e pakontrolluara në rrjet) është sa dy të tretat e të gjithë ujit të hedhur në rrjet. Sipas planit të biznesit, këto rrjedhje pritet të reduktohen në 40 për qind në vitin 2021, por këto reduktime nuk parashikohet të sjellin të ardhura shtesë për ujësjellësin, i cili mendon se konsumi total i ujit të faturuar do të mbetet pothuajse i pandryshuar dhe reduktimi i vjedhjeve dhe rrjedhjeve do të sjellë vetëm reduktim të sasisë së ujit të përpunuara në impiante. Sipas Raportit të Performancës të Entit Rregullator të Ujit, uji i pafaturuar në UKT u rrit në vitin 2016 në gati 68 për qind, me 1 pikë përqindje më shumë se sa në vitin 2015, gjë që duket se nuk përmbush pretendimet e Bashkisë për menaxhim më të mirë.

Ku i çoi UKT 5 milionë euro taksa të mbledhura në 2016?

Rritja e çmimit vjen në një kohë që Ujësjellës Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rekuperimit të detyrimeve të prapambetura. Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat e Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime, në vitin 2016 ishin 2.95 miliardë lekë (21.5 milionë euro). Konsumatorët familjarë sjellin gati gjysmën e të ardhurave të ujësjellësit. Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015. Tre vitet e fundit, sipas bilancit, aktiviteti i Ujësjellës Kanalizimeve ka qenë i qëndrueshëm me një rritje të lehtë të të ardhurave, ndërsa norma e fitimit është përmirësuar. Në vitin 2016, norma e fitimit ishte 23%, çka nënkupton se për çdo 100 lekë të ardhura, 23 ishin fitime (para taksave). Në vitin 2014, norma e fitimit ishte 18%. Sipas bilancit të detajuar të vitit 2015, shpenzimet e personelit ishin rreth 860 milionë lekë (37% të totalit të shpenzimeve), ndërsa shpenzimet e përgjithshme të prodhimit ishin 924 milionë lekë, rreth 40% të totalit. Në vitin 2015, Ujësjellësi kishte llogari të arkëtueshme, si rrjedhojë e mosarkëtimit të faturave nga konsumatorët familjarë, privatë, shtetërorë, etj., prej 2.7 miliardë lekësh (gati 20 milionë euro), me një rritje të ndjeshme prej 70%, në krahasim me 1.9 miliardë lekë që ishin detyrimet e paarkëtuara në 2014-ën. 75% e këtij detyrimi i përket konsumatorëve familjarë.

Demiraj-Haradinaj, takim për sigurinë rajonale

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në një takim ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Dritan Demiraj. Haradinaj thotë se ka diskutuar për sigurinë rajonale, për detyrat e shteteve tona në lëmin e sigurisë, bashkëpunimin, si dhe ndihmesën që mund ta japë Shqipëria në anëtarësimin e Kosovës në strukturat rajonale dhe evropiane të sigurisë. Vetë Haradinaj shkroi më pas në facebook: “Sot pata kënqësinë ta pres në një takim Dritan Demirajn, një ushtarak i shkëlqyer, aktualisht Ministër i Brendshëm i Shqipërisë. Në një bisedë të hapur e miqësore, folëm për sigurinë rajonale, për detyrat e shteteve tona në lëmin e sigurisë, bashkëpunimin, si dhe ndihmesën që mund ta japë Shqipëria në anëtarësimin e Kosovës në strukturat rajonale dhe evropiane të sigurisë. U dakorduam se Kosova dhe Shqipëria sot janë faktorë stabiliteti në rajon dhe se përfshirja e Kosovës në strukturat rajonale-evropiane dhe ndërkombëtare të sigurisë, veç sa e forcon bashkëpunimin dhe është në funksion të stabilitetit.”

Vetingu, 7 gjyqtarët e prokurorët që dorëhiqen

Ndërsa procesi zyrtar i vetingut pritet të fillojë në shtator, deri më tani 7 prokurorë e gjyqtarë kanë dhënë dorëheqjen për t’iu shmangur verifikimit të figurës.
Pjesa më e madhe e dorëheqjeve vijnë nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e prokurorët e dorëhequr janë:
Sulejman Tola, prokuror nga Kruja;
Ilir Çeliku, gjyqtar nga Gjykata e Apelit në Shkodër;
Ilir Pashaj, gjyqtar nga Gjykata e Elbasanit;
Mirela Fana, gjyqtare nga Gjykata e Lartë;
Eritan Shehu, këshilltar ligjor nga Gjykata e Lartë;
Adnand Berdica, këshilltar ligjor nga Gjykata e Lartë;
Etleva Sherifi, ndihmë juridike nga Gjykata e Lartë;
Sipas nenit 56, pika 1 e ligjit të vetingut, zyrtarët e sistemit të drejtësisë lejohen të japin dorëheqjen brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Ligji i vetingut u botua në Fletoren Zyrtare më 30 gusht 2016, e siç parashikohet, ai hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit, pra më 14 shtator. Kjo bën që afati përfundimtar për të dhënë dorëheqjen e për të mos u përfshirë në procesin e verifikimit të figurës ishte 14 dhjetori 2016.
Duke qenë se asnjë nga 7 zyrtarët e përmendur më sipër nuk e ka dhënë dorëheqjen brenda këtij afati, ata duhet t’i nënshtrohen procesit të vetingut.
Megjithatë Gjykata Kushtetuese pritet të marrë një vendim përfundimtar për të drejtën e dhënies së dorëheqjes më 28 shtator, pas një ankese të bërë nga Bashkimi i Gjyqtarëve.

Studimi i BSH-së: Krimi ka ndikuar negativisht aktivitetin e biznesit

Ekspertët të Bankës Shqipërisë kanë bërë një kërkim shkencor për të gjetur ndikimet që jep krimi dhe korrupsioni në aktivitetin e bizneseve. Analiza merr në konsideratë aktivitetin e ndërmarrjeve në 27 vendet në zhvillim duke përfshirë edhe Shqipërinë sipas anketës së BEEPS (Business Environment and Enterprise Performance Survey).
Rezultatet e këtij hulumtimi treguan ndikimin negativ të krimit në aktivitetin e ndërmarrjeve, por dhe praninë e një marrëdhënieje pozitive midis korrupsionit dhe performancës së firmave. Ekspertët përdorën të dhëna paneli në nivel firme, të mbledhura nga BEEPS për 27 vende të tranzicionit gjatë viteve 2002, 2005, 2009 dhe 2011. Përveç karakteristikave të firmës, BEEPS gjithashtu mbledh disa informacione të vlefshme të vrojtimit, mbi format e ndryshme të korrupsionit dhe krimit. “Siç pritej, vlerësimi ynë tregon se firmat private me pronësi të huaj, si dhe firmat e BE-së kanë më shumë gjasa të kenë një ndikim pozitiv në performancën e firmës, por e kundërta ndodh me firmat që janë të privatizuara nga firmat shtetërore”, shprehen ekspertët e BSH në studimin përkatës.
Përgjatë 6 viteve të fundit BEEPS realizoi anketa në 29 vende në tranzicion në Europë dhe Azi. Në raportin përmbledhës të gjetjeve në të gjitha vendet thuhet se mjedisi i biznesit ndryshon në mënyrë të konsiderueshme në të gjitha vendet. Ka disa tipare të përbashkëta mjedisi i biznesit në të gjithë rajonet. Kështu që në Evropën Juglindore, ku praktikat e konkurrentëve në sektorin informal janë quajtur si një nga tre kufizimet më të mëdha në mjedisin e biznesit në gjashtë nga tetë vendet në këtë rajon. Anketimi i BEEPS ka gjetur se, mjedisi i biznesit në vendet në tranzicion ndikohet negativisht nga transporti joeficient, krimi, vjedhja, rregulloret e punës, doganave dhe rregulloret tregtare, licencimi i biznesit dhe vendimet e gjykatave.

Performanca ekonomike është më keq se më 2015

Rreth 69,8% e ndërmarrjeve aktive janë prodhues të shërbimeve, nga 75,0% që ishin në vitin 2015 po në të njëjtin sektor.
Tregtia me pakicë përveç tregtisë së automjeteve dhe motoçikletave vazhdon të jetë mbizotëruese në ekonominë e vendit me 31,9% të ndërmarrjeve të rezultuara në fund të vitit 2016 nga 35,3% në vitin 2015.
Edhe pse plot me burime natyrore, me nëntokë të pasur, plot mundësi për të zhvilluar turizmin dhe bujqësinë dhe industrinë, ekonomia e Shqipërisë mbetet e varur nga bizneset e tregtisë dhe vetëm 1 për qind e bizneseve punësuan mbi 50 punonjës sipas të dhënave të djeshme të INSTAT mbi regjistrin e ndërmarrjeve.
Sipas INSTAT në vitin 2016 numri i ndërmarrjeve është 160.679, duke shënuar një rritje prej 5,5% krahasuar me vitin 2015.
Mbi 31 mijë janë fermerë të pajisur me Numër Identifikimi të Personit të Tatueshëm (NIPT) në fund të vitit 2016, nga 19.543 fermerë të regjistruar deri në fund të viti 2015.
INSTAT raporton se 31.377 ndërmarrje aktive janë regjistruar gjatë vitit 2016 duke shënuar një rënie me 44,8% krahasuar me regjistrimet e vitit 2015.
Rreth 69,8% e ndërmarrjeve aktive janë prodhues të shërbimeve, nga 75,0% që ishin në vitin 2015 po në të njëjtin sektor.
Tregtia me pakicë përveç tregtisë së automjeteve dhe motoçikletave vazhdon të jetë mbizotëruese në ekonominë e vendit me 31,9% të ndërmarrjeve të rezultuara në fund të vitit 2016 nga 35,3% në vitin 2015.
Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar zënë vetëm 1,1%, por kontributi i tyre në punësim llogaritet në 48,3% në vitin 2016 nga 46,2% që ishte në vitin 2015.
3,5% e ndërmarrjeve aktive janë ndërmarrje të huaja e të përbashkëta, nga ku 47,2% e tyre janë me origjinë nga Italia dhe 9,2% nga Greqia.
26,8% e ndërmarrjeve aktive drejtohen nga femrat, nga 31,3% në fund të vitit 2015; 30,4% e ndërmarrjeve aktive e kanë filluar aktivitetin ekonomik para vitit 2011.

Putin reagon pas sanksioneve të SHBA

President Donald Trump meets with Russian President Vladimir Putin at the G20 Summit, Friday, July 7, 2017, in Hamburg. (AP Photo/Evan Vucci)

Ministria e Jashtme e Rusisë tha dje se ka miratuar masa në përgjigje të sanksioneve të aprovuara nga Kongresi amerikan të enjten. Ministria tha se sanksionet amerikane dëshmojnë “agresionin ekstrem të Shteteve të Bashkuara në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
“I propozojmë palës amerikane”, thuhet në reagimin e ministrisë ruse, “ta ulin numrin e personelit diplomatik e teknik të ambasadës amerikane në Moskë dhe të konsullatave amerikane në Rusi në nivelin e saktë të personelit diplomatik e teknik rus në Shtetet e Bashkuara”. Rusia thotë se si rezultat i reduktimeve në numër, prania diplomatike e teknike amerikane në Rusi do të arrinte në 455 vetë.
Ligjvënësit amerikanë miratuan të enjten një projektligj që vendos sanksione të reja jo vetëm ndaj Rusisë, por edhe ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut.
Senatorët e miratuan projektligjin me shumicë dërrmuese, 92 vota pro, dy kundër, një ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati ranë dakord mbi termat e masës ligjore.
Sanksionet u vendosën në përgjigje të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016. Presidenti rus, Vladimir Putin i ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane.
Sanksionet synojnë të ndikojnë tek një numër industrish ruse për të dëmtuar ekonomikisht Rusinë.

Presidenti kundërshton
Presidenti Trump i kundërshton sanksionet, por projektligji ka mbështetje të mjaftueshme në të dyja Dhomat e Kongresit që të mbijetojë edhe nëse Presidenti i vë veton. Zoti Trump kundërshton në veçanti pasazhin në ligj që ndalon ndërhyrje nga presidenca me qëllimin për të lehtësuar sanksionet. Shtëpia e Bardhë është munduar prej javësh të ndikonte në zbutjen e sanksioneve të reja.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim duke thënë se sanksionet do të kenë ndikim tek sektori evropian i energjetikës.
Gjatë negociatave disa javëshe, administrata Trump u bëri rezistencë përpjekjeve që i shikonte si tentativë për të kufizuar kompetencat e degës ekzekutive për të lehtësuar sanksionet. Shtëpia e Bardhë ka argumentuar se këto përpjekje kufizojnë kapacitetin e Shteteve të Bashkuara për të ndikuar tek sjellja e Rusisë dhe për të ndërtuar një marrëdhënie më të mirë me Putinin. Tani Shtëpia e Bardhë ka shprehur mbështetje:
“Presidenti i mbështet fuqimisht sanksionet ndaj këtyre vendeve dhe ato do që të mbeten në fuqi. Por njëkohësisht ai do të sigurohet se do të arrijmë marrëveshje të mira. Të dyja këto janë shumë të rëndësishme për presidentin”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders të hënën në konferencën për shtyp.
Sipas medias shtetërore ruse, zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Riabkov paralajmëroi të mërkurën se sanksionet e reja eliminojnë çdo shans për përmirësimin e marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit. Ai shtoi se Rusia e kishte paralajmëruar më parë administratën Trump se do të kundërpërgjigjej nëse ligjvënësit amerikanë e miratonin ligjin.

Skandal, Enti i Ujit falsifikon dokumentet për rritjen e çmimit

Kërkesa e Ujësjellës-Kanalizime Tiranë për rritjen e çmimit të ujit për banorët e kryeqytetit mbart shkelje të procedurave dhe afateve kohore të përcaktuara në rregulloret e Entit Rregullator të Ujit, megjithatë, kryetari i Entit, Ndriçim Shani tha për “BIRN” se ai vetë qe i vendosur të shqyrtonte kërkesën pavarësisht shkeljeve, duke i konsideruar afatet dhe procedurat e shkelura si probleme jo të rëndësishme.
“Rëndësi ka që të jenë të gjitha dokumentet dhe letrat kur të shqyrtohet dosja”, tha Shani kur u pyet nga “BIRN” se, pse ka pranuar aplikimin e UKT në mungesë të dokumenteve, të cilat një rregullore e vetë ERRU i konsideron si të domosdoshme dhe që e bëjnë aplikimin të pavlefshëm. “Këto nuk kanë rëndësi nga ana esenciale”, tha Shani. “Ne toleranca të tilla i kemi bërë gjithmonë”, shtoi ai.
Enti Rregullator i Ujit bëri një deklaratë të papritur ditën e enjte në lidhje me kërkesën e kompanisë Ujësjellës-Kanalizime Sh.A për rritjen dramatike të çmimit të ujit për konsumatorët e Tiranës. Në deklaratë, ERRU shkruan se kërkesa e UKT është dorëzuar pranë këtij institucioni më 30 qershor 2017.
Dorëzimi i kërkesës më 30 qershor ka rëndësi të veçantë për shkak se sipas Metodologjisë së Miratimit të Tarifave të këtij institucioni, kërkesa duhet brenda qershorit që të jetë e vlefshme, ndërkohë që kërkesa e UKT për rritje çmimi u bë publike vetëm javën e kaluar. Por dorëzimi i kërkesës nga pikëpamja formale më 30 qershor, pra brenda afatit ligjor, duket se nuk mjafton, pasi kjo kërkesë duhet të shoqërohet me dokumentacion të plotë, i cili më 30 qershor mungonte.
“BIRN” zbuloi se dorëzimi i kërkesës më 30 qershor duket se bie ndesh me rregulloren tjetër të ERRU, konkretisht vendimin nr. 40, datë 9.12.2015, “Për miratimin e dokumentacionit mbështetës për miratimin e tarifave të shërbimit…”, në të cilin sanksionohet se kërkesa e operatorit për ndryshimin e çmimeve, përveçse duhet të dorëzohet “brenda gjashtëmujorit të parë”, duhet të mbartë para dorëzimit një listë me dokumente, të cilat, aplikimit aktual duket se i mungojnë.
Në pikën 2 të këtij vendimi, sanksionohet që aplikimi për tarifat duhet të ketë si dokumente shoqëruese mes të tjerash edhe “mendimin e pronarit për nivelin e ri të tarifave të kërkuara”, si dhe “Procesverbalin e seancave dëgjimore me publikun”. Të dyja këto dokumente vështirë se mund të kenë qenë në datën 30 qershor, për shkak se vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës për këtë çështje u mor më 26 korrik, ndërsa seanca dëgjimore me publikun u zhvillua më 27 korrik.
Vendimi 40, në pikën 3 të tij nuk lë hapësira për manovra pasi sanksionon që mungesa e qoftë edhe njërit prej këtyre dokumenteve, e bën aplikimin të pavlefshëm. “Mungesa e një prej dokumenteve të sipërpërmendura bën që propozimi për ndryshim tarife të mos shqyrtohet nga ERRU”, shkruhet në këtë vendim.
Por pavarësisht qartësisë me të cilën shprehet vendimi 40 i Entit Rregullator të Ujit, kryetari i bordit i konsideroi këto shkelje “çështje dytësore”.
Enti Rregullator i Ujit është një institucion, i cili funksionon në bazë të një ligji të vitit 1996 dhe ka për detyrë që nga njëra anë të sigurojë tarifa të mjaftueshme për mbulimin e kostove të furnizimit me ujë dhe me shërbimin e heqjes së ujërave të zeza, ndërsa nga ana tjetër, ka për detyrë të mbrojë konsumatorët nga pozicioni monopol i korporatave të ujësjellësave, si dhe të garantojë që ujësjellësat kanë eficencë të pranueshme në kosto dhe shpenzime operative në mënyrë që të mos i rëndojnë konsumatorët me tarifa të panevojshme. Por anëtarët e bordit të Entit Rregullator të Ujit në bazë të këtij ligji të vitit 1996, emërohen dhe shkarkohen nga këshilli i ministrave. Të katër anëtarët aktualë të bordit janë emëruar nga qeveria aktuale.
Ujësjellësi i Tiranës disponon aktualisht fitime vjetore neto prej 5 milionë eurosh, ka kosto operative shumë të larta dhe është kritikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për keqmenaxhime të shumta. Ujësjellësi ka gjithashtu një bilanc për të cilin audituesit e pavarur kanë shprehur rezerva për shkak të paqartësive të mbajtjes së llogarive, gjë që do të thotë se audituesit nuk marrin përsipër të çerfitikojnë si të vërtetë këtë bilanc.
Por pavarësisht fitimeve të larta, Ujësjellësi ka kërkuar rritjen me 40-70 për qind të çmimeve të furnizimit me ujë duke filluar nga viti 2018 me argumentin se i nevojitet të investojë.

Me tarifat më të larta të ujit në Europë

Shqipëria ka tarifat më të larta për ujin në rajon dhe rritja e re që propozon Bashkia e Tiranës do të bëjë që shqiptarët në kryeqytet të paguajnë dy herë më shtrenjtë për ujin se sa fqinjët e tyre.
Sipas një dokumenti zyrtar të Bankës Botërore, familjarët shqiptarë paguajnë rreth 0.7 euro për çdo metër kub si kosto për shërbimin e ujit të pijshëm dhe atë të ujërave të zeza, duke qenë vendi më i shtrenjtë në Ballkan. Në vendin e dytë, renditet Mali i Zi, ku tarifa e ujit për familjarët është 0.62 euro për metër kub të konsumuar.
Boshnjakët paguajnë 0.53 euro për metër kub, ndërsa në Maqedoni tarifa e ujit për familjarët është rreth 0.52 euro për metër kub. Sipas të dhënave, Kosova dhe Serbia janë dy vendet me çmimin më të lirë të këtij shërbimi, përafërsisht 0.5 euro për metër kub.
Edhe në raport me të ardhurat, shqiptarët detyrohen të paguajnë më shumë nga buxheti i tyre për shërbimin e ujit se sa fqinjët.
Aktualisht, sipas  të dhënat, familjarët shqiptarë shpenzojnë 2.2 për qind të buxhetit mujor për ujin. Në Maqedoni, familjet shpenzojnë 1.8 për qind të buxhetit për ujin, ndërsa në Mal të Zi dhe Serbi respektivisht 1.6 dhe 1.3 për qind.
Të gjitha këto janë çmimet aktuale. Tarifat e reja që propozon Bashkia e Tiranës do të thellojnë edhe më shumë diferencën mes tarifave që paguajnë shqiptarët dhe fqinjët e tyre në rajon. Madje me rritjen e re, tarifat e ujit në Tiranë duke përfshirë taksat dhe pagesat për ujërat e zeza, shkon gati 1 euro për metër kub. Kjo është plot dy herë më shtrenjtë se sa mesatarja e vendeve fqinjë.

PS-LSI kapen në flagrancë në rritjen e çmimit të ujit

PS dhe LSI janë kapur në flagrancë në rritjen e çmimit të ujit për Tiranën. Duke qenë se ky skandal i rritjes së çmimit ka dekonsipruar edhe aleancën e fshehtë mes dy partive që tani thonë se janë në opozitë me njëra-tjetrën ato po servirin një lumë lajmesh të rreme në mediat që kanë nën kontroll për të hedhur tym mbi qëndrimin e qartë të PD, e cila ishte e vetmja forcë politike që kundërshtoi rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.
PD akuzon mediat se po servirin gjellët e gatuara nga Rama.
Në një njoftim për mediat që nisi dje zyra e shtypit thuhet: “Këshilltarët bashkiakë demokratë nuk morën pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ata vetëm bënë një deklaratë në fillim të mbledhjes dhe pastaj e bojkotuan atë tërësisht. Lajmi se demokratët morën pjesë në votimin e dhënies së kredive për shtëpi është lajm i rremë i gatuar në kuzhinën e Edi Ramës dhe i përhapur nga veglat e tij në media, kamerierët e zellshëm që i shërbejnë publikut për ditë gjellët e prishura të Ramës”.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi të mërkurën (26 korrik) me 31 vota pro rritjen e çmimit të ujit për të gjithë konsumatorët, familjarë dhe biznese. Kuorumi i mjaftueshëm për këtë vendim u arrit me dy vota të këshilltarëve të LSI, Agim Kraja dhe Genta Mezini. Një ditë më pas, 27 korrik, LSI i shpalli dezertorë këta dy anëtarë, duke deklaruar se kanë vepruar privatisht për interesa të lidhura me kryebashkiakun Veliaj dhe në kundërshtim me vendimin e partisë që ishte kundër rritjes së çmimit të ujit.