Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se aksioni i Kongresit amerikan i shton tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës dhe vlerësoi se kjo është “për pikëllim”. Ai ka paralajmëruar masa përkatëse kundër Shteteve të Bashkuara.
“Sa i përket asaj se çfarë përgjigjesh do të ketë nga ne, kjo do të varet nga versioni përfundimtar i legjislacionit”, tha mbrëmë Vladimir Putin, gjatë vizitës në Finlandë.
Më tutje, ai u tha gazetarëve se “është e pamundshme që pafundësisht të tolerohen këto vrazhdësi ndaj vendit tonë”, dhe ka shtuar se, “kjo i kalon të gjithë kufijtë e arsyeshëm” dhe sanksionet “ato janë absolutisht joligjore nga pikëvështrimi i së drejtës ndërkombëtare”.
Zoti Putin theksoi se “është për keqardhje të madhe që raportet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po sakrifikohen për zgjidhjen e çështjeve të brendshme politike në SHBA”. Por, anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara thanë se legjislacioni është i domosdoshëm në dritën e dëshmisë për përzierjen ruse.
Në këtë aspekt është shprehur edhe republikani, John McCain, kryesues i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit amerikan. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të dërgojnë mesazh të fuqishëm te Vladimir Putini dhe te secili agresor tjetër, se ne nuk do të tolerojmë sulme kundër demokracisë tonë”, tha John McCain.
Liderët e Partisë Republikane kanë kërkuar që Presidenti Trump ta nënshkruajë legjislacionin.“Nuk mund të imagjinoj se dikush seriozisht mund të mendojë për dhënie të vetos ndaj këtij legjislacioni”, tha kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit, Bob Corker.
Reagimi i Presidentit rus: Raportet SHBA-Rusi peng i politikës
Uji, Veliaj do t’u zhvasë pensionistëve 96 mijë lekë
Me hyrjen në fuqi të tarifave të reja për qytetarët, një familje me të ardhura të pakta, fatura e ujit i rritet deri në 70%. Kjo sepse Veliaj ka menduar të rrisë dhe taksën e infrastrukturës në arsim, por edhe atë të abonimit. Në rast se për këto taksa deri më tani paguanim në faturën e ujit 100 lekë në muaj, tani e tutje do të paguajmë 200 lekë për çdo taksë. Kësaj i shtohet dhe taksa e banesës dhe ajo e pastrimit, e cila pa llogaritur konsumin e ujit shkon në 1000 lekë të reja çdo muaj. Pra, në rast se sot një familje e cila harxhon 10 metra kub në muaj, paguan 1632 lekë ku 450 lekë është konsumi i ujit, 110 lekë është heqja e ujërave të ndotura, 272 lekë TVSH dhe pjesa tjetër prej 800 lekë janë taksa, pas hyrjes në fuqi të tarifave të reja do të paguajë 2432 lekë. Pra, një rritje me gati 800 lekë çdo muaj, ose më shumë se 9600 lekë lekë në vit. Një familjë tjetër, që ka dhe fëmijë të vegjël dhe që sot paguan 2500 lekë në muaj faturë uji (dhe kjo është pjesa më e madhe e popullsisë) pas hyrjes në fuqi të tarifave të reja do të paguajë deri në 3965 lekë vetëm faturë uji në muaj. Kjo sepse vetëm rritja e taksës për ujin kësaj familjeje së bashku me taksën në infrastrukturë, 45% e tarifës, taksën e banesës dhe 20% e TVSH mund t’i shkojë deri në 1465 lekë. Pra, një rritje me më shumë se 54% të asaj çka paguan tashmë.
Biznesi
Akoma më e zymtë duket situata me bizneset, sidomos me ato të shërbimit bar kafe. Sot, një biznes i tillë, paguan mesatarisht 10 mijë lekë në muaj, nga ku 1400 lekë janë taksa, që kanë të bëjnë me pastrimin dhe infrastrukturën arsimore dhe 20% TVSH. Pjesa tjetër mbetet ujë i konsumuar. Për këto biznese Veliaj e ka rritur taksën deri në 74%, e cila e përllogaritur i bie jo pak, por rreth 6 mijë lekë më shumë në muaj. Pra, ato biznese të cilat deri më tani kanë paguar rreth 10 mijë lekë nga hyrja në fuqi e tarifave të reja, do të paguajnë rreth 16 mijë lekë çdo muaj, duke përfshirë dhe TVSH, ose një rritje të kostos prej 72 mijë lekë në vit për çdo biznes. Kjo është minimalja që do i duhet të paguajë një biznesi të vogël, bar kafe, pasi të gjithë e dinë që shifra në fjalë është minimumi i faturës që ata paguajnë çdo muaj. Kjo faturë është në përpjestim progresiv, në varësi të punës që ka biznesi. Pra, ajo rritje që Erion Veliaj e konsideroi të papërfillshme, reflekton më së paku 60 deri 80 për qind rritje në faturën fundore.
Efekti zinxhir
Por kjo rritje e menjëhershme jo vetëm e tarifës së ujit, por edhe të taksave pritet të japë efektin e saj dhe në rritjen e çmimeve. Kjo sepse nga kjo rritje do të preken të gjithë sektorët e ekonomisë, buka, shërbimet dhe prodhimi i pijeve që janë dhe konsumatorët e mëdhenj të ujit. Një rritje me 74% e çmimit të këtij produkti, do të thotë së paku rritje të çmimeve me 5-8 për qind, të cilat sërish do të rëndojnë në xhepat e qytetarëve të Tiranës. Pra, rritja shkon zinxhir, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për atë 20 lekësh që thotë ai që duhet të drejtojë Bashkinë, çdo vit do i rëndojë qytetarëve të këtij qyteti, ose e thënë ndryshe çdo qytetar i Bashkisë së Tiranës, do të duhet t’i paguajë Erion Veliajt një shumë prej 35 eurosh në vit. E thënë ndryshe, një familje me katër anëtarë duhet të paguajë shtesë për Bashkinë e Tiranës rreth 140 euro, apo 18 mijë lekë më shumë se aktualisht Erionit që të kapardiset para kamerave. Është një vjedhje që bëhet në mes të ditës dhe që nuk mund të justifikohet me asgjë përveç se me makutërinë e atyre që drejtojnë këtë qytet.
Kalkulimet qesharake të Bashkisë
Bashkia ka bërë edhe analizën qesharake të saj për të justifikuar rritjen e tarifave. Element i rëndësishëm i kësaj analize është studimi i statistikave mbi popullsinë. “Bazuar në të dhënat e INSTAT dhe regjistrit civil në ish-NJQV (Bashkia Tiranë), popullsia totale është 832,302 brenda kufijve administrativë të Bashkisë. Mbulimi është 85% (Tirana e madhe) ose 707.800 banorë dhe objektivi është arritja e mbulimit mesatar prej 95.3% UKT”, thuhet në relacion. Analiza e kërkesës për ujë ka parashikuar ndryshimin në nivelin e prodhimit të ujit deri në vitin 2021. “Prodhimi aktual është 106 milionë/m3 dhe deri në vitin 2021 parashikohet të shkojë në 62 milionë/m3 që ndryshe përkthehet ulje prej 42%. Ky reduktim vjen si rezultat i zbatimit të aksioneve për uljen e nivelit të ujit pa të ardhura, si dhe një menaxhimi më efikas të kërkesës për ujë nëpërmjet zbatimit të një programi tërësor të matjes nga burimi tek konsumatori”. Bashkia argumenton se shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës, nga 75% më 2016 në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021 dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018″.
Pas rritjes së energjisë, uji dhurata tjetër e Ramës
Kjo është dhurata e dytë që Rama u bën qytetarëve dhe bizneseve të këtij qyteti. Në fillim të vitit të shkuar u rriti energjinë. Sot të gjithë, familjarë dhe biznese e shohin që paguajnë më shumë. Mesatarisht një familje me dy pensionistë paguan minimumi 4 mijë lekë në muaj energji, ndërkohë që duhet të paguante rreth 1000 lekë më pak, me fashën e energjisë. Së bashku me faturën e rritur të ujit, kjo shumë shkon së paku në 65 lekë në muaj verës, ndërsa në dimër ka hesape të tjera. Pra 50% e shumës së një pensioni minimal shkon për të paguar faturat e shtetit, ndërsa duhet të jetojë me pjesën tjetër, prej 7500 lekë në muaj. Akoma më e zymtë bëhet kjo situatë për biznesin e vogël, që tashmë veç dyfishimit të çmimit të energjisë duhet të përballojë dhe dyfishimin e çmimit të ujit. Sot një biznes, bar kafe e thjeshtë paguan mesatarisht nga 30-50 mijë lekë në muaj energji elektrike, imagjinoni kësaj t’i shtohen dhe dyfishimi i faturës së ujit, apo dhe taksat e tjera që Veliaj ia ngarkon kohë pas kohe. Ta shtosh me 6 deri në 10 mijë lekë faturën e ujit për një biznes, duhet të llogarisësh që i ke hequr të paktën 80 për qind të rrogës së një punonjësi aty. Barra që synon Veliaj do të thotë edhe më pak vende pune.
ERU: Fatura e ujit nuk duhet të kalojë 5% të të ardhurave
Ka një parim të përbotshëm që karakterizon metodologjitë e miratimit të tarifave të ujit, ku familjet me të ardhura të ulëta duhet të jenë në gjendje të plotësojnë nevojat bazë të konsumit, duke shpenzuar jo më shumë se 5% të të ardhurave të tyre për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizime. Ky parim bëhet i ditur nga Enti Rregullator i Ujit (ERU), i cili shpjegon se ky kufi vlen edhe për ndërmarrjet shqiptare të ujit, qoftë ato në pronësi publike apo private. ERU thotë se tarifa, që familjet me të ardhura të ulëta duhet të paguajnë, nuk duhet të jetë më shumë se 5 për qind e të ardhurave mujore, por në Tiranë tarifat aktuale të ujit jo vetëm që kapërcejnë këtë kufi po janë disa herë më të larta. Tarifa aforfe e ujit në Tiranë për personat që nuk kanë matës në zonën e Komunës së Parisit është 2340 lekë. Kjo vlerë është sa 15 për qind e pensionit mesatar në Tiranë. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar në zonat urbane në vitin 2016 ishte 14,873 lekë. Për rrjedhojë tarifa e faturës aforfe e ujit që duhet të paguajë një pensionist, që jeton vetëm, është sa 15 për qind të ardhurave mujore, ku parimi që udhëheq vendosjen e tarifave të ujit kërkon që të jetë më pak se 5%. Gjithashtu, fatura aforfe e ujit zë 28 për qind të të ardhurave te një familje që jeton me ndihmë ekonomike, e cila aktualisht në nivelin maksimal të saj është 8000 lekë në muaj. Përllogaritjet tregojnë se fatura e ujit edhe me çmimet aktuale është më e lartë se aftësitë paguese të familjeve me të ardhura të ulëta. Sipas relacionit, për familjarët propozohet një rritje çmimi me 44%, nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3. Për bizneset, rritja e propozuar është po 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3. Sipas relacionit të Bashkisë, shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e planit të biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës, nga 75% më 2016, në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021 dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018″. Rritja e çmimit propozohet në një kohë që Ujësjellës-Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rikuperimit të detyrimeve të prapambetura. Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015.
Presidenti Trump mund të verë veton ndaj sanksioneve të reja ndaj Rusisë
Shtëpia e Bardhë të enjten nuk përjashtoi mundësinë që Presidenti Donald Trump t’i vërë veton sanksioneve të reja të Kongresit ndaj Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut, duke nxitur kritika të ashpra nga ligjvënësit e të dyja partive politike të vendit.
“Ai mund të nënshkruajë sanksionet ashtu siç i ka propozuar Kongresi, mund t’i vërë veton, ose mund të negociojë një marrëveshje për sanksione edhe më të ashpra kundër rusëve”, tha Anthony Scaramucci, drejtor i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, në një intervistë për rrjetin “CNN”.
Madje thjesht ideja e vetos shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Kongresi.
“Unë mendoj se do të ishte një gabim shumë i keq”, i tha “Zëri i Amerikës” senatori republikan nga Teksasi, John Cornyn. “Do të ishte më mirë nëse ata (zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë) do të punonin me ne për krijimin e legjislacionit për këtë çështje”.
“Projektligji i sanksioneve i jep Presidentit një armë më të fortë në diskutimet e tij me (Presidentin Vladimir) Putin”, tha udhëheqësi i demokratëve në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Ben Cardin nga Merilendi. “Nëse ai i vë veton projektligjit, kjo do të thotë se ai nuk dëshiron të ketë një dorë më të fortë në diskutimet me zotin Putin”.
“Është e vështirë ta kuptojmë se çfarë del nga Shtëpia e Bardhë”, shtoi senatori Cardin.
“Kongresi ka fuqinë ta anulojë veton”, tha senatori demokrat nga Nju Xhërsi, Bob Menendez.
Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer hodhi poshtë pohimin “qesharak” të zotit Scaramucci se Presidenti Trump mund të negociojë sanksione edhe më të ashpra kundër Rusisë.
“Edhe unë jam një njujorkez”, tha senatori Schumer duke shtuar, “dhe mund t’i kuptoj idetë jo serioze”.
Dhoma e Përfaqësuesve miratoi projektligjin e sanksioneve të martën me 419 vota pro dhe 3 kundër. Edhe në Senat pritet të ketë një mbështetje të ngjashme për këtë projektligji.
Projektligji synon të vendosë kosto më të mëdha ekonomike ndaj Moskës, Teheranit dhe Phenianit për një sërë aktivitetesh të këtyre vendeve që kundërshtohen nga Uashingtoni dhe i jep Kongresit fuqinë për të bllokuar çdo masë presidenciale për të pezulluar masat ndëshkuese.
Gjatë negociatave disa javëshe, administrata e Presidentit Trump fillimisht i kundërshtoi këto masa duke i quajtur ato një përpjekje për të kufizuar aftësinë e ekzekutivit për të lehtësuar në mënyrë të njëanshme sanksionet, duke thënë se ato kufizojnë aftësitë e Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për të ndryshuar veprimet ruse dhe për të ndërtuar një marrëdhënie më të mirë me Presidentin rus, Vladimir Putin.
Shqetësimi për këtë çështje u eliminua në fillim të javës, kur Shtëpia e Bardhë shprehu mbështetjen për projektligjin.
“Presidenti mbështet sanksionet ndaj këtyre vendeve dhe dëshiron të sigurohet që ato të mbeten në fuqi, por në të njëjtën kohë ai dëshiron të sigurohemi që të jemi në gjendje të arrijmë marrëveshje të mira për këto çështje. Këto dy gjëra janë shumë të rëndësishme për Presidentin”, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov tha të mërkurën se Moska ka të ngjarë të hakmerret kundër Shteteve të Bashkuara nëse sanksionet hyjnë në fuqi.
Sipas mediave shtetërore ruse, Ryabkov paralajmëroi se sanksionet e reja do të eliminojnë çdo shans për përmirësim të marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit. Ai gjithashtu tha se Rusia e kishte paralajmëruar më parë administratën e Presidentit Trump se do të kundërpërgjigjej nëse ligjvënësit amerikanë miratojnë projektligjin për sanksionet.
Gjykata shkarkon Kryeministrin e Pakistanit për korrupsion
Gjykata e Lartë e Pakistanit urdhëroi dje largimin e menjëhershëm nga detyra të kryeministrit të Pakistanit, Nawaz Sharif.
Nawaz Sharif u shpall fajtor nën akuzën për grumbullim dhe fshehje të pasurive jashtë vendit dhe se mënyra e tij e jetesës i kalonte mundësitë e tij ekonomike.
Menjëherë pas vendimit zëdhënësi i kryeministrit tha se Nawaz Sharifi e pranon vendimin “pavarësisht rezervave të tij të mëdha” dhe se largohet nga detyra.
Akuzat kundër familjes së kryeministrit Sharif burojnë nga dokumentet financiare të zbuluara, të njohura si “Panama Papers”, sipas të cilave fëmijët e kryeministrit kanë llogari bankare dhe prona luksoze jashtë shtetit, në vendet e njohura si parajsa fiskale.
Gjykata urdhëroi zyrtarët e antikorrupsionit të përfundojnë sa më shpejt hetimet që po kryhen ndaj fëmijëve të kryeministrit Sharif, dhëndrit dhe ministrit të Financave Ishaq Dar.
Në vendimin e gjykatës vihej në dukje “se kryeministri Sharif nuk kishte deklaruar pasuritë e tij jashtë vendit” në letrat e tij të kandidimit të paraqitura për zgjedhjet e vitit 2013 dhe se kishte “dhënë deklarata të rreme”. Në vendim thuhet se bazuar në këto, Nawaz Sharifi nuk është i sinqertë dhe për këtë arsye nuk kualifikohet për të qenë anëtar i Parlamentit.
Sipas ligjeve të vendit kabineti i kryeministrit Sharif shpërndahet dhe presidenti do t’i kërkojë Asamblesë Kombëtare (dhoma e ulët e Parlamentit), të zgjedhë një kryeministër të ri.
Pas vendimit ministrja e Informacionit, Marriyum Aurangzeb u tha gazetarëve se partia e saj “nuk është e habitur, por e pikëlluar” me vendimin.
“Historia ka qenë dëshmitare se sa herë që Nawaz Sharifi është hequr padrejtësisht, populli i Pakistanit e ka sjellë atë sërish në Parlament me një shumicë edhe më të madhe”, tha ajo.
Një anëtar i Gjykatës së Lartë do të mbikëqyrë zbatimin e vendimit të marrë të premten.
Vendimi i së premtes nxiti festime mbarëkombëtare të udhëhequra nga partia opozitare “Tehreek-e-Insaf” e ish-yllit të kriketit tashmë politikan, Imran Khan.
Partia e tij udhëhoqi betejën ligjore kundër kryeministrit Sharif dhe familjes së tij në Gjykatën e Lartë.
“Kjo është një fitore për drejtësinë dhe për demokracinë kushtetuese. Nga sot e tutje do të sundojë Kushtetuta e Pakistanit dhe jo ndonjë familje”, tha për “Zërin e Amerikës” Asad Umar, një ligjvënës i partisë së Imran Khanit, menjëherë pas vendimit.
LSI i ka huazuar me interes dy këshilltarët tek Veliaj?
I ndodhur përballë një problematike dhe vështirësie që lidhet me faktin se LSI nuk mund të sillej në Bashkinë e Tiranës si pjesë e pushtetit dhe në opozitë me qeverinë, LSI duket se ka gjetur një zgjidhje.
Skenari është i qartë, LSI urdhëron dy nga besnikët e tij, të kalojnë përfundimisht me Erion Veliajn. Kalimi i tyre do t’ia jepte shumicën Veliajt, por prapë për të siguruar mazhorancën, për çdo vendim do t’i duhej ajo marrëveshje.
Pra, për çdo votë me shumicë prej 31 këshilltarësh, Veliaj duhet t’i drejtohet sërish LSI edhe pse formalisht dy besnikët e Presidentit të Republikës kanë kaluar me PS. Kjo lëvizje dhe ky pazar ka zgjidhur përfundimisht sikletin e LSI dhe Kryemadhit.
Pazari i Veliajt me ta është i mbyllur. Kryebashkiaku i Tiranës siguron shumicën, në vazhdim ushtarët e LSI për çdo vendim do të konsultohen me Kryemadhin dhe nga ana tjetër Erion Veliaj do të ruajë njerëzit e Metës në administratë, por edhe do të shpërndajë tendera dhe të firmosë leje sipas nevojave që do të kenë aleatët e heshtur.
Ish-këshilltarja e LSI-së në Bashkinë e Tiranës, Genta Mezini, ka reaguar pas përjashtimit të saj nga grupi i kësaj force politike, pas vendimit të saj në kundërshtim me atë të grupit, për të votuar pro rritjes së çmimit të ujit.
Në deklaratën e saj, ajo ka bërë të ditur se vendimin e ka marrë vetë, pasi është bindur se projekti ishte ambicioz. Ajo shprehet se nga ky moment e në vijim do të jetë mbështetëse e Partisë Socialiste dhe vota e saj do të jetë për të.
Kjo është deklarata e plotë e Genta Mezinit:
Falënderoj të gjithë qytetarët e Njësisë 10, të cilët me votën e tyre në vitin 2015, më dhanë mundësinë të jem pjesë e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Falënderoj të gjithë dashamirësit dhe ata që më kanë përgëzuar për aktin e djeshëm (ditën e mërkurë), ku unë votova bindshëm, krejt e lirë dhe e pavarur prej imponimit politik, votova për një projekt kaq ambicioz, që lidhet me furnizimin me ujë të kryeqytetit për 24 orë.
Jo vetëm si qytetare e Tiranës, por edhe si mjeke në profesion, unë jam e bindur që rindërtimi sipas standardeve të larta bashkëkohore të rrjetit të ujësjellësit, do të minimizojë ndjeshëm edhe sëmundjet infektive që vijnë si pasojë e kontaminimit të ujit nëpër depozita dhe cisterna krejt të amortizuara, siç janë parazitet e ndryshëm, viruset etj… Për sa i përket deklaratave të bëra nga LSI për blerjen e votës sime apo manipulimin e votës sime përkundrejt pazareve që vetëm një dëshpërim i thellë mund të sajojë, ju bëj me dije që asgjë nuk është e vërtetë.
Unë premtoj që votën time, në Këshillin Bashkiak të Tiranës do ta përdor vetëm në të mirë të interesave të komunitetit. Jam e nderuar që më jepet mundësia të kontribuoj përkrah kryetarit të Bashkisë z. Erion Veliaj dhe do të bëj të pamundurën që të jap gjithë mundësitë e mia në shërbim të qytetarëve. Duke u nisur nga akuzat e dëshpëruara të LSI për blerjen e votës sime dhe duke qenë se unë zgjedh progresin dhe jo regresin, zgjedh zhvillimin dhe jo prapambetjen, zgjedh shëndetin dhe jo sëmundjen, e shoh se nuk mund të jem më pjesë e formatit politik të LSI. Që nga ky moment, vota ime do të jetë pjesë e grupit politik të Partisë Socialiste.
Loja Kryemadhi-Veliaj
LSI e kishte fare të lehtë, që ta ndalonte idenë korruptive të Veliajt për të rënduar dhe më tej xhepat e qytetarëve, por nuk e bëri, duke provuar se është ende pjesë e tepsisë. Këshilli Bashkiak përbëhet nga 61 anëtarë, nga ku PS ka vetëm 25 prej tyre. Pa 13 votat e LSI-së kuorumi ishte i pamundur të arrihej dhe për vendime të rëndësishme duhet pjesëmarrja e më shumë se gjysmës së anëtarëve të Këshillit Bashkiak, pra duheshin së paku 31 këshilltarë. PS nuk mund ta arrinte këtë shifër as me 3 votat e PDIU dhe as me një votë të FRD, e cila e çonte gjithsej në 29 këshilltarë kuorumin e përgjithshëm, por e kaloi me dy votat e partisë së Metës. LSI një ditë para se të votonte në Këshillin Bashkiak, kërkoi një seancë dëgjimore me Erion Veliajn, një veprim krejtësisht që më shumë se të bërit opozitë i dha mundësi Veliajt që të bënte propagandën e tij.
Çfarë fshihet pas rritjes së çmimit
Ndërkohë, nga rritja e çmimit të ujit preken rreth 707 mijë banorë të Tiranës së madhe. Fatura pas hyrjes në fuqi pritet t’u dyfishohet fatura e ujit. Dyshimet janë se dhe ky sektor do të jepet me koncesion dhe Veliaj priti përfundimin e zgjedhjeve që të rriste tarifat. Më qesharake në pretendimet e Veliajt ishte fakti se kjo rritje kërkohej për të kryer investime në rrjet. Në fakt s’është aspak kështu. Dhe me 45 lekë për metër kub, ujësjellësi ka një fitim neto prej rreth 30 lekësh (shifra mendohet të jetë më e madhe, pasi me shumicë uji ka një çmim prej 12 lekësh). Në rast se do të bëhet një llogari vjetore, për rreth 84 milionë metra kub ujë në vit që prodhon Bovilla, atëherë rezulton që fitimi neto të jetë rreth 20 milionë euro në vit ose 2,5 miliardë lekë. Dhe këtu nuk po futet çmimi i ujërave të përdorura, të cilët kanë një kosto të papërfillshme, por që merret 11 lekë për metër kub. Vetë Veliaj deklaroi se në vitin 2016, ujësjellësi kish kapur një normë fitimi prej 5 milionë eurosh, çka do të thotë që ky sektor është i paaftë të mbledhë më shumë se 25% të pagesave që duhet të bëjne konsumatorët. Ndërkohë me çmimin e ri, i bie që kjo shumë pra fitimi i UKT të shkojë në rreth 38 milionë euro në rast se do të mblidhej, pra gati një dyfishim të shumës që do të duhej të mblidhte UKT, por që do të dalë nga xhepat e qytetarëve. Në fakt shuma është e përafërt se këtu nuk llogariten bizneset që kanë një tarifë tre herë më të lartë. Shkurt një biznes që do e kishin zili dhe kompanitë e mëdha që operojnë në bursë.
Pakti PS-LSI në dëm të qytetarëve
Miratimi i rritjes së çmimit të ujit të pijshëm dhe dhënies me koncesion të ndërtimit të shkollave në Tiranë, të mërkurën në Këshillin Bashkiak, në kundërshtim me ligjin dhe interesin e qytetarëve, nuk është i pari vendim që është marrë si pasojë e një bashkëpunimi PS-LSI.
Në dhjetor 2015, kur kryebashkiaku Veliaj kishte vetëm pak muaj në pushtet, propozoi projektvendimin e parë që shkaktoi reagim masiv të qytetarëve: rritja e çmimit të biletës së urbanit nga 30 në 40 lekë. Pavarësisht protestave të qytetarëve dhe kundërshtimit të këshilltarëve të PD-së, rritja e çmimit u miratua në fund të një seance të gjatë debatesh, me votat e këshilltarëve të PS e LSI.
Në po të njëjtën mbledhje, po me votat e PS e LSI e kundërshtimet e opozitës, u miratua dhe paketa fiskale dhe buxheti i vitit 2016, ku ndër të tjera përfshihej dhe rritja e taksave për bizneset që përdornin hapësira publike. E miratuar pa u diskutuar më parë me grupet e interesit, kjo paketë fiskale u ndryshua pak muaj më vonë, pas protestave të sipërmarrësve të vegjël që prekeshin nga rritja e taksave.
Një vit më vonë, në ditët e fundit të 2016-ës, Këshilli Bashkiak, sërish vetëm me votat e PS e LSI, miratuan planin urbanistik të Tiranës në shkelje të plotë të procedurave dhe në mungesë të transparencës.
Në tetor 2016, pas debateve të shumta në Këshill, këshilltarët e djathtë u larguan, ndërsa PS e LSI votoi së bashku dhënien e 22 mijë metrave për një afat përdorimi 25-vjeçar shoqërisë Eco Tirana – shoqëri aksionere që menaxhon mbledhjen e plehrave në Tiranë, – kontratë nga e cila Bashkia Tiranë nuk do të marrë asnjë përfitim.
Më pas në qershor 2017, sërish në bashkëpunim me këshilltarët e LSI, kryebashkiaku Veliaj miratoi kalimin e vendimmarrjes nga Këshilli Bashkiak tek kryetari i Bashkisë për kompaninë Eco Tirana, vendim ky që i lejon kryebashkiakut Veliaj të marrë çdo vendim mbi Eco Tirana- përfshi aktivitetin, shpenzimet dhe investimet e kompanisë- pa patur nevojë të konsultohet apo të bëjë transparencë përpara Këshillit Bashkiak. Ky vendim madje lejon zotin Veliaj të vendosë vetë për ndërtimin e inceneratorëve për djegien e mbetjeve, aktivitet i parashikuar në statutin e Eco Tiranës.
Pas zgjedhjeve të 25 qershorit, drejtues të lartë të LSI deklaruan se ata do të jenë përkrah popullit, në opozitë, madje u shprehën se do të bënin opozitën e vërtetë që prej kaq vitesh i kishte munguar vendit.
Por pavarësisht se për mbledhjen e djeshme, kryetarja e re e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se LSI është distancuar nga dy këshilltarët Genta Mezini dhe Agim Kraja, dy kandidatët që bënë të mundur arritjen e shumicës prej 31 votash, duket se LSI do të jetë edhe në vitet në vazhdim, një patericë në shërbim të kryebashkiakut Veliaj, e cila do të lejojë që prej saj “të rrjedhin” fiks aq vota sa nevojiten për të miratuar çdo propozim të Veliajt.
Kush është financuesi i LSI që votoi për rritjen e çmimit të ujit
Përgjatë dy dekadave të fundit, partitë politike në Shqipëri kanë fshehur donatorët e mëdhenj të fushatave elektorale, duke deklaruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vetëm emra funksionarësh partiakë. Por në vitin 2016, kjo traditë u thye nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila i bashkëngjiti buxhetit të vet vjetor një listë me 42 financues.
Megjithëse ky deklarim përbën një risi për transparencën e financave politike, “BIRN” zbuloi se LSI ka pranuar financim në kundërshtim me Kodin Zgjedhor nga të paktën një donator- njëherazi edhe përfitues i tenderave publikë.
Neni 89 i Kodit Zgjedhor kufizon partitë politike që të përfitojnë fonde nga kompani apo aksionerë kompanish, të cilët në dy vitet e fundit kanë fituar fonde publike, kontrata apo koncesione me vlerë mbi 10 milionë lekë.
Të dhënat e siguruara nga “BIRN” në Qendrën Kombëtare të Bizneseve dhe në transaksionet e kryera nga thesari i shtetit tregojnë se njëri prej donatorëve të LSI: kompania “Xhast shpk” ka përfituar tendera publikë me vlerë më të lartë se 10 milionë lekë.
“Xhast shpk” është një kompani ndërtimesh dhe shërbimesh, që sipas QKB është themeluar në vitin 2001 nga Agim Kraja- aktualisht këshilltar i LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Në vitin 2016, kjo kompani ka dhuruar 1 milion lekë për Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke u renditur në një ndër katër financuesit më të mëdhenj të deklaruar.
Të dhënat e siguruara nga “BIRN” në thesarin e shtetit tregojnë se “Xhast shpk” ka fituar tendera publikë në vlerën e rreth 255 milionë lekëve për periudhën 18 maj 2012-shkurt 2017. Por dy prej tenderave të fituar janë në tejkalim të vlerës së përcaktuar në Kodin Zgjedhor.
Më 18 qershor 2015, kompania “Xhast” rezulton të jetë paguar në vlerën e 10.8 milionë lekëve nga Komuna Golaj e Qarkut të Kukësit. Ndërsa më 22 qershor 2016, e njëjta kompani ka kryer një transaksion prej më shumë se 16 milionë lekësh me Bordin e Kullimit në Lezhë.
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga “BIRN” në lidhje me mundësinë e favorizimit të kompanisë “Xhast” në fitimin e tenderave publikë. I kontaktuar përmes llogarisë aktive në rrjetin social Facebook dhe numrit të telefonit të kompanisë të publikuar në QKB, edhe administratori Agim Kraja nuk iu përgjigj pyetjeve të “BIRN”.
Kompania “Xhast shpk” nuk është donatori i vetëm i LSI që ka përfituar fonde publike. Dy financues të tjerë të deklaruar, të cilët janë njëherazi edhe aksionerë kompanish kanë fituar tendera publike në institucionet e drejtuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim gjatë viteve 2013-2017. Megjithatë, vlerat e përfituara prej tyre janë brenda kufizimeve të Kodit Zgjedhor.
Përfitimi i parave publike nga donatorët e partive kryesore politike në vend është një skemë e njohur për ekspertët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve në Shqipëri. Sipas tyre, “klientelizmi partiak” mbahet gjallë edhe prej faktit se shumica e partive politike i mbajnë ende të fshehtë emrat e donatorëve të tyre.
Duke iu referuar rastit të kompanisë “Xhast shpk”, Afrim Krasniqi- drejtor i Institutit të Studimeve Politike i tha “BIRN” se, “ky është rasti tipik ku në çdo vend demokratik do të duhej të ishte objekt hetimi nga disa organe njëherësh”.
“Do të duhej të kishte hetim për të verifikuar nëse kompania ka përfituar akses të privilegjuar në financim, në tenderë, në promovim, në evitim të taksave ose të kontrollit të cilësisë nga organet ekzekutive dhe në fund të fundit, për të hetuar përfitimet dhe motivet që e kanë shtyrë një firmë private për të financiar aktivitete masive elektorale dhe politike të një partie politike”, tha ai.
Krasniqi shpjegoi se skema e financimit të partive politike lidhet shpeshherë me fushën e aktivitetit të kompanive të caktuara, çka përforcon sipas tij marrëdhënien klienteliste.
“Shumica e firmave financojnë jo çdo parti, por… organin përgjegjës që i monitoron dhe që mund t’u sigurojë kontrata. Për pasojë, shumica e prokurimeve direkte publike nga qeveritë i shkojnë pikërisht këtyre klientëve elektoralë, edhe pse kjo është një masë e ndaluar nga legjislacioni ynë në fuqi”, argumenton Krasniqi.
Roden Hoxha, jurist pranë Avokaturës së Shtetit dhe zyrës së përfaqësimit në gjykata të huaja ndërkombëtare dhe arbitrazhin ndërkombëtar argumenton se përveç mungesës së transparencës, Shqipëria ka nevojë të përmirësojë ligjin e saj zgjedhor.
Ai i shpjegoi “BIRN” se, dhuruesi nënshkruan një deklaratë ku zotohet se nuk ndodhet në asnjërën prej rrethanave të nenit 89 dhe është ai që mban përgjegjësi personale “për deklarim të rremë”. Hoxha shpjegon gjithashtu se në rastet kur nuk përbën vepër penale, ligji përcakton penalitete financiare për mosrespektimin e detyrimeve nga ana e partive politike.
“Ligji zgjedhor shqiptar ka pasur dhe ende ka nevojë për rishikime, siç mund dhe të shihet nga ndryshimet e herëpashershme të tij”, tha Hoxha.
Mentor Kikia, drejtor i organizatës “Forumi i Mendimit të Lirë” dhe monitorues i shpenzimeve të fushatës elektorale të vitit 2009 thekson se, “partitë bien dakord që të mos bëjnë kurrë transparencë me çështjen e financimit”.
“Në vitin 2009 problem ishte mungesa e transparencës, pasi ne kërkuam nga bankat dhe nga vetë partitë të dhëna dhe emrat e donatorëve përmes llogarive bankare, por askush nuk na dha asnjë lloj informacioni”, tha Kikia për “BIRN”.
“…Ky është problemi i madh nga i cili buron pjesa dërrmuese e korrupsionit, sepse kompanitë që ushqejnë makinerinë e politikës me para, nesër do t’i marrin mbrapsht përmes tenderëve, koncesioneve që ne sot po shikojmë që janë njëri më absurd se tjetri, përmes lejeve të ndërtimit apo projekteve që financohen nga paratë publike”, shton ai.
Afrim Krasniqi dhe Mentor Kika mendojnë se partitë politike shqiptare bëjnë konsensus të heshtur me njëra-tjetrën sa i përket financimeve jo publike; “një problem i madh i demokracisë dhe i luftës kundër korrupsionit në Shqipëri”.
Për të adresuar këtë problem, Krasniqi mendon se nevojiten hetime nga struktura të pavarura, ndërkohë që Kikia propozon mospërdorjen e fondeve jo publike.
“Praktikisht nuk kanë ndodhur (hetime) dhe me një konsensus të heshtur midis tri palëve kryesore politike, nuk pritet të ndodhë edhe në të ardhmen deri në jetësimin real të strukturave të reja hetimore të reformës në drejtësi”, tha Krasniqi për “BIRN”.
“Ka disa alternativa për t’u përmirësuar kjo situatë. Rritja e financimit të partive politike nga buxheti i shtetit, duke vendosur një çmim reference për aktivitetet elektorale dhe mospërdorimi i fondeve jopublike është një prej tyre”, përfundoi Kikia.
Ola MITRE
Stalini rikthehet si objekt debatesh në shkollat ruse
Mёsimi i historisё pёr represionet e Stalinit i dёmton nxёnёsit, mendojnё autoritetet. Shkak pёr debatin ёshtё njё libёr shkollor i Andrej Suslovit. Ai ёshtё profesor historie nё Universitetin e Shkencave Shoqёrore dhe Pedagogjike nё Perm. Autoriteti mbikëqyrёs rus nё fushёn e komunikimit (Roskomnadsor) e pati futur nё listёn e zezё librin, sepse “dёmton shёndetin e fёmijёve”.
Autoritetet ruse ndёrhyjnё gjithnjё e mё shumё nё diskursin e historisё. Shkas pёr kёtё ёshtё kёndvёshtrimi i pushtetit nё Kremlin, sipas tё cilit pas shpёrbёrjes sё Bashkimit Sovjetik Rusia e tronditur prej krizave sёrish duhet tё bёhet njё “shtet i madh”. Pёr ta mbёshtetur ideologjikisht kёtё pretendim, ata i kthehen historisё dhe i referohen stalinizmit. Librat shkollorё duhet tё nxisin “edukimin patriotik”. Qysh mё 2007 ish-presidenti dhe president i sotёm i Rusisё, Vladimir Putin udhёzoi botimin e njё libri historie, nё tё cilin Stalini cilёsohet si “udhёheqёsi mё i suksesshёm sovjetik i tё gjitha kohёrave”. Nё tё gjitha kёto libra Stalini paraqitet si patriot dhe modernizues. E nё to anashkalohet numri i pamasё i viktimave tё kolektivizimit tё dhunshёm tё bujqёsisё dhe industrializimi i shfrenuar, si dhe terrori masiv i viteve 1930. Diktatura komuniste legjitimohet nga pretendimi, se nё raportet e asaj kohe kjo ka qenё e nevojshme. Nё kёtё mёnyrё edhe Putin do tё legjitimojё sundimin autoritar.
Autori ka paditur autoritetin mbikëqyrёs
Nё bisedё pёr “DW” Suslov thotё, se librin shkollor e ka shkruar bashkё me njё kolege tё tij. Ky libёr u botua nga organizata jo komerciale ruse “Qendra pёr formimin politik dhe tё drejtat e njeriut”. “Libri ёshtё konceptuar pёr nxёnёs tё klasave tё larta dhe mund tё pёrdoret edhe jashtё programit mёsimor. Ai u ndihmon mёsuesve dhe nxёnёsve tё njihen me historinё e stalinizmit dhe tё pasojave tё kёtij sistemi”, thotё Suslov. Nё libёr rekomandohen vende ekskluzive, qё janё tё lidhura me represionet politike.
Gjatё prezantimit tё librit, Ministria e Arsimit nё rajonin Perm pati ofruar, qё libri tё publikohet nё faqen e internetit tё ministrisё, gjё qё edhe kёshtu u bё. Por pasi Roskomnadsor e klasifikoi librin si “tё dёmshёm pёr shёndetin e fёmijёve” ai u zhduk menjёherё nga faqja e internetit. Prokuroria kёrkoi gjithashtu nga “Qendra pёr formimin politik dhe tё drejtat e njeriut”, qё ta plotёsojё librin me udhёzimin pёr pёrdorim nga mosha 18 e sipёr. Suslov dhe qendra si rrjedhojё ngritёn padi ndaj autoritetit tё mbikëqyrjes nё qarkun Perm.
“Shpёlarje truri nё interes tё sponsorizuesve tё huaj”
Suslov thotё, se aktivitёt e lёvizjes “Sut vremeni” (qenia e kohёs) iu sulёn atij kundёr librit. Ata kanё shkruar shumё letra tek autoritetet e ndryshme. Verёn e vitit 2016 Dmitrij Usun ngarkoi ekspertё tё akredituar nё Roskomnadsor qё tё pёrpilojnё njё ekspertizё pёr librin. Suslov mendon, se Usun ёshtё i lidhur me lёvizjen “Sut vremeni”. Ekspertёt arritёn nё pёrfundimin, se “libri nxit bindje armiqёsore ndaj shoqёrisё dhe shtetit”.
Pavel Gurjanov nga lёvizja “Sut vremeni” nё Perm i tha “DW”-s, se e pёrshёndet vendimin e Roskomnadsor. “‘Puna e qendrёs pёr formimin politik dhe tё drejtat e njeriut’ me tё tilla metoda mёsimdhёnieje ёshtё vetёm njё mantel pёr tё kamufluar shpёlarjen ideologjike dhe politike tё trurit tek fёmijёt nё Perm, e kjo bёhet nё interes tё sponsorizuesve tё huaj tё kёsaj organizate”, thotё ai.
Aktivistёt e tё drejtave tё njeriut kritikojnё autoritetet
Aleksandr Verchovskij, drejtues i Qendrёs sё Moskёs pёr tё Drejtat e Njeriut “Sova” i tha “DW”-s, se ёshtё krejtёsisht e paqartё, pёrse autoriteti mbikëqyrёs Roskomnadsor ka ndёrhyrё nё kёtё grindje. Ky autoritet nё fakt ёshtё pёrgjegjёs pёr mbikëqyrjen e mediave. “Kjo ёshtё njё ҁёshtje qё ka tё bёjё me pedagogjinё. Pёr kёtё duhej tё kishte vendosur ministri i Arsimit”, thotё Verchovskij.
Qё ka libra, tё cilёt dёmtojnё fёmijёt, kjo ekziston, thotё Irina Shtsherbakova nga Organizata e tё Drejtave tё Njeriut “Memorial”. Por kjo nuk vlen pёr librin mёsimor tё Suslovit. “Tё dёmshёm janё librat, qё pёrhapin mite ideologjike dhe gёnjeshtra”, thekson ajo pёr “DW”. Njё “zbukurim i kohёs sё Stalinit” ajo e konsideron tё rrezikshёm. Pёrmes kёsaj mund tё krijohej pёrshtypja, qё dhuna ndaj njerёzve ёshtё e lejueshme nё çfarёdolloj forme, vёren ajo.
Oxfam: Qeveria Rama e katërta në botë për nxitjen e varfërisë
Oxfam, një nga institutet me prestigjioze në botë për kërkimet ekonomike, e ka renditur qeverinë shqiptare si qeverinë e katërt më të keqe të botës në luftën kundër pabarazisë. “Syri.net” publikon raportin, në të cilin Oxfam krahason qeveritë e 154 vendeve të botës sipas angazhimit të tyre për të luftuar pabarazinë.
Qeveria shqiptare renditet në zonën e turpit, krahas vendeve si Nigeria, Bahreini dhe Mianmari. Këto janë vende, pasuria e të cilave zotërohet nga një grusht i vogël njerëzish dhe ku qeveritë, jo vetëm që nuk bëjnë asgjë për të luftuar pabarazinë, por me politikat e tyre favorizojnë oligarkët. Sipas raportit, në vendin e parë si qeveria më e angazhuar dhe më e suksesshme në luftën kundër pabarazisë renditet ajo e Suedisë. Në dhjetë vendet e para figurojnë vetëm vendet e Europës Perëndimore, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Austrinë. Ndërsa në 10-teshen e fundit të tabelës, përveç qeverisë shqiptare qëndrojnë ajo e Nigerisë, Tongës, Buthanit, Panamasë etj.
Renditja e përpiluar
Renditja e përpiluar nga Oxfam bazohet në tri kolona. Ato janë politikat e qeverive për sektorët kyç, politikat tatimore si dhe politikat e tregut të punës për të luftuar pabarazinë. Kollona e parë vlerëson shpenzimet e qeverisë në sektorët e arsimit, shëndetësisë, si dhe transfertat për të varfrit. Oxfam nuk vlerëson vetëm sasinë e shpenzimeve, por edhe se kush i përfiton ato. Veçanërisht vitet e fundit, një pjesë e madhe e shpenzimeve publike në shëndetësi kanë shkuar drejtpërdrejt për një grusht kompanish koncesionare të lidhura me qeverinë, ndërkohë që shërbimi publik mjekësor mbetet në gjendje dramatike.
Veç shpenzimeve, Oxfam vlerëson se qeveria shqiptare favorizon pabarazinë edhe me politikën e taksave, pasi takson më shumë të varfrit se sa të pasurit, ndërkohë që vendi ka një renditje më të mirë në politikat e tregut të punës. Qeveria shqiptare është akuzuar gjerësisht si një qeveri në shërbim të një grushti të ngushtë oligarkësh. Por nëse deri më sot akuzat kanë ardhur kryesisht nga lufta e brendshme politike, tashmë ato konfirmohen ndërkombëtarisht, nga një prej institucioneve me prestigjioze në fushën e ekonomisë.
Të ardhura mbijetese
Thuajse të gjithë punonjësit në Shqipëri janë të keqpaguar dhe pjesa dërrmuese kanë vështirësi të përballojnë edhe nevojat më minimale të jetesës. Vetëm një numër shumë i vogël kanë të ardhura relativisht të larta që lejojnë një jetesë normale. Sipas statistikave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, rezulton se 99.5 për qind e punonjësve i kanë të ardhurat më të ulëta se sa 2 milionë lekë në vit dhe vetëm 0.5 për qind e tyre kanë një pagë mbi këtë nivel. E shprehur në numër kjo do të thotë se në Shqipëri janë vetëm 6 mijë punonjës që deklarojnë të ardhura nga paga më të larta se 2 milionë lekë në vit. Në total, sipas statistikave të INSTAT, Shqipëria numëron rreth 1 milion e 667 mijë të punësuar. Numri i ulët i personave që kanë të ardhura nga mbi 2 milionë lekë në vit pasqyron nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik të vendit.
Përse Martin Shulz shkon në Itali?
Martin Schulz, kandidati i Partisë Socialdemokrate (SPD) për kancelar dhe rivali i Angela Merkelit në fushatën elektorale, prej ditësh tërheq vëmendjen për një krizë të re të refugjatëve. Ai e kritikon kancelaren duke thënë se Angela Merkel nuk vepron. Rivali i kancelares në fushatën elektorale e ka përqendruar vëmendjen tek situata në Itali. Por sa keq është në të vërtetë gjendja në brigjet italiane të Mesdheut?
“Pavarësisht gjithë dinamikës Italia gjatë vitit në vazhdim është konfrontuar me të njëjtin numër refugjatësh si edhe Gjermania”, theksoi të mërkurën (26.07) zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme gjatë një konference shtypi në Berlin. Konkretisht: Rreth 94.000 refugjatë kanë mbërritur, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, që nga fillimi i vitit në brigjet italiane të Mesdheut. Gjermania, sipas statistikave zyrtare, ka pritur 90.000 refugjatë në gjysmën e parë të vitit 2017.
Zëdhënësi tha, se me këtë nuk do ta zbusë situatën. Por nëse u referohesh shifrave në pikun e krizës së refugjatëve, atëherë “shifrat aktualisht në Itali janë shumë më të ulëta”. Në vitin 2015 ishin deri në një milion refugjatë që erdhën në Gjermani.
Në garë me Merkelin
Schulz aktualisht e ka të vështirë. Ai rrezikon të dështojë në zgjedhjet parlamentare më 24 shtator – sipas sondazheve SPD-ja është sërish në pozitën si para efektit Schulz, pra në kuotën historike më të ulët prej 25%. Nuk përjashtohet, që rezultati mund të jetë aq i dobët, sa edhe pozicioni i tij si kryetar i partisë të rrezikohet. Gjatë javëve të fundit ai është përpjekur të pozicionohet me nisma dhe tema dhe ta sulmojë CDU-në e Merkelit. Tri zgjedhje parlamentare të humbura në lande janë një barrë e rëndë për SPD-në dhe Schulz-in.
Në përpjekjen e tanishme, për t’u pozicionuar me temën e Italisë, Merkel i parapriu atij. Ajo telefonoi – ndonëse ishte me pushime – të mërkurën (26.07) me kryeministrin Paolo Gentiloni. Kancelarja i premtoi Romës mbështetje në përballimin e sfidave lidhur me migracionin, vuri në dukje zëdhënësja qeveritare Ulrike Demmer (26.07). “Kancelarja iu bashkua planit të mbështetur së fundi edhe nga Franca, që të forcohen komunat në Libi përgjatë itinerarit të refugjatëve, në mënyrë që me masa të tilla t’u kundërvihen bizneseve të kontrabandistëve në këtë vend”. Në gusht, pas pushimeve të verës, Merkel do të konsultohet edhe një herë për gjendjen me UNHCR-në.
Ndihmë nga Gjermania për Italinë
“Udhëtimi në Itali i Martin Schulz është thjesht një turizëm në luftën elektorale”, tha sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Peter Tauber (27.07) për gazetën “Passauer Neuen Presse”. Schulz prej kohësh mund të kishte kontribuar. Por përkundrazi, thotë Tauber, SPD-ja i ka bllokuar vendimet gjatë dhe “vazhdon ta bëjë këtë gjithmonë, kur është fjala për përfshirjen e vendeve afrikanoveriore në listën e vendeve të sigurta”. Në fundjavë Schulz kërkoi një shpërndarje më të drejtë të refugjatëve në Europë. Konkretisht ai propozoi mbështetje financiare nga Brukseli për vendet e BE-së, nëse ato i pranojnë refugjatët. Por në fakt Italia nuk është lënë vetëm. Megjithatë Italia nuk ia ka dalë, që në kuadër të programit europian për shpërndarjen e refugjatëve të ndërmjetësojë për numrin e refugjatëve të ofruar nga Gjermania, shkruan gazeta “Die Welt”. Nga 5520 vende të ofruara të programit “Relocation” 1499 syresh nuk janë shfrytëzuar. Së fundi Berlini i ofroi Romës që në vend të dy avioneve charter me kapacitet për deri në 500 vetë, të ofrojë edhe një të tretë për 750 refugjatë, që aplikojnë për azil.
Sidoqoftë sulmi i Schulz prek tek themra politike e Akilit të kancelares Merkel. Një rihapje e krizës së refugjatëve sërish do të forconte partinë radikale AfD, vota këto që do t’i kushtonin CDU-së së Merkelit. Pikërisht në vitin 2015 në valën e krizës dramatike të refugjatëve ndodhi që Merkel humbi pikë simpatie në popull. Edhe sikur tema të hapet sërish, Merkeli tashmë nuk ka mbetur kancelarja e “mirëseardhjes” si atëherë. Ajo ndërkohë është për një politikë të diferencuar dhe të strukturuar për refugjatët.
INSTAT: Për herë të parë në 16 vjet pagat pësuan ulje
Rritja e pagës reale në sektorin shtetëror në vitin 2016 ishte negative, për herë të parë, të paktën që nga viti 2000, kur INSTAT raporton këto të dhëna. Sipas INSTAT, më 2016-n, ndryshimi i pagës reale ishte -0.4%. Paga mesatare në shtet për vitin 2016 ishte 54,488 lekë nga 54,000 lekë vitin e mëparshëm. Në vlerë nominale, paga mesatare është rritur me 488 lekë ose 0.9%. Por, duke pasur parasysh ndryshimin mesatar vjetor të çmimeve të konsumit, prej 1.3%, ndryshimi i pagës reale është negative (-0.4%). Kjo nënkupton se edhe pse kanë pasur të ardhura pak më të larta, buxhetorët realisht kanë blerë më pak mallra dhe ushqime, për shkak se ato kanë qenë më të shtrenjta në krahasim me një vit më parë.
Teksa pagat e buxhetorëve nuk janë rritur, ata janë favorizuar nga fakti që edhe inflacioni (ndryshimi i çmimeve) ka qenë minimal në vitin 2016. Me 1.3%, ndryshimi vjetor i inflacionit ka qenë më i ulëti që nga viti 2000, kur ai ishte zero. Në vitin 2015, rritja reale e pagës ishte zero, për shkak se ndryshimi i pagës me +1.8% ishte i njëjtë me normën e inflacionit. Më 2014-n rritja e pagës reale ishte vetëm 0.1%. Pagat u rritën me shpejtësi nga viti 2000 deri më 2009-n, më pas ato u ngadalësuan për shkak se vendi filloi të ndjejë pasojat e krizës globale dhe ekonomia u ngadalësua, por edhe se baza ishte tashmë më e lartë, duke ulur përqindjen e rritjes. Tre vitet e fundit qeveria zgjodhi të ndjekë politikën e konsolidimit fiskal, duke ngrirë rritjen e pagave në shtet, që rifilloi vetëm nga marsi 2017. Madje 2016-a rezulton viti i parë kur pagat nuk arritën të indeksoheshin as me normën e inflacionit.
Mashtrimi me rritjen e pagave
Hera e fundit që punonjësit e sektorit publik kanë përfituar rritje page është korriku i vitit 2013. Në atë kohë qeveria në ikje e Sali Berishës i rriti rrogat mesatarisht 5 për qind. Shtesa u la në korrik për të mos influencuar rezultatin e zgjedhjeve që u mbajtën më 23 qershor.
Që prej asaj kohe rrogat për sektorin publik janë ngrirë, duke mos u rritur asnjëherë për tre vjet. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, në tre vitet e fundit çmimet në Shqipëri janë rritur të paktën me 5.5 për qind. Por për mallrat jetike, ushqimet, çmimet në tre vitet e fundit janë rritur me 12 për qind duke varfëruar punonjësit e sektorit publik.
Por veç ngrirjes trevjeçare të rrogave, qeveria e majtë ka sjellë edhe një tjetër dhuratë të hidhur për punonjësit e sektorit publik. Ajo hoqi shpërblimin e fundvitit, i cili i vetëm kompensonte thuajse tërësisht inflacionin. Rritja me 10 për qind e pagave, për të cilën qeveria pretendon se është më e madhja e akorduar ndonjëherë, në të vërtetë nuk arrin të kompensojë as inflacionin. Më konkretisht, me rritjen 10% pas tre vitesh, pagat e vitit 2016 mbeten përsëri 2% më të ulëta se sa pagat e vitit 2013 për të gjithë punonjësit e administratës, nëse përfshihet edhe shpërblimi i fundvitit.
Vendi me pagat më të ulëta në rajon
Punonjësit shqiptarë kanë pagat më të ulëta, jo vetëm nëse i krahason me vendet e zhvilluara të Perëndimit, por edhe në raport me ekonomitë e tjera të varfra në rajon. Faktin e pranon vetë një institucion qeveritar, Këshilli i Investimeve.
Sipas të dhënave të publikuara nga ky këshill, rezulton se në fund të vitit të kaluar, paga mesatare bruto për punonjësit në Shqipëri ishte vetëm 357 euro. Ky është niveli më i ulët në Ballkanin Perëndimor, duke qenë më poshtë edhe se sa ekonomitë e varfra të Bosnjës e madje edhe Kosovës. Sipas KI, në Kosovë paga mesatare bruto është 360 euro, ndërsa në Bosnje 424 euro. Në vendet e tjera të rajonit, punonjësit fitojnë edhe më shumë, nga 500 euro në muaj në Serbi deri në 739 euro në Malin e Zi.
Ulje pagash
Përveçse kanë rrogat më të ulëta në rajon, punonjësit shqiptarë janë përballur me përkeqësimin e standardeve të jetesës gjatë viteve të fundit. Banka Botërore deklaroi se rrogat në Shqipëri kanë rënë për katër vite me radhë, duke rrudhur të ardhurat e punonjësve me një intensitet të paprecedentë as për ekonomitë e zhytura në krizë të thellë.
“Pagat nominale vazhduan rënien, e cila ka filluar që në fund të vitit 2013, por ky trend duhet të lehtësohet në vitin 2017 nga përfundimi i ngrirjes së rrogave në sektorin publik”, thuhet në një raport të publikuar pak muaj më parë nga BB. Rënia e pagave nominale nënkupton se punëtorët në Shqipëri po përballen me një krizë të paprecedentë të ardhurash. Kjo pasi, përveç rënies së rrogave në vlerë nominale, niveli i tyre i mirëqenies është përkeqësuar edhe nga rritja e çmimeve.