Republika e Kosovës do të humbë 16 milionë euro kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi më 4 gusht përfundon një marrëveshje ekonomike me këtë Fond, bëjnë të ditur zyrtarë të qeverisë në largim të Kosovës.
Për shkak të mosformimit të institucioneve të reja, autoritetet në Prishtinë nuk kanë mundësi që të negociojnë me FMN-në për ndonjë program të ri.
Republika e Kosovës kishte arritur një marrëveshje ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin 2015, në vlerë prej rreth 185 milionë euro, në kohëzgjatje prej 22 muajsh. Afati i kësaj marrëveshjeje skadon më 4 gusht të këtij viti.
Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave në qeverinë në largim të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo marrëveshje nuk ka mundësi të vazhdohet dhe të negociohet për program të ri, pa formimin e qeverisë së re.
“Rreth 16 milionë euro nuk mund të merren kredi. Misioni i FMN-së është dashur të vijë në muajin qershor. Por, për shkak të zgjedhjeve nuk ka ardhur. Pa pasur rishikim të katërt të marrëveshjes, nuk mund të merren këto kredi”, tha Krasniqi.
Krasniqi, ndërkaq thotë se mosprania e Kosovës në programet e FMN-së, humb besueshmërinë e Republikës së Kosovës karshi institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare dhe investitorëve ndërkombëtarë.
“Nëse nuk je në program humb kredibiliteti, besueshmëria edhe tek investitorët e tjerë. Këto janë çështje të lidhura me njëra-tjetrën. Për arsye se raportet e një shteti, në këtë rast raportet e Kosovës me FMN-në, vlerësohet kredibiliteti edhe qëndrueshmëria e financave publike”.
Ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë, ndërkaq thonë se dështimi i marrëveshjes së re me Fondin Monetar Ndërkombëtar, rrezikon realizimin e projekteve të parapara me ato kredi.
Arian Zeka, kryeshef ekzekutiv në Odës Ekonomike amerikane, thotë se ky është edhe një sinjal për nevojën e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit. “Nëse marrëveshja në fjalë ka paraparë ndonjë grant financiar ose infuzion financiar për shtetin e Kosovës, atëherë natyrisht se ajo që mund të rrezikohet është mosrealizimi i ndonjë projekti, financimi i të cilit është paraparë me mjete të FMN-së”, tha Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Kosova humb 16 milionë eurot nga FMN

Marotta: Dybala nuk është në shitje
Drejtori i Përgjithshëm i Juventus-it, Beppe Marotta këmbëngul se Paulo Dybala nuk është në shitje, për asnjë lloj çmimi. E ardhmja e argjentinasit këto kohë te “Zonja e Vjetër” është vendosur në pikëpyetje, me Barcelona-n që dëshiron shërbimet e tij. Megjithatë drejtuesi bardhezi “blindon” 23-vjeçarin duke theksuar se nuk do të largohet nga Torino.
Marrin fund zërat për të ardhmen e Radja Nainggolan. Lojtari belg rinovon kontratën e tij me Romën, duke i dhënë fund çdo spekulimi për të ardhmen e tij. Mesfushori firmos kontratën që do ta lidhë me klubin verdhekuq deri në vitin 2021. Duke folur për faqen zyrtare të klubit Nainggolan pohon se kjo ka qenë gjithmonë dëshira e tij dhe se nuk e ka menduar ndonjëherë largimin.
Interi duhet të harrojë Arturo Vidal. Të paktën këtë theksoi shefi ekzekutiv i Bayern Munich, Karl-Heinz Rummenigge, i cili ia bëri të qartë zikaltërve, se kiliani nuk është në shitje. Legjenda e futbollit gjerman e përjashtoi me 100% mundësinë e largimit të Vidal nga “Allianz Arena”, duke pranuar rëndësinë që ka 30-vjeçari në skuadrën bavareze. Cilado qoftë oferta e Interi, bavarezët do ta refuzojnë menjëherë.
Sinisa Mihajloviç vendos në merkato Antonio Barreca. Trajneri i Torinos i pyetur për të ardhmen e 22-vjeçarit tha se në rast të një oferte të mirë në drejtim të lojtarit, atëherë ai mund të largohet nga klubi granata. Për momentin ekipet që kanë shfaqur interes për mbrojtësin janë Roma, Monaco dhe Tottenham, edhe pse për momentin nuk ka asnjë ofertë konkrete.
Alberto Gilardino pritet që karrierën ta vazhdojë në Serie B. Ish-sulmuesi i Milanit, Fiorentinës dhe Parmës, Alberto Gilardino është në kërkim të një klubi të ri. Ish-futbollisti i Italisë, aktualisht është pa ekip pas ndarjes me Pescaran. Sipas “Cronaca4.it”, Gilardino kërkohet nga skuadra e Serie B, Spezia. Interesim për Gilardinon kanë shfaquar edhe disa ekipe nga Serie B si: Parma, Cremonese dhe Venecia.
Kritikohet Hames
Faza përgatitore për skuadrën e Bajern Mynih është mbyllur negativisht, për sa i përket turneut aziatik. Në ndeshjen e tyre të fundit, bavarezët u mposhtën me rezultatin 0-2 në stadiumin kombëtar të Singaporit. Përpos humbjeve në rezultat, kampionët gjermanë kanë pësuar probleme edhe sa u përket lojtarëve.
Në ndeshjen ndaj italianëve të Interit, një tjetër lojtar ka mbetur i dëmtuar nga skuadra bavareze. Frank Riberi ka dëmtuar kyçin e këmbës së djathtë në një dyluftim me mbrojtësin e Interit, Skrinja. Ky dëmtim shënon të tretin për gjermanët në turin e tyre aziatik duke përmendur këtu edhe Huan Bernat me Tiago Alkantara. Dyshja është kthyer në Mynih duke e ndërprerë turin aziatik për t’iu nënshtruar trajtimeve të mëtejshme.
Sa i përket francezit, Riberi, trajneri italian, Karlo Ançeloti ka thënë: “Ai ka patur një problem jo serioz në kyçin e këmbës së djathtë dhe do të jetë sërish gati për rreth tri ose katër ditë”. Disfata e fundit e bavarezëve ndaj Interit i ka lënë jashtë loje sa i përket “Kampionatit të Singaporit”, të cilin kreu ekzekutiv, Rumenige, ia vendosi si objektiv skuadrës në prag të nisjes së këtij turi.
Edhe pas zëvendësimeve të bëra nga tekniku Ançeloti, situata në fushën e blertë, nuk ka ndryshuar. Kjo si pasojë e lodhjes së madhe të skuadrës bavareze gjatë udhëtimeve të këtij turi, e njëjta situatë sikurse ka ndodhur edhe në ndeshjen testuese ndaj Milanit, ku Bajerni u mposht me rezultatin 4-0. Megjithatë, edhe pas këtyre tri humbjeve të pësuara në turneun aziatik, skuadra bavareze ka arritur rezultate mjaft të mira duke kënaqur sadopak krerët dhe stafin.
Për këtë arsye, trajneri italian tha: “Performanca në ndeshjen e sotme ka qenë e mirë. Gabimi i vetëm që bëmë ishte fatal. Kemi punuar për një kohë të gjatë sa i përket aftësive fizike të skuadrës dhe kemi vënë re rezultate shumë të mira. Nga ana tjetër, blerjet më të reja të skuadrës nuk kanë arritur të shfaqin aspak vlerat e tyre. Hames dhe Toliso kanë shfaqur një lojë jo të koordinuar duke humbur mjaft raste”.
Por Ançeloti ka rënë ndesh me Rumenigen sa i përket çështjes së Renato Sançes duke thënë: “Renato Sançes ka treguar një performancë mjaft të mirë në ndeshjet e turit aziatik. Nuk e di nëse kjo do të vijë si një surprizë, por ai ka luajtur shumë më mirë se në sezonin e kaluar. Sançes është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, ndaj shpresoj të qëndrojë”.
Inter fitoi ndeshjen e dytë në International Champions Cup duke mundur Bayernin me rezultatin 0-2 falë dy golave të Ederit, që ishte protagonist i përballjes së zhvilluar në Singapor. Skuadra e Spallettit tregoi përmirësime të ndjeshme nga takimet e fundit duke luajtur në mënyrë të kujdesshme dhe duke shfrytëzuar mbi të gjitha kundërsulmin që solli dhe golin e parë zikaltër në të 8-tën me Ederin që ju shkëput mbulimit të Felix Goetzes. Bayern u pa disi konfuz në lojë me Interin që luajti mirë sidomos në mbrojtje ku nuk lejoi asnjë hapësirë dhe në të 30-tën me një zbritje në të majtë gjeti dhe golin e 0-2 sërish me Eder, këtë herë pas një pasimi të Perisiçit.
“Milani nuk ka para, mori borxh në Londër”
Presidenti i Romës, Xhejms Palota, ka paralajmëruar tifozët e Milanit që të mos gëzohen aq shumë, pasi ajo që po shohin tani është thjesht diçka që ai e ka cilësuar një çmenduri nga kuqezinjtë.
“Nuk ia kam idenë se çfarë po ndodh. Nuk ka kuptim. Pikë së pari, nuk kanë para për të blerë skuadrën, meqë kanë marrë borxh 300 milionë euro nga persona që njoh në Londër dhe me një interes shumë të lartë. Ndërsa tani po shpenzojnë, por do ta paguajnë shumë shtrenjtë”, ishin fjalët e tij për “SiriusXM FC”.
“Po shpenzojnë ose të paktën po bëjnë ndërhyrje paraprake për lojtarë dhe në një pikë të caktuar do t’i vuajnë pasojat e asaj që po bëjnë. Ata thonë se gjithçka është vetëm me qëllimin për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve, por nuk do të jetë mjaftueshëm. Kur rrogat të jenë të barabarta me fitimet, nuk e di se çfarë dreqin do të ndodhë me ta.
Janë të vetmit në Serinë A që u ka ikur mendja! Ndoshta ata kanë një plan madhor që ndonjë ditë do ta zbulojmë edhe ne, por sa i përket pjesës tjetër të skuadrave, janë të gjitha të përmbajtura. Nëse mundeni, ma shpjegoni ju Milanin se unë nuk e kuptoj…”, ishin fjalët e Palotës për radion e njohur të Nju Jorkut.
Takaj: Skënderbeu kualifikohet në Elbasan
Presidenti i Skënderbeut ndezi puron e radhës pas golit të Latifit, i gëzuar dhe i relaksuar për të shijuar i qetë deri në fund ato pak minuta që kishin mbetur për t’u luajtur në Çeki. Por, kur ende nuk kishte bërë më shumë se pesë thithje, gjithçka i është “prerë në mes”. Skënderbeu i tij pëson golin e dytë, për më tepër me finte. Pavarësisht se ishte gati ta flakte puron nga inati, Takaj vazhdon ta shijojë, duke qetësuar veten se ka ende edhe një ndeshje. Është presidenti më i suksesshëm në futbollin shqiptar dhe e di mirë se skuadra e tij nuk dorëzohet kurrë.
“Nuk është se bëmë ndonjë lojë të bukur, por barazuam në një moment të mirë. Shënuam në minutën e 86-të, por u ndëshkuam menjëherë pas një minute. Dhe të ndëshkohesh në mënyrë të tillë është një gabim i pafalshëm. Është për të ardhur shumë keq”, shprehet fillimisht i zhgënjyer Takaj.
“Mlada rezultoi ashtu siç e prisnim, një skuadër e fortë. Në Çeki është një prej skuadrave më të forta. Pas tri ekipeve të para kryesuese që janë me buxhete të konsiderueshme, vjen Mlada. Është gjithmonë aty dhe u hap probleme skuadrave të forta të Çekisë”, tregon presidenti korçar opinionin e tij për skuadrën çeke.
Por, Takaj ka një mesazh për të gjithë tifozët: “Pavarësisht humbjes, rezultati 2-1 është i mirë. Kemi shanset tona për të kaluar në turin tjetër. Në Elbasan do të jetë një tjetër histori. Të jeni të bindur se në sfidën e kthimit do të shihni një Skënderbe ndryshe nga ky i sotmi. Mund të them se sot, pamë Skënderbeun më të dobët të të gjitha këtyre ndeshjeve deri tani në Kupat e Europës. Megjithatë, rezultati mendoj se është i mirë për ne dhe i kemi të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar në turin tjetër”.
Në fund të bisedës, i relaksuar dhe më i qetë pas humbjes, presidenti gjen vend edhe për batuta. “Dhe premio që kemi vendosur për kalimin e turit është 50 mijë euro dhe jo 100 mijë siç ishte raportuar nga gazeta. Unë për vete i jap 50 mijë, nëse jepni edhe ju 50 mijë, jam dakord që çunat të marrin 100 mijë euro. E meritojnë”, mbyll duke qeshur bisedën për gazetën presidenti i Skënderbeut.
Ajeti te Krotone për 600 mijë euro
Dy ditë pasi është mësuar edhe kalendari i Serisë A të futbollit, Arlind Ajeti është sistemuar me skuadrën e tij të re. Sipas mediave italiane, kryesisht edhe atyre pranë skuadrës së Torinos, është gjithçka gati për ta quajtur shqiptarin si lojtarin më të ri të Krotones. Pasditen e djeshme është mësuar se drejtuesit e dy klubeve kanë arritur akordin përfundimtar në lidhje me mbrojtësin e kombëtares shqiptare, për t’u transferuar përfundimisht.
Nga sa është bërë me dije dje, Arlind Ajeti është transferuar te Krotone. Skuadra që u ngjit në Serinë A ka insistuar prej javësh në lidhje me shërbimet e ish-mbrojtësit të Torinos. Pas një aventure të pafat me granatat, shqiptari do të ndryshojë ambient mirëpo do të qëndrojë në elitën e futbollit italian. Mediat italiane bëjnë me dije se është rënë dakord për gjithçka dhe se shifra e transferimit të tij do të jetë 600 mijë euro.
Ajeti nënshkroi fillimisht me Torinon si një futbollist i lirë, ndërkohë që skuadra e drejtuar nga Mihajloviç u desh që të paguante rreth 260 mijë euro për komisionet dhe taksat. Pas akordit përfundimtar, Arlind Ajeti do të jetë futbollisti më i ri i Krotones që do të startojë këtë edicion të ri kundër Milanit.
Prej disa ditësh, Ajeti është duke u stërvitur i vetëm në qendrën stërvitore “Filadelfia” duke qenë se u la jashtë planeve të Torinos për fazën përgatitore. Sipas sajtit të lajmeve pranë Torinos, “toro.it”, zyrtarizimi i tij është çështje orësh dhe pritet që shumë shpejt shqiptari të bashkohet me Krotonen për të kryer testet mjekësore dhe për t’u bërë gati për edicionin e ri në Serinë A italiane.
FIFA e UEFA vlerësojnë gjestin Villar

FIFA dhe UEFA vlerësojnë gjestin e Angel Villar për dorëheqje nga të gjitha funksionet që ka në këto dy institucione. Presidenti i Federatës spanjolle i arrestuar për korrupsion, respektoi kodin etik të FIFA-s duke u larguar nga funksionet pasi një gjë e tillë parashikohet në kodin e institucionit më të lartë të futbollit botëror. Ndërkohë, presidenti i UEFA-s, Ceferin e cilësoi Villar si një njeri që ka dhënë shumë për futbollin. Vendi vakant i lënë nga Villar në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s do të plotësohet gjatë punimeve të Kongresit të ardhshëm që do të zhvillohet në Bratislavë në muajin janar.
E ardhmja e David de Geas vazhdon të mbetet e paqartë. Portieri spanjoll kërkohet nga Real Madridi tash e disa kohë. Por, portieri i dytë i Manchester Unitedit, Sergio Romero, i ka bërë thirrje De Geas që mos të largohet nga klubi. “Është më mirë për klubin që ekziston ky rivalitet mes meje dhe Davidit. Është se ekziston një miqësi e madhe mes nesh, ne punojmë shumë për të ndihmuar njëri-tjetrin”, tha Romero.
“Është shumë e rëndësishme që ne të punojmë në këtë mënyrë që të mund të nxjerrim maksimumin nga njëri-tjetri. Po, është mirë për mua, nëse ai qëndron. Ai është mik dhe ne do të vazhdojmë të punojmë shumë për të ndihmuar njëri-tjetrin në stërvitje”, ka deklaruar argjentinasi.
Dëmtimi i portugezit Nani shqetëson Valencian. Portugezi që ka pësuar një frakturë në gju është ende në fazë rikuperimi, por mjekët nuk kanë një përgjigje për datën e rikthimit të tij në fushën e lojës. Me shumë mundësi, Nani do të humbasë minimalisht 2 javët e para të Primera Division kundër Las Palmas dhe Real Madrid.
Nuk dëshiron që në të ardhmen të punojë si trajner, por ka një ambicie më të madhe, të jetë president i Barcelonës. Gerard Pique e zbulon ëndrrën e tij në një intervistë dhënë për mediat japoneze, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë mund të japë një kontribut të madh për klubin që dashuron.
Strategjia e Realit
Largohet Bale, ndizet drita jeshile për Mbape. Ky është plani i Zinedine Zidane për të blerë talentin 18-vjeçar francez të Monaco. Trajneri i kampionëve të Europës i ka idetë e qarta, ai synon të afrojë me çdo kusht lojtarin nga Principata. Gareth Bale në këtë rast mund t’i shërbejë qëllimeve të Zidane, pasi uellsiani është një nga objektivat kryesorë të Manchester United dhe vlerës së kartonit të tij mund t’i shtohen disa miliona për të arritur te 18-vjeçari që Monaco e vlerëson 180 milionë euro. Nga treshja e famshme BBC, francezi mund të sakrifikojë vetëm Bale, pasi Ronaldo dhe Benzema janë emra me shumë peshë, ndërsa uellsiani nuk ka arritur të bindë ende me paraqitjet e tij, i kushtëzuar edhe nga dëmtimet e shumta në aventurën e tij madrilene.
I pyetur menjëherë pas humbjes 4-1 ndaj Manchester City në miqësoren e Los Angeles, Zidane u shpreh se shpreson që treshja e sulmit të qëndrojë, por shtoi se deri në datën 31 gusht mund të ndodhë gjithçka, duke lënë të kuptohet se largimi i njërit prej tyre nuk do të ishte një tragjedi. Në krahun tjetër, Jose Mourinho nuk e ka fshehur asnjëherë se Bale është një lojtar që e pëlqen shumë dhe këtë ia bëri të ditur personalisht lojtarit edhe në fillim të sfidës miqësore të pak ditëve më parë.
“Unë nuk mund të të blej sepse ti nuk më flet”, i tha me nota humori “Special One” ish-sulmuesit të Tottenham që me rikthimin e mundshëm në Angli mund të rigjejë dimensionin e tij të vërtetë në një futboll që i përshtatet më shumë karakteristikave të tij. Gjithsesi, Bale vazhdon të këmbëngulë se ndihet i lumtur në Madrid edhe pse kjo mund të jetë një strategji për të hequr vëmendjen nga çështjet e merkatos.
Gjatë ditëve të fundit mediat britanike kanë raportuar se Gareth Bale mund të transferohet në Manchester United, nëse Real Madrid e transferon Kylian Mbapenë nga Monaco.
Por, e përditshmja sportive madrilene “Marca”, ka qetësuar tifozët e Los Blancos. Gazeta madrilene është e sigurt se Bale do të mbetet në “Santiago Bernabeu”. “Marca” ka kontaktuar njerëzit e afërt të Bale, të cilët kanë bërë të ditur se ish-anëtari i Tottenhamit është i etur të arrijë rezultate pozitive me Real Madridin. Bale vitin e kaluar kishte vazhduar kontratën me Real Madridin deri në vitin 2022, derisa kishte paralajmëruar se do të pensionohet te klubi mbretëror.
Sipas të përditshmes sportive franceze “L’Equipe”, drejtuesit e Monacos kanë caktuar çmimin e Kylian Mbapesë. Kampioni i Francës u kanë bërë me dije klubeve të interesuara se Mbape do të shitet vetëm për 180 milionë euro (pa bonuse) dhe për asnjë çmim tjetër. Në garë për ta transferuar yllin e ri të Francës janë: Real Madrid, Barcelona, PSG dhe Manchester City.
Osijek, Eros Grezda shkëlqen kundër PSV
Eros Grezda titullar në suksesin historik të Osijek në ndeshjen e parë të turit të tretë të Europa League në fushën e PSV Eindhoven. Mesfushori shqiptar që u transferua gjatë kësaj vere te ekipi i Osijekut u aktivizua për 90 minuta në “Philips Stadion”, ku ballkanasit bënë surprizën duke fituar 1-0 me një penallti të shndërruar në gol.
22-vjeçari i kombëtares shqiptare u rreshtua në pjesën e majtë të treshes përpara sulmuesit kryesor dhe sinjalin e parë e dha në minutën e 16 me një veprim të bukur teknik. Rastin më të pastër mesfushori kuqezi e pati në minutën e 55 kur përfitoi nga një pasiguri e mbrojtjes vendase dhe u gjend i vetëm në zonën e rreptësisë, por goditja e tij u bllokua nga portieri holandez, Jeroen Zoet.
Titullar në këtë ndeshje luajti edhe sulmuesi shqiptar i lindur në Shkup, Muzafer Ejupi. Ish-sulmuesi i Shkëndijës mbuloi majën e sulmit gjatë gjithë sfidës, por nuk arriti të shënonte në këtë sfidë edhe pse bëri një punë të mirë. Me këtë fitore, Osijeku ka mundësi të mëdha për të siguruar fazën play off të Europa League pasi një javë më vonë në Kroaci do të kërkojë të mbrojë rezultatin e ndeshjes së parë për të nxjerrë jashtë kompeticionit një nga skuadrat më të forta të kontinentit.
Ergys Kaçe në “radarin” e Panionios
Ergys Kaçe në radarin e Panionios. Ky është titulli i portalit grek “Newsnowgr.com” që zbulon prapaskenën e merkatos për mesfushorin shqiptar të PAOK-ut. Lojtari i lindur në Korçë nuk u përfshi në listën e lojtarëve që u aktivizuan në ndeshjen e Europa League kundër Olimpik Donetsk, pasi trajneri Aleksandar Stanojeviç ka lënë të kuptohet se 24-vjeçari nuk është në planet e tij për këtë sezon. Kjo ka bërë që klubet greke të tentojnë afrimin e shqiptarit dhe një prej tyre është klubi nga Athina. “Mesfushori është në majën e listës së dëshirave të klubit nga lagjia ‘New Smyrna’, por për të finalizuar marrëveshjen e huazimit klubet duhet të bien dakord”.
Një prej pikave që po ndan palët është çështja e pagës sepse Panionios kërkon që një pjesë të saj ta marrë përsipër klubi nga Selaniku. Sezonin e shkuar, Panionios bëri një paraqitje mjaft të mirë në kampionat, duke u renditur në vendin e pestë, por pas fazës play off, ekipi nga periferia e Athinës nuk arriti të ngjitej mes tre të parëve për të siguruar një biletë europiane. Gjithsesi, Panionios ka nisur një projekt ambicioz për ndërtimin e një skuadre të fortë për sezonin e ardhshëm dhe objektivi kryesor është futja në zonën europiane.