Paolo Tramexani po tregon një stil të ri në drejtimin e ekipeve të futbollit. Pasi çoi pak muaj më parë Armando Sadikun dhe shokët e tij në fabrikë që në orët e para të mëngjesit për t’u treguar përulësinë, ish-ndihmësi i De Biazit ka dhuruar dje një tjetër “bëmë” që do të bëjë shumë bujë.
Trajneri i Sionit, pas humbjes 3-0 të skuadrës së tij në Ligën e Europës përballë Suduva të Lituanisë, ka hyrë në dhomat e zhveshjes dhe në vend që të qetësojë skuadrën e ta motivojë për duelin e kthimit, u ka bërë të qartë lojtarëve se një pjesë duhet të mendonin për të gjetur një sistemim tjetër.
“Ekipi u thye që te goli i parë i pësuar (minuta e tretë). Mungoi edhe fryma e ekipit. Ata që nuk janë në gjendje të vuajnë, nuk mund të luajnë futboll. Këta njerëz nuk do të luajnë më për mua.
Dhe ata e dinë një gjë të tillë, ua thashë në dhomat e zhveshjeve. Nuk dua të them emrat e lojtarëve. Unë i kam zgjidhur gjithmonë vetë problemet e mia në jetë dhe pres që edhe futbollistët e mi të bëjnë të njëjtën gjë”, deklaroi Tramexani pas përfundimit të ndeshjes.
Te Sioni, së fundmi është transferuar edhe Ermir Lenjani, i cili nuk ishte i gatshëm për ndeshjet e këtij turi në Ligën e Europës. Ndërkohë, klubi zviceran është në negociata me Peskarën për transferimin e Ledian Memushajt. Nëse Tramexani vazhdon me këto ritme, të dy do të gjejnë shumë vende bosh në formacion…
Humb thellë skuadra e Tramexanit
Napoli s’heq dorë nga Rashica
Klubi i presidentit Aurelio de Laurentis vazhdon të monitorojë talentin e përfaqësueses së Kosovës, i nxitur edhe nga agjentët e merkatos së të kaltërve që besojnë se Milot Rashica ka potenciale të mëdha. Napoli e ka ndjekur 21-vjeçarin edhe gjatë verës së shkuar, por nuk arriti ta finalizonte marrëveshjen me Vitessen, në këtë mënyrë, klubi italian është hedhur sërish në sulm për të evituar konkurrencën e klubeve të tjera. Në fakt, Serie A mund të jetë destinacioni më i mundshëm për talentin e Vitesses, pasi në gjurmët e tij janë vënë edhe Milan e Udinese.
Sipas “Mediaset”, kuqezinjtë kanë shfaqur interes, ndërsa klubi i presidentit Pozo mund të jetë një tjetër destinacion ku Rashica mund të shpërthejë përfundimisht për të hedhur hapin e madh të karrierës. Gjithsesi, për momentin situata mbetet e pandryshuar, pasi Vitesse kërkon të arkëtojë sa më shumë nga sulmuesi i krahut që ka shpërthyer në radhët e ekipit holandez. Kartoni i futbollistit të lindur në Vushtrri vlerësohet rreth 8 milionë euro në treg nga Vitesse, aty ku gjatë dy sezoneve të fundit Rashica ka qenë një prej titullarëve të padiskutueshëm, duke luajtur mbi 60 ndeshje në Eredivisien holandeze, duke realizuar edhe 10 gola.
Po vjen njeriu me bisht
Bledi KASMI
Ultimatumi i djeshëm i Ramës në drejtim të drejtorëve të hipotekave për dhënien e dorëheqjes të gjithë në bllok brenda 24 orëve, përtej pozave qesharake të liderit suprem që u shfaq i vrenjtur nga hallet e popullit që nuk i hipotekon dot në bankën e gruas, ka edhe një dimension tjetër.
Me pozat e një deliranti po shfaqet si shpëtimtari i vendit që po lufton korrupsionin, edhe pse simboli më i qartë i krimit në hipotekë, do të jetë nga shtatori deputeti i tij i Durrësit, që i merrte vendimet tek klubi i lagjes nën shoqërinë e Shullazit.
Me komplekset e inferioritetit të diktuara nga dështimet në qeverisje, Rama po kërkon të përçojë tani një mesazh tjetër në fillim të mandatit të dytë të pushtetit me vota të blera, sipas të cilit pushteti fillon dhe mbaron tek ai.
Në mënyrë qesharake po kërkon të ngrejë kultin e individit sipas të cilit nuk ka asnjë institucion tjetër që ekziston në këtë vend dhe që mund të veprojë brenda kornizave ligjore dhe kushtetuese përveç institucionit të tij personal. Ai është edhe ligji edhe Kushtetuta. Edhe dielli edhe hëna.
Po kërkon të lindë Republikën e Deleve për t’i ushqyer ata me barin e propagandës së tij. Vetëm delet mund të besojnë se ndëshkimi për gabimet mund të jetë sërish kolektiv sikurse ishte përgjatë gjysëm shekulli diktaturë. Mes atyre drejtuesve të hipotekave mund të jenë të gjithë hajdutë e banditë, por asnjë shkarkim nuk mund të vijë përmes një akuze kolektive.
Po çfarë do të ndodhë pas atij spektakli të rëndomtë të një njeriu që shfaqej i përvuajtur nga meraku për popullin që e do aq shumë sa çmimin e ujit ja bën më të shtrenjtë se çmimin e qumështit?
Qyfyrja tjetër do të jetë sot. Lajmi i ditës sot do të jetë vazhdimi i asaj që ndodhi dje në Kryeministri. Mediat e kapura me pompozitet do të hapin titujt e mëdhenj me nota ekzaltimi se të gjitha delet kanë ikur, pra kanë dhënë dorëheqjen nga hipotekat në mënyrë të rrufeshme pa pyetur për damkën e vendosur në trupin e tyre. A do të ketë ndonjë dele që nuk do të ikë? Harrojeni se mund të gjeni të tillë sot në këtë pushtet-shtet.
Kështu nis rënia e njeriut të lirë dhe lindja e njeriut me bisht. Në fillim i hiqet e drejta e votës. Vota i blihet. Më pas i hiqet e drejta për të kundërshtuar, sepse nuk ka ku të kundërshtojë në një vend ku shteti personifikohet me individin. Pastaj vijnë tam tamet e mediave të pushtetit që i thurin lavde udhëheqësit që lufton të keqen. Dhe në fund, i duhet të bëjë gjithçka për të pasur dorë të lirë që të hapë dyert e burgjeve për të gjithë, për dikë më parë dhe dikë më vonë, me direktiva përmes gjyqeve publike si ai i djeshmi.
Natyrisht, populli i konsideruar dele ngazëllohet nga të tilla shfaqje. Kështu ka qenë historikisht. Kujtoni nga betejat e gladiatorëve e deri tek tërheqjet zvarrë të kufomave të diktaturës në rrugët e qyteteve. Po kërkohet të injektohet frika tek populli, i cili duhet të kuptojë se ose duhet të qëndrojë i bindur ndaj udhëheqësit ose në të kundërt duhet të presë ndëshkimin përmes linçimit publik.
Kjo ishte ëndrra e një nate vere të Kryeministrit që e shfaqi dje. Se çfarë do të ndodhë sot askush nuk e di. Endrrat e udhëheqësit janë zakonisht me armiq të brendshëm. Sot do të keni një armik të ri për ta linçuar publikisht. Mos hezitoni, bindjuni deri në përulësi liderit suprem derisa t’u vijë ju rradha.
Nipat e Gramoz Ruçit bëjnë kontrabandë me celularët
Drejtoria e Doganave ka lënë dorë të lirë për nipat e Gramoz Ruçit për të futur kontrabandë konteinerë me celularë të tipeve të fundit. Denoncimi është bërë nga një doganier, i cili në një mesazh dërguar ish-Kryeministrit Berisha shkruan se, Julian Ruçi, një prej nipave të Gramoz Ruçit, ka dorë të lirë në doganë dhe nuk kontrollohet kurrë. Sipas mesazhit që i është dërguar Berishës, ky person fut celularë të markave të ndryshme dhe i deklaron si bateri apo kapakë celularësh, duke përfituar shuma të mëdha. “Doganieri dixhital denoncon: Drejtoreshën e Doganave të vendit për kontrabandë me kompani të lidhura me të! Lexoni mesazhin e tij”, shkruan Berisha.
“Zoti Berisha përshëndetje, të uroj shëndet! Jam një punonjës në Doganë. Grupi që keni nxjerrë në lidhje me doganën është mëse i vërtetë. Madje para 1 muaji, gjatë një kontrolli që kemi ushtruar tek një subjekt ku parregullsia në zhdoganim ishte e dukshme na u tërhoq veshi direkt nga drejtoresha, se pronari i subjektit kish lidhje direkt me drejtoreshën. Le të verifikohet subjekti Julian Ruçi, person fizik me NIPT L61802013P çfarë zhdoganon ky subjekt dhe çfarë tregton realisht. Për Julian Ruçin drejtoresha na ka thënë se, është miku im dhe vetëm ky do të lihet të punojë lirshëm me celularë. Ky miku i drejtoreshës që ta dini ju, sjell gjithë telefonat e fundit me konteiner nga Kina dhe i deklaron për kapakë apo karrikues dhe bateri dhe ne si doganierë të thjeshtë na jepet urdhër që konteinerit të këtij tipit mos t’i afrohemi fare, po thjesht të firmosim letrat. Drejtoria e Doganave dhe e Tatimeve dhe e Hetimit Tatimor dhe Doganor le të hapë letrat dhe t’i shkojë subjektit në fjalë të verifikojë çfarë tregton dhe çfarë zhdoganon dhe sa magazina ka me letra dhe sa pa letra fare, se ne si doganierë jemi të habitur nga subjekti në fjalë. Rama nëse do të bëjë shtet të fillojë nga Ruçi dhe nipat e Ruçit që sjellin Samsung dhe Iphone me konteiner dhe i deklarojnë kapakë kauçuku”, shkruan doganieri.
Para katër ditësh ish-Kryeministri Berisha publikoi denoncimin e një doganieri, i cili shkruante se, vjedhja masive në dogana bëhet nga një një grup i fuqishëm zyrtarësh me në krye drejtoreshën e Doganave dhe drejtorin e Antikontrabandës. “Në doganat shqiptare, drejtori i Antikontrabandës Mirjam Prifti bashkë me burrin e Belindës, Blendisin edhe Kryetarin e Doganës Tiranë, Petrit Koçiu bashkë me Agjencinë doganore LORI me axhentin LALAI po bëjnë kontrabandë me mallra kineze, të cilat vijnë nga Kina tranzit në Portin e Pireut. Nga këtu i ndihmon me letra falco Theodhori Zbogo ose shkurt Dhori greku që ka dy pashaporta atë shqiptare edhe atë greke. Ky zotëria bën letra falco si çertifikata origjine etj. Në datën 14.07.2017 është futur një konteinier me atlete nga Subjekti “NEITEN-CO “SHPK.
Konteinerin me numër FCU8525946 e ka ngarkuar një shofer Aleko me targa kamioni AA745JL/ACR788 që edhe ky ka pashaportë greke për të gjithë kontrabandën që bën Dhori bashkë me Mirjam Priftin, drejtorin e Antikontrabandës. Konteineri është bllokuar nga Shefi i Departamentit Gjon Bardhi, i cili nuk është në linjën e burrit të Belindës, Blendisit edhe Mirjamit.
Konteineri është me letra falco të bëra nga kryemjeshtri Dhori, ose greku, siç i thonë shkurt, duke filluar nga çertifikata e origjinës etj. Po këta zotërinj kanë kaluar disa konteinerë me pjesë elektronike, aksesorë celularësh dhe me çanta, rripa, ora, atlete, celularë firmato gol. Agjencia doganore LORI me në krye LALAIN është ajo që merr përsipër të gjithë konteinerët me probleme. Në doganat shqiptare nga e cila edhe 1 muaj më parë ishit ju që i denoncuat me numër praktike, ku ai konteiner ka marrë një gjobë prej 9 milionë lekë të reja. Ju bëj të ditur që LALAI bashkë me Dhorin kanë bërë kontrabandë edhe me Besmir Qebinin, ish-Shefin e Departamentit të Doganave shqiptare. Mirjami me Blendisin edhe Petrit Koçiun kanë çuar njerëz në tregun elektrik edhe tregun e Medresesë për t’u dhënë garanci tregtare që të bëjnë kontrabandë”, shkruante doganieri.
Bllokohet në Gjermani gjysëm ton drogë e futur nga Shqipëria
Policia gjermane njoftoi sekuestrimin e një sasie rekord droge që vinte nga Shqipëria. Bëhet fjalë për 550 kg marjuanë, që arrin një vlerë tregu prej 5 milionë eurosh. Sasia e konsiderueshme e drogës është kapur gjatë një operacioni të zhvilluar në qytetin gjerman të Erfurtit. Shefi i zyrës së anti-krimit Norbert Drude tha se, droga ishte fshehur në një kamion.
Mediat gjermane raportojnë se, kjo është sasia e dytë më e madhe e sekuestruar në vitet e fundit. Sipas mediave, nëse sasia e drogës do të hidhej në treg do të kapte vlerën e 5 milionë eurove, ndërkohë droga ishte e një cilësie shumë të mirë. Mynihu ka qenë vetëm një qytet tranzit, pasi sipas doganierëve dhe policisë droga e madhe do të dërgohej në Hamburg.
Në pranga është vendosur shoferi 61-vjeçar i kamionit, ndërsa ende nuk ka të dhëna për persona të tjerë. Ndaj 61-vjeçarit serb rëndon akuza e importit të drogës në sasira të mëdha, akuza e cila e rrezikon atë deri në 2 vite burg. Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, për të zbuluar të gjithë rrjetin të përfshirë në këtë trafik droge.
Gjermania është një vend tranzit, por edhe destinacion i lëndëve narkotike. Zyrtarë të policisë gjermane thanw se, në dy vitet e fundit, 2015 dhe 2016 sasia e drogës sw konfiksuar është rreth 6 ton. Ndërsa pritet të ketë një rritje në 2017.
Një tjetër operacion antidrogë është zhvilluar ditën e djeshme në Zvicër. Mediat lokale informojnë se policia zvicerane e kantonit të Glaronas ka ekzekutuar një mega operacion që ka çuar në shkatërrimin e një bande shqiptare në trafikun e drogës. Banda përbëhej nga 10 shqiptarë të moshës prej 19 deri në 51 vjeç e një 55-vjeçar zviceran. 7 prej tyre janë arrestuar e 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ky mega operacion, hetimet e të cilit kanë nisur në vitin 2016 ka çuar në sekuestrimin e 7 kg heroinë e 11 kg kokainë me vlerë tregu rreth 1 milion franga zvicerane. Gjatë operacionit janë sekuestruar dhe 19 mijë franga e rreth 1.7 kg substanca të përdorura për përgatitjen e drogës. Shqiptarët gjendeshin në Zvicër si turistë e si tregtarë automjetesh. Ndaj 3 prej tyre është lëshuar urdhëri i riatdhesimit drejt Shqipërisë, ndërsa 4 të tjerë ende të pa arrestuar janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Trafiku i drogës nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian është rritur gjatë viteve të fundit. Katër ditë më parë policia italiane sekuestroi 1.5 ton drogë të futur nga Shqipëria. Mediat e shtetit fqinj shkruanin se, Policia italiane në bashkëpunim me rojen bregdetare të Termolit në provincën e Kampobasos në rajonin e Molises kanë ekzekutuar gjatë mbrëmjes të së dielës operacionin detar antidrogë, i cili ka çuar në sekuestrimin e një gomone me rreth 1.5 tonë drogë të tipit marijuanë, e arrestimin e dy skafistëve shqiptarë në moshë mjaft të re. Roja bregdetare italiane nën drejtimin e komandantit të repartit të Termolit, kolonel Roberto Di Vito kanë identifikuar gomonen nën ujërat e komunës së Petacciatas, ndërsa po lundronte me shpejtësi të madhe. Menjëherë dy skafe të rojës bregdetare italiane janë vënë në ndjekje të gomones, duke bërë të mundur ndalimin e saj dhe arrestimin e dy skafistëve shqiptarë. Në bordin e gomones janë gjetur rreth 1 tonë e gjysmë marijuanë.
R.POLISI
Raporti, tonelata droge nga Shqipëria në Itali me gomone e avionë
Në Raportin e sapo publikuar të Drejtorisë Investigative Antimafia të Ministrisë së Brendshme italiane për gjashtëmujorin e fundit të vitit 2016 lexohet se, marijuana e kultivuar kryesisht në Jug të Shqipërisë transportohet në brigjet italiane me anë të gomoneve të fuqishme, me motora uji, por dhe me avionë të lehtë. Historikisht është trafiku i lëndëve narkotike dhe fillimisht kontrabanda e cigareve, të cilat kanë vënë në kontakt klanet kriminale shqiptare me grupet mafioze italiane.
Sasitë e mëdha të drogës të sekuestruara nga policia italiane në rajonin e Puglias dëshmojnë se rruga e Adriatikut është nga më të preferuarat e grupeve kriminale për trafikun e drogës. “Marijuana e kultivuar kryesisht në Jug të Shqipërisë, transportohet në brigjet italiane me anë të gomoneve të fuqishme, me motora uji, por dhe me avionë të lehtë”, thuhet në këtë raport.
Aftësia e trafikantëve shqiptarë në përdorimin e mjeteve lundruese në rrugën ballkanike është përdorur dhe për trafikun e armëve, emigrantëve ilegalë, kokainës dhe heroinës. Efikasiteti i këtij rrjeti kriminal shfaqet dhe në procesin e shpërndarjes së drogës ku shqiptarët veprojnë në sinergji me shtetas italianë të pa skeduar nga policia që u ofrojnë mbështetje logjistike të aktivitetit të tyre kriminal.
Sipas Raportit të Ministrisë së Brendshme italiane dhe përgjatë gjashtëmujorit të dytë të 2016 konfirmohet aktiviteti kriminal i grupeve shqiptare në grabitje të ndryshme e në shfrytëzim prostitucioni. Sipas Raportit të Drejtorisë së Antimafias italiane, portet e Adriatikut janë më të preferuarat për trafikun ilegal përmes Ballkanit.
Porti i Brindizit është udhëkryqi kryesor i trafikut të drogës, sidomos të marijuanës si dhe të mallrave kontrabandë falco. Sipas Ministrisë së Brendshme italiane, përveç drogës, armëve e mallrave kontrabandë, trafiku i qenieve njerëzore është një tjetër instrument për të financuar aktivitetin e grupeve kriminale të huaja që veprojnë në Itali.
Ndër operacionet më të sukseshme të policisë italiane gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2016, ku janë përfshirë grupet kriminale shqiptare, renditen:
-Operacioni i 8 shtatorit 2016 në komunën Giorgilorio të Lecces, që çoi në arrestimin e 4 shtetasve shqiptarë e 2 italianëve e u sekuestruan 3.6 tonë marijuanë e një pistoletë.
-Operacioni në Lecce i 23 shtatorit 2016, ku u sekuestruan 800 kg marijuanë dhe u arrestuan 2 skafistë shqiptarë.
-Operacioni në Lecce i 10 tetorit 2016, ku u sekuestruan 700 kg marijuanë dhe u arrestuan 2 skafistë shqiptarë:
-Operacioni në Brindizi i 12 nëntorit 2016, i cili çoi në sekuestrimin e 1178 kg marijuanë.
-Operacioni në Brindizi i 30 nëntorit 2016, i cili çoi nw sekuestrimin e 800 kg marijuanë, një kallashnikov me dy karikatorë e në arrrestimin e 4 shtetasve shqiptarë e një italian.
-Operacioni i 24 dhjetorit 2016 në komunën Surbo të Lecces, ku u arrestua një shtetas shqiptar dhe u sekuestruan 700 kg marijuanë.
-Operacioni në Breshia i 13 shtatorit 2016, i cili çoi në shkatërrimin e një organizate kriminale shqiptaro-italiane, në arrestimin e 4 shtetasve shqiptarë e 2 italianë si dhe në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme droge të tipit kokainë, heroinë, marijuanë e hashash.
-Operacioni në San Kataldo i 22 gushtit 2016, i cili çoi nw arrestimin e një shtetasi shqiptar e në sekuestrimin e një motori uji dhe të 214 kg marijuanë.
-Operacioni “Kushëri” në Savona i 7 korrikut 2016, ku u arrestuan 12 shqiptarë me akuzën e trafikut të heroinës.
-Operacioni në Breshia i 26 gushtit 2016, i cili çoi në arrestimin e 2 shtetasve shqiptarë e në sekuestrimin e 22 kg kokainë e të 60 mijë euro.
-Operacioni “Oqean” në Lecce i 13 shtatorit 2016, i cili çoi në arrestimin e 11 shtetasve shqiptarë e 7 italianë me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe të armëve.
-Operacioni në Bolonja i 16 dhjetorit 2016, i cili çoi në arrestimin e 8 shqiptarëve me akuzën e grabitjeve të ndryshme në Veri e Jug të Italisë.
-Operacioni në komunën Kantu të Komos më 5 nëntor 2016, i cili çoi në arrestimin e 2 shqiptarëve e sekuestrimin e 324 kg marijuanë e trafikuar nga Spanja.
-Operacioni në Foggia i 6 dhjetorit 2016, i cili çoi në sekuestrimin e 9 kg heroinë e në arrestimin e 1 shqiptari e 2 shtetasve italianë.
Demiraj promovon librin, “Ngritja dhe rënia e Shtetit Isamik ISIS”
Ministri i Punëve të Brendshëm, Dritan Demiraj ka promovuar librin e tij ‘Ngritja dhe rënia e Shtetit Isamik ISIS’. Demiraj tha gjatë fjalës së tij se, libri është është një analizë e detajuar e al-Qaedës, ISIS-it, dhe të gjithë grupeve të përfshira në këtë konflikt, të cilat demonstruan dhe përdorën terrorizmin në Irak, veçanërisht të ish nëpunësit dhe ish ushtarakët e Sadamit në bashkëpunim me al-Qaedën në Irak dhe Siri.
Të pranishëm në këtë event, ishin Presidenti i vendit Ilir Meta, kreu i SHISH Visho Ajazi Lika, Princ Leka. ministri teknik i Drejtësisë, dhe mjaft personalitete të tjera. “Ndjehem i privilegjuar dhe i emocionuar të prezantoj librin tim të fundit “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik, ISIS” përpara një audience të tillë të mbushur me personalitete nga të gjitha fushat e jetës publike.
Botimi i këtij libri do të ndihmojë që të kuptohet më mirë se kush e filloi kryengritjen e Irakut pas ndërhyrjes Amerikane dhe se si kjo kryengritje ka kontribuar në krizën dhe në situatën e sotme?
Ky libër është është një analizë e detajuar e al-Qaedës, ISIS-it, dhe të gjithë grupeve të përfshira në këtë konflikt, të cilat demonstruan dhe përdorën terrorizmin në Irak, veçanërisht të ish nëpunësit dhe ish ushtarakët e Sadamit në bashkëpunim me al-Qaedën në Irak dhe Siri. Ky libër gjithashtu është një analizë e hollësishme për të kuptuar sesi Iraku dhe Siria futen në strategjinë e Lindjes së Mesme dhe të aktorëve dhe faktorëve që përplasen për tu ripozicionuar ose mbajtur këtë terren”, tha Demiraj.
Gjykata e Apelit rikthen në burg baronin e drogës
Gjykata e Apelit në Durrës ka ndryshuar dje masën e sigurisë për Alket Hatijan, i ashtuquajturi ‘baroni i drogës’ që u kap në Berat pak kohë më parë i fshehur në një bunker. Mësohet se pasi e liroi, Apeli ka vendosur ‘Arrest me burg’ për Alket Hatijan. 45-vjeçari Hatija me banim në Durrës u arrestua me qëllim ekstradimi drejt Italisë, ku është dënuar me 20 vjet burgim.
Sipas Policisë, Gjykata e Apelit/Itali me Vendimin Nr. 4526, datë 30.09.2015 ka caktuar masën e dënimit me 20 vjet burgim, në ngarkim të shtetasit të mësipërm, për veprën penale, “Trafikimi i lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar në nenet art.110, art.73, 73/6, 80/2 të Kodit Penal italian dhe Dekretit Nr. DPR 309/90. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.
Në urdhrin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës pasqyrohet vendimi i Apelit të Durrësit që ka ndryshuar masë e sigurisë në ‘arrest me burg’ ndaj Hatisë, i dërgohet për ekzekutim policisë së Durrësit. Pas arrestimit më kërkesë të autoriteteve italiane, Gjykata e Durrësit, më 11 korrik, liroi 45-vjeçarin duke vendosur ndaj tij masën e detyrim paraqitjes. Prokuroria apeloi vendimin, dhe Apeli, me një vendim të dhënë tre ditë më parë, vendosi masën e arrestit me burg ndaj të ashtuquajturit “Zoti i Drogës”. Hatija, tashmë ndodhet në arrati dhe policia po punon për kapjen e tij.
Kapen në Itali me 11.5 kg heroinë në makinë
Plot 11 kg e 500 gram heroinë është sekuestruar nga Guardia di Finanza në Foggia, ku janë arrestuar tre persona, dy shqiptarë dhe një italian. Sipas mediave italiane janë arrestuar Alessandro Bonaventura, 38 vjeç nga San Severo dhe 2 shqiptarët Elio Jançe, 38 vjeç dhe Orges Tusha, 40 vjeç.
Të tre janë ndaluar në një bostbllok në autostradë mes Foggias dhe San Severo, ku ishin takuar bashkë. Në automjetin e 40-vjeçarit Tusha, të fshehur në një çantë shpine, policët e Guardia di Finanza kanë gjetur pakot e heroinës me një peshë totale prej 11.5 kg.
Panik në Elbasan, shpërthen një makinë në ecje në mes të qytetit
Një ngjarje që ka shkaktuar jo pak panik tek qytetarët e Elbasanit. Një automjet është përfshirë nga flakët, ndërsa ishte në ecje. Bëhet e ditur se, ngjarja ka ndodhur në një nga rrugët e lagjes “5 Maji” në qytet. Menjëherë sa ka parë flakët, drejtuesi ka dalë nga makina, duke evituar kështu ndonjë tragjedi të mundshme. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia dhe zjarrfikësja për të shuar zjarrin dhe për të kuptuar shkaqet e zjarrit.
Pak ditë më parë, shpërtheu në ecje një makinë në rrugën “Muhamet Deliu”, ku ka marrë flakë një mjet. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe zjarrfikësja. Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se mjeti tip “Ford”, me drejtuese shtetasen B.M., në ecje e sipër ka marrë flakë në pjesën e kroskotit, si pasojë është braktisur mjeti në rrugë nga drejtuesja dhe nga flakët janë dëmtuar 3 mjete të tjera, 2 mjete të tipit “Benz” dhe një mjet i tipit “Ford”.