30.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Gusht, 2025

Transportonin drogë për në Itali, arrreston në befasi dy shqiptarë

Në një operacion i realizuar nga Guardia di Finanza në San Severo, çoi në arrestimin e tre trafikantëve të dyshuar për drogë. Ata janë kapur me 12 kg heroinë të importuara nga Turqia, e cila do të ndahej në 30 mijë doza do të çonte në fitimin e 1 milion eurove. Sipas policisë, kjo është sasia me e madhe e sekuestruar e heroinës për kohët e fundit.
Në pranga ka rënë Alessandro Bonaventura, 38 vjeç nga San Severo, dhe shtetasit shqiptarë Elio Jance dhe Tusha Orge, dhe të gjithë do të duhet të përgjigjen për veprën e trafikimit të drogës. Të gjitha kanë mbetur të mahnitur kur janë kapur në flagrancë, në makinën në të cilën të tre po lëviznin, dhe u janë gjetur dhe shtatë telefona celularë që i kishin në përdorim. Për disa kohë, financierët e San Severo u monitoruar tokën bujqësore në një fshat të San Severo, dhe vunë re praninë e makinave të dyshimta, që lëviznin shpesh në atë zonë por me 22 korrik, oficerët janë kthyer sërish dhe kanë identifikuar tre burra të cilët, u janë zhdukur ushtarëve pa lënë gjurmë.
Në makinën që drejtohej nga Orge Tusha, financierët kanë gjetur, brenda një qese që përmbante 12 kg heroinë të pastër.
Por sipas të dhënave mësohet se droga vjen nga një rrjet i organizuar i krimit shqiptarë, por këtë herë ajo është prodhuar në Turqi, dhe ka arritur në Itali nga deti nëpër ngushticën e Otrantos, apo me rrugë tokësore përgjatë së ashtuquajturës rrugë ballkanike.

Shpëtim Gjika i shpëton burgut

Ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika është dënuar 4 vite burg nga Gjykata e këtij qyteti, por dënimi do t’i konvertohet në shërbim prove për dy vite. Gjithashtu, togat e zeza kanë vendosur që t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për tre vite.
Gjika akuzohet nga Prokuroria për shpërdorim detyre, falsifikim të dokumenteve, ndërtim i paligjshëm dhe veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës. Biznesmeni Artur Haxhi u dënua me 3 vite burg, i cili u konvertua me 3 vite shërbim prove. Ridvan Mersinaj u dënua me 1 vit burg i konvertuar me 2 vite shërbim prove. Për ish-vartësen e Gjikës, Doriana Sulaj u vendos rrëzimi i të gjitha akuzave.
Sipas Prokurorisë, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentacionin për dy pallate 11-katësh të ndërtuar në Vlorë. Në dokumentet e KRRT-së  rezulton se, pronarët e truallit kishin dhënë miratimin për ngritjen e objektit dhe se punimet e firmës janë kryer konform rregullave, por nga verifikimet u zbulua se ato ishin të falsifikuara.
Për pallatet, Gjykata vendosi konfiskimin e tyre. Kjo është hera e tretë që Shpëtim Gjika përballet në Gjykatë me akuzat e Prokurorisë. Dy herët e para, ai u shpall i pafajshëm për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumentave përsëri me lejet e ndërtimit.

Farsa me hipotekat, po lind Republika e deleve

Rama lëshoi një ultimatum të prerë dje ndaj gjithë regjistruesve në Drejtoritë e Hipotekave në vend duke kërkuar largimin e tyre përndryshe tha ai do të ndërmerren shkarkime masive. Ai tërhoqi vëmendjen e të gjitha mediave dje, të cilat e konsideruan këtë paralajmërim të beftë të kryeministrit si nisjen e valës së shkarkimeve të njerëzve të LSI nga postet që mbanin gjatë koalicionin PS-LSI. Ironia qëndron në faktin se Rama po përpiqet t’ia faturojë gjithë korrupsionin, vjedhjet, dështimin e gjithë të zezat e hipotekave, që sigurisht janë të njëjtat me gjithë pjesën tjetër të pushtetit njerëzve të LSI, duke nxjerrë gjoja të pastër pjesën e administratës së drejtuar prej PS. Këtë skenar Rama ka disa javë që është duke e ndjekur teksa shëtit nga një qytet në tjetrin duke bërë monologje para qytetarëve, duke u kërkuar posaçërisht atyre të ankohen për drejtuesit e hipotekave se ai do t’i shkarkojë menjëherë.
Por cili është modeli i vërtetë i Ramës për drejtimin e hipotekave? Këto shfaqje të Ramës bëhen sa qesharake e tallëse me qytetarët aq edhe të neveritshme në një kohë që modeli i tij pikërisht për hipotekat është promovimi i drejtorëve të tyre dhe emërimi në pozicione të larta drejtuese e përfaqësuese. Rasti tipit është ai i kreut të hipotekës së Durrësit, Jurgis Çyrbja, i konsideruar ndryshe si shërbëtori i interesave të Shullazit në Hipotekë.
Çfarë fshihet pas trashjes së zërit të kreut të qeverisë me vota të blera? Në vend të shtetit ligjor me institucione po tentohet të krijohet kulti  i ri i individit të njeriut-shtet. Krerët e hipotekave duhet të ikin, po Drejtori i Shullazit në Hipotekën e Durrësit që u bë deputet a do të shkarkohet?

Rasti Çyrbja

Vetëm pak ditë më parë, deputeti i PS për Durrësin, Jurgis Çyrbja ka dëshmuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda për regjistrimin në Hipotekë të një pjese të Hotel “Vollgës” në emër të Emiljano Shullazit. Jurgis Çyrbja ka qenë drejtor i Hipotekës së Durrësit gjatë kohës kur Shullazi ka marrë Hotel “Vollgën”. Gjatë dëshmisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ai ka folur për herë të parë lidhur me një bisedë me Emiljano Shullazin për këtë çështje. Çyrbja ka pranuar para trupit gjykues se është takuar edhe me vetë Shullazin në një lokal afër shtëpisë së tij në Shijak. Deputeti Çyrbja ka dëshmuar ndaj Shullazit dhe grupit të tij që akuzohen për gjobëvënie, duke folur për lidhjet e tij edhe me biznesmenin Ylvi Beqja. Çyrbja ka deklaruar se është takuar më parë me Ylvi Beqajn, për të regjistruar pronën e tij. Sipas Çyrbjas, biznesmeni Beqja i kishte kërkuar të takonte Shullazin dhe regjistrimin e Hotel “Vollgës”. Ai tha se, Shullazi i ka kërkuar regjistrimin e pronës në atë kohë kur Çyrbja drejtonte zyrën e Hipotekës në Durrës, i ka thënë se do të vepronte sipas ligjit dhe më pas i ka regjistruar pronën dhe ka pasur kufizim të saj. Ai ka deklaruar se është takuar me Shullazin dhe ka pasur debate të forta me të, por nuk është kërcënuar prej tij.

Shkarkime kolektive, ultimatum i Ramës për drejtorët e hipotekave

Rama mblodhi në një takim drejtorët e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për t’ua thënë në sy që duhet të japin menjëherë dorëheqjen nga detyra. Por pikërisht pas katër vitesh qeverisjeje, pasi ezauroi tepsinë me LSI-në, Rama u kujtua të thotë se një ndër arsyet e kësaj kërkese, sipas kreut të qeverisë, është mungesa e seriozitetit dhe e përgjegjshmërisë për t’iu përgjigjur ankesave të qytetarëve. “Të firmosni dorëheqjen sot që të paktën të ikni me dinjitet fundor nga kjo punë, se që të kesh 238 kërkesa pa përgjigje nga 246 që ka zyra. Domethënë t’i jesh përgjigjur në afatin ligjor vetëm 3% të kërkesave unë nuk e di ça do të thotë më. Nuk flasim këtu pozitive apo negative, flasim përgjigje. Kush e ka të drejtën t’ua shkeli qytetarëve të drejtën ligjore për të marrë përgjigje brenda një afati? Për ça janë afatet e ligjit?! Janë rekomandime që në rast se ju keni disponibilitetin mund t’i zbatoni? Apo janë detyruese?! Një qytetar kur vjen të marrë një përgjigje, po ose jo? Ju them dorëheqjen për një arsye, mos kujtoni se nuk bëhet dot me shkarkim, vetëm me një arsye. Është një zonë pune shumë e vështirë dhe e minuar nga fakti i problemeve objektive që nuk janë probleme që i kanë krijuar drejtuesit, por ama për malin me probleme subjektive që ju keni lejuar, ndihmuar apo krijuar sipas rasteve të ngrihet në formën e arrogancës, papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit përgjegjës jeni ju”, u shpreh Rama. Kryeministri paralajmëroi ndjekje penale për çdo shkelës të ligjit dhe rikthim në detyrë për të gjithë ata që kanë kryer detyrën me korrektësi. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm e ALUIZNI-t, Artan Lame duke i mbajtur ison Ramës përforcoi edhe një herë deklaratat, ndërsa tha se përmirësimi i blloqeve kadastrale ka mbetur pas, duke u përmirësuar vetëm 11 për qind e tyre. Kjo sipas drejtorit, ka ardhur si pasojë e refuzimit të ZRPP-ve për të bashkëpunuar me zyrat e ALUIZNI-t. Po ashtu, me ristrukturimin e administratës në Hipotekë, do të ngrihet edhe një komision etike për të monitoruar mbarëvajtjen e punës. E gjithë kjo fushatë nuk është gjë tjetër veçse, përgatitja për emërimin e njerëzve të Ramës në krye të hipotekave dhe vijimin e vjedhjeve, zhvatjeve, korrupsionit etj., në nivele edhe më të larta se më parë.

Basha: Modeli Çyrbja, modeli i Ramës për hipotekat

Kreu i PD, Basha ironizoi shfaqjen e Ramës dje në lidhje me shkarkimin e kryeregjistruesve të hipotekave, ndërsa solli në vëmendje kandidimin e Jurgis Çyrbjes, ish-kreut të Hipotekave në Durrës si dëshmi të modelit që Rama ka për drejtimin e tyre. “Edi Rama e ka ditur mirë dhe çdo ditë se kush janë krerët e hipotekave, sa hajdutë e sa abuzues janë. Por për të kanë qenë në rregull sepse i kanë shërbyer pushtetit të tij personal dhe miqve të tij. Ai vetë i ka caktuar, i ka mbrojtur dhe i ka shpërblyer kur i kanë kryer pazaret e tij si duhet: siç bëri me Çyrbjen e hipotekës së Durrësit, i cili pasi i shërbeu Shullazit në zyrë, i shërbeu deri në fund edhe në gjyq. Këtë shef hipoteke Edi Rama, sot e ka bërë deputet. Çyrbja është modeli i tij për hipotekat, të tjerat janë dokrra pleniumesh që nuk i ha askush”, u shpreh Basha.

Amoraliteti politik i LSI

Artan FUGA

Çmimi i ujit që pimë, lahemi, përdorim nëpër dushe, WC, bëjmë supën, taratorin, dhallën, dje u përcaktua nga:
Shkalla e amoralitetit politik brenda një grupimi këshilltarësh, pra atyre të LSI.
Shkalla e korruptimit politik nga administrata.
Marrëdhënia e bashkisë me mediat.
Numri i militantëve gjoja protestues te shkallët e bashkisë.
Paaftësia e opozitës për veprim politik.
Etj., dukuri jo ekonomike.
E kuptoni o njerëz se në çfarë derexheje ka arritur menaxhimi i hapësirave urbane???
Ekonomia dhe administrimi nuk përcaktohen nga nevojat tona, nuk drejtohet nga logjika ekonomike, por thjesht nga trafiqet e influencave politike dhe nga humori i individëve që as i njohim as na njohin, as i kemi zgjedhur as na përfaqësojnë.
Por, vazhdoni flini, bëni gjumin e vapës dhe blini ujin në dyqan se ai është çmimi i vërtetë i ujit që na kanë hedhur si dush i ftohtë mbi kokë kryetarët e bashkive në këto njëzet vjet.
Flini dhe votoni me gurmazin të tharë nga etja!
Nuk keni ujë? Pini coca cola!

Qytetarët do të paguajnë çmimin e koalicionit me Ramën

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Kryeministri Edi Rama po vazhdon turin e tij promovues në të cilin ai ulet gju më gju me popullin për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të shpjeguar rëndësinë e “platformës bashkëqeverisëse me qytetarët e thjeshtë”.
A mund të imagjinohet Presidenti i Francës Emmanuel Macron, president i sapo i zgjedhur dhe ku partia e tij fitoi shumicën absolute, të dalë nëpër Francë, të dëgjojë njerëzit dhe të mbështesë politikën e tij në atë çfarë qytetarët i thonë atij?
A mund ta imagjinoni ju atë të vendosë një linjë telefonike, në mënyrë që qytetarët e pakënaqur të mund të ankohen për kryebashkiakun e tyre? A mund të imagjinoni atë të publikojë një listë me 100 shërbyes publik francez, të cilët kanë shfaqur sjellje të keqe?
Një gjë e tillë do të ishtë absurde për t’u imagjinuar. Por jo, kjo ndodh këtu në Shqipëri çdo ditë.
Arsyeja është e dyfishtë: Edi Rama nuk ka asnjë plan politik dhe ai është i frikësuar të marrë mbi vete të gjithë përgjegjësinë për mungesën e një plani politik.
Përgjatë katër viteve të fundit, ne e kemi parë Edi Ramën të fajësojë për dështimet e qeverisë së tij së pari, trashëgiminë e qeverisjes së Sali Berishës, dhe në fund “tepsinë” e LSI-së dhe “partitë e vogla”.
Qeveria e tij ose partia nuk mund të fajësohet për asgjë. Në asnjë mënyrë Partia Socialiste nuk e mban veten përgjegjëse për atë që nuk ka arritur të bëjë këtë katërvjeçar-fajtorë janë gjithmonë të tjerët.
Dhe tani, duke përballur me përgjegjësinë e frikshme të një shumice absolute në Kuvend, Kryeministri Edi Rama po kërkon për dikë tjetër për të fajësuar pas katër vjet me më shumë tendera të korruptuar, fshehje të borxhit publik, shkatërrim të parqeve natyrore, mijëra qytetarë që emigrojnë, dhe mungesën e plotë të investimeve.
Ai do të fajësojë qytetarët e Shqipërisë. “Unë isha në një koalicion me qytetarët e Shqipërisë, por ato vetëm ankohen dhe nuk punuan fare”, do të thotë ai. “Ato flasin vetëm për çështjet në gjykatat e vendit për pronat e tyre, ndaj hekurudhat nuk u ndërtuan asnjëherë”, do të justifikohet ai. “Reforma në Drejtësi dështoi sepse qytetarët e zakonshëm u interesuan vetëm për veten e tyre”, do të deklaroi ai.
Qytetarë ruhuni, pas katër vitesh të bashkë qeverisjes me Edi Ramën çdo gjë do të ketë qenë gabimi juaj.

Berisha: Edi dhe Lal Plehu po rrjepin me çdo gjë qytetarët

Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si një akt kriminal rritjen e çmimit të ujit në Tiranë. Sipas tij, ky është akt i papërgjegjshëm dhe kriminal në tërësi të tij.
“Rritja e madhe, deri në dyfishim, e çmimit të ujit, një akt i papërgjegjshëm në kufijtë e një krimi!
Edi Rama dhe Lal Plehu arritën me blerje dhe manipulime të dyfishojnë tarifat bazë dhe të rrisin ndjeshëm çmimin e metër kubit të ujit për familjarët, rritje dhe më të mëdha u parashikuan për bizneset.
Ky është një akt i papërgjegjshëm dhe për pasojat e tij, edhe kriminal.
Me këto çmime, dhjetëra mijëra familje do të mendojnë mirë para se të bëjnë dushe apo të lajnë mjedisin ku jetojnë, duke u bërë kështu objekt sëmundjesh infektive dhe të tjera nga më të ndryshmet.
Të bësh një veprim të tillë kur Shqipëria është një ndër vendet më të pasura me ujëra në Europë dhe kur liqeni i Bovillës ka sasi uji shumë më të mëdha se sa nevojat e Tiranës, përsëri bën një akt të papërgjegjshëm.
Vende të pasura në ujë si Austria, garantojnë furnizimin falas me ujë të pijshëm rubineti për mbarë qytetarët e vet. Të tjera vende që e kanë ujin me bollëk apo prodhime të tjera si nafta, ua ofrojnë qytetarëve të tyre me çmime simbolike.
Por Edi dhe Lal Plehu duhet t’i vjedhin dhe rrjepin me çdo gjë qytetarët e këtij vendi!”, shkruan ish-Kryeministri Sali Berisha në reagimin e tij.

Opozita e fortë e “Kryemadhit”

Zonja Kryemadhi e nisi me premtimin e një opozite të fortë kundër qeverisë së Edi Ramës, por Monika Kryemadhi është e detyruar të tregohet e dhembsur me ata, që po i sabotojnë kauzën e opozitës.
Heshtja që shoqëron tradhtinë e dy këshilltarëve të LSI-së, Agim Kraja dhe Genta Mezini, hedh dyshime të forta se gjithçka ishte e stisur, përfshirë edhe prononcimet evazive të Luan Ramës në telefonata, se ai nuk e njihte këshilltaren e LSI-së.
Qytetarët e Tiranës panë dje sesi u mor vendimi i rritjes së çmimit të ujit, me votat e PS-së, të PDIU-së dhe të dy këshilltarëve të LSI-së që sfiduan partinë e drejtuar nga Monika Kryemadhi.
Lojëra të tilla janë mëse të zakonshme në një vend ku votuesit e shesin votën për 5 mijë lekë, por ato tregojnë shumë mbi llojin e opozitës që do të bëjë Monika Kryemadhi në 4 vitet e ardhshme.
Nuk ka asnjë reagim nga kryetarja e LSI-së, herën e fundit u shfaq në publik nga plazhi i Jalës. Heshtja e komprometon. Kur Erion Veliaj përgatiste në Tiranë një prej vendimeve më abuzive kundër qytetarëve, plazhet e Jalës ishin gjëja e fundit që duhet t’i shkonte në mendje një opozitareje.
Janë ditë si këto, që del në pah patetizmi i fjalimeve në sallat e mbushura plot me militantë, por që nuk i fshehin dot pazarllëqet e opozitarëve të rreme.

Rritja e çmimit të ujit në shërbim të klientëve të rinj

Një vit më parë kryebashkiaku Veliaj deklaroi se ai ishte në diskutime me një kompani kineze për privatizimin e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës (UKT). Atëherë ai nuk dha asnjë detaj dhe asnjë informacion tjetër në lidhje me ketë proces, saqë u mendua se ajo ishte një manovër propagandistike.
“Exit.al” ka mësuar se pohimi i Veliajt është i vërtetë, ai ka qenë duke diskutuar a negociuar për shumë muaj me një kompani të paidentifikuar kineze për privatizimin e ujësjellësit. Nuk dihet se cila është kjo kompani, nuk dihet si është kontaktuar ajo dhe nuk dihet se mbi çfarë bazë janë bërë diskutimet- çdo gjë është bërë në mënyrë ekstrainstitucionale dhe ekstraligjore, pa vendimmarrje formale, pa asnjë plan apo strategji zyrtare, duke ngjallur dyshime serioze për një tentativë klienteliste dhe korruptive.
Si pjesë e bisedimeve kryebashkiaku Veliaj udhëtoi në fund të tetorit 2016 në Kinë dhe zhvilloi bisedime me kompaninë.
Por, pavarësisht përpjekjeve të Veliajt, “Exit.al” ka mësuar se kompania kineze nuk ka pranuar të konsiderojë më tej blerjen e UKT-së, për shkak të keqmenaxhimit dhe gjendjes së varfër financiare të saj, ndër të tjera për shkak të mosmbledhjes së detyrimeve të faturuara. Kjo gjendje financiare është dëshmuar zyrtarisht nga mosçertifikimi i bilanceve të UKT-së nga auditorët ndërkombëtarë të kontraktuar për auditimin e saj.
Është e arsyeshme të mendohet se pas këtij dështimi, kryebashkiaku Veliaj ka kërkuar që të kënaqë kinezët apo këdo që fshihet pas tyre duke ndërmarrë veprimin që do të rriste menjëherë dhe pa asnjë kosto të ardhurat dhe fitimet e kompanisë. Kjo zgjidhje është dyfishimi i çmimit të ujit për qytetarët. Ky dyfishim do të rriste rreth 5 herë fitimet e kompanisë, fitime të garantuara për shkak të monopolit të UKT-së mbi një mall jetik si uji.
Kështu Veliaj i garanton çdo blerësi potencial fitime të majme pa asnjë kosto. Madje kjo manovër do të bënte të mundur që UKT të privatizohej pothuajse falas, pasi privatizimi do të bazohej mbi bilancet e vjetra, duke e bërë blerjen e saj një biznes të jashtëzakonshëm për këdo.

Pazari 240 milionë euro PS e LSI për rritjen e çmimit të ujit

Vazhdojnë të vijnë reagime në lidhje me votimin e ditës së mërkurë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku u vendos për rritjen e çmimit të ujit dhe dhënien me koncesion të 17 shkollave.
Këshilltari i PD-së, Akil Kraja me një reagim të tij thotë se, PS e LSI u bashkuan për 240 milionë euro.
Reagimi i plotë i Akil Krajës:
Vota e bashkimit PS-LSI vlen 240 milionë euro. Kjo është e vetmja e vërtetë nga mbledhja e djeshme (ditës së mërkurë) e Këshillit Bashkiak Tiranë. 180 milionë euro për UKT-në dhe 60 milionë të tjerë për koncesionin e shkollave të Tiranës. Qindra milion euro të qytetarëve të Tiranës për interesat okulte të Erion Velisë.
Por çfarë ndodhi konkretisht.
Në mungesë totale transparence, të martën në mbrëmje, këshilltarët bashkiakë të PS dhe të LSI organizuan një takim të përbashkët pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile e as më pak të këshilltarëve demokratë mbi çështjen e ngritjes së tarifës së ujit.
Pas këtij takimi, këshilltarët demokratë lëshuan disa thirrje publike drejtuar të gjitha forcave politike në këshill e në veçanti LSI-së, të mos legjitimojnë këtë aferë okulte të Veliajt.
Thirrja jonë ishte fare e thjeshtë: 19 votat tona me 13 votat e LSI përbënin shumicën e vendimmarrjes së Këshillit (32 nga 61 këshilltarë në total). Ne mund të bllokonim Erion Velinë, por pazari 240 milionë eurosh rezultoi të ishte më i fortë.
Të mërkurën, në orën 18:00, pavarësisht thirrjes sonë, LSI luajti me dy porta. Veliajt iu dha vota, popullit iu dha fatura.
Dy këshilltarë të saj, Genta Mezini dhe Agim Kraja qëndruan në sallë dhe siguruan kuorumin e nevojshëm duke iu shtuar 25 votave të PS, 3 të PDIU dhe 1 vote të FRPD.
Ndërkohë, ende pa filluar mbledhja e Këshillit, nga salla kishin dalë të gjithë këshilltarët demokratë, si dhe shumica e këshilltarëve të LSI. E ripërsëris, të 19 këshilltarët demokratë kanë bojkotuar që në fillim seancën e djeshme (dita e mërkurë) duke mos marrë pjesë në asnjë votim apo diskutim, përfshirë rendin e ditës apo votimin e kredive të buta siç u shpif së fundmi.