LSI ka deklaruar dje shkarkimin e dy këshilltarëve të LSI për votën në Këshillin Bashkiak. A është i vërtetë ky shkarkim apo është i ngjashëm me atë të deputetit Spahiu, i cili më pas u propozua sërish deputet nga LSI?
LSI-ja ka përjashtuar dje nga grupi i saj, dy këshilltarët e saj bashkiakë Genta Mezini e Agim Kraja, të cilët votuan pro, rritjes së çmimit të ujit të pijshëm në Tiranë.
Koordinatorja e anëtarëve të Këshillit Bashkiak të LSI-së në Bashkinë e Tiranës, Eriona Bixha, deklaroi dje para mediave se:
“Grupi i këshilltarëve të LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës, me përgjegjësinë e përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesit të qytetarëve, vendosi:
Të përjashtojë nga Grupi i këshilltarëve të LSI, Genta Mezinin dhe Agim Krajën për veprim në kundërshtim me statusin, programin dhe vendimin e forumeve drejtuese të LSI.
Qëndrimi dhe votimi i tyre ditën e dje në Këshillin Bashkiak të Tiranës ka qenë tërësisht individual dhe i shtyrë prej interesave korruptive”.
Shkarkimi i dy këshilltarëve të LSI si ai i deputetit Spahiu?
Rritje tjetër e çmimit të ujit në Durrës
Ndërsa e gjithë vëmendja është përqendruar tek rritja e çmimit të ujit në Tiranë, duket se Bashkia e Durrësit është duke vendosur një rekord të ri. Kryebashkiaku i qytetit bregdetar, Vangjush Dako nuk mund të mbetet në hije, ndoshta i xhelozuar nga rritja e çmimit të ujit në Tiranë.
Ndërsa në Tiranë ka pasur reagime se pse bashkia do të rrisë çmimin e ujit në 650 lekë, në Durrës po kalon në heshtje, fakti që Dako ka vendosur të thyejë çdo rekord me çmimin e ujit duke e rritur në 700 lekë.
BE do detyrojë kompanitë të mos e trajtojnë Europën Lindore si “kazanin e plehërave” ushqimore
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker tha se ushqimet në dukje identike, por me përmbajtje të përbërësve jo të njëjtë, nuk duhet të shiten në Europën Lindore, duke u rreshtuar në krah të atyre që kjo praktike çon në diskriminim, shkruan agjencia “Reuters”. Kjo çështje po kërkon një zgjidhje të menjëhershme për anëtarët lindorë të Bashkimit Europian, të cilët tashmë e ndjejnë frikën e humbjes së influencës në BE, pasi Gjermania, Franca dhe të tjera shtete perëndimore e konsiderojnë integrimin më të ngushtë. Disa studime kanë treguar se shumë prej ushqimeve të shitura nga prodhuesit ndërkombëtarë në Europën Lindore përmbajnë përbërës më të lirë dhe me cilësi më të ulët se sa versionet e tregtuara në Perëndim.
Kryeministri sllovak, Robert Fico, u takua me presidentin Juncker, në emër edhe të vendeve të tjera fqinje si Çekia, Hungaria dhe Polonia. “Nuk më pëlqen ideja se do të ketë një lloj kategorizimi në Europë”, tha Juncker në një konferencë për shtyp. “Ne do të ndjekim synimin tonë të përbashkët për t’i dhënë fund kësaj mënyre diskriminuese që iu ofron sllovakëve ushqime me një cilësi më të ulët”. Juncker tha se do të nxjerrë udhëzimet se si të interpretohen direktivat ekzistuese mbi sigurinë ushqimore në shtator, por nuk do të publikojë ndonjë ligj të ri.
Kompanitë ushqimore kanë mbrojtur praktikat e tyre, duke thënë se tregje të ndryshme kanë shije të ndryshme dhe se përbërësit zgjidhen sipas kësaj. Ata gjithashtu nënvizojnë se, konsumatorët në Perëndim janë më pak të pasur se konsumatorët në Lindje. Ushqimi është 25 për qind më lirë se në Çeki se sa në Gjermani. Gjithsesi, shumë konsumatorë në Europën Qendrore kanë filluar që t’i bëjnë blerjen në kufijtë me Gjermaninë dhe Austrinë, dhe presin që të gjejnë produkte identike brenda shteteve të tyre. Vendet si Çekia dhe Sllovakia apo Bullgaria dhe Rumania kanë dalë në përfundimin se produktet ndryshojnë shumë me vendet e Perëndimit. Në testimet e kryera në Çeki këtë muaj, vetëm 3 nga 21 produktet e shqyrtuara e kishin listën e përbërësve të njëjtë me variantet e shitura në Gjermani. Në disa raste, produktet e mishit kishin më pak mish apo lloj më të lirë mishi. Në disa raste, gjalpi i biskotave është i zëvendësuar me vaj palme. Ministri i Bujqësisë në Çeki ka thënë se vendi i tij ndihet i lodhur, duke qenë “kazani i plehrave” i Europës. Fico tha se ai refuzon standardet e dyfishta dhe se e vlerëson se Juncker e pa këtë çështje si një çështje europiane dhe jo si çështje rajonale.
Standardet e varfëra të sigurisë ushqimore në Shqipëri
Përse vdesin shqiptarët? Sipas të dhënave të INSTAT një nga shkaqet më të frikshme të vdekjeve në Shqipëri vjen nga kequshqyerja. Niveli i lartë i pasigurisë ushqimore nga njëra anë dhe pamundësitë për t’u ushqyer shëndetshëm nga ana tjetër po vrasin përditë shqiptarët. E cilësuar si vrasësja e heshtur e shqiptarëve, pasigura ushqimore luan një rol të rëndësishëm në shëndetin tonë dhe sëmundjet që prekin organizmin për shkak të produkteve të infektuara me baktere, viruse etj.
Sipas të dhënave të “Monitor.al” mungesa e standardeve të sigurisë ushqimore ka krijuar një faturë të shumëfishtë për shqiptarët. Urgjencat nga helmimet kanë arritur në 18 mijë gjatë një viti në QSUT, teksa dieta ushqimore është shkaktare në masën 70% për nivelin e sëmundjeve në vendin tonë. Fermerët shqiptarë penalizohen me gati 100 milionë euro të munguara në një vit nga bllokimi i eksporteve të produkteve blegtorale dhe mijëra biznese do të duhet të përballen me falimentin, pasi nuk do të mund të ofrojnë siguri në standarde nëse hapen negociatat në BE.
Po sipas burimeve të INSTAT shihet se, vitin e kaluar 299 persona humbën jetën nga diabeti dhe sëmundjet endokrine në krahasim me 135 persona më 2015 me një rritje 122 për qind. Ministria e Shëndetësisë në një strategji të posaçme për administrimin e sektorit deri më 2020 argumenton se, në Shqipëri identifikohen tre faktorë kryesorë të rrezikut për barrën e sëmundshmërisë. Faktori i parë lidhet me rreziqet që vijnë nga dieta ushqimore. Faktori i dytë është hipertensioni arterial dhe i treti duhanpirja. Gjatë 20 viteve të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme në barrën e sëmundshmërisë, që i atribuohet karakteristikave të mënyrës së jetesës në Shqipëri. Aktualisht, faktorët e stilit të jetesës përbëjnë mbi 70% të barrës totale të sëmundshmërisë.
Ministria e Shëndetësisë analizon se gjatë dy dekadave të fundit, niveli i vdekshmërisë për shkak të mbipeshës dhe obezitetit është rritur më shumë se dy herë. Në veçanti, niveli i vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës është rritur 2.5 herë, ndërsa niveli i vdekjeve nga diabeti është trefishuar. Megjithatë, evidencat tregojnë se shëndeti dhe mirëqenia nuk varen vetëm nga performanca e sistemit shëndetësor. Faktorë të tjerë ekonomikë dhe socialë, si të ardhurat, arsimimi, strehimi dhe mjedisi, kanë ndikim të fortë në shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë.
Shqipëria rrugë tranziti për produktet e falsifikuara
Shqipëria është një ndër katër portat hyrëse të mallrave kontrabandë për në Europë, së bashku me Egjiptin, Marokun dhe Ukrainën, thotë një studim i fundit i zyrës së pronësisë intelektuale të Bashkimit Europian, OECD dhe EUROPOL.
Raporti është ndër të vetmit në llojin e tij dhe sqaron me detaje rrugën që ndjekin produktet e falsifikuara në sektorë të ndryshëm. Në disa prej tyre, Shqipëria është ndër portat kryesore hyrëse.
Të dhënat e raportit i referohen vitit 2013, të fundit ku ka shifra reale, dhe flasin për një industri globale që vlen plot 460 miliardë dollarë, nga ku 85 miliardë dollarë vetëm në Europë.
Po të marrim parasysh faktin se, Shqipëria është një ndër 4 linjat kryesore të tranzitit të këtyre mallrave që vlejnë 85 miliardë dollarë, atëherë, pa frikë mund të themi se, kjo lloj kontrabande nga Shqipëria gjeneron miliarda.
Shqipëria figuron në listën e dhjetë vendeve që janë burim i produkteve farmaceutike të falsifikuara, dhe mban vendin e 7-të në këtë listë globale, duke qenë e vetmja europiane.
Sa i përket produkteve kozmetike dhe parfumeve të falsifikuara, Shqipëria është e gjashta në botë, dhe e treta në Europë. Në të dyja këto kategori, si për produktet farmaceutike e si për ato kozmetike, Shqipëria nuk figuron në listën e eksportuesve më të mëdhenj në Europë, çka do të thotë se, një pjesë e mirë e këtyre produkteve mbeten në vendin tonë ose kontrabandohen në vendet e rajonit.
Sipas Bashkimit Europian, OECD dhe Europol, Turqia shfrytëzon Shqipërinë si portën kryesore hyrëse të produkteve të falsifikuara drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Për furnizimin e Europës me parfume dhe produkte kozmetike falso, Shqipëria nuk njeh rivalë në kontinent. Rruga kryesore e transportit është tokësore.
Për produktet e lëkurës dhe çantat, Shqipëria është e treta në botë dhe e para në Europë, madje ia kalon edhe Hong Kongut, që është ndër prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj në botë të produkteve të falsifikuara.
Te e njëjta kategori, në tabelën e importeve, Shqipëria zbret në vendin e 9-të, çka do të thotë se, një pjesë e madhe e këtyre produkteve janë të destinuara për tregun e brendshëm.
Shqipëria, Bosnja dhe Maroku janë ndër tre vendet kryesore të kontrabandës së këpucëve në Europë. E njëjta gjë vlen për syzet e diellit, pajisjet mjekësore, e sidomos për lojërat e fëmijëve dhe pajisjet sportive.
Ekonomitë familjare të ‘mbytura’ në kredi
Kreditë që marrin ekonomitë familjare në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, kanë shënuar normën më të lartë të rritjes vjetore prej 14.7 për qind. Vlera e kredive të qytetarëve në dhjetë bankat komerciale në Kosovë, ka arritur në mbi 2.2 miliardë euro, prej tyre rreth 800 milionë euro, janë kredi familjare, derisa 1.4 miliardë euro janë kredi për ndërmarrje. “Kreditë e sektorit bankar përshpejtuan rritjen vjetore në 10.4 për qind. Deri në dhjetor 2016, vlera e gjithsej kredive arriti në 2.23 miliardë euro. Gjatë vitit 2016, kreditimi është rritur si rezultat i rritjes së kërkesës për kredi si dhe përmirësimit të ofertës së kreditimit nga sektori bankar, përmes uljes së normës së interesit, rritjes së shumës së kredisë së aprovuar dhe uljes së tarifave të tjera të jointeresit”, thuhet në raportin fundit të Bankës Qendrore të Kosovës. Niveli i lartë i kredive për ekonomitë familjare, nga njohës të çështjeve ekonomike po konsiderohet si pasojë e standardit jo të mirë të jetës së qytetarëve, por edhe mund të konsiderohet si reflektim i rritjes ekonomike në vend.
Drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se, rritjes së kërkesave për kredi për ekonomitë familjare, i kanë kontribuar shumë faktorë. Rritja e portofolit kreditor është duke vazhduar edhe këtë vit si në vitin e kaluar, me një normë të përgjithshme prej mbi 10 për qind. Në këtë vit, ka rritje të kreditimit në favor të bizneseve, por është e vërtetë që edhe ekonominë familjare kanë rritur konsumin e tyre, duke e angazhuar në investime të ndryshme”, thotë Balija. “Një prej arsyeve është që norma e interesit në depozita është mjaft e ulët dhe shumë nga qytetarët e shohin më të arsyeshme që mjetet e tyre t’i investojnë sesa t’i mbajnë në depozita. Po ashtu, po shpresojmë që kjo është një indikator i rritjes ekonomike të Kosovës që reflekton edhe në rritjen e portofolit kreditor”, thekson ai. Bankat komerciale, të cilat veprojnë në Kosovë paraqesin oferta të llojllojshme të kredive. Ofertat, përfshijnë kreditë konsumuese, ato për banim, shkollim, biznese, prodhim, por edhe për festa të ndryshme. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, norma efektive e interesit për kredi është 8.5 për qind, në varësi nga banka dhe lloji i kredisë.
Sidoqoftë, për kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, këto norma interesi për kredi janë ende të larta. Rritjen e kredive për ekonomizim familjar, Shahini e konsideron shqetësuese, pasi që sipas tij, familjet nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për të përmbushur shumë nga nevojat e tyre që janë të domosdoshme. “Në Kosovë janë rritur të gjitha kategoritë për kredi edhe në biznese edhe për familje. Rritja e kredive nga familjet tregon një performancë të dobët të standardit të qytetarëve të Kosovës se nuk mund të jetojnë pa kredi, tregon rritjen e varfërisë dhe kjo nuk është shenjë e mirë për Kosovën”.
“Kjo për ne është shqetësim se familjet në Kosovë nuk kanë buxhet të vetin as familjar e as të trashëguar dhe të gjithë orientohen tek bankat, të cilat vazhdojnë të kenë norma të larta të interesit dhe kanë shërbimet më të shtrenjta në Evropë”, thotë Shahini. Ndryshe, përveç kredive që qytetarët kanë në bankat komerciale, një pjesë e madhe e klientëve kanë borxhe edhe në institucionet mikro-financiare që operojnë në vend. Marrja e kredive, i detyron kredimarrësit që t’i shlyejnë borxhet me kohë, përfshi edhe normën e interesit. Në të kundërtën, përballen me gjoba. Kurse në rastet kur nuk arrijnë ta paguajë borxhin, bankat kanë mundësinë ligjore që t’i fillojnë procedurat për marrjen e hipotekës që është lënë peng nga kredimarrësi, gjatë procedurave të marrjes së kredisë.
Basha: LSI e PDIU pjesë e koncesioneve klienteliste
Kryetari i PD, Basha deklaroi dje se LSI dhe PDIU janë pjesë e koncesioneve klienteliste të qeverisë veçse tani në role të reja. Reagimi i Bashës erdhi një ditë pasi dy këshilltarë të LSI dhe këshilltarët e PDIU bashkuan votat për të rritur çmimin e ujit për qytetarët e Tiranës me 45%.
“Pazareve të Edi Ramës dhe veglave të tij në krye të Bashkisë Tiranë për të dyfishuar çmimin e ujit dhe për të miratuar koncesionet klienteliste të shkollave iu bashkuan dje edhe PDIU dhe LSI.
Është i njëjti grusht politikanësh të kapur dhe të korruptuar që nuk ka asnjë mëshirë për të rrëmbyer çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve. Loja e tyre vazhdon njësoj si më parë, vetëm se tani në role të reja”, thotë Basha.
Kryetari i PD thotë se, PD është e vetmja forcë politike në mbrojtje të interesave të qytetarëve. “PD është e vetmja forcë në krah të njerëzve, por ne jemi të fortë dhe të vendosur për të luftuar për ta. Ne nuk do të ndalemi dhe nuk do të heshtim asnjëherë në mbrojtje të interesave të qytetarëve”, thotë Basha.
Do të mjaftonte që të gjithë këshilltarët e PD-së dhe LSI-së të bojkotonin mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe për qytetarët e Tiranës çmimi i ujit do të mbetej i njëjtë. Të paktën përkohësisht. Kjo pasi 25 këshilltarët e PS-së, 3 të PDIU-së dhe 1 i FRD-së së Bamir Topit nuk do të plotësonin dot 31 kartonët e nevojshëm për kuorumin e hapjes së mbledhjes.
Mbledhja ishte thirrur për në orën 18.00 të së mërkurës, por ajo nuk po niste. Ishte e qartë që po punohej në prapaskenë. Ndërsa një grup qytetarësh protestonin para Bashkisë, kryetari i këshilltarëve të PD-së, Nard Olli u bënte thirrje kolegëve të LSI-së të mos merrnin pjesë në mbledhje për të bërë të pamundur nisjen e saj. Mbledhja nisi gati një orë më pas.
2 prej këshilltarëve të LSI-së u ulën në vendet e tyre. Agim Kraja dhe Genta Mezini që po të mërkurën bënë betimin si anëtarë të këtij këshilli dhanë votën e tyre “pro” rritjes së çmimit të ujit të pijshëm për kryeqytetasit duke plotësuar numrin magjik “31” të votave të nevojshme për të marrë vendim.
Por a janë Kraja dhe Mezini dy tradhtarë të LSI-së? Zv.kryetari Luan Rama komentoi në telefon për “News24” vendimin duke këmbëngulur se Kraja nuk ishte prej kohësh pjesë e LSI-së dhe se Genta Mezinin “nuk e njihte” megjithëse ishte bërë pjesë e Këshillit Bashkiak prej listës së partisë së tij. Rama përsëriste se LSI nuk e kishte votuar vendimin për rritjen e çmimit të ujit. 11 këshilltarë të LSI-së nuk hynë në sallë, por Veliajt i mjaftonin vetëm 2 vota. Pas marrjes së vendimit nuk pati asnjë deklaratë nga LSI për ndonjë masë për dy këshilltarët që kishin dalë nga rreshti dhe kishin vepruar kundër vendimit politik.
Vetë Agim Kraja deklaroi hapur në mbledhje të këshillit mbështetjen për draftin. Ai foli në emër të LSI-së, madje përmendi edhe takimin që patën këshilltarët e LSI-së një ditë më parë me Erion Veliajn. Pyetja “1 milion dollarëshe” që shtrohet pas asaj që ndodhi në Këshillin Bashkiak të Tiranës mbrëmjen e së mërkurës është nëse ka pasur apo jo një pakt të fshehtë të Veliajt me LSI-në për të gjetur një mënyrë që rritja e çmimit të votohej, por edhe LSI të mos bënte figurë të keqe?
Ky ishte vetëm një moment që ndoshta shumë shpejt do të harrohet, por duket se LSI e ka nisur opozitën “me këmbën e mbarë”.
E paligjshme rritja e çmimit të ujit
PD dhe LSI bojkotuan mbledhjen çfarë do të bënte të pamundur arritjen e kuorumit- numrit minimal të anëtarëve që duhet për zhvillimin e një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak. Këshilli Bashkiak Tiranë ka 61 anëtarë dhe kuorumi për mbledhjet e tij është të paktën sa gjysma e anëtarëve, pra 31 këshilltarë. Koalicioni i djathtë me PD-në ka 19 këshilltarë në Këshill dhe LSI ka 13 këshilltarë, pra së bashku kanë 32 këshilltarë çfarë përbën jo vetëm shumicën në Këshill, por edhe kushtëzojnë arritjen e kuorumit në Këshill.
Saktësisht, dy anëtarë të LSI aq sa duhet për arritjen e kuorumit kanë marrë pjesë në mbledhje, sipas udhëheqësve të LSI-së në shkelje të vendimit partiak. Në dukje mbledhja e ditës së mërkurë shfaqet si legjitime. Por ka një ndërlikim që e heq legjitimitetin dhe me gjasa edhe ligjshmërinë e mbledhjes së të mërkurës.
Pjesëmarrja e tri këshilltarëve të PS në mbledhjen e ditës së mërkurë dhe e një këshilltareje të LSI-së ka qenë e paligjshme. Pesë anëtarë dhe anëtare fillestare të Këshillit, tre të PS-së dhe dy të LSI-së, u zgjodhën deputetë në zgjedhjet e qershorit dhe nuk janë më këshilltarë bashkiakë. Ndërkohë zëvendësuesit e tyre në Këshill nuk janë betuar ende, pra nuk janë ende këshilltarë.
Ish-këshilltarë që u bënë deputetë janë: Elisa Spiropali, Elona Gjebrea, Klotilda Bushka (Ferhati) të PS-së dhe Endrit Braimllari dhe Floida Kërpaçi të LSI-së.
Kjo do të thotë se në fillimin të mbledhjes së ditës së mërkurë numri maksimal i këshilltarëve socialistë që mund të ishin të pranishëm në seancë ishte 22 nga 25 të zgjedhur. Duke i shtuar atyre këshilltarët e PDIU-së dhe FRD-së dhe Agim Krajën e LSI-së, këshilltar i cili theu bojkotin e LSI-së dhe mori pjesë në mbledhje, numri maksimal i këshilltarëve të ligjshëm që mund të merrnin pjesë në mbledhjen e ditës së mërkurë ishte 27, pra katër më pak se kuorumi i nevojshëm.
Bashkia Tiranë nuk ka bërë të ditur ende listën e pjesëmarrësve në mbledhjen e ditës së mërkurë të Këshillit dhe është e paqartë se kush janë katër individët e tjerë që kanë qenë në seancën e ditës së mërkurë për të bërë kuorumin e nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes, po kushdo që të ketë qenë ka qenë në mënyrë të paligjshme.
Nëse kanë qenë ish-këshilltarët tashmë deputetë socialiste- Gjebrea, Spiropali apo Bushka- pjesëmarrja e tyre është e paligjshme për shkak të papajtueshmërisë së mandatit të tyre me çdo detyrë tjetër veç ministrit.
Gjykata Kushtetuese në rastin e deputetit Ilir Beqaj është shprehur qartë se mandati i deputetit fillon që në momentin e çertifikimit zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ, pavarësisht se betimi i tyre vjen më pas. Për këtë arsye nuk ka asnjë dyshim ligjor se tre deputetet Gjebrea, Spiropali dhe Bushka nuk mund të ushtronin ditën e mërkurë asnjë kompetencë në Këshillin Bashkiak Tiranë. Nëse ndonjëra prej tyre ka marrë pjesë me gjasa rrezikon të humbasë edhe mandatin e deputetit.
Në mbledhjen e ditës së mërkurë nuk mund të merrnin pjesë as zëvendësueset e tyre dhe të dy deputetëve të LSI-së (Kërpaçi dhe Braimllari), pasi që ata të zyrtarizohen si këshilltarë duhet që të betohen përpara Këshillit dhe seanca e betimit kërkon kuorumin prej 31 anëtarësh, që nuk mund të arrihej pa pjesëmarrjen e të paktën katër këshilltarëve të PD-së ose të LSI-së dhe ditën e mërkurë ka patur vetëm një të LSI-së- Agim Kraja. Pa u betuar pjesëmarrja dhe vota e tyre do të ishte e paligjshme.
Ajo që dihet me siguri është se në seancë ka marrë pjesë dhe ka votuar Genta Mezini, zëvendësuese në parim e Floida Kërpaçit. Për arsyen e mësipërme pjesëmarrja e saj në mbledhje dhe vota e saj është e paligjshme. Ndërkohë që ka dyshime nëse zëvendësuesja legjitime e Kërpaçit është Mezini apo Lindita Veliasit, e cila është renditur më lart në listën e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë të LSI-së se Mezini dhe nëse nuk ka ndonjë pengesë tjetër i takon asaj të jetë zëvendësuese e Kërpaçit dhe jo Mezinit.
Të gjitha këto informacione do të sqarohen në ditët në vazhdim, por sidoqoftë paligjshmëria e mbledhjes së ditës së mërkurë të Këshillit Bashkiak në Tiranë është tashmë e provuar.
“Exit.al”
Gjiknuri 90 minuta para gjykatësve për aferën 479 milionë euro me CEZ
Damian Gjiknuri nuk e ka patur aspak të lehtë dje përballjen në Gjykatë teksa do t’i duhej të fliste për rolin e tij në megaferën e CEZ ku Shqipërisë iu shkaktua një dëm prej 479 milionë euro. Në listën e dëshmitarëve VIP në gjyqin ndaj Kastriot Ismailaj për aferën mes DIA-s dhe CEZ është edhe emri i ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri, i cili është thirrur dje të dëshmojë në seancën gjyqësore. Dëshmia e Gjiknurit ka zgjatur për 90 minuta, gjatë të cilave ai ka pranuar të ketë takuar përfaqësuesin e DIA-s, Rebeka Gain. Referuar dëshmisë së tij, ministri është shprehur se ka rënë dakord me Gain që çështja me qeverinë të zgjidhej me marrëveshje. “Ismailaj i kishte lënë emër të keq kompanisë”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera Gjiknuri. Gjiknuri u shpreh: “E njoh Elvis Matajn dhe avokatin Romeo Kara. I kam takuar 1-2 herë. Më kanë pohuar se janë të gatshëm të dëshmonin për aferën korruptive të DIA”. Po ashtu, Gjiknuri tregoi edhe për takimin që ka pasur me Rebeka Gaskin, në cilësinë e administratores së DIA, e cila ka kërkuar të tërhiqet nga gjyqi kundër CEZ në Arbitrazh. Një detaj ishte se Gjiknuri nuk e kishte marrë me vete kartën e identitetit, por kjo u kalua duke mos u bërë problem nga Gjykata. Kastriot Ismailaj akuzohet që nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ka përvetësuar një shumë prej afro 5 milionë eurosh, nga fondi që kishte mbledhur për llogari të faturave të papaguara të CEZ-it. Kujtojmë se në tetor të 2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi penalisht ministrin e Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe Avokatin e Shtetit, Alma Hicka. KLSH arriti në përfundimin se shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm financiar prej 479 milionë eurosh nga marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim mes palëve e arritur nga qeveria dhe grupi çek Cez, i cili ishte pronar i 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.
Dëmshpërblimi që iu fal CEZ-it nga Gjiknuri-Hiçka
Alma Hicka dhe Damian Gjiknuri, kanë këmbëngulur fort që Shqipëria të dalë e humbur në lidhje me firmosjen e marrëveshjes ku pala shqiptare hiqte dorë nga e drejta për të kërkuar dëmshpërblimin nga kompania CEZ. Në raportin e hartuar për këtë çështje nga Zyra e Avokatisë, Derain&Ghavari me qendër në Paris jep dhe qëndrimet e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, si dhe lojërat manipulative që janë bërë me këtë çështje. Sipas të njëjtit raport, ministri Damian Gjiknuri, ka ndërhyrë pranë nënkryetarit të Sekretariatit për Energjinë në Vjenë, Dirk Buschle, që të jepte një vlerësim ku të lavdërohej marrëveshja, me qëllim manipulimin e opinionit publik. Për sa i përket Alma Hickës, Avokates së Shtetit, zyra në fjalë shprehet se ka qëndruar e paiinteresuar për këtë çështje për shkak të lidhjeve që bashkëshorti i saj Envi Hicka kishte me kompaninë CEZ. Sipas avokatit, kjo ishte një anomali që privoi qeverinë shqiptare prej mekanizmit të kontrollit të pushteteve. “Njëlloj surprizuese gjatë gjithë këtij procesi, ishte sjellja e Avokates së Përgjithshme të Shtetit, znj Alma Hicka. Avokatura e Shtetit është një entitet i pavarur që përgjithësisht është aktiv në përfaqësimin e Shtetit në arbitrazhet ndërkombëtare. Megjithatë, në këtë çështje Zyra e Përgjithshme e Avokaturës së Shtetit, edhe pse e përfshirë, qëndroi në tërësi pasive gjatë gjithë procesit. Nuk kërkoi që ne të përgatisnim një opinion ligjor në lidhje me mosmarrëveshjen me CEZ, ose nuk kërkoi që në të përfshiheshim në negociatat e zgjidhjes me pajtim ose në procesin e vendimmarrjes. Pavarësisht nëse kjo ishte apo jo një zgjedhje e vullnetshme etike, duke qenë se bashkëshorti i Avokates së Përgjithshme të Shtetit, ishte ose është ortak në një firmë ligjore shqiptare, e cila përfaqësonte CEZ Shpërndarje sh.a, kur kontrollohej prej CEZ, kjo ishte një tjetër anomali, e cila e privoi qeverinë prej mekanizmit të kontrollit të pushteteve, e nevojshme gjatë një procesi të tillë”, shkruan në raportin e saj Zyra e Avokatisë. Pra, pretendimet e zonjës Hicka se nuk e dinte që në këtë çështje është në konflikt interesi, nuk qëndrojnë. Aq në dijeni ka qenë sa ka përjashtuar nga bisedimet zyrën e Avokatisë, nuk kërkoi një opinion të përgjithshëm ligjor mbi veprimtarinë e CEZ, vetëm e vetëm për faktin se pas gjithë kësaj zallamahie qëndronte bashkëshorti i saj, ortak në firmën e cila mbronte të gjitha veprimet e CEZ.sh.a
Roli i Gjiknurit në aferën me CEZ
Një rol jo të vogël ka pasur në të gjithë këtë histori dhe Damian Gjiknuri, i cili sipas shkresës ka shkuar deri aty sa të kërcënojë përfaqësuesin e firmës që merret me këtë çështje. Gjiknuri, në një bisedë që ka pasur me përfaqësuesin e zyrës, ka vënë në dyshim ndershmërinë e saj. “Në 20 maj të 2014-ës, pata një takim nga afër me ministrin Gjiknuri në Paris, gjatë të cilit ai dukej i shqetësuar nga fakti që unë po nxirrja në pah anomali, në kohën e qeverisjes së tij. Ai e ngriti këtë siç m’u duk mua asi një tentativë në mirëbesim për të kuptuar perspektivën e firmës tonë në një fushë dhe një çështje që dukej jo i familjarizuar, dhe me respekt i jam përgjigjur që i kam shërbyer Republikës së Shqipërisë, pavarësisht përbërjes së qeverisë përkatëse”, shprehet avokati. Më tej, sipas të njëjtit raportim, avokati shprehet se ka qenë vetë ministri Gjiknuri, që ka ndërhyrë pranë negociatorit Buschle, që të bënte komente në lidhje me marrëveshjen për ta nxjerrë sa më mirë qeverinë shqiptare. “Ishte vetë ministri Gjiknuri që i kërkoi zotit Dirk Boushle, që të bëjë komente në lidhje me çështjen, për t’í shitur marrëveshjen popullit shqiptar. Një tjetër anomali është fakti që ishte bërë çdo përpjekje për të kufizuar në sytë e popullit shqiptar shtrirjen e përgjegjësisë së pranuar nga qeveria shqiptare, sipas kushteve të zgjidhjes të rëna dakort me CEZ. Në veçanti, na u kërkua të përjashtonim dhe/ose të fshehim në Marrëveshjen për Zgjidhje, e cila ishte nënshkruar në 23 qershor 2014 dhe miratuar nga Parlamenti shqiptar në 31 korrik 2014, çdo referencë jo vetëm për faktin e përgjegjësisë shtesë për 108 milionë euro që ishte pranuar nga qeveria shqiptare në lidhje me pretendimin e DIA, por gjithashtu edhe për një marrëveshje të fshehtë, e cila nuk shkoi në Parlament, është lidhur në këtë drejtim”, shprehet avokati. Marrëveshja që shteti shqiptar ka bërë për DIA-n ende sot e kësaj dite nuk ka mbërritur në dyert e Kuvendit.
44% rritja për qytetarët, për bizneset 74%
Çmimi i ujit do të rritet për konsumatorët familjarë nga 45 lekë për metër kub që është sot në 65 lekë për metër kub në vitin 2018. Pra, një rritje prej 44%. Për konsumatorët biznes çmimi rritet nga 135 lekë për m3 në 235 lekë ose me një rritje 74 për qind. Për konsumatorët buxhetorë çmimi rritet nga 120 në 170 lekë ose ndryshe 41 për qind. Përveç kësaj, UKT kërkon që tarifa fikse mujore, e cila nuk varet nga niveli i konsumit, të rritet me 100% nga 100 lekë që është aktualisht në 200 lekë.
Administrata e Bashkisë thotë se rritja e çmimit do të mundësojë kryerjen e investimeve të nevojshme për të siguruar furnizim të rregullt me ujë 24 orë rreth vitit 2021.
“Orari i shërbimit ka qenë me 7 orë ujë kur e la Basha, sot jemi me 13 orë ujë në ditë. Maksimumi që kemi arritur të bëjmë është rritja me 85% e furnizimit me ujë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër si të rrisim investimet”, deklaroi kryebashkiaku Erion Veliaj ditën e martë kur foli para këshilltarëve bashkiakë të partisë së tij dhe të LSI.
Shifrat e dhëna nga Veliaj për orarin e furnizimit me ujë në fakt janë të ndryshme nga shifrat e dhëna nga Enti Rregullator i Ujit, institucioni që mbikëqyr tregun. Sipas raportit vjetor të performancës të vitit 2016 të ERRU, Tirana është furnizuar gjatë vitit 2016 me mesatarisht 10.83 orë në ditë dhe furnizimi ka njohur një përkeqësim të lehtë në krahasim me vitin 2014, kur ka qenë 11.04 orë në ditë. Këto janë shifra shumë të ndryshme prej atyre të pretenduara nga Veliaj për 7 orë furnizim “kur e la Basha” dhe 13 orë furnizim aktualisht.
Ndonëse Bashkia pretendon se rritja e çmimit synohet të bëhet për të mbuluar kostot e investimeve, plani i biznesit të ujësjellësit i parë nga “BIRN” duket se synon thjesht të rrisë të ardhurat pa menduar për uljen e kostove operative dhe mirëmenaxhimin. Ndryshe nga sa pretendoi Veliaj në vitin 2015 për shkurtim të numrit të punëtorëve në ujësjellës, punonjësit e UKT janë në rritje dhe aktualisht numri i tyre është i njëjtë me numrin që kompania kishte “në kohën e Bashës”. Ujësjellësi është akuzuar gjithashtu nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për keqpërdorimin e miliona eurove përmes procedurave të prokurimit të dyshimta, të kryera pa garë dhe me çmime krahasimisht më të larta se sa më parë. Për më tepër, plani i biznesit shpreh dëshirën e drejtuesve të kompanisë për të shpenzuar miliona lekë reklama si një fond “i marrëdhënieve me publikun”, shpenzime që nuk kanë asnjë kuptim për shkak se ujësjellësi është një monopol që ofron një mall të pazëvendësueshëm dhe për rrjedhojë, nuk ka nevojë për reklamë.
Plani i biznesit të UKT
Ujësjellës-Kanalizime SHA është një kompani aksionere nën pronësi publike. Megjithë keqadministrimin e njohur të shoqërisë, (përfshirë mbajtjen e një numri shumë të lartë të punësuarish), kompania rezulton me norma fitimi të konsiderueshme përgjatë të gjitha viteve të fundit. Kështu, në vitin 2014, kompania kishte 3 miliardë lekë të ardhura dhe 2.3 miliardë lekë shpenzime me fitime neto pas taksave në masën 435 milionë lekë ose 3.2 milionë euro.
Në vitin 2015, të ardhurat ranë në 2.8 miliardë lekë, ndërsa më 2016, u rritën në 3.1 miliardë lekë. Ujësjellësi realizoi 640 milionë lekë fitime neto pas taksave gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, një plan biznesi i kompanisë bën thirrje për shtim të fortë të shpenzimeve të kompanisë përgjatë pesë viteve të ardhshme, ku shpenzime të rëndësishme pritet të kryhen për blerjen dhe instalimin e matësave të rinj të konsumatorëve, për ndërrimin e tubave kryesorë të furnizimit të Tiranës, si dhe për “Fondin e Marrëdhënieve me Publikun”.
Sipas “planit të biznesit”, lista e shpenzimeve kapitale të planifikuara për periudhën 2017-2021, ka një total prej 23.5 miliardë lekësh ose 173.4 milionë eurosh, ku zërat kryesorë të shpenzimeve janë rinovim i rrjetit kryesor të ujësjellësit dhe rinovim i rrjetit kryesor të kanalizimeve. Investimet janë të ndara në afërsisht 5.5 miliardë lekë në vit dhe për të mbuluar këto investime, ujësjellësi kërkon të rrisë tarifat e furnizimit me ujë.
Por pavarësisht se plani i biznesit të ujësjellësit parashikon 173.4 milionë euro investime, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku foli për “220 milionë euro”.
Nuk ka parashikim për të ardhurat
Plani i biznesit i firmosur nga drejtori i UKT, Redi Molla nuk bën parashikime se sa do të rriten të ardhurat nga rritja e tarifave në mënyrë kaq të lartë. Aty flitet vetëm për “të ardhura të dëshirueshme”, të cilat për vitin 2018 janë 4 miliardë lekë ose 17 për qind më shumë se sa të ardhurat e pritshme 2017 ose 29 për qind më shumë se sa të ardhurat e vitit 2016. Por plani i biznesit nuk parashikon se sa do të rriten të ardhurat në një kohë kur rritja e tarifave do të jetë 40-70 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Plani i biznesit parashikon “të ardhura të dëshirueshme” në masën 4.6 miliardë lekë për vitin 2019, (rritje 43 për qind në krahasim me vitin 2016). Plani nuk parashikon përmirësim në eficencën e administrimit pasi ruan nivel të njëjtë të “shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes”, si dhe nuk parashikon të ardhura shtesë nga lufta kundër vjedhjeve të ujit, në një qytet ku dy të tretat e ujit konsiderohen “konsum i pafaturuar”.
Gjithashtu, plani i biznesit pranon se humbjet nga uji i pafaturuar (termi teknik që përdoret për vjedhjet apo rrjedhjet e pakontrolluara në rrjet) është sa dy të tretat e të gjithë ujit të hedhur në rrjet. Sipas planit të biznesit, këto rrjedhje pritet të reduktohen në 40 për qind në vitin 2021, por këto reduktime nuk parashikohet të sjellin të ardhura shtesë për ujësjellësin, i cili mendon se konsumi total i ujit të faturuar do të mbetet pothuajse i pandryshuar dhe reduktimi i vjedhjeve dhe rrjedhjeve do të sjellë vetëm reduktim të sasisë së ujit të përpunuara në impiante.
Sipas Raportit të Performancës të Entit Rregullator të Ujit, uji i pafaturuar në UKT u rrit në vitin 2016 në gati 68 për qind, me 1 pikë përqindje më shumë se sa në vitin 2015, gjë që duket se nuk përmbush pretendimet e Bashkisë për menaxhim më të mirë.
Kostot operacionale të larta dhe punësimet në rritje
Në fund të vitit 2015, Bashkia e Tiranës deklaroi se do të pushonte nga puna disa qindra punonjës të UKT SH.A me argumentin se qenë punëtorë të tepërt, të punësuar për shkaqe politike nga administrata e mëparshme. Në nëntor 2015, me propozim të drejtorit të UKT dhe me miratimin e Këshillit Mbikëqyrës ku Bashkia e Tiranës kontrollon shumicën, u miratua një strukturë e re me 845 punonjës, nga mbi 1200 punonjës që kishte UKT më herët. Gjatë muajit dhjetor 2015, u pushuan nga puna 436 punonjës, me arsyetimin: “zgjidhje e marrëdhënieve të punës për shkak të shkurtimit të vendit të punës apo suprimimit të vendit të punës”.
Mbingarkimi i ndërmarrjeve të ujësjellësave dhe ndërmarrjeve të tjera të sektorit publik me punëtorë të panevojshëm është një praktikë e zakonshme në Shqipëri dhe shkurtimi i numrit të punonjësve është një kërkesë e përhershme e Entit Rregullator të Ujit për ndërmarrjet e ujësjellësave. Problemi është se ndryshe nga sa flitej në strukturën e miratuar më 2015 për 845 punonjës, në fund të vitit 2016, UKT pati 1150 punonjës, sipas dokumenteve të UKT duke sugjeruar se pushimet nga puna të vitit 2015 nuk qenë ristrukturim për reduktim kostosh, siç u predendua, por një zëvendësim i rëndomtë i militantëve me militantë. Sikur të mos mjaftonin punësimet e reja të vitit 2016, UKT ka në plan të shtojë më tej të punësuarit gjatë vitit 2017, duke i kthyer ekzaktësisht në nivelin e vitit 2015, në rreth 1227 vetë.
Konsumatorët paguan dy palë punonjësish
Pushimet nga puna të vitit 2015 nuk është se nuk u paguan. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto pushime të administratës së re qenë dukshëm në kundërshtim me Kodin e Punës dhe pak a shumë të gjithë punonjësit u paraqitën në Gjykatën Administrative, e cila dha kompensimet përkatëse në paga. Sipas raportit të KLSH, gjatë vitit 2016 u hapën 211 procese gjyqësore. Deri në çastin që u hartua raporti i KLSH, 33 procese gjyqësore janë mbyllur në të gjitha shkallët me një kosto për konsumatorët e ujit prej 21.4 milionë lekë. Në total, parashikohet se mbi 68 milionë lekë (afro gjysmë milioni euro), do t’i kushtojnë konsumatorëve të ujit pushimet e padrejta nga puna dhe këto janë kosto krahas pagave të të punësuarve të rinj.
Asnjë reduktim në kostot operative dhe miliona për reklama
Ujësjellësi ka aktualisht 2.3 miliardë lekë (17 milionë euro), shpenzime operative dhe të mirëmbajtjes, ku përfshihen kostot e prodhimit të ujit, kostot e punëtorëve dhe kosto të tjera. Sipas planit të biznesit, ujësjellësi nuk ka në plan të reduktojë numrin e punonjësve, siç pati vepruar më 2015, por ka në plan të rrisë katërfish shpenzimet “për marrëdhënien me konsumatorin”.
Fondi “shpenzime personeli”, i cili përfshin mbajtjen e mbi 1200 të punësuarve me rroga dhe shpërblime të tjera, zë 35 për qind të të gjitha shpenzimeve, parashikohet të rriten.
Ndoshta shpenzimi më i çuditshëm i planifikuar nga plani i biznesit të ujësjellësit është shpenzimi për “marrëdhëniet me publikun”. Plani i biznesit shkruan: “Zëri i shpenzimeve për Marrëdhëniet me Publikun është llogaritur në bazë të një strategjie që synon të mbështesë dhe promovojë shërbimet e UK Tiranë tek publiku dhe të prezantojë objektivat dhe synimet kryesore të shoqërisë. Duke pasur parasysh se kostot për Fushatat e Marrëdhënieve me Publikun ishin afërsisht 25 lekë për lidhje në vit dhe duke marrë në konsideratë edhe rëndësinë që ka ky zë për një shoqëri ujësjellës-kanalizime në madhësinë e UK Tiranë (më e madhja në Shqipëri), drejtuesit e shoqërisë kanë parashikuar një rritje të kostove të Marrëdhënieve me Publikun duke buxhetuar një shpenzim prej 167 lekë për lidhje në vit për periudhën 2017-2021”.
Totali i shpenzimeve të planifikuara për reklama nuk jepet, por ujësjellësi përdor dy kritere në raportimin e “numrit të lidhjeve”, njëra është lidhjet e furnizimit me ujë, rreth 230 mijë, si dhe numri i lidhjeve me ujë dhe kanalizime rreth gjysmë milioni. Ky është një zë i çuditshëm për shkak se ujësjellësi dhe kanalizimet janë një monopol publik dhe njëkohësisht janë mallra të domosdoshëm, rrjedhimisht nuk kanë nevojë për reklamë.
Keqadministrim me prokurimet
Kontrolli i Lartë i Shtetit kreu një auditim gjatë vitit 2016 në kompaninë e Ujësjellës-Kanalizimeve ku zbuloi një gamë të gjerë shkeljes, nga punësimet me dosje të paarkivuara te prokurimet me procedura emergjente dhe me kosto financiare të konsiderueshme.
Në lidhje me mbifaturimet e vëna re nga publiku në fillim të vitit 2016, KLSH vëren se administrata e ujësjellësit nuk e ka zbuluar shkakun e vërtetë të mbifaturimeve pavarësisht se një ish-drejtor pretendoi në konferencë për shtyp se “kishte pasur ndërhyrje nga jashtë”, duke supozuar se bëhej fjalë për një sulm piraterik në sistemin elektronik të ujësjellësit.
“Ish-drejtori i Përgjithshëm i UKT, z. N.Gj., dhe z. K.Z., i cili ka lidhur kontratë qiraje me UKT për programin që përdoret në sistemin e menaxhimit të informacionit në konferencën për shtyp më datë 22.02.2016, kanë deklaruar se ka patur ndërhyrje në sistem nga jashtë dhe për këtë ngjarje është bërë kallëzim penal. Nga auditimi i dokumentacionit në dispozicion, nuk rezulton të jetë bërë kallëzim penal”, thuhet në raportin e KLSH.
Raporti vëren mes të tjerash që bilanci i ujësjellësit nuk mbahet sipas standardeve të kontabilitetit dhe në një numër të madh rastesh, ujësjellësi detyrohet të paguajë gjoba tatimore për dorëzim të vonuar të deklaratave tatimore. Në disa raste, procedurat e tenderimeve për riparime në rrjetin e ujësjellësave kanë përdorur kritere diskriminuese ndaj operatorëve pjesëmarrës, gjë që ka ulur konkurrencën dhe ka rritur kostot për konsumatorët e ujit. Në një rast, ujësjellësi ka bërë tender për blerje kimikatesh për përpunimin e ujit me procedurën “Negocim pa shpallje”. Argumentimi ka qenë që për shkak se ujësjellësi nuk kishte parashikuar siç duhet nevojat për kimikate, ai qe vënë në kushtet e emergjencës, gjë që detyronte blerjen me shpejtësi të tyre. Në këtë rast, ujësjellësi parashikoi një fond limit të ndjeshëm më të lartë se sa kostoja e kimikateve në krahasim me vitin e kaluar pavarësisht se pala e kontraktuar qe ekzaktësisht e njëjta kompani.
Olli: LSI refuzoi të bojkotonte mbledhjen
Kreu i këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, komentoi ditën e djeshme vendimin e miratuar mbrëmjen e së mërkurës në Këshillin Bashkiak të Tiranës mbi rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Ndër të tjera, Olli sulmoi ashpër LSI, dy këshilltarët e së cilës votuan pro këtij vendimi. Kreu i këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës, Olli tha se rritja e çmimit të ujit u miratua me votat e PS, LSI dhe PDIU. “Nëse ju do të shkoni në sekretarinë e Këshillit Bashkiak do të gjeni që procedurat në fjalë janë vouar nga 25 vota të këshilltarëve të PS, 3 PDIU dhe 2 të LSI. A janë përjashtuar sot dy këshilltarët e LSI? A kanë qenë deri në momentin që kanë votuar këshilltarë të LSI, çfarë të keqe do të kishte LSI kur unë kam kërkuar në orën 19:30 jashtë sallës të prononcohet qartë dhe pa ekuivok nëse ata dy këshilltarë ishin me urdhër të partisë apo ishin në kokë të tyre, vetëm sot u akuzohen dy këshilltarët që kanë kryer një veprim korruptiv”, tha Olli. Ai tha se LSI i kishin kërkuar që të bojkotonte seancën e Këshillit Bashkiak, por për këtë nuk kishin arritur në një dakordësi. “Në ditën e votimit i kemi kërkuar që në mëngjes herët LSI një qëndrim të pastër dhe pa ekuivok në raprot me këtë çështje. I kemi bërë apel që këto kushte që i keni vënë Veliajt në gjykimin tonë janë vetëm aksion për këtë aferë mafioze dhe i kemi kërkuar që së bashku të bojkotonim që mos kishte kuorum”, tha Olli.
Spaho i përgjigjet Petrit Vasilit
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho i është përgjigjur ish-kryetarit të LSI, Petrit Vasili, i cili lëshoi akuza ndaj demokratëve pas vendimit për rritjen e çmimit të ujit në Tiranë. Spaho e konsideron të neveritshme politikën e Vasilit dhe LSI-së, pasi siç thekson ai, PS-së i duheshin vetëm dy vota që i mori te partia e Monika Kryemadhit dhe tani akuzojnë PD-në. “‘Politikë’ e neveritshme. PS vetëm dy vota i duheshin. E votuan dy këshilltarë të LSI dhe pastaj ky akuzon PD”, shkruan Spaho. Mbrëmjen e së mërkurës në Këshillin Bashkiak, Erion Veliaj arriti të kalonte vendimin për rritjen e çmimit të ujit falë votës së dy anëtarëve të LSI-së, të cilët më pas u akuzuan nga Kryemadhi se ishin të blerë. Kërkesa për rritjen e tarifave të ujit në Tiranë do të nisë të shqyrtohet në fund të muajit gusht. Lajmi bëhet me dije nga Enti Rregullator i Ujit, i cili shton se procesi i vlerësimit për dosjen e plotë të propozimit, së bashku me detajet e tjera shtesë që do të kërkohen nga Komisioni Kombëtar Rregullator, do të kërkojë minimalisht 1 muaj kohë nga data e fillimit të shqyrtimit. Të mërkurën Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi propozimin për rritjen e tarifave të ujit, ndërkohë që është ERRU, që do të marrë vendimin përfundimtar. Sipas propozimit të Bashkisë, tarifa e ujit të pijshëm për abonentët familjarë pritet të rritet me 20 lekë, duke shkuar në 65 lekë/m3 nga 45 lekë/m3 që është aktualisht.
Abuzimet e Veliajt në ujësjellës, 8 milionë euro për paga
Bashkia e Tiranës ka lajmëruar rritjen me 40 për qind të tarifave për ujin me pretendimin se të ardhurat e ujësjellësit janë të pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet dhe investimet e reja.
Por “SYRI.net” zbardh dokumente që tregojnë se si ndërmarrja e ujësjellësit shpërdoron miliona euro për paga dhe shpërblime militantësh, të cilat paguhen nga qytetarët.
Sipas të dhënave të bëra publike në bilancin e kompanisë, vitin e kaluar UKT ka shpenzuar plot 8 milionë dollarë për paga dhe shpërblime të punonjësve.
Në total shpenzimet e përgjithshme të UKT ishin rreth 20 milionë dollarë. Kjo do të thotë se rrogat dhe shpërblimet e punonjësve përbëjnë 40 për qind të shpenzimeve totale të ujësjellësit.
Shpenzimet e fryra për paga dhe personelin janë një nga arsyet kryesore se pse ndërmarrja e UKT nuk investon në përmirësimin e shërbimit të qytetarëve. Aktualisht Tirana furnizohet më pak se 10 orë në ditë më ujë, ndërkohë që në vend të investimeve të reja paratë shkojnë për rrogat dhe shpërblimet e militantëve.
Qytetarët paguajnë për militantët
Dy vjet më parë, Bashkia e Tiranës deklaroi se do të reduktonte ndjeshëm stafin e UKT-së për të ulur shpenzimet. Në atë kohë, ndërmarrja e ujësjellësit në kryeqytet kishte 1200 punonjës dhe ishte administruar për katër vjet nga Partia Demokratike.
I sapoardhur në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se qindra punonjës do të pushoheshin nga puna për të ulur shpenzimet e panevojshme, pasi sipas tij UKT ishte e mbingarkuar me staf.
Por ajo që ndodhi në fakt ishte largimi i punonjësve ekzistues, për t’u zëvendësuar me militantë të Partisë Socialiste pa asnjë ulje në numrin total të punonjësve.
Në fund të 2015-ës, për të justifikuar nga puna largimin e punonjësve ekzistues të ujësjellësit, Bashkia paraqiti një strukturë me 850 veta për këtë ndërmarrje nga 1200 punonjës që kishte në atë kohë.
Sipas strukturës së re, gjatë muajit dhjetor 2015, Bashkia largoi brenda ditës 430 punonjës të UKT. Por këto nuk ishin shkurtime. Brenda pak muajsh ndërmarrja punësoi staf të ri dhe numri total i punonjësve u rikthye sërish në 1200 vetë.
Përveçse nuk kurseu asnjë lekë nga shpenzimet e tejfryra për paga dhe shpërblime, Bashkia e rriti më shumë koston që paguajnë qytetarët. Kjo pasi për shkak të largimeve nga puna që bëri në vitin 2015, ajo u detyrua nga gjykatat të paguante rreth 600 mijë dollarë shtesë për punonjësit e larguar.
UKT, 680 milionë lekë dëm buxhetit nga largimet masive nga puna
Kompania publike Ujësjellës-Kanalizime Tiranë është bërë pjesë e një tjetër auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku është konstatuar se vetëm nga largimet e padrejta nga puna në harkun e një viti është shkaktuar një dëm prej 68 milionë lekësh. Kjo vlen vetëm për ato çështje që kanë përfituar të drejtën për dëmshpërblim nga ana e gjykatave, të cilat numërohen në rreth 33 ndërkohë që situata pritet të rëndohet po të kemi parasysh që në gjykim mbeten akoma në vijim 178 çështje. Në dhjetor të vitit 2015 nga ana e UKT sh.a u mor një iniciativë ristrukturimi për kompaninë, e cila herë pas here ishte akuzuar se kishte punësime militantësh dhe funksione të dubluara. Sipas KLSH, Asambleja e Përgjithshme e Aksionarëve, me Vendimin nr. 25, datë 09.12.2015 ka miratuar ndryshimin e strukturës dhe shkurtimin e numrit të punonjësve nga 1300 punonjës, në 864 punonjës. Pas këtij vendimi në muajin dhjetor të vitit 2015, janë larguar nga puna 436 punonjës, me objekt “zgjidhje e marrëdhënieve të punës për shkak të shkurtimit të vendit të punës apo suprimimit të vendit të punës”, e cila nga UKT SHA, është konsideruar si zgjidhje kolektive e marrëdhënieve të punës, pasi në bazë të nenit 148 të Kodit të Punës, për një periudhë 90 ditore ka pasur mbi 30 pushime nga puna, duke vepruar në kundërshtim me nenet 143 dhe 148 të Kodit të Punës si dhe Vendimit Unifikues të Gjykatës së Lartë nr. 19, datë 15.11.2007. Por reagimi i të larguarve nga puna duket se ka qenë i menjëhershëm dhe rezulton se vetëm gjatë vitit 2016 janë hapur 211 procese gjyqësore me objekt “Dëmshpërblim page” dhe punonjësit kanë marrë nga UKT shumën 46.7 milionë lekë pa vendim gjykate vetëm në bazë të të drejtës që u jep Kodi i Punës. “Ndërkohë që deri në datën 31.03.2017, kanë përfunduar 33 procese gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit dhe është likuiduar shuma prej 21,407,129 lekë, dhe janë në vazhdim edhe 178 çështje gjyqësore, për të cilat pritet gjykimi nga Gjykata e Apelit, të cilat do të rëndojnë dhe do të japin efekte negative në rezultatin ekonomiko-financiar të UKT. Vlera e detyrimeve gjyqësore të likuiduara nga UKT SHA, për periudhën e auditimit është 68,187,604 lekë, vetëm si pasojë e largimit të punonjësve padrejtësisht nga puna”, vlerëson Kontrolli i Lartë i Shtetit. Për të parandaluar rëndimin e situatës dhe ekspozimin e financave të UKT ndaj dëmshpërblimeve në rritje, KLSH ka rekomanduar që kompania të ndërpresë praktikat e ristrukturimit dhe ndërhyrjes në organikën e shoqërisë. Kjo pasi deri më tani shumica e çështjeve gjyqësorë që kanë në objekt largimin e padrejtë nga puna kanë rezultuar të humbura për UKT.
BIRN