23.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Me kallo në tru e moral amoral

Ardi Stefa

Liria e fjalës është e çmuar dhe një e drejtë e fituar me mund, përpjekje të panumërta dhe është tregues i vërtetë i demokracisë së vërtetë!

Të luftosh për të drejtën e fjalës është jo vetëm e drejtë, por edhe detyrim i cilitdo prej nesh, nga qytetari më i thjeshtë e deri tek politikani më i lartë i këtij vendi!

Por a duhet që në emër të lirisë së fjalës të abuzohet me të?
Absolutisht JO!

Jam pro verifikimit me themel të një akuze për shpifje, të një lajmi të rremë apo me nënkuptim nëpër gazeta, rrjete sociale e portale.
Për këtë arsye jam pro dënimit nga gjykatat me burg ose gjobë për shpifje, sajim provash, pagim dëshmitarësh, mashtrim, korrupsion apo ndonjë vepër tjetër penale për cilindo që është përgjegjës: qytetar, biznesmen, gazetar, politikan, deputet apo ministër apo kryeministër.

Shpifjes i duhet thënë fund!

Abuzimit monstruoz të kategorive të caktuara të njerëzve, politikanë apo gazetarë, gjithashtu i duhet vënë me ligj fre, sepse kanë shkatërruar karriera politike, profesionale, familje e jetë private.

Sepse askush nuk mund të lëshojë nga goja apo shkruajë çfarëdo që i vjen në mendje në emër të “popullit, lirisë e demokracisë”, në emër “të informimit dhe lirisë së fjalës” dhe të mos dënohet.
Shpifësit politikë e mediatikë duhet ta kuptojnë se liria e tyre mbaron aty ku fillon liria e tjetrit dhe se nuk do të jenë më të pakërcënuar në anarko- lirinë e tyre për të shpifur e masakruar publikisht, personalisht e politikisht, cilindo për të cilin as kanë fakte e argumente.

Po! Shpifja dhe abuzimi me fjalën e lirë duhen dënuar!
Gjykatat e lira, të paintimiduara dhe të pavarura duhet të dënojnë kur janë në faj edhe deputetë apo ministra, madje edhe kryeministrin, ish- kryeministrin apo ish- presidentin!

Sa politikanë, deputetë apo edhe kryeministra në botë janë dënuar?
U ngrit shoqëria apo politika në vendet e tyre për të bërë revolucion për ta? Vdiq jeta publike e politike me dënimin e tyre?

Drejtësisë duhet t’i tremben të gjithë pa përjashtim.
Partitë politike nuk duhet të jenë mburojë e deputetit apo ministrit dhe të sulmojnë e kërcënojnë Drejtësinë.

As ta heroizojnë e as ta viktimizojnë të dënuarin!

As duhet të masin lirinë dhe cilësinë e demokracisë nga një vendim gjykate, aq më tepër të pengojnë, të kërcënojnë me ngujim në seli si Oso Kuka, të paralajmërojnë mosbindje civile, bllokim të rrugëve, shesheve, aeroporteve, universitetit, mencave e restoranteve e të “ndërpresin marrëdhëniet institucionale” me pushtetin ligjvënës.

Çdo të thotë të “ndërpresësh marrëdhëniet institucionale me mazhorancën”? Do të rikthehemi përsëri tek trazirat në Kuvend, tek pengimi i jetës parlamentare me bllokim të seancave, përmbysje të karrigeve dhe ndezjen e flakadanëve?

Që demokracia në Shqipëri nuk është e përkryer, madje ka difekte serioze, e dimë të gjithë, por çfarë është normale në këtë shtet që nuk është normal?

Dhe kush është përgjegjës për këtë anormalitet? Unë, apo vetë ligjvënësit që sot ankohen mes lotëve, klithmave e qurreve?

Natyrisht që as normale është që kundërshtari politik të tallet e të denigrojë të dënuarin, edhe pse mund ta meritojë…
Sepse dëshmon që nuk ndryshon nga “penguesit e Drejtësisë” në krahun tjetër.

Askush nuk duhet ta përdorë apo shantazhojë Drejtësinë dhe të jetë i pandëshkueshëm!

Drejtësia duhet të veprojë si Drejtësi dhe hetimet të jenë të plota, shteruese e të paanshme, në mënyrë që dënimet të mos lenë shkas për interpretime e keqinterpretime publike, politike e mediatike!

Që askush të mos i diskutojë apo t’i bëjë gjyqin publik Drejtësisë!

Natyrisht që ka edhe një tjetër parametër: Shoqëria shqiptare të ketë një tjetër kulturë politike e qytetare.

Të çlirohet nga komplekset e të mos krijojë legjenda e mite të rreme aty ku nuk ekzistojnë.

Të mos krahasojë një individ me Krishtin!

Të mos qurravitet, tubohet, të krijojë viktima, heronj e armiq aty ku nuk ka!

Sepse nuk është normale një shoqëri që nuk mendon, por anatemon apo qan me lotë të “ububushëm” për Saimir Tahirin, Ilir Beqajn, Arben Ahmetajn, Sali Berishën, Ervin Salianjin dhe të tjerë që do të vijnë më pas!

Nuk është normale një shoqëri që vajton së bashku me Gridën në monologun e saj dhe ndjek minutë pas minute çfarë bëri, ku shkoi e çfarë tha Salianji!

Sepse me këtë mënyrë tregojmë që e meritojmë këtë standard jetësor e politik që kemi, për shkak të kallove në tru dhe me moralin tonë amoral.

Politika, drejtësia dhe alibia krahasuese e politikës si justifikim!

NGA ALBAN DACI

Sulmi ndaj drejtësisë nga nivelet më të larta të politikës është një sinjal i frikshëm për Shtetin e të Drejtës dhe për Demokracinë.

Këto lloj reagimesh, për fat të keq nuk pasqyrojnë realitetin demokratik europian për të cilin ka nevojë Shqipëria për tu bërë pjesë e familjes së madhe të BE!

Gjyqet publike e sidomos të bëra nga politika nuk janë modelet e një shoqërie demokratike.

Sistemet e drejtësisë nuk janë perfekte, por ato nuk mund të zgjidhen e rregullohen me gjyqe politike.

Situata aktuale e Shqipërisë, në një përplasje të politikës/ pushtetit me demokracinë është e frikshme dhe një sinjal i rrezikshëm për paqen sociale dhe për rendin kushtetuese.

Shqiptarët janë të lodhur tashmë me një klasë politike të papërgjegjshme që për hallet e veta kërkon mbështetjen e qytetarëve.

Asnjëherë në këto 34 vite, kjo klasë politike nuk ka kërkuar gjyqe popullore për padrejtësitë që ju janë bërë qytetarëve.

Kjo klasë politike është pengesa kryesore që me egoizmin e saj dhe për interesat e saj ka vënë disa herë në pikëpyetje të ardhmen e vendit dhe demokracinë.

Duhet një vetëdije e lartë qytetare dhe kombëtare kundër kësaj klase politike për të hapur, së pari kapituj të rinj mes qytetarit dhe politikës dhe pastaj mes Shtetit dhe BE!

Shqiptarët janë të lodhur tashmë me këto inskenime e me këta politikanë që vazhdojnë të jenë pengesa kryesore dhe serioze e një të ardhme më të mirë dhe të merituar të qytetarëve dhe vendit.

Modeli i një jo vetëm në përballje apo në raport me drejtësinë, por as si alternativë politike nuk mund të jetë ai krahasuese. Në ç’kuptim?

– Spak arreston vetëm djathtas, por pse nuk arreston as majtas

-Spak e Ka me kreun e Opozitës e pse nuk e ka as me kreun e maxhorancës

-Drejtësia arreston në radhët tona e pse nuk arreston në radhët e tyre

– Drejtësia është e kapur nga shumica kur na sulmon neve dhe është e mirë kur sulmon “armiqtë” apo kundërshtarët tanë

Me këtë lloj stili justifikues/krahasues, Opozita nuk prezantohet si alternativë tek qytetarët! Ose më sakt në optikën e tyre që s’kanë interesa personale as tek Opozita e as tek Pozita, që në fakt janë shumica e shqiptarëve e shohin njësoj si shumica edhe atë që në fakt duhet të jetë shpresa!

Qytetarët e thjeshtë, ata që kanë vuajtur e Jane ndëshkuar nga politika, po shohin më gjakftohtësi një klasë politikë, me të njëjtën fizionomi dhe që e kanë marrëdhënien me drejtësinë si problem të përbashkët!

Mendoj, pa ndonjë ekzagjerim, qytetarët kanë më shumë se një vit, që politikan majtas e djathtas përfundojnë në dyert e drejtësisë, si disa si hajdut, disa si abues e ndonjë sigurisht edhe si i pafajshëm falë edhe difekteve të sistemit! Kjo është panorama që shikojnë ata shqiptarë që bëjnë pjesë në zonën gri, që janë të detyruara të jetojnë në Shqipëri, me ato problematika dhe të kenë ofertë këtë klasë politikë që duket e njëjtë në luftën me drejtësinë, por vetëm ndryshojnë fytyrat dhe emrat!

Shqiptarët dhe Shqipëria kanë nevojë për një opozitë që thotë:

– Hetoni, sepse ne nuk kemi vjedhur

– Hetoni, sepse ne nuk jemi pasuruar falë pushtetit e në emër të besimit të qytetarëve

– Jetoni, se ne jemi të pastër e per ne s’mund të gjeni asgjë

– Ne e sfidojmë drejtësinë e duam vetingun tonë ashtu si ata

Kjo është Opozita që duan shumica e shqiptarëve e sot ju mungon si model politik, si shpresë apo si një dallim i madh me shumicën që tashmë ka probleme pafund.

“Planet për Shtetin Bektashi, ide fluturake” – Ish kryenegociatori i Shqipërisë me BE: Cenohet Kushtetuta! Përplasen shumë aspekte të të drejtës civile

Ish-kryenegocatori i Shqipërisë në BE, Zef Mazi, e ka cilësuar ide fluturake propozimin e kryeministrit Edi Rama për krijimin e një Shteti Bektashi në Shqipëri.

 

Në një lidhje ‘live’ në emisionin “Log.” në Neës24, Mazi u shpreh se ideja e kryeministrit në OKB ka përzier disa koncepte, ndërsa shtoi se ai nuk e ka gjykuar si duhet këtë propozim.

Ai tha se ide të tilla cënojnë Kushtetutën e vendit, në të cilën është theksuar qartë që Shqipëria është shtet unitar dhe i pandashëm, dhe pavarësia e shtetit, tërësia e terriotortalitetit të saj, të drejtat e njeriut, paralizimi plastik, bashkëjetesa fetare, janë baza e këtij shteti.

“Mendime të kësaj natyre përplasin shumë aspekte të të drejtës civile. Nëse nuk ka të drejtë kryeministri, duhet  thënë që nuk ka të drejtë”, përfundoi ai.

Zef Mazi: Mendoj se ideja e kryeministrit në OKB ka përzier disa koncepte, dhe lë vend për diskutime më të thelluara, pasi bart rreziqe jo të vogla. Vendi ynë ka nevojë për ta përforcuar kohezionin e tyre dhe jo për ide fluturake. Në Kushtetutë theksohet qartë që Shqipëria është shtet unitar dhe i pandashëm, dhe pavarësia e shtetit, tërësia e terriotortalitetit të saj, të drejtat e njeriut, paralizimi plastik, bashkëjetesa fetare, janë baza e këtij shteti.

Kushtetuta jonë cenohet nga këto ide. Mendime të kësaj natyre përplasin shumë aspekte të të drejtës civile. Nëse nuk ka të drejtë kryeministri, duhet  thënë që nuk ka të drejtë. Mendoj se kryeministri nuk e ka gjykuar si duhet.

Shqiptari i parë tek Arsenali/ Situata absurde me Maldin Kaçurri, nuk thirret prej 1 vit nga kuqezinjtë

Kombëtarja shqiptare ndër vite nuk ka pasur asnjë futbollist i cili ka luajtur për Arsenalin. Maldin Kaçurri, me debutimin e tij, bëhet lojtari i parë që ka veshur fanellën e “Topçinjve”.

Kaçurri në debutim tek Arsenali

Më herët, tek Arsenali ka lënë gjurmë edhe Granit Xhaka me Shkodran Mustafin, dy shqiptarë me origjinë, por që kanë përfaqësuar Zvicrën në rastin e mesfushorit dhe Gjermaninë në rastin e mbrojtësit. Ndërkohë, Kaçurri, bëhet shqiptari i parë i Kombëtares kuqezi i cili zbret në fushë për Arsenalin.

Ndërkohë, paradoksi me Maldin Kaçurrin është që prej një viti ai nuk grumbullohet nga Kombëtarja U-21 apo U-19. Fillimisht rrugëtimi i Kaçurrit nisi me Shqipërinë U-17, ku në maj të 2021-it ai u thirr për dy ndeshje miqësore, ku trajneri Ervin Bulku në atë kohë, e aktivizoi si zëvendësues, 33 minuta në ndeshjen e parë dhe 10 minuta në të dytën.

Pas dy vitesh mungesë, Maldini rikthehet sërish në Kombëtaren U-19, ku nga qershori deri në tetor, luajti 5 ndeshje, dy nga të cilat titullar dhe tri të tjerat në pjesën e dytë. Ky ishte rrugëtimi i mbrojtësit, i cili aktivizimin e fundit e ka më 17 tetor të vitit të kaluar.

Duke parë rritjen e tij tek akademia e Arsenalit dhe atë që ka arritur këto javë, duket e pakuptueshme se pse Kaçurri nuk është thirrur prej një viti në ekipet kombëtare, qoftë ai U-21 dhe ai U-19.

Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti takim me O’Brien dhe Lajçak: Përkushtim dhe angazhim konstruktiv në procesin e normalizimi të marrëdhënieve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua në Nju Jork me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

 

Në takim, sipas Qeverisë së Kosovës, Kurti se ka biseduar me zyrtarët amerikanë dhe evropianë për çështjen e dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe për “zhvillimet e fundit në vend”.

“Kryeministri Kurti gjithashtu nënvizoi përkushtimin e tij për bashkëpunim rajonal mbi parimet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksin e saj, që duhet të zbatohet e plotë”, u tha në njoftim.

Kosova dhe Serbia vitin e kaluar arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e saj.

Kosova ngul këmbë që kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme për palët pavarësisht nënshkrimit.

Megjithatë, palët nuk kanë bërë hapa drejt zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

SHBA-ja i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të marrin seriozisht dialogun për normalizimin e raporteve.

Së fundi, ndërkaq, Qeveria e Kosovës është përballur me kritika nga SHBA-ja, për disa veprime të ndërmarra në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, që Uashingtoni i ka cilësuar si veprime të pakoordinuara dhe të njëanshme.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, po ashtu ka deklaruar se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij në disa aspekte.

Ai ka thënë se cilësia e partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës “nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”./rel

Fruti i plotë apo lëngu, ja cili ka më shumë vlera për organizmin

Lëngu i portokallit tingëllon si alternativë e mençur dhe e shëndetshme për ta nisur ditën. Megjithatë ajo gotë me lëngun e artë mund të mos jetë aq e shëndetshme, pavarësisht pranisë së vitaminave dhe mineraleve.

 

Studimet kanë treguar se gjysëm gote me lëng 100% frutash rrit me 16 përqind rrezikun e diabetit të tipit 2.

Sipas ekspertëve konsumi i frutave nëpërmjet lëngut të tyre është i gabuar dhe konsumatorët duhet gjithnjë të zgjedhin frutin e plotë.

Arsyet janë të thjeshta: lëngjet të ngopin pak, kanë shumë sheqer dhe kanë më pak fibër,

Përse janë të rëndësishme Fibrat?

Fibrat ndihmojnë tretjen, balancojnë nivelin e sheqerit në gjak dhe të bëjnë të ndihesh i ngopur. Ka dy lloje fibrash që gjenden në fruta dhe perime të ndryshme.

Fibrat e patretshme që luajnë rolin e një udhërrëfyesi për gjithçka futet në trup, sidomos në aparatin tretës. Fibrat e tretshme që gjenden tek produktet si kastraveci, drithërat, karrotat, arrat dhe farat.

Fibrat e tretshme ofrojnë një sërë përfitimesh, përfshirë uljen e kolesterolit, thithjen e karbohidrateve nga ushqimet dhe ndihmën që u jep baktereve të mira në stomak. Fibrat e tretshme gjenden edhe në produkte si tërshëra, molla, kumbullat, pjeshkat arrat dhe farat.

Fibra është e rëndësishme në ushqimin tonë të përditshshëm, ndaj nëse ju pëlqejnë lëngjet, merrni frutat dhe perimet dhe grijini, por mos i shtrydhni gjithmonë, kështu merrni edhe dozën ditore të fibrës. Sipas studimeve, meshkujt dhe femrat kanë nevojë të konsumojnë të paktën dy filxhanë fruta dhe dy filxhanë perime në ditë. Fëmijët kanë nevojë për një.

Fruti eshtë mbret

Kombinimi i të gjitha varieteteve të fibrave që gjenden në frutin e plotë vonon përthithjen e sheqerit nga sistemi tretës dhe ndihmon mëlçinë që të mos jetë aq e ekspozuar ndaj dozave të larta të sheqerit.

Sa më shumë fibra të ketë një frut, aq më shumë kohë do t’i duhet të rrugëtojë në aparatin tretës, duke ushqyer stomakun me ushqyesit e nevojshëm që luftojnë sëmundjet e ndryshme.

Nga ana tjetër, frutat me fibra të bëjnë të ndihesh i ngopur dhe si rrjedhojë nuk e tepron me ushqimin.

“Njerëzit që konsumojnë pak fibra, hanë më shumë” thonë ekspertët.

E thënë thjeshtë: Të gjithë mund të pinë 170 gram lëng frutash në ditë, por të hash tre portokalle në të njëjtën kohë është e vështirë sepse ngopesh lehtë./

Mes tensionesh e kritikash nga republikanët për Ukrainën, Trump takohet me Zelenskyn! Ish-presidenti i SHBA: Do ta zgjidhim shumë shpejt këtë çështje

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy po takohet sot në kullën Trump në Nju Jork me ish-Presidentin Donald Trump. Para takimit zoti Trump, tha se marrëdhëniet e tij, si me zotin Zelensky ashtu edhe me presidentin rus Putin janë shumë të mira dhe se nëse fiton zgjedhjet, do të angazhohet t’i japë fund luftës sa më shpejt.

trump zelensky

Takimi vjen pas kritikash të forta që zoti Trump ka bërë ditët e fundit ndaj zotit Zelenskyy. Presidenti ukrainas u prit gjithashtu dje në takim nga Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris për të diskutuar mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën.

Ndërkohë ligjvënësit republikanë në Kongres, dënuan vizitën e zotit Zelenskyy në një fabrikë municionesh në Pensilvani, duke e quajtur atë një “aktivitet elektoral” të organizuar siç thane, “për të ndihmuar demokratët”. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara njofton.

Kandidati republikan për President, Donald Trump tha sot se do të punonte me Ukrainën dhe Rusinë për t’i dhënë fund luftës, përpara takimit në Nju Jork me udhëheqësin e ukrainës Volodymyr Zelenskiy.

Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë, por unë gjithashtu kam një marrëdhënie shumë të mirë, dhe me Presidentin Putin. Dhe mendoj se nëse fitojmë, do ta zgjidhim shumë shpejt, këtë çështje. Por ju e dini duhet dy vetë për të kërcyer një tango. Mendoj se fakti që jemi sot bashkë është një shenjë shumë e mirë dhe nëse do të fitojmë zgjedhjet mendoj se përpara se të marr mandatin e presidentit më 20 janar, mund të bëjmë diçka që është e mirë për të dyja palët. Mendoj se ka ardhur koha”, tha zoti Trump.

Duke folur para gazetarëve në “Kullën Trump”, zoti Zelenskiy tha se do të diskutonte me zotin Trump “planin e tij të fitores” për Ukrainën.

Takimi i sotëm vjen pasi ish-presidenti Trump ka shtuar kritikat ditët e fundit ndaj zotit Zelenskyy dhe administratës Biden, duke i fajësuar për zgjatjen e luftës që nisi me sulmin rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Një marrëveshje do të ishte arritur nëse do të kishim një president të aftë në vend të një presidenti që e ka zgjatur luftën. Bideni dhe Kamala lejuan që kjo të ndodhte duke ushqyer Zelenskyyn me para dhe municione, siç nuk ka ndodhur kurrë në asnjë vend”, tha ish-Presidenti Donald Trump.

Komentet e zotit Trump kanë krijuar ankth jo vetëm në Ukrainë, por edhe në disa kryeqytete evropiane që kanë mbështetur përpjekjet e Kievit në luftë.

T’i japësh papritur Moskës gjithë atë avantazh, duke vënë në pikëpyetje armët që i dërgohen Ukrainës, apo mbështetjen politike për këtë vend, do të thotë t’i dorëzosh fitoren Moskës”, tha për Zërin e Amerikës Ian Lesser, ekspert i Fondit Gjerman Marshall me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Të enjten Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u takua me Presidentin amerikan Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Më lejoni të jem i qartë. Rusia nuk do të triumfojë në luftë. Ukraina do të triumfojë dhe ne do të vazhdojmë t’u qëndrojmë pranë në çdo hap“, tha Presidenti Biden.

Zoti Zelenskyy po nxit zotin Biden që të lejojë Ukrainën të përdorë armë amerikane për të goditur objektiva në thellësi të territorit rus, si pjesë e planit të tij për fitore.

Diskutova me Presidentin Biden planin e fitores. Sot po përgatitemi të diskutojmë detajet për ta forcuar atë, për të koordinuar qëndrimet, pikëpamjet dhe qasjen tonë”, tha zoti Zelenskyy.

Por Shtëpia e Bardhë tha se mbi këtë çështje nuk pritet së shpejti ndonjë njoftim.

Ndërkohë ligjvënësit republikanë kritikuan vizitën e zotit Zelenskyy të dielën në një fabrikë municionesh në Pensilvani, një shtet fushëbeteje për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Ata thanë se vizita ishte “një aktivitet elektoral”, organizuar sipas tyre “për të ndihmuar demokratët”. Republikanët bënë thirrje për largimin e ambasadores së Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova.

Ne ndodhemi para një gare të ngushtë, të nxehtë dhe nuk kemi nevojë që vendet e huaja të ndërhyjnë e të dëgjohen mendimet e tyre në një kohë si kjo“, tha Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.

Zoti Zelenskyy zhvilloi një takim të veçantë me Nënpresidenten Kamala Harris, kandidaten demokrate për presidente. Ajo nënvizoi se i takon Ukrainës të vendosë se si duhet të përfundojë lufta.

Zonja Harris kritikoi kandidatin republikan për Nënpresident JD Vance, propozimi i të cilit për t’i dhënë fund luftës, do të nënkuptonte një Ukrainë me më pak territor e që nuk do t’i bashkohej NATO-s.

Këto propozime janë të njëjta me ato të Putinit dhe le ta themi qartë, nuk janë propozime për paqe. Në ndryshim, ato janë propozime për t’u dorëzuar, gjë që është e rrezikshme dhe e papranueshme”, tha ajo.

Përpara vizitës së zotit Zelenskyy, Shtetet e Bashkuara njoftuan 8 miliardë dollarë ndihmë të re për Ukrainën, që ndër të tjera përfshin dhe armatime për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.

Mbetjet e Kurum që dyshohen si të rrezikshme mbërrijnë në Itali

AFP

Sipas dokumenteve zyrtare të shqyrtuara nga AFP, kontejnerët ishin mbushur me materiale mbeturinash që ishin vendosur për t’u përpunuar dhe shkatërruar larg brigjeve të Evropës.

Por disa javë më vonë, kontejnerët janë ende në det mesdhetar, pas një diskutimi disa mujor mbi atë që po transportohej saktësisht dhe nëse ishte e ligjshme.

Sasi të mëdha mbeturinash dërgohen rregullisht në vendet në zhvillim — pjesë e një industrie globale që sheh vendet perëndimore të transferojnë trajtimin e mbetjeve të rrezikshme në Azi dhe Afrikë.

Kjo praktikë është denoncuar prej kohësh nga organizatat mjedisore.

Pavarësisht kritikave, tregtia e menaxhimit të mbetjeve vazhdon të jetë një sipërmarrje shumë miliarda dollarëshe. Vetëm trajtimi i materialit të paligjshëm gjeneron nga nëntë miliardë deri në 11 miliardë euro çdo vit, sipas Task Forcës së Veprimit Financiar, një mbikëqyrës kryesor që ndjek tregtinë e paligjshme.

Banka Botërore vlerëson se rreth dy miliardë tonë mbeturina prodhohen çdo vit në të gjithë globin – që pritet të arrijë në 3.4 miliardë tonë deri në vitin 2050.

Brenda atyre maleve të mbetjeve, rregullatorët e kanë konsideruar një pjesë të caktuar të rrezikshme.

Këto përfshijnë substanca që mund të jenë të dëmshme për shëndetin e njeriut ose mjedisin për shkak të reaktivitetit të tyre kimik ose niveleve të toksicitetit.

Për të rregulluar më mirë industrinë, Konventa e Bazelit, e nënshkruar në 1989 nga 53 vende, i ndalon anëtarët e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) të dërgojnë mbetje në shtetet joanëtare.

Por Shqipëria, e cila nuk është anëtare e forumit ekonomik me bazë në Paris, është e lirë të dërgojë mbetje jashtë vendit.

Odisea industriale
Materiali i depozituar në 102 kontejnerët e kishte origjinën nga uzina e çelikut Kurum International në pronësi turke në Elbasanin e Shqipërisë qendrore, sipas raporteve të mediave shqiptare.

Mbetjet u blenë fillimisht nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila më pas ia shiti materialin filialit të saj në Kroaci, GS Minerals, me ngarkesën që do të shkarkohej në Tajlandë për përpunim.

Sipas dokumenteve të parë nga AFP, Sokolaj i etiketoi mbetjet si “oksid hekuri” — një substancë që nuk është e ndaluar për dërgesë dhe që nuk konsiderohet e rrezikshme.

Një analizë e substancës në kontejnerë u krye nga një laborator kroat me bazë në Zagreb, sipas Sokolajt.

Kur u kontaktua nga AFP, laboratori refuzoi të komentonte, duke thënë se “informacioni mund t’u jepet vetëm klientëve”.

Vetë Sokolaj nuk i është përgjigjur pyetjeve se çfarë ka në kontejnerë. Kompania dhe filiali i saj kroat refuzuan të dyja kërkesat e AFP për koment.

Kontejnerët më pas u nisën për në portin italian të Triestes, ku u ngarkuan në dy anije mallrash të operuara nga gjigandi botëror i transportit Maersk — Campton dhe Candor.

Ndërsa anijet lundronin përgjatë vijës bregdetare afrikane, një organizatë e specializuar në gjurmimin e mbetjeve toksike, Basel Action Netëork (BAN), kontaktoi Maersk.

Një sinjalizues kishte telefonuar linjën telefonike të rrjetit për të raportuar se kontejnerët mbanin jo vetëm oksid hekuri, por edhe mbetje toksike.

BAN i kërkoi Maersk që të ndalonte anijet kur ato ishin pranë bregut të Afrikës së Jugut, sipas presidentit të saj, Jim Puckett.

Anijet nuk u përgjigjën dhe fikën transponderët e tyre ndërsa lundronin për në Singapor, sipas BAN.

BAN më pas njoftoi autoritetet tajlandeze, të cilët refuzuan të lejonin hyrjen e kontejnerëve.

“Qeveria refuzoi të importonte më shumë se 800 tonë pluhur furre me hark elektrik (EAFD) nga Shqipëria”, tha në një deklaratë Departamenti i Punëve Industriale Tajlandeze.

EAFD është një nënprodukt i rrezikshëm i prodhuar gjatë prodhimit të çelikut.

Penchome Saetang, një aktiviste mjedisore që punon me qeverinë tajlandeze, tha se paralajmërimi çoi në refuzimin e ngarkesës nga Tajlanda.

“Pas marrjes së informacionit nga OJQ-të, qeveria dyshoi se mund të ishte EAFD,” tha Saetang për AFP.

Pas njoftimit nga qeveria tajlandeze, Maersk i tha AFP se ia dorëzoi kontejnerët kompanisë së transportit MSC në Singapor për t’i kthyer kontejnerët në Shqipëri.

“Maersk Campton dhe Maersk Candor po mbanin ato kontejnerë të dyshuar në emër të një linje tjetër detare. Asnjë prej këtyre kontejnerëve nuk është deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme,” i tha Maersk AFP.

“Po të ishin deklaruar se përmbajnë mbetje të rrezikshme, Maersk do të kishte refuzuar t’i transportonte ato.”

MSC nuk pranoi të komentojë kur u kontaktua nga AFP.

Prapë në Evropë
Në fund të gushtit, 102 kontejnerët në bordin e dy anijeve u nisën për në Evropë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka mbrojtur dërgesat dhe ka sulmuar kritikët — megjithatë ka refuzuar të lejojë që kontejnerët të kthehen në portet e vendit.

“Asgjë nuk provon se këto mbetje janë toksike,” tha ai në një seancë të fundit parlamentare.

“Edhe sikur të ishin produkte të rrezikshme, transporti i tyre nuk është i ndaluar as në Shqipëri dhe as në mbarë botën”, shtoi Rama, duke thënë se akuzat bazohen në “dyshime dashakeqe”.

BAN u përgjigj në një letër të hapur drejtuar qeverisë shqiptare, duke thënë se kontejnerët me materiale të rrezikshme nuk mund të dërgohen pa pëlqimin me shkrim të eksportuesit, vendeve tranzit dhe autoriteteve në destinacionin përfundimtar.

“Asnjë nga këto vende nuk ka dhënë pëlqimin e tyre dhe, për rrjedhojë, nëse rezulton se kontejnerët përmbajnë mbetje të rrezikshme, dërgesat përbëjnë “trafikim të paligjshëm” sipas nenit 9 të Konventës së Bazelit,” tha BAN.

Në Shqipëri, prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit dhe partnerët ndërkombëtarë, thuhet në një deklaratë zyrtare.

Që nga mëngjesi i së enjtes, 102 kontejnerët janë ende në det, me ngarkesën në një anije në brigjet e Italisë dhe një tjetër pranë Egjiptit.

“Ka mundësi që të gabojmë,” tha Puckett nga BAN për materialin në fjalë.

“Por unë dyshoj.”

BIRN: Sytë mbi Komisionin “Xhafaj”

Nga Gjergj Erebara

Ambasadori i BE, Silvio Gonzato dhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali gjatë një takimi me institucionet e pavarura. Foto: LSA.

Diplomacia perëndimore i dha disa mesazhe shumë të prera shumicës socialiste gjatë dy ditëve të fundit në lidhje me pavarësinë e sistemit të drejtësisë, nevojën për të respektuar pa diskutime vendimet e Gjykatës Kushtetuese si dhe për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, shoqëruar këto me disa leksione elementare mbi shtetin e së drejtës dhe parimin e ndarjes dhe kufizimit të pushteteve në sistemet qeverisëse të demokracisë liberale.

Këto zhvillime duket se vënë në pah shqetësimin e partnerëve në lidhje me sjelljen e shumicës parlamentare socialiste si dhe veprimtarinë e komisionit parlamentar për “reformat” nga njëra anë dhe komisionit parlamentar për “disinformimin” nga ana tjetër.

Të dy komisionet, nisma të Partisë Socialiste, janë nën vrojtimin e aktivistëve vendës, por edhe të ambasadave të huaja nën dyshimin se nën qëllimet e tyre të shpallura, lufta kundër dizinformimit dhe reformat anti-korrupsion, qëndrojnë qëllime jo kaq pozitive nga maxhoranca, të tilla si lufta kundër lirisë së shprehjes apo ushtrimi i presioneve ndaj institucioneve të drejtësisë, të cilat, për herë të parë në historinë e vendit, kanë mundësinë që, jo vetëm të funksionojnë të pavarura nga pushteti politik, por edhe të kryejnë funksionin e tyre kontrollues dhe kufizues të dy pushteteve të tjera, ligjvënësit dhe ekzekutivit.

Në një takim që kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali pati të enjten me krerët e institucioneve të pavarura, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato i tha në mënyrë paksa tepër të prerë në krahasim me gjuhën e zakonshme diplomatike se “vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen siç nxirren nga ajo” dhe se “për reformën në drejtësi parlamenti mund të luajë një rol kyç për mos kthimin pas të këtyre reformave.”

Gonzato theksoi në fjalën e tij nevojën që marrëdhëniet mes degëve të qeverisjes të kryhen duke marrë parasysh kriteret kushtetuese “të kontrollit dhe balancave”.

Mesazhi i Gonzatos u pasua nga mesazhe të ngjashme nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nick Abott dhe ai i Holandës, Reinout Vos.

Para mesazheve për Spiropalin, Gonzato pati një mosmarrëveshje më të qartë me deputetin Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar “për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”. Mosmarrëveshja në mënyrën e konceptimit të rolit të shtyllave të ndryshme të qeverisjes në shtetin e së drejtës u shfaq në komentet që Xhafaj bëri në një takim në të cilin Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, një organizatë, prezantoi një studim mbi punën e SPAK.

Xhafaj u shpreh i pakënaqur me punën aktuale të sistemit të drejtësisë dhe konsideroi si të pamjaftueshme raportimet vjetore që institucionet e drejtësisë bëjnë në parlament.

“Pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vendimmarrje nuk mund të jetë këmishë force për të mos u gjykuar për përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe transparencën”, deklaroi Xhafaj, ndërsa bëri thirrje për “bashkëpunim dhe harmonizim” të punës së tre shtyllave të qeverisjes, pra legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Në këtë pikë, Gonzato bëri një ndërhyrje shtesë e cila në fakt përbënte edhe një formë leksioni.

“Pa institucione të pavarura të drejtësisë, nuk ka drejtësi të pavarur,” tha ai. “Kritere të tilla si llogaridhënia dhe transparenca nuk mund të përdoren në kurriz të pavarësisë së tyre dhe mendoj se ka mekanizma të brendshme të institucioneve të drejtësisë për të rritur këto dy cilësi.”

Gonzato sqaroi më tutje se thirrja që i bëhet parlamentit nga Raporti Screening për të rritur rolin e tij mbikëqyrës, “nuk do të thotë ndryshim të balancave dhe kufizimeve aktuale apo ndryshim të hierarkisë mes institucioneve të ndryshme.”

Sepse në fakt, të tre shtyllat e qeverisjes, në sistemet e demokracive liberale si këto tonat, nuk janë konceptuar që të jenë “në harmoni” me njëra-tjetrën, siç sugjeron Xhafaj dhe as që të jenë nën ndërvarësi. Sepse në fakt, funksioni i tyre është kufizues dhe balancues dhe i mëvetëm. Me pak fjalë, është parlamenti ai që kontrollon ekzekutivin dhe është gjyqësori ai që kontrollon si ekzekutivin ashtu edhe ligjvënësin në mënyrë të pavarur prej tyre dhe në shërbim të të drejtave ligjore.

Komisioni Xhafaj u krijua nga shumica socialiste si një instrument me mandat trevjeçar për të reformuar vendin. Ndërkombëtarët nuk janë shprehur parimisht kundër, e madje kanë sugjeruar se një komision i tillë mundet me të vërtetë të ndërmarrë nisma të vlefshme për të luftuar korrupsionin “me mjete administrative”, pra, që abuzimi me pushtetin në sektorin e ekzekutivit dhe jo në sektorin e gjyqësorit sepse parlamenti nuk mundet dhe nuk duhet të ketë ndikim mbi këtë të fundit.

Në fakt komisioni deri më tani ka prodhuar disa dokumente e diskutime të cilat mund të shikohen këtu: Link. Për shembull, procesverbali i mbledhjes së datës 26 korrik, mbart diskutime shumë teorike për pjesën dërrmuese të çështjeve nga të gjithë deputetët socialistë, të cilët, siç rezulton nga procesverbali, janë ndarë në grupe dhe po shqyrtojnë raportet e ndryshme të ndërkombëtarëve për Shqipërinë. Diskutimet janë me të vërtetë në rang shumë teorik deri nga fundi i dokumentit. Për shembull, deputeti Braçe flet për nevojën për të reformuar “institucionet kundër korrupsionit”, të cilat ai i cilëson si “të korruptuara” dhe “të pareformuara që prej 34 vjetësh”, por nuk flet konkretisht nëse e ka fjalën për ndonjë institucion të caktuar. Ndërsa deputeti Toni Gogu flet për nevojën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut nga teknologjia, sepse, tha ai, bota rrezikon një “diktaturë digjitale”.

Pas këtyre diskutimeve shumë teorike, në fund të mbledhjes, deputetja Bushka bëri të ditur se stafi i kuvendit ka përgatitur tashmë një projektdokument, i cili ka të bëjë me një analizë të reformës në drejtësi. Me pak fjalë, ndërsa emri i madh dhe gjithëpërfshirës “për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për “Shqipërinë 2030” në Bashkimin Europian” mbart kryesisht diskutime teorike, akshe akshe, tërësisht të pakuptimta, pjesa e reformës në drejtësi është ajo që bart diskutime më praktike, me dokumente sakaq të përgatitura dhe me objektiva ku e ku më të qarta se sa pjesa tjetër.

Dhe ndryshe nga ku i shkon gjuha socialistëve, ambasadori Gonzato u sugjeroi atyre të merren me çështje më praktike, korrupsionin në sektorë më të ndjeshëm për jetën e përditshme të qytetarëve.

Sipas Gonzatos, puna duhet të fillojë “për të marrë masa konkrete parandaluese në sektorët më të cenueshëm ndaj korrupsionit, ku masat kundër korrupsionit kanë pasur deri tani një ndikim të kufizuar, dhe listoj këtu infrastrukturën publike, kadastrën dhe të drejtat pronësore, doganat, administratën tatimore, arsimin, shëndetësinë, prokurimet publike, partneritetet publik-privat, etj.”/reporter.al

Ndërtesa 14-katëshe u shemb pas tërmetit, dënohet me 865 vite burg kontraktori i godinës ku humbën jetën 96 persona në Turqi

Kontraktori përgjegjës për ndërtimin e një ndërtese shumëkatëshe në Turqinë jugore, e cila u shemb në tërmetin vdekjeprurës të 6 shkurtit 2023, duke vrarë 96 persona, u dënua sot me 865 vjet burg.

 

Ndërtesa 14-katëshe në Adana u shemb pas tërmetit të parë me magnitudë 7.8, i cili ndodhi në orën 04:17, dhe nga kjo ndërtesë mbijetoi vetëm një nga banorët.

Tërmeti dhe lëkundjet pasuese vranë më shumë se 53,500 njerëz në Turqi dhe afro 6,000 në Sirinë fqinje.

Sipas shtypit turk, kontraktori Hasan Alpargun, i cili u dënua sot për shkaktim të vdekjes dhe plagosjes së më shumë se një personi me qëllim keqdashës, kishte ikur në Qipro ditën e tërmetit, përpara se te dorëzohej në polici një javë më vonë, shkruan CNN Turk.

Shembja e pallatit të ndërtuar në vitin 1975, menjëherë pas tërmetit shkaktoi pikëpyetje serioze, pasi Adana, më pak se 200 km nga epiqendra, nuk pësoi dëme të mëdha nga lëkundjet e tërmetit.

Ekspertët gjatë gjykimit vunë në dukje mangësi serioze në ndërtimin e kolonave të nevojshme për të mbështetur godinën, si dhe në cilësinë e betonit të përdorur për ndërtim.

Kontraktori u mbrojt duke pretenduar se ndërtimi ishte miratuar nga autoritetet. Mbi 260 persona të përfshirë në ndërtimin e ndërtesave që u shembën në tërmetin e 6 shkurtit 2023 u arrestuan në javët pas tërmetit, ndërsa disa u përpoqën të largoheshin nga Turqia.

U konstatua se kontraktori Alpargün tentoi të transferonte 900 mijë dollarë, nga Turqia në Qipro dhe tentoi të blinte një apartament në Nikosia.